• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, rajoni do vazhdojë të mbetet në status quo

October 29, 2016 by dgreca

1-enver-hoxhaj-kosove-1Kryediplomati Hoxhaj: Kosova nuk mund të shihet si e ndarë nga proceset në rajon/

2-enver-hoxhaj-kosove

PRISHTINË, 29 Tetor 2016-B.Jashari/ Kosova nuk mund të shihet si e ndarë nga proceset në rajon, tha ministri i Jashtëm Kosovar, Enver Hoxhaj, sot në Sllovaki. Në këtë kontekst, vijoi ai, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të shfrytëzohet për mbylljen e të gjitha temave të hapura në rajon.“Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, rajoni do vazhdojë të mbetet në status quo”, tha ministri Hoxhaj.Për më tepër, ai, duke përshkruar kontekstin e ri të zvillimeve në Ballkanin Perëndimor, potencoi edhe rëndësinë amerikane në të gjitha proceset. “Pa angazimin e SHBA-ve, si dhe kontributin e BE-së, nuk do të ishim në gjendje të kishim progres, i cili bërë deri më tani”, tha Hoxhaj.Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Globsec Tatra Summit” që po mbahet në Bratisllavë, Sllovaki. Në këtë forum ndërkombëtar, ku po diskutohet për aspektet e rëndësishme politike, ekonomike dhe financiare evropiane, po marrin pjesë edhe ministra të jashtëm nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor, komisionerë nga BE dhe personalitete tjera.

Njoftimi i dërguar thekson se, në adresimin në panelin me temën “Ballkani Perëndimor, pjesa e munguar e BE-së”, ku është diskutuar për të ardhmen e Ballkanit perëndimor, respektivisht, procesin e zgjerimit të BE-së, Hoxhaj ka vlerësuar se rajoni në përgjithësi, në 20 vitet fundit ka bërë progres të jashtëzakonshëm, por ende mbetet punë për t’u bërë.Në këtë panel kanë marrë pjesë edhe ministra dhe zëvendës ministra të jashtëm të Ballkanit Perëndimor.Sa i përket zgjerimit të mëtejmë të BE-së, ministri Hoxhaj ka theksuar se është bërë punë e mirë në sundimin e ligjit, etj, por pa zhvillim ekonomik, nuk do të jemi në gjendje të ecim përpara. Megjithatë, sipas tij, duhet të ketë politikë më fleksibile sa i përket zgjerimit.

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Hoxhaj, njohja, Serbia -Kosova, Status quo

Pseudo-Reforma në drejtësi nuk ndal dot Revolucionin për Demokraci!

October 28, 2016 by dgreca

 

dr-ledian-drobonikuDr. Ledian Droboniku/

Fushatën mediatike mbi reformën në Drejtësi do e kishte zili dhe Goebbels. Për muaj të tërë politikanët dhe ndërkombëtarët e çdo rrace, gazetarë, intelektualë dhe analistë mbollën në ndërgjegjen sociale përrallën e reformës në drejtësi.Por si thotë Arendt, diktaturat ndryshojnë format, por jo përmbajtjen.

Shqiptarë të dëshpëruar shihnin se kësaj here, kasta dhe miqtë e tyre ndërkombëtarë e kishin marrë seriozisht për të vënë drejtësi në vendin më të varfër dhe të korruptuar të Europës. Ishin penduar për mëkatet e tyre dhe do hiqnin dorë prej privilegjeve të çdo lloji.

Dhe shumë njerëz të gozhduar para televizionit, kishin dëshirë të besonin, të ëndërronin.

Sa më i dëshpëruar të jetë njeriu dhe popujt, aq më lehtë besojnë tek zgjidhjet e thjeshta, qofshin këto magjike. Për 26 vite me radhë, populli televiziv beson ende, se  normalizimi i vendit vjen po te heqësh ata që janë në krye. Se e mira rrjedh nga sipër dhe thjesht ai duhet të presë që ta shijojë. Por kjo nuk ka funksionuar në asnjë vend dhe nuk do funksionojë kurrë, as thjesht duke hequr politikanët aq më pak duke hequr magjistratët.

Zgjidhja është shumë më e vështirë por njëkohësisht dhe shumë më e lehtë, mjafton të reflektosh e mos të veprosh me instikte si në botën kafshërore.

Nëse keni pak durim do mundohemi ta shpjegojmë.

Alain Badiou në analizat e tij, ndaj rrëshqitjes së shoqërive të sotme drejt totalitarizmit, thekson se: “retorika segmentare ndaj korrupsionit ka për qëllim të legjitimojë totalitetin, një sistem i tërë i ngritur mbi privilegjet e një pakice që përqendron çdo pushtet në pak duar”.

Modeli i sukseshëm i shteteve perëndimore për dekada të tëra pas luftës së dytë botërore sot po goditet nën sulmin e elitave financiare transnacionale. Shoqëritë e ngritura mbi demokracinë, ku politikën e bënin qytetarët sot i ka lënë vendin elitave që vendosin për jetët e miliona njerëzve; shtetit social që kuronte interesin e përgjithshëm, që siguronte shërbime sociale, që krijoi një shtresë të mesme dhe zhduku varfërinë, po çmontohet sistematikisht. Destabilizimi i njeriut dhe shoqërive është garancia e vetme për krijimin e këtij rendi të ri që po anullon të gjitha fitoret e iluminizmit dhe humanizmit evropian. Në mënyrë jo shumë paradoksale, kapitalizmi ultrafinanciar, pa frena po shndrrohet në një totalitarizëm të ri po aq i rrezikshëm për Njerëzimin sa dhe totalitarizmi komunist.

Po ç^hyn këtu Shqipëria?

Shqipëria nuk është më një ishull i izoluar si në kohën e monizmit. Shqipëria sot është një ndër vendet më të ndërvarura politikisht dhe ekonomikisht nga rendi i ri që po sajohet.

Në këtë drejtim, Shqipëria është gjithashtu një eksperiment i gjallë sepse nuk ka asnjë antikorp për një rezistencë minimale ndaj këtyre forcave gërryese të sovranitetit. Ngrehina e shtetit shqiptar është një lodër e sajuar me kujdes nga lobet ndërkombëtare, që mbështesin këtë kastë prej 26 vitesh për të realizuar reformat e tyre në dëm të interesit publik shqiptar. Dorëzimi i sektorëve strategjikë, banka e pasuri kombëtare në duart e të huajve, deindustralizimi i vendit dhe kthimi në ekonomi koloni; shkatërrimi i ushtrisë, diplomacisë, shkollës dhe shëndetësisë ka për qëllim të vetëm, defunksionalizimin e shtetit shqiptar që mos të kurojë dot interesat vitalë të qytetarëve të tij.

Nëse kemi të qartë këtë vizion, gjërat fillojnë dhe marrin sens ngadalë.

Sot,  Shqipëria, ndryshe nga ajo çfarë trumbeton media apo konferencat peudoshkencore, nuk ka një korrupsion sektorial, por një sistem të tërë të ngritur mbi korrupsionin dhe privilegjet. Pra një shtet i kapur nga interesa lobiste që punojnë kundër interesit të përgjithshëm.

Një shtet i kapur, do të thotë që të gjitha qendrat e pushtetit, politik, ekonomik, financiar, mediatik, sindakal, akademik janë tashmë jashtë kontrollit të popullit sovran. Ato ricikolohen dhe mbështesin njëra tjetrën në një skemë autoreferenciale.

Demokracia pluraliste, njësoj si demokracia popullore enveriste, mbetet thjesht në letër sepse vendimet nuk merren kurrë nga populli, i cili duhet të kënaqet 1×4 vjet duke noterizuar çfarë partia ka vendosur pavarsisht se çfarë ai dëshiron. Kontrata sociale, njësoj si çdo kontratë tjetër, flaket pa u tharë boja.

Në këto kushte kur populli është shpërvetësuar nga mundësia për të vendosur fatet e vendit, ku çdo mekanizëm kontrollohet nga sistemi dhe nuk sjell ndryshim, e vetmja mundësi për shpëtim ka qenë dhe është Revolucioni. Jo një revolucion i parafabrikuar nga kasta, por një i vërtetë demokratik, ku populli merr në kontroll shtetin e tij, që formohet dhe kontrollohet nga qytetarët dhe jo partitë apo lobet!

Por kush e dëshiron këtë gjë?

A dëshiron kasta të humbasë pushtetin që e riciklon mes veti prej  26 vitesh?

A e dëshirojnë ndërkombëtarët, që humbasin influencën mbi këtë kastë të koruptuar dhe të shantazhuar?

A e duan bankat e huaja që grabisin depozitat e shqiptarëve për ti investuar jashtë vendit sesa të kreditojnë biznesin shqiptar?

A e duan monopolistët e importit që paralizojnë prodhimin vendas dhe helmojnë konsumatorin shqiptar?

A e duan mediat dhe pronarët e tyre kriminalë që flirtojnë me pushtetin për privilegje pa fund?

A duan “intelektualët” organikë që janë akomoduar diku në një cep të halesë me bekimin e partisë, apo ata mijëra të rinj dhe të reja që studjojnë realisht?

A e duan padronët që kanë zaptuar avokatinë, mjekësinë, arkitekturën e çdo gjë, ndërsa kuadrot e vërtetë mezi mbijetojnë në një sistem pervers?

A e do bota e krimit që bashkëjeton me politikanët dhe shefat e policisë pavarisht rrënimit të vendit si Kolumbia?

Sigurisht që jo!

Kjo nuk është një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve si kasta e paraqet! Jo!!!

Kjo është një betejë kundër një pakice që ka zaptuar qendrat e pushtetit dhe mban peng zhvillimin normal të vendit duke sakrifikuar interesin publik.

Prandaj, kjo luftë nis nga poshtë, nga qytetarët, nga jashtë sistemit, sepse bëhet për të kthyer normalitetin për shumicën e heshtur të këtij vendi, sepse zgjidhja nuk vjen kurrë nga brenda pallatit të pushtetit, si tentoi Ramizi apo çdo diktator në fund të regjimit.

Ajo që duhet të rekuperojmë është interesi publik. Ontologjikisht interesi publik nuk ruhet dhe kurohet nga elitat, por nga mekanizma që sigurojnë aksesin dhe kontrollin e vetë publikut, vetë qytetarëve në mbrojtje të interesave të veta.

Këto mekanizma higjenizuese për shtetin dhe shoqërinë krijohen vetëm në një sistem që quhet:  Demokraci! Aty ku qytetarët vendosin dhe kontrollojnë makinën shtetërore në çdo moment!

Pavarsisht klithmave të kastës dhe inflacionit verbal, demokracia nuk u vendos kurrë, ashtu sikundër nuk u vendos shteti i së drejtës dhe shteti social.

Demokracia është një projekt racional, ku gjërat nuk funksionojnë nga mirësia apo bujaria e njeriut por nga lloji i insitucioneve që ndërtohen. Nëse këto institucione ndërtohen dhe kontrollohen nga partitë dhe lobet, ato nuk mund të kurojnë kurrsesi interesin e përgjithshëm por ato klienteliste.

Prandaj, ky revolucion nuk duhet thjesht të përmbysë fytyrat dhe maskat, por të ndërtojë ato institucione që nuk lejojnë krijimin e oligarkive. I vetmi garant për këtë, në të mirë dhe të keqe, është vetëm populli sovran.

Por çfarë bëri reforma në drejtësi, a e hapi sistemin demokratikisht, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ku institucionet nuk formohen nga elitat por nga qytetarët? A pranoi që Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm, KLD, Avokati i Popullit të zgjidheshin vetë nga qytetarët? A lejoi juritë qytetarë brenda pallatit?

Jo!

Nëse qytetarët hyjnë brenda pallatit, privilegjet mbarojnë si për oligarkët brenda ashtu dhe për ata jashtë!

Por, nga ana tjetër, kasta arriti edhe njëherë të bindte popullin se ndryshimi do vijë përsëri nga brenda pallatit.

Njësoj si dje, zyrtarët e lartë do të zgjidheshin përsëri nga brenda kastës si tradita e nomenklaturës e kërkon prej 70 vitesh.

Kësaj here, rotacioni nuk mjafton më në politikë por do kryhet edhe në drejtësi. Parlamenti i hajdutëve (nga shantazhimi i ambasadorëve se do i tregonte të vërteëtn popullit për vjedhjet këto dekada), vendosi unanimisht që do pastronte drejtësinë pa u pastruar vetë më parë.

Armata e vampirëve me çekiç nuk erdhën nga hiçi, por kaluan të njëjta kanale të kontrolluara nga kjo kastë, që pozicionon njerëzit e saj kudo. Vetëm me këtë kryqëzim postesh, ne politikë, drejtësi, akademi, ekonomi etj, oligarkët ruajnë reciprocikisht privilegjet.

Devijimi i vëmendjes (drejt magjistratëve), si e keqja madhore, është teknika klasike e çdo dikature për të shpëtuar privilegjet dhe vonuar Revolucionin.

Edhe pse jetojnë e vuajnë prej vitesh në këtë vend, njerezit e kanë të vështirë të mendojnë me mendjen e tyre nën furinë  e mediave të kudondodhura.

Nëse të këqijat më të mëdhaja këtij vendi i kanë ardhur nga ligji që bëjnë politikanët apo devijimi i ligjit që bëjnë magjistratët?

Shkatërrimi i pronës në Shqipëri, u realizua pikërisht me ligj nga politikanët, komisione pa fund, dhe pastaj nga gjyqtarët, sekserët dhe larva të ndryshme.

Importimi i plehrave të gjithë Europës në Shqipëri, nuk e vendosën gjykatësit duke shkelur ligjin por vetë ligji i aprovuar nga kjo klasë politike dje dhe sot.

Betonizimi dhe shkatërrimi i kryeqytetit, i qyteteve, bregdetit etj, janë bërë me akte ligjore të politikanëve dhe më pas nga hienat me çekiç në dorë dhe kuletë në brezë.

Deindustralizimi i vendit, privatizimet e pasurive të popullit për 50 vjet për një lek u kryen me akte ligjore nga klasa politike dhe mandej nga magjistratët.

Dorëzimi i sektorërve stratetegjikë të huajve, që nga bankat, minierat, nafta, siguracionet, telekomunikacioni etj, nuk i realizuan magjistratët por politikanët me akte ligjore.

Krijimi i monopoleve që po asfiksojnë ekonominë e vendit, realizohen me akte ligjore dhe nënligjore dhe jo devijime nga ligji prej magjistratëve

Mbushja e parlamentit, administratës me kriminelë, hajdutë e injorantë nuk ndalet dot nga magjistratët sepse listat i plotëson shefi i partisë dhe emisarët e tij.

Shkatërrimi i shkollës, privatizimet e spitaleve, degradimi i kulturës, artit dhe sportit nuk janë bërë nga magjistratë duke shkelur ligjin por nga vetë politikanët me akte ligjore.

Çmontimi i ushtrisë shqiptare dhe aseteve të saja, shkollës së aviacionit, marinës, instituteve shkencore nuk i realizuan magjistratët por vetë këta politikanë më akte ligjore të porosituar nga lobet ndërkombëtare.

Prandaj, lufta e këtij populli nuk duhet drejtuar kundër “devijuesve të ligjit” por në radhë të parë kundër  “prodhuesve të ligjit”.

Për këtë qytetarët duhet të shtinë në dorë, “fabrikën” e ligjit!

Vetëm në këtë mënyrë ligji do pasqyrojë dhe kurojë interesin e përgjithshëm dhe vullnetin e popullit, ashu si iluministët evropianë mësuan 3 shekuj më parë.

Këtë “fabrikë” si çdo gjë tjetër të rëndësishme, sot e ka në dorë partia!

Nesër do e kenë qytetarët!

Vetëm kështu qytetarët do arrijnë të vendosin vetë, pas 100 vitesh shtet, fatet e Shqipërisë si një Zvicër e dytë.

Prandaj, kjo reformë dhe vetingjet e saj të importuara, mund të vonojnë por jo të ndalojnë Revolucionin Demokratik,  dëshirën e një populli për të jetuar denjësisht në nje vend normal si popujt e tjerë të këtij kontinenti.

Për këtë, vendit i duhen energjitë dhe njerëzit e pastër të tij, jashtë apo brenda Shqipërisë, ata që besojnë se Shqipëria do bëhet vetëm nga shqiptarët, ashtu si ka bërë ndër shekuj pavarsisht vemjeve të brendshme dhe larvave të jashtme.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Ledian Droboniku, Pseudo-Reforma në drejtësi

FESTA, “MAPO” U BE 10 VJEÇE

October 28, 2016 by dgreca

Ne feste edhe:Alfred Moisiu e Rexhep Meidani dhe Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, zv.kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj e kryetari i Komisionit të Mediave, deputeti Genc Pollo e të tjerë./

2-mapoNga: Prof.Murat Gecaj/ Mbrëmë, në sallën “Apollonia” të Hotelit “Rogner”, në kryeqytet, u festua 10-vjetori i botimit të numrit të parë të gazetës ditore, “Mapo”. Sipas njoftimit, që ishte publikuar në faqet e saj, kishin ardhur punonjës të kësaj gazete, lexues të profesioneve të ndryshme, poetë, shkrimtarë e artistë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë etj. Ndodheshin ish-Presidentët e Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu e Rexhep Meidani dhe Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu. Gjithashtu, ishin të pranishëm zv.kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj e kryetari i Komisionit të Mediave, deputeti Genc Pollo e të tjerë.

1-mapoFjalën e hapjes, duke kryer dhe detyrën e moderatorit të kësaj veprimtarie, e mbajti karrikaturisti i njohur, Bujar Kapexhiu. Pastaj folën, me radhë: kryeredaktori i parë i “Mapo”-s, Skënder Minxhozi; themeluesi i gazetës, Henri Çili; drejtori i “Media Mapo”, Alfred Lela dhe kryeredaktori i së përditëshmes, Arjon Sulo. Ata u ndalën në përpjekjet e parreshtura të kolektivit të kësaj gazette për të qenë sa më pranë lexuesve dhe për t’i pasqyruar, sa më me vërtetësi e profesionalizëm, ngjarjet që zhvillohen në vend, si dhe ato të rajonit e më gjerë.

Të pranishmit dëgjuan me vëmendje dhe duartrokitën përshëndetjen e Ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu dhe të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, të cilin redaksia e Gazetës “Mapo” e shpalli “Njeriun e Vitit”, për mbështetjen e vazhdueshme, që i ka dhënë e i jep shtypit shqiptar etj.

Pasaj, të ftuarit në këtë veprimtari festive dhe mbresëlënëse, kaluan disa kohë së bashku, në koktejin e organizuar me këtë rast, bënë fotografi për kujtim dhe morën dhuratë albumin me ngjyra, kushtuar 10-vjetorit të botimit të “Mapo”-s. Ai përmban gjithësej 230 faqe, me format të madh e ka titullin: “MAPO: 10 vjet-100 kopertina-100 ide”.

Në mbyllje të këtij shkrimi informues, e përshëndesim përzemërsisht redaksinë e gazetës së përditëshme “Mapo”, në këtë përvjetor të shënuar dhe i urojmë udhëtim të mbarë, së bashku me tërë shtypin e shkruar dhe atë elektronik, në Shqipëri!

Tiranë, 28 tetor 2016 

Filed Under: Kronike Tagged With: festoi 10 vjec, MAPO

Paralele të padëshiruara shqiptaro-amerikane

October 28, 2016 by dgreca


1-andon-dede
nga Andon Dede, Nju York/

Kushdo që e njeh sadopak Amerikën dhe e krahason me vendin tonë, e ka fare të lehtë të kuptojë se sa larg janë këto dy vende apo dhe popujt që gjallojnë në to, nga njeri tjetri. Nuk është as vendi as qëllimi ynë që të merremi me shkaqet e hendekut të madh që na ndan nga gjigandi i përtej oqeanit. E, megjithatë, sado e çuditëshme të duket, nuk është e vështirë të gjenden dhe paralele apo analogjira, tjetër punë që këto paralele mund ta kenë drejtimin në kahje të kundërt. Për  të mos u zgjatur po rrëfej disa syresh.

*   *    *

Po e filloj me një episod të thjeshtë. Po dilja nga shtëpia ime në Tiranë, për të shkuar në punë kur, diku afër pallatit shoh një fqinjën time që po thyente disa shishe. Pas “mirëmëngjezit”, kureshtja nuk më la që të mos e pyesja se pse po i thyente. “Që të mos i marrë njeri e t’i shesë” – ma ktheu ajo. Përgjigja e saj më befasoi nga që ishte larg çdo përfytyrimi të mundshëm. Edhe tani që kanë kaluar dekada nga ky episod, nuk arrij ta kuptoj plotësisht se pse ajo e bënte atë veprim që të mos i jepte mundësi ndonjë fukarai të fitonte ndonjë lek. Mbase arsyeja do kërkuar tek varfëria jonë ekstreme që na kultivoi dhe barazinë pikërisht në varfëri. Si të tillë, nuk e pranojmë dot që ai tjetri të fitojë diçka, qoftë edhe duke mbledhur shishe e kanoçe. Është një hamendje e imja, por kurrsesi përligjie për veprimin e saj.

Fati e desh që të vija me banim në Amerikë. Më bënin përshtypje hedhjet në rrugë, të llojeve të ndryshme, sa që një mësuese e Anglishtes na tha një ditë se Amerika njihet edhe si shoqëri e hedhjeve. Por, gjetkë e pata llafin. Rastësisht më tërhoqi vëmendjen një detaj: kur kishin nxjerrë në rrugë ndonjë mobilje apo pajisje shtëpie, (që dukej fare e re dhe e kishe vështirë ta kuptoje arsyen pse e hidhnin, sipas logjikës sonë, sigurisht), pra shpesh, në një qese plastike vinin dhe vidat apo detalet e tjera që do t’i duheshin atij që do e merrte për ta montuar. Se ata që e hidhnin, e dinin fare mirë se ajo do të përfundonte në shtëpinë e ndonjë hallexhiu. Vetvetiu mu kujtua fqinja ime që po bënte të kundëertën. Mu dhimbs ajo dhe vetja që i përkas atij vendi tmerrësisht të  varfër, pa pasur asnjë faj..

*   *    *

Po tregoj tani një përjetim tjetër. Në çdo fund viti, këtu në Amerikë, presidenti organizon një darkë të madhe apo party, siç i thonë këtu, me gazetarë e të ftuar të tjerë. Në to nuk mungon kurrë edhe një humorist nga më  të njohurit që i bën të qeshin pjesëmarrësit, kryesisht me gafat e presidentit gjatë vitit që po mbyllet. Por, si të mos mjaftonte kjo, vetë presidenti rrëfen episode nga veprimtaria e tij që ngjallin humor; ndonjëhere programin e plotëson edhe zonja e parë. Gjithçka kalon gëzueshëm, me as më të voglën qejfmbetje. Përkundrazi, numuri një i shtetit shkrihet së qeshuri, mbase më tepër se të tjerët.

Një ceremoni të tillë me gazetarët, ka nja dy vjet që nisi ta bëjë dhe kryeministri ynë aktual. Bukur, nga Amerika ka se ç’të mësojë apo dhe të marrë çdo njeri, qoftë qytetar i thjeshtë apo dhe politikan e shtetar. Kur e pyeti dikush se pse e organizoi një veprimtari të tillë, Rama i tha se ka ndjekur shëmbullin e presidentit amerikan. Përsëri nuk shoh asgjë për t’u kritikuar në gjithë këtë. Por, duke ndjekur ceremoninë, aq sa na u dha në media, mund të them pa e tepëruar se ajo jo vetëm që s’kishte asgjë të përbashkët me atë të presidentëve amerikanë por qe e kundërta e tyre, për të mos thënë një karikaturë e shëmtuar e atyre që kemi ndjekur çdo fund viti këtu. Ceremonia përshkohej jo nga humori, siç e donte rasti, por nga një nervozizëm, që s’kishte asgjë të përbashkët me një mbrëmje festive të fundvitit. Hedhje e pritje batutash mistrece nga kreu i qeverisë, me thumba e mllefe inatçore, jo për të bërë për të qeshur pjesëmarrësit, por si e si për t’i denigruar ata, madje duke pohuar me cinizëm se “unë as që ju lexoj fare se ç’botoni ju”. Të kuptohemi: unë nuk kam qënë në asnjë nga këto pritje, por gjithë sa përmenda më lart i kanë pohuar shumë nga pjesëmarrësit. Madje, disa syresh edhe janë betuar se s’kanë për të shkuar më në pritje të tilla, aq të fyer e kanë ndjerë veten. Natyrshëm del pyetja: pse e organizoi kryeministri ynë artist atë pritje që, siç e shtjelluam më lart, s’ka asgjë të përbashkët me ato të presidentëve amerikanë?! Dhe përfundimi që nxjerr çdo njeri me mend në kokë është se nuk mjafton vetëm dëshira për të imituar amerikanët, por edhe të dish ç’të marrësh prej tyre dhe si ta vësh në jetë në realitetin që po jeton, aq më tepër kur është fjala për një person publik e sidomos kryeministër. Përndryshe imitimi shabllon kthehet në bumerang, siç edhe ka ngjarë me cermonitë në fjalë dhe jo vetëm me to. Unë nuk e di nëse Rama do të organizojë përsëri ceremoni të tilla dhe aq më pak mendoj se gazetarët e fyer do të shkojnë në të. Çështje personaliteti.

*   *    *

Përjetimi i tretë i analogjive të padëshiruara ka të bëjë me fushatat zgjedhore. Kam ndjekur me interes shumë prej tyre. Më ka lënë përshtypje të veçantë se si e filloi debatin me Bushin e ri Xhon Kerri:  “Unë nuk mendoj se kandidati tjetër e do Amerikën më pak se unë, por jam në garë me të për disa alterantiva, të cilat, sipas meje do të qenë më të suksesëshme për vendin tonë…”. Pra, ballafaqim idesh, mendimesh, alternativash, planesh, zgjidhjesh…

Vimë tani tek fushata e fundit zgjedhore presidenciale që po i afrohet fundit. O Zot, një gjuhë krejt tjetër, sikur nuk të besohet që janë dy kandidatë për president të vendit më demokratik në botë! As më shumë e as më pak, duke dëgjuar fjalimet apo dhe debatet e tyre, të kujtohen përplasjet e egra, sharjet, denigrimet, baltosjet gojëshrurura të politikanëve tanë, që janë gati ta shqyejnë njeri tjetrin. Të ngjan se ka ndodhur e kundërta e asaj që pritej: sikur Trampi e Klintoni kanë huazuar nga elita jonë poltike jo vetëm fjalorin por dhe tematikën, duke rrëmuar në biografitë e njeri tjetrit, deri dhe në gjërat më intime. Unë jam dakord që të dy kandidaturat mund të mos jenë zgjedhja e duhur, kur kam parasysh se numuri një i shtetit duhet të jetë jo vetëm politikan i zoti por dhe model për t’u ndjekur, si njeri. Por, nuk është momenti për këtë, duhej bërë që në përzgjedhjen e kandidaturave nga partitë përkatëse, në primaret. E ç’nuk po na shohin sytë e ç’po na dëgjojnë veshët! Po të mos isha dëshmitar okular i kësaj fushate, si zor ta besoja se ajo po zhvillohet në Amerikë.

Mund të vazhdoja dhe më gjatë me analogji të tilla të padëshiruara, por sot po mjaftohem me kaq. Dhe këto që përmenda, nuk i solla thjesht për kuriozitet por nisur nga dëshira e mirë se mund  të përfitohet jo vetëm nga përvoja pozitive e njeri tjetrit por dhe nga gabimet e mangësitë.

Nju York, 28 tetor 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: And on Dede, Paralele të padëshiruara, shqiptaro-amerikane

Kujtese – Viti 1946

October 28, 2016 by dgreca

1946 KRIMINELËT  NË  SHQIPNI, USHQEHEN  VETEM  ME  GJAK  ATDHETARËSH/

Nga Fritz RADOVANI/

 Ne Foto: 1946 E.HOXHA dhe J.B.TITO/

1-hoxhatito1

 ■HENRY KISSINGER I LIBRIT “DIPLOMACIA”…/

■Sekretar i pesdhjet e gjashtë i Shtetit. Ka marrë çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1973, si dhe çmime të tjera të rëndësishme të Sh.B.A. Ai shkruen në faqe 443: “Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore, pa ndermarrë një rrisk të  tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona. Por, kur puna erdhi për të imponuar regjime të tipit sovjetik në këto territore, ai u tregua shumë më i kujdesshëm. Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”

■“Jalta polli turpin për fizionominë e botës së pasluftës.”

■Ndersa, At Gjergj Fishta, na la një porosi:

                                    “Ma mirë me vdekë me u shue nën hije

                                      T’ Flamurit tonë, në fushë të mejdanit,

                                      Se me rrnue një jetë robnije

                                      Përnën sukuj t’ huej t’ Ballkanit,

                                                Bini, Toskë, ju, bini Gegë!.”.(Hymni i Flamurit kombtar)

■U ndalue At FISHTA, “Lahuta” e Tij dhe “Hymni i Flamurit kombtar” i vitit 1913…

■U ndalue Don Ndre ZADEJA, po, edhe u pushkatue me 25 Mars 1945, se ka deklarue: “…Populli Shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”. (Dosja 677)

Rinia Shqiptare ka njoh disa nga veprat e Tij, kryesisht melodramat e vume nder skena si: “Ora e Shqipnisë”, Rrethimi i Shkodres”, “Hijet e Zeza”, Ruba e Kuqe” etj…

■Me 20 Shkurt 1946 pushkatohet At Anton HARAPI, i cili “E PRANOI DETYREN NË RREGJENCËN SHQIPTARE (1943), ME KUSHT: MOS ME NËNSHKRUE ASNJË DËNIM ME VDEKJE!” As sot Shqiptarët nuk e dijnë këte kusht! Kush ua mëshef?!

■Ja dhe disa thanje të Tij: “Nuk shpëton jo, sot, as Xhamia pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena e as tjetra pa Shqipni! Me gjak e dasi jena ngopë! Kena pa e provue edhe se çka asht kthetra e huej dhe e kena prekë se një popull i përçamë asht i gjykuem me mbarue! Të ngrihemi pra në kambë! Për një Zot të vërtetë e për një Shqipni të lumtun – Na jena vllazen! A sëbashku e të pështuem a të ndamë e të mbaruem!”

■“Shqipnia u fitue me gjak, me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vij dita e me Paqë dhe Drejtësi do të fitohet!”

■“Na lajmëroni daten e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit…

Ministri i Luftës dhe Mbrojtjes Kombëtare Gjeneral kolonel Enver Hoxha…”

■“Ju njoftojmë se të dënuarit me vdekje At Gj. Fausti me shokë, u ekzekutuan sot me dt. 4 Mars 1946, ditën e henë, ora 5 paradreke… Kryetari i Gjykatës Ushtarake M. Iljazi.”

U pushkatue: At Gj. Fausti, At D. Dajani, At Gj. Shllaku, Mark Çuni, Qerim Sadiku, Gjelosh Lulash Bajraktari, dhe në Korrik 1946 Frano Mirakaj, që nuk pranoi agjenturen.

■23 Mars 1946, vritet tradhtisht në Vrith dijetari Don Nikollë GAZULLI.

■17 Korrik 1946, pushkatohet Don Alfons TRACKI…Shkak bahet vrasja e Ndoc Jakovës.

■Mbas qendresës së Kelmendit në Janarin e 1945, ku drejtoi trimi Prekë Cali, dhe forcat e Mehmet Shehut të ndihmueme nga jugosllavët vrane 118 Burra të Maleve, ua dogjën edhe shtëpijat e i plaçkitën edhe gjanë e gjallë, e Prekën e pushkatuen pranë Rrëmajit…

■Në Janarin e 1945 u ba edhe Kryengritja e Llesh Marashit, i cili u var me 18 Korrik 1946.

Kur partizanët u pritën me pushkë në Berdicë, ku u pushkatue Arif Selimi, në krahinat e Malit Kolaj ishte Hasan Isufi, ndersa në Dukagjin e Shllak rezistenca vazhdonte nga një grup i organizuem me “Beslidhjen e Veriut” të Kapiten Gjelosh Lulit, Martin Sheldija, Major Gjergj Vata, Mark Mala, Pal e Mark Thani, Gjon Destanishta, Nik Sokoli dhe sa Trima të Pathyeshëm, që sakrifikuen jeten, familjen nder interrnime dhe t’ ardhmen që sot, pothuej, asht arkivue në “Dosjet e Harresës”… Bashkë me Markagjonët e Mirditës dhe Mirakajt e Pukës. Mark e Llesh Gjomarkagjoni janë një liber në vete per Historinë!

■Me 9 Shtator 1946, shperthen “para kohe” Lëvizja e Postribës”, per të cilën as sot nuk asht publikue “shkaku i këtij shperthimi të parakohëshem…”. Vriten faj e pafaj disa qinda vetë, dhe pushkatimet vazhdojnë per disa vite… Dihet se, urdhnoi Jup Kazazi. Por duhet shenue se Familja Kazazi pothuej u shue nga vrasjet e masakrat komuniste, fat të cilin e patne edhe Dedëjakupët me Burra e Gra Heroina, që dhane jeten në luftë…

■Veriu antikomunist nuk i uli armët! U vranë dhe u burgosën nacionalistë, profesorë, sa e sa qytetarë e fshatarë të thjeshtë, nga familjet ma në za si Gurakuqi,  Dani, Gjylbegu, Kurti, Harapi, Meta, Prennushi, Pipa, Boletini, Rusi, Serreqi, Kiri, Derguti, Laca, Suma, Kakarriqi, Topalli, Darragjati, Barbullushi… E sa të tjerë që nuk zehen as me gojë!

Nder masakrat e paharrueshme në Shkoder mbetën gjithnjë në kujtesen tonë Avokatët Muzafer Pipa, Paulin Pali, Ndrekë Kakarriqi, profesorët Kolë Prela, Qemal Draçini, Kolë Margjini, Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Gjergj Martini, Simon Deda, Kolec Deda etj.

■Vajzat Heroina nuk u harruene kurrë prej Marije Shllakut, Marije Zojzit, Maria Tuci, Adile Boletini, Agime Pipa, Frida Sadedini, Marta Doda, Bardha Gjomarkaj, Terezina e Liza Pali, Drita Kosturi, Viktore Kuka, Ana Daja, Luçia Kola, Laura Keçi etj…

■Hoxhallarët që u masakruen dhe nuk pranonin me u shpifë kunder Klerit Katolik ishin: Hafizët: Myftia, Ali Tari, Derguti, Bushati, Sabri Koçi, Xhemal Najpi etj…  

■Të gjitha këto vrasje dihet e sigurtë se gjithmonë ishin të organizueme nga forcat e sigurimit jugosllav, në bashkpunim me sigurimin e shtetit shqiptar. Kur frika ishte e madhe nga qendresa e Maleve, atëherë, nderhymja jugosllave bahej si per Prekë Calin.

■Vepra ma e shemtueme kunder Klerit Katolik Shqiptar mbetet edhe sot “Futja e armëve në Kishen e Fretenve të Shkodres”, me 17 Nandor 1946, ku tragjedia fillon në 2.00 nade… 

■Me grupin “Katoliçeskaja Banda” në Prizren, me daten 15 Nandor 1946 pushkatohen: At Bernardin Llupi, Marije Shllaku, Prof. Kol Parubi, Mësuesi Gjergj Martini, dhe asht tradhtue ato ditë edhe një nga ma të njohunit Atdhetar Prof. Ymer Berisha.

■Me daten 27 Tetor 1946 arrestohet në Tiranë At Pjeter MESHKALLA e Don Shtjefen KURTI, që mbas një qendrimi Burrnor, do të arrestohen me “Revolucionin Kultural” dhe do të ridenohen, atëherë kur Don Shtjefni edhe do të pushkatohet…

***

VETEM HAPJA E DOSJEVE TREGON TË VERTETEN E GJENOCIDIT…

EDHE “KONFERENCA ISLAMIKE” PO MERZITET ME JU QEVERITARË!..

TË GJITHË KËTA VIKTIMA TË KOMUNIZMIT KANË AUTORËT E KRIMIT !

            Melbourne, Tetor 2016.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, Kujtese, viti 1945

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT