• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

VISAR ZHITI : POEZIA NË MISHIN E GJALLË TË HISTORISË

June 28, 2016 by dgreca

Nga  Lorenzo Fiorito/

Pergatiti per Diellin: Eugjen Merlika/

Nuk është e vërtetë, siç ka shkruar Adorno, se mbas Aushwitz-it nuk është më e mundur poezia. Në të kundërt Visar Zhiti ka vërtetuar se nga tmerri i historisë më të errët mund të lindë lirika e madhe.

Zhiti ka jetuar një një Vend, të cilin diktatura staliniste e Enver Hoxhës e kishte bërë, ndoshta, më t’errtin e botës. Nën atë tirani ai u dënua sepse vargjet e tij ishin “armiqësorë ndaj regjimit, të trishtuar dhe hermetikë”, siç shprehej çensura zyrtare. Kujton poeti : “Në qeli të veçimit, për të ruajtur barazpeshën mendore e shpirtërore e për të bashkëjetuar me terrorin që nuk arrija t’a zotëronja, duke mos patur mundësi të lexonja libra apo t’i shkruaja familjarëvet, shkruanja poezi, por vetëm me mënd. I recitonja me zë t’ulët, duke u munduar të pakësonja frikën.” “ E trishtuar dhe hermetike” : gjykimi donte t’ishte zvogëlues, por nuk mund t’ishte më larg së vërtetës. Sigurisht, poezia e Zhitit tregon poshtërsinë, jo figurative por të vërtetë, instiktin e dëshpëruar të mbijetesës, terrorin, gjakun, dhimbjen.

Në vargjet e tij është përshkrimi i diçkaje të ngjajshme me ferrin ; megjithatë ata rrezatojnë gjallëri dhe lumturi, energji e shpresë, dashuri për jetën. Madje humorizëm. Por mësimi i madh, i vërtetë që nxirret nga kjo poezi që lind në gulagët, është se me të përgënjeshtrohet ideja e lirikës si hapësirë individuale që kapërcen të vërtetën objektive.

Përkundrazi, Zhiti dhe poetët e tjerë të mbyllur në kampet e përqëndrimit, do t’a kenë gjetur të çuditëshme idenë e Hugo Friedrich-ut, simbas të cilit qëllimi i lirikës “nuk është bota, por vetëm e vetëm fjala”, pra një subjektivitet krejtësisht i shkëputur e i pavarur. Ndërsa vërshimi në universin thelbësisht të papërgjegjshëm të vetëdijës lirike bashkëkohore, të një përvoje poetike që ushqehet me mishin e gjallë të historisë, tregon se poezia nuk mund të jetë vetëm ajo loja intelektuale për elitat në të cilat është kthyer shpesh. Poezia e Zhitit sigurisht është një poezi e madhe, për gjuhën e fuqishme dhe origjinale, për larminë dhe thellësinë e temave, për kërkimin e formave dhe pasurinë e figurave dhe vendoset në majat e lirikës bashkëkohore botërore. Por këta vargje na thonë diçka më shumë : në ta nuk ka një poetikë jetësore të mbyllur në vetvete, nuk ka një estetizëm të drobitur të një uni lirik ëmbëlsisht të pavetëdijshëm të botës, si mund të themi.

Në të kundërt, Zhiti dëshmon dhe bën të njohur përvojën e vet vetiake, historizon martirizimin e tij dhe i a blaton përsiatjes së përgjithëshme. Për këtë poezia e tij është një vjershërim shumë i lartë qytetar, që si një parmendë lëron ndërgjegjet tona dhe i ushqen me gjellë të re, ndërsa largon çdo perde ideologjike që pengon të kuptuarit e asaj që ka ndodhur në një të shkuar t’afërme në një pjesë jo të largët t’Evropës. Në burg Visar Zhiti frikësohej se nuk mund të ishte pa poezinë : për ne, pa tregimin e tij, pa përfytyrimin e fuqishëm lirik të ndodhisë së tij të dhimbëshme dhe heroike, ajo tragjedi ndoshta nuk do të kishte ekzistuar në përmasat në të cilat ai na e paraqet.

Kështu, fati vetiak i një njeriu që ka hasur dhimbjen e historisë, është bërë dëshmi e gjallë, letërsi e madhe, poezi madhështore.

Lorenzo Fiorito është një profesor i Gjuhës dhe Letërsisë angleze pranë Universitetit “Oriental” të Napolit. Ushtron profesionin e tij edhe në katedra të tjera të Vendit të tij si “Federico II” dhe “Suor O. Benincasa” të Napolit, n’Universitetin e Molises, n’atë të Cassinos etj. Ka lindur më 1955 në Gruno Nevano, provinca e Napolit, ku jeton edhe sot.

Shkrimi, që kam përkthyer, është marrë nga Websiti i shtëpisë botuese Diana Edizioni e cila, në vitin 2012, me kujdesin dhe pregatitjen e profesorit të njohur  Elio Miracco, ka botuar vëllimin me poezi të shkrimtarit e poetit të njohur Visar Zhiti, me titull “Confessione senza altari” (“Rrëfim në asnjë altar”). Shkrimi i profesorit napoletan Fiorito dëshmon edhe njëherë nivelin e lartë të vlerësimit, në rrafsh ndërkombëtar, të personalitetit letrar e poetik të Visar Zhitit i cili, simbas tij, qëndron “në majat e lirikës bashkëkohore botërore”.

Qershor 2016                                                                        Eugjen Merlika   

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Lorenzo Fiorito, perktheu Eugjen Merlika, VISAR ZHITI : POEZIA NË MISHIN E GJALLË TË HISTORISË

LAMTUMIRE MESUESI YNE, STUDIUESI HARUN GRECA!

June 28, 2016 by dgreca

Sot mesova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të kushëririt, mësuesit, kolegut, shokut tim të shtrenjtë, djalit të xhaxhait Harun Greca . Zemra e Harunit pushoi së rrahuri mbrëmë në orën 1 pasmesnate në Tiranë, ku ai banonte së bashku me familjen.

Haruni ishte për mua jo vetëm kushëri, por edhe frymëzues në jetë. E kisha mësues, e kisha koleg dhe shok. Ai na mësoi që kur ishim të vegjël, si nxenes te tij, se si të bëheshim të vlefshëm për jetën. Ai ishte modeli i njeriut studiues serioz qe nuk dinte të tërhiqej.
E kishim mësues, më pas koleg. Sa here shkoja në vendlindje do të shkoja ta takoja patjetër Harunin dhe bisedonim e cmalleshim.
Haruni ka dhënë një kontribut të vecantë për arsimin shqiptar si mësues, drejtor shkolle, i perfshire ne grupe studimore, ne grup autoresh per tekste mesimore, por edhe studiues, që dha shumë në fushën e historise dhe të gjuhësisë. Ishte i pari që zbardhi krimet e Serbëve në Darësisë duke sjellë të plotë masakrën e kryer në fshatin Gjuzaj gjatë luftës Ballkanike, ku u theren 33 burra.
Libri i tij” Darsia:Nga Lashtesia deri ne vitin 1944” hedh dritë dhe sjell të dhëna të rëndësishme për krahinën e Darsisë së Lushnjës si nga ana historike, ashtu edhe gjuhesore, etnografike, madje dhe arkeologjike.
I konsiderushëm është kontributi i Harunit në fushën e Gjuhësisë. Ai ishte bashkautor në disa libra të Gjuhës për mësuesit dhe nxënësit, si:
1- Gjuha Shqipe 9- Teksti për nxënësit e shkollës 9-vjecare.
2- Gjuha Shqipe 9- Libri i Mesusit-Per Klasen e 9 te Shkolles 9-vjecare.
3- Mesonjetoret e Daresise te Lushnjes, bashkautor.
4- Po ashtu ishte autor I pjesëve të Leximit të përfshira në programet e Minisitrisë së Arsimit pas viteve ’90.
Me ikjen e Harunit familja humbi njeriun e dashur, arsimi humbi edukatorin e përkushtuar dhe studiuesin serioz.
Haruni se bashku me bashkeshorten e tij mesesen Liri, rriten tre femije te perkushtuar dhe te edukuar Eleonoren, mesese e dalluar, Albanin-mjek renimator dhe Silvanen, pedagoge ne Universitet. U shpreh ngushellimet me te thella te miat dhe te Familjes.
Shpirti ne Paqe kusheri, koleg, mik i shtrenjte.
Me kete rast ngushelloj vellezerit: Musa, Hajdar, Shaqir, Shuaip dhe motren Fatime si dhe te gjithe te fisin e madh te Greceve! Ngushellime! Do ta ndjejme mungesen e Harunit!

Dalip Greca

Filed Under: Kronike Tagged With: HARUN GRECA!, LAMTUMIRE MESUESI YNE, Studiuesi

DIASPORA- “DITË SHQIPËTARE NË ITALI”

June 28, 2016 by dgreca

 

Mbresa nga “Ditët e kulturës shqiptare”,2016 në Mantova,një sofër e bashkuar e artit dhe zemrave shqiptare,në zemër të Italisë/

Nga Jaho MARGJEKA/

Jemi nisur nga Tirana një pasdite qershori drejt Italise,të ftuar nga Federata Nacionale e Shoqatave Shqiptare në”Ditët e kulturës shqiptare”në Mantova.Në bordin e autobusit nuk ka udhëtarë të rastit por artistë të Ansamblit të Këngëve e Valleve të Shqipërisë.Na pret një rrugë e gjatë prej njëmijë e sa kilometra deri në Mantova.Gerti,drejtori i Ansamblit sigurohet se gjithçka është gati,dhe nisemi.Udhetojmë gjithë natën.Udha përshkon brigjet e Malit të Zi e Kroacisë.Diku në autostradën e Kroacisë zbardh mëngjesi.Ngado gjelbërim.Ndalojmë herë pas here për pak pushim e për ndonjë kafe.Sapo kemi lënë prapa Rijekën dhe dikush na e kujton se aty ka luajtur njëri nga sulmuesit e kombëtares tonë të futbollit,Bekim Balaj, transferuar kohëve të fundit në Grozni dhe mesfushori po i kombëtares Odise Roshi.Edhe në autobusin tonë mbizotëron atmosferë “Europiani”.Mbërrijmë në Slloveni,në Kozina.Aty ndalojmë jo në auto Grill por në një Pizzeri,ku shohim se ka televizorë që japin sport.Është ora e kombëtares sonë në Finalet e Europianit,Francë 2016.Ka filluar ndeshja me Zvicrën.Emocionet janë të mëdha tek të gjithë.Qindra kilometra larg Shqipërisë dhe na duket sikur Shqipërinë tone e kemi aty,pak metra më larg,tek aparatet televizive.Krenari e ligjshme,edhe pse largohemi paksa të mërzitur.Kemi lënë prapa Slloveninë e nga sipër shohim Triesten.Midis Sllovenisë,cepi i fundmë i ish Jugosllavisë dhe Italisë,nuk ka më kufij,veçëse ca ish kabina kontrolli të braktisura,gjysëm të rrënuara,simbol i Europës së ndarë.

Mirëse të gjejmë Itali.Mirë se ju gjejmë motra e vëllezër shqiptarë.Për katër pesë orë jemi aty,në Mantova.

***
Buzëmbrëmje.Fushat e pamata të Lombardisë,që i gjarpëron mes për mes lumi Po,plot grurë e vreshta,sikur marrin pak frymë nga vapa e ditës.Mantova,qarkuar përreth nga tre liqene,dhe ajo,në mes si shtojzovalle.Kryeqyteti i kulturës italiane për vitin 2016,e këto ditë edhe i kulturës e artit shqiptarë.
“ABC”, quhet edhe hoteli ku akomodohemi, e neve për një çast na duket sikur organizatorët e kanë zgjedhur enkas.Edhe shqiptarët në vitet ‘90 gjithçka nga abc-ja e filluan në Itali.Tani është realitet tjetër.
Në darkën e mirëseardhjes përshëndetemi me mikpritësit dhe të ftuarit e tjerë që kanë ardhur përpara nesh në Mantova.Na e urojnë mirëseardhjen Presidenti i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali z.Ndue Lazri,anëtari i Kryesisë Klodian Cami,kryetarja e Shoqatës shqiptare “Shqiponjat”në Mantova,njëra nga organizatoret e perkushtuara të kësaj veprimtarie Anila Kaja,dhe piktorja Alketa Delishaj,veprimtare e palodhur që kujdeset të mos na mungojë asgjë në tavolinën e bollshme të mikpritjes.Presidenti i Federatës Ndue Lazri më tregon se e shtuna kur ne akoma ishim në udhëtim,kishte qenë e mbushur plot me veprimtari:-“Në shtëpinë e Rigoletos,bufonit tragjik të operas së Verdit një ndërtesë e viteve 1400 në hyrje të sheshit të madh e të bukur “Sordello”, përballë pallatit të famshëm e të madh dukal,ishte hapur ekspozita me fotografitë artistike të fotografit të talentuar Llesh Prendi,emigrant nga Lezha dhe me punimet në pikturë të Alketa Delishaj e Xhimi Hotit nga Shkodra.Ishte ekspozuar edhe një fotopeisazh i fotografes së re shqiptare nga Athina,Vivian Horieti.
Ndërsa në ceremoninë e hapjes kishin qenë të pranishëm të gjitha autoritetet lokale, që nga Kryetari i bashkisë, Mattia Palazzi, prefekti Carla Cincarilli, zëvendëspresidentja e provincës së Mantovës Francesca Zaltieri, përfaqësuesi i Rajonit të Lombardisë Marco Carra, komisari i armës së karabinierëve dr. La Gana, artisti Carlo Micheli që ishte marrë personalisht me organizimin e ekspozitës,etj.
Skulptori i punimeve në dru, regjisori, aktori dhe fotografi Llesh Biba,i ardhur posaçërisht me punimet e tij nga Tirana, i cilësuar si Salvador Dalì i artit shqiptar,i kishte dhuruar Kryetarit të bashkisë një skulpturë, nga njëra anë e së cilës është gdhendur stema e qytetit të Mantovës dhe nga ana tjetër portreti i Heroit tonë kombëtar,Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Pastaj në skenën e teatrit Bibiena,në pianon mbi të cilën ka luajtur Mozarti, në moshën 6 vjeçare, ishte ulur një vajzë e re shqiptare,Barbara Veleshnja Milova.Ndërkohë i riu shkodran Klodian Kojashi, një djalë i talentuar që jeton në Piemonte të Italisë,kishte sjellë historinë e një emigranti politik italian, nga Piacenza,famëmadhit Pietro Marubi,i cili aty nga vitet 1850 u vendos në Shkodër dhe që do ndërtonte dinastinë artistike të fotografisë“Marubi”, duke i lënë një trashëgimi e pasuri kulturore të pashembullt Shkodrës dhe Shqipërisë.
Ndërsa në sallën e bibliotekës “Nautilus”, vënë edhe ajo në shërbim të krijuesve shqiptarë,ishte promovuar vepra e poetit Tonin Nikolli, kryetar i Shoqatës të Shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë me qendër në Verona,ku mbi vlerat e krijimtarisë së Toninit kishte folur shkrimtarja Valbona Jakova që jeton e krijon në Breshia”.Më vjen keq që nuk ishit edhe ju,përfundon rrefimin Ndueja.
Mes bisedave të ditës e “planeve”për të nesërmen,tashmë darka ka mbaruar.E kemi tepruar pak me”Vino Rosso”.
Kthehemi vonë në hotel.Nata është e qetë.Qëndroj për pak çaste në verandë dhe imagjinoj surprizat që mund të na i sjellë e nesërmja.Me vehte kam ca kopje të një prej librave të mi me poezi.Rrugës në autobus dikush më ka thënë se në Mantova gjendet shtatorja e Virgjilit.

***
Mëngjesi i parë në Mantova.Në hollin e Hotel ABC-s,përshëndetem me Nduen dhe zëvëndësministrin e Kulturës z.Zef Çuni.Përveç kontributit të Ministrisë së tij me vënien në dispozicion të autobusit për Ansamblin e Këngëve e Valleve, ka ardhur edhe ai vet për ta ndjekur nga afër këtë eveniment të kulturës shqiptare në Itali.Në barin e hotelit tek pi kafen e mëngjesit shfletoj gazetat e ditës.”la VOCE di MANTOVA”shkruan për “Ditët e kulturës shqiptare”,me fjalë lavdëruese për komunitetin shqiptarë në Mantova dhe Itali,duke i ilustriar shkrimet me disa foto nga veprimtaritë e ditës.Ndërsa e përditshmja më e madhe sportive ne Itali “La Gazzetta dello Sport”,shkruan me simpati për lojën e kombëtares sonë ndaj Zvicrës,edhe pse me dhjetë lojtarë e një humjeje minimale.Ndërkohë më zgjat dorën dikush që më ngjan si i njohur,dhe nuk isha gabuar.Ishte gazetari e veprimtari i Komunitetit shqiptar në Itali Dilaver Baxhaku.Me Dilaverin njihesha që kur unë isha student dhe ai sekretar Kolegjumi te”Zëri i Rinisë”.Tani Dilaveri jeton midis Italisë e Shqipërisë.Shkon e vjen.Ka ardhur në Itali në vitin 1990.Ditët e para të mbërritjes këtu-thotë Dilaveri,kam bartur pllaka mermeri në kurriz,nga kati i parë i një ndërtese deri në katin e shtatë.
Mëngjesi i së dielës është i vërenjtur e me ca riga shiu.Grupi ynë i drejtohet zonës turistike të qytetit.”Casa di Rigoletto”është ndalesa jonë e parë.Bëjmë ca foto në oborr me Rigoletton.Ambientet brënda janë impresionuese.Po ashtu edhe ekspozita e hapur në këto ambiente e piktores e fotografes Alketa Bercaj Delishaj dhe e kolegëve të saj.Kolegu im në Radio Tirana gazetari Anxhelo Xhaçka kur u nisa,më kishte thënë ta vizitoja edhe Katedralen e Mantovës ku në një vitrinë
është ekspozuar dheu ku ka pikuar gjaku i Krishtit.Përpara Katedrales një grumbull i madh turistësh prisnin për të hyrë brënda.Ne kohën e kemi paksa të limituar.Kështu janë të dielat këtu,thotë Dilaveri,shpesh duhet pritur gjatë për t’i vizituar këto monumente të trashëgimisë njerëzore.
Mbërrijmë në sheshin “Mantegna” ku pasdite do të jepet koncerti i Ansamblit tonë.Pasdite nuk ka shi,thotë dikush nga organizatorët dhe na lajmëron se dreka është gati në restorant “ Xhi xhi”,aty afër.Unë e Dilaveri jemi harruar në bukuritë e mrekullitë e ndërtesave hijerënda qindra vjeçare të zonës muzeale,dhe me hijeshinë e kalldremeve me gurë të rrumbullakët, të tejmbushur me vizitorë.Më në fund mbërrijmë te “Xhi xhi restorant”.Një vajzë e gjatë simpatike na drejton tek një tavolinë ku ka vend edhe për dy karrige.Aty prezantohemi me drejtuesen e shoqatës arbëreshe “Vorea”nga Frascineto,Lucia Martino,dhe bisedojmë gjatë me të herë në arbërishte e herë me përkthimin e Dilaverit në italisht.E kisha dëgjuar,por tani po e takoja gazetaren e Radio Kosovës Vera Pelaj.Po ashtu kolegen,gazetaren e Radio Athinës,programi në gjuhën shqipe,Bardha Mançen,ndërsa poeten shkodrane që prej shumë vitesh jeton në Itali,Lili Bimi,doli se e kisha frend edhe në facebook.Përshëndetemi edhe me durrësaken Angela që kishte ardhur nga Ankona.Orët kalojnë shpejt me trokitje gotash,biseda e foto të përbashkëta.Faleminderit”Xhi xhi”.Vera juaj ishte më e mira e italisë.

***
Sheshi “Mantegna” është mbushur plot shqiptarë,turistë të huaj e italianë.Shqiptarët dallohen lehtë,më thotë Dilaveri,pasi i mbajnë fëmijët mbi supe,”kaliqafë”.Një diell mantovan na përkëdhelet mbi fytyrë.Ka ardhur ora e koncertit të Ansamblit tonë të Këngëve e Valleve popullore.Kemi udhëtuar qindra kilometra që nga Tirana për këtë moment të vecantë.Në tribunën e improvizuar përshëndesin autoritetet lokale dhe organizatorët nga Komuniteti Shqiptarë. Zëvendëskryetari i Bashkisë Giovanni Buvoli, i dhuron zëvendësministrit tonë të Kulturës Zef Çuni simbolin e poetit Virgjili,shtatorja e të cilit lartësohet vetëm pak më tutje nga sheshi “Mantegna”.
Gjëmimi i një daulleje lajmëron ardhjen e artistëve.Për pak në skenë dhe sheshin përpara saj sikur mbijnë nga dheu dhjetëra buqeta të mëdha shumëngjyrëshe.Janë valltaret e Ansamblit me shamitë e kuqe e të verdha,që valëviten hijshëm në konstelacionin e veshjeve të pjesëtarëve të grupit ku mbizotëron e bardha,e kuqja dhe e zeza.
Kënga e vaji janë balsam për shpirtin.Këta njerëz këtu kanë gjithçka por nuk e kanë këtu atdheun.Një pikë lot në cepin e syrit është dashuria,brenga e malli i Shqipërisë.
Kam fotografuar e kënduar edhe unë sa gati më është ngjirur zëri.Publiku e artistët tashmë janë bërë një.Vallëzojnë e këndojnë bashkë.Drejt nesh fytyrqeshur vjen një mesoburrë me ca mustaqe.-Mirëse keni ardhur pershendet,dhe tokim duart së bashku.Është poeti Skënder Lazaj,prezanton dikush.-Të kam kërkuar në “qiell” dhe u takuam në tokë i them Skënderit me të qeshur,pasi ditë më parë në Google në internet kisha hulumtuar për krijimtarinë e tij letrare,për rubrikën poetike të emisionit tim “Larg dhe Afër”në Radio Tirana.Skënderi jeton prej njëzet e ca vitesh në Breshia dhe ka botuar dy libra me poezi e ka në dorëshkrim edhe disa të tjerë.Ndërkohë në skenë është ngjitur Ansambli artistik i Shoqatës “Ana e Malit”,nga Ulqini,të cilët i ka përgatitur me kujdes e pasion të veçantë mësuesja dhe artistja e palodhur Luljeta Avdiu Cura.Kostumet e bukura shqiptare me ngjyrat e ndezura,xhamadanë të kuq e plisa të bardhë permbytin skenën e këtij sheshi.Një djalë i ri i afrohet mikrofonit.Jam Edis Luka nga Ulqini thotë ai,dhe me një zë burri nis e reciton ca vargje lirie.Kisha dëgjuar për artizanin shqiptar Petrit Kozeli, kavalier i republikës italiane, i njohur për këpucët dhuruar presidentit italian apo Papa Françeskos,por se do ta takoja këtu se mendoja.E urova me shpirt këtë shqiptar duarartë dhe më mbeti merak që për arësye të rrethanave të momentit nuk arrita të realizoja me të një intervistë.Një herë tjetër me siguri.

***
Nga sheshi”Mantegna”atmosfera është zhvendosur në darkën përmbyllëse të “Ditëve të kulturës shqiptare”në Mantova-2016.Këngët e vallet shqiptare s’kanë të mbaruar.Ansambli i Këngëve e valleve nga Tirana dhe Ansambli nga Ulqini kanë ngelur disi”prapa”.Fuqinë e kane marrë “vendasit”.Këgë e valle shkodrane e përmetare,çame e kosovare,nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan.Një sofër e bashkuar e artit dhe zemrave shqiptare,këtu në zemër të Italisë.Të ftuar në këtë darkë të përmbylljes së këtij aktiviteti ishin më se njëqind protagonist e pjesësëmarrës. Presidenti i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali gazetari e poeti Ndue Lazri me kolegen Anila Kaja dhe të palodhurin Klodian Cami, por edhe me zëvendësministrin e Kulturës të Shqipërisë z.Zef Çuni gjejnë ndonjë rast të falënderojnë e të bëjnë ndonjë foto me pjesemarrësit e protagonistët.Në një intervistë për Radio Tiranën z.Lazri na falenderoi përzemërsisht ne që udhetuan nga Atdheu për të marrë pjesë në këtë festë të artit e kulturës shqiptare në Mantova.Falenderoi në veçanti atë ekip të palodhur djemsh e vajzash shqiptare që jetojnë e punojnë në Mantova e që shumë ditë përpara aktivitetit dhe gjatë tri ditëve të tij kanë bërë pak orë gjumë me merakun që çdo gjë të shkojë mirë. Blerta Veleshnja e Massimiliano Artioli, Nesti Ballçiti e Adriana Ballçiti, Klaudia Gargjiola e Petrit Kozeli, Silvana Trumçi e Albina Lufi, Edvin Kaja e Kristina Cenolli,etj,etj. Mirupafshim vëllezër. Gëzuar dhe mirë se të takohemi përsëri.

***
Mesnata ka mbëshjellë anë e mbanë Mantovën.Fresku i natës përkëdhelet me shtatoren e Virgjilit që unë se pashë dot.Epo,t’i vish kaq afër e të ikësh pa e parë,..Ndoshta ndonjeherë tjetër.Edhe tri vjet bëhën plot njëmijë vjet që Virgjili poet fizikisht ka ikur nga fushat e gjera të Lombardisë e brigjet e lumit Po.E,megjithatë ngryset e gdhihet aty,në Piedestal,mes mantovanëve të vet.
Nesër në udhë për Atdhe.

 

Filed Under: Mergata, Reportazh Tagged With: - Ditët e kulturës shqiptare, 2016, JAHO MARGJEKA, Mbresa nga, NË MANTOVA, në zemër të Italisë, një sofër e bashkuar e artit dhe zemrave shqiptare

Numrat , Stoli e Gënjeshtërt apo Zgjidhje?

June 27, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Asnjëherë nuk kam besuar në numrat e komunizmit   dhe Numërorë që ngrihen dhe zbresin sipas nervave të “Udhëheqjes”  që  piratizojnë ndër fletë dhe kompjutera gjahtarë (jo algorithm…*) e më pas zhgërryhen ndër xhepat dhe portofolet e Numërorit,  të cilët rreken për të bërë emër dhe pushtet  me plaçkë, ku prapa  kanë një shpurë mjeranësh dhe servilësh të neveritshëm. që gërrhasin në nevojtoret e tyre “mediatike” për të bërë të njohurën  terra incognita*.

Numri metalik   është hipokrizia  më e  këndshme e njeriut në përgjithësi,.. Megjithatë, hidhërimi  dhe gëzimi , batica dhe zbatica e  përzier  shpesh  krijon një shock epileptik që zhvesh  amorpropin e  personit . Për këtë arsye nuk kam besuar në numra komunistë dhe postkomunistë, të cilët , lindën Numërorët e sotëm … sidomos  kur numri e bën njeriun  urë dhe daltë të  servilizmit , ku  shformon një lis me rrënjë e gjethe në një lëndë që shërben , por nuk e ka bukurinë dhe gjelbërimin e jetës.

“Librat e shtëpisë” pranojnë metamorfoza  prej Numërorëve që janë aleanca e zvarranikëve …Zhvendosja e arsyes në shtratin Numëror transformon  personin  në objekt , ku misioni human degradon. Politikanët  e sotëm do të ishin ndryshe sikur numrat nuk do të ishin gjyslykë  dhe qëllim. Ashtu si qeveritari  send   molepset pas  karriges  dhe bëhet kolltukofag , ashtu gjahu i numrit   pjell Numërorë të babëzitur  që korrin frutet e tjerëve, pa mbjellur asnjëherë vetë!

Një varfanjak dinjitoz  ndërron jetë pa e njohur askush,  megjithëse është i barabartë në frymë  përpara aktit final . Përcjellja në banesën e fundit çalon nga pjesmarrja  dhe  publikimi… Ndryshe është kur një Numëror punon me numra dhe në kostumin e tij ka  një numër , qoftë ai numri katër. E pra ne , katërshalacët i kemi tallur ose mëshiruar…Tani është ndryshe … Mjafton të kesh një numër dhe ky numër të numërohet prej Numërorëve, të cilët nuk e kanë për gjë që nëse nuk i bën hise për “tortën” , ata mënjëherë të heqin një minus, që herën tjetër ti duhet t’a kthesh në plus, ose shkon si varfanjaku …

Çanta e metalikëve Numërorë është bërë aq e rëndë , sa vetë ata kanë pësuar zhvendosje gjeografike dhe politike…Çështja nuk është më se si parimi shpirtëror është çelësi i jetës dhe zhvillimit njerëzor , por se si  parimi Numëror është shumfishimi i numrave … qofshin  lopë apo derra , hajdutë apo kriminelë, injorantë apo servilë .Mjafton që standaret e numrave  të jenë në shumëzim, – “Shikoni se si zhvillohemi ne” . Firmosim për dekriminalizim dhe i njohim ata , por  ata janë përsëri të “nderuar” , pikërisht se janë pjesë e numrave dhe Numërorëve ,  pjesë e ekuacionit të matematikës egotistikale , ku  praktika e  zhvillimit postkomunist përdor terrenin e  varfërisë së shoqërisë civile  për ta degjeneruar  shtetin dhe kthyer atë si në përrallën arabe  “ Ali Baba  me 40 hajdutë”.

Po ti testosh politikanët shqiptarë  për shkencat politike  dhe filozofinë e zhvillimit të shtetit ,  të gjithë mbesin në klasë. Po ti  testosh në numra dhe punë private , të gjithë e kalojnë testin 400% …E pra dikush do të thotë : “Kjo është tradhëti,  hajdutëri , banditizëm”. Unë them se,  çdo njeri ka të drejtë të thotë atë çka mendon  pa fyer dhe kaluar caqet e kodit të sjelljes dhe pse Numërorët as nuk duan t’ia dinë çfarë mendojnë të tjerët, jo pse janë aq të “këqinj”, por se ata nuk  e kuptojnë jetën ndryshe.Morali i tyre është numri metalik   dhe jashtë këtij konteksti çdo gjë tjetër është e pakuptueshme  dhe e pa jetë .

Mendoni për një moment…, në Amerikë , gjatë depresionit të vitit 1928,   , u vetëvranë  disa milionerë , pikërisht se koncepti i tyre nuk ishte se  truri i njeriut  krijoi numrat , por se  numrat bënë njeriun Numëror dhe pa numra  njeriu është një hiç!

Pra , sëmundja e numrave nuk është vetëm për të mjeruarit që erdhën nga mjerimi postkomunist ku lindën kleptokratët ,  por dhe për milionerët  dhe bilionerët botërorë nga shekujt e kaluar dhe në shekullin XXI …Këtu koncepti ndryshon ,  nga  vetë  tradicioni që ka  testament  trashëgues , ku numërorët dhe nëse  janë qëllim në vetvete i shërbejnë njerëzimit si zhvillim …Dinastitë e ngritura mbase kanë ardhur dhe nga hiçi , por janë institucionalizuar si fuqi jetëdhënëse ,  punësim dhe zhvillim dhe jo plaçkitje . E megjithatë , sipas mësimeve të Biblës, sëmundja e numrave  është e njëjtë, diabolike ! Kjo në filozofinë  e shpirtit…Mendoj se, numri duhet të jetë shërbëtor i njeriut , dhe jo njeriu skllav i numrit…Njeriu është tranzitor dhe si i tillë nuk duhet të kulmojë  që unin ta kthejë në kult!

Personazhi  i Balzakut, Gobsek , vdiq me krye në hi  pa i shijuar florinjtë që kur ish gjallë i pat fshehur poshtë atij hiri ku i pushoi koka . Steve Jobs , në letrën e fundit , vulosi përfundimisht që  numrat metalikë nuk janë ekuacioni i jetës , por stolia e gënjeshtërt e personit!

*Në histrorinë e njerzimit , i pari njeri që ka shkruar  programin e parë kompjuterik  ka qenë femër. Bija e Lord Byron , e quajtur Ada Lovelace.  Programi i saj është quajtur , Algorithmi i Adës. Sipas   Walter Isaacson , Ada ,  krahasohet me Stive Jobs…

*Terra Incognita= Tokë e panjohur.

Filed Under: Analiza Tagged With: alfons Grishaj, apo Zgjidhje?, Numrat, Stoli e Gënjeshtërt

FOTOLAJM NGA KUFIRI I KOSOVES

June 27, 2016 by dgreca

VV në kufirin e Kosovës me Malin e Zi vendos tabelën dhe flamurin kombëtar/

Sot deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje vendosën tabelën e shtetit të Kosovës në pikën ku duhet të jetë kufiri me Malin e Zi. Aty ngritën edhe flamurin kombëtar shqiptar, kuqezi.

“Pika kufitare me Malin e Zi, për qytetarët e Republikës së Kosovës, është në Kullën e Zhlepit dhe tek Maja e Çakorrit. Nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që për interesa personale të një grupi kriminal në pushtet, të zvogëlohet territori i Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatën e VV.

Filed Under: Kronike Tagged With: demarkacioni, Vetevendosja vendos Flamurin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT