• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

Atdheu i humbur

July 25, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

”Duro o zemër, duro…/

Siç duron bora në male”/

Jeronim De Rada/

Natën e mbrëmshme shikoja një emison për ruajtjen e traditës arbërore bash aty në jugun e Italisë. E ndofta nga kjo më çukiti kokën ky dy vargësh ”duro e zemër, duro/ siç duron bora në male.”, i De Radës. Poetit që përfaqëson atë, të ashtuqujturën letërsia e arbëreshëve të Italisë. Kjo histori e vjetër shqiptare, që njihet në analet europiane. Si historia e njerëzve me atdhe të humbur. E gjitha kjo nga rënia e Bizantit dhe triumfi i osmanllinjëve. Shqiptarët e asaj kohe, i kishin dhënë europës një ëngjull mbrojtës. Ky quhej Gjergj Kastrioti. Por shuarja e prijësit, vrulli osman, do i binin për së pari në kokë atyre vetë. Ndaj memoria mesjetare u njeh shqiptarëve shtatë eksode të mëdha. Rreth dyqind e ca mijë njerëz që u detyruan të linin vendin. Për t’i shpëtuar reprezaljeve, shfarosjes etj. Dhe që sot veç historisë së uzurpuar, kanosjeve ideologjike, shpirtrave të frymëzuar nga devotshmëria fetare etj. E flatron ajrin shqiptar vetëm një këngë e kohës. Ajo me titull, ”Moj e bukura More”. Të tjerat janë një kapitull i lënë pas dore. Ndofta për neglizhencë. Apo dështimeve të njëpasnjëshme për mos bërjen e një shteti të qëndrueshëm. Ndofta për shkak të eksodeve moderne që solli disfata e ekonomisë së planifikuar etj. Ku ka gjetur terren të hatashëm sponsorizimi i besimit nga lindja. Por edhe për shkak të konfliktualitetit politik të vazhdueshëm. Sa që çështjet kombëtare duken si një luks i largët për shqiptarët. Shkurt, nuk ka as interesin më të vogël. Përshembull shqiptarët aktualë janë të ndarë në erdoganistë ose gylenistë. Në orthodoksë grek ose nolistë. Duke ua lënë dhuratë atë orthodoksinë bizantine arbëreshëve të Italisë.

Megjithatë është një fakt i gjallë, që ne, nuk na shqetëson fare.

Por mjaft bërrtitës për të kuptuar identitetin tonë në lidhje me tabiatet (zakonet) e orientit. Një lloj simboli i njeriut që humb atdheun. Dhe që kthehet në një ishull diku. Për shkak se atdheun real e ka mbërthyer ekstaza e kalifatit dhe e sulltanit. Kështu, sot shqiptarët aktualë janë më shumë të shqetësuar për ata që i dëbuan. Se sa për njerëzit e tyre të dëbuar.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Atdheu i humbur, Ilir Levonja

Si mbërriti Busti i Fan Nolit në Durrës…

July 25, 2016 by dgreca

…. Qytetarët, e lanë jashtë gardhit, se nuk është grek!…/*

Pas katër vitesh përpjekjesh të vazhdueshme, busti i Fan Nolit, themeluesit të kishës ortodokse shqiptare, është vendosur përpara kishës ortodokse Shën Pavli e Shën Asti në Durrës. Dy vjet më parë ishte kjo kishë që refuzoi vendosjen e bustit të themeluesit të kishës ortodokse, bust i cili u vendos në kishën e Elbasanit me këkresë të at Gjergj Markut. Po sot. bashkia e Durrësit i dha titullin “Nderi i qytetit të Durrësit” pas vdekjes me motivacionin “Personaliteti i shquar kombëtar e Metripolit i Durrësit Fan Stilian Nolit. Në ceremoninë e zhvilluar kanë marë pjesë autoritetet vendore, përfaqësuesit e kishës ortodokse dhe lëvizja “Foleja kombëtare Shqiptare”, e cila është edhe nismëtare e vendosjes së bustit të Nolit në Durrës. Busti i skulptorit Idriz Balani është zbuluar nga kreu i bashkisë Vangjush Dako dhe prefekti Roland Xhelilaj.I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i nismëtarëve të lëvizjes “Foleja Kombëtare Shqiptare”. Përfaqësuesit deklaruan se busti është vendosur jashtë rrethimit të kishës, sepse drejtuesit e kishës Ortodokse, që drejtohet nga Janullatos, nuk pranojnë dot si themelues të kishës një atdhetar e një shqiptar si Fan Stilian Noli. Elida Jorgoni, kryetare e lëvizjes deklaroi se në vitin 2014 busti u dërgua në Elbasan, pasi nuk u pranua nga kisha e Durrësit, ndërsa busti aktual, i përfunduar një vit më parë, qëndronte në bodrumet e bashkisë deri sa të dilte në dritë. “Na shqetëson që është vendosur jashtë gardhit të kishës që ai e themeloi. Ne kjo na shton forcat që të ngrejmë brenda katedrales së Tiranës bustin e tij”,- thotë Jorgoni. Përfaqësuesit e “Folesë Kombëtare Shqiptare” thanë se do të kërkojnë që në katedralen e Tiranës të vendoset busti i themeluesit të kishës ortodokse, megjithatë varet se a do të merret parasysh kjo kërkesë nga Hirësia e tij Anastas Janullatos. Në vijim u vendos pllaka përkujtimore për veprimtarinë në Durrës të Mitropolitit Noli dhe u zhvilluan homazhe pranë ndërtesës së degraduar, thuajse në rrënim të plotë të Mitropolisë së Durrësit. Noli mbante titullin kryepeshkop i Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Gorës dhe Shpatit, primat dhe ekzark i Ilirisë dhe gjithë Shqipërisë. Mitropolia u bë selia zyrtare dhe shtëpia e tij në vitet 1921-1924 ku ai jo vetëm do të banonte, por edhe do të zhvillonte veprimtarinë e tij kishtare dhe social politike. Qëllimi i tij ishte ta bënte dioqezën e Durrësit qendër dhe shembull për dioqezat e tjera duke i kthyer qytetit nga kjo pikëpamje lavdinë e dikurshme dhe për t’i kujtuar botës se krishtërimi në Shqipëri ishte apostolik. Pas largimit të tij ai shuguroi si prift At Erazmo Jorgon, i cili e zëvendësoi me devotshmëri në detyrën e tij. Rruga pranë Metropolisë mban emrin e At Erazmos. Violeta Jorgo, pasardhëse e At Erazmo Jorgos, të parit prift që u shugurua nga Noli e shërbeu në mitropolinë e Durrësit solli para të pranishmëve, ngjarjet e përcjella nga babai i saj, për figurën e Nolit dhe rolin e tij në themelimin e kishës ortodokse. Në mars të 1914, në kishën e Spiridonit u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe. Në portën e dikurshme të kishës lëvizja patriotike “Foleja Kombëtare Shqiptare” inaguruan pllakatën e kishës së Spiridonit. Gjatë kohës së qëndrimit në Durrës, Noli bënte jetë të gjallë kishtare nëpërmjet meshimeve dhe ceremonive që zhvillonte në Kishën e Shën Spiridhonit dhe nga ana tjetër kryepeshkopi dhe deputeti do të bënte takime duke pritur e përcjellë politikanë e diplomatë. Ky personalitet i lartë do të ndjehej një qytetar shumë i nderuar në Durrës i rrethuar nga miqtë e kolegët e për më tepër nga bashkëqytetarët durrsakë që do t’i kujtonte tërë jetën me nostalgji dhe mirënjohje. Por edhe Durrësi e ruan në historinë e vet ashtu siç do të jetonte e jeton akoma në kujtimet dhe zemrat e durrsakëve. Kjo ishte arsyeja që Durrësi i ngre bashkëqytetarit të tij të nderuar një bust ku është skalitur imazhi i pavdekshëm i shqiptarit të madh Fan Noli. Studiuesi i historisë Albert Koni tha se edhe në rrafshin historik Noli ka një kontribut shumë të madh. Pas ceremonisë pranë Kishës Ortodokse është zhvilluar edhe një simpozium i organizuar nga klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit. Në këtë simpozium është dorëzuar edhe titulli “Qytetar Nderi i Durrësit” për këtë figurë të shquar me motivacionin: “Personalitet i shquar kombëtar, mitropolit i Durrësit dhe një ndër kontribuesit më kryesorë në drejtim të ringjalljes dhe ringritjes kishtare në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë, meshtar, predikues dhe lider shpirtëror që zgjodhi qytetin tonë për mbajtur meshën e parë në gjuhën amtare.” Fan Noli, një nga personalitetet më të shquar të kombit shqiptar, ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur në Durrës ku ai mbajti edhe meshën e parë në gjuhën shqipe. Lëvizja “Foleja Kombëtare” drejtohet  nga zonja Elida Jorgoni, pinjolle e një prej familjeve më patriotike të Rilindjes Kombëtare shqiptare. Kjo shoqatë çoi në vend amanetin e poetit, publiçistit e përkthyesit të ndjerit Perikli Jorgoni, duke sponsorizuar një bust të Mitropolitit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturisë së tij Theofan Nolit. Busti i Fan Nolit është një vepër e çmuar e skulptorit të njohur Idriz Balani. Një krijim mjeshtëror ku autori falë njohjes dhe studimit të thellë të figurës ka arritur të kapë dhe të mishërojë jo vetëm veçoritë fizike të Nolit, por mbi të gjitha karakterin, personalitetin kompleks, njeriun dhe udhëheqësin, mendimtarin dhe artistin, shqiptarin dhe qytetarin e botës. Portreti i Nolit i derdhur në bronz duke pasur për sfond shtëpinë e tij shpirtërore do të mbetet sa dëshmi historike aq edhe një vepër artistike e goditur që zbukuron qytetin e lashtë të Durrësit. {Durres.lajm-E dergoi per Diellin bashkepunetori i Diellit nga Shqiperia-Shefqet Kercelli}.

Filed Under: Vatra Tagged With: Si mbërriti Busti i Fan Nolit. në Durrës...

Kosovë-Kryeministri Mustafa vizitë zyrtare në SHBA

July 25, 2016 by dgreca

Merr pjesë edhe në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zhvillohet në Filadelfia, ku do të bëhet nominimi zyrtar i kandidates demokrate për Presidente të SHBA-ve, mikes së madhe të Kosovës, Hillary Clinton/

SHBA, 25 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtarë të Liderëve, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) i SHBA-ve.

Njoftimi i dërguar thekson se, gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri Mustafa do të marrë pjesë edhe në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zhvillohet në Filadelfia, ku do të bëhet nominimi zyrtar i kandidates demokrate për Presidente të SHBA-ve, mikes së madhe të Kosovës, Hillary Clinton.
Kryeministri Isa Mustafa, gjatë pjesëmarrjes në këto dy evente të rëndësishme globale, do të takojë edhe liderë të shteteve dhe përfaqësues të lartë amerikanë./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: e demokrateve amerikane, Kryeministri Mustafa, ne Konventen

Trekëndëshi i mashtrimit Athinë-Beograd-Moskë

July 25, 2016 by dgreca

Nga Prof. dr. Eshref Ymeri/Kolumbus. Ohajo/

ATHINA- Kriza e vitit 2008 që preku vende të ndryshme, zbuloi faqe botës natyrën mashtruese të shtetit grek në marrëdhëniet e tij me Bashkimin Evropian. Vitet e mëvonshme vërtetuan në praktikë se klasa politike greke, për dhjetëvjeçarë me radhë kishte ngritur një kështjellë gjigante mashtrimi, me qëllim që të fshihte të vërtetën për gjendjen e financave të vendit, në mënyrë që të zhvaste sa më shumëpara nga vendet kreditore të Bashkimit Evropian.

Në një material të botuar asokohe në internet, thuhet:

“BE-ja është e pafuqishme ndaj falsifikimit të të dhënave statistikore, gjë që Athina e ka praktikuar me vite. Këtë nuk mund ta ndryshojnë shumë as planet që t’u jepen më shumë të drejta kontrolli përfaqësuesve të BE-së.Partnerët evropianë kanë qenë të njoftuar për mashtrimet e Greqisë, por nuk kanë reaguar.Të gjithë kanë dyshuar, shumë e kanë ditur, ndërsa askush nuk ka ndërmarrë asgjë. Grekët kanë zbukuruar pa problem të dhënat e tyre statistikore dhe i kanë manipuluar bilancet ekonomike. Shkaku është që partnerët evorpianë nuk kanë dashur ta pranojnë se kanë gabuar, kur e kanë pranuar Greqinë në zonën e euros.(Citohet sipas: Peter Heilbrunner / Vilma- Filaj Ballvora.“Greqia është kudo. Bashkimi Evropian është i pafuqishëm ndaj falsifikimeve të statistikave”. Marrë nga faqja e internetit “DW Fokus mediatika”. 25 shkurt 2010).

Miliona qytetarë grek, duke e kuptuar fare qartë që klasa politike që kishin në krye, artin e mashtrimit për zhvatjen e parave nga Bashkimi Evropian, e kishte përsosur në maksimum, vendosën që këtë lloj arti ta përsosin edhe më shumë në marrëdhëniet e tyre me shtetin.

Gazetari në profesion të lirëXheims Anxhelos (James Angelos), ish-korrespondent i“Wall Street Journal”, ka botuar një libër mjaft interesant me titull “The full Catastrophe” (Katastrofa e plotë), në të cilin zbulon fare lakuriq mashtrimet kolosale të qytetarëve grekë për fshehjen e taksave dhe për zhvatjen e parave nga buxheti i shtetit, herë duke shtirur si të verbër, herë duke u hequr si të varfër, herë si të papunë. Të gjithë këta përfitonin shuma të majme parash, të cilat burimin e kishin nga kreditë kolosale që shteti ia merrte me gënjeshtra Bashkimit Evropian. Dhe shteti grek bënte sikur nuk ishte në dijeni të mashtrimeve të qytetarëve të vet. Se duhej krijuar bindja në opinionin publik ndërkombëtar se Greqia na qenkej “parajsa e vërtetë” e rruzullit tokësor!

Një ditë, kur gazetari Xheims Anxhelos sugjeroi që duhej të fillohej me ndëshkimin e mashtruesve, një zyrtar grek i dha një përgjigje direkte:

“Nëse fillon të fusësh njerëz në burg, atëherë do të duhet të fusësh gjysmën e Greqisë prapa hekurave” (Citohet sipas: “Libri që zbulon se si grekët mashtruan vetveten”. Marrë nga faqja e internetit “mailonline”. 03 korrik 2015).

Nuk kemi pse habitemi me gënjeshtrat dhe me mashtrimet e Athinës. Kjo për arsye se ato kanë një traditë të kryehershme që vjen që nga lashtësia parakristiane. Krejt mitologjia greke ka në themelin e vet gënjeshtrën dhe mashtrimin. Emrat e të gjitha perëndive, të ashtuquajtura greke, shpjegohen vetëm me ndihmën e gjuhës shqipe, gjë që vërteton se ato kanë qenë perëndi pellazgo-ilire, çka e kanë vënë në dukje me argumente shkencore historiani i shquar Robert d’Angély (1893-1966)dheprofesori Spiro Konda, i cili, në Arkivin e Shtetit ka të depozituara 1200 faqe dorëshkrime, dhe shkencëtarë të tjerë.

Profesori Spiro Konda pati kryer studime për greqishten e vjetër dhe për greqishten e re, për latinishten dhe për arabishten, respektivisht në universitetin e Athinës, të Romës dhe të Kajros dhe arriti të argumentonte shkencërisht pikëpamjet e historianit Robert d’Angély. Ёshtë e pahijshme pë Akademinë e Shkencave që, në faqen e internetit “Wikipedia”, nuk ka asnjë të dhënë jetëshkrimore për profesorin Spiro Konda.

Beogradi

Shkrimtari dhe publicisti i talentuar Riza Greiçevci, lindur në Flamuras të Drenicës në vitin 1948, shkruan:

“Ka ditë, në Kongresin Amerikan, serbët kanë prezantuar monografinë “Trashëgimia e krishterë në Kosovë: Vatër historike e shpirtërore e popullit serb”, botim i zgjeruar dhe i plotësuar i librit “Trashëgimia e Kosovës” në gjuhën angleze. Në solemnitetin e organizuar, drejtori i Sektorit për Librin Evropian, Haris Grang, ka thënë, transmeton Tanjug , se biblioteka e Kongresit është e nderuar që ka një monografi të rrallë historike artistike si kjo e serbëve” ((Citohet sipas: Riza Greiçevci “Gënjeshtra: gjen i kombit serb”. Marrë nga faqja e internetit “Bashkimi i Shqipërisë”. 25 mars 2015).

Domosdo që kështu do të ndodhë, kur në Bibliotekën e Kongresit Amerikan,boshllëkun e informacionit shkencorpër të vërtetën për Kosovën, si djep i shqiptarisë, do ta mbush enciklopedia e gënjeshtrave dhe e mashtrimeve serbe. Për përgatitjen e librit të lartpërmendur, ofiçina gjigante e shpifjes dhe e mashtrimit serb, me emrin Akademi e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë, siç thekson zotëria Riza Ganiçevci, pati angazhuar me dhjetra autorë, përfshirë edhe historianin Dushan Batakoviç.

Drejtori i Sektorit për Librin Evropian , Haris Grang, deklaruaka se biblioteka e Kongresit Amerikan na qenka nderuar që paska në fondin e vet“një monografi të rrallë historike artistike si kjo e serbëve”. Drejtori Haris Gang, duke qenë i pajisur me një kulturë gjysmake, nxjerr nga goja një xhevahir të tilllë. Sepse ai libër është jo “një monografi e rrallë historike artistike serbe”, por një enciklopedi e gënjeshtrave dhe e mashtrimeve serbe që kanë për qëllim të futin në një rrugë pa krye Kongresin Amerikan.

Po Akademia e Shkencave dhe e Arteve në Prishtinë dhe Akademia e Shkencave në Tiranë, boshllëkun e informacionit shkencor për Kosovën në Bibliotekën e Kongresit Amerian, pse nuk e kanë mbushur në kohën e duhur me një vepër shkencore voluminoze në gjuhën angleze? Sepse që të dyja janë zëdhënëse të politikës tradhtare, antikombëtare, që ndjekklasa politike në Prishtinë dhe në Tiranë ndaj strategjisë së mashtrimit serb. Prandaj që të dyja këto akademi përfaqësojnë dy vatra të tradhtisë shkencore.

Madje të dyja akademitë shqiptare heshtin edhe atëherë kur gënjështra dhe mashtrimi serb janë demaskuar publikisht edhe nga personalitete të politikës dhe të kulturës serbe. Shkrimtari dhe publicisti Riza Greiçevciciton Dobrica Qosiçin:

“Gënjeshtra është interes kombëtar serb! Ne gënjejmë në mënyrë që ta hutojmë veten, që t’i qetësojmë të tjerët! Gënjejmë që ta fshehim mjerimin tonë!” (po aty).

Riza Greiçevci citon edhe shkrimtarin serb Aleksandër Tashiç, i cili ka marrë guximin për shpalosjen e gënjeshtrave shekullore që udhëheqësit serbë, duke përfshirë edhe historianët, u kanë treguar qytetarëve serbë. Tashiçi deklaron:

“Me shekuj serbët kanë besuar në gënjeshtra. Beteja e Kosovës (është fjala për betejën e vitit 1389 – E.Y.) është gënjeshtra më e madhe në historinë serbe” (po aty).

Valët e gënjeshtrave dhe të mashtrimeve serbe kanë qenë aq të fuqishme, saqë kanë pushtuar edhe mendje politikanësh evropianë. Njëri nga këta politikanë evropianë, është presidenti ItalianSerxho Matarela (Sergio Mattarella – 1941), i cili, më 25 maj 2015,nga foltorja e parlamentit serb, deklaroi:

“Rrënjët e marrëdhënieve tona, atyre mes Serbisë e Italisë, janë të thella, ndër shekuj në histori. Serbia ka nxjerrë nga gjiri i  saj 17 perandorë romakë, ndër të cilët veçohet figura e Konstandinit”(Citohet sipas: “Presidenti italian bën çorbë historinë: Konstandini serb!”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Koha Jonë”. 28 maj 2015).

I ndotur keq nga furia e gënjeshtrave serbe, presidenti italian i lejoi vetes të bëhej zëdhënës i një mashtrimi shembullor. Se dihet historikisht që 20 perandorë romakë, duke filluar nga Deciusi (249-251) deri te Justiniani I(527-565) e kanë pasur prejardhjen nga Iliria. Perandori Konstandini i Madh, të cilin presidenti italian na e quan posaçërisht“serb”, ka lindur në vitin 274, është shpallur perandor në vitin 306 dhe ka vdekur në vitin 337. Sipas gjykimit paradoksal të presidentit italian, meqenëse perandori Konstandin ka lindur në Nish, një territor ky asokohe ilirian, por që sot është territor serb, atëherë ai paska prejardhje “serbe”?! Një deklaratë të tillë mund ta bëjë një president me një kulturë gjysmake, i cili nuk e paska informacionin e duhur nga shkenca e historisë, sipas së cilës serbët patën zbritur në gadishullin tonë në shek. VII e.r.

Moska

Përmes mjeteve të informimit masiv, u njoha me lajmin e mëposhtëm: “Atletët rusë nuk do të marrin pjesë në Olimpiadën e Rios. Ky ishte vendimi i dhënë nga Këshilli i Arbitrazhit Sportiv pas ankesës së Komitetit Olimpik të Rusisë. Fillimisht, atletët rusë ishin dënuar me përjashtim nga ana e Federatës Botërore të Atletikës, pasi u akuzuan se ishin pjesë e një programi dopingu të sponsorizuar nga shteti (Citohet sipas: “Atletët rusë nuk do të marrin pjesë në Olimpiadë. KAS-i mban në fuqi dënimin e Federatës Botërore”. Marrë nga faqja e internetit “abc news”. 21 korrik 2016).

Në fillim të muajit qershorit 2016, kanali televiziv gjerman ARD, akuzoi ministrin rus të sporteve Vitali Mutko, për arsye se ai i ndihmonte sportistët të fshihnin provat pozitive të dopingut. Filmi dokumentar me titull “Çështja sekrete e dopingut: ora iks për Rusinë”, me autor gazetarin gjerman Hajo Zapelt, u transmetua në efir më 8 qershor. Akuzat mbështeteshin në tekstin e letrës së ish-përgjegjësit të laboratorit antidoping të Moskës, Grigor Rodçenkovit.

Rodçenkovi pranon se sportistët rusë të atletikës së lehtë, te të cilët ishte zbuluar testi pozitiv për doping gjatë zhvillimit të lojërave olimpike në Londër, i paskeshin dhënë ryshfetFederatës Ndërkombëtare të Atletikës në shumën prej 500 mijë dollarësh. Rodçenkovi deklaron:

“Njerëz të caktuar qenë marrë me fshehjen e provave pozitive. Unë këtë e di nga përvoja e Olimpiadës në Londër. Asokohe paguheshin 500 mijë dollarë për ta nxjerrë “të pastër” një sportist që kishte marrë doping. Pra, kaq para paguheshin vetëm për një njeri. Paratë sportisti ia dorëzonte trajnerit. Dhe në Rusi është i angazhuar një njeri, i cili, në vijimësi, paratë ia përcillte Federatës Ndërkombëtare të Atletikës. Kjo ishte shitje e rezultateve të testeve të dopingut” (Citohet sipas: “Sportistët rusë të atletikës së lehtë i përjashtuan nga Olimpiada e vitit 2016”. Marrë nga faqja e internetit “Vjedomosti”. 17 qershor 2016).

Prej 15 shkurtit deri më 29 maj 2016, specialistët e agjencisë botërore kundër dopingut WADA, e patën të pamundur të kryenin 736 prova kontrolli, të planifikuara në Rusi. Në 49 raste të kryerjes së provave, rezultoi se në gjakun e sportistëve rusë qe zbuluar meldoni. Sipas mendimeve të shprehura në këtë agjenci, sportistët rusë bëhen pengesë për kryerjen e provave për doping, Shërbimi Federativ i Sigurisë u bën presion përfaqësuesve të WADA-s. Pengesa në punën e kësaj agjencie krijojnë edhe doganat ruse, punonjësit e të cilave i hapin epruvetat. Sheshherë ata e zvarritin punën, duke e vonuar transportimin e epruvetave, çka sjell si pasojë që analizat e grumbulluara të gjakut të dalin jashtë përdorimit.

Pra, nga sa më sipër rezulton se në Rusinë putiniane, ka një rrjet mafioz të mirorganizuar nga strukturat e shtetit, i cili mundohet me çdo kusht për reklamimin e shkëlqimit të jashtëm të Rusisë: të sigurohen me domosdo vendet e para në të gjitha aktitetet sportive ndërkombëtare, me të vetmin qëllim që të krijohet bindja në opinionin publik ndërkombëtar se “sukseset e shkëlqyera” të Rusisë në fushën e sportit, janë “rezultat i zhvillimit të theksuar ekonomik të vendit dhe i ngritjes së standardit  të jetesës së mbarë popullit rus”. Kjo është një shfaqje e pastër e demagogjisë putiniane në arenën ndërkombëtare. Prapa shkëlqimit të rremë nga jashtë, Putini kërkon të fshehë të vërtetën tragjike për gjendjen katastrofike ku e ka katandisur vendin, në bashkëpunim të ngushtë me oligarkët miliarderë, të cilët, duke i zënë frymën demokracisë, kanë sjellë mjerim ekonomik për shtresat e gjera të popullit rus. Prandaj, për mashtrime të lartpërmendura, Putini nuk i kursen malet me para që i zhvat, pa iu dridhur qerpiku, nga pasuritë kombëtare të Federatës Ruse.

Kolumbus. Ohajo

25 korrik 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Athinë-Beograd-Moskë, Prof. dr. eshref Ymeri, Trekëndëshi i mashtrimit

SHKRIMTARËT QË NA ERDHËN NGA SUEDIA/

July 25, 2016 by dgreca

Kadri Tarelli shkruan nga Durresi/*

 “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë,

do të punonja me shqiptarët dhe për shqiptarët”.

Ullmar Kvik (Qvick)/

 PËRSHËNDETJE SHKRIMTARËVE TË ARDHUR NGA SUEDIA/

Si koleg dhe gazetar, prej më se 10-vjetësh kam qenë pjesëtar i grupit që ka pritur e përcjellë miq, drejtues komune, drejtues arsimi, drejtor shkolle, mësues, nxënës, prindër, suedezë dhe shqiptarë, të kryesuar nga Sokol Demaku, atëherë mësues, mërgimtar prej Kosove i vendosur në Suedi. Çdo vit, shpesh edhe dy herë në vit, ata e mësyjnë Durrësin, në kuadër të një lidhje, apo siç i themi ne “Binjakëzim” mes dy shkollave: “Demokracia” në Durrës dhe “Fjardingskolan” në Boras të Suedisë. Prania ime e përhershme ishte falë përkujdesjes së ish drejtorit Avdyl Buçpapaj, që nuk më ndau asnjë herë nga kolektivi, për të qenë i pranishëm në të gjitha vizitat, bisedat dhe diskutimet në shkollën e tij, por edhe në takimet në shkolla të tjera, publike dhe jopublike dhe në institucionet e pushtetit vendor, Bashki, Drejtorinë Arsimore Rajonale, Bibliotekën Publike dhe në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës, njëkohësisht edhe në takime të nivelit të lartë, siç është rasti i pritjes në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës të Shqipërisë, në tetor të vitit 2011, takim ky i koordinuar nga shkrimtari Viron Kona.

Në një shkrim, në Qershor të vitit 2011, kushtuar Sokolit shprehesha: “Si fillim në krye të shkrimit mendova të vendosja titullin, “Sokol Demaku “Ambasador” i shqiptarëve në Suedi”. Shpejt ndërrova mendje. Kostumi i “ambasadorit” është shumë i ngushtë për trupin dhe shpirtin e Sokolit”. Tani bindem vetë, njëkohësisht binden edhe të tjerët, që e njohin dhe bashkëpunojnë me të, se Sokoli i kalon përmasat e “ambasadorit”, kur është fjala për t’i shërbyer çështjes shqiptare. Koha më dha plotësisht të drejtë, sepse pak dit më parë, pas disa takimeve në Tiranë, Lezhë dhe në Shkodër, ai erdhi në Durrës së bashku me dy shkrimtare suedeze, znj. Anna Mattsson, bashkë me të edhe znj. Britta Stenberg, shoqëruar me ta edhe shkrimtari i njohur Hamit Gurguri, edhe ky banues në Suedi. Ky veprim tregoi se Sokoli e tejkaloi pritshmërinë ndaj vetes dhe ndaj nesh. Ai nuk po mjaftohet vetëm me shkollat dhe bibliotekat, as me vajtje-ardhje të shkrimtarëve shqiptarë në Suedi dhe Shqipëri, por duke gjetur mbështetjen, gatishmërinë dhe mikpritjen e letrarëve dhe institucioneve shqiptare, kërkon dhe realizon vizita, takime, lidhje, njohje e bashkëpunim edhe me shkrimtarë suedez. Një veprim ky i lavdërueshëm, i lakmueshëm dhe i dobishëm për letërsinë dhe kulturën shqiptare, dhe më së shumti në formimin dhe forcimin e lidhjeve dhe miqësisë mes krijuesve të të dy vendeve. Veç kur e mendon një gjë të tillë, të duket e bukur dhe fisnike, ndërsa kur e prek është e mrekullueshme.

Nuk është hera e parë që shkrimtarë e studiues suedezë vizitojnë Shqipërinë. Pa hyrë në thellësinë e viteve po përmend vetëm Ullmar Kvik (Qvick), shkrimtar e studiues, njohës i përkryer i gjuhës shqipe, i cili u bë mik i shqiptarëve dhe i Shqipërisë, botues i librit, “Më shumë heroizma se sa grurë”, kushtuar historisë së Shqipërisë. Përpara tij, ndonëse nuk dihet se kur ka ardhur në Shqipëri, suedezi Erik Hans Tunman(1746-1778), një hulumtues mbi gjenezën e shqiptarëve, shkroi në vitin 1774, punimin shkencor “Hulumtime në lidhje me historinë e popujve evrolindor”. Në këtë vepër, tema “Mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarëve dhe të vllahëve”, përfshin faqet 171 – 366… Ku, si një çështje kardinale e konsideron ai problemin me ilirët dhe shqiptarët. Tunmani vjen në përfundimin se ilirët janë stërgjyshërit e shqiptarëve…

I përmenda këto raste për të thënë se, është e çuditshme kjo raca e studjuesve, shkrimtarëve dhe krijuesve. Kudo që shkojnë shkruajnë nga një libër. Kështu ndodhi me Edith Durham, që shkroi librin “Brenga e Ballkanit”, Çarls Telford Erikson, librin “Pesë vjet në Shqipëri (1908-1913), Historiani francez Zhan Klod Faveirial, librin “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”, e shumë të tjerë që u dashuruan me Shqipërinë dhe shqiptarët. Po kështu ndodh edhe me shkrimtarët tanë. Viron Kona, sa herë ka shkuar në Suedi ka shkruar nga një libër, e konkretisht: “Bukuri suedeze”,  “Për Ju miqtë e mi”,  “Zonja nga Borasi” dhe “Ju dua më shumë se veten”, ndërsa prof. dok. Murat Gecaj shkroi librin “Me zemër në vendlindje” (Shënime e mbresa, nga Suedia). Kështu mund të rendisim edhe plot shkrimtarë, poetë dhe krijues, që njohjet, ndjesitë, përjetimet dhe përshtypjet gjatë udhëtimeve apo qëndrimeve në vende të tjera, i hedhin në letër. Ata na sjellin shkrime me vlerë për natyrën, jetën shoqërore-ekonomike-politike, letrare-artistike-shkencore-sportive, më tej, karakterin, mentalitetin dhe traditat e popullit, pra një pasqyrim i historisë në një çast të dhënë. Gjë e bukur dhe e dobishme, që na ndihmon të njohim veten, në të njëjtën kohë të njohim edhe të tjerët. Mbase ky është misioni i shkrimtarëve dhe krijuesve, si “Ambasadorë” pa dekret, të njohin popujt dhe të lidhin popujt. Misioni më fisnik dhe hyjnor që ata zotërojnë, që i dallon nga të tjerët dhe që i bën të përjetshëm.

Koha rrjedh ndërsa jeta vazhdon. Nuk di se ç’kanë ndërmend të bëjnë dy shkrimtaret suedeze, mikeshat e nderuara të Lezhës, Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit. Është në dëshirën dhe vullnetin e tyre, por unë, si edhe shumë të tjerë që patën mundësi të njihen me to, shpreh kënaqësinë dhe shpresën që t’i kemi përsëri mes nesh, me veprën e tyre të përkthyer në shqip.

Përshëndetje dhe urime shkrimtarëve të ardhur nga Suedia, duke shpresuar për vepra të bukura, që t’i shërbejnë dy popujve tanë.

Kadri Tarelli

Durrës, korrik, 2016.

NE FOTO:Nga majta.A.Buçpapaj, S.Demaku, A.Mattsson, H.Gurguri, B.Stenberg, V.Kona

Filed Under: Komente Tagged With: Kadri Tarelli, pershendetje, shkrimtaret nag Suedia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT