• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Presidenti Nishani në Samitin Humanitar Botëror të OKB-së në Stamboll

May 23, 2016 by dgreca

 


Kreu i Shtetit shqiptar merr pjesë në Samitin Humanitar Botëror të OKB-së

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar merr pjesë në Samitin Humanitar Botëror që po mbahet për herë të parë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Stamboll më 23-24 maj 2016. Presidenti i Republikës iu drejtua seancës plenare si dhe mbajti një fjalë në segmentin e udhëheqësve të Samitit Humanitar Botëror 2016 me temë: “Lidershipi politik për të parandaluar dhe dhënë fund konflikteve” ku u mbështetet Agjenda për Njerëzimin si dhe u diskutua për krizat me të cilat përballet njerëzimi në ditët e sotme, parandalimin dhe dhënien fund të konflikteve dhe të vuajtjeve të shoqërisë njerëzore, si në rajonet e veçanta, ashtu edhe në nivel global.

Në fjalën e Tij në Samitin Humanitar Botëror, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:

Së pari dëshiroj ta përgëzoj Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për thirrjen e këtij Samiti të parë Humanitar Botëror, si dhe të shpreh mirënjohjen për mikpritësit e këtij Samiti, Presidentin Erdoğan dhe autoritetet e larta turke.

Gjithashtu e komplimentoj Sekretarin e Përgjithshëm për  raportin e publikuar në fund të muajit janar të këtij viti: One Humanity – Shared Responsability (Një njerëzim – Përgjegjësi të Përbashkëta) i cili na jep një pasqyrë të plotë të realitetit të hidhur të shoqërisë njerëzore dhe të drejtave të njeriut në botë e situatës humanitare. Ky raport, që lançon dhe pesë përgjegjësi kryesore, duhet të na shërbejë si një udhëzues për kalimin nga angazhimet në veprime konkrete.

Dëshiroj të theksoj edhe njëherë se jam në këtë Samit të parë Humanitar Botëror për të demonstruar mbështetjen e vendit tim ndaj Agjendës së Njerëzimit dhe të angazhimit për adresimin e pesë fushave, që shumë qartë janë pasqyruar në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Sot, është një moment shumë i rëndësishëm pasi kemi mundësinë që të demonstrojmë unitet dhe solidaritet për parandalimin e vuajtjeve njerëzore dhe ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për vendimmarrje dhe veprime kolektive.

E theksova edhe më herët sot, se për shkak të faktit që një pjesë e krizave buron nga rritja e intolerancës fetare, ekstremizmit të dhunshëm e diskriminimit për arsye fetare, etnike e të tjera, Shqipëria angazhohet të ofrojë eksperiencën dhe kontributin e saj në këtë drejtim.

Shqipëria është plotësisht e angazhuar në luftën dhe parandalimin e terrorizmit që vjen si pasojë e ekstremizmit të dhunshëm dhe beson se komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht organizatat ndërkombëtare të sigurisë me në krye Kombet e Bashkuara, do të gjejnë dakordësinë për të bërë dhe promovuar më tepër masat parandaluese.

Shqipëria ka një eksperiencë shumëshekullore sa i përket bashkekzistencën paqësore dhe harmoninë fetare, dhe në këtë kontekst është e gatshme të vihet në krye të përpjekjeve për të promovuar dialogun dhe mirëkuptimin mes kulturave dhe qytetërimeve, me synim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Gjithashtu, në kontekstin e zhvillimeve rajonale, roli i Shqipërisë në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal ka qenë evident. Të udhëhequr nga parimi i fqinjësisë së mirë, jemi maksimalisht të angazhuar për të kontribuar në vijimësi për rritjen e frymës pajtuese dhe të bashkëpunimit në rajonin e Evropës Juglindore, respektimin e të drejtave të pakicave, si dhe përballimin e të gjitha krizave me të cilat po përballet ky rajon.

Në kuadrin e krizës së refugjatëve, ju siguroj se Shqipëria ka sensibilitetin e duhur dhe është e gatshme të bashkëpunojë me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian, konform kapaciteteve dhe mundësive të saj.

Shqipëria si një vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe në pritje të hapjes së negociatave të aderimit, i është bashkuar të gjitha qëndrimeve dhe angazhimeve të Unionit, sa herë është kërkuar dhe ka qenë e nevojshme. Edhe në kuadër të  Agjendës për Njerëzimin, Shqipëria i është bashkuar qëndrimeve të BE-së dhe do të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në përmbushjen e këtyre angazhimeve.

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Botëror të OKB-së, në Samitin Humanitar, ne Stamboll, presidenti Nishani

Maqedoni-Tensionet ndëretnike në shërbim të agjendave të partive politike

May 23, 2016 by dgreca

Ne Foto:Protestuesit mbajnë në duar flamujt shqiptar e maqedonas, gjatë një proteste anti-qeveritare në vitin 2015/

Kriza politike në Maqedoni, që ka marrë intensitet që një vit e gjysmë, është përcjellë edhe me tensione ndëretnike, që në disa raste kanë kaluar edhe në incidente tragjike. Lidhur me atë nëse ekziston rrezik që përplasjet politike mes pozitës dhe opozitës të shndërrohen në një konflikt edhe në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike, vlerësimet janë të ndryshme.

Njohësit e çështjeve të ndëretnicitetit thonë se konfrontimet nuk mund të përjashtohen, ndërsa fajtorë për këtë i bëjnë klasat politike, të cilat, sipas tyre, për të ruajtur pushtetin dhe privilegjet janë të gatshme të bëjnë gjithçka. Në këtë rast, Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike përmend, siç thotë, tentimin e rrezikshëm të VMRO-së së Nikolla Gruevskit që e vetme të shkojë në zgjedhje.

“Pavarësisht zhvillimeve të deritanishme, raportet ndëretnike në Maqedoni i vlerësoj si të mira, por kam frikë se me veprimet e fundit të partisë në pushtet, VMRO DPMNE, ato mund të përkeqësohen. Këtu do të veçoja përpjekjen e saj të fundit që e vetme të shkojë në zgjedhje , që në rast se nuk do të evitohej vërtetë do ndizte tensionet ndëretnike.”

“Kjo parti, por edhe partneri i saj, partia shqiptare, disa herë kanë dëshmuar se nuk zgjedhin mjete për ruajtur pushtetin dhe kjo mund të ilustrohet me shumë fakte, para se gjithash me rastin e Kumanovës, kur për të shpërqendruar vëmendjen nga afera e përgjimeve u inskenua një incident i përmasave të mëdha”, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, duke shtuar se veprime të tilla të papërgjegjshme, siç shprehet ai, mund të prodhojnë kundërpërgjigje të partive, apo të grupeve të caktuara që mund të rikthejnë skenat e vitit 2001.

Por, mendim tjetër ka njohësi i çështjeve politike, publicisti Emin Azemi. Ai thotë se përpjekje për tensionime ndëretnike do të ketë nga parti e qarqe të caktuara, por ato, sipas tij, nuk do të mund të godasin raportet ndëretnike, gjë që u dëshmua edhe me rastin e Kumanovës, ku pavarësisht incidentit të rëndë të armatosur, dy komunitetet arritën të ruajnë ndëretnicitetin, të bindur se bëhet fjalë për incident të sajuar për qëllime të ndryshme.

Azemi vlerëson se vendimi i VMRO-së për të shkuar e vetme në zgjedhje nuk do të prodhonte asnjë efekt, ashtu edhe siç ndodhi, pasi si i tillë ose nuk do të realizohej ose do jetë afatshkurtër.

“Situata politike që po përshkruhet me një krizë, e cila nuk po arrin të lokalizohet, ka rrezik të zgjerohet, mirëpo unë nuk besoj se kriza do të kalojë në terrenin ndëretnik,pasi ne e dimë se edhe në vitin 2001,kur kishim edhe një situatë më të tendosur, qytetarët e etniteteve të ndryshme e ruajtën gjakftohtësinë dhe nuk arritën të bien pre e provokimeve të ndryshme.”

“Mund të ketë përpjekje për ndonjë inskenim nga pushteti që për të tërhequr vëmendjen në krizën aktuale të bëjë palë edhe faktor të tjerë të shoqërisë, andaj mund të pritet ndonjë incident, por nuk besoj se shqiptarët dhe maqedonasit do të bien në provokime të tilla”, thotë Azemi, duke shtuar se për të pasur konflikte duhet pasur motive që, sipas tij, për momentin dy bashkësitë më të mëdha etnike nuk i kanë.

“Unë mendoj se shqiptarët dhe maqedonasit kanë motive sociale dhe ekonomike, por nuk kanë ndonjë problem të pazgjidhur mes veti që të kenë konflikt ndëretnik. Prandaj, mendoj se politika e keqe gjithmonë gjen aleatë tek shqiptarët dhe maqedonasit, por ata janë individë, e jo masë, apo popullatë e cila nuk ka motive për ndonjë konflikt ndëretnik në Maqedoni”, thotë publicisti Emin Azemi.

Ndryshe, gjatë kohës sa po zgjatë kriza politike, përveç incidentit të armatosur në lagjen e Trimave në Kumanovë, kishte edhe provokime të ndryshme në baza etnike, ku vlen për t’u veçuar vendimi i Kongresit botëror maqedonas, i cili me mbështetjen e VMRO-së kishte ndërmarrë një nismë për ngritjen e një kryqi të lartë 55 metra në Butel të Shkupit, një zonë e banuar me popullatë të përzier.

Ky akt kishte nxitur tensione e protesta të shumta, që detyruan organizatorin të heq dorë nga ajo nismë , që vlerësohej si e rrezikshme për raportet ndëretnike. Njohësit e çështjeve politike thonë se edhe ky incident ishte i sajuar nga partitë politike, për të shpërqendruar vëmendjen nga kriza politike.

Filed Under: Analiza Tagged With: -Tensionet ndëretnike, maqedoni, në shërbim të agjendave, të partive politike

Thaçi kërkon përmbyllje të procesit të demarkacionit

May 23, 2016 by dgreca

Ne Foto: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën se asnjë proces nuk mund të rrezikojë liberalizimin e vizave, duke vlerësuar se përmbyllja e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi është në interes të të dyja vendeve dhe të qytetarëve të tyre.Ai tha se Kosova nuk ka çështje të hapura me Malin e Zi dhe se të dyja vendet duhet të përmbyllin sa më shpejt procesin e përkufizimit të vijës kufitare.

“Çështja e demarkacionit është në interesin e të dyja vendeve, që të përmbyllet sa më shpejt. Është në interesin e gjithë spektrit politik dhe qytetar. Kjo çështje nuk duhet të ndajë spektrin politik, përkundrazi, e ardhmja evropiane duhet të bashkojë spektrin politik dhe qytetarët”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se “agjendat ditore” nuk mund ta cënojnë dhe rrezikojnë procesin e liberalizimit të vizave dhe “asnjë interes i adresave të caktuara të ngushta politike nuk do të mund të tejkalojë interesin madhor, vullnetin madhor të qytetarëve të Kosovës, interesin e përbashkët dhe qëllimin e vizionin tonë evropian për liberalizim të vizave”.

Procesi i demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi u vu kusht nga BE-ja për liberalizim të vizave, pas një periudhe disa mujore të kundërshtimeve të opozitës në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij.

Demarkacioni me Malin e Zi, nga opozita, u cilësua si shkelje e tërësisë territoriale të Kosovës, megjithëse një grup i ekspertëve ndërkombëtarë, të ftuar nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, nuk gjeti shkelje gjatë punës në përkufizim të vijës kufitare mes dy shteteve.

Filed Under: Opinion Tagged With: te mbyllet Demarkacioni, Thaci

Hetimet për helikopterin e rrëzuar, shkarkohet shefi i Sigurisë së Farkës

May 23, 2016 by dgreca

Kur Prokuroria e Shkodrës ka ripyetur për të disatën herë të mbijetuarin Gerald Baramuça, pa marë ende një përgjigje se çfarë ndodhi para aksidentit ajror të Grizhës, Ministria e Mbrojtjes ka përfunduar hetimin administrativ për këtë ngjarje. Burime pranë kësaj ministrie, jozyrtarisht pohuan se është shkarkuar nga detyra shefi i Sigurisë Ajrore në Komandën e Forcave Ajrore në Farkë. Nënkolonel Altin Lame – thanë burimet, – duhej të ishte në detyrë ditën e 6 prillit, kur edhe ndodhi aksidenti ajror. Largimi i tij nga Forcat Ajrore është bërë me motivacionin “për shkelje të rëndë të disiplinës”. Sipas listës së miratuar, ai ishte zyrtari i fundit në bazën e Farkës, që firmoste lejen e fluturimit dhe konfirmonte kontrollin e pilotëve që do të niseshin me mision trajnues. Por prania e tij ka qenë fiktive në detyrë, pasi nënkoloneli në fakt atë ditë rezulton të ketë qenë i angazhuar si pilot në një agjenci private fluturimi. Nga ana e saj, Prokuroria e Shkodrës i ka dërguar fletëthirrje shtetasit Altin Vrapi, me detyrëDdrejtor i Sigurisë Ajrore të Licencave, në Autoritetin e Aviacionit Civil. Prokuroria thotë se thirrja e tij është bërë pasi shikohen të dyshimta licencat e lëshuara ndaj kompanisë private për fluturimet, në një kohë që një piloti ushtarak nuk i lejohet të jetë i angazhuar. Aktualisht Prokuroria e Shkodrës është në pritje të ekspertizës së kartës së memories së helikopterit “EC 145”, nga rrëzimi i të cilit humbën jetën Donald Hoxha dhe Florian Deliu. Ndërkohë i mbijetuari Baramuça, në të gjitha seancat e pyetjeve këmbëngul se nuk mban mend asgjë nga dita e aksidentit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: helikopteri, Shkarkohet shefi

PJETËR BOGDANI – VITI I LINDJES

May 23, 2016 by dgreca

Nga Xhelal Zejneli/

Para ca ditësh është vendosur në Shkup përmendorja e Pjetër Bogdanit, shkrimtarit më të shquar të letërsisë shqiptare të vjetër.

Në pllakën e saj shkruan se ai ka lindur në vitin 1630, ndërsa ka vdekur më 1686. Për vitin e lindjes, përkatësisht të vdekjes të autorit të Çetës së profetëve (Cuneus prophetarum, Padovë, 1685), të rishtypur në Venedik më 1691 dhe 1702, ka shënime të ndryshme. Në Fjalorin enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985, botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH, për vitin e lindjes dhe të vdekjes së P. Bogdanit, në faqet 106-107 shkruan: “rreth 1625-1689”. Autor i zërit për P. Bogdanin është gjuhëtari, profesori, akademiku Mahir Domi (1915-2000).

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 2008, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në faqen 271 jepen të njëjtat të dhëna: “rreth 1625-1689”. Siç shihet, zëri i M. Domit, në fjalorin e ri, është mbartur nga fjalori paraprak.

Në Historinë e letërsisë shqiptare, Tiranë 1983, botimi i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, të hartuar nga një grup autorësh, nën drejtimin e Prof. Dhimitër Shuteriqit, në faqen 41 shkruan: “rreth 1625-89”.

            Shihet qartë se tri të dhënat e sipërthëna rrjedhin nga i njëjti burim.

Në Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë të autorit Hasan Hasani, Prishtinë 1994, në faqen 44 shkruan: “rreth 1625-1689”.

Ndërkaq, në Historinë e letërsisë shqiptare të Robert Elsies, Tiranë-Pejë, 1997, për shkrimtarin e fundit dhe dukshëm më origjinalin të letërsisë së hershme shqiptare, në faqen 52 shkruan “Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689)”.

Sipas Elsies, studime më të plota për Bogdanin, deri më sot janë kryer nga studiuesi arbëresh Mateu Shembra (Mateo Sciambra, 1914-1967) në vitin 1965 dhe nga Ibrahim Rugova në vitin 1982.

Elsie thotë se me veprën dhe jetën e Bogdanit janë marrë edhe linguisti gjerman, specialist i gjuhëve ballkanike Gustav Vajgand (G. Weigand, 1860-1930), në vitin 1927; historiani dhe latinisti i lindur në Shkodër Injac Zamputi (1910-1998) në vitin 1954 dhe në vitin 1963; studiuesi Vili Kamsi në vitin 1962; gjuhëtari dhe albanologu Selman Riza (1909-1988) në vitin 1965; Rexhepagiqi në vitn 1966; Zija Xholi në vitin 1986; njëri ndër themeluesit e bibliotekës françeskane në Shkodër – At Jak Marlekaj (1906-2003) në vitin 1989; Dhimitër Shuteriqi në vitin 1989; studiuesja Odete Marke (Odette Marquet) në vitin 1989 dhe 1991; Androkli Kostallari në vitin 1991, Aurel Plasari në vitin 1994; profesori i gjuhës dhe i letërsisë shqipe pranë Universitetit Oriental në Napoli Italo Konstante Fortino në vitin 1995 dhe Prof. Shefik Osmani (1923-) në vitin 1996.

Fakte të reja mbi humanistin e madh, të nxjerra nga arkivi i Propaganda Fides në  Romë, Marlekaj na jep në veprën tij “Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës së tij”.

Të dhëna për Bogdanin, të marra nga arkivi i Kongregatës “de Propaganda Fide” si dhe nga arkivat sekretë të Vatikanit, na jep studiuesja Odete Marke në veprën “Pjetër Bogdani – letra dhe dokumente”.

Në librin e vet Historia e letërsisë shqiptare, të përmendur më lartë, në faqen 52, në fusnotë, autori Robert Elsie, thotë:

“Disa autorë pëlqejnë ta datojnë vitin e lindjes 1625, por megjithatë viti 1630 ka më shumë të ngjarë”.

            Nga sa më sipër del se ndajfolja “rreth”, e përdorur në katër e veprat e sipërpërmendura, dëshmon se viti i lindjes i Pjetër Bogdanit, nuk dihet saktësisht nga studiuesit e veprës dhe të jetëshkrimit të tij.

Në librin Çeta e profetëve (I) të Pjetër Bogdanit, Rilindja, Prishtinë 1989, botuar me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së tij, me transliterimin në gjuhën e sotme shqipe, me përkthimet dhe me parathënien e Dr. Engjëll Sedajt, me redaktimin krahasues të transliterimit në gjuhën e sotme të bërë nga Dr. Ibrahim Rugova, në faqen 12 shkruan:

“P. Bogdani u lind në Gur të Hasit në vitin 1630”.

Kjo fjali përfundon me një fusnotë, sqarimi i së cilës jepet në faqen 530 dhe ka këtë përmbajtje:

“Meqenëse ne sot nuk disponojmë me dokument të pagëzimit përkitazi me ditëlindjen e tij, në disa histori të letërsisë shqiptare, si vit i lindjes është shënuar viti 1625, ashtu siç kishte menduar I. Zamputi. Këtë datë e gjejmë edhe në Historia e popullit shqiptar, I, Prishtinë, 1968, p. 351, kurse te Guiseppe Ferrari Storia della letteratura albanese, vol. I, Bari, 1978) shënohet viti 1624”.

            Nga sa më sipër del se për vitin e lindjes të Pjetër Bogdanit ka tre burime. Sipas njërit prej tyre, i marrë nga Injac Zamputi, ai ka lindur më 1625. Sipas një burimi tjetër, ky atdhetar i madh i kombit, ka lindur më 1630, ndërsa sipas një burimi të tretë, ai paska lindur më 1624.

Lindja e tij në vitin 1625, figuron kryesisht në fjalorët enciklopedikë dhe në tekstet shkollore apo universitare në Shqipëri.

Por, sipas disa studiuesve, viti më i saktë i lindjes së tij duhet të jetë viti 1630.

Duke qenë se burime të sakta rreth vitit të lindjes së tij nuk ekzistojnë, prandaj studiuesit, para vitit të lindjes, e përdorin ndajfoljen “rreth”.

Sa i përket vitit të vdekjes, të gjitha burimet përputhen se Pjetër Bogdani ka vdekur në Prishtinë në vitin 1689.

Në përmendoren e kësaj figure vigane të kombit, të vendosur në Shkup para ca ditësh, viti i lindjes së tij mbase nuk mund të kontestohet në mënyrë të argumentuar, mirëpo viti i vdekjes së tij, 1686, është gabim, ngase nuk përputhet me asnjë burim të jetëshkrimit të Pjetër Bogdanit – të njohur deri më tani.

Është mirë që ekspertët e fushës përkatëse – skulptorët të ndërhyjnë në mënyrë profesionale në funksion të shmangies së gabimit në pllakën e përmendores së tij në Shkup.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Pjeter Bogdani, VITI I LINDJES, Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT