• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

Kosova ka mbështetjen e plotë të BE e SHBA

October 16, 2015 by dgreca

-Kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas kthimit nga Brukseli/
PRISHTINË, 16 Tetor 2015/ Kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas kthimit nga Brukseli, deklaron se Republika e Kosovës ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. “Ne po punojmë përditë për ta bërë shtetin tonë funksional dhe partnerë të denjë me miqtë tanë”, thekson ai.
Mustafa bën të ditur se në Bruksel ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të shumtë evropianë, përfshirë edhe kolegët e Partive Popullore Evropiane (EPP), të cilët udhëheqin shumicën e qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të cilët më kanë rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën. Po ashtu, vijon ai, patëm një darkë pune të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me delegacionin e Serbisë.
“Ne po punojmë pareshtur për ta bërë Kosovën anëtare të UNESCO-s dhe jemi të sigurt se këtë do ta arrijmë brenda pak ditësh. Brenda pak javësh, Kosova do ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Për një periudhë të shkurtër ne do të përmbyllim detyrat tona dhe do ta marrim datën e Liberalizimit të Vizave. Që nesër, barrikada në urën mbi lumin Ibër, do të hiqet dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ashtu siç është paraparë, ajo do të shndërrohet në urë që lidh e jo më që ndanë qytetin e Mitrovicës”, shprehet Mustafa.
Kosovës, vijon ai, i duhet konsensus nacional për këto procese të rëndësishme dhe parasegjithash, Kosovës i duhet të dëshmojë racionalitet dhe stabilitet.
“Nga aktet e dhunës në institucione, ndaj institucioneve të shtetit, institucioneve të pavarura dhe ndaj përfaqësuesve legjitimë të qytetarëve të Kosovës, ne duhet të kthehemi kah debati i bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese”, thekson kryeministri Mustafa.
Ai shton se, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë pasigurinë që prodhojnë situatat konfliktuale me prapavijë betejën për pushtet.
“Ne kemi përgjegjësi t’i udhëheqim ata për aq sa ata na kanë besuar me vullnetin e tyre. Konform atij vullneti, ne duhet të sillemi në institucionet e shtetit. Debat në Kuvend në vend të bllokadës. Argumente në vend të akuzave. Vizion për të ardhmen e jo kthim prapa. Kosova ka institucione me legjitimitet qytetar dhe të njohur e mbështetur ndërkombëtarisht. Kosova duhet dhe do të ecë përpara”, përfundon Mustafa në ‘facebook’. /b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Isa Mustafa, Kosova ka mbështetjen e plotë, të BE e SHBA

NEW YORK, Dy Stiliste Shqiptare në “Java Ndërkombëtare e Fustaneve Martesore 2015”

October 16, 2015 by dgreca

Modelja shqiptare me banim në Nju Jork, Lola Luma, ka prezantur koleksionin e fustaneve të nusërisë së firmës angleze Venus Bridal UK, kurse sitlistet e njohura Katerina Boci dhe Ilmika Kulla, koleksionet e tyre 2015 të fustaneve të nusërisë/
Nga Beqir SINA – New York/NEW YORK CITY : 10-12 tetor kanë qenë dy ditët, e muajit që mbushet me dasma dhe që pamë më shumë veshjet martesor nga disenjatorët e gjithë bota, e ashtuquajtur si “Java Ndërkombëtare e Fustaneve Martesore” në qytetin e Nju Jorkut, e cila u zhvillua lagjen turisitike në Pier 94 në limanin kryesorë të qytetit.
Një prej evenimenteve më të mëdha të fustaneve të bardha të nusërisë, i mbajtur çdo vit në Romë, Parsisë, Londër, Berilin, Amsterdam, erdhi në metropolin e botës qytetin e New Yorkut, si një përpjekje, për të nxjerrë në pah stile të freskëta të reja për veshjet dhe fustanet martesore të vitit, shkruan shtypi njujorkez.
Kjo, pasarel e bukur mode, simbas tyre gjithashtu, është bërë një mënyrë e përshtatshme për shitësit, dhe blerësit anembanë Amerikës, dhe botës – ku desinjersit, nuset e reja, revistat rozë dhe shtypi kulturor dhe artistik, “hedhin” sytë në një super “dyqan” ku çiftet e reja kërkojnë, një prirje nga më të fundit për veshjen e ardhshme martesore.
Java Ndërkombëtare e Fustaneve Martesore – e këtij viti, është e ndryshme, sipas disa eksperteve të modes duke nisur nga tendencat e reja në veshjet martesore për këto dy muaj – por, edhe për ato martesa që do të vinë vitin e ardhshëm. “Disa mund të mendojnë se këto fustane martese janë të çuditshme, të tjerët mund të mendojnë se ato janë krijuese dhe unike për një suprizë”.
Trendi më i madh këtë vit, thanë ata është për veshje fustane martesore pa krah me një dekolte të theksuar dhe të hapura komplet në shpinë.
Ndërsa, një tjetër tendencë e dukshme thanë modelistët është që fustanet të jenë sa më të hapura dhe të çara shumë deri në “ekstrem” në pjesën e poshtme. Këto shihen përmes disa fustaneve të martesës të sjellë me një grimë të ri, që luajnë dhe të vën në lojë, duke i bërë nuset të duken sexy dhe konservatore në të njëjtën kohë.
Këtë vit në sfilatën e modës së fustaneve të nusërisë ka marrë pjesë edhe Lola Luma, vajza shkodrane, e cila ka mahnitur gjithnjë e më shumë me bukurinë dhe sharmin e saj.Modelja shqiptare me banim në Nju Jork, Lola Luma, ka prezantur koleksionin e fustaneve të nusërisë së firmës angleze Venus Bridal UK, në Nju Jork : “Java Ndërkombëtare e Fustaneve Martesore 2015” – “ New York International Bridal Week 2015”
Simbas faqes së saj – në internet në këtë javë – në festivalin e fustaneve të nusërisë ka në Nju Jork : “Java Ndërkombëtare e Fustaneve Martesore 2015” – “ New York International Bridal Week 2015”, ka marr pjesë edhe firma e njohur Katerina Bocci Couture.
Stilistja shqiptare, Katerina Boci vajza nga Lushnja, që gjeti ëndrrën në SHBA, dhe e ka ndarë jetën e saj mes Detroitit dhe New Yorkut të famshëm. Bocci, shkruan shtypi njujorkez, do të niste prezantimin e saj në këtë “botë marramendese” të prezantimit të fustaneve të bardha të nusërisë, me disa fustane martesor luksoze, nga koleksionin e saj i madh në festivalin New York Bridal Fashion Week 2015.
Bocci debutojë kësaj rradhe me koleksionin e saj të shtatë dhe bëri një prezantim “solo” në ora 10 ditën e diel, më 12 tetor me një spektakel mahnitës në “pistën” e pasarelave në London Hotel (151 West 54th Street), nëë New York City.
Kurse, një burim shqiptar në statusin e tij – në rrjetin social facebook, shkruan se në këtë festival në Nju Jork : “Java Ndërkombëtare e Fustaneve Martesore 2015” – “ New York International Bridal Week 2015”, ka pasur një paraqitje ekskluzive, duke shfaqur modelet e saj unike dhe artistija, nga Kenktiket (Connecticut) shqiptarja Ilmika Kulla.
Ilmika Kulla – u lind dhe 1987 në Berat, Shqipëri, dhe u zhvendos në Shtetet e Bashkuara në vitin 1998, shkruhet në statusin e saj në facebook. Nga mosha e re Ilmika, thuhet se ishte i interesuar në art dhe veçanërisht në pikturë dhe disanjë për modlet e fustanve të grave. Ajo është diplomuar në Connecticut State University me një diplomë të Arteve të Bukura, dhe ka një përqendrim në historinë e artit botëror.
Ndërsa, pikturat janë dashuria e saj e parë, Ilmika është gjithashtu një stilistee apasionuar, e specializuar në veshjet luksoze dhe me shije të femrave.

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, dy stiliste, fustanet e nuseve, ne javen nderkombetare

Histori Suksesi- DR. EVA GAVANI NE ANTOLOGJINE “GOLDEN PEN” NE SHBA

October 16, 2015 by dgreca

Dr. Eva Gavani, një Kimiste e apasionuar, një Krijuese e talentuar, botuar në Antalogjinë ” Golden Pen” në SHBA/
Intervistë e Liliana Pere me Dr Eva Gavani/
Dr. Eva Gavani është një Kimiste e apasionuar, një Krijuese e talentuar, botuar në Antalogjinë “ Golden Pen” në SHBA.
Është shkrimtare, poete, e njohur në fushën e letrave dhe të medias. Por jo vetëm kaq, Gavani është krenare për profesionin e saj , aty ku ka edhe gradën Doktor i Shkencave në Kimi. Dhe për më shumë është modeli i gruas që çdo gjë në jetë e ka arritur vetë me forcë e dinjitet duke ja dalë edhe pse jeta ka qënë e ashpër me të shpesh herë. Ka lindur në qytetin e Vlorës, nuk harron ta përmënd vendlindjen e saj, megjithëse ka kohë të gjatë që jeton në Tiranë. Është diplomuar në Kimi në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Tiranë në vitin 1988, është nënë e dy fëmijëve dhe sot punon në Agjensinë Kombëtare dhe Pajisjeve Mjekësore në Tiranë. Autore e disa librave me poezi tregime e roman, autore e një sërë artikujsh shkencorë botuar brenda dhe jashtë vendit, vlerësuar si aktive në shumë organizime të grave, Gavani vazhdon të mbetet po aq kërkuese dhe kembëngulëse në gjërat që ajo i quan thelbësore. Një grua sa e fortë po aq edhe e brishtë ajo është një grua e emancipuar, emancipim, i cili duket edhe në këtë intervistë.
Intervista/
Së pari e nderuara Znj.Liliana më lejoni të shpreh mirënjohjen time për punën tuaj e për ju në veçanti. Kjo që ju bëni nuk është thjesht njohje me gra e vajza të suksesshme, por është një lëvizje emancipuese për gjithë shoqërinë shqiptare e cila ka aq shumë nevojë të promovojë vlera të vërteta, një nga ato jeni edhe ju vetë.
Pyetje: E dashur Eva kthehemi ne kohe dhe kujtojme pak , çfarë emocionesh do te provonit po të kujtonit qytetin e lindjes, dhe shume ngjarje që janë të lidhura me femijërine tuaj ?
Dr. Eva Gavani-Fëmijëria ime lidhet me qytetin tim të lindjes, Vlorën. Kam pasur fatin të hedh hapat e para në një qytet bujar e të harmonizuar me natyrën. Kjo ka lënë mbresa të forta në karakterin tim dhe në pasionin tim në fushën e letrave. Vlora është qyteti që më ka ngjizur frymëzimin e për këtë i përulem me dashuri. Aty kam fantazitë e mia, ëndërrat e dëshirat e mija femijërore në moshën parashkollore. Mbaj mënd që për këtë jam dalluar që në kopësht. Por krijimi im i pare, në mund ta quaj kështu, ka qënë një poezi e thurur me dashuri për mësuesen time. Ishte një detyrë klase e thurur në ato banka të drunjta të zeza ku fillimisht na dilnin vetëm kokat përsipër. Mësuesja jo vetëm e vlerësoi por më evidentoi dhe unë me krenarinë e një fëmije të stimuluar vazhdova të lexoja shumë, të mësoja shumë e kështu hap pas hapi krijova një bagazh të mirë, madje shumë të mirë për një fëmijë.
Pyetje- Cilat janë arritjet tuaja në këtë kohë?
Dr. Eva Gavani-Po, shumë shpejt emri im u bë i njohur në shkollë, e dalëngadalë me Shtëpitë e Pionerit që funksiononin shumë në atë kohë në qytet e më pas një çmim i parë i marrë në rang kombëtar në Radio Tirana më bëri të njohur në vitet e fëmijërisë sime. Unë kisha një bllok të kuq me fletë të bardha, pa vijëzime dhuratë nga vëllai im i ndjerë Iliri, që më thosh ti mblidhja të gjitha aty edhe ato vjersha që mund ti konsideroja jo të mira. Familja ime ka qënë redaksia ime e parë, e gjithë kjo më rriti fletë pas flete. Jo vetëm kaq po në atë kohë ne zhvillonim shumë konkurse midis shkollave brenda e jashtë qytetit e natyrisht bashkë me shokët e mi kishim krijuar një skuadër të mirë të shkollës “4 Heronjtë”, jo vetëm fitonim në letërsi por edhe në shkenca të tjera.
Më pas kujtoj vitet e bukura të gjimnazit “Ali Demi”. Kemi pasur një mësuese poete, Maro Pasho e cila stimuloi shumë rritjen time poetike. E kujtoj me respekt faktin që ka qënë një grua ajo që vazhdoi, veç familjes, stimulin dhe evidentimin tim. Në vit të dytë të gjimnazit përsëri marr një vend të parë e më dedikohet një program në RTSH. Këto arritje më rritën dëshirën dhe ushqyen pasionin tim. Në moshën 17 vjeçare unë nisa punën si korespondente vullnetare në gazetën lokale “Zëri i Vlorës”. U dallova dhe u vlerësova, me fleta lavdërimi, si quheshin atëhere, për reportazhe dhe portrete të njerëzve të thjeshtë punëtorë. Këtë periudhë e kujtoj vërtet si sukses, pavarësisht lodhjes pasi duhej të shkoja në vëndet e tyre të punës e kjo krahas mësimeve të cilat duhej ti bëja mirë për të përmbushur pretendimet e mia. Më vleu pra kjo periudhë, unë po merresha me diçka që më lidhi me më shumë njerëz të moshave e profesionve të ndryshme, si natyrë sociale kjo më jepte gëzim të veçantë pasi kisha edhe një të ardhur timen, “honorar”, me të cilën mund ti bëja ndonjë dhuratë familjarëve. Në maturë kam qënë e vetmja pjesmarrëse vajzë shkolle në një kongres të grave dhe vajzave krijuese në rang kombëtar të zhvilluar në Tiranë me iniciativën, mbaj mënd të Vito Kapos. E përmënd se kjo më vleu më pas në luftën time për të marrë një të drejtë studimi, natyrisht sepse dëshira ime për shkollë ishte e madhe.
Pyetje-Cili është Diplomimi juaj?
Dr. Eva Gavani-Eh… , është një kapërcim mbase nga pasioni për letërsinë në atë të shkencave ekzakte. Unë jam diplomuar për Kimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë. Nuk ishte e lehtë për mua të zgjidhja degën që doja. Kjo edhe për faktin se në familjen time ishin të gjithë me shkollë të lartë e natyrisht politika e atëhershme nuk e lejonte këtë , duhej shpërndarë e drejta e studimit në çdo familje. Pra e kish më thjeshtë dikush që kish një mesatare e kritere më pak të plotësuara arsimore në krahasim me mua vetëm të ishte i pari fëmijë i familjes. Po unë u mësova të këmbëngulja, atë që doja e doja me gjithë mundimet që mund të pasonin. Nuk pranova shkollime alternative, duhej të vazhdoja shkollën ashtu si vëllai im ekonomist e motra ime pianiste. Për herë të parë po deklaroj se më është dashur të rend dyerve të ministrisë në Tiranë, madje kam trokitur edhe në derën e shtëpisë së ministres së atëhershme të arsimit e cila po nisej për pushime dhe dha një rekomandim në qytetin tim që te shihesha me preçedencë. Kështu me luftë me shumë drithërima e ankthe nisi beteja ime për shkollën. Kimi ishte zgjedhja e listave në bazë të mesatares time të lartë e unë nisa studimin në Fakultetin e akullt të Shkencave të Natyrës pa e ditur që vite më vonë kimia do të ishte pasioni im i dytë dhe profesioni që do të më krijonte të ardhurat bazë për të mbajtur familjen. Gjatë viteve të shkollës së lartë letërsia ishte brenda meje, brenda bllokut të kuq që e mbaja me vete në pritje të shtonte faqet.Vjershat e atëhershme ishin si formula e kjo ndërthurje po krijonte një dimension tjetër tek unë, ndjeja që vargu po rritej e po bëhej më konçiz, kimia nuk më lejonte më të shkruaja gjatë.
Pyetje- Cila eshte familja juaj ?
Dr. Eva Gavani-Unë tani jam kryefamiljare dhe ndjej peshën e përgjegjësinë absolute të familjes për formimin e mirëedukimin e brezave. Them e brezave se pyetja juaj më çoi direkt në gjirin e familjes ku jam rritur, e meqënëse ne e dimë që nëna është kyçi i rritjes së fëmijëve, më erdhi menjëherë në mend gjyshja ime e natyrisht nëna ime e mirë. U detyrohem shumë mirësisë e përkushtimit të tyre. Gjyshja ka transmetuar te nëna ime vlera e ajo i ka përçuar tek unë në formë më të përsosur. Nëna ime në veçanti ka qënë një grua shumë elegante në pamje e sjellje. E mirë dhe e dashur ashtu si të gjitha nënat ka induktuar tek ne dashurinë për librin dhe njerëzit. Unë kam patur fatin të kem prindër intelektualë të rritur në dy familje me qytetari në dy treva të ndryshme, siç janë jugu e Shqipëria e mesme. Nëna ime diti ti ndërthurë kaq mirë tek ne të dy kulturat, sa unë vazhdoj të them që kam qënë me fat. Edhe pse nuk është në këtë jetë më ajo vazhdon të jetë udhërrëfyesja ime, madje mund të them që ka qënë forca e saj që unë them sot që besoj në forcën e grave.
Pyetje-Ju edhe vetë jeni një grua intelektuale e fortë dhe e emancipuar, madje keni vlera të evidentuara familjare. A mund të na thoni sa do pak, si ka qënë kjo rrugë për ju?
Dr. Eva Gavani-Sa për familjen time mund të them që është krenaria më e madhe e jetës time. Familja ime, ajo që unë kam krijuar ka një pasqyrë të kristaltë, fëmijët e mi, Ejona dhe Ardit Gavani janë motive i madh i ditënetëve të mia. Ata janë siç e kam thënë edhe herë të tjera kryevepra e veprave të mia. Falenderoj Zotin në çdo moment për këtë dhuratë.
Nuk ka qënë e lehtë kjo për mua natyrisht. Kam qënë timonierja e familjes sime në moshë të konsideruar ende të re. E kjo pjesë e jetës përbën emancipimin tim të vërtetë, një betejë për të mbajtur familjen në parametra të mirë ekonomikë, një menaxhim i mirë i kohës për të qënë dy herë prind i fëmijëve të mi. Kam punuar në profesionin tim edhe pasdite, kam botuar libra, kam hartuar tekste, reklama etj që fëmijëve mos tu mongonte asgjë nga mirërritja jo vetëm në ushqim, por edhe në pregatitjen e tyre për jetën, vrapoj apas tyre në kurse gjuhësh të huaja, kurse sportive, argëtime, pushime, lojra etj. Sot ndihem e qetë që u kam dhënë një fëmijëri të pasur me gjithë mungesën që të krijon njëri prind. Ndihem krenare që ata sot janë plot dinjitet, të shkolluar mirë, të zotët e vetes, të qytetëruar e edukuar mirë, me një karakter e personalitet të spikatur e për më tepër të vetëdijshëm që çdo gjë e mirë në jetë nuk të vjen gati, apo të bjerë nga qielli, por fitohet me punë. Them se u kam dhënë modelin më të mirë të nënës dinjitoze. Por kam pasur edhe një betejë tjetër për tu përballur , mbase më të vështirën për një femër. Betejën me mantalitetin shoqëror. Kjo përbën suksesin tim të vërtetë, sfidën e mbijetesës. Të bësh emër të mirë në një shoqëri paragjykuese është një proces i gjatë, i përditshëm dhe i hasur kudo qoftë edhe në profesion. Kam mbajtur gjithmonë një qëndrim atë që të dikton qytetaria, geni fisnik e kurajoja për të luftuar me dinjitet, edhe duke u lënduar herë pas here fort, por nuk kam rënë asnjëherë pre e presioneve për të më bërë të dorëzohem… Gruaja është sa e brishtë aq edhe kurajoze, unë besoj në forcën e gruas.
Pyetje-Kush është eshte qyteti juaj, qyteti ku ju jeni rritur dhe ku vazhdoni të jetoni. Në këtë intervistë cili do të ishte komenti juaj për qytetin tuaj, këtë herë nga kënvështrimi dhe i një inteletualeje të mirfilltë, sikundër jeni ju ?
Dr. Eva Gavani-Më pëlqen kjo pyetje: qyteti juaj. Unë kam dy qytete. Vlora është qyteti ku hodha bazat e karrierës letrare , Vlora për mua është “ një dallgë që shkon e vjen” sikundër them në një vargun tim, është qyteti i mallit dhe identitetit tim, kurse Tirana është qyteti i jetës time. Është qyteti im në shkollim, në karrierën akademike dhe profesionale por edhe letrare, qyteti i jetës time në tërësi, vendlindja e fëmijëve të mi. E dua Tiranën, nuk jetoj dot shumë kohë larg saj, Tirana është rritur hap pas hapi dhe unë kam ndjerë dhe ndjekur po kështu lëvizjen e saj në kohëra të ndryshme të qetësisë dhe trazimit.
Pyetje-Dhe sot si ndiheni në profesionin tuaj, a e do dhe investon Eva intelektualisht për profesionin e vet, cilat kanë qënë disa nga vlersimet që keni ndjerë në karrierën tuaj profesionale ?
Dr. Eva Gavani-Unë duhet të theksoj shumë sinqerisht se të jesh e vlerësuar jashtë strukturave partiake , pra të jesh e vlerësuar profesionalisht për meritokraci tek ne, është një “mision i pamundur”, është e vështirë. Meritat e profesionit ndihen në atë, që ky profesion të siguron një vënd pune ku mund të nxjerrësh bukën me dinjitet. Për kaq ndihem vërtet e vlerësuar dhe këtë ja kam për nder vetëm Evës. Unë e dua profesionin tim, kam një emër të mirë në profesion dhe di të them që punën time e bëj me ndershmëri dhe përkushtim. Vlerësimin më të madh e kam marrë nga studentët e mi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ata janë miq të mirë , ata nuk japin dekorata por falenderime zemre e kjo vazhdon të ndodhë e kjo më ripërtërin. Fakulteti që dikur e quajta të akullt u bë frymëzim për pasionin tim të dytë ,kiminë. Po këtu unë ndoqa kualifikimin tim të mëtejshëm për Master Shkencor dhe më pas titullin Doktor Shkencash. Kam pasur fatin e madh gjatë viteve të diplomimit të kem një kastë të shkëlqyer mësimdhënësish e më pas të kem në krah pedagoge shumë të mira. Unë besoj në forcën e grave e në këto kualifikime kam pasur pedagoge gra që kanë ndjekur studimin e temës që mbrojtëm. Ishte një studim që kryhej për herë të parë tek ne dhe u desh shumë vëmëndje, por ambicja për ta çuar deri në fund në kohë madje, më bëri të mos kem gjumë. Tani them se ja vlejti, pavarësisht se këtu tek ne vlerësimi shtetëror për punën tani për tani s’është në nivelin e duhur.
Pyetje- A jeni larguar ndonjehere nga Shqiperia ? Aresyet tuaja, dhe si vazhdon komunikimi mekomunitetin e grave ne pune dhe ne angazhimet e tjera sociale?
Dr. Eva Gavani-Jam larguar për periudha të shkurtra nga Shqipëria. Unë vazhdoj të kontribuoj me punën time modeste në Shqipëri me dëshirën që secili nga ne që ka diçka për të dhënë, të vazhdoj ta bëjë me besimin se të gjithë së bashku diçka do bëjmë për më mirë.
Pyetje-Ju jeni nje kimise e aftë profesionalisht , me ambicie te forta per te ecur perpara, krahas profesionit ju jeni dhe nje krijuese e mirë , a ndiheni e plotesuar ëe rrafshin professional ?Jeni e kenaqur me karrierën tuaj profesionale ?
Dr. Eva Gavani-Mund të them që se kam pasur të lehtë. Kam luftuar e punuar fort për të qënë sot kjo që jam në profesion. Na duhet ta pranojmë se për gratë është e vështirë të ngjisin karrierën pa ndjerë xhelozinë qoftë edhe brenda llojit. Inferioriteti dhe paaftësia më janë kundërvënë në rrugën time profesionale e kjo më ka marrë, për hir të së vërtetës, shumë energji, Është si një magnet që të tërheq në një fushë boshe e të thith energji positive. Unë e thashë që po të mos jesh e partirizuar apo mike e atij/asaj nuk mund të marrësh poste e vënde që “de facto” ti caktojnë kolegët me konsultën e vazhdueshme që kërkojnë nga ty. E nisur nga kjo them se ndihem mirë.
Në planin e botimeve vlerësimi vjen së pari nga lexuesit, nga mënyra se si e komentojnë prurjen tënde, vargje që mbahen mënd e recitohen japin për krijuesin një sodifaksion të bukur. Nga libri im i parë “Kam mall” e deri tek romani “Tundimet e një nate me hënë” kam ndjerë rritje brenda vetes, por edhe rritjen e audicionit, edhe rritjen e zhanrit edhe përsosjen e vargut. Jam ndjerë e vlerësuar mes krijuesish në mënyrë të veçantë për lirikat poetike ku me kanë vlerësuar me një çmim të parë në një ditë Shën Valentini. Promovimet e librave të mi të organizuara më së shumti nga Shtëpia ime Botuese, (drejtore e së cilës është përsëri një grua ), apo nga dashamirës arti kanë qënë vlerësimi më i madh për mua. Nje sukses dhe vleresim i madh per mua ka qene se jam botuar ne Antalogjine” Golden pen” në Amerike me autore të huaj.
Pyetje- Cili është libri më i dashur dhe i preferuar për ju dhe sa libra numëroni në poezi , tregime, cilët janë tituj e librave që keni botuar?
Dr. Eva Gavani-Unë kam një numër të numërueshëm titujsh , kam botuar 8 libra me poezi, tregime të shkurtra dhe një roman. Veçantia ëshstë se kam pasur një jetë intensive dhe koha nuk ka mjaftuar të rris numrin e tyre. Por kam edhe një mendim timin lidhur me numrin e titujve, nuk më pëlqejnë titujt e rritur artificialisht, kjo do të thotë që unë nuk shkruaj dot e pa frymëzuar. Ajo që mua më frymëzon është vetë jeta me truket e saj. Shumë ngjarje që për sytë e gjithkujt janë të thjeshta unë i bie në letërsi në formë të një realiteti ndryshe, kjo mendoj përbën individualitetin tim. Libri më i dashur për mua? Më duket se i dua të gjithë njëlloj, “Kam mall” mban brenda kujtimin e vëllait tim, “Jam Eva” ka lirika shumë të bukura , “Të lëmë një emër” ka poezi të ndjera , “Një orë nën qiri” një libër i pari me tregime të shkurtëra që të befason për nga mënyra se si zgjidhen situatat, “ (f)Shihemi në ëndërr” ndër librat më të shitur me poezi ka brenda edhe poezinë më të dashur për mua kushtuar nënës time, Lumturisë, kam bërë një paralelizëm me emrin e saj në këtë poezi. “Brenda Brengës” është libri që ka furtunën brenda, “Amina” është një libër shumë i bukur me tregime të shkurtëra mbi filozofinë e jetës dhe së fundi romani “Tundimet e një nate me hënë” që është një demaskim i korrupsionit në drejtësi shëndetësi e deformimit social, tema këto që mbeten aktuale.
Pyetje-Cilesitë si modestia , humanizmi dhe disa nga vetitë tuaja, sa të çmuara janë për ju ?
Dr. Eva Gavani-Të flasësh për veten e vlerat e tua është ca e vështirë duke ditur që modestia është vlerë qytetarie. Por ajo që vlerësoj e më bën krenare është motivi që unë kam në jetë : çdo gjë dua ta arrij me punë të ndershme e dinjitet, me forcat e mia, të marr mësimet e duhura nga e djeshmja, të sistemoj çdo gjë në kohën e duhur në mënyrë që e sotmja ti përkasë të nesërmes. Kjo ka bukurinë e saj pavarësisht se mund të mos jetë më e mira e mundshme. Vlerësoj shumë shpirtin human e natyrën sociale, tani kam arritur në përfundimin se jeta ka një cikël të rikthyeshëm të vlerësimit shoqëror.
Pyetje-Sa e organizuar eshte Eva ….në jetë? Dhe çfarë përçmon më shumë ?
Dr. Eva Gavani-Më pëlqen të jetoj me ritëm ritmi e ka të përfshirë organizimin. Jeta është e bukur kur e shikon bukur. Kjo do të thotë që në se di të zgjedhësh në larminë që ajo të ofron, njerëzit e duhur, situatat e gjithçka të mirë që të përshtatet jeta bëhet më e thjeshtë. Situatat , por edhe njerëzit jo gjithmonë varen nga ne , unë e kam fjalën për drejtimin apo për timonin e jetës që duhet të jetë i palëkundur. Në rastet kur na dalin përpara fenomene si mosmrënjohja, zilia, cmira, harbutëria etj etj nuk ke si të mos reagosh me përçmim. Mua më është dashur të ndeshem në këtë përballje pa u dorëzuar me argumentin se po t’ua lëmë shoqërinë njerëzve të tillë, do humbasim shumë.
Pyetje-Cili është raporti që ju keni me veten , profesionin dhe komunitetin e gruas qe te rrethon?
Dr. Eva Gavani-Shpesh herë them se “duhet bërë më mirë” e ky nuk është ndër raportet më të mira që mund të kesh me veten, pra veten e gjykoj sa shpesh më duket se i hyj në hak. Por në planin e përgjithshëm e respektoj shumë veten e për këtë ndihem mirë. Miqtë e mi të ngushtë e dinë që unë që në rini kam pasur shprehjen standart “e dua shumë Evën”. Unë vlerësoj shumë punën e shoqatave në ndihmë të grave, punën individuale të grave në ndihmë të familjes por edhe në ndihmë të njëra tjetrës. Ky është raporti më i mirë njerëzor secili të japë më të mirën nga vetja në ndihmë të edukimit qytetar e njerëzor.
Besoj nga kjo fillon edhe emancipimi i femrës, të duash e vlerësosh veten do të thotë të kërkosh edhe raporte të drejta në shoqëri. Të luftosh për arritjet e tua e të gjesh rrugët e drejta të arritjes së saj është në një farë mënyre edukim i shoqërisë në tërësi që ti japi femrës atë që i takon. Thuhet shpesh se një shoqëri është aq e emancipuar sa të emancipuar ka femrat. Unë besoj se shoqërisë shqiptare i mungon ende respekti për femrat të cilat në vetvete kanë ecur shumë e janë një hap para ( për të mos thënë më shumë) se vetë politika që ndiqet për to. Besoj që ka ardhur koha e rivlerësimit të figurës së femrës dinjitoze e unë personalisht ju falenderoj ju për këtë punë të palodhur, duket sikur do të jeni ju oguri i këtij rivlerësimi. Shoqëria jonë ka nevojë ta ridimensionojë femrën dhee figurën e vërtetë të saj , ka nevojë të njohë atë që qëndron përtej servilizmave konjukturalë për të fituar një pozicion karrikeje të lëkundshme për nga pandershmëria.
Dr. Eva Gavani-Unë ju falenderoj sërish që më dhatë mundësinë të shprehem për figurën më të dashur në botë ,për nënat, gratë e vajzat tona !
– Faleminderit ju e dashur Eva ,gruaja e suksesshme, kimistjae aftë brilante, krijuesja e talentuar dhe nje aktiviste e shkëlqyer e gruas shqiptare. Suksese nga zemra

Filed Under: Interviste Tagged With: "Golden Pen", Dr. Eva Gavani, Liliana Pere, ne Antologjine

NATA PARA ÇLIRIMIT TË QYTETIT TIM

October 16, 2015 by dgreca

ese nga Faslli Haliti/
Një natë para çlirimit të qytetit Lushnjë, gjithë banorët e lagjes sonë periferike Plug i Madh, u shpërngulën për ta kaluar natën larg qytetit, buzë kënetës së Tërbufit, në Fushën e Labotit dhe Marinës së Vidhit. Këtu do të ishin jashtë rrezikut. Parashikohej që plumba, predha apo copa, cifla predhash, plumbash mitralozash, plumba qorra pushkësh mund të binin qorrazi mbi banorët e lagjes sonë e të vrisnin apo të plagosnin fëmijë, gra, pleq. Unë atëherë isha i vogël, sapokisha mbushur shtatë vjeç dhe nuk e dija pse dhe kush u përkujdes, e kush mendoi për shmangien rrezikut që kërcënonte banorët e lagjes sonë dhe banorët e lagjeve të qytetit. Në zgrip të zhvendosjes së njerëzve nga shtëpitë, u fol se trupat gjermanë në ikje, kishin minuar dhe do të hidhnin në erë urën e madhe të qytetit. Në katër cepat e urës ishin vendosur katër arka, plot me kallepe dinamiti të cilat, të nesërmen e ikjes së trupave gjermane nga qyteti, unë i pashë me sytë fitilat e prerë nga një qytetar me guxim marrok, para se fitilat e ndezur t’u vinin flakën arkave plot me kallepe dinamiti. Ndaj duhej të iknim sa më parë larg rrezikut. Mbase ky kishte qenë urdhri i Shtabit operativ partizan.
Familjet e lagjes periferike Pug i Madh u vendosën gjatë gjithë Fushën së Labotit e cila shtrihej midis kashtës së kënetës dhe shkoretit të Marinës së Vidhit, nga veriu në jug. Në veri të fushës së labotit, te Marina e Manolit dhe Vija e Lim Sefës, në kufi me lagjen Plugu i Vogël, ku ndodheshin Loshët, Pirrët dhe Brahim Meta, zunë vend familjet Staka, Poçi, Kaloçi; në pjesën qëndrore të Fushës së Labotit deri në ekstremin jugor drejtpërdrejt me Vijën e Lilës, buzë shkorretit me marina, u vendos familja e vejushës Kushe Shefa, nënës kapedane të katër djemve partizanë dhe dy vajzave të saj Dile e Sherife, të dyja aktiviste të luftës që nuk pushonin së qepuri yje për partizanët ditë e natë, së bashku me Banen e Shurdhanëve, Lahen e Zhurve, Dafinën e Themije Çanakun,Varën e Buxhelëve, Gjenën e Bicëve… Pas familjes së vejushes kapedane Kushe Shefa vinin familjet: Gjoni dhe Kajdo, dy familje këto asnjanëse gjatë Luftës; pastaj vinin familjet: Qamil e Idriz Thana, Çamët e flakët Durro e Tefik Qerimi, familja e Xhik Gjylës, Kryetarit të Këshillit NacionalÇlirimtar të lagjes Plug i Madh, familjet: Shurdhi, Daka, Fishta, (Harrem) Zhurët, Buxhelët, Liçkët, Llamër Çanaku, Bicët, Kondakçinjtë, Bilbilët, Brushtulli, familje këto të lidhura të gjitha fort me Luftën NacionalÇlirimtare, strehues të saj, së bashku me familjet Loshaj, Pirra, Meta dhe Bali (Dini)… Kurse familjet Staka, Poçi, Sef e Nur Kaloçi, ishin familje nacionaliste, por që ne banorët e lqgjjes i quanim ballistë.
Të gjitha familjet ndezën zjarre që nga veriu e deri në jugë të fushës së labotit e gjatësisë së shkorretit. Zjarret natën dukeshin fare afër njeri-tjetrit, por ky ishte thjeshtë një iluzion, Në të vërtetë zjarret ishi larg, goxha larg, njeri-tjetrit.
Edhe pas shtatëdhjetë viteve, e mbaj mend si sot, përflakjen e qytetit gjatë gjithë asaj nate Tetori me krisma, si në një film me ekran të gjerë, pa zbehjen më të imët të përfytyrimit tim prej fëmije. Duke mos e ndier fare rrezikun, mua më kënaqte ajo përflakje që ngrihej gjer mbi kodrat e qytetit. Nuk më dukej si zjarr e flakë lufte, por si një mirazh vullkanik që më kënaqte. Sidomos krismat e automatikëve dhe mitrolozave më kënaqnin më shumë. Më ngrinte peshë, breshëria, ritmi i tyre, më bënte që të mos më zinte gjumi dhe, në të vërtetë, nuk më kujtohet të kem fjetur atë para natë Çlirimi të qytetit. Më rrihej mua pa parë flakët, plumbat me zjarr si fishekzjarrë, krismat dhe vërshëllimat e plumbave, buçimat e bombave, që vinin gjer te ne buzë të kënetës, ndonëse dhjetë kilometra larg tyre.
Nuk e kuptoja, bëhej luftë apo gjatë gjithë asaj nate në qytet festohej nata si prolog i ditës së Çlirimit të qytetit. Në çaste dremitjeje, përgjumjeje, më përhumbeshin flakët, po buçimat e bombave më zgjonin dhe unë përsëri u gëzohesha flakëve që nuk e dija në ishin flakë përvëluese lufte apo flakë të bukura festive që nuk ngopesha së sodituri.
Nuk ishte e kotë ajo historia e dy fëmijëve në djep që e kapën gjarprin njeri nga koka e tjetri nga bishti dhe e këputën më dysh.
Kështu po më ndodhte edhe mua. Me instinktin e fëmijës unë po ndjeja se po këputej gjarpri i zi në mes e kjo po më gëzonte e po më linte pa fjetur, pa ia hequr syrin përflakjes së kodrave të qytetit dhe me veshët pipëz dëgjoja, jo vetëm krismat e mitralozit, bombave, pushkëve, por veshi im prej fëmije kapte, i gëzohej edhe krismës së një pistolete «Beretë» që vinte nga syri i ciklonit të flakëve, dhjetë-ddymbëdhjetë kilometra larg, gjer këtu në buzë të kënetës, ku ne po kalonim natën.
Dëgjoja pleqtë që thoshin: po digjet Kuçedra. Nuk u shpëton dot ajo flakëve të çunave tanë me yll në ballë. Dë gjoja pleqtë dy emra të cilët s’ishin të panjohur,pasi i kisha dëgjua një natë nga një nga partizanët që erdhën për të fjetur në shtëpinë tonë i cili tregoi për luftimet e brigadave partizane midis të cilave më zuri veshi emrat e Brigads së Tetë dhe gjashtëmbëdhjetë Sulmuese, Kur partizani foli për luftimet e brigadave partizane, në përfytyrimin tim prej fëmije, u shfaq imazhi i një Dragoi me brirë, si dragoi i përrallës që tregonte gjyshja ime, netëve të dimërore me shi, breshër, borë e furtunë. Briiii- gadat, mërmërisja me vete duke theksuar fjalën bri. Kuptova se çunat me yll në ballë, për të cilët flisnin pleqtë se, po luftonin për çlirimin e qytetit, ishin partizanët e Brigadës së 8-të dhe të Brigadës së 16-të Sulmuese.
Me afrimin e agsholit, filloi të binte, të shuhej nata. Sapo agimi po i lante me një dritë të kulluar ngjyrë pjepri kodrat e qytetit, nisën të shuheshin edhe flakët të cilat i kisha pasur si shoqe gjithë natën e natës, por krismat të cilat me zbardhjen e ditës jo vetëm që s’pushuan, por u shtuan si breshër për të shoqëruar gëzimin dhe harenë e popullit për Çlirimin e qyteti dhe theqafjen e nazistëve gjermanë. Ngordhi kuçedra e zezë, na e mori të keqen, thanë pleqtë. Dhe unë përfytyrova që kuçedrn e zezë gjermane e kishin ngordhur, këputur më dysh, dy brigadat partizane: e 8-ta dhe 16-ta.
Shyqyr, thanë plakat dhe gratë se na hëngri djemtë.
Mua nuk po më pritej gjersa të shkoja në qytet, të shihja partizanët, të prekja pushkët e tyre, t’u merrja kapelën e ta vija në kokë, të isha dhe unë me kapele me yll si ata.

***
Kalova teqen e Çelës në fillim të qytetit, pastaj dhe Teqen e Lekës që ishte pranë sheshit të pazarit, aty, ku sot, ndodhet Teatri i estradës «Vaçe Zela». Pikërisht këtu ishin grumbulluar partizanët që në mëngjes herët. Partizanë pushonin të qetë, por qyteti ziente nga gëzimi. Njerëzit i gëzoheshin Çlirimit të qytetit, Lirisë. U futa mes partizanëve. I shihja nga afër. Një më përkëdheli. Unë i mora kapelën dhe e vura në kokë. Nderova me grusht. Vdekje fashizmit thashë Fashizmi vdiq thanë një nga partizanët. Të rrojë Shqipëria e lirë, thanë në kor të tjerët… Do ma japësh mua kapelen, i thashë një partizani. Po, tha partizani. Me gjithë yll?. Me gjithë yll!, tha partizani. O të keqen, lum unë, thashë i lumtur dhe fluturova me gjithë kapelën në kokë nëpër qytet.

***
Qytetar e partizanë, diku kërcenin, diku këndonin. Të tjerë i merrnin pushkën partizanëve dhe shtini lart. Në qytet nuk pushonin krismat. Xhovani, italiani që kishim strehuar në shtëpi, por që i fyer nga xhaxhai, iku nga ne dhe filloi punë kovaç te kovaçi Nuzo Jevgu, gëzonte aq shumë sa mori pushkën e Muratit, djalit partizan të hallës sime dhe nisi të shtinte me aq shpejtësi, sikur pushka e Muratit të ishte automatik dhe jo pushkë. Bravissimo Xhovani, e lavdërova unë, bravissimo. Por Xhovani desh e pagoi me kokë gëzimin e Çlirimit të qytetit. Ndërsa bëri gati pushkën për të shtënë përpjetë, ktheu kokën nga unë që të më falënderonte për vlerësimin që i bëra, Faku, kushëriri im, ndërkaq vuri gishtin në këmbëz dhe e tërhoqi. Pushka shkrepi. Plumbi i fshiku mjekrën Xhovanit i cili u bë dhè në fytyrë, tha: Dio mio! Kishte shpëtuar për mrekulli.

***

Në qytet flitej se partizani trim i lagjes sonë Plug i Madh, Xhafë Shefa, së bashku me Çlirimi, kishte ardhur edhe me Bulen, nusen partizane. Në lagje do kishim dasmë të madhe. Po kështu dhe Andrea Bano erdhi ditën e Çlirimit të qytetit me të fejuarën e tij, Lute Haxhiun. Fejesa e një të krishteri me një myslimane e la gojëhapur qytetin. Por nga mali së bashku me partizanët zbriste, jo vetëm Çlirimi, por edhe qytetërimi, zakonet dhe normat e reja. Pra dasmë të madhe nuk kishte vetëm në lagjen periferike Plug i Madh, por edhe në lagjen Topallti të qytetit.
Qyteti po çmendej nga këngët dhe vallet, krismat e fitores. Po sikur fitorja, Çlirimi i qytetit, ashtu si kalaja e Rozafës, të kërkonte kurban?! Dhe ndodhi vërtet tragjedia në mes të qytetit, në qendër të ciklonit të gëzimit, të brohoritjeve, ovacioneve, këngëve, valleve, krismave gazmore të pushkëve. Dy miq, dy shokë, vëllamë me gjak, Fon Nani dhe Gaq Pjetri, për ta shprehur më gjithë shpirt harenë e Çlirimit, i drejtonin me shaka armën njeri-tjetrit duke bërtitur: duart lart se të vrava, tradhtar dhe shkrepnin armët pa fishekë drejt njeri-tjetrit duke qenë, të sigurt që armët e tyre ishin pa fishekë. Mirëpo armën e mbush shejtani. Fon Nani i kishte zbrazur të gjithë fishekët pushkës së tij duke qëlluar si të gjithë të tjerët përpjetë në qiell, por shejtani, i kishte lënë një fishek në gojë pushkës së tij fatale. Fon Nani ia drejtoi shokut armën në gjoks, tërhoqi këmbëzën, arma u zbraz, plumbi u fut në zemër të shokut të tij Gaqi Pjetri i cili klithi gjer në kupë të qiellit: oh, më vraaaaa-ve Fooooo-ni, u këput e ra i vdekur. Si në legjendën e Doruntinës edhe Fon Nani u këput ra e ra në tokë, pa ndjenja, i vdekur pothuaj…
Kjo tragjedi nuk u harrua për shumë vite gjer në ditët që vdiq Fon Nani. Por vrasja nuk u keqkuptua. Për të humbur disi mendjen Fon Nani u bë tifoz i çmendur i skuadrës së futbollit. Ai u harrua si autor i tragjedisë, pasi nga të gjithë tashmë njihej si tifoz i çmendur futbolli. Kur Foni vdiq, kushdo që lexonte lajmërivdekjen në shtyllë, uk thoshte paska vdekur ai që vrau pa dashje shokun e tij, ditën e Çlirimit të qyteti, më 18 tetor 1944, por paska vdekur Foni, ai tifozi i çmendur i skuadrës «Traktori» të futbollit të qytetit tonë. Vrasje tragjike ndikoi vetëm në një rreth të mbyllur familjar e miqsh, por jo në gjithë qytetin i cili nuk pushonte e nuk mbahej fare së kënduri dhe së kërcyeri. Klima festive e qytetit, ishte behar edhe pse ishim në Tetor dhe kishin nisur shirat e vjeshtës siç thoshte Vath Korreshi, shkrimtari i shquar i qytetit tonë në librin e tij me shira fin «Kur zunë shirat e vjeshtës».

***
Një ditë para gjermanët minuan urën e qytetit. Në të katër qoshet e urës vendosën katër arka me mina që nuk u ndezën sepse një nga guximtarët e krisur të qytetit, preu fitilat e ndezur dhe ura shpëtoi. Por në qoshen e majtë perëndimore të urës në hekurin shinë që kornizonte pedonalen e saj mbeti shenja e një plumbi mitralozi si një cikatrice e cila do të na kujtonte përherë kohën e pushtimit të qytetit nga nazifashistët.
Para se të largohesha nga qyteti për të shkuar në shtëpi vajta dhe pashë edhe një herë partizanët. Isha kurjoz të shihja komandantin e Bigadës 16-të legjendarin Rrahman Ruçi. Gjatë luftës kisha dëgjuar se ishte tepër trim, ashtu si Myslim Peza, Baba Faja, Asim Zeneli, Mehmet Shehu, kisha dëgjuar, por nuk e kisha parë. Kisha parë vetëm djalin e tij të vogël partizan, Pasho Ruçin, me automatik anglez në krah, me kapele me yll dhe me dollakë e këpucë angleze, me qafa. Ma bëri tak zemra. I vogël, por partizan. E pata zili. Në vitet 70-80, kur shihja filmim «Partizani i vogël Velo», më dukej sikur të shihja partizanin e vogël Pasho.Thuhej se komandant Rahmani ishte shumë i shkurtër, si Napoleoni. Shkova përsëri te partizanët, te sheshi i pazarit se mbase e shihja aty por nuk e pashë që nuk e pashë. E pashë vetëm pas disa muajsh duke shëtitur. Ecte me një dorë të mbështetur prapa në bel. M’u duk vërtet shumë i shkurtër, por edhe shumë autoritar. Kjo mbase nga që kisha dëgjuar shumë për trimëritë dhe zotësitë e tij, kokëkrisjen e tij. Kur u mor vesh se kryetar qeverie u zgjodh Enver Hoxha, si Enver Hoxha dhe jo Rraman Ruçi, thashë me habi e inoçencë, infantilitet. Unë Myslim Pezën, Mehmet Shehun, Rrahman Ruçin kisha dëgjuar gjatë gjithë Luftës, Enver Hoxhën, nuk ma kishin zënë veshër, ishte hera e parë që po e dëgjoja… Thuhej se gjatë viteve të luftës, dikush kishte lavdëruar Abaz Ermenjin, udhëheqësin e ballistëve si një intelektual me shumë kulturë e ushtarak të zotë, Mehmet Shehu, komandant i «Brigadës së parë Sulmuese», heroit i «Tendës së Qypit» që ishte i pranishëm në bisedë, ia kishte pritur: «Ju lavdëroni, ngrini në qiell, udhëheqësin e ballistëve, sepse nuk njihni Shpatin, udhëheqësin e partizanëve i cili i bën hije udhëheqësit tuaj, jo vetëm si intelektual erudit, por edhe si strateg lufte që e ka shokun…»
Por pas Çlirimit, Komandant Ruçi, ky vullkan u shua. E shuan intrigat, shpifjet dhe ambiciet e karrieristëve… Mëkat.
Por djali i tij, ish partizani i vogël Pasho Ruçi, doli përsëri «malit», këtë, herë, jo me automatikun anglez në sup, por me idealin demokrat në gjoks e dritën evropiane në sy, në vitet ’90-të, për të përmbysur diktaturën komuniste, sepse ai kishte luftuar që adoleshent mër Çlirimin dhe jo për mbylljen e vendit.
«Partzani i vogël Psho» mbeti dhe vazhdon të qëndrojë në arkivin e kujtesës sime, ashtu si në kohën e Luftës me automatikun anglez në krah, me këpucët angleze me qafa në këmbë e dollakët anglez të fashuar rreth kërcinjve të kmbëve gjer në gju, si një statuetë pranë bustit të atit të tij legjendë….
Çdo «18 Tetor», pas homazheve në varrezat e dëshmorëve të qytetit, turma e qytetarëve, kthehet e bën homazhe para bustit të komandantit legjendar Rrahman Ruçi, pa e harrua atë bashkë me të birin «Partizanin e vogël Pasho».

Filed Under: ESSE Tagged With: Faslli Haliti, NATA PARA ÇLIRIMIT, TË QYTETIT TIM

Beteja fallso e PDIU-së

October 16, 2015 by dgreca

Nga Gëzim ZILJA/
Kohët e fundit në skenën e ngatërruar dhe pa rregulla loje të politikës shqiptare doli sërish PDIU-ja e Idrizit. Nga takimet e mbidheshme dhe të nëndheshme me drejtuesit e dy partive kryesore PS dhe LSI, Partia për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, zhgrapsi dhe një kolltuk tjetër, atë të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, veç një morie drejtorash e nëpunësish të lartë të administratës shtetërore. Tani është në kërkim si thuhet lart e posht, të një kolltuku ministror. S’është çudi që dhe kjo të realizohet.
Asnjë nuk e di se çfarë ka biseduar Rama dhe Meta me Idrizin dhe sesi u pollën dy koqeve të mëdha dhe disa të vogla për PDIU-në. Sjellja e Ramës duke ofruar Idrizin në qeveri, bëhet për të pasur një siguri votash në rast të rritjes së mosmarrveshjeve PS-LSI. Nga ana tjetër Meta, duke e afruar Idrizin bën dhe ky lojën e tij duke dhënë të nënkuptohet se Idrizi është më afër LSI-së sesa PS-së. Hamendësime të tilla ka mjaft dhe Idrizi duke u ndjerë i përkëdhelur dhe me gjasa i rëndësishëm, ashtu si dhe kur qeveriste PD-ja, kërkon të gëlltisë thela të tjera në favor të grupeve ose klaneve afër tij. Në koalicionin me PD-në, ia hodhi paq duke u siguruar përkrahësve të vet poste të shumtë dhe të rëndësishëm, të cilat më vonë u konvertuan në vota në zgjedhjet lokale, por këtë herë në aleancë me kundërshtarin e dikurshëm.
Por sa ka përparuar, sa ka përfituar zgjidhja e problemit çam (njohja dhe kthimi i pronave të çamëve si pronarë të ligjshëm) nga gjithë këto ‘’fitore’’ dhe aleanca të PDIU-së ?
Në gjithë praktikën botërore madje dhe në vendet e pazhvilluara aleancat ose koalicionet për qeverisje të përbashkët bëhen me marrëveshje paraprake midis të dy palëve, ku nënshkruhet një dokument mbi të drejtat, detyrat, angazhimet, përfshirë dhe postet e çdo rangu. Ky dokument nënshkruhet ditën me diell dhe u bëhet i ditur të gjithë antarëve dhe drejtuesve të partisë në qendër dhe në bazë me të gjitha detyrimet që rrjedhin prej saj.
Një dokument të tillë partia e Idrizit nuk e ka nënshkruar as dje me PD-në dhe as sot me PS-në. Në këtë kontekst, duke qenë një marrëveshje e fshehtë midis dy personave, ‘’Më jep këtë, të jap atë’’ ajo nuk ka seriozitet dhe bie erë pazar.
Së dyti nëse PDIU-ja ka në themel të programit të vet zgjidhjen e problemit çam ajo para se të kërkojë kolltukë nga PS-ja, duhet të ushtrojë trysni mbi qeverinë të njohë problemin çam dhe tjetra shumë e rëndësishme, duke respektuar të gjitha kartat europiane të kërkojë nga qeveria shqiptare ngritjen e komisionit të përbashkët greko-shqiptar për të shqyrtuar problemin e pronave të çamëve të dëbuar me dhunë nga tokat e tyre. PDIU-ja nuk ka një marrëveshje të tillë bashkëpunimi, madje as me gojë nuk e ka zënë një gjë të tillë. Atëherë e theksoj se futja e PDIU-së në qeveri bie erë të keqe, madje kutërbon, duke e kthyer këtë çështje jetike për komunitetin çam në një Pazar për miqtë e shokët. Komuniteti çam, ata që duan dhe ëndërrojnë që një ditë të marrin pronat, tokat e gjyshërve dhe të baballarëve të tyre, duhet të kuptojnë se PDIU-ja tashmë është kthyer në një parti elektorale, ku postet qeveritare dhe të tjera privilegje që jep qënia në pushtet janë qëllimi i saj final. Komuniteti i respektuar çam duhet të rishikojë politikat dhe veprimet e veta që çojnë në zgjidhjen e problemit. PDIU-ja dhe lidershipi i saj me veprimet e tyre praktikisht janë jashtë problemit çam dhe po e përdorin komunitetin si fasadë për qëllime të tjera.

Filed Under: Analiza Tagged With: Beteja fallso, e PDIU-së, Gezim Zilja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT