• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Gegë e Toskë, Malsi jallia, janë nji komb m’u nda s’duron,….

December 14, 2015 by dgreca

Gjuha Shqipe…./

(Ndre Mjeda)

Përmbi za që lshon bylbyli,/
gjuha shipe shumë gullon,/
përmbi erë që jep zymbyli,/
pa da zemrën ma ngushllon./

Ndër komb tjera, ndër dhena tjera,/
ku e shkoj jetën tash sa mot,/
veq për ty m’rreh zemra e mjera,/
e prej mallit derdhi lot./

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
janë të bukura me themel,
por prap kjo, si diell pa hije,
për mue t’ tanave iu del.

Gegë e Toskë, Malsi jallia,
janë nji komb m’u da s’duron,
fund e maje nji a Shqipnija,
e një gjuhë t’gjithë na bashkon.

Qoft mallkue kush qet ngatrrime,
ndër kta vllazën shoq me shoq!
kush e ndan me flakë e shkrime
qka natyra vetë përpoq…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gegë e Toskë, Ndre Mjeda

Reforma në drejtësi, Ambasadori Lu gjyqtarëve: Keni besim, ndryshimi po vjen

December 14, 2015 by dgreca

Ambasadori amerikan Donald Lu, i pranishëm në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, iu drejtua gjyqtarëve të ndershëm të Shqipërisë duke thënë se duhet të kenë besim, pasi ndryshimi po vjen.

“Të ndershmëve u them që të kenë besim pasi ndryshimi po vjen. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe përvojës. Të ndershmit e dinë se ndryshimi i sistemit të drejtësisë nuk do të jetë i lehtë, duhen reforma të mëdha e të menduara”, tha Lu. Në vijim Ai shtoi se “nuk është se nuk ka politikanë të korruptuar në SHBA, por rreziqet e ekspozimit janë të mëdha”.  “Në Shqipëri ka gjyqtarë të korruptuar dhe gjyqtarë të ndershëm. I them të korruptuarve se nëse keni marrë para’ në shkëmbim të një vendimi gjykate, qoftë edhe një herë, jeni të korruptuar. Nëse ulni kokën dhe mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, jeni të korruptuar. Nëse është ky rasti, iu rekomandoj që ta lini këtë profesion menjëherë”, theksoi Lu. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi se “parimi i pavarësisë së gjyqësorit është i padiskutueshëm”: “Gjykata mbi pushtetet e tjera është standardi që dua unë të arrij. Gjyqësor i besueshëm është që t’i shërbesh komunitetit sipas nevojës”.  Më tej, Manjani deklaroi: “Nuk besoj që korrupsioni më i madh është në radhët e gjykatësve. Ky fenomen është i përhapur edhe në sektorë të tjerë, por ne kërkojmë nga gjykata të ndëshkojë korrupsionin, të vetin po e po, por edhe të të tjerëve. Për këtë arsye duam një pushtet gjyqësor mbi pushtetet e tjera. Shpresa e vetme për një shtet të pakorruptuar është gjykata”. Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori tha për reformën në drejtësi se nuk duhet të eksperimentohen modele të reja, në kushtet e presionit të momentit.
“Duhet të ishte më gjithëpërfshirës dhe besimi i tij në të gjitha nivelet e gjyqësorit duhet të ishte më i madh. Apeli jonë drejtuar institucioneve shtetërore është se ne kemi nevojë dhe jemi të interesuar për hartimin e një kuadri ligjor e kushtetues, që inkorporon standarde ndërkombëtare në drejtësi dhe adopoton modele që kanë treguar se janë të suksesshëm”,është shprehur Zaganjori. Ai tha se gjyqtarët do të mbështesin forcimin e shtetit ligjor duke kërkuar më shumë përfshirje të gjyqësorit në reformën në drejtësi.

Filed Under: Komente Tagged With: Ambasadori Lu, ndryshimi, Reforma ne Drejtesi

Kosovë-Opozita tre herë sot hedh gaz lotsjellës

December 14, 2015 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Kuvendi i Kosovës, 14 dhjetor 2015, gazi lotsjellës i opoozitës në sallën e seancave plenare /

-Seanca e Kuvendit ndërpritet edhe në sallë alternative. Janë thyer disa dritare të ndërtesës së Parlamentit/

-“Mbledhja ilegale e koalicionit të ‘Zajednicës’ po vazhdon nëpër skutat e Kuvendit. Jashtë Kuvendit qytetarë e aktivistë mbështesin aksionin opozitar, me protestë”, është shprehur VV./

Nga Kuvendi i Kosovës: Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Dhjetor 2015/ Për të tretë  herë është hedhur gaz lotsjellës nga opozita sot në Kuvendin e Kosovës. Rreth orë 15:35 gazi lotsjellës ndërpreu seancën në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës.Seanca plenare në sallë alternative nisi pak para orës 14:00, ndërsa ishte ftuar të mblidhet sot në orën 10:00. Por, paradite, as nuk filloi seanca, opozita hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare, sapo mbërritën të gjithë, edhe deputetët, edhe qeveria, edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, pas kontrollit detaj, madje edhe të dyfishtë, në të gjitha hyrjet e ndërtesës së Kuvendit dhe brenda tij në holl, të cilit iu nënshtruan poashtu gazetarët.

Në këto rrethana, kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi për një “pushim” dhe më pas për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit,  ku nënkryetarja e Kuvendit e VV-së, Aida Dërguti, hodhi gaz lotsjellës dhe e ndërpreu.

Ndërkohë u mor vendimi për mbajtjen e seancës, si  në disa raste të kaluara në sallën alternative, ndërsa deputetë të opozitës kanë vazhduar të qëndrojnë në sallën plenare.

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, i cili u miratua,  ishte një nga 28 pikat e axhendës së seancës së Kuvendit sot.

Jashtë Kuvendit, që para kohës së paraparë për fillimin e seancës dhe në vazhdim kishte grumbullime të aktivitëve e përkrahësve të opozitës, dhe më pas edhe veprime të dhunëshme, nga të cilat janë thyer disa dritare të ndërtesës së Parlamentit.

“Mbledhja ilegale e koalicionit të ‘Zajednicës’ po vazhdon nëpër skutat e Kuvendit. Jashtë Kuvendit qytetarë e aktivistë mbështesin aksionin opozitar, me protestë”, është shprehur VV.

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Gazi lotsjellës, tre aksione

Prova në Gjykatë dhe jo letra pa-vlerë nga Kodheli& Co

December 14, 2015 by dgreca

Nga Gjen. Piro Ahmetaj/

Në datën 03.12.15, u zhvillua seanca e tretë gjyqësore për “shpifje dhe denigrim”, ndaj të paditurve z. Spartak dhe z. Arben, njeri Kryetar dhe tjetri Anëtar, i Komisionit të (pa) Sigurisë Kombëtare (KpSK!). Në seancën e I-rë, të paditurit “nuk u dukën”; në të II-ën Braho u përfaqësua me avokat, ndërsa Çuko, “dërsinte si mbi-mina” me “ligjërata populiste”. Në këtë seancë (të III-ën), në vend  të provave, “kishin dërguar me avokatin”, plotë “63 letra me “dosjen e hetimit disiplinor dhe shpalljen fajtor” nga MM, – pa asnjë lidhje me akuzën/objektin e çështjes në shqyrtim. Në respekt të familjareve, miqve, kolegeve brenda&jashtë vendit dhe të vëmendjes së opinionit publik që me ka shoqëruar, më duhet të informoj sa vijon:

  1. Për akuzën e rendë, rikonfirmoj se i kam siguruar gjykatës prova të plota zyrtare se “nuk kam pasur as dosje, as pseudonim, dhe kurrfarë lidhje tjetër me ish-sigurimin kriminal të shtetit”. Ashtu si Presidentit, Kryeministrit edhe gjykatës, i kam kërkuar të hetojë pastërtinë e figurës time zyrtare në lidhje me këtë akuzë, dhe ri-konfirmoj edhe publikisht, se: “nëse institucionet përgjegjëse, qoftë edhe një individ i vetëm në RSH, provojnë zyrtarisht të kundërtën, konfirmoj se jam i gatshëm të përballem me të gjitha pasojat, për të gjitha funksionet që kam mbajtur, për 32 vjet në FA brenda dhe jashtë vendit”! Ky konfirmim është edhe mesazh për lukuninë e ordinereve të uriturve për të konsumuar shpifjen/diarrenë e radhës, mjerave të që në vend të letrave anonime dhe fletë-rrufeve bolshevike “janë punesuar si blogiere” !
  2. Për devijimin nga akuza, me duhet të bëj kujtoj se: (a) Lirimi nga detyra e Këshilltarit Ushtarak të Presidentit dhe (b) nxjerrja para kohe në rezerve, janë bërë mbështetura në kërkesën Time; janë të provuara në kërkesën për Presidentin, letrën për Kryeministrin, si dhe të administruara në dosjen e provave. Konkretisht, në (a) Vendimi nr 331, date 17.09.2015, është shkruar ekskluzivisht me “kërkesën e Tij”; si dhe, (b) Dekretin me nr. 9293 “për nxjerrjen para kohë në rezervë”, në referencë ligji 59/2015 neni 25/d, “për karrierën ushtarake” është kërkuar me “kërkesën e (time), drejtuar eprorit të drejtpërdrejte”, në këtë rast Presidentit si Komandant i Përgjithshëm! Kështu, pretendimi i të paditurve se “gjenerali nuk është liruar me kërkesën e Tij?”, por është “shpallur fajtor dhe është shkarkuar”, edhe pse s’ka asnjë lidhje me objektin e padisë = është i pavërtete, i paprovuara, dhe i pa-mbështetur në kushtetutë dhe ligj.

= Në respekt të interesuarve, për këtë “devijim të djallëzuar nga akuza, sqaroj se, Këshilltari Ushtarak i Presidentit, është në vartësi ligjore&administrative të drejtpërdrejtë të Presidentit dhe nën Autoritetin e Komandantit të Përgjithshëm të FA! Ligjet ushtarake janë ndërtuar mbi parimin e piramidës në gjithë zinxhirin e komandimit: Eprori ka të drejtë të jap (ose propozojë) masa disiplinore për personelin që ka në vartësi të drejtpërdrejtë. Përveçse Prokurorisë që “heton”, gjykatës që “shpall fajtor”, asnjë Autoritet tjetër nuk mundet të jap masa për personelin që nuk ka në vartësi? Konkretisht, në VKM-në Nr. 194 dt. 04.03.2015, që u prodhua nën arrogancën karakteristike znj. Kodheli, funksioni i Këshilltarit Ushtarak të Presidentit nuk është në Tabelën e Organizimit dhe Pajisjeve të MM! Kështu, urdhrat e MM, pra urdhri nr 5 datë 22.4.2015 “për procedurën disiplinore”, që është referencë e “dosjes hetimore dhe shpalljes fajtor?”, nuk mundet ta ushtrojë Autoritetin/veprimtarinë, jashtë strukturave dhe personelit të vartësisë së drejtpërdrejtë. Është, si të thuash Ministri Bujqësisë tu jap masa disiplinore Këshilltareve të Kryeministrit, kjo do ngjante si në kohën e kontrolleve punëtore-fshatare të Kryetares Lenka! Këtë, shpresoj ta kuptoj edhe ish-ifCeri Cuko, dhe në vijim të trimërohet dhe paraqes në gjykatë prova për kauzën, jo letra pa-kurrfarë lidhje, si kërkesa/praktika me nr 9283 dt. 02.12.15 kërkuar një ditë para seancës MM (!), pasi çfarëdolloj procesi i zhvilluar për kohën e ushtrimit të detyrës si Këshilltar i Presidentit, jo vetëm nuk ka asnjë lidhje me akuzën, është në kundërshtim me kushtetutën, me ligjin, me VKM-në, por tregon përdhunimin politik të MM dhe është një “kontribut shtesë” për thelbin e padisë: “konsumimin e shpërdorimit të detyrës, shpifje dhe denigrimit të figurës publike”!

  1. Nënvizoj fortë se akuza e rëndë publike, nuk ka të bëjë me thashethemnajat midis qytetareve të zakonshëm por marrëdhëniet midis funksionarëve të lartë të Sistemit të Sigurisë Kombëtare, konkretisht: Kryetarit&një anëtari të KSK dhe Këshilltarit Ushtarak të Presidentit. Në dosjen e provave në gjykate është administruar, shkrimi i dt. 14.09.15, “E vërteta e “Gjyqit te Popullit”, të statusit në FB”. Aty, kam konfirmuar se shkak, ka qenë revolta qytetare me fakte “ulëritëse”, si: KpSK vijon drejtohet nga një ish-hetues/enverist “me përvojë” dhe sekretar, ish-drejtues dege i sigurimit kriminal të shtetit (“mostrës më të madhe që ka pjellë kombi ynë” – thotë Kadareja) deri në 92; ka në përbërje deputet të akuzuar për prostitucion; vrasës, trafikant; “bandit” që egërsisht godet kolegun; deputetin-referencë, i cili me armën e shtetit; në një rajon të policisë së shtetit qëllon si “terrorist” mbi bashkë-qytetarët, dhe disa deputete mediokër, që kanë të përbashkët “devotshmërisë partiake”, dhe nga vizioni njësoj mediokër-ordinerë. Thënë këtë, në dijeninë time: “KSK mbetet më i turpshmi, më i diskredituari dhe më i frikshmi në historinë e parlamentarizmit të RSH, në NATO, dhe jo vetëm, përjashto Korenë e Veriut”. Në shtesë, një mesazh publik për këtë listë të vetë-demaskuarish: kjo mostër-politikanësh, si-këta që na garantoi me krenari kryerilindasi-Rama “do se i zgjedh prapë”, do bëjnë reforma në drejtësi, de-kriminalizim, do e nxjerrin Shqipërinë nga kthetrat e mafies, korrupsionit, pasojat e “qeverisjes së dështuar” – mos u tallni me veten, se shqiptarëve u jeni neveritur!
  2. Disa mesazhe publike për të paditurit: Së pari: sa më shpejt më mirë për ta, ti kërkojnë shpifësit-mostër (që tund certifikata ir-relevante dhe grushtin bolshevik në Kuvend; që për tu harruar nga “damka e Sigurimsit famëkeq” dhe për tu shitur intelektual i ndritur – “blen diplomë-Juridiks”, falsifikon “doktorë shkencash”, dhe ua fut krahun viktimave/të shpërdoruarve të radhës ..!) dhe të paraqesin provat për akuzën publike, për të cilën dhashë dorëheqjen, dhe po përballem me pasojat e “rrëgjimit të rilindësve”. Së dyti, e garantoj “Kryetarin e madh-Braho”, se shpejt do të përballet, në gjykatën e Strasburgut, pasi besoj fort se kjo kontribuon në De-kriminalizimin nga padrinot dhe shpifësit me pushtet. Së treti, për sa derivateve të keq-shpërdorimit (si letrat=pavlerë të MM) – “bash njësoj ashtu” siç udhëheqësi paranojak, shpërdoronte si-motrën e dekoruar Kapo, për të “shpallur fajtor”, dhe prerë kokat e ushtarakeve në vitin 1974 (Durrës), i garantoj se nuk do harroj/vonojë dhe do të turpëroheni jo vetëm për ketë rast, por: për 10-ra shkeljet kushtetuese; imitimin e Prokurorëve fuqiplotë të regjimit mostër; dalldisjen&arrogancën ekstreme ndaj ushtarakëve dhe civilëve me mendim alternativ; korrupsionin; dekorimin e xhelatëve/ish-sigurimsave në festimet e 70 vjetorit të çlirimit, dhe për turpërimin e protokollit të shtetit duke mos respektuar (ftuar&pritur në këmbë) Presidentin, si gjithë pjesëmarrësit, përfshi ambasadorë të huaj në stërvitje të përbashkët me UK (!).
  3. Me këtë rast, u kujtoj te “verbuarve nga arroganca dhe nënshtrimi politik” se në çdo rast, kam vetë-marrë të gjitha përgjegjësitë! Nga ana tjetër, kujtoj se me përulësi u kam bere thirrje ushtarakeve “jo luftë brenda llojit”; kam bërë gjithë sa kam mundur për të mbrojtur profesionistët dhe profesionalizmin; riciklimin e konfliktualeve diabolik, të përkëdhelurve nga partia e radhës dhe në të gjitha rastet u kam kërkuar me përgjegjshmëri Autoriteteve “që paragjykimet dhe ngarkesat politike ndaj oponencës profesionale, të mos transferohet te ushtarakët, sepse kjo do të përbente një precedent në dëm të imazhit, kohezionit dhe solidaritetit në FA”. Kështu s’ka pasur nevojë për “dosje hetimore”, pasi në të gjitha rastet, qëndrimet janë publike: stop projektit të dështuar të reformës Rama–Kodheli në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes: stop modelit bolshevik të balancave drejtimit në FA (komandant&komisar); stop politizimit të FA; stop plagjiaturës dhe hartimit të dokumenteve strategjik, (SSK, SU, PAZH 2025) si “letra-pavlerë”; stop shpërdorimin propagandistik të burimeve (100-ra pronave/infrastrukturave) dhe burimeve/kapaciteteve të mbrojtjes; stop uljes drastike të buxhetit dhe kështu jam përpjekur me vetëdije të kontribuoj për të ndalur rrëshqitjen e Shqipërisë, “nga në 5 top në fundin e listës së vendeve të NATO-s! Këto qëndrime, i kam ndarë në vijimësi, me personalitete&kolegë të njohur të fushës jashtë&brenda vendit, të cilët po ashtu mbeten të shqetësuar dhe të zhgënjyer për këtë keq-katandisje të sistemit kombëtar të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit!

= Me këtë rast, për sa “63 – simotra të fletëve të pa vlefshme … ” – konfirmoj se: nuk kam si të kem pasur kurrë dijeni për urdhrin e MM dt 22.04.2015 (!); nuk kam diskriminuar askënd përveçse fakte dhe replika publike me Kryetarin dhe anëtarë të KSK (!); nuk kam marrë asnjë dijeni dhe jo më të kem “rezistuar” të marr në rrugë zyrtare dhe as e kam parë kurrë më parë “praktikën disiplinore të MM me shkresë nr. 7249 datë 14.09.15” (!); në çdo opinion të botuar kam insistuar të pasqyrohet se “mendimet janë tërësisht personale dhe jo të funksionit dhe gradës” (!); nuk kam pasur kurrë dijeni për “hetimin, dhe shpalljen fajtor (!!)”; nga kjo përballje nuk kam përfituar asnjë interes personale (!), përveçse kostos (personale&familjare!) dhe përgjegjësisë për të kontribuar si Gjeneral për modernizimin e sistemit të sigurisë jo për përfitime të partisë së ditës, por në shërbim të qytetarëve, prosperitetit të shoqërisë dhe interesave strategjike mbarëkombëtare! E gjithë praktika është një dalldisje shërbëtoresh të nënshtruar ndaj padrinove dhe shpifësve ordinere të pushtetshëm.

= Në shtesë, për 63 fletët e MM: integriteti procesit, referencat, terminologjia (rezistencë, hetim, radhët e shtrënguara/vendimi unanim për ta shpallur fajtor), mungesa e komunikimit, transparencës, arroganca; zelli për të konsumuar me shpejtësi diarrenë e arrogancës-politike; përkujdesja që asgjë pozitive të mos evidentohet në dosjen e armikut dhe “partishmëria e lartë për të gërmuar/shtuar edhe të tjera fajësi të armikut”,– jam shumë i bindur se do të “skaliten” në memorien e turpit të reformave të mbrojtjes, të mbas përmbysjes së regjimit-mostër, jo vetëm në Shqipëri. S’ka më keq, është turp dhe marre. Përgjegjësia nuk bie vetëm mbi ata që “të helmatisur nga hakmarrja primitive” investohen në marrëzi të tilla, por në memorien e turpit do hyjnë ata që e kanë inspiruar, ata që e kanë gatuar dhe ata që kanë heshtur, përfshi ata që fërkojnë duart dhe ata që ngrenë supet për këtë qasje që konkurron me metodat-perverse të Sigurimit Kriminal të Shtetit. Për te shpërdorurit – edhe pse përpiqem shumë ti mirëkuptoj, përtej zhgënjimit, lutem mëshirë për ta!

  1. Për pjesën personale, u bej thirrje “derivateve/deviacioneve më të diskredituarat në historinë 103 vjeçare të FA”, që të ndalin luftën politike; shpirt-ligësinë; shpërdorimin e pamëshirshëm të kolegëve në çështje politike; hipokrizinë, dhe meskinitetin për të denigruar profilin, përgjegjshmërinë dhe kontributet zyrtare në 32 vjet në FA. Kështu, u kërkoj të lexojnë jo si mostra të verbuara nga pushteti dhe urrejtja klasore, por “me qetësi” karrierën e një ushtaraku 32 vjet në shërbim të atdheut: “e cila nuk është vetëm statusi në FB; nuk është vetëm një ngjarje e zgjidhur me integritet&gjyq në 1996, por te ky udhëtim janë të skalitur: 10 vjet në strukturat e MM/SHP; Akademinë e Mbrojtjes (pa-shkëputje); Kolegjin e Lartë të NATO-s; Shef i Përfaqësisë Kombëtare në Komandën Supreme të Aleancës (negociator dhe nënshkrues i 10-ra marrëveshje mirëkuptimi&teknike; kontribuues për të “ngritur lartë stekën” e vendit (siç më cilësonte jo Partia, por nga Autoritetet më të Larta të NATO-s) – “Shqipëria është nder 5 vendet model në përmbushjen e standardeve dhe angazhimeve ushtarake”; si Zëvendës i SHP; Këshilltar i Presidentit, dhe si një zë me ekspertizë cilësore, kurajë dhe kontribute publike për sistemin e sigurisë kombëtare. Kam marrë pjesë në më shume se 100 takime, konferenca, në 28 vendet e NATO-s, 20 vendet partnere, dhe realizuar vizita pune kam Qëndra Studimesh Strategjike në SHBA, UK, Francë, Greqi, Kanada, Kroaci, Slloveni, Serbi, Norvegji, Finlande, Itali, Francë, Gjermani, Moske. Kam po ashtu, jo thashethemnaja dhe plagjiaturë, një aktivitet shumë të pasur me tituj, analiza, tema studimore, botime në organet e shtypit ushtarak dhe civil, brenda dhe jashtë vendit, për çështje që lidhen me Sigurinë Kombëtare, Rajonale dhe Globale, Strategjinë Ushtarake, Sistemin Kombëtar të Sigurisë, Integrimin në NATO, Profesionalizmin e FA, Çështjet integrimit, etj. Për përkushtimin, profesionalizmin, përgjegjshmërinë dhe kontribute të spikatura, jam vlerësuar (jo-vetë-ngjitura si pervers-ordiner) me 10-ra Dekorata dhe Medalje, nga Autoritetet e Larta, brenda vendit, dhe të NATO-s”. Kjo është e biografia e vërtetë zyrtare e Gjeneral (r) Piro AHMETAJ dhe nuk e çbëni dotë, sikur të mblidhni tërë helmin e mostrave, që u buron nga paranoja e inferioritetit dhe perversitetit i të qenit të madhërishëm !.

Mesazh përmbyllës: Përtej realizimit deri gjeneral, funksionet e larta brenda dhe jashtë vendit, etj, investimit për 2 fëmijët/familjen, problemeve, gabimeve (i pagabueshëm është vetëm i dërguari i zotit/perëndisë), ngarkesave, zhgënjimeve, keqardhjes nga përballja/përbaltja me “mafien e sofistikuar dhe shpifës-ordinere” dhe përtej modestisë, nga ky udhëtim 32 vjeçar ndihem shumë  i realizuar dhe krenar! Nga ana tjetër, siç kam premtuar, kam vijuar dhe do vazhdoj të kontribuoj edhe më fortë me përulësi, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri për vendin tim!

 

Ish Këshilltar i Presidentit, Zëvendës Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Përfaqësues Ushtarak Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s

Filed Under: Opinion Tagged With: jo letra pa vlere, Kodheli & Co, Piro Ahmetaj, Prova ne gjykate

Kryeministër : Viu viu fryn Veriu !

December 14, 2015 by dgreca

Nga Aurenc Bebja – Francë/

Kolltuku i kryeministrit, pavarësisht përkatësisë partiake (politike) apo vendlindjes të personit që ulet në të, ka një rol gjithëpërfshirës dhe në një pozicion të tillë nuk është e këshillueshme që të bëhen dallime mes popullsisë (jug/veri apo lindje/perëndim), sepse mund të krijohen përçarje të panevojshme në shoqëri.

Nëpër mediat shqiptare u tha që kryeministri, qëllimisht ose jo, përdori tone anti-veriore gjatë një mbledhje në qytetin bregdetar të Sarandës. Nga gjuha, fjalori apo tonet që përdoren, populli ose ajo pjesë e popullit që preket, në mënyrë llogjike reagon.

Duke qenë se jam nga veriu dhe pavarësisht faktit se nuk jetoj në vendlindje, e ndiej për detyrë të reagoj (si person i shoqërisë civile), ashtu si edhe të tjerë reaguan ndaj kryetarit të qeverisë, ndaj një zyrtari të lartë, që të paktën në teori në mos gabohem përfaqëson gjithë popullin e Republikës së Shqipërisë.

Po të kishte qenë në rolin e piktorit (aktivitet të cilin e ka mediatizuar goxha kohët e fundit), nuk do kisha reagur, sepse fundja fundit si individ dhe pjesë e shoqërisë civile, ç’do njeri ka të drejtë të mendojë apo të thotë çfarë të dojë për Veriun apo për zonat e tjera shqiptare.

Përkundrazi, në këtë rast, ndryshon situata në detyrën aktuale që kryetari i « përjetshëm » i PS-së ushtron, sepse gjuha e përdorur është provokuese dhe sidomos tregon shenja mosmirnjohje ndaj Veriut. Sulmoj nga Saranda (qytet bregdetar i mrekullueshëm) ish-kryeministrin dhe ata që ai paska importuar, por se kush janë « ATA », ne nuk e dimë. Dhe kështu i bie që i gjithë Veriu të krahasohet me « ATA », dhe bashkë me « ATA » edhe unë.

Pra, unë, katunar (fshatar) prej rrethit Mat, malok prej Qarkut të Dibrës, dëshiroj ti rifreskoj memorjen zotit Kryeministër, se andej nga malet apo alpet tona, në zgjedhjet e fundit vendore të qershor 2015, mbi 36 mijë individë kanë votuar për ASE-n. Në qarkun e Lezhës 36 mijë, në atë të Shkodrës mbi 53 mijë dhe në atë të Kukësit mbi 21 mijë. Po ashtu, kam besimin e plotë se një pjesë e atyre të « importuarëve të Alpeve » kanë votuar për koalicionin e Kryeministrit edhe në qarkun e Tiranës dhe atë të Durrësit.

Dhe në këtë rast, Zoti Kryeministër, po lëmë mënjanë veriorët që nuk ju kanë votuar, që me padiskutim i keni zemëruar me fjalimin tuaj, dhe po bazohemi vetëm tek mbështetësit veriorë të koalicionit ASE. Si mund të jenë ndjerë ata/ato pas gjuhës tuaj anti-veriore ?

Kur erdhët në pushtet në 2013, përdornit shpesh termin një milion shuplaka, një pjesë e të cilave ishin veriore. Në këtë rast, nevojitet pak kujdes dhe mbi të gjitha respekt, se votat e veriorëve që keni marrë në 2013 dhe ato që morët në 2015 mund të kthehen në një « uragan » kundra jush në zgjedhjet parlamentare të 2017, dhe andej nga alpet tona do ju këndojnë : Viu viu fryn Veriu !

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja, kryeminsiter, Viu viu fryn veriu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT