• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

BASHKIA LEZHE DO TE NDEROJE ELIOT ENGEL DHE HARRY BAJRAKTARI

August 31, 2016 by dgreca

Këshilli Bashkiak i Lezhës ka vendosur të nderojë  Kongresmenin Amerikan, Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Amerikë në  Kongres, z Eliot Engel.– Qytetar Nderi i Lezhës, dhe Z Harri Bajraktari – Mirënjohje e Qytetit të Lezhës. Në njoftimin e Bashkisë, të ardhur në redaksinë e gazetës Dielli, shkruhet: Bashkia Lezhë, ka nderin të njoftojë se me dt 1 Shtator 2016, ora 12.00 në prani të Këshillit Bashkiak, Kryetarit të Bashkisë, deputetëve të qarkut dhe miqve tjerë të ftuar, organizon brenda Kompleksit Muzeal të Skënderbeut një veprimtari për nder të Kongresmenit Amerikan, Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Amerikë në atë Kongres, të nderuarin z Eliot Engel.

Zoti Eliot Engel, një mik i rrallë e shqiptarëve në tërë Ballkanin ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e miqësisë së vendit tonë me aleatin tonë më të madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai, po ashtu, është i njohur për ndihmesën e dhënë në Kongresin dhe në Administratën Amerikane për çlirimin e Kosovës dhe më pas njohjen e pavarësisë së saj nga ShBA. Kongresmeni Engël shoqërohet nga z Harry Bajraktari, një aktivist i njohur shqiptaro – amerikan i çështjes shqiptare për dekada të tëra. Veprimtarinë e nderon Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ShT z. Donald Lu.

Këshilli Bashkiak i Lezhës me vendime tij nr 182 dhe 183 datw 29.08.2016 i ka nderuar këta dy zotërinj me titujt:

Z Eliot Engel – Qytetar Nderi i Lezhës, dhe Z Harri Bajraktari – Mirënjohje e Qytetit të Lezhës.

Kjo ngjarje do të mbetet në kujtesën historike të qytetit tonë.

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Harri Bajraktari, Kongresmen Eliot Engel, nderohen ne lezhe

POETI ALFONS GRISHAJ NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

August 30, 2016 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/

 HUMBJA E TRADITES/

Votrat e ndezura parfum buk kakini /

Krahë zonjave sojnike  rritej zengjini./

Nderimi i fëmijëve për at’ e për nënë,/

Familjet e shenjta,  Zoti e pat thënë./

Nga Jug në Veri, furia e kalorësit /

Me rrahjet e zemres ritmi i trokthit./

Besimin në Zot , si perëndi  vatanë,/

Me gjakun bilurë  dragonj e titanë ./

Tash, frengji të thyera , s’ka më bedena,/

Dyert  e  kalbura si pullat e rëna./

Këndez’ krenar zhveshur der’ në lëkurë ,/

Shqyer brez i burrave  as rryp as ushkurë./

Verë e shenjtëruar në kupa të argjenda

Pihej prej trimave që bëheshin legjenda,

Tani n’plastikë gotash i rrëkëllen njeriu

Fryhet  si  ariu  dhe sfumohet  si miu.

Erdh’ kohë e pritur e thënë nga profetët

Virtyti s’mbahet  lart , si e mbanin Atletët…

Tani i lartë qeni, gishtërinjtë  krrabë.

Nuk njohin më Zot…S’ka më nënë e babë!

1 LuleZANA DHE LULET

Sa herë  toka  vjell avujt

Retë mblidhen porsi brumbujt.

Litarë shiu  përgjat  malit

Mbi çaj e makth er’ e mjaltit .

Zanë veshur  lule mantel

Valle vetë  loz tarantel.

Befas  eter pelerinë

Hiret zbulon  suferinë.

Rreth saj si shtjellë  ylberi,

Veshje qielli  një qind Feri*.

Bashkë me to një  këmbanë,

Aromën  lë pas perria  Zanë.

1 Gjethe okGJETHET/

O gjeth !  Filtri i  frymës…

Hija , briza e jetës në sy,

T’adhuroj lagun prej brymës

Kunor e gjelbërt mbi kry.

T’ adhuroj dhe në vjeshtë

Ku andshëm ndrron hijeshinë,

Dimni idhnak bie mbi kreshtë

Vjeshta ligshtohet, merr arratinë.

Me shpres  pragut pranveror

Kthehesh me t’ njatën bukuri,

Ligji  e ciklit  njerëzor …

Ku shpirt’ shtegton…bulon nji  fmi.

MEDILODGE*

Shoh sa pleq e plaka  krrusun

Braktis idhtë  si t’ leprozun,

Nga uladi i formum keq

Që lindi shejt e u ba dreq.

I shoh, qajnë me ofsham…

Lot’ e tyne shkrijnë shandan.

Durtë ngul  fole në qiell

Ka prendimi fundin ndjell.

Ulem afër , me u thanë dy fjalë,

Por si mik dhe jo si djalë.

M’i marrin durtë fort në gji

Se , u dukem si i tyne fmi.

E më thojnë ca fjalë të ambla

Siç mi thoshte e mi thot nana.

Sikur baba të ish gjallë

Do mi thoshte me aq mallë…

***

Shpjegime:

Feri-Fairy =  Krijesa më e bukur mbi dhe. Sipas legjendave , formë e shpirtit . Mini-vashë e bukur , apo krijesë e mrekullueshme me krahë dhe  fuqi magjike.

Medilodge = Nursery Home , Azil pleqsh. Aty shkojnë pleqtë e pamundur për shërbim , por dhe pleq të braktisur nga fëmijët e tyre…Në këto azile , plus ushqimit , shërbimi është mjekësor dhe shpirtëror.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, ne sofren poetike, te Diellit

Një Letër e hapur nga Mërgata e Austrisë

August 30, 2016 by dgreca

 

1 Graz

Foto: Pamje nga Graz, Austri/

Një Letër e hapur është nis nga Mërgata shqiptare në Graz të Austrisë për institucionet më të larta të Kosovës. Në focus të Letrës janë shqetësimet e shqiptarëve të Grazit për zhvillimet më të fundit në Kosovë.

Ja teksti i saj:

I nderuari,z-President Hashim Thaçi

I nderuari,z-Kryeminister Isa Mustafa

I nderuari,z-Kryetar i Parlamentit z-Kadri Veseli

Të nderuar deputet dhe deputete.

Ne mërgimtarët , antarët e Shoqatës „Atdheu“ në Graz të Austrisë jemi jashtzakonisht shumë të shqetësuar lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë,e sidomos me qështjen e demarkacionit me Malin e zi.Ne kemi vendosur që për mes kësaj letre t´ju kërkojmë deputetëve t,kuvendit të Republikës së Kosovës që të mos e ratifikojnë marrveshëjen sipas Komisionit të formuar nga Qeveria e Kosovës .Pa dyshim ne jemi të bindur se ka gabime te mëdhaja dhe Kosova humb shumë teritor. Gjë që ,na sjell telashe të medha, neve dhe gjeneratave pas nesh me Malin e Zi. Ne jemi të bindur se do te përmisohen gabimet para se të votohet në kuvend, si mundësi  rishikimit dhe ajo e arbitrazhit ndërkombëtar siq e bejn të gjitha shtetet me prevojë të madhe  dhe Demokraci të vertetë si  shembull; Amerika me Mexsiken, Gjermania me Qekinë , apo Sllovenija me Kroacinë. Edhe ne si popull jemi te gateshëm ta luftojmë  qdo presion qoft i mbrendëshëm apo i jashtem pë ta votuar në kët formë demokracionin e damshëm për popullin e Kosovës. Me bindjen se me anë të kësaj letre, po kontribojmë sa do pak paqe, dhe fqinjesi të mirë në ballkan edhe një herë ju bëjm thirrje Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të votojnë në kët form demarkacionin me Malin e zi.

Me respekt..

Kryesia e Shoqatës Atdheu nga Grazi i Austrisë,ku gjithmonë kann qenë në ndihmë atedheut dhe kauzës shqiptare .

Kryetari  i shoqates ATDHEU NE GRAZ TË AUSTRISË, Bashkim Shala.

Foto nga Arkivi

Filed Under: Emigracion Tagged With: Atdheu shoqata, Austri, Graz, leter

MAZHORANCA KALON VETINGUN NE KUVEND ME 88 VOTA

August 30, 2016 by dgreca

*SHBA: Mirëpresim miratimin e ligjit, tani rivlerësohen prokurorët e gjykatësit/

*Berisha i jep Ramës vetem një  muaj qeverisje/

*Halimi: Ligji për vetingun është antikushtetues

*Rama: Të korruptuarit në drejtësi morën një mesazh të qartë/

*Tabaku: Ligji i ri nuk përjashton gjyqtarët e diktaturës…/

*Mesila Doda: PDIU-në nuk e përdorni dot si AS-in nën mëngë…/

….Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 88 votat e mazhorancës projektligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ndërkohë që opozita bojkotoi votimin dhe akuzoi shumicën se kishte devijuar tërësisht nga parimet kushtetuese të miratuara me konsensus mëngjesin e 22 korrikut.

Një deputet i pranishëm në sallë gjatë seancës së jashtëzakonshme të së martës abstenoi.

Pas miratimit të ligjit, kryeministri Edi Rama deklaroi se u hap rruga për “fshesën e hekurt ndaj  të inkriminuarve në sistemin e drejtësisë”.

“Sot kasta e të inkriminuarve në pallatin e drejtësisë e ka marrë mesazhin e qartë, ndërsa shqiptarët morën vullnetin e patundur të kësaj shumice për t’i dhënë vendit drejtësinë e mohuar për kaq vite,” tha Rama në oborrin e Parlamentit.

Por ish-kryeministri Sali Berisha e akuzoi atë si autorin kryesor të shtrembërimit të parimeve kushtetuese, me qëllimin e nisjes së një “gjuetie shtrigash” në gjyqësor.

“Ti je kryeministri më i përkohshëm i këtij vendi. Por ne duhet të zbërthejmë me seriozitet në ligj atë që miratuam në kushtetutë. Gjahun e shtrigave nuk mund ta bësh,” tha Berisha në sallën e Parlamentit.

Ligji i vetingut u negociua pa sukses gjatë gushtit mes mazhorancës dhe opozitës dhe hyri në seancë plenare pasi mori miratimin e ekspertëve ndërkombëtarë të EURALIUS dhe OPDAT.

Por ndryshe nga atmosfera konsensuale e 22 korrikut, séanca e jashtëzakonshme për miratimin e tij u shoqërua me përplasje dhe replika mes mazhorancës dhe opozitës.

Drafti i njohur ndryshe edhe si “ligji i vetingut” është i pari i një pakete të gjerë prej 48 projektligjesh, shtatë prej të cilave konsiderohen themelore për ngritjen e institucioneve të reja dhe vënien në shina të procesit të reformimit të drejtësisë.

Miratimi i tij shihej gjerësisht si një test i vullnetit politik për vënien në zbatim të reformës.

Projektligji përcakton mënyrën e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në komponentët e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe vlerësimit profesional. Ai përcakton gjithashtu edhe kompetencat e institucioneve të vetingut-Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Kolegji i Apelimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Por roli i institucioneve të tjera që do të përfshihen në këtë proces shkaktoi krisjen e konsensusit të arritur në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Përmes një pakete prej 28 amendamentesh të dorëzuara në Kuvend të hënën, Partia Demokratike konteston rolin kyç sipas saj që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme do të kenë në procesin e vetingut.

“Roli aktiv dhe përcaktues që kanë organet e kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv passjell kontroll të qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit,” thuhet në shkresën që shoqëron amendamentet e PD.

Duke përmendur drejtuesit e këtyre institucioneve-një pjesë e të cilëve eksponentë të Partisë Socialiste, opozita kërkoi që rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kryhej vetëm nga KPK dhe Kolegji i Apelimit.

“Organet e reja të vetingut vendosen nën mbikqyrjen dhe kontrollin e qeverisë….Në këtë mënyrë, reforma kushtetetuese rrezikon të dështojë dhe të humbasë besueshmërinë e publikut, sepse vetingu realisht dhe faktikisht kryhet nga një mazhorancë politike, në shkelje të standarteve të pavarësisë dhe paanësisë,” shton PD në amendamentet e saj.

Ndonëse projektligjet që shoqërojnë reformën në drejtësi kërkojnë 84 vota-të cilat mazhoranca provoi që i ka, prishja e konsensusit rëndon klimën politike për zbatimin e shpejtë dhe me vendosmëri të reformës në drejtësi.

Në anën tjetër, Partia Demokratike ka paralajmëruar se nuk do të lejojë miratimin e njëanshëm të paketës ligjore për reformën, duke mos përjashtuar edhe një beteje në Gjykatën Kushtetuese me mazhorancën.

SHBA: Mirëpresim miratimin e ligjit, tani rivlerësohen prokurorët e gjykatësit/

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka mirëpritur vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të miratuar ligjin e parë për zbatimin e reformës në drejtësi.

“Ky ligj i rëndësishëm do të fillojë procesin e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Përgëzojmë ata Anëtarë të Parlamentit të cilët votuan në favor të këtij hapi të rëndësishëm për zbatimin e amendamenteve kushtetuese të aprovuara unanimisht më 22 korrik”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.Më tej theksohet se pritet aprovimi e plotë dhe në kohë të ligjeve të tjera për zbatimin e Reformës në Drejtësi.“Presim të shohim aprovimin e plotë dhe në kohë të ligjeve të tjera për zbatimin e kësaj reforme kritike që gëzon mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve”.

Berisha i jep Ramës vetem një  muaj qeverisje

 Nuk mungojnë replikat mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të qeverisë Edi Rama, edhe në këtë seancë të jashtëzakonshme plenare për votimin e projektligjit të Vetingut.Berisha ka replikuar me Ramën duke i thënë këtij të fundit se ndoshta pas një muaji s’do të jetë më kryeministër i vendit.”Së pari dua të shpjegohem. Kur të thashë të kemi thyer turinjtë, nuk kisha parasysh doreza boksi, kisha parasysh parimet e Venecias. Ti me këto që bën, ndoshta edhe për një muaj ndoshta s’do jesh kryeministër. Vendi mund të ketë një kryeministër tjetër, s’ka asgjë personale këtu. Ti mendon se dy vjet rresht ke dalë këtu duke nxjerr letrën SHBA, BE, por shqiptarët duhet ta dinë se pikërisht ato i nxorën këtij kartonin e kuq”, tha Berisha.

 

Berisha: Pse e ndryshuat draftin?! Po prishet konsensusi 

Duke folur në Kuvend gjatë seancës së jashtëzakonshme për të miratuar projektligjin për Vetingun, Berisha tha se prej 2 vitesh Rama ka bërë përpjekje për të kapur reformën në drejtësi.“Opozita ka luftuar shumë për standarde dhe prapë është e vendosur të luftojë. Këtu po prishet pikërisht ai konsensus që është sanksionuar në Kushtetutë. Ju a doni të funksionojë reforma apo jo? Në këtë reformë përcaktuam një mënyrë tjetër dhe këtë ramë dakord dhe e votuam. Po tani ju pse e ndryshuat? Ke dy vjet që bën përpjekje, por t’i kemi thyer turinjtë sa herë ke dashur dhe do vazhdojmë të t’i thyejmë turinjtë. Hajt të votojmë ligjin e BKH dhe të votojmë siç është reforma. Mos bëj gjëra qesharake”, u shpreh Berisha.Në fjalën e mbajtur ish-kryeministri, tha se në vetëdijen e çdo shqiptari, emergjenca e të gjitha emergjencave është shndërrimi i Shqipërisë në “Kanabistan”…

Halimi: Ligji për vetingun është antikushtetues

 Në seancën e sotme të sesionit të jashtëzakonshëm të legjislaturës së VIII të të Kuvendit të Shqipërisë për Projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”  në emër të opozitës foli deputeti i PD-së Eduart Halimi.Në fjalën e tij, Halimi tha se “Caktimi i një seance të jashtëzakonshme vetëm pesë ditë para të zakonshmes për një debat gati akademik, besoj se është një cinizëm për vetë situatë që është në vend dhe përmasat e krimit, se asgjë të jashtëzakonshme nuk ndodhë për pesë ditë, por Rama e përdori seancën për alibi  për të gjetur armiq të reformës në drejtësi”.

“Që ka gjyqtarë të korruptuar as nuk vihen në dyshim dhe këto tre vjet janë liruar kriminel dhe sot krimi merr vendime për gjyqtarë dhe prokurorë në bazë të kontratës së qeverisë me krimin. Edhe në të opozitës ndihemi keq, por duhet tu themi shqiptarëve të mos gënjehen nga propaganda e qeverisë”, tha Halimi.

Halimi theksoi se: “Armiku më i madhe i drejtësisë është kapja e sistemit të drejtësisë, opozita ka dhë kontribut për moskapjen e sistemit të drejtësisë edhe ne kete draft. Dhe nëse nuk do të ishim angazhuar opozita dhe ndërkomtarët, Byroja Kombëtare e Hetimit do të ishte në varësi të ministrit të Brendshëm”.

“Konsensuesi është zgjidhja e miratimit të shtatë ligjeve. Vetingu është masë e rëndësishme për të vendosur besimin e qytetarëve te drejtësia. Ky ligj vjen pa konsensusin e opozitës se është në kundërshtim me kushtetuten e vendit. Ky ligj pa konsensues, dhunon kushtetutën, standartet europine dhe ne të opozitës të largohemi dhe nuk merrë pjesë në votim. Nuk do jemi pjesë e një procesi që kërkon kapjen e drejtësisë. Opozita do të ndjek cdo rrugë ligjore për një reformë të pa kapur politikisht në drejtësi”, tha Halimi.

Tabaku: Ligji i ri nuk përjashton gjyqtarët e diktaturës…

 Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi sot se qeveria miratoi një projektligj që nuk përjashton gjykatësit e periudhës së diktaturës, të cilët kanë dënuar me vdekje 5 mijë shqiptarë. Në një postim në rrjetet sociale, deputetja e opozitës shprehet se, “qeveria sapo miratoi një projektligj, i cili nuk përjashton gjykatësit e periudhës së diktaturës, që kanë dënuar me vdekje mbi 5 mijë shqiptarë nga viti 1944-1991, shumica e të cilëve sot nuk kanë as varr ku të përkujtohen nga të afërmit e tyre”.

“Për fatin e keq, projektligji i miratuar për vetting nuk ndalon gjyqtarët e asaj periudhe për të qenë sot gjyqtarë. Ligji i vetting ka shumë probleme, por për mua ky është ndër me kryesorët!”, shkruan Tabaku.Kuvendi miratoi sot, vetëm me votat e mazhorancës, ligjin për kontrollin e figurës së prokurorëve e gjyqtarëve…

Mesila Doda: PDIU-në nuk e përdorni dot si AS-in nën mëngë…/

 Deputetja e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda është shprehur se qeveria e sotme është e formuar nga dy parti kryesore në vend. “Ata ushtrojnë pushtet, ata kanë të njëjtën përgjegjësi për keqqeverisjen apo mirëqeverisjen”, tha ajo në seancën e sotme parlamentare.“Nëse punët në këtë vend nuk janë mirë në ekonomi, në rend, infrastrukturë, bujqësi, shëndetësi, arsim apo rendin publik, nuk ka askush përgjegjësi përveç atyre që qeverisin. Nëse nuk honepsni njëri-tjetrin, nëse luani kukafshehti me humore dhe fatet tuaja nuk keni pse të kërkoni tek PDIU as strehë, as shpatë, as nder, sepse nuk jemi as jastëku dhe as shpata kundër ndokujt. PDIU-në nuk e përdorni dot si AS-in nën mëngë. Ju ftojmë ta votojmë këtë ligj që kemi në tryezë jo thjesht për shqiptarët, por për të shpëtuar sa të mundemi fytyrën e politikës”, the deputetja Doda.

Mediu: Vetingu në kundërshtim me Kushtetutën

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka folur për një kapje të gjyqësorit nga mazhoranca, në fjalimin e parë të mbajtur sot në Kuvend rreth projektligjit të Vetingut.Mediu tha se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se seanca e sotme parlamentare është e manipuluar politikisht.“Më 22 korrik me konsensus, ne votuam me unanimitet ndryshimet kushtetuese. Ne sot më shumë se po bëjmë një ligj do t’i shtrojmë vetes pyetjen: Kemi proces normal parlamentar apo të manipuluar politikisht? Për fat të keq kërkohet që në përputhje me interesa politike të miratohet një ligj në kundërshtim me kushtetutën. Edhe pse vendosëm që ekspertët të ulen, për fatin e keq as nuk u ulën dhe as nuk u dëgjuan mendimet e ekspertëve të opozitës”, u shpreh kryetari i PR-së.Më tej Mediu thekson se mazhoranca do të luajë rolin e kontrolluesit të kontrolluesve, çka sipas tij e bën të pavlerë Vetingun.“Ajo që është edhe më flagrante është fakti që organet e Vetingut duhet të kalojnë në provim. Ata që do të bëjnë kontrollin duhet të kontrollohen nga qeveria. Unë nuk e di, se nuk po hyj në analizë të emrave, por institucionet që kontrollohen nga mazhoranca nuk besoj se janë shquar për paanshmëri dhe transparencë. Nëse i japim qeverisë në dorë kontrollin e kontrolluesve, pse na duhej Vetingu? Le ta bënim që kush i bindej mazhorancës të mbetej në detyre dhe kush nuk i bindej të largohej nga detyra”

 

Rama: Të korruptuarit në drejtësi morën një mesazh të qartë/

“I bie që sot kasta e të korruptuarve dhe të inkriminuarve në drejtësi ka marrë mesazhin e qartë, sikundër shqiptarët kanë marrë një tjetër konfirmim të vullnetit të patundur të kësaj shumice për t’i dhënë këtij vendi drejtësinë e munguar e të mohuar për kaq shumë vite dhe për t’i dhënë fund një historie të turpshme që ka njollosur keq shqipërinë dhe ka demoralizuar qytetarët për vite të tëra: drejtësisë që shitet e blihet si mall”.

Me këto fjalë kryeministri Edi Rama ka komentuar miratimin e ligjit të vetting-ut me votat e mazhorancës qeverisëse, ligj që sipas tij përbën thelbin e reformës në drejtësi.“Ne sot kemi miratuar ligjin bazë në morinë e tërë ligjeve që do të miratohen hap pas hapi deri në miratimin e reformës në drejtësi, sepse nuk mund të kemi sukses nëse që nga ngrehina që shembëm kushtetuteshmërisht me ndryshimet kushtetuese do të transferojmë të gjithë në pallatin e ri të drejtësisë”, ka thënë Rama.

Sipas tij, “kjo do të ishte dështim”, “ndërkohë që ata që do të transferohen në godinën e re kushtetuese janë ata që do të kalojnë procesin e skanimit, në bazë të kritereve që parashihen në këtë ligj: kapacitetet, integriteti personal dhe pasuria e tyre”, ka saktësuar Rama.Duke iu përgjigjur interesit të mediave për bojkotin e opozitës, kreu i qeverisë ka thënë: “Unë nuk e di nëse ka mbetur në këtë vend dikush që mund ende të besojë në shprehjet e vullnetit të kësaj opozite për të mbrojtur Kushtetutën e të drejtat e njeriut dhe që ka njeri që beson se kjo është një opozitë që do të reformojë drejtësinë”.

“Kjo shumicë, e cila i kishte votat, e priti opozitën deri në fund, pranoi të negocionte e modifikonte me të çka ishte e modifikueshme pa shkelur vijat e kuqe, deri në fund kemi qenë të gatshëm për të bërë çdo gjë për ta bërë bashkë. Por opozita ka bërë atë që di të bëjë gjithmonë, të bëjë sikur do por që nuk do”, ka shtuar Rama.

Filed Under: Politike Tagged With: 88 vota, kalon vetingun, Mazhoranca

DARZEZA, MOTIVE TË NJË FSHATI TURISTIK QË PAKKUSH E NJEH

August 30, 2016 by dgreca

 

2 Pellumb Kisha

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

NGA PËLLUMB GORICA/  Stina e verës me vapën e saj përvëluese, sidomos këtë muaj, të shtyn të largohesh prej kryeqytetit tonë të mbytur, Tiranës, nga smogu e të trokasësh drejt plazheve, pishave dhe erës së freskët që fryn nga deti. Është kënaqësi të rendësh drejt tyre këto ditë, por edhe e vështirë paksa të zvarritesh mes trafikut të madh të makinave, që janë edhe ato frekuentuese të rregullta të plazheve të Jugut. Sepse ideja për të pushuar ca ditë në Jug është dhe mbetet gjithmonë tunduese për shumë prej nesh. Aq më shumë për mua që më është bërë rit udhëtimi drejt këtyre viseve.

  Udhëtojmë drejt Darzezës. Një fshat turistik i vendosur brigjeve të detit Adriatik në qarkun e Fierit. Udhëtimi në Darzezë të ngjall kënaqësi dhe kureshtje, si kur e shkel për herë të parë atë, edhe kur familjarizohesh dhe ke se çfarë të tregosh e shkruash për të tjerët.
  Ndonëse ky fshat bën pjesë në brezninë e një sërë fshatrash të begatë turistikë, ai është pak i njohur, por të tërheq brenda vetes me bujarinë e natyrës dhe veçantinë e tij karakteristike arkitekturore. Do të gaboheni nëse mendoni se këto vende nuk ofrojnë asgjë interesante. Sigurisht që aty nuk mund të gjesh një luks të tepruar, por në një farë mënyre kushtet janë të mira e çmimet të arsyeshme, ku njeriu kënaqet edhe me thjeshtësinë që gjen.
 Ata që marrin rrugën ngazëllehen me peizazhin fushor, brezin pyjor, detin, rërën, qetësinë dhe ajo u le mbresa të pashlyeshme. Prej investimeve të bëra janë krijuar mundësi më shumë infrastrukturore, që pushimet të mos duken monotone. Gjithsesi mbetet ende shumë punë për të bërë për të ardhmen e kësaj perle në breg të Adriatikut. Makina fluturon e syri të rrok hapësira të gjëra të një peizazhi me ngjyra të larmishme ku dominojnë e gjelbra dhe e verdha. Rrezet e stërpikura të diellit veror reflektojnë një dritësim poetik. Në sfondin e këtij peizazhi janë shtrirë shtëpitë, biznese, e më tej vendbanime të grupuara si Çlirimi, Dërmenasi, Shënpjetra, Hoxhara…
 Peisazhi i gjelbër sikur e zbut disi afshin e ngrohtë të vapës. Pamje që të çlodhin sytë dhe e bëjnë më të bukur ardhjen. Ecim në rrugën e asfaltuar, që zgjatet deri në bregdet, e cila edhe pse nuk tregohet nga tabelat orientuese, patjetër kuptohet nga lëvizjet e automjeteve të pushuesve të shumtë për t’u relaksuar në rërën e nxehtë dhe detin e kaltër. Teksa vazhdojmë udhëtimin drejt Darëzezës, ajo bëhet gjithnjë e më e qartë, ku ndërtesat me dushet diellore, depozitat e ujit, antenat lart tyre, të lëbyrin sytë nën shkëlqimin e diellit të verës. Rrëzë pyllit të dendur me pisha, afër bregut të detit Adriatik shtrihet Darzeza. Atë e qarkojnë kanale ujore, që kanë lidhje me detin ndërmjet hidrovoreve. Sapo hyn në Darzezë, ndjen një puhizë të lehtë me aromë pishe. Deti, që nuk është larg prej aty, me aromën joshëse e bukurinë e paanshme të pushton magjishëm. Mëngjeseve e mbrëmjeve simfonia e përplasjes së dallgëve të tij ëndndjellëse.

                          Darzeza – histori

Dallimi i parë për këdo që vjen për herë të parë në Darzezë është urbanistika. Një vendbanim disi i veçantë në ndërtim, i mbledhur dhe me një dendësi të madhe banimi për km2, por edhe ndryshe në jetën e vet shoqërore, në krahasim me vendbanime të tjerë të zonave të Fierit. Në vitin e largët 1988 këta banorë u shpërngulën nga shteti prej trojeve të tyre shekullore, Darëzezës e Dushkut të Gramshit. Kjo nuk u bë rastësisht, por është ndërtimi i Hidrocentralit të Banjës që i detyruan të fillonin jetën e re në fushën Hoxharës së Fierit, në bregdetin Adriatik. Për të mos e harruar fshatin ku lindën, u rritën prej brezash gjysh pas gjyshi, ata i vunë edhe vendbanimit të ri emrin, Darëzezë e Re. Por, Darzezasit mbetën po ata, e pavarësisht nga ndryshimi i vendosjes këtu nuk harrojnë historinë e lashtë të vendbanimit të dikurshëm, të mbushur me ngjarje interesante. Traditat e lashta të krahinës nga vijnë, Sulovë e Gramshit, përballja me vështirësi të mëdha, përpjekjet për mirëqenie dhe zhvillimeve të reja ekonomike, shoqërore e kulturore nuk i kanë bërë që t’i harrojnë. Një traditë e bukur është bujaria dhe mikpritja. Darzezasit të presin e përcjellin me ngrohtësi e dashuri.Darzezasit i ruajnë fort traditat e gramashiotëve. Bashkëbisedimet interesante, të mençura e plot humor shoqërohen me një gotë raki a birrë dhe përveç miqësisë që të ofrojnë ata mund të mësosh shumë gjëra për Darzezën. Ato ndizen edhe më shumë, sidomos kur vjen fjala tek e ardhmja, te jeta që po ndryshon nga dita në ditë. Ato ngjallin interes, madje edhe kur flitet për gëzimet e hidhërimet e tyre. Sigurisht do të ndjehesh i nderuar, por edhe i respektuar. Në kujtesë të vijnë ato çfarë kemi lexuar e çfarë kemi dëgjuar, por duke u mjaftuar për të kaluarën e largët të banorëve dhe traditat e tyre patriotike, le të përmendim edhe faktin se si çdo vendbanim tjetër, Darzëza e Re buzë detit Adriatik po shkruan edhe këtu historinë e saj. Sigurisht vitet e fundit kanë pësuar ndryshime të theksuara me ndërtime të reja e përshtatje të banesave ekzistuese, duke u prezantuar me një mjedis tërheqës e të këndshëm, rrugë të shtruara, trotuare, ndriçim, lule e pemë dekorative. Mendja dhe dora e banorëve i kanë zbukuruar edhe më shumë mjediset e banimit, duke i përshtatur për pushimet në bregdet. Por, po të bëhet pak kujdes, duke vënë dorë në infrastrukturën e brendshme të tij, ato mund t’i afrohen pse jo fshatrave të Evropës. Kjo u takon më shumë drejtuesve dhe të të arsimuarve, të cilët me idetë e tyre për t’u orientuar tek turizmi familjar duhet të jenë në pararojë të zhvillimeve Në fakt janë pjesa më indiferente që stonojnë dukshëm me interesin e tyre dhe mendimet e mykura.
 Darzezasit në përgjithësi merren me bujqësi, blegtori, por edhe ndërmjet punës në emigracion, kryesisht në Greqi e Itali me të cilën sigurojnë jetesën e tyre. Dëshira e tyre është për më shumë dhe këtë e shikon në prodhimet bujqësore, që banorët e Darzezës i kultivojnë me merak si domate, shalqinj, bostan, speca, bamje, patate, etj. Jeta, sakrificat i kanë mësuar t’iu përshtaten kushteve dhe mjedisit dhe të marrin gjithçka të dobishme nga ai. Ata janë njerëz punëtorë, çka është gjë shumë e mirë. Kur njerëzit punojnë, djersa e ndershme merr vlera.

                    Ftesë pushimesh që vjen nga Darzeza

Darzeza është joshëse për shumëkënd. Çdokush që ndodhet këtu përshkohet nga kënaqësia teksa sodit peizazhin e çadrave, shezlongëve, pushuesve, detin e pastër pranë si loti. Deti valëkaltër, i cili të fton bujarisht të lahesh, shkëlqen nga disku i shndritshëm i diellit. Disa lahen, të tjerë marrin rreze. Rëra e pastër, jodi, deti, gjelbërimi i thellë dhe qetësia të bëjnë përshtypje. Puhia freskuese e pishave si një dorë përkëdhelëse të çlodh. Era që fryn lehtë i ngre dallgët shkumbardha, të cilat rrahin bregun nën një ritëm për t’u admiruar. Mrekullohesh edhe me çaste të papërsëritshme të varkave velëbardha në horizont, që rrëshqasin lehtë mbi pasqyrën e detit, spektaklin fluturues të pulëbardhave buzë tij.
Krahas të tjerave të bën përshtypje këtu në Darzezë prania e pushuesve jo vetëm të zonave të Fierit, por edhe nga Tirana, Berati, Elbasani, Gramshi, Kuçova, Mallakastra, etj të cilët kanë zgjedhur për të pushuar qetësinë e këtij peizazhi, por edhe e figurave të njohur të sferave politike e kulturore: pushtetarë, shkrimtar, këngëtar, balerinë.
Pushimet në Darzezë, krahas evenimenteve të tjera, gjithmonë shoqërohen me shëtitje në pyll, ekskursione dhe vizita në qendra të tjera turistike. Jo shumë larg prej Darzezës ndodhet Parku Arkeologjik i Apollonisë. I ngritur mbi një kodër zotëruese, tërheq gjithkënd me gjurmët e qytetërimit të lashtë. Duke shëtitur nëpër territorin ku shtrihet ky qytet antik i ndërtuar në shekullin e IV-III p.e.s, ndesh më së shumti Monumentin e Agonotetëve, Teatrin antik në një faqe kodërze me rreshta shkallësh prej 900 vendesh, shumë a pak në gjendje të mirë, edhe shëtitoren antike, murin rrethues. Dëshmitë të tjera me zbulime të vjetra dhe të reja, statujat, gurët ciklopik, mbishkrimet dhe mbeturinat e amforave, të ekspozuara në natyrë dhe muzeun të shtojnë më shumë krenarinë dhe entuziazmin veror.
Në Darzezë një kompleks i veçantë në llojin e vet, çdo ditë pret e përcjell dhjetëra pushues, të cilët shijojnë kuzhinën, qetësinë, intimitetin në natyrë. Është një ndërthurje midis modernes e traditës sonë të bukur. Të çlodh edhe një kafe e shijuar në peizazhin e bukur me harenë gazmore të fëmijëve. Në mbrëmje qendra e Darzezës gjallërohet së tepërmi. Kjo zakonisht ndodh në verë. Pushuesit e shumtë e bëjnë atë më të gjallë dhe të larmishme, që ndjehet në çdo ambient ku kalon. Respekti për njeriun, për njëri-tjetrin i bën këta banorë, që me të njohur e të panjohur, pushues të vjetër a të rinj, të afërt e të largët, të jenë shumë miqësor me ata.
 Dielli ”puth” detin, ndërsa pushuesve u buzëqesh kaltërsia e tij. Pushimet kalojnë si pa u ndjerë dhe kur vjen koha për t’u rikthyer në Tiranë, në duar dhe trup kemi ende paksa nga jodi, dielli, deti dhe hapësira e saj e mrekullueshme gjithë dritë e gjelbërim.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Darezeza, motive turistike, Pellumb Gorica

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT