• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

Kosova, sfida të zhvillimit ekonomik

January 13, 2016 by dgreca

-Presidentja Jahjaga vizitoi Malishevën, Rahovecin, Suharekën, Shtimen dhe Lipjanin/
-Kryeministri Mustafa kërkoi eliminimin e problemeve të bizneseve që lidhen me energjinë elektrike/
PRISHTINË, 13 Janar 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermane, vazhdoi sot vizitat në komunat e Kosovës, ku takoi kryetarët e komunave dhe drejtues të tjerë lokalë.
Në takime u diskutuan sfidat e zhvillimit ekonomik, përkrahja për bizneset dhe krijimi i lehtësirave për to, me theks të veçantë tërheqja e investimeve të huaja.
Gjatë takimeve me kryetarët e komunave, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomik Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi, shtruan problemet me të cilat përballen bizneset në përgjithësi, me theks të veçantë bizneset që përfaqësojnë këto oda.
Kryetarët e komunave, ai i Malishevës Ragip Begaj, i Rahovecit Idriz Vehapi, i Suharekës Sali Asllanaj, i Shtimes Naim Ismajli dhe ai i Lipjanit Imri Ahmeti paraqitën para Presidentes dhe drejtuesve të odave ekonomike përpjekjet që bën pushteti lokal për të bashkëpunuar dhe për të krijuar kushte për bizneset vendore dhe të huaja dhe problemet e sfidat që duhet tejkaluar në këtë fushë, për të krijuar kushte edhe më të favorshme për bizneset, sidomos krijimin e kushteve për investitorët e huaj. Ata paraqitën raste dhe praktika specifike të komunave të tyre dhe projekte konkrete, për të cilat kërkohet përkrahja edhe e institucioneve në nivel qendror.
MUSTAFA: PRIORITETI KRYESOR, ZHVILLIMI EKONOMIK
Prioriteti kryesor i qeverisë së Kosovës për këtë vit është zhvillimi ekonomik, theksoi sot kryeministri Isa Mustafa, ndërsa kërkoi përkushtim maksimal të të gjitha instancave në këtë rrugë, e cila do të krijojë mundësi për hapje të vende të reja të punës dhe zhvillim të vendit.
Ai i vuri theks të posaçëm avancimit të mëtejshëm të ambientit të të bërit biznes në Kosovë, ku rol të rëndësishëm kanë edhe Zyra e Rregullatorit dhe distributori i energjisë, KEDS.
Kryeministri Mustafa, ka pritur në takim me George Karagutoff, drejtor i Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) dhe Enver Halimin, kryesues i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku janë trajtuar problemet e ngritura nga bizneset kosovare që kanë të bëjnë me aspektet operacionale e teknike të KEDS-it dhe çështjet e tarifave që ndërlidhen me ZRRE-në.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa, theksoi shqetësimet reale dhe vështirësitë me të cilat po përballen bizneset që lidhen me problemet me energjinë elektrike, kryesisht rreth instalimeve të reja që ndërmerren nga vet bizneset dhe tarifat për kyçje në energji elektrike.
Në takim, kryeministri Mustafa ishte i shoqëruar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Gjatë takimit, u theksua edhe vërejtja e vazhdueshme e bizneseve lidhur me sistemin tarifor në vend, ku bizneset paguajnë tarifa të ndryshme për energjinë e njëjtë të konsumuar gjatë gjithë vitit.
Përfaqësuesit e KEDS-it shprehën qëndrimin e tyre se disa nga vërejtjet e mëparshme të bizneseve janë adresuar, por se mbetet në përgjegjësi të rregullatorit që të adresoj çështjet tarifore, maxigrafin dhe të ngjashme. /b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosova, sfida, të zhvillimit ekonomik

Përpara të vërtetës edhe vetë Zoti përkulet

January 13, 2016 by dgreca

Klerikët grek projektuan genocidin kundër popullsisë shqiptare në Çamëri 1944-1945/
Nga Arben LLALLA*/
Fotografia: 3 Qershor 1944, Paramithi.Në krah të djathtë të Zervës famkeq, është Mitropoliti Dhorotheos me rroba ushtarake, qershor 1944, Paramithi./ Përfaqësuesi i zyrës së KOASH-it, z.Miron Çako më akuzon se ato që shkruaj për pjesëmarrjen e Mitropolitit Dhorotheos në masakrat greke kundër popullsisë shqiptare në Çamëri janë gënjeshtra, pra ska fakte. Siç duket Miron Çako paska marrë detyrën të bëj avokatin e djallit, të gënjeshtrës, por e ka të kotë sepse para fakteve, të vërtetës edhe vetë Zoti përkulet. Prandaj po botoj shkrimin e mëposhtëm të shoqëruar me fotografitë ku janë kryepeshkopët dhe mitropolitët e Kishës Autoqefale të Greqisë me rroba ushtarake të EDES së Napolon Zervës. Disponoj fakte të tjera ku Kryepeshkopi Anastas është në shoqërinë e bashkëpunëtorëve të italianëve dhe gjermanëve nazistë, në shoqërinë e atyre që shpallën copëtimin e Greqisë. Sa për atë që i përkas një feje tjetërso ortodokse z.Çako gabon kur ngre dyshime tek një shqiptar sepse bukuria e familjes shqiptare është se respekton të gjithë fetë dhe brenda saj mund të ndeshës disa besime. Në rastin tim brenda familjes time kemi besimin sunit, bektashi, ortodoksë dhe katolik.
Kisha Autoqefale Ortodokse e Greqisë dhe Patriarkana e Stambollit, Fanari, gjithnjë janë përpjekur për mos ekzistimin e gjuhës shqipe, kombit shqiptar dhe ortodoksisë tradicionale shqiptare. Shqiptarët ortodoksë dhe mysliman kanë qenë nën presionin e Fanarit të Stambollit për asimilimin e tyre.
Në shkurt 1914, ushtria greke bashkë me adartët-forca paraushtarake hynë në Shqipëri duke bërë masakra dhe shpallën Autonominë e Veriut të Epirit. Këto forca udhëhiqeshin nga dy mitropolitë të cilët më tej ishin pjesë të kabinetit të Qeverisë të Autonomisë së Veriut të Epirit të udhëhequr nga Zografo. Njëri ishte Mitropoliti i Konicës, Spiridon Vllahu i lindur më 1873, me origjinë nga Pogoni.
Mitropoliti i Vellas dhe i Konicës, Spiridon Vllahu më 1913, bashkë me Mitropolitin e Drinopolis dhe Pogonias, Vasileos ishin në krye të ushtrisë greke kur kjo ushtri hyri në Janinë më 21 shkurt 1913. Ishin po këta dy klerikët e lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë, Mitropoliti Spiridon dhe Mitropoliti Vasileos pjesë të kabinetit qeveritarë të Gjeorgjio Kristaq Zografos. Sipas të dhënave Mitropolitit Spiridon Vllehu shkroi edhe aktin e shpalljes së aneksimit të Jugut të Shqipërisë-Autonomisë së Vorio Epirit. Mitropoliti tjetër që mori pjesë në nënshkrimin e aneksimit të Jugut të Shqipërisë ishte edhe ish-Mitropoliti famëkeq i Kosturit, Germanos Karavangjeli, cili ishte transferuar në vitin 1914 në Korçë. Në një fotografi e bërë më 21 shkurt 1914, në Gjirokastër shihen dy Mitropolitët, Spiridon Vllahu dhe Vasileos në mesin e ushtarëve dhe adartëve grek që kishin bërë masakra mbi popullsinë shqiptare. Mitropoliti Germanos Karavangjeli kur ka shërbyer Mitropolit i Kosturit, mori pjesë direkt në masakrat e ushtrisë greke ndaj popullsisë shqiptare në Kostur, Follorinë dhe fshatrave përreth tyre.
Kur ushtria e Greqisë pushtoj Shqipërinë gjatë luftës italo-greke nëntor 1940- prill 1941, Mitropoliti i Janinës Spiridon, vizitoj trupat ushtarake greke që ndodheshin në Gjirokastër.
Në prill 1943, Dhorotheos Naskari zgjidhet Mitropolit i Paramithisë, Filatit, Gjiromeriu dhe Pargës. Mitropoliti Dhorotheos lindi në vitin 1905, emri i tij i vërtetë ishte Dhimitër Naskari. Më 1929, ai u shurukua Dhjak nga Mitropoliti i Korinthit, Damaskinos i cili më 1941 u zgjodh kryepeshkop i Greqisë.
Në verën e vitit 1943, Kryepeshkopi i Greqisë, Damaskino dërgon punonjësin e sekretariatit të Sinodit të Athinës, priftin Serafeim për ti dhënë një letër personale Napoleon Zervën. Pas kësaj Serafeimi 30 vjeçar vesh rrobat ushtarake të EDES nënkomandën e Zervën.
Prifti Serafeim( Visarion Tika), nga ushtar i EDES të Napolon Zervës që kryen masakra mbi popullsinë shqiptar të Çamërisë do të bëhej Mitropolit i Artës më 1949, Mitropolit i Janinës më 1958. Nga viti 1974-1998, do të ishte Kryepeshkop i Greqisë.
Në fillim të nëntorit 1943, Mitropoliti Dhorotheos ju bashkua forcave guerrilase të Napolon Zervës, EDES duke veshur rrobat ushtarake të këtij grupacioni.
E martë, 27 qershor, 1944, rreth 2.500 forca të EDES, me në krye Zervën dhe të udhëhequr atë ditë nga Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, i veshur me rroga ushtarake kryen masakra kundër shqiptarëve, duke mos kursyer askënd. Pasi dogjën shtëpitë e shqiptarëve, vranë dhe përzunë ata që kishin shpëtuar nëpër rrugët e kalldrëmta të Paramithës, Mitropoliti Dhorotheos, tashmë krah i djathtë i Napolon Zervës marshonte me ushtrinë EDES.
Pasi përfundoj lufta dhe spastrimi i Çamërisë nga shqiptarët, dy Mitropolitët që kishin bashkëpunuar me gjermanët, tashmë kërkonin pjesën si shpëtimtar të grekëve në Epirin e Jugut-Çamëri nga çamët mysliman. Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, mbeti në këtë detyrë deri në vitin 1952 dhe më tej u dërguan si Mitropolit i Trikkit dhe Stagon deri sa vdiq në vitin 1959.
Mitropoliti i Janinës, Spiridon Vllahu, në vitin 1949 u zgjodh Kryepeshkop i Athinës dhe i gjithë Greqisë, vdiq në vitin 1956. Pasi u zgjodh më 1949 Kryepeshkopi i Greqisë Spiridon Vllahu, vendosi Mitropolit të Artës, Serafeimin, i cili kishte marrë pjesë direkt në masakrat kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë. Nga gjaku i shqiptarëve të Çamërisë u shpërblyen për karrierë të lartë klerike projektuesit dhe pjesëmarrësit të cilët lanë rrobën e klerit fetar dhe veshën uniformën ushtarake të EDES për të spastruar Çamërinë nga shqiptarët myslimanë më 1944-1945. Dy pjesëmarrësit në gjenocidin grek kundër çamëve Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos dhe prifti i thjeshtë Serafeim, i ngjitën shkallët e karrierës së tyre klerike pikërisht fal pjesëmarrjes në masakrat kundër shqiptarëve mysliman të pambrojtur të Çamërisë.
Duke lidhur ngjarjen historike, aktivitet e dy Mitropolitëve të Epirit të Jugut-Çamërisë, atij të Janinës, Spiridon Vllahu dhe të Paramithisë, Filatit, Gjiromeriu dhe Pargës, Dhorotheos Naskara, letrën sekrete të Kryepeshkopit Damaskino me anë të korrierit të cilin e kishte veshur ai Dhjak, Sarafeim që më tej do të bëhej Mitropolit dhe Kryepeshkop, nxjerrim përfundimin se projekti për spastrimin e Çamërisë nga shqiptarët mysliman është bërë pikërisht nga klerikët e lartë të kishës së Greqisë.
Mitropolitët Dhorotheos dhe Spiridon Vllahu e dinin gjuhën shqipe sepse ata kishin jetuar me shqiptar ortodoksë dhe mysliman në Çamëri. Ata kishin mbaruar të dy shkollën e Teologjisë Halki në Stamboll, dhe kishin një urrejtje ndaj myslimanëve. Kryepeshkopi i Greqisë Spiridon Vllahu ishte shfaqur si pararojë e ushtrive greke gjatë luftërave në Janinë, shkurt, 1913 dhe në Gjirokastër, shkurt, 1914.
Mitropoliti i Janinës, Spiridon, më 1940, kishte udhëhequr një mbledhje në Gumenicë ku u mor vendimi që të internohen të gjithë meshkujt shqiptar të Çamërisë nga mosha 10 vjeç e deri 95.
Shumë pikëpyetje lidhen me figurat e klerikëve grek në fjalë si:
Përse u dërgua Mitropolit i Paramithisë në Prill 1943, Dhorotheos (Dhimitër Naskara), njeriu që u pagëzuar Dhjak nga Kryepeshkop Damaskino?
Përse i dërgoj letër në verë të 1943, Napoleon Zervës, Kryepeshkop Damaskino (Dhimitër Papandreu) me anë të njeriut të besueshëm priftit Serafeim (Visarion Tika) të cilët e kishte pagëzuar ai Dhjak?
Çfarë i shkruante në letrën sekrete Kryepeshkopi Damaskino, komandantit të EDES Napoleon Zervës?
Përse pasi dorëzojë letrën Zervës prifti Serafeim veshi rrobat e ushtrisë EDES?
Çfarë e shtyu Mitropolitin e Paramithisë të hiqte rrobën e njeriut shpirtëror të besimtarëve ortodoksë dhe të vishte rrobat ushtarake të EDES, kur dihet që gjermanët i mbronin drejtuesit e kishës greke, manastiret me urdhër direkt të Hitlerit? Përse Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos hyri me EDES në Paramithi i veshur ushtarakisht për të kryer masakrat kundër popullsisë së pa mbrojtur shqiptare dhe nuk veshi rrobën e Mitropolitit?
Në vend që Mitropolitit të Paramithisë, Dhorotheos të përhapte zërin e ZOTIT, dashurinë e njeriut për njeriun, paqen midis njerëzve, ai ishte pjesëmarrës direkt i masakrave të ushtrisë EDES ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë-Epiri i Jugut.
Ashtu siç e kemi thënë në ushtrisë EDES që vepronte në Çamëri dhe që gjendeshin gjithnjë pranë Napoleon Zervës ishin klerik ortodoks si: Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, prifti Serafeim që pas lufte do bëhej Mitropolit dhe Kryepeshkop, dhe prifti Spiros Zafeiris.
Historia e ngjarjeve na çon në gjurmët antishqiptare të drejtuesve të lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë. Udhërrëfyesi i masakrave kundër shqiptarëve në Çamëri është Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos sepse ishte njohës i mirë i territorit, njihte personalisht të gjithë parinë e Çamërisë dhe e fliste gjuhës shqipe. Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos ishte krahu i djathtë e Zervës dhe e udhëzonte atë për çdo veprim që duhej të merrte në Çamëri, pasi Napolon Zerva nuk e njihte territorin, njerëzit. Prifti Serafeim i ardhur në ushtrinë EDES me letër të Kryepeshkop Damaskinos mori pjesë direkt në masakrat kundër çamëve.
Nga të gjitha këto sa parashtruam ne nxjerrim përfundimin se projektuesit e genocidit grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri është kisha greke, Kryepeshkopi Damaskinos, Mitropoliti i Paramithisë Dhorotheos dhe Mitropoliti i Janinës, Spiridon Vllehu. Pjesëmarrës në këto maskara ka marë pjesë edhe kryepeshkopi i Greqisë Serafeim, cili atë periudhë ishte ushtar i EDES të Napolon Zervës në Çamëri.
Në qershor 1993, Kryepeshkopi i Greqisë Serafeim takoj në Athinë udhëheqësin serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe kur ky u përpoq ti puthte dorën, kryepeshkopi e shtyu me butësi duke i thënë:- “Unë duhet të puth këmbët e tua”.
Kjo dëshirë e shprehur në publik e kryepeshkopit Serafeim për ti puthur këmbët Radovan Karaxhiç, njeriut që ka urdhëruar masakrat kundër myslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë, dhe që gjendet i burgosur në Gjykatën e Hagës për gjenocid 1992-1995, na lenë të kuptojmë se kryepeshkopi Serafeim i urrente tej mase myslimanët, pavarësisht se kujt kombësie i përkisnin.
Vërej: Kisha Autoqefale e Greqisë, Kisha Autoqefale e Shqipërisë e uzurpuar nga grekët dhe grekofilët, nëse kanë dyshime se unë gënjej e kanë të drejtën ligjore të hapin proces gjyqësorë kundër meje si shpifës, por atyre nuk ua mban sepse para të vërtetës edhe vetë Zoti përkulet.
Shpjegimi i fotografive
1. Kryepeshkopi i Greqisë, Spiridon Vllehu, duke hyrë në Janinë me trupat ushtarake greke shkurt 1913.
2. Kryepeshkopi i Greqisë, Spiridon Vllehu, duke udhëhequr ushtrinë greke në Gjirokastër shkurt, 1914, gjatë masakrave të aneksimin e jugut të Shqipërisë
3. Në krah të djathtë të Zervës, është Mitropoliti Dhorotheos me rroba ushtarake, qershor 1944, Paramithi.
4. Në krah të djathtë të Zervës, është Mitropoliti Dhorotheos me rroba ushtarake, qershor 1944, Paramithi.
*Replikë me fakte z.Miron Çakos/

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Replikë me fakte, z.Miron Çakos/

Hashim Thaçi President!!!…Vajmedet, o Kosovë!

January 13, 2016 by dgreca

Opinion Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Përmes mjeteve të informimit masiv, u njoha edhe me informacionin e mëposhtëm
“Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi ka qenë i ftuar në emisionin e Baton Haxhiut në Klan Kosova, nga ku ka thënë se nuk do të jetë kurrë më kryeministër.
Ai tha më saktë se “nuk do t’i rikthehem kurrë pozicionit tim të mëhershëm”, duke nënkuptuar atë të kreut të qeverisë.Hashim Thaçi ka qenë për dy mandate kryeminsitër i vendit dhe tani pretendon të ngjitet në postin e presidentit” (Citohet sipas: “Thaçi: Nuk do të jem kurrë kryeministër”. Marrë nga faqja e internetit “albeu”. 11 janar 2016).
Sigurisht, detyrimet e veta ndaj Serbisë Hashim Thaçi i zbatoi një më një, në bashkëpunim të ngushtë edhe me sivëllain e tij Isa Mustafa, të dy shërbëtor besnikë të agait të Beogradit. Duke tradhtuar interesat e larta të Kosovës, si agjentë të regjur tëshovinizmit serbomadh, ata firmosën në Bruksel marrëveshjen me Beogradin për krijimin e një minishteti serb në Kosovë, të quajtur “bashkësia e komunave serbe”.
Kjo ishte detyra kryesore që Beogradi ia kishte ngarkuar Hashim Thaçit për ta zbatuar me domosdo. Dhe Hashimi e zbatoi. Sepse s’mund të vepronte ndryshe. Se ai ka kohë që ka hyrë në shërbim të shovinizmit serbomadh.
Njëri nga aktivistët e shquar të diasporës shqiptare në Gjermani, zotëria Xhafer Leci, e ka denoncuar publikisht Hashim Thaçin, si agjent i francezeve në shërbim të Beogradit. Zotëria Xhafer Leci, përmes katër pyetjeve, ka bërë denoncimin e mëposhtëm:
1. Hashim Thaçi duhet të tregojë kush ishte oficeri i ushtrisë sekrete të Francës, i cili në vitet 1990 bëri kursin e gjuhës gjermane, bashkë me Hashimin në Zyrih të Zvicrës?
2. Ai ishte ai i njëjti oficer, i cili, si pjesëmarrës në Marrvëshjen e Rambujesë, e manipulonte Hashim Thaçin, për mosnënshkrimin e marrëveshjes, me qëllim që forcat serbe të mos bombardoheshin nga NATO-ja dhe me qëllim që Kosova të mbetej përgjithëmonë nën sundimin e Serbisë?
3. Pse përpjekjet e UÇK-së për të marrë kontrollin e minierave të Trepçës u penguan nga trupat franceze me 3 korrik 1999 dhe pse heshti Hashim Thaçi?
4. A e dinte Hashim Thaçi kur majori francez Bunel u arrestua në tetor të vitit 1998, për të dhënat sekrete të NATO-s tek ushtria serbe, në rastin e luftimeve në Bosnjë, ku oficerët e ushtrisë franceze patën protestuar me moton: “Lirojeni Majorin Bunel”?! (Citohet sipas: Xhafer Leci. “Mitrovica, Trepça dhe Hashimi”. Marrë nga faqja e internetit “Tribuna Shqiptare”. 23 nëntor 2013).
Në gazetën internetike “Tribuna Shqiptare” të datës 03 tetor 2013, pata lexuar intervistën mjaft interesante që moderatori i mirënjohur dhe i nderuar i kësaj gazete, zoti Ajet Nuro, i kishte marrë zotit Xhevat Rexhaj, përkthyes, analist dhe veprimtar i shquar i diasporës shqiptare në Zvicër.
Në atë intervistë, zoti Rexhaj, duke u ndalur në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë pas vdekjes së Presidentit Rugova në vitin 2006, flet për perëndimorët, të cilët, sipas tij:
“…kishin një zgjidhje, duke favorizuar H. Thaçin, si një njeri që do të lëshojë pe, si një njeri që ndoshta ata e kishin në dorë si të shantazhuar apo gati komplet partinë e tij.., pra, sigurisht se mendohej që mos të ketë turbulenca edhe nëse bëhet Hymni pa tekst, Flamuri laraman, Kushtetuta e dobët, e gjer te marreveshjet e sotme për Veriun me autonomi”.
Ndërkohë, ca të dhëna mjaft kuptimplote dëshmojnë se Hashim Thaçi, edhe gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, e ka treguar me fakte se që asokohe ka qenë agjent i Serbisë. Nënkuptohet që, gjatë asaj kohe, shërbimi sekret serb, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin sekret rus, përgjonin bisedat telefonike të Hashim Thaçit. Gjenerali rus Leonid Ivashov, dëshmitar në mbrojtje të Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ka deklaruar:
“… unë kam qenë i vetmi nga dëshmitarët që kam
dhënë dëshmi dy ditë rresht. Ditën e parë, ndër të tjera, unë rrëfeva për dy biseda të përgjuara telefonike të Madlen Ollbajtit me Hashim Thaçin. Ende pa arriturderi te ngjarjet kryesore, atij se si i kishte shpëtuar goja dhe kishte deklaruar se, demek, në territorin e Kosovës, përveç shqiptarëve, nuk do të ketë as NATO, as serbë. Ollbrajt, e cila asokohe telefononte nga Gjermania, udhëheqësit kosovar ia futi të dyja këmbët në një këpucë. Biseda tjetër mes tyre u zhvillua më 25 mars 1999, ditën e dytë pas fillimit të bombardimeve. Këtë herë ajo doli në telefon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ku ma keni kryengritjen tuaj, – i bërtiste Thaçit në telefon, – pse nuk po e shpërtheni kryengritjen?”.
Kur unë solla këto fakte, anëtarët e trupit gjykues shqyen sytë” (Citohet sipas: Leonid Ivashov. Intervistë për revistën “Itogi”. Botuar në faqen e internetit “russmir.info”. 27 gusht 2010).
Nga këto deklarata të gjeneralit rus, së pari, rezulton se Beogradi i kishte vënë si detyrë Thaçit që të deklarohej kundër pranisë së NATO-s në Kosovë. Por, për ta maskuar detyrën e tij në shërbim të Beogradit, atij i qenka dhënë porosia që të shprehej edhe kundër pranisë së serbëve në Kosovë, se kjo nuk i prishte shumë punë shovinizmit serbomadh, i cili ishte mjaft i interesuar që vetëm NATO-ja të mos shkelte në Kosovë se pastajai dinte vetë se si i rregullonte punët me Kosovën.
Së dyti, Thaçi i paska premtuar zonjës Ollbrajt se fill pas nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në Kosovë do të shpërthente një kryengritje e madhe, domosdo, “nën udhëheqjen” e Thaçit!!! Por, faktikisht, në Kosovë, pas 24 marsit 1999, s’shpërtheu kurrfarë kryengritjeje. Pra, Thaçi e paska mashtruar zonjën Ollbrajt me premtimin për “fillimin e kryengritjes”. Nënkuptohet që nuk mund të fillonte kurrfarë kryengritjeje, sepse Thaçi s’mund të dilte dot jashtë piketave që i kishte vendosur ustai i Beogradit.
Tani Thaçit i ka ngecur keq në fyt “llokma e majme” e Beogradit pas urdhrit që ka marrë prej këtij të fundit për krijimin e minishtetit serb brenda territorit të Kosovës, të ashtuquajtur “bashkësi e komunave serbe”. Përkrah Thaçit,është radhitur kryeministri formal Isa Mustafa, edhe ky një tjetër agjent në shërbim të Beograsit, si edhe grupi i deputetëve të partisë thaçiste dhe të partisë mustafiste. Tani, këta deputetë që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Kosovës, kërkojnë ta kalojnë në votim dhe t’i hapin përfundimisht dritën jeshile firmës së Thaçit dhe të Mustafës që kanë hedhur në Bruksel për krijimin e minishtetit serb brenda Kosovës. Pra, deputetët në fjalë kanë hyrë në rrugën e tradhtisë kombëtare dhe me qëndrimin e tyre më kujtojnë deputetët tradhtarë të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës, të cilët, në vitin 1989, nën diktatin e Millosheviçit, si frikacakë të fëlliqur, morën vendimin për shfuqizimin e autonomisë. Se nuk patën burrërinë të mos e pranonin në asnjë mënyrë marrjen e atij vendimi tradhtar, edhe sikur ta dinin që do të binin theror, që të gjithë, në sallën e atij kuvendi. Në qoftë se opozita kosovare dhe mbarë populli i Republikës së Kosovës, nuk do të jenë në gjendje që ta ndalojnë marrjen e një vendimi të tillë qëështë tradhti e pastër kombëtare, atëherë në hyrjen e Kuvendit të Kosovës duhet të vendoset një pllakë mermeri, ku të gdhendet shprehja:
“Kuvendi i tradhtisë”
Nëse Kuvendi i Kosovës do t’ia lejojë vetes një tradhti të tillë, ai do të përsërisë aktin e tradhtisë që kreu Kuvendi i Shqipërisë me vendimin që mori më 25 mars 2009 për ngritjen e varrezave të ushtarëve agresorë grekë që ranë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke. Ai vendim prej tradhtarësh të kombit shqiptar, i forcoi pozitat e kryeshovinistit grek në Shqipëri me emrin Janullatos, i cili bleu eshtra shqiptarësh, të cilat i reklamoi si eshtra ushtarësh grekë, duke çuar në vend një mision të rëndësishëm që i kishte ngarkuar kisha shoviniste greke dhe shovinizmi grekokaragjoz.
Tani, Hashim Thaçi, për t’i hedhur një plaf përsipër tradhtisë kombëtare, kërkon të fshihet pas kolltukut të Presidentit.
San Diego, Kaliforni
12 janar 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Hashim Thaci, president, Prof. dr. eshref Ymeri, vajmedet Kosova

FJALIMI I FUNDIT I PRESIDENTIT OBAMA MBI GJËNDJEN E VENDIT

January 13, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama në fjalimin e tij të fundit të martën mbrëma mbi gjendjen e kombit, foli mbi arritjet dhe mbi sfidat me të cilat përballet vendi në politikën e mbrendshme ashtu edhe në politikën e jashtëme dhe ushtarake, duke thënë se cilat do qofshin problemet dhe sfidat, ato mund të zgjidhen nepërmjet debateve “ndërtuese dhe racionale”, ndërsa bëri thirrje për një atmosferë “politike më të mirë” në Washington.
Presidenti Obama në fjalimin e tij, që sipas tij ishte më i shkurtër se fjalimet e tija të mëparshme vjetore mbi gjëndjen e vendit, udhëheqsi amerikantheksoi se do fliste për katër çështje me rëndësi mbi të cilat, sipas tij, duhet të përqëndrohet vendi. Ai i tha Kongresit dhe kombit se ato janë: gjëndja ekonomike në vend, zhvillimi i teknologjisë, siguria e Amerikës dhe demokracia në vend. “A do t’u përgjigjemi ndryshimeve të kohës sonë duke u treguar të frikësuar ndaj të ardhmes duke e këthyer vendin në izolim dhe duke kundërshtuar njëri tjetrin,a po do të përballemi me të ardhmen me besim në vetveten tonë, me konfidencë në vlerat në të cilat ne besojmë, e që na dallojnë se kush jemi ne si popull, dhe në gjërat që mund të realizohen duke punuar së bashku”, tha Z. Obama.
Në fjalimin e tij ai natyrisht mbrojti përparimet që, sipas tij, ka arritur Administrata e tij gjatë 7 viteve të kaluara dhe shpalosi një agjendë me disa pika për vitin e fundit të administratës së tij, të një agjende politike e cila nuk ka giasë të realizohet gjatë këtij viti për arsye të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më vonë këtë vit. Ndërsa bëri thirrje për zhvillimin e një “politike më të mirë” në Washinton, Presidenti Obama i tha Kongresit që dominohet nga republikanët, se një atmosferë e re politike nuk do të thotë se ne duhet të biemë dakort për çdo gjë, por shtoi ai, “Demokracia kërkon një lidhje besimi bazë midis qytetarëve të një vendi.”
Në një referencë kritike të tërthortë ndaj deklaratave të kandidatit republikan për president, Donald Trump, sidomos në lidhje me imigracionin, Presidenti Obama tha se gjatë historisë në Amerikë janë shfaqur pikëpamje të tilla ndërkohë që Shtetet e Bashkuara janë përballur në periudha të ndryshme me ndryshime politike, ekonomike shoqërore dhe me imigracionin.Gjithmonë, historikisht,nënvijoi ai, kur janë shfaqur frikësime dhe shqetësime për të ardhmen, çdoherë ky vend i katejkaluar ato me sukses.Ai u tha amerikanëve të mos kenë frikë nga e ardhmja.
Duke folur mbi gjëndjen ekonomike në vend ai mbrojti politikën e tij ekonomike nga kritikët e krahut të djathtë duke thënë se, “Kushdo që mendon se ekonomia amerikane është në rënie, vetëm përhapin trillime.”
Në pjesën e fjalimit vjetor mbi politikën e jashtme të vendit, Presidenti Obama hodhi poshtë akuzat e kundërshtarëve të tij politikë se, “armiqtë e këtij vendi pofuqizohen dhe se Amerika po dobësohet.”Ai tha se cilësimi i grupit terrorist të ashtuquajtur shteti islamik, ISIL si një “kërcënim ekzistencial” ndaj botës dhe deklaratat e disave se kjo është “Lufta e Tretë Botërore”, është e tepëruar dhe e pa vend ndërkohë që vetëm u shërben interesave propagandistike të terroristëve,tha Presidenti Obama. ISIL duhet të eliminohet, ka thënë Presidenti Obama, ngase përbën një rrezik të madh ndaj civilëve, por sipas tij, ai grup nuk përbën një “kërcënim ndaj ekzistencës tonë kombëtare.”
Presidenti Obama shtroi pyetjen para Kongresit dhe sfidoi se siduhet të “Mbrojmë sigurinë e Amerikës dhe njëkohsisht të udhëheqim botën, pa u bërë polici i saj?” Ai kërkoi miratimin e një rezolute nga Kongresi që do të autorizonte përdorimin e forcës ushtarake kundër shtetit islamik, por shtoi se Shtetet e Bashkuara kërcënohen “më pak nga perandoritë keqbërse dhe më shumë nga rreziqet që vinë nga shtete të dështuara.”Nëlidhje me këtë, Presidenti Obama parashikoi se nga këto shtete të dështuara do të dalin grupet e ardhëshme terroriste anë e mbanë botës.” Në lidhje me këtë, Z. Obamatheksoi se Shtetet e Bashkuara“nuk mund të marrin përsipër rindërtimin e çdo shteti të zhytur në kriza.”Mbi një pikë të politikës së jashtëme, ai i bëri thirrje Kongresit që tani pas lidhjes së marrëdhënjve të Amerikës me Kubën, të hiqet embargoja ekonomike kundër atij vendi, duke shtuar se, “Lufta e Ftohtë ka marrë fund”.
Në fund të fjalimit vjetor, Presidenti Obama iu drejtua anëtarëve të Kongresit duke bërë pyetjen se si ata së bashku mund të realizojnë që atmosfera politike të pasqyrojë ato që janë më të mirat dhe jo më të këqiat në radhët tona duke nënvijuar një pranim të jashtzakonshëm nga ana e tij, ndërsa vetë mori përsipër një pjesë të përgjegjësisë për atë që është cilësuar si mosfunksionimi politik në Washington.Për situatën politike dhe për grindjet partiake në Washington, ai shprehu keqardhjen e tij sepse siç tha ai, mosmarrveshjet midis partive jo vetëm që “nuk janë përmirësuar, por në të vërtetë janë keqësuar”,dhe për këtë ai tha se merr përsipër përgjegjësinë që i takon dhe premtoi se do të përpiqet që këto marrëdhënje midis partive të përmirësohen më shumë,përderisa ai të jetë në Shtëpinë e Bardhë.Në të vërtetë edhe Governatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, e cila mbajti fjalimin e palës Republikane, i mëshoi kësaj pike duke folur mbi mosmarrveshjet dhe grindjet politike në Washington, por duke ngarkuar me faj për situatën e krijuar të dypartitë kryesore, përfshirë Partinë Republikane.Ajo tha se “duhet të jemi të sinqertë me njëritjetrin dhe me vetveten”,shtoi ajo, duke theksuar se ndërsa “Demokratët mbartin përgjegjësinë më të madhe për problemet me të cilat përballet sot Amerika, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e tyre. Ne Republikanët duhet të përballemi gjithashtu me të vërtetën”,theksoi ajo. “Ne duhet të pranojmë kontributin tonë ndaj erozionit të besimit të publikut ndaj institucioneve dhe udhëheqjes amerikane. Ne duhet të pranojmë se edhe ne kemi luajtur një rol në mosfunksionimin e qeverisë. Kjo situatë duhet të ndreqet”, përfundoi Governatorja e shtetit Karolinës së Jugut, Nikki Haley në përgjigjen ndaj fjalimit të Presidentit Obama, në emër të Partisë Republikane.
Si për çdo president tjetër para tij, fjalimi vjetor i Presidentit Obama mbi gjëndjen e vendit të martën mbrëma, ishte një rast për të pasqyruar arritjet e tij në fusha të ndryshme të politikës së brendshme dhe të jashtëme gjatë vitit të kaluar dhe të njoftonte programe të reja për vitin në vijim.Por, pa marrë parasyshë se ç’mendon ai për sukseset e Administratës së tij gjatë vitit që kaloi, sondazhet më të fundit në vend tregojnë se 65% e amerikanëve besojnë se vendi është në rrugë të gabuar dhe se për këtë situatë janë përgjegjëse të dy partitë kryesore, Partia Demokrate që kontrollon Shtëpinë e Bardhë dhe Partia Repulikane që kontrollon Kongresin.

Filed Under: Analiza Tagged With: e vendit, FJALIMI I FUNDIT I PRESIDENTIT OBAMA, Frank shkreli, MBI GJËNDJEN

CEREMONIA PERKUJTIMORE PER PRESIDENT RUGOVEN E IMZOT SOPIN…TEELEGRAMI I NGUSHELLIMIT DHE NJE KUJTIM I 2005-sës

January 13, 2016 by dgreca

Kosovë-Në Katedralen Nënë Tereza, meshë në nderim të Presidentit historik Rugova dhe Imzot Sopit
-Guri themeltar i Katedrales Nënë Tereza është vënë në 26 gusht 2005 nga Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova dhe Kardinali i Katedrales së Uashingtonit, Teodor Mekarik (McCarrick)/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Janar 2016/ Në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, është mbajtur mbrëmë meshë në nderim të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe Imzot Mark Sopit, në 10 vjetorin e kalimit të tyre në amshim.
“Disa muaj para se të kalonin në shtëpinë e Atit tonë qiellor, që të jetonin në amshim, e kurorëzuan veprën e tyre mbi tokë, duke bekuar gurin e këndit të kësaj Katedraleje”, kujtoi Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Gjatë meshës, ai ka përkujtuar veprat e mëdha të dy personaliteteve të shquara të Kosovës, njëri i Shtetit e tjetri i Kishës, duke bërë thirrje që të ndiqet rruga e trasuar nga ta dhe që të realizohen amanetet e tyre.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë të vendit e të pranisë ndërkombëtare, morën pjesë në meshë dhe, po ashtu, vizituan ekspozitën e hapur në ambientet e Katedrales në nderim të dy korifejve të kombit, Presidentit historik Rugova dhe ish-Ipeshkvit të Ipeshkvisë se Kosovës, Imzot Sopit. Ekspozita do jetë e hapur deri në 22 janar.
Guri themeltar i Katedrales Nënë Tereza është vënë në 26 gusht 2005 në oborrin e ish-gjimnazit “Xhevdet Doda” në qendër të kryeqytetit, Prishtinës, nga Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova dhe Kardinali i Katedrales së Uashingtonit, Teodor Mekarik (McCarrick).
***
Telegrami i ngushëllimit i para 10 viteve:

PRESIDENTI RUGOVA NGUSHËLLON IPESHKVINË E KOSOVËS ME RASTIN E VDEKJES SË IMZOT MARK SOPIT
Me rastin e vdekjes së Imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Ipeshkvisë së Kosovës.
Më poshtë po e japim tekstin e plotë të këtij telegrami:
11 janar 2006
Prishtinë, Kosovë
Ipeshkvisë së Kosovës
Prizren
Ipeshkvi e nderuar,
Me rastin e vdekjes së Imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia të thella dhe të popullit të Kosovës.
Në historinë më të re të Kosovës Imzot Mark Sopi do të mbetet një burrë i madh që gjithë jetën punoi për fe e për atdhe. Duke vepruar për forcimin e kishës katolike shqiptare, pra të Ipeshkvisë së Kosovës, që e drejtoi për një dekadë të tërë, u bë njeri i dashur dhe i nderuar për të gjithë popullin e Kosovës. Imzot Mark Sopi gjithmonë ishte me popullin e Tij dhe me Zotin. Kjo i bën njerëzit të jenë të mëdhenj e të nderuar përgjithmonë.
Imzot Mark Sopi me vite të tëra u angazhua për pavarësinë e vendit tonë, Kosovës, duke na dhënë zemër e forcë se ajo do të bëhet së shpejti nga miqtë tanë.

Sot në këto momente të dhembjes, ndihem krenar që pata një mik të tillë, çfarë ishte Imzot Mark Sopi, të cilin gjithnjë e kisha krah të fortë pranë vetes në punët shtetërore në momentet më të vështira e më të mira.
I falemi kujtimit të Tij të përjetshëm.I qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë.
Zoti e bekoftë Imzot Mark Sopin, siç e ka bekuar.
Zoti e bekoftë Familjen Sopi.
Zoti e bekoftë Ipeshkvinë e Kosovës.
Zoti e bekoftë Kosovën.
Dr. Ibrahim Rugova
President i Kosovës
***
KUJTESË- NJË TAKIM, SI NJË BEKIM
Në ditëfestën e 28 Nëntorit – të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar, para më shumë se 10 vitesh, në vitin 2005, kam shkruar si në ditar një shënim për një takim në Prishtinë me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin folëm edhe për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha deri në numrin e fundit dhe në angazhimet për ta rikthyer të përditshme. Shënimi, që e gjejë sot në një mesazh të dërguar me e-mail, ishte ky:
Takimi spontan me Imzot Mark Sopin
Tek po festonim në Grand 28 Nëntorin, ku kishte shumë personalitete, me shumë prej të cilave edhe u takova personalisht dhe ngritëm dolli, një emocion e përshtypje shumë të veçante më solli momenti i takimit me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin nuk isha takuar ndonjëherë më parë ashtu drejtpërdrejtë.
-Besoj se nuk po gabohem, je Behlul Jashari, më tha derisa po më afrohej dhe pas shtërgimit të duarve edhe më perqafoi.
Më përgëzoi për angazhimet për Rilindjen dhe më ftoi për një vizitë në Ipeshkvi. Më vlerësone dhe më njihte edhe nga shkrimet. Dhe për vendosmërinë per Rilindjen.
E përjetova këtë edhe si një bekim.
E falënderova shumë për vleresimin, nderin dhe përkrahjen që më bëri. Dhe, me shumë kënaqësi iu përgjigja ftesës për vizitën.
Behluli
28 Nëntor 2005

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, ceremonai, Imzot Mark Sopi, President Rugova, telegrami

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT