• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Koleksioni i fotove të Edit Durham për trojet shqiptare

May 9, 2016 by dgreca

Nga Robert Elsie/

Thuhet shpesh se EdithDurham njihet më mirë në Shqipëri dhe në Kosovë se sa në Angli. Në viset e Ballkanit gjendet tek tuk një shkollë Edit Durhami apo një rrugë MissDurham, kurse në Londër zor të gjesh ndonjë gjurmë të saj. Megjithëse jam në dijeni se flas këtu para njerëzve që mund të dinë më shumë se unë për udhëtaren dhe shkrimtaren angleze, do të ketë disa persona që nuk e njohin dhe për këta dëshiroj të jap disa të dhëna për jetën e kësaj gruaje të mahnitshme.
Mary Edith Durham (1863-1944) vinte nga një familje e madhe dhe e pasur nga veriu i Londrës. Ishte më e madhja prej tre vëllezërve dhe gjashtë motrave, të cilët ishin kryesisht të suksesshëm në karrierat e tyre përkatëse në mjekësi, inxhinieri dhe administratën publike. Edith, të cilën në familjen e saj e thërrisnin me nofkën mashkullore Dickie [Diki], ndoqi Bedford College në Londër (1878-1882) dhe më tej studioi pikturë dhe vizatim në Akademinë Mbretërore të Arteve. Në këtë kuadër, në vitin 1899, ajo bëri ilustrimet për një vëllim të kolanës Cambridge Natural History dhe më vonë ka lënë skica edhe piktura të shumta nga Ballkani. Si vajza më e madhe dhe e fundit e mbetur në shtëpi, asaj i kishin besuar detyrën që të kujdesej për të ëmën e moshuar dhe të sëmurë. Kjo jetë monotone bëri që Edith, pas një farë kohe, të përfundonte në prag të një krize nervore. Mjeku e këshilloi të shkëputej nga çdo gjë dhe të udhëtonte. Kështu, në vitin 1900, Edith Durham 37 vjeçare u nis me një mikeshë të saj për një udhëtim me vapor përgjatë bregut të Adriatikut deri në Kotor. Udhëtimi e magjepsi dhe përtëriu. Një vit më pas, u kthye përsëri dhe udhëtoi gjerësisht në Malin e Zi dhe, më vonë, deri në Luftën e Parë Botërore, çdo vit ajo kalonte të paktën dy muaj në Ballkan, i cili iu bë pasioni dhe shpëtimi i saj. Në vitet 1902-1903, pasi kishte mësuar pak serbisht dhe shumë më tepër për historinë e Ballkanit, Durham bëri një udhëtim në Serbi për të mbledhur të dhëna për librin e saj të parë, Through the Landsof the Serb [Përmes trevave të Serbit], Londër 1904, ribotim 2015. Ky libër përfshin edhe rrëfimet për vizitat e saj në Shkodrën dhe Kosovën e Perandorisë Osmane. Ishin udhëtime të jashtëzakonshme, që kërkonin guxim dhe këmbëngulje, veçanërisht për një femër që udhëtonte vetëm. EdithDurham i kishte që të dyja këto cilësi. Në fund të vitit 1903 u kthye për një qëndrim pesë-mujor në Ballkan, ku punoi për Komitetin Humanitar Maqedonas (Macedonian Relief Committee). Ky udhëtim dhe gjendja e llahtarshme humanitare në zonat kryengritëse të Maqedonisë, përshkruhen në librin The Burdenof the Balkans[Brenga e Ballkanit], Londër 1905, ribotim 2015, i cili përfshin edhe rrëfimin e udhëtimit të saj të parë në Shqipërinë e jugut dhe të mesme. Gjatë viteve të mëpasshme udhëtoi në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë për të mbledhur materialin etnografik që u botua shumë më vonë në librin e saj Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans [Disa prejardhje fisnore, ligje dhe zakone të Ballkanit], Londër 1928, shqip Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve, Tiranë 2009, me ilustrime të autores. Politika ekspansioniste e Serbisë dhe Malit të Zi, të cilën e kishte hasur në udhëtimet e saj, u bënë shkas që ajo t’i kthente shpinën këtyre vendeve dhe t’i përqendronte më shumë vëmendjen dhe simpatitë e saj mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Në verën e vitit 1908 Edith bëri një udhëtim tjetër në Malin e Zi, prej aty në Shkodër dhe pastaj përmes malësisë së veriut deri në Kosovë, udhëtim ky i përshkruar në librin e saj më të njohurHighAlbania, Londër 1909, ribotim 2015, shqip Shqipëria e Epërme, Tiranë 2012. Edhe sot e kësaj dite shumë lexues janë të mendimit se ky është libri më i këndshëm në gjuhën angleze i shkruar ndonjëherë për Shqipërinë. Me kalimin e kohës, EdithDurham bëri mjaft emër ndër shqiptarët e veriut për interesin e treguar dhe mbështetjen e saj për çështjen shqiptare dhe shumë shpejt ajo filloi të njihej në malet e veriut si kraljica e malesorëvet. Madje tek-tuk ndër shqiptarët u përhapën edhe fjalë se ajo ishte motra e mbretit të Anglisë. Libri tjetër, The Struggle for Scutari (Turk, Slav and Albanian), Londër 1914, ribotim 2015, shqip Lufta për Shkodrën: turq, sllavë e shqiptarë, Shkodër 2005, përqendrohej mbi rrethimin e përgjakshëm malazez të Shkodrës në kohën e pavarësimit të Shqipërisë. Ky është ndoshta libri i saj më ambicioz, një përshkrim i dhimbshëm i luftës, urisë dhe katastrofës humanitare. Gjatë asaj kohe Durham vizitoi edhe jugun e Shqipërisë dhe konstatoi se gjendja nën pushtimin grek atje nuk ishte aspak më e mirë. Pas Luftës së Parë Botërore botoi librin Twenty Years of BalkanTangle, Londër 1920, ribotim 2015, shqip Njëzet vjet ngatëresa ballkanike, Tiranë 1944. Ky libër përbën kulmin dhe sintezën e shkrimeve të Durham. Ai përfshin periudhën nga udhëtimi i saj i parë në Ballkan në vitin 1900 deri në Luftën e Parë Botërore, dhe në një farë mënyre mund të konsiderohet si memoaret e saj. Vizitën e saj të fundit në Ballkan Edith Durham e bëri në vitin 1921. Pas kësaj, kryesisht për arsye shëndetësore, ajo nuk ishte më në gjendje të kryente udhëtime të tilla të mundimshme. Megjithatë, mbështetja e saj për Shqipërinë nuk pushoi asnjëherë gjatë dy dhjetëvjeçarëve vijues. Durham ishte anëtare themeluese e Shoqatës Anglo-Shqiptare (Anglo-Albanian Association) në Londër dhe shkroi artikuj të shumtë shtypi si dhe “letra botuesit” të panumërta për t’iu kundërvënë mendimeve të gabuara dhe për të tërhequr vëmendjen mbi Shqipërinë dhe vuajtjet e saj. Ajo ishte gjithashtu autore e shumë artikujve shkencorë për kulturën popullore shqiptare dhe malazeze dhe për historinë dhe politikën e Ballkanit. Shumë prej këtyre shkrimeve u përmblodhën kohët e fundit në vëllimetAlbania and The Albanians, Selected Articles and Letters 1903-1944, Londër 2001 dhe The Blaze in the Balkans: Selected Writings, 1903-1941 [Zjarri në Ballkan: shkrime të përzgjedhura, 1903-1941], Londër 2014. Në këtë periudhë u botua edhe libri i saj i fundit, tashmë ndoshta i harruar, The SerajevoCrime[Krimi në Sarajevë], Londër 1925, ku flitet për rrethanat e vrasjes së ArqidukësFrancFerdinand të Austrisë, vrasje e cila u bë shkas për fillimin e Luftës së Parë Botërore.Në vitet e mëvonshme, shtëpia e saj në Londër u bë vend takimi për miq të Shqipërisë dhe për shqiptarë në mërgim. Vdiq në nëntor 1944, dy javë para ardhjes në pushtet të komunistëve në Shqipëri.
Koleksioni Fotografik i Edith Durham
Në pranverën ose verën e vitit 1900, para udhëtimit të saj të parë në Ballkan në gusht të atij viti, EdithDurham bleu një aparat të vogël fotografik të markës KodakBrownie. Me sa duket, aparatet e firmës Kodak ka marrë me vete në të gjitha udhëtimet e saj në Ballkan.
Në Londër, pas udhëtimeve, Durhamiu prezantoi fotografitë e saj anëtareve të Institutit Mbretëror Antropologjik (Royal Anthropological Institute) ku ishte edhe vetë anëtare, dhe veçanërisht para anëtarëve të Shoqatës Anglo-Shqiptare të cilën e kishte themeluar. Pas vdekjes së saj, pjesa më e madhe e koleksionit ruhej në Institut, si të thuash në harresë, por ka edhe fotografi të tjera në Muzeun Britanik në Londër, dhe në Muzeun Pit tRivers në Oksford. Rreth një shekulli më vonë, me datën 24 shkurt 2016, kisha nder të madh të prezantoj fotografitë e saj përsëri në sallën e Institutit Mbretëror Antropologjik në Londër, dhe përsëri para anëtarëve të Shoqatës Anglo-Shqiptare. Ishte një ngjarje historike. Kurse nga 450 fotografitë e panjohura që disponojmë, të bëra nga Miss Edith Durham, kryesisht në Shqipëri dhe Mal të Zi, nja 100 sosh, aq sa na lejon koha, opinionit shqiptar do ia prezantoj për herë të parë në Prishtinë, me 11 maj, në hotelin Sirius, në orën 19:00.

Filed Under: Histori Tagged With: Koleksioni i fotove të Edit Durham, për trojet shqiptare, Robert Elsie

Kosova feston Ditën e Evropës

May 9, 2016 by dgreca

-Më shumë se 20 aktivitete për 9 Majin – Ditën e Evropës/

 -Kremtimi Ditës së Evropës 2016 – në vitin e  hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës dhe të udhëtimit pa viza të qytetarëve kosovarë  të propozuar nga Komisioni Evropian/

-PRESEDENTI THAÇI: GËZUAR DITËN E EUROPËS, DESTINACIONIN E ARDHSHËM TË KOSOVËS /

-Kryeministri Isa Mustafa: E shpalli sot publikisht betejën e radhës, atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO/

-AAK: EVROPA DUHET TË NA NDIHMOJË QË EDHE KOSOVA TË JETË PJESË E SAJ/

-Dita e Evropës, 9 Maji është festë shtetërore përcakton Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitit historik  të Pavarësisë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Maj 2016/ Mbi 20 aktivitete zbavitëse, sporti, edukative dhe kulturore mbahen gjatë festimeve të për 9 Majin –  Ditën e Evropës 2016 në qytete të ndryshme të Kosovës. Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se mes aktiviteteve do jenë loja për kupën e Evropës UEFA 2016, e basketbollit dhe vrapimit; koncertet nga bendi suedez “Vita Bergen” dhe bendi kroat “Lollobrigida”; ekspozita e fotografive të kryeqyteteve evropiane të kulturës 2016; kuizi shija e Evropës, vogëlsirat e saj, me kuzhinat e vendeve të ndryshme të BE-së, si dhe këndi i fëmijëve evropianë.

Aktivitetet qendrore do të nisin më 9 maj 2016 në ora 13.30 në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku do marrinin pjesë edhe  Bekim Ҫollaku, ministër i Integrimeve Evropiane dhe Samuel Zhbogar, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së.

Njëkohësisht do të mbahen një numër aktivitetesh edhe në Mitrovicën Veriore, mes të cilave “Pikturoni të ardhmen tuaj evropiane” dhe koncerti për Ditën e Evropës.

 Kremtimi Ditës së Evropës këtë vit ndodh në të njëjtën kohë me hyrjen në fuqi, në 1 prill, të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës, dhe pas propozimit të Komisionit Evropian për udhëtimin pa viza të qytetarëve kosovarë.

EKSPOZITA ME FOTOGRAFI “KOHËRAT PO NDRYSHOJNË”

Po ashtu, bëhet e ditur se, për Ditën e Evropës 2016 Ambasada e Republikës Çeke në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special në Kosovë do të bëjë hapjen e ekspozitës me fotografi “Kohërat po ndryshojnë” (“The Times They Are A-Changin”) sot në mbrëmje në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së (EUICC) në Prishtinë. Ekspozita është organizuar në dritën e ngjarjeve Havel@80 që mbahen në mbarë botën në shenjë të përkujtimit të trashëgimisë së Václav Havel-it dhe përvjetorit të 80-të të ditëlindjes së tij në vitin 2016.

Njoftimi dërguar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së thekson se,Václav Havel, poeti i demokracisë së shekullit 20-të, u dha shpresë jo vetëm miliona njerëzve në Evropën Lindore, por edhe popujve në tërë botën të cilët besojnë se të drejtat e njeriut janë universale. Popujve të cilët besojnë se mund dhe duhet të luftojnë për të drejtat e njeriut dhe të ndihmojnë njerëzit në komunitetin e tyre dhe globalisht.

Iniciativa Havel@80 prezanton Václav Havel-in për popujt në mbarë botën si një njeri të rëndomtë me ndikim të jashtëzakonshëm për jetërat tona. Ekspozita me fotografi dokumentuese në bardh e zi prezenton Havelin për qytetarët e Kosovës si një disident, president dhe një qytetar, dhe ilustron momente të sinqerta nga jeta e tij jozyrtare dhe intime dhe prapa skenave derisa Haveli ishte president. Fotografi Oldřich Škácha, i famshëm për fotografitë e tij bardh e zi të disidencës çeke dhe të Vaclav Havelit në veçanti, ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Havelin prej vitit 1960 deri kah fundi i jetës së Havelit.

MUSTAFA: KOSOVA KA VLERA PËR BASHKIMIN  EVROPIAN

Në Ditën e Evropës,sot, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përkujton se 66 vjet më parë, Evropa u ngrit mbi të kaluarën e saj dhe filloi një rrugëtim të ri, të ndërtuar mbi parimin e bashkimit të vlerave.
“Kosova, ka vlerat e saj për t’ia bashkuar këtij bashkimi shtetesh e kombesh të lira.
Për t’i rivendosur vlerat e shteteve dhe kombit tonë aty ku e kanë vendin, ne duhet të dëshmojmë se kemi vullnet e fuqi për ta vendosur ligjin mbi të gjithë. Ne duhet të dëshmojmë me vendosmërinë tonë për ta luftuar e çrrënjosur korrupsionin e krimin e organizuar dhe të zbatojmë standardet e demokracisë”, thekson kreu i qeverisë së Kosovës.
Ai vijon se, tash që kemi nënshkruar dhe kemi filluar të zbatojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe, pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, kemi marrë rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave e presim të marrim datën e lirisë së lëvizjes në Zonën Schengen, aspiratat tona shkojnë duke u rritur.
“Këtë Ditë të Evropës, ne e shënojmë me disa rezultate të prekshme. Përveç MSA-së dhe liberalizimit të vizave, edhe në fushën e sportit kemi mbërritur të thyejmë barriera të mëdha. Tashmë talentët e shumtë në sporte të ndryshme, kanë fituar mundësinë për të garuar me konkurentët e tyre evropianë, duke përfaqësuar me dinjitet simbolet e shtetit të tyre, Republikës së Kosovës. Kosova është tashmë pjesë e UEFA dhe shpejt edhe e FIFA”, shprehet kryeministri kosovar.
Unë, vijon Mustafa, e shpalli sot publikisht betejën e radhës, atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Qeveria e koalicionit që unë drejtoj është e gatshme t’u prijë në këtë rrugëtim. Është rruga e ndërtuar edhe nga paraardhësit tanë. Procesi i integrimit evropian të Kosovës është axhenda më unike, e cila i bashkon të gjitha partitë politike, komunitetet e ndryshme etnike dhe shoqërinë në përgjithësi”, thekson ai.
Kryeministri Mustafa siguron se, qeveria ka një axhjendë të qartë zhvillimore, me parametra të matshëm dhe një axhendë evropiane që synon bashkëpunimin me fqinjët, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe zbatimin e reformave rrënjësore që afrojnë vendin me Bashkimin Evropian.
“Kosova po prodhon stabilitet në rajon, ka marrëdhënie të mira me fqinjët. Ne e kemi të qartë se BE-ja nuk pranon në gjirin e saj vende me probleme fqinjësore, prandaj për të ecur përpara, Kosova dhe Serbia kanë zgjedhur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit. Marrëveshjet me Serbinë dhe fqinjësia e mirë, si parakusht për integrim në BE, përkrahet nga shumica e qytetarëve të Kosovës dhe më tepër se 2/3 e Kuvendit, i cili në vitin 2013 ka vendosur kornizat e këtij dialogu”, shprehet Mustafa.
Nëpërmes dialogut, vijon ai, ne kemi arritur integrimin e komunitetit serb në Kosovë, edhe në veri të vendit, dhe tani po punojmë së bashku që axhenda jonë politike të jetë ekonomia dhe integrimi Euro-Atlantik.
“Kjo gatishmëri dhe përkushtim i Kosovës për të ecur përkrah vlerave evropiane, jam i bindur se do të ndikojnë tek 5 shtetet hezituese ta njohin Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran”, vlerëson kryeministri Mustafa.
Ai vijon se, rezultatet e reformave të qeverisë dhe këtij përkushtimi janë të dukshme dhe të matshme. “Institucionet financiare ndërkombëtare kanë konstatuar një rritje ekonomike gjatë vitit 2015, rreth 3.6%, por ne jemi fort të përkushtuar që kjo rritje të jetë më e madhe.
Duke u bazuar në luftën tonë kundër evazionit fiskal, kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kundër keqmenaxhimit, por edhe duke kursyer mjete, ne kemi arritur që ta rrisim asistencën sociale për 25%, ndërsa janë rritur edhe pensionet, pa i prekur parametrat buxhetor, për të cilët jemi dakorduar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore”, thotë Mustafa.
Ai shton se, për të inkurajuar investimet e jashtme dhe për të forcuar sektorin e brendshëm privat, ne kemi ndërmarrë një reformë rrënjësore fiskale, që e bën më të favorshme klimën e të bërit biznes.
“Kosova ka resurse të mëdha njerëzore, energjetike, minerare dhe turistike. Jemi duke negociuar me kompani nga BE dhe SHBA që këto resurse t’i aktivizojmë në shërbim të zhvillimit të vendit”, thekson Mustafa.
Ne, vijon kryeministri i Kosovës, kemi popullatën më të re në Evropë, prandaj jemi duke ndërmarrë reforma që sektorin e arsimit ta ndërlidhim me tregun e punës.

“Zhvillimi ekonomik i Kosovës, ngritja e standardit jetësor të popullatës dhe integrimi Euro-Atlantik janë synimet tona strategjike, por në këtë rrugëtim kemi nevojë për përkrahje nga miqtë evropianë dhe SHBA”, përfundon Mustafa.

9 MAJI – FESTË ZYRTARE E KOSOVËS

Dita e Evropës, 9 Maji është festë shtetërore përcakton Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, kurse është shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit 2008.

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para 8 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.

THAÇI: GËZUAR DITËN E EUROPËS, DESTINACIONIN E ARDHSHËM TË KOSOVËS

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot, në Ditën e Evropës, shkruan: Në këtë ditë, në vitin 1950 Robert Schuman, Ministri i Jashtëm i Francës, dha atë që sot e njohim si Deklarata e Schuman, me të cilën janë vënë themelet e projektit më të suksesshëm ndërkombëtar. Liderët e Europës treguan guximin dhe vizionin që mbi hirin e luftës të lidhin marrëveshje për të punuar së bashku për një të ardhme në paqe e prosperitet për të gjithë, duke filluar me Traktatin e Parisit e deri te BE-ja që kemi sot. Që nga ajo ditë, shtetet e BE-së nuk kanë parë luftë, por vetëm zhvillim e mirëqenie.Sot më shumë se kurdoherë duhet t’i kujtojmë vlerat mbi të cilat është ngritur Bashkimi Europian dhe të përsërisim përkushtimin tonë për t’i përqafuar këto vlera dhe parime, siç janë përkushtimi për paqe dhe dialog, për bashkëpunim ekonomik, treg të lirë dhe lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, drejtësi dhe sundim të ligjit, për shoqëri multi-kulturore në të cilën askush nuk diskriminohet dhe të gjithë janë të barabartë.Kjo e ka bërë Bashkimin Europian projektin më të suksesshëm ndërkombëtar, synim për të gjithë popujt e Europës dhe model për tërë botën.

Gëzuar ditën e Europës, destinacionin e ardhshëm të Kosovës.

VESELI: KOSOVA, MË AFËR SE KURRË ME BASHKIMIN EVROPIAN

 Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar sot në ‘facebook’:

 Sot është dita e Evropës që përkujton deklaratën historike të Robert Schuman 66 vite më parë ku shpalosi së pari idenë largpamëse të krijimit të institucioneve ndër-shtetërore mes vendeve që vetëm pak vite më herët kishin bërë kundër njëri-tjetrit luftën më të madhe që ka njohur njerëzimi. Ajo deklaratë shërbeu si vendosja e gurit të themelit drejt ndërtimit të Bashkimit Evropian prandaj konsiderohet si dita simbolike e paqes, unitetit dhe solidaritetit evropian. Me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe rekomandimin e Liberalizimit të Vizave, Kosova sot gjendet më afër se kurrë me Bashkimin Evropian. Megjithatë për Kosovën kjo nuk duhet të jetë vetëm një ditë feste por edhe një ditë reflektimi mbi përgjegjësitë që secili nga ne ka në procesin e integrimit dhe domosdoshmërinë e përqëndrimit dhe angazhimit më të madh në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

AAK: EVROPA DUHET TË NA NDIHMOJË QË EDHE KOSOVA TË JETË PJESË E SAJ

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dërgoi per Diellin sot këtë deklaratë: 

Në Ditën e Evropës, që sigurisht është një ditë e shënuar për Kosovën dhe qytetarët e saj, s’kemi si të mos shprehemi të pakënaqur me trended zhvillimore që janë parakusht i anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE.

Fakti që Kosova, është e fundit në rrugëtimin e saj drejt Evropës së Bashkuar, e pamundëson çdo lloj egzaltimi, edhe për rekomandimin e fundit për liberalizimin e vizave.

Sot për sot, të vetmit faktorë të rëndësishëm në këtë rrugëtim kanë mbetur vlerat evropiane dhe përcaktimi i palëkundur propërendimimor i qytetarëve të Kosovës, ndërkohë që “punët e shtëpisë” janë në shpërputhje me këtë përcaktim.

Lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe sundimi i rendit dhe ligjit, mbeten dy sfidat krysore për institucionet e vendit.

Qytetarët e Kosovës, meritojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjithë popujt tjerë evropianë, dhe ata nuk mund të penalizohen për shkak të qeverisjeve të papërgjegjshme.

Evropa nuk duhet që vetëm të na paraqesë kushte për anëtarësim, por edhe të na ndihmojë në realizimin e këtyre kushteve. Rruga jonë drejt anëtarësimit të plotë mund të jetë e gjatë, por ajo është e paalternativë!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ditën e Evropës, Kosova feston, Mustafa, Thaci

NISHANI: TE IDENTI FIKOHEMI SI VENDI DHE POPULLI I NENE TEREZES

May 9, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit shqiptar: Identifikimi si vendi dhe populli i Nënë Terezës është një standard për ndërgjegjen tonë, një pasqyrë morale në të cilën duhet të këqyremi çdo ditë me kurajë, teksa gruaja shqiptare përpiqet mes shumë vështirësish të gjejë çdo ditë Nënë Terezën brenda vetes.

8 maj 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani, në bashkëpunim me Fondacionin Kulturor “Nënë Tereza” organizuan sonte, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Nënës, një veprimtari solemne që çeli siparin e festimeve për nder të shenjtërimin të bamirëses shqiptare “Nënë Tereza” ku ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Nënkryetari Edmond Spaho, deputetë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, krerë të Kishës Katolike në vendin tonë dhe nga Kosova dhe të bashkësive të ndryshme fetare shqiptare, drejtues institucionesh të artit dhe kulturës, personalitete të artit dhe kulturës, etj.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi: “Sot  është  Dita Ndërkombëtare e Nënës,  një ngjarje  sa përkujtimore aq edhe reflektuese për pozicionin jetik të gruas në shoqërinë bashkëkohore për  sfidat  dhe pritshmëritë që e harkojnë atë. Në këtë kontekst ndjeshmërish dhe standardesh shpesh të diskutueshme ka vend për të diskutuar shtruar e gjatë. Roli i gruas  në botën shqiptare, nderimi që duhet t’i blatojmë asaj  për sakrificat e pafund që bën, ndjesa për fajet tona të përditshme ndaj tyre, loja retorike për barazinë gjinore më shumë si tis, se sa si realitet,  evidentimi i plagëve sociale e kulturore që çojnë te dhuna e pa justifikuar, dramat sociale, papunësia, varfëria, sfidat në familje e karrierë e shumëçka tjetër do të ishin tema të pashmangshme, por lutem të më falin dhe  të më kuptojnë pse  nuk po ndalem gjatë mbi to.”

“Në këtë ditë kam zgjedhur si referencë një shembull, një model, një histori unike,  sintezë shpirtërore e popullit tonë, e cila u  shndërrua në vlerë universale e botës dhe humanizmit. Pa vështirësi mendja  shkon te Nënë Tereza, murgesha shqiptare, e cila më 4 shtator do të kanonizohet si shenjtore në Qytetin e Vatikanit, në atë vend ku Arbërit me Kryezotin Gjergj Kastriot-Skënderbeun farkëtonin aleancat e tyre qytetërimore. Kjo ndodh pas dekretit të Papa Françeskut, Atit të Shenjtë, i cili në pak vjet u dëshmua si mik i madh i kombit tonë duke i ofruar atij mbështetje dhe dashuri pa kushte. Fatmirësisht ne jemi bashkëkohës të një ngjarje të madhe tredimensionale, për historinë tonë kombëtare, për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin. Në këtë pikëtakim nëpërmjet Nënë Terezës, kësaj lartësie ndërtuar me përvujtni, shqiptaret marrin vendin e merituar në trashëgiminë shpirtërore të popujve. Unë mendoj se çdo shoqëri mund të frymëzohet nga Nënë Tereza e ndoshta pak më tepër çdo grua, nënë a bijë, e mbase disi më shumë, gratë shqiptare, sepse ajo ishte dhe mbetet njëra prej tyre. Pajisur me forcën e besimit  si gurrë e dashurisë për tjetrin, për të ndryshmin, për të braktisurin, për të dobëtin pa e përkufizuar atë nga raca, ngjyra, feja, kombi por duke e parë thjesht si krijesë të Zotit, ajo rrëfeu  fuqinë mrekullibërëse të dashurisë. Në vetë të parë ajo na tha si mund të mposhtet egoizmi, si mund të sfidohen rrethanat e disfavorshme, si mund të delegjitimohet  degradimi i njeriut nga njeriu, si shpresa dhe përpjekja përballen me dorëzimin dhe nënshtrimin duke mbrojtur jetën. Me gjeste të pashlyeshme Nënë Tereza fjalën e Zotit e shndërroi në vepër duke pohuar madhështinë e vetë njeriut. At Zef Pllumi, një ikonë e Kishës Katolike shqiptare po aq një ushtrues i madh i lirisë kundër tiranisë na ka lënë për shenjtoren tonë një përkufizim, të cilin dua ta ndaj me të gjithë ju: ‘Ajo nuk pati kurrë as kapitale, as pushtet shtetnor; kje vetëm shpirti i dashunisë për jetën, për njeriun e për Zotin, që e bani të madhe para njerzve të këtij shekullit.’” – u shpreh Presidenti Nishani.

“Nënë Tereza është emblema e imazhit shqiptar po aq sa shpirti rinovues prej Shën Françesku i Kishës Katolike të përbotshme! Ne duhet t’i bindim të tjerët se ajo nuk është një rastësi, se shoqëria jonë e ka këtë fuqi, gruaja shqiptare po kaq. Evenimente të tilla si shenjtërimi i saj duhet të shndërrohen në një procesion të komunikimit me njëri-tjetrin dhe botën. Një rol në këtë drejtim padyshim mund ta luajë edhe Parlamenti dhe Qeveria shqiptare. Identifikimi si vendi dhe populli i Nënë Terezës nuk është një dëshirë folklorike, por një standard për ndërgjegjen tonë, një pasqyrë morale në të cilën duhet të këqyremi çdo ditë me kurajë teksa gruaja shqiptare përpiqet mes shumë vështirësish të gjejë çdo ditë Nënë Terezën brenda vetes.” – theksoi Kreu i Shtetit shqiptar.

Pas përshëndetjeve të themelueses dhe Presidentes së Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza” zonjës Liri Berisha e të Nuncit Apostolik në Tiranë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Presidenti Nishani vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Don Lush Gjergjin, biografin e Nënë Terezës me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij jetësore në drejtim të nxitjes së tolerancës dhe vëllazërimit ndërfetar në trevat shqiptare; për punën e përkushtuar shumëvjeçare intelektuale për nxjerrjen në pah të historisë, trashëgimisë dhe identitetit të popullit shqiptar dhe figurës së ndritur të Nënë Terezës” si dhe Misionaret e Bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës” me Dekoratën “Nënë Tereza”: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme, për humanizmin dhe bamirësinë e pakursyer ndaj njerëzve  të pamundur. Për kontributin e vyer të motrave misionare, si mishërim i dashurisë dhe mëshirës pa dallim të Zotit për njerëzit në nevojë, nën shembullin e ndritur të Nënë Terezës”.

Në vijim të veprimtarisë solemne, të pranishmit ndoqën me ëndje interpretimin artistik të artistes Roza Anagnosti dhe aktorit e regjisorit nga Kosova, Enver Petrovski të disa shprehjeve të famshme dhe lutjeve të vyera të shenjtores së ardhshme dhe vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast me objekte të bamirëses së madhe shqiptare Nënë Tereza në hollin me të njëjtin emër të Institucionit të Presidentit të Republikës.

Filed Under: Kronike Tagged With: i Nene Terezes, Nishani, TE IDENTIFIKOHEMI SI, VENDI DHE POPULLI

Kosovë-“Gjuha gjermane në lëvizje” në 6 qytete

May 9, 2016 by dgreca

-Pjesë e programit do të jenë  kurse të shkurtëra të gjuhës gjermane/

PRISHTINË, 9 Maj 2016-B.Jashari/ Ambasada Gjermane  në Prishtinë në bashkëpunim me Sprachlernzentrum Pristina (partner zyrtar i Institutit Gothe), Fondacionin Konrad Adenauer, Fondacionin Friedrich Ebert dhe me Qendrën informuese për migrim, arsimim dhe karrierë DIMAK do të organizojë nga 10 deri 12 maj 2016 projektin  “Gjuha gjermane në lëvizje”, në 6 qytete.Në kuadër të projektit, përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane dhe përfaqësuesit e organizatzave tjera do të vizitojnë qytete dhe komuna në Kosovë, me qëllim që kosovarëve, me theks të veçantë të rinjëve, nxënësve dhe studentëve të ju ofrohen njohuri rreth kulturës dhe gjuhës gjermane. Për këtë shkak do të ngriten vendinformacione në vende pubike në të cilat do të ofrohet një program i larmishëm.“Gjuha gjermane në lëvizje” do të jetë mysafir i këtyre qyteteve: Të marten në Graçanicë prej orës 10:00 deri12:30, para Qendrës së Kulturës; në Gjilan prej 14:00 deri 16:30, para Teatrit Kombëtar.

Të mërkurën në Prizren prej  orës 10:00 deri 12:30, te Parku i qytetit; në Pejë prej 14:00 deri 16:30, Sheshi Luan Haradinaj, te Ura e Qendres.

Të enjten në Mitrovicë prej orës 10:00 deri 12:30, Rruga Ura e Ibrit para Qendrës së Kulturës; në Skenderaj prej 14:00 deri 16:40, Shkolla Profesionale Qendra e Kompetencës.

Pjesë e programit do të jenë  kurse të shkurtëra të gjuhës gjermane të cilat do të organizohen nga Sprachlernzentrum Pristina. Gjithashtu kalimtarët, ndër ta nxënësit dhe studentët, do të kenë mundësi të bien në kontakt me përfaqësuesit e Sprachlernzentrum Pristina (partner zyrtar i Institutit Gothe), Fondacionin Konrad Adenauer, Fondacionin Friedrich Ebert dhe DIMAK. 

Krahas informatave të përgjithshme rreth kulturës dhe gjuhës gjermane do të kenë mundësi, sidomos nxënësit dhe studentët, të informohen për mundësitë e studimeve dhe bursave për studime në Gjermani. Në fund, të gjithë pjesëmarrësit janë të ftuar që të marrin pjesë në një kuiz, fituesit e të cilit do të shpërblehen.

Filed Under: Komente Tagged With: -“Gjuha gjermane në lëvizje”, Kosove, në 6 qytete

Gratë e Anës së Malit u mblodhën së bashku në ditën e Nënave

May 9, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Një e dielë e bukur me diell që të lëbyrte sytë mblodhi si një tufë lulesh shumëngjyreshe gratë dhe bijat e Anës së Malit në restorantin “Grand Plaza” në Staten Island, New York.

Bukurinë, elegancën, gjatësinë qe u ka dhënë Perëndia dhe mirësinë nga tradita e tyre e mrekullueshme i bënte ato të dukeshin si shtojzovalle në mjedisin ku u mblodhën të rregulluar gjithë shije dhe aromë gruaje.

Sot të gjithë amerikanët në këtë ditë urojnë me plot dashuri nënat e tyre të mrekullueshme dhe shprehin mirënjohjen e tyre ë pakufishme për gjithcka që ato kanë dhënë dhe bërë për fëmijët e tyre.

Kjo festë e bukur e nënave u zyrtarizua për herë të parë në Amerikë në vitin 1914 me vendim të Kongresit Amerikan nën udhëheqjen e presidentit Wilson Woodrow.

Amerikanja Anna Jarvis nga West Virginia zhvilloi një ceremoni në kishë për të nderuar nënën e saj ne 1 vjetorin e vdekjes.  Ajo sensibilizoi së bashku me shumë amerikanë të tjerë publikun e gjerë për ta shpallur një ditë në Maj, ditën e nënave.

Festa e nënave këtë radhë në shoqatën e mirënjohur “Ana e Malit” kishte veçanti sepse për here të parë kjo shoqatë drejtohej nga një grua, zonja Emmie Salaj.

Gratë me fëmijët dhe disa prej tyre dhe me bashkëshortët e bënë dhe më interesante këtë festë të bukur dhe nga më të dashurat për nënat.

Festa ishte përgatitur plot bukuri nga zonjat Mina Salaj, Bajaze Llolla dhe Suada Ceka.

Fjalën e rastit e mbajti kryetarja e shoqatës “Ana e Malit” zonja Emmie Salaj e cila iu uroi gjithë pjesëmarrësve mirëseardhjen dhe “Gëzuar Festën e nënave”!

Zonja Selaj tha se Dita e nënave është një ditë speciale sepse u përket gjithë nënave në botë.  Të gjitha nënat sakrifikojnë për të rritur fëmijët e tyre, por vetëm emocionet, shtatzania dhe rritja e bebeve duke ndenjur për 24 orë rresht pranë tyre është tejet e mjaftueshme për të shprehur respektin dhe mirënjohjen e pakuifshme për nënat.

Ne si kryesi nuk menduam që të vleresonim ndonje nënë të vecantë sot per ta dalluar nga të tjerat sepse ishim të sigurta që secila prej jush e meriton vlerëimin maksimal se çfarë bëni ju për rritjen e fëmijëve.  Sot u çova në mëngjes dhe bëra pak matematikë për sakrificën e nënave dhe ja disa prej tyre:

49 orë punë, 1350 orë të munguara gjumi, 7 vizita tek emergjenca, 2030 herë të ndërrosh pelenat, 4120 pjata me ushqime të përgatitura etj, vazhdoi me humor znj.Salaj…

Ajo falënderoi midis nënave dhe nënen e saj e cila ishte për të një grua e jashtëzakonshme për kurajon që i ka dhënë dhe dëshirën pozitive që ka pasur gjithmonë për fëmijët.

Fjala e znj.Salaj u mirëprit me duartrokitje dhe plot dashuri.  Pastaj u organizua dhe loja e fitimit ku gratë provuan shansin e dhuratave të bukura që ishin vendosur në sfond, si: Bulgari Bag, Bulgari scarf, Hermes His and Her, cologne dh parfum, Hermes Le Jardian Perfumes nga Emmie Salaj.  Tumi Bag nga Deshira Gjeloshi.  Brian Atwood Wristlet dhe Card Case nga Mina Salaj.  Coach IPad Case dhe Sling Bag nga Bajame Llolla.  Produkt për flokët nga Sulejman Pali.

Pjesëmarrësit kërcyen dhe kënduan së bashku nën tingujt e DJ. Fati.

Të gjithë së bashku shprehën dashurinë e tyre për nënat në forma të ndryshme më të mundshme, por urimet e tyre kishin një emërues të përbashket: “Nënat janë lulet me aromë të ëmbël dashurie”.

Aktiviteti u filmua nga z.Fatmir Sella dhe së shpejti do të transmetohet në TV “Alba Life”.

 8 Maj, 2016-Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: festuan, Grate e nga Ana e Malit, Keze Kozeta Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT