• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

DIASPORA-FESTIVAL I KULTURËS SHQIPTARE, NË MANTOVA

June 9, 2016 by dgreca

–Tri ditë, veprimtari e parë e këtij lloji, në Itali/

Nga: Anila Kaja & Ndue Lazri

1.Mantova, ky qytet i vogël, por i bukur në Itali, një thesar i vërtetë, i vendosur si qëllimshëm në pikëtakimin e tre rajoneve, Lombardia, Emilia Romagna e Veneto, gati i ledhatuar nga ujrat e lumit Po, që kalon aty prane dhe i nanurisur nga ujërat e tre liqeneve piktoreskë, që e rrethojnë, do t’ia hapë dyert nesër, Festivalit të Kulturës Shqiptare. Një mikpritje bujare e qytetit-kryeqytet i kulturës italiane për vitin 2016, që di të çmojë shkëmbimet interkulturore dhe t’u japë hapësirë edhe vlerave artistike e kulturore të etnive të tjera. Bashkësia shqiptare aty, është e para, që e ka këtë privilegj, në sajë të dashamirësisë së autoriteteve lokale të këtij qyteti dhe, veçanërisht, kryetarit të Bashkisë, Mattia Palazzi. Ky edhe në raste të tjerë e ka shfaqur hapur interesimin dhe vlerësimin për Shqipërinë dhe emigrantët shqiptarë. Prandaj i jemi mirënjohës, që e priti qysh në fillim, me entuziazëm e përkushtim, nismën e Federatës FNAI dhe të Shoqatës “Le aquile” të Mantovas, për organizimin e këtij Festivali të Kulturës Shqiptare. Për këtë qëllim, janë vënë në dispozicion mjedise të ndryshme, njerëz dhe fonde, që kjo ngjarje të kurorëzohet sa më me sukses dhe të bëhet një urë miqësie, bashkëpunimi e shkëmbimesh të herëpashershme, të vlerave të ndërsjellta të artit e të kulturës . Shprehim mirënjohje edhe për Ministrinë e Kulturës, në Tiranë dhe veçanërisht zëvendësministrit Zef Çuni, për bashkepunimin e vazhdueshëm.
2.

Ky Festival ka një kalendar të ngjeshur e interesant. Me datën 10 qershor 2016 paradite, dmth nesër, do ai fillojë me konferencën për shtyp. Përpara gazetarëve do të ndodhen drejtues të komunës së Mantovës dhe organizatorët e Festivalit. Pasdite do të bëhet ceremonia e hapjes dhe vizita në ekspozitën e artistëve të arteve figurative: Llesh Prendi, Alketa Delishaj e Xhimi Hoti. I ftuar special është mjeshtri i gdhendjeve në dru, artisti Llesh Biba, i cili vjen me punimet e tij që nga Tirana. Pastaj, në mjediset magjike të Teatrit “Bibiena” do jetë konferenca kulturore-artistike: “Udhëtim, nga Garibaldi, te Mona Liza shqiptare”, e të talentuarit Klodian Kojashi. Do të shoqërohet me pjesë operistike, të interpretuara nga sopranoja Mimoza Rama.

Që në ditën e parë të Festivalit do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Shoqatës arbëreshe “Vorea”, në Frascineto të Kozencës.
Të shtunën, me datën 11 qershor do të jetë radha e shkrimtarëve dhe artistëve, që do t’i gjallërojnë jo vetëm mjediset e eskpozitës së hapur në Shtëpinë e Rigoletos, por edhe ato të librarisë “Nautilus”. Këtu do të përurohet krimimtaria e poetit Tonin Nikolli, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Të dielën, më 12 qershor, në Sheshin “Mantegna” do jehojnë, si asnjëherë, kënga e vallja shqiptare, do të shpalosen bukuria dhe larmia e kostumeve tona kombëtare, sinfonia e instrumentëve popullorë, që dëshmojnë lashtësinë, por edhe finesën e shpirtin prej artisti të popullit tonë. Gjithashtu, do të ngjitet në skenë Ansambli i shoqatës shqiptare “Ana e Malit”, në Ulqin, i drejtuar nga e palodhura Luljeta Avdia, mësuese e pasionuar dhe shkrimtare e talentuar. Ajo punon prej vitesh me këtë grup, i cili ka dhënë shfaqje e ka fituar çmime në Festivalin e Gjirokastrës dhe në festivalet e organizuara nëpër Kosovë, është mirëpritur nga diaspora shqiptare në Amerikë etj.
Këtë veprimtari të bukur e mbrësëlënëse do ta mbyllë Ansambli i shquar i Këngëve e Valleve Popullore të Tiranës. Siç dihet, ky ka bërë turne të suksesshme në tërë kontinentet dhe çon përpara lavdinë e atij ansambli, I cili dhjetëvjeçarë më pare, në Festivalin Ndërkombëtar të Dizhonit, në Francë, fitoi “Gjerdanin e Artë”, në garë me grupet më të famshme, nga e gjithë bota.
Fesivali i Kulturës Shqiptare, në Montava,, i pari i këtij lloji në Itali, me siguri do t’i dëshmojë vlerat tona të çmuara, në fushat e artit e kulturës sonë mbarëkombëtare.

Ndaj, të bashkuar e pranë njëri-tjetrit, le t’i ndjekim dhe duartrokasim fort artistët tanë, në këto ditë festive, duke shpalosur e dëshmuar edhe me këtë veprimtari, qytetarinë tonë të lartë dhe dashurinë për Atdheun tonë të dashur, Shqipërinë!

9 qershor 2016

Filed Under: Mergata, Reportazh Tagged With: Anila Kaja & Ndue Lazri, FESTIVAL I KULTURËS SHQIPTARE, NË MANTOVA

Kuvendi i Kosovës, seancë edhe me VV-në opozitare e pa gaz lotsjellës

June 9, 2016 by dgreca

-Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës mori pjesë edhe subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa vazhduan me bojkotin dy partitë tjera të opozitës – AAK dhe Nisma/

-Opozitarët e Lëvizjes Vetëvendosje sot nuk hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin kosovar, por “hodhën” deklarata e kritika të ashpëra e akuzuese/

-Gjashtë projektligje, prej tyre tre për ratifikime, në axhendën gjithësej 15 pikëshe, duke nisur me deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare/

 Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 9 Qershor 2016/ Kuvendi i Republikës së Kosovës zhvilloi sot një seancë plenare me shqyrtim të gjashtë projektligjeve, prej tyre tre për ratifikime, me axhendë gjithësej 15 pikëshe, duke nisur me deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës mori pjesë edhe subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa vazhduan me bojkotin dy partitë tjera të opozitës – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë dhe të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes u mor vendim që t’i kthehen punimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës “për të bërë opozitën dhe pengesën për vendimet e dëmshme”.

Këtë e theksoi edhe kryetari i Vetëvendosjes, deputeti Visar Ymeri, në fillim të seancës së sotme të Kuvendit në deklarimet jashtë rendit të ditës, duke u shprehur se Kosova “do të duhej të ishte Republikë e qytetarëve, por u shndërrua në plaçkë të pushtetarëve”. Opozitarët e Lëvizjes Vetëvendosje sot nuk hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin kosovar, por “hodhën” deklarata e kritika të ashpëra e akuzuese.

Në vazhdim, pyetjet parlamentare disa mbetën pa përgjigje në mungesë për një kohë në seancë të kryeministrit e disa ministrave, e këtë deputetët opozitarë të Lëvizjes Vetëvendosje e quajtën edhe “bojkot i qeverisë Kuvendit” derisa ata i kishin dhënë fund bojkotit.

Të njëpasnjëshme ishin shqyrtimet e tre projektligjeve për ratifikime. Projektligji për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961), i prezantuar në emër të qeverisë së Kosovës nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, u miratua me 83 vota pro, 1 abstenim e asnjë kundër.

Ministri Abrashi theksoi se Mbretëria e Holandës, si vendi depozitues i kërkesës, e ka miratuar kërkesën e Republikës së Kosovës dhe duhet të hyjë në fuqi në 14 korrik 2016 për aderimin në këtë Konventë.

“Anëtarësimi i Kosovës në këtë Konventë fuqizon subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, Kosova përfiton mjaft në lehtësimin e procedurave dokumentare për qytetarët dhe bizneset”, tha Abrashi.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale, i prezantuar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, u miratua me 82 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim.

Pastaj u shqyrtua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.

Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, duke prezantuar Projektligjin bëri të ditur se Linja Hekurudhore 10 është 148 kilometërshe nga Hani i Elezit, kufiri jugor me Maqedoninë, deri në Leshak, kufiri verior me Serbinë, duke kaluar nëpër Fushë Kosovë e Mitrovicë, ndërsa është e rëndësishme edhe për rajonin. Votimi për këtë projektligj u shty për në seancën e radhës, me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, pasi s’do mund të kishte vota të mjaftueshme për miratim, meqë grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje paralajmëroi abstenim. Dy projektigjet-ratifikimet e para u votuan pro me unanimitet edhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje opozitare.

Në vijim të seancës së Kuvendit, në shqyrtim të dytë u miratua projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me 51 vota pro, 18 kundër e 7 abstenime, si dhe projektligji për Falimentimin me 67 vota pro, 2 abstenime e asnjë kundër, për të cilin VV kërkoi edhe lexim të tretë po nuk kaloi propozimi, ndërsa Projektligji për Investimet strategjike në Republikën e Kosovës, pas diskutimeve e kërkesës së kryeministrit Isa Mustafa me votim nga deputetët u kthye në rishqyrtim në komisionet përkatëse parlamentare dhe të jetë sërish në axhendë në një seancë të ardhshme.

Tre pikat vijuese ishin zgjedhja e tre anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave, shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, si dhe shqyrtimi i Propozim-vendimit për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

Në përfundim të debatit, kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, hodhi në votim propozim-vendimin e qeverisë për emërimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, me përbërje: Valon Prestreshi, kryetar, Ahmet Krasniqi zëvendëskryetar, Fatime Haziri, Muhamet Krasniqi dhe Shaqir Morina, anëtarë. Deputetët miratuan këtë propozim-vendim të qeverisë.

Seanca shqyrtoi edhe dy raporte për vitin 2015 – të punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe të punës së Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim, por nuk i miratoi në mungesë votash të mjaftueshme.

Punimet e seancës së Kuvendit para se të përmbyllen patën në axhendë edhe propozimin e grupit parlamentar të Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Për këtë pati edhe votim formal.

Po ashtu, pati votim formal edhe për propozimet e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për disa ndryshime të përfaqësuesve të saj në komisionet parlamentare.

Në përfundim u paralajmërua se pikat e mbetura të sencës së sotme të Kuvendit të Kosovës do të renditen edhe në axhendën seancës pasuese plenare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, pa gaz lotsjellës

Shoqata e Filozofëve të Kosovës anëtarësohet në Federatën Ndërkombëtare

June 9, 2016 by dgreca

-Shala: Mundësi e mirë që vendi ynë të prezantohet në arenën ndërkombëtare nëpërmjet dijës e kulturës/

 PRISHTINË, 9 Qershor 2016-Gazeta DIELLI/Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar sot një delegacion të Shoqatës së Filozofëve të Kosovës, të udhëhequr nga kryetarja Hasnije Ilazi.Ministri Shala i përgëzoi drejtuesit e SHFK-së për suksesin e arritur me rastin e anëtarësimit të tyre në Federatën Ndërkombëtare të Filozofëve, të cilin akt e vlerësoi si dëshmi të sukseseve të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. 

 Shala më tej shtoi se pranimi Shoqatës së Filozofëve të Kosovës me të drejta të plota në këtë organizatë të madhe ndërkombëtare është një mundësi e mirë që vendi ynë të prezantohet në arenën ndërkombëtare nëpërmjet dijës e kulturës dhe, në këtë drejtim, premtoi bashkëpunim. Kryetarja Hasnije Ilazi e falënderoi ministrin Shala për gatishmërinë e tij që të bashkëpunojë me SHFK-në, sidomos tani meqë pas anëtarësimit të kësaj shoqate në këtë organizatë të madhe ndërkombëtare, kërkohet angazhim dhe punë shtesë./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: anëtarësohet, në Federatën Ndërkombëtare, Shoqata e Filozofëve, te Kosoves

Kur prona vendoset në krye*

June 9, 2016 by dgreca

Opinion nga Majlinda BUSHJA/*

Interesi të tjetërson, por gjithsesi është në dorën tonë për të mos e vendosur në radhën  e parë për nga rëndësia, sepse vitet e fundit është vënë re një rritje e numrit të konflikteve brenda familjes për çështje pronësie. Puna ka arritur deri aty sa djali nuk njeh më prindërit e vet, babanë, e nënën, por edhe vëllanë e motrën, e konflikti pastaj është përhapur në çdo degë të fisit, që nuk njohin më damarët e gjakut të tyre kur në mes është prona. Daja i merr pronën mbesës, xhaxhai, nipit, nipi, xhaxhait, kushërinjë njëri-tjetrit, etj duke e çuar konfliktin në hasmëri, e disa vjeçar. Tipik është rasti i zonjës Dilo ( këngëtare e njohur), që po lufton kundër tre burrave për të drejtën e saj, për pronën që pretendon se po ja rrëmbejnë. E një prej tyre është dajua i saj, një njeri i afërt i familjes që duhet ta mbrojë mbesën e vet. Mirëpo, situata flet ndryshe dhe konflikti është ende i hapur, dhe kushedi sa do të zgjasë. Por ky konflik për çështje pronësie është një nga mijëra raste që hasim në të gjithë Shqipërinë. Shumë kemi dëgjuar, po dëgjojmë, e do të dëgjojmë në të ardhmen, meqenëse është një nga çështjet më të mprehta të pazgjidhura, e që hap shumë debat. Prona që i mbivendendosen pronarë, e pronari i vërtetë e ka të vështirë të gëzojë pronën e tij i qetë, pa u rropatur gjyqeve për të gjetur të drejtën e tij për vite me radhë. Dhe në se përfshijmë këtu mosmarrveshjet mes fiseve të ndryshme për këtë çështje situata bëhet më e rëndë dhe e komplikuar.

Media qoftë e shkruar, apo elektronike ka ngritur këtë shqetësim herë pas here përmes artikujve dhe rubrikave të fokusuara në konfliktet e pronësisë. Kronika që paraqesin realitetin e hidhur në familjet shqiptare, konflikte të mprehta që ndonjëherë përfundojnë me humbje jete apo cënim të saj. Nuk janë të pazakontë tituj të tillë si, “ Çmenduri ala shqiptare, konflikti për pronat, 35 vjeçari godet me thikë të ëmën e moshuar”( Javanews 20.04.2016), “Konflikti për tokën, ekzekutohet me kallashnikov babai i tre fëmijëve, 50 vjeçari u qellua nga kushëriri i tij ish-polic”(Gazeta Shqiptare 03.04.2016), Babai i tre fëmijëve masakrohet me thikë nga djali i xhaxhait, dyshohet për motive pronësie”(Ballkan Ëeb 17. 09. 2015), “Konflikti për pronën, kushëriri qellon mbi 2 vëllezër, njëri i vrarë, tjetri i plagosur” (Mapo 23.03.2016), sepse konfliktet për çështjen e pronësisë janë të vazhdueshme dhe nuk po ndalen. Ndaj, për to duhet gjendur një zgjidhje që prona të shkojë te i zoti dhe çdokush të marr atë që i takon dhe e meriton.

Kush ndjek çdo të diel pasdite rubrikën “Shihemi në gjyq” te “e Diela Shqiptare” në televizionin “Klan”, dallon qartë se si prona ka sjell konflikte të mprehta dhe përçarje brenda gjirit të familjeve shqiptare. Tashmë flitet hapur dhe me gjuhë të ashpër, pa ndrojë “e cip”, ku egoizmi arrin kulmin, dhe ndjenja e dashurisë dhe respekti fshihen si me dorë, pasi etja për pasuri e prona nuk njeh kufi, e as arsye për të kuptuar se kush është më e rëndësishme. Prona apo familja, prindërit, motrat, vëllezrit dhe njerëzit e tjerë të gjakut. Sepse, prona sot ka dal mbi gjithçka dhe dashuria për familjen dhe njerëzit e gjakut është harruar prej makutërisë për prona e pasuri. Të plagosësh nënën për pronën, siç u përmend në titujt e mësipërm, apo qoftë dhe ta lëndosh atë për këtë motiv, duke e lënduar në sytë e të gjithëve siç ndodhi tek “Shihemi në gjyq” të datës 10 janar të këtij viti, (ku së ëmës i bien të fikët pasi i biri i mohon sakrificat), do të thotë se prona  ka kaluar kufijtë e vlerës së saj. E paimagjinushme situata që po përjetojmë në familjet shqiptare, apo thënë ndryshe, “thika ka shkuar në eshtër për këtë çështje”.

Në një kronik televizive të  “Zërit të Amerikës” të datës 14 shtator 2013 thuhet se, “ Në Shqipëri po rritet me shpejtësi numri i konflikteve për problemet që lidhen me pronësinë. Përfaqësues të Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrveshjeve” pohojnë se rreth 80% e konflikteve kanë zanafillën e tyre problemet ende të pa zgjidhura me pronësinë” Një përqindje e tillë është shqetësuese dhe kërkon një punë kurajoze nga institucionet përgjegjëse për sheshimin e tyre një orë e më parë. Për daljen nga gjendja, për mos të pasur mbivendosje të pronave të pronarëve që degjenerojnë më pas me konflikte të hapura disa vjeçare. Konflikte brenda në familjeve, apo mes familjeve të ndryshme që i detyrojnë të rropaten dyerve të gjykatave, që tek e fundit ka një kosto financiare dhe një afat kohor që zgjat në zgjidhjen e çështjes. Mungesa e mirëkuptimit  brenda anëtarëve të gjirit të familjes çon në këto situata aspak të këndshme dhe përçarëse që ndajnë pjestarët e familjes, pse jo përgjithmonë. Në kërkim të së drejtës në formë të padrejtë, përmes dhunës psikologjike, apo fizike deri në humbje jete, apo cënim. Disa ditë më parë më konkretisht, në 30 maj të këtij viti në Klos, djali godet me mjete të forta dhe plagos babanë, për çështje pronësie. Puna arrin deri aty sa babai përfundon në spitalin e traumës në Tiranë. Kaq rëndë përfundojnë konfliktet brenda familjeve shqiptare për këtë çështje. Por puna nuk duhet të shkojë më deri aty. Situatës së krijuar duhet gjendur zgjidhja një orë e më parë nga organet përgjegjëse, për të shuar  konfliktet brenda familjeve shqiptare dhe gjithkush të gëzojë atë që i takon.

*****

* Redaksia e Diellit e mirepret gazetaren Majlinda Bushaj per t’u bere pjese e kontribuesve nga Shqiperia. E falenderojme qe me kete opinion qe na dergoi sot ajo po kontribuon ne Gazeten me te vjeter te Botes Shqiptare, qe publikohet ne SHBA prej 107 vitesh. Problemi që trajton në shkrimin e saj është nga më shqetësuesit , ku ish udheheqesi i fundit komunist, Ramiz Alia, na la pas sherrin e diktatures me receten: toka dhurohet sipas frymeve!. Pa zgjidhjen e problemit të pronës nuk ka për të zënë vend shteti shqiptar i hibridizuar mes trashegimise komuniste dhe demokracisë në tranzicion.

Lexues të Diellit: Lexojeni shkrimi dhe shfaqni opinionin tuaj me shkrim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kur prona, Majlinda Bushja, vendoset në krye

Shuhet në Çikago Petrika TOLE , një nga ikonat e futbollit korçar

June 9, 2016 by dgreca

Nga Raimonda MOISIU/

Tronditet futbolli korcar dhe komuniteti shqiptaro- amerikan në Amerikë.  Largohet nga jeta në moshën 60 vjeçare, Petrika TOLE, një prej futbollistëve më  të shquar dhe mbrojtësi  më i mirë i kohës i Klubit të Futbollit “Skënderbeu”,  dhe atij shqiptar. Falë talentit dhe fizikut të tij prej atleti, energjik, pasionant i futbollit, falë inteligjencës dhe këmbëve të forta në fushën e lojës, Tole, -sikundër e thërrisnin korçarët, fitoi shumë shpejt zemrat e publikut futbolldashës korçar dhe atij shqiptar në tërësi. Mbrojtësin më të mirë të kohës, futbollistin e përkryer,Tolen e “Skënderbeut”, dhe futbollit Shqiptar që e kishin “frikë”, të gjithë , skuadrat e tjera sa herë që “Skënderbeu”, shkonte të luante në Tiranë a qytetet e tjere. Edhe në një moment kur Tole, u dëmtua keq në fushën e lojës, dhe u mendua më e keqja, ai e kaloi me sportivitet duke thënë se nga goja nuk të gjen gjë.  Dhe ia doli, ai u kthye përsëri në fushën e lojës duke dhënë akoma më shumë nga forca e talentit, pasionit dhe inteligjencës si futbollist, që e shëndrruan në një futbollist të madh me emër në Ballkan dhe Europë, një nga ikonat e futbollit korçar e shqiptar.  Përveçse një fubollist i mirë që bëri emër dhe histori në futbollin korçar, PetrikaTole ishte edhe njeri shumë i mirë, bashkëshort i mrekullueshëm dhe prind model. Në vitin ‘97 emigroi me familjen në SHBA-ës,  në  Çikago, kur për gati dydekada punoi “a hard working truck-driver”, rrugëve të Amerikës, dhe financoi për të studiuar dy djemtë e tij të shtrenjtë, të cilët  sot punojnë në instuticione të rëndësishme në Çikago.

Lajmi i trishtë se një nga legjendat e futbollit korçar, mbrojtësi më imirë, i pakalueshmi dhe njeriun që adhuruan në futboll, PetrikaTole u nda nga jeta,  u prit me dhimbje e dëshpërim të thellë nga publiku sportdashës korçar dhe shqiptar, veçmas nga ata që kanë patur fatin ta njohin, ta kenë mik dhe koleg, shprehin ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre në rrjete sociale. Persionalitete publike korçarë si Prof. Gjergji Cikopani, shkruan:

“Një djalë korçar me cilësitë e mira! Një futbollist kur Skënderbeu shkëlqente në formën më të mirë,  një lojtar që sot iu mungon ekipeve Shqiptare që  “ merrte rolin e liderit” për të shpërthyer! Meqënëse e kam njohur nga afër dhe si drejtues i sportit kam gjetur tek Ai lojtarin, që nuk dinte kompromiset e sotme; bëhej ” copë” në luftën sportive !

Kujt i kujtohet ndeshja në Tiranë kur Tole u aksidentua rëndë,  sot e kupton se çfarë do të thotë,  të ikë nga jeta një lojtar si Ai! U rikuperua me pak vështirësi, por nuk iu nda sportit! Kohët sollën të tjera probleme dhe jo i pa informuar,  kam mësuar se ka qenëi ” fortë” në përballimin e jetës,  sigurisht me të tjera probleme – por më e Bukur! Familjes i dërgoj ngushëllimet prej qytetari të Korçës që, Petrika Tolen, e ka njohur si njeriun e Mirë të Korçës! U prehte shpirti në paqën e përjeteshme!

Ndërsaz. Bajram Shtylla, shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmëve të tij,për humbjen e njeriut të dashur të tyre,si dhe publikut futbolldashës korçar,për humbjen e njërit prej futbollistëve të shquar të Klubit “Skënderbeu”!

Luan Merdani, mik i fëmijërisë dhe deri në ditët e sotme, shprehet i trishtuar thellë dhe i tronditur nga ikja para kohe dhe e papritur e Toles, kur para një muaji kishin qenë bashkë në Çikago. Po ashtu shprehën ngushëllimet e tyre, ikonat e futbollit korçar Alfred  Pilika, Teodor Vaso, Bledi Shkëmbi, Thimi Gërnjoti, gazetari Adriatik Dosti, Vasillaq Cikopana, Ilir Jano, Arben Toshi, Edmond  Deli, Romeo Baka, Ilir Vrenozi,Marena Kondili,  shume kolegë, miq,  e shokë,gazetarë sportivë të afërm dhe sportdashës korçarë e bashkatdhetarë në të dyja anët e Atlantikut. Trupi i të ndjerit do të varroset në qytetin e tij të lindjes në Korçë, ku do t’i bëhen edhe nderet e mbrame nga qytetarët dhe personalitetet e Korçës, Klubit të Futbollit “Skënderbeu”, dhe mbarë sportit shqiptar.

Edhe unë shkruesja e këtyre rradhëve, shpreh ngushëllimet e mija e të familjes sime, familjesTole në Çikago dhe të afërmëve në Korçë,  për humbjen dhe trishtimin e thellë që la pas, ikja parakohe  e mikut tim prej disa dekadash, bashkëshortit dhe babait të mrekullueshëm,  dhe altruist, botës së futbollit korçar e shqiptar, e kësaj Ikone Madhështore të Futbollit, PetrikaTole, që bëri historinë e Futbollit Korçar ndër vite!

I Madhi dhe i Papërseritshmi TOLE – si të thërriste Korça, që e doje dhe të donte aq shumë,  do të mbetesh, më ndrituri në zemrat dhe mendjet e korçarëve ndër breza.

Ti mbetesh Legjenda Korçare e Futbollit në Përjetësi.

Raimonda MOISIU

USA 9 Qershor 2016

Filed Under: Komunitet, Sport Tagged With: Petrika Tole, Raimonda Moisiu, shuhet en Cikago

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT