• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

LEF NOSI, NDERA E NACIONALIZMIT SHQIPTAR

October 31, 2015 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU/*
Koha,tejet kryeneçe në verdiktin e saj,i ka gjykuar njerëzit kurdoherë dhe i gjykon,prej veprave të tyre.Fjalët,gjestet,simpatitë e vogla dhe mëritë e mëdha,shuhen nëpër muzgun e viteve.Ndërsa vepra mbetet.Ajo gjallon në vitet që vijnë pas,duke merrituar jo vetëm mbijetesën në kohë,por sidomos respektin e pamatë të kombit të vet.Vepra e atdhetarit Lef Nosi,ka lënë ç’prej deceniesh, gjurmët e saj,në historinë e trazuar tonën,në shekullin që lamë pas.
Lef Nosi ka lindur në Elbasan,në vjeshtën e largët të vitit 1876.Prej të atit mori një edukatë të vyer atdhetare,duke urryer abskurantizmin mesjetar të sundimit osaman.Në vitin 1884,ndjek një shkollë qytetëse në gjuhën turke dhe disa vite më vonë fillon mësimet në të parën shkollë shqipe të qytetit të Elbasanit.Vitet e mbrame të shekullit 19-të,do të linin gjurmët e tyre tek djaloshi qytetar,i cili do t’i ndiqte ngjarjet kurdoherë,me vëmendje të madhe për fatet e kombit të vet.Mbas mbarimit të shkollës qytetëse,niset për studime të mesme në qytetin e Athinës.Këtu do të theksoj se, Kisha Ortodokse e Elbasanit,bënte çmos që ortodoksët elbasnas të studjonin në qytetet greke,duke paramenduar në të pastajmen rekrutimin e tyre,në shërbim të ëndrrave shovene të Megaloidesë. Ndonës studioi në Athinë,faktet treguan se Lef Nosi,në çdo moment të jetës së vet,ishte dhe mbeti një shqiptar i madh dhe për interesat e kombit nuk mungoi të demaskojë sa planet shovene greke aq edhe ato serbosllavëve apo italainëve. Atdhedashuria ishte i vetmi fill që e mbante të lidhur ate me fatet njerzore të bashkëkombasve të vet.Në kryeqytetin helen,biri i Elbasanit njihet me vlerat e qytetërimit të lashtë Helen.Aty studion në fakulltetin e mjeksisë dhe përvetson mjaft mirë veç greqishtes edhe anglishten dhe frengjishten. Ndërkaq së bashku me disa studentë të tjerë shqiptarë,viret në dijeni të politikave djallëzore të grekërve me Stambollin,për ankesimin e trevave juglindore shqiptare.Në vitet 1906-1908,falë profesionit të mjekut farmacist,Lef Nosin e shohim të jetë i pranishëm në disa treva shqiptare.Në të vërtetë,ai pak interesohet për karierën e profesionit të vet.Në Manastir,më 1907 e shohim në shoqërinë e vëllezërve dhe motrave Qiriazi,por është mik edhe me Nijazi Resnjën e Bajo Topullin.Së bashku me këta,punon për të arritur një kuvend të abecesë shqiptare,i cili një vit më vonë u quajt Kongresi i Manastirit.Më 1908,fillon bashkëpunimin me gazetën “Liria” e cila dilte në Selanik prej atdhetarit tjetër të shquar Mid’hat Frashëri.Në një letër dërguar këtij,në nëdnorin e vitit 1908 i shkruan pos të tjerave ;”I ndershmi to ! Veprën tuej,me botimin e kësaj fletoreje kombëtare,nuk do të ketë shqiptar t’a harroje “.
Por është mik edhe me Fan Nolin,Josif Bagerin,Ibrahim Temon etj. Më 1908,kur Dervish Hima arrestohet në Shkodër dhë dënohet me vdekje prej gjykatores turke,ky i lutet Nolit në Boston,që të ndërhyjë një orë e ma parë,të ngrejë zërin në emër të kolonisë shqiptare,të lirohet Dervish Hima,ky patriot që ka bërë aq shumë për lëvizjen tonë kombëtare.Në përgjigjen që Noli i dërgon nga Bostoni,pos të tjerave shkruhet ; “I nderçim vella.I mora letrat tuaja prej londre si edhe një postale… Njeditezaj,ne të Bostonit bemë nje mbledhje per te derguar një delegat ne Stamboll dhe zgjodhëm zotin Peci.Protestuam edhe për serën e Dervish Himës që e zunë dhe e denuan me vdekje në Shkodër”.( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë.Fondi ,Fan Noli , dosja 14 ).
Në fillim të vitit 1909,Lef Nosi i kushtohet tërësisht hapjes së shkollave në gjuhën shqipe,në Elbasan e rrethina.Ai përballet sidomos me klerin grek por edhe me hoxhallarët e qytetit,të cilët e patën mallkaur alfabetin latin të miratuar në Manastir.Me një dashuri të madhe për bashkëkombasit e vet,por edhe me shqiptarizmën e kulluar për levrimin e gjuhës shqipe Lef Nosi troket nëpër dyert e miqve të vet,duke kërkuar para dhe mjete për çeljen e një shkolle shqipe të mbrëmjes.Qëllimi i kësaj shkolle,ishte që jo vetëm nxënësit e vegjël,por edhe gjeneratat më të rritura të Elbasanit,të mësonin menjëherë gjuhën dhe historinë e kombit të tyre,për të parandaluar sa të mundnin asimilimin e shqiptarëve prej fqinjëve barbarë,dhe për të qenë në gjendje të kërkonin të drejtat elementare të tyre,përballë ndryshimeve të shpejta që shfaqeshin në Ballkanin e atyre viteve.E vërteta është se që në javët e para të çeljes së kësaj shkolle,ishin me dhjetra të rinjë elbasanas që mbushën bangat,duke dashur përparimin e tyre dhe krejt kombit.Lidhur me këtë,gazeta “Liria” që dilte në Selanik,do të shkruante:”U hap një mësonjtore nate dhe mësimet po jepen rregullisht.Mësimet e natës janë këto :mësim gjuhe,histori,dhe shkronjë,letërkëmbim e cila mësohet prej z.Lef Nosi… “.(Gazeta “Liria “ nr.23, datë 3 janar 1909 ).
Mandej veprimtaria e Nosit do të ishte tejet e dobishme edhe në Kongresin e Elbasanit për gjuhën shqipe.Në këtë kongres,biri i Elbasanit,do të provonte me argumenta se i vetmi alfabet i yni,vlente të ishte ai latin,ngase kështu mund të shkëputeshim me lehtësi prej ndikimeve të errëta të Patriarkanës greke,po aq edhe ndaj influencave turke.Emri i Lef Nosit,tanimë përcillej me respekt jo vetëm në Elbasan e rrethina por deri në Starovë;Manastir,Shkup e Kosovë.Në mesin e vitit 1910,kryesisht me financat e veta Lef Nosi,boton në Elbasan gazetën “Tomori”.Që në numrin e parë të kësaj gazete,Lef Nosi i bën me dije bashkëqytetarëve të vet se kjo gazetë do të ishte tribunë e mendimit të lirë dhe atdhetar duke u përballuar jo vetëm me politikat shtypëse të Turqve të Rinj,por edhe me ambicijet e shfaqura të grekërve,serbosllavëve dhe bullgarëve,për coptimin e trojeve shqiptare.Dhe në fund,”qëllimi i daljes së “Tomorrit” është mbrothësia e kombit tonë “,do të shkruhej me germa të mëdha.Shytpi i asaj kohe,duke përshëndetur këtë dallëndyshje të pranverës në Elbasan,pos të tjerve do të shkruante ; “Atdhetari i Elbasanit z.Lef Nosi,sot përmbushi një nga dëshirat e tij, e cila kaq kohë rrinte në zemrën e tij, e mbyllur.Ai po nxjerr gazetën shqip me emrin “Tomorri”, e cila sot për sot do të dali tri herë në muaj.Nga të thellet ezemrës i lutemi perparim e mbrothësi në përmbushjen e programit të tij patriotik”.( Gazeta “Korça “ – Korçë , më 18 mars 1910 ).
Por nuk do të mbetet pas në kumtimin e këtij lajmi,as gazeta “Liria” e Selanikut, e cila duke patur bashkëpuntorë të afërt Lef Nosin për dy vjet me radhë,nuk harron të shkruajë ;”z.Lef Nosi, i cili ka punuar prej shumë kohësh me mendime e po punon pa u prehur për mbrothësinë e gjuhës shqipe dhe për përhapjen e ndjenjave kombëtare,një lule që ka kohë që e ka mbjellë në zemrën e tij e rriti me shpejtësi edhe sot ky burrë pati fatmirësinë me këtë lule,fletën “Tomorri” të gëzojë të gjithë qytetin dhe mëmëdhenë tonë,Shqipërinë”.(gazeta “Liria”-Selanik,nr.20,datë 20 mars 1910).
Por “Tomorri” që në numrat e parë të saj,do të zgjonte armiqësinë e Portës së Lartë.Artikujt e botuar aty,jo vetëm që demaskonin regjimin diktatorial të turqve të rinj,por në mënyrë të hapur merrnin krahun e patriotëve shqiptarë që rrekeshin të ndërtonin një lëvizje autonomiste me përfaqsues dhe të shtrirë në krejt trojet shqiptare.Mandej “Tomorri” ish ndër të parat gazeta shqiptare të asaj kohe, e cila,paralajmëronte shqiptarët për rrezikun që ndodhej kombi.Duke përkrahur lëvizjet e para të armatosura në viset e Kosovës kreshnike,në të vërtetë,kjo gazetë u bënte thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkonin armët me vëllezërit e tyre të veriut,për të përballur edhe rrezikun serb edhe ate osman.Krejt kjo veprimtari,nuk mund të kalohej në heshtje prej autoriteteve turke të Elbasanit.Të shtyrë sidomos edhe nga disa klerikë myslimanë,zëdhënës të shpresave osmane në atë kohë,mytesarifi turk e thërret Lef Nosin dhe i kërkon të mbyllte gazetën.Biri i Elbasanit,nisur nga disa politika të ditës së Stambollit,argumenton se gazeta ka një program vetëm lokal,një pasqyrë e jetës elbasanase dhe nuk pretendon të marrë zgjidhjen e çështjeve të mëdha kombëtare.Sidoqoftë mytesarifi turk këmbëngul në kërkesën e tij,ngase e dinte fort mirë rolin e gazetës “Tomorri”.

Firmëtar i Pamvarsisë së Shqipërisë

Në janarin e vitit 1911,Lef Nosi thirret në Manastir nga atdhetarët shqiptarë të atjeshëm,për bashkërendimin e detyrave,në rrafsh të indipendencës shqiptare.Bedri Pejani,Bajram Curri,Sali Gjuka dhe Shahin Kolonja do të jenë paskëtej bashkëpuntorët e ngushtë të Nosit,me të cilët ai ndan shqetsimet e mëdha të lëvizjes kombëtare shqiptare.Por edhe këtu,bie në sy të autoriteteve turke të Manastirit,ku edhe arrestohet.Brenda 4-5 ditëve,gjyqi ushtarak i Manastirit e dënon me 7 vjet burgim dhe duke paraparë revoltën e atdhetarëve të Manastirit,Tetovës,Strugës e Shkupit,autoritetet turke e dërgojnë të vuaj dënimin në Bursë të Turqisë në një prej burgjeve famkeqe të këtij qyteti.Ka qenë më pas,ndërhyrja e deputetëve shqiptarë në parlamentin turk dhe sidomos vendosmëria e Ismail Qemalit,me ç’rast autoritetet e burgut të Bursës e lënë të lirë Lef Nosin.Lirimi nga burgu i këtij atdhetari u përcuall me emocione prej miqve të tij të pendës dhe të pushkës.Ata e pritën plot dashuri në Shkup,ndërsa shtypi i kohës do të shkruante ; “Nga Selaniku muarrëm një letër ku na thuhej se Zoti Lef Nosi,që qe dënuar e dërguar në Bursë,u lirua prej qeverisë dhe shkoi në Elbasan.Gëzohem tepër për këtë sihariq të mirë,që qeveria njohu pafajsinë e këtij mëmëdhetari të vërtetë”.(Gazeta “Liri e Shqipërisë “ nr.3, Sofje,31 mars 1911 ).
Dalja nga burgu,potencoi më tepër idenë e Nosit për lëvizjen kombëtare shqiptare.Ai mban lidhje të ngushta sidomos me Bedri Pejanin,Mid’hat Frashërin,Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin duke u shëndrruar në protagonist të ngjarjeve kulmore shqiptare në vitin 1912.Rrjedhat e lëvizjes autonomiste,nuk pengojnë sidoqoftë të nxjerrë në dritë,pas një pune plot sakrifica tekstin “Abetare për shkollat fillore meshkujsh e femrash” të shtypur në Manastir dhe të shpërndarë në mijëra kopje,fshehurazi,pothuaj në të gjitha trevat shqiptare prej Janine e deri në Preshevë.Krejt kjo veprimtari e Nosit,bëri që populli i Elbasanit,me entuziazëm të papërshkruar,t’a zgjidhte ate si përfaqsues të vetin,në kuvendin historik të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 nëndorin e vitit 1912.
Në Vlorën heroike,Lef Nosi shkonte tanimë si burrë i pjekur e atdhetar i madh.Ai do të merrte pjesë në aktin madhor të ngritjes së flamurit kuqezi pas pesë shekujsh,me të drejtën që i jepte vepra e tij atdhetare, e cila prej kohe i pat kaluar kufijtë Elbasanit.Në mbledhjen e dytë të kuvendit historik të Vlorës të çelur në pasdreken e 30 nëndorit 1912,Ismail Qemali propozoi që të zgjidhet një pleqësi e përgjithshme prej dymbëdhjetë vetash, e cila do të ishte paracaktuese në marrjen e vendimeve për qeverinë e përkohshme.Të dymbëdhjetë antarët e kësaj pleqësie u votuan prej delegatëve,ndërsa vetë ata,zgjedhën kryetarin dhe nënkryetarin e tyre.Sipas burimeve arkivore,vendin e kryetarit në shumicë votash e meritoi Dibra,ndërsa ate të nënkryetarit,atdhetari Lef Nosi.Në mbledhjen e pestë të kuvendit të Vlorës,më 4 dhjetor 1912 ( e cila është shenuar si dita e krijimit të shtetit të parë shqiptar) votohet prej 63 përfaqsuesve të krejt trevave shqiptare,kabineti ministror i Qeverisë së Përkohshme shqiptare.Në këtë votim u vendos prej pjesmarrësve që do të merrnin pjesë në kabinet, ata burra që merrnin mbi 50 përqind të votave.Pas votimit të parë,këta ishin : Luigj Gurakuqi, Myfit bej Libohova,Mehmet pashë Deralla,Abdi bej Toptani dhe Mid’hat Frashëri.” Të dymbëdhjetë emrat që vazhdojnë pas këtyre,duke mos patur numërin e votave të domosdoshme,viren përseri në votim.Në këtë të dytin,zerat e ndanë kësisoj ;z.P.Poga fitoi 40 zera,Pandeli Cale 39,Lef Nosi 37…”
( Gazeta “Pelindja e Shqypnis “ viti II, numer 9-10 , Dt.11-14 shkurt 1914 ).
Me votat e këtij kuvendi,Lef Nosi zgjidhet ministër i post-telegrafeve në kabinetin e Ismail Qemalit.Në krye të këtij dikasteri,ai do të kontribojë deri në fund,duke vënë në shërbim jo vetëm aftësitë dhe njohuritë e veta,por sidomos shqiptarizmin,ate prush të pashuar nëpër decenie.Dihej varfëria dhe gjendja e mjerueshme e Shqipërisë në ato vite.Por burri dhe patrioti Lef Nosi,askurrë nuk u ligështua e për më tej,askurrë nuk e futi veten ndër vajtime.Kur me ndonjë makinë e ku me kalë,dhe me të shumtën e kohës në këmbë,Nosi ngarendi në të gjitha trevat shqiptare,për të vendosur sa të mundete,lidhje të fuqishme midis bashkëkombasve të vet.Në këto udhëtime të lodhshme,ai u përball jo vetëm me mungesën e theksuar të mjeteve financiare,por sidomos me pritat e ngritura në çdo rast prej serbosllavëve apo grekërve.Lef Nosi do të bashkohej në verën e vitit 1913,me ate plejadë të shkëlqyer burrash të viseve shqiptare,të cilat kundërshtuan me forcë vendimet e padrejta të Londrës,për coptimin e trojeve shqiptare.I njohur në qarqet ndërkombëtare, Nosi shkruajti vetë disa protesta duke dashur të sensibilizojë diplomacinë evropiane për padrejtësitë që i ishte bërë kombit të vet.Por thirrjet e atdhetarëve shqiptarë,ashtu sikundër provoi koha,ranë në veshin e shurdhër të kancelarive evropiane.Ndërkaq,në verën e vitit 1913,trazirat në Shqipëri erdhën duke u shtuar.Fqinjët tanë si ata serbosllav edhe ata grekë,nxituan të gjejnë përkrahës të tyre në Shqipëri,për të përligjur përpara Evropës,vendimet e marra në Londër dhe për të demaskuar shqiptarët me mashtrimin e madh të paaftësisë për qevreisje.Historikisht tashmë është bërë e qartë,se promotor i këtyre trazirave u kthye Esat pashë Toptani,ndonëse njeri me influencë në kabinetin e Ismail Qemalit.Është kjo arsyeja që në tetorin e vitit 1913,pas vëzhgimeve konkrete të ngjarjeve,Lef Nosi,i telegrafon urgjentisht Ismail Qemalit,duke e vënë në dijeni pos të tjerave se “Esat Pashë Toptani po behet gati me forcat e veta,te permbyse qeverinë e Vlorës”( arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë.Fondi 81, dosja 5, dokumenti 12158 ).
Pas rënies së kabinetit të Ismail Qemalit,Lef Nosi vazhdon të kontribojë në rrafsh të përpjekjeve të kombit shqiptar,për të përballuar sfidat e reja që buruan prej luftës ballkanike.Ai është pejsmarrës në qeverinë shqiptare të Durrësit më 1918 dhe më vonë merr pjesë dhe në Kongresin e Lushnjës.Anëtar i përhershëm i delegacionit shqiptar,pranë Konferencës së Paqës në Paris,në vitet 1919-1920,së bashku me Mid’hat Frashërin,Imzot Bumçin,Mehmet Konicën,Mehdi bej Frashërin, biri i Elbasanit,ngre lart zërin në mbrojtje të fateve të kombit të vet.Janë një varg fjalimesh të tij,në seanca të ndryshme të konferencës,ku bie në sy argumentimi i denjë që ai i bën historisë së largët dhe të afërt të shqiptarëve,duke i kumtuar kancelarive evropiane faktin emblematik se bashkëkombasit e vet, e meritojnë plotësisht lirinë.Krahas fjalimeve të tij tejet të kujdesshëm,Lef Nosi,në Paris,bashkëpunoi edhe me shtypin vendas.Në mjaft artikuj të botuar aty,por edhe në Gjenevë e Romë,Nosi kërkonte ndihmë prej intelektualëve perendimorë, jo thjeshtë mëshirë,por ata të shinin problemin shqiptar,në rrafsh të dhunimit të drejtave elementare të tyre.Veçmas në Paris,ranë në sy përpjekjet e Nosit për tu kundërvënë me fakte konkrete delegacionit grek,i cili në mënyrë krejt të paturpshëm,ngrinte zërin fort se gjoja Korça dhe Gjirokastra i përkisnin Athinës.Me zgjuarsi,elokuencë dhe plot argumente,Nosi,mundi të bindëte mjaft prej përfaqsuesve të tjerë evropian apo ballkanik,se pretendimet greke s’ishin veç propagandë demagogjike.

Në krye të Këshillit të Lartë Regjencës

Pas ngjarjeve të vitit 1924,Lef Nosi,në pamje të parë,duket se tërhiqet nga jeta politike.E vërteta është se Ahmet Zogu,i pat derguar dy-tri herë mesazhe për bashkëpunim,por mesaduket midis angazhimit politik dhe atij studimor,Lef Nosi ka zgjedhur këtë të dytin.Tashmë,ai ndërmerr ekspedita personale jo vetëm në Elbasan e rrethina por deri në skajet më të largëta,i interesuar të mbledhe çdo material si në fushë të historisë ashtu edhe të folklorit,entongrafisë etj.Ka një bashkëpunim të ngushtë në këto kohëra me studiuesin anglez znj.Hezlok, e cila vite më vonë,do të shërbente si zbuluese pranë misioneve ushtarake angleze në Luftën e Dytë Botërore.Në vitin 1925,pas kaq kohe studimesh,boton në Elbasan përmbledhjen “Dokumente Historike”,të përfshirë në 12 fletore.Parë sot,në harkun kohorë të tetë decenieve,mund të thuhet me plot gojën se kjo përmbledhje,është një gur i rëndë themeli në historiografinë shqiptare.Ngjarjet kulmore të historisë sonë,aty vendosen me harmoni të plotë me kohën dhe për më tepër,të parë me syrin e një atdhetari që askurrë nuk egzaltohet.Personazhe të shumtë vizatohen mrekullisht prej autorit ngase vetë ai,në mjaft prej këtyre ngjarjeve ka lujatur rolin e protagonistit.Të bën përshtypje në këtë përmbledhje se Lef Nosi manifeston kulturë të madhe për ate kohë.Ai përpiqet të sjell sa më shumë fakte nga historia e kombit të vet,pa dashur të bëjë “profesorin” duke dhënë opinione të ndryshme. Përkundrazi,përpjekjet e tij të admirueshme,hedhin dritë mbi data të mëdha,duke i skalitur ato me një realizëm të pazakontë.
Kësisoj për të ardhur deri në vitin 1943,atëherë kur Asambleja e Shqipërisë Etnike,i ftoi burrat e mëdhenjt të kombit të vet,të marrin në duar fatet e Shqipërisë.Për të mbrojtur pavarsinë si dhe për të luftuar sëmundjen e rrezikshe të komunizmit.Asambleja Kushtetuese e tetorit 1943,vendosi të ngrejë Këshillin e Naltë të Regjencës,si organ egzekutiv,i cili do të merrte në duar fatet e shqiptarëve në krejt viste etnike.Pikërisht kjo Asamble,pat vendosur me vota unanime që në këshillin e Naltë Regjencës,të ishin katër burra që deri atëherë nuk kishin shfaqur ndonjë simpati për partitë politike,përndryshe gëzonin reputacion në krejt trevat shqiptare.Lidhur pikërisht me këte ngjarje,gazeta “Kombi” që dilte në Tiranë më 28 tetor 1943,pos të tjerave shkruante ;
“Në rendin e ditës figuronte zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Naltë të Regjencës dhe u propozuan z.Mehdi Frashëri,Lef Nosi,Fuad Dibra dhe Pater Anton Harapi.Të gjithë këta e refuzuan nderin që u bëhej,të gjithë patën guximin të thonë “Jo”,si i thonë një fjale “il grand rifiuto”.Mbas bisedimesh të nxehta që u zhvilluan në këtë mbledhje,u ngrit z.Deva dhe propozoj që z.Mehdi Frashëri t’i imponohet pranimi si anëtar i Këshillit të Naltë dhe të ngarkohet vetë ay qe t’ua imponojë shokëve të tjerë.Zoti Mehdi Frashëri kërkoj fjalën dy herë por nuk iu dha dhe atëherë u zgjodhën ve Mehdi Frashërit edhe tre antarë të tjerë të Këshillit të Regjencës,personat e sipërtreguem,mes brohoritjeve të Asamblesë… E vërteta është ; Përfaqsuesit e kombit dhe askush nga jashtë,dëshiron zgjedhjen e zz.Mehdi Frashëri.Lef Nosi,Fuad Dibra dhe Pater Anton Harapi,si persona të ndershëm.. Anëtarët e Komitetit Egzekutiv,çfaqën thjesht mendimin e tyre,se askush nuk është aq i madh sa t’i shmanget vullnetit të kombit dhe vetëm kombi dikton në këto kohëra jashtëzakonisht dramatike “.
Në të vërtetë,veprimtaria e Këshillit të Naltë të Regjencës,është përfolur aq shumë prej historiografisë bollshevike shqiptare.Ka patur konkretisht kjo regjencë,një qëndrim konstant me gjermanët dhe tani pas 6 deceniesh,nëse analizon e gjykon këtë “bashkëpunimi” me gjakftohtësi,bindesh lehtësisht për largëpamësinë e aytrre burrave që ndofta pa vullnetin e tyre,u caktuan të drejtonin fatet e Shqipërisë.Dokumente të shumta të ushtrisë gjermane,na bëjnë me dije se kalimi i asaj ushtrie në territoret shqiptare,kish të bënte vetëm me stretegjinë e largët të RAIHUT dhe aspak me pushtimin e vendit,gjë që shumë lehtësisht mund këtë ta bënte në pranverën e vitit 1941,atëherë kur edhe sulmoi dhe pushtoi vendet e tjera të ballkanit.Por nëse supozohet se gjermanët po pushtoni Shqipërinë,a thua se mund të përballeshin të themi,20-40 mijë shqiptarë me pushkë,miliona ushtarë gjerman me super armatime ? Nëse Këshilli i Naltë i Regjencës arriti të gjejë frymë mirëkuptimti me forcat gjermane në Shqipëri,kjo sigurisht është meritë e atyre burrave që përbënin këtë Regjencë, e patriotizmit të skajshëm të tyre.Ka qenë ky “bashkëpunim”,falë të cilit shpëtuan jo vetëm mijëra shqiptarë,por edhe fshatra e qytete të tëra që nuk u dogjën dhe shkatëruan. Shumë urdhëra,shumë vendime,shumë udhëzime të Regjencës,mbajnë firmën e Lef Nosit,si kryetar i Këshillit të Naltë.Por une do të sjell në këto rreshta vetëm njerin prej tyre,ku shfaqet dukshëm atdhetarizmi i burrit të Elbasanit dhe krejt Shqipërisë.“Vendim datë 22-10-1943. Neni 1. Vendimet e Asamblesë me 12 prill 1939,mbasi ajo nuk përfaqson vullnetin e lartë të popullit shqiptar,janë të rrezuem.Për pasojë bashkimi i Kunores se Shqiperisë,me të Mbretnis Italiane,në personin e Mbretit të Italis,Viktor Emanuel i III dhe trashigimtarëv të tij,mbetet pa fuqi…Neni 2. Të gjithë ligjet dekret ligjet,dekret dhe regulloret të prolungueme prej datës 7 prill 1939 deri më 14 shtator 1943,mbeten në fuqi,veç atyne që abrogohen ose nuk pajtohen me frymën e vendimeve të Kuvendit Kombëtar.Qeverija ngarkohet që brenda dy muejve,të shqyrtojë të gjitha ligjet,dekretligjet,dekretet dhe rregulloret qe permendëm ma nalt dhe t’abrogoje ata që nuk pajtohen me interesat e nalta të shtetit… Kryetari Lef Nosi “. ( Gazeta Zyrtare shqiptare, nr.106, datë 23 tetor 1943 ).
Eksperienca e vyer e Lef Nosit,në rrafsh të diplomacisë,u pa sidomos në përpjekjet e tij,për të drejtuar,ndihmuar dhe kontrolluar,administratën vendore jo vetëm në shtetin amë,por sidomos në Kosovë e Maqedoninë shqiptare,me ç’rast i bënte me dije evropianët se pas mbarimit të luftës,duheshin rishikuar kufijtë shqiptarë të coptuar e nëpërkëmbur në vitin 1913.Kjo qe pikërisht edhe nga akuza më e egër ndaj Lef Nosit,iu bë në marsin e vitit 1945,prej klikës komuniste të Tiranës.I bindur se i kish shërbyer me besnikëri veç kombit,ai nuk largohet nga atdheu në nëndorin e vitit 1944.Më pas arrestohet dhe pas gjyqeve qesharake të montuara sipas orekseve sllave,dënohet me pushkatim 69 vjeçari Lef Nosi,duke shkuar drejt togës të pushkatimit i qetë,pse kish bërë ç’kish mundur për kombin dhe atdheun e vet.
Bern-Zvicër
Në Foto nga e Djathta në të majtë janë ; Eqrem Bej Vlora,Rexhep Mitrovica,Dervish bej Biçaku ,Hafiz Sherif Langu,Lef Nosi,Rauf Fico,Ali Asllani,Ferid Vokopola dhe Dhimitër Berati.

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Lef Nosi, Ndera e Nacionalizmit

Teodor Vaso dhe emra të mëdhenj sportistësh i dhanë dritë futbollit shqiptar

October 31, 2015 by dgreca

Ne foto: Teodor Vaso/
Përgatiti për Diellin Vepror Hasani/
Për mjeshtrin e merituar Teodor Vaso, dekoruar me medaljen e artë për merita të shquara në sport, futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri pak vite më parë, vijnë një sërë vlerësimesh nga koleget e tij, nga trajnerët, gazetat vendase dhe të huaja. Bashke me emrin e Todo Vasos gjejmë dhe shumë emra të tjerë futbollistësh të talentuar. Të gjithë së bashku formojnë një konstelacion yjesh që nuk do të kenë të shuar. Cilët janë ata? Do t’i gjeni më poshtë.
Trajneri sovjetik N.M Lukshinov, nëntor 1960:
E gëzueshme për futbollin shqiptar është se kanë dalë mjaft të rinj: Halili, Pano, Bushati, Frashëri, Dingu, Pilika, T. Vaso, Mema etj, që janë një e ardhme e mirë e futbollit tuaj.
Gazeta Hurriyet, 14 aralik 1970, Turqi-Shqipëri:
Vlerëson me skedinë me nota yje ekipin shqiptar: Dinella 1 yll 2 zëvëndësues, Dhales 2, Berisha 2, Ziu 2, Vaso 4, Çeço 3, Ragami 3, Pano 3, Zhega 2. Gazeta vlerëson me 4 yje Teodor Vason si lojtarin më të mirë të ekipit shqiptar për ndeshjen
Gazeta “Hurryet”, 14 aralik 1970: Turqi-Shqipëri:
Golin e shënoi Ziu, kurse mesfushori rregullator i lojës Vaso dhe centëralfi Bizi ishin maja e shkëlqyer e lojës së tyre
Helmut shën, 17-12.1967: Unë dua t’i bëj një kompliment shumë të madh skuadrës shqiptare dhe trajnerit të sajm kolegut tim Loro Boriçi. Më pëlqyen Shllaku, Pano, Mema dhe Vaso. Shllaku është një kapiten i mirë. Dëshiroj që skuadra shqiptare të luajë përherë kështu: mirë, fort, bukur.
Helmut shën, 17.02.1971: ndonse fituam, barazimi do të ishte më i drejtë, pra do të isha dakord edhe me rezultatin 1-1. shqiptarët nuk shënuan më shumë se ne. më pëlqyen lojtarët tuaj sidomos Bizi, Vaso, Dinella e si ngaherë Pano
Koço Dinella, “Sporti popullor”, 26 tetor 1982:
Shembuj të një pune të tillë unë i gjeta aty në ekip: Janku, Frashëri, Vaso, Mema etj u bënë për mua frymëzues për stërvitje me ngarkesa të larta
Ilia Shuke, trajner i kombëtares shqiptare në lokalin “Berluskon”, pas bisedës në RTVSH: “30 vjet ndeshje me RFGJ”
Teodor Vaso është mbrojtësi i majtë më i mirë deri më sot i ekipit kombëtar shqiptar
Maksim Tuxhari, trajner i Skënderbeut 1974-1981:
Të jesh i suksesshëm duhet të jesh njeri me vlera dhe pikërisht ky është çelësi i suksesit në karrierën futbollistike të mikut tim Todo Vaso. Në memorien time nuk shlyhen kurrë pamjet e lojës së tij si mbrojtës i nivelit ndërkombëtar. Ai fiton gjithmonë duelet futbollistike me sulmuesit rivalë, por njëherësh duke u bërë konkludues i shquar i golave për skuadrën tonë Skënderbeun; si kapiten i ekipit ishte organizator i cilësuar.
Besnik Dizdari, “Sporti shqiptar” 26.03.1995:
Edhe unë, si shumë të tjerë, e dua Skënderbeun, historinë të cilën e ka bërë Samsuri, e Plluska, Servet Gora e Klani Marjani e madje dhe Anton Mazreku. Mbas luftës Skënderbeu është personifikim i koçes, Larës, Qirinxhiut, Ndinit, Lubonjës, Çelës, Miles, tuxharit, Prodanit, Dvoranit, Pilikës, e raqi piskut, të cilët vetëm luftuan të mbanin një traditë. Skënderbeu është i Todo Vasos – legjendës së kombëtares së Shqipërisë, stoikët e paharrueshëm të Gjermanisë
Sabah Bizi, gazeta “AKS” 3.4 qershor 1995
Të luaje me futbollistë të tillë shqiptarë, si F. frashëri, L.Shllaku, R. Ragami, T.Vaso, e P. Pano ose kundër Shnelinger, Overat, Bekenbauer, Myler, Xhoiç etj., është jo vetëm një kënaqësi por edhe obligim i madh
“Intervista”, 5 tetor 1998:
Todo Vaso, idhulli i tifozave korçarë
Dhimitër Xhambazi 1999, në shpalljen e 11 futbollistëve më të mirë korçarë për shekullin:
Idhulli im ka qenë Teodor Vaso. Unë u them brezave të futbollit që janë edhe sot, të mësojnë jo vetëm nga niveli futbollistik, por nga gjithë jeta e tij, nga gjithçka sesi ai jeton regjimin që ka vënë në shërbim të futbollit
Medin Zhega, trajner i kombëtares shqiptare 2001 nga biseda, , në RTV Shqiptar, mars 2001
Kishim një ekip me futbollistë shumë të talentuar, mund të them se këta janë këtu: Teodor Vaso, Ali Mema, që ishin anëtarë të atij informacioni të madh 1976, sigurisht edhe P. Pano, më i madhi futbollist shqiptar, S.Bizi, R. Ragami, unë thashë Teodor Vaso, Ali Mema, L. Shllaku, M. Gjika.
Besnik Dizdari, “Futbolli shqiptar- magazinë”, 08 tetor 2003:
Forca dhe elasticiteti i portierit Mikel Janku, përballë të cilit qëndronte treshja e pakalueshme e mbrojtjes Mihal Gjika- Spiro, Gjika- Teodor Vaso, e udhëhequr prej përvojës së pagabueshme të korçarit të madh, 11-shi i trajnerit Refik Resmja regjistronte në historinë e tij një kujtim madhështor të futbollit. Është një perlë që vazhdon të shndrisë. Dy ndeshje Partizani-Torino kupa e kupave të Evropës.
Ramazan Bigza, “Sporti shqiptar”, 4 maj 2006:
Dikur ka ekzistuar karakteri sportiv. Në fushat e futbollit nuk ka më futbollistë si Muhamet Dibra, Preng Gjeloshi, Skënder Halili, Refik Resmja, Frederik Çapaliku, Hajrullah Lekaj, Teodor Vaso, Sabah Bizi, Lefter Millo etj. Ata i dhanë lojës shpirtin e pastër, gjithçka, që do të thotë forcë karakteri. Është kjo arsyeja pra, forca e karakterit, që i ngriti ata në lartësitë e të quajturit symbol.
Kostaq Mizaku, “Panorama sport”, 9 shkurt 2006:
Emri më i madh i futbollit korçar në gjithë historinë e tij është ai i mjeshtrit të merituar të sportit Teodor Vaso, i cili pa asnjë dyshim përbën një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar për shekullin e kaluar
Mexhit Haxhiu, Mjeshtër i madh, nëntor 2013:
Cilësitë e spikatura të lidershipit, kondicioni i shkëlqyer fizik
Pandi Balli, trajner kombëtar, në librin “100 vjet sfida sportive të qytetit tim”:
Vaso ka luajtur në të gjitha rolet përjashto portier në ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Është shënues i shumë golave, në veçanti me ekipin e Skënderbeut në sezonin 1968-1969. Futbollisti i talentuar, Teodor Vaso, nuk do t’i ndahet futbollit, vazhdon edhe në të ardhmen të japë kontributin e tij të çmuar si trajner me moshat e vogla dhe me të rinjtë. Vlerat e tij kanë qenë dhe mbeten tepër të mëdha. Shembull frymëzimi për brezat që do të pasojnë, shpirti i tij luftarak për t’u admiruar.
Vladimir Muzha, 4 nëntor 2013:-Është kënaqësi e veçantë për mua të shpreh mirënjohje dhe respekt për këtë figurë të shquar të sportit shqiptar dhe nder për Korçën që lindi këtë djalë. Pata rastin të takohem me Teodor Vason në Korçë pak javë më parë dhe u ndava i përmalluar dhe i pangopur për të shijuar mirësinë dhe kulturën e këtij sportisti të madh. Profesor Vaso, respekte!
Niko Faberi, takimi i Todo Vasos me trajnerin gjerman:Mund të them shumë për cilësitë sportive dhe morale të Vason, që janë faktuar gjatë 50 vjetëve. Dua të veçoj atë që nuk e kam lexuar në dhjetra vlerësime. Helmut Shën, trajneri i shquar i R.F Gjermane në përfundim të ndeshjes me kombëtaren tonë më 1967, përpara tribunës qendrore të stadiumit “Q. Stafa”, ka shkuar posaçërisht dhe i ka dhënë dorën Vasos për lojën e shkëlqyer që zhvilloi. Ja një personalitet që Bashkia e Korçës është e vonuar për ta bërë qytetar nderi.
Vladimir Ngjela-Teodor Vaso, një emër i madh i futbollit shqiptar, ka skalitur veprimtarinë e vet futbollistike në mermer për të mos u harruar kurrë. Me një shkëlqim të fortë në lojën e tij ai interpretonte me mjeshtëri të lartë veprimet mbrojtëse dhe sulmuese të lojës moderne në rolin e mbrojtësit të krahut.
Vepror Hasani

Filed Under: ESSE, Sport Tagged With: emra te medhenj, sportistesh, Teodor Vaso, Vepror Hasani

KULTURA FETARE BEKTASHIANE NË KRAHINËN E VLORËS

October 31, 2015 by dgreca

Nga Prof. Dr. Bardhosh GAÇE & MSc. Albert HABAZAJ/
Kultura fetare bektashiane, si doktrinë dhe praktikim i saj në disa krahina të vendit tonë, është një syth për etnologjinë religjonale dhe antropologjinë fetare
Vlora, ashtu si vise të tjera të Shqipërisë, krahas ortodoksisë, myslimanizmit dhe katolicizmit, është vatër e ndezur dhe e dashur e bektashizmit shqiptar. Dëshmitë më të hershme të doktrinës bektashiane flasin vetë dhe ato e kanë zanafillën në Mesjetë, me teqenë bektashiane të Sinan Pashës në Kaninë, teqenë zëmadhe të Smokthinës, teqenë e Kuzum Babait, Kurorën e Malit mbi Sevaster e me vatra të tjera të gjalla.
Udhëheqësi i kombit shqiptar, bektashiani Ismail Qemal Vlora, në kujtimet e tij të botuara në Londër, na mëson se udhëri bektashian fetar i bektashizmës, ka qenë i përhapur në trevën e Vlorës qysh në shek. XV, ndër pinjollët paraardhës të tij. Teqeja, e themeluar në fshatin Kaninë nga Sinan Pasha, i biri i Gjergj Aranitit, katragjysh i Ismail bej Qemal Vlorës, ka qenë një nga qendrat e mëdha të kulturës fetare bektashiane. Fakti që në kohët e mëpastajme kjo teqe kishte rreth 7200 libra në shumë gjuhë të botës, tregon, se ajo ka lozur një rol të madh në jetën shpirtërore të banorëve të kësaj treve.
Gjurmët e fillimeve të bektashizmit në Vlorë ndeshen edhe sot, sipas rrëfimeve, gojëdhënave e rrënojave të objekteve të kultit, si në Sevaster, Smokthinë, Brataj, Kuç, Kaninë, Drashovicë e gjetkë.
Një nga faktorët e përhapjes së bektashizmit në rrethinat e Vlorës ka qenë se në radhët e jeniçerëve, ku kryenin shërbimin ushtarak banorët e këtij vendi, kishte mjaft vlonjatë, të cilët kur ktheheshin nga ky shërbim, u bënë përhapës të bektashizmit dhe ngritjes së objekteve të kultit.
Emri i ndritur i haxhi Bektash Veliut, në shekujt e mëpasëm, u bë mjaft i përhapur, me një lutje rituale që ende thuhet edhe sot ndër banorët e Labërisë: “Për haxhi Bektash, për atë diell e për atë dhè!”. Kulti shpirtëror i haxhi Bektashit është rrënjosur aq thellë saqë në malin e Çipinit (Këndrevicës), në pozicionin midis dy kreshtave ku lind dielli, në shekujt e kaluar, banorët shkonin dhe bënin kurbane çdo fillim të muajit gusht, duke iu drejtuar qiellit me fjalët brilante që thamë, si lutje rituale. Kulti i haxhi Bektash Veliut ka qenë i përhapur edhe në malin e Shashicës, sidomos në ritualin e shtimit të blegtorisë, pjellorisë së tokës e ruajtjes nga fatkeqësistë e natyrës. Sipas studiuesve të etnologjisë kulturore dhe fetare, blegtorët e Shashicës shpesh thoshnin: “Bagëtia do të na vejë mirë me ndihmën e haxhi Bektash Veliut”, ose : “Kemi shpresë tek haxhi Bektash Veliu”.
Një nga qendrat e mëdha të përhapjes së bektashizmit ka qenë Kuzum Babai, kjo fortesë natyrore e përrallore, që i rri Vlorës si kurorë mistike e mrekullueshme. Siç e përshkruajnë mjaft studiues të huaj si Evlia Çelebi (1611 – rreth 1684), rreth 400 vjet më parë, si dhe studiues të tjerë si Ëilliam Martin Leake [Uiljam Martin Lik] (1777 – 1860), Sir Henry Holland, (1788 – 1873), François Charles Hugues Laurent Pouqueville [Pukvil] (1770 – 1838); etj., Kuzum Babai, ky vend i shenjtë, mbart mbi vete një legjendë të rrallë. Shenjtori, për të besuar se ishte i dërguari i haxhi Bektash Veliut, në vendin e quajtur Budak [Vlorë] preu kokën e tij dhe me të në dorë u ngrit në majën e një kodre, duke u thënë turmës që e ndiqte pas: “Ky vend është vendi im i shenjtëruar, që ju të besoni tek haxhi Bektash Veliu”. Teqeja mbi Vlorë e ka ushqimin e besimit shpirtëror nga Ballëm Babai (Sejjid Ali Sulltan, është ky emër i Kuzum Babait (Quzum Baba). Teqeja e Kuzum Babait mendohet se daton rreth viteve 1600 dhe pati lulëzim sidomos në shek. XVII. Në dokumentetet e kohës thuhet se një nga paraardhësit e familjes Vlora, që kishte ndërtuar tyrben e Kaninës, investoi në këtë vend dhe ndërtoi godinat (teqetë e Kaninës) rreth viteve 1786, [frymën e parë e ka në vitin 1411 nga Sinan Pasha].
Vlen ta theksojmë faktin se bektashizmi i Vlorës ka lozur një rol të madh në përhapjen e ndjenjës kombëtare. Konflikti me parimet e Perandorisë Osmane bëri që në vitin 1828 teqetë dhe bektashinjtë e Vlorës të mos pajtohen me reformat centralizuese të perandorisë së vjetër. Ky qëndrim shkaktoi prishjen e rreth 13 teqeve, dëbimin dhe internimet e bektashinjve, si dhe shfarosjen në masë të besimtarëve.
Në vijim të kësaj veprimtarie në shërbim të interesave kombëtare shqiptare, siç njoftojnë konsujt e Austrisë dhe Italisë në qytetin e Vlorës, në verën e vitit 1878, babai i teqesë së Kuzum Babait në Vlorë dha një lutje, në fjalët e së cilës thuhet se kishte parë një ëndërr, sikur një fat i bardhë fluturonte në qiellin e Shqipërisë, që shpëtimin e saj nga mizoritë e Portës së Lartë, e shikonte nga Austro – Hungaria dhe vendet e tjera të botës moderne. Kjo lutje tronditi Portën e Lartë, gjë që vërtetohet me disa raporte që nënshkruan këta konsuj, të cilët nënvizojnë fermanët e lëshuara nga sulltani, që kërkonte me çdo kusht shpjegime të mëtejshme. Është koha kur sapo kishte shpërthyer Lidhja Shqiptare e Prizrenit (LSHP), kur fati i vilajeteve shqiptare diskutohej në Konferencën e Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878) dhe kështu fatthënia e babait të teqesë së Kuzum Babait të Vlorës, vuri në lëvizje qeveritarët e Stambollit. Ky mendim përforcohej edhe më qartë, kur në dokumentet e kohës mësojmë se disa nga bektashinjtë e teqeve në Vlorë, Tepelenë, Berat e gjetkë u përfshinë në veprimtarinë e LSHP. Në filim të shek. XX, një veprimtari të gjerë ka lozur në Vlorë edhe baba Sali Beqiri i Tepelenës. Në historiografinë shqiptare ka ende monumente që duhet të ndriçohen edhe më mirë. P.sh., pas ngritjes së Flamurit dhe Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, ky flamur u bekua nga At Moçka (ortodoks), Haxhi Muhameti (mysliman), Dom Nikoll Kaçorri (katolik) si dhe nga babai i teqesë së Vlorë (bektashi).
Një nga meritat e mëdha në Vlorë është dëshmia e harmonisë fetare, bashkëpunimi e mirëkuptimi midis feve dhe besimtarëve që i praktikojnë këto doktrina e besime. Po përmend disa shembuj të ngjarë: Kur at Moli erdhi në Vlorë, në vitin 1912 nga Amerika, në kishën e Shën Todrit të këtij qyteti, u bë një pritje e madhe, ku fjalën e parë përshëndetëse e mbajti i pari i teqesë së Kuzum Babait. Në ndërtimin e kishës së Shën Todrit, krahas tregtarëve dhe dashamirësve të tjerë, teqeja e Kuzum Babait dha 25 franga për ndërtimin e saj, po ashtu edhe mjaft besimtarë bektashinj sipas mundësive. Një shembull i gjallë në kujtimin e njerëzve është edhe drama e muhaxhirëve në ullishtet e Vlorës në vitet 1914 – 1915. Teqeja e Kuzum Babait strehoi 1260 muhaxhirë, të cilët ishin përzënë nga vatrat e tyre prej shovenë grekë me zjarr e hekur në viset jugore të vendit; mjekoi e ushqeu dhe 1500 të tjerë. Në epopenë termopiliane të Njëzetës luftuan të tërë bashkë: myslimanë, ortodoksë e katolikë, burra e gra për çlirimin e Vlorës dhe të krahinave shqiptare të pushtuara nga Perandoria e Re Apenine. Vlen të dimë se më 17 Janar 1921 bektashinjtë shqiptarë organizuan në Teqenë e Prishtës (Skrapar) Kongresin I Bektashian, ku varf Ali Prishta shpalli autoqefalinë e Klerit Bektashian Shqiptar (pavarësinë fetare nga Ankaraja) dhe shkëputi varësinë prej Kryetarit Suprem të Ankarasë. Toleranca fetare ka qenë një nga shembujt e gjallë, e cila është manifestuar edhe në gjithë jetën shoqërore të qytetit. Për Kongresin e Dytë Bektashian, që u zhvillua në Teqenë Hajdarie të Gjirokastrës, më 9 korrik 1924 na kanë rënë në dorë dokumente arkivore me vlerë. Këtu në Vlorë, në arkivin e Ibrahim Shytit gjendet një dokument i nënshkruar nga baba Ali Tomorri. Ky dokument është nën titullin: “Kuvendi i bektashinjve” dhe në të shkruhet: “Kuvendi i bektashinjve u mbodh në Gjirokastër, mori fund me vendime që të bëhen reforma në dogmën bektashiane. Reformat do të bëhen si do koha e sotme përparimtare, si e do interesi kombëtar dhe e lejon feja muhamedane, e cila në themel e në parim është një fe njerëzore…”. Në këtë letër që baba Ali Tomorri e ka shkruar nga Tepelena, më 12 korrik 1924, vë në dukje se ky kuvend zgjeroi statusin e tij. Delegat i Vlorës në kuvendin e bektashinjve shqiptarë, veç babait të teqesë së Kuzum Babait, ishte edhe intelektuali Ibrahim Xhindi. Kongresi i Dytë Bektashian vendosi që predikimi fetar të bëhej në gjuhën shqipe, në gjuhën e Biblilave, me gjuhën e Naimit. Kongresi hartoi e miratoi Statutin, ku u përcaktuan parimet themelore dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë dhe të organizimit të bashkësisë bektashiane në Shqipëri. Statuti u botua këtu, në Vlorë me titull “Statuti i Komunitetit Bektashian”. Autoqefalia, përdorimi i gjuhës shqipe në ritet fetare dhe në veprimtarinë e besimtarëve të këtij sekti, e forcuan Bashkësinë Bektashiane në Shqipëri, shëndoshën edukimin shpirtëror, moral e mbi të gjitha atdhetar të besimtarëve sipas devizës: “PA ATDHE NUK KA FE”, ku rol të fuqishëm patën veprat e Naimit të Madh. Për Vlorën tonë, vlen të kujtojmë se, në vitin 1930, një kontribut të rëndësishëm për kulturën e fesë bektashiane dhanë poeti kombëtar Ali Asllani (1884 – 1964) si dhe Murat Vlora, të cilët përkthyen disa nga pjesët e literaturës bektashiane më në zë. Krahas copëzave për jetën e haxhi Bektash Veliut përkthyer nga Murat Vlora, Ali Asllani përktheu dhe përhapi vjershërimin e poetit të madh Jonuz Emre. Këtë gjë e kishte bërë më parë edhe poeti i madh popullor Mato Hasani nga Brati, që rrojti një shekull me këngë e me luftë për liri (1866 – 1966) e që këndonte shpesh këngët e poetit kombëtar të Turqisë Jonuz Emre [Yunus Emre (1240? – 1320)], i cili kishte shumë popullaritet për kohën. Në krijimtarinë e tij, Xha Matua pati ndikim nga ky poeti madh i kohës, por asnjë varg për këngë nuk kopjoi nga ai. Në këto tradita bektashiane, veproi edhe dede Ahmet Myftar Dede (dede Ahmet Myftari, 1916 – 1980), i cili, që në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, gjallëroi edhe më shumë teqenë e Kuzum Babait dhe gjithë vatrat e bektashizmit në Vlorë. Ai ishte në ballë të besimtarëve në ndërtimin e rrugëve, shtëpive e shkollave të djegura e të shkatërruara nga lufta e përbindshme.
Edhe sot e kësaj dite, banorët e Vlorës thonë se pylli i bukur i bregdetit (te ish “Soda”), Ura e Drashovicës, rruga e Llakatundit etj., i përkushtohen atij. Në kohët e sotme, këtë traditë donte të vazhdonte edhe baba Bajrami, i cili edhe pse s’është me ne fizikisht, rron në shpirtin dhe zemrat e besimtarëve. Veprimtaria e gjyshatës bektashiane të Vlorës, me qendër në teqenë e Kuzum Baba Sulltanit, këto vitet e fundit njeh një përparim dhe përhapje të gjerë. Janë vite që mund të quhen me plot gojën si vite të rimbëkëmbjes, të ringritjes së institucioneve fetare, të organizimit të komunitetit bektashian, deri në njësinë më të vogël; janë vite që pranë institucioneve fetare grupohen jo vetëm myhibët e moshatarët, por edhe shumë të rinj e të reja si dhe shumë intelektualë të fushave të ndryshme të ekonomisë. Kështu që këto institucione bektashiane rikthyen shpresën dhe besimin e dhunuar në kohën e diktaturës. Po ç’duhet të dimë për bektashizmin më tepër, jo thjesht për kulturë fetare, por sidomos për vlerat humanitare që shpërndan në komunitet kjo doktrinë me pamje dhe lëndë demokratike? Bektashizmi është urdhër i rëndësishëm sufist i fesë islame, i përhapur gjerësisht në Anadoll e në Ballkan të Europës Juglindore, veçanërisht ndër Shqiptarët. Emrin e ka marrë nga themeluesi Haxhi Bektash Aliu, lindur në Persi (Irani i sotëm) më 1249 dhe vdekur në Turqi më 1344. Bektashianët e moderuan fenë mëmë konservatore dhe risia e tyre u pranua, u përhap dhe u praktikua sidomos në rajonin e Europës Juglindore. Ata u shfaqën si panteistë, u shquan për respektimin dhe përdorimin e parimeve të tilla humane dhe liberale si tolerance, mirëkuptimi, dashuria dhe vëllazëria midis njerëzve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Themeluesi i tyre, Haxhi Bektashi paraqitej si pasardhës i Aliut, dhëndrit të Muhametit, prandaj dhe ndjekësit e tij e adhurojnë në të njëjtën masë si Muhametin, ashtu edhe Aliun. Kryegjyshata, e cila qysh nga viti 1937 e ka selinë në Tiranë (Shqipëri), vepron me 6 gjyshata: e Krujës me qendër Teqenë e Shememi Babait në Fushë Krujë; e Elbasanit me qendër Teqenë e Baba Xhemalit; e Korçës me qendër Teqenë e Turanit; e Beratit me qendër Teqenë e Tahir Babait (në Prishtë, Skrapar); e Gjirokastrës me qendër Teqenë e Zallit dhe e Vlorës me qendër teqenë e Kuzum Baba Sulltanit.
Duke vlerësuar teqenë e Kuzum Baba Sulltanit si qendër kryesore për krahinat e Vlorës, Mallakastrës e Fierit, u arrit edhe ngritja e turbes Kuzum Baba (prill 1998), si një objekt kulti i një rëndësie të veçantë. Pas realizimit të ndërtimit të teqesë, sipas kërkesave, u vunë në veprimtari të plotë organizmat e gjyshatës me synimin për ringritjen, restaurimin e tyrbes dhe teqeve që mbulon Gjyshata e Vlorës, siç kemi shembujt e ringritjes së tyrbeve në Vlorë, në Drizar, Kapaj, Hambaraj, në Kurorën e Malit Sevaster, etj. Traditën më të ndritur të besimtarëve bektashianë e mban të ndezur me dritë kulture, me zjarr kombëtar, me uratën e dashurisë njerëzore dhe me mirësi hyjnore Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore, baba Mondi, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, udhëheqës shqiptar fetar dhe udhëheqës botëror (Kryegjysh) i bektashizmit. Baba Mondi pastë jetë të gjatë e të ndritshme, besimtarët e dashamirësit uratën e tij të bardhë!
Vlorë, e shtunë, 31. 10. 2015

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, KULTURA FETARE BEKTASHIANE, Prof. Dr. Bardhosh Gace, Vlore

Kosovë, tash pritet interpretimi i Kushtetueses

October 31, 2015 by dgreca

-Mustafa: Gjykata Kushtetuese, vlerësimin më meritor për asociacionin/
-Tituj të shtypit kosovar: Asociacioni në Kushtetuese, reagon Beogradi. MSA-ja mund të pezullohet nëse nuk zbatohen marrëveshjet me Serbinë. Jemi të vendosur ta ndalim ‘Zajednicën’.A do t’ia dalin shqiptarët ta fitojnë betejën ndaj serbëve, kundër Asociacionit autonom!?/
PRISHTINË, 31 Tetor 2015/ Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë ka përshëndetur dorëzimin e kërkesës nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me dhënien e mendimit për marrëveshjen e asociacionit të komunave më shumicë serbe, të arritur në dialogun me Serbinë, në 25 gusht, në Bruksel.
Kryeministri Mustafa tha se ky hap është përshëndetur nga ai edhe nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, edhe në cilësinë e kryetarëve të subjekteve partnere të koalicionit qeveritar.
“Vlerësojmë se është një hap i mirë sepse është Gjykata Kushtetuese ajo që do ta jap vlerësimin më meritor lidhur me atë se a është kjo marrëveshje në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës apo jo. Një gjë të tillë ne e kemi paraparë edhe me marrëveshje, që ajo, në të gjitha fazat, të shkojë për mendim në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, kjo nuk paraqet kurrfarë bllokimi ose suprimimi të marrëveshjes sonë që e kemi bërë në Bruksel, por është një prej procedurave në të cilat ne e verifikojmë përshtatshmërinë e kësaj marrëveshje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa dje pasdite në mbledhjen e qeverisë.
“Asociacioni në Kushtetuese, reagon Beogradi”, është një nga titujt e shtypit të sotëm në Prishtinë, pas zhvillimeve të djeshme rreth Asociacionit të komunave serbe në Kosovës – një nga katër marrëveshjet e 25 gushtit 2015 në Bruksel, të raundit të 28-të kryeministror të dialogut me Serbinë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e Presidencës, citon Zëri.
Ndërkohë, ky vendimi i Jahjagës ka nxitur reagime në Beograd. Qeveria e Aleksandar Vuçiçit ka kërkuar menjëherë ndërhyrjen e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në bisedimet e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kësisoj, Vuçiç është shprehur se prej Prishtinës gjithçka mund të pritet, dhe në këtë rast, sipas tij, bëhet fjalë për një lajm shumë të keq.
“Mendoj se bëhet fjalë për një sjellje të papritur dhe thënë me fjalët më të buta, sjellje të papërgjegjshme”, ka thënë ai.
Kryeministri serb ka thënë ndër të tjera së në Bruksel është negociuar me muaj dhe janë bërë shumë kompromise, ndërsa pjesa më e madhe e marrëveshjes ka të bëjë me Asociacionin e Komunave Serbe. “Nënshkrimi im në këtë marrëveshje nënkupton diçka. Nënshkrimet e kujtdo qofshin nga Serbia për mua nënkuptojnë diçka, kurse për ta, përfaqësuesit e Prishtinës, nënshkrimet nuk do të thonë asgjë. Ata e morën këtë vendim një ditë pasi që nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit”, është shprehur ai.
Kurse koordinatori i ekipit të Beogradit për AKS-në, Lubomir Mariç, ka deklaruar se duhet të sqarohet nëse është apo nuk është në fuqi marrëveshja për Asociacionin.
“Kjo është çështje e Bashkimit Evropian. Ne duhet të bisedojmë seriozisht me BE-në dhe se qeveria e Serbisë duhet të kërkojë nga Brukselit sqarime konkrete rreth afatit të formimit të Asociacionit dhe të marrë përgjigje se a është suspenduar marrëveshja për këtë Asociacion”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar mirëkuptim nga deputetët serbë, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për një veprim kushtetues që është nën autoritetin e presidentes. “Shpresoj që Lista Serbe e cila është duke dhënë kontribut në institucionet tona e mirëkupton këtë iniciativë. Kjo është çështje e Kushtetutës të cilës të gjithë ne i bindemi dhe e respektojmë”, ka deklaruar Veseli.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se nëse Gjykata e interpreton këtë marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë ajo nuk do të zbatohet.
Për subjektet opozitare kjo iniciativë nuk do të ndikojë në kundërshtimin e tyre për AKS-në apo siç e quajnë ata “Zajednicës”, shkruan Zëri.
Me titullin, “MSA-ja mund të pezullohet nëse nuk zbatohen marrëveshjet me Serbinë”, Koha Ditore shkrun se, nëpërmjet ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), Kosova zotohet të zbatojë të gjitha marrëveshjet që i ka firmosur deri tash me Serbinë dhe të negociojë me këtë shtet të gjitha çështjet kontestuese.
Tërheqja nga secila marrëveshje ka për pasojë pezullimin e MSA-së nga ana e Bashkimit Evropian.
Këto aspekte trajtohen që në krye të këtij dokumenti 550-faqesh, i firmosur këtë javë në Strasbourg midis autoriteteve kosovare dhe atyre të BE-së.
Projektligji për ratifikimin e MSA-së është aprovuar të premten në mbledhjen e Qeverisë dhe është proceduar për votim në Kuvend. Kuvendi, ndërkaq, e ka vënë në agjendë votimi për të hënën, për kur ka thirrur seancë plenare.
Në nenin 5 të MSA-së theksohet se Kosova zotohet të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë dhe bashkëpunimin efektiv me misionin e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes derisa janë në fuqi, siç përcaktohet më tej në nenin 13, shkruan gazeta.
Ndërsa, “Jemi të vendosur ta ndalim ‘Zajednicën’”, është kryetitulli në ballinën e gazetës Epoka e Re.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se çelësi i stabilizimit politik dhe institucional në Kosovë është në dorën e kryeministrit Isa Mustafa.
Në këtë intervistë për gazetën, ai ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë për të gjitha palët është pezullimi i marrëveshjes për ‘Zajednicën’. “E vetmja zgjidhje për kryeministrin, për qeverinë, për opozitën e, para së gjithash, për Kosovën, është pezullimi i marrëveshjes për ‘Zajednicën’, për shkak se kjo marrëveshje është antikushtetuese dhe është kundër interesave të shumicës së qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Selimi.
Ai ka thënë se marrëveshja për “Zajednicën” fare nuk do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese meqë, sipas Selimit, kjo gjykatë është në duart e politikës si dhe kredibiliteti i saj nuk është i mjaftueshëm për ta bindur opozitën që t’i besojë.
“Kryeministri i Kosovës kërkon nga ne t’i besojmë një Gjykate Kushtetuese së cilës për një çështje të caktuar nuk i ka besuar ai vetë. Prandaj, Gjykata Kushtetuese është në duart e kryeministrit dhe të politikës. Duke qenë e tillë, fare nuk do të duhej të dërgohej marrëveshja për ‘Zajednicën’ në këtë gjykatë”, ka theksuar ai.
Selimi ka bërë me dije se pas ratifikimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim opozita do të vazhdojë ta bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se sa më kryeneçe të jetë qeveria, aq më i madh do të jetë reagimi opozitar. “Sa më tepër që të ketë masa represive për ta mposhtur opozitën, aq më tepër do të ketë përshkallëzim. Nuk ka variant të kthimit prapa të opozitës si pasojë e trysnisë nga pozita”, ka deklaruar Selimi.
Po ashtu, ai i ka komentuar edhe reagimet e zyrtarëve serbë për mundësinë e pezullimit të marrëveshjes për “Zajednicën”. Selimi ka thënë se ky reagim do të duhej të ishte një argument shtesë për ta kundërshtuar edhe më shumë marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe.
“A do t’ia dalin shqiptarët ta fitojnë betejën ndaj serbëve, kundër Asociacionit autonom!?”, është pyetja në titullin e gazetës Bota Sot, ku theksohet: “Jahjaga i drejtohet Kushtetueses, opozita shprehet skeptike”. /b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, interpretimi i Kushtetuses, shtypi i Kosoves

Ambasadori Lu kryebashkiakëve: Mendoni për qytetarët!

October 31, 2015 by dgreca

Kryediplomati amerikan bëri thirrje që paratë e pushtetit vendor të mos shpenzohen për zyra e makina luksoze. “Qeveria të dëshmojë se reforma territoriale nuk u bë për të fituar zgjedhjet” Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu i bëri thirrje sot kryebashkiakëve të rinj gjatë një konference në Tiranë që fondet e tyre t’i përdorin në shërbim të komunitetit dhe jo për zyra apo makina personale: “Nëse keni ardhur këtu me Mercedes, BMW apo Audi të zi, duhet të mendoni nëse kjo është mënyra që votuesit tuaj duan që ju t’i përdorni paratë e tyre. Nëse zyra juaj është më e këndshme se dyqani i bukës apo zyra e Postës në zonën tuaj, sërish shpresoj që do të mendoni a do të shpenzoheshin me mirë këto para për mbledhjen e plehrave, përmirësimin e shkollave apo ndërtimin e parqeve”.
Ambasadori amerikan tha se ka nxitur qeverinë që t’u japë administratave vendore fondet dhe pushtetin që u nevojiten dhe të vërtetojë kështu se “reforma territoriale u realizua për përmirësimin e shërbimeve dhe jo për të fituar zgjedhjet”. Sipas ambasadorit amerikan edhe shpërndarja e financimeve përmes Fondit të Zhvillimit Rural “ndeshet me rrezikun e përdorimit të tij për financimin e kryetarëve të bashkive të PS-së dhe LSI-së dhe mohimin e fondeve për bashkitë e opozitës”. Shtetet e Bashkuara kanë caktuar një fond prej 12.8 milion dollarësh për të ndihmuar Bashkitë që të ndërmarrin plane të efektshme të zhvillimit urban dhe të bëjnë qeverisjen vendore më transparente. {SH.K}

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasadori amerikan Lu, Kryebashkiaket

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT