• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

TURPI I QEVERISE SHQIPTARE ME PRONARËT DEL NË STRASBURG

May 11, 2016 by dgreca

Nga Agim Toro/

Sekretar i Pergjithshem i Shoqates/

Ne daten 9 maj 2016 ne disa media u botua lajmi se nje delegacion i nivelit te larte i kryesuar nga ministrat Ahmetaj dhe Manjani shkoi ne Strasbourg dhe takuan Presidentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Guido Raimondi, ku kerkuan as me shume e as me pak qe GJEDNJ te nderprese vendim-marrjen per ceshtjet qe pronaret shqiptare kane ankimuar ne ate gjykate.

Lindin këto pyetje dhe kemi këto përgjigje:

–        Pse pronaret shqiptare i jane drejtuar Strasbourgut?

Sepse politika shqiptare që ka drejtuar Shqiperine keto 25 vjet vetem ka genjyer pronaret, sepse gjykatat shqiptare nuk zbatojne Karten Europeiane te Lirive dhe te Drejtave te Njeriut, por jane te korruptuara dhe zbatojne vetem porosite e politikes. Lidhja e ngushte politike – sistem i drejtesise eshte baze e kesaj situate dhe politikanet jane te qete se nuk ka kush t’i dënojë.

–       Cfare ka vendosur GJEDNJ?

Ne te gjitha rastet ne favor te pronareve duke e detytruar Shtetin te paguaje per pronat qe nuk i kthen fizikisht.

– Cfare i thane ministrat  z. Guido Raimondi?

Se ligji i ri e zgjidh problemin.

-A i zgjidh ligji i ri kerkesat e pronarëve per pronat qe per 25 vjet klasa politike shqiptare  i trajtoi sipas interesave klanore ?

Jo.

– Po qe se me ligjin e ri zgjidhjet  jane ne perputhje me vendim-marrjet e GJEDNJ atehere pse kerkohet pezullimi i vendim-marrjeve nga ajo e nderuara Gjykate ?

Sepse GJEDNJ nuk gjykon si Qeveria Shqipatare, por konform Konventës që Qeveria Shqiptare megjithse e ka nënshkruar e shkel brutalisht atë dhe ligji i ri per trajtimin e pronave  shkel të drejtat e pronarëve që ata i kanë të garantuara nga neni 181 i Kushtetutës.

– Cili eshte qendrimi i Gjykates se Strasbourgut?

GJEDNJ ne disa vendime e saj, e thekson se pagesa per pronat qe nuk kthehen duhet bere me cmimi e tregut sot dhe sipas zerit kadastral sot.

–  Ku eshte ndryshimi?

Tek çmimi arbitrar dhe disa qindra here më i ulet

– Pse shkuan ministrat ne Strasburg?

Te ndalojne vendim-marrjen

– Mos mendon Qeveria se mund te urdheroje GJEDNJ siç urdheron Gjykaten Kushtetuese Shqiptare e cila sipas urdherit te Qeverise nuk pranoi kerkesen e pezullimit te ligjit deri ne marrjen e vendimit perfundimtar ?

Une personalisht nuk mund ta mendoj qe nje Qeveri, e kujdo shteti, te ndikoje ne nje gjykate nderkombetare sic eshte GJEDNJ qe ajo mos gjykoje ceshtje te ankuara nga shtetasit europiane.

– A ka kerkuar here te tjera Qeveria pezullimin e vendim-marrjes nga  GJEDNJ dhe cili ka qene  vendimi i saj?

Ne mars 2014 Kryeministri i Shqiperise deklaroi ne Kuvend se u arrit nje sukses i jashtezakonshem sepse u  pranua nga Keshilli i Europes qe mos merreshin vendime nga GJEDNJ. Por ne korrik 2014 GEDNJ e hodhi poshte kerkesen e Qeverise Shqiptare. Prandaj besoj se edhe kerkesa e re do te kete te njejtin fat si një çështje e gjykuar.

-Pse Qeveria nuk zbatoi vendimin pilot Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqiperisë?

Sepse nuk kishte asnje vullnet per te zghidhur problemin e pronave, por nisej vetem nga interesa politike dhe ekonomike të klaneve drejtuese,  që bien ndesh me te drejten e pronesise dhe nenin 181 të Kushtetutës dhe Qeveria sajoi nje zgjidhje alla shqiptarce.

-Po Presidenti i GJEDNJ a do jetë dakort me Qeverine?

Nuk eshte e mundur qe Presidenti i GJEDNJ te pranoje qe  nje  shtet, te shkeli te drejtat e njeriut dhe Gjykata qe ai drejton te mos i gjykoje ato.

-A mendon Qeveria se Presidenti i Gjykates mund t’i imponohet trupes gjykuese te GJEDNJ?

Qeveria mendon  se ashtu si ju imponohet gjykatave shqiptare dhe i tremb ato me “reformë”, mund te funksionojë edhe me GJEDNJ,  por kjo eshte e pamundur te ndodhe.

– Nga kush eshte mare vendimi pilot kunder Shqiperise?

Nga Dhoma e Larte e GJEDNJ dhe eshte vendim gjykate qe nuk mund te ndryshoje. Por Qeveria mendon se nje vendim pilot mund te anullohet sepse kete koncept ka per drejtesine.Ku eshte reforma ne drejtesi kuri kerkohet te ndalohet vendim-marrja ne GJEDNJ, qe eshte ngritur per te dhene drejtesi. Ky eshte nje grusht qe i jepet reformes ne drejtesi, pasi shuplaken  e pare ja dhe Ministri i Drejtesise qe ushtroi presion per vendim-marrjen e Gjykates Kushtetuese dhe meqenese Gjykata Kushtetuese zbatoi kerkesën e Qeverise mendoi qe te njejtin presion t’ja beje edhe Strasbourgut !!Vajmedet cfare konceptesh kane per drejtesine dhe cfare reforme do miratojnë e jo me te zbatojne.

– Mos kerkojne te bejne reforme ne drejtesi edhe ne Strasburg?

Per te qeshur e per te qare.

-Pse ky qendrim i Qeverise, ligji i ri si vleresohet nga ju?

Ligji i ri luan me konceptin kompensim dhe nderhyn ne vendim-marrjet e deritanishte që i rivlereson sipas deshires dhe vullnetit per te ulur ne maksimum pagesat. Kjo eshte plotesisht ne kundershtim me GJEDNJ.

-Po premtimi se do vendosen para te mjaftueshme per kete qellim?

Eshte genjeshtra e radhes. Trumbetohet me te madhe se jane vene ne dispozicion 24 miljon dollare. Nuk eshte e vertete, jane parate e vena ne vitet 2014 dhe 2015 qe nuk u shperndane. Gjithashtu te dallojmë sa para jane per pronaret dhe sa para jane per pagesen e pronareve qe shpronesohen per efekt legalizimi. Autoritetet po paraqesin ne opinion sikur po paguajne, por asgje nuk ka per te ndodhur. E gjithe kjo behet se pas nje viti, do vijnë zgjedhjet dhe ky vit do jete plot me genjeshtra e mashtrime, por asgje nuk do te behet. Asnje vendim per ato 11000 dosjet qe flene nuk do te meret. Do te jete e vetmja Qeveri qe gjate kater vjeteve ne qeverisje nuk do te mare asnje venim per pronaret që kanë hapur dosjet dhe presin vendimin.

–    Por ku kane shkuar pronat trashëguara te shtetasve që u konfiskuan nga diktatura komuniste?

U ndane dhe vazhdojne te ndahen me ligjin famekeq 7501 i vleresuar nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare si ligj per interes publik

  1. U pervetesuan nga ndertimet pa leje, fillimisht u pranuan ndertimet deri ne vitin 2006, pastaj deri ne vitin 2009 e tashte deri ne vitin 2014,  edhe ky ligji i legalizimeve p[r çudi u vleresua si interes publik
  2. U pervetesuan me dokumenta te fallcifikuara e me makinacione nga me te ndryshme korruptive nga oligarkia politike, dhe deputetët e papërgjegjshëm.
  3.   U privatizuan ku deshen e si deshen, por vetem ne interes te pronareve jo.
  4. U pervetesuan nga korrupsioni politik dhe ekonomik.

– Si do të shkojë e drejta e pronës dhe zbatimi i nenit 181 të kushtetutës ?

Kete pergjigje e pergjegjesi e ka sistemi i drejtesise ne Shqiperi e ne vecanti Gjykata Kushtetuese qe shume ralle ka gjykuar ne favor te pronareve por ne pjesen dermuese te gjykimeve ka vendosur kunder tyre e ne favor te politikes. Te shohim tashti çfare vendimi do japin per ligjin e ri te pronave, megjithese fryma u duk që ne mosmirtatimin e kërkesës per pezullimin e ligjit.

Qeveria nuk do ta preke statukuone dhe kerkon qe me pronat tona te beje tregëti, duke i shitur me ankande per njerezit e vet apo per miqte e shoket.

Ne qoftese kerkohet reforme ne drejtesi perse duhet kjo reforme qe drejtimi i pushtetit gjyqsor apo i prokurorise te kaloje sa ne nje dore ne nje tjeter?

Nuk mund te kete reforme ne drejtesi ne qoftese nuk ndryshojne ligjet p[r pronat në atë pjesë qe ato shkelin te drejtat e njeriut, dhe paralelisht të veprohet me gjyqtaret e prokuroret e korruptuar. Pë këte duhet qe nga drejtuesit e politikës të hiqet dore nga porosite e Ramiz Alise qe porosiste: te sekuestruarve dhe te shpronesuarve, do tu japim nga nje leter ne dore, t’u njihet prona, por asnjehere nuk do tua japim, ne forma te ndryshme do t’i ngaterrojme me njeri tjetrin, te kalojne ne Gjykate ku do te zbatohet rrotacioni, nga gjykata e shkalles se pare ne te dyten e per difekte teknike kthim per rigjykim ne shkallen e pare. ………Pasuria e tera na perket ne se ne e beme……………..

–  Cfare vendimesh do marrin Gjykatat Shqiptare per çështjen e pronave:  sipas ligjeve antiprone qe miraton Kuvendi me porosi te Qeverisë apo sipas vendim-marrjes se GJEDNJ? Te shohim, pas miratimit te reformes cfare do te ndodhë.Qevria me qendrimin e vet per pronat pronesoi veten me pronat tona dhe i dha vetes te drejte t’i shese, t’i falë, te premtoje me nje euro, t’i shpronesoje pronaret  ne favor te miqve te vet qe do investojne etj.etj. Pra qeveria tha: nuk ka rendësi çfarë thotë Kushtetuta rendësi ka çfarë na intereson ne që të sigurojme  pushtet dhe pasuri .

Reforma në drejtësi rrezikon të deshtojë sepse ligjet në fuqi, por edhe ato qe miratohen nuk jane ne respekt te te drejtave te njeriut por kunder tyre.

Misioni i dy ministrave ne Strasbourg eshte mashtrim. Reklama që ju be ketij takimi eshte pjese e arrogances dhe kokefortesise se Qeverise per te mos pare realityetin ne sy. Pjesë e këtij aktiviteti është dhe Agjensia e Trajtimit te Pronave. Ky institucin që ka ndyshuar disa emra nuk kane analizuar vendimet e fundit te Strasbourgut të dhena pas miratimit te ligjit 133/2015,  sepse drejtohen nga mentaliteti se ashtu siç manipulojnë gjykatat shqiptare do  ta mashtrojnë edhe GJEDNJ . Të gjithë e dijnë se GJEDNJ nuk eshte dhe nuk mund të bëhet gjykatë shqiptare.

Agim Toro

Sekretar i Pergjithshem i Shoqates

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim toro, DEL NË STRASBURG, TURPI I QEVERISE SHQIPTARE ME PRONARËT

Shqetësimi i një maturanti: Ç’po ndodh me rininë shqiptare?

May 11, 2016 by dgreca

Nga Renato Shkulaku/Maturant/

Rinia e sotme duhet të jetë simbol i paqes,kulturës ,dashurisë, emancipimit etj. Të rinjtë duhet të mendojnë seriozisht për të ardhmen e tyre duke studiuar, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme dhe jo të merren me gjëra të rëndomta dhe të parëndësishme, të cilat shkatërrojnë të ardhmen e tyre. Sot, në botë të rinjtë arrijnë të krijojnë gjëra të pabesueshme në shumë fusha të jetës, fakt i cili tregon se ata e vlerësojnë kohën dhe merren me gjërat e duhura.

Por ç’farë po ndodh me rininë shqiptare? A po ecin ata në rrugën e duhur?

Fatkeqësisht, kohët e fundit në gjimnazet e Shqipërisë, janë përhapur masivisht shumë sherre, të cilat fillojnë me keqkuptime të vogla, kryesisht me vajzat protagoniste. Këto ngjarje të pakëndëshme pasqyrohen nga media e mirënjohur, e cila është gjithmonë në shërbim të shqiptarëve, JETAOSHQEJF. Rasti më i fundit ndodhi në një nga gjimnazet e Korçës, “Raqi Qirinxhi” ku dy vajza kishin nisur një “betejë” midis tyre. Sipas raportuesve të Jetaoshqejf, sherri kishte ndodhur sepse një vajzë kishte ofenduar bashkëmoshataren e saj, dhe kjo e fundit e kishte marrë vesh. Gjatë pushimit, kishte ndodhur sherri, i shoqëruar me grushte, shqelma dhe një fjalor krejt banal. Por fatmirësisht, disa djem, të cilët ishin të pranishëm në ato momente, kishin ndërhyrë për ta ndalur atë sherr, ku treguan një kulturë e cila duhet marrë shembull nga të gjithë, pasi në shumë zënka të tjera shumë individë tregohen indiferentë.

Nga kjo zënkë, por edhe nga shumë të tjera ne kuptojmë se rinia shqiptare nuk po ecën në rrugën e duhur. Po vërtetohet se kjo rini ka shumë nevojë për edukim, kulturë dhe për shumë dije, ku në vend ta kërkojnë nga librat, e shpenzojnë atë duke u marrë me gjëra koti si rrjetet sociale apo duke bërë budallallëqe nga më të ndryshmet. Sic e theksuam e më lart, në këto sherre masive të ndodhura kohët e fundit, protagoniste kanë qënë vajzat. Por si mundet një femër të ngreje dorën mbi një femër tjetër, si mundet të gjuajë me shqelma apo të përdorë një fjalor banal?

Femra mbart vlera të mëdha në një shoqëri, dhe për fat të keq, këto vajza të reja shqiptare nuk e kuptojnë vlerën që kanë, por e humbin plotësisht atë duke luajtur rolin kryesor në këto ngjarje të pakëndëshme dhe të papranueshme për një shoqëri të zhvilluar dhe demokratike. Një fakt tjetër për të ardhur keq është që edhe shumë individë të tjerë tregohen indiferentë gjatë këtyrë sherreve. Disa brohorasin, disa filmojnë, disa mund edhe të bëhen pjesëmarrës në sherr duke ndihmuar shokun apo shoqen ku sulmojnë kundërshtarin, por askush nuk ndërhyn për të ndaluar zënkën. Kjo tregon se këta individë tregohen të papërgjegjshëm, të pamëshirshëm dhe “kënaqen” kur të tjerët zihen. Pra ky është realiteti shqiptar, një realitet i hidhur ku njerëzit po bëhen akoma më të prapambetur dhe nuk po merret asnjë masë kundër kësaj.

Por ç’farë duhet bërë për ti parandaluar këto ngjarje në të ardhmen?

Pikat kyce në “formimin” e njeriut mbetet sjellja, kultura dhe vlerat e paçmueshme që përcjellin në një shoqëri. Edukimi, sidomos i fëmijëve duhet marrë më seriozitetin më të madh. Çdo individ duhet të kuptojë se në shkolla, nuk vlen vetëm një notë e mirë, por edhe një sjellje korrekte. Në çdo shkollë, çdo nxënësi duhet ti bëhet e qartë se sa rëndësi ka kultura në një shoqëri, dhe ata duhet të përpiqen ta fitojnë atë, njësoj siç përpiqen për një notë sa më të mirë. Por sigurisht për këtë gjë ata duhet të kenë vëmendjen e plotë si të prindërve që është kryesorja por edhe të mësuesve. Pra me pak fjalë çdo gjë varet tek edukata që përcjellim tek të rinjtë. Çdo të mbjellim do korrim thotë populli , që do të thotë ajo kulturë që po u përcillet të rinjve ajo po merret , dhe realisht kjo kulturë është për të ardhur keq. Këto ngjarje duhet të merren shumë seriozisht dhe duhen marrë masa për parandalimin e tyre. Rinia e sotme do të jetë e ardhmja e vendit, dhe duhet bërë çdo gjë që Shqipëria të përfaqësohet denjësisht nga kjo rini.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: c'po ndodh, me rininë shqiptare?, Renato Shkulaku

Kosova, mirënjohëse emigracionit shqiptar

May 11, 2016 by dgreca

-Bashkëpunimi kulturor e politik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë ndikon drejtpërdrejtë në jetën e komunitetit shqiptar në Kroaci/PRISHTINË, 11 Maj 2016-B.Jashari/Kosova i është mirënjohëse emigracionit shqiptar, tha sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, në vazhdën e vizitës zyrtare në Kroaci. Ai ka zhvilluar një takim pune me deputeten shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj, me të cilën ka biseduar për çështje që lidhen me emigracionin shqiptar në këtë vend, me organizmin e tyre politik e kulturor, si dhe për bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.Ministri Shala dhe deputetja Lekaj Përlaskaj u shprehën se intensifikimi i bashkëpunimit kulturor e politik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë ndikon drejtpërdrejtë në jetën e komunitetit shqiptar në Kroaci.

Deputetja Lekaj Përlaskaj e falënderoi ministrin Shala për vizitën dhe u shpreh se konkretizimi i bashkëpunimit kulturor, nëpërmjet marrëveshjes kulturore që u nënshkrua sot, është një hap i çmuar që i forcon raportet ndërmjet këtyre dy vendeve.Ndërsa ministri Shala u shpreh se institucionet e Kosovës e vlerësojnë lartë kontributin e diasporës shqiptare, me theks atë të Kroacisë.Ai po ashtu e vlerësoi organizmin politik të shqiptarëve në Kroaci, i cili ka bërë që ata të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlamentin e Kroacisë, dhe shtoi se kjo është një arritje që duhet çmuar, ruajtur dhe duhet kultivuar më tutje.

Ministri Shala u shpreh se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është e fokusuar në promovimin e kulturës shqiptare, në ruajtën dhe afirmimin e saj, dhe në këtë pikëpamje bashkëpunimi me emigracionin shqiptar është i domosdoshëm, sepse krijon një lidhje të fuqishme e të natyrshme mes Kosovës dhe vendeve ku ata jetojnë.Shala u shpreh se Kosova do t’i mbështesë shqiptarët e Kroacisë, nëpërmjet formave konkrete, në fusha specifike, e sidomos në ato që lidhen me kulturën dhe librin shqip.

Filed Under: Mergata Tagged With: emigracionit shqiptar, kosova, mirënjohëse

ABAZ ERMENJI, NACIONALIST DHE ANTIKOMUNIST I VENDOSUR

May 11, 2016 by dgreca

Nga Luan Çipi/
Aq i vendosur ishte Abaz Ermenji, në kritikën dhe dënimin ndaj qëndrimit të “kolaboracionistëve shqiptarë” të Luftës së Dytë Botërore, sa pranoi ndeshjen e deri qortimet dhe ndarjen me ta. Ai, me veprimtarinë e tij jetësore, rezulton model korrektese, se qysh më 7 Prill 1939, (profesor i historisë në Liceun e Korçës), i priti me armë okupatorët italian, ndërsa më 28 Nëntor 1939, demonstroi në krye të rinisë Korçare, kundër fashistëve italian. Më vonë u burgos nga fashistët,  u internua në Itali dhe kur u kthye, luftoi direkt, si pushtuesit Italian edhe ata Gjerman, pavarësisht se ishte gjithnjë në pozicionin e një nacionalisti antikomunist.
Abaz Ermenji lindi më 12 dhjetor 1913, në fshatin e vogël e të fisëm Gërmenj, midis maleve e korijeve të Skraparit e të Gramshit, që atëherë përfshihej në rrethin e Beratit.
Ai, kreu shkollën fillore në Berat dhe shkollën  e mesme në Gjimnazin e Shkodrës dhe për 4 vjet, gjatë viteve 1934 – 1937, kreu studimet e larta në Francë në Fakultetin e Letërsisë të Sorbonës, me specializim Historinë.
Në vitin 1937 Abaz Ermenji, kthehet në Shqipëri dhe çuditërisht, thërritet në shërbimin ushtarak.
Në fillim të vitit 1938 Abaz Ermenji gradohet lejtenant i dytë dhe në Tetor të vitit 1938, lirohet nga ushtria dhe emërohet profesor i Letërsisë dhe Historisë në Liceun Francez të Korçës.
Në prill të vitit 1939, me fillimin e pushtimi të Shqipërisë nga Italia fashiste, Abaz Ermenji, formon në qytetin e Korçës me nxënësit dhe kolegët e tij,  një grup rezistence antifashiste. Shqipëria u pushtua brenda pak ditëve nga fashistët italianë, kundërshtarë të tij të shpallur, ndaj ai i rrezikuar, u largua për në Greqi nga ku filloi të punojë për zgjerimin e rezistencës kundër fashizmit. Qëndroi për pak kohë në fshatrat e provincës Kastori, nga ku u arrestua prej autoriteteve Greke në Follorinë, ku e mbajtën për 4 muaj. Atje ai kontaktoi refugjatë të tjerë nga Shqipëria, shkoj deri në Athinë dhe bëri përpjekje për t’u lidhur me shqiptarë në Egjipt, SHBA dhe vende të tjera, për krijimin e një organizate nacionaliste aktive në luftën kundër fashizmit.
Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, ai mori disa ftesa nga autoritetet italiane për t’u kthyer në Shqipëri, me premtimin se asgjë e pakëndshme nuk kishte për t’i ndodhur. Duke menduar se do të gjente më shumë teren për rezistencë nga brenda Shqipërisë, ai pranoi ftesën dhe u kthye në Shqipëri në Tetor të vitit 1939, në përpjekje për të krijuar celula rezistence antifashiste, në disa qytete.
Në ditën e  përvjetorit të Pavarësisë Kombëtare, më 28 Nëntor 1939, në Korçë u organizua një demonstratë për festimin kombëtar, ashtu si dhe në mënyrë spontane në shumë qytete të vendit. Në këtë demonstratë të madhe, profesor Abazi ra në sy si drejtues kryesor dhe më 15 dhjetor 1939 ai u arrestua në Elbasan dhe u burgos. (U arrestua Abaz Ermenji dhe jo ndonjë komunist, si pretendohet të ishte drejtues ballor). Fillimisht e mbajtën në burgun e Elbasanit për dy javë, nga u transferua në Bari të Italisë, ku qëndroi në burg për 2 muaj dhe më pas u dërgua (së bashku me Safet Butkën dhe Llazar Fundon e Selman Rizën) në ishullin e Ventotenes, ku mbaheshin edhe mjaft autoritete të tjera antifashiste Shqiptare dhe Italiane. Këtu ai mori vesh se ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 5 vite burg.
Në gusht të vitit 1941, Abaz Ermenji, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë intelektual, u liruan, me pretekstin se për ta, kishte nevojë për arsimtarë, sidomos për krahinën tashmë Shqiptare të Kosovës. Nga ana tjetër Italianëve u dukej se në Shqipëri e Ballkan gjendja ishte qetësuar dhe për diplomaci e simpati popullore, vendosën  të jepej një amnisti, për një numër të madh të burgosurish.
Më 20 Gusht të vitit 1941 Abaz Ermenji u kthye në Shqipëri ku e zgjeroi veprimtarinë e tij antifashiste. Në këtë kohë, nxitur nga Serbët dhe nën ndikimin Rus edhe komunistët Shqiptarë kishin penetruar në mjaftë prej grupeve të rezistencës nacionaliste, te Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Dali Ndreu, Abaz Kupi, etj., për t’i tërhequr pas vetes, drejt synimit final për marrjen e pushtetit.
Duke qenë se Abaz Ermenji ishte mjaft i vëzhguar dhe i kërcënuar nga Policia Italiane, vendosi të shkojë në mal, ku kishin filluar të krijoheshin çeta të armatosura. Ai, si intelektual i spikatur edhe me njohuri ushtarake, ndihmoi në organizimin dhe në zgjerimin e lëvizjes dhe me çetën e tij të krahinës, mori pjesë në disa sulme ndaj postave ushtarake italiane. Gradualisht çetat nacionaliste dhe partizane, në bashkëpunim dhe veç e veç, fituan forcë dhe autoritet dhe u kthyen në një kërcënim të vërtetë për autoritetet italiane, të cilave po u merrnin armë dhe municione e deri ushqime, jo vetëm brenda vendit, po dhe deri  në Greqi dhe Jugosllavi.
Në Maj të vitit 1943, këtë e konstatuan dhe e raportuan me shkrim edhe Misioni i Parë Ushtarak Britanik, që erdhi në Shqipëri nga Greqia me majorin Maclein dhe kapitenin Smajli. Ata, nga kufiri me Shqipërinë, i shoqëroi  Abaz Ermenji për çka ishin dëshmitarë edhe grupet e EAM.-it Grek. Mandej, Ermenji, ishte ndërmjetësi, që i paraqiti ata me çetat e komunistëve në Shqipëri, të njohura si të Frontit Nacionalçlirimtar, por edhe me çetat e tjera nacionaliste në veprim.

Duhet thënë se Balli Kombëtar ishte formuar në vitin 1942 nën drejtimin e Mithat Frashërit, një figurë dominuese politike, që kishte nga pas figura të tjera atdhetare balliste e nacionaliste ku dalloheshin: Hysni Lepenica, Safet Butka, Skënder Muço, Zef Pali, Isuf Luzaj, Abaz Ermenji, pa përjashtuar  drejtuesit në formacionet e tjera të mëdha Nacionaliste: Abaz Kupi, Muharem Bajraktari, etj.
Fronti Nacionalçlirimtar u kujdes që në fillim për Misionin Ushtarak Britanik për të ndikuar që grupet e tjera të përjashtoheshin nga kontakti me britanikët, duke u dhënë përshtypjen atyre se ata ishin të vetmet çeta aktive në vend.
Majori Maclein dhe grupi i tij u tërhoqën për në malet e Leshnjes në zonën e Skraparit, ku ngriti shtabin e tij në zonën që kontrollohej nga çetat partizane. Skrapari, duke qenë zona e lindjes së Ermenjit, dërgoi një grup prej 50 vetash te Shtabi i Maclein, së bashku me një letër për të. Majori Maclein ishte i kënaqur me përmbajtjen e letrës. Ata u takuan me Abaz Ermenjin në fund të muajit maj pranë fshatit  Përrenjas. Misioni Ushtarak Britanik filloi të furnizojë njerëzit e Ermenjit me armë dhe municione si dhe instruksione e porosi teknike operacionale. Në qershor të vitit 1943 ata u takuan serish me majorin Maclein, i cili kërkoi që të dyja grupet të bashkohen në një front të përbashkët dhe nën një komandë. Ermenji pranoi një koalicion të tillë, me kusht që bashkëpunim të ishte vetëm në fushën ushtarake.
Në fillim të gushtit 1943 Abaz Ermenji me Çetën e tij po përgatiste një sulm mbi një bazë  nafte në Kuçovë. Në këtë kohë pranë tij erdhi majori Neel, i dërguar nga Maclein, që sipas marrëveshjes, të kombinonte operacionin ushtarakisht dhe për ndonjë koordinim të mëtejshëm me forcat partizane për rreth. Për këtë Ermenji mori porosi nga Maclein, që të shtynte sulmin dhe të kryente më parë një takim koordinues të përbashkët me përfaqësuesit e partizanëve në prani të majorit Neel. Takimi u bënë fshatin Bogdan natën e 9 dhe 10 gushtit 1943. Komunistët nisen të diskutonin jo për organizimin e sulmit, por për politiken dhe të ardhmen e pushtetit dhe propozuan që sulmin ta shtynin ose ta anulonin, me pretekstin se kishin shumë pak forca. Ata mendonin se meritat e këtij aksioni, do t’i merrte Balli Kombëtar. Ermenji e humbi durimin dhe vendosi që të sulmoj kur forcat partizane e lanë atë  vetëm. Ai nisi sulmin me forca të shumta që arrinin në gati 3 mijë njerëz. Por armiku në numër e armatim ishte më superior, ndaj forcat  u tërhoqën, duke lenë 50  të vrarë.
Ky aksion, u përgëzua në një letër të posaçme të Maclein, ku cilësohej e miratohej sulmi dhe trimërinë e njerëzve të Ermenjit. Ai mori premtimin nga majori britanik, se më shumë ndihma dhe municion e armë do të vinin për të. Po ashtu dhe te Libri Julian Amerit “Bijtë e Shqipes”, jepen disa fakte, për aksionet e suksesshme kundër autokolonave Gjermane, organizuar nga Abaz Ermenji. Britanikë e kishin si parim që të furnizonin me armë, municione e ushqime ata që luftonin armikun, çka vërteton faktikisht edhe aksionet rezultateve të Abaz Ermenjit.

Në Gusht të vitit 1943 u mbajt takimi i përbashkët historik midis përfaqësuesve të  Ballit Kombëtar dhe të Frontit Nacionalçlirimtar në Mukje, (ku Abaz Ermenji, i angazhuar me aksione luftarake, nuk mori pjesë). Siç dihet në Mukje nga palët u arrit dhe një marrëveshje në lidhje me operacionet ushtarake të përbashkëta, si dhe për Kosovën dhe pushtetin e ardhshëm, por kjo marrëveshje, e miratuar nga përfaqësuesit Komunist dhe e mirëpritur me entuziazëm nga populli shqiptar, nën presionin Jugosllav, u refuzua nga Enver Hoxha.
Në Shtator të 1943-shit, me kapitullimin e Italisë fashiste, grupet e rezistencës, si ato të drejtuarat nga Ermenji dhe partizanët, hynë në Berat. Gjermanët erdhën më pas dhe pushtojnë qytetin, duke kërkuar që ata të largohen. Abaz Ermenji vendosi që të luftohej dhe t’u behej rezistencë, pikërisht në fshatin Kousitin. Komunistët sërish nuk benë asnjë lëvizje, mandej u duhej të dënonin “kompromisin” e përfaqësuesit tyre, Gjin Marku.
Në tetor komunistët e sulmuan  formacionin e Abaz Ermenjit, duke e detyruar të largohet nga  rrethi i Berati. Gjate evakuimit ai u takua me majorin Maclein dhe kapitenin Smajli dhe u shprehu zhgënjim për të gjithë situatën e ndodhur. Gjatë këtij takimi Ermenji, denoncoi edhe një letër të Partisë Komuniste, pas Konferencës së Dytë Labinot, e cila instruktonte të gjithë anëtaret e vet, që “t’i luftonin kudo Ballistët”. Ndonëse britanikët e kërkuan letrën, para se të niseshin për në Itali, Ermenji, në përpjekjet e fundit për bashkim, refuzoi që t’ua jepte atë. Ai qëndroi në male dhe tentoi të riorganizojë forcat e tij, por gjithnjë nën shqetësimin e Gjermaneve, tani dhe të komunisteve, derisa u detyrua të pezulloi përkohësisht intensitetin në operacionet e tij ushtarake.
Gjate dimrit 1443-1944 Ermenji ishte komplet jashtë çdo mundësie për ndihmë e bashkëveprim, dhe nisi të humbiste shumë nga njerëzit e tij, të cilët nuk kishin tjetër alternativ dhe rrugë shpëtimi, ndaj, ose dezertonin e largoheshin për në shtëpi, ose shkonin me partizanët. Grupi i tij filloi të shpërbëhet dhe vetëm pak besnikë qëndruan pranë tij.
Si konkluzion: Ermenji drejton një varg luftërash kundër forcave italiane e gjermane, në mënyrë të veçantë, në Skrapar, Kuçovë, Mallakastër, Berat e Pogradec… Janë të shumta dokumentet e huaja dhe shqiptare, që na bëjnë me dije rreth këtyre luftërave, të cilat pavarësisht pse u anashkaluan nga historiografia komuniste 50-vjeçare, krahas luftërave të çetave dhe brigadave partizane, kanë hyrë dhe bëjnë pjesë në fondin e artë të luftërave të popullit tonë ndaj pushtuesve të huaj. Pikërisht ky shtrembërim i historisë duhet ndrequr.
Në Maj të vitit 1944 Abaz Ermenji, midis dy zjarresh, i lodhur, i dëshpëruar dhe pa rrugë dalje, u takua edhe një herë me grupin e kapitenit britanik Hand, i cili po përgatitej për t’u larguar në Itali. Kapiteni britanik, pa që rrugët drejt bregdetit ishin të ruajtura mirë nga forcat e Ermenjit dhe vendosi të qëndrojë me të dhe të dëgjojë e të njohë situatën e vështirë në të cilën ndodhej.  Ermenji. Nevojat për ndihma jetike ushtarake ja dha atij, në një letër për Maclein. (Në këtë kohë Maclein ndodhej jashtë Tiranës me grupin e Abaz Kupit). Ai në përgjigje, i komunikoi kapitenit Hands, që të largohet i qetë për në Itali, se për forcat e Abaz Ermenjit do vinin shpejt ndihmat e nevojshme ushtarake. Kapiteni u largua në Itali me një letër tjetër kërkesash të Ermenjit, me porosinë që ajo t’u dorëzohej autoriteteve të larta britanike.
Në shtator të vitit 1944 Ermenji u takua me 3 oficerët britanike Maclein, Smajli dhe Amery dhe u ra dakord që të formohej një grup i përbashkët për të luftuar fuqimisht gjermanët.
Me tërheqjen e trupave Gjermane në Nëntor 1944, u nisën për në Itali edhe oficerët britanik. Gjate largimit të Maclein, Ermenji mori njoftimin se, me përfundimin e luftës asnjë grup rezistence nuk do të mbështetej më me ndihma. Në këto kushte ai i shpërndau njerëzit e tij, pasi i pa të panevojshme njësitë ushtarake të organizuara, se armiku u largua dhe nuk kishte ç’të bëhej më, veçse të hyje në një luftë vëllavrasëse dhe civile.
Abaz Ermenji, pati mundësi të largohej me Abaz Kupin për në Itali, por qëndroi në Shqipëri me ëndrrën e tij të përjetshme, për të formuar grupin “Lëvizja Liberale Demokratike” i cili do të vepronte jashtë Frontit Nacionalçlirimtar, me shpresën e pluralizmit politik, si në demokracitë perëndimore.
Abaz Ermenji, nga dhjetori 1944 e deri në tetor 1945, punoi shumë për krijimin e një partie të fortë opozitare, si dhe për rikthimin e Shqipërisë në një regjim demokratik. Por, me sa duket ai i kishte bërë hesapet thjesht si ëndërrimtar. Qëndrimi komunist ishte i fortë e deri asgjësues, sa opozita konsiderohej një krim politik, fare e papranueshëm. Duke parë edhe se nga aleatët nuk kishte më asnjë mbështetje financiare, morale e politike, Abaz Ermenji, vendosi që të largohej nga vendi jashtë kufijve, në kërkim të rrugëve të reja.
Abaz Ermenji historian, i analizon dhe i shpjegon kështu shkaqet e dështimit të Ballit Kombëtar: “E vërteta është që Balli Kombëtar, ndonëse si numër kishte shumicën e madhe të fshatarësisë dhe të shkollarëve, si forcë luftuese, u pa qysh në fillim se ishte i një shkalle më të ulët organizative dhe me një Parti të dobët, pa disipline e autoritet  dhe me të gjitha të metat e natyrës njerëzore ose të mendësisë së veçantë të shqiptarit.
Ndërsa Komunistët përgatitën më parë kuadrat e disiplinuara në djalërinë qytetare dhe mandej mblodhën ndër to fshatarësinë, Balli Kombëtar, e nisi punën nga fshatrat për të pasur numrin sa më të madh dhe kuadrat e çetave, ose të fuqive të armatosura të tij, qëndruan fshatarë gjer në fund. Këto nuk kishin as shkathtësinë, as bindjen, as disiplinën e kuadrove të fanatizuara dhe djaloshare komuniste. Djalëria e Ballit Kombëtar nuk u fut në fashat dhe nuk luajti as një rol në drejtimin e masave fshatare.
Në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste dhe te kuadrat e larta të asaj, kishte një pikëpamje, një mendim, një vendim. Ata që mendonin ndryshe, qëroheshin shpejt, kurse Balli Kombëtar mbeti gjer në fund, një marrëveshje ndërmjet njerëzish, me pikëpamje e interesa të ndryshme dhe shpeshherë të kundërta.
Ballit Kombëtar nuk i erdhi asnjë ndihmë nga të ashtuquajturit na¬cionalistë të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. Në dukje, këta linin të kuptohej, ose edhe e thoshin vetë, se e bënin me qëllim, që Ballistë e Komunistë, të hanin kokat njëri me tjetrin, për t’iu mbetur më në fund fuqia këtyre”…
Abaz Ermenji, kaloi kufirin Grek, më 26 tetor 1945, me 18 mbështetës të tij. Në Greqi ai u arrestua nga autoritetet greke dhe u internua në kampin e Gladstone të Selanikut dhe qëndroi për më shumë se 6 muaj i burgosur, i dyshuar si bashkëpunëtor i Gjermanëve. Ermenji u mor në pyetje nga oficeret Britanikë, lejtenant Young, i cili më pas e përcolli dëshminë tek autoritetet më të larta. Ermenji deklaroi dhe vërtetoi se nuk kishte bashkëpunuar me Gjermanët, mandej se kishte luftuar e derdhur gjak, kundër pushtuesve Italianë dhe Gjermanë, për lirinë e vendit të tij, për çka ai u gjykua nga Britanikët dhe u la i lirë.
Që nga nëntori i vitit 1944 e deri në pranverën e vitit 1946, Ermenji, përkrah vëllezërve Kazazi, Muharrem Bajraktari, Hysni Dema dhe krerëve të tjerë nacionalistë të Kosovës dhe trevat e Maqedonisë Shqiptare, do të ndërhynte disa herë brenda kufirit shqiptar dhe do zhvillonte një varg aksionesh duke rrëfyer përveç antikomunizmit të tij dhe cilësi të tjera si prijës ushtarak. Pushka e tij do të ndihej në Postribë, Çermë, në Malësi të Madhe, Golaj, në Orosh dhe Bajzë, ndërkohë që Qeveria e Tiranës e pati shpallur kriminel lufte dhe i kishte burgosur të atin.
Më pas, kur lufta e prijësve nacionalistë në Shqipëri u bë krejt e pamundur, profesor Ermenji largohet përfundimisht nga Atdheu, i bindur në vetëdijen e tij se nuk do të ndalte kurrë të ndihmojë Kombin e vet, për të zhdukur komunizmin, në zëvendësim të pluralizmit dhe demokracisë.  Vendoset në Paris, ku drejton Komitetin Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirë”, i cili ka lozur një rol të madh në përpjekjet për një Shqipëri të lirë nga regjimi komunist si dhe për çlirimin e Kosovës nga shtypja dhe tirania e Serbisë.
Pas përmbysjes së pushtetit komunist dhe vendosjes së pluralizmit, Abaz Ermenjit, ju rikthye mundësia e rikrijimit, me principe edhe  më të përparuara të Ballit Kombëtar në Shqipëri dhe kjo  qysh në vitin 1991. Ai, i rikthehet politikës dhe zgjidhet kryetar i kësaj partie dy herë radhazi në vitet 1994 dhe 1998. Gjatë kësaj periudhe, me gjithë moshën e tij të madhe, ka dhënë një kontribut në ngritjen e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve, nëpërmjet një serie takimesh e konferencash, në të gjithë Shqipërinë. Profesor Abaz Ermenji dekorohet nga SHBA-ja me dekoratën “Ajzenhauer” me motivacionin “Luftëtar i shquar në luftën kundër komunizmit”.

Përfundimisht mund të themi se profesor Abaz Ermenji, si antikomunist i vendosur, ka qenë njëkohësisht mbrojtës i flaktë i çështjes Shqiptare dhe për më tej i Kombit Shqiptar, në kufijtë etnik. Ai, ka pasur si motiv kryesor për të vendosur mbi partitë, Shqiptarinë, duke luftuar në disa beteja, mandej dhe në front të përbashkët me partizanët, kundër pushtuesve Italianë dhe Gjermanë. Përpjekjet e tij antikomuniste nuk kanë reshtur deri sa vdiq. Me artikuj të shumtë, të botuar tek “Flamuri”, “Balli i Kombit”, tek përmbledhja “Albania” etj., për çka synon dhe vepra e tij studimore “Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë”, një apologji madhështore shqiptare.
Abaz Ermenji vdiq, në datën 10 Mars 2003 në Paris, Francë si atdhetar, nacionalist dhe antikomunist i vendosur, si i tillë për mos t’u harruar kurrë nga pasuesit dhe simpatizantët e tij dhe u varros në 14 Mars 2003, me një ceremoni madhështore, në kryeqytetin e vendit të vet, Tiranë.

SHKURTIME:
Vendlindja; Ermenj, Skrapar.
Datëlindja:12.12.1913
Arsimi: fillor në Berat, i lartë në Faculte de Lettres, Sorbonnes, Paris 1934-1938
Profesioni: Profesor Historie.
Aktiviteti profesional: 1938-1939, Profesor në Liceun e Korçës. 1939 në Normalen Elbasan.
Aktiviteti politik: 1939 organizator i rinisë së Liceut të Korçës kundër pushtimit italian.
1939-1941, internim në Ventoten nga italianët.
1941, anëtar i Ballit Kombëtar.
1943, anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar.
1948, anëtar i Komitetit Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirë” krijuar nga Mid’hat Frashëri në mërgim më 26 gusht 1949.
1955, një nga organizatorët e “Lidhjes kosovare”.
10 mars 1957, kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirë” deri në vitin 1992.
1992 deri në dhjetor 2002 kryetar i Ballit Kombëtar.
Anëtar i “Lëvizjes Evropiane” dhe pjesëmarrës në të gjitha kongreset e saj.

BOTIMET:
1968, “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”.
Një studim mbi historinë e Shqipërisë, botimi i parë Romë, Itali dhe botimi i dytë Tiranë.
Kultura dhe morali kombëtar.
Autor i shumë artikujve dhe shkrimeve mbi Shqipërinë dhe çështjen shqiptare te gazeta “Flamuri”, “Le Monde”, “Përmbledhja” , “Albania”, “Balli i Kombit”, etj.
Nderuar me Dekoratën “Ajzenhauer” si luftëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

LITERATURA E SHFRYTZUAR:
-Interneti Wikipedia, etj.
-Gazeta Panorama 15.02.2015 Rrëfimi i Abaz  Ermenjit…
-Gazeta Dita 29.11.15 “Luftën e fitoi Enveri…”
-Gazeta Balli Kombit  24.03.2004 Një jetë për Shqipërinë
-Gazeta Dielli Mars 28 2013
-Përkujtimorja  një vjeçare e Abaz Ermenjit – Shtypi
– Përkujtimorja dhjetë  vjeçare e Abaz Ermenjit – Shtypi
-Eugen Shehu – Abaz Ermenji…
-David Smiley – Albania Sssigmeny …
-Bledi Fevziu – intervistë janar 2009
-Robert Elsie 2012 “Biography…”
-Abaz Ermenji – “Vendi që zë Skënderbeu…”

Tiranë, më 15.04.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Abaz Ermenji, I VENDOSUR, Luan Cipi, NACIONALIST DHE ANTIKOMUNIST

Krimi i Legjitimuar

May 11, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Liberum arbitrium, apo free will,tingëllojnën si shprehje apo togfjalësha romantikë dhe demokratikë, por në thelb janë shprehje të legjitmimit të krimit e nga shoqëria dhe shteti.Askush nuk ka të drejtë të vrasë apo të vetvritet, t’i marrë jetën tjetërkujt, përsa kohë ligjin e jetës nuk e ka krijuar ai apo institucioni që e merr përsipër qër ta shkurtojëatë. Free will është një krim më vete, që shoqëria moderne e aplikon tek nënat shtatëzëna, apo njerëzit e sëmurë. Por, edhe pse shoqëria njerëzore ka ngritur institucionet gjyqësore parandaluese të krimit, ajo vetëinkriminohet në rastet  si më poshtë:

Gjykatat, përdorin masa preventive ekstreme për të ndaluar krimin, dhe atyre vetë, nuk u lind e drejta që të marrin jetë njerëzore. Ekzekutimi që përdor trupi gjykues është një krim në vetvete. Izolimi i të keqës është dënim i mjaftueshëm për të ndalur epërsinë e së keqes që moleps personin, i cili, me kalimin e viteve kalon përmes filtrit të energjisë pozitive, duke pranuar reflektimin e kohës në subkoshiencë, ballafaqimin e lirisë me izolimin. Nëse një njeri ekzekutohet për vrasjen që ka bërë, ai , në paraqitje duket sikur e ka kuptuar gabimin, prej frikës dhe jo prej ndërgjegjes. Pra nuk është ndërgjegja që shërohet, por thjesht ushqehet frika që riprodhon degradimin pa pasur kohë të rikuperohet për të kuptuar fajin.  Krimineli vdes kriminel  nga dora e kriminelit shtet, ngaqë shteti mendon se ka vënë drejtësi. Sëmundja skenike të hipodromeve të skllevërve në kohën antike, varja, gijotina (guillotine), pushkatimi apo “ekselenca” e karriges elektrike, nuk janë asgjë tjetër, vetëm dobësi dhe frikë nga shteti, i cili  e përdor ndëshkiminkapital si fakt dhe jo si drejtësi, pa e kuptuar se hobi i ndërgjegjes së dekompozuar nuk lejon gjykimin hyjnor si primar, i cili do të gjykojë të gjykuarin dhe gjykuesin.

Unë nuk do të zgjatem tek e drejta e njeriut për t’u mbrojtur nga energjia negative që prodhon krim, por thelbi i këtij shkrimi synon të ndriçojë ndërgjegjen e degraduar të shoqërisë që inkurajon nënën që të ekzekutojë fëmijën e vet, apo mjekësinë, të sëmurin me një “vdekje të ëmbël”.  Nëse një nënë vret foshnjën e vet dhe justifikohet si një “free choice”, atëherë ku është ndryshimi i një vrasje në rrugë apo gjetkë nga një kriminel,  me një vrasje të paramenduar nga një grua shtatzënë? Gazetarët, mediat,  nuk reshtin së publikuari çdo vrasje apo ndodhi ekstreme,  por vrasjet e fëmijëve në barkun e nënave nuk i trumbetojnë kurrë. Nëse një nënë aksidentalisht humb fëmijën(e kam fjalën për personat publikë), media e trumbeton si një tragjedi, si një dhimbje që duhet të prekë çdo ndërgjegje qytetare, por kur nënat vrasin foshnjet e tyre se ashtu ua do qejfi, media hesht, biles politika sociale apo socialiste,e quan arritje e lirisë të së drejtës së njeriut. Po a ka hipokrizi më të madhe se kjo, a ka krim më të turpshëm e çnjerëzor?

Shkencërisht njihet se  pas 2,5 javësh, shtresa e jashtme embrionale e fëmijës formon tre inde, shtresa fillestare,të quajtura ektodermë, endodermë dhe mezodermë. Ektoderma, krijon struktura jetike, ku përfshihen truri, shtylla kurrizore,nervat, lëkura,thonjtë dhe flokët. Endoderma, krijon aparatin e frymëmarrjes dhe gypit tretës, gjithashtu krijon mëlçinë dhe pankreasin. Mezoderma, krijon zemrën, veshkat, kockat, kërcejtë, muskujt, qelizat e gjakut etj…

Pa u shtyrë më tej shkencërisht me ditët dhe javët e rritjes së foshnjës në barkun e nënës, mjafton që të kuptojmë se krijesa e shenjtë  prej 2,5 javësh është një fëmijë që formohet prej gjakut dhe mishit tonë. Pas shtatë javësh zemra e tij, apo asaj, rreh 167 herë në minut dhe modeli i valëve të foshnjës krahasohet me valët e të rriturit. Pra, këtu kemi një qënie njerëzore që gradualisht pret qëtë dalë në jetë dhe trupi i shenjtë foshnjor komunikon me ne nëpërmjet mikrovalëve dhe  frekuencave misterioze, komunikon me të ëmën dhe babain, por këto të fundit, janë tepër të zënë me hobet dhe “hallet” e përditëshme…

Alogjika e shprishjes së përgjegjësisë së nënës dhe babait, ndodh dhe tek mungesa e besimit në Zot dhe në vlerën e vetvetes. Sepse, nuk ka se si shpjegohet, që prindërit të pranojnë me një gjakftoftësi tejet të akullt të pushojnë zemrën e vogël në trupin e nënës, frytin e gjakut të trupit të tyre. Nuk është vetëm nëna përgjegjëse në  raste analoge, por dhe babai, i cili frymëzon ose hesht në vendimarrje monstruoze. Përgjegjësia kryesore bie mbi shtetin atrofik, mbi mjekësinë vrastare, mbi shoqërinë, të cilët, për interesa meskine krijojnë kompromisin anti-human të shuarjes së jetëve pa parë dritën e diellit.

Nëse njeriu do të priste pemët dhe shkatërronte gjelbërimin pa i rimbjellur ato, çfarë do të ndodhte me sistemin ekologjik? A do mbijetonte dot flora dhe fauna?

Kështu ndodh dhe me frytin njerëzor, i cili shkatërrohet pa mëshirë që në embrion. Ligji i abortit,martesa ndërmjet të njëjtit seks janë ligjet më çnjerëzore që njeriu ka aprovuar ndonjëherë. Nene të tilla janë legjitimim i krimit. Gomorrah dhe Sodoma janë shembulli më i mirë i degradimit dhe i ndëshkimit njerëzor. Tani, bota po riciklohet  aty!

A ka ndonjë zgjidhje për të shëruar këto plagë? Po!

Mëse gjysma e botës janë monoteistë dhe nëse udhëheqësit monoteistë do të linin mënjanë paragjykimet dhe egoizmat divergues, portë bashkoheshin për të rindërtuar vlerat universale të njeriut që janë dhuratë e Krijuesit, bota do të ishte shumë më e bukur, paqja do të mbretëronte në barkun e nënës dhe në ndërgjegjet tona tejet të trazuara. Kataklizmoja e seksit të njëjtë dhe“vdekja e ëmbël” do eleminohen me ligjet natyrale qiellore, për të cilin, njeriu ka të drejtën e  superioritetit natyral dhe legjitim.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: alfons Grishaj, Krimi i Legjitimuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT