• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

-Qeveria e Kosovës, homazhe Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

January 21, 2016 by dgreca

-Platforma e Rugovës për Kosovën shtet euroatlantik u bë e gjithë shqiptarëve
-Në 10 vjetorin e shuarjes së Presidentit të parë e historik të Kosovës, kryeministri kosovar Isa Mustafa foli në akademinë përkujtimore organizuar nga partia e themeluar nga Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Janar 2016/ Platforma për Kosovën shtet euroatlantik e Presidentit historik Ibrahim Rugova u bë program i të gjithë shqiptarëve, tha sot kryeministri Isa Mustafa. Në 10 vjetorin e shuarjes së Presidentit të parë e historik të Kosovës, kryeministri Mustafa foli në akademinë përkujtimore organizuar nga partia e themeluar nga Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Qeveria e Republikes së Kosovës sot po punon me përkushtim të veçantë për realizimin e prioriteteve të saj, të cilat në vizionin dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar para më shumë se 10 vjetësh Presidenti historik Ibrahim Rugova”, tha kryeministri kosovar.
Mustafa u shpreh se, qeveria e Kosovës sot e ka në preambulën e veprimit të saj fuqizimin e partneritetit dhe miqësisë së përhershme me SHBA-të dhe me vendet e tjera perëndimore evropiane.
“Presidenti Ibrahim Rugova krijoi platformë politike për Republikën e pavarur të Kosovës anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo platformë u bë program politik i të gjithë shqiptarëve të Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa në akadminë përkujtimore, ku foli edhe nënkryetari, nga LDK, i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti.
Kosova po kujton dhe nderon sot Presidentin historik Ibrahim Rugova, arkitektin e pavarësisë, i cili u shua para 10 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.
Një akademi përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të shuarjes së Presidentit historik Rugova, organizohet edhe në mbrëmje në Prishtinë, nën patronazhin Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërkohë që po bëhen homazhe në vendin e prehes në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit, dhe po zhvillohen edhe veprimtari të tjera.
Gjatë pasditës kryeministri Isa Mustafa merr pjesë në ekspozitën dokumentare me fotografi të Presidentit historik Ibrahim Rugova në Bibliotekën Kombëtare dhe në hapjen e Ekspozitës së Përhershme në Shtëpinë e Bardhë, aktivitet që zhvillohet në Shtëpinë e Pavarësisë, ku ishte selia institucioneve të Republikës së Kosovës të Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe të Referendumit për shtet sovran e të pavarur të fundshtatorit 1991, si dhe të zgjedhjeve të para shumëpartiake presidenciale e parlamentare kosovare të 24 Majit 1992.

KABINETI QEVERITAR BËRI HOMAZHE

Prishtinë, 21 janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe pranë varrit të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 10-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim.
Pas homazheve, kryeministri Isa Mustafa, vlerësoi lartë punën dhe kontributin e palodhshëm të Presidentit Rugova për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Mustafa theksoi se angazhimi i Presidentit Ibrahim Rugova për shtetndërtimin e Kosovës, por edhe lidhjet e fuqishme që ka krijuar me vendet mike, sollën deri te liria dhe pavarësia të cilën po e gëzojmë sot.
“Sot dolëm me kabinetin qeveritar t’i bëjmë nderime Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, me rastin e 10-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim. Qeveria e Republikës së Kosovës, sikurse edhe të gjitha institucionet tjera respektojnë fuqishëm veprën dhe kontributin e presidentit Rugova në shtetndërtimin Kosovës, në miqësinë që ka krijuar ai me të gjitha vendet mike dhe në të gjitha proceset që na kanë sjellë deri këtu, që Kosova sot të jetë shtet i pavarur, të jetë shtet sovran, shtet i pranuar nga mbi 110 vende anekënd botës dhe që rinia dhe populli i Kosovës sot e gëzojnë lirinë dhe pavarësinë e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka çmuar lart përpjekjet e gjithanshme politike, institucionale dhe akademike të Presidentit Ibrahim Rugova për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Jemi sot së bashku me kryeministrin, siç do të jenë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për të nderuar dhe vlerësuar me respektin më të lartë Presidentin e parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për vlerat euroartlantike që i ka vendosur në skenën politike kosovare, për kontributin e tij për rendin demokratik, perspektivën euroatlantike, për lirinë e vendit. Gjithashtu për të gjitha përpjekjet e gjithanshme politike, institucionale dhe akademike”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, dr. Rugova, Qeveria Homazhe

KUJTESE- KOSOVË-PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA, NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

January 21, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Ballina e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja e para 10 viteve
-Kosova kujton Presidentin historik Rugova në 10 vjetorin e shuarjes/
-Shtypi i Prishtinës para 10 viteve: Mbi 500.000 njerëz nderuan Rugovën/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI
PRISHTINË, 21 Janar 2016/ – Kosova kujton dhe nderon sot Presidentin historik Ibrahim Rugova, arkitektin e pavarësisë, i cili u shua para 10 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.
Një akademi përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të shuarjes së Presidentit historik Rugova, mbahet në mbrëmje në Prishtinë, nën patronazhin Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërkohë që kanë nisur homazhet dhe veprimtari tjera, që do zhvillohen gjatë ditës.
Një akademi mbahet edhe në mesditë organizuar nga partia e themeluar nga Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës, delegacioni i së cilës pas homazheve do vizitojë familjen e Presidentit historik.
Nga qeveria e Kosovës është paralajmëruar se gjatë pasditës kryeministri Isa Mustafa merr pjesë në ekspozitën dokumentare me fotografi të Presidentit historik Ibrahim Rugova në Bibliotekën Kombëtare dhe në hapjen e Ekspozitës së Përhershme në Shtëpinë e Bardhë, aktivitet që zhvillohet në Shtëpinë e Pavarësisë, ku ishte selia institucioneve të Republikës së Kosovës të Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe të Referendumit për shtet sovran e të pavarur të fundshtatorit 1991, si dhe të zgjedhjeve të para shumëpartiake presidenciale e parlamentare kosovare të 24 Majit 1992.
Para 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.
Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËN NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.
Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE.
Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.
Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).
DR. IBRAHIM RUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.
Në mëngjesin e 27 janarit 2006 kam raportuar kështu për atë se çka shkruante shtypi i Kosovës për ngjarjen e një dite më parë:

SHTYPI I PRISHTINËS: MBI 500.000 NJERËZ NDERUAN RUGOVËN

Gazetat e Prishtinës sot (27 janar 2006) shkruajnë gjerësisht për nderimet e larta kombëtare e ndërkombëtare dhe për praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit në varrimin e djeshëm të Presidentit Rugova.
“Mbi 500. 000 njerëz kanë marrë pjesë në nderimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare në ceremoninë e varimimit të Presidentit Rugova”, sipas gazetës tradicionale të Kosovës “Rilinda”, që sot në një numër special ka kryetitullin “Bota nderoi”.
Eksluzive te “Rilindja” tri intervista të Presidentit Rugova në periudha të ndryshme, e para para 12 vjetëve dhënë ATSH-së: “Presidenti Rugova parashikoi dhe ndërtoi të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve”.
“Koha ime po vjen”, është kryetitulli i shoqruar me një foto të madhe të Presidentit Rugova në gazetën më të re të Kosovës “Iliria Post” në numrin e saj të parë sot. “Kur flet loti s’ka vend fjala” është një nga titujt e tjerë të kësaj gazete, që boton deklarata të përsonaliteteve kombëtare e ndërkombëtare që vlerësojnë Presidentin Rugova.

“Kosova dhe bota i dhanë lamtumirën e fundit Presidentit të Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan në ballinë gazeta “Zëri”. Një titull tjetër është nga një deklaratë e Havier Solanës: “Jam i mahnitur me dinjitetin e popullit të Kosovës në këto ditë të zisë dhe të pikëllimit”. “Perëndimi kërkon nga kosovarët që të bashkohen për të përmbushur boshllëkun pas vekjes së Rugovas”, është titulli nga deklarata e nënsekretarit amerian Nikollas Berns.
“Lamtumirë President, Rugova përcillet me Flamurin e Himnin e tij”, është titulli kryesor n gazetën “Kosova sot”.
“Kosova u nda nga Presidenti i parë i saj Ibrahim Rugova. Lamtumirë”, është kryetitulli në gazetën “Lajm ekskluzive”. Gazeta njofton se në varrimin e Rugovës ishin 36 delegacione shtetrërore me rreth 200 anëtarë.
“Lamtumirë President”, është kryeartikulli i gazetës “Koha ditore”. Kjo gazetë paralajmëron: “Ahtisari sot në Bruksel, të marten takohen ministrant e Grupit të Kontaktit”. “SHBA fton shqiptarët që t’i refuzojnë ata që i rreken dhunës”, është një titull tjetër në “Koha ditore”.
“Prehu i qetë në dheun e Kosovës, Dradanisë antike, President Rugova”, është titulli kryesor në gazetën “Bota sot”. “Presidenti i Kosovës i tregoi botës, që nganjëherë diti të jetë indiferente, për vuajtjet e Kosovës”, është një titull tjetër i gazetës, që citon fjalën e Kryeadministratorit Petersen në ceremoninë mortore.
“Presidentit Rugova iu dha lamtumira e fundit”, është kryeartikulli i gazetës “Epoka e re” nga ceremonia e varrimit, e cila gazetë thekson edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesëve nga shumë vende të botës.
“Pacifisti nderohet nga ushtarët”, është titulli qëndror i gazetës “Express”. “Kosovarët i dhanë nderimet e fundit presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, një ceremoni tejet e organizuar dhe me praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit”, shkruan gazeta “Express”.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, i Kosoves, nderime te larta, presidenti historik

DHJETË VJET PA PRESIDENTIN E KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA

January 20, 2016 by dgreca

Nga Harry Bajraktari*/
Dhjetë vjet më parë, më 21 Janar, u shua nga jeta njëri ndër figurat më të shquara të kombit shqiptar, presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.Me emrin e tij identifikohet Pavarësia e Kosovës, ngjarja më e rëndësishme historike pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë.Për ta fituar këtë luftë të ashpër mbi Serbinë, u desh mençuri, mund dhe angazhim për t’ i bindur SHBA dhe Bashkimin Evropian për të drejtën e mohuar historike të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.Millosheviqi në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar kishte ndërmarrë një terror të egër të përmasave të gjera për dëbimin e shqiptarëve jashtë Kosovës në mënyrë që ta ndryshonte strukturën e popullësisë në këtë pjesë të Ballkanit dhe Kosovën ta fuste në kuadër të një projekti të Serbisë së Madhe.
Në këto vite tejet dramatike Dr. Ibrahim Rugova, mori Kosovën në duart e tij për t’ i kundërshtuar pretendimet shoveniste të Millosheviqit dhe për t’ i hapur Kosovës rrugën e pavarësisë nga Beogradi fashist.
Duke qenë një personalitet i shquar kombëtar, intelektual me një kulturë evropiane, shkrimtar dhe hulumtues shkencëtor, e mbi të gjitha politikan i vendosur për realizimin e Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova u angazhua që bashkësisë ndërkombëtare t’ i afrohej një e vërtetë tjetër nga e vërteta dhe propoganda e vjetër serbe. Dr. Rugova si vizionar që ishte, e dinte se alternativa e vetme për pavarësinë e Kosovës ishte Washingtoni dhe mu për këtë të gjitha aktivitetet diplomatike i orientoi nga kjo qendër botërore, ku nëpërmjet të saj ishin zgjidhur shumë kriza, luftëra e konflikte globale si dhe përfundimet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Qysh si student adhuronte botën perëndimore, prandaj edhe specializimi i tij në Francë s’ ka qenë i rastit.Për ta njohur këtë kulturë, ai lexonte dhe studijonte shkrimtarët dhe filozofët më në zë perëndimor.Kjo i ndihmoi në krijimin e personalitetit të tij, si studijues, intelektual dhe, më vonë, si politikan në një kohë kur Kosovës i duhej më së shumti.
Dr. Ibrahim Rugova lindi në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur populli shqiptar përjetonte masakra të shumta nga komunistët serbë. Më 10 Janar 1945 ia ekzekutuan babain dhe gjyshin. Ky i fundit kishte qenë i njohur në luftërat e organizuara kundër çetnikëve, të cilët bënin terror mbi popullatën shqiptare në krahinën e Rugovës dhe në pjesët tjera të veriut të Kosovës. I prekur thellë nga historia e babait dhe gjyshit të tij dhe nga ngjarjet e tmerrshme që kishin ndodhur ndaj shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, Dr. Ibrahim Rugova në vitet e 90-ta mori një barrë të madhe mbi vete që përmjet filozofisë paqësore dhe luftës intensive diplomatike ta nxirrte Kosovën nga okupimi serb dhe nga mizoritë që kryente regjimi i Millosheviqit në atë kohë. Ndonëse e dinte se kjo rrugë s’ do të kuptohej drejtë nga shumëkush, ai i mbeti pranë kësaj filozofie deri në fund, por në asnjë mënyrë nuk hoqi dorë nga Pavarësia e Kosovës. Dhe kështu, me politikën e tij paqësore, fitoi simpati nga shumë liderë të vendeve demokratike në gjithë botën, e para se gjithash të SHBA. Pavarësia e Kosovës për të ka qenë e vetmja rrugë që do të sillte paqe në rajonin e Ballkanit.
Ngjarjet e viteve të 90-ta Rugovën e gjetën në detyrën e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar të LDK-së, parti e parë e pavarur në Kosovë krahas të ndonjë partie tjetër që selitë i kishin jashtë Kosovës. Kur Millosheviqi solli mijëra serbë në vitin 1989 në Gazimeston për të shënuar një përvjetor të një beteje të humbur dhe kërcënoi shqiptarët me dëbim masiv, Dr. Ibrahim Rugova në të njëjtën ditë para gazetarëve të jashtëm dhe të brendshëm, akuzonte politikën represive serbe ndaj shqiptarëve atëherë nën Jugosllavi. Deklarata e tij në këtë kohë, kur persekutoheshin intelektualët shqiptarë dhe izoloheshin në burgjet serbe, bëri jehonë të madhe në botën demokratike dhe brenda Kosovës. Ishte një thirrje për bashkimin e shqiptarëve kundër klithmave përplotë urrejtjeje të Millosheviqit. Nga ky vit (1989) ai u nis për ta fituar betejën diplomatike për Kosovën.

Nga viti 1989 u bëmë miq të pandashëm për çështjen e Kosovës

Nga dita kur e njoha Dr. Ibrahim Rugovën e deri në vdekje ishim bashkë për çështjen e Kosovës dhe çështjen e përgjithshme shqiptare. Dr. Rugovën për herë të parë pata rast ta takoja në seminarin, kushtuar 300 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, të cilin në New York e organizoi Kisha Katolike” Zoja e Këshillit të Mirë” në vitin 1989. Meqenëse Zoti Rugova ishte doktoruar mbi veprën e Bogdanit, ishte ftuar të fliste mbi këtë figurë të madhe të kulturës shqiptare.Nga kjo periudhë kam vazhduar kontaktet e mia me të për të mirën e Kosovës.
Kur u vendosëm me shtëpi në Armonk të New York-ut, ajo u bë një vendtakim për politikanë, diplomatë, intelektualë dhe njerëz të profesioneve të ndryshme që vinin nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e më vonë edhe nga Shqipëria. Në shtëpinë tonë në këtë kohë sillnim kongresmenë, senatorë e miq të tjerë amerikanë, mbështetës dhe dashamirë të çështjes së Kosovës. Disa muaj më parë, në Prill të vitin 1990, në Washington DC, një grup prej 20 intelektualësh erdhi për të dëshmuar mbi dhunën serbe në Kosovë. Në krye të këtyre intelektualëve ishte Dr. Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Kjo dëshmi u konsiderua fitorja e parë në fushën diplomatike kundër grupit serb që përfaqësohej nga ultranacionalisti, Dobrica Qosiq. Kjo dëshmi u drejtua nga Tom Lantos, përfaqësues i atëhershëm për marrdhënie me jashtë pranë Kongresit Amerikan së bashku me John Porter. Lantos ishte edhe një mik i shqiptarëve, i cili mbështeste zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nga kjo dëshmi filloi njohja e Washingtonit me problemet që kishte Kosova me Serbinë.
Më 17 Shkurt, 1993 pata rastin ta shoqëroja presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën në WashinGton, ku pat një takim në Shtëpinë e Bardhë me Samuel Richard Berger, i njohur me nafkën ” Sandy” që ishte Këshilltar për Siguri Kombetare në administratën e presidentit Bill Clinton. Me Rugovën ishte edhe Dr. Alush Gashi dhe Dr. Shaqir Shaqiri. Kjo ishte vizita e tij e parë në Shtëpinë e Bardhë, ku Rugova kërkoi vendosjen e trupave të OKB-së në bashkëpunim me trupat e NATO-s në Kosovë dhe vënien e saj nën Protektoratin Ndërkombëtar deri sa ajo të fitonte pavarësinë.
Që nga viti 1990 kur presidenti Dr. Ibrahim Rugova ka ardhur në Washington apo në New York, gjithherë është kthyer në shtëpinë time në Armonk.Sipas kohës që ka pasur në dispozicion, herë ka ndejtur më shumë e herë më pak, por gjithherë është kthyer. Varësisht nga bisedat që zhvillonte me personalitetet e administratës Amerikane, ndërmirrte hapat aktual të veprimit. Në shoqërimin që i bëja në takimet e tij në Washington apo në New York kam hetuar se Dr. Rugova ka pasur edhe presion që të pranonte ndonjë zgjidhje që nuk shkonte në favor të Kosovës. Shpeshherë i thoshin se njëherë Ballkani duhet të inkuadrohet në Bashkësinë Evropiane e pastaj brenda këtij opcioni Kosova të bënte zgjidhjen e saj. Ndërsa ai shfaqte mendimin e tij të përkundërt se së pari pavarësia e më pas integrimi.Kjo për Rugovën ishte alternativa e vetme e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb.
Çdo takim që kam pasur me të, në të gjallë të tij, gjithnjë bisedat i lidhte me Kosovën dhe përgjithesisht me perspektivën e çështjes shqiptare. Një simpati të veçantë për Dr. Rugovën e ka pasur edhe im atë, Meta. Babain tim e pyeste për disa figura të rëndësishme kombëtare që kishin qenë të detyruar ta braktisnin Shqipërinë për shkak të ndjekjeve që u kishte bërë regjimi i Enver Hoxhës dhe ai jugosllav e të cilët, disa nga ta, ishin vendosur në New York, si Dr. Rexhep Krasniqi, Hysen Bej Prishtina, Abaz Kupi e shumë nacionalistë të tjerë. Dr. Rugova e njihte veprimtarinë e tyre, por dëshirontë të dinte më shumë për punën dhe jetën e tyre në Amerikë.
Derisa po e përcillja njëherë në Aeroportin “Kennedy” ku pas një vizite në SHBA po kthehej për Kosovë, presidenti i ndjerë Rugova më tha:” Harry do të punojmë së bashku deri në fund për çështjen e Kosovës”.

Presidenti Rugova për herë të fundit në SHBA

Për herë të fundit kur ishte në Amerikë, presidenti Rugova pas luftës, unë me Rrustem Gecin, organizuam një darkë të veçantë për të.Këtë darkë solemne e shtruam në një anie shetitëse nëpër ujrat e lumit Hudson rreth e përçark New York-ut, ku morën pjesë mbi 100 shqiptarë.Kjo ka qenë vizita e tij e fundit në SHBA.Në bisedë me të, më tha se tani po arrijmë tek shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ku të gjithë kemi hise, se të gjithë kontribuam për të.
Varrimi i Rugovës ishte një referendum për pavarësinë e Kosovës.Ky ka qenë përkushtimi i tij sa ishte gjallë. Ky ideal i tij u përmbush vetëm dy vjet pas vdekjes së tij. “Amanetin e të parëve e kemi obligim ta çojmë në vend”, thoshte ai në biseda që organizonte me shqiptarët e Amerikës.
Nga viti 1991 e deri në vdekje, sa herë që janë mbajtur zgjedhjet për president të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova i ka fituar me shumicë apsolute të votave. I ndjeri ka qenë figurë unifikuese.
Sot pas dhjetë vjetësh të vdekjes, Dr. Ibrahim Rugova kujtohet me pietet të madh për kontributin e tij të jashtëzakonshëm kombëtar e mbi të gjitha si arkitekt i pavarësisë së Kosovës.
* Autori është veprimtar e biznesmen i shquar shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York

Filed Under: ESSE Tagged With: DHJETË VJET PA PRESIDENTIN E KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, harry bajraktari

Darvinizëm + Marksizëm = Anti-humanizëm

January 20, 2016 by dgreca

*Marksizmi dhe Darvinizmi janë dy “filozofitë” më të komplikuara indoktrinuese,që i kanë qëndruar botës si hije e zezë mbi kokë, Darvini për 157 vite, dhe Marksi pë 149 vite./
* Largimi i njeriut nga Darvinizmi dhe Marksizmi, e shkëput njeriun nga nihilizmi dhe mohimi, e zbut atë nga arroganca e dhuna, e largon nga injoranca dhe miopia. Kështu njeriu krijon lidhjen midis vetbesimit dhe besimit se ai nuk është një aksident, por preludi i jetës./
Nga Alfons GRISHAJ/
Larg ndër vite, m’u kujtua një debat i zhvilluar në shtëpinë time, midis Prof. Nikollë Daka dhe dy studenteve që vazhdonin mësimet në Universitetin e Tiranës. Nikolla ishte mik i babait dhe nuni im. Studentet, njëra, kushërirë e jona dhe tjetra shoqe e saj nga Tirana. Nuk e mbaj mend si filloi biseda, por e di se debati u ndez rreth Darvinit. Vajzat nuk e dinin me kë po debatonin. Ata e mbronin Darvinin si të ish babai i tyre! Jo vetëm atë, por mbronin me zell slloganin e liderëve të komunizmit: “Feja opium për Popullin”. Prof. Daka, me qetësinë që e karakterizonte, u shpjegoi vajzave rreth Darvinit, dhe u tregoi atyre se asgjë nuk ishte e rastësishme mbi tokë. Ai hoqi orën nga dora dhe i pyeti vajzat se kush e kish bërë atë orë… (Krahasimin e orës e hasa më vonë në filozofinë e Laibnik, Orëndreqësi dhe Programuesi).Vajzat kërcyen të dyja, për pyetjen e “thjeshtë”, – “Njeriu”, – u përgjigjën ato. Ai u tha më nënqeshjen e tij duke u thënë se nuk ishte e vërtetë. Ato kërcyen sërish. Atëherë Profesori, me qetësi u tha, – Ju kërcyet, kur unë ju thashë se njeriu nuk e bëri orën, ku në të vërtetë ai e bëri… Po kush e bëri këtë tokë të mrekullueshme, njeriun, kafshët,ujin, natyrën në këtë mënyrë të përsosur, universin? Nëse ne jemi Zoti i kësaj ore, kush na bëri ne, a mos ai Zoti që ju mohoni? Vazhdoi ai,- Sikur ta kishim prejardhjen prej majmuni, ju siguroj zonjusha, nuk do të ishim këtu por nëpër pemë! Ata shikuan njëra-tjetrën dhe u skuqën deri tek veshët. Vajza nga Tirana e pyeti, Prof. Nikollën, – Çfarë shkolle keni mbaruar se dukeni shumë i edukuar? Profesori me buzën në gaz u përgjigj, – Unë jam një nga pedagogët e parë të Universitetit tuaj, por u largova kur tekstet shkencore u zëvendësuan nga dogmatpolitike! Vajza nga Tirana e turpëruar, iu drejtua,- Po si u larguat kështu? Profesor Daka, u përgjigj: – U largova pikërisht prej Darvinit, se po të qëndroja atje kisha frikë se do kthehesha në majmun! Profesori pasi i tha ato fjalë sikur u çlirua.U ngrit në këmbë, përuli kokën para zonjushave me mjaft politesë, u dha dorën dhe iku duke i lënë pa fjalë. Tronditja e tyre lexohej qartë!
Ky dialog me temë Darvinin e Marksin më ka mbetur i regjistruar në vite që nga fëmijëria ime!
Pas disa vitesh e lexova“Teoria e Specieve” të Darvinit, që më la një shije të keqe. U ktheva pas aq vitesh për ta rilexuar sërish. E njëjta shije.U rreka andej e këndej orë dhe ditë, duke shfletuar libra, duke parë video, shkrime e kundër shkrime, për t’a vërtetuar teorinë e tij, por s’e gjeta asgjëkundi bazën dhe provën shkencore të majmunit që u bë njeri. Njeriun që ka dëshirë të bëhet majmun e kam zbuluar prej kohësh,jo vetëm tek pasuesit e Darvinit dhe himnizuesit e tij gënjeshtarë që e mbështetën dogmën darviniste, por dhe tek marksizmi dhe komunistët darvinistë.
Deri në moshën dhjetë vjeçare, Darvini qe i vonuar. Reagimi i tij ndaj kompleksit të vonesës që duket se e ka shtypur për një kohë të gjatë çoroditi botën në atë mënyrë, sa i dha komunizmit armën e fuqishme të ateizmit (shkencor), për të shkatërruar shpirtin dhe luftuar arkitektin e shpirtit, Zotin! Duke vrarë tek njeriu Krijuesin, ke vrarë misionin e jetës në tokë!
Marksizmi dhe Darvinizmi janë dy “filozofitë” më të komplikuara indoktrinuese që i kanë qëndruar botës si hije e zezë mbi kokë, Darvini për 157 vite, dhe Marks pë 149 vite.
Korrespondenca e dyshes Darvin- Marks,tregon dhe interesin e nihilizmit për ta suprimuar në shkencë. Marksi,pasi mori nga Engelsi “Origjinën e Specieve”, e quajti atë si kulmin e zbulimit natyral, duke e cilësuar si: “Zbulim epokal”! Superlativa e tij nuk qe asgjë tjetër vetëm fabula për të përkryer veprën e tij. Marksi, pasi mbaroi veprën “Kapital” ia nisi Darvinit me nënshkrimin: “On the part of his sincere admirer, Karl Marx”. Në vdekjen e Marksit, në vitin 1883, bashkëpuntori Engels, do të thoshte: “Darvini, zbuloi zhvillimin e historisë organike, kurse Marksi zbuloi ligjin e zhvillimit të historisë njerëzore”. Por, Engels, harroi se vetë Marksi e pat pranuar, se ai ishte një plagjiator i Hegelit, me sa mbaj mend, ai shkruante: “ Filozofia e Hegelit ishte me kokë poshtë, unë nuk bëra asgjë tjetër vetëm se e ngrita atë me kokë lart”. Ai, jo vetëm që filozofinë e Hegelit e uli me kokë poshtë, por krijoi filozofinë e tij anti-humane, Marksizmin. Në fakt, si Darvini dhe Marksi, që të dy, nuk bënë asgjë tjetër, vetëm se ndërtuan një akuadukt qerpiçi (aqueduct) gjigant pa ujë brënda…
Meqë Marksizmi dështoi si teori dhe praktikë, i pranuar nga të gjithë tani, dhe prej vetë komunistëve dhe ish-udhëheqësit të komunizmit Gorbaçov, nuk ia vlen që të përsërisim ato që janë shkruar dhe stërshkruar,por do të merremi shkurtimisht me Teorinë e Darvinit, mbi Evolucionin. Teoria Darvinit, ndër vite lëvizi në formën e një zvarraniku që nuk e pranoi kurrë inferioritetin e idesë utopike. Ndër vite kjo teori u kundërshtua nga Katolikët dhe Muslimanët, biologët, shkencëtarët paleontologjistë, por tekstet e anti-njeriut vazhduan të molepsin botën, duke shkuar deri në atë masë sa njeriu të degradohet si rastësi gjenetike evolutative, nga shimpanzeja tek njeriu. Por, tezat dhe teoritë rrëzohen kur nuk bazohen në vërtetësinë silogjistike; prandaj dhe Dr. David Berlinski, e pati të lehtë të ballafaqonte tezën e tij me anti-tezën e Darvinit. Në mënyrë filozofike e shkencore ai hodhi poshtë “Teorinë e Evolucionit”. Përkufizimi i tij është kategorik: “Dogs stay dogs. Bacteria stay bugs”. Me këtë ai nënkupton se në mijëra vjet nuk shohim asnjë lloj evolucioni që nga fosilet e kafshëve deri tek bakteriet.Më pas hasim Prof. Stuart Burgess, që i bën një analizë organike shimpazesë dhe njeriut. Duke krahasuar ADN e shimpazesë me atë të njeriut, ndër të tjera ai shkruan: “Gene familiars are groups of genes that have similar sequences and also similar functions. Scientists comparing the number of genes in gene families have revealed significant differences between humans and chimpanzees. Humans have 689 genes that chimps lack and chimps have 86 genes that human’s lack. Such differences mean that 6% of the gene complement is different between humans and chimpanzees, irrespective of the individual DNA base pairs. Thus, the percentage of matching DNA is only one measure of how similar two organisms are, and not really a good one at that. There are other factors beside DNA sequence that determine an organism’s phenotype (how traits are physically expressed). Indeed, even though identical twins have the same DNA sequence, as they grow older, twins show differences in protein expression. Therefore, there must be some interaction between the genes and the environment.”
Shkencërisht njohim mutacioni i genit të ndarë në dy pjesë:
1-TRASHIGIMIA: Që vjen prej prindërve që është prezente përmes jetës së personit në çdo qelizë jetike të trupit. Këto mutacione quhen mutacione germline,sepse ata gjenden në vezët apo spermën e prindërve. Kur një vezë dhe qelizat e spermës bashkohen, rezultati i fertilizimit arrin ADN prej dy prindërve. Nëse ADN ka mutacionin prej fertilizimit të vezës është diçka brenda ligjësisë së species.
2-I FITUARI: Geni, ADN dëmtohet ose ndryshon, që do të thotë jo trashëgimtar, i fituar nga rrethanat e zhvillimit, si rrezet ultraviolet, spontaniteti, radioaktiviteti, nga agjentët kimikë. Në këtë rast nuk kemi kalim në gjeneratën tjetër.Vetëm mikrobet, mund të transmetohen në gjeneratën tjetër, por jo dëmtimet aksidentale të genit.Sipas testimeve të fundit të ADN ,ju mund të gjeni origjinën e paraardhsëve tuaj ku kanë jetuar një mijë vjet më parë.
Pra, ne shohim përpikmërinë hermetike të Krijuesit, që e mbron mutacionin e genit dhe nëse ajo dëmtohet aksidentalisht, nuk pasohet në gjeneratën tjetër. Siç shihet nuk kemi asnjë lloj deformimi, apo evolucioni as në brezin e parë që vjen pas, as pas njëmijë vjetësh…
Përpjekja tjetër e biologut Roland Fisher në vitin 1930, për të shartuar Mendelin me Darvinin, nuk bëri asgjë tjetër vetëm krijoi Neodarvinizmin e shekullit XX që nuk solli asnjë dobi shkencore, por vetëm ndërthurje të ripërsëritur. Ekzistencialisti, Soren Kierkegard do të thoshte: “Sa më pak shpirt ke, aq më pak ankth ke”! Kjo është dhe arsyeja e ideve kontraversale, se ato nuk kanë shpirt, nuk kanë ankth, nuk kanë dert çfarë i paraqet njeriut, lexuesit apo katedrës. Mendoj se, sa më tepër rri mjegulla, aq më shumë qëndron e fshehur ligësia…
Falë autorit turk Harun Yaya, Darvinizmi dhe Neodarvinizmi kanë marrë goditjen përfundimtare në Europë. Adnan Oktar (Harun Yaya), i paraqiti botës librin “Atlas of Creation” që përfundimisht, varros teorinë e Darvinit.Ai dhe pse i burgosur politik dhe i dërguar në çmendi për arsye politike, triumfoi mbi fallsitetin e shtetit, dhe dogmën e krijuar nga Darvini. Falë Harunit dhe Kishës Katolike, Europa ka zhveshur tani përfundimisht petkun e gënjeshtërt të evolucionit.Bota islame dhe ajo katolike në unison të plotë me njëri-tjetrin po mbrojnë vlerat universale të krijuesit dhe jo dogmën e Darvinit.
Harun Yahya thotë : “I always wonder why birds stay in the same place when they can fly anywhere on earth .Then I ask myself the same question”.
Pse Darvinizmi dhe Marksizmi janë ekuivalentë me anti-humanizmin?
Unë mendoj se, Darvinizmi si teori i bie ndesh vlerave krijuese estetike dhe simetrike të patjetërsueshme të Zotit. Marksizmi pasi përpunoi teorinë e tij, e futi botën në hullinë irreale, ku prej aty nxorri dogmën polimorfiste që infektoi miliona frymë, duke krijuar shkollën dogmatike ateiste me emërtimin komunizëm.Kjo shkollë nuk e pat për asgjë, që për hir të materializmit dhe internacionalizmit proletar të vrasë e të presë, të shtypë e të tresë qënien njerëzore në mohim!
Largimi i njeriut nga Darvinizmi dhe Marksizmi, e shkëput njeriun nga nihilizmi dhe mohimi, e zbut atë nga arroganca e dhuna, e largon nga injoranca dhe miopia. Kështu njeriu krijon lidhjen midis vetbesimit dhe besimit se ai nuk është një aksident, por preludi i jetës.

Filed Under: Analiza Tagged With: =Anti-humanizëm, alfons Grishaj, Darvinizëm + Marksizëm

Kosova s’ka kohë për të humbur

January 20, 2016 by dgreca

Nga Suzana Tahiri/
Ka disa kohë që protestat e dhunshme në Kosovë, të frymëzuara nga “Vetëvendosja” e dyshes Ymeri-Kurti, por edhe nga dy partitë e tjera (“Nisma” dhe “AAK”), kanë krijuar një gjendje ankthi dhe pasigurie në vend. Shkaku i këtyre protestave, sipas organizatorëve, janë dy marrëveshjet që Prishtina zyrtare ka nënshkruar me qeverinë e Malit të Zi dhe me atë të Serbisë.
Duke lënë mënjanë vlerësimin që ka bërë qeveria e Kosovës për këto protesta të dhunshme, aspak demokratike, faktori ndërkombëtar apo diplomacitë e vendeve më të zhvilluara euroatlantike (SHBA, BE) i kanë dënuar ato, madje kanë kërkuar që ndaj organizatorëve të veprojë drejtësia.
Mesazhi më domethënës rreth tyre e dha Sekretari Amerikan i Shtetit, Kerry që u fotografua me trupat e policisë në aeroportin “Adem Jashari” (pra që mbështeste përpjekjet e tyre për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend) dhe nuk u takua me asnjë nga drejtuesit e partive opozitare.
Natyrisht që marrëveshjet e qeverisë së Kosovës me dy qeveri fqinje nuk janë të përkryera dhe në një shtet normal demokratik ka rrugë të tjera (seancë pyetjesh me kryeministrin, padi në Gjykatën Kushtetuese, protesta paqësore gjithashtu në qendrat më kryesore, etj), por janë të papranueshme aktet vandale që na dëmtojnë të gjithëve.
Opozita në çdo demokraci, përfshi edhe në Kosovë dhe pikërisht tre partitë e sipërcituara, janë të domodoshme, por në çdo rast ato duhet të sillen si qytetarë dhe me kulturë demokratike. Asnjëherë nuk është vonë për t’i thirrur arsyes dhe për të qënë më konstruktivë duke u fokusuar më shumë në përparësitë që ka Kosova, për të cilat kanë përgjegjësi të përbashkët si pozita dhe opozita.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova s’ka kohë, për të humbur, Suzana Tahiri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT