• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

MIRËNJOHJE E MERITUAR, HAFËZ JUSUF AZEMIT, NGA KRYETARJA E KOMUNËS SË TETOVËS

April 14, 2016 by dgreca

Nga Prof. Dr. Riza Sadiku/

Në muajin Maj të vitit 2015, kryetarja e komunës së Tetovës, Zonja Teuta Arifi, me plotë të drejtë dhe meritë e nderojë me mirënjohje veprimtarinë e dalluar të çështjes kombëtare në mërgim, Zotëri Hafëz Jusuf Azemin i cili tërë jetën ia kushtoi kauzës shqiptare.

H.J.Azemi u lind në fshatin DOBROSHT të Tetovës në vitin 1920, në vitin 1945 largohet nga krimet sllavo-komuniste, së pari në Greqi, pas disa muajsh qëndrimi në këtë vend, vendoset në kamp-strehimoret  e Italisë, ne te cilin qendron disa vite, nga ky  shtet  ne vitin 1948 largohet në Siri, pas qëndrimit të tij disa vite në këtë vend, në vitin 1952 udhëton  për në Sh.B.A,  se pari  vendoset ne Nju Jork, pas një kohe kalon ne në Çikago, ku jeton edhe sot.

Veprimtaria kombëtare e H.J.Azemit është shumë dimensionale dhe komplekse, por me këtë rast do të theksojmë një rast të veçantë të takimit të tije  me  Mid’hat Frashërit në kamp-strehimoren e Rexhio Miles të Italisë. H.J. Azemi duke u endur prej një shteti në tjetrin nëpër Evropë, edhe pse në kushte shumë të vështira, ai me shumë idealistë të tjerë, kurrë nuk e harroi çështjen kombëtare, veprimtaria e të cilit i ra në sy edhe Mid’hat Frashërit, deri sa një kohë të shkurtër prej dy javësh ka banuar në një dhomë të ndarë me batanie me H.J. Azemin në kamp strehimoren e Rexhio Miles, në të cilin kamp ka pasur të strehuar edhe shumë nacionalistë të tjerë shqiptare. Mid’hat Frashëri, duke i parë preokupimet dhe idealet e disa  veprimtarëve  kombëtar, lidhur me fatin e trojeve etnike shqiptare, me një rast i thotë H.J. Azemit: ‘‘Në të ardhemen qendrat e nacionalizmës dhe kombëtarizmes do të jenë Prishtina dhe Tetova’’, (deklaratë e inqizuar e H.J. Azemit, dhënë Riza Sadikut në Muzeun e Kosovës, korrik 2002, takimin e tyre e dëshomjnë edhe tri  letrat e M. Frashërit, dërguar J.Azemit, të cilat i posedon autori i këtij shkrimi). Pra, J. Azemi është i vetmi person i gjallë fizik i cili ka kontaktuar me themeluesin e Ballit Kombëtar Mid’hat Frashërin, i cili takim J. Azemit i ka lënë gjurmë të thella, duke ia shtuar edhe më tepër dashurinë ndaj atdheut, angazhimin e tij për zgjidhjen e çështjes mbarëkombëtare dhe bashkimin e trojeve etnike. Ideve të M. Frashërit të cilat i dëgjoi personalisht në kamp-strehimoren e Rexhio Miles, H.J.  Azemi u qëndroi besnik gjatë gjithë jetës së tij, kur nuk e lakoi platformën politike të Ballit Kombëtar të M. Frashërit, këtu edhe qëndron madhëria kombëtare dhe pjekuria politike e Hafëz Jusuf Azemit e cila e bënë të pa vdekshëm, për Historinë e Popullit Shqiptare.

Rrugën e M. Frashërit, me mburrje dhe krenari e vazhdoi H. j. Azemi gjatë gjithë jetës së tij edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Ballit Kombëtar dhe organizatës politike Lidhja Kosovare, shënimit të Ditës së Flamurit, shënimit të Ditës së Kombeve të Robëruara, krijimit të Lobit Shqiptaro-Amerikan, përmes kontakteve  me përfaqësuesit ma te larte të Administaratës Amerikane (të disa Kryetarëve dhe Sekretarëve të Sh.B.A.-ve), shumë Kongresmenëve dhe Senatorëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashnigton. Me një aktivitetë të këtillë kombëtar të Hafëz Jusuf Azemit, me një numër të madhë të bashkëveprimtarëve tjerë, arritën  që çështjen mbarë kombëtare, në veçanti atë të Kosovës, ta instalojnë në piedestalin më të lartë të Administratës Amerikane dhe forcave progresive demokratike Evropiane.

Nga këto pak rreshta që u cekën më lartë, lidhur me veprimtarinë kombëtare të H.J. Azemit, deshrojme te rrezatojme  dhe ta justifikojme mirenjohjen  e Kryetares se komunes  se Tetoves, Zonjes Teuta Arifi e cila vazhdimsin e veprimtarise  kombetare te mergates shqiptare dhe te  H.J.Azemit, me të drejtë e krahason me ate te Fan Nolit dhe Faik Konicës, të cilët vuan themelet e lobit shqiptaro-amerikan, kurse Hafëz  Jusuf Azemi me shume  bashkveprimtar , ato themele, jo vetëm që i zgjeruan , por edhe i degëzuan sipas kërkesave të kohës në mënyrë kontinuele, duke i informuar personalitetet kompetente të Administratës Amerikane me pozitën, vuajtjet dhe shtypjen e popullit shqiptar nga regjimet komuniste në tërësi, në veçanti ate të Kosovës, kurse opinionin e gjerë amerikan për pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi e kanë informuar përmes protestave dhe demonstratave të shumta të organizuara nga mërgata shqiptare si në: Uashington, Nju Jork, Çikago dhe Detroit, promotor i të cilave ishte Hafëz Jusuf Azemi.

Kjo mirënjohje modeste, por shumë domethënëse për veprimtarinë kombëtare të H.J. Azemit në mërgim, dhënë nga Zonja Teuta Arifi, Kryetare e Komunës së Tetovës, le tu shërbej si shembull edhe Kryetarëve tjerë të komunave të trojeve etnike shqiptare që të ju ndajnë edhe shumë veprimtarëve tjerë mërgim, të cilët, tërë jetën ia kushtuan çështjes kombëtare, pa interesa personale.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Jusuf Azemi, Mirenjohje, Riza Sadiku, Tetove

Një akademik Fan Nolist, kandidat për Rektor në Universitëtin publik “Fan S. Noli”

April 14, 2016 by dgreca

*Universiteti “Fan S.Noli”,  qendër e madhe mësimore, shkencore dhe kulturore në Shqipërinë juglindore/

 *Intervistë me kandidatin për Rektor të Universitetit Publik “Fan S.Noli”, Korcë Prof. Dr. ALI  JASHARI/

Pyetje: Zoti Profesor, ju tashmë jeni një akademik i afirmuar jo vetëm në universitetin “Fan Noli”, por dhe më gjerë. Cila ishte arësyeja që ju po kandidoni si drejtues i këtij Universiteti të rëndësishëm për zonën Juglindore të vendit?

Përgjigje: Së pari përshëndes të gjithë kolegët dhe studentët e Universitetit “Fan Noli”, të cilët me përkushtim e profesionalizëm kanë mbajtur gjallë edukimin dhe arësimimin e qindra studentëve në fusha të ndryshme, me të cilët kam ndarë punën dhe angazhimin tim si mësimdhënës, koleg, vendimarrës, në ditë të mira e të vështira në Universitetin “Fan S.Noli”. Më vjen mirë që këtë moment ta ndaj me gazetën tuaj, të cilën për hir të së vërtetës e ndjek herë pas herë, sidomos të shtunave dhe të djelave. Arësyeja kryesore që më shtyu drejt këtij vendimi lidhet në radhë të parë, me arritjet e shënuara nga Universiteti ynë, falë punës dhe përkushtimit të stafit akademik, të organeve dhe autoriteteve drejtuese, që nga rektori deri te përgjegjësit e departamenteve, ku dhe unë kam dhënë ndihmesën time modeste, në detyrën e Zëvendësrektorit të universitetit dhe të Dekanit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, si anëtar i senatit akademik dhe kryetar i këshillit të profesorëve apo në detyra të tjera. Tashmë Universiteti “Fan S.Noli” i Korçës, ka krijuar profilin e tij të plotë si një institucion me emër dhe me integritet të plotë, me një infrastrukturë bashkëkohore, me një staf të dyfishuar në numër dhe me kualifikimet e duhura e gjithnjë në rritje, me programe studimi të konsoliduara me synimin drejt programeve të reja për t’u paraprirë kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimit të rajonit të Korçës, me veprimtari shkencore mbarë dhe ndërkombëtare, që e kanë hapur dhe e kanë lidhur institucionin tonë me shumë universitete të tjera, me projekte të frytshme në dobi të përngritjes shkencore të shumë prej pedagogëve dhe studentëve, me një numër të mjaftueshëm studentësh, që po shkon drejt prurjeve cilësore, me mjedise mësimore e çlodhëse, që do të shtohen edhe më shumë, me investime të nevojshme, që do të rriten në të ardhmen etj. Në vijim të intervistës po e zgjeroj pak pyetjen tuaj: pse vendosa që të kandidoj për detyrën e rektorit të universitetit dhe nuk bëra zgjidhje të tjera të mundshme?  Kjo është pyetja më e natyrshme që duhet t’ia bëjë vetes secili që kandidon për këtë detyrë, apo edhe për detyra të tjera të rëndësishme, në të cilat individi ka rolin e vet të pamohueshëm dhe mund të bëjë që institucioni që do të drejtojë ose të ecë përpara, ose të krijojë një status quo, ose të marrë teposhtën, duke sjellë  edhe dëme shumë të mëdha që mund të mos ndreqen për vite të tëra. Me fjalë të tjera, drejtuesi që kërkon të jetë i tillë, duhet të dalë mbi veten për të realizuar një mision të lartë, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në të mirë të të gjithë njerëzve që i kanë besuar, për komunitetin përreth universitetit, për prindërit, studentët, për Korçën dhe rajonin e saj, por edhe më gjerë. Unë kam besim se mund ta marr përsipër këtë detyrë, duke besuar që, së bashku, si një familje e madhe, pedagogë, studentë e punonjës ndihmësmësimorë, do të krijojmë një mjedis pune të ngrohtë dhe frymëzues, ku secili ka rolin e vet të çmuar, duke punuar së bashku dhe me përkushtim për të përballuar sfidat aktuale që kemi për zbatimin e reformës së arsimit të lartë dhe akreditimin institucional, në mënyrë që Universiteti i Korçës të radhitet me dinjitet e besueshmëri përkrah dhe në ballë të institucioneve më të mira të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit. Theksoj se të gjitha këto dhe arsye të tjera, unë i kam paraqitur para stafit akademik dhe studentëve në Projektprogramin e Zhvillimit të Universitetit të Korçës për katër vitet e ardhshëm, duke i kërkuar atyre dhe mbështetjen tuaj të hapur dhe të sinqertë.

Pyetje:-Ju folët për përmirësim të programeve të deritanishme, cfarë propozoni konkretisht?

Përgjigje: -Aktualisht Universiteti “FAN S.Noli”, {UK. FS.N.}, ka 6500 studentë, nga 3200 që kishte në vitin 2008, një rritje e pazakontë kjo referuar kushteve dhe mundësive, ndërkohë që është rritur dhe numuri i pedagogëve të cilët duhen kualifikuar me programe të studimit “Bahcelor”, “Master profesional”, “Master Shkencor” dhe “Doktoraturë”. Referuar misionit që ka universiteti, si institucion i arsimit të lartë dhe sipas ligjit të ri të arsimit të lartë ne, në përgjithësi, i plotësojmë të gjitha kriteret për të ruajtur një status të tillë. Por, ndërkaq duhen realizuar disa përbërës të tjerë: së pari, cikli i tretë i studimeve. Ne kemi vetëm një program të tillë në Fakultetin e Bujqësisë për “Hortikulturë të qëndrueshme”, i cili duhet vënë në baza më të shëndosha organizative për të rritur cilësinë, së dyti, brenda dy vjetëve ne duhet të plotësojmë kushtet për të ngritur këshillin e profesorëve të universitetit, së paku me 18 profesorë. Aktualisht ne kemi 5 profesorë dhe 34 profesorë të asociuar, shumica e të cilëve mund të aspirojnë për marrjen e titullit “profesor”, sipas përcaktimeve të ligjit të ri të arsimit të lartë, ndaj dhe objektivi ynë është që brenda 2 vjetëve ne të arrijmë ngritjen e këshillit të profesorëve të universitetit, së treti, ne duhet të hapim të paktën dhe tre programe të reja të ciklit të tretë, studime të doktoraturës (Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë dhe Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane). Pra, konsolidimi dhe rritja cilësore e programeve ekzistuese të studimit, ristrukturimi i tyre sipas ligjit të arsimit të lartë dhe lehtësimi i transferimit të studimeve për studentët do të jetë një objektiv i rëndësishëm për vitin e ardhshëm akademik. Gjithashtu hapja e programeve të reja në bazë të kërkesave të tregut të punës, sidomos programe studimi 2-vjeçare me karakter profesional, mbi bazën e arsimit të mesëm që përgatitin specialistë për drejtime të caktuara, si specialistë veterinarie, specialistë të pyjeve, edukatore për foshnjërinë dhe fëmijërinë e hershme, specialistë për hoteleri-turizëm, specialistë për marketing-tregti etj. (sipas propozimeve që do të bëhen nga departamentet e fakulteteve). Këto programe studimi janë përparësi e strategjisë kombëtare për arsimin e lartë.

Pyetje: Sot, jo vetëm në Universitetet Botërore por dhe në vendin tonë shtrohet domosdoshmëria e punës kërkimore-shkencore, inovacionit dhe botimeve cilësore për këto veprimtari, cfarë mendoni ju se mund të realizohet në UK.FS.N.

Përgjigje: Mendoj se në të ardhmen organet dhe autoritetet drejtuese të Universitetit tonë  do të përkrahin përgatitjen dhe botimin e teksteve universitarë nga pedagogët tanë, përkthime tekstesh bashkëkohorë etj. Për të realizuar këtë proces do të ngremë Entin Botues të Universitetit, si një institucion me statusin e një shtëpie botuese, ku tekstet universitarë do të subvensionohen nga të ardhurat sipas fakulteteve, në mënyrë që ato t’u jepen studentëve me çmime të reduktuara.

Gjithashtu universiteti do të marrë përsipër botimin e monografive të pedagogëve (sikurse është bërë në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë ku janë në proces botimi 24 monografi) dhe libra të tjerë të tyre me karakter shkencor. Ndërkohë do të bëhet ristrukturimi i Buletinit Shkencor të Universitetit, duke nxjerrë 4 seri sipas fakulteteve (një herë në vit, sikurse dhe ka ndodhur nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Edukimit) dhe do të përmirësohet cilësia e botimeve. Mirë do jetë që cdo fakultet të organizojë të paktën një herë në vit, një konferencë me prurjet më të fundit të pedagogëve të çdo fakulteti (të cilat mund të jenë lënda për botimin e revistës së fakultetit). Për këtë do përkrahet dhe mbështetet financiarisht pjesëmarrja e pedagogëve në veprimtari shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, aplikimi për projekte në shkallë fakulteti dhe universiteti, si dhe në projekte ndërkombëtare, ristrukturimi i njësisë që merret me projektet duke përfshirë edhe pedagogë të tjerë në çdo fakultet. Theksoj se, të gjithë pedagogët që do të marrin pjesë në projekte, veprimtari shkencore, kualifikuese, botuese etj. për shërbime me palë të tjera, do të motivohen financiarisht në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe akteve të tjera nënligjore. Krahas këtyre do të rinovojmë laboratorët shkencorë, sallat e informatikës dhe gjuhës angleze, për të cilat do afrojmë donatorë. Për ta zgjeruar këtë veprimtari ne do bashkëpunojmë dhe me universitete evropiane dhe në SHBA.

Pyetje:-kuptohet që bazë për realizimin e synimeve tuaja është niveli i akreditimit të stafit pedagogjik dhe zbatimi i kërkesave të procesit të Bolonjës, cfarë mendoni për këtë?

Përgjigje:-Aktualisht në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë, Fakultetin Ekonomik, të shkencave të Natyrës dhe Humane dhe Fakultetin e Bujqësisë ka respektivisht  153 pedagogë efektivë dhe me kontratë me kohë të plotë, nga të cilët 5 profesorë, 34 profesorë të asociuar; 45 doktorë shkencash, 6 docentë dhe 69 “Master i shkencave”, pa përmendur numrin e pedagogëve të ftuar. Por, përballimi i detyrave dhe i sfidave që përmendëm më sipër kërkon që të rritet ndjeshëm numri i pedagogëve të kualifikuar. Ne do krijojmë lehtësira për stafin mësimdhënës dhe kualifikimin e tyre, konkretisht, brenda dy vjetëve do të synohet që të plotësohet objektivi për të ngritur këshillin e profesorëve, sipas Ligjit të ri të arsimit të lartë, të gjithë pedagogëve me kualifikimin “master i shkencave”, të paregjistruar në doktoraturë, do t’u krijohen mundësitë për t’u regjistruar dhe për ta mbrojtur në kohën e duhur, pedagogët do të kenë mjedise më të mira për punë dhe kërkim shkencor, ndërkohë, të gjitha shpenzimet për mbrojtjen e doktoraturave (printime, lidhje etj.) do të përballohen nga buxheti i Universitetit.

Pyetje: Me sa shohim, programi juaj është tepër ambicioz dhe nqs realizohet Universiteti “Fan S. Noli” do jetë ndër më të kërkuarit, po për cilësinë e mësimdhënies cfarë mendoni?

Përgjigje:-Kjo është një pikë ku duhet të përqendrojmë më shumë vëmendjen në të ardhmen. Ne vërtet kemi përmirësuar infrastrukturën e mësimdhënies, diçka ka ndryshuar dhe për metodat e mësimdhënies, por mbetet shumë për të bërë. Cilat janë problemet dhe zgjidhjet? Sot, në rend të ditës është mësimdhënia mbi bazën e kompetencave dhe rezultateve të të nxënit. Në arsimin parauniversitar tashmë janë përcaktuar kompetencat kyçe dhe specifike për çdo fushë lëndore dhe lëndë që zhvillohet me nxënësit, ndërsa në institucionet e arsimit të lartë janë ende larg  konceptit për të mësuarit mbi bazën e kompetencave që sot është kryefjala e dokumenteve të Procesit të Bolonjës për arsimin e lartë. Në literaturën për arsimin, lidhur me termin “kompetencë” ka patur dhe ka pështjellime. Shpeshherë, termat “shkathtësi”, “aftësi”, “dije”, “kapacitet” etj. jepen si sinonime të termit “kompetencë”. Kompetencat janë shtyllë e mësimdhënies moderne në institucionet e arsimit të lartë, si bazë për zhvillimin e kurrikulave dhe plan-programeve mësimore, që përdoren për të përcaktuar  veprimtaritë mësimore dhe që duhet të vlerësohen përkatësisht. Në shumë shtojca të diplomës jepen të dhëna për të diplomuarit në formën e vlerësimit të kompetencave. Në një kurrikul të bazuar në kompetenca, të gjithë përbërësit e mësimdhënies: rezultatet e synuara të mësimit, metodat e mësimdhënies të përdorura, burimet për të mbështetur të mësuarit,  detyrat  vlerësuese dhe kriteret për vlerësimin e mësimit,  janë të lidhura dhe lehtësojnë arritjen e rezultateve të synuara të të nxënit. Për të diplomuarit e rinj nuk mjafton vetëm baza e dijes teorike që ata e marrin, por kanë nevojë edhe të përvetësojnë një sërë kompetencash që u mundësojnë atyre për të qenë më të shkathët për t’u ballafaquar me sfida të reja dhe të panjohura. Sot, me ndryshimet që ka pësuar shoqëria në të gjitha fushat kërkohet  që mësimi në auditorë  dhe laboratorë  të bëhet më tërheqës, më miqësor dhe përfshirja e studentëve brenda orës duhet të jetë e tillë që të ndikojë në rritjen dhe përmirësimin e të menduarit, të përvetësimit dhe zbatimit të njohurive. Ristrukturimi i kurrikulave universitare me bazë kompetencat është një detyrë urgjente, ndaj dhe ne po punojmë në këtë drejtim që brenda vitit të ardhshëm akademik  të zbatojmë një projekt konkret për mësimdhënien me bazë kompetencat. Nëpërmjet këtij projekti do të shihet  mundësia e riorganizimit të kurrikulës universitare,  me qëllim që të zhvillohen procedurat dhe instrumentet  për hartimin,  zbatimin  dhe vlerësimin e kompetencave që  duhet  ofrojë kurrikula në  në çdo program studimi, me ato që kërkohen nga tregu i punës. Konkretisht: Do të bëhet një përqasje dhe përshtatje e njohurive dhe praktikave të  Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë, sipas nevojave dhe realitetit shqiptar të  tregut të punës, sidomos për rajonin e Korçës, Hartimi i kornizës së kompetencave, duke bërë një ndarje në kompetenca të përgjithshme dhe kompetenca të veçanta për çdo kurs studimi, publikimi i katalogut të kompetencave sipas programeve  përkatëse të studimit (do të  hartohet katalogu i kompetencave që fakulteti beson se duhet t’i ketë secili student në përfundim  të studimeve; çdo  program  studimi të ketë listën e vet të kompetencave, që përmban një sërë kompetencash të përgjithshme dhe një tjetër të kompetencave të veçanta; kompetencat e përgjithshme janë të njëjta për kurse të ndryshme studimi në fakultet; kompetencat e veçanta janë më të shumta në numër se të përgjithshmet dhe  përcaktojnë përmbajtjen aktuale dhe specifikat e dijeve për çdo të diplomuar të një program të caktuar studimi). Gjithashtu lidhur me këtë cështje e do hartohet dhe botohet manuali “Udhërrëfyes për mësimdhënien me kompetenca” që do të jetë ndihmesë shtesë praktike për grupet e interesit në nivel universitar dhe parauniversitar.

Pyetje:-si e shikoni në të ardhmen rolin e Universitetit të Korcës në rajonin e Korcës e më gjerë?

Përgjigje:-e shoh si qendër të madhe mësimore, shkencore dhe kulturore në Shqipërinë juglindore. Jam i sigurt se, në katër vitet e ardhshëm Universiteti “Fan S. Noli” do të rritë edhe më tej rolin e tij si qendra më e madhe mësimore, shkencore dhe kulturore në rajonin e Korçës dhe më gjerë, nëpërmjet këtyre rrugëve: duke forcuar lidhjet e organeve drejtuese të Universitetit dhe fakulteteve me drejtuesit e bashkive, të qarkut, të prefekturës, të drejtorive rajonale apo me organizata dhe fondacione që veprojnë në rajonin e Korçës; duke sjellë në universitet mendimin e specialistëve të fushave të ndryshme, si dhe të drejtuesve të organeve vendore për zgjidhjen e problemeve që ka universiteti; që edhe ata ta ndiejnë se janë pjesë e Universitetit të Korçës.UK.FS.N. do të bëhet nismëtar për të organizuar në mënyrë periodike konferenca shkencore popullarizuese për probleme të fushave të ndryshme, duke u mbështetur dhe në potencialet intelektuale që ka rajoni i Korçës. Një objektiv i rëndësishëm për katër vitet e ardhshme është që Universiteti ynë të ofrojë shërbime për probleme të rëndësishme të rajonit dhe më gjerë në përputhje me misionin e tij, duke bashkëpunuar me bashkitë e rajonit. Së pari, Fakulteti i Bujqësisë do të marrë përsipër të përpunojë politikat për zhvillimin bujqësor dhe blegtoral të rajonit të Korçës, si dhe për prodhimin e teknologjive të reja. Për këtë: 1.EDE do të ngrihet në statusin e një qendre kërkimore-shkencore, që do të marrë përsipër trajnimin e fermerëve për gjithë rajonin, si dhe specializime afatshkurtra për probleme shqetësuese të bujqësisë dhe blegtorisë. Kjo qendër me 22 hektarë tokë do të pajiset me mjetet më moderne në fushën e kërkimit bujqësor e me gjerë, duke bërë investimet e nevojshme. 2. Pjesë e Fakultetit të Bujqësisë do të jetë dhe Qendra e Transferimit të Teknologjive bujqësore, si bazë për zhvillimin e praktikave të studentëve të programit profesional për specialistë veterinarie. 3. Fakulteti i Bujqësisë do të bëjë certifikimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale të rajonit.

Së dyti, në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Humane:

1.Qendra e Ekselencës, mbi bazën e përvojës së fituar, do të ofrojë trajnimin e mësuesve në shërbim edhe me më shumë module në përputhje me përparësitë që do të japë Instituti i Zhvillimit të Arsimit, duke dhënë shërbimin e saj edhe jashtë rajonit të Korçës. 2.Departamenti i shkencave sociale dhe studentët e kësaj fushe do të angazhohen në projekte të përbashkëta me bashkitë e rajonit të Korçës për kryerjen e studimeve të karakterit social në interes të komunitetit.3.Departamenti i Infermierisë do të ofrojë shërbime me ekipe pedagogësh dhe studentësh në fshatra të largët të qarkut të Korçës, aty ku mungon ky shërbim, si dhe për të ndërmarrë studime për probleme të rëndësishme shëndetësore në shkallë rajoni. Së treti, Fakulteti Ekonomik do të ofrojë shërbime për probleme të mprehta dhe aktuale të ndërmarrjeve ekonomike, të cilat do të realizohen nëpërmjet: 1.Qendrës së studimeve për tregun, sidomos për tregun e punës në të gjitha profilet e ofruara nga Universiteti i Korçës. Studimet e kësaj qendre do t’u paraprijnë aplikimeve për programe të reja studimi. 2.Duke marrë përsipër kualifikimet afatshkurtra të specialistëve të ekonomisë për të rejat bashkëkohore të fushës, për trajnimin dhe praktikën në hoteleri-turizëm etj. 3.Duke u nisur dhe nga përvoja e deritanishme, pedagogët dhe studentët e këtij fakulteti do të marrin pjesë në projekte të përbashkëta me bashkitë e rajonit të Korçës për zhvillimin e turizmit, si dhe për zhvillimin e praktikës së studentëve duke i angazhuar në projekte konkrete, panaire, anketime etj.

4.Fakulteti Ekonomik do të ofrojë shërbime për shkrimin e projekteve dhe për drejtime të tjera.Së katërti, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë:1. Do të forcojë edhe më shumë në shkallë rajonale dhe kombëtare  rolin e Qendrës së Ekselencës për trajnimin e mësuesve në shërbim dhe do të hapë programe studimi të formimit të vazhduar për specializime afatshkrutra. Këto programe do të ofrohen edhe në forma të tjera, si shkolla verore etj.2.Departamenti i gjuhës shqipe do të ngrerë në nivel institucional Qendrën e gjuhës shqipe për të huajt dhe shqiptarët emigrantë në bashkëpunim me Universitetin “Aristoteli” të Selanikut dhe Universitetin e Follorinës, duke mbështetur me tekste dhe literaturë tjetër për mësimin e shqipes nga fëmijët emigrantë. 3.Në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë do të funksionojë Qendra e provimit për gjuhën greke, si një shërbim në dobi të Universitetit. Mendojmë se një objektiv i rëndësishëm do të jetë bashkëpunimi i rektoratit dhe i organeve të tjera me grupet e biznesit dhe me organizma të tjerë për të siguruar tregun e punës për studentët diplomantë, duke e bërë reale  këtë çështje jetike për ardhmërinë e tyre. Këto masa do i shërbejnë përmirësimit të imazhit të UK.FS.N.

Pyetje: po përmirësimin e infrastrukturës cfarë keni menduar?

Përgjigje: Kam ndjekur me kujdes cdo investim që është kryer në UK.FS.N, di dhe shifrat e cdo investimi. Gjykoj se përmirësimi i infrastrukturës mësimore në këto tetë vite që kaluan ka qenë i dukshëm dhe nuk dua të ndalem më gjatë këtu, po në atë se çfarë do të bëhet katër vitet e ardhshëm. Objektivi kryesor do të jetë zgjerimi i mjediseve për mësim dhe për pedagogët. Për këtë: brenda dy vjetëve do të ndërtohet një godinë moderne universitare me sipërfaqe 3000 m2 në vazhdim të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, në harmonizim me gjithë kampusin universitar,  me vlerë 98 milionë lekë (që do të financohet nga Universiteti dhe Fondi i Zhvillimit të Rajonit), çka do ndikojë ndjeshëm në arritjen e standardit  do të ketë: auditorë me infrastrukturë bashkëkohore; një bibliotekë universitare dixhitale dhe shërbime online; një amfiteatër për veprimtari shkencore, kulturore, artistike; një palestër për veprimtaritë sportive të studentëve etj.mjedise për administratën e rektoratit dhe pedagogëve etj. Kjo godinë do të shërbejë për veprimtaritë mësimore dhe shkencore për programet e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve të të gjitha fakulteteve të Universitetit. Po ashtu godina e re do të ndikojë dhe në zgjerimin e mjediseve në Fakultetin Ekonomik (me zhvendosjen e administratës së universitetit). Po kështu, në Fakultetin e Shkencave do të ndërtohen 6 salla të reja leksionesh dhe mjedise të tjera për pedagogët. Do të bëhen investime në Qendrën kërkimore shkencore të fakultetit të Bujqësisë, me të ardhurat e Universitetit dhe në bashkëpunim me institucione e fondacione shqiptare dhe të huaja për modernizimin e qendrës, për ta bërë atë një pasqyrë të zhvillimit bashkëkohor të bujqësisë. Për këtë:-Në të gjitha mjediset e pedagogëve do të Universitetit do të bëhet rinovimi i bazës kompjuterike dhe i kushteve të tjera. Brenda vitit akademik 2016-2017 do të ngrihet Qendra e Provimeve Dixhitale për zhvillimin e provimeve të formimit me 30-40 poste.                                Pyetje: Me sa kemi pare, ju këto ditë po zhvilloni një bashkëbisedim të hapur me studentët nën moton “Me sytë e zemrës tek studentët tanë”, cfarë nënkupton tematika e këtyre bisedave? Përgjigje: Nëpërmjet këtyre takimeve unë i vë në dijeni pedagogët dhe studentët për kandidimin tim në detyrën e rektorit të Universitetit. I kam shprehur atyre besimin se mund ta marr përsipër këtë detyrë, dhe së bashku, si një familje e madhe, pedagogë, studentë e punonjës ndihmësmësimorë, do të krijojmë një mjedis pune të ngrohtë dhe frymëzues, ku secili ka rolin e vet të çmuar. Ne do punojmë me përkushtim për të përballuar sfidat aktuale që kemi për zbatimin e reformës së arsimit të lartë dhe akreditimin institucional, në mënyrë që Universiteti i Korçës të radhitet me dinjitet e besueshmëri përkrah dhe në ballë të institucioneve më të mira të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu kam diskutuar probleme e cështje të tilla si, studentët dhe vendimmarrja, pasi, studentët, si pjesë e vendimmarrjes, përmenden në gjitha dokumentet politikë të Procesit të Bolonjës dhe është detyrë e autoriteteve dhe organeve drejtuese të Universitetit që ta jetësojnë plotësisht këtë parim, si a-ja e demokracisë së universitetit, kemi trajtuar organizimin e këshillave studentorë, kartën e studentëve dhe mbështetja finaciare,  përmirësimi i infrastrukturës së Universitetit në mbështetje të studentëve, gjallërimi i jetës studentore brenda dhe jashtë universitetit, procesi i mësimdhënies, etj. Sigurisht që për të gjitha këto, i kam kërkuar mbështetjen studentëve në zgjedhjet e 20 prillit, kur unë do të votohem në detyrën e Rektorit të Universitetit të Korçës, për një mandat katërvjeçar. Mbështetja e tyre do të më japë edhe më shumë kurajë për të realizuar planin strategjik të zhvillimit të Universitetit për periudhën 2016-2020. Kjo mbështetje është shprehje e vendimarrjes së studentëve për ardhmërinë e Universitetit të Korçës, si qendra më e madhe mësimore, shkencore, kulturore etj. në rajonin e Korçës dhe më gjerë. Ndaj i falënderoj të gjithë, dhe i ftoj të marrin pjesë në zgjedhjet e 20 prillit, duke i kujtuar se votimi bëhet vetëm me kartën e identitetit ose pasaportën personale.

Zoti Profesor, faleminderit dhe urime më 20 prill.

Faleminderit ju!

Intervistoi gazeta “Dielli”.

***

Po kush është profili pedagogjik dhe shkencor i PROF. DR. ALI JASHARIT?

Ali Jashari, gjuhëtar e profesor, u lind në fshatin Çipan të Devollit më 20 qershor 1953, në një familje arësimdashëse. Pas shkollës së mesme në Bilisht, kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua në degën Gjuhë shqipe-letërsi në vitin 1977.

Në vitin 1991 mbron gradën “Kandidat i shkencave filologjike” me tezën “Rreth përdorimit të frazeologjisë në ligjërim” (me ekuivalentimin e gradave shkencore, në vitin 1994, merr gradën “Doktor i shkencave”); në vitin 1999 fiton titullin “Profesor i asociuar”, ndërsa më 2004 titullin “Profesor”.

Fusha kryesore e studimeve të prof. Ali Jasharit është leksikologjia, semantika dhe më ngushtë frazeologjia. Ai ka bërë disa kualifikime jashtë vendit, si: në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut (gjuhësi ballkanike); në “North London” të Londrës, për metodologjinë e mësimdhënies; në Universitetin e Oxfordit për kërkime në fushën e idiomatikës angleze e gjuhësinë moderne; në Arhus, Danimarkë, për gjuhësinë kompjuterike e didaktikë mësimore; në Universitetin e Bolonjës për arsimin gjithëpërfshirës etj.

Prof. Ali Jashari ka dhënë leksione për gjuhën shqipe në Fakultetin e Edukimit në Prizren (2000-2002), në Universitetin “Neofit Rilski”, Bllagojegrad, Bullgari (2004, 2008) dhe në Universitetin “St. Klement Ohridski”, Sofje, dega e ballkanistikës (2010). Në vitin 2003 merr titullin “Trajnues ndërkombëtar për të menduarit kritik gjatë të lexuarit dhe të shkruarit”.

Ai ka punuar mësues në shkollën e mesme, Miras (Devoll), specialist i gjuhës shqipe në Kabinetin Pedagogjik (Korçë) dhe mësues në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Korçë. Nga viti 1996 e vazhdim është pedagog i gjuhësisë në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, ka hartuar programe mësimore dhe është lektor e titullar i lëndëve: Formim gjuhësor, Analizë semantike, Leksikologji, Gjuhësi e përgjithshme, Morfologji e gjuhës shqipe, Filozofi e gjuhës etj.

Prof. Jashari është pedagog i ftuar për leksione në disa universitete të Shqipërisë dhe udhëheqës shkencor i mbi 10 doktoraturave.

Prof. Ali Jashari ka tregues të lartë në fushë të botimeve të teksteve shkollore, si dhe librave universitarë, si: 1. Libri i gjuhës shqipe, 3 (për shkollat e mesme), ShBLSh, Tiranë, 1979 (bashkautor); 2. Libri i gjuhës shqipe 1, 2, 3, 4 (për shkollat pedagogjike dhe të gjuhëve të huaja), SHBLSH, Tiranë, 1984-1995 (bashkautor); 3. Ushtrime për leksikologjinë e gjuhës shqipe, ShBLU, Tiranë, 1991; 4. Gjuha shqipe 5 (për shkollat e minoritetit), ShBLSh, Tiranë, 1995; 5. Gjuha shqipe për studentë, Kotti, Korçë, 1998; 6. Një libër dore për gjuhën shqipe, AEDP, Tiranë, 1999; 7. Praktikum për drejtshkrimin e shqipes, Kotti, Korçë, 2000; 8. Analiza semantike, Kotti, Korçë, 2001; 9. Gjuhësi e zbatuar 1, 2, Kotti, Korçë, 2003; 10. Doracak për gjuhën shqipe, Korçë, 2006 (bashkautor); 11. Formim gjuhësor 1, 2, Silver, Elbasan, 2007(bashkautor); 12.Krestomaci për gjuhësinë e përgjithshme, Kotti, Korçë, 2007; 13. Gramatikë e gjuhës shqipe (për studentët e gjuhëve të huaja), Prishtinë, 2009; 14. Gjuha shqipe dhe letërsia 10, Tiranë, 2010 (bashkautor); 15. Gjuhë amtare, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2010, 2011 (bashkautor);16. Gjuha shqipe për klasat 6, 8, 9, Uegen, Tiranë, 2012 (bashkautor); 17. Morfologji e zbatuar, Prishtinë, 2013 etj.

Libra të tjerë:

  1. Filli i Arianës (fjalorth me shprehje latine etj.), Kotti, Korçë, 1995; 2. Për gjuhën shqipe dhe mendimin kritik, Tiranë, 1999; 3. Rreth përdorimit të frazeologjisë në ligjërim (monografi), Kotti, Korçë, 2000; 4. Gjedhe mësimdhënieje përmes teksteve për shqipen, Kotti, Korçë 2000; 5. Përsiatje për gjuhën shqipe, Kotti, Korçë, 2003; 6. Anketimi dhe ekspeditat gjuhësore, Kotti, Korçë, 2007 (bashkautor); 7. Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe, Dudaj, Tiranë, 2007; 8. Fjalor i homonimeve të gjuhës shqipe, Shkëndija, Prishtinë, 2008 (bashkautor); 9. Scripta manent, Promo Print Publishing House, Korçë, 2013; 10. Fjalor leksiko-frazeologjik i krahinës së Devollit, Promo Print Publishing House, Korçë, 2016. Ai është duke përfunduar Fjalorin e plotë të homonimeve të gjuhës shqipe dhe një monografi në gjuhën angleze për kalket dhe huazime frazeologjike.

Prof. dr. Ali Jashari ka botuar mbi 90 artikuj shkencorë dhe popullarizues në revistat “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, “Nëntori”, “Kultura popullore”, “Mprehtësi”, “Malësia”, “Scupi”, Buletini Shkencor i Universitetit “Fan Noli”, “Tempulli”, si dhe në organe të tjera jashtë vendit (anglisht, bullgarisht etj.) dhe ka marrë pjesë me kumtesa për gjuhësinë dhe mësimdhënien në disa konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prof. dr. Ali Jashari është organizator dhe bashkorganizator i disa veprimtarive shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare që janë organizuar në Universitetin e Korçës dhe kryeredaktor i botimeve përkatëse, si: “Nga ëvetarët e Naum Veqilharxhit te Kongresi i Manastirit”, 14 nëntor 2008 (me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit); “Profesor Selman Riza dhe albanologjia”, 4 dhjetor 2009 (me rastin e 100-vjetorit të lindjes), “Akademiku Jani Thomai në 75-vjetorin e lindjes”, Korçë, 20-21 maj 2010; Konferencë kushtuar shkrimtarit dhe akademikut Dritëro Agolli me rastin e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa”, Korçë, tetor 2011; “Hafiz Ali Korça-55 vjet pas (1873-1956)”, Korçë, 21-22 dhjetor 2012; “Fan S. Noli në 130-vjetorin e lindjes”, Korçë, 2012; “Akademia jubilare me rastin e 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit”, Korçë, 16-17 nëntor 2012; “Lidhjet kulturore dhe historike shqiptaro-rumune”, Korçë, 26-27 mars 2013; Konferencë shkencore kushtuar gjuhëtarit dhe profesorit Dhimitër Samara”, Korçë, 23 maj 2014; 2nd International Conference (Education Across Borders) “Critical Thinking in Education”, 31 October-1 November 2014, Korçë;  “Konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar jetës dhe veprës së Thimi Mitkos në 195-vjetorin e lindjes”, Korçë, 25-26 mars 2015;  “Konferencë shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Athanas Tashkos”, Korçë 13 nëntor 2015, disa prej të cilave janë organizuar në bashkëpunim me institucione të tjera brenda dhe jashtë vendit, si Bashkia e qytetit të Korçës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës, Fakulteti i Edukimit në Follorinë, Greqi, Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Bitolas, Maqedoni etj., ku kanë marrë pjesë personalitete të shquara të shkencës, si: akad. Dritëro Agolli, akad. Teki Biçoku, akad. Jani Thomai, akad. Jorgo Bulo, akad. Kolec Topalli, akad. Gjovalin Shkurtaj, akad. Floresha Dado, akad. Françesko Altimari, prof. dr. Matteo Mandala, prof. Giovanni Belluscio, prof. Victor Fridman, akad. Grigore Brankush, akad. Nikolae Saramandu, prof. dr. Andreë Goodspeed, prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Shezai Rrokaj, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Nasho Jorgaqi, prof. dr. Rami Memushaj, prof. dr. Dhimitri Bello, imzot Johan Pelushi, Prof. dr. Bardhyl Musai, prof. dr. Valter Memishaj, prof. dr. Dhurata Shehri, prof. dr. Ymer Çiraku, prof. dr. Abdulla Ballhysa, prof. dr. Shefkije Islamaj,  prof. dr. Qemal Murati, prof. dr. Hamit Xhaferi, prof. dr. Begzad Baliu e shumë  të tjerë.

Prof. dr. Ali Jashari përgjatë tetë viteve të fundit ka organizuar disa veprimtari për përurimin e librave të personaliteteve të ndryshme, lektoriume, biseda etj., si Amik Kasoruho, Adem Demaçi, Teodor Laço, Ben Blushi,  Skënder Rusi, Hysen Koçillari, Andon Andoni, prof. Roberto Dainese, prof. Federica Zanetti etj. Gjithashtu, prof. Jashari ka ndihmuar në gjallërimin e jetës studentore duke mbështetur të gjitha veprimtaritë e organizuara nga Këshilli i Studentëve.

Prof. dr. Ali Jashari është drejtues i revistës “Vjetari shkencor-FEF”, botim i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.

Në vitet 2000-2008 ka qenë sekretar shkencor i Buletinit Shkencor të Universitetit “Fan Noli” dhe në vijim anëtar i Këshillit Botues, për disa vjet përgjegjës i departamentit të edukimit të përgjithshëm dhe më pas përgjegjës i departamentit të gjuhës dhe të letërsisë; në vitet 2008-2011 zëvendësrektor i Universitetit “Fan S.Noli”, anëtar i Senatit Akademik të Universitetit, anëtar dhe kryetar i Këshillit të Profesorëve, ekspert i jashtëm i Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe që nga viti 2012 e në vazhdim është dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.

Prof. Ali Jashari në nëntor-dhjetor të vitit 1991, ka qenë drejtues i grupit të punës së Komitetit Ekzekutiv të Stabilitetit të asaj kohe për hartimin e platformës dhe propozimit për hapjen e Universitetit të Korçës (janar 1992).

Filed Under: Interviste Tagged With: Fan S Noli, kandidat për Rektor, në Universitëtin publik, Një akademik Fan Nolist

Server: Kosova, në rrugë të mbarë

April 14, 2016 by dgreca

*Veseli takon edhe Kenneth Wollack, kryetar i NDI-së/

-Kryetari Veseli zhvilloi takim me Daniel Serwer, profesor në Johns Hopkins University, në Washington DC/Uashington, 14 Prill 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës zyrtare në Uashington, u takua me Dr. Daniel Serwer, ekspert i çështjeve ndërkombëtare, në veçanti ato të Ballkanit, njëherësh mik i madh i Republikës së Kosovës. 

Me këtë rast, Kryetari Veseli e falënderoi profesorin Server për përkrahjen e madhe që i dha Kosovës para dhe pas pavarësisë. Dr. Server theksoi se Kosova është në rrugë të mbarë dhe storie e suksesit për komunitetin ndërkombëtar, pavarësisht sfidave të fundit në vend, por duhet të vazhdohet të punohet për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës.Kryetari Veseli bisedoi edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për vazhdimin e punës së Kuvendit, duke mbetur të përkushtuar në përmbushjen e agjendës së integrimeve euro-atlantike, zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit./b.j/

***Veseli takon Kenneth Wollack, kryetar i NDI-së/

 Uashington, 14 Prill 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar në Uashington kryetarin e Institutit Kombëtar Demokratik, Kenneth Wollack.

Kryetari Veseli e falënderoi kryetarin e Institutit Kombëtar Demokratik për mbështetjen e vazhdueshme që kjo organizatë iu ka dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht Kuvendit dhe partive politike. 

Kryetari Veseli në veçanti theksoi se puna e këtij institucioni e ka ndihmuar Kuvendin e Kosovës që të jetë më transparent dhe llogaridhënës, ndërsa partitë politike më demokratike. 

Kryetari Wollack theksoi se organizata që ai përfaqëson do të vazhdojë partneritetin me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe se rruga për ndërtimin e institucioneve demokratike është një përgjegjësi që me kënaqësi e ndajnë me partitë politike të Kosovës. Ai me këtë rast ka përgëzuar Kryetarin Veseli për progresin e madh që ka bërë Kuvendi i Kosovës me liderishipin e tij./b.j/ 

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, ne rruge te mbare, Server, Veseli

VIZITA E KRYEPARLAMENTARIT VESELI NE WASHINGTON:Kërkon njohje për Kosovën

April 14, 2016 by dgreca

-Kryetari i Kuvendit Kosovar, Veseli në panelin e Konferencës së Komisionit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë në Kongresin Amerikan kërkoi nga parlamentarët e pranishëm nga vendet e katër kontinenteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta njohin/ UASHINGTON, 14 Prill 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, është ftuar të marrë pjesë në panelin e konferencës me temën “Roli i parlamenteve në fuqizimin e integritetit publik”, të organizuar nga Komisioni për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë (HDP) të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Uashington.Kryetari Veseli prezantoi një historik të shkurtër për traditën e re parlamentare të Republikës së Kosovës, sfidat e Kuvendit, si dhe tejkalimin e tyre në bazë të parimeve demokratike, zbatimit të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.Në vijim të kësaj konference, kryetari Veseli foli edhe për aktualitetin politik, sfidat kuvendore pozitë – opozitë, qasjen dhe lidershipin e treguar për tejkalimin e situatës. Në fund, kryetari i Kuvendit kërkoi nga parlamentarët e pranishëm nga vendet e katër kontinenteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë, thekson njoftimi i dërguar./b.j/

 

Filed Under: Komente Tagged With: Kerkon njohjen e Kosoves, Kryeparlamentari Veseli

ROMANI I TRAGJIKES SË KËRKIMIT TË FRYMËZUESIT JETËSOR

April 14, 2016 by dgreca

(Mikel Gojani: “Rrugëtim nën zë”, roman, botoi “Zef Serembe” Prishtinë 2015)/

 Nga Prend BUZHALA/

Po të lexohen përnjëherësh librat poetikë të Mikel Gojanit, si ata për fëmijë, ashtu edhe ata për të rritur, do të vëresh se këto vepra i përshkon si një fill i kuq gjepografia artistike ose gjeopoetika, sikundër thuhet në interpretimet moderne letrare.Problematika e veprimtarisë, jetës, angazhimit dhe idealeve të Mësuesit e të Frymëzuesit në ambientin shqiptar nën rrethana e kohë të ndryshme, kaq komplekse, përbën boshtin tematik të këtij romani, por autori bën dhe zhdrivillime të tjera në planin shumështresor të kompozicionit artistik, aty ku ndërkëmbehet kronologjia narrative e kohëve me rrëfimin refleksiv me anë të bartësve të shumët të rrëfimit e që e bën më komplekse veprën.

  1. Prologu i shkrimeve:gjeopoetika e krijuesit

Rrëfimi kryesor merr rrjedhë tragjike me vetëvrasjen e protagonistit në kushtet e lirisë. Repriza targjike ksihte ndodhur kund nja gjysëmëshekulli më parë, kur ishte vrarë mësuesi Marin Sh.Kurse tash ndodh repriza dyfish më tragjike: ai që u kishte qëndruar të gjitha furtunave të paraluftës, paslufta e vret me vorbullën e shtjellat e fatit! Nëse nëpërmes personazhit të Xha Lazrit, si bartës rrëfimi e kujtese, shpalohen histori, bëma, përshkime të bukura të jetës, të traditave, të solidarësisë  e të mikpritjes  në fshat, shpalohen mall e nostalgji; nëpërmes bartësve të tjerë të rrëfimit (Nini S) shpalosen dija e arsimi, idealizmi e sakrifica.

Cili ishte fati i arsimtarit idealist dhe cili i kërkuesve të gjurmëve të jetës së mësuesit, si Kërkues i Frymëzuesit historik, nacional, identitar e jetësor?

Hapësira shqiptare me historinë e saj, me frymën e aktualitetit dhe përgjithësisht qenia e identiteti nacional artikulohen, shkruhen e këndohen përqendrueshëm dhe pa u ndalur. Prandaj gjithë ajo toponomastikë poetike, kjo gjeografi e tillë shpirtërore, e shtrirë në disa forma letrare e joletrare,  takohet tek të gjithë librat e tij, mbi 30 tituj të botuar: tek pesë përmbledhjet poetike, tek romanet “Ai vjen me shirat e pranverës” dhe “Rrugëtim nën zë” (2014), tek tri përmbledhjet poetike për fëmijë, ashtu sikundër kjo gjeografi e kërkimeve shpirtërore haset përqendrueshëm edhe tek librat me kritika e studime letrare si “Tradita dhe bashkëkohësia”, “Mendësi krijuese” dhe “Bota e mendimit”. Ndërkaq, edhe te vëllimet e publicistikës historike, të monografive publicistike jetëshkrimore, apo të udhëpërshkrimet (gjithsej 11 të tillë, ku po i veçojmë librin “Mësonjëtorja e Zllakuqanit” me bashkautor Pal Canajn, “Kolë Mirdita edhe diellit i jep dritë” dhe “Nju Jorku, botë në miniaturë”). Tek një poezi “Dritarja e Dashurisë”, e hershme, poeti këndonte:

Shpeshherë –

Nga Dritarja e Dashurisë

Vjedh peizazhe Lure

Ndërtoj ura Bune

Ylberin mbi Tropojë, ndërtoj

 Një si prolog poetik i gjeopoetikës së poetit, ku krijuesi ka investuar dashurinë e tij jetësore dhe idealin e tij krijues-estetik. Dhe, që në fillim, krijuesit i dalin në ndihmë peizazhet e Atdheut e urat…

  1. Kërkimi i Frymëzuesit:ose Mësuesi idealist shqiptar

Nga ana tjetër, sikur e gjithë tematika e motivimi i shqetësimeve letrare e shkrimore,  ngushtohet e përqendrohet vetëm te një pikë: te poetika atdhetare dhe te fryma e amshueshme e rezistimit. Kjo poetikë bartet edhe te romani i fundit “Rrugëtim nën zë”, ku këtë gjeopoetikë ai e koncepton, prandaj, si ideologji të tijën romanore. Më saktë, do të thoshim se personazhet ideografike e autoideografike të këtij romani.

Fjala është për protagonistin mësues, Marin Shpati, dhe nuk është e vështirë për ta zbërthyer si prototip të Mësuesit Ndrecë Ndue Gjoka, për të cilin Mikeli ka shkruar dhe një libër të tërë (i botuar si fejton në vazhdime në “Rilindja”), ndërkohë që gjurmëve të tij jepet edhe protagonisti që kërkon këto gjurmë, Nini. E pra, mjediset e veprës janë këto afër nesh e pranë nesh, të fshatrave përreth, me etnopsikologjinë, etnografinë shpirtërore, me rrënjët e veta historike të identitetit kombëtar. Historia i riaktualizon imazhet e kujtesës e të tragjedive të jetuara; sfondi romanor mbulohet me metafora të trazimit shpirtëror. Madje vepra hapet me një prolog e me tekstin kërkues që në fjalitë e para:“Ndoshta nga zbrazësia e jetës, Njeriu kërkon gjurmët e humbura në errësirë pa mallkuar gjurmët e tij të jetës dhe miken kohë. Ka çaste kur Dega e Kujtimeve luhatet kur meditimet fluturojnë si zogj të ngrirë pas stinës plot lot e brenga.”

 Romani strukturohet nga tekstet e një prologu në fillim të veprës e një epilogu në fund, nga katër pjesë e ku secila pjesë ka kapitujt e këtij rrugëtim-kërkimi. Ndonëse tema qendrore e romanit është ajo e mësuesit, e arsimimit, e iluminizmit kombëtar dhe e atdhedashurisë; megjithatë, nëpërmes përshkrimeve, shtresave narrative, reminishencave historike apo të kronologjisë shpirtërore, jepen edhe një fokus i gjerë temash, si ajo e dashurisë mes Ninit dhe Siborës, ajo e kërkimit të gjurmëve të së kaluarës (si “Historia e pazbuluar e varreve”), ajo e vetëmohimit për kulturën, ndërsa shtresime më vete, përbëjnë pjesët, sidomos ato të fundit, për përplasjet e dilemat hamletiane mes jetës e vdekjes. Nëse mësuesi iluminist e revolucionar Marin Shpati, që i takon Luftës së Dytë Botërore dhe viteve të pas kësaj lufte, vritet i ri nga një dorë vrastare, po ashtu edhe mësuesi e krijuesi Nini S. e përfundon jetën tragjikisht, duke vrarë veten, në një spital në botën e jashtme.

Ç’është e vërteta, Mikel Gojani, që nga romani i parë bart temën e madhe të Kërkimit të Frymëzuesit që përfundon tragjikisht. Kështu ndodh edhe me idealistët e rinj te romani i parë, që nuk arrijnë t’i çojnë frytet e veprimtarisë vetëmohuese deri në fund dhe nuk e shohin dritën që vetë e kanë përhapë dhe mbjellë. Nëse mësuesi Marin Shpati që mbolli dritën e arsimit e të atdhedashurisë si në Kosovë, ashtu edhe në Mirditë, nuk i gëzon këto fryte për hir të kundërthënieve të ashpra të kohës, atëherë, cili është sistemi i motivacionit që e përligj vetëvrasjen e intelektualit të ri në rrethanat aktuale? Personazhi Nini S. ka katër kika a maja të përkushtimit të tij jetësor: arsimin, krijimtarinë, atdhedashurinë dhe dashurinë si emocion i bukur që i jep kuptim jetës. Është në karakterin e qenies krijuese njerëzore që të jetë i motivuar nga dëshira për të arritur rezultate, me përpjekjet që të jetë njeri i sukseseve dhe i vlerave. Njerëzit e tillë sigurisht që i dinë fytyrat e shëmbëlltyrën e jetës së hapur, mu ashtu si marinari që ia di fshehtësitë e lundrimit detit të hapur. Bob Marley, muzikant e kitarist legjendar xhamajkian, do të thoshte: “Madhështia e një njeriu nuk është në faktin se sa pasuri ai fiton, por në ndershmërinë e tij dhe në aftësinë e tij për të ndikuar tek njerëzit përreth tij pozitivisht.”

  1. Metafora e madhe e romanit:rubikoni i dashurisë së mohuar

Së këndejmi, integriteti i tërësishëm i personazhit, pasuria e njeriut të suksesshëm, do të jenë pikërisht ata gurë që të tjerët i hedhin mbi të. Dhe përfytyrojeni intelektualin që u qëndron këtyre sfidave nëpër kohë; shpirtmadhësinë e tij që i kapërcen këta kapituj të rëndë ekzistence. Dhe, mu aty, si nga burimet e pashtershme, do të vrujojnë forca të shumëfishuara jete, krijimtarie e iluminizmi shpirtëror e njerëzor.

Duke e dhënë rrugën jetësore të Nini S., fëmijërinë e rrugën e arsimimit të tij, rrugën e veprimtarisë së tij arsimore, kulturore, krijuese e atdhetare; duke u ballafaquar me pengesat që nga familja e deri te shoqëria, duke mos arritur ta kapërcejë rubikonin e dashurisë së mohuar e të jetës, dhe duke ia dhuruar përkushtimin e tij gjithçka jetës, arsimit, e artit, ai mbetet brenda këtij rubikoni psikosocial:

“I thanë se janë të detyruar që Nini t’i nënshtrohet një operacioni, i cili do të përcillet me komplikime, mirëpo shprehen optimizmin se do ta kalojnë edhe këtë rubikon jetësor me të cilin po përballej Nini.”

“Unë, do të ndjej se mbetem në gjysmë të rrugës. Jam i bindur se assesi nuk do të kem mundësi ta kaloj rubikonin. Dëbora e madhe ka vështirësuar çdo gjë”, tha me vete dhe vazhdoi: “ Edhe ëndrrat, të cilat më përfytyrohen pareshtur, po ma zënë boll frymën.”

 Fjala “rubikon” që përsëritet si procedim psiko-motivor i romanit, madje, shfaqet edhe tek kapitulli fundit “Në vend të epilogut ose prologut: Nini (s’)e kaloi rubikonin jetësor”. Ai nuk arrin ta kalojë këtë rubikon, edhe për shkak të dashurisë së refuzuar nga personazhja, edhe për shkak se vetë personazhi është sinonim i refuzimit të së keqes në jetë. Rrethanat janë të tilla, vrastare… Metafora e madhe e romanit qëndron pikërisht në faktin pse personazhi i zbulon vlerat e mëdha të jetës dhe pikërisht te kjo njohje e sprovë përjetimi ai e pëson! Prandaj, ka dhe një zhytje të personazhit në labirintet e misterit jetësor-ekzistencial, të përfundimit të tij në një spital psikiatrik jashtë. Filologu e orientalisti gjerman Max Muller, do të thoshte: “Një lule nuk mund të lulëzojë pa diell dhe njeriu nuk mund të jetojë pa dashuri.” Kështu, kapitujt e fundit të romanit, sikur përmbajnë një tjetër strukturim tekstor, që përshkohen nga situatat psiko-ekzitenciale.

4-Poetika e thellësisë:Kërkimi i Misterit e i Labirintit të Fatit

Sido që të jetë, romani “Rrugëtim nën zë” ka një poetikë sa ndërliqshme, aq edhe të thjeshtë. Të ndërliqshëm këtë strukturim e bëjnë procedimet moderne të rrëfimit, sikundër janë përfshirja e disa narratorëve, si një Unë që nis dhe përmbyll rrëfimin romanor e që na shfaqet si vetje e krijimit të iluzionit të vërtetësisë, që zë fill mu te vetja, te subjekti, te burimi krijues autorial; bartës rrëfimi është edhe Nini S. që jepet në kërkim të gjurmëve të Frymëzuesit dhe përfundon te Kërkimi i Misterit e i Labirintit të fatit. Ky rrugëtim “nën zë”, si thotë autori, përbën atë shtresën e fshehtë, të dytë, të gjallimit, pamjen tjetër të jetës e të dramatikes ekzistenciale. Kjo dramë shpirti zë të ajgëtohet, të endet e të shpaloset nga kapitulli në kapitull, dhe, në ata të fundit, e rëndomta e rrëfimit, merr kahe krejtësisht tjetër, të papritur, mu ashtu si ia dikton logjika e artit e jo ajo e zgjidhjeve me hepiend.

Bartës i rrëfimit është edhe Xha Lazri, që rrëfen për mësuesin Marin Shpati, për të kaluarën dhe për trashëgiminë këtij mjedisi. Është edhe Sibora, një mësuese e intelektuale që i gjendet krah, por që rrugët e labirintet e fatit e hedhin edhe atë në refuzim… Komplekse, në këtë drejtim, na paraqitet edhe poetika e kohës, ajo e Luftës së Dytë, kur mësuesi jep mësim në këto anë, dhe ajo e dekadave të fundit.

Këtë kompleksitet narrativ-kohor, autori e strukturon me sukses, nëpërmes bartësve të rrëfimit dhe zhdrivillimit kronologjik të ngjarjeve.

Nga një rrëfim i mirëfilltë për ngjarje e situata, autori kapërcen te një rrëfim refleksiv e që përbën një tjetër vlerë artistike. Përmasa e tillë narrative, vjen si një analizë e strategjisë së zgjidhjes së problemeve të botës së brendshme të personazheve, nga njëra anë, dhe shënjon depërtimin në thellësitë e kërkimit tematik, nga an tjetër. Shqiptohet si një poetikë e thellësisë.

Filed Under: ESSE Tagged With: “Rrugëtim nën zë”, Mikel Gojani, Prend Buzhala

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT