• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Skizoanalitika – Psikoanalizë Sociale dhe Politike

June 10, 2016 by dgreca

Nga Blerta Haxhiaj/

Duke ekzaminuar problematikën e subjektit, pas shkencave reaktive Anti-Edipi zhvillon nje linjë diagnostike atë që e shtrojme si problematike se në çfarë konstituon sëmundja në ditet e sotme dhe si duhet të kujdesemi për vetëveten duke e shëruar vetëvetën. Autorët (Deleuze & Guattari) përdorin termin e tyre ‘skizoanaliza’ – (schizo – ndarje; analizë –zbërthim) e cila është e kundërta e ‘psikoanalizës’ – (psyche – shpirt; analize – zberthim) e cila me vonë çdo gjë, mat gjithçka kundër neurozes dhe kastrimit. Skizoanaliza fillon me schizo – ndarje apo thyerje; -ku pohimi i tyre është : “a schizophrenic out for a walk is a better model than a neurotic lying on the analyst’s couch. . . .” – “një skizofrenik duke ecur në rrugë është një model më i mire se një neurotik i shtrire në divanin e analistit” kundër territoreve të Edipit dhe Edipalizimit (Familija, Kisha, “Xhamia” Shkolla, Kombi, Partia) Anti-Edipi kërkon të zbulojë deterritorializimin e dëshirës e cila buron dhe nuk është e koduar në kodet edipale dhe në territoret e neurozes, një makinë të dëshirës e cila arratiset nga kode të tilla.

Nga paranoja, te skizofrenia, nga fashizmi te revolucioni, ajo që është nën hetim është proçesi i jetës e cila lëkundet nga një ekstrem te një tjetër. “Të quajnë ‘Njeri i vogël’, ‘Njeri i zakonshëm’ Thonë se një epokë e re ka filluar, ‘Epoka e Njeriut të Thjeshtë”. Nuk e thua atë, o Njeri i vogel, o Njeruc. E thonë ata, nënkryetarët e kombeve të mëdhenj, udhëheqësit e zgjedhur të punëtorisë, stërnipërit e penduar të borgjezise, politikanët dhe filozofët. Të ofrojnë të ardhmen, por nuk të tregojnë të kaluarën” – Reich Wilhelm Degjo Njeruc; Vërshimet dhe prodhimet e dëshirës do të përceptohen si prodhime sociale të pandërgjegjshme. Pas çdo investimi të kohes, interesit, kapitalit është nje investim i dëshirës dhe vice-versa; Anti-Edipi është një teori e dëshirës dhe e vullnetit, e ndërgjegjes dhe e pandërgjegjes e cila lidh dëshirën me rrafshin social dhe sistemin monetar të bazuar mbi profit. Ky tension shndërrohet në një novele e cila udhëheqë kombinimin e makinës artistike; makinës revolucionare dhe makinës analitike; “ një kombinin i të tre mënyrave të dijes – intuitive, praktike, dhe reflektive, të cilat së bashku përputhen dhe vendosen si një gur mbi njëri tjetrin si një makine strategjike nga ku si tabele qitje ka egon dhe fashistin mbrenda nesh”(duaj nga fascio, shkopinjëve të lidhur tok së bashku me sëpatën) kjo është një analizë politike ku skizoanaliza shndërrohet në një vegel në skizofreninë si proces, e cila shërben si pikë nisje dhe si vend mbërritje. Kjo shërben si një vegël që njerëzimi të zhveshë vetëvetën nga çdo element antropomorfik dhe antropologjik, nga mitet dhe tragjedite dhe ekzistencializmi rend për të përceptuar atë se çfarë është jo-njerëzorja të njerëzorja, vullnetin e tij, forcen e tij, transformimet dhe mutacionet.

Një skizoanalizë e skizofrenisë është në rend për të mbajtur pushtetin e të nisë kërkime të reja në subjektivitetin kolektiv të shëruar revolucionar i njerezimit. “For we are sick, so sick, of our selves!” –  Ne jemi semure, kaq sëmure, nga vetëvetja! (ANT-OEDIPUS – CAPITALISM AND SCHIZOPHRENIA by Gilles Deleuze and Felix Guattari)

Sipas Proust është çmenduria dhe pafajsia ajo që na shqetëson, nëse skizofrenia do të ishte universale, artistët e medhenj do ti përkisnin askujt. “Skizofreni nuk është as mashkull as femër, ai është mashkull ose femër por i përket saktesisht dy anëve, mashkull në anen e mashkullit, femer në anen e femrës”.  Në kodin e Edipit – libidoja si energji e seleksionimit dhe shkëputjes është e konvertuar në fallus si një objekt i shkëputur, e cila më vonë do të ekzistojë si një formë transcedentale, nuk tentohet të mohohet si një edipalizim seksual, edipalizim heteroseksual apo homoseksual, si një edipalizim i kastrimit mirëpo mohohet se të gjitha janë me bazë seksuale – kastrimi dhe edipalizimi fillon nga nje iluzion bazik e cila na shtyn të besojmë se makina e dëshirës është e aftë për të gjitha përgjigjet, një subjekt më ligje transcedentale dhe është një prodhim social dhe kulturor. Psikoanaliza në nivelet më të larta të terapise riforcon lëvizjet e dukshme më të cilën i kombinon forcat. Psikoanaliza për vetëvetë siguron ‘shndërrimin’ e të pandërgjegjshmes, në atë që quhet pre-edipal, shaku për konflikt – Freud – kundërshtia sasiorë mes homoseksualitetit dhe heteroseksualitetit në fakt është si konseguencë e Edipit, është një produkt i edipalizimit dhe si kundër efekt e trajtimit që e përforcon. Në realitet ky problem ka të bëje më ekzistencën dhe natyrën e anti-edipalizimin e kastrimit, seksualitetit, heteroseksualiteti, homoseksualiteti, se si prodhimi i dëshirës nuk e lejon vetëvetën të projektohet në një mit, shenjat e deshirës nuk e lenë vetëvetën të eksploatohen nga shenjuesi; Edipi na informon neve, nëse nuk vazhdon linjën babai -mami – Unë, ndodh që bjen në nje humnerë të zeze dhe të padiferencuar. “Por është stresuese fakti që Edipi krijon diferencimet të cilat në rend janë ato që na kërcënojnë ne” internalizohet funksioni diferencial e cila sundon disnjuksionet eksluzive ose duhet të zhytesh në natën neurotike të imagjinates.

Skizoanalitika nuk e fsheh faktin se kjo është një psikoanalizë sociale dhe politike, një analizë militante, jo sepse duhet gjeneralizuar Edipin në kulturë nën kushteve qesharake të cilat kanë qënë normë deri më tani, është një analize militante sepse propozon të demonstroje ekzistencën e nje investimi libidinal të të pandërgjegjshmes të prodhimit socio-historik. Edipi është i vendosur që në fillim, në njërën anë është një njeri që definohet i edipalizuar – (pra ai vret babain) në një vrasjë pa fund ai merr emra të shumtë (neurotik, psikotik, pervers) në çdo rast një njeri i ‘madh’ është një rast i mirë sepse në konfliktin e edipit ai gjen nje zgjidhje origjinale (Hitler) duke luajtur rolin e babait përmes ‘transfuzionit homoseksual’ në relacion më turmat e femrave. Nuk është ofenduese nëse themi se Edipi është një besim i rremë por më ofenduese është nëse ky besim është i domosdoshmën në falsitetin e vet dhe ngulfatë prodhimin e domosdoshëm. “Çështja e babait është e njëjtë sikurse e Zotit : të lindur nga abstraksioni” merr përsipër lidhjen e thyer mes njeriut dhë natyrës, njëriut dhe botës, kështu që njeriu të prodhohet si njeri ndaras nga natyra dhe vetë njeriu. Seksualiteti nuk përfaqëson një premium për Egon, nje shndërrim për mosbindjen e proçesit të riprodhimit. Thuhet se e pandërgjegjshmia është e errët dhe me mistere, mirëpo psikoanalisti riforcon dhe shpikë ‘priftin’ e vet.

Relacioni psikoanalitik modelon për vetëvetë, roli kritik i parasë të cilën psikoanaliza sjell një justifikim të ri, një limit kohe ku kontradiktat mes vete prodhojë borxhe të shumta deri në infinit duke ushqyer dhe kujdesur për konflikte të reja. Freud e di se diçka nuk është në rregull në psikoanalizë, kurimi tenton të bëhet gjithnjë e me shume i padeterminueshëm, – testamenti i Freud – ai është në dijeni për helmin që është futur në filtrat e psikoanalizës. Si të tillë detyrohemi të përballemi më Edipin dhe kastrimin, reduktohemi te ata, të vendosim nëse duhet të masim apo çfarë të masim dhe nëse jo, mirëpo dëmi është shaktuar tashmë, trajtimi ka zgjedhur rrugën e vet të edipalizimit, e tëra në refuzim ndërsa shkicofrenizimi kuron … D & G jo vetem Dolce & Gabbana por edhe Deleuze &  Guattari

Filed Under: Analiza Tagged With: Blerta Haxhiaj, dhe politika, Psikoanaliza sociale, Skizoanalitika

Shqipëria, kampion në rajon, vetëm për paga minimale

June 10, 2016 by dgreca

Në lidhje me ngarkesën totale të taksave për biznesin, Shqipëria duket më pak atraktive në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke qenë se renditet vetëm pas Serbisë për shkallën më të lartë të tatimit mbi fitimin, tatimit në burim dhe kontributit social të punëdhënësit. Por nga ana tjetër Shqipëria konkurron me Rajonin se ofron pagat më të ulëta dhe kjo është në interes të investitorëve të huaj. Paga minimale në Shqipëri aktualisht është 157 euro, ndërsa në Maqedoni paga minimale është 200 euro, në Serbi 226 euro, në Malin e Zi 288 euro, Kosova e ka 170 euro dhe Bosnja 164 euro. Diferenca është edhe më e lartë në pagën mesatare. Sipas analizës krahasuese që ka bërë Këshilli i investimeve, paga mesatare në Shqipëri është 357 euro, teksa Maqedonia e ka këtë nivel page 530 euro, Serbia e ka 500 euro, Mali i Zi 739 euro, Kosova 360 euro dhe Bosnja 424 euro. Shqipëria është e krahasueshme me Kosovën dhe Bosnjë- Hercegovinën për pagën minimale, por paraqet diferencë të dukshme në pagën mesatare, duke e bërë vendin tërheqës për koston e ulët të punonjësve relativisht të kualifikuar. Nga takimet me bizneset, por edhe nga disa anketime rezulton, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe certifikuar për procese teknologjike specifike si psh.:, në projekte në fushën e industrisë (naftë, gaz, TAP etj.), projekte të cilave nuk iu është paraprirë me investime nga ana e shtetit, në shkollimin dhe përgatitjen profesionale të specialistëve të mirëfilltë.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kampion në rajon, për paga minimale, shqiperia, vetëm

Fillojnë edhe zyrtarisht “Ditët e diasporës” në Prishtinë

June 10, 2016 by dgreca

-Juristë nga diaspora, Kosova e Shqipëria në konferencë për bashkëpunimin.

-Ministri Murati: Ministria e  Diasporës, në bashkëpunim me komunat dhe partnerët e tjerë, i ka bërë të gjitha përgatitjet për pritjen sa më të mirë të bashkatdhetarëve tanë gjatë verës, me moton “Ti je pjesë e atdheut”/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Qershor 2016/ Në Prishtinë, për herë të parë, sot në Ditën e Avokatisë së Odës së Avokatëve të Kosovës, organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Odën e Avokatëve të Kosovës, po mbahet konferenca “Mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe juristëve të diasporës”. Me këtë konferencë po fillojnë edhe zyrtarisht “Ditët e diasporës”.Konferenca ka për qëllim të vihen kontakte mes avokatëve e juristëve nga diaspora dhe atyre nga Kosova, si dhe të krijohen mundësi për bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

Pjesëmarrës në konferencë ishte  edhe zëvendësministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili tha se ndihet i nderuar që sot merr pjesë në shënimin e Ditës së Avokatisë së Kosovës.

“Më vjen që mirë që kjo konferencë organizohet në bashkëpunim me juristët dhe avokatët që janë jashtë. Ky është një sinjal i mirë i shkëmbimit të mendimeve tona,  është rritje e konkurrencës. Konkurrenca nuk e dobëson sistemin juridik, por e forcon atë. Është jashtëzakonisht me rëndësi që të jeni konkurrentë në ndihmë vendit tonë”, tha Kuçi . Ai theksoi se të gjithë avokatët dhe gjyqtarët e kanë një bazë juridike dhe ajo është ligji.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, pasi uroi Ditën e Avokatisë, duke u dëshiruar mirëseardhje edhe juristëve nga diaspora, përçoi mesazhin e bashkëpunimit jo vetëm mes juristëve, por edhe me institucionet e Republikës së Kosovës në sfidat që vijnë.

“Atdheu ynë i përbashkët ka ende shume sfida, të cilat mund të kalohen me një vullnet të përbashkët dhe duke i shfrytëzuar potencialet reciproke. Pra, atdheu dhe dashuria e përkushtimi për të janë pika kyç që na lidhin dhe na shtyjnë të gjejmë modalitete të bashkëpunimit në këto ditë sa do të mbahet konferenca”, tha ministri Murati.

Ai edhe njëherë kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që vendimin për themelimin e Dhomës së Posaçme për investitorët e huaj, ku futet drejtpërdrejt edhe pjesa e madhe e investitorëve të diasporës, të funksionalizohet, meqë rëndësia e këtij mekanizmi është tejet e madhe për të ardhmen socio-ekonomike të atdheut.

Ministri Murati i njohu të pranishmit se Ministria e  Diasporës, në bashkëpunim me komunat dhe partnerët e tjerë, i ka bërë të gjitha përgatitjet për pritjen sa më të mirë të bashkatdhetarëve tanë gjatë verës, me moton “Ti je pjesë e atdheut”.

Konferencën “Mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe juristëve të diasporës” e hapi Osman Havolli, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, cili i  vlerësoi lart përpjekjet dhe kontributin e shumë avokatëve në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Ai tha se Oda  e Avokatëve të Kosovës, e monitoruar nga institucionet ndërkombëtare, qëndron e para në relacion me shtetet e tjera në rajon për aktivitetet  dhe mekanizmat që i ka zhvilluar.

Në këtë konferencë u bë edhe betimi i avokatëve të rinj dhe i praktikantëve.

Konferenca do t’i vazhdojë punimet edhe nesër, ku do të mbahen panel-diskutime dhe do të nxirren konkluzionet dhe rekomandimet nga çështjet e trajtuara juridike.

Filed Under: Mergata Tagged With: Behlul Jashari, Ditet e diaspores, Prishtine

Del në dritë një elegji pesëshekullore

June 10, 2016 by dgreca

Mendime për librin e Novruz Xh. Shehut “Komita vate e shkoi”/

Nga Idajet Jahaj- studiues/

Kohët e fundit u botua libri i Novruz Xh. Shehut “Komita vate e shkoi”. Ky titull është përzgjedhur nga njëri prej vargjeve të një elegjie të hershme dhe të gjatë, të cilën autori e quan baladë, sepse sipas tij, kjo elegji, si përmbledhje e disa elegjive që i kushtohen së njëjtës ngjarje, është transmetuar në mënyrën klasike të baladave që lindën në Europë në fund të Mesjetës.  Nëpërmjet pleonazmit të bukur  “vate e shkoi” jepet romantika e një nëne të re, personazh kryesor i elegjisë.

Libri nuk është voluminoz, gjithsej 90 faqe, por nga densiteti i ngjarjeve që pasqyron, i ngjan një romani. Gjithë ngjarja që përshkruhet ngërthen pikërisht një elegji, të gjysmës së parë të shekullit XVI dhe konkretisht të vitit 1537. Ky vit është i fiksuar në historinë tonë, si vit i një ndeshjeje të madhe midis forcave luftëtare të popullit me hordhitë e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, aty në Bregdetin himarjot. Kanë kaluar qysh atëherë pesë shekuj, ose më saktë 479 vjet dhe balada- elegji ruhet përgjithësisht e plotë! Ajo është një thesar i vërtetë i kulturës sonë folklorike. Gjer më sot kanë qenë të botuara fragmente të saj si në librin e studiuesit Fane Veizi “Bregdeti në këngë”,  studiuesit Llambro Ruci , “Himara”, 2011; Pr. Bardhosh Gaçe “Himara në shekuj”, ose dhe në ndonjë punim tjetër. Por tërësia e vjershës nuk ka qenë e njohur.

Libri ka dy linja kryesore: ngjarjen dramatike të atentatorit Damjan Himarjoti (i njohur në histori si banor vendës nga Himara), por linja e gjenezës fisnore fillon nga kështjella e fortifikuar e Shatit, me lëvizjen e të parit të tyre Petro Shati dhe pasardhësve të tij si kalorës të Kryqit, besnikë të Shën Pjetrit ( fideles Sancti Petri) kalorës të Krishtit drejt Himarës, ku më vonë dhe vetë Damiani do të ishte një  “capitano fidelis sancti Petri” ( Kapiten kryqtar besnik i Shën Pjetrit), i cili, mbas kthimit nga luftërat për Papatin e Venedikun, do ta vazhdonte këtë detyrë me zbritjen e hordhive osmane me në krye Sulltan Sulejmanin dhe në Himarë. Gjurmimi i gjenezave të këtij fisi doli pikërisht nga formimi tërësor i pjesëve të kësaj elegjie. Si lindi ajo? Në libër bëhet një sqarim i plotë dhe i gjerë i gjurmimit dhe i ecurisë së saj sidomos në dekadat e fillimit të shekullit XX.

Ja kuadri i shkurtër i ngjarjes së atij viti 1537 (25 korrik): Forcat e Sulltan Sulejmanit kishin mbuluar bregdetin si një re e zezë. Pas shumë luftimeve të luftëtarëve tanë kundër tyre, një djalë himarjot nga Dhërmiu, Damian Petro Shati, vendosi që ta asgjësojë sulltanin, në çadrën e tij. Ky aksion i tij është i njohur në histori. Por në çastin që do të futej në çadër, u zbulua nga rojet dhe u kap prej tyre. Kryekomandant i ushtrisë osmane aty ishte pikërisht Ajaz Pasha. Ky ishte shqiptar, kishte lindur në Palasë. Të parët e tij kishin zbritur nga Progonati. Ishte marrë jeniçer prej turqve që kur ishte i vogël, kishte bërë karrierë të lartë ushtarake, deri në disa vende të tre kontinenteve që përfshinte Perandoria Osmane… Dhe ja tani, komandonte hordhinë gjakatare turke për të djegur vendin e vet! Renegat i pastër!

Mirëpo tragjedia u lidh: atentatori Damjan ishte kunati i tij. Kishte për grua Komita Petën, kushërirën e parë të Ajaz Pashës, i njohur ndryshe si Li Peta. Ky, i mbarsur me egërsinë e osmanëve, me lavdinë për pushtet e parà, nuk pati mëshirë për të kunatin, por dha urdhër ta torturonin çdo ditë. Por Damjani nuk kallëzoi gjë për inicimin e atentatit që do të kryente. Ajazi dërgoi jeniçerë për të sjellë me forcë aty gruan e Damjanit, Komitën (kushërirën e tij të parë) për ta detyruar Damjanin të fliste. Por Komita, e shoqëruar nga një grua e re, trime, nga Bregu, Marë Lania, niset për në Kurvelesh. Rrugës së Malit të Çikës, jeniçerët i afrohen, por Marë Lania e lë në një farë vendi Komitën e vetë kthehet e dredhon në malet e Çikës, duke thirrur: “Unë jam Komita!”, – për të shpëtuar shoqen e saj tashmë të torturuar nga fati tragjik, por dhe veten nga shtënia në dorë e jeniçerëve që i dhunonin robinat. Jeniçerët kërkojnë ta kapin Marën, por kjo hidhet nga një shkëmb në humnerë, diku mbi majat e Çikës, afër Palasës. Komita, pas shumë peripecish, (kishte një djalë të vogël në krahë, por dhe shtatzënë) shkon nga mali i Bolenës në Petaj të Progonatit, në derëbabe dhe vendoset përfundimisht me banim në Nivicë me njerëzit e afërm të bashkëshortit që ishin kështjellarë në kështjellën e Nivicës. Aty vjen nga Dhërmiu dhe vjehrra e saj, Thëllëza (Fëllëza), e cila mbërrin në kohën kur Komita kishte lindur një vajzë dhe aty fillon vajtimi i saj i gjatë… Është pikërisht ky vajtim që mori faqen e shekujve. Gjithë ky veprim intensiv, i cili ndodhi në një kohë fare të shkurtër, u përshkrua në vajtimin e saj tipik lab. Të gjitha ngjarjet aty parakalojnë si në një film të gjallë. Sigurisht, nëpër shekuj ky vajtim, kjo elegji, që në atë kohë është quajtur dhe baladë, për vetë karakterin e saj të thekshëm lirik, mund të ketë pësuar lëmime, zgjatje ose shkurtime, por thelbi gjithsesi ngelet i paprekur. Kjo elegji është nga më të hershmet në folklorin gojor, të paktën të trevave tona jugore. Ka pasur dhe para kësaj këngë të ndryshme historike si ajo e Rugjinë Balshës, “Ç’bën që rri, Rugjinë e gjorë”, e vitit 1417-1418; kënga e Gjergj Aranitit “Në Çipin përmbi Smokthinë”, e vitit 1434; ajo për trimin nga Bolena -Miho Hoçi, për luftën me turqit në vitin 1492 në Markovë, e ndonjë tjetër. Por këto kanë qenë të shkurtra, me nga 7-8 e deri në 15 vargje. Ndërsa elegjia për Komita Petën ka 72 vargje! Dhe të ruajtura për mrekulli në pesë shekuj!

Për nga sasia e vargjeve, densiteti i ngjarjeve dhe personazheve, ajo i ngjan një poeme të shkurtër të tipit homerik por ndryshe nga ajo ka vërtetësi e dhimbje tronditëse. Të gjithë emrat, vendet e ngjarjet që thuhen në elegji, sigurisht që janë me gjuhën e vjershërimit të hershëm popullor. Kështu ajo është polivalente dhe është vështirë të shprehen në një punim të tillë të gjitha vlerat që ngërthen. Dallohet aty leksiku i vjetër, shumë i hershëm i ligjërimeve popullore labe:

… Komitë e mbodhisurë

Çish shkon e vithisurë?

 

Çish vij a arça pëllua!

Halli që më zuri mua:

Kopaneci si cimbua… etj.

 

Përpos kësaj, aty ka fjalë të tjera pa mbarim, të veshura me tisin e hershëm të së folurës labe: sheprak, llomie, allonar, Otrënt, u mënua, felluk, illi që ke mbë konak, e kërreu, zërë (zanë), thepakë, bjerëjëm, fitirçjerrë, p’eja (pa eja), kumbiset, mënxirë, silarme, mbarlisia (pellazge kjo fjalë)… e sa e sa të tjera.

Në libër jepen personazhe të një rëndësie historike: Ajaz Pasha ka drejtuar ushtri e qeverisur në shumë vende të Perandorisë Osmane, duke u bërë deri në vezir i madh (kryeministër) i saj. Këto të dhëna dalin nga kontekstet historike deri dhe te fakti se ai bëhet jo vetëm kryeministër, por dhe dhëndër në familjen sulltanore, duke u martuar me motrën e Suljemanit të Madhërishëm (për të cilin vitet e fundit pati dhe një film të gjatë historik me shumë seri.) Madje, mbas shqiptarit Pargaliu, me origjinë nga Parga e Çamërisë, si komandant i ushtrisë osmane, erdhi Ajaz Pasha në vendin e tij!  E pikërisht ky sillet me egërsi ndaj bashkatdhetarëve të tij, madje edhe ndaj njerëzve të tij më të afërt. Kështu në libër pasqyrohen “heronj” të palës tjetër, pra të pushtuesit, të përmasave ndërkontinentale. Aty paraqitet vija e gjenezës së fisit Petroshati (Petoshati) që nga demilitarizimi dhe shkatërrimi i kështjellës së Shatit të Shkodrës, kalimi në Dhërmi, Nivicë e Dukat të Vlorës. Edhe sot në Dukat të Vlorës gjendet një toponim që quhet “Ara e Troshanëve”, duke ruajtur kështu dhe origjinën e hershme të pjesës tjetër të fisit kryesisht me klerikë nga Troshani i Shkodrës.

Libri pasqyron përpjekjet për evidentimin e elegjisë. Këto përpjekje filluan me publicistin Sali Nivica e shumë të tjerë në dekada të ndryshme të shekullit XX, deri tek njëri nga pinjollët e sotëm të fisit Petoshati, ish ushtaraku Xhelo Petoshati, tashmë mbi të tetëdhjetat, i cili e ka ditur përmendësh që në rininë e vet, të ruajtur gjysh pas gjyshi. Madje, mund të thuhet se Xhelo Petoshatit i takon merita e nxjerrjes dhe sqarimit të plotë të kësaj elegjie të famshme, të cilën shkrimtari dhe studiuesi i talentuar Novruz Xh. Shehu e kërkoi deri në hollësi duke i bërë sistemimin e plotë, pajisjen me fotografi dhe dokumente historikë nëpërmjet gërmimeve të shumta të literaturës së shkruar dhe gojore. Balada bën pasqyrimin e qëndresës legjendare të shqiptarëve për ruajtjen e trojeve dhe të fesë së të parëve. Por dhe ruajtja dhe transmetimi i saj me stoicizëm, është gjithashtu një qëndresë e fortë për të mos harruar të shkuarën dhe për të qartësuar të sotmen e të ardhmen evropiane të shqiptarëve.

Libri është një punim serioz, i tipit akademik, me serial të madh referimesh për të dhënat e konteksteve historikë dhe të personazheve.

Nga pikëpamja e gjuhës, mund të thuhet se autori është një zotërues i hollë i semantikës së fjalëve. Ka përdorur një leksik të pastër e të pasur, duke shpjeguar edhe labirintet më të vështira të rrjedhave, bëmave, personazheve, konteksteve historike, etj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Del në dritë, Idajet Jahaj, një elegji, Novruz Shehu, pesëshekullore

Promovim në Diasporë- Gjenocidi serb, atak mbi një popull me kulturë të lashtë!

June 10, 2016 by dgreca

Shkruan: Prof.Jusuf Jusufi/ Münster,Gjermani/

Mbrëmje letrare në Münster, 4 Qershor 2016 ora 19, ditë me diell, qielli i kaltërt i jepte nji kuptim më tepër këtij evenimenti. Në sallën e mbushur përplot hyri me përshëndetje të ngrohtë, njeriu që përjetoi për së afërmi ngjarje trishtuese, krime që vetëm të çmendurit mund që t’i bëjnë. Ky punëtor e shkencëtar i pashoq, ishte bërë pjesë e lotëve që rrokulliseshin faqeve të nënave trime krushjane, e nënave të shumta anë e kënd trojeve tona etnike që lirisë ia falën më të shtrenjtit, bijtë dhe bijat e tyre. E mbajti fjalën edhe iu përgjegj ftesës sonë të vij në Münster. Kushtrimin e lirisë e lëshoi nga Kosova martire. Do të vij tha, nuk do të kursehem ta shpërndaj të vërtetën e hidhur, e kam bërë në Europë, Amerikë, Australi…Erdha të ju jap mesazhin nga plagët e hapura që ende nuk janë shëruar. Ne duhet të falim(po jo pa i plotësuar kushtet armiqt tanë shekullor), sepse këtë e duan fuqitë e mëdha, por asnjëherë mos t’i harojmë krimet, masakrat, barbaritë dhe mizoritë e pashembullta që i bënë regjimet e vazhdueshme fashiste serbe mbi ne, aq makabre, pothuajse të papara në historinë e njerëzimit. Harresa është zhdukje, zhbërje, asimilim. Lëvizjet e tij ishin përcjellje e ndjenjave të brendshme. Shpesh godiste me gishta gjërat në tavolinë( kërkonte falje sikur kishte bërë faj), vazhdonte të na thotë se “ju jeni shpresa ime, me ndihmën tuaj do të zbardhë edhe shumë fakte tjera”. Herë pas here e përsëriste slloganin vëllezër e motra, çdo njeri i botës le ta din se çfarë dhune e gjenocidi ushtroi pushteti serb, u vranë e u maltretuan gati gjysmë milioni shqiptarë prej vitit 1844 deri në vitin 1999. Ky ndriçues i errësirës informatike preku shumë fusha të dijes, i burgosur politik por mbi të gjitha njerí, na bëri për vete të gjithëve. Jo se ne nuk kishim takuar profile të ndryshme, por se ai në shumëçka ishte i veçantë, ky është profesor doktor Nusret Pllana. Fokusi i masakrës në filmin dokumentar “Dëshmitë e Heshtura” që i kushtohet Krushës  së  Madhe, film ky që për skenarist dhe regjisor ka Luan Kryeziun.  Ky djep që lindi e përkundi trima si Bajram Curri e Ukshin Hoti ishte që moti caku i maqinerisë vrastare serbe. Pamjet  tonditëse që i shihnim, bënë gjithsecilin të përlotet. Unë sikur kisha një përshtypje, se u ngjallën viktimat dhe tok me ne i gëzoheshin Krushës së mbushur me fëmijë e me jetë. Ja do të thonin ata; këto filiza të ri  e ripërtërijnë gjakun tonë, këto do të na kujtojnë për jetë e mot. Kurrë nuk kisha parë tha profesor Pllana, kaq shumë gra shqiptare në promovim libri në diasporë si sot tek ju në Münster.  Ju lumtë!! Gruaja ka qenë dhe do të mbetet shtylla kryesore e shoqërisë. Por ne, u habitëm sa shpejtë ora vajti dymbëdhjetë. E përshëndetëm me sa mundëm me fjalët; ju profesor nuk guxoni të lodheni, vazhdoni punën në projekte të reja, se kështu arrijmë ta shkruajmë historinë me dorën tonë. E ne, nuk do të pushojmë së përkrahuri Juve dhe shkenctarët e devotshëm. Mbetshi me shëndet dhe kondicion, dhashtë Zoti e shifemi përsëri. Dyert tona ngelen të hapura për atdhetarë. Ta duash shqiptarinë më shumë se veten është sa nder aq edhe privilegj.

Filed Under: Mergata Tagged With: Gjenocidi serb atak mbi një popull me kulturë të lashtë!, Prof. Jusuf Jusufi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT