• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka pranuar dosjen e Çamërisë

February 12, 2016 by dgreca

Nga Rrustem Geci/
Lajm i mirë për Kombin! Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, sot e pranoi Dosjen e Çamërisë, për rikthimin e Çamëve në Trojet e tyre! Është një ditë e mbarë, dhe një çast historik, tha kryetari i Shoqatës Demokratike “Çamëria”, qendra në Hollandë, Festim Lato. Në këtë çast historik për kombin dhe atdheun, Foli edhe Koço Danaj, një emër i nderuar i kombit, duke e cilësuar ditën e sotme, si ditën ma të bukur në jetën e tij, dhe një fillim të mbarë, për zgjidhjen e çështjes çame. Në këtë akt historik, të dorëzimit të Dosjes Çame, në tre gjuhë, Anglisht, Gjermanisht, dhe Frengjisht, dosja brenda ka gjenocidinn grek kundër shqiptarëve etnik të Çamërisë, të pranishëm në këtë akt historik, qenë patriotë të shquar çamë, si dhe shqiptar nga Presheva, Medvegja, Prishtina, Shkupi, Ohri, Tetova, Vlora, Tirana, Ulqini, Prizreni e Arta dhe Janina. Këtë akt historik
të dorëzimit, dhe të pranimit nga Prokuroria ndërkombëtare e Hagës, e Uruan dhe e përqafuan, politolog, historianë, Shkrimtarë nga Çamëria, Shqipëria edhe Kosova, si dhe patriotë të kësaj nisme të madhe historike. Jam e përlotur sot nga gëzimi, u shpreh një nënë çame e ardhur nga Janina, s´e pas 72 vjet gjenocidi mbi çamët, po zbardhet drita e diellit shqiptarë! Uroj u shpreh Qemal Kryeziu, mësues në Hagen, që Gjygji Ndërkombëtar i Hagës, të jetë në dobinë historike, të bashkimit të Çamarisë me Shqipërinë, ndërsa në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, këtë akt historik, e përshëndeti, Rrustem Geci, nga Dortmundi. Urime Çamëri, dhe dhe urime Shqipëri qenë të gjitha brohoritjet!
Rrustem Geci – 11 Shkurt, Hagë

Filed Under: Histori Tagged With: dosjen e Çamërisë, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka pranuar

Rrethimi i Shkodrës dhe Esat Pashë Toptani

February 12, 2016 by dgreca

Kush e vrau mbrojtësin e Shkodrës Hasan Riza Beun?/
Nga Gëzim Zilja/
Libri Me titullin ‘’Rrethimi i Shkodrës’’ është botuar në Milano në vitin 1913, nga korrespondenti italian i luftës Gino Berri, fill pas largimit nga Shkodra të ushtrisë sërbo-malazeze, që nuk ndenji as një muaj në qytetin e Shkodrës. Është një libër-ditar, kronikë e luftës për mbrojtjen e qytetit, tetor 1912-prill 2013. Duke qenë i shkruar nga një dëshmitar okular, libri me episodet e tij të jashtëzakonshme, është një dëshmi e fortë e asaj sesi u luftua nga të dy palët; turqit dhe shqiptarët nga njera anë dhe serbët me malazezët nga ana tjetër. Ndërkohë Shqipëria ishte shpallur shtet i pavarur më 28 nëntor të vitit 1912, por gjendja e saj ishte thellësisht kaotike. I vetmi oaz i lirë ishte Vlora me disa nga rrethinat e saj. Duke përfituar nga shkërmoqja e perandorisë osmane ushtria sërbe pushtoi Luginën e Sipërme të Vardarit kaloi Sanxhakun dhe Novi Pazarin hyri në tokat e Kosovës të Rrafshit të Dukagjinit dhe iu drejtua Durrësit. Ushtria greke nga Jugu, pas luftimeve në Thesali pushtoi bregdetin e Himarës dhe arriti deri në Qafën e Llogarasë. Ndërkohë forcat e ushtrisë malazeze rrethuan Shkodrën, e cila qëndroi rreth 6 muaj nën rrethim, duke bërë një rezistencë mbinjerëzore. Lufta e shqiptarëve tashmë zhvillohej kundër robërisë turke, por njëkohësisht edhe kundër pushtuesve të rinj.
Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, që u mbajt më 17 dhjetor 1912, një pjesë e trevave të banuara nga shqiptarët ngeli jashtë kufijve. Pavarësisht kësaj edhe pse ajo u njojt nga fuqitë e mëdha në Konferencën e Ambasadorëve, Mali i Zi vazhdoi ta mbante të rrethuar Shkodrën deri në pushtimin e përkohshëm të saj.

Vrasja e Hasan Riza Pashës.

Bashkë me vlerësimet e larta si ushtarak për Hasan Riza Beun autori jep (aq sa ai ka informacion) edhe rrethanat për vrasjen e komandantit turk, duke lënë të nënkuptohet (anon) se atë pak mundësi kishte ta ketë vrarë Esat Pasha, i cili luftonte përkrah tij për mbrojtjen e qytetit. Madje ai shpreh opinionin e kohës kur shkruan në ditar se gjenerali shqiptar ishte gati të hakmerrej për këtë vrasje pasi ajo kishte ndodhur atë natë që ai e përcolli si mysafir nga shtëpia e tij. ‘’Mbrëmë u vra Riza beu. (30 janar 1913). Ai ishte për darkë te Esat Pasha. Të dy banesat ishin larg njera-tjetrës. Nga ora 20.00, Valiu u largua duke refuzuar pesë-gjashtë veta që Esat Pasha donte t’i jepte me vete si rojë. Atëherë i tha pasha, do t’ju shoqëroje me oficerin tim shoqërues. Kur arritën te selia e komandës Riza Beu, e falënderoi oficerin, duke i thënë: ‘’Mund të kthehesh se arrita në shtëpi. Kur mbeti vetëm menjëherë u gjend para tre vetave, tre hije. Ai nuk mundi t’i njohë dhe u tha atyre: kush jeni , ku shkoni?…Kaloi matanë por sapo të panjohurit u gjendën pas shpine, krisën tri pushkë …fq 136’’.
Ai i la amanet Esat Pashës: ‘’Të lë nën kujdes familjen time. Kujdes djalin tim. Mos i thoni që më kanë vrarë , por që jam vrarë në luftime… Betohuni se do ta mbroni Shkodrën deri në vdekje.fq. 137’’. Po kush e vrau Riza Pashën?
A kishin arsye ta vrisnin shqiptarët Riza Beun? Gino Berri e ngre këtë si tezë duke këmbëngulur që ekzistonte si mundësi. Masat e forta shtrënguese që ishte i detyruar të merrte Riza Beu, në kushtet e një rrethimi dhe lufte të përgjakshme, kishin dëmtuar rëndë interesat vetiake të tregëtarëve dhe qytetarëve të Shkodrës. Në plan të parë ishte sigurimi i ushqimit për ushtrinë që mbronte qytetin. Çdo spekulant ose tregtar, në bazë të ligjeve të luftës dënohej me vdekje. Por mungesa e bukës, ushqimeve (ato vazhdonin të sekuestroheshin për ushtrinë) dhe e vajgurit shkaktoi me dhjetëra viktima. Ka mjaft fakte tronditës në libër ku qytetarët kryejnë vetëvrasje duke mos gjetur rrugëdalje tjetër ose kur një prind vret dy fëmijët e vet dhe veten duke mos duruar t’i shohë të vdesin nga uria (faqe 167). Shumë njerëz duke mos menduar gjatë shikonin si shkaktar kryesor të kësaj katastrofe Riza Pashën. Autori shkruan: ‘’ E gjithë pjesa tjetër e popullatës shkodrane është shfrytëzuar ditë e natë në çdo lloj pune me pre e me qep uniforma, këmisha mbathje, këpucë e pajime; për të transportuar mallra dhe ka punuar nëpër llogore pa ndërprerje….Pas dy muaj mundimi, dështimesh e shfrytëzimi personal, pasi u janë shkatërruar burimet kryesore të jetesës, gjë tjetër e sigurt nuk u ka mbetur përveç vdekjes…. Ka vetëm një dëshirë që s’e dëgjon askush: Luftës duhet t’i jepet fund.’’
Por Riza beu do të jetë i paepur në masat e tij drastike për mbrojtjen e Shkodrës deri në sakrificën e fundit. Kur atij i thanë se ka qytetarë që nuk përballojnë dot luftën dhe janë gati të ngrenë flamurin e bardhë, ai u përgjigj: ‘’Do t’i pushkatoj. Dhe kur i thanë se nuk bëhet fjalë për disa por për mijëra ai sërish u përgjigj me ftohtësi: ‘’Do t’i pushkatoj. fq.84-85’’. Shpesh mbi tavolinën e tij gjendeshin letra kërcënuese. Shqiptarët ishin më të pabindurit ndaj çdo mase kur duhet të paguanin taksat ose gjobat shtesë në dobi të luftës. Hasan Beu po e thellonte gjithnjë e më shumë greminën midis tij dhe shqiptarëve. Kur ai u soll shumë keq në një mbledhje të kryepleqve, ku do të vendosej (merrej) një hua prej 10.000 lirash nga qytetarët, një hoxhë u shpreh:’’ Hasan Rizaja do ta paguajë shtrenjtë këtë që po bën fq.140’’.
Por ajo që të shkon mendja dhe bëhet e besueshme që ekzistonte dhe një shkak tjetër që Riza Beu të vritej nga vendasit, është episodi i mëposhtëm. Gino Berri shkruan: ‘’Para disa ditësh Valiu mblodhi krerët myslimanë më me influencë dhe duke diskutuar mbi gjendjen e qytetit pyeti: Po sikur t’u jepet autonomia? Ne nuk e duam ,u përgjigjën ata. Si? thirri Valiu i habitur. Nuk e pranoni lirinë, nuk doni të jeni zotër të fatit tuaj, në shtëpinë tuaj?’’u tha ai? Jo, ne duam pavarësin tonë, iu përgjigjën shqiptarët. Riza Beu i inatosur u tha: Ju jeni mish për kërbaç. Shpirt baltë, dhe iku i zemëruar. Faqe 140’’.
Nga sa më sipër veç urrejtjes nga një pjesë e të pasurve të mbetur trokë nga sekuestrimi pa kushte të pasurisë së tyre dhe të popullatës së varfër të ndodhur nën frikën gjithmonë të një të nesërmeje të tmerrshme ka dhe një kategori tjetër, atë të atdhetarëve shkodranë, që kërkonin pavarësi dhe jo autonomi si kërkonte Turqia me gjuhën e Riza Pashës. Tashmë (jemi në 30 janar 2013) Shqipëria kishte kufijtë e vet të përcaktuara nga Fuqitë e Mëdha. Një autonomi nën Turqinë, e që Riza Pasha po sakrifikonte gjithçka ta arrijë nuk përbënte zgjidhje për patriotët shqiptarët. Ndoshta edhe ky arsyetim mund të rreshtohet në shkaqet (mundësitë) që Riza Beu të jetë vrarë nga shqiptarët. Ka dhe një variant të tretë që autori nuk e përmend ose as që i shkonte mendja. Riza beu mund të jetë vrarë nga ‘’komando’’ serb ose ‘’malazez’’ duke e parë atë si pengesën kryesore për pushtimin e qytetit, megjithëse edhe për këtë në libër nuk jepet asnjë fakt.
Pas vrasjes së Riza Beut, komanda i kaloi shqiptarit Esat Pashë Toptani. Lufta vazhdoi deri në në 23 prill 2013, gati tre muaj pas vrasjes së Riza Beut, me të njëjtin tërbim, me të njejtin heroizëm, këmbëngulje e sakrifica të panumërta nga ana e ushtrisë dhe popullit shkodran. Në libër (ditar) del qartë që ushtria turko-shqiptare nuk u mund në betejë, por nga uria. Qyteti dhe ushtarët po vdisnin tashmë me dhjetëra në ditë (faqe 179) nga uria dhe të ftohtit. Dorëzimi ishte dinjitoz. Ushtria nën komandën e Esat Pashës u lejua të largohej nga qyteti e organizuar me të gjitha armatimet dhe paisjet e luftës në drejtim të Durrësit. Nga gjithë sa u tha më sipër, sipas të gjitha përshkrimeve të dëshimtarir okular, korrespondentit ushtarak italian në terren, Gino Berrit, Esat Pashë Toptani nuk kishte ndonjë leverdi të vriste Riza Beun. Deri më 31 janar 2013, ai ishte komandant i forcave vullnetare shqiptare, që luftonin krah ushtarëve të perandorisë për mbrojtjen e Shkodrës. Gino Berri njohës i thellë i botës shqiptare e përfundon me këto fjalë vrasjen e Hasan Rizait:’’Ndërkaq Esat Pasha është i turpëruar sikurse flitet. Në Shqipëri kur një njeri del nga shtëpia ku ka qenë mik, është i paprekshëm dhe ai që prek atë fyen të zotin e shtëpisë që e ka pasur mik. Ky mbetet nën peshën e rëndë të dyshimit dhe ka të drejtën e hakmarrjes mbi vrasësin për të shlyer turpin që e njollos. Dyshimi ngelet derisa gjakësori nuk është zbuluar. Faqe 140-141.’’ Hasan Riza Beu ishte lindur në Bagdad dhe u vra në moshën 42 vjeç.

Filed Under: Histori Tagged With: dhe Esat Pashë Toptani, Gezim Zilja, Rrethimi i Shkodrës

Zakoni i skllavërisë

February 12, 2016 by dgreca

Nga Faik KONICA/
Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.
Këto që thomi s’janë theori të thata. Kemi fakte historike që i provojnë. Dini të gjithë se që më 1861 e gjer më 1865, u-bë n’Amerikë një luftë civile e madhe në mes të Shteteve të Veriut e të Shteteve të Jugës. Veriu, me Lincolnin si President, i qojti gjithë skllevët të lirë. Juga nuk pëlqeu këtë veprim. Juga deshi t’a mbajë skllavërinë si një institutë legale, dhe u-nda nga Veriu duke u-prokllamuar një republikë më vete me Jefferson Davis-in si President. Fundin e di çdo njeri: Juga u-munt, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllaveria u-çduk për gjithënjë. Lincoln-i u-vra në mbarim të luftës. Davis-i rojti gjer më 1889, si njeri prevat, -dhe bukuria është se çngjau kur vdiq ky njeri që kish derdhur aqë gjak për të mprojtur skllaverinë: ngjau kjo gjë e çuditshme, që dymij ish-skllev vazhduan duke qarë qivurin e Davis-it! Shikoni forcën e zakonit: skllavi i çliruar kish zemrën dhe dashurinë të lidhur me armikun e çlirimit.
Kur qenka ashtu natyra e njeriut, a është çudi që një shumicë Shqipëtarësh të kenë në shpirt të tyre adhurimin e zgjedhës? Bij, nipër, stërnipër skllevësh, skllev vetë, fjala liri nuk është për ta veç se një gjë misterioze dhe e rezikshme, e cila duhet ose lëftuar ose pritur me të ftohtë. Çudia është se kemi dhe n’Amerike një shumicë nga këta skllev qesharakë dhe të poshtër. Të lirë nga krahët, truri i tyre është i lidhur me zinxhirë. Dhe është bukuri të vazhdojë njeriu sielljet e kësaj kopeje. Posa u tepëron pakë kohë nga puna, ata nukë dalin të marrin erën e paqme që të qërojnë mëlçit’ e tyre nga mikrobi i oftikës, – po venë si gjërpërinj nga “konak” në “konak” dhe nga dyqan në dyqan dyke bërë propagandë kundër Fushatës. – “Ç’ësht’ ajo parti liberale?” thonë skllevët. “Ne kemi një guvernë, dhe duhet t’a mprojmë. Ato që bën guverna janë të mira. Populli në Shqipëri ësht’ i kënaqur. Mos dëgjoni çpifjet, se paratë do t’ju venë humbur”. Dhe fjalët e tyre gjejnë përkrahje nga një turm’ e errët spiunësh dhe larosh, – pseudotregëtarë gjysmë t’egër që janë në të dhënë faliment e sipër, batakçinj t’ardhur në mes të Shqipëtarëve s’dihet nga ku dhe me ç’porosi, varangjelistë të paqytetëruar me kurrizin “den-baba-den” të zbutur nga shkopi, kumarxhinj, dembelë, etj. Kjo turme, e palarë në gjithë kuptimet e fjalës, ka disa qëllime të fshehta, – dhe një qëllim sheshit, që është: të mos bëhet Shqipëria një Shtet modern i shtënë në themele të shëndosha, po të mbetet një vent i turbull dhe i dobët, i lehtë për të përmbysur kur lakmia e fqive të gjejë rastin.
Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë.
Puna është sheshit. VATRA ka lëftuar dhe lëfton për një Shqipëri moderne, serioze dhe të nderuar. Partia liberale që u-organizua në Shqipëri, do t’mundohet të fitojë shumicën në zgjedhjet, që të vërë në veprim idealet e VATRES. Ju pëlqen ky mendim? Përkraheni me sa ju mundet Partine Liberale duke mos u vënë veshin larove, të cilët pa fjalë do të bëjnë zanatin e tyre.
Botuar ne DIELLI, më 1923

Filed Under: Editorial Tagged With: Faik Konica, Zakoni i Skllaverise

Emigrimi në SHBA

February 12, 2016 by dgreca

Nga Uran BUTKA/
Mërgimi  i shqiptarëve në Amerikë kishte nisur në fund të shek.XIX, ndërsa në shek.XX Amerika u bë vendi kryesor dhe më i lakmueshëm i emigracionit shqiptar. Dallohen tri etapa të emigracionit shqiptar drejt Amerikës: e para fillon nga fundi i shek.XIX dhe mbaron në vitin 1920, me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar; etapa e dytë përfshin periudhën midis dy luftërave botërore dhe etapa e tretë  përfshin periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Periudha  e parë e këtij emigrimi ngërthen vitet 1892-1920, kohë e ndryshimeve të mëdha politike e kombëtare në Ballkan dhe në Shqipëri. Ajo ka si tipar kryesor  fluksin në përmasa të konsiderueshme të emigracionit shqiptar në Amerikë, përmirësimin e tij ekonomik, fillimin dhe zhvillimin e një lëvizjeje të fuqishme kombëtare në mbështetje të pavarësisë, shtetit  shqiptar dhe mbrojtjes  së integritetit territorial e kombëtar të Shqipërisë të rrezikuar nga pushtuesit fqinjë, por edhe nga pazarllëqet dhe interesat e Fuqive të Mëdha.[1]
   Edhe pse kishte shkuar më parë ndonjë shqiptar i vetmuar, viti 1894 shënon vajtjen  në SHBA të  një grupi prej 17 korçarësh, me udhërrëfyes Kol Kristoforin, duke  formuar  bërthamën e diasporës shqiptare në Amerikë.[2]
   Motivi parësor i shqiptarëve që emigronin nga vendi i tyre, ishte ai ekonomik.
Gjendja ekonomike e Shqipërisë në fillimet e shek.XX ishte e shkatërruar plotësisht. Ende nën pushtimin e të “sëmurit të Bosforit”, ajo vuante, veç të tjerash, edhe nga një krizë e rëndë ekonomike e pashpresë, e shkaktuar nga regjimi feudal otoman, prapambetja e gjithanshme, rrënimi total i bujqësisë dhe  taksat  e papërballueshme.
   Krahas emigrantëve ekonomikë, u shfaqën edhe emigrantët politikë, që gradualisht përbënin numrin më të madh ndër ata. Faktori politik ka luajtur një rol të rëndësishëm për emigrimin shqiptar drejt Amerikës. Madje, sipas burimeve të ndryshme, ky faktor ka rolin kryesor. Shpërthimi i kryengritjeve shqiptare antiosmane, trazirat e shpeshta brenda Perandorisë Turke dhe kriza e saj e thellë politike, luftërat e vazhdueshme, sidomos  Lufta italo-turke, shpërthimi i luftërave ballkanike, por edhe i mynxyrave të brendshme, shkelja e Shqipërisë nga ushtritë e huaja, pasiguria e jetës e të tjera kanë qenë  faktorët kryesorë që shkaktuan një valë të madhe emigracioni nga Shqipëria, kryesisht nga Shqipëria e jugut drejt SHBA. Ndër ta, duhet veçuar pushtimi i Shqipërisë së jugut nga ushtria greke në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, masakrat dhe terrori që  bënë  gjatë këtij pushtimi.[3]
   Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit, shkruante: “Nuk jemi më tepër se 50 e ca, që ne, duke marrë shembuj të tjerët, erdhëm këtu në Amerikë, e cila pas pakë do të jetë vendi, që do të ketë më shumë shqiptarë” [4]
   Emigrantët e parë shqiptarë u vendosën në qytetin e madh të Bostonit, por  u përhapën edhe në qytetet e tjerë të shtetit Massachusetts. Mandej, për arsye pune,  u përndanë edhe  në shtetet e New York-ut, Pennsylvani-së, Michigan-it, Missour-it, Ohio-s  etj.  Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë New England, që përfshinte shtetet: Maine, New Hampshire, Massachusetts, Rhode Island dhe Connecticut.[5]
   Emigantët shqiptarë u punësuan kryesisht në fabrikat e tekstileve, të këpucëve dhe industrinë e rëndë, por një pjesë e tyre u mor me tregti e biznes të vogël. Sipas gazetës “Kombi”, shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane dhe kishin hapur 6 restorante, tri furra buke, një berberhanë etj. Në faqet e kësaj gazete botoheshin reklamat për hotel-restorant “Skënderbeg”, hotel “Korça”, hotel “Albania”, restorant “Tomorri”, hotel “Ali Pasha” dhe biznese të tjerë.
   Megjithatë, mendoj se emigrimi për shkaqe politike ka qënë determinant, sepse gjatë kësaj periudhe ( 1900-1920) në hapësirën shqiptare ndodhën ngjarje të rëndësishme politike, siç ishte lufta e armatosur për çlirim kombëtar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, zaptimi i vendit  nga ushtritë greke e serbo-malazeze, që bënë masakra të padëgjuara, mandej pushtimi nga ushtritë italiane, austriake dhe franceze përgjatë Luftës së Parë Botërore, kryengritja antikombëtare e Haxhi Qamilit dhe rrëzimi i shtetit shqiptar, kthimi i Shqipërisë në një shesh lufte dhe interesash politike të forcave ndërluftuese ballkanike dhe europiane etj. Të gjitha këto situata kombëtare, por edhe mjaft ngjarje të rënda  lokale, e tronditën dhe e rrezikuan seriozisht jetën, qenien dhe ekzistencën shqiptare në trojet e tyre etnike, ndaj një pjesë e popullsisë shqiptare u largua nga Shqipëria për në vendet e tjera, kryesisht në  Turqi, Misir, Rumani, Bullgari, ku ekzistonin kolonitë e mëparshme të emigracionit shqiptar, por, më së shumti, në Amerikë, ku u mundësohej punësimi dhe jetesa.
   Studiuesi J.S. Roucek, i njohur për hulumtimin e emigracionit shqiptar dhe jugosllav në Amerikë, thotë se refugjatët politikë përbënin shumicën  e emigracionit shqiptar në SHBA.[6]
   Ky fakt bëri që edhe veprimtaria e tij kryesore të ishte politike, e lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
   Kjo periudhë e parë përkon edhe me migrimin dhe veprimtarinë e Kristo Kirkës në SHBA, refugjat për motive politike, por që u bë një nga veprimtarët më të shquar të çështjes sonë kombëtare.(Lexo me Shume en Diellin special te 100 vjetorit te Pavaresise)

*Marre nga Libri I autorit”Kristo Kirka”

[1] Beqir Meta Federata panshqiptare “Vatra”, 2002
[2] Kostandin  Demo, The Albanians in Amerika, Boston Mass 1960
[3] B. Meta,Federata Panshqiptare “Vatra”, Tiranë 2002
[4] Gazeta “Kombi” 30 qershor 1906
[5] J.S.Roucek, The Albanian and Yugoslav immigrants in Amerika,  1937-1938.
[6] Po aty

Filed Under: Histori Tagged With: emigrimi ne SHBA, Kristo Kirka, Uran Butka

Historia e Shqiptareve te Amerikes-A ishte Kolë Kristofori, emigranti i parë shqiptar ?

February 12, 2016 by dgreca

Thuhet se ishte nje tjeter shqiptar para tij, por sipas Kostandin Demos, pyetja e titullit merr pergjigje pozitive:Pa.Emigrantin e parë shqiptar në Amerikë sipas librit te Konstandin Demos apo Nini Demos, sikurse njihej nga shqiptarët e kohës së tij që jetonin në Boston, ose në qytetet afër tij.
Konstandin Demoja pati idenë e mirë të botonte një libër modest, me saktë një libërth apo librushkë me titull Shqiptarët në Amerikë, apo imigrantët shqiptarë në Amerikë. Ai vëren se i pari emigrant shqiptar që erdhi në Amerikë qe Kolë Kristofori nga Katundi, një fshat i vogël pranë fshatit Qytezë të Kolonjës.
Edhe vetë Nini Demoja qe nga Katundi. Këto fshatra shqiptare shtrihen në veri të Qafëzezit dhe njihen me emrin e përbashkët fshatrat e Vakëfit, sepse dikur ato qenë pronë e Kishës. Ninoja vëren se Kolë Kristofori erdhi në Amerikë në vitin 1884 dhe pasi punoi këtu dhjetë vjet u kthye në fshat me qesen mbushur me para dhe i veshur me rroba të ngushta alla frënga, jo me shallvare, as me kaftan, sikurse mbanin përgjithësisht fshatarët e asaj ane, por me veshje europiane.
Nuk përjashtohet mundësia që edhe para tij të kenë ardhur shqiptarë tjerë, sikurse përmendet një prift katolik nga veriu, por ai apo ata ta erdhën si vizitorë me misione të ndryshme jo emigrantë ekonomikë si Kole Kristofori. Me vonë Kola u dorëzua prift dhe punoi si meshtar ortodhoks në disa qytete ku kishte emigrantë shqiptare.
Sqarojmë se shumë fshatra në krahinën e Korçës i kishte lënë vakëf feudali i madh Iljaz Bej Mirahori në fund të shek. XV. Edhe kisha e krishterë krijoi vakëfe me anë dhuratash dhe testamentesh të besimtarëve, sepse vakëfet kishin disa favore shtetërore.
Librushka e Konstandin Demos ka interes të veçantë për historikun e emigracionit shqiptar në Amerikë, ndaj Peter Prifti e përktheu edhe anglisht që të kishte një përhapje më të gjerë edhe te brezi ri. Nini Demoja pati idenë që t’i luteshin Fan Nolit të shkruante parathënien për librushkën dhe Peter Prifti shënon se nuk besonte që Noli do të pranonte t’i bënte parathënien një vepre të rëndomtë apo tepër modeste, por Noli e pranoi me kënaqësi kërkesën e zotit Konstandin Demo dhe midis të tjerash shkroi se ajo ishte një broshurë që meritonte të lexohej nga çdo shqiptar.

I pari si bërthama shqipatre në SHBA

Por emigranti i parë shqiptar që u vendos në Amerikë shërbeu si bërthamë magnetike për emigrantët e tjerë shqiptare. Ishte Kolë Kristofori prej fshatit Katund të Korçës që arriti në Amerikë me 1884. Pas gjashtë vjetësh emigrant Kolë Kristofori u rikthye ne fshatin e lindjes. Por më 1892, ai u rikthye në Amerikë së bashku me 17 bashkëfshatarë të tij, të cilët formuan bërthamën e diasporës shqiptare në SHBA. Më 1900 shumë shqiptarë të tjerë iu drejtuan ‘Botës së re”.

Kategoritë e emigrantëve

Emigrantët e parë shqiptarë në SHBA mund të ndahen në dy kategori: në emigrantë ekonomikë, të cilët largoheshin nga atdheu për të fituar para dhe në emigrantë politikë, të cilët detyroheshin të largoheshin për arsye politike. Lidhur me çështjen se cila kategori e emigrantëve ishte mbizotëruese, ka patur mendime të ndryshme. Disa autorë janë të mendimit se emigrantët ekonomikë formonin masën kryesore të emigracionit shqiptar në SHBA. Autorë të tjerë mendojnë të kundërtën.

Vitet 1904-1905

Valët më të fuqishme të emigracionit u përkasin viteve 1904-1905 dhe 1909-1912, vite këto të karakterizuara nga tensione të forta politike të krijuara nga ngjarje që sollën shpalljen e pavarësisë, si dhe vitet 1913-1914, veçanërisht vera e vitit 1914 kur Shqipëria e jugut u pushtua prej ushtrisë greke. Në këtë periudhë shqiptarët vijonin të ishin shtetas të Perandorisë Osmane dhe shkonin në Amerikë me pasaporta osmane, prandaj edhe në listat e emigracionit të zyrave amerikane ata figuronin si shtetas osmanë. Një pjesë tjetër regjistroheshin si grekë për shkak të lidhjeve fetare me Patriarkanën e Stambollit dhe prej koncepteve zyrtare të shtetit osman, i cili shqiptarët e besimit ortodoks i konsideronte grekë për nga kombësia. Madje, shumë emigrantë erdhën edhe nga vendet ballkanike, Bullgaria, Rumania, etj, ku kishin emigruar prej kohësh. Si të tillë ata erdhën në Amerikë me dokumente identifikimi jo shqiptare.

Numri i saktë

Si rrjedhojë e të gjithëve këtyre faktorëve, është e vështirë të gjesh numrin e saktë të emigranteve shqiptarë që u vendosën në Amerike në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX. Sipas dokumentacionit zyrtar federal të vitit 1910, në SHBA ndodheshin 625 shqiptare. Gjatë viteve 1911-1914 në ShBA mbërritën 1528 shqiptarë, ndërsa në vitet 1915 deri 1919 numri i tyre bie ndjeshëm në 694 vetë. Në strukturën demografike të diasporës shqiptare të Amerikës, mbizotëronin burrat, sepse ata, duke dashur të riktheheshin përsëri në atdhe, nuk i merrnin gratë dhe pjesën tjetër të familjes së tyre. Numri i grave shqiptare në SHBA erdhi duke u rritur pas vitit 1920, kur shumë shqiptarë vendosën të qëndrojnë atje si banorë të përhershëm.

Gazeta “Kombi”

Sipas gazetës ‘Kombi’ i pari fëmijë me prindër shqiptarë lindi në janar të 1908-ës në familjen e Kristo Koçit prej Korçe. Pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë që vinin në SHBA ishin nga Shqipëria e jugut. Fuqizimi nga ana ekonomike i këtyre  emigrantëve nxiti edhe mjaft shqiptarë të tjerë t’i drejtoheshin ‘Botës së  re’. Pas vitit 1905, interesat tregtare bënë që të hidheshin hapa të rëndësishëm drejt një emigracioni të organizuar të shqiptarëve në SHBA.

Ku u vendosën emigrantët

Megjithëse ligji amerikan i emigracionit në vitin 1907 ndalonte ardhjen e emigrantëve në ShBA me para të marra borxh, shqiptarët të cilët në të shumtën e rasteve udhëtonin me para të siguruara në këtë mënyrë, mund t’i bënin ballë atij në pjesën më të madhe, duke deklaruar para doganës amerikane se paratë e udhëtimit i kishin siguruar prej prindërve ose të afërmve të tyre që ndodheshin në SHBA. Shqiptarët e parë që erdhën si emigrantë në Amerikë, u vendosën në pjesën më të madhe të tyre në qytetin e madhe të Bostonit dhe pikërisht në pjesën jugore dhe perëndimore të qytetit. Pas Bostonit ata u vendosën në qytete apo qyteza të tjera të shtetit Masaçustes. Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë Anglia e re (Neë England).

Jetesa

Për një periudhë relativisht të shkurtër një pjesë e emigrantëve shqiptarë, sigurisht më të zotët, arritën të zbulonin të fshehtat e funksionimit të ekonomisë së një vendi që ofronte mundësi pa kufi, ata filluan të merreshin edhe me tregeti. Sipas gazetës  ‘Kombi’ deri në fund të vitit 1907 shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane. Shumë domethënëse, për integrimin e shqiptarëve në SHBA ishin dhe reklamat që publikoheshin në faqet e gazetës ‘Kombi’, të cilat u bënin jehonë biznesmenëve shqiptarë që jetonin në qytete të ndryshme të Amerikës. Shumë interes paraqet edhe mënyra e jetesës së emigrantëve shqiptarë. Të gjithë bashkëfshatarët ose bashkëqytetarët grumbulloheshin si rregull, në të njëjtat qendra banimi. Kjo dukuri lidhet me faktin se një fshatar apo një qytetar shqiptar i ardhur në Amerikë kthehej shumë shpejt në një pikë tërheqëse për bashkëfshatarët apo bashkëqytetarët e tjerë .

Kujtimet e Grigor Golanit

Fillimisht si vende strehimi për emigrantët shqiptarë, siç shkruante Grigor Golani në kujtimet e tij përdoreshin qilarët (bodrumet) ku lagështira dhe i ftohti e bënin jetesën të vështirë. Me kalimin e kohës, emigrantët shqiptarë filluan të jetonin në grupe prej 10-15 vetash në banesa të cilat thirreshin prej shqiptarëve të atjeshëm me emrin konak. Jeta nëpër këto kënaqe vazhdoi deri në fund të Luftës së Parë Botërore dhe në raste të tjera edhe më vonë. Në përfundim duhet theksuar se kur bëhet fjalë për emigrantët shqiptarë në SHBA, kemi parasysh emigrantët që u larguan nga trualli etnik, sepse emigrantët e parë shqiptarë që shkuan në SHBA, kanë qenë arbëreshët e Italisë. Ata kanë emigruar në drejtim të SHBA-ve që në fillim të shek 18.

Shqiptari i pare/

Vuri këmbë në truallin amerikan në vitin 1876. Sipas disa burimeve, shqiptari ishte nga Korça dhe më pas ndërroi destinacion duke u spostuar në Amerikën e Jugut dhe duke përfunduar më pas në Argjentinë

Shqiptari i dyte/

Ishte shqiptari i dytë, i cili vuri këmbë në tokën amerikane në vitin 1889 ose në 1884. Ky ishte Koli (Nikolas) Kristofori. Është emigranti i parë shqiptarë që është regjistruar dhe i njihen gjeneralitetet.

42 Shqiptarë

Është numri i shqiptarëve, të cilët jetonin në Amerikë në vitin 1900, në qytetin e Masaçusets. Origjina e këtyre shqiptarëve ishte kryesisht nga jugu i Shqipërisë.

50 Dollarë

Ishte çmimi i një bilete udhëtimi nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mjeti transportues ishte vetëm anija dhe kryesisht portet nga niseshin emigrantët shqiptarë ishin ato të Italisë dhe Greqisë.

10-15 Veta

Ishte numri i shqiptarëve, të cilët detyroheshin të banonin që të gjithë në një dhomë sapo mbërrinin  në Shtetet e Bashkuara Amerikës. Dhoma mbante emrin konak dhe kishte shumë funksione si  shtëpi, spital dhe shkollë.

625 shqiptarë

ishte numri i shqiptarëve që sipas statistikave amerikane kishin emigruar dhe jetonin në shtetet e bashkuara në vitin 1910. Ky ishte grupi i parë shqiptarëve, të cilët kishin mbërritur dhe ishin integruar në jetën amerikane.

694 shqiptarë
ishte numri i shqiptarëve,  të cilit kishin arritur të emigronin nga Shqipëria për në SHBA gjatë tre viteve midis 1911-1914. Vetëm në këto tre vite në Amerikë kishin mbërritur vetëm 69 shqiptarë.

50 mijë ishte numri i shqiptarëve i llogaritur në fundin e Luftës së Parë Botërore. Këto shifra janë nxjerrë nga studiuesi Haris Silajxhiç. Një numër i madh ky, duke marrë parasysh numrin e vogël të popullsisë shqiptare të atyre viteve.

30 mijë ishte numri i shqiptarëve sipas Faik Konicës në vitin 1920. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtyre viteve pati një dyndje dhe një fluks të madh të shqiptarëve, të cilët largoheshin nga vendi i tyre i dërrmuar nga luftërat dhe konfliktet e armatosura.

1 mijë ishte numri i grave në vitin 1920, nga 30 mijë që ndodheshin në vitin 1920. Një shifër e rrallë që është bërë e mundur nga statistikat e shtetit amerikan. Por, megjithatë, një numër i vogël po të merret parasysh numri i madh i meshkujve.

7.4% ishte numri i shqiptarëve të natyralizuar në vitin 1920, të cilët kishin arritur të merrnin nënshtetësinë amerikane.  Janë shqiptarët e parë që kanë marrë pasaportën dhe janë kthyer në amerikanë.

18.2% ishte përqindja e  shqiptarëve, të cilët ishin analfabetë.  Një shifër e lartë, por duhet marrë parasysh se në SHBA kishin emigruar shtresat më të varfra që kishin marrë udhën e largët për një jetë më të mirë.
Lista me emrat e të gjithë  shqiptarëve që kanë emigruar në Amerikë nga viti 1917:

FREDERICK  MORTATI     
ALBERT  BRAÇE       
PETRO NINI LUARASI   
SOTIR PECI
FAIK KONICA
FAN NOLI
FILIP KRISTOFORIDHI
MISTO MILLONE
KRISTO FLLOQI
PASKAL ALEKSI
KRISTO KIRKA
LLAMBI ÇIKOZI
ELIA TROMARA
KOSTAQ KOTA
KOSTIKA TRESKA
VANGJEL GJIKA
JOSIF PANI
KOLI CAKNAQI
ANDREA KRISTO
KRISTO DAKO
LONI KRISTO
NIKOLLA DISHNICA
THANAS IDRIZI
XHAFER YMERI
MIHAL KRESHPANI
HAMIT LUMI
VANI ÇANI
ANASTAS PANDELE
DENIS KAMBURI
KOSTA TH. RACKA
MIÇE BARDHO
KOSTA MANGELLI
FAZLLI FRASHERI
EKBER XHELALI
KOSTA PANO
KOSTA ISAK
GONI KATUNDI
HASAN BITINCKA
LUTFI ÇIPI
MAZLLEM PANARITI
TASI ÇIKOZI
MUKE PERMETI
KOL TROMARA
KOL RODHE
KOSTA ÇEKREZI
KOLI PANÇE
SADIK LEKDUSHI
BAHRI OMARI
ANDON FRASHRI
AQIF PERMETI
XHEVAT HARXHI
EMIN BILIBASHI
SHEFKI ALIKO
STATHI SULI
NDREKE STAVRO
MIHAL TURTULLI
NIKOLLA KASNECI
MITHAT FRASHERI
ANGELO SOTIR
KOSTA PAPA
LONI NINI
GEORGE PRIFTI
SADIK DURO
MIHAL PROGERI
ARQILE TASI
NAUM CERE
FASLLI FRASHERI
KOSTA HOTOVA
QERIM PANARITI
PANDELI PAPLILO
ANASTAS ÇAKO
VASKE GOGALECE
PETRO LAZARI
MIHAL KOSMO
MAHMUT MEDIN PERMETI
GJERGJ LUARASI
VANGJEL MILLER
KOSTAQ KAMBURI
BILL MITI
THEODOR NUKE
VASIL K. SERBI
VANI P. QIRAXHIU
PANDI JANAQI
KOÇI JANAQI
SOTIR D. REHOVA
KOSTANDIN D. TREBICKA
BAHRI T. GJIROKASTRA
SPIRO N. GOROSHIANI
SOTIR V. KATUNDI
NIKOLLA PETRO
ANASTAS JOSIFI
NASTAS QAKO
LOPI.P.NAUMI
DENIS KAMBURI
BEQIR GREBENEA
A.GURRA
PASKAL ALEKSI
SEJFI VLLAMASI
KOL TRAMARA
KRISTO DAKO
LONI KRISTO
ETHIM NASI
KOSTË ÇEKREZI
HAXHI MURATI
MESUD ÇAMI
DHIMITËR BALA
ALI KUÇI
BANUSH FETAHU
SHAHIN KOLONJA
KRISTO LUARASI
PETRO NINI LUARASI
SOTIR PECIT
EFTIM NAÇI
VANI KARAMETO
VANI VANGJELI
BAJO TOPULLI
MEHEMT KONICA
KOSTANDIN DEMO
KRISTO DAKO
PARASHQEVI QIRJAZI
SEVASTIJA QIRJAZI
KOSTANDIN ÇEKREZI

Pjesa 2

1876
viti
ishte viti kur shqiptari i parë vuri këmbë në truallin amerikan.  Sipas disa burimeve, shqiptari ishte nga Korça dhe më pas ndërroi destinacion duke u spostuar në Amerikën e Jugut dhe duke përfunduar më pas në Argjentinë
 
1889
viti
Ishte shqiptari i dytë, i cili vuri këmbë në tokën amerikane. Ky ishte Koli (Nikolas) Kristofori. Është emigranti i parë shqiptarë që është regjistruar dhe i njihen gjeneralitetet.

42
Shqiptarë
Është numri i shqiptarëve, të cilët jetonin në Amerikë në vitin 1900, në qytetin e Masaçusets. Origjina e tyre ishte kryesisht nga jugu i Shqipërisë dhe vinin nga zonat më të thella.

50
Dollarë
Ishte çmimi i një bilete udhëtimi nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mjeti transportues ishte vetëm anija dhe kryesisht portet nga niseshin emigrantët shqiptarë ishin ato të Italisë dhe Greqisë.  

10-15
Veta
Ishte numri i shqiptarëve, të cilët detyroheshin të banonin që të gjithë në një dhomë sapo mbërrinin  në Shtetet e Bashkuara Amerikës. Dhoma mbante emrin konak dhe kishte shumë funksione si  shtëpi, spital dhe shkollë.

625
shqiptarë
ishte numri i shqiptarëve që sipas statistikave amerikane kishin emigruar dhe jetonin në shtetet e bashkuara në vitin 1910. Ky ishte grupi i parë shqiptarëve, të cilët kishin mbërritur dhe ishin integruar në jetën amerikane.

50 mijë
është numri i shqiptarëve i llogaritur në fundin e Luftës së Parë Botërore. Këto shifra janë nxjerrë nga studiuesi Haris Silajxhiç. Një numër i madh ky, duke marrë parasysh numrin e vogël të popullsisë shqiptare të atyre viteve.

3 mijë
është numri i shqiptarëve origjina e të cilëve ishte nga Veriu i Shqipërisë. Një fakt i panjohur ky, pasi kryesisht ata që emigronin në SHBA ishin kryesisht banorë të zonave jugore të vendit.

30 mijë
ishte numri i shqiptarëve sipas Faik Konicës në vitin 1920. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtyre viteve pati një dyndje dhe një fluks të madh të shqiptarëve, të cilët largoheshin nga vendi i tyre i dërrmuar nga luftërat dhe konfliktet e armatosura.

1 mijë
ishte numri i grave në vitin 1920, nga 30 mijë që ndodheshin në vitin 1920. Një shifër e rrallë që është bërë e mundur nga statistikat e shtetit amerikan. Por, megjithatë, një numër i vogël po të merret parasysh numri i madh i meshkujve.

7.4%
ishte numri i shqiptarëve të natyralizuar në vitin 1920, të cilët kishin arritur të merrnin nënshtetësinë amerikane.  Janë shqiptarët e parë që kanë marrë pasaportën dhe janë kthyer në amerikanë.

40 mijë
ishte numri i shqiptarëve i llogaritur në fundin e Luftës së Parë Botërore në vitin 1919. Këto shifra janë nxjerrë nga studiuesi dhe profesori Beqir Meta. Një numër i madh ky, duke marrë parasysh numrin e vogël të popullsisë shqiptare të atyre viteve.

80
mijë
është numri i shqiptarëve që kanë emigruar nga Shqipëria në të gjithë kontinentin Amerikan Verior dhe atë Jugor. Ky numër i madh shqiptarësh u largua nga vendi ynë gjatë 20 viteve midis 1900 dhe 1920. Prej tyre 50 mijë ndodheshin vetëm në SHBA.

3000
mijë
ishte numri i shqiptarëve që kishin emigruar në SHBA, të cilët morën pjesë aktive në ushtrinë amerikane gjatë luftës së parë botërore megjithëse shumica e tyre nuk kishte marrë akoma nënshtetësinë amerikane.

15
mijë
është numri i shqiptarëve nga 40 mijë që ndodheshin në SHBA në vitin 1919 që dinin të lexonin dhe të shkruanin. Dihet se emigrantët e parë që shkuan në SHBA ishin kryesisht analfabetë pasi ata largoheshin nga një Shqipëri të varfër dhe me shumë pak shkolla.

80
degë
ishte numri i degëve të shoqërisë panshqiptare “Vatra” në vitin 1919. Kryesisht degët e kësaj shoqërie ishin shpërndarë në të gjithë territorin amerikan dhe në Kanada. Brenda pak vitesh ajo arriti me kontributin e emigrantëve shqiptarë që të shndërrohej në një organizatë të fuqishme ekonomike. Në fillimet e saj ajo zotëronte një kapital prej 922 dollarësh.

14
ishte numri i gazetave shqiptare që u botuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga diaspora gjatë viteve 1906 e deri në vitin 1918, duke filluar nga gazeta e parë “Kombi” e deri tek “The Adriatik River”.
30
mijë
ishte numri i shqiptarëve që zbritën në rrugët e SHBA-së për të protestuar  kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve. Organizata “Vatra”  arriti që më 27 prill të vitit 1913 të mblidhte për herë të parë këtë numër të madh shqiptarësh nga diaspora.

30
mijë ishte numri i shqiptarëve, të cilët u larguan nga SHBA dhe u kthyen në Shqipëri gjatë katër viteve 1921-1925. Arsyet ishin të ndryshme që lidheshin me familjen, vendlindjen por mbi të gjitha ishin ndjenjat patriotike.

NAUM CEREJA
STATHI MELANI
IKONOM AT LAZAR KOSMA
GJERGJ SULI
PETRO A.LESHNJA
TOLI KONDAKCHI
TASI VANI DISHNICA
KOSTA VANGJEL GRABOCKA
LIGOR THOMA BELLOVODA
PASKO MITRO VITHKUQI
TASI MONI
PETRO TH.LUBONJA
RAPI MIHAL LUBONJA
PANDI KRISTO BOBOSHTICA
SPIRO MIHAL LUBONJA
PANDI MIHAL LUBONJA
PETRAQ K.SPIRI
JOAQIM ALARUPI
THEODHOR V.MONKA
ARGJIR KOSTA VANGJEL
RISTO NACHO
GEORGE BREZHDENAKU
KOLI VANGJEL VITHKUQI
TOLI KONDAKCHI
NERENXA GEORGE TREBICKA
URANIA P.TUSHEMISHTI
THOMAIDHA GJORGJI
LIGOR TASI
SIMO ILIA TREBICKA
ANDREA VENETIKU
GEORGE LAKOS
JANO LUBONJA,
LIGOR CHIFLIGU
KOLI KRISTO BOBOSHTICA
VANGJEL P.TUSHEMISHTI
KLIA PASKO METRO
OPI SOTIR KOSTA
PANDORA ARGJIR KOSTA
SAQELLAR AT CHANI
LUKA JOSIF TRESKA
PANDI MARKO CHULA
GJORGJI KOSMA
D.J.TUSHEMISHTI
LAZI FLOQI
SOTIR ANASTAS FLOQI
NAUM THEOHAR VITHKUQI
PETRO ANASTAS LESHNJA
NAUM GJIKA SHTIKA
THOMA THEMELE BOBOSHTICA
GJERGJI THOMA VITHKUQI
VANGJEL SOTIR SHTIKA
ATHANAS MIHAL FLOQI
ANDON KRISTO LUBONJA
ANDREA QAKO VITHKUQI
NIKOLLA KRISTO BOBOSHTICA
VASIL NAUM KAMENICA
NAUM VANI DISHNICA
JANI LUBONJA
GJINI A.LUBONJA
GAQI V.VENETIKU
SPIRO G.NACHO
KRISTAQ MUSHKA
ATHANAS A.MALAVECI
VASIL D.KARAGUNI
IRAKLI S.TUSHEMISHTI
GJERGJI KOZMA
KOZMA STEFAN
SPIRO TASI VITHKUQI
PALI G.GJANCHI
ILO THIMI KORCHA
GAQI I.KAMENICA
SOTIR NAUM KAMENICA
MITKA I.TUSHEMISHTI
PASKAL M.GRABOCKA
JANI JANAQ OCHISTI
LAZI THIMI FLOQI
KRISTO G.STAROVA
SOTIR G.SHTIKA
SANDRI K.ALARUPI
ZISSI G.TUSHEMISHTI
GJERGJI PRIFTI
LIPI KOSTANTIN NICHA
GJERGJI P.QAFEZEZI
GJERGJI V.POGRADECI
QIRIAKO D.KARAGUNI
KOSTA P.BOBOSHTICA
JOSIF SIMEON
ZISSI PASKO REMENJI
KRISTO M.FLOQI
TODI JAQIM
SPIRO SOTIR SHTIKA
TODI SOTIR SHTIKA
GURI N.LESHNJA
NIKOLLA N.BOBOSHTICA
GURI TH.KORCHA
ILO K.TUSHEMISHTI
GJERGJI K.TUSHEMISHTI
NAUM JOVAN POTGORANI
JOSIF S.POGRADECI
MIHAL I.TUSHEMISHTI
ANDREA PETRA FACE
VANGJEL M.MALAVECI
THANAS K.VITHKUQI
ANASTAS THANAS TREBICKA
VASIL THANAS TREBICKA
ILO G.VOSKOPOJA
VANGJEL M.KACHANI
ANASTAS K.KAMENICA
NAUM S.POGRADECI
NIKOLLA P.BUTKA
SPIRO S.QAFEZEZI
THANAS N.LUBONJA
VASIL A.GRABOCKA
LILI G.PANARITI
SOTIR G.GRABOCKA
GJERGJI N.GRABOCKA
KOSTA M.VITHKUQI
TASI M.VITHKUQI
ROPI A.LESHNJA
TUSHI M.VITHKUQI
STAVRE A.TEGO
KRISTO K.MIFOLI
PETRO TH.BOBOSHTICA
THIMI M.KORCHA
ILO BARDHO
VASIL KRISTO PAFTARI
PANDO N.OPARI
VANGJEL M.POGRADECI
FILIP V.VITHKUQI
ANDREA VANGJEL VITHKUQI
DHIMITRI KRISTO BOBOSHTICA
DHIMITRI G.ANGJO
NIKOLLA K.PECI
GREGOR G.GREKO
DHOSKA S.LUBONJA
DHIMITRI P.LUBONJA
PETRO K.KORCHA
APOSTOL SPIRO STATOBERDHA
KOSTA Q.LESHNJA
NIKOLLA QIRIC FLOQI
HARALLAMP N.NARTA
SPIRO TH.LUBONA
KOSTA SPIRO KORCHA
DHIMITRI P.OCHISHTI
DHIMITRI D.DISHNICA
PETRO S.AFEZOLLU
TASI VANGJEL
ANDREA VANGJEL
PANDI S.BOBOSHTICA
GAQI LAZAR
VELLAZERIA PAPANIKOLLA
JIMI ADAM
RAFAIL MIHAL
LIGOR BUTKA
VASIL NIKOLLA
VELL M.PASKO
KOCHI GJERGO
MIHALLAQ KRISTO
LEKSI NIKOLLA
AT LAZAR KOSMA
PETRAQ K.SPIRI
NAUM APOSTOL
KOSTAQ S.CHERAVA
ZISSI GEORGE
MIHAL JOVAN
VASIL K.BERATI
GEORGE BREZHDANAKU
GEORGE KONDAKCHI
KATINA KONDAKCHI
KOLI VANGJEL
NIKOLLA KRISTO
DHOSI S.LUBONJA
SIFI L.VITHKUQI
DHOSI L.VITHKUQI
AVRAM KOSTANDIN
ANASTAS ATHANAS
VASIL T.MILLAU
PETRAQ BELBA
TODI V.MONKA
STEVE LAZO
NAUM NAKO
KOZMA L.FIKU
DHIMITRI PEPO
MITRO BROS
PANO T.PANO
LIGOR T.JANKO
ILO G.VOSKOPOJA
DHORI TOROVECI
LIGOR A.DEMA
CHRISTO A.DEMA
LIPI PETRO
FILIP TH.BUTKA
LUKA BUTKA
A.KRISTO BUTKA
KOLI P.BUTKA
LAZO DHAMO
LIGOR T.LIAKO
VANGJEL S.ALARUPI
ARGJIR A.LUBONJA
DURO NURI
VANGJEL JOHN
SPIRO MONKA
SOTIR VESHO
NAUM LAZAR
LIGOR BELLOVODA
MIHAL LIMPIRAK
LIL N.SHYTI
LIGOR SKARANI
VASIL KURTEF
KOZMA STEFAN
PERIKLI VASIL
VASIL KRISTO
PANDI SOTIR
PETRO PANAJOT
PETRO TH.LUBONJA
DHAMO SHOLLA
NASTAS KECI
THOMA ZIU
GEORGE ANDREA
DOKE LUBONJA
RAKO RUSHA
TOLI SOTIR
NAUM KRISTO
SALI J.DISHNICA
MIHAL P.BILERALIS
GEORGE SIMON
KADRI ELBASANI
ZHAMO FEHIM
KASEM J.ELBASANI
ALI B.BERATI
MIHAL BRISKU
NAUM LAZAR
ILO VASIL
PANDI M.LUBONJA
LIGOR BELLOVODA
PETRO THANAS
KOCHI GJERGO
ARGJIR ADAM
SOTIR ALEKS
ANDON KRISTO
DHIMITRI ANDON
RAKO ILO
STELIAN ZYKO
ALEKS SOTIR
KOLI TUSHI
VELL.KAMENICA
ANDREA FACE
PETRO BOBOSHTICA
VELL.PAPAVANGJEL
EUGJENI D.ROSINI
KOSTA PATAROKU
PANDELI KRALI
VASIL LAMBI
ARTEMIS MAVROMATAQI
ALEKS LEONAQI
DURO NURI
VANGJEL JANI
SOKRAT GEORGE
GEORGE MALAKSENO
NAUM VOSKOPOJA
ADEM ASLLAN
HARI D.TREBICKA
LULA BUTKA
LAZO DHAMO
ARGJIR BUTKA
STEFO NASI FURXHI
PARASHQEVI STEFO
STAVROS
SPIRO MONKA(Vijon)

Filed Under: Histori Tagged With: Kol Kristofori, Shqiptaret e Amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT