Nga Fadil Lushi/
Që kur më lindi ideja për ta shkruar vështrimin e radhës, më mbërtheu për fyti ajo dilema e vështirë se ç’kryetitull t’i vë këtij artikulli. Që në fillim gjykova dhe thash se këtij vështrimi gjithsesi i duhet një emërtim paksa më “serioz” dhe, për këtë arsye, u detyrova ta “gjezdis rradaken” në kërkim të një të tilli. Thash se këtë mund ta gjej vetëm në mëhallën e “thashethemexhinjve”, atje ku njerëz të fiseve të ndryshme flasin ca toskërisht, ca të tjerë gegërisht, disa “otomanisht”, disa “shkinisht”, disa serbisht, bullgarisht, “kosovarisht” e greqisht…; mendova se këtë do ta gjej atje ku njerëz të kombeve dhe feve të ndryshme flasin me hundë, përçart, kot, shtruar…, atje ku njerëzit flasin në hava, atje ku “insanët” flasin me shaka, atje ku njerëzit flasin me zemërim, atje ku flasin me veten a jerm, andej ku njerëzit flasin nëpër dhëmbë…, atje ku njerëzit flasin me këmbë e me duar, disa me thumba, mbarë e prapë e tjera të folme…, ashtu pa e respektuar standardin. Në fund, pa pyetur njeri, vendosa për këtë të lartpërmendurin, pavarësisht se redaktorët mund të mos pajtohen me renditjen logjike të “llafeve” në fjalë.
Po e fillojmë me deklaratën e zëvendëspresidentit të White Star Line, Philip Franklin, kompania që kishte në pronësi anijen e luksit gjegjësisht Titanikun, e cila tingëllon kështu: “Nuk ka asnjë rrezik që Titaniku të mbytet. Kjo anije nuk mund të mbytet”. Këto fjali euforike kanë mbetur në histori, jo për vërtetësinë e tyre, por për faktin tragjik se treguan se sa të pabaza ishin. Anija e nisi udhëtimin e saj të parë më 10 prill të vitit 1912 nga porti i Southamptonit në Angli dhe ishte drejtuar për në Nju Jork. Çuditërisht, Titaniku pikërisht në 14 prill të motit 1912, do të përplaset me një ajsberg dhe do të përmbyset, por para se të mbytet Titaniku, banda frymore me tetë anëtarë vazhdoi t’u binte veglave pavarësisht kaosit të krijuar në anije. Sipas shumë dëshmive, mendohet se “Nearer, My God, to Thee” ishte muzika e fundit e interpretuar prej tyre… Bandë frymore e Titanikut as që e kishte ndërmend të merrej me “sëkëlldinë” e pasagjerëve që ballafaqoheshin me trishtimin se po përfundonin në ujërat e ngrira e të ftohta të Atlantikut”. Besojmë se do të na lejohet të vazhdojmë me (mos)Marrëveshjen e Përzhinos si dhe me “dirigjentin” Johanes Han, përndryshe Komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, i cili kur ditë më parë “zbarkoi” në Shkup, me vete “kishte pasur dy palë brekë, një kollare të kuqe, dy palë çorape bojë jeshile, një brushë dhëmbësh dhe çka jo tjetër”. Gojëkëqijtë, thonë se “pizhamet e holla verore prej mëndafshi me pika të kuqe, gjoja z. Han i paskësh harruar në Bruksel!”. (Këtejpari në Tetovë, thonë se sipas fesë dhe Kanunit, burrit a mashkullit i ndalohet të veshë gjëra nga mëndafshi?). Hajde tani ti, lexues im i nderuar, a mos vallë këta gojëkëqijtë dhe thashethemexhinjtë nuk meritojnë t’u thuash: “He, mor debilë, a nuk merrni vesh çfarë thuhet apo ju duhet dajaku!?…, po me ç’të drejtë këtij njeriu i shtoni gjëra të paqena…, po pse fusni turinjtë në strajcën e tij”.
Prania e (pa)nevojshme e Hanit në Shkup, sipas disa opinionbërësve opozitarë, të krijon përshtypjen se është vetëm një “idiotësi e bukur” për shqiptarët në hall e në nevojë…, sikur Hani shqiptarëve do t’u thotë: hiqni dorë nga ideja për Shqipëri natyrale, sikur maqedonasve do t’u thotë: harrojeni shtetin tuaj biblik, sikur të gjithëve do t’u thotë: hiqni dorë nga shpresa evropiane, sepse ajo ka një furgon probleme dhe telashe me “hordhitë me ngjyrë”, që çdo ditë ia mbysin a zaptojnë hapësirat e saj. Komisari Han, sikur shqiptarëve po edhe maqedonasve, do t’u thotë se “ju jeni shumë të dashur, ju jeni shumë të bukur, ju vërtet jeni shumë mikpritës, ju keni vuajtur shumë, ju jeni bërë telef karshi zaptimit të pushtetit me forcë a me hile…, por ama jeni: të papërmirësueshëm dhe së fundi jeni dembelë anekdotikë!?”. Ky zotëri Hani, politikanëve maqedonas sikur do t’u thotë se Marrëveshjes së Përzhinos i mungon ajo banda frymore e Titanikut, sikur do t’u thotë se edhe këtë që e keni nuk është as për “dynja e as për ahiret”, sikur kjo bandë frymore bën muzikë a politikë tallava, allaturka a orientale, sikur kësaj bande i mungojnë instrumentet frymore “allafrënga” (oksidentale), sikur kësaj bande i mungon “qemania e Paganinit” e të tjera instrumente. Ky komisari Han sikur thotë se “anijes së Përzhinos i mungon parimi detar që thotë se kapiteni mbytet së bashku me anijen, ashtu siç ishte kapiteni i Titanikut, Edward Smith, i cili qëndroi deri në fund në bord”…, sikur politikës së Maqedonisë i mungon një kapiten i tillë si Smith-i, sikur ky komisar Hani kishte ardhur në Përzhino të këndojë psalme për shpirtin e…, sikur kishte harruar se nuk mund edhe të këndosh po edhe të dirigjosh njëkohësisht… dhe, si duket, ky Hani pret të shohë se kush kujt do t’ia fusë…, duke harruar se këta ballkanas ,në veçanti shqiptarët, do t’ia fusin këtij “hilexhi komisari”.
Ky komisar Hani sikur kishte ardhur në Shkup për t’u shpallur “luftë kanibale” shqiptarëve të padëgjueshëm, sikur kishte ardhur në Shkup që bandës frymore të Përzhinos t’i tregojë se tenxherja me presion, të cilën e përdorin për të zier gjellë a tavë-turli, ka gjymtime serioze…, gjegjësisht e ka të dëmtuar valvulin, respektivisht vrimën nga del avulli. Kishte thënë: kini kujdes se ajo mund të shpërthejë…, sikur kishte ardhur në Shkup për të “ndërtuar një azil për politikanët e rrjedhur nga mendja”…, sikur kishte ardhur në Shkup që të konsultohet me njeriun i cili “merret me studimin e anatomisë së bythës së pleshtit me hemoroide”…, sikur kishte ardhur në Shkup ta pyesë leshaxhiun nga… se leshi maqedonas a mund ta mbrojë trupin e njeriut nga i ftohti dhe a mund të lahet leshi në legen në mungesë të banjës a dushit…, sikur kishte ardhur në Përzhino për ta bindur atë bostanxhiun nga…, që ta pranojë dhe të pajtohet me vendimet e marrëveshjes së Përzhinos…, sikur bostanxhiut i kishte treguar se minjtë e kopshtit zoologjik të Brukselit nuk i fusin kollaj hundët a turinjtë në çdo vrimë… Kjo ardhja e Hanit në Maqedoni më përngjan njësoj si puna e atij dhëndrit që i kishin rënë flokët, po i cili, për qejf dhe për hatër të nuses së re, dikur kishte mëtuar të bënte kaçurrelat midis ballit të tij. Sikur ky Hani kishte ardhur në Shkup që shkupjanëve t’ua mësojë ato urdhrat ushtarakë, siç janë: gatitu!, prapa kthehu!, majtas kthehu!, djathtas kthehu!, shtrihu!, ngjitu lart!…, e të tjera urdhëresa ushtarake…, se këto politikanët do t’i mësojnë nga shteti i Maqedonisë, Hanit hiç nuk i ha palla…, aq më tepër kur ai e di se hapësira e të bërit politikë konstruktive këtejpari, dita-ditës po ngushtohet dhe po zbehet, ndaj Komisar Hani për këtë është i ndërgjegjshëm këmbë e krye.
I gjithë ky ndërmjetësim i Brukselit me në krye Komisar Hanin bëhet për hir të faktit që në të ardhmen të mos përsëritet nëpërkëmbja e votës së sovranit, të mos përsëriten inatet a edhe qejfet e politikanëve, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë kuptim për mëhallët e tyre!? Të mos përsëritet anashkalimi i votës së sovranit, që vota e gjithsecilit të mos konceptohet si e porositur, e kurdisur, e vulgarizuar, e denigruar, të mos nëpërkëmbet, të mos konceptohet si e kornizuar a edhe si e mohuar. Dhe që kjo votë e sovranit të jetë popullore, qytetare, personale, racionale dhe demokratike, në asnjë mënyrë nuk duhet të ngacmohet! Se nuk do të ngacmohet e drejta e votës së sovranit, unë dyshoj. Se unë nuk besoj, u betohem në kokë të sorrës…, dhëntë Zoti që kleri të mos ma dëgjojë këtë gënjeshtër se ndryshe do më shkruajë gjynahe!
Kur doganierët turq hidhërohen dhe ngatërrohen me turistët rusë, thonë: “Sikter Boris!”.
Archives for January 2016
Në 100 Vjetorin e Dr.Lazer Radit, rinisim një melodi të pakëndueme
*(Bardit të kulturës shqiptare që u burgos dhe u internua familjarisht për 50-të vjet)/
*Gladiatorë, Gjamët e urrejtjes mbi ju i kam derdhë/ jo për fatin e keq të skllavit/ as për mallkimin e ndëshkimit/ veç për atë qëndrim të ulët/ të nënshtruem e lajkatar/ atje poshtë në fund të arenës:/ Ave Cesar/ Ave Cesar!-Dr.Radi/
Nga Keze Kozeta Zylo/ New York/
Deri më sot nuk kam pasur ndonjë mik me moshë 100 vjet dhe kaq të afërt sa Dr.Lazer Radi që pikërisht në këtë datë më 29 Janar, 2016, të shënojë 100 vjetorin e lindjes së Tij.
Eshtë një memorje sa e bukur, po aq dhe ngjethëse në tërë kuptimin e fjalës, sepse kujton një shkrimtar të burgosur, internuar, përkthyes, publicist, gazetar, një burrë me plot elegancë dhe sqimë në të parë dhe të vepruar, një shqiptar që i peshonte fjala sa kalaja e Prizrenit, nga dhe kishte origjinën.
Duke e kujtuar sot nga dritarja me xhamat e akullt që sjellë refleksion me bardhësi bore nga Nju Jorku më duket sikur jam në një botë të ëndërrt, mistike, të pakapshme që gati gati kam takuar një shenjtor, Hyjni ardhur nga një planet tjetër, nga një planet që e krijonin vetëm ky soj njerëzish të rrallë si Dr.Lazer Radi.
Nuk e di pse më duket e çuditshme por edhe me shumë fat, që kam takuar një burrë gjigand që kishte jetuar Ferrin krijuar nga diktatura më e egër europiane, e cila e kishte burgosur dhe internuar për tërë jetën. Ai vinte nga ferri që dhe vetë Dantja mund të çmendej në se takohej me Dr.Radin, dhe me siguri do të krijonte rrethin tjetër të Ferrit ndoshta të quajtur, rrethi i zi hoxhist…
Une ishja një mesuese e thjeshtë në Tirane plot ëndrra të fshehta dhe reale, një mësuese që më kishte sjellë fati në kryeqytet, sepse vija nga rrethi i nje lloji tjetër skllavërimi si ai i fshatit, me nje barrë dhimbje në shpinë që e kam akoma si gungë, punën e rëndë të nënës sime, etj…, njohja imtësisht me Tiranen dhe fshatin, dallimet esenciale midis, ndoshta të gjitha këto dhe shumë ëndrra imagjinare më bën që të mbështetja energjjikisht demokracinë me të gjitha mundësitë e mia dhe të familjes sime…
Si në ëndërr kishja takuar njeriun që ishte mbyllur në rrethin e ferrit komunist, njeriun me botë të jashtëzakonshme, njeriun plot kulturë qytetarie. Ishte një ditë e mjergullt tirane nje ditë nga ato që lulet ndezëse të saksive kishin dhe pak ngjyrë meiti të pemëve të mimozave të bulevardit që dukeshin si llambushka të verdha ndriçimi dhe që bënin dritë në verbërinë kryeqytetase…
Takimi me Dr.Radin pranë shtëpisë së tij me qira nën hijen e një pjergulle me gjethe jeshile dhe disa pika me ngjyrë bakri midis, të krijonte përshtypjen se po takoje herë Sokratin dhe herë De Radën e mërguar, që tri shkronjat e para të mbiemrit si prej Perëndie i kanë të përbashkëta…
Ishte nje takim i lidhur nëpërmjet Partisë Demokristiane të Shqipërisë e cila ishte e treta pas demokratikes dhe republikanes dhe që ngelet plot kujtime sfiduese në radhën me të tjerat. Momentin e parë të prezantimit e kam shumë domethënës, por s’do të thotë se mund të jetë vendimtar për miqësi, por tek Dr.Radi ngeli vendimtar. Ai dukej si një shtegtar, si Krishti që zbriti në varr dhe pastaj erdhi ringjallja e tij. Ndonëse Dantja në Ferr kishte për udhërrëfyes Virgjilin, shqiptari Radi kishte për udhërrëfyes librin, diturinë që ja mbajtën shpirtin plot jetë dhe dritë.
Me këtë dritë si rreze dielli që vinin nga shpirti i një njeriu me botë të lirë sa vetë qielli u ndriçua sadopakëz tuneli i errët dhe i pafund ku kishim rënë.
Ai vinte nga Savra e Lushnjës, në fund të viteve 90-të nga izolimi total që iu kishte bërë regjimi hoxhist, ai vinte midis nesh si një stinë pranvere që po shpërthente pas një dimri të egër dhe të gjatë…
Artikujt e shumtë publicistik, përkthimet, librat që botoi, kujtimet historike dhe letrare si me Migjenin, “Misteret e një ministri”, “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, e shume të tjera jane një arkiv historik që koha do t’i përzgjedh dhe do t’i vendosë në bibliotekën elitare.
Prizreni ky vend qytetërimi i familjes dhe lindjes së tij, por mjerisht rënë nën kthetrat e krimineleve serbë i detyruan prindërit e tij të largoheshin pranë nënës Shqipëri në Tiranë. Sa me nostalgji i kujtonte plaku i ditur mësimet e gjimnazit në Shkodër si dhe gjithë shoqërinë që kishte përjetuar me ta.
Pasi diplomohet në gjimnazin e Shkodrës merr bursë për të vazhduar për drejtësi në Romë. Kujtimet e një djaloshi simpatik për unviersitetin dhe miqësinë me studentët ishin tejet mbresëlënëse.
Nga kujtimet dhe takimet e shumta kishja se çfarë të mësoja nga Dr.Radi, por ajo që do të më befasonte më shumë ishte se nuk dëgjova apo të ndjeja njëherë urrejtje nëpërmjet rrëfimeve dhe komenteve të tij. Ai ishte njeri i ligjit, jo vetëm që luftonte për drejtësinë e ligjit kudo, por njëkohësisht kishte mbaruar në një nga vendet perëndimore për drejtësi, pavarësisht se diktatura nuk e la ta ushtrojë. Sigurisht që i dhimbte gjer në eshtër vuajtja, burgu, mungesa e lirisë, sidomos izolimi për fëmijët që ishin jeta dhe ëndrra e tij. Dhe ja se ç’shkruante në librin “Muret e Muzgut”: Vajto çastin e humbun,
dhe fjalën e shterrun, vajto dritën e ndalun/ dhe nderin e shkelun, vajto lirinë e varun dhe dhe shpirtin e bjerrun/ dhe mbas shgrehjes në vaj/ eja/ shkundma dremitjen n’ përqafje, ta rrokim buzëqeshjen/…
Takim i parë letrar pas internimit me gjimnazistët e Tiranës
Nje ditë si mësuese e letërsisë e ftova të vinte në gjimnazin “50 Vjetori” pranë nxënësve të klasës sime kujdestare për një takim letrar. Ishte një takim impresionues një takim që zgjonte kërshërinë e nxënësve që ishin në moshën më të bukur të jetës së tyre. Dr.Lazër Radi u prit me duartrokitje nga klasa dhe për ta ishte hera e parë që bisedonin me një shkrimtar të dënuar politikisht. Biseda e tij e shtruar solli një kuvend të bukur letrar, solli në memorje dhe vitet e gjimnazit të tij në Shkodër, ëndrrat e tij të kahershme që s’u realizuan kurrë. Ai e filloi bisedën se ndihej i gëzuar që ndodhej midis të rinjve dhe ishte hera e parë që promovonte librin “Muret e Muzgut” pas daljes në Liri. Studentja e shkëlqyer Merita Gjeçi e cila dallohej në gjimnaz për njohuritë e saj të jashtëzakonshme tha se libri “Muret e Muzgut” do të ngelet për të gjithë në një nga librat më të dashur dhe më të bukur dhe nëpërmjet tij do ju kujtojmë përgjithmonë. Ajo u shpreh metaforikisht se nuk do të keni më ngricë harrese sikundër dhe shkruani në liber si: Atje pёrfund stinёve tё mia/ ku nuk shkel askush/ bie bora e harresёs…
Gjithë akumulumin e tij me rremba gjaku kulture, brenda jetesës me pranga në duar, por me shpirt të lirë ai i hodhi në letër të bardhë, ai hodhi botën e tij të lirë, atë botë që vetëm Hyu e ndjente si dhe nje cicërimë zogu që ndalonte në një kërcell peme që ishte vaji dhe gazi i tij siç do të kujtonte vazhdimisht në paralelizmin figurativ të bisedimeve.
Nxënësit duke e dëgjuar rrëfimin e tij me një elekuence të mahnitshme e cila të kujtonte një nga baballarët e ndërtimit të shtetit amerikan Benjamin Franklin i cili ka thënë: “If you would not be forgotten as soon as you are dead, either write something worth reading or do things worth writing”, që do të thotë:
“Në qoftë se ju nuk doni të harroheni para se ju te vdisni, shkruani gjëra që ja vlejnë të lexohen, ose beni gjera që ja vlejnë të shkruhen”.
Ai rrëfente për çka kishte përjetuar, rrëfente tmerret dhe vuajtjet e pafundme në burg nga xhelatët që njihnin vetëm gjuhën e kërbaçit. Rrëfente për qelitë e errta, të ftohta, të ngushta, të mykura ku rrinin të burgosurit dhe kujtoi: “E kush e merrte me mend se unë dikur miku i Migjenit do të vajtoja nën buzë kangën e të burgosunit të shkruar nga ai si: “Nëpër hekra të kryqzuem të dritares seme/ shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë/ edhe shof diellin sa një pare serme/ aq larg asht qielli nga e emja gropë”…
Sa dëshirë kishte të takohej me njerëzit, të bisedonte me ta dhe të shprehte lirshëm cfarë ndjente! Sot kur e kujtoj atë takim të paharrueshëm letrar me një njeri që vinte nga bota e burgosur më vjen keq që nuk kishim nje aparat fotografik, më vjen keq që varfëria e tejskajshme ndihej kudo…por sidoqoftë ai ngeli i paharruar në memorjen e gjimnazistëve.
Rinisim nje melodi të pakëndueme…
Duke pritur me emocion vitin e 100-të të Dr.Lazer Radit ku Hëna me reflekset e magjishme blu shtrihet mbi dëborën e virgjër të ballkonit, para syve të mi ngrihet madhërishëm si një lis me abetaren në duar, binomi prizrenas. Skulptura e ndërtuar enkas për të në imagjinatën time ngrihet në zemër të botës në Parkun qendror në Manhattan siç kanë vendin dhe shumë të tjerë ndërmjet tyre dhe Robert Bërns, poeti kombëtar i Skocisë, ndonëse mjerisht duam shekuj t’i ngjasojmë Skocisë për të çmuar vlerat kombëtare dhe për të hedhur në kosh antivlerat.
Dhe në faqen e hapur të librit në skulpturë do të desha të shkruhej poezia e tij
“Ave Cesar” shkruar në internim në Savër të Lushnjes në vitin 1982. Dhe ja poezia e Tij: “Gladiatorë/ Gjamët e urrejtjes mbi ju i kam derdhë/ jo për fatin e keq të skllavit/ as për mallkimin e ndëshkimit/ veç për atë qëndrim të ulët/ të nënshtruem e lajkatar/ atje poshtë në fund të arenës:/ Ave Cesar/ Ave Cesar!
Dhe ecën imagjinata ime poetike për t’i nxjerrë nga qelitë e ftohta me gojë të ngrira qeveritarët e kulturës që kanë mbyllur zemrat e tyre me dryn të ndryshkur dhe heshtin… Eci dhe dëgjoj zërin e një juristi, studjuesi, eseisti, gazetari, përkthyesi që nuk meket kurrë. Edhe Ai ecën, ecën me libër nëpër Manhattan, dhe bëhet këngë lirie, hark vetëtime në botë…
Ti je bard i kulturës kombëtare, ku mund të kuvendohet burrërisht në odat e shtruara me qilimat me ngjyrat marramendëse, ti i le popullit tënd lehonë në shekullin e ri, djepin me shqiponjen e lirë dhe ne këndojmë këngët e pakëndueme këngët që t’i kemi borxh përjetësisht… Ti je prijetar që ndalon tehet e bardha të thikave mbi kokat e zogjve dhe ecën përpara me ballin që praron vetëm fllad lirie, edhe pse shtëllunga mjegulle të zeza ende fshihen pas plisit tënd të bardhë si bora e bjeshkëve. E në këtë fantazi me ëndrrat e tua mbush qiellin me yje zjarr. Në qerpik të yjeve zë rrënjë dhimbja që bëhet mal.
Në këtë 100 vjetor fjalët shqip në librat e tu më bëhen jehonë që vijnë nga bjeshkët e nëmuna ndërsa ti si Pëllumb Paqeje fluturon për të takuar miqtë e besës dhe tund kujtesën mjerisht të ndërtuar mbi themele harrese… Në këtë përvjetor me fjalën e parë shqip që ju kujtoj, është poezia e shkruar nga ju me titull “Abetarja”, që është libri i shenjtë i shqiptarëve. Dhe ja disa vargje të saj: “Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/”.
Në këtë 100 vjetor ndez një qiri në shenjë përshpirtjeje të përëndishme e lutem në shenjtërinë e fjalëve si para një shenjti dhe bëhem manushaqez naimjane e mpitë dhe e qetë.
Çdo shkronjë në librat e tu është frymë, është ajër, është metaforë e gjelbërt, si sytë e vashës që të kishin magjepsur në rininë studentore.
Ti qëndron si ciceron nëpër muzeume dhe rrëfen historinë sa tragjike dhe të bukur të kombit tënd. Ecën nga njeri pavion në tjetrin me një trok shekulli të pandalur dhe pas një pushimi zanor lëshon në qiell një tufë pulëbardhash për të ikurit si ty, për të ikurit prej Soi.
Petalet e shpirtit tënd puthin me mall që djeg zhur, gërmat e ndritura shqipe, dhe rinisin një këngë që s’do të mbarojë kurrë. Së bashku rinisim një melodi të pakëndueme, një melodi kujtese që çan gjokset e maleve hijerëndë.
29 Janar, 2016
Staten Island, New York
LIRIA E PENES
Nga Skënder S.KAPITI*/
Vetëm mediat kritike dhe shkrimtarët, intelektualët dhe filozofët e guximshëm dhe kritikë nuk mbrojnë të këqijat dhe nuk ndoten nga pisllëku i politikës së pamoralshme dhe nuk shiten nga interesi.Askush nuk mundet sot t’i shpëtojë monitorimit dhe kontrollit kritik, e sidomos personat dhe institucionet publike që financohen nga taksat e popullit dhe sidomos sidomos ata që abuzojnë, vjedhin e grabisin paranë publike dhe që bënjë tradhëtinë e interesave kombëtare.
E ndjek median, sigurisht më shumë atë të shkruar ku aty gjen vend ajo të cilën filozofi më i madh i modernitetit Immanuel KANT e quan “Liria e penës”, pasi media vizive më shumë reklamon veten dhe jep informacione te interesit të vet si bashkëpunëtore e politikës dhe pazareve me bizneset, është videopushteti që manipulon dhe selekton informacione sipas deshires se politikës dhe pushtetit. Te mediat e lira e të pavarura qe janë shumë pak, 2-3 gazeta në Shqiperi dhe shumica e tyre jasht saj, dhe fatmiresisht që ka të tilla ku më shembullorja është gazeta më e vjetër shqiptare “Dielli”, 107 vjecare e themeluar nga shqiptarët e mëdhenj Noli e Konica, dhe që ka luajtur rolin kryesor në zgjimin dhe ndërgjegjsimin për atdhedashurinë, lartësimin e krenarisë kombëtare shqiptare në perëndim, për lirinë dhe demokracinë shqiptare . Media të tilla kritike dhe edukative na mundesojne ta shohim realitetin më realisht dhe sipas këndvështrimeve të ndryshme dhe të lira, si gjykim dhe vleresim që vjen nga intelektualë të ndryshëm të cilët ashtu si dhe keto media i përshendes dhe i respektoj shumë. Por kritika e vërtetë intelektuale që i mundësohet mundësia që të paraqitet në media, moralisht si e tillë, kundërshtarin më të madh sot ka politikën, së cilës nuk i pëlqen kritika e të tjerëve por vetëkritika mashtruese e djallëzore e saj për gjëra të vockla e të parëndësishme.
Sot pothuajse politika ka pëvetësuar gjithçka, pasi merret me gjithçka dhe pretendon se zgjidh gjithçka, madje pretendon që edhe të shkuarën mund ta ndreqë politikisht ajo. Ky është banaliteti dhe mashtrimi më i madh i politikës. Prandaj është e domosdoshme kritika intelektuale e guximshme dhe e moralshme, mendimi kritik i pakorruptuar i saj për t’ju kundërvënë fuqisë së pushtetit të politikës e cila e fsheh të vërtetën , të drejtën dhe realitetin duke hipokrizuar me djallëzi se gjoja po ndjek modën demokratike. Kritika, kuptohet jo kritika negative, dhe jodashakeqëse, dhe jodjallëzore i shërben emancipimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe lirisë, dhe që askush nuk mund të jetë i përjashtuar dhe i pakritikueshëm, pasi askush dhe asnjë njeri nuk është i pagabueshëm, i paanshëm dhe i pandikueshëm nga jeta, shoqëria dhe nga interesi i vet. Edhe ai që filozofon dhe që është i dijshëm dhe që kritikon, edhe ai, edhe veprimtaria e kritika e tij do të gjykohet dhe do të kritikohet. Kritika është rruga filozofiko-intelektuale që ka bërë dhe i hap rrugën lirisë së vërtetë dhe çmitizimin, çdogmatizimin dhe rënien e prestigjit dhe kulteve të rrejshme, të pamerituara dhe të mashtrimeve.
Edhe heronjtë sado të mëdhenj që të jenë ata nuk janë shenjt dhe të pagabueshën, sepse gabimi është i pashmangshëm për natyrën njerëzore, dhe po nuk njohëm gabimet, si ato personale po dhe ato të të tjerëve do të binim lehtë pre e fanatizmit, servilizmit dhe nënshtrimit që janë vese shumë të ulta sidomos për intelektualizmin. Jo shumë kohë na ndan kur intelektualizmi shqiptar ishte pronë dhe në shërbim krejtësisht të politikës dhe indoktrinimit ideologjik komunist, duke përfshirë mediat, po se po, po edhe artistët, shkrimtarët dhe akademikët e Realizmit Socialist dhe të lartësimit të kultit të Diktatorit E.Hoxha. Një prej tyre dhe më kryesori ishte dhe I.Kadare, të cilit nuk mundet askush t’ja pastrojë dhe fshijë biografinë letrare meritore të realizmit socialist, as këta politikanët, artistët , shkrimtarët e bashkëkohësit e vet, ashtu sikurse edhe nuk mundet t’i mohohet veprimtaria letrare e paskomunizmit. E mora si shëmbull Kadarenë se ashtu është pothuajse tërë moria intelektuale e Epokës së Regjimit Komunist se kushdo qoftë ai që i ka shërbyer me zell shpirtëror dhe intelektual atij regjimi nuk mund t’i shmanget kritikës së kohës sepse rrjedha e saj të bën gjykimin, dhe kushdo që i ka shërbyer politikës dhe regjimit të keq, të paktën edhe ai është njollosur bashkë me regjimin, dhe askush nuk mund t’ja fshijë njollosjen intelektuale të veprës së tij, por shoqëria mund t’ja falë mëkatin këtij intelektuali dhe bashkëkohësve të tij nën “Justifikimin” e kushteve që ja kane imponuar të shërbejë shërbëtori dhe shërbëtorët e tjerë intelektual të ish-Regjimit. Të tillë intelektualë servilë e puthadorë të pushtetit dhe media të tilla ka edhe sot në Demokraci, që i bëjnë fresk çdo ndërrimi të pushtetit qoftë edhe për një interes të vogël personal, gjë që konstatohet me shumë lehtësi sot në Shqipëri, ku një shumicë mjaft e konsiderueshme e intelektualëve sidomos e ata me formësim nga ishkomunizmi dhe trashëgimtarët e tyre, tërë media vizive dhe e shkruar pothuajse, me pak pëjashtime janë blerë dhe janë zgjatime e zëdhënës të politikës. Nuk janë media të lira, të pavarura, kritike e opozitare kundër të këqijave ato media të cilat i mbyllin ekranin dhe botimin e analizave dhe opinioneve qoftë nga egoizmi dhe xhelozia intelektuale po edhe pse ato kane ndonjë paragraf apo ndonjë rrjesht që nuk i pëlqen pronarit, redaktorit apo që i ka prekur politikanin apo politikën e “zëmrës” së tyre. Pasi unë njoh individe prej mediave të shkruara e të pavarura të pakta në Shqipëri dhe të shumta jashtë saj: profesorë, shkrimtarë, poetë , akademikë dhe intelektualë e profesionistë të talentuar që politika i ka privuar ata nga aktiviteti politik, por që po nga ndërhyrja e politikës ju ka pamundësuar edhe promovimi i tyre dhe i veprave të tyre letrare dhe akademike, shkencore dhe politike edhe nga media shtetërore po se po , por edhe nga ato media që me demek e mbajnë veten private dhe të pavarura nga politika dhe pushteti.
Por, çdo epokë, sistem e regjim dhe personalitet e personazh historik, politik, akademik, letrar, publik të çdo kohe gjithnjë do t’i nënshtrohen gjykimit dhe kritikës sidomos gjatë kohes në të ardhmen dhe askush nuk është jasht vëzhgimit, hetimit madje as edhe paragjykimit. Në fund të këtij shkrimi të shkurtër them se media kritike, kritika dhe kritika e kritikës pozitive intelektuale duke përjashtuar egoizmin negativ dhe xhelozinë intelektuale, që mundësohen dhe këto të publikohen në median e lirë dhe të pavarur janë shërbëtorët dhe rojtarët e së mirës, progresit, demokracisë dhe të patriotizmit. Askush nuk ka në pronësi kritikën e pakritikueshme, dhe çdo kritikë do të përballet me kritikën kundër saj. A nuk ishte komunizmi një ideologji që nuk lejonte dhe nuk pranonte ndryshimin dhe kritikën, dhe si i tillë premtoi parajsën tokësore dhe kokëfortësia, dhe fanatizmi ideologjik i “pagabueshmerisë” dhe genjeshtra e tij solli sketerrën, dhe sot koha e pas tij është dhe vazhdon t’i bëjë ish-komunizmit gjykimin dhe kritikën më të madhe në histori për pasojat rrënimtare që i ka sjellë ai njerëzimit dhe sidomos shoqerise shqiptare.
*Durres, autor i librit “Triumfi i Kombit”
Ministri Ksera, arrestohet me akuzë për vjedhjen e 30 mln lekë
Qeveria Rama ka kaluar nga akuzat per ministrat e Qeverise paraardhëse tek arrestimet. I pari bie në rrjetë Ish Ministri Ksera. Policia ka ndaluar mbrëmjen e se remtes ish-ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Ai akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën.
Mësohet se ndalimi i ish-ministrit Spiro Ksera është bërë gjatë një aktiviteti në Gjirokastër, me urdhër të Prokurorisë.
Spiro Ksera është arrestuar pasi akuzohet për shpërdorim detyre. Bëhet me dije se ai akuzohet për një tender me vlerë 30 milion lekë dhe këtë e ka bërë një ditë para se të linte detyrën si ministër.
Dyshohet se bashkëpunëtor me Kserën është edhe ish-drejtori i Kabinetit Klevis Bitro, i cili aktualisht ndodhet në burg për vepra të tjera penale. Mësohet se Ksera ka abuzuar, pasi ka shënuar sikur janë bërë disa aktivitete për romët, të verbrit dhe moshën e tretë, por që realisht nuk ishin organizuar.
Ndërkaq, në pranga ka rënë edhe një person tjetër, Artemis Mene, gjithashtu ish-punonjës në ministrinë e Kserës. Ndërsa, bëhet e ditur, urdhër arreste janë lëshuar edhe për disa persona të tjerë të cilët janë në kërkim nga policia.
Hetimet, por edhe kallëzimet në ngarkim të Spiro Kserës dhe vartësve të tij kanë qenë objekt i shumë denoncimeve të bëra në vitet e fundit, si nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ashtu edhe nga pasardhësi i tij në postin e minstrit, Erion Veliaj.
Spiro Ksera ka mbajtur postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale në kohën e qeverisë Berisha.
NJË DEKADË MË PARË ISMAIL KADARE PARALAJMËROI RREZIKUN E TERRORIZMIT
– Shqipëria është një vend që rrezikohet seriozisht nga terrorizmi, ndaj luftën kundër tij mund ta konsiderojë si luftë të saj dhe për interesat e saj. Nga ana tjetër, miqësia me ShBA-të mbetet faktor i rëndësishëm në të gjitha rrafshet: politike, ekonomike, të së ardhmes së Kosovës./
– Nga përvoja e hidhur e “miqësive” ose më saktë kinsemiqësive të kaluara, Shqipëria duhet megjithatë të nxjerrë një mësim themelor. Miqësia e një vendi të vogël demokratik evropian, siç është vendi ynë, s’ka asgjë të përbashkët me sjelljen e sejmenit. Psikologjia e sejmenit karakterizohet nga një ndjekje e verbër ndaj të zot, qoftë edhe kur bie ndesh me interesat e veta./
-Shteti shqiptar duhet të ruajë kështu drejtpeshimin dhe balancën natyrale të tri besimeve, të vendosura prej shekujsh në Shqipëri. Ky drejtpeshim është i njëmendtë dhe nuk është një shpikje poetësh. Të tre fetë kanë të njejtin legjitimitet./
– Në këtë kah shteti duhet të ndalojë revizionimin e historisë kombëtare sipas interesave të njerit apo tjetrit besim. Një shtrembërim i tillë u nxit sidomos vitet e fundit nga propaganda serbe. Për të përligjur dëbimin e shqiptarëve si banorë të rrënjës (autoktonë) të gadishullit, u bënë përpjekje që teza e autoktonisë të shpallej nacionaliste, ose të zëvendësohej nga teza e ardhjes dhe vendosjes së shqiptarëve në Kosovë prej perandorisë otomane. Kjo gënjeshtër serbe përkon me tezat e disa islamistëve arabë e shqiptarë sot./
***
Nga Dalip Greca/
Në optikën e prijësit të letrave shqipe, Ismail Kadare, rreshtimi i Shqipërisë në krah të Amerikës dhe Anglisë, vlerësohet si një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur. Rreshtimi i Shqipërisë në këtë krah përkon me interesat madhore të kombit. Nga ana e moralitetit ky rreshtim riprodhon mirënjohjen tradicionale për SHBA-të, të cilat në fillim të shekullit të shkuar kundërshtuan copëtimin e saj dhe në fundshekullin që u mbyll, luajtën rolin kryesor në çlirimin e Kosovës.Unanimitetin e shqiptarëve për të ndërhyrë ushtarakisht kundër Irakut, Kadare e shpjegon me faktin se jo shumë kohë më parë, gjithë shqiptarët, kudo që jetonin, prisnin me ankth ndërhyrjen ushtarake, për t’i dhënë fund masakrave në Kosovë dhe regjimit kriminel serb të Millosheviçit, aq shumë të ngjashëm me atë të Sadam Hyseinit.
Në këtë intervistë Kadare flet me shqetësim për tendencën që vihet re për të mbjellë përçarjen fetare.
Shkrimtari na kujton se formula shqiptare e gjertanishme e vendosjes së kombit mbi tre besimet fetare të tij ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vetmja formulë e pranueshme.
Një pjesë të rëndësishme të intervistës e zë mendimi i shkrimtarit për gjuhën kombëtare shqipe….
Si e gjykoni qëndrimin e Shqipërisë në krahun Anglo – Amerikan, në acarimin e sotëm?
Kadare: Mendoj se zgjedhja që ka bërë Shqipëria ka qenë e drejtë. Në raste si ky, zgjedhja politike diktohet nga gërshetimi i detyrimeve morale dhe interesat e vendit, duke përfshirë dhe ato pragmatike. Renditja e shqiptarëve në krahun e Evropës Atlantike (një Evropë që nuk mund të konceptohet e ndarë nga ShBA) përkon me interesat madhore të vendit. Nga ana e moralitetit, Shqipëria riprodhon mirënjohjen tradicionale për ShBA-të, të cilat në fillim të shekullit kundërshtuan copëtimin e saj, dhe në fund të shekullit luajtën rolin kryesor për çlirimin e Kosovës. Ky detyrim moral, për fat të mirë, nuk bie ndesh me interesat kombëtare. Shqipëria është një vend që rrezikohet seriozisht nga terrorizmi, ndaj luftën kundër tij mund ta konsiderojë si luftë të saj dhe për interesat e saj. Nga ana tjetër, miqësia me ShBA-të mbetet faktor i rëndësishëm në të gjitha rrafshet: politike, ekonomike, të së ardhmes së Kosovës. Lidhur me opinionin pothuajse unanim shqiptar, për ndërhyrjen në Irak, unanimitet që ka shkaktuar në rrethe të caktuara një farë habije, për të mos thënë ironi, do të dëshiroja të shtoja se jo shumë kohë më parë gjithë shqiptarët, kudo që jetonin, prisnin me ankth ndërhyrjen ushtarake, për t’i dhënë fund masakrave në Kosovë dhe regjimit kriminel serb të Millosheviçit, aq shumë të ngjashëm me atë të Sadam Hysenit. Kjo ishte një arsye më tepër, për të shpjeguar qëndrimin shqiptar sot. Meqënëse janë të ditura qëndrimet e ndryshme midis anglo – amerikanëve dhe një pjesë të Evropës, lidhur me Irakun, është e nevojshme të ndalemi në një pikë. Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria pati kontakte, probleme dhe drama me shtete të mëdhenj ose aleanca botërore, në gjysmën e dytë të shekullit të XX. Në gjysmën e parë të shekullit problemet sado dramatike të ishin, kishin patur karakter rajonal: acarimi me Italinë, Jugosllavinë, rrallë me Greqinë.
Përpjekjet e Shqipërisë komuniste me atë që mund të quhet “botë e madhe”, kanë qenë, për fat të keq, një koleksion dështimesh nga më të hidhurat.
Nga përvoja e hidhur e “miqësive” ose më saktë kinsemiqësive të kaluara, Shqipëria duhet megjithatë të nxjerrë një mësim themelor. Miqësia e një vendi të vogël demokratik evropian, siç është vendi ynë, s’ka asgjë të përbashkët me sjelljen e sejmenit. Psikologjia e sejmenit karakterizohet nga një ndjekje e verbër ndaj të zot, qoftë edhe kur bie ndesh me interesat e veta. Sejmeni, për t’i bërë qejfin të zot, është gati të armiqësohet me tërë botën. Një bejte e kohës së socializmit: “Jemi lidhur te Stalini,
S’trembemi nga hiç njeri!”
e jepte saktë këtë psikologji poshtëruese. Ajo jepte gjithashtu thelbin e strategjisë antishqiptare të qeveritarëve komunistë. Për hir të besnikërisë ndaj Jugosllavisë në fillim, ndaj Rusisë sovjetike pastaj, ndaj Kinës staliniste më pas, e së fundmi ndaj marksizëm – leninizmit, për 40 e ca vjet Shqipëria komuniste bëri një politikë vetëvrasëse, duke u armiqësuar me gjithë botën e qytetëruar.
Sot, në kushtet e acarimit midis Evropës dhe ShBA, është e nevojshme të kujtohet kjo njollë e së kaluarës sonë. Acarimi evropiano – amerikan i ka vënë në pozitë të vështirë disa vende të kontinentit, sidomos ata të ish – Lindjes, që presin të hyjnë në familjen evropiane. Trysnia dhe shantazhet kundër këtyre vendeve, që renditen përkrah ShBA dhe aleatëve të saj, kanë qenë krejt të pavend dhe zgjuan me të drejtë nervozizëm në këto vende. Antiamerikanizmi që është bërë modë sot, në një pjesë të Evropës, nuk mund të kapërdihet në pjesën tjetër, e sidomos në ato shtete që kanë dalë nga sundimi sovjetik dhe diktatura komuniste. Në këtë grup vendesh bën pjesë edhe Shqipëria. Për këto vende është një trishtim i madh krijimi i aleancave të reja me Rusinë e sotme, kundër ShBA-ve. Për këto vende është e papranueshme ringjallja e antiamerikanizmit, ashtu si gjatë luftës së ftohtë. Antiamerikanizmi ka qenë shtylla mbajtesë e gjithë diktaturave të lindjes. Ai ka qenë programi kryesor i gjithë përkrahësve të stalinizmit dhe gjithë servilëve të Bashkimit Sovjetik në Perëndim. Rikthimi i kësaj nostalgjie sot në këtë zonë të botës është një shenjë shumë e keqe.
Për vizionin e ketyre vendeve, që është edhe vizioni ynë shqiptar, nuk mund të ketë perëndim dhe vlera perëndimore të ndara më dysh. Me fjalë të tjera, të pretendosh të jesh evropian, duke qenë kundëramerikan, është një gjë absurde. E kundërta gjithashtu: proamerikanizmi, në një vështrim të thellë nuk mund të kuptohet si kundërvënie ndaj Evropës. Në këtë pikshikim nuk ka asnjë kundërthënie e aq më pak një qëndrim dyfytyrësh, tek ata vende që, ndërsa mëtojnë të hyjnë në Evropë, nuk heqin dorë nga miqësia me ShBA. Mund të thuhet me plot gojën se qëndrimi i tyre është në logjikën e gjërave dhe se vizioni i tyre për perëndimin është më i saktë se i “Evropës së vjetër”. Për ne perëndimi nuk mund të jetë veçse një botë unike, që duhet të zhvillohet së bashku e të mbrohet së bashku. Pa bërë kompromise morale, pa prekur parapëlqimet e saj, Shqipëria duhet të kuptojë se është në interesat e saj madhore që ky acarim të kalojë dhe që uniteti midis ShBA dhe Evropës të rivendoset sa më shpejt.
-Në Shqipërinë e karakterizuar nga bashkëjetesa fetare jo rrallë ka depërtime të sekteve të ndryshme që përpiqen të ndikjonë dhe të mbjellin përçarjen mes qytetarëve.Ka patur kritika edhe për një farë servilizmi të shtetit dhe politikës ndaj fesë dhe një prirje për të plotësuar çdo kërkesë për ndërtimin e objekteve të kultit vend e pa vend?
Kadare: Është e vërtetë se sot në Shqipëri ka përpjekje për të mbjellë përçarje fetare. Përçarja fetare është konsideruar tradicionalisht në vendin tonë si një mënxyrë, e cila do të vinte në rrezik qënien e vetë kombit, qënien e Shqipërisë. Ka dy shekuj që mëndjet më të ndritura të kombit e kanë dhënë alarmin për këtë rrezik të mundshëm. Ka disa shekuj që populli shqipatr, ai që si çdo popull ka bërë disa herë gabime, për këtë gjë themelore nuk ka gabuar. Toleranca fetare dhe harmonia ndaj feve kanë qënë një nga meritat më të mëdha, meritë për të cilën shqiptarët kanë të drejtë të krenohen.
Për fat të keq, shenjat e sëmundjes po duken tani dhe ato mund të bëhen vdekjeprurëse po nuk u morën masat.
Formula shqiptare e gjertanishme e vendosjes së kombit mbi tre besimet fetare të tij ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vetmja formulë e pranueshme.Ajo rrjedh nga logjika e jetës dhe e historisë sonë. Duke qenë kombi një dhe fetë tre, është e natyrshme që çdo problem fetar do të jetë i ndërvarur nga faktori kombëtar. Shqiptari para se të jetë ortodoks, katolik ose myslyman është shqiptar. Kjo kontratë e pranuar pothuaj njëzëri nga populli ynë, nuk duhet megjithatë të na vejë në gjumë. Historia tregon se toleranca, paqa fetare, nuk është e dhënë përgjithmonë. Ajo mund të prishet lehtë, për t’u kthyer në të kundërtën e saj, shembulli i Libanit e dëshmon.
Për të kuptuar më mirë këtë, ne duke u krenaruar me të drejtë për paqen fetare të gjertanishme, duhet të dimë se kjo paqe, përveç logjikës së jetës, është edhe rrjedhojë e një lufte titanike të bërë nga Rilindja kombëtare shqiptare në shekullin XIX. Tabloja nuk ka qenë megjithatë aq idilike saç na pëlqen ta besojmë. Vetë studimi i Rilindjes jep tërë dramaticitetin e gjendjes.
Besimet fetare në Shqipëri, në mos janë vënë drejtpërdrejt në rivalitet me kombin, duke pretenduar përparësinë mbi të, tërthorazi kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë për këtë. Shembulli klasik që vazhdon deri në ditët tona, është nga njëra anë koncepti arkaik i kishës greke, për identifikimin e besimit ortodoks me kombësinë greke, dhe nga ana tjetër, koncepti i islamit radikal, që bën të njejtin identifikim të ballkanasve muslimanë me kombin islam ose arab.
Të dy këto koncepte kanë qënë të drejtuara praktikisht kundër kombit shqiptar, duke u përpjekur t’i shkëputin, në emër të fesë, copa të tëra të tij. Me fjalë të tjera t’i shkëputin qindra mijëra ortodoksë shqiptarë, duke i quajtur grekë, dhe qindra mijëra myslimanë shqiptarë, duke i quajtur turq ose arab. Nën këtë flamur fetar Greqia ende sot vazhdon konvertimin, me trysni direkte, të shqiptarëve në grekë, duke u ndërruar identitetin, madje edhe emrat. Nën këtë flamur nga Kosova u dëbuan në mes të shekullit mbi 300 mijë shqiptarë (çka do të thotë rreth një milion shqiptarë të ardhshëm, domethënë të sotëm) duke u quajtur turq.
Janë këta vetëm dy shembuj, për të kuptuar se çështja e sotme e besimeve në Shqipëri duhet parë në radhë të parë nisur nga interesi kombëtar dhe nga asgjë tjetër. Historia ka treguar se përndezjet e tepruara fetare, dallditë, intrigat, histeritë përfundojnë një ditë kundër kombit shqiptar.
Në këtë vështrim shteti shqiptar ka për detyrë madhore të mbrojë kombin nga ky rrënim, që ka shekuj që vazhdon. Si rrjedhojë e kësaj gërryerje, e këtij genocidi latent, shqiptarët e humbën shtratin dhe peshën e tyre natyrale në Ballkan dhe bashkë me to humbën shumë gjëra.
Shqipëria duhet të mbrojë qenien dhe identitetin e vet me të gjitha ato mjete që përdorin sot vendet demokratike të Evropës. Për fat të keq, një nga mënyrat dinake që përdoret sot në disa vende, për të shkelur mbi interesat kombëtare të vendeve të tjera, është ngatërrimi i qëllimshëm i identitetit me nacionalizmin agresiv.
Shqipëria duhet që pa asnjë kompleks dhe pa fshehur, të vejë interesat kombëtare mbi ato fetare. Për sigurinë e tolerancës dhe të paqes fetare në vend, është e domosdoshme që shteti dhe ligjet e Republikës të ndalojnë çdo veprimtari, ngacmim apo bezdi, të secilit besim kundër tjetrit. Shteti shqiptar duhet të ruajë kështu drejtpeshimin dhe balancën natyrale të tri besimeve, të vendosura prej shekujsh në Shqipëri. Ky drejtpeshim është i njëmendtë dhe nuk është një shpikje poetësh. Të tre fetë kanë të njejtin legjitimitet.
Në këtë kah shteti duhet të ndalojë revizionizmin e historisë kombëtare sipas interesave të njerit apo tjetrit besim. Një shtrembërim i tillë u nxit sidomos vitet e fundit nga propaganda serbe. Për të përligjur dëbimin e shqiptarëve si banorë të rrënjës (autoktonë) të gadishullit, u bënë përpjekje që teza e autoktonisë të shpallej nacionaliste, ose të zëvendësohej nga teza e ardhjes dhe vendosjes së shqiptarëve në Kosovë prej perandorisë otomane. Kjo gënjeshtër serbe përkon me tezat e disa islamistëve arabë e shqiptarë sot.
-Çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar që të parandalojë shoqatat me karakter fetar të eksportojnë në Shqipëri, nën mbulesën e fesë, ideologji dhe politika, që bien ndesh me interesat e vendit?
Kadare: Shteti shqiptar duhet të marrë masa që, ashtu si në shumicën dërmuese të vendeve perëndimore, besimet fetare të mos përzihen në politikë. Që shkollat, fondacionet, shoqatat me karakter fetar të mos eksportojnë në Shqipëri, nën mbulesën e fesë, ideologji dhe politika, që bien ndesh me interesat e vendit dhe të njerëzimit mbarë. Që vendet e kultit dhe simbolet fetare të jenë më të tërhequra dhe më modeste, (gjë që është në thelbin e të tri feve të mëdha monoteiste: krishtërimit, islamizmit dhe judaizimit). Që kurrsesi të mos synojnë të konkurojnë dhe aq më pak të vënë në hije institucionet dhe simbolet republikane. Që klerikët të jenë vendës dhe predikimet të bëhen në gjuhën shqipe. Me këtë të fundit lidhet çështja e autoqefalisë së Kishës ortodokse shqiptare, largimi i peshkopit grek dhe rivendosja në krye të saj e një peshkopi shqiptar. Së fundi, Shqipëria duhet të quajë jo të ligjshme hyrjen në çfarëdo lloj aleance me baza fetare, sepse pjesëmarrja në një aleancë të tillë do të jetë një provokacion për dy besimet e përjashtuara, rrjedhimisht një lejim i përçarjes kombëtare. Në këtë kah është e ngutshme rishikimi i anëtarësimit të Shqipërisë në Ligën Islamike, anëtarësimi i nismëtuar nga demokratët dhe heshturazi i miratuar nga socialistët, ndonëse i paratifikuar prej Parlamentit.
Shqipëria nuk duhet të pranojë të identifikohet me kurrfarë cilësimi fetar. Ajo nuk mund të cilësohet as vend ortodoks, as katolik e as islamik, i moderuar ose jo. Propozime të tilla mund të qëllojë të bëhen edhe nga miqtë e saj, për arsye konjukturale dhe me qëllime aspak dashakeqëse, por që mund të kenë përfundime të kundërta. Shqipëria nuk mund të shërbejë si një ekspozitë, si një disneyland, apo një rezervat speciesh të rralla. Vite më parë, Hrushovi, miku dhe pastaj armiku i saj, hodhi tezën që Shqipëria të shërbejë si karrem për tërheqjen e vendeve araba drejt komunizmit. Ne e kemi provuar mbi shpinën tonë se ç’pasoja katastrofike mund të sjellë pasioni për të dhënë shembuj groteskë, si ai i shpalljes së vendit të parë pafe në botë. Të identifikosh vendin me njërën fe është pak a shumë e njejta histori. Në rastin e parë shkeleshin me këmbë të tre besimet e tij, në rastin e dytë, për hir të njërit, shkelen dy të tjerët.
– Në fillim të ndryshimeve që sollën rrëzimin e komunizmit në Shqipërinë e viteve ‘90-të, u fol shumë për kontributin e diasporës në demokratizimin e shpejtë të vendit, por në të vërtetë, edhe sot ai kontribut është simbolik.Çfarë nuk shkon në marrëdhëniet e ndërsjellta mes dy palëve?
Kadare: Pyetja juaj ka lidhje me një problem të ndërlikuar dhe delikat, që tepër rrallë është prekur në shtyp. Edhe kur është prekur trajtimi ka qenë i njëanshëm.
Ka qenë e pritshme që pas 45 vjet izolimi komunist, krahas ngazëllimit, që do të shoqëronte hapjen e kufijve dhe krijimin e kontakteve midis diasporës shqiptare dhe atdheut, do të lindnin edhe keqkuptime të dyanshme. Ishin shqiptarë vërtet të dy palët, por ishin shqiptarë të formuar në rende dhe regjime të ndryshme. Të shumtë ishin ata që mbartnin nostalgji dhe mall. Po të tjerë kishin kujtime të hidhura dhe mllefe.
S’është vendi këtu të analizohet kjo dukuri në mënyrë shterruese. Do të përpiqem të kap disa anë të saj.
Në qoftë se për komoditet shprehjeje do t’i quanim Shqipërinë dhe diasporën dy palë, mund të themi se të dy palët kanë patur iluzione për njëra – tjetrën. Shqipëria ka pritur shumë nga diaspora, kjo e fundit gjithashtu nga atdheu i vet. Iluzionet, ose më mirë gënjimet, vijnë si rrjedhojë e mungesës së njohjes, e mallit, e përfytyrimeve të gabuara që krijon ndarja.
Diaspora shqiptare nuk ishte dhe vështirë se mund të ishte, ajo që në mënyrë naive e mendonte një pjesë të shqiptarëve: e pasur, e mbushur me milionerë, moderne, çudibërëse. Ajo nuk e kishte fuqinë ekonomike ose të lobingut, si diaspora e hebrejve ose e grekëve, për të sjellë vetëm dy shembuj. Investimet që u pritën prej këaj diaspore ishin të kufizuara, në karahasim me reklamën që u bë. Nga ana e vet, Shqipëria nuk e priti këtë diasporë me atë hare që kjo e fundit kujtonte. Shkak për këtë mund të ishte modestia e saj ekonomike, por shkaqe gjithashtu ishin zilitë, mllefet, mbeturinat e mosbesimit komunist: po vijnë për të fituar, për të na shfrytëzuar etj.
Në Shqipëri, si kudo në Ballkan, aq sa i vështirë është mirëkuptimi, aq të lehta janë keqtrajtimet. Mendoj se të dy palët kanë ç’të qortojnë në këtë rast.
Mendoj se ky problem ka lidhje, ose më mirë, fsheh një tjetër problem madhor, që duke qenë i kohës, ka edhe një vazhdë historike: lehtësinë me të cilën shqiptarët revoltohen kundër vendit të tyre. Është një sëmundje e vjetër e një pjese të kombit shqiptar kudo që ai jeton, brenda ose jashtë Shqipërisë. Ngatërrimi i atdheut me regjimin, me partitë, shkrofëtimat dhe mallkimet kundër tij, janë kthyer, për fat të keq, në një lloj sporti kombëtar.
Një pyetje shqetësuese lind në këtë rast. Përse me kaq lehtësi dhe për çdo gjë hidhet baltë kundër atdheut? Përse kaq lehtë lëshohet, nëma dhe fjala e fundit: mos ia pafsha kurrë bojën Shqipërisë! Dhe janë po ata shqiptarë që në vende të tjera respektojnë çdo rregull, i paguajnë taksat çdo vendi, vetëm Shqipërisë nuk duan t’i japin asgjë. Binden kudo, madje shpesh janë edhe servilë, kurse me t’u gjendur përpara zyrave dhe administratës shqiptare, trimërohen e janë gati të rrëmbejnë kazmën për t’i shkatërruar.
Shembull tipik për këtë ka qenë bllokimi verën e kaluar në kufirin grek të emigrantëve shqiptarë që, pas pushimeve të kaluara në Shqipëri, ktheheshin në Greqi. Doganierët grekë i linin ditë të tëra të prisnin në rrugë të madhe, i fyenin me cinizëm, u grisnin pasaportat, i shtynin si bagëtitë e megjithatë, për një habi të madhe, për një habi të neveritshme, këta mijëra shqiptarë, jo vetëm që nuk thoshin gjysmë fjale kundër torturuesve të tyre, por gjithë vrerin e nxirrnin kundër Shqipërisë, e cila në këtë rast, nuk kishte asnjë faj. Dhe si të mos mjaftonin mallkimet kundër vendit të vet, dy hapa më larg në mënyrë servile e puthnin tokën greke!
Këtë hakërrim kundër Shqipërisë e kam vënë re edhe te disa liderë apo intelektualë të Kosovës. Janë gati të takojnë këdo e të marrin udhën për këdo, me përjashtim të institucioneve shqiptare dhe të kryeqytetit shqiptar. Ka edhe gazeta në gjuhën shqipe, që përdorin kundër Shqipërisë një gjuhë prej nepërke. Shprehjet “Boshti Tiranë – Athinë – Beograd kërkon të shesë Kosovën”, ose “Tirana kuislinge”, ose “Shqipëria kuislinge bëhet gati t’i bashkohet Greqisë”! janë të zakonshme në këto gazeta. Gjithkush mund të ketë kritika tepër të rrepta kundër qeverisë shqiptare, kundër partisë që drejton, por askujt nuk i lejohet të mohojë atdheun, për hir të politikës. Tirana nuk është e asnjë partie, por është kryeqyteti ynë i përbashkët. E aq më tepër Shqipëria. Është shkuar aq larg saqë Shqipëria është quajtur diktaturë e fëlliqur, si ajo e Sadam Hyseinit etj. etj.
I gjithë ky helm antishqiptar, që shpërndahet ditë e natë nga vetë renegatët shqiptarë, ka pasoja të rënda për të ardhmen e kombit tonë. Thyerja shpirtërore e një kombi është ajo që shpesh parapërgatit thyerjen e përgjithshme. Populli shqiptar, opinioni i tij, duhet të ngrihet kundër kësaj veprimtarie antishqiptare që po zhvillohet mu në sytë tanë. Si rrjedhojë e kësaj etheje propagandistike, një pjesë e emigracionit shqiptar, si ai që punon dhe jeton në Greqi, ndodhet në një gjendje çoroditjeje. Shtypi shqiptar, duke qenë shpesh në këtë trysni atdhemohuese, nuk i ngre këto probleme. Nuk kam parë ndonjëherë të flitet për faktin e dhimbshëm se si emigrantët tanë në Greqi u thonë fëmijëve :”mos tregoni se jeni shqiptarë!”. Këta prindër të papërgjegjshëm e këto gra me tru të kufizuar, nuk e kuptojnë se, duke i detyruar fëmijët të fshehin identitetin e tyre, bëjnë një krim të rëndë, në radhë të parë kundër vetë fëmijëve. Sepse fëmijë të tillë, që rriten me këtë frikë e këtë mashtrim, nuk mund të jenë fëmijë normalë. Ata do të jenë të gjymtuar psiqikisht, do të urrejnë në fillim prindërit e vet, që i kanë pjellë të tillë, do të urrejnë Shqipërinë, do të urrejnë Greqinë që i ka shtypur, e pas saj do të urrejnë gjithë botën. Prindërit e papërgjegjshëm shqiptarë, duke kujtuar se me atë fshehje identiteti i kanë shpëtuar fëmijët e tyre, në të vërtetë s’kanë bërë gjë tjetër veçse i kanë përgatitur fatkeqësitë. Sepse fëmijë të tillë, më së shumti, janë pre e krimit dhe e burgjeve.
Si përfundim i kësaj drame raciste të kohës sonë, ne kemi mijëra fëmijë që i kanë humbur Shqipërisë e njëkohësisht njerëzimit. (Pjesa e pare e Intervistes ekskluzive, qe Shkrimtari i madh, Ismail Kadare nga Parisi i dha editorit te sek. Shqip te Gazetes Illyria ne Nju Jork në shtator 2003, Dalip Greca, editori i sotem i Diellit. E risjellim me rastin e 80 vjetorit te Lindjes te Shqkrimtarit)
Shenim:Fotografia paraqet nje cast intervistimi te Ismail Kadaresë nga Dalip Greca për TV Kultura Shqiptare në Nju Jork, Shtator 2006, kur Shkrimtari u nderua nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.Në këmbë ish botuesi i ILLYRIA-s Ekrem Bardha, dhe Adem Belliu, president i TV Kultura Shqiptare, duke filmuar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- …
- 87
- Next Page »