• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

Kosovë-Protesta paqësore, vlerë e një shoqërie demokratike

February 16, 2016 by dgreca

-KDI: Bëjmë thirrje që protesta e paralajmëruar për nesër të jetë e qetë, kurse nga autoritetet shtetërore presim të vënë në dispozicion resurse të mjaftueshme për të lehtësuar mbarëvajtjen e saj/
-AAK: Protesta e 17 shkurtit do të jetë qytetare dhe paqësore/
-Lëvizja Vetëvendosje ka njofuar se, që prej mbrëmë janë arrestuar tetë aktivistë të saj/
-Foto Gazeta Dielli- Behlul Jashari- Protesta e 9 janarit 2016 ne Prishtine/
PRISHTINË, 16 Shkurt 2016/ Në një deklaratë para protestës së nesërme të opozitës, në Prishtinë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) “përkrah të drejtën themelore të qytetarëve që pëmes protestës paqësore të shprehin pakënaqësitë e tyre për çështje të caktuara politike dhe shoqërore, e që kanë për qëllim ndikimin e opinionit publik apo nxitjen e veprimeve të qeverisë”.
KDI thekson se, e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është vlerë përmbajtësore e një shoqërie tolerante dhe pluraliste, në të cilën grupet e ndryshme politike mund të bashkëjetojnë.
“Në këtë frymë, bëjmë thirrje që protesta e paralajmëruar për nesër të jetë e qetë, kurse nga autoritetet shtetërore presim të vënë në dispozicion resurse të mjaftueshme për të lehtësuar mbarëvajtjen e saj”, thuhet në deklaratën e dërguar.
Gjithashtu, vijon KDI, ju bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike, që përmes diskursit të tyre politik të mos provokojnë dhe nxisin akte të dhunës, por t’ju përmbahen rregullave të demokracisë dhe përmes shfrytëzimit të tyre të tentojnë të zgjidhin të gjitha mospajtimet.
“Përpjekjet për t’u shmangur këtyre parimeve nga cilado palë, janë të dëmshme për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror dhe ndërtimin e një demokracie funksionale”, përfundohet në deklaratë.
Opozita e bashkuar në Kosovë kërkon edhe shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme ndërsa paralajmëron se, “protesta e 17 shkurit, do të jetë ndër më të mëdhatë të organizuara deri me tash”.
Në 17 shkurt është dita e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
Lëvizja Vetëvendosje ka njofuar se, që prej mbrëmë, deri tash, janë arrestuar tetë aktivistë të saj. “Shumë aktivistë të tjerë po kërkohen nëpër shtëpitë e tyre. Arrestimet në prag të protestës vetëm na i shtojnë motivet dhe kërkesat e protestës”, shprehet Vetëvendosje.
Protesta e 17 shkurtit do të jetë qytetare dhe paqësore, paralajmëron Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një deklaratë ku shprehet se, “arrestimet e sotme lidhen me protestën e nesërme të opozitës në Prishtinë”.
“Arrestimi mbrëmë i zëdhënsit të LVV-së, Frashër Krasniqi dhe sot i shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, si dhe paralajmërimet për arrestime të tjera të mundshme të aktivistëve të VV-së, për siç thuhet disa vepra të kryera shumë vite më parë, kjo pikërisht një ditë para protestës së madhe të opozitës në Prishtinë, dëshmon lidhjen e fortë të pushtetit dhe gjyqësorit”, shprehet AAK./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosovë-Protesta paqësore, vlerë e një shoqërie demokratike

Shqipëria dhe shqiptarët në penën e Konicës

February 16, 2016 by dgreca

* Botohet me rastin e Vitit te Faik KONICES(2016) Shpalle nga Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA”/
NGA ANTON ÇEFA/
“Malli i Atdheut, pa shpresa të shoh Shqipërinë, më japin një forcë më të madhe për të punuar. E, çdo gjë në daltë, sido që në vafshin punët, unë, me ndihmë të shokëve të vërtetë, s’i kam për të hedhur armët/ .”- Faik Konitza, (Albania, Tetor 1899)./
“Unë parandjej: në agimin e të nesërmes një Shqipëri të lulëzuar demokratike dhe intelektuale, ku do të jetojë një rini kërshëriplotë e dhënë pas artit, bukurisë dhe punës. Këta shqiptarë të rinjë do të gjykojnë me një drejtësi të çiltër përçapjet tona, përplot me gabime, po të zjarrta sinqerisht. Ata do të shqyrtojnë, me të gjitha burimet dokumentare dhe kritike atë që ishte gjuha jonë dje dhe atë që do të bëhet gjuha jonë nesër, gjuha në të cilën ata do t’i shprehin mendimet dhe ëndërrat e tyre, dhe bukurinë e vitalitetin e kësaj gjuhe do ta hulumtojnë dhe do ta dinë ta shkoqisin.”
“ . . . Edhe një ndjenjë tjetër, atë që me gjithë dëshirë do ta quaja ‘afsh kombëtar’ d. m. th. një vullnet i domosdoshëm për ta ndier e përjetuar e ka pllakosur rininë shqiptare kohë më parë. Së këndejmi shpresojmë se ky afsh kombëtar, kjo flakë, të përhapet, të mos shuhet dhe të përforcohet akoma më tepër. Ta duash Shqipërinë, nuk do të jetë më si dikur një sport, po do të jetë vullnet për gëzimin e jetës.”
* “Shqipëria është e lindur nga idealistët, e shpëtuar nga rastet, e vrarë nga politikanët.”
*“Historia e Shqipërisë gjithmonë është trajtuar mbi bazën e pohimeve subjektive e të anshme që kanë bërë armiqtë e saj. Një paraqitje e ndryshme nga një autor shqiptar detyrimisht do t’i trazojë disa shprehi të caktuara të të menduarit dhe disa opinione të gatshme për çështjet në diskutim.”
Faik Konica
* “Për të gjitha ngjarjet që kanë kaluar ne kemi vetëm njërën anë të të ashtuquajturit informacion, e më konkretisht, kemi atë të armiqve të Shqipërisë, kurse varianti shqiptar mungon tërësisht.”
*“E vlen të vihet në pah se askush në këtë galeri vezhguesish (është fjala për ata që kanë vizituar vendin tonë, A. Ç.), me sa duket nuk e ka gjetur karakteristikën më kryesore të shqiptarëve, e pikërisht atë pa njohjen e së cilës historia e tyre do të mbetej një mister, pra individualizmin e tyre.”
* “Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, kështu që nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdoqoftë në kundërshtim me vullnetin e vet.”
*“Ndërsa popujt e tjerë i kanë përqendruar energjitë e tyre për të nxjerrë para, për të grumbulluar sende të bukura ose për të kaluar kohën këndshëm me rrugë të ndryshme, këta njerëz të thjeshtë e të ashpër (është fjala për shqiptarët, A. Ç.) kanë pasur vetëm një qëllim në jetë dhe e kanë aritur disa herë me çmimin e vdekjes së njerëzve të familjes së tyre: të jenë individualisht të lirë kundër ardhësve.”
* “Megjithëqë shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist e prandaj nuk pranon t’i nënshtrohet ndikimit të askujt kundër vullnetit të vet, ai përsëri beson fort te prejardhja dhe te e drejta e precedencës, si dhe te gjithçka lidhet me ide të tilla.”
*“Standardi etik i shqiptarit është besa, pra fjala e dhënë. Pavarësisht nga rrethanat, kur një shqiptar jep fjalën, ajo nuk mund të shkelet dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj marrëveshjeje të shkruar.”
* “Fyerja më e rëndë në Shqipëri është ta quash dikë të pabesë.”
* “Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë . . . kanë luftuar në ushtritë e Francës, të Spanjës, të Perandorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, kanë lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës. Ata kanë qenë luftëtarë të ndershëm, që nuk besonin në përvjedhjen nga beteja, siç ishte zakoni i shumicës së mercenarëve.”
* “Një e metë që zakonisht nuk gjendet në karakterin e shqiptarit është provokimi.”
* “Shqiptarët nuk janë aq të prirur për fjalë të shumta”
* “Unë besoj se dihet gjithkund që shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera, dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë që nuk ka pasur luftëra fetare. Për këtë arsye disa kanë folur shpesh për ‘skepticizmin’ shqiptar.”
* “Dy kategori shqiptarësh munt të jenë idealistë: E para, Shqiptarët që janë të zotërit të mendojnë, që shohin ç’është Shqipëria dhe kuptojnë ç’munt t’ish, që vënë re me hidhërim padrejtësinë, që i bëhet popullit tonë, dhe dinë edhe krojin e asaj padrejtësie edhe të vetëmen mënyrë për të thanë për gjithënjë atë krua. E dyta, kategori, janë Shqiparët të shtypur brez pas brezi, zemëra e të cilëve u qanë për ditë më të bukura dhe munt t’u lartësojë mendjen gjer në kuptim të një ideali kombtar, i vetëm i zoti t’i japë çdo djali të kombit vendin e tij në diell. Tani, Zotërinj, ju pyes te cila nga këto kategori munt të hyjnë mëmëdhetarët e shentëruar të cilët sot e hothne maskën dhe u çfaqnë siç janë ?”
*“Është e rëndësishme të vëmë në dukje këtu dallimin mes nesh dhe grekëve lidhur me idealin ku synon secili popull për sjelljen e tij. “Fyerja më e rëndë në Shqipëri është ta quash dikë i pabesë”, çka lidhet me karakterin e njeriut; ndërsa: në Greqinë e sotme, fyerja më e rëndë për një njeri është ta quash analfabet dhe të trashë, pra ideali i fqinjëve jugorë është zgjuarësia, një atribut i hises mendore të psikës njerëzore. Nuk është e nevojshme të dallojmë këtu, në ç’kahe rëndon kandari i dinjitetit njerëzor: nga karakteri human etik apo nga një cilësi e të menduarit.”
* “Ana fisnike e shqiptarit është e panjohur për grekun.”
* “Banorët e bajrakëve (malësorët e Veriut, A. Ç.) janë më të sjellshëm dhe më me dinjitet se gjithë shqiptarët e tjerë.”
* “Një anë tjetër e karakterit shqiptar është përkushtimi i thellë i një njeriu ndaj prindërve dhe familjes. Kjo ndjenjë e natyrshme si kudo gjetkë, merr një formë më të mprehtë në Shqipëri, ku familja është një njësi shoqërore, që në një shkallë të gjerë zë vendin e shtetit në mendimin e njerëzve. Fëmijët rriten me traditat pak a shumë patriarkale për të respektuar më të mëdhenjtë, e mbi të gjithë, babanë, fjala e të cilit është ligj brenda caqeve të familjes. . .”
*“Në raportin dërguar Luigjit XII, Mbretit të Francës, të datës 27 qershor 1510, nga Seneschal-i i Madh i Normandisë, që ishte një nga gjeneralët që komandonte forcat ushtarake në Itali, gjejmë një krahasim mahnitës mes etikës së sllavëve dhe asaj të shqiptarëve. ‘Sllavët’ shkruan Seneschal-i i Madh, ‘janë mizorë në luftë, sepse ata i vrasin të gjithë ata që mundin dhe nuk mbajnë të burgosur. . . . Sa për shqiptarët, ata kanë treguar një sjellje krejtësisht të ndryshme dhe i kanë trajtuar me dashamirësi robët.”
* “Në kohët moderne vetëm shqiptarët, nga të gjithë kombet e Evropës Juglindore njihen që i kanë qëndruar besnikë traditës kalorsiake të kursimit të armikut të mundur.”
* “Në kronikat mesjetare franceze, na tregon Konica, del shprehja ‘krenar si shqiptar’. Duke polemizuar me Tozerin, i cili, ndër të tjera, shkruan: ‘Është kënaqësi të vesh re përzierjen kureshtare të krenarisë me varfërinë që dukej qartë tek disa nga këta burra. Mund t’i shihnit duke u krekosur . . . sikur ishin zotërinj tepër të hollë, saqë nuk begenisnin t’u hudhnin sytë kalimtarëve si ju, e megjithatë gjithçka e tyre flet për mjerimin më të madh … Konica argumenton: ‘Ajo që është një gjëzë për Tozerin, është fare e qartë për çdo shqiptar. Krenaria është një gjendje e mendjes pavarësisht nga pasuria ose rrethanat, dhe djemtë që ka parë Tozeri i përkasin një tipi të njohur mjaft mirë. Brez pas brezi ata me shpatë ose me pistoletë në dorë kanë ruajtur pavarësinë e tyre kundër kufizimeve qeveritare të Turqisë. Ata ia kanë dalë të kundërshtojnë pagimin e taksave, i janë kundërvënë rekrutimit ushtarak, kanë mbrojtur doket e ligjët e kanunit dhe në mënyrën e tyre e kanë ndier veten njërëz të lirë. .”

Filed Under: ESSE, Vatra Tagged With: ANTON ÇEF, në penën e Konicës, Shqipëria dhe shqiptarët

LIRIKAT E PAPËRSËRITSHME TË SKËNDER RUSIT

February 16, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/
S’ka dyshim se sot më tepër se kurrë njeriu e ka kthyer fytyrën nga harresa, jo se i pëlqen atij posaçërisht, por sepse kjo është kthyer në modë. Qoftë kushdo ky njeri, edhe poet. Mirëpo disa prej poetëve nuk janë harruar asnjëherë dhe nuk mund të harrohen kurrë, sido që vetë harresa është një mrekulli e jetës. Nuk është harruar asnjë ditë, asnjë orë, asnjë çast edhe Skënder Rusi. Poezitë, lirikat e tij të mrekullueshme përveçse në libra gjezdisin gjithë botën edhe në facebook. E lexojnë dhe e duan të gjithë. E ai më vjen çdo çast pranë nga Korça e tij e bukur në Tiranë (ashtu sikundër shkoj edhe unë tek ai), me fletët e printuara në dorë dhe më lexon lirikat e mbrëmshme, ndonëse dora e zëri i dridhen ngapak. Të bën për vete Skënderi edhe me pamjen emocionuese të Sergej Eseninit, po edhe me inteligjencën e Pushkinit. Është poet i të gjithë emrave të mëdhenj, po mbi të gjitha bën përshtypje vetë emri i tij tingëllues. Sigurisht mbiemri i tij s’ka të bëjë aspak me rusët. Me Devollin po, me baltën, me ujërat e kulluar, me barin, ma ajrin e xigluar. Por, sido që të jetë, është miku im i mirë, dhe mos harroni një lirik i jashtëzakonshëm, dhuratë nga gjenia poetike e shekujve.
Mund të ishte emëruar mësues në fshatrat e Devollit e të Korçës, mund ta gjeje edhe sot atje, por ai i flaku tej shkumësin, fletorkat e hartimeve, rregullat e drejtshkrimit dhe iu qas teatrit, duke mbetur bashkë me lirikat e tij përjetësisht. Më pas erdhi edhe një tjetër vend i shenjtë: biblioteka, një ngushëllim letrar, që i vlente jo vetëm atij, por të gjithëve. Dhe jo më kot u bë biblioteka më e pasur në Shqipëri, pas Bibliotekës Kombëtare. Dhe me të erdhën panaire libri dhe zuri rrënjë një projekt krejt i veçantë, idealist: Netët poetike të Korçës, që mbledh poetë nga Ballkani dhe Diaspora, poetë edhe nga shumë vende të tjera. Atëherë lirika u bë shpirt i tij, jeta e parë, e dytë, e tretë. Aty, me lirikat e tij të mrekullueshme është çdo çast, herë troket si Migjen, herë me parqet e bukura të Korçës, herë me gjimnazistet e bukura dhe studentet që pëshpëritin lirikën e jetës së tyre, pastaj rri nën qershinë aq delikate e intime, që i troket te dritarja. Ngushëllimi i tij në ca çaste poetike të pazbërthyeshme bëhet shpejt një mik, kushdoqoftë ai, (vetëm fjala mik i krijon asociacion të çuditshëm dhe e hedh menjëherë në vargun melodioz, duke pikuar pjalmin e mjaltit të tij të pakrahasueshëm), aty janë në delir personazhet pa emër, bukuritë e thella dhe shpirtrat e njomë, të cilët i mban mënd përmendësh dhe t’i reciton me zërin këngëzues. Lirizmi dhe emocioni i thjeshtë njerëzor i vargjeve të tij ecën krejt ndryshe nga rryma poetike përkrah, që vjen natyrshëm e me aromë malesh e pyjesh, dëbore të dendur duke ngacmuar fort edhe fantazinë e kujtdo që i mban nën jastëk a mbi tavolinë lirikat e tij.
Që student u lidh një trio e mrekullueshme poetike që vinte si satelit pranë një ylli poetik si Frederik Reshpja në Shkodër: Visar Zhiti, Skënder Rusi dhe Simon Vrusho, po edhe mjaft poetë të tjerë. U krijua qielli poetik i Institutit në Shkodër dhe yjet u përhapën në qiellin poetik të Shqipërisë. Mund ta dëgjoje që ato vite zërin e ngrohtë poetik të Skënder Rusit, mërmërimën e gurgullimtë të rimës, psherëtimat dhe ngasjet e ndryshme lirike që bëheshin puthje, vajza të bukura, zjarr i ardhangët, limaksje e qetë dhe elegancë e mrekullueshme si mjegullnajë thjesht poetike. Asgjë nuk dramatizohet në krijimin e tij, veç shijes së lartë e që të krijon mbresën e një nostalgjie të çuditshme, përjetimin e dikujt tjetër, po që bëhet patjetër jotja.
Hera-herës të krijohet përshtypja e përshkallëzimit poetik dhe e një figuracioni enigmatik, ndoshta një prozë realiste poetike plot gjetje të imta befasuese, që zbulohen me finesë të rrallë, situata plot brengë e mall, prova të qarta besnikërie, ulërima të befta dhe të mbushura me një inat shfarosës, të cilat shpesh përputhen edhe me shijet e mia. Pastaj malet. Deti. E panjohura. Njerëz të thjeshtë, të njohur, puthjet në dyert e apartamenteve, vajza të bukura korçare, djem që sjellin aromë tjetër nga jashtë, që pastaj shkojnë dhe vendosen diku mes vetes së tyre…
Ç’përshtypje të lë lirika e Skënder Rusit? Moderne? E thjeshtë? Ngacmuese? Diçka që të rrëmben? Aromë mali apo deti?… Dhe ja: Sot jam ai që s’dua të jem,/Përfytyroni një pyll me asnjë ketër!/Jua kisha harruar edhe emrat njerëzve,/Ose nuk më pëlqente t’iu thërrisja
në emër!/Disa më duken tmerrësisht të vegjël,/Akoma më të vegjël më duken
të mëdhenjtë!/Unë një herë bëhem dimër me ta,/Një herë vjeshtë!/Seç mban këtu brenda kjo kokëza ime,/Lumë që rrjedh e kërkon detin!/Sot ndjehem i vetëm, përtej çdo vetmie,
As dorën nuk e dhashë të ma prekin!/Është dita që unë i kam braktisur të gjithë,/Në këtë qytet me sharlatanë tepër!/Tani do të shkoj të gjej dashuritë,/Në atë pyll ku s’ka asnjë ketër!
Mos i rëndon diçka që ende s’e dimë si mallkim? Çfarë mendon ky poet i brishtë dhe s’arrija të kuptoj se si i burojnë vetvetiu vargjet dhe si shkruhen aq shpejt në tastierën poetike të laptopit të tij? A e mban veten ky njeri për poet të shquar, si mjaft të tjerë të njohur e të panjohur? A e di ai se është tejet i kërkuar nga lexuesi? Në bibliotekën e qytetit të tij a vijnë të rinj (djem e vajza) dhe para tij, të emocionuar i recitojnë lirikat e ëmbla? A i mbeten në duart e djersitura prej ankthit poetik a prej përdorimit të librave dhe të lirikave, diçka mes ndrojtjes dhe hallit? A e lëndojnë atë fraza dashurie? A e trembin gjetjet befasuese poetike, figurat e mëdha e njëherit të thjeshta?… Nuk e di as vetë se si më burojnë dhjetëra e dhjetëra pyetje, duke i rrokëzuar së brendshmi lirikat e tij.
Vështrimi i tij mbeti kurdoherë i kthjellët. Sytë vazhdimisht të qeshur. Një njeri që shpesh herë harrohet dhe i ikën vetes, si të thuash arratisej nga vetja, dhe asnjëherë nuk e di përse. Shkruan ngadalë, me kërcime të krahut që ka lindur duke u dridhur (shkak për këtë dridhje të mallkuar janë lirikat!), si për ta sfiduar më fort veten, që gjithnjë kërkon të thotë vetëm të vërteta, gjërat që i njeh mirë, dhe shkruan veç për të tjerët që janë shumë të thjeshtë, punëtorë, mbresa të thella, pyje, dete, vesë, mjegull, dritë, net, joshje… Dhe vargjet e lirikave të tij burojnë ujë të kulluar, kristale, yjësi me ndriçim kozmik, drurë të veçantë pylli, aroma pa fund, shpirtra të gjallë që flasin dhe këndojnë, aq pranë qiellit, aq të firuar në frymë, aq të dhënë pas pasionit. Lirika që nuk shtiren. Kjo është e rëndësishme për lirikën. Poeti gjen kështu edhe lexues, vajza që e dashurojnë tmerrësisht… Dhe, ndërkohë, ai asnjëherë nuk i ka punët mirë me veten dhe kjo natyrisht s’është gjë e këndshme. Unë jam poet, thotë duke belbëzuar. Kam ardhur në këtë botë ja, për këto vargje. I shkruaj pasi i kam thënë mijëra herë me vete. I këndoj, duke u ngjitur melodi që më burojnë vetiu. E çuditshme? Eh, sigurisht, një herë e kam të lehtë, një herë tjetër shumë të vështirë. Xhev, unë udhëtoj në det të trazuar, poshtë kam ajsbergun tim. Edhe kur jam në Korçë udhëtoj në këtë det. Madje edhe kur fluturoj. Bëj kujdes? Jo, kurrë. Madje nuk arrij dot ta zotëroj as kujdesin vetë. As që e kam fshehur ndonjëherë poetin nga qenia ime. Shpirti i poetit është xhungël. Asgjë tjetër nuk më ka interesuar jashtë lirikës, asgjë tjetër nuk më ndez si ajo. Nuk udhëtoj nëpër pyje të tjerë, se ndjej poshtë ajsbergun tim lirik. Nuk më duan si poet? Punë e madhe. Mua më botojnë, më japin honorare, me mua psherëtijnë, këndojnë, se unë nuk jam poet i erotikës, por i shpirtit dhe mbi të gjitha i shpirtit të gëzuar, i dashurisë, i gazit dhe i dalldisë, i frymëzimit të thellë dhe natyrisht edhe i mëkëmbjes shpirtërore, e cila ta them hapur më josh pa masë. Por këtë e provon ai që vjen i lënduar, ai që jeton edhe me elegjinë. Herë-herë më kujtohet im atë, dashuria e tij e pamasë (U futa në ëndrrën e tim eti), fshati, mali dhe kur ndodhem pranë tij më kujtohet gjithnjë ajo që bëri me mua Simon Vrusho: erdhi deri afër fshatit seç pa a seç ndjeu ai dhe hunda e tij e di dhe më tha të ktheheshim në Korçë. E pashë, më tha. Tani e di se ç’është! Po të kishte bërë si gjithë të tjerët, nuk do të më mbetej në mendje… Jam i trishtuar, thua? Si jo. Por trishtimin e mbys me lirikën time e jo me duart e mia. Ty po ta them hapur, po ama dukem i qetë, i gëzuar, apo jo? Ja, ty si të dukem?
Eh, Skënder! Më lodhe, më tremb kjo lodhje që më krijon. E dinë të gjithë se ti ke një grua të bukur, mësuese letërsie në Korçë, që nuk të ndahet, madje të sjell edhe te shtëpia botuese në Tiranë, që të kontrollon me mënd, që të do fort dhe të mban si ujët e pakët duke të shoqëruar me ato parandjenjat instinktive të gruas, sepse ti i ke dhuruar mijëra fjalë të bukura, magjinë e lirikës, ndoshta prandaj dhe ka frikë për ty. Në sytë e saj, cepave të vështrimit ngacmues, ku kalon butësisht krenaria, mollëzave të rrumbullakosura ku fshihet një mbresë ngacmuese dielli, buzëve që kuqëlojnë edhe pse pa të kuq, por që hedhin shtat dhimbshëm rrudha trishtuese që fsheh një vuajtje të pazakontë. E di që duheni mrekullisht e marrëzisht dhe lundroni mbi një ajsberg, që me siguri thur plane të fshehta për t’ju goditur tinëzisht. Por mos harroni se mbi këtë ajsberg lundrojmë të gjithë. Por ama gruaja e bukur e ka hallin se bashkë me ta lundron edhe lirika e pazakontë e poetit të saj të rrallë. Racë në zhdukje poezia dhe lirika, racë në zhdukje edhe poetët…
Ja, kjo gjendje flinte tek unë deri ditën që më solle lirikat e tua të fundit, ditën e fundit të shtatorit. Më mbeti mëndja deri sa të kthehesha nga Franca, për një kohë fatmirësisht jo fort të gjatë, që t’i shihja, t’i lexoja, t’i përjetoja thellë, duke bashkuar dy tronditje njëherësh: tënden dhe timen dhe ia arrita ditës që të mbetem pa gjumë bashkë me ty dhe të belbëzoja vargje të magjishëm pafundësisht. Poeti nuk fshihet dot nga buja, nuk i fshihet dot shpirtit të poezisë së tij, nuk i fshihet dot edhe gruas së dashuruar, e cila detyrohet sigurisht nga rrethanat aspak të lakmuara për t’i bërë atentat të përditshëm lirikave të tij, ashtu siç bën edhe poeti me bukurinë e saj dhe asnjëherë tenton të mos bjerë në sy, por që sigurisht duket prej së largu.
Sa herë ndodhemi vetëm, më thotë: Do ta pimë një gotë, Xhev? Kam raki mani të Boboshticës zjerë dy herë! I ka mbetur kjo puna e gotës ngaqë në socializëm poetët gjenin prehje te rakia. Pastaj poetët vinin te manat e Boboshticës pët t’u dehur dhe për të thurur vargje. Mirëpo binin si mizat në grackën e mjaltit. Dhe mbeteshin aty. Dhe Korça bashkë me Boboshticën mbeteshin gjithnjë pa lirikat e poetëve. Skënderi, teksa i them kështu qesh. Por s’mund ta harrojë këtë fakt dhe thur lirikën e duhur, ku nuk lë pas dore as plakat e as pleqtë, as puthjet gazmore dhe as trimëritë boshe të njerëzve të kënduar. Vetmia, mërzia, pikëllimi, pengesat. Sa i hijshëm bëhet kur dëgjon, flet fare pak, asnjëherë nuk shan, i fsheh me guxim brengat e tij dhe tallet plot gojën me sëmundjen. E di kush ma mposhti? – pyet. Lirika e fundit që sapo shkrova. Kam dy ditë që merrem me këtë lirikë dhe nesër besoj do ta hedh në letër. Një javë mjafton për një lirikë? Sa javë mund të jetojë një poet?…
Sikur t’i bënin film lirikat e Skënder Rusit? Ç’filma do të dilnin vallë? Ja, përfytyrojeni këtë lirikë si në një film: Do të më duhet të rri edhe ca, /(Kam ende për të thënë shumë gjëra) /Ndonjëherë koha është vetëm një çast, /Edhe të duash, s’i thua dot të tëra! /Ndonjëherë,
koha jam vetë unë,/Që hapin, jo si të tjerët e hedh! /Ngado që shkoj ma bën me sy një rrugë,
/Ku asnjëherë s’më ka pëlqyer të ec! /Do më duhet të rri edhe ca, /Ju thashë, s’i kam thënë ende të gjitha! /Vetëm atëhere kur nisim e flasim përçart, /Duhet pranuar ikja!…
Vërtet mund të bëhet një film me poezinë time? Duket gjë fort e vështirë, sepse Xhevahir Spahiut do t’i qenë bërë mijëra filma! Pa le Dritëroit! Por megjithatë tingëllon e bukur.
As që më shkon ndonjëherë mëndja te fataliteti i poetit. Ndërsa tek fati fatal i lirikës po. Se ajo ecën në binarë paralel me elegjinë. Dhe s’ka faj. Aty ka shumë dashuri, shpikje, shtesa, intimitet, dekor romantik… Pastaj këngët e bukura që thuren me lirikat dhe duket sikur i këndon Elvis Presli. Pastaj Danubi blu. Qeshje poetike, qeshje me një vajzë krahaqafë, askush nuk përmbahet dot gjëkundi, as Skënder Rusi jo. Mbrëmje magjike në pyll në netët poetike korçare, duke kënduar, duke qeshur, duke u puthur e duke thithur gjer në themel pjalmin e mjaltit. Emocione të forta. Të qeshura të papërmbajtura. Jetë. Ja. Kjo është lirika e këtij njeriu që i përjeton krejt ndryshe e madje të përmbysura gjithë realitetet e kësaj bote. Po ku e gjen fuqinë vallë? Ku buron frymëzimi i tij? Ah, të kishim mundësi dhe t’i gjenim. Me siguri do të mrekulloheshim. Por hë për hë le të magjepsemi me lirikat e tij të papërsëritshme…

Filed Under: ESSE Tagged With: LIRIKAT E PAPËRSËRITSHME, TË SKËNDER RUSIT, Xhevair Lleshi

ANALIZE- Beteja politike “post-Scalia”

February 16, 2016 by dgreca

nga Rafael Floqi -Michigan/
Gjyqtari Antonin Scalia, anëtari më jetëgjatë i Gjykatës Supreme të tanishme dhe një udhëheqës intelektual i lëvizjes ligjore konservatore, vdiq të shtunën, por pas vdekjes së tij nisi një betejë e menjëhershme politike me rëndësi për të ardhmen e afërt dhe me gjerësi kombëtare.
Gjykatësi 79 vjeçar Scalia, u gjet i vdekur në një vendpushim gjuetie në Teksas, pasi ai nuk u paraqit për të ngrënë mëngjes, tha policia, duke sqaruar pse shkaku i të vdekjes së tij nuk ishte raportuar menjëherë.
Presidenti Obama, që nuk pajtohej me jurisprudencën Scalias e vlerësoi atë, si një figurë e rëndësishme dhe si një “mendje brilante juridike [e cila] ka ndikuar në një brez të tërë gjyqtarësh, avokatësh dhe studentësh, që i pat dhënë thellësisht formë peizazhit ligjor amerikan.”
Obama tha se ai do të emëronte një pasues, edhe pse lidershipi republikan i Senatit dhe një kandidat presidencial republikan thanë se konfirmimi i tij gjatë periudhës zgjedhore ishte i pamundur dhe jashtë çdo diskutimi.
Po pse synohet që të bllokohet angazhimi i presidentit Obama për ta zëvendësuar gjykatësin e ndjerë të Gjykatës së lartë? Pse ka ky zëvendësim aq rëndësi të madhe për republikanët sa që bëri që vetë Mitch McConnell, të luajë poker për ta bllokuar këtë veprim të presidentit. Dhe përgjigja është jo vetëm tek rëndësia, por tek ajo partiake pasi kjo do të thotë edhe humbje e shumicës republikane në Senat. Po pse, qysh?
Ky është një hap i guximshëm dhe i kuptueshëm i projektuar për të parandaluar zgjedhjen e një gjykatësi të majtë pas vdekjes së papritur të Antonino Scalias këtë fundjavë.
Nga ana tjetër presidenti dhe demokratët mund të fitojnë pikë nëse supozohet se presidenti do të zgjidhte një kandidat hispanik, një afro-amerikan apo aziatiko amerikan dhe për më tepër nëse kandidatura që ai do caktonte do të ishte një grua. (Kjo ishte ajo që ç’ka demokratët bënë për të ri-aktivizuar koalicionin pro-Obama. Ishte në fakt ky veprim që nxiti fitoret e tij në vitin 2008 dhe 2012. Në qoftë se ai nuk do të zgjidhte një kandidat nga minoritetet, kjo do të bënte që numri i votuesve tradicionalë që do të ktheheshin në favor të demokratëve në këto zgjedhje do të ishte shumë më i pakët në numër.
Në Las Vegas, për shembull, Hillary Clinton, tha qartësisht duke mbështetur Obamën se do të ishte e pafalshme, nëse republikanët nuk do t’i jepnin mundësi për një seancë miratimi të nominuarit të presidentit. Dhe ajo theksoi edhe faktin e shqyrtimit të ligjit të kontrollit të imigracionit, për të cilin gjykatësit patën rënë dakord ta shqyrtonin kohët e fundit. Por dhe më i rëndësishëm është vendimi i lidhur me aktet e Presidentit Obama për Daca dhe DAPA për vendimet administrative për ndotjen dhe emisionet e karbonit.
Nëse nuk do të ketë shpejt një gjykatës të ri të emëruar, atëherë si në rastet e tjera, ky vendim që sapo u gjykua do të mbesë në vend. Dhe ky do të ishte një lajmi keq.”
Vdekja e papritur Scalias hedh një re pasigurie edhe në lidhje me një mandat të Gjykatës Supreme për të plotësuar shqyrtimet e disa prej çështjeve më të diskutueshme me të cilat përballet kombi, si : aborti, të drejtat e kundërshtive fetare në mandatin e pagimit nga sigurimet për kontraceptivët, ligjin e kujdesit të përballueshëm shëndetësor, [Obama Care], si dhe përcaktimet e kompetencave të presidentit në lidhje me emigracionin dhe deportimet.
Duke pasur parasysh se një e katërta e popullsisë në Nevada ku ka kaukaz është hispanike del se përtej të qenit një betejë e hapur për garën presidenciale, kjo është gjithashtu një çështje e hapur për Senatin për të pasuar zëvendësimin e vendit të senatorit Harry Reid një vend në të cilin demokratët do të emërojnë një grua latine dhe republikanët do të emërojë një burrë të bardhë.
Po të marrim të drejtën e abortit, për shembull, Marco Rubio është kundra abortit, madje edhe në rastet e përdhunimit dhe incestit. Për gratë, për shembull frika e përmbysjes perspektiva e përmbysjes së vendimit Roe kundër Qenie Wade po bëhet shumë më reale. “Kur unë të jem president i Shteteve të Bashkuara, do të emëroj dikë si gjykatësi Scalia,” deklaroi senatori Rubio nga Florida të dielën.
Por edhe ambjentalistët kanë vetëm një muaj kohë, gjer kur gjykata të japë qëndrimin e saj mbi Planin e energjisë së pastër të Obamës. Gjykata e ardhshme do të duhet të përcaktojë të ardhmen e industrisë së qymyrit në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të ketë ndikim edhe në votime, sepse bizneset e interesuara do të hedhin me shumë para në garën elektorale.
Vdekja juristit Scalia e lë Gjykatën Supreme me katër gjykatës me bindje të djathta: Kryetarin e Gjykatës John Roberts, gjyqtarët Clarence Thomas, Samuel A. Alito Jr. – dhe Kennedy. Scalia të cilin e pat emëruar Ronald Reagani bëhej bashkë shpesh herë edhe me gjykatësit liberalë veçanërisht në çështjet sociale, të tilla, si martesat mes homoseksualëve. Katër gjykatësit e tjerët janë liberalë: Ginsburg, Stephen G. Breyer, Sonia Sotomajor dhe Elena Kagan.
Përkundër dallimeve të mprehta ideologjike mes tyre, gjykatësit megjithatë shpallin shpesh herë prirjet e tyre personale të afrimit me njëri-tjetrin dhe kjo ishte veçanërisht karakteristike për Scalian.
Por tani në fushën politike, kjo përplasje mund të minojnë përpjekjet e republikanëve të Senatit për të treguar se janë të aftë për të qeverisur vetëm pa bërë asnjë gabim. Dhoma e sipërme do të bluante të njëjtin qëndrim në qoftë se GOP, do të vazhdonte të mbante këtë kërcënim. Demokratët që janë të prirë për t’i penguar, nëse republikanët do të luajnë fort. Në fund të fundit, edhe pse, nuk është ende e vërtetë asgjë, demokratët mund të shkaktojnë pengesa procedurale ndaj Kryetarit te Komisionit Juridik, Chuck Grassley që ai të mbajë seancë e diskutimit me të emëruarin e Obamës. Pika më e fuqishme e presionit janë shtatë kandidatët e GOP, që nevojiten të rizgjidhen këtë vit, në ato shtete ku u mbajtën zgjedhje në vitin 2012.
Logjika e thjeshtë të thotë se cilado parti që do ta fitojë Shtëpinë e Bardhë në nëntor do të kontrollojë edhe Senatin. Ky është natyrisht, faktori kryesor megjithatë ata nuk janë të bindur se do të jetë ky përcaktuesi. Demokratët duhet të marrin katër ulëse në zgjedhjet e jashtme për të fituar Senatin, dhe kjo është e kuptueshme Ata mund të marrin edhe vendin që mund të linte bosh Clintoni edhe nëse ajo do të humbiste edhe Kolegjin Zgjedhor. Mësimet e vitit 2014, tregojnë këtë, pasi demokratët humbën secilin prej shtatë vendeve që ata kishin për të mbrojtur në shtetet, ku Mitt Romney kishte humbur dy vjet më parë.
Dhe nuk mundet që të ndodhë në një vakum. Nëse Obama e di me siguri, ai mund të zgjedhë dikë që i jep palës së vet ndikimin maksimal politik kundrejt tezën të funksionarëve republikanë dhe ai mund të zgjedhë në mes Monica Marquez është e para gjykatëse Latine dhe haptazi pro homoseksuale në Gjykatën e Lartë në Kolorado, që përsëri do të jetë një shtet i rëndësishëm, Prokuroren e Përgjithshme Loretta Lynch që është një grua afroamerikane. Lucy Koh që është e para gjykatëse qarku aziatikoamerikane në rrethin e Kalifornisë Veriore. Ai mund të zgjedhë edhe dikë që mund të konfirmohet më parë unanimisht nga Senati për t’i shtuar peshë sulmeve retorike, nëse republikanët do të jenë hipokritë në qëndrimet ndaj figurës që ai do të zgjedhë.
– Por çfarë gurësh do të luajnë republikanët në politikë? Bllokimi i zgjedhjes së gjyqtarëve, historikisht ka motivuar bazën e tyre, donatorët si dhe Kongresin SH.B.A. më shumë se sa liberalët. Ajo thjesht do të tingëllonte si shumë zhurmë në Uashington. McConnell, nuk është një figurë e preferuar e organizatave të bazës [grass roots], gjithashtu ka nevojë për të mbajtur bazën e tij me radhë të ngjeshura. Në mes të një fushate primare presidenciale, do të ishte e papranueshme që republikanët që të dukeshin si pulla për kamerdaren e Obamës.
Chris Christie ofroi një rrëfenjë paralajmëruese për anëtarët GOP. Kur flluska e tij në New Hampshire plasi, kundërshtarët filluan ta sulmojnë atë për mbështetjen që i kish pas dhënë gjykatëses Sonia Sotomayor, ndërsa ai ishte duke konkurruar për guvernator të shtetit të New Jersey në vitin 2008. Christie nuk bëri komente. Por aleatët dhe rivalët pranuan që përmendja e Sotomayor ishte një pikë kthese për fushatën e tij.
Republikanët iu shmangen sfidave kryesore, por ata nuk do të mbështesin çdo kandidat të Obamës.
Shumica e Republikanëve ende besojnë në D.C. se në Trump ose Cruz do të humbasin zgjedhjet e përgjithshme. Shpresa e tyre është që një vend i lirë, në Gjykatën Supreme do të mund të ndihmojë bazën e vullnetarëve konservatore, për të bërë punë për fitoren e vendeve të rrezikuara Senatit.
“Disa demokratë kanë shpresë në emërimin apo marrjen e një vendi senatori, duke e detyruar Presidentin Obama që të ulet dhe të bëjë zgjedhje të tjera për Gjykatën e Lartë para largimit nga detyra,” Presidenti është i interesuar për një kandidat në moshë të re për të shërbyer për një periudhë të gjatë kohore. Kjo sqaron atë pse humbja e Scalias është aktualisht në rend të ditës pikërisht tani.
“Në betejat afatshkurtra, konservatorët mund të dalin me siguri fitimtarë, si në shumicën e rasteve të fundit të shqyrtuara para gjykatës. Ata mund ta fitojnë dhe ta ruajnë status quo-në në vend që t’i japin një formë të re në të ardhmen Gjykatës Supreme”, shkruante Robert Barnes, një korrespondent i Gjykatës së Lartë. Megjithatë po bëhet e qartë se “Gjykimi i pathyeshëm i Skalias dhe inteligjenca e tij e ashpër do të lënë gjurmë të qëndrueshme – jo vetëm në mënyrën se si do të zgjidhet gjykatësi i ri i Gjykatës së Lartë në të ardhshmen por dhe në përcaktimin se si mund të ndihmojë për ta transformuar në të ardhmen e vetë Gjykatës.” Ashtu siç tha Prokurorja e Përgjithshme, Loretta E. Lynch në një deklaratë për figurën e Scalias se ai ishte “Një luan i ligjit amerikan, që na la trashëgimi kursin e drejtimit, dhe varet nga të gjithë ne, nga çdo amerikan sesi do ta mbajmë gjallë dhe drejt dialogun tonë kombëtar kushtetues, ashtu siç na e la ai “.

Filed Under: Analiza Tagged With: “post-Scalia”, Beteja politike, Rafael Floqi

FOTOGRAFI TE PANJOHURA PËR SHTEPINE E FLAMURIT DHE TË QEVERISË SË VLORËS TE VITIT 1912

February 16, 2016 by dgreca

DOSJER NGA GËZIM LLOJDIA/
1 .
Buletini nr 458 e mërkurë 23 shkurt 1916 në një fotografi nga Vlora shkruan se baza italiane në Vlore e cila do të bëhet qendër e luftimeve,tregon më së pari qendrën e qytetit të flamurit 4 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Midis banesa të tjera të asokohe të tërheq vëmendje shtëpia ku u ngrit flamuri. Kjo është një fotografi e panjohur për faktin se sa pak janë shfletuar arkivat e huaja,të cilat kanë fakte dhe dokumente kryesisht edhe fotografi ku janë fiksuar disa ngjarje historike. Fotografia e publikuar në vitin 1916 në buletinin e Gjenevës është origjinale, por ajo një foto ilustruese panoramike dhe tregon qendrën e qytetit historik .
Ku dergjej qeveria ,sa në konakët e Xhemilit, por hidhej tek Sharrajt,një ndërtesë të madhe tre kate zotëronin.Tek telegrafi, ishte ministri më vete, ishte Lefi dhe përmes nxënësve vlonjak të shkollës Nr 1 shkonte, por dhe vinte çdo ditë,ministri i Arsimit një burrë i ditur energjik,me mustak ai ishte Gurakuqi :Për të gjithë an’ jemi rrethue/Anmiqt kqyrin me u avitë:/Don’ tok’t tona me i zaptue,/Don’krejt fare me na qitë….
Nuk tërheq asgjë nga ato çfarë kam mbledhur tre vjet më parë dhe të botuara nëpër mediume shqiptare për shtëpinë e flamurit. Ndërtesa e flamurit është prishur sipas të dhënave në vitin ‘25 dhe u kthye në lulishte. Banesat e familjes Vlora aso kohe emërtoheshin saraje.Këto banesa ,pra sarajet e familjes Vlora ishin të përbëra nga dy godina të mëdha. Godina ku u ngrit flamuri quhej Selamllëku dhe këtë emërtim siç do ta shohim na e sjell në kujtesë,kujtimet e E.Vlorës. Godina e flamurit siç paraqitet nga një foto e cila qarkullon kudo në botime ka gjithashtu një skicë që është ruajtur deri në ditët sotme tregon një godinë të madhe për nga lartësia dhe gjerësia e saj. Në fotografin e cila është origjinale ku shfaqen tre katet e banesës nga katër siç shqipton më tej E.Vlora .Janë tre katet e banesë historike që u rrafshua diku nga vitit 1925. Edhe këtë vit- shuarje të saj e sjell po ky dëshmitar. Pozicionimi i kësaj banese historike:gjendej në vendin ku është monumenti i flamurit ,inauguruar në vitin ’72, ai kap pikën e 17 m lartësi dhe i gjithi në bronz dhe pjesa tjetër cek lulishten e flamurit ku gjendet varri i kryetarit të Qeverisë së Vlorës, Ismail Qemali, vendosur edhe një skulpturë e titulluar: “Flamurtari” e skulptorit Odise Paskali. Eqrem bej Vlora thotë se :Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, që duke zënë fill nga Rruga e Skelës, të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh prej 40.000 metrash katrorë, rrethuar me mure të larta tetë-metërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave).Shqyrtojmë selamllëkun ose të njohur si banesën e burrave. Ndërtesa ka pasur tre kate lartësi një numër të madh dhomash korridore dhe ambiente të tjera. Zhbirimi në pamja e parë majtas tregon pozicionin e dritareve të çdo kati .Dritaret e katit të parë janë të gjitha me hark dhe duken rreth 6 copë ndërsa në fakt kanë qenë më tepër por kaq kanë hyrë në fokusin e fotos. Janë dritare të njohura për kohën të vogla të larta por të ngushta duke përfunduar me hark .Në dritaret e katit të dytë majtas janë rreth 7 copë të cilat na shfaqen në disa forma të çrregullta .E para dhe kryesore ku u shpalos flamuri është më madhe se të tjerat është edhe derë .Duke treguar se portën hyrëse për në saraje. Përpara saj shquhen qartazi shkallët,nga lartësia e banesë zbresin duke cekur tokën.Kati më sipërm duken dritare me forma drejtkëndësh pa hark ,ku shquhen rreth 8 të tilla majtas . Kurse ne krahun e djathtë shquhen tre të tilla të vogla një e madhe po kaq gjenden edhe një kat më poshtë. Kjo është banesa Xhemil Bej Vlorës. Të gjithë autorët që përshkruajnë ngjarjen madhore të 28 nëntorit mbështesin qëndrimin se delegatët janë mbledhur në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëriri i Ismail Qemalit. Godina tre kate e Xhemil bej Vlorës gjendej aty ku është sot monument kushtuar pavarësisë .Shtiza e Flamurit është e ndërtuar ka vendin e lartësimit të flamurit kombëtar .Mendohet se kjo shtizë përkon me dritaren e katit të dytë të selamllëkut ku u ngrit Flamuri, pasditen e 28 nëntorit.Duke ju referuar sërish E. Vlora,.me dëshmi autentike nxjerrim gjysmë fraze ” ku ai shprehet U mblodhëm të gjithë në selamllëk ….Pra te sarajet e Xhemil beut. Kati i tretë paraqitet me 17 dritare të cilat sipas ideatorit përfundon secila me hark.. Kati i dytë,ka 11 dritare dhe venë hyrjen, në foton origjinale ato shfaqen në formë të çrregullt disa më të mëdha dhe disa më të vogla. Disa përfundojnë me hark dhe disa përfundojnë në formë trekëndëshi. Ndërtesa e flamurit është prishur sipas të dhënave në vitin ‘25 dhe u kthye në lulishte.
2.
Fotografi e tjera nga ky buletin ilustrues nr 458 të vitit 1916, tregojnë ndërtesën e dytë e njohur si ndërtesa e Qeverisë së Vlors. Në vitin 1939,fashistët ndërsa hynin në sqelë thuhet se e qëlluan me top , që e shkrumbëzuar s’bëhet më llaf,si çdo pushtues. Për ti shuar krejt memorien historike,për ti prerë krejt gjuhën,për të djegur krejt trupin,zhuritur deri në hi. Kështu u dëmtuan përpjekjet që kishte kryer” Shoqëria kulturore sportive Ismail Qemal”i pranë Bashkisë për një muzeu arkeologjik,qëlloi që kryetari i bashkisë ishte poeti dhe liriku i madh Ali Asllani,që atë vit zuri bisedimet me dy arkeolog të ekspeditave italiane dhe franceze Rein dhe Malcone.”Përpjekja’,një gazetë e kohës, thekson se me përpjekjet e zotit Ali Asllani dhe atdhetareve te këtij qyteti, vendosen që të ngrenë muze arkeologjik, pranë portit te Vlorës, në ndërtesën ku ka kryer veprimtarinë Qeveria e Ismail Qemalit më 1912.Muzeu arkeologjik i Vlorës u inaugurua me 8 tetor 1937, ku i pranishëm dhe ministri francez z. Louis Mercier. Mirëpo edhe shqiptarët në një mëndje diku aty nga viti 1925 shkatërruan një dëshmi tjetër të pavarësisë, shtëpinë e flamurit. Edhe regjimi paslufte mendoi se duhej ngritur ndërgjegjja kombëtare dhe vlerat e saj,ndërsa shokonin firmëtarët me ligje,dhe burgje etj,rindërtuan në vitin 1962 me atë stil dhe me atë pamje banesën,selinë e qeverisë,por shtëpinë e flamurit nuk është hedhur asnjë ide. Është fakt tashmë, që deri në vitet ‘90 shtëpia e pavarësisë e rrafshuar aty në mes vitet ‘25 nuk ekziston më,çuditërisht në vend të saj shfaqej një fotografi, që tregonte qeverinë e Vlorës dhe I.Qemalin në përvjetorin e parë .Në këtë fotografi e Qeverisë së Vlorës e realizuar nga fotografi P. Dhimitri në nëntorin e vitit 1913, mbetet autentike dhe një ndër dokumentet e vetëm historike të ngjarjes madhore të kombit shqiptar. Kjo fotografi, është realizuar në përvjetorin e parë të Pavarësisë. Fotografia e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, si dhe ajo e Ismail Qemalit e të tjerëve në ballkon ruajnë si autorësi mjeshtrit ,fotografin nga Korca, Petro Dhimitrin. Kështu , që rruga e kërkimit dhe ndriçimit të së vërtetës mbetet tej mase e gjatë. Kjo fotografi ka qarkulluar nëpër të gjitha botimet.Ka edhe disa fotografi të tjera, studiuesi Qerim Vrion thotë se: shkodrani tjetër, Gjon Rrota (Shkodër, 1893-Vlorë,1931), që mbahet ndër fotografët e parë shqiptarë në Vlorë, ishte vëllai i piktorit të njohur Simon Rrota, që kishte studiuar në Itali (Brera, Milano). Në ateljen (dyqanin) e tij fotografike në qytetin bregdetar, ai, punonte kryesisht për komunitetin e qendrës dhe rrethinave.Në një foto të viteve të 1919 dhe 1928 shquhet shtëpia e flamurit. Ndërtesa e qeverisë së Vlorës. Strehë karantine dhe një karakoll me dy kate dhe stoike një ndërtesë historike e bërë në Skelë të Vlorës,profili i saj nga deti nga erërat s’kishte frikë,muzgje që ndërkaq thinjnin vite dhe as thinjej vet. E bërë për karantinë njerëzore në buzë të skelës për të mbyllur fakirët,atë vit të parë të pavarësisë mbajti qeverinë e Vlorës.
Muzeu i Pavarësisë Kombëtare është ndërtesa që ndodhet në Vlorë,qyteti ku flamuri kuq e zi, rreth 106 vite më parë,në ditët e fundit të vjeshtës të vitit 1912,u ngrit ky flamur duke shpallur independencën e shtetit shqiptar.Ka dy dritare për çdo kat si dhe dy dyer. Porta hyrëse brenda godinës autoktone,sipër porta e daljes në ballkon. Në katin e dytë,në ballkon është i shpalosur një flamur që rri vazhdimisht aty si tregues domethënës,përcjellës i gjurmës dhe historisë sonë. Në pamjen e majtas gjenden dhe dy dritare të tjera. Në korridorin hyrës brenda janë disa tablo me foto në përmasa të mëdha të luftëtarëve të pavarësisë kombëtare si dhe nga kryengritjet shqiptare për pavarësi. Kjo është ndërtesa e selisë Qeverisë së Ismail Qemalit. I vetmi në llojin e vetë. Në origjinalitete ka pajise dhe disa sende personale . Gjenden flamuj origjinal. Një flamur të patriotit Sali Butka, ngritur në Kolonjë. Një portret dhe një pikturë e Marigos. Dhoma e parë e godinës së muzeut është “parathënia e pavarësisë”, ku është pasqyruar rrugë nisja drejt Rilindjes Kombëtare,me fakte dhe dorëshkrime të pakta. Të pasqyruara janë edhe 3 vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881.Fotot e Abdyl Frashërit, Ymer Prizërenit,Sulejman Vokëshit,Iliaz Dibrës. Libra origjinale shqipe si gramatika të gjuhës shqipe në toskërisht,abetarja e S. Frashërit, libri”Vdekja e Pirros”,”Bageti dhe bujqësi” e Naimit, gazetat e kohës ’Koha”,”Shkupi’,”Drita”.”Liri e Shqiptarëve”.Deri në rrugë-mbritjen e vitit ’12 është përshkruar një vargan ngjarjesh. Lexohen pas shkollave shqipe në Korçë,normalja në Elbasan,në Kosovë,kongresi i alfabetit me kryetar Gj.Fishtën .Ardhja e librave shqip, që ndiqte tre drejtime drejt Manastirit në itinerarin Stamboll, Sofie, Bukuresht . Memorandumi i Gërçes,Lufta e Pejës. Mbledhja e Bukureshtit. Itinerarin e ardhjes së diellit,Ismail Qemali në rrugëtimin Stamboll-Bukuresht-Vjenë-Trieste-Durrës,i shoqëruar nga l.Gurakuqi, S.Ilo, Dh.Berati. Në korridor një tavolinë me shkresa si ka qenë atëherë e asaj kohe. Luftëtarë shqiptarë të Idriz Seferit në një foto me ngjyrat e kohës Tavolina e kryeministrit të parë ka në origjinal shkrimin e tij në shqip. Fermani i sulltanit për I.Qemalin është i vulosur dhe i shkruar në origjinal. Salla e mbledhjeve të qeverisë Vlorës,në krye kryeministri dhe anash ministrat shqiptarë përpara janë flete apo vendimet e qeverisë,përmbi karrigen e kryeministrit është flamuri kombëtar .Në mur portretet e ministrave të qeverisë Vlorës,sipas pozicionit të tyre,fillon me kryeministrin dhe ndiqen nga zv/kryeminsitri dhe ministrat. Nuk është ndonjë godinë me arkitekturë modern. Ka 6 dhoma.8 pavijone dhe 2 sallone.

Filed Under: Histori Tagged With: Foto te panjohura, Gezim Llojdia, Shtepia e Flamurit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT