• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Letër e Hapur Edi Ramës: Zoti kryeministër shkarkojeni Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli

December 15, 2015 by dgreca

Nga Elida BUÇPAPAJ/

 Zoti kryeministër, ju me letrat e hapura të gazetarëve nuk e di se çfarë bëni, por gjithesesi, ato mbeten një dokument në historikun e periudhës tuaj kryeministrore.

Po ju drejtohem në lidhje me Mimi Kodhelin. Ju tashmë e dini historinë. Mimi Kodheli firmosi dekrete dekoratash për ish-eksponentë të diktaturës si dhe të persekutorëve të At Zef Pllumbit, Prof.Sami Repishtit dhe shqiptarëve të tjerë që diktatura i vrau. Mimi Kodheli po e sfidon qeverinë e Rilindjes duke firmosur rilindjen e kohës më kriminale për shqiptarët.

Unë nuk po them se ju keni lidhje morboze me enturazhin tuaj, sepse Mimi Kodheli njihet si vartësja juaj që nga koha e viteve të Bashkisë. Ju tani jeni në stadin më të lartë të shtetit. Mund të keni krijuar përshtypjen se Mimi Kodheli mund të jetë besnikja juaj, por me firmosjen e  saj ajo është demonstruar si armikja juaj, sepse me këtë historinë e dekoratave i diskredituari jeni ju. Që pas firmosjes, një vit më parë, Mimi Kodheli nuk ka më integritetin për të përfaqësuar institucionin që drejton, sepse ajo nuk është vetëm ministrja e Edi Ramës, por edhe Ministre e integruar në Aleancën Verio-Atlantike.

Që prej vitit të shkuar, kur Mimi Kodheli dekretoi dekoratat në fjalë, mediat e Tiranës, që betohen rrejshëm se iu shkojnë të vërtetave deri në fund, në vend që të hulumtonin, e mbajtën të fshehur skandalin, deri kur kjo histori plasi rishtas ku u zbulua se Mimi Kodheli kishte shpërblyer me dekoratë edhe një persekutor kriminel që kishte torturuar jo vetëm At Zef Pëllumbin por edhe Prof.Sami Repishtin dhe shumë shqiptarë të tjerë të vrarë nga diktatura. Njëjtas me ata 6000 viktima të zhdukura që qeveria juaj ka marrë përsipër që t’ua gjejë varret, dhe kjo vlen për t’u lavdëruar, sepse qeveritë e Sali Berishës, bashkë me të PS deri tani, i kanë lënë viktimat të mbeten pa varre dhe atje ku i ka fshehur diktatura.

Mimi Kodheli, sepse unë nuk e njoh më si Ministre të Mbrojtjes, i tha Ilva Tares disa netë më parë se ajo nuk e kishte idenë se, në mes të të dekoruarve, ishte edhe persekutori i At Zef Pëllumbit. S’mund të ketë përgjigje më të papërgjegjëshme për një Ministre të NATO-s. Ajo vendos firmën dhe nuk e di se për çfarë ka nënshkruar. Unë mendoj se ajo e ka ditur se për çka ka firmosur, por në të dyja rastet, edhe sikur të mos kishte ditur, përgjegjshmëria është njësoj, dhe ajo duhej të shkarkohej.

Mimi Kodheli ua ka komprometuar shtershëm Rilindjen. Ju e dini se gjatë 1997-ës, PS sa erdhi në pushtet i nxori nga burgjet ish-eksponentët e nomenklaturës, i rehabilitoi dhe i zhdëmtoi me rroga, ndërsa kalvari i ish-viktimave nuk po merr fund asnjëherë këta 25 vjet të diktaturës së tranzicionit.

Ju i keni justifikur manifestimet me portretet të diktatorit, sepse keni thënë se nuk i organizon qeveria; ashtu si edhe për nostalgjikët e regjimit, keni thënë se nuk keni lidhje me ta, paçka se keni hyrë në aleancë parazgjedhore, por Mimi Kodhelin nuk e justifikoni dot. Sepse është zgjedhja juaj dhe, nëse e mbani në qeveri, jeni ju përgjegjës i papërgjegjshmërisë së saj.

Ashtu si e dini ju zoti kryeministër, NATO u krijua si reagim ndaj diktaturave staliniste, për të mbojtur Perëndimin dhe vlerat e lirisë nga ata që i vrisnin e i shfarosnin viktimat e tyre, ndërsa Mimi Kodheli firmos dekretin për dekorimin e ish-persekutorëve të diktaturës.

Prof.Sami Repishti, viktimë dhe dëshmitar i krimeve të regjimit monstruoz dhe Ikonë e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, me anë të një shkrimi botuar tek Panorama kërkoi dorëheqjen e saj, dhe ju zoti Kryeministër, do të duhej t’i kishit bërë thirrje menjëherë Mimi Kodhelit që të dorëhiqej.

„Dekorimi i kriminelëve të regjimit të kuq nga Ministria e Mbrojtjes e që përfshin edhe xhelatët e ish-Sigurimit ashtë nji fymje e randë për të gjithë popullin shqiptar, e sidomos për viktimat e komunizmit në Shqipëri e familjarët e tyne. Nji akt i këtill tregon mungesën e plotë të frymës së zhvillimeve në botën e lirë që na rrethon, mungesën e plotë të sensibilitetit të plafeve në vendin tonë dhe mungesën e plotë të ndërgjegjes së vrame nga krimi komunist“, shkruan Prof.Repishti.

„Sa për kriminelin “shoku Çoku”, thekson më tutje Prof.Repishti, „që më shkaktoi kaq dhimbje trupore e shpirtënore me drunin e tij të pagdhenun, e çizmen e tij të ndytë, unë nuk e falë, sepse tradhëtoj bashkë- vuejtësit e mi. Kjo nuk ashtë mëshirë, as falje! Kjo ashtë mospërfillje për vendin që akoma vuen, mospërfillje për viktimat akoma të përbuzuna, mospërfillje për rrezikun e ringjalljes së nji shoqënie shqiptare që kërkon të ngrihet si “e gjithë Europa”. Për kto arsye, Zonja Ministre, mbas aktit tuej të dënueshëm, ju keni vetëm nji rrugë të ndershme me marrë: jepni dorëheqjen, dhe sa ma shpejt!”

Apeli i Prof.Repishtit është i një njeriu luminar, ku dijet, humanizmi, toleranca dhe drejtësia janë një bashkë. Në Shqipëri nuk kemi njerëz luminarë, në qeverisje këta 25 vjet kanë munguar njerëzit luminarë, që i duan të mirën kombit, por kjo s’do të thotë se nuk ka njerëz me arsye. Dhe unë besoj se ju keni arsye, zoti kryeministër.  Dhe tash është rasti ta demonstroni, sepse Mimi Kodheli me dekretimin e saj vijon të mbetet armikja juaj, pasi ajo ka shkatërruar imazhin e Rilindjes dhe ideatorit të saj që jeni ju.

Prandaj, shkarkojeni Mimi Kodhelin nga posti që ajo mban, sepse ajo nuk i ka standardet për të qenë Ministre e Mbrojtjes e NATO-s. Mos prisni që ajo të japë dorëheqjen, sepse ajo do të duhej ta kishte dhënë një vit më parë apo menjëherë posa lexoi apelin e Prof. Repishtit.  Aq më tepër në Shqipëri  kultura e mosdorëheqjes është pjesë e dështimit eklatant të këtij tranzicioni traumatik për popullin e prosperiues për klasën politike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Kodheli, kryeminstrit, Leter e haur

“Prapë dhimbje”…

December 15, 2015 by dgreca

Poezi nga Ahmet Kolgjini (1939-1999)/

Nxjerre nga cikli i fundit i vellimit me poezi nga Ahmet Kolgjini botue ne vitin 1999 nga shtëpia botuese “KOHA”/

Mbi kete cikel, autori shkruen:  Cikli i fundit i këtij vëllimi “Prapë dhimbje” përbahet nga tri njësi: “Marku”, “Nana Zadrimore”, dhe “Lili”. Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme.

Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime.

“I vdekuni nuk ka miq” thotë një fjalë e urtë. E vërteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue i njoftë e tue i pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjithashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.

LILI

I

“Armiku e meriton pushkatimin.”

Këte përgjigje, ngado shkoi, i dhanë.

Çfarë nuk bani me shpëtue të vëllanë.

Pranoi, pa u mendue, propozimin…

Ia shtupoi nji duhmë e qelbët hundën

Sa zorrët iu trazuen mbrenda barkut…

Mërrudhun, u përplas, sipër jatakut

Turpshëm e përjetoi Lili dhunën.

Përskaj iu ul dhe e mbërtheu shtinjaku

“Mos më zhvish, të lutem, dhe mos më prish!”

Ia hoqi rrobat dhe, në dysheme, ia flaku.

Si panterë mandej iu turr në mish…

Lili e kuptoi tashma: kish ra në lak

Kur zhveshun e pau veten, ba cullak!…

II

Si qen ia kafshoi trupin me dhambë

Derisa u eth e u përndez përbindshi

At’ kurm të lakuriqtë e dërmishi…

Si farkë jehonte nji gulshim i randë

Rënkimi i përgjigjej si kuisje e gjatë…

Nja tri a katër herë djersët bujisën.

Kështu andërrat u shuen, u terratisën:

Me zhvirgjënimin jeta vdiq at’ natë!

N’mëngjes si hajdute ecën n’trotuar

Si u zhbi, u tret për nji natë ai hir

A asht ajo Lili siç ishte ma parë?

Vajti në dyqan, bleu nji torbë qymyr.

N’gushë e në gjoks i duket ndonji blanë

Qeskë e syve vjollcë, trupi-jargavanë…

III

Lot i pastër natën moti, qielli xham

I kaltër, mbushun prush me xixa ari

Dielli bujarisht dhuron rreze acari…

Makina e kobit uturon n’kalldram!

Potershëm kërset dera, i bien me shkelm

Gjyshja hukat duert të ngrime akull

Pa kujë e bujë hap derën, shpirtin helm

Policët sheh, luhatet, bie shakull

Pse keni ardhë, he, ju ardhtë gjama?!

Zoti paftë e gjoftë mor t’paftyrë

Ka për t’ju zanë, he, ju zantë nama!

Lili vdiq. E mbyti veten me qymyr…

Shtoja zullumin, Zot, këtij Jeziti

Djalin m’pushkatoi, Vajzën ma koriti!…

Shenim i autorit:   Gjyshja e “Lilit”, nuse e re me nji djalë të vogël për dore vjen në Tiranë me nji grup të madh muhaxhirësh të Dibrës së Madhe. I shoqi ka mbetë i vramë atje, në Dibër prej serbëve (1913). Lidh shaminë e zezë dhe shtrëngohet me rritë të birin. E fejon dhe e marton. Këtij çifti, Zoti i fal dy fëmijë, nji djalë e nji vajzë. Por shumë herët këta dy fëmijë mbetën jetimë, vetëm me gjyshen. E ama u çmendet e përfundon në çmendinë. Mbas nja tre-katër vjetësh u vdes edhe i ati nga tuberkulozi. Gjyshja përveç punës që ban ditën si pastruese zyrash edhe natën ban punëdore për të fitue bukën e gojës me djersën e ballit…

I nipi mbas nji aksidenti në vendin e punës akuzohet për “sabotim ekonomik” dhe dënohet me vdekje. Lili, e motra që asht në fjalë për t’u fejue, ban çmos derisa bie viktimë e përkushtimit dhe e naivitetit. I vëllai pushkatohet dhe Lili mbyt veten me oksid karbon i. Gjyshja mbetet si nji pemë që i ka ra rrufeja. Kështu u fik edhe nji familje tjetër shqiptare.

Shqipnia vuen për nji Shekspir!

Këto janë vetëm grimca, përballë tragjedisë së madhe. Të gjithë kemi për detyrë me e pranue me e njoftë dhe me shpallë të vërtetën.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ahmet Kolgjini, cikel poetik, Prape dhimbje

Në Derjan të Matit përkujtohet 70-Vjetori i votimit kundër Komunizmit

December 15, 2015 by dgreca

Nga Sulejman GJANA/

Në fund të LDB, sllavo-komunizmi rrëmbeu pushtetin nëpërmjet një lufte asgjësuese të çdo elementi nacionalist dhe atdhetar në vend.Për të legjitimuar pushtetin e tyre, komunistët organizuan më 2 Dhjetor 1945 një maskaradë duke përdhosur fjalën “zgjedhje” ku votuesit u gjenden përballë 2 kutive ku do të mund të hidhnin “kokrrën” (votën): njëra e zbukuruar dhe veshur brenda e jashtë me kadife e ornamente për qejfin e syrit të kastës së re politike, e quajtur “Fronti” ; tjetra, prej teneqeje ku kokrra e hedhur brenda nga kundërshtarët do të bënte zhurmën e mjaftueshme për të tërhequr vëmendjen e teneqexhinjve të pushtetit të ri me pasoja fatale (…), e quajtur “Boshja”.Në këto kushte, kuptohet se “Boshja” ngeli bosh në shumë Lokalitete të vendit. Në shumë të tjera, ajo zhurmonte… por boshatisej gjatë “numërimit” të kokrrave (votave) me pëlqimin e miratimin edhe të kryetarëve e sekretarëve të demek-komisioneve të votimit.

Në Derjan të Matit ndodhi një çudi: “Boshja” u mbush plot dhe “Fronti” ngeli bosh, ndërsa kryetari dhe sekretari i komisionit refuzuan të përkulen para presioneve të teneqexhinjve dhe konfirmuan me proces-verbal votimin kundër komunistëve dhe në favor të Legalitetit.

Natyrisht, nuk kishte si të ndodhte ndryshe!

Derjani ishte një vatër e kahershme e nacionalizmit shqiptar dhe numëronte në radhët e veta ndër familjet më besnike të Mbretit dhe Legalitetit, si ato të Deputetit Abdirrahman Mati (Lalë Krosi) dhe të Destan Prenit.

Pas goditjes që derjanasit i dhanë Frontit, filluan reprezaljet me masakra dhe persekutime. Të parët që e pësuan ishin Kryetari dhe Sekretari i komisionit, të ndjerët Bilal Xhetani që vdiç nga torturat në burg dhe Hysen Preni. Gjithsej, mbi 10 burra (1 ose 2 ndër shtëpiat më të mira të Derjanit) e paguan me jetë veprimin e tyre patriotik ndërsa numërohen qindra vite burgime, internime e diskriminime për mbarë Derjanasit antikomunistë.

Në këtë vit jubile të 70-vjetorit të aktit heroik të derjanasve, më 2 Dhjetor 2015, nën kujdesin e Bashkisë Burrel dhe të komisionit organizativ, u mbajt një ceremoni përkujtimore bash në Derjan ku edhe u përurua një Memorial që do të ngrihet së shpejti nga Bashkia Burrel.

LTM Princi Leka II ishte pa dyshim personaliteti më i lartë në atë takim. Asnjë personalitet i nivelit parlamentar apo qeveritar nuk mori pjesë. Është e vërtetë se Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë janë larg Derjanit…!

Pata nderin të jem i ftuar nga Kryetari i Bashkisë Burrel, z. Nezir Rizvani, një njeri fisnik që e kam njohur kohët e fundit, që flet pak e sak dhe tek i cili edhe heshtja e vet flet shumë. Gjej rastin ta uroj edhe njëherë këtu për zgjedhjen e merituar në krye të Bashkisë Burrel.

Gjatë fjalës time përshëndetëse në atë takim, nuk bëra histori por u ndala në aktin shembullor të vetëflijimit e vetëmohimit të derjanasve për vlerat e lirisë, për familjet e fëmijët e tyre, tokat dhe pasuritë e tyre, besimet dhe bindjet e tyre, kombin dhe atdheun e tyre, për gjithçka që po rrezikohej nga komunistët dhe theksova se akti i derjanasve 70 vite më parë, duhet të frymëzojë edhe sot çdo shqiptar.

Gjatë fjalës time, dëgjova pas shpine një gojë që i thoshte një veshi: “tash do të na bëjë politikë ky”. I sprovuar me ndërhyrje të ndryshme gjatë ligjëratave të mia në një jetë tjetër, nuk më bëri përshtypje ajo ndërhyrje aq më tepër sepse e dija se nuk po bëja politikë dhe sepse kisha vendosur të përdor vetëm një herë fjalën Legalitet gjatë përshëndetjes time.

Por, mendësia që përfaqëson ajo shprehje, më bëri dhe vazhdon të më bëjë shumë përshtypje!

Edhe pse i gjithë Derjani, Mati dhe Shqipëria e dinë mirë se derjanasit më 2 Dhjetor 1945 votuan me shumicë dërrmuese për Mbretin e Legalitetin, në banderolën që mbulonte memorialin që po ndërtohet dhe në pllakën përkujtimore shënohej “martirëve të legalizmit…” dhe “…mbrojtën me votë legalizmin…”, dhe unë nuk shpreha asnjë qejfmbetje për këtë gabim të qëllimshëm dhe me ngjyresa politike të organizatorëve pasi mendoj se Derjani dhe Mati i kuptojnë vetë hilet dhe mashtrimet dhe, në fund të fundit, vullnetin e tyre e respektoj. Përkundrazi, qesha kur lexova atë shënim sepse mendova se komisioni organizativ “apolitik” mund të kishte qenë i dyzuar ndërmjet fjalëve “legalizmit” dhe “legalizimit”…

Për mendimit tim, është e papranueshme për derjanasit, matjanet dhe të gjithë shqiptarët që të bëhen përpjekje të qëllimta për të zhdukur edhe emrin Legalitet duke mohuar ose përvetësuar sakrificat e atyre që u flijuan për kauzat legaliste.

Kam mësuar se në besimet monoteiste mynafiku merr dënimin më të rëndë të mundshëm në boten e përjetshme! Me sa duket kjo vërtetohet edhe në këtë dynja…

Ata që përpiqen të përvetësojnë kauzat legaliste për qëllime thjesht politike kur kauzat e tyre i kanë humbur gjatë 25 viteve të fundit, mos të mendojnë se populli është injorant dhe mashtrohet pafundësisht.

Unë i këshilloj miqësisht ata që i kanë humbur kauzat e tyre, që të shkojnë e ti gjejnë tek Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.

Ne legalistët i gjejmë tek varrezat e Derjanit, Matit dhe gjithë Shqipërisë ku nuk ka shteruar akoma gjaku i nacionalistëve dhe atdhetarëve legalistë e antikomunistë shqiptarë.

Shënim: Pas ceremonisë përkujtimore në Derjan bashkë me LTM Princin Leka II zhvilluam vizita në familjen e vëllait të Major Qazim Prenit, z. Selman Preni, dhe të nipit të Deputetit Abdirrahman Mati, z. Baftjar Rizvani, ku përveç ngrohtësisë që na krijuan këto vizita familjare, u njohëm edhe me vuajtjet në pushkatime, burgime dhe internime të këtyre familjeve zogiste dhe legaliste gjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Derjan, kunder komunizmit, Mat, Sulejman Gjana, votimi

Kosovë-Kuvendi dy seanca, deri natën vonë

December 15, 2015 by dgreca

-Të dy seancat janë mbajtur në sallën alternative, derisa deputetët e opozitës kanë qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm/

-Veseli, Mustafa e Thaçi deklarata gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës/

-Ka mbërritur në nëntë numri i deputetëv e opozitarë të ndaluar gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmë/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Dhjetor/ Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në orët e vona të natës së kalar, ka mbajtur një mbledhje të dytë, sipas vendimit të mbledhjes paraprake në mbrëmje për shmangie nga rregullorja e punës, lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Deputetët kishin vendosur që shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke krijuar mundësinë për shqyrtimin e tij në të dy leximet brenda ditës e natës së kaluar.

Në kohën e pushimit midis dy seancave, projektligji është shqyrtuar nga komisionet përkatëse dhe i është rekomanduar Kuvendit miratimi i tij. Me shumicën e votave, Kuvendi ka miratuar për herë të dytë këtë projektligj, me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.

Ndërsa, në mungesë të kuorumit, shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë, e cila ka mbajtur mbledhje edhe natën vonë, për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pritet të bëhet të enjten, në 17 dhjetor, pas seancës së adresimit të presidentes Atifete Jahjaga me fjalimin vjetor në Kuvend.

Të dy seancat janë mbajtur në sallën alternative, derisa deputetët e opozitës kanë qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm.

Lidhur me zhvillimet e ditës, kryeparlamentari Veseli, duke marrë fjalën në seancë,  tha se “ka tre muaj e gjysmë që Kuvendi ballafaqohet me përpjekje të deputetëve të opozitës për krijimin e një situate kaotike”. Por, vijoi ai, “Kuvendi është i përkushtuar që të vazhdojë axhendën e vet legjislative dhe të kryejë detyrat e përcaktuara me Kushtetutë, ligje dhe rregullore, konform funksioneve të tij”.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, në fjalën e tij në seancë, tha se “deputetëve dhe qeverisë po u mohohet e drejta për komunikim me qytetarët, ndërsa qytetarëve informimi lidhur me temat e ngritura”.

“Nga veprimet e opozitës Kosovës po i rrezikohen një varg marrëveshjesh ndërkombëtare, në vlerë prej rreth 60 milionë eurosh”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministri dhe minsitri i Jashtëm, Thaçi, dënoi “uzurpimin e dhunshëm të sallës kryesore të Kuvendit nga një grup deputetësh opozitarë”.

Po në këtë frymë, edhe kryeministri Isa Mustafa theksoi se, “gjendja aktuale kërkon ndërmarrjen e masave përkatëse, të cilat do të ndikonin në sanimin e saj”.

“Opozita po përdor mjete të dhunshme dhe të paarsyeshme për situatën dhe se veprime të tilla po ndodhin edhe jashtë Kuvendit”, tha ai.

Kryeministri Mustafa kërkoi nga opozita “që të paraqesë arsyet e vërteta të këtyre veprimeve të saj, sepse, asociacioni dhe demarkacioni i kufirit nuk janë të tilla”.

Pas këtyre deklaratave, gjatë seancës së parë mbrëmë, Kuvendi i Kosovës iu kthye serish axhendës legjislative.

Ndërkohë, ka mbërritur në nëntë numri i deputetëv e opozitarë të ndaluar gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmë, sipas njoftimeve zyrtare të dërguara nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, mbrëmë rreth mesatës deklaroi se, duke u bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore ka vazhduar me ndërmarrjen e masave të sigurisë në vend, duke përfshirë edhe masat e sigurisë rreth objekteve shtetërore te Kuvendi i Republikës së Kosovës.

 Rreth orës 17:45, pas daljes nga objekti i Kuvendit të Kosovës, dy deputete, Time Kadrijaj  e Teuta Haxhiu

(të AAK), me urdhër të prokurorit kompetent janë ndaluar nga zyrtarët e Policisë dhe shoqëruar në stacion policor, mbi bazën e dyshimit se  kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën ku po mbahej seanca.  Me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

 Rreth orës 22:50 , po ashtu pas daljes nga objekti i Kuvendit të Kosovës, me urdhër të prokurorit kompetent janë ndaluar edhe deputetët, Faton Topalli dhe Fisnik Ismaili, për mosrespektim të urdhër arrestit shtëpiak, si dhe deputetët Glauk Konjufca, Aida Dërguti dhe Besa Baftija, nën dyshimin e bazuar për hedhje të gazit lotsjellës. Që të pestit janë deputetë të grupit parlamentar të VV.  Ata janë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtutjeshme ligjore.

Policia thekson se, të gjitha veprimet do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent.

Ndërsa, dje pasdite Policia e Kosovës njoftonte për dy ndalime të tjera të deputetëve. Në kontrollin e personaliteteve në hyrje të Kuvendit të Kosovës, gjatë hyrjes, me urdhëresë të Gjykatës kompetente zyrtarët policorë kanë ndaluar deputetin Ismajl Kurteshin (të VV) për mosrespektim të arrestit shtëpiak, me rastin e pjesëmarrjes së tij në manifestimin/protestën e datës 12 dhjetor 2015 në Gjilan. Me vendim të organeve të drejtësisë i është zëvendësuar masa e dënimit nga arrest shtëpiak me masën e dënimit prej 30 ditësh paraburgim.

 Bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente, pas daljes nga objekti i Kuvendit të të Kosovës është ndaluar deputeti Pal Lekaj (i AAK), i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme.

“Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtja e qetë e të gjitha zhvillimeve është dhe mbetet prioritet i Policisë së Kosovës”, deklaronte mbrëmë Policia.

Gjatë ditës së djeshme, tre  herë është hedhur gaz lotsjellës nga opozita në Kuvendin e Kosovës. Rreth orës 15:35 gazi lotsjellës ndërpreu seancën në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës. Seanca plenare në sallë alternative nisi pak para orës 14:00, ndërsa ishte ftuar të mblidhet në orën 10:00. Por, paradite, as nuk filloi seanca, opozita hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare, sapo mbërritën të gjithë, edhe deputetët, edhe qeveria, edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, pas kontrollit detaj, madje edhe të dyfishtë, në të gjitha hyrjet e ndërtesës së Kuvendit dhe brenda tij në holl, të cilit iu nënshtruan poashtu gazetarët.

Në këto rrethana, kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi për një “pushim” dhe më pas për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit,  ku nënkryetarja e Kuvendit e VV-së, Aida Dërguti, hodhi gaz lotsjellës dhe e ndërpreu. Ndërkohë u mor vendimi për mbajtjen e seancës, si  në disa raste të kaluara në sallën alternative.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, dy seanca, Kuvendi

VETEVENDOSJA NUK HEQ DORE NGA PROTESTA

December 15, 2015 by dgreca

*Kosovë-VV: Deputetët e opozitës do të vazhdojnë me të njëjtat veprime/

*Mbrëmë vonë VV njoftonte se numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13./PRISHTINË, 15 Dhjetor 2015/ Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, tha sot se  veprimet e deputetëve të opozitës brenda Kuvendit të Kosovës janë në përputhje të plotë me betimin e tyre dhe detyrat e tyre në mbrojtje të sovranitetit të Republikës. “Deputetët e opozitës do të vazhdojnë me të njëjtat veprime, deri në deputetin dhe aktivistin e fundit, pa hezitim, gjithnjë në mbrojtjet të Republikës së Kosovës”, tha Çaushi në konferencë shtypi.

Mbrëmë vonë VV njoftonte se numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13.

“Përndjekja e opozitës ka marrë përmasa të cilat nuk mund të tolerohen më, dhe qeveria ka shkuar aq larg sa është vështirë të mendohet një zgjidhje normale e krizës politike”, theksonte deklarata e VV.

Në konferencën për shtyp të VV-së sot iu bë thirrje pushtetit që t’i lirojë sa më parë deputetët dhe aktivistët e opozitës që po mbahen nëpër burgje për shkak të kundërshtimit të marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Ata janë: Arianit Manxhuka, Artan Abrashi, Asdren Lekaj, Agron Kabashi, Durim Elshani, Veron Hasani, Albert Fazliu, Kushtrim Avdimetaj, Shkëlqim Morina, Zgjim Hyseni, Valmir Osmanaj, Egzon Azemi, Egzon Balaj, Valdrin Ahmeti, Pajtim Demaj, Luan Hoti, Ardian Huli, Albin Kurti, Fisnik Ismajli, Ismajl Kurteshi, Naim Bunjaku, Trim Gashi, Albulena Haxhiu, Faton Topalli, Donika Kadaj-Bujupi, Aida Dërguti, Besa Baftiu, Glauk Konjufca, Time Kadriaj, Teutë Haxhiu, Bajram Zebica, Valon Bekteshi, Pal Lekaj dhe Haxhi Shala.

Filed Under: Politike Tagged With: nuk heq dore, vetvendosja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT