*SHBA: Mirëpresim miratimin e ligjit, tani rivlerësohen prokurorët e gjykatësit/
*Berisha i jep Ramës vetem një muaj qeverisje/
*Halimi: Ligji për vetingun është antikushtetues
*Rama: Të korruptuarit në drejtësi morën një mesazh të qartë/
*Tabaku: Ligji i ri nuk përjashton gjyqtarët e diktaturës…/
*Mesila Doda: PDIU-në nuk e përdorni dot si AS-in nën mëngë…/
….Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 88 votat e mazhorancës projektligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ndërkohë që opozita bojkotoi votimin dhe akuzoi shumicën se kishte devijuar tërësisht nga parimet kushtetuese të miratuara me konsensus mëngjesin e 22 korrikut.
Një deputet i pranishëm në sallë gjatë seancës së jashtëzakonshme të së martës abstenoi.
Pas miratimit të ligjit, kryeministri Edi Rama deklaroi se u hap rruga për “fshesën e hekurt ndaj të inkriminuarve në sistemin e drejtësisë”.
“Sot kasta e të inkriminuarve në pallatin e drejtësisë e ka marrë mesazhin e qartë, ndërsa shqiptarët morën vullnetin e patundur të kësaj shumice për t’i dhënë vendit drejtësinë e mohuar për kaq vite,” tha Rama në oborrin e Parlamentit.
Por ish-kryeministri Sali Berisha e akuzoi atë si autorin kryesor të shtrembërimit të parimeve kushtetuese, me qëllimin e nisjes së një “gjuetie shtrigash” në gjyqësor.
“Ti je kryeministri më i përkohshëm i këtij vendi. Por ne duhet të zbërthejmë me seriozitet në ligj atë që miratuam në kushtetutë. Gjahun e shtrigave nuk mund ta bësh,” tha Berisha në sallën e Parlamentit.
Ligji i vetingut u negociua pa sukses gjatë gushtit mes mazhorancës dhe opozitës dhe hyri në seancë plenare pasi mori miratimin e ekspertëve ndërkombëtarë të EURALIUS dhe OPDAT.
Por ndryshe nga atmosfera konsensuale e 22 korrikut, séanca e jashtëzakonshme për miratimin e tij u shoqërua me përplasje dhe replika mes mazhorancës dhe opozitës.
Drafti i njohur ndryshe edhe si “ligji i vetingut” është i pari i një pakete të gjerë prej 48 projektligjesh, shtatë prej të cilave konsiderohen themelore për ngritjen e institucioneve të reja dhe vënien në shina të procesit të reformimit të drejtësisë.
Miratimi i tij shihej gjerësisht si një test i vullnetit politik për vënien në zbatim të reformës.
Projektligji përcakton mënyrën e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në komponentët e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe vlerësimit profesional. Ai përcakton gjithashtu edhe kompetencat e institucioneve të vetingut-Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Kolegji i Apelimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Por roli i institucioneve të tjera që do të përfshihen në këtë proces shkaktoi krisjen e konsensusit të arritur në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Përmes një pakete prej 28 amendamentesh të dorëzuara në Kuvend të hënën, Partia Demokratike konteston rolin kyç sipas saj që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme do të kenë në procesin e vetingut.
“Roli aktiv dhe përcaktues që kanë organet e kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv passjell kontroll të qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit,” thuhet në shkresën që shoqëron amendamentet e PD.
Duke përmendur drejtuesit e këtyre institucioneve-një pjesë e të cilëve eksponentë të Partisë Socialiste, opozita kërkoi që rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kryhej vetëm nga KPK dhe Kolegji i Apelimit.
“Organet e reja të vetingut vendosen nën mbikqyrjen dhe kontrollin e qeverisë….Në këtë mënyrë, reforma kushtetetuese rrezikon të dështojë dhe të humbasë besueshmërinë e publikut, sepse vetingu realisht dhe faktikisht kryhet nga një mazhorancë politike, në shkelje të standarteve të pavarësisë dhe paanësisë,” shton PD në amendamentet e saj.
Ndonëse projektligjet që shoqërojnë reformën në drejtësi kërkojnë 84 vota-të cilat mazhoranca provoi që i ka, prishja e konsensusit rëndon klimën politike për zbatimin e shpejtë dhe me vendosmëri të reformës në drejtësi.
Në anën tjetër, Partia Demokratike ka paralajmëruar se nuk do të lejojë miratimin e njëanshëm të paketës ligjore për reformën, duke mos përjashtuar edhe një beteje në Gjykatën Kushtetuese me mazhorancën.
SHBA: Mirëpresim miratimin e ligjit, tani rivlerësohen prokurorët e gjykatësit/
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka mirëpritur vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të miratuar ligjin e parë për zbatimin e reformës në drejtësi.
“Ky ligj i rëndësishëm do të fillojë procesin e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Përgëzojmë ata Anëtarë të Parlamentit të cilët votuan në favor të këtij hapi të rëndësishëm për zbatimin e amendamenteve kushtetuese të aprovuara unanimisht më 22 korrik”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.Më tej theksohet se pritet aprovimi e plotë dhe në kohë të ligjeve të tjera për zbatimin e Reformës në Drejtësi.“Presim të shohim aprovimin e plotë dhe në kohë të ligjeve të tjera për zbatimin e kësaj reforme kritike që gëzon mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve”.
Berisha i jep Ramës vetem një muaj qeverisje
Nuk mungojnë replikat mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të qeverisë Edi Rama, edhe në këtë seancë të jashtëzakonshme plenare për votimin e projektligjit të Vetingut.Berisha ka replikuar me Ramën duke i thënë këtij të fundit se ndoshta pas një muaji s’do të jetë më kryeministër i vendit.”Së pari dua të shpjegohem. Kur të thashë të kemi thyer turinjtë, nuk kisha parasysh doreza boksi, kisha parasysh parimet e Venecias. Ti me këto që bën, ndoshta edhe për një muaj ndoshta s’do jesh kryeministër. Vendi mund të ketë një kryeministër tjetër, s’ka asgjë personale këtu. Ti mendon se dy vjet rresht ke dalë këtu duke nxjerr letrën SHBA, BE, por shqiptarët duhet ta dinë se pikërisht ato i nxorën këtij kartonin e kuq”, tha Berisha.
Berisha: Pse e ndryshuat draftin?! Po prishet konsensusi
Duke folur në Kuvend gjatë seancës së jashtëzakonshme për të miratuar projektligjin për Vetingun, Berisha tha se prej 2 vitesh Rama ka bërë përpjekje për të kapur reformën në drejtësi.“Opozita ka luftuar shumë për standarde dhe prapë është e vendosur të luftojë. Këtu po prishet pikërisht ai konsensus që është sanksionuar në Kushtetutë. Ju a doni të funksionojë reforma apo jo? Në këtë reformë përcaktuam një mënyrë tjetër dhe këtë ramë dakord dhe e votuam. Po tani ju pse e ndryshuat? Ke dy vjet që bën përpjekje, por t’i kemi thyer turinjtë sa herë ke dashur dhe do vazhdojmë të t’i thyejmë turinjtë. Hajt të votojmë ligjin e BKH dhe të votojmë siç është reforma. Mos bëj gjëra qesharake”, u shpreh Berisha.Në fjalën e mbajtur ish-kryeministri, tha se në vetëdijen e çdo shqiptari, emergjenca e të gjitha emergjencave është shndërrimi i Shqipërisë në “Kanabistan”…
Halimi: Ligji për vetingun është antikushtetues
Në seancën e sotme të sesionit të jashtëzakonshëm të legjislaturës së VIII të të Kuvendit të Shqipërisë për Projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” në emër të opozitës foli deputeti i PD-së Eduart Halimi.Në fjalën e tij, Halimi tha se “Caktimi i një seance të jashtëzakonshme vetëm pesë ditë para të zakonshmes për një debat gati akademik, besoj se është një cinizëm për vetë situatë që është në vend dhe përmasat e krimit, se asgjë të jashtëzakonshme nuk ndodhë për pesë ditë, por Rama e përdori seancën për alibi për të gjetur armiq të reformës në drejtësi”.
“Që ka gjyqtarë të korruptuar as nuk vihen në dyshim dhe këto tre vjet janë liruar kriminel dhe sot krimi merr vendime për gjyqtarë dhe prokurorë në bazë të kontratës së qeverisë me krimin. Edhe në të opozitës ndihemi keq, por duhet tu themi shqiptarëve të mos gënjehen nga propaganda e qeverisë”, tha Halimi.
Halimi theksoi se: “Armiku më i madhe i drejtësisë është kapja e sistemit të drejtësisë, opozita ka dhë kontribut për moskapjen e sistemit të drejtësisë edhe ne kete draft. Dhe nëse nuk do të ishim angazhuar opozita dhe ndërkomtarët, Byroja Kombëtare e Hetimit do të ishte në varësi të ministrit të Brendshëm”.
“Konsensuesi është zgjidhja e miratimit të shtatë ligjeve. Vetingu është masë e rëndësishme për të vendosur besimin e qytetarëve te drejtësia. Ky ligj vjen pa konsensusin e opozitës se është në kundërshtim me kushtetuten e vendit. Ky ligj pa konsensues, dhunon kushtetutën, standartet europine dhe ne të opozitës të largohemi dhe nuk merrë pjesë në votim. Nuk do jemi pjesë e një procesi që kërkon kapjen e drejtësisë. Opozita do të ndjek cdo rrugë ligjore për një reformë të pa kapur politikisht në drejtësi”, tha Halimi.
Tabaku: Ligji i ri nuk përjashton gjyqtarët e diktaturës…
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi sot se qeveria miratoi një projektligj që nuk përjashton gjykatësit e periudhës së diktaturës, të cilët kanë dënuar me vdekje 5 mijë shqiptarë. Në një postim në rrjetet sociale, deputetja e opozitës shprehet se, “qeveria sapo miratoi një projektligj, i cili nuk përjashton gjykatësit e periudhës së diktaturës, që kanë dënuar me vdekje mbi 5 mijë shqiptarë nga viti 1944-1991, shumica e të cilëve sot nuk kanë as varr ku të përkujtohen nga të afërmit e tyre”.
“Për fatin e keq, projektligji i miratuar për vetting nuk ndalon gjyqtarët e asaj periudhe për të qenë sot gjyqtarë. Ligji i vetting ka shumë probleme, por për mua ky është ndër me kryesorët!”, shkruan Tabaku.Kuvendi miratoi sot, vetëm me votat e mazhorancës, ligjin për kontrollin e figurës së prokurorëve e gjyqtarëve…
Mesila Doda: PDIU-në nuk e përdorni dot si AS-in nën mëngë…/
Deputetja e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda është shprehur se qeveria e sotme është e formuar nga dy parti kryesore në vend. “Ata ushtrojnë pushtet, ata kanë të njëjtën përgjegjësi për keqqeverisjen apo mirëqeverisjen”, tha ajo në seancën e sotme parlamentare.“Nëse punët në këtë vend nuk janë mirë në ekonomi, në rend, infrastrukturë, bujqësi, shëndetësi, arsim apo rendin publik, nuk ka askush përgjegjësi përveç atyre që qeverisin. Nëse nuk honepsni njëri-tjetrin, nëse luani kukafshehti me humore dhe fatet tuaja nuk keni pse të kërkoni tek PDIU as strehë, as shpatë, as nder, sepse nuk jemi as jastëku dhe as shpata kundër ndokujt. PDIU-në nuk e përdorni dot si AS-in nën mëngë. Ju ftojmë ta votojmë këtë ligj që kemi në tryezë jo thjesht për shqiptarët, por për të shpëtuar sa të mundemi fytyrën e politikës”, the deputetja Doda.
Mediu: Vetingu në kundërshtim me Kushtetutën
Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka folur për një kapje të gjyqësorit nga mazhoranca, në fjalimin e parë të mbajtur sot në Kuvend rreth projektligjit të Vetingut.Mediu tha se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se seanca e sotme parlamentare është e manipuluar politikisht.“Më 22 korrik me konsensus, ne votuam me unanimitet ndryshimet kushtetuese. Ne sot më shumë se po bëjmë një ligj do t’i shtrojmë vetes pyetjen: Kemi proces normal parlamentar apo të manipuluar politikisht? Për fat të keq kërkohet që në përputhje me interesa politike të miratohet një ligj në kundërshtim me kushtetutën. Edhe pse vendosëm që ekspertët të ulen, për fatin e keq as nuk u ulën dhe as nuk u dëgjuan mendimet e ekspertëve të opozitës”, u shpreh kryetari i PR-së.Më tej Mediu thekson se mazhoranca do të luajë rolin e kontrolluesit të kontrolluesve, çka sipas tij e bën të pavlerë Vetingun.“Ajo që është edhe më flagrante është fakti që organet e Vetingut duhet të kalojnë në provim. Ata që do të bëjnë kontrollin duhet të kontrollohen nga qeveria. Unë nuk e di, se nuk po hyj në analizë të emrave, por institucionet që kontrollohen nga mazhoranca nuk besoj se janë shquar për paanshmëri dhe transparencë. Nëse i japim qeverisë në dorë kontrollin e kontrolluesve, pse na duhej Vetingu? Le ta bënim që kush i bindej mazhorancës të mbetej në detyre dhe kush nuk i bindej të largohej nga detyra”
Rama: Të korruptuarit në drejtësi morën një mesazh të qartë/
“I bie që sot kasta e të korruptuarve dhe të inkriminuarve në drejtësi ka marrë mesazhin e qartë, sikundër shqiptarët kanë marrë një tjetër konfirmim të vullnetit të patundur të kësaj shumice për t’i dhënë këtij vendi drejtësinë e munguar e të mohuar për kaq shumë vite dhe për t’i dhënë fund një historie të turpshme që ka njollosur keq shqipërinë dhe ka demoralizuar qytetarët për vite të tëra: drejtësisë që shitet e blihet si mall”.
Me këto fjalë kryeministri Edi Rama ka komentuar miratimin e ligjit të vetting-ut me votat e mazhorancës qeverisëse, ligj që sipas tij përbën thelbin e reformës në drejtësi.“Ne sot kemi miratuar ligjin bazë në morinë e tërë ligjeve që do të miratohen hap pas hapi deri në miratimin e reformës në drejtësi, sepse nuk mund të kemi sukses nëse që nga ngrehina që shembëm kushtetuteshmërisht me ndryshimet kushtetuese do të transferojmë të gjithë në pallatin e ri të drejtësisë”, ka thënë Rama.
Sipas tij, “kjo do të ishte dështim”, “ndërkohë që ata që do të transferohen në godinën e re kushtetuese janë ata që do të kalojnë procesin e skanimit, në bazë të kritereve që parashihen në këtë ligj: kapacitetet, integriteti personal dhe pasuria e tyre”, ka saktësuar Rama.Duke iu përgjigjur interesit të mediave për bojkotin e opozitës, kreu i qeverisë ka thënë: “Unë nuk e di nëse ka mbetur në këtë vend dikush që mund ende të besojë në shprehjet e vullnetit të kësaj opozite për të mbrojtur Kushtetutën e të drejtat e njeriut dhe që ka njeri që beson se kjo është një opozitë që do të reformojë drejtësinë”.
“Kjo shumicë, e cila i kishte votat, e priti opozitën deri në fund, pranoi të negocionte e modifikonte me të çka ishte e modifikueshme pa shkelur vijat e kuqe, deri në fund kemi qenë të gatshëm për të bërë çdo gjë për ta bërë bashkë. Por opozita ka bërë atë që di të bëjë gjithmonë, të bëjë sikur do por që nuk do”, ka shtuar Rama.
tasi says
Lome karrigash,,loje per te Marr te gmitha pushtete legjslatkvin bersi
,ekzekutivin I ka pushtetin me te madh mediate I ka jzurpuar,tani e futi gi
nen control. Dhe drejtesin.???
Rama nuk mind te flas ne emer te populist per te abomdonuar oppziten.
Oppzita eshte per te kundershtua e Jo me puth doren pozites.
M edij ka vole qart shkut e drejte.topi nuke e. Lots.meta eshte trguar me ii mature se rams I coli flett me sllogantet e kominixmit o me ne o kinder mesh.