• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

AGIM MUSTA RREFEN POLIGONET E VDEKJES TE DIKTATURES

August 27, 2016 by dgreca

Agim Musta:Rrëfej poligonet e vdekjes të diktaturës/*

Një pjesë e madhe e viktimave nuk do të gjenden kurrë”, – shprehet Agim Musta, njeriu që në 12 librat e tij ka dokumentuar tmerret e diktaturës komuniste. Ai shton se ndërsa regjimet e tjera të japin të drejtën të varrosësh kufomën, diktatura komuniste nuk ta jepte këtë të drejtë minimale, pasi eshtrat e këtyre viktimave hidheshin në gremina, lumenj, ose digjeshin me acid.

Musta thekson se Ministria e Brendshme e regjimit të Enver Hoxhës kishte miratuar një sërë poligonesh ku bëhej ekzekutimi i të dënuarve me vdekje. Ai tregon disa prej këtyre, që i ka titulluar “Poligonet e vdekjes” në kapitullin XIV të “Libri i zi i komunizmit shqiptar”.”Por kishte dhe nga ato vende që nuk ishin autorizuar, por ku bëheshin vrasjet, kryesisht buzë lumenjve apo buzë greminave”, – shprehet shkrimtari historian.

Musta më pas tregon dëshminë e Dervish Sulos, ish-prokuror i Durrësit gjatë viteve 1950: “Të dënuarit me vdekje i ekzekutonim në Porto-Romano. Dikur atje ndodhej një fabrikë për përpunimin e lëkurës dhe kishte shumë gropa, ku kishin hedhur mbeturina lëkurësh të dekompozuara nga acidet. Kështu që nuk ishte e nevojshme të hapnim gropa të reja për kufomat e të ekzekutuarve. E afronim “gazin” afër një grope, zbritnim njeriun që do të ekzekutohej, e vendosnim para prozhektorëve të autoburgut të lidhur këmbë e duar dhe e ekzekutonim nga mbrapa me automatik ose revolver.

Kur personi që ekzekutohej ishte i rëndësishëm, merrnim me vete edhe mjekun e Degës për të bërë pohimin me shkrim për personin e asgjësuar. Në shumicën e rasteve mjeku firmoste të nesërmen, pa ardhur në poligonin e vdekjes fizikisht…

Pas kryerjes së vrasjes, thirresha unë si prokuror dhe mjeku i Degës, për hartimin e raportit të ekzekutimit, që gjoja ishte hartuar në poligonin e vdekjes në Porto-Romano. Natën vonë, kufoma hidhej në gropat e Porto-Romanos dhe thithej menjëherë nga mbeturinat e fabrikës. Brenda një kohe të shkurtër ajo dekompozohej krejtësisht”.

Musta tregon se janë përdorur metoda të tilla për zhdukjen jo vetëm të kufomave, por edhe të eshtrave të tyre. “Një pjesë e tyre janë përdorur si kadavra në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe janë shitur edhe jashtë Shqipërisë, klinikave të spitaleve universitare, është kjo dëshmia e Halim Xhelos sa u takon të ekzekutuarve pas vitit 1948”, – shprehet Musta.

Ai përmend tmerrin e kënetës së Maliqit, për tharjen e së cilës kanë punuar të dënuarit politikë. “Ata që vdisnin nga puna e rëndë, nga torturat e sëmundjet, nuk i groposnin, por i hidhnin në llumin e kënetës. Në vjeshtë kur të burgosurit i dërgonin në burgje nga kishin ardhur shirat e furishëm që sillnin ujëra të shumtë, merrnin me vete llumin e kënetës dhe kufomat e dekompozuara dilnin në sipërfaqe. Ato tërhiqeshin nga qentë e katundeve përreth kënetës, duke u bërë tmerr për fshatarët dhe subjekte për legjenda të llahtarshme”, – pohon Musta.

Duke përmendur shifrën 4000 vetë që nuk kanë varre, evidencë e shoqatave të ish-të persekutuarve, shkrimtari historian Musta thekson se janë më shumë se 4000. Sipas tij, viktimat pa varre, pjesës më të madhe të cilëve nuk mund t’u gjenden eshtrat, janë 6000.

  • E dergoi per Diellin: Bardhyl Selimi

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Musta, diktatura, Poligonet e vdekjes

KADRI ROSHI – DASHURI E DEHUR

August 27, 2016 by dgreca

Nga cikli «Apostuj të vendit tim»/

Ese nga Xhevair Lleshi/

Karavasta do të thotë Bashta e zezë. Kishte një kasolle me kallama dhe mbuluar me kundje, brenda një jastëk të gdhendur shelgu dhe një divan po të gdhendur vidhi. Asnjë shtrojë. Vetëm dhé e cung. Bashkë me Sheri Mitën dhe Llazar Verën e gjetëm tek po bënte vapën, domethënë po flinte. Shishja me verë e zbrazur. Aroma e një femre ndihej menjëherë. Dy skelete  ngjalash të lëna mbi gjethe lofate, afër shishes së zbrazur. Nuk e trazuam. Dolëm jashtë në strehë të kasolles. E zeza, Karabashta e famës së jashtëzakonshme të aktorit tonë të madh Kadri Roshi, na përmbyti me një brizë të hollë sikur do t’na shponte brinjët. Si flinte ai? Ne e patëm lënë dhe ai do të duhej të na priste. E ndjemë se qe zgjuar dhe u vërsulëm brenda. Gryka e gjerë drejt kanalit hijezohej dhe bëhej gati të derdhej hijerëndë në det dhe do të trysej ëmbël dhe kripur një gjatësi të fjetur. Janë ujëra të çuditshme këto, si ajkëtuar i kripur me sheqer. Ujët e tromaksur e të përzierë si ia kishte qejfi bënte edhe ai një sy gjumë të tronditur para takimit me hapësirën që e priste në muzgun e detit të mërzitur s’di pse. Vetë Karabashta-ja, Bashtëzeza, shihte ëndrra bojë trëndafili dhe puthej me hijet levarashe të pyllit të atëhershëm të Divjakës, tretur në hapa murgjish të ardhur apostafat për të parë pikërisht këto puthje të mrekullueshme. Duket këto shihte edhe Kadri Roshi. «Erdhët?» pyeti. «Erdhëm, po verë nuk kemi!» Nënteksti i asaj që nuk u tha, u ndje. Këtu s’mund të vije pa verë e pa femra!

«Do ta lëshojmë varkën?» pyeti Llazari, i tymtë, i thatë dhe gjithnjë ngacmues. Sheri Mita qeshi me zërin e tij të jashtëzakonshëm, të ngrohtë dhe të dashuruar. Varkëtari doli nga ferrat atje tej me një shufër të gjatë për t’u nisur me ne. Na dëgjoi dhe erdhi. S’donte ta thërrisje. Themiu ishte gjuhëprerë. Kurrë nuk ia dëgjuam zërin. Ndërkohë m’u bë sikur Kadri Roshi po heshtej i men­duar. Të dukej se nuk donte të na kishte pranë, sikur ia prishëm frymëzimin brenda gjumit. «Sot e gjete?» e pyeti Sheri. «Po të vijë prapë, edhe tani. Ç’e do iku laneti!…» Varka gati ishte. Themiu hell i gjatë në këmbë. Edhe Llazari. Ne të tre u ulëm në stolin prej dërrase vidhi. Bëri gishtin lart nga qielli dhe e tundi duke parë dritësimin lëbyrës të pasdites. «Nuk është ora e duhur. Megjithatë…» Themiu ngulte shufrën e gjatë në ujë dhe varka bënte tutje. «A do ta shohim ujët me hënë e me muzg?» e pyeta. «Edhe poezinë kishim mangët!» tha dhe qeshi. «Ku më zë rehati mua mor djalë!» Dhe u kruajt.  Kishte një bezdi që dukej. Po pyesnim me sy njëri-tjetrin, se mos ia prishëm planin. «Jo, mos mendoni ato që çoni në mend. Nuk më keni prishur asgjë. Ia kam prishur vetes… Vetes ia bëjmë gjithnjë të zezën… Hija e saj më ndjek gjer këtu. Dhe unë flas, qesh, këndoj me hijen e saj!…» «Me hijen?» e pyeti Sheri serioz. Kadri Roshi po mbyste të qeshurën me një tingëllim pendese, duke e tundur zërin përbrenda, si zilka të argjendta që do të mbyteshin në ujë duke ndjekur varkën e Themiut memec. Befas dëgjuam ca tinguj që vinin nga ujët e Karabashtës  dhe të bënin të mendoheshe nën ritmin e një dridhjeje ëmbëlcake e nën ca thirrje të pakuptueshme e plot epsh. Të dukej sikur qeshte e tundte kokën. «E di ç’thonë?» pyeti Llazari. «Hë, o shën Llazar, ma thuaj ti!» Llazar Vera u kapërdi…

Shufra e gjatë e Thimit bëri një hark nga pas dhe u ngul fort në ujë, i cili u turbullua. Më pas e nxori bashkë me një ngjalë të stërmadhe. Ajo, e mjera spërdridhej dhe Kadri Roshi e kapi me një qeshje të madhe e të hapur në fytyrë. E plasi mbi dërrasat e varkës dhe atje ajo përdridhej si gjarpër nëpër këmbët tona. Sheri nuk po e duronte fare. «Ah ta piqnim këtu!» belbëzova. «E pjekim më mirë mbi ujë!» E qeshura e tij u zgjat mbi vijën e ujit. «E dini? Këtu do t’i sjellin pleqtë, në pyll, me kuajt hergjele, para se të vdesin. Sa në varka, sa në pyll. Do të ngrenë edhe një kishë, shshsht, do t’u bien kambanave pleqtë, do të falen për shpirtin e tyre, do mbeten pastaj lakuriq, do mblidhen me fiere e me shpëndra dhe do kërcejnë si qëmoti, duke harruar se kamerat do jenë 24 më 24 dhe do t’ua japin bijve t’i shohin etërit e marrosur e të tretur nga malli. Unë për vete këtu do të doja të më sillnin. Pleq e plaka. Kënga e erës, e detit, e pyllit dhe e Karabashtës do të bëjnë korin më të bukur në botë. Mendova Turkun si do ta drejtonte korin dhe m’u qesh. «Ej, djalë, e kam vërtet. Nuk po tregoj përralla. Se unë flas dhe qesh me hijet, po nuk shoh ëndrra me sy hapur kurrë! As kur dielli është më të perënduar. Janë njëqind e tridhjetë e gjashtë konakë kashte e degësh dushku në këtë pyll Divjake, nëpër këto kodra halli», tregoi ai duke hapur krahët mbi varkë. Llazar Vera i vuri dorën. Aktori i madh hoqi thellë. «Natën këtu në pyll s’ka frymë njeriu. Kullosin kuajt hergjele, kullosin delet e dhitë, lopët, ulërijnë ujqërit e çakejtë, aq sa i zë tmerri edhe peshqit! Ah, moj e poshtër, pse më ike! Dhelpra. Sheri, ju s’e merrni dot me mend se si më rrinte. Sus!… Mendoni pleqtë peshkatarë, tharë në tym si dru thane, duke u marrë me veten, vreshtin e madh të ëndrrave, ujqërit dhe verën…» Po fishkëllente Themiu dhe ia kthente era e butë e Karabashtës…

Kasollet e eremitëve. Të isha si ty djalosh një roman do shkruaja për to, për femrat e tyre që vinin në muzg dhe largoheshin në mugëtirë. Ah, sa e ëmbël që është, Zot, mugëtira! Eremitët deheshin me zjarrin e femrave të kolme dhe batisnin dheun e kuq ku rriteshin lisat e Divjakës. Nga halli kapërcenin Kanalin e Gjerë të Detit dhe e mbanin frymën në Ardenicë. Lukunia e tyre atje është, në Ardenicë. Keni hyrë aty ndonjëherë? T’i merr flokët Fryma e Detit. Qan era me zë femre dhe tremben ata që shkojnë andej, përpara manastirit të vetmuar që kuqëlon nga Perëndimi. Ngjiti sa të duash shkallët, në vend rri dhe hesht e pastaj kthehesh këtu te kasollet. Po të duash miqësohesh me kuajt dhe frymon buzë detit si i lojtur mendsh. S’ka gjë më të bukur. Këto kasolle kanë hequr të zitë e ullirit. Këtu i groposnin në kashtë shalqinjtë myzeqarkat dhe vendet i dinin mirë djemtë e hedhur që u binin pas mëzatkave! Themiu dridhte fishkëllimën dhe puhiza e mbrëmjes i mbante kaba. Një goditje tjetër me shtagën e gjatë që harkohej mbi kokat tona. Ishte e katërta ngjalë…

Ore, na dëgjon Thimi? Thimi dëgjon zëra të thellë nga toka e nga deti. Ç’përralla belbëzon Themiu, ohu, nuk tregohen dot! Bën të kthehet, dhe i lutet Zotit për mua dhe vjen prapë… Mjaft, Kadri, u bë kohë që po gjuajmë e do të shohim kasollet e eremitëve… Vetëm? Vonë zbresim në kasollen e tij, kasollja e njëqindetridhjetë e shtatë… dëgjojmë pllaquriten e ujit dhe nga pylli vjen dhe kënga për pagëzimin e tyre…

Nata po hapej si e ndarë më dysh, duke davaritur re pluhuri dhe tymi nga buza e pyllit. «Si ia bën me gjarpërinjtë, mjeshtër?» «A, me gjarpërinjtë është ç’është, Themiu e di.» Ky thartoi turinjtë dhe shihte tinës nga Kadri Roshi. U bën magji Themiu. Eh si vallëzon me ta! Po ç’vesh muzike që kanë! Ç’të të them, vëllezër! Është çudan njeri ky! Dhe, pale, pale, po ky dhe puthet me ta. Lozin, mo, lozin gjarpërinjtë me trupin e Themit. Po kur vjen Dhelpra, naze të mëdha luhen. I do djalli, i do. Po t’i dëgjoni ç’punojnë. Kush e di ku e ka mendjen atë kohë që vallëzon Themiu. Hm. Po të dojë Themiu, hataja të gjen, gjarpërinjtë të presin te dera. Me fishkëllimë i thith, si ngjalat. A nuk e patë?… Sheri po dridhej nga tmerri dhe kapi vështrimin tim të tendosur. I thashë me sy që të mos trembej se e ndiente Themiu… Po binte një qetësi si prej puple, kurse Themiu sikur qe fshehur. Papritur ujërat e Karabashtës u tundën dhe toka po oshtinte thellë. Kuajt! bërtiti Kadriu dhe u përngreh. Ku vinin gjarpërinjtë? M’u bë sikur pyeta

dhe sytë u larguan tutje te ca rosa e çafka, me këmbë të penguara prej ujit, plot trille levarashe, pastaj mund të shihje pelikanët madhështorë të vargoseshin hijerëndë. Një mrekulli që ta gufonte zemrën aq sa doje të ishe edhe ti mbi ujë, gjoja për të pritur kumtet prej mbrëmjes së vonë, larg e larg, me ca vazhda uji prej krahëve që rriheshin me ngut. E bruzta shkrihej me një pipëtimë të brejtur. Ndjeva zjarrin dhe Themiu u vinte rrotull xixave, duke i reshtur me duar. Po piqte ngjalat mbi shpuzë. Ato akoma përdridheshin. Edhe mbi tabakatë e sojme të Stambollit ato ende, edhe pse të pjekura për qejf, përdridheshin.

E di ç’thonë eremitët e panjohur (edhe Dhelpra natyrisht!) kur ia behin kështu kaq dendur miqtë e paftuar? Vijnë, thonë, se e ndiejnë aromën e femrës. Është një bar këtu në Divjalë e në brigjet e Karabashtës që ta bënë kokën tym dhe shpirtin dyst prej kësaj arome. Madje edhe ujqit mbeten gojëhapur dhe meshkujt u shalojnë kuajve të egër, si të paudhë që janë dhe jo vetëm njëherë, po sa herë të duan, dhe fluturojnë tutje, larg bashkë me ta e me to… veç kur i gjenin shtrirë mbi rërë, buzës së zbaticës.

Thimi më sillte në mendje Thimin e vjetër të Xheblatëve, ditarin e të cilit e kam tundur fort si një gjë të madhe e të veçantë, por që askush s’ia hodhi sytë. Kështu që bëj ç’bëj i kthej nganjëherë faqet dhe shkruaj gjërat e vjetra. Edhe ai Karabashtë i thoshte, kurse Divjakës i thoshte Tërbuf, se asokohe Tërbufi ishte dhe Divjaka ishull me gjithë kodrat e saj plot lisa, pisha e shkozë, përplot rrjedhje ujërash nga kasollet – konakë të eremitëve. I ziu Thimi, belbëzonte motive të vjetra, ndoshta që nga koha e Eftihimit, siemrit të tij. Vonë do ta gjenim duke fjetur afër një ledhi, mbuluar me një velenxë leshi. Hane-hane të qe ndonjë mullar aty pranë. Zgjohej shpejt që me yllin e Karvanit dhe do hidhte rrjetat, atëkohë kur kuajt hergjele flinin në këmbë buzës së detit. Ne i kishim batisur ngjalat, shoqëruar me nga një kupë verë, që se nga mbiu nuk u mor vesh. Hanim, qeshnim, mekeshim, mbyteshim, derdhnin nga një çurg vere nëpër gushë. Sa nuk u mbytëm nga e papritura e thirrjes së Dhelprës. Mos u trembni, tha Kadriu dhe doli. Edhe ai imitoi Dhelprën. Iku. S’e ktheu kokën prapa. Ne të tre kishim punë me ngjalat e pafundme, me verën allasoj, të kuqe flakë dhe me një aromë shafrani të patreguar. Aty në ledhe kishte manxuranë dhe brenda në kasolle trumbëza manxurane erëmirë. Po qe manxurana nuk vjen as gjarpri! Janë fjalët (jo gjepurat) e Themiut këto, ta dini! Rrinim-rrinim dhe kthenim kokën nga lesa: ku humbi ky djall! Vërtet, të gjitha kasollet-konakë të eremitëve bubërrojnë gjithë natën? Do t’i ketë shtruar manxuranë ky i flamosur Themi kasolles së re të Kadri Roshit? Jo? Po atje të shqyejnë gjarpërinjtë. He-he, po hyri Dhelpra, miku im, ikën gjarpri. Nuk e duron dot aromën e femrës ky budalla i frikshëm. E di ti që në kasolle janë rrjetat e peshkatarëve? Nuk e di as këtë? Po, pse s’thua, që qenke trokë fare! Po grerëza ka? Hm, edhe ato ikin nga manxurana dhe nga Dhelpra. Nuk nakatosen me to. He, janë nikoqire grerëzat, po s’u ka duk, pastaj s’durojnë dot të kenë afër bajga të djegura. More, i shtoi urat fjalëve që hidheshin nga një breg në tjetrin, Llazar Vera, mos i poqi me bajga të thata ngjalat ky Themiu? Ehu, këtu bajgat vu! Ku e lë Kadriu atë. Se ky i uruar është bërë eremit dhe firar. E dëgjon? Po vjen më duhet. I bëri fërtele gjunjët me hijet e natës! S’la Dhelpër dinake pa futur në shtrungë. Pse, futen edhe Dhelprat në shtrungë? S’e kisha dëgjuar… Nata lëvizte me zërat e saj të fshehur me një mister të padukshëm. Herë pas here vinte së largu troku i kuajve hergjele… Më në fund u ndje kolla e Kadri Roshit. Basi i Sherit  e shkundi kasollen. Kadriu i gjatë dhe i holluar përkuli kokën dhe shtyu lesën. Seç belbëzoi diçka nëpër dhëmbë. Hë, mo, i trembe, apo të frikësuan lanetkat! Dhelpër hesapi. Frymon edhe ajo. Ikën, vjen, trembet, largohet, fle, dremit, nganjëherë bën sikur fle, këndon, gjuhëzon me fjalë ngecur në grykë, nepsmadhe, e paepur, e ngjyruar nga nata, me sy e dhëmbë të bardhë, kafshon… e ç’nuk bën. Zot i bekuar, ajo është nga këto shtojzovallet e pyllit nakatosur me të detit, sirenë. Dhelpër, jo llafe. S’di as ku ta afrosh, herë është ajër, herë është dritë, herë të tjera nxin. Ç’të të them! Nuk tregohen ato të sajat. Vdes i ziu njeri për t’u dashur, trokë bëhet. Po ajo s’pyet. Gafrron, të çjerr si mace, pastaj kthehet në kotele, thotë fjalë të ëmbla, bëhet hije. Hijen ku ma gjen se të ndjek pas si shelege…

U dëgjuan edhe hapat e Thimit. Tërhiqte bran rrjetat deri te varka. Një kollë e thatë shponte natën e kthyer për nga mëngjesi. E qeshura e Thimit të mbante pezull e si në pëllëmbën e dorës. Mjekra e tij frizohej nga fryma e Karabashtës. Ç’thotë ky, mendoja, çfarë sheh, që mua s’ma zënë sytë? Fliste me vete, i drejtohej ujërave, pyllit, kuajve. As kuptohej se ç’katranoste tjetër ai! Edhe Kadri Roshi kishte ngrirë herek në mes të kasolles. Bënte punë të rëndë ky njeri i madh. U fliste njerëzve nga skena! Zoti ta ndihmonte! Bënte pa e kuptuar kryq, gjente prapësitë e fun­dit, llogariste me mend mëkatin e radhës… «Qenke akull», i tha Sheri Mita. «Ka rrugë me kalldrëm këtu?» «Ka, Llazar, ka! Divjaka është Stamboll e shkuar Stambollit!» Mugëtira po hapej duke shembur vende-vende pllanga të përhime si cerga të tymosura merimangash të zeza. Dukej se ishin zhdukur dhe frymët e vdekura rreth e qark nganjëherë sillen në  ajrin e qiqërimtë. U dëgjua përsëri një përngjasim i thirrjes së Dhelprës. «Po kjo?» pyeti Sheri me të qeshur. «Erdhi prapë, duket. U bë esëll. Zot i madh! Po ma merr frymën dhe prapëseprapë do të shkoj. Ma bëj hallall Sheri, për këtë pritje! S’e kisha menduar. Dhelpra ime është e paturpshme!…» Ngriti duart lart dhe thirri me zërin e tij si me lebeti të kobshme. Ishte i veçantë ta bënte këtë. Askush nuk mund t’i afrohej. «U pa puna, ajo do t’më marrë në qafë. E ç’e doni, harrojeni, por unë s’mund ta harroj dot… Për kë e kishte fjalën, s’po kuptohej. Tronditja e kishte kapluar dhe po vinte rrotull vetes si fugë. Kali i parë që kapet, ai vihet të shijë në lëmë. Kapistrën në fyt dhe kamxhikun mbi vithe!»

Iku, pa thënë më një fjalë. I thirrëm, Kadri, ku po shkon… Kadri, eja, po vjen mëngjesi edhe ne do largohemi. E kishim lënë që do të hanim vezë pëllumbash mbi tjegull… Mos e harro premtimin! Po ai iku, ja, atje në gjirin e natës, nuk e pa më askush, vetëm në mëngjes do ta gjenim në kasollen e parë të eremitit. Ishte në gjumë me Dhelprën e tij, krahaqafë. Gjumë më i ëmbël nuk bëhej! E lamë ashtu dhe ikëm, pa i lënë shëndenë. Po niseshim për udhë, pas pak vinte dhe makina e porositur të djeshmen (ajo që na kishte sjellë) dhe një torbë e madhe me peshk të sapo zënë u zgjat me shtagë nga varka. Themiu zgjaste krahun dhe e tundte, duke zbardhur dhëmbët me një të qeshur të hidhur…

E lamë pas kasollen e Kadri Roshit që ndërkaq po na humbte nga sytë. Erdhi makina jonë dhe ne po sistemoheshim brenda, por shoferi, Idrizi, s’po ngutej. Pas pak u afrua te xhami i hapur. «Mos u mërzitni, tani vjen edhe Kadri Roshi.» Dhe qeshi, duke ngritur supet. Edhe ky si Thimi, mendova, kur në kthesën e parë vura re Kadri Roshin duke vrapuar e thirrur. Sheri hoqi kamerën dhe po e filmonte. «Këtu është në rol», tha ai dhe qeshi me zërin e kulluar prej basi. Shoferi vrapoi drejt tij dhe e ngriti në krahë. «Dhelprën e lashë në gjumë», tha duke marrë frymë me zor. «Vete Themiu. Ja edhe unë sikur kam ardhur sërish, apo jo Idris!» «Si jo Kapedan!» Kapedani qeshte duke dritësuar atmosferën. Llazar Vera bëri kryqin. Ditë e re, nafakë e re…Amen!                                                     Tiranë, 26 gusht 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: DASHURI E DEHUR, Kadri Roshi, Xhevair Lleshi

SPORT- Kombetarja! Shqiperia humbet 3-0 me Luksenburgun. “Golat” i ben FSHF.

August 26, 2016 by Administrator

*Albania sanctioned for fielding ineligible player in friendly/

*Partizani “Lamtumire Europe”!

Nga Albano Kolonjari/

Shqiperia humbet takimin miqesor me Luksemburgun 3-0. Eshte ky vendimi i Komisionit te Disiplines prane zyrave te futbollit boteror FIFA. Zyrtaret e FSHF dhe ata te Kombetares se Shqiperise duket se nuk i njohin ligjet e futbollit. Shkak per kete denim eshte bere aktivizimi i mesfushorit Ergys Kace ne takimin Luksemburg-Shqiperi (0-2). Ergys Kace ishte ndershkuar me kartonin e kuq ne ndeshjes e meparshme me Austrine. Ky fakt nuk i ka penguar zyrtaret e FSHF dhe at ate Kombetares se Shqiperise qe ata aktivizojne Ergys Kace ne ndeshjen pasardhese me Luksemburgun. Ne baze te rregullave te FIFA-s Ergys Kace nuk duhej te aktivizohej pasi kartonet e kuq ne ndeshjet miqesore zyrtare vlejne (ne kete rast pezullimin) edhe per ndeshjen pasardhese. FSHF eshte gjobitur per kete rast me nje shume prej 7500 frangash zviceriane. Humbja ne tavoline do te ndikojne negativisht ne renditjen e pergjithshme te Shqiperise. Por problemi eshte se kjo nuk eshte hera e pare qe ekipet tona perfaqesuese denohen nga FIFA apo UEFA per shkak te gabimeve te zyrtareve tane, te cilet jo vetem nuk njohin ligjet, por mesa duket nuk kane as statistika ndeshjes dhe as komunikim zyrtar me FIFA-n dhe UEFA-n ne prag te ndeshjeve nderkombetare. Pak kohe me pare ishte perfaqesuesja U-19 ajo qe humbi ndeshjen ne tavoline 3-0 pasi zyrtaret aktivizuan nje futbollist qe nuk shlyer pezullimin e mbartur nga kualifikueset e meparshme. Nderkohe qe FSHF nuk eshte prononcuar akoma per kete rast edhe pse prej disa ditesh vendimi i Komisionit te Disiplines ndodhet ne zyrat e saj.

***

Albania sanctioned for fielding ineligible player in friendly

The Football Association of Albania (FAF) has been sanctioned for fielding an ineligible player in the international friendly match played between Luxembourg and Albania on 29 March 2016.

The match is declared to be lost by forfeit and awarded 3-0 in favour of Luxembourg, with the FAF also receiving a fine of CHF 7,500 after the FIFA Disciplinary Committee deemed it liable for having breached art. 55 par. 2 of the FIFA Disciplinary Code (FDC).

The sanction relates to the player Ergys Kaçe failing to serve the automatic one-match suspension imposed on him following two cautions received during the preceding friendly match played between Austria and Albania on 26 March 2016 (art. 17 par. 2 of the FDC).

***

Partizani “Lamtumire Europe”!/

 

 

1 PartizaniNga Albano Kolonjari/

FK Partizani e mbylli aventuren e tij europiane me nje ndeshje dinjitoze perballe ekipit rus FC Krasnodar duke barazuar ne Elbasan Arena 0-0. Me kete rezultat nenkampionia e Shqiperise u eleminua pasi kishte humbur takimin e pare me rezultatin e thelle 4-0. Pjesa e pare ishte e barabarte dhe me pak raste shenimi per te dyja skuadrat. Ne pjesen e dyte skuadra ruse  FC Krasnodar kerkoi me kembengulje golin e fitores por portieri i Partizanit Alban Hoxha dhe mbrojtja e Partizanit ishin ne lartesine e duhur dhe nuk perseriten gabimet e ndeshjes se pare. Pas takimit tekniku Italian i Partizanit Adolfo Sormani u shpreh
MENDOJME PER  TITULLIN KAMPION !

Jam i kenaqur nga ajo çfare skuadra dha ne fushen e lojes, pikerisht kete paraqitje kerkoj nga ekipi. Grupi besoj se eshte gati per te perballuar kampionatin ,por dua te theksoj se nuk jemi ne kampionet e Shqiperise, por jane te tjere, ne do te vazhdojme te punojme fort per tu bere te tille ne fund te kampionatit . Partizani ka 23 vite pa titull dhe presioni ndaj nesh eshte shume i madh si nga tifozeria ashtu edhe nga opinioni sportiv. Dua te theksoj se te gjithe kudershtaret e kampionatit do te kene vleresimin maksimal nga ana jone, ia kam bere dhe do të vazhdoj tia bej te ditur lojtareve se ne do ta nisim kampionatin sikur te jemi skuadra e fundit ne renditje ,pasi e thashe edhe me pare nuk jemi ne kampionët , ne jemi skuadra qe do te  luftojme  nga java e pare  e deri në fund të fitojme  titullin kampion. Tek Partizani po ndertohet diçka e rendesishmë e fillojme  kampionatin me gojen mbyllur qe ne fund të kemi fatin ti kenaqim te  gjithe tifozët tane..

EUROPA LEAGUE / PLAY OFF
FK PARTIZANI – FC KRASNODAR 0 -0
Formacioni: Alban Hoxha , Gezim Xhimi Krasniqi, Idi Batha, Ylber Ramadani,Lorenc Trashi, Labinot Ibrahimi, Agustin Torassa, Arbnor Fejzullahi , Sodiq Atanda, Emiljano Vila, Caleb Ekuban.
Trainer : Adolfo Sormani

Filed Under: Sport Tagged With: 3 me 0 Luksenbyrgu, Kombetarja humb, ne tavoline

Nëna Terezë e portretuar nga artistët e rinj

August 26, 2016 by dgreca

SPECIALE/ Prishtinë-Nëna Terezë e portretuar nga artistët e rinj/

1 ekspozita

1 ekspozite Ipeshkvi

-Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, në ditën e lindjes e në prag të shenjëtërimit të Nënë Terezës, ekspozitë me portretet e saj/

-Imzot Dodë Gjergji: Të frymëzuar prej Nënës Terezë, diell që shndrit shpirtin tonë/

-Kryeministri Isa Mustafa:  Nëna Terezë, simbol i humanizmit, e shqiptarëve dhe krejt botës/

-Në Kosovë: 2016-ta, Viti i Nënë Terezës. 5 Shtatori “Dita e Bamirësisë-Nëna Terezë”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 26 Gusht 2016/Në Prishtinë sot, organizuar nga InfinityArt dhe Ipeshkvia e Kosovës u hap ekspozitë punimesh të artistëve të rinj të Kosovës me portretet e Nënë Terezës për të shënuar ditëlindjen e saj në 106 vjetor dhe për të filluar zyrtarisht përgatitjet për shenjtërimin. Ekspozita në Katedralen “Nënë Tereza” do të jetë e hapur deri në 28 gusht prej orës 10:00 deri në 16:00, u bë e ditur në ceremoninë ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i pritur nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Fillimisht foli Imzot Dodë Gjergji, duke u shprehur se paqja është më e dobishmja dhe më e domosdoshmja për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, por edhe për mbarë botën sot.

“E Nëna Terezë ka dashur që me duart e veta dhe me zemrën e vet t’i mësojë njerëzit të jetojnë në paqe me të varfrit, në paqe me të fortit, në paqe me të gjithë njerëzit, nëpërmjet shërbimit dhe nëpërmjet dashurisë. Sot, në vazhdën e takimeve dhe të përgatitjeve tona për Shenjtërimin e Nënës Terezë, jemi në Katedralen e saj, për të hapur ekspozitën që e kemi organizuar në bashkëpunim me InfinityArt, dhe unë i falënderoj për bashkëpunimin, dhe i falënderoj për këtë mundësi ku të rinjtë dhe të rejat e këtij grupi, e zbërthejnë bukurinë e shpirtit të vet, të frymëzuar prej Nënës Terezë, që duhet të jetë frymëzimi kryesor dhe duhet të jetë dielli që shndrit shpirtin tonë”, theksoi Imzot Dodë Gjergji.

Kryeministri Mustafa tha se për të personalisht dhe për qeverinë e Kosovës është një nder i veçantë që të jenë pjesë e aktiviteteve për nder të Nënës Terezë.

Duke vlerësuar rëndësinë që ka për Kosovën dhe kombin shqiptar shenjtërimi i Nënës Terezë, kryeministri theksoi se ajo është simbol i humanizmit dhe një veprimtare e devotshme e cila nuk i takon vetëm shqiptarëve por krejt botës.

“Ne krenohemi me Nënën Terezë, por krenohemi edhe me ju dhe me të gjithë artistët tanë për këtë ekspozitë kaq të rëndësishme dhe për të gjitha këto aktivitete që po zhvillohen këto ditë para se Nëna Terezë të shenjtërohet. Unë ju falënderoj shumë, ju uroj shumë suksese në punë, dhe po ashtu shpreh përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës që gjithmonë në aktivitete të tilla të jemi në krah me ju, sepse konsiderojmë që po bëni një punë të mrekullueshme për të gjithë ne”, tha kryeministri duke vlerësuar edhe punën tepër të madhe që po bën Ipeshkvia e Kosovës.

Ndërsa, Marjan Nikolla nga InfinityArt ka përshëndetur të pranishmit dhe bëri të ditur se në këtë ekspozitë marrin pjesë 10 artistë me pikturat e tyre.

“Faleminderit që keni ndarë kohën që ta festojmë së bashku këtë ditë madhështore, të Nënës Terezë, të cilën gjithë bota e feston dhe ne si grup i artistëve sadopak me ngjyra ta zbukurojmë këtë ditë”, tha Nikolla.

Artistja Marigona Toma, e cila kishte sjellë pesë piktura ka deklaruar për median se për të është hera e katërt që merr pjesë në ekspozitën kushtuar figurës së Nënës Terezë.

“Jam munduar ta paraqes figurën e Nënës Terezë në mënyrën më të mirë të mundshme sepse reflektimi i ngjyrave të mia është me ngjyra të hapura, ashtu siç duhet paraqitur ajo, me butësinë e saj. Të gjitha janë portrete të Nënës Terezë, duke u lutur, duke e treguar thjeshtësinë e saj, mirësinë e saj, që e ka bërë jo vetëm për popullin shqiptarë por për një popull të tërë nëpër botë”, citohet ajo nga KultPlus.

E njohur në botë si Nënë Tereza, si edhe laureate e Çmimit Nobel për Paqe, për ndihmën të varfërve, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016, në Vatikan.

Një ditë më parë, më 3 shtator, në Vatikan, në Bazilikën Papnore të Shën Palit, do mbahet koncerti “Himni i Nënë Terezës”.

Qeveria kosovare financon këtë koncert, është bërë e ditur në fillimet e përgatitjeve.

“Kisha katolike do të shtegtojë në Vatikan me një numër të konsiderueshëm, për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për ne. Do të mbahet Koncerti për Nënë Terezën në Vatikan, në 3 shtator 2016”, ka deklaruar Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës, në një konfrencë shtypi në fillim të këtij muaji.

Duke folur për idenë e koncertit në Vatikan në vigjiljen e shenjtërimit të Nënë Terezës, ai tha se në vitin 2015, në 5 shtator, në Katedralen në Prishtinë është mbajtur Koncerti për Nënë Terezën, i ideuar nga producenjta Diana Toska, i realizuar nga artistë të mirënjohur shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, i cili ishte një realizim i mrekullueshëm.

“Nga këtu lindi ideja që i njëjti koncert të ekzekutohet në ambientet e Vatikanit. Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ia ngarkoi vetës detyrën për të kërkuar nga Selia e Shenjtë që të na mirëpret me këtë koncert, pikërisht në vigjiljen e Shenjtërimit të Nënë Terezës, me idenë për të falënderuar Zotin bashkë me Kishën Katolike universale për këtë Nënë të madhe të botës, që ka dhënë Kisha jonë.Pas kërkesës së Ipeshkvit të Kosovë, Selia e Shenjtë me kënaqësi e ka pranuar dhe është bërë mikpritëse e kësaj ngjarje kulturore dhe artistike”,  është shprehur Don Koliqi.

Ai ka theksuar se,  këtij organizimi të Kishës Katolike në Kosovë i është bashkangjitur edhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Argjipeshkvia e Tivarit dhe Ipeshkvia e Shkupit.

“Vendi ku ka përcaktuar Selia e Shenjtë, që të na pret për ta mbajtur këtë koncert, është njëra ndër Bazilikat madhështore Papnore: Bazilika Papnore e Shën Palit”, ka shtuar zëdhënësi.

Është paralajmëruar se në concert do marrin pjesë artistë të mirënjohur, Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Shkelzen Doli, Saimir Pirgu, Ramë Laja, Gëzim Mushketa etj, ndërsa recituesit e vjershave/uratave të Nënë Terezës do jenë  Don Lush Gjergji, Lorik Cana, Majlinda Kelmendi dhe dy artistët e rinj të filmit “Shok” Andi dhe Lumi.

Për koncertin hyrja do të jetë falas, porse nevojitet të sigurohen biletat e rezervimit të vendeve.

Të nesërmen, në 4 shtator 2016, që është dita kulminante, do të jetë mesha e solemne e shenjtërimit të Nënë Terezës, të cilën do ta kremtojë Papa Françesku, në bashkëmeshim me qindra ipeshkvijë dhe meshtarë të botës, në ora 10:00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Edhe për pjesëmarrje në meshë duhen biletat falas për të rezervuar vendet e mund të sigurohen edhe te Ipeshkvia e Kosovës në Prishtinë, pranë Katedrales “Nënë Tereza”.

Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, i deklaruar në 15 janar nga qeveria kosovare, e cila më pas në mbledhjen e 22 korrikut vendosi të ndajë mjete financiare me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.

Kosova ka shpallë 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare në 11 korrik, me votim unanim, ka miratuar propozimin e Kryesisë së Kuvendit.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 ka shpallë datën 5 shtator, ditën kur kaloi në amshim Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Rezoluta e OKB-së bënte thirrje që në 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

***

IMZOT DODË GJERGJI-KORRESPONDENTIT TË DIELLIT: DO GJËRA NUK HARROHEN

-“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast  më dha një intervistë ekskluzive/

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës kushtuar Ditëlindjes së Nënë Terezës u takuam dhe përshëndetëm edhe sot me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, pak ditë pasi kishte mirëpritur në selinë e Ipeshkvisë e në Katedralen në Prishtinë me shumë respekt e vlerësim delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj, e gjatë gjithë kohës isha edhe unë, prej më shumë se një viti edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli-organ i Vatrës.

“Do gjëra nuk harrohen”, më thotë duke përkujtuar  se isha kryeredaktori-themelues i gazetës “Bujku” të kohëve të vështira të Kosovës, një ekzemplar të së cilës e kemi parë të ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë gjatë vizitës së delegacionit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra edhe në këtë muze të kryeqytetit të shtetit të dytë të shqiptarëve.

Para çerek shekulli – 25 vitesh, në 18 janar 1991, ka dalë numri i parë i gazetës së përditshme “Bujku”, gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, kryeredaktor-themelues i së cilës isha e të cilën e nxorëm me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja edhe duke sfiduar ndalimin nga regjimi okupator serb të Rilindjes – gazetës tradicionale të Kosovës.

Si kryeredaktori i parë i  gazetës “Bujku” u bëra edhe themelues i bashkëpunimeve të para të mediave Kosovë-Shqipëri me këmbime shkrimesh dhe korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, i pari nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë.

Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persik…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.

“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast  më dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt…

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për ATSH-në një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk  u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…

Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…

***

KUJTESË- NJË TAKIM, SI NJË BEKIM
Në ditëfestën e 28 Nëntorit – të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar, para gati 11 vitesh, në vitin 2005, kam shkruar si në ditar një shënim për një takim në Prishtinë me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin folëm edhe për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha deri në numrin e fundit dhe në angazhimet për ta rikthyer të përditshme. Shënimi, që e gjejë sot në një mesazh të dërguar me e-mail, ishte ky:
Takimi spontan me Imzot Mark Sopin
Tek po festonim në Grand 28 Nëntorin, ku kishte shumë personalitete, me shumë prej të cilave edhe u takova personalisht dhe ngritëm dolli, një emocion e përshtypje shumë të veçante më solli momenti i takimit me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin nuk isha takuar ndonjëherë më parë ashtu drejtpërdrejtë.
-Besoj se nuk po gabohem, je Behlul Jashari, më tha derisa po më afrohej dhe pas shtërgimit të duarve edhe më perqafoi.
Më përgëzoi për angazhimet për Rilindjen dhe më ftoi për një vizitë në Ipeshkvi. Më vlerësone dhe më njihte edhe nga shkrimet. Dhe për vendosmërinë per Rilindjen.
E përjetova këtë edhe si një bekim.
E falënderova shumë për vleresimin, nderin dhe përkrahjen që më bëri. Dhe, me shumë kënaqësi iu përgjigja ftesës për vizitën.
Behluli
28 Nëntor 2005

****

Kosovo – Mother Teresa lauded on 106th birthday anniversary

Ekspozita-Katedrale-Nene-Tereza-Prishtine-26-gusht-2016PRISHTINA, Aug 26 /ATA/-By Behlul Jashari/ – An exhibition by 10 Kosovo young artists opened its doors at Mother Theresa Cathedral in Prishtina on Friday to mark the 106th anniversary of birth of the blessed Catholic nun and great Albanian humanist.

The exhibition featuring portraits of Mother Teresa will organized by the InfinityArt and Kosovo Diocese and it will run until Aug 28.

Kosovo Prime Minister Isa Mustafa attended the opening ceremony of the event Isa Mustafa, who appreciated young artists for the exhibition dedicated to the blessed Mother Teresa.Ekspozita-Katedrale-Nene-Tereza-Prishtine-foto-ATSH-Behlul-Jashari-26-gusht-2016-5

“Mother Teresa had wanted with her hands and her heart to teach people to live in peace with the poor, at peace with the strong, at peace with all men, through care, compassion and love. Today, in the wake of events and the ongoing preparations for the canonization of Mother Teresa, we are here at her Cathedral to open the exhibition that we organized in cooperation with ‘Infinity Art’, ” Monsignor Dodë Gjergji said in his remarks.

Known worldwide as Mother Teresa and as Nobel Prize laureate for her charitable work, she was born Agnes Gonxhe Bojaxhiu on Aug 26, 2010 in Skopje, and is set to be declared a saint by Pope Francis on Sept 4, 2016, in Vatican.

Filed Under: Featured, Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, ekspozite, Imzot Dode Gjergji, Nene Tereza

AKDEMIK MARK KRASNIQI: “KURRË MOS HIQNI DORË NGA BASHKIMI KOMBËTAR”

August 26, 2016 by dgreca

Në një vjetorin e vdekjes së akademik Mark Krasniqit/

 

2 KrisniqiNGA HARRY BAJRAKTARI*/

Sot në një vjetorin e ndarjes nga jeta të akademik Mark Krasniqit, dua ta përkujtoj atë si intelektual e shkencëtar, si figurë të shquar të kombit, si veprimtar dhe mik timin personal, me të cilin pata shumë takime si në Kosovë, ashtu edhe në SHBA. Ishte mik i familjes sime, i babait tim, i gjyshit dhe i Bajraktarëve të tjerë në Vranoc. Na lidhte edhe një gjë emocionale se të dy i përkisnim fisit te Krasniqeve. Familjet tona historikisht mbanin lidhje miqësore dhe ishim bashkë në kohët më të vështira, të pandashëm dhe këmbëngules në çështjen kombëtare, sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

U lind në  Gllavoçicë të Pejës, jo larg vendlindjes sime. Njihte jashtëzakonisht mirë historinë, gjeografinë dhe etnologjinë e Lugut të  Baranit. Ishte shumë i sinqertë dhe i hareshëm në bisedë, komunikativ dhe i hapët, i dashur dhe i gjallë për të gjithë. Sa herë që ka ardhur në New York është kthyer në shtëpinë time. Ka qenë edhe në vitet e 90-ta kur u bë pajtimi i gjaqeve në SHBA. Ishte me Anton Çettën, Ramiz Kelmendin, Bajram e Nekibe Kelmendin, Azem Shkrelin, Riza Llukën e të tjerë. Për nder të këtij aksioni kombëtar bashkë me babain tim shtruam një darkë, ku akademik Mark Krasniqi foli për rëndësinë e këtyre pajtimeve edhe në diasporë. Gjatë kësaj periudhe kam mësuar shumëçka prej tij.

Ishte koha e Lëvizjes masive në Kosovë, ku edhe komuniteti ynë në SHBA, ishte pjesë e saj. Disa herë kam qenë me të në Washington për çështje të Kosovës, ashtu edhe në New York. Ka qenë shumë i dhënë pas kombit dhe bashkimit kombëtar. Thoshte, një komb i ndarë, perspektivën e ka vetëm në bashkimin e tij.

Në qershor të vitin 1991, kur doli numri i parë i gazetës Illyria, akademik Mark Krasniqi shkroi eskluzivisht  për këtë gazetë një punim shkencor që trajtonte shtrirjen e ilirëve në Ballkan. Ai vazhdoi të jetë një prej bashkëpunëtorëve më të afërt me ne.

Të rrallë janë njerëzit e tillë që me aq dashuri iu përkushtua bashkimit kombëtar që, pushtuesit në të kalurën, na copëtuan territorin tonë etnik. Amaneti i tij, para se të jepte shpirt, kishte kuptimin e një thirrje të përgjithshme: “Kurrë mos hiqni dorë nga bashkimi kombëtar”. Kjo ishte edhe ëndrra dhe kërkesa e Rilindasëve që nga Lidhja e Prizrenit e më herët, që Shqipëria jonë të ngrihej në këmbë të veta.

Akademik Mark Krasniqi ishte shkencëtar, etnograf, shkrimtar, gazetar, publicist dhe ka ushtruar disa funksione në institucionet e arsimit, kulturës dhe shkencës në Kosovë, e mbi të gjitha ishte nacionalist, njeri me kulturë të lartë dhe civilizim evropian.

Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.  Pas vetes la mbi 25 vepra të kategorive të ndryshme, shkencëtore e letrare.

Akademik Krasniqi ishte nderi i kombit dhe do të përkujtohet gjithnjë si njeri, veprimtar dhe shkencëtar. Me shkrimet e tij ngriti tema jetike për arsimimin e popullit shqiptar në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Nepërmjet publikimeve shkencore si akademik u angazhua t’ i rrëzonte tezat hegjemoniste e nacionaliste të akademikëve serbë, të cilët Kosovën pretendonin ta nxirrnin si “Serbi të Vjetër”.

Kur në Fakultetin Juridiko-Ekonomik në Prishtinë, Akademik Krasniqi iu kundërvu përpjekjeve serbe që Kosovën ta përvetësonin si rajon të Serbisë, atë e larguan nga vendi i punës si profesor, duke shpallur nacionalist dhe, mund të thuhet se, nëse dikujt do t’ i përkiste epitetit disident në atë kohë, ky ishte Akademik Krasniqi.

Në shumë shkrime të tij ka afirmuar tolerancën fetare dhe ishte njëri prej atyre që kudo e ka theksuar këtë element të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve. Ai përsëriste se shqiptarët janë një popull me një traditë dhe kulturë të vjetër ndërfetare në rajon.

Duke qenë i lidhur ngusht me të, kur vdiq, nga New York-u shkova të mirrja pjesë në ceremoninë e varrimit të këtij njeriu të madh të dijes në Kosovë, të cilit konsideroja se i kisha mbetur borxh. Gjok Geci dhe familja Krasniqi në shënjë falenderimi ma dhuruan flamurin kombëtar me të cilin ishte i mbështjellë arkivoli i tij. Këtë flamur të nderit do ta ruaj si kujtim për mikun tim të paharruar, akademik Mark Krasniqin.

Në pamundësi apo më mirë të themi në mungesë të një buçeti lulesh mbi varr nga dora ime, nga këtu ku jam në New York, e përkujtova me këto fjalë mikun tim, akademik Mark Krasniqin, vepra e të cilit do të mbetet kurorë e kombit.

New York, Gusht 2016

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në SHBA.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: e vdekjes, Harri Bajraktari, Mark Krasniqi, ne 1 vjetorin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT