• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

Esse rreth Romanit të Hatem Dervishaj “Çmimi i varfërisë”

July 22, 2016 by dgreca

 Nga Përparim Hysi /Sapo më ra në dorë romani i  Hatem Dervishjat “Çmimi i varfërisë”. Për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesit, dje më ra në dorë dhe, po dje, e lexova me një frymë. Nodhi si  me atë thënien gati proverbiale:
-Baba, kam zënë një hajdut. Ta mbaj apo ta lëshoj?

– Mbaje!

– E mbaj unë, po nuk më lëshon “hajduti”.

Dhe, siç kuptohet, “hajduti” që nuk më “lëshoi” qe romani “Çmimi i varfërisë” që më erdhi enkas dhe, pa u çliruar nga impresionet e romanit tjetër “Përtej iluzioneve”, rashë “preh” e tjetrit. Këtë jo vetëm e lexova me një frymë, por pa më dalë mirë fryma  dhe po shkruaj.

                  *    *   *

Nëse gjykoni pozicionin tim si  lexues me autorin e këtyre dy romaneve, jam në pozicionin  e atij miut që gjeti hazinenë në mulli. Të tilla janë dhe  impresionet e mia edhe me romanin të porsadalë të Hatem Dervishaj. Parë në tërësinë e tij, romani bën  anamnezën e kohës në psottranzicionin maratonomak  të Shqipërisë. Hatem Dervishaj,  sado që ka mbi 15-v jet që jeton në Amerikë, po ta gjykosh me ato që shkruan, qoftë në tregimet dhe qoftë në romanet, jo të duket, por bindesh që ai asnjë ditë nuk është larg Shqipërisë dhe  e jeton dhe përjeton gjithë kalvarin postdemokraci, sikur është diku, prapa derës os më saktë: sikur është në Fier ku ka jetuar jo pak  por gati gjashtë dekada. Por unë them, se kam ndjerë një kënaqësi të veçantë kur lexova romanin dhe, tek do jap përshtypjet e mia për këtë roman, bashkohem  me mendimin e bukur të shkrimtarit rus Varlam Shallomov që diku thotë:  ” Nuk ka gjë më të ëmbël se sa kur të bie në dorë një libër që nuk e kam lexuar”.
                     *     *     *

Po të vëreni titullin  e esesë sime, do të shihni se kam bërë pak “retushim” apo një “ndërhyrje” pak vulgare duke  pranëvënë atë epitet aq të ashpër: i flliqur. E kam vënë se jo vetëm e kam njohur varfërinë, por më duket se “damkën” e rëndë të saj, sikur ta kemi të shkruar të gjithë  në ballë. Natyrisht, varfëria sa e flliqur është, aq dhe e turpshme,se, kur je i  varfër, për arsye subjektive dhe objektive, provon mbi vete pasoja që , me të vërtetë, janë dramatike. Në substancë, romani  e “lakon”, pothujase, në të gjashtë rasat e shqipes varfërinë, por nuk është vetëm vëzhgues, por dhe demaskon fajtorët. Kur them kështu, mos kujtoni se Hatem Dervishaj është nga ata autorë që ka nostalgji për sistemin që iku. Jo. Përkundrazi. Ai e di mirë (këtë e gjen në gjithë shkrimet e tij) se demokracia më e keqe, është ku e ku më e mirë se sa diktatura që patëm në regjimin komunist.  Dhe, sado që është pak Hygo-jan, ( Hygoi thoshte:” Nga ferri i të varfërve, lind parajsa e të pasurve”), në roman zbraz artilerinë e rëndë kundër varfërisë.

Aq i mbresuar është me “varfërinë”, sa, si të thuash, ka ngritur një “pavijon”, ku syri jo vetëm nuk të sheh mirë, por zë edhe të pikon. Nëse ndodh kështu,  se vet autori nuk rri gjakftohtë në këtë “pavijon”. Ai jo  vetëm i përjeton ngjarjet, por bëhet si “pjesëmarrës” në çaste që të shkaktojnë dhimbje.

Kur shkruan, autori e di mirë që romani është impresion dhe, ngaqë e di mirëfilli këtë gjë, ai në  roman të impresionon.

Sikur të kisha mundësi për t’u bindur për këtë, natyrisht do më duhej goxha kohë dhe shkrimi do të bëhej tërkuzë.
                              *      *     *

Në fund të fundit, pse të impresionon romani? Kësaj pyetjeje nuk është aq e lehtë për t’iu përgjigjur, por unë mund të them vetëm kaq: në doni që të shihni konkretisht gjithë gamën e problemeve në tranzicionin post demokratik të SHqipërisë, atëherë bëni  si unë: lexojeni romanin dhe aty do t’i kini të gjitha: Zhveshjen  “demokratikisht” të pronarëve të vërtetë nga prona me ligjin famkeq 7501. Kalvarin e mundimshëm në zyrat e qeveritarëve të tipit Sofokli e C0…; emigracionin aq me pasoja( vdekja e Irfanit nuk është asgjë tjetër, por një “baladë dhimbjej” ku i vdekuri udhëton me një të gjallë…). Prostuticioni ajo damkë  në ballin e shoqërisë  shqiptare. Tregtia me “mishin e gjallë” apo ca më tutje:droga. Ligji i nëpërkëmbur.Ryshfeti. Të gjitha janë plagë që dhëmbin.

Autori e di mirë që, në fund të fundit, në gjithë këtë dramë që luhet në skenën e shoqërisë shqiptare, ai që e pëson më shumë, është i varfëri. Është ai, i ndershmi, që kurrë nuk i shkeli vijat e bardha. Varfëria ka kthetra të rënda.I varfëri nuk  ka punë dhe, për të shpëtuar nga varfëria, hyn në “gjeratoren” e rrugëve të lehta. Por rruga e shkurtër, pret gjatë dhe ndodh ajo që të gjithë e dimë. Që të gjithë e shohim: vetëm dallkaukët, sharlatanët, plotikanët, (pa)drejtësia rron e bën pallë dhe të varfërit, përfundojnë në ferr.

Duke sjell në roman, një familje të varfër me 7 fëmijë, autori, thotë atë që dhëmb:- Nga varfëria, mund të shpëtosh  vetëm me “rrugë të paligjshme”. Kjo “rrugë e kollajtë”, haraçin e ka të rëndë: vriten tre djem dhe. më i ndershmi prej tyre, Petriti, mban mbi vete atë pasojë që vjen nga një shkak i madh: në një shoqëri të kurroptuar, është vështirë të mbetesh i ndershëm.

Fundi tragjik i Petritit është shumë domethënës:ky fund i dhimbshëm (natyrisht, është gjetje e autorit) tregon atë që dihet mirë prej krijuesëve me emër: shkrimtarët  e mirë ( në bindjen time, Hatem Dervishaj është i tillë), shfaqen në kohën e krizave shoëqerore. Tek ballafaqohem me fundit tragjik të një njeriu të ndershëm si Petriti, më vjen ndërmend një episod nga “Dimri i  madh” i Kadaresë. Atje në kohën e një krize shoqërore, ndodh dhe ajo “ftohja” e dashurisë të Besnikut me Zanën ( në mos i gabofsha në saj të kujtesës që më lë). Këtu, në këtë roman, drama është dhe më targjike: Petriti bën vetvrasje dhe gjithë ajo dashuri e bukur e këtij çifti (Petrit-Uljana), vritet tragjikisht.

Duke përfunduar, mund të them se ia vlen ta lexosh një roman të tillë, se  jo vetëm vë pikat mbi i, por nuk ka  fare “zbukurime” apo stisje. Dhe nëse një libër i shkruar quhet cilësor, se është i qartë dhe i pranueshëm për lexuesit, unë them se dhe në këtë drejtim i tillë është.

 
                                    Tiranë, 22 korrik 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Çmimi i varfërisë, esse, perparim Hysi, romani i Hatem Dervishaj

ÇAMËRIA– FIDANISHTE E FIGURAVE TË SHQUARA

July 22, 2016 by dgreca

Mirela Kondi: Figura të shquara të Çamërisë, Tiranë, 2016/

NGA Adil FETAHU/

Epiri dhe Çamëria, kjo krahinë më vitale e kombit tonë, gjatë historisë së bujshme të saj e deri në rilindjen e vonshme,  i ka dhënë kombit, po edhe Greqisë, Ballkanit, perandorive të kohës (Osmane, Bizantine, Romake), Evropës dhe Botës, dinasti e personalitete spikatura të strategjisë së luftës, të  fushës së arsimit, shkencës, artit, kulturës, fesë. Vështirë se mund të gjeni një vend e shembull tjetër në botë që, në proporcion me territorin dhe numrin e popullsisë, t’i ketë dhënë kombit e njerëzimit kaq shumë figura të shquara të fushave të ndryshme. Në nderim të atyre figurave, zonja Mirela Kondi, si një bletë punëtore, ka vjelë e mbledhë të dhëna historike, të një periudhe të gjatë kohore, për të kompletuar biografitë e 56  nga ato personalitete dhe u ka ofruar lexuesve në librin e saj me titull: “Figura të shquara të Çamërisë”.

Pas fjalës së redaktorit (Arben Kondit), libri fillon me prezantimin historik të biografisë së Mbretëreshës Olimpia, një nga gratë më të shquara e më të bukura të botës antike, e lindur në vitin 375 para epokës së re, prej familjes së fisit të Aikaidëve të Epirit, me rrënjë pellazge të Akilit legjendar. Nga martesa e saj me Filipin II, u lindën dy fëmijë: Aleksandri i Madh (ai nuk lindi i madh, por u bë i Madh) dhe Kleopatra. Olimpia mbeti në histori e njohur jo vetëm si nëna e Aleksandrit të Madh, por edhe si grua epirote e ngritur në fronin mbretëror. Libri vazhdon me Aleksandër Molosin, vllain e Olimpisë, i cili e zgjëroi mbetërinë e Molosve, me qendër në Dodonën e lashtë. Nën udhëheqjen e Pirros, Epiri arriti pikën më të lartë të lulëzimit ndër shekuj. Ai krijoi mbretërinë e tij, si një federatë e tre fiseve më të njohura ilire: molosve, kaonëve e thesprotëve.  Sot shumica e njerëzve për Pirron dinë vetëm nga thënia: “Fitore e Pirros”, por pakkush e di se si ka mbetur ajo thënie. Në vitin 280 p.e.r, në betejën e Erakleas dhe Askulit, Pirro doli fitimtar mbi ushtrinë romake dyherë më të madhe, por aty humbi aq shumë ushtarë e oficerë, sa që klithi: “Edhe një betejë (fitore) tjetër si kjo, dhe më duhet të kthehem në Epir”! Çamëria dhe Epiri kanë dhënë edhe shumë strategë luftarakë e komandantë trima, heronjë, në luftërat për lirinë dhe bashkimin kombëtar, por edhe për çlirimin e të tjerëve, në rend të parë për çlirimin e Greqisë. Mirëpo, ka pasur edhe mercenarë të rryer, të cilët janë ftuar në luftëra të ndryshme, për llogari të shteteve të kohës nëpër Evropë: Itali, Francë, Gjermani, Spanjë, që në ato beteja kanë korrë fitore mahnitëse, por edhe i kanë lënë kockat e ushtarëve të vet, si puna e Pirros, Merkur Bue Shpatës etj.

Është e pamundur që në një vështrim si ky, të pasqyrohen të gjitha të bëmat dhe kontributi i personazheve të shumtë të librit. Cilin ta veçosh nga ata princa, ata strategë, luftëtarë trima e heronjë, duke filluar nga princër e luftëtarë: Pirro i Epirit,  Pjetër Losha, Gjin  Bue Shpata (për këtë princ e luftëtar të shquar,shkrimtari Arben Kondi ka shkruar e botuar romanin historik: Gjin Bue Shpata), Merkur Bua Shpata, Gjon Zenevishti, Dionis Filozofi, Gjergj Karaiskaqi, Ibrahim Pasha, Marko Boçari, Odhise Andruco, Haxhi Mehmet Dalani,  Muharrem e Haki Rushiti, Osman Taka, Daje Sako, Merrushe Nelo, Aziz Çami, Daut Hoxha, Rexho Plaku, Teme Sejko. Epiri i ka dhënë njerëzimit jo vetëm mbretër, princa e luftëtarë të njohur, po edhe klerikë të rangut më të  lartë, si Shën Eleuteri, Mihal Artioti, Dionis Filozofi (edhe klerik edhe prijës kryengritjesh), Atenagora i Parë. Gjithashtu, ka dhënë  figura brilante të arsimit, shkencës, artit e kulturës: Mihal Artioti, Muhamet Kyçyku-Çami, Haxhi Murat Çami, Mihal Anagnosti, Hasan Tahsini, Elena Gjika, Abedin, Rasih, Ali e Arif Dino, Rexhep e Musa Demi, Kolë Idromeni, Faik Konica, Abaz Dojaka, Niko Stilo, Bilal Xhaferri, tj.

Principata e Artës e princit Pjetër Losha shtrihej prej gjirokastre deri në Korinth. Në aleancë me princin Gjin Bue Shpata, në vitin 1358 e mundën ushtrinë bizantine të princit serb Niçifori II, në betejën e Akaleut, në të cilën u vra edhe vet princi serb. Gjin Bue Shpata ishte princi më i zoti, që zotëroi hapësirat më të mëdha të Epirit, përveç Janinës ku sundonte shqiptarovrasësi Toma Preluboviq, i cili ishte në aleancë me ushrinë osmane në luftë kundër princërve shqiptarë. Ai tiran ia kishte dërguar Gjin Bue Shpatës shportën me sytë e nxjerrur e vëshët e prerë të fëmijëve shqiptarë! Gjon Zenevishti, sundimtar i Principatës e cila shtrihej prej Gjirokastre në Luginën e Drinos dhe Delvinës. Ishte dhëndër dhe besnik i Gjin Bua Shpatës. Merkur Bua Shpata, fitoi beteja, tituj e shpërblime, me ushtrinë e tij të rryer në luftëra (stratiotët, mercenarë), sa herë u ftua për t’i ndihmuar në luftë Vendikut, Spanjës, Francës, Gjermanisë, gjithmonë doli fitues. I ftuar nga Franca, në vitin 1515 e theu ushtrinë zvicërane, e cila prej 1500 vjetësh nuk kishte njohur disfatë! Ibrahim Pasha, vezir i lartë e komandant sprem i ushtrisë osmane (i martuar me motrën e sultan Sulejmanit), e pushtoi Beogradin, Budapestin e Rodosin. Në vakëfet e tij në Bullgari (Razgrad), në tri fshatra janë vendosur ortodoks të Çamërisë, të cilët edhe sot e flasin “çamërishten”. Donis Filozofi, peshkop i Thesalisë, nxiti dy kryengritje të mëdha të shqiptarëve kundër osmanëve. Kur ushtria osmane e shtypi kryengritjen e dytë, zuri peshkopin, e rjepi për së gjalli dhe lëkurën e tij të mbushur me kashtë, bashkë me kokat e 200 kryengritësve ia dërgoi mbretit në Stamboll (asokohe osmanët masën e  suksesit të betejës e llogaritnin me numrin e kokave të prera)! Haxhi Mehmet Dalani nga Konispoli u bë guvernator i Libanit (1826) dhe si strateg ushtarak, me 800 kalorës e 3 anije luftoi për çlirimin prej Perandorisë osmane. Marko Boçari, kapiteni suliot, komandant i përgjithshëm, strateg e hero i revolucionit për çlirimin e Greqisë (1821), për artin ushtarak u edukua dhe aftësua në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Për këtë trim suliot është shkruar shumë (edhe shkrimtari Arben Kondi për këtë ka shkrua romanin historik: “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”). Arben Rakipi, në një shkrim të vetin, me apo pa të drejtë (?) Boçarin e cilëson si vrasës të shqiptarëve myslimanë.  Marko Boçari u vra (1823) në luftë kundër ushtrisë së pashait të Shkodrës (Mustafë Pashë Bushatlia).  Odhise Andruco që i qëndroi besnik Ali Pashë Tepelenës më tepër se dy djemtë e pashait, dhe që në vitin 1824 luajti rol vendimtar në çlirimin e Athinës, por që në fund e vranë autoritetet greke, në mënyrën më mizore. Gjergj Karaiskaqi, që ishte zënë rob nga ushtria e Ali Pashës, u vu në shërbim të tij dhe i mbeti besnik pashait deri në fund, dhe bashkë me Andrucon si komandant luftoi për çlirimin e Greqisë, por Asambleja greke ia hoqi të gjitha postet dhe gradat, dhe vdiq nga plagosja në rrethana të dyshimta në betejën e Akropolit. Muharrem Rushiti ishte simbol i trimërisë dhe zgjuarsisë, i cili prej vitit 1902-1920 udhëhoqi njëqint beteja, kundër pushtuesit osman dhe andartëve grekë, në të cilat mori 12 plagë në trup (e quanin Isa Boletini i Çamërisë). Alush Take, bashkëluftëtar me Muharrem Rushitin, tërë jetën dhe pasurinë i vuri në shërbim të atdheut; ai i furnizonte me armë dhe i mbante me shpenzime të veta mbi 300 ushtarë. Daut Hoxha, i cili luftoi 27 vjet rresht, ishte tmerr për andartët grekë, sa që prefekti grek i Paramithisë i kishte thënë Jori Sulit: nëse djali i tij Koço, që ishte në çetën e Dautit Hoxhës, do ta vriste Dautin, qeveria do ta bënte kolonel e do t’i jepte të holla të shkojë e ta kalojë tërë jetën në Athinë, por Jori ishte përgjegjur: “Nëse ime shoqe Koçon e ka me mua, ai nuk vret Dautin, edhe sikur t’ia jepni tërë Greqinë dhe ta vëni në fronin e mbretit”. Kishte edhe shumë luftëtarë trima tjerë të Çamërisë, të cilët luftuan kundër pushtuesit osman, kundër bandave greke, por edhe kundër pushtuesve italian e gjerman; si oficeri  artilerisë komandanti Haki Rushiti, i cili pastaj kaloi në grupimin e Ballit Kombëtar, apo komandanti Rexho Plaku, i cili në kohën e komunizmit vuajti 33 vjet burgim, bashkë me shumë çamër tjerë. Në luftë kundër bandave greke, bashkë me trimat e Muharrem Rushitit morën pjesë edhe femra çame: Daje Sako, Merrushe Nelo etj.

Çamëria i ka dhënë edhe krishterizmit figura të shquara. Papa i trembëdhjetë me radhë ishte Shën Eleuteri,  papa i parë me origjinë shqiptare, nga Nikopoja e Çamërisë, i cili përhapi krishtërizmin deri në Angli. Sipas disa të dhënave, ai qëndroi në fron dhe kreu me sukses detyrën e papës 15 vjet (175-189), në një kohë të vështirë të luftës së kristianizmit me paganizmin. Shën Donati ishte një tjetër shenjëtor çam i Paramithisë (shekulli IV e.r.) i cili, pas mbarimit të studimeve në Butrint,  gjithë jetën shërbeu me titullin e peshkopit të dioqezës së Çamërisë. Për nderë të tij, qytetin e Paramithisë populli e quante Ajdonat. Mihal Artioti, nga qyteti i Artës, ishte një nga viganët e mendimit humanist të Rilindjes Europiane. I ftuar nga Cari rus (1515), përktheu librat e shenjtë nga greqishtja në rusisht. Ishte humanisti i parë në Rusi, që hapi shkollë humaniste italiane dhe shtypshkronjën e parë të rregullt. Për shkak të qëndrimit liberal ndaj fesë, u akuzua si heretik dhe qëndroi njëzet vjet i izoluar në një manastir. Ka më se 150 tituj vepra e punime të botuara në tema filozofike, etike e pedagogjike.

Në periudhën e Rilindjes, nga Çamëria dolën personalitete të spikatura të shkencës, artit, kulturës, arsimit. Çdo komb do të krenohej ta kishte të vetin Hasan Tahsinin, të cilin mund ta quajmë kryerilindas i Evropës. Lindi në Ninat (1811). Si nxënës i medresës i kishte mahnitur mësuesit dhe nxënësit me zgjuarsinë e tij, dhe aty mori epitetin “Tahsin” (i shkëlqyeshëm), të cilin e mbajti dhe arsyetoi me meritë tërë jetën. Në Paris e Sorbonë qëndroi me studime e punë 12 vjet, ku doktoroi për shkencat fizike e natyrore. U emërua rektor i parë i Universitetit të Stambollit, por për shkak të pikëpamjeve liberale e demokratike u etiketua si “kaur” (pa fe) dhe u shkarkua nga posti i rektorit. Në institutin (medresën) që themeloi, nxënës-student të tij ishin: Pashko Vasa, Ismail Qemali, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami e Abdyl Frashëri etj, të cilët i njohim si rilindas të spikatur të çështjes kombëtare. Burimet turke e kanë quajtur – njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, ndërsa Sami Frashëri thoshte: “Njeri si Hoxhë Tasini i vjen Shqipërisë një herë në 1000 vjet”. Kur lexon për  Hasan Tahsinin, leximin duhet ta bësh me dorë në zemër, nga respekti për te, atëherë, sot e mot. Mihal Artioti, klerik e dijetar i shquar poliedrik. Muhamet Kyçyku-Çami, një arsimdashës, mësues, shkrimtar, përkthyes, autorë i shumë veprave. Poema e tij “Erveheja” (e përkthyer nga gjuha arabe) ishte lektyrë shkollore deri në ditët tona. Elena Gjika (Dora D’Istria), nga familja Gjika, me rrënjë nga Parga, nga udhëtimet, shkrimet dhe letërkëmbimet me personalitet më të njohura të kohës, u bë ambasadore e shquar e çështjes shqiptare. Ajo cilësohej si  njëra nga gjashtë gratë më të famshme të shekullit XIX. Abedin Dino, ministër i punëve të jashtme në Perandorinë Osmane, u angazhua që Çamëria të mos i shkëputej Shqipërisë, ka shkruar, përkthyer e botuar vepra të ndryshme. Osman Taka,  në saje të artit të valles “çamika” që luajti para valiut, shpëtoi nga dënimi me varje! Tahir Mete, përfaqësues i Çamërisë në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, punoi për hapjen e shkollave dhe organizimin e shoqërive kulturore. Rexhep Demi gjithë jetën e shkriu për shkollën shqipe, mblodhi ndihma edhe për Normalen e Elbasanit. Sheh Sabri Preveza, në shkollat turke u mësonte nxënësve fshehurazi edhe shqipen. Kolë Idromeni ishte piktor duarartë. Faik Konica cilësohet si një ndër njerëzit më të ditur në kulturën shqiptare në kohën e tij, të cilin Noli e quante: “bibliotekë lëvizëse”. Tërë veprimtarinë e tij diplomatike e publicistike ia kushtoi çështjes kombëtare. Musa Demi, mësuesi i parë në shkollën e Filatit. Spiro Çalluka, avokat e intelektual i nivelit të lartë, mik i Ismail Qemalit, Nolit e Hasan Prishtinës. Ali Dino, piktor dhe një nga karikaturistët më të mirë në Evropë. Arif Dino poet, aktor, regjisor, skenograf, përkthyes i njohur në Turqi e Greqi, e shumë të tjerë e tjerë. Për të mësuar më shumë për jetën dhe veprat e të gjitha këtyre personaliteteve,  lexonie librin e Mirela Kondit “Figura të shquara të Çamërisë”.

Të gjithë ata princa, ata ushtarakë, dijetarë, filozofë, klerikë, ishin personalitete të njohura e të respektuara, të cilët lan gjurmë të pashlyeshme në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, në kohë e  hapësirë dhe në rrethana të ndryshme. Shqiptarët në përgjithësi, dhe çamërit në veçanti, ishin populli më aktiv në luftën kundër pushtuesit osman, por ata kishin arritur suksese të admirueshme edhe në fushën e arsimit, shkencës, artit e kulturës. Ata sakrifikuan pasurinë dhe jetën, e për këto meritojnë lavdinë e përjetshme.

Me librin e saj, “Figura të shquara të Çamërisë”, Mirela Kondi ka kryer një akt simbolik të kujtimit dhe respektit për ato personalitete që janë për krenari. Po, përmes asaj galerie figurash të shquara, autorja ka paraqitur një mozaik procesesh e ngjarjesh të historisë së Çamërisë e më gjërë, në një periudhë të gjatë kohore. Leximi i librit “Figura të shquara të Çamërisë”, të krijon një ndjenje respekti për ato figura dhe krenarie që ato i përkasin kombit tonë dhe gjith përparimit të njerëzimit në fusha të ndryshme.

Ky është libri i dytë i Mirela Kondit, krejt i ndryshëm nga libri i parë, që ishte libër i lëmit të kulinarisë: “Kuzhina çame”, por që tregon se autorja është denjësisht e lidhur për trevën e Çamërisë. Sikur e thotë vet autorja, libri është një “sprovë historike-letrare…”, vazhdimin e së cilës e paralajmëron në fund të librit, sepse ka edhe shumë figura tjera të cilat meritojnë të kujtohen e të mos harrohen. Për hartimin e librit ka shfrytëzuar një bibliografi të pasur, prej afro 150 njësi bibliografike. Libri është shkruar me një gjuhë të pastër e stil të qartë e të rrjedhshëm, e me përdorimin aty-këtu të ndonjë shprehje karakteristike të çamërishtës, asaj “gluhe” e të folme të ëmbël, për të cilën poeti ynë Naim Frashëri (në poezinë “Dallëndyshe”) thotë:  “Eni vjen prej Çamërie / me ato milra fjalë / me atë gluhë perëndie/.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Adil Fetahu, ÇAMËRIA– FIDANISHTE E, FIGURAVE TË SHQUARA

Faik Ajroja u percoll per ne banesen e fundit ne Chikago nga 500 bashkeatdhetare

July 22, 2016 by dgreca

Nga ILAZ KADRIU, profesor /Chikago.

Para disa ditësh,  në varrezat shqiptare në veriperëndim të Chicago- s, në praninë e më shumë se 500 pjesëmarrësve dhe me nderimet dhe respektin më të madh, u varros atdhetari dhe kontributori i madh i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në shtetin e Illinois-it, me seli në Chicago Faik Ajroja.
U lind në fshatin Llaxhe të Kërçovës më 1936 në një familje të varfër. Në moshën 5 vjeçare,  komunistët jugosllavë ia vrasin të jatin, kurse babagjyshin ia burgosen 12 vite. Faiku mbetet jetim dhe rritet me kujtimet më të tmerrshme të kohes së luftës dhe pas saj.
Në moshën shumë të re, e lëshon vendlindjen dhe vendoset përkohësisht në Zvicër. Punon disa vite dhe prap kthehet në fshat. Pas nja dy tri viteve vjen në Amerike dhe vendoset në veriperëndim të periferisë së Chicago-s. Pasi punon një kohë, Faiku i sjell edhe 4 djemtë e tij, të cilët,  dalëngadalë me punë dhe djersë, të gjithë së bashku, nën komandën e Faik Ajros, blejnë kompaninë TBS të cilin,gjatë kohë e ka udhëhequr ai. Aty punojnë më shumë se 300 punëtorë, nga të cilët disa janë shqiptarë.
Sot këtë kompani e udheheqin tre djemtë e tij: Nexhati, Rushiti dhe Tahiri.
Për rifreskimin të kujtesës së atyre që e njohën djalin e katërt Xhevahirin: u vra në mënyrë tragjike para 6 viteve në Kërçovë, dhe mu kjo tragjedi e djalit,dalëngadalë e shkriu nga mërzia edhe xha Faikun.
Kështu i mbylli sytë një personalitet më rendësi në komunitetin shqiptar. Një kontributor i rrallë për cështjen kombëtare. Aktivistët i dalluar në kohën e luftërave të fundit shqiptare në Ballkan.  Anëtarë nderi i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane ” Uskana “, anëtarë i përhershëm i kryesisë së Komunitetit Shqiptaro Amerikan, në Chicago,  i dekoruar me disa medalje dhe çertifikata nga presidenti Bush dhe partia republikane. Zyra e xha Faikut është plot fotografi dhe artikuj gazetash të cilat pasqyrojnë aktivitetin e rëndësishëm kombëtar të shqiptarëve në Chicago ku xha Faiku bënte pjesë.
Referatin e shkurtër, domethënës dhe shumë emocional e lexoi Ilaz Kadriu, shok dhe mik i ngushtë i të ndjerit.
Pas leximit të biografisë së shkurtër,  Ilazi në mes tjerash tha:
Të nderuar të pranishëm,
Kur Zoti krijoi gjithësinë, ai krijoi edhe njerinë, dhe bashkë me të krijoi edhe rrethanat tjera të cilat mundemi ti shohim dhe ata të cilat janë të pakapshme për syrin dhe mendjen tonë.
Por, pas kësaj, Zoti, njëkohësisht krijoi edhe vdekjen e secilës gjallesa e cila frymon në mënyrën e vet. Kështu që cdo gjë që vjen në këtë botë duhet të shkojë. Ky pra eshtë proces që e krijoi i madhi Zot.
Shumë njerëz jetojnë dhe vdesin, kurse xha Faiku vdiq të jetojë, pasi që kujtesa për të do të jetojë gjatë në memorien e atyre që e njohën. Ai ishte njeri qe nuk fliste shumë. Urtësia dhe sjellja e tij e qetë fliste vetë.
Të gjithë me lot në sy e përcollëm xha Faikun në banesën e tij të fundit duke u lutur që Zoti ta dërgojë ne lartësitë më të mëdha të parajsës së universit.
Në fund, në emër të familjes Ajroja, faleminderojmë të gjithë pjesëmarrësit në këte ceremonial mortor si dhe ata të cilët na ngushëlluan përmes të pamjeve dhe telefonatave të shumta.
ILAZ KADRIU, profesor
*Autori i shkrimit ka qenë kryetar i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në shtetin e Illinois-it në Chicago.

Filed Under: Featured Tagged With: Faik Ajroja, Iliaz Kadriu, nga 500 bashkatdhetare, u percoll

Krijuesit e Komunitetit-Botim i fundit i shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia

July 22, 2016 by dgreca

Shkrimtari Pierre-Pandeli Simsia del para lexuesit me librin e tij më të ri, vëllimi me tregime: “OH, SA SHUMË PO VUAJ!”/
 Fragment i shkëputur nga libri:/
 
“… Një natë, u çova nga krevati për të shkuar në banjë. 
Në koridor, në errësirë, poshtë derës së dhomës ku flinte babai, pashë një fashë të hollë drite. 
Nuk doja ta shqetësoja, të trokisja në derë edhe pse meraku për shëndetin e tij nuk po më linte të qetë. Përkula kokën në vrimën e çelësit të derës. 
Ç’të shihja! Nuk doja t’u besoja syve të mi. Gjunjët, i gjithë trupi filloi të më dridhej si purtekë. Babai ishte ende zgjuar; ishte ulur në mes të dhomës. Përpara kishte hapur disa fotografi të mamasë sonë dhe të vëllezërve të mi. 
Ia pash syt e përlotur që herëpashere i fshinte me pëllëmbët e duarve. Fytyra i kishte marrë ngjyrë të trëndafiltë. 
Mbytyrazi, ia dëgjova zërin. Po fliste, po bisedonte me fotografitë si të ishin qënie të gjalla. 
Nuk po duroja dot më. Nuk doja të bëja zhurmë t’ia tërhiqja vëmendjen babait.  
U ktheva. Me hapa të ngadaltë, me hapa të rënduara nga pesha e madhe e dhimbjes, shkova drejt shtratit tim të fjetjes. Mbulova kokën me çarçaf. Nuk po mundesha t’i përmbaja lotët; po qaja me ngashërim. Në veshë më trokiste zëri i mbytyr i babait tek fliste me fotografitë. 
Doja të çohesha prap nga shtrati, t’i trokisja në derë, të rija pranë tij, ta puthja ta përqafoja, ti thoshja se je babai më i mirë në botë. Por nuk e bëra. Nuk po mundesha dot. Nuk po e përmbaja dhimbjen e madhe që më kishte kapluar shpirtin. Nuk doja të mendonte babai, se unë e përgjoja.
Që nga ajo natë, e vendosa, nuk do largohem kurrë nga babai, nga shtëpia, nga atdheu…”

Filed Under: Kulture Tagged With: nje botim i ri, Pandeli Simsia

Kurdët një popull martir i pamposhtur

July 22, 2016 by dgreca

Nga Kolec Traboini/

Tragjedia nuk ju nda kurrë popullit të Kurdistanit. Ishin aty para se të vinin hordhitë vrastare osmanët, turqit e sotëm. I shërbyen perandorisë si një nga popujt më luftarakë bashkë me shqiptarët. Patën edhe ata fatin e shpërbërjes se shqiptarëve por më keq akoma sepse nuk arritën të krijonin shtetin e tyre.  E ndanë në disa shtete popullin e Kurdistanit, 20-25 milionë në Turqi, po aq në Siri, Irak, Iran e gjetkë. Asnjë herë nuk e pushuan luftën për pavarësi, ani pse mbi ta është ushtruar dhunë e terror i paparë. Mjerisht shteti shqiptar as dhe një here nuk e ka shprehur simpatinë për këtë popull trim e martir me shkakun se kemi pasur shumë jeniçerë edhe pasi janë shporrur turko-osmanët nga trojet tona. Një dashuri dhe flirtim pervers deri ne përdhosje duke na konsideruar popull vëlla me vrasësit tanë ne pese shekuj. Marrëdhëniet e mira në mes shteteve siç e kërkon koha kur jetojmë, në paqe e mirëkuptim nuk duhet të na kushtëzojnë e të mos respektojmë aspiratat e popujve për liri. Duam nuk duam turqit janë pushtues në Kurdistan. Populli kurd ka të drejtën të jetojë i lirë në trojet e veta, në atdheun e vet. Ai popull ka karakteristika krejt të tjera nga turqit dhe këta ushtrojnë një dhunë të egër dhe shtypin çdo aspiratë lirie. Aq i shfrenuar e dhunues është pushtimi sa kur një deputet kurd po shpaloste gjëndjen e popullit të vet, deputetet turq thirrën që ta kapin, ta nxjerrin jashtë dhe ta pushkatojnë. Por deputeti kurd më gjithë kërcënimet se do ta vrisnin në vend, u tha  se ju mund të më vrisni se unë një jetë kam e jeta ime nuk ka rëndësi, por nuk mund të vrisni e zhdukni popullin tim, i cili është këtu në këto troje para se të vinit ju dhe mongolët. Edhe kryetari i Parlamentit thirri të vritet. Atëherë deputeti kurd tha,  ju jeni pushtues dhe do të keni fatin e çdo pushtuesi që u merr lirinë popujve. Ju më kërcënoni të më vrisni sot mua, por ju vrisni përditë me bomba popullin tim, gra e fëmijë e mbillni kudo terror se jeni pushtues e vrasës. Po cila është historia e Kurdistanit, këtij populli luftëtar që aspiron lirinë e vet? Pas rënies së Perandorisë Osmane, shtetet e mëdha vendosën ta ndanin Kurdistanin në disa pjesë për të kënaqur orekset e tyre me trupin e një kombi. Ishte Traktati i Lozanës  më 24 korrik 1923 tepër fatal për kurdët, të cilëve makinacionet e shteteve të mëdha i lanë pa një shtet të vetin. Në Konferencën e San Franciskos 1945, përfaqësues të Kurdëve paraqitën kërkesën për njohjen e territoreve të veta dhe të një shteti kurd. Po kjo nuk u bë. Kurdët kanë një histori të gjatë luftërash e kryengritjesh për pavarësi. Është e njohur kryengritja e Koçkirit në vitin 1920. Po ashtu në vitin 1924 kryengritja me të njëjtin emër. Pastaj shënohet kryengritjen e Sheikut Said dhe e quajtura Republika e Ararat në 1927. Në vitin 1937 ndodhi kryengritjen e Dersimit. Por të gjitha këto revolta e kryengritje për liri  u shtypën në mënyrën më mizore nga autoritetet turke. Aq shumë është ushtruar dhunë e terror në Kurdistanin turk sa që nga viti 1925 e deri në vitin 1965  ishte shpallur zonë operacionesh ushtarake dhe u ndalohej të huajve që të hynin atje. Nuk donin që perëndimoret të njiheshin me krimet e përbindshme që bëheshin mbi popullsinë kurde. Ne përpjekje për tu mohuar çdo të drejtë kombëtare, qeveritë turke deri në vitin 1991 i konsideronin kurdët si turqit e maleve. Por asnjëherë nuk arritën ta asimilonin popullin e Kurdistanit. Marrëzia e pushtuesve turq arrinte deri atje sa edhe emri Kurdistan ishte i ndaluar. Me grushtin ushtarak të shtetit në vitin 1980, u ndalua edhe gjuha kurde si në përdorim publik por edhe në përdorim individual e privat si gjuhë shtëpie. Kushdo që fliste, shkruante apo këndonte në gjuhën kurde arrestohej. Një terror i pa shëmbullt sa asnjë popull tjetër e kjo ndodhte në Europë, hapur nën indiferencën e shteteve të mëdha. Që nga viti 1990 deri në vitin 2000 edhe partitë politike që përfaqësonin interesat e Kurdëve ishin të ndaluara në Turqi. Në vitin 1983  provinca e Kurdistanit në jug të Turqise  u vendos nen një regjim të hekurt ushtarak në përgjigje të veprimtarisë së Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Lufta guerrile vazhdoi që nga viti 1980 e deri ne vitin 1990,  gjatë të cilave me dhjetëra mijë banorë u larguar dhe mijëra fshatra u rrafshuan me tokën.  Numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarve ishte i panumërt. Shifrat të tregojnë një tablo rrëqethëse e të përgjakshme. Më shumë se 20 mijë kurdë u vranë dhe  vendbanimet e tyre u shkatërruan, nën një terror të paparë. Jo vetëm aq, por turqit arritën deri atje sa të bënin edhe embargon e ushqimeve në zonat e banuar nga Kurdët në vitin 1983. Si mjet lufte u përdorën veç armëve e makinerisë moderne ushtarake edhe uria. Tërë kjo mizori ka pasur qëllim ta shkombëtarizonte dhe ta zhdukte rrënjësisht popullsinë e Kurdistanit sepse gjithherë Turqia ka pasur frikë se Kurdët e pjesës së Irakut do të nxisnin e frymëzonin kurdët e jugut të Turqisë për të fituar pavarësinë e për tu bashkuar në një shtet të përbashkët. Pikërisht kjo frikë i shtynte që krahas reprezaljeve e masakrave mbi kurdët e Turqisë, të bënte një luftë të madhe diplomatike, por edhe veprime ushtarake që kurdët e Irakut të mos kishin asnjë të drejtë dhe të mos e  fitonin pavarësinë e tyre. Por me hyrjen e amerikanëve në Luftën e Irakut rrethanat u ndryshuan. Autonomia e kurdëve e fituar në vitin 1992 në veri të Irakut u konsolidua. Interesant është se në vitin 2010 US Raport, ka shkruar se ka të gjitha gjasat që Kurdistani do të bëhet shtet nga viti 2030. Por ndodhitë me krijim e shtetit ISIS dhe pjesëmarrjen e kurdëve në krahun e Irakut dhe Shteteve te Bashkuara  krijonte një mundësi për krijimin e shtetit të Irakut mbase më shpejt nga parashikimet. Populli i Kurdistanit tani është më i ndërgjegjshëm se kurrë sepse nuk mund edhe më tej të  jetojë në shtypje e robëri dhe duhet të luftojë për lirinë e vet. Është karakteristike se djem e vajza të reja përditë e më shumë po radhitën në formacionet luftarake kurdistane në Irak dhe në Siri, por edhe në territoret e pushtuara nga Turqia. Ndaj tyre është treguar një gjenocid i paparë edhe nga regjimi i Sadam Hysejnit duke përdorur armët shfarosëse kimike. Ata tani janë ndër luftëtarët me të vendosur e të angazhuar ne luftimet kundër shtetit Islamik( ISIS), i cili ka shpërthyer në një mizori të paparë kundër njerëzve që i përkasin kulturave apo religjioneve të tjera. Sukseset e luftëtarëve kurdistanë duke përfshirë edhe gratë e vajzat e janë të dukshme. Ato kanë krijuar formacione e marrin pjese direkt në luftime me të gjitha llojet e armëve.  Sipas agjencive të lajmeve ata janë të armatosur më së miri nëpërmjet lidhjeve me njësitet  amerikane që veprojnë në Irak e te cilët kurdët i konsiderojnë tashme aleate. Edhe me mijëra vajza të Kurdistanit janë përfshirë në këto forca që quhen  Peshmerga, që ka kuptimin e qëndresës deri në vdekje. Ato janë luftëtarë të forcave ushtarake  të rajonit të Kurdistanit,  pjesa që ndodhet në Irak e cila e ka fituar autonomin në 1970.  E konfirmuar sërish në vitin 2005 kjo autonomi. Admirali amerikan në pension James A. Lyons, përfaqësues ushtarak i Amerikës në OKB, në një shkrim të tij në “Washington Times” me titull “A kurdish Opportunity” shkruan : “Në mënyrë të qartë, është koha që të mbështet në mënyrë  të gjithanshme, duke përfshirë edhe atë ekonomike, një komb sovran kurd. Ky do të jetë një tjetër aleat i fortë, i besueshëm e demokratik kështu Shteteve të Bashkuara në këtë rajon do të jetë të mirëpritura, dhe kjo ka një vlerë të madhe strategjike.”  Pas ngjarjeve të stisura me grushtin shtetin në Ankara e Stamboll dhe dhunës së egër që po ushtron shteti në mënyrë absurde,  çfarë të kujton diktaturat më të egra në histori,   agjencitë e lajmeve shkruajnë se Ushtria Amerikane po ngre pesë baza ushtarake në Kurdistan, rajoni autonom në veriun e Irakut. Me këto që bën Taip Rexhep Erdogani me dëshirën e çmendur të krijojë perandorinë e re osmane, ka gjasat që Turqia të shkërmoqet dhe populli i Kurdistanit të fitojë më së fundi lirinë e vet në tërë territoret e veta kombëtare. Nëse e duam lirinë tonë, nuk mund të mos e duam dhe lirinë e të tjerëve,  ndaj të mos heshtim por të përkrahim çdo popull të shtypur në aspiratat e vet të lirisë. 21 korrik 2016

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: i pamposhtur, Kolec Traboini, Kurdët, një popull martir

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT