• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2016

POLITIKA E JASHTME DHE FUSHATA PËR PRESIDENT TË SHBA

September 8, 2016 by dgreca

 

1-frank_shkreli

Nga Frank Shkreli/

Deri tani,  politika e jashtme dhe roli i Amerikës në botë nuk ka dominuar aq sa duhet debatin politik të fushatës presidenciale midis kandidates së Partisë Demokrate Hillary Clinton dhe kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump.  Por ka giasë se javët e fundit të kësaj fushate për president të dominohen nga çështje me rëndësi të politikës së jashtëme, por edhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur tradicionalisht në punët botërore gjatë pothuaj 100-viteve të fundit.

Zakonisht, gjendja ekonomike në vend dhe programet e kandidatëve për përmirësimin e saj, ato pra që cilësohen si “çështje të kuletës” (pocketbook issues), janë çështjet që vendosin se cili kandidat do fitojë në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare në nëntor, me fjalë të tjera cili është kandidati më i mirë që do të përmirsojë jetën ekonomike të familjeve amerikane.  Por duke marrë parasysh se megjithëse rritja e ekonomisë amerikane nuk është në nivelin që duhej të ishte, prapë se prapë ka shenja që tregojnë se ekonomia nuk është në krizë.  Sidomos kur të merret parasysh fakti se papunësia ndodhet në një nivel të ultë prej 4.9 për qind, në krahasim me katër vjet më parë kur papunësia ishte mbi 8 për qind. Rroga ndoshta nuk janë në nivelin e dëshirueshë, por të pakën njerzit mund të gjejnë punë po të duan.  Niveli i papunësisë midis 5 dhe 6 për qind, konsiderohet si normale këtu në Shtetet e Bashkuara.  Në këtë moment pra, duket se ekonomia nuk është një çështje me rëndësi dërmuese që do të shtyjë votuesin të votojë për njërin ose për tjetrin kandidat, por do të jenë një numër çështjesh përballë të cilave gjëndet Amerika, përfshirë politikën e jashtme, politikën mbrojtëse dhe të sigurirmit kombëtarsi dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. Do të jetë vlerësimi i votuesve amerikanë se cili ndër kandidatët do të jetë më i zoti dhe cili prej tyre ka përvojën dhe parimet dhe vendosmërinë e nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit në fushën ndërkombëtare përballë sfidave të tanishme dhe të ardhëshme gjatë mandatit katër  vjeçar.

Dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, kur votuesit amerikanë do të zgjedhin presidentin e tyre për katër vjetët e ardhëshme, bota duket se është në një gjëndje kaotike.  Presidenti/tja e ardhëshëme e Shteteve të Bashkuara, që në ditën e parë të mandatit do të përballet me një botë aspak stabile.  Vërejtësit e çështjeve ndërkombëtare paralajmërojnë re të zeza në horizontin ekonomik dhe politiko-ushtarak ndërkombëtar gjatë viteve në vijim.  Gjëndja në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë lamsh e rrëmujë, pa ndonjl shpresë zgjidhjeje në një të ardhme të afërt.  Flirtimet e fundit të dy autokratëve evropianë presidentit turk, Erdogan me presidentin rus Putin, janë shkak shqetësimesh serioze për NATO-n në përgjithësi dhe për implikimet e këtij flirtimi për krahun jug-lindor të aleancës perëndimore, në veçanti.   Shqetësues dhe me rrjedha të pa-parashikueshme është edhe vendimi i votuesve britanikë për të dalur nga Bashkimi Europian, si edhe rritja e tensioneve politike dhe ushtarake në Azi midis Kinës dhe fqinjve të saj dhe rritja e tensioneve politike në Europën Lindore si rrjedhim i politikave agresive të Rusisë së Vladimir Putinit.  Përfshirë Korea  e Veriut dhe Iranin nuklear, janë vetëm disa prej çështjeve të menjëhershme me të cilat do të përballet udhëheqsi i ardhëshëm amerikan, përveç krizave të pa parashikueshme botërore të viteve të ardhëshme.   Historikisht, ka ndodhur që presidentë të ndryshëm amerikanë — republikanë dhe demokratë — të kenë shpenzuar më shumë kohë duke u marrë me krizat dhe konfliktet ndërkombëtare se sa me punët e mbrendshme dhe me nevojat e përditshme të qytetarëve amerikanë.

Kandidati republikan Donald Trump sheh një hapje në këtë mes që ai po përpiqet ta shfrytëzojë në vazhdim të fushatës së tij, duke paraqitur politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama — pjesë e të cilës ishte edhe Hillary Clinton si Sekretare Amerikane e Shtetit — si të dështuar.

Por problemi i Trump-it është mos përvoja e tij në fushën e politikës së jashtme dhe asaj ushtarake. Ai është i pa sprovuar në këtë fushë, ndërsa kritikët e tij janë të shqetësuar në lidhje me temparamentin e tij në marrëdhëniet me të huajt.   Donald Trump, nëqoftse siguron fitoren në nëntor – do të jetë presidenti i parë në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, pa kurrfarë përvoje në fushën e politikës së jashtme dhe ushtarake, madje pa asnjë përvojë as në ndonjë administratë qeveritare.  Duke marrë parasyshë rëndësinë e politikës së jashtme si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, një shumicë amerikanësh – përfshirë këtu edhe një numër ish-zyrtarësh republikanë të diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare — janë shpallur kundër kandidaturës së Z. Trump, të shqetësuar pikërisht për mungesën e përvojës së tij në këtë fushë.

Ndërsa Hillary Clinton konsiderohet se ka më shumë përvojë në fushën e diplomacisë, falë shërbimit të saj si Sekretare amerikane e Shtetit dhe senatore – skandali me e-mailat e saja ka bërë që jo vetëm kundërshtari i saj politik për president Trump, por edhe vërejtës të tjerë të kritikojnë ashpër përvojën e saj në fushën e diplomacisë, duke thënë se mos kujdesi i saj në përdorimin e komunikimeve të fshehta përbën, sipas tyre, një rrezik ndaj sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.  Pse u shlyen dhe çfarë fshihej në to është një pyetje që po shkakton kokëçarje për Zonjën Klinton si dhe probleme në lidhje me besueshmërinë ndaj  në përgjithësi, në radhët e votuesve amerikanë, përfshirë edhe vetë demokratët.

Është e pamundur të parashikohet se cilin prej kandidatëve, Hillary Klinton apo Donald Trump, do të zgjedhin votuesit amerikanë në fillim të nëntorit.  Por mbetet për tu pa nëse çështjet e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme amerikane do të jenë çështjet kryesore ose faktori kryesor që votuesit amerikanë do të përdorin për të vendosur se për cilin kandidat për president do të votojnë më 8 nëntor, 2016.  Por një gjë është e sigurt. Duke marrë parasyshë statusin që gëzojnë sot Shtetet e Bashkuara si fuqia numër një në botë, zgjedhja e cilit do prej tyre — për mirë ose për keq – dhe politika e tyre e jashtme që eventualisht do të ndjekin,  do të ketë pasoja të thella jo vetëm për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, por për mbarë botën.  Le të shpresojmë që kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të jenë të vetdijshëm të këtij fakti.

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Frank shkreli, Fushata, Politika e jashtme, presidentet

Policia e Kosovës feston 17-vjetorin e themelimit

September 7, 2016 by dgreca

-Kryeministri Mustafa: Policia e Kosovës simbol i përkushtimit në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës/zkp-01

zkp-02-Policia e Kosovës vlerësohet se vazhdon të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin e lirë prej 17 vitesh dhe të pavaur nga 17 shkurti 2008/
 
zkp-03PRISHTINË, 6 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Policia e Kosovës festoi sot ditën e 17-vjetorit të themelimit, me një ceremoni zyrtare, me pjesëmarrje edhe të përfaqësuesve të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, e quajti përvjetor të punës dhe sakrificës 17- vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, të cilin e quajti institucion të rëndësishëm dhe të besueshëm.“Mund të them se ju keni bërë një punë të mrekullueshme, se Policia e Kosovës e ka bërë një punë të lartë profesionale, ka treguar profesionalizëm, ka treguar disiplinë, ka treguar përkushtim për mbajtjen e rendit dhe qetësisë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në shërbim të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë. Ka zbatuar në mënyrë të përkushtuar ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës ”, ka thënë kryeministri.
 Më tej, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë që të ndihmoj edhe më shumë zhvillimin e këtij institucioni.
 “Ajo që mbetet të them si kryeministër është se ne mburremi me ju, mburremi me punën që e keni bërë, dhe do ta keni një përkrahje të pa rezervë, në mënyrë që ky institucion të zhvillohet ashtu siç është zhvilluar, dhe të kryej përgjegjësitë e saj në mënyrën më të mirë. Unë e di që ju nuk e keni pasur lehtë, sidomos kohëve të fundit, jeni ballafaquar me shumë sfida dhe probleme, por mund të them se të gjitha këto i keni menaxhuar mirë, e keni mbrojtur qytetarin e Kosovës, keni mbrojtur pasurinë e shtetit, e keni zbatuar ligjin. Ju përgëzoj për të gjitha punët e mira që i keni bërë dhe për sukseset që i keni arritur, juve, udhëheqësinë e juaj, Ministrinë e Punëve të Brendshme. Po ashtu dëshiroj që këto suksese bashkërisht t’i rrisim dhe t’i shtojmë edhe në periudhën e ardhshme”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
 Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se 17 vjet pas themelimit, Kosova ka arsye për të qenë krenare me polici profesionale, me integritet të madh njerëzor dhe profesional, e cila me përkushtim ka mbrojtur Republikën.
 “Ju të nderuar oficerë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, më mirë se çdo kush tjetër keni dëshmuar se jeni mbrojtës të pa kompromis të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Do të vazhdoni të përballeni me sfidat që jeni përball gjatë vitit që po e lëmë pas, por unë jam i sigurt që do të vazhdoni po me të njëjtin intensitet t’i adresoni ato sfida, me ekspertizë të pashoqe që e keni demonstruar gjatë vitit që po e lëmë pas, me integritet, me guxim edhe qytetar edhe institucional, në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim përkatësie etnie, përkatësie fetare, kulturore apo gjinore, ta ndjejnë veten të sigurt në shtëpinë e vet. E, shtëpia e të gjithë neve është Republika e Kosovës, që ndonjë i shkalluar mund edhe ta mohoj, mirëpo Republika e Kosovës po bëhet gjithnjë më e fuqishme, më e fortë dhe më e konsoliduar”, ka theksuar ministri Hyseni.
 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, foli për rrugëtimin e Policisë së Kosovës që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme, por edhe për përkushtimin dhe sfidat me të cilat u përballën.
 “Rrugëtimi 17-vjeçar i mijëra grave dhe burrave të Policisë së Kosovës të devotshëm për t’iu shërbyer qytetarëve çdo herë, ka bërë që Policia e Kosovës të gëzoj respekt dhe mbështetje nga të gjithë”, tha drejtori Maxhuni.
 Gjatë kësaj ceremonie u bë ndarja çertifikatave për zyrtarët policorë që janë shquar për punën e tyre dhe rezultatet e arritura.
Policia e Kosovës vlerësohet se vazhdon të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin e lirë prej 17 vitesh dhe të pavaur nga 17 shkurti 2008.
 Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur në qytetin e Vushtrrisë Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta. 

Filed Under: Kronike Tagged With: 17 vjetori, feste, Mustafa, policia e Kosoves

Nënë Tereza, mbesë e Gjakovës

September 7, 2016 by dgreca

-Në Gjakovë mbahet manifestim kulturor për shenjtërimin e Nënës Terezë/

nene-tereza-gjakove-kosove-2

nene-tereza-gjakove-kosove-4

nene-tereza-gjakove-kosove-7

nene-tereza-gjakove-kosove-6

nene-tereza-gjakove-kosove-5

nene-tereza-gjakove-kosove-3

nene-tereza-gjakove-kosove-1GJAKOVË, 5 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/Në qytetin perëndimor të Kosovës  – Gjakovë me 5 Shtator është mbajtur manifestimi kulturor në nderim të veprës dhe shenjtërimit të Nënës Terezë. Ceremonia është hapur nga kori i Kishës Katolike, ndërsa fjalën hyrëse e ka mbajtur kryetarja e Komunës Mimoza Kusari Lila, nën patronatin e  së cilës është mbajtur manifestimi.

Njoftimi i komunës së Gjakovës thekson se, kryetarja Kusari – Lila ka folur për të Shenjtën Nënë Tereza, për bijën e tokës sonë si një nënë e madhe e gjithë botës e cila me zemërgjerësinë dhe humanitetin e saj ju shërbeu të varfërve dhe të gjithë atyre në nevojë. Ndër të tjera ajo theksoi: “Dje, e gjithë bota kishte sytë, veshët dhe mendjet nga kryeqendra e botës së krishterë, nga Selia e Shenjtë ku një nënë e madhe, një misionare, humaniste, një nobeliste, një shembull i dashurisë dhe paqes, me bekimin e Papa Françeskut u shëndërrua në të shenjtë”.
Kryetarja u shpreh që kjo ka një domethënie të madhe për kombin tonë dhe për Gjakovën ngase nga një mbesë e Gjakovës, me zemërgjerësinë dhe humanitetin e saj, përmendet në tërë botës. Më tutje, ajo ka përmendur disa nga thëniet më të bukura të Nënës Terezë, duke përmbyllur se çdo fjalë e jona për të është shumë e pakët dhe se ne sot po bëjmë diçka të vogël por me dashuri shumë të madhe.
Në këtë manifestim, ka folur edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike në Gjakovë, Pater Ndue Kajtazi, i cili ka përshkruar në pika të shkurtra biografinë e Nënës Terezë, duke theksuar se si një bijë me gjak Shqiptari, ajo asnjëherë nuk e mohoi origjinën e saj dhe se emrin e saj u munduan çdo komb ta përvetësoj. Ai më tutje ka shprehur që Nënë Tereza kishte zemër të madhe dhe roli i saj ka zënë vend në histori duke na bërë të gjithë neve që të ndjekim rolin dhe shembullin e saj për dashuri për njëri tjetrin.
Më tutje, profesor Ruzhdi Sefa ka mbajtur një fjalë rasti në emër të shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë. Ai ka folur për rolin historik që ka dhënë Nënë Tereza për kombin shqiptar, duke theksuar takimin me presidentin Bill Clinton dhe kërkesën drejtuar atij për ndihmë popullit shqiptar të Kosovës, gjatë luftës së vitit 1999.
Në fund të kësaj ceremonie, Gladiola Dema ka lexuar një recital për Nënën Terezë si dhe është përmbyllur ceremonia me disa pika muzikore nga kori i Kishës Katolike dhe kori i Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, mbesë e Gjakovës, Nene Tereza

KËNGA HEROIKE ARBËRESHE KUSHTUAR VDEKJES SË GJERGJ KASTRIOTIT

September 7, 2016 by dgreca

 

imageNGA  AURENC  BEBJA */

Kënga e më poshtme, kushtuar Gjergj Kastriotit, është marrë në veprën e shkrimtares me origjinë shqiptare, Dora d’Istria-s (Elena Gjika), me titullin : « La nationalité albanaise d’après les chants populaires – Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore. ».

1-bebjaokVepra e Elena Gjikës është botuar në vitin 1866 në gjuhën frënge në « Revue des Deux Mondes », Paris. Autorja ka përmbledhur disa këngë popullore shqiptare, ku njëra prej tyre i dedikohet heroit tonë kombëtar.Më saktësisht, autorja e ka marrë këngën për Skënderbeun në veprën « Su gli Albanesi, ricerche e pensieri » të shkrimtarit arbëresh, Vincenzo Dorsa, të botuar në vitin 1847 në Napoli.

Ja kënga në vijim :

« Kur u nis Skënderbeu për në luftë, gjatë rrugës që po ndiqte, ai takon Vdekjen, e dërguara e hidhur e aventurës së trishtë. – Emri im është vdekja : kthehu mbrapsht, o Skënderbe, sepse jetës tënde po i vjen fundi – Ai e dëgjon, e vështron, nxjerr shpatën, ndërsa ajo qëndron e shtangur.Hije e erës, që tremb vetëm frikacakët, nga e di ti se unë duhet të vdes ? Zemra jote e ngrirë a mund të profetizojë zhdukjen time ? Apo të është hapur libri i fatit të heronjve ?

Dje, në qiej, u hapën për mua librat e fatit. E zezë dhe e ftohtë si një vello, ajo zbriste mbi kokën tënde, dhe më pas ajo u hodh mbi të tjerët.

Skënderbeu përplas duart, dhe zemra e tij lëshon një ofshamë. Ah ! Fatkeq ! Më erdhi fundi. Ai fillon të kujtojë të kaluarën ; sheh djalin e tij të rritet pa baba dhe mbretërinë mes lotëve. Ai mbledh luftëtarët  e tij dhe u thotë :

Luftëtarët e mi besnikë, Turku do të pushtojë të gjithë tokën tuaj, dhe ju do të bëheni skllevërit e tij. Dukagjin, më sjell këtu djalin tim, këtë djalë simpatik, kështu që t’i jap mendimin tim. Lule e braktisur, lule e dashurisë sime, merr me vete nënën tënde dhe përgatit tri nga anijet më të mira. Nëse Turku e merr vesh (e ka fjalën për vdekjen e tij), ai do të të rrëmbejë dhe do të fyejë nënën tënde. Zbrit drejt plazhit : aty, ka një selvi të errët e të trishtë. Lidh kalin tim në atë selvi, dhe vendos flamurin tim mbi të, që të valvitet nga erërat e detit, dhe vari atij shpatën time. Gjaku i Turqve ka mbetur në pjesën e mprehtë të saj në të cilën fle vdekja. Nën pemën e zezë, armët e luftëtarit të frikshëm a do të qëndrojnë të heshtura ? Kur fryen era e tërbuar, kali hingëllon, flamuri valvitet, shpata jehon. Turku do ta dëgjojë, dhe, duke u dridhur, i zbehtë, i trishtuar, do të tërhiqet duke menduar për vdekjen. »

*: Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania-www.darisiani.com

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja, Kenge heroike arbereshe, Vdekja e Skenderbeut

NËNË TEREZA NË NJË SHKOLLË AMERIKANE NË NJU JORK

September 7, 2016 by dgreca

” MEGJITHATË” …./

1-ilir-harshova-600x400NGA ILIR HASHORVA/

… Kur takohesh me Nënë Terezën, nuk mund të mos ndiesh inferioritet-  Indira Gandi/

Këtu e trembëdhjetë vjet të shkuara, pata bërë shkrimin e mëposhtëm për Nënë Terezën i cili, duke parë drejtimin e shtrembër moral që ka marrë shoqëria jonë sot, më duket më aktual se atëherë.Ne ceremoninë që u zhvillua në shkollën  e mesme “Teodor Ruzvelt” në Jankes, në Nju Jork, me rastin e mbarimit të vitit shkollor në vitin 2002, shkollë prej së cilës mbaroi  vajza ime, mora pjesë edhe unë si prind. Gjatë asaj ceremonie, e cila u zhvillua e bukur dhe serioze, diku nga mesi i programit, një prej drejtueseve, pasi thirri një nxënëse në skenë, filloi të recitonte: “Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë”, dhe nxënësja, e thirrur pranë saj, vazhdoi: “Ji i ndershëm dhe i sinqertë, megjithatë”. “Të kujt janë këto mendime?”, pyeti drejtuesja. “të Nënë Terezës” iu përgjigj nxënësja. “Pa dyshim”, tha drejtuesja. Dhe, më pas, ato, së bashku, recituan të gjithë poemën e shkurtër të Nënë Terezës, “MEGJITHATË” e cila u duartrokit nxehtësisht. Poema ishte vërtet  një koncentrat mendimi e urtësie i shkallës më të lartë. Ajo përmblidhej në tetë rreshta dhe kishte të bënte me sjelljen e njeriut të mirë në një botë të keqe.

Nuk e kisha dëgjuar më parë atë poemë, ndonëse dija vargje të tjera të ngjashme, apo gjerdane maksimash, po të Nënë Terezës, me titull “JETA” dhe që në Tiranë i kisha vendosur në xhamin e bibliotekës sime të punës.

Pasi  dëgjova atë mbasdite poemën e Nënë Terezës, u interesova të mësoja diçka më shumë për të. Dhe ja se çfarë mësova:

Origjinën ato vargje duhet ta kenë nga feja e lashtë indiane Xhain, e cila është një fe, ndonëse jo shumë e përhapur (për shkak të rregullave shumë të forta që i imponon besimtarit), me parime shumë interesante, ndërmjet të cilave edhe parimin e  Ahimsa-s, që do të thotë “pa dhunë”, dhe që ka frymëzuar lëvizje të mëdha botërore të shekullit që lamë pas, duke përfshirë atë të Gandit në Indi dhe të Martin Luter Kingut në Amerikë. Në citatet që jepen për të njëjtin subjekt nga ajo fe, përveç vargjeve të ngjashme me ato që përmbahen në poemën e Nënë Terezës, janë edhe  dy vargje të tjera që nuk ndodhen në thëniet e saj. Ato janë: ” Njeriu më i lartë me idetë më të shquara, goditet nga njeriu më i ulët me idetë më të errëta – Përpiqu të bëhesh i lartë, megjithatë” si dhe  “Në qoftë se mendon ndryshe, mund të kritikohesh nga të tjerët – Përpiqu të mendosh ndryshe, megjithatë”. Mundësinë  më të madhe të prejardhjes ato vargje duket se e kanë pikërisht nga kjo fe, por Nënë Tereza u dha atyre një përhapje dhe njohje universale.

Në vitin 1966 një nga udhëheqësit kryesor të studentëve amerikanë, Kent Keith, shkroi një pamflet për udhëheqës të tjerë të studentëve të asaj kohe të cilin e quajti “Revolucioni i qetë”. Në këtë pamflet u paraqitën disa maksima që u quajtën  “Urdhëresa paradoksale “. Janë gati të njëjta me ato të Nënë Terezës. Në vitin 2001 ato u riparaqitën në librin e tij “Urdhëresa paradoksale: të gjeturit e kuptimit personal në një botë të çmendur “. Në këtë libër tetë mendime janë si të Nënë Terezës, një është personal dhe një është si ai i fesë Xhain.

Fillimisht Nënë Tereza ato vargje i kishte vendosur në një mur të shtëpisë së të vegjëlve jetimë, Shishu Bhaven, në Kalkuta, por sot ato vargje gjenden të vendosura kudo nëpër botë: në mure, në zyra, në dyer frigoriferi, në dollapë, kudo. Ndikimi i tyre në edukimin moral të njerëzve, duket se është shumë i fuqishëm. Uein Daier (Waine Dyer) i quan ato vargje ” “Plani me tetë pika për dendotizim” i Nënë Terezës.

Më poshtë është poemthi i Nënë Terezës, “MEGJITHATË`”

MEGJITHATË

 Njerëzit janë të paarsyeshëm, të palogjikë dhe egoistë                                                

Duai ata, MEGJITHATË

 Kur bën mirë, të tjerët të akuzojnë se nise nga egoizmi                                                              Bëj mirë, MEGJITHATË                                                                                           Në sukses fiton miq të rremë dhe armiq të vërtetë                                               

Përparo, MEGJITHATË

Të mirën që bën sot, do të ta harrojnë nesër

Bëj mirë, MEGJITHATË 

Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë

Ji i ndershëm dhe i sinqertë, MEGJITHATË

 Atë që ndërton me vite, mund të ta shkatërrojnë brenda natës

Ndërto, MEGJITHATË 

Njerëzit duan ndihmë, por mund të të godasin, po t’i ndihmosh

Ndihmoi njerëzit, MEGJITHATË

Jepi botës më të mirën që ke dhe ajo do të të thyejë dhëmbët

Jepi botës më të mirën që ke, MEGJITHATË

Nuk duhet që Nënë Tereza të na shërbejë vetëm si një zbukurim të cilin e demonstrojmë sa herë që duam t’u tregojmë të huajve se ajo është jona. Ajo duhet bërë pjesë e kulturës dhe shpirtit tonë. Nuk mjafton  të shqetësohemi, kur nga indiferenca jonë, Nënë Terezën na i marrin të tjerët. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur harrojmë t’i përkujtojmë asaj ditëlindjen apo përvjetorin e vdekjes. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur kujtohemi që asaj nuk i është ngritur një bust a një përmendore për të qenë, ashtu siç e meriton, në atdheun e saj, në Shqipëri, pikërisht sepse ai vend u tregua aq i padrejtë dhe aq mizor ndaj saj.

Nuk di nëse mendimet e Nënë Terezës, apo moralistëve dhe humanistëve të tjerë të ngjashëm me të, mësohen apo jo në shkollat tona, por, në qoftë se nuk mësohen, apo nuk mësohen siç duhet, aty duhen kërkuar edhe rrënjët e një pjese të shkaqeve të gjendjes së mjeruar morale të popullit tonë sot.

            Nënë Tereza dhe moralistët dhe humanistët e tjerë, të cilët nuk janë vetëm shpirtra të mëdhenj, por edhe mendje të ndritura, duhen futur urgjentisht kudo: në kopshte fëmijësh, në shkolla, në universitete, në spitale, në burgje, në gjykata, në politikë, në pushtet, në ministri, në kryeministri e kudo. Dhe, po të bëhet kjo, me siguri Shqipëria do të ndryshojë dhe do të ndryshojë për mirë; po qe se s’bëhet kjo, të tjerat janë formalitete të karakterit hipokrit. 

Nju Jork, korrik 2003                                     

Ilir Hashorva

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Ilir Harshova, Megjithate, Nene Tereza, Nju Jork, shkolle amerikane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT