• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Athina po ndjek me vetëdije të plotë gjurmët e Millosheviçit

June 4, 2016 by dgreca

Opinion nga Prof.dr. Eshref Ymeri/ Indiana/ SHBA/

Në faqen internetike ta gazetës së nderuar atdhetare “Dielli” të datës 04 qershor, lexova artikullin e Profesorit Arben Llalla, me titull “Kushtëzimet e rrezikshme të ministri grek Nikos Kotzias(Koxha)”.Profesori Arben Llalla është një intelektual me formim të lakmueshëm atdhetar, nacionalist, i cili, për vite të tëra, është marrë me studimin e shovinizmit grekokaragjoz dhe çështjen e shqiptarëve të Greqisë. Prandaj informacionet e tij për qëndrimin shovinist të Athinës zyrtare ndaj Çështjes Shqiptare, kanë një bazë të shëndoshë besueshmërie. Edhe në rastin e vizitës në Tiranë më 06-07 qershor të ministrit me botëkuptim nazifashist Kotzias, informacioni i Profesorit Arben Llalla për kushtet që Athina do t’i vërë Tiranës zyrtare, patjetër që atij i ka ardhur nga një burim mëse i sigurt. Pra, Athina e pabesisë shumëshekullore kërkuaka që Tirana, para se të hapë bisedimet me Bashkimin Evropian, të plotësojëmedoemos disa kushte. Ja cilat na qenkan këto kushte, që i bën publike Profesori Arben Llalla:

“1.Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do të bëhet me anë të një marrëveshjeje të përjetshme ku Shqipëria dhe shqiptarët s’do të kërkojnë kurrë Çamërinë dhe pronat e tyre në tërë Greqinë.

2.Ndërtimi edhe i pesë varrezave të tjera për ushtarët grekë, të vrarë gjatë luftës italo-greke më 1940-1941, ku numri i varreve bosh të jetë 7000.

3.Njohja e Autonomisë së Epirit të Veriut (aneksimi i jugut të Shqipërisë), ku gjuha greke do të jetë zyrtare në jugun shqiptar. Shqipëria të jetë e varur de jure nga Greqia, ku në të ardhmen të bashkohen në një Federatë të përbashkët”.

       Në një analizë të dikurshme, të botuar në internet, duke folur për lëshimet që tradhtarët Thaçi dhe Mustafa i bënë Serbisë për krijimin e kushteve të pakicës serbe për autonomi, kam pasë theksuar se edhe Greqia të njëjtën gjë do të kërkojë: shpalljen e autonomisë për Shqipërinë e Jugut. Sepse e tillëështë logjika e gjërave: edhe Beogradi, edhe Athina nuk kanë hequr dorë kurrë, respektivisht, nga Naçertania dhe nga Megaliidea e vitit 1844, të cilat kishin për qëllim zhdukjen e etnisë shqiptare nga gadishulli ynë dhe fshirjen e Shqipërisë nga harta e Evropës.

Meqenëse pas vitit 1913(kur shovinizmi evropian, me yshtjen e armikut të tërbuar të kombi shqiptar – shovinizmit rusomadh – na i copëtoi për të dytën herë trojet tona etnike), në Shqipëri kanë qenë në pushtet jo pak tradhtarë, edhe Beogradi, edhe Athina e kanë pasur shumë të lehtë shtypjen dhe robërimin e shqiptarëve të përtejkufirit. Kurse gjatë këtij çerek shekulli të fundit në Shqipëri dhe pas shkëputjes së Kosovës nga Serbia në vitin 1999, edhe Athina, edhe Beogradi i kanë arritur dhe po i arrijnë pak e nga pak objektivat e vitit 1844 me ndihmën e tradhtisë brendashqiptare. Se sikur Shqipëria Londinezë të kishte pasur zot me kohë e me vakt, ajo duhej të kishte kërkuar me forcë, deri në forumet më të larta ndërkombëtare, hedhjen poshtë nga ana e Athinës dhe e Beogradit të platformave shoviniste antishqiptare të Megaliidesë dhe të Naçertanies. Shqipëria s’e ka kërkuar kurrë hedhjen poshtë të atyre dy platformave shoviniste, prandaj edhe grekosllavët po bëjnë ç’është e mundur për zbatimin e tyre: Beogradi, i bindur plotësisht për përkrahjen e Thaçit dhe të Mustafës, dy kryatradhtarëve të popullit shqiptar të Kosovës, ka shtruar si objektiv ngritjen e 15 komunave të tjera në Kosovë dhe popullimin e tyre me kriminelë serbë që u larguan nga Kosova gjatë viteve të luftës, si edhe me kriminelë serbë të Kroacisë, të cilëve Tuxhmani u vuri drunë njëherë e mirë nga Kroacia. Domosdo, se Kroacia ishte dhe vazhdon të jetë vend me zot, prandaj Beogradi nuk kuturis të kërkojë rikthimin e tyre në Kroaci. Pra, Beogradi, me dorën e vetë tradhtarëve Thaçi e Mustafa, po rikthehet përsëri në Kosovë, përmes një rikolonizimi të butë, pa çak e pa bam. Dhe populli shqiptar i Kosovës, dhe opozita, po u mbajnë ison tradhtarëve Thaçi dhe Mustafa.

Edhe Athina, nga ana e saj, po me përkrahjen e tradhtisë së Tiranës zyrtare, po i arrin dalëngadalë objektivat e veta në Shqipërinë e Jugut me ndërtimin e kishave greke, me hapjen e shkollave greke, me ngritjen e varrezave për ushtarët agresorë grekë. Pra, edhe ajo, ashtu si edhe Beogradi në Kosovë, po e kryen çikë e nga një çikë kolonizimin e Shqipërisë së Jugut.

Duke mohuar tërësisht Çështjen Çame, Athina po ndjek me vetëdije të plotë gjurmët e Millosheviçit, i cili dikur pati deklaruar botërisht: “Çështja e Kosovës nuk ekziston”. Me mohimin tërësor që i bëri  “Çështjes së Kosovës”, Millosheviçi vetë u bë sebep që në Kosovë të ndizeshin shkëndijat e para të luftës guerile, e cila, pak e nga pak, erdhi e mori formatin e plotë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u bë një mbështetje e fuqishme e Aleancës së NATO-s gjatë bombardimeve që ajo ndërmori kundër Serbisë.

Athina po ngutet me dërgimin në Tiranë të ministrit Kotzias. Ajo kërkon t’u dalë përpara katër dosjeve të Çështjes Çame, të cilat, më 11 shkurt 2016, Kryetari i Shoqatës “Çamëria”, zotëria Festim Lato, dhe Profesori Koço Danaj, ia dorëzuan Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime kundër njerëzimit. Kësisoj Athina e hileve dhe e pabesive mijëravjeçare, kërkon të sigurojë mbështetjen e Tiranës zyrtare për mohimin, për mosekzistencën e Çështjes Çame, në mënyrë që nesër-pasnesër t’i deklarojë Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës: “Nuk ekziston ndonjë Çështje Çame, se një Çështje të tillë nuk e njeh as Tirana zyrtare”.

Unë e kuptoj se të gjitha këto fatkeqësi të rënda që e kanë pllakosur mbarë kombin shqiptar (me një shtet të vdekur në Prishtinë dhe me një shtet të pavarrosur në Tiranë), e kanë burimin, para së gjithash, te përçarja mbarëshqiptare dhe te tradhtia brendashqiptare. Se diktatura komuniste i zbehu dhe i degradoi deri në leqendisje ndjenjat kombëtare, e plagosi për vdekje nacionalizmin shqiptar, duke i mbyllur në fondin e harresës krimin evropian kundër trojeve tona etnike, Çështjen e Kosovës dhe Çështjen Çame. Në gjurmët e tradhtisë komuniste të këtyre interesave madhore të kombit shqiptar, ka vazhduar dhe vazhdon të eci edhe klasa politike shqiptare gjatë këtij çerek shekulli pluralizëm. Athina zyrtare është e bindur në tradhtinë e intereave kombëtare të klasës politike shqiptare, prandaj edhe e mohon kategorikisht Çështjen Çame dhe vazhdon të avancojë drejt kolonizimit të Shqipërisë së Jugut, me Janullatosin si guvernator të vetin në Tiranë. Prandaj ajo ka krijuar bindjen se nacionalizmi shqiptar është varrosur një herë e përgjithmonë.

Megjithatë, unë mendoj se, pavarësisht se rinia shqiptare hesht, pavarësisht se inteligjencia universitare hesht, pavarësisht se mjetet e informimit masiv heshtin, pavarësisht se moderatorët e kanaleve televizive dhe gazetarët heshtin, duke u shndërruar në tellallë të pështirë të politikës antikombëtare të Tiranës zyrtare, pavarësisht se populli shqiptar ka rënë në një gjumë letargjik dhe bën të paditurin për ato që kanë ndodhur në Shqipërinë Jugut, pavarësisht se rinia e Tiranës nuk do të dalë ta presë Kotziasin me domate të ndenjura dhe me vezë të prishura, pavarësisht se përfaqësues të rinisë universitare më 07 qershor do të ulen në auditor dhe do të dëgjojnë fjalën e nazifashistit Kotzias (në vend që ta pëzënë me sokëllima), pra, pavarësisht nga të gjitha këto, nacionalizmi shqiptar nuk është varrosur përfundimisht. Bindja ime është se poshtë hirit të tradhtisë kombëtare të Tiranës zyrtare, prehen në qetësi ca thëngjij, ca gaca të shndritshme nacionalizmi, të cilat, duke parë që shovinizmi grekokaragjoz nuk dëshiron që Çështja Çame të zgjidhet me mirëkuptim(çka personalisht e dëshiroj me gjithë zemër, ashtu siç duhet të zgjidhen të gjitha çështjet mes dy vendeve fqinje, me paqe dhe me respekt të ndërsjellë), mund të bashkohen dhe të rrezatojnë me dritë verbuese, fillimisht në formë guerilesh dhe mandej, siç ndodhi në Kosovë, të marrin përmasat e një Ushtrie Çlirimtare të Çamërisë. A është e sigurt Athina zyrtare (mbrojtëse e tërbuar e krimeve inkuizicioniste të Napolon Zervës) se një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë?

Indianapolis, Indiana

04 qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Athina, gjurmët e Millosheviçit, Prof. dr. eshref Ymeri

KONGRESI I PARTISE PER DREJTESI E INTEGRIM

June 4, 2016 by dgreca

*Idrizi: PDIU, faktor politik i rëndësishëm; Rama: Gara me mitet, prish fqinjësitë/

* Merr pjesë edhe Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikvs “VATRA”, Dr. Gjon Buçaj/

TIRANË, 4 Qershor /Ka nisë sot në Tiranë Kongresi i Partisë Drejtësi e Integrim, e etiketuar si Partia e çameve, por qe i ka kaluar caqet e çamerisë.

PDIU është një faktor politik i rëndësishëm dhe i pashmangshëm, dhe ajo nuk është vetëm parti e çamëve, cilesoi në fjalën e mbajtur në Kongresin e kesaj partie, kryetari Shpëtim Idrizi. Ai tha se partia që ai drejton ka në themel të saj çështjen çame, por është një parti që shkon përtej kësaj çështje.

“Etiketimi i PDIU si partia e çamëve është vepër e analistëve të cekët dhe e ndonjë kancelarie fqinje nga padija ose ligësia”, u shpreh ai. Idrizi tha se nuk çështja çame nuk i takon vetëm çamëve, aq më pak vetëm një partie, por është një çështje që i takon të gjithë shqiptarëve.

Idrizi apeloi Ramën ti qëndrojë draftit të mbështetur dhe hartuar me asistencën e ndërkombëtrarëve dhe të mos e kthejë në çështje pazaresh mes dy partish, siç tha ai, ka ndodhur në të shkuarën.

“Ne jemi pa mëdyshje në favor të reformës në drejtësi, e dimë se është e ashpër, e papreçedent ndoshta dhe cënon konceptin klasik të sovranitetit. Por sa herë ne politikanët shqiptarë e kemi shkelur këtë koncept klasik në këtë 25 vjet. E dimë shumë mirë që është një zgjidhje ekstreme dhe sigurisht që do një zgjedhje ekstreme.Por dimë gjithashtu se nuk do të ishte nevoja për reformën në drejtësi nëse drejtësia jonë do të ishte në pozitatat e duhura, e pakontrolluar nga politika dhe krimi i organizuar.Ata që sot janë kundër saj janë për status-quonë, për kënetën në sistemin e drejtësisë, gjykata dhe prokurori. Ne si parti jemi kundër status-quosë, jemi pro këtij revolucioni të madh që kërkon me ngulm snhumica dërmuese e shqiptarëve dhe që është urgjencë kombëtare për gjithë shqiptarët. Zoti. Kryeminstër ju ditën e hënë keni lënë takim me kryetarin e opozitës. Unë do tu bëj një thirrje. Reforma në drejtësi nuk është çështje pazaresh midis jush por ajo duhet të zbatohet dhe të bëhet pjesë e gjithë politikës shqiptare, ashtu siç kemi mbështetjen dhe ashtu si e kanë dizajnuar partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE. Jam i bindur zoti Kryeministër që ju do tu rrini këtyre linjave dhe të mos jetë një histori”, tha Idrizi.

Kryeministri  Rama: Gara me mitet, prish fqinjësitët

Kryeministri edi Rama i ftuar në Kongresin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e ka vlerësuar këtë parti si kultivuese të fqinjësisë së mirë, përçuese e patriotizmit modern, për të cilin sipas tij ka sot nevojë Shqipëria.

“Gara me mitet nuk i ka sjellë kurrë asgjë të mirë fqinjësisë mes shteteve. Gara se kush është më i vjetri, se kush i ka më të mëdhenj heronjtë e së shkuarës, është një garë që i takon të shkuarës ndaj edhe këtë shëmbëlltyrë përbashkuese që ju keni krijuar nën degën kuptimplotë të degës së ullirit e shoh si shprehje të miqësisë, por edhe reciprocitet mes shqiptarëve dhe fqinjëve.

Vendit tonë i duhet një patriotizëm modern, që merr energji nga shqipatarët e ndarë në shumë territore dhe vende të botës, që merr jetë nga heqja e barrierave është patriotizëm i shëndetshëm për kohë tonë. PDIU nuk është parti që mbërthehet pas të shkuarës, vendi ka nevojë për një patriotizëm modern”, tha Rama.

Rama u ka kujtuar çamëve të PDIU se ishte i pari drejtues i një partie që e bëri zyrtarisht çështjen çame pjesë te programit të vet elektoral dhe i pari kryeministër i një qeveri që synon fqinjësinë e mirë mbi bazën e reciprocitetit të respektit.

“Mos prisni që nga ky kongres unë të hedh ndonjë rrufe drejt Greqisë, se nuk jemi në Olimp. Unë jam i pari drejtues i një partie që çështjen e çamëve e futi në programin e saj, dhe jam i pari drejtues i një qeverie që përballë fqinjëve është i vendosur të tregojë paanshmëri mbështetur tek reciprociteti në respekt. Marrëdhënien me Greqinë e kemi të lidhur pazgjidhshmërisht si për të na vënë përballë një prove. Çështja çame po faktorizohet, por shqisa e verbër po tretet, po forcohet shqisa e shembullit që duhet të na bëjë më të urtë, më të mençur”, tha Rama.

Në këtë kongres merr pjesë edhe Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikvs “VATRA”, Dr. Gjon Buçaj, i cili edhe do të përshëndes në emër të Federatës dhe do të përcjellë qëndrimet e Vatrës për çështjen çame ne veçanti dhe çështjen Kombëtare në tërësi.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Gjon Bucaj, Kongresi PDIU, Shpetim Idrizi, Vatra

Letër nxitëse e thirrjeje për shqiptarët e Amerikës

June 4, 2016 by dgreca

VOTA SHQIPTARE MUND TA KUALIFIKOJE Serena Buçaj SI MISS USA 2016/

  BIJËS SONË SERENA BUÇAJ, PRINCESHË SHQIPTARE E BUKURISË, QË DI TË RENDË ME HAP SHTOJZOVALLEJE/

– Letër nxitëse e thirrjeje për shqiptarët/

Nga Fotaq Andrea/

E dashur Miss Serena, bija-motra jonë,/

Në këto ditë të shënuara për ty e për gjithë shqiptarët, kur po votohet Miss USA 2016, më lejo të të dërgoj – si kurorë nga Panteoni i lashtë i bukurisë shqiptare – këto fjalë zemre për t’u ngrohur dhe ndjerë edhe më krenare, për t’i dhënë edhe më shumë hir e nur bukurisë tënde vezulluese me aureolë agimesh të bjeshkëve të dheut tonë.

Me të drejtë Beqir Sina të pagëzoi “Princeshë shqiptare e bukurisë”, kur je shpallur tashmë “Miss Bukuria” e New Yorkut dhe kur po konkurron denjësisht për më tej. Më lejo me këtë rast të të kujtoj se Gjeniu shqiptar Faik Konica, një ndër etërit themelues të Shoqërisë “Vatra” – e cila sot drejtohet plot patriotizëm e përkushtim nga yt gjysh Dr. Gjon Buçaj – shkruante në frëngjisht tek “Albania” e tij që më 1897 një shënim titulluar “Më të bukurat”, ku thotë: ” Shqiptarkat janë përgjithësisht të një bukurie mahnitëse. Por askund tjetër kjo bukuri nuk është aq mrekullore sa në Lahnokastër. Ky fshat i hijshëm, me shtëpiza plot dritë nga bardhësia ndodhet në komunën e Voshtinës (në Shqipërinë e Jugut). Linjë e derdhur trupore, floknajë e vrrullshme, sy magjeps, pamje të madhërishme plot qetësi e hijeshi, kostume piktoreske; – ndoshta është fshati i vetëm në botë ku nuk mund të gjesh kurrsesi gra të pahijshme dhe ku bukuria është aq pranë idesë së përsosmërisë.” (Albania”, nr. 5, 30 korrik 1897, f. 87.)

Ja Serena, fjalë mjeshtërore nga Konica, që ka shkruar dhjetëra faqe për vashat shqiptare, për emancipimin dhe rolin e tyre në familje e shoqëri, që nga Mrika 16  vjeçare që i shpëtoi jetën në fushë të betejës Kryetrimit shqiptar Skënderbeu e gjer te Shega e “Lules së Maleve”, që nga Helena e Trojës, simbol i bukurisë e “i zjarrit që ndezi vetë” gjer te  Greta Garbo “Hyjnorja”, të cilën Konica e adhuronte dhe admironte me sy prej sfinksi.

Por le të mos shkoj më tej, dhe më lejo, Zonjushë Serena – sa fjalë të bukur ka gjuha shqipe që nga “Zot-Perëndi” bën femëroren “Zojë-Zonjë” në shkallën më të lartë të dinjitetit femëror dhe që këtej “Zonjushë – Mësuese” – më lejo pra, të të  bëj me dije se 76 vjet më parë, në maj 1935, në Orientin ende të paemancipuar, ku gratë edhe sot mbajnë perçe, konkretisht në Tunis, kryeqyteti i Tunizisë, shpallej “Miss Bukuria” një shqiptare: Jorgjeta Temo (Georgette Temmos), me siguri pinjolle nga familja patriotike shqiptare e Ibrahim Temos. 20 vjeçarja Jorgjeta, që ruante ende theksin shqiptar karakteristik në të folurën e saj, do mbante kësisoj lart “flamurin e sharmit sekret të Orientit”, siç shprehet revista franceze “Afrika e Veriut” e 16 majit 1935 dhe do të konkurronte atë vit për titullin Miss Europa në garën ndërkombëtare të bukurisë në qytetin britanik Torquay.

Po në atë periudhë do vërejmë se piktori i famshëm botëror Henri Matisse, në një cikël vizatimesh e tablosh të viteve 30 të shekullit të kaluar, titulluar “Tema e Variacione” (170 vizatime) ka në qendër të tyre edhe një modeliste me origjinë shqiptare (nga nëna dhe babai) që quhet Nezi Hamide Shefqet, ish stërmbesë e sulltanit Abdyl Hamidit me një bukuri të përkryer. Tabloja e Matisës që ka pra në qendër 22 vjeçaren “Nezi shqiptarja” u shit më 1998, 44 milionë stërlina në ankandin Sotheby’s të Londrës, një çmim ky rekord.

Por, duke u kthyer tek ti, bija e motra jonë Serena, me këtë emër të lashtë latin që ngjall qetësi e lumturi shpirtërore të kulluar, nuk ka si të mos sjellim ndër mend përshkrimin më të përsosur që i ka bërë vashës shqiptare francezi Pukëvil, tek i shihte ato, që në fillim të viteve 1800, si shtojzovalle të vërteta, me bukuri hyjnore, që kullosnin bjeshkëve bagëtinë, me të vetmin rojtar një qen molos besnik, që çapitnin lehtë, me hap vallëzues tek rrihnin ajrin me tingëllat e tyre të praruara mbi gjoks, në atë krahol të shtrënguar mbi xhubletën 3000 vjeçare ku vetëtinte mbi brezare një dorezë kame për të vetmin mjet mbrojtës të tyre. Ato vasha shqiptare, që u këndoi Lord Bajroni dhe i personifikoi te “Hajdeja” e tij, ato që vetë “Zoti u shtonte vallen” në Eposin e Kreshnikëve, ato që kënga iso-polifonike himarjote i quante “Vajza të Valëve”, ato ishin dhe mbetën kështu simbol i bukurisë femërore shqiptare. Simbol bukurie, për nga floknaja rica-rica pis e zezë apo për nga gërshetat leshraverdhë të Bejkës së bardhë të malit, me sytë e tyre të zgjuar e  zhbirilues, me gojën kuti e dhëmbët inxhi, me qafën si sorkadhe mali dhe faqkat kuq si molla, me lëkurën bardhëllore si qumështi i dhisë, simbol i zanave dhe i përkrenares skënderbejane.

Sepse, Miss Serena, ti engjëll i bukurisë shqiptare, me siguri e di nga prindërit dhe familja që Olimbia, e cila lindi Aleksandrin e Madh, ishte iliro-molose-shqiptare; se mbretëresha Teuta arriti të sfidojë për tre vjet rresht Romën e lashtë dhe Senatin duke kontrolluar Adriatikun me flotën e saj; se princesha Argjiro, së bashku me Rozafën e Kalasë së Shkodrës, po edhe me Gratë suljote më pas, vërtet do të flijoheshin, por gjoksi i tyre do vazhdonte të pikonte jetë për të mëndur foshnjat;  se Shkëmbi i Ruginë Balshës në Llogara edhe sot vazhdon të rënkojë për krejt dhembjet historike të nënave shqiptare; se Vojsava do shihte në ëndërr një dragua tek do lindte dragoin shqiptar Skënderbe; se Donika 20 vjeçare do martohej me të dhe do mbronte kalanë e Krujës, kryeqytetit mesjetar të Arbrit; dhe se, më në fund,  bukuroshja Shote Galica, ashtu si Janica, Zhan d’Arka shqiptare, do udhëhiqte çetën e saj patriotike për liri me tërë ata burra mustak-rëndë dhe, tek do plagosej në kofshë, nuk do pranonte assesi të shihej nga sy mashkullorë, por do nxirrte fillikat vetëm rrëzë shkëmbit plumbin në këmbë me plumb, duke qëlluar drejt e mbi plagë, që do ta përthante më pas me raki, barot e duhan. “Hej grua shqiptare që ke ditur të lindësh burra!”, do mund të thërriste atëherë nga shpirti shqiptaro-rumunia Dora d’Istria, princesha e kulturës evropiane, me një bukuri e sqimë të rrallë, plot sharm, për nder të së cilës në Paris do ndiqej “Moda Dora d’Istria”.  Pale të shikosh fotot me bukuri të rrallë të Sadije Toptanit në shekullin XIX, Nënëmadhes së familjes mbretërore Zogu, apo të mbretëreshës Geraldina , e cilësuar kohët e fundit nga të huaj si e denjë për të qenë “Yll Hollivudi”.

Ti Serena i di këto, se në deje të vërshon shqiptari, dhe ne, duke të shikuar të parakalosh në piedestal të bukurisë si sirenë e zanë mali shqiptare, domosdo do shkojmë ndër mend bukurinë hyjnore të Shën Angjelina Komnenës, dashurinë qiellore të Zojës së Shkodrës, pajtores së Shqipërisë, ajo Nan e Kshillit t’Mir për të cilën aq bukur këndoi e u lut At Fishta madhështor : “Të falemi, o Mri! virgjina e dlir’, …/  O nana e bukur e K’shillit t’Mir; / Lutu, po, e derdhi hiret e m’dhaja / Si n’kohët e mocme n’kishë te Kalaja,/ Ku t’lutej Shkodra plot me dobi; /Të falemi, o Mri, të falemi, Mri!”

Ja, me këto lutje qiellore në gojën e poetit gjeni që dalin nga shpirti shqiptar, do dëshironim – o Serena, o yll i bukurisë, o e adhuruara e Perëndisë! – të merrje ti tërë votat e shqiptarëve të Amerikës, për t’u shpallur MISS USA 2016. Sepse për mrekulli, ky vit përkon edhe me shpalljen e “Nënë Terezës Shenjtore” në 4 shtator nga Papa Francesku, një ngjarje kjo madhore për popullin tonë që nxori nga gjiri i tij Nënë Terezën – Shenjtorja botërore e Bamirësisë.

SHQIPTARË, O BURRA VOTONI PRINCESHËN SHQIPTARE TË BUKURISË!

Një falënderim gjigand për Serenën, që po na nderon!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea, Leter per shqiptaret e Amerikes, SERENA BUÇAJ

Flet regjisori Vladimir Kasa dhe ëndrra e arratisjes për në Amerikë

June 4, 2016 by dgreca

Për gjithë sakrificën dhe vlerat estetike që i dhashë vendit tim, përfitoj sot një pension prej 70 dollarësh…  Vërtetë tragji-komike…  Nuk jam i penduar për gjithcka bëra, ndihem i fortë dhe energjik e me mendje të kthiejllët si në ato vite, por tashme me pjekurinë e moshës dhe një akumulim artistik që dhëntë zoti ndodh ndonjë çudi…  Dhe çudirat ndodhin…  V.Kasa/

 Nga Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

 Kam dëshirë ta filloj bisedën me ju për publikun artadashës me fëmijërinë tuaj, cilat janë kujtimet gjatë kësaj periudhe dhe çfarë vendi kanë zënd në memorjen tuaj?  Janë realizuar ëndrrat e fëmijërisë suaj dhe a kanë qenë ato ëndrra katalizator për t’u lidhur me botën e artit?

 –Në botën magjike të artit jam futur krejt rastësisht.  Në vitin 1968, vazhdoja vitin e fundit në gjimnazin e Pukës i detyruar të ndihmoja familjen e vëllait, i cili ishte transferuar atje.  Unë vija nga gjimnazi “Qemal Stafa” i Tiranës dhe kuptohet që u vendosa perballë një realiteti të mërzitshëm.  Regjisori shkodran Edmond Mëhilli, i sapoemëruar në shtëpinë e kulturës Pukë, më propozoi një rol në dramën “Hijet e Natës” te dramaturgut Vedat Kokona.

E pranova me kënaqësi duke menduar se thyente ditët e mërzitshme e të ftohta e pse nuk kisha marr pjesë kurrë në aktivitete të tilla artistike.  Roli ishte shumë i bukur dhe mbante pothuaj gjithë cfaqjen.  Fillova të punoja me një pasion të çmendur me vehten time.  Kaq shumë më bëri për vehte kjo punë, sa në çfaqjen që dhamë për publikun pata një sukses të jashtëzakonshëm.  E kështu pas një muaji shkuam në Elbasan në festivalin e trupave amatore, ku mora medaljen e artë si aktori më i mirë i festivalit dhe m’u propozua të futesha në Akademine e Arteve, dega dramë.  Kështu vura hapat e para në klasën e profesor Mihallaq Luarasit të cilit i jam mirënjohës për këmbëguljen e tij në largimin tim me studime ne Rumani.  Pasi mbarova vitin e dytë dega dramë, së bashku me një grup studentësh, shkova me studime në Rumani pranë Akademisë së Teatrit dhe Filmit “ION LUCA CARAGIALE”, Bukuresht.

Ju jeni një regjisor i mirënjohur në botën e kinematografisë shqiptare, cilat janë disa nga filmat e rëndësishëm kombëtar që ju keni realizuar?

 Filmi artistik “Streha e re” me regji të V.Kasaj dhe S.Pecani.

Kino Studio Shqipëria e re. 1976

Filmi artistik me dy seri “Ditët që sollën pranverën” me regjisor V.Kasaj. RTSh, 1978

Filmi artistik me dy seri: “Flaka e maleve” me regjisor V.Kasaj. RTSH, 1980

Filmi artistik “Inxhinieri i minierës”, me regjisor V,Kasaj. RTSH, 1981

Kino Komedia “Canta e zezë, me regjisor V.Kasaj. RTSH, 1984

Kino Komedia “Hapi sytë e zezë” regjisor V.Kasaj. RTSH, 1984

Filmi artistik me dy seri: “Rikonstruksioni” me regjisor V.Kasaj, fituesi i çmimit të madh Aleksandër Moisiu në festivalin e filmit në Tiranë, si filmi më i mirë i vitit.  RTSH, 1986

Gjatë xhirimeve ju keni pasur pranë aktorë kombëtarë mjaft të dashur për publikun, cilat janë disa nga momentet më pikante që do të kujtonit dhe çfarë më konkretisht? 

 E doja marrëzisht profesionin tim, e duke punuar në RTSH, që nga struktura mund ta krahasoj me gazetën, kishim lidhur jetën me të dhe nuk njihnim orar.  Kam realizuar me dhjetra teledrama me Teatrin Kombëtar, teatrin “Migjeni”, Shkodër, teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës, atë të Korçës apo Elbasanit dhe Fierit si dhe koncertin e madh të ndërrimit të viteve 1980, 1982,1984, 1987 që nga përmasat ishte produksioni më i rëndësishëm i vitit.  Qindra emisione humoristike apo koncerte në natyrë, me aktorët tanë më të mirë të humorit dhe këngëtarët e mrekullueshëm të vendit tim.  Kam pasur privilegjin të punoj me ajkën e artit Shqiptar, për të cilët ruaj kujtime të bukura.  Dua të veçoj këtu aktorët e humorit si Luftar Pajën, Tano Banushin, Skënder Sallakun, Aleko Prodanin, Ceken, Zef Deden, Gezim Krujën, Fadi Hasën, apo parodistët e Fierit dhe Vlorës.  Këngëarët tanë të mrekullueshëm, Vaçe Zela, Gaqo Cako, Avni Mula, Zeliha Sinën, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku e qindra të tjerë që të më falin se nuk mund t’i përmend në këto pak reshta.  Njerëz të përkushtuar dhe të devotshëm.  Më kujtohet në xhirimet e koncertit të madh të Vitit të Ri 1984, xhironim në skenën e Akademisë së Arteve, ora 03:40 e mëngjesit, ku duhet të vinte të këndonte V.Zela.  Dërguam makinën ta merrte në shtëpi dhe erdhi.  Po qeshte me ne, se na quante lugetërit e natës …  -Po mirë xhanëm nuk ju zë gjumi mbi pultin e regjisë?  Këndoi me atë zë të mrekullueshëm edhe pse e kthyem disa herë…  Kur po ikte më tha: “Vëre dorën në ballë”.  Ishte shumë e nxehtë.  Kam qenë me 39 gjithë ditën vazhdoi artistja.

Qeshi dhe u largua.  Në një nga këto netët e lodhshme më kërkon drejtori i përgjithshem i RTSH-s, Marash Hajati.  Lashë montazhin dhe shkova.  Si është puna me filmin që keni xhiruar në Cakran të Fierit, më tha?  Unë ngela i befasuar se nuk po kuptoja se për çfarë e kishte fjalën…  -Keni marrë një gomar ku hypën Luftar Paja? -Po i thashë… -Duhet ta hiqni nga filmi, se është ngritur organizata bazë e fshatit dhe ka dërguar letër në Komiteti Qendror, pasi gomari është i një të deklasuari…Ju mund të qeshni… por gomari u hoq dhe na detyroi të rimontonim filmin duke parë çdo kuadër se mos dilte koka apo pëlliste diku jashtë kuadrit.

 

Ju keni disa foto me legjendën e Teatrit Kombëtar Kadri Roshin, cili ka qenë bashkëpunimi me të dhe tematika qe aktori pëlqente më shumë si dhe mesazhet që ai përcillte pranë jush në radhë të parë dhe pastaj për miliona artashës që e shikonin me ëndje?

 

Dashuria ime ishte kinemaja.  Kisha shumë ëndrra dhe vija me një informacion të kohës nga studimet në Rumani.  Këtë e ndjeja në punë me kolegët, me aktorët dhe me ekipin realizues të filmave.  Isha shumë egzigjent në punë dhe kërkoja në radhë të parë disiplinë, sepse vija re një lloj indiference nga teknika.  Filmi është art kolektiv dhe nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat në perfeksion ndikon në anën artistike të tij.  Këto raporte kisha krijuar dhe me aktorët, për të cilët dua të theksoj se kisha fatin të punoja me gjigandët e artit skenik si, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Ndrek Luca, Roza Anagnosi, Reshat Arbana, Serafin Fanko, Sander Prosi, Sulejman Pitarka, Bep Shiroka etj.  Isha shumë i ri në moshë dhe puna me ta më mësoi shumë.  Shpesh në shesh të xhirimit shumë gjëra ngecnin për një arsye apo tjetrën, por falë eksperiencës dhe urtësisë së këtyre aktorëve të mëdhenj unë bëra një shkollë të dytë, atë të mjeshtërisë së aktorit.  Vetëm me punë dhe vetëm punë me përkushtim, u formova si artist.

Ky ishte leksioni më i mirë që mora prej këtyre akorëve të mëdhenj…

 

Ndër figurat historike kombëtare keni menduar ndonjëherë për të realizuar një film rreth Ali Pashë Tepelenës dhe për cilin aktor mendoni se do të ishte më i përshtatshëm?  Vetë  qyteti i Tepelenës, kalaja aq pranë , rrugicat e ngushta, lumi Vjosa dhe ura e drunjtë  që  lidh qytetin me vendet e tjera janë  frymëzim i magjishëm për artistët, cili është  opinioni juaj?

 

Unë jam nga Tepelena dhe fatmirësisht kam jetuar aty dy vjet.  Gjithmonë e admiroj këtë vend në kujtimet e mia, sepse vërtet aty kishte gjëra përtej imagjinatës.  Si djali i Cavoit pasi kështu ma kishin vënë nofkën shokët ndihesha komod dhe shumë shpejt u përshtata me ta.  Isha tip sportiv dhe u bëra pjestar i ekipit të basketebollit me Minatorin e Tepelenës që merrte pjesë në kategorinë e dytë.  Njoha shumë njerëz të mrekullueshëm që punonin me përkushtim si pedagog, sportist apo artist, me të cilët kam mbajtur lidhje të vazhdueshme dhe në këtë kontekst nuk kishte si të kalonte pa u ndjerë figura e Ali Pashe Tepelenës.  Në atë kohë qarkullonin shumë legjenda të cilat dëshironim ti preknim në rrënojat e kalasë, sic ishte tuneli që lidhte kalanë me fshatin Damës (ashtu flitej në atë kohë mes nesh)…  Kalon poshtë Vjoses thonin dhe ne që nuk lamë brimë pa kërkuar, apo cdo relike që gjenim e ruanim si hajmali pasi mendonim se na sillte fat.  Shpesh kur shkoja i papërgatitur në mësim, i lutesha një pafilleje që kisha gjetur në kala për të mos u ngritur në mësim dhe cuditërisht funksiononte.  Kështu u mitizua Ali Pasha tek unë dhe ndihesha i detyruar të bëja dicka për të.  Dhe momenti erdhi kur lexova novelën e Kico Blushit “Koka e prerë”.  Kisha shfletuar shumë për të, por kjo më ngjiti dhe fillova të skicoja sekuencat e para.  Në një ditë të bukur kur xhironim filmin “RIKONSTRUKSIONI”me mikun tim aktorin e madh Kadri Roshi dolëm për të gjuajtur peshk në det të hapur.  Ja hodha si ide.  Më pa dhe u emocionua…

E kuptova menjëherë se e ngacmoi mendimi për të luajtur rolin e këtij njeriu të madh… I thashë se doja ta vendosja në kalanë e Porto Palermos përsa i përket xhirimeve në exterier… Fillova t’i flisja gjithë kohës se më kishte hypur delli I frymëzimit dhe pasi më la te flisja pa më ndërprerë, më kapi nga dora dhe me sytë që i shkëlqenin më tha: “Ndoshta do të kem fatin ta luaj sa të jem gjallë”. …Por as ai dhe as unë nuk patëm mundësinë për të realizuar këtë film historik, të parin e këtyre përmasave.

Ndryshimet demokratike të vitit 91, shkatërruan përfundimisht ëndrrën tonë…

Do thoni ju, kush të pengon, bëje tani!…

Mos harroni qe filmi është industri dhe me mundësitë financiare të vendit tonë është absurde ta mendosh.

 

Filmi “Lulëkuqet mbi mure” është një ndër filmat me shikues më të shumtë, ku ju bashkëpunoni ngushtë me regjisorin e shquar Dhimitër Anagnosti cilat janë disa nga vështirësitë qe keni pasur në realizimin e këtij filmi me aktor brilant si Kadri Roshi etj?

 

Bashkëpunimi me regjisorin Dhimitër Anagnosti në filmin “Lulëkuqet mbi mure” ka qenë shumë konkret, pasi jam marrë me zgjedhjen e trupës së fëmijëve të jetimores.  U desh të seleksionoheshin rreth 500 nxënës të shkollave të ndryshme të Tiranës nga ku doli ai grup i vogël i mrekullueshëm aktorësh.  Puna me fëmijët aktor më afronte më shumë me ta, pasi edhe vetë isha në një moshë të re dhe për më tepër skenari i filmit më kishte bërë për vehte, e ashtu sic është shprehur edhe Taqo (kështu i flisnin Dhimitrit) gjetëm njeri tjetrin. Unë solla në këtë film

atë energji dhe akumulimin artistik të përfituar në shkollën rumune, që për hir të vërtetës mund të them që ishte në nivele botërore dhe të mësonte vërtetë ABC-n e kinemasë.  Atë që admiroja tek Taqo ishte disiplina dhe përkushtimi ndaj punës, për të mos folur pastaj për eksperiencën shumëvjecare në kinema.  Dhimitri kishte mbaruar shkollën ruse për operator dhe kjo i jepte avantazhin e madh në ndërtimin e mizaskenave, ndërsa unë fusja në lojën e fëmijëve pikërisht ato çapkënllëqe të fëmijërisë sime.  Në punë kam kërkuar gjithmonë te futem në psikologjinë e personazhit duke e pasuruar ate nga jeta ime, për të thënë gëithmonë diçka të re dhe mos të përsëriteshin klishe të mërziteshme.  Sigurisht kjo ndërthurje mes lirisë time personale të përfituar në vitet e studimit jashtë shtetit dhe llogjikes racionale të Dhimitrit, ndryshuan shumë episode nga skenari fillestar duke realizuar nje film ikonë të kinematografisë shqiptare. Xhironim me Kadri Roshin episodin që fëmijët i lidhin një spango te shkallët për tu hakmarrë ndaj tij. Morëm një akrobat të cirkut që do bënte rolin e kaskadorit në rrëzimin tek shkallët. Shikoja Kadriun që vinte vërdallë nëpër atelier dhe për një moment më mori mënjanë duke më thënë se donte ta bënte vetë pengimin tek shkallët, por unë i thashë se do vritej dhe nuk ja lejonte mosha.

Jo, jo,më tha!  I thashë Taqos dhe pasi nguroi disa çaste u futëm në xhirim. Ajo rënia akrobatike e bërë nga Kadriu u bë disa herë dhe kjo për faj të tij se nuk arrinte atë që donim.  Në dublin e katërt e mbyllëm me sukses dhe të gjithë shkuam të përgëzonim Kadriun.  Hajde këtu më tha, duke më futur pas kuintave.  Ngriti bluzën dhe më tregoi kurrizin e mavijosur dhe të enjtur. Me erdhi shumë keq.  Të hëngri vetë b…i thashë dhe e përqafova.  Në historinë e filmit shqiptar nuk mund të le pa përmendur këtë kastë të mrekullueshme aktorësh pa të cilët nuk mund të kompletohej gjerdani i bukur i kinematografisë.

 

Ju jeni regjisor i filmit “Flaka e maleve” me një tematikë mjaft interesante dhe intriguese cila ka qenë puna juaj konkretisht dhe si bashkëpunuat me aktorët dhe banuesit e zonave ku xhiruat filmin?

 

Filmi “Flaka e maleve” mund të them pa frikë se ka qenë filmi më i vështirë në karierën time. Kisha menduar ta vendosja në zonën e Malësisë së Madhe për ashpërsinë dhe bukurinë e mahniteshme që mbarte në vetëvehte, kështu që u stacionuam në Selcë, afër Vermoshit, në periudhën më të ftohtë të vitit, ku bora shkonte mbi një metër.  Që në ditët e para kuptova se sa vështirë do ta kishim për realizimin e filmit dhe ashtu ndodhi vërteë.  Makinat nuk ndizeshin nga i ftohti, bateritë e kameras (filmi eshte xhiruar në elektronik) nuk mbanin e shkarkoheshin shpejt dhe shumë telashe të tjera që sot kur i kujtoj më zë frika, por mirë thonë që pasioni për punën të bënë të harrosh çdo gjë.  Në këto kushte detyrohem të shpërngulem në Shkodër dhe ta vendos filmin në rrethinat e saj në Bogë, Koplik, Leqet e Hotit, për xhirimet jashtë dhe Shkodër të gjitha interieret në mjedise reale.  Por kjo kërkonte te ndryshoja çdo gjë në skenarin tekniko-regjizorial.  Ai që është profesionist e kupton më mire se çdo të thotë.  Punoja gjithë natën mbi skenar që të nesërmen të isha gati në sheshin e xhirimit.  Filmi i bënte jehonë ngjarjeve të kryengritjes së vitit 1911, në Malësinë e Madhe, por unë dëshiroja të theksoja shpirtin liridashës të shqipetarëve për të rritur ndërgjegjen kombëtare në Kosovë pasi aty kishin filluar levizjet e para për Pamvarësi.  Ndrek Luca ishte në rolin kryesor, ky aktor i madh, kishte kohë që ishte njohur me skenarin dhe në ndryshim nga të tjerët punonte në detaj me personazhin duke i veshur petkun e malësorit dukagjinas prej nga kishte origjinën e tij.  Ansambli i aktorëve u kompletua me trupën e Teatrit “Migjeni” Shkodër, me të cilët kisha bashkëpunuar ne filmin “Ditët që sollën Pranverën” dhe njihja shumë mirë karakteret e secilit.  Ajo që ndodhi më vonë kur filmi mori miratimin për vizionim në publik është e trishtueshme, sepse shumë episode u hoqën me motivin se aludonte me ngjarjet në Kosovë dhe kuptohet që mua më dhëmbi jashtë mase sikur më hoqën një pjesë të trupit tim.  Por më e dhimbshme për mua si krijues ishte coptimi i gjëmës episodi i vajtocave, që në konceptin tim ishte nje spektakël homerik real me vlera kolosale të traditës shqiptare të cilat sot i ka asimiluar koha.  Filmi pati vertetë një jehonë të madhe në Kosovë dhe diasporë, si dhe anë e mbanë e për mua nuk kishte vlerësim më të madh se urimet që merrja ngado.

 

Sot mjaft filma shqiptarë janë nën konstruktim, e mirëpritët këtë ligj?  Çfarë ndryshoni konkretisht tek filmat e mëparshëm dhe pse, ndërkohë që historia është histori dhe i lihet asaj me gjithë vërtetësinë që mbart?

 

Filmi shqiptar po përjeton një situatë të vështirë në shumë drejtime.  Në radhë të pare dhe që për mendimin tim është financiar, sepse fondi i caktuar nga buxheti i shtetit për qendrën kombëtare të filmit është i pa përfilleshëm, pothuaj qesharak dhe e dyta, ne sot nuk kemi salla kinemaje të cilat janë apo nuk janë 3-4 të tilla.

Ky fenomen nuk ndodh vetëm tek ne, sot ka vende të Europës me traditë dhe shumë herë më të fuqishëm se ne, që ka një rënie të theksuar të filmit artistik.  Unë mendoj se futja dhe progresi i madh që po ndodh në elektronikë, sic janë televizionet, po sfidon dita ditës kinemanë dhe që ajo më kryesorja, Hollivudi, ky gjigand i kinematografisë botërore ka përqëndruar rreth vehtes ajkën e aktorëve në botë dhe e kanë kethyer në industrinë më fitim prurëse.  Shikoj në ekranet e TV tanë që transmetohen pothuaj çdo ditë filmat tanë dhe ndiqen me shumë vëmendje nga të rinjtë edhe pse në mënyrë pirateske, pasi janë shumë pak TV që derdhin detyrimet në shoqatën tonë të mbrojtjes së të drejtave të autorëve.  Kam dëgjuar që është një projekt për digitalizimin e TV shtetëror dhe do isha shumë i lumtur që gjithë arkivi i këtij TV (ai që ka mbetur) të mund të arkivohej përsëmbari pasi një nga filmat e mi Ditët që sollën Pranverën (2 seri) i cili është montuar në magnetoskop amerikan AMPEX, nuk mund të transmetohet, pasi kjo lloj paisje nuk figuron më në përdorim.  Ju doni të dini dhe me të drejte shtroni pyetje rreth ndryshimit të këtyre dy epokave.  Sistemi komunist kohë në të cilën dhe janë realizuar këta filma, investonte shumë në anën ideologjike edhe pse njerzit jetonin në mizerabilitet. Orientimi kryesor në fushën e artit si filmi, muzika apo teatri ishte paraqitja e gënjeshtërt e atij realiteti dhe kufizimet ideore të realizmit socialist.  Shumë nga ju nuk e dinë se miratimi i një filmi për t’u shfaqur në publik bëhej nga një komision i ardhur nga komiteti qendror të cilët nuk kishin idenë se nga binte filmi.  Kështu ndodhi me filmin “Flaka e Maleve” apo “Lulëkuqet mbi mure” ku po të vini re një episod si: “mbledhjen e celulës komuniste” duket si çiban në film dhe motivonte rolin e partisë në strehën vorfnore… Qesharake.  Ky paradoks sot duket shumë i largët, por ne që i perjetuam nuk mund ti harrojmë kollaj, apo ajo që mua më tmerronte ishte fakti që pasi i vritej babait diku djali ne kufi…, babai, deklaronte… “Ja bëj hallall gjakun e tim biri partisë”!…  Sigurisht këtij prindi thellë thellë ja dinte shpirti për humbjen tragjike…

 

Ka ndonjë peng regjisori Vladimir Kasa?

 

A kam ndonjë peng?  Eshtë një pyetje që do të jap tri pergjigje, që kurë nuk i kam publikuar më parë.  Në Korrik të vitit 1982 u martova me një pianiste shumë të bukur nga një familje profesorësh të respektuar e quajtur Valbona Kasaj (Shehu) sot pedagoge me emër pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”,Tiranë.  Fati na bashkoi për jetë dy artistë, njera koncertiste dhe plot ëndrra për të ardhmen e saj dhe unë që kisha nisur rrugëtimin tim në kinematografi.  Të vendosur perballë këtij realiteti kuptohet që dikush nga ne të dy duhet të sakrifikonte  dhe të tërhiqej nga ëndrra e tij për t’u marrë me fëmijët, pasi dhurata e parë e Zotit, ishn dy mrekullitë, Alba dhe Flori.  I jam borxhli Vabonës dhe sinqerisht e kam pasur peng  gjithë jetën për sakrificën e bërë, duke më dhënë mundësinë mua ti përkushtohesha profesionit.  Ajo diti të edukonte dhe të rriste dy fëmijë për të cilët jemi krenar, e me një vullnet të jashtëzakonshën u rrit nga ana profesionale ne fushën pedagogjike, duke vendosur bazat e një shkolle të re pianistike, gjë që solli breza të tërë pianistëh që debutojnë sot në skenat amerikane dhe europiane.

Pengu tjetër lidhet me vajtjen time në Romë-Itali në vitin 1989 për blerje filmash në llogari të RTSH-s.  Pas pune ku viziononim me dhjetra filma dhe kalonim ne “site” pranë në studio produksioni italiane, në mbrëmje me miqtë tanë, shkonim në klubin  e artistëve që ndodhej në një lagje shumë të bukur të Romës për të pirë ndonjë kafe.  Aty pata mundësinë të takoja mes të tjerëve dhe shkrimtarin e madh Italian A.Moravia, por ajo qe dua të veçoj është takimi me regjisorin e talentuar dhe shumë të njohur aso kohe Francesco Nutin.  Diskutuam gjatë së bashku për kinematografinë italiane, për plejadën e aktorëve të papërsëritshëm, për shkollën italiane të kinemasë që solli një revolucion në botën e artit, e shumë, e shumë tema të tjera që isha kurioz qysh në rininë time dhe kuptohet që pastaj i kthyem sytë për kinematografinë shqiptare të cilën ai nuk e njihte fare.  Flisja me pasion se kisha ç’të tregoja thoja duke ngritur vlerat e regjisorëve dhe aktorëve tanë.  Aty nga fundi i bisedës dola dhe tek krijimtaria ime duke i treguar që tashmë në këtë histori të kinemasë shqiptare, renditeshin dhe tetë filmat artistik të realizuar prej meje.  Pashë që më shikoi me habi.  Shume i ri më tha për një prodhimtari kaq të madhe dhe pas një pauze qeshi duke shtuar…”Me siguri duhet të jeni shumë i pasur”!  Nuk fola dhe pa dashur më shkoi mendja kur isha student në Rumani.  Ne vitin e dytë të shkollës më lindi ideja të arratisesha në Amerikë pasi mundesia e ikjes ishte shumë e lehtë. Fillova ta bluaja në kokë gjithnjë e më tepër këtë ide, por nuk guxoja ta bisedoja me njeri.  Kisha filluar të kisha emocione dhe natën më zinte gjumi shumë vonë. Pikërisht atë vit duke ecur rrugëve të Bukureshtit me dy shoqet e mia pianisten e njohur Nora Cashku dhe violinisten e talentuar Rajmonda Koço

(gruaja e dirigjentit Eno Koço) pësova një perforacion akut në stomak që falë mikeshave te mia përfundova në urgjencën e spitalit më të afërt.  Nuk kisha vuajtur kurë nga stomaku pasi gëzoja një shendet shumë sportiv dhe mendoj se pikërisht ideja e aratisjes time më krijonte vazhdimisht një pështjellim në fund të barkut.  Nejse, u operova dhe çdo gjë kaloi me sukses e pas dy ditesh më erdhi konsulli ynë me makinë për të shkuar në ambasadë ku familja ime ishte shumë e shqetësuar dhe donte të sigurohej nëse ishja mirë.  Fillova të flisja me nënën time e cila vetëm qante…qante…qante…!  E doja marrëzisht atë njeri të mrekullueshëm dhe teksa po mbaronim bisedën më tha ashtu e mekur: “Më ka marrë malli bir, mezi po pres të shoh”!  Atë natë nuk fjeta fare… Më dilte fytyra e nënës sime, babait, vëllezëreve dhe motrave të mia… Mendoja aratisjen time… Mendoja pasojat që do kishte familja ime… Mendoja nënën time… Do t’i fusja në gropë të gjithë… Ky ishte pengu i fundit që kurrë nuk ja thashë njeriu, por atë natë me Francesco Nutin më erdhi ndërmend dhe e kapërdiva me vehte…

 

Çfarë sollën në jetën e Vladimir Kasaj ndryshimet që ndodhën në Shqipëri pas vitit 91?

 

Asokohe ishim të çoroditur dhe gjëja e pare që më shkoi ndërmend doja të kethehesha pas disa vjetësh në Rumani, për të vetmen arsye  se kisha nostalgji për vitet e shkollës dhe më kryesorja për të takuar shokët e mi, të cilët nga viti 1974 nuk dinin gjë fare për fatin tim, sepse  largimi i të gjithë studentëve shqiptar u bënë mënyrë misterioze dhe të fshehtë, që siç mësuam më vonë” rrezikoheshim të bëheshim kontigjent i agjenturave të huaja, e gjepura të tilla.

Mendoni çfarë butaforie dhe ç’ishte në gjendje të fabrikonte regjimi komunist!  Kështu një natë të ftohtë Marsi pa dijeninë e askujt na mblodhën dhe na nisën drejt Tiranës. Kisha shumë emocion kur u riktheva në Bukuresht.  Më dukej se nuk kishte ndryshuar asgjë. Gjuhën edhe pse nuk e kisha përdorur fare gjatë këtyre viteve e flisja në mënyrë të përsosur.  Mendoni ti fanepsesh krejt papritur dikujt, që pasi ke qëndruar e punuar së bashku vite të tëra apo ndonjë zemre të lënduar largohesh pa pikë politese duke mos i dhëne as dorën.  Çaste vertetë të paharrueshme, përqafime. Por ajo që dua të theksoj ishte fakti se në ato ditë u njoha me një rumun të amekanizuar të quajtur Vasile Boleanu dhe shkëmbyem numurat e telefonit (kuptohet numurat e shtëpisë se celularin nuk e njihnim akoma).  Ky njeri punonte për llogari të një TV amerikan.  Nuk kaluan as tre muaj kur ky person më merr në telefon nga kufiri i Qafë Thanës e më lutet të shkoja ta merrja pasi kishte ardhur me grup xhirimi dhe kishte frikë të udhëtonte nëpër Shqipëri.  Flasim gjithmoë për vitet 92 kur vërtet situata ishte kaotike.  Nuk kam ndërmed të zgjatem se çfarë mikpritje dhe sigurie i krijova këij njeriu dhe grupit të xhirimit.  Realizuam dy filma dekumentar me metrazh të gjatë falë mundësive dhe njohjeve të mia.  E futa dhe xhiroi nga t’i donte e bardha zemër.  Mblodhi kapele ushtarësh e policësh, rrypa mezi dhe helmeta ushtarakësh bile dhe një copë nga statuja e bronztë tashmë të rrëzuar e Stalinit që ishte vendosur përball hotel Dajtit, pasi siç më tregonte, atje në Amerikë kishte një muze personal shumë interesant.  Siç duket i pëlqeva me punën time këtij miku, se realizimi i dekumentarëve u bë falë punës dhe pervojës shumëvjeçare që unë kisha tashmë.  Kam ardhur me mendimin më tha që ty Vladimir mos të dhëmbi koka gjithë jetën…  Ishte fillimi i një rruge të panjohur për ne dhe sinqerisht besonim qorazi në ndonjë mrekulli.  Krijuam firmën “Technical Media Cooperation”, ai president dhe unë zv/presidenti i firmës me perspektivën e ngritjes së një TV privat që do punonte për llogari të një kanali amerikan ku ai punonte.  Ide që unë qysh në fillimet e ndryshimeve demokratike më kishte lindur dhe po e përpunoja në kokë.  Bile kur e diskutoja me koleg më shikonin me habi, pasi ishte koha kur ekonominë e tregut dhe unë që fillova nga të parët të flisja për të, më quanin xhambaz, fjalë e shëmtuar, por ky ishte koncepti komunist i asaj kohe.  U la me këtë rumunin e amerikanizuar të dërgonte një kamera dhe një magnetoskok pasi operatorë të mrekullueshëm nuk mungonin edhe këtu e të merresha me lajme të ndryshme të rajonit që në ato kohë vlonte i tëri.  Që mos të bëhem i lodhshëm ëndrra vazhdonte deri në momentin që shiti filmat me një vlerë marramendëse për kohën dhe su bë më i gjallë.

I dashur lexues, nëse dikujt i bie rasti ta takoj këtë njeri diku andej nga Amerika, i thoni se me idenë që pati e me pak shpenzime në ngjarjet që ndodhën në Shqiperi, si në 97-ën dhe Kosovë, do siguronte lajme që do t’i dhjetëfishonin pasurinë e tij, nëse ishte i tillë dhe mua do më kishte një nga mediat më të fuqisheme, kur TV private këtu filluan pas 10 vjetësh me vonesë. Kështu i zhgënjyer mendova të mbijetoj duke parë se puna në TV Shqiptar dhe prurja e militantëve anonim si dhe paga qesharake për të përballuar jetën më detyruan të gjeja rrugë të tjera jashtë profesionit tim, por rrugë të ndershme!

Dhe në këto reshta të fundit dëshiroj t’ju falënderoj ju znj.Kozeta që më dhatë mundësinë t’i rikethehem pas shumë vitesh magjisë së artit të shtatë ku unë kisha vënë jetën dhe ëndrrën time.  Vërtetë rrëfim i dhimbshëm siç u shprehët ju, por mendoni një jetë të lënë në mes dhe një mosmirëjohje për atë që ngritëm me aq dashuri dhe sakrificë.  Mund të thoni që fajtor jeni ju për shkëputjen totale nga profesioni.  Edhe unë ja kam bërë këtë pyetje vehtes dhe sinqerisht më ka munduar ky mendim për shumë kohë, por nuk jam i vetmi ndër kineastët shqiptarë që u ndodhëm perballë një realiteti të tillë.  Motivet janë të shumta dhe nuk kam ndërmend ti rendis ato këtu, por di t’u them se për gjithë sakrificën dhe vlerat estetike që i dhashë vendit tim, përfitoj sot një pension prej 70 dollarësh…  Vërtet tragji-komike…  Nuk jam i penduar për gjithcka bëra, ndihem i fortë dhe energjik e me mendje të kthiejllët si në ato vite, por tashme me pjekurinë e moshës dhe një akumulim artistik që dhëntë zoti ndodh ndonjë çudi…

Dhe çudirat ndodhin…

 

Qershor, 2016

Staten Island, New York     

Filed Under: Interviste Tagged With: endrra e arratisjes, Keze Zylo, ne Amerike, Regjisori, Vladimir Kasa

Kushtëzimet e rrezikshme të ministri grek Nikos Kotzias(Koxha)

June 4, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Në shkrimet e më parëshëm kemi shkruar se gjyshi i ministrit të jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias, Konstandini kishte lidhje të ngushta me partinë naziste gjermanë, bile ai gëzonte mbështetjen direkt të ministrit të propagandës Joseph Goebbels.

Edhe Nikos Kotzias ashtu si gjyshi i tij ka sot lidhje të ngushta me partinë naziste ruse Fronti Nacionalistë Bollshevik që drejton Aleksandër Dugini, i cili është këshilltar i kryetarit të Rusisë Putinit.

Ministri i jashtëm grek që do të vizitoj Tiranën nga 6-7 qershor, Nikos Kotzas ka ndjenja të theksuara raciste që shpesh herë ai i shpreh haptazi. Në një intervistë që ai ka dhënë para disa kohës shqiptarët i ndante në dy kategori a) Shqiptar normal, b) Shqiptar jo normal. Kotzas shqiptarët nga Çamëria i quan shqiptar jo normal sepse këta kërkojnë pronat e tyre të grabitura pa të drejtë nga Greqia. Por nga burojnë ndjenjat raciste të Kotzas? Nikos Kotzias ka kaluar një fëmijëri dhe rini të dëshpëruar, ku shpeshherë ai është injoruar dhe ofenduar rënd nga moshatarët e tij për të kaluarën naziste të gjyshit Konstandin Kotzias i cili ishte pro Gjermanisë naziste. Ai ka kaluar një fëmijëri të mbyllur, plot urrejtje. Kjo ka ndikuar thellë në botën e tij shpirtërore. Publicisti grek Failos Kranidhitotis ka thënë: “Nikos Kotzias është ende fëmi, kjo nuk është rastësi aksidentale. Ai ka në zemër dhe mendje qartë nacionalizmin“.

Në valixhen diplomatike të ministrit grek Nikos Kotzias që do e shpalosi në Tiranë më 6-7 qershor ka disa kërkesa ekstremiste që dëmtojnë rëndë shqiptarët. Në atë valixhe ndodhen kushtet për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE si dhe njohjen nga Greqia të pavarësisë së Kosovës. Për këto dy vendime që duhet të votoj Greqia ka vënë disa kushte si: 1.Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do bëhet me anë të një marrëveshje të përjetshme ku Shqipëria dhe shqiptarët s’do të kërkojnë kurrë Çamërinë dhe pronat e tyre në tërë Greqinë. 2.Ndërtimin edhe të pesë varrezave të tjera për ushtarët grek të vrarë gjatë luftës italo-greke më 1940-1941, ku numri i varreve bosh të jetë 7.000. 3.Njohjen e Autonomisë së Veriut të Epirit (aneksimi i jugut të Shqipërisë) ku gjuha greke do jetë zyrtare në jugun shqiptar. Shqipëria të jetë e varur De Jure nga Greqia ku në të ardhmen të bashkohen në një Federatë të përbashkët.

Kushtet ekstremiste që mban valixhja diplomatike e Nikos Kotzias duhet përbuzur dhe flakur tej, prandaj shqiptarët që kanë mend dhe duan mend ditën e hënë më 6 qershor të dalin në protestë ora 8.30 minuta për ti treguar grekut Kotzias se nuk do arrihen asnjë marrëveshje midis dy vendeve në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Kushtëzimet e rrezikshme, Nikos Kotzias(Koxha), të ministri grek

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT