• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Kosovë-Ëndrra dhe fantastikja e para dy dekadave

December 27, 2015 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Prishtina, pamje nga kati 11 i ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, 19 dhjetor 2015/
-Reportazhi i ardhmërisë: Një ditë e një viti që vjen/
Nga Behlul Jashari/.-PRISHTINË, 27 Dhjetor 2015/ Para dy dekadave, pikërisht në 27 dhjetor, kam shkruar reportazhin futuristik “Një ditë e një viti që vjen”, ku personazhi ishte gazetari i Agjencisë Shqiptare të Lajmeve, i ardhur nga Tirana në Kosovën e lirë. Shumë nga ato që në atë reportazh dukeshin si ëndërr, që i kasha fantazuar-parashikuar, janë realizuar.
Është një nga reportazhet futuristike që i shkruaja çdo fundit, një nga shumë shkrimet që meqë nuk mund të lidhesha me Tiranën drejtpërdrejtë nga Prishtina i dërgoja me telefax në Zvicer, Gjermani, Turqi, Maqedoni, madje edhe në Australi, që t’i përcjellin.
“JU LUTEM ËPRCILLNE NË TIRANË 34230”, kam shkruar me dorë në faqen e tretë, në fund të reportazhit, të shkruar brenda ditës së para dy dekadave për të tretën herë – së fundi në kompjuter për ta nisur me telefax, po që nuk arrita të lidhem drejpërdrejtë, pasi nuk kisha arritur të lidhem as me telex, ku e kisha shkruar së dyti në një shirit të gjatë të shifruar, e pasi së pari e kisha shkruar me një makinë të vjetër shkrimi…
Për të katërtën herë e radhita-përshkrujta sot në llaptop nga dokumenti, që ka shpëtuar bashkë me ato pak gjëra që kisha arritur t’i fsheh brenda murit të banesës në Prishtinë para se unë të ikja dhe të hynte aty policia serbe në marsin 1999.
E përshkruajta krejt si është në dokument, me mbititull e titull. Në gjuhën që kam përdorur aty Telekomit i thoja Telekombi me idene e një telefonije-poste kombëtare.
Në kohën e viteve të rënda të okupimit me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.
Një nga reportazhet futuristike ishte edhe “Udhëtimi për në Prizren…”, që e kam shkruar më pas, para 19 viteve, dhe është botuar në 31 dhjetor 1996. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren.

Kur shkruaja reportazhet futuristike ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e titulloja reportazhin që u botua në 19 mars 1996, dhe kur “Sa afër e sa larg Shqipëria” shprehesha në titullin e shkrimit botuar në 11 gusht po atë vit.
Të gjitha këto shkrime i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip, dhe tituj të tyre gjejë edhe sot në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Ky ishte reportazh i para 2 dekadave – vitit 1995:

KOSOVË: REPORTAZHI I ARDHMËRISË

Një ditë e një viti që vjen

PRISHTINË, 27 dhjetor /ATSH-Behlul Jashari/.-Cingërron telefoni, ku ta dish për të satën herë, dhe e zgjon. “Mirëmëngjes, keni porositur zgjimin”, i thotë një zë plot gjallëri nga Telekombi i Prishtinës, pasi kishte ngritur përgjumshëm receptorin. Kishte fjetur vonë. Nuk ishte ëndërr: mbrëmë kishte parë në Teatrin e Operës e Baletit të kryeqytetit të Republikës së Kosovës “Valsin e pranverës”, pastaj me kolegët gazetarë të “Rilindjes” kishte ndejur e ngritur ndonjë gotë në restorantin “Kulla” në teracën mbi katin e gjashtëmbëdhjetë të Pallatit të Shtypit. Pastaj në dhomën e hotelit “Bozhuret” kishte shfletuar e lexuar botimin e mbrëmjes të gazetës “B” (‘Bujkut” të dikurshëm) derisa e kishte zënë gjumi. Ishte gazetar nga Tirana dhe kishte ardhë të raportojë për një kohë nga Prishtina.

Hapi televizorin. I pëlqente shumë të shikojë programin e Televizionit Shqiptar të Prishtinës që në atë orë jepte këngë dhe valle të ansamblit folklorik “Rugova”, po edhe priste padurim të shoh Teletekstin në Televizionin Shqiptar të Tiranës, ku me siguri do të emetohej lajmi i tij i parë që kishte dërguar nga Kosova nga zyrat e Agjencisë Shqiptare të lajmeve. Tek e kërkonte nëpër frekuenca kanalin e teletekstit iu kujtuan lajmet e një kohe të kaluar nga Kosova për pengesat serbe që i bëheshin depërtimit në Kosovë të sinjaleve te Radiotelevizionit Shqiptar…Nuk vonoi dhe në ekran u shfaq edhe lajmi i tij: “Në Kosovë filluan solemnisht punimet për ndërtimin e autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, në shtegun e rrugës së vjetër viaignatia Lis-Dardani…”

Këtë lajm, që një ditë më parë e kishin dhënë të përsëritur disa herë radio dhe televizioni, po e përsëriste atë mëngjes edhe Televizioni Shqiptar i Shkupit, duke e plotësuar informacionin me mundësitë e lidhjes me autostradën Durrës-Shkup-Sofje-Stamboll.

Informacione të gjera për fillimin solemn të autostradës, në praninë e udhëheqësve më të lartë shtetërorë nga Tirana e Prishtina, atë ditë botonin edhe gazetat. Sapo kishte dalur nga hoteli ishte ndalur në sheshin “2 Korriku” para shtandit të gazetave, që ishte shumë i gjerë dhe me shumë gazeta e revista të Prishtinës, Tiranës, Shkupit, po edhe me gazetat e revistat kryesore të shumë vendeve të botës.
Së pari mori “Rilindjen”, botimin në Prishtinë, pastaj “Rilindjen Demokratike”, “Albaninë”, “Lajmin e Ditës” dhe ca gazeta të tjera të Tiranës, siç i merrte edhe në Tiranë, si edhe “Flakën” e Shkupit.
U kthye në teracën e hotelit, porositi kafe e konjak “Skenderbeg” të Korçës dhe filloi të shfletojë shtypin e ditës…
Nuk arriti t’i shfletojë të gjitha. Më shumë u ndal në gazetën “Flaka” që botonte lajmin ekskluziv “Shkupi heq regjimin e pasaportave për shtetasit e Kosovës”. E ngriti me fund gotën dhe niset për ta dhënë këtë lajm sa më shpejt. Derisa po mendonte se do të jetë ky lajmi më i mirë që do të hyjë edhe në “pasqyrën e shtypit shqiptar”, tek ecte si në vrap e ndaloi polici dhe e qortoi vëllazërisht pse e kishte kaluar keq rrugën e automjeteve. Ballafaqimi me policion përsëri ia kujtoi pamjet e lajmet e kohëve të shkuara nga Kosova për policët serbë me pancirë që terrorizonin shqiptarët. Po, ishte tash një imazh krejt tjetër. Polici që mbante me kreni emblemen e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, pasi kuptoi se kend e kishte ndaluar dhe pse i ngutej, e pyeti në ka nevojë ta ndalë ndonjë automobil për ta dërguar më shpejt në zyrë…
Me të parën e mori në telefon Tiranën dhe e diktoi lajmin. Në atë orë iu kujtua se vetëm në vitin 1995 ishin bërë të mundshme, për herë të parë, lidhjet e drejtpërdrejta telefonike nga Prishtina në Tiranë. Ai telexi i vjetër, po aq i mirë, qe një kohë të gjatë ishte lidhje e vetme, edhe pse shumë e vështirë, prej nga dërgoheshin lajmet nga Kosova, i ngjante në atë moment më shumë në një rearitet muzeal.
Pasi mbaroi me lajmin që i erdhi si befasisht, nisi të mendojë për punët që i kishte paraparë: një rportazh për Prishtinën, pritjen në Ministrinë e Informatave të Republikës së Kosovës, pyetjet për intervistën me presidentin e Republikës së Kosovës…
E para ishte reportazhi, dhe një sheti nëpër Prishtinë ishte e domosdoshme. Kishin ardhë ta shoqërorin edhe kolegët nga ky qytet, dhe bashkë me ta së pari u nis të vizitojë Muzeun më të ri të kryeqytetit, ku më parë ishte selia e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, mandej e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e Presidencës së Republikës së Kosovës, ku zhvilloheshin gjithë ato veprimtari kombëtare e atdhetare…Kishte parafytyrimin e asaj shtëpie të vogël-muze, ku janë bërë aq shumë punë të mëdha.
Rrugës i ranë në sy mbishkrimet, të vëna aq bukur e aq me përkushtim, shqip. Po, në ndonjë dyqan, a ndonjë vend tjetër, pa edhe mbishkrime në gjuhën serbe. Në Kosovë të gjithë i kanë të garantuara të gjitha të drejtat, askush nuk trajtohet si minoritet, se askujt nuk ia dëshirojmë këtë ndjenjë e këtë trajtim ne shqiptarët, që aq shumë kemi hequr e jemi diskriminuar nën etiketën e minoritetit që na e kishin vënë, edhe pse, si edhe sot, përbënim mbi nëntëdhjetë përqind të popullsisë dhe ishim autoktonë në trojet tona etnike, prandaj secili flet dhe shkruan në gjuhën e vet pa asnjë pengesë, i shpjeguan kolegët. I sugjeruan ta lexojë Kushtetutën e Kosovës.
Duke u larguar nga Muzeu ktheu aty afër në zyrat e Stadiumit të Qytetit për të marrë buletën për ndeshjen e futbollit midis ekipit kombëtar të Kosovës dhe atij të Gjermanisë, që do të luhet të nesërmen.

Tek shkonte në kuartin e ambasadave të takohet me personalin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, e pastaj në Pallatin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, që kishte paralajmëruar një mbledhje të rëndësishme pas tre ditësh, i bënë përshtypje të veçantë kupollat e dritshme të Bibliotekës Kombëtare në Kompleksin Universitar, ndërtesa e renovuar e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Përmendorja e martirëve të lirisë e demokracisë dhe Memoriali i Skenderbeut, në qendër të qytetit të Prishtinës si në sheshin e gjerë të Tiranës.
Për një çast u ndal para reklamave të kinemave dhe kur pa repertuarin fare nuk u hamend që atë mbrëmje ta shohë filmin për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të xhiruar nga “Kosovafilmi”, me aktorë nga të gjitha hapësirat shqiptare.
Nga Pallati i Parlamentit dhe i Qeverisë doli edhe me lajmin se në minierën e “Trepçës” në Stantërg fillon eksploatimi i xehes edhe në horizontin e dymbëdhjetë dhe me paralajmërimin e projektit se Elektroekonomia e Kosovës do të ndërtojë termocentrale të reja në malin e Qyqavicës e jo në tokat e bukës siç ishin ndërtuar ato më parë.
Me parafytyrimin e thellësive me ar e të lartësive më dritë dhe të fushave det me kallinj buke shkonte të shkruajë për Kosovën, po, edhe këto, edhe jeta e njerëzit ishin Shqipëria, që do të bëhet…
Gëzuar viti që vjen dhe ajo ditë që do të vijë! Ishte ky urimi shqiptar i përsëritur nëpër vite e shekuj, që po dëgjohej edhe në atë mbrëmje gëzimi bashkë me cakërrimën e gotave në lartësinë e ‘Kullës”…

***
SHËNIM I SOTËM, 27 DHJETOR 2015: Në atë kohë të komunikimeve shumë të vështira, por edhe të ndaluara, nuk isha i sigurt nëse ka mbërritur në Tiranë dhe botuar reportazhi…Në Prishtinë u botua në fundin e dhjetorit të para dy dekadave – numrin e Vitit të Ri në gazetën e rezistencës “Bujku”, e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, që ishte pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, dhe fantastikja, e para dy dekadave, Kosovë-Ëndrra

QE SHTETI TE MOS NDAJE CMIME TE LLOJIT “VRIMA”

December 27, 2015 by dgreca

Opinion nga Gëzim Llojdia/
1.“Vrima” e poetes Rita Petro, botuar nga “Albas”, fitoi si libri me poezi më i mirë për vitin 2014.Debati ka filluar prej kësaj jave ndër rrjetet sociale ka edhe një bazë.Thuerje e tabusë nga poetet me një poezi dhe zemërimi i madh ndër poetë,krijues dhe dashamirës të poezisë. Kjo poezi e cila fitoi një çmim do të kishte shkuar në harresën e madhe, sikurse edhe botimi i librit të kësaj autore,por ai mrri kaq shumë vëmendje dhe për një shkaka të madh u shpall fitoi si libri me poezi më i mirë për vitin 201.
Ngrihen disa pyetje :
a-Është poezi erotike?
b-Nëse, jo atëherë çfarë lloji poezi është dhe ku mund ta klasifikosh.
Vetëm me një lexim të saj do të duhet të kuptosh se poezisë i mungon shumë prej elementëve të saj .Shkruar pa frymëzim. Nuk të ngjallte fare emocione pavarësisht se fjalori i përdorur aty, ishte i banalizuar deri në ekstrem. Autorja kishte zgjedhur si ide gjeniale, por si përfundim nuk kishte arritur të shprehte atë që duhej pra të ishte një poezi mërfilli. Këtë temë, që mund të quhet tabu e ka thyer deri më sot Koco Kosta me romanin ,botuar 10 vjet më parë :”Nata e Sofie Kondilit”.
Kjo vepër shqiptare mund të renditët ndër kryeveprat shqiptare, por që çuditërisht u la në harresë, ngase ajo kishte shkelur tabutë, madje s’kishte lënë më gardh e kufij ,por që sigurisht ai mbetet një ndër krijimet më të realizuar. Përse rrjetet sociale u tundën nga kjo poezi?Më së shumti arseja është çmimi që mori poezia, se sa tabuja që thyente.
Gjithë rrjetet sociale u tundën ngase bënë edhe këtë pyetje:Çdo të thoshin kolosët e letrave për këtë zhgarravinë fjalësh. Cdo të bënte Naimi,Fishta,Agolli,Kadare,Xhevahiri, një plejad krijuesish që kanë 20 vjet që po mbushin rrjetet sociale me krijimet e tyre.
2.Në numerologji ditët shprehin kuptim pavarësisht se poetët çuditërisht nuk besojnë te shpirti, ndonëse poezia në vetvete është thënë se: është bija e parë e bukurisë hyjnore dhe poezia e tyre është çliruar kryesisht prej atij shpirti mjegullnajë .Rasti i kësaj poezi nuk hynë në këtë qasje.
Është i çuditshëm fakti, që poetët e këtij lëmshi bëjnë punën e murgut, mirëpo nuk janë murgjëri në kuptimin e vërtetë të fjalës. Rrallë e tek kanë qenë të atillë,por shumica ndonëse kanë qenë bredharakë ndër legjione fetare,në perëndim të jetës i gjen ateistë,
Ende shkenca nuk e shqyrtuar këtë fakt. Të shkruash për shpirtin të përkëdhelësh fjalët që burojnë nga shpirti,të qëndisësh vargje,fjalë,me një bukuri harmonike , madje të vrasësh edhe më fjalë,por çuditërisht edhe pasi ndërtojnë kështjella të mëdha e të bukura fjalësh, ata nuk i besojnë shpirtit,ndonëse çfarë lind prej atij krijimi është prej shpirtit. Edhe po ty pyesësh ata thonë nuk ekziston fare shpirti përderisa, nuk është materie. Edhe nëse ata nuk e thonë këtë. E vështirë nuk është ta gjesh në vargjet e tyre.
Poezia është një prozë e bukur dhe e kundërta. Poezia e çmimit fitues nuk kishte asgjë dhe nuk prezantonte atë poezi që jemi mësuar prej vitesh dhe nga tradita. Potë kemi qenë të vëmendshëm do të vëmë re se edhe 6 vjet më parë një poet i quajtur G.Cocoli morri një çmim të tillë për një botim me poezi dhe si ndodh në Shqipëri filluan gjykimet dhe ndëshkimet. Xhelozi ,jo deri në atë masë më tepër luftë politike për çmimin.
3.Myrteza Mara kryetar i klubit të shkrimtarëve ‘Petro Marko’ shprehet:Provokimi i poetes nis me ndjesinë e të shprehurit të ndjenjave erotike që nisin jo vetëm brenda saj, por edhe në qenien e çdo vajze apo gruaje.Ajo projekton në poezi realizimet dhe mosrealizimet e këtyre ëndrrave, duke i ndezur me dritë të kuqe llambat e Erosit.
Mendimi im:Shqetësimi qytetar dhe intelektual është mëse i ligjshëm! Vlerat e vërteta të kulturës, artit, letërsisë dhe sporteve po i nëpërkëmb politika. Nuk është hera e parë që ndodh kështu, madje edhe më keq! Kujt i intereson që antivlerat të serviren për vlera? Kujt i shërbejnë çmime të tilla? Kush i përcakton këto? Ku është zëri i vërtet i artit të vërtetë? A ka komisione serioze në dikasteret përkatëse, apo janë mbushur me diletantë poetikë? Kujt i intereson që shkrimtarët dhe artistët e këtij vendi të jenë si zogjtë e korbit, jo vetëm pa fole, por edhe që i nxjerrin sytë njeri-tjetrit? Kishte Lidhje të Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku është? Kishte kritikë profesioniste, ku është? Kishte konkurse në shkallë rajonale e kombëtare, ku janë?
Çdo art ka vlerën e tij, por poezia nuk duron dot mediokritetin, apo edhe përdhosjen e saj me orgjia seksuale, te cilat serviren si rryma të reja. Askush nuk mohon të renë, zhvillimin dhe ndryshimet ne shumë gjini të artit, por “Vrima” e Çmimit të Ministrisë së Kulturës është një turp i sponsorizuar nga paaftësia e drejtuesve të dikastereve qendrore që ushqehen me parat e popullit, të cilët ia shpërblejnë atij duke e ushqyer me antivlera të pashembullta! Poezia është kënga e shpirtit, por me këtë veprim poetëve dhe lexuesve iu është shitur për vlerë një antivlerë. Nëse Kryeministri dhe ministrja këtë veprim e kanë bërë me ndërgjegje të plotë dhe nuk do ketë qenë ndonjë pakujdesi e radhës atëhere unë si poet më duhet të klithmoj: Mjerë poezia! mjerë kultura e kombit!Mendoj se ka ardhur koha, për të mos thënë se jemi shumë të vonuar për t’u organizuar në shkallë vendi për të ringritur LSHA. Vend e fonde ka edhe tepërojnë. Kosova, shteti më i ri në Europë e ka Lidhjen e Shkrimtarëve dhe e mbanë të ndezur pishtarin e dritës së kulturës brenda e jashtë kufijëve të saj, kudo ku ka shkrimtarë dhe poetë! Vetëm kështu do i japim dritë e frymë misonit në shërbim të kulturës dhe historisë tonë!
Përsa i përket Çmimit të “Vrimës” mendoj se nuk duhet të humbasim kohë duke u mar më shumë me atë si problem, me “gurin e të marrit”, por me organizimin e shkrimtarëve për të qenë të bashkuar, jo thjeshtë për unitet fizik, por për të lartësuar dritën e Naimit, Migjenit, etj. Vetëm kështu do i bëjmë shërbimin e duhur misionit tonë qytetar e atdhetar. Kur kthejmë kokën pas shikojmë se kemi një trashëgimi të pazevendsueshme në të gjithë fushat, por ne çfarë do u lemë brezave? Nuk duhet të lejojmë boshllëk dhe hapsira që të mbushen me “Vrima” , por me magjinë e bukur të fjalës së shkruar! Vendi ka shkrimtarë dhe poetë të vërtet që dinë ta ngjyejnë penën në dritën e diellit për të ndriçuar udhën e mirësisë dhe dashurisë së vërtetë! Por nëse heshtet, nga intelektualët dhe shkrimtarët e spikatur, atëherë “Vrimat” do bëhen shpella e gremina ku do fundoset poezia dhe kultura jonë.
4.Dalan Luzja poet shqiptar në SHBA:
Vështrim tagent.Me tërhoqi çmim i pare ne poezi, dhëne një poeteje te zakonshme qe e vendos ne krye te poeteve dhe poeteshave te vendit tone, kureshtja duke rritur arriti gjer te dhurata qe ja kish dhënë artisti kryeministër.Historikisht e reja ka përplasje me te vjetrën gjersa te fitoje dhe te ndjek rrugën e saj por kjo s’është një re qe do triumfoje. Poetet janë elite,zemerzjarr me sy dhe mendje kërkues dhe zbulues te fenomeneve emocionale për ti hedhur ne poezi artin ,edhe ne proze. Ata janë autoret e poezive te mrekullishme , qe i kane kënduar Atdheut, patriotizmit dhe dashurisë. Poezia ka rregulla te shkuara dhe te pa shkruara, por kur afrohesh te femra çdo poet rrëqethet me nuret, bukuritë e saj qe e bën femrën gjallëruese te planetë, dhe s’bëjmë gabim te themi hyjnore. Nenat janë te tilla,Këtë rruge kane ndjekur edhe poetet e mrekullishme qe kemi Raca jone , nga me te mirat, ne raste shume sporadike, individ te joshur nga ëndrrat pa kontrolluar rregullat e lojës kane dale para kulturës dhe emancipimit Europjan dhe me tej Shijen qe kane lënë i kane dështuar dëshirës, shije te athet.Edhe një fillorist edi si është shumëzuar bota dhe këtë akt sublim ka te drejte ta shijoje çdo çift,por asnjëherë te tregoje aq banalitet te shprehur ne nje proze, jo poetike nen nivelin mesatare Kështu duhet te shkruajmë qe te marinë çmime??? Çmimi behet edhe me i merituar kur ja jep kryeministri dhe ministri i kulturës Lind pyetja ;Perse ju dha ky çmim, ku janë vlerat? Vlerat e fundbarkut te saj?Poezia është arti me i çmuar, me finiku, me i bukuri , me njerëzori qe shpreh ndjenjat me te bukura dhe edukon masën, ndaj poetet bëjnë Kombin. Si fitusi i konkursit?Ka një kufi te dukshëm pa dënim ligjor, por me një dënim te heshtur shoqëror qe te dënon me tepër Ky kufi ka bukurine me te lakmueshme per jetën. Asnjë s’ka te drejte te cenoje emocionet , përshkrimet shpërthimet e ndjenjave, por kete lloji te ashtuquajtur poezi bje ndesh me moralin e pastër shqiptare Guximi i kësaj zonje poete s’harrine gjer atje sa njerëzit ti japin pëlqimin, apo adhurim për ç’tregon kjo proze Poetja e di mire, bile me mire se. Une ç’ishte poezia, si ndërtohet dhe qëllimi për te ngjallur emocione te lexuesit per te fisnikëruar shpirtrat e lodhur nga fati qe ju ra Ajo është edukuese edhe pse ka lexues te pakt, me te zgjedhur, por te godet, ka efekte te forta ,sa shpesh te ben te derdhesh lot Zonja ne fjale i di te gjitha .Le te na gjykoje koha ne se duhet apo jo te jemi simpatizant te ksaj “mrekullie”

Filed Under: Opinion Tagged With: cmimi, Gezim Llojdia, shteti, vrima

Gjermania 20-30 dekorata në vit, Shqipëria 20-30 dekorata në muaj

December 26, 2015 by dgreca

Nga Afrim Krasniqi/
“Një vend si Gjermania me mbi 80 milionë banorë jep zakonisht 20-30 dekorata zyrtare në vit, Shqipëria me 2.8 milionë banorë efektiv jep thuajse të njëjtin numër në muaj. Tradita absurde e abuzimit me nderime shprehet më së miri nga kujtimet e Princ Wied 1918, sipas të cilit, aq shumë shqiptarët ishin të etur pas dekorimeve saqë nëse do të kishte pasur më shumë dekorata për të dhënë me siguri do të kishte mbretëruar më gjatë. E njëjta ndodh edhe sot. Kjo traditë spekulative meriton qasje serioze që të kthehet në produkt serioz për shtetin dhe shoqërinë…..Cila duhet të jetë zgjidhja? Nuk mund të ketë zgjidhje me nisma partizane që lidhen me disa emra, që reflektojnë emocione të ditës dhe që më shumë krijojnë sesa zgjidhin probleme. Zgjidhja duhet të jetë institucionale dhe afatgjatë. Ja gjashtë rrugët per zgjidhje serioze dhe te qendrueshme!(FB)

Filed Under: Featured Tagged With: dekoratat, gjermania, shqiperia

Presidenti Nishani organizon darkën e Krishtlindjeve

December 26, 2015 by dgreca

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, organizoi të shtunën në mbrëmje, një darkë me rastin e festës së Krishtlindjeve, në ambjentet e Presidencës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga komunitetet fetare në vend, zyrtarë, drejtues e të ftuar të tjerë.
Presidenti Nishani, në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se “feja është një instrument paqeje dhe dashurie dhe kjo darkë mbahet në shenjë të respektit reciprok mes bashkësive fetare”.
“Sot krenohemi me shqiptarët për bashkëjetesën e tyre fetare, theksoi Kreu i Shtetit, ndërsa i shprehu bashkësisë ortodokse shqiptare si edhe asaj katolike e ungjillore, konsideratën më të lartë për gjithçka ata përfaqësojnë për vendin tonë, për gjithçka kanë bërë për njeriun.
Brenga ime, tha Presidenti eshte mungesa e Imzot Rrok Mirdita. ” Kemi forcën të mposhtim çdo tentativë që tenton të zbehë trashëgiminë tonë. Falënderoj klerikët, edhe njëherë për shumë mot Gëzuar Krishtlindjet!”, tha Presidenti Nishani.
Shenjtërimi i Nënë Terezës, ka shtuar më tej presidenti, është një ngjarje historike.
(Sipas ATSH)

Filed Under: Komente Tagged With: Presidenti Nishani Krishtlindjet

KONTRIBUTI I GJERGJ QIRIAZIT NË KONGRESIN E ABAC NË MANANASTIR

December 26, 2015 by dgreca

150- vjetrorin e vdekjës se Gjergj Qiriazit/
Nga Avzi Mustafa/
Në historinë tonë kombëtare kemi plot e përplot shembuj të sakrificës familjare për të mirën e popullit e atdheut tonë. Një ndër këto familje gjithsesi është edhe familja e Qiriazëve. Kontributi i kësaj familje në emancipimin, përparimin e popullit shqiptar është shumë i madh. Puna e tyre, gjegjësisht madhështia e kontributit të tyre, sot mund të matet me veprimtarinë e një institucioni të mirëfilltë. Prandaj, lirisht mund themi se kjo familje zhvilloi institutin e Qiriazëve.
Gjergj Qiriazi, pas vdekjes së vëllait Gjerasimit, bëhet ndihmësi kryesor i mbajtjes së Shkollës së Vashave në Korçë, shkollë, të cilën e kishte hapur motra e madhe Savasti Qiriazi.
Si të gjithë vëllezërit dhe motrat, ashtu edhe Gjergji luajti rol të rëndësishëm në jetën arsimore, kulturore e politike të asaj kohe. Gjergji u dëshmua si gazetar duke bashkëpunuar në organet e kohës, duke trajtuar probleme të kohës me karakter shoqëror, tema të cilat më vonë do t’i botojë si libër në dy vëllime me emrin “Hristomadhi” me gjithsej 640 faqe, ku do të përfshihen pikëpamjet përparimtare të kohës. Botoi gjithashtu edhe tekste shkollore, sidomos tekstin e “Fizikës” (“Fisika” ) më 1899 në Bukuresht; ndihmoi ngritjen e klubeve, ku edhe ai vetë ishte sekretar dhe nënkryetar i klubit shqiptar “ Bashkimi” në Manastir (1908); ishte anëtar i komitetit të fshehtë “ Për lirinë e Shqipërisë” (1909), ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit e të Elbasanit etj .Po ashtu Gjergji posedon një arkiv me përkthime me këngë kishtare, dy kopje të vendimeve të Kongresit , një Botanikë të pambaruar etj.
Cili ishte kontributi i Gjergjit në Kongresin e Manastirit?
Gjergj Qiriazi shumë herët e përfaqësoi alfabetin e Stambollit edhe pse kishte shumë dilema se me cilin alfabet do të botoheshin përkthimet e Kristoforidhit. Ai e kishte marrë mbi vete që të botojë Ungjillin e Mateut dhe Psallmet dhe këtu nuk nguroi dhe pa hezitim përdori alfabetin e Stambollit. Ky moment ndikoi që në shtator të vitit 1895 edhe Tomsoni në Komitetin e Londrës të shprehet: “Nuk duhet të shtypim më gjë me alfabetin e greqishtes dhe gjithçka e këtej e tutje duhet ta shtypim me alfabetin shqiptar”[1].
Më 14 korrik 1901 nënkonsulli A. Kral nga Manastiri pasi i bën një vlerësim alfabetit të shoqërisë së Stambollit, me ç’rast ai me të drejtë e quan një zhvillim të lartë, një krenari kombëtare që nuk mund të preket, parashtron për here të parë idenë se “alfabeti i ardhëm i përbashkët do të vendosej në një kuvend atdhetarësh të shquar me delegate të dërguar prej tyre vetë”.[2]. Prandaj me plot të drejtë Xhevat Lloshi duke u mbështetur në pohimin e A. Kralit thotë se korriku i 1901-shit do të quhej “zanafilla e projektit për Kongresin e vitit 1908”.

Gjergji ishte i preokupuar për zgjidhjen e një alfabeti të njësuar të gjuhës shqipe. Ai ndiqte me vëmendje gjithçka në lidhje me këtë problematikë dhe interesimi i tij ishte shumë i madh. Gjegj Qiriazi pa dyshim ishte njëri ndër më të informuarit në tërë Shqipërinë dhe tek atdhetarët në mërgim. Këtë e shohin edhe nga një shkresë, të cilën ua dërgon patriotëve në Egjipt, ku i njofton për formimin e një shoqërie dhe ngritjen e një shtypshkronje. Ai mërgimtarët do t’i informojë se “do të kemi një shtypshkronjë të madhe, edhe do të shtypimë një fletore të maruarë me emrin, “ Bashkim”. Kjo fletore dotë muburojnë të drejtat t’ona kundrejt armiqvet tanë….dhe tu tregojmë botës edhe neve jemi zotërit diç të bëjmë…”[3].
Gjergj Qiriazin e gjejmë shpesh të kontaktuar edhe nga intelektualët dhe patriotët e kohës për të pasur përkrahje apo për ndonjë kompromis rreth alfabetit të gjuhës shqipe. Këtë e shohin edhe kur Ndre Mjeda kishte marrë iniciativën t’i drejtohet, Mitat Frashërit dhe Gjergj Qiriazit për një kompromis për zgjedhjen e alfabetit të njësuar, por nuk ka gjetur përkrahjen e Gjergjit. Kjo ishte koha kur organet e ndryshme të shtypit në fillim të shekullit XX hapën rubrika të posaçme rreth problemit të njësimit të grafisë shqipe .[4]
Gjergj Qiriazi ishte njëri ndër delegatët që përfaqësonte klubin “Bashkimi” të Manastirit si nënkryetar i tij dhe si përfaqësues i “Shoqërisë Biblike Britanike “ në Manastir, madje me të drejtë vote.
Kur Kongresi i Manastirit filloi punën e shenjtë, Gjergj Qiriazi zgjidhet nënkryetar i këtij Kongresi.
Meqenëse ditën e parë të Mbledhjes historike mungonte i zgjedhuri për Kryetar të Kongresit, Mithat Frashëri , Gjergj Qiriazi do ta zëvendësojë deri në ardhjen e Mithat Frashërit.
Gjergji ishte ai i pari që me listë në dorë regjistronte delegatët duke i thirrur me emër e mbiemër. Sipas gazetës së Selanikut “Lirija” kuptojmë së Gjergji i ka përshëndetur të gjithë delegatët duke u shprehur: “…Ky Kongres do të na nxjerrë faqebardhë dhe me një vëllazni e bashkim të pandarë “.[5] Ai edhe shpesh here në mungesë të kryetarit e udhëhiqte punën e Kongresit.
Pas zgjedhjes së Komisionit për abecenë e shqipes, ky komision të gjitha mbledhjet i mbante në shtëpinë e Gjergjit. Të tërë anëtarët e familjes së Gjergjit ishin angazhuar. Pos nënës së tij Marija dhe motrës Parashqevi, barrën mbi supe e mbante edhe e shoqja e Gjergjit, për të pritur dhe përcjellë të tetë anëtarët e komisionit, të cilët punonin me ditë të tëra, të veçuar për të shikuar çështjen e alfabetit. E shoqja, bashkë me Parasqevinë, ndonjëherë edhe mbanin shënime për komisionin.[6]. Këtë punë më së shumti e bënin kur Gjergji ishte jashtë shtëpisë.
Në bazë të asaj që disponojmë në arkivin tonë dhe në bazë të të dhënave të një dokumenti në gjuhën angleze me titull ”Raporti i Kongresit mbajtur në Manastir me 14 nëntor 1908 (dokument prej 20 faqesh, i vetmi burim që posedojmë mbi rrjedhën e Kongresit të Manastirit, sepse Procesverbali nga Kongresi mungon) dëshmohet se punimet e Kongresit zgjatën 9 ditë. Mbledhjet plenare ishin të hapura dhe përveç shqiptarëve merrnin pjesë edhe delegate të kombësive të tjera, kurse numri i tyre sillej rreth 400.
Siç dihet, prej ditës së tretë pasdreke, u zgjodh komisioni prej 11 vetëve, me vota fuqiplota e të fshehta, me ç’rast Gjergji zgjidhet anëtar për zbatimin e alfabetit. Meqenëse bisedimet po zhvilloheshin rreth alfabetit të Stambollit dhe atij të “Bashkimit” dhe “Agimit”, anëtarët që do të zgjidheshin ishin njerëz të dijes e të pendës. Punën kryesia e komisionit e mbante me dyer të mbyllura dhe i vetmi njeri nga i cili mund të merrej ndonjë informatë krahas kryetarit ishte Gjergj Qiriazi.
Shumë pyetje dhe dilema që u shtruan në lidhje me Kongresin na i sqaron Gjergj Qiriazi duke dhënë disa informata mbi mbarëvajtjen e seancave të Kongresit. Kështu p.sh. nga ai mësojmë se rreth shkronjave dhe dhe th u shpenzuan dy senaca.[7]
Krahas shpjegimit që jep për miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe Gjergj Qiriazi është edhe njëri nga ata që pranon letrat dhe telegrame që vinin dhe përshëndetnin ose përkrahnin shkronjat shqipe nga kolonitë e vendet anë e mbanë Shqipërisë. Këto letra e telegrame ai edhe i lexonte para Komisionit. Gjergji po ashtu para të gjithë të interesuarve e elaboronte dhe shpjegonte arsyen e përdorimit të dy alfabeteve. Gjergji në përgjigjen e tij argumenton kështu: “mbasi mendohet se një ditë njeri alfabet do të mbetet“ Ky mendim pati rëndësi të madhe për bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar”[8].
Gjergj Qiriazi është një personalitet i ngritur, patriot e intelektual i rryer që nuk ngurroi asnjëherë të sakrifikojë veten dhe familjarët e tij për të vënë një shenjë në Panteonin e kulturës dhe dijes shqiptare.
Referencat
Xhevat Lloshi, Rreth alfabetit të shqipes, Logos-A, Shkup. Prishtinë, Tiranë, f. 24.
2 Xhevat Lloshi, po aty,f.24).
3 Letra është botuar në Alfabetin e gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë , 1972,f. 304.\
4 Tomor Osamni, Udha e shkronjave shqipe, Shkodër 1999, f. 460.
5 Gazeta “Lirija”, Selanik, nr. 15, 1909
6 Parasqevi Qiriazi, Kongresi i parë i Manastirit, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë, 1972, f. 65
7 Tomor Osmani vep. e cituar, f. 478.
8 Kristaq, Prifti, , Kongresiu i Manastirit, ngjarje e shënuar në kulturën kombëtare, Gjuha jonë, nr.3 ,1988, f. 10.)

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Gjerggj Qiriazi, Kongresi Manastirit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT