• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2016

SKENA POLITIKE SHQIPTARE – TEATËR ABSURD BEKETIAN

December 20, 2016 by dgreca

Nga Xhelal Zejneli/

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit 2016, BDI-ja doli humbëse. Prej 19 deputetëve që i kishte më parë, tani mori vetëm dhjetë.

Duhet konstatuar se:

  • pjesëmarrja në votim në njësinë zgjedhore 6, ishte jo më shumë se 50%;
  • oponentët e BDI–së – Lëvizja Besa (Rilindja me Besë), LR-PDSH-ja (Aleanca për Shqiptarët) dhe PDSH-ja kanë rreth 37.300 vota më tepër se BDI-ja;
  • sikur opozita politike shqiptare të ishte e bashkuar, BDI-ja do të kishte marrë shumë më pak se dhjetë deputetë;
  • opozita politike shqiptare, në qytetin e Tetovës ka marrë rreth 20 mijë vota, ndërsa BDI-ja rreth 11 mijë sosh;
  • në vendvotime të caktuara në të cilat votuesit kanë qenë kryesisht shqiptarë, BDI-ja ka marrë më pak vota se LSDM-ja;
  • thuhet se rreth 50 mijë shqiptarë kanë votuar për LSDM-në (sipas disa të dhënave, ky numër arrin madje deri në 70 mijë);
  • populli shqiptar në këto zgjedhje ka marrë 6-7 deputetë më pak se që i ka pasur dikur.

* * *

BDI-ja dhe PDSH-ja, por sidomos kjo e para, janë fajtorë dhe përgjegjës që një pjesë e elektoratit shqiptar kanë votuar për Zaevin. Dy partitë e vjetra shqiptare janë fajtore dhe përgjegjëse për defaktorizimin e faktorit politik shqiptar.  

Në hapësirën politike shqiptare, nuk çon peshë politike, as ideologjike asnjë subjekt politik shqiptar. Me fjalë të tjera, nuk çojnë peshë politike apo ideologjike, as partitë e vjetruara – BDI-ja dhe PDSH-ja, e as ato të rejat – Lëvizja Besa (Rilindja me Besë) apo LR-PDSH-ja (Aleanca për Shqiptarët).

Njehsimet matematikore që ndërlidhen me krijimin e qeverisë dhe me mundësinë që faktori politik shqiptar t’i kushtëzojë partitë sllavo-maqedonase, nuk dëshmojnë për vlerën politike apo ideologjike të faktorit politik shqiptar.

Me një fjalë, në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni, nuk ka as pozitë politike e ideologjike dhe as opozitë politike dhe ideologjike. Nuk mund të kesh pesë deputetë, tre deputetë apo dy sish dhe të thuash: unë jam opozitë.

BDI-ja nuk mund të pretendojë të jetë në pozitë, për arsye se është e rrënuar,  e kompromentuar, e diskredituar dhe pa kredibilitet. Deri më tani, ajo i ka fituar zgjedhjet vetëm për shkak se nuk ka pasur oponent politik serioz.

PDSH-ja, përfundimisht shkon në histori. Ajo e përjetoi sindromën e PPD-së. Kreu i kësaj partie duhej të reformohej qysh në kongresin e partisë. Sikur të reformohej me kohë, nuk do të kishte lindur fraksioni LR-PDSH. Partitë politike nuk janë pronë private e individëve apo e liderit partiak. Partia politike që shndërrohet në pronë të liderit partiak apo të një grupi të ngushtë individësh, rënien e ka të pashmangshme.

Hapësira politike shqiptare në Maqedoni nuk ka nevojë për katër subjekte politike. Mjaftojnë vetëm dy të tillë.

* * *

BDI-ja dhe PDSH-ja, e sidomos kjo e para, duhet ta dinë se politika kombëtare moderne nuk bëhet me patriotizëm folklorik. Dikur mitingjet dhe tubime e partive të vjetra shqiptare shoqëroheshin me këngë patriotike. Por, çerek shekulli pluralizëm politik, kërkon veprim politik bashkëkohor. Rinia shqiptare kërkon vizion politik, platformë politike, projekte ekonomike dhe program social. Këngët e Ilir Shaqirit, të Shkurte Fejzës apo të Violeta Kukaj – ka ku këndohen. Në asnjë vend demokratik, fushata parazgjedhore nuk bëhet me retorikë të stilit: “Qerpiku nuk na dridhet; Kemi shembur perandori; kemi krijuar tri ushtri, UÇK, UÇK…”. Në fushata parazgjedhore promovohen dhe afirmohen programe politike, ekonomike dhe sociale konkrete dhe jo retorika e sipërthënë.

BDI-ja, dhe jo partitë e reja (Lëvizja Besa dhe LR-PDSH-ja), është fajtore:

  • për shkapërderdhjen e votës shqiptare; dhe
  • për votimin e LSDM-së nga një pjesë e elektoratit shqiptar;

Një pjesë e elektoratit shqiptar votuan për LSDM-në, për dy arsye:

  • e para, u zhgënjyen me politikën e deritashme të BDI-së dhe të PDSH-së, e sidomos të BDI-së;
  • e dyta, programi politik, ekonomik dhe social i LSDM-së, për një pjesë të elektoratit shqiptar ka qenë i pranueshëm.

BDI-ja mban përgjegjësi ngase:

  • që nga themelimi i saj, deri më sot, nuk u reformua;
  • në të mbizotërojnë individë me njohuri politike dhe ekonomike të kufizuara;
  • në të mungojnë njerëz me potencial intelektual të duhur;
  • në të mungojnë njerëz me njohuri të duhur nga historia;
  • në të sundojnë njerëz që nuk i njohin sa duhet problemet sociale të shoqërisë shqiptare;
  • në të nuk përfillen sa duhet individët që kanë ide dhe ideale;
  • në të mungojnë idealistët.

Faktori politik shqiptar, i mbyllur për inteligjencien dhe për të rinjtë e arsimuar, kaloi në vetizolim. I izoluar, ai e shpërfilli me arrogancë dhe megalomani kritikën politike, madje edhe atë konstruktive.

Injorantët dhe mendjet mediokre kanë synim vetëm pushtetin, për ta përdorur atë për interesa personalë dhe meskinë. Të tillët nuk kanë vizione politike, ekonomike, as sociale. Programet politike, ekonomike dhe sociale nuk krijohen dhjetë ditë para zgjedhjeve. Pa dituri dhe pa idealistë, nuk është zgjidhur asnjë çështje kombëtare në histori. Idealizëm nuk janë veturat e shtrenjta, udhëtimet nëpër botë, drekat dhe darkat, shtëpitë luksoze dhe ndërtesat shumëkatëshe – të gjitha këto, në kurriz të këtij populli.

Shqiptarët në Maqedoni kanë vetëdije kombëtare. Kanë dhe kulturë politike.

Atë që BDI-ja e premtoi gjatë fushatës parazgjedhore, duhej ta kishte realizuar qysh në vitin 2004. Që atëherë kanë kaluar 12 vjet. Kjo paraqet një vonim historik të pafalshëm. Shqiptarëve, edhe pas çerekshekulli u duhet të merren me zyrtarizimin e gjuhës. Kjo është absurde. PPD-ja, PDSH-ja dhe BDI-ja, e sidomos BDI-ja duke e shndërruar skenën politike shqiptare në teatër beketian, i kanë vënë shqiptarët në pritje të pafund të Godosë.

Ka qenë strategji e faktorit politik sllavo-maqedonas që të punojnë e të veprojnë për komprometimin dhe diskreditimin e faktorit politik shqiptar. Kësisoj veproi Gligorovi ndaj PPD-së dhe e nxori nga skena politike. Të njëjtën u përpoq ta bënte edhe VMRO-ja ndaj BDI-së, d.m.th. ta zhveshë nga ideologjia kombëtare, ta komprometojë dhe ta diskreditojë para shqiptarëve, për ta nxjerrë më në fund nga skena politike, madje edhe nga historia.

Rënia e BDI-së, është pozitive për të. Kjo i mundëson asaj të riorganizohet dhe të reformohet. Reformimin nuk mund ta bëjnë klanet e harxhuara të saj. Shkaktarët e krizës –  oportunistët, konformistët, poltronët, tregtarët e flamujve dhe demagogët, nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës.

BDI-ja nuk duhet të habitet me votimin e LSDM-së nga një pjesë e elektoratit shqiptar. Në kohën kur u themelua, ajo e promovonte konceptin qytetar të organizimit dhe të veprimit politik, duke themeluar degë dhe nëndegë partiake në pjesën lindore të Maqedonisë. Konceptin qytetar të shtetit, në dëm të konceptit etnik, e promovonin edhe disa nga funksionarët më të lartë të BDI-së.

Në vend të votës, partitë e vjetra duhej t’u kërkonin falje shqiptarëve. Dhe të mbanin përgjegjësi. Sot, pas çerekshekulli të pluralizmit politik, shqiptarët duhej të kishin industri, ekonomi, financa, infrastrukturë, rrugë moderne, perspektivë për të rinjtë.

Punësimet që i ka bërë BDI-ja nuk paraqesin zgjidhje të duhur për çështjen shqiptare. Çështja shqiptare, në radhë të parë është kauzë politike dhe jo çështje sociale. Dimensioni social i kësaj kauze është pasojë e moszgjidhjes së çështjes në dimensionin e saj politik. Partia që merret me punësime, shndërrohet në ent për punësim. Ajo atëherë zhvishet nga roli politik i saj. Të gjitha investimet e viteve të fundit, shkuan në Maqedoninë lindore, ndërkaq qytetet shqiptare u varfëruan.

Të kesh me vete 20 deputetë dhe të jesh inferiorë ndaj VMRO-së, është e pashpjegueshme. Kjo mbështetje pothuajse plebishitare e popullit shqiptar për BDI-në, nënkuptonte, jo privilegje, por përgjegjësi. Madje përgjegjësi historike.

Mëkati më i madh i BDI-së dhe i PDSH-së ka qenë koalicionimi i verbët me VMRO–në apo me VMRO-të. Kjo parti ka qenë dhe mbetet antishqiptare dhe ksenofobike, retrograde, anakronike dhe antihistorike, e vonuar dhe romantike, irracionale dhe destruktive. Janë këta që kërkonin vdekje për shqiptarët, dhoma gazi për shqiptarët. I quajtën edhe indianë. Edhe sot, në rrugët e Shkupit, përdorin ndaj shqiptarëve fjalë fyese, ofenduese dhe pezhorative. Çerek shekulli të pluralizmit politik dhe të demokracisë, VMRO-istët përdorin ndaj shqiptarëve gjuhën e urrejtjes, nuk njohin kurrfarë bashkëjetese me shqiptarët. Këta pandehin se ndodhemi në shekullin XIX.  

Çerek shekulli, Uashingtoni dhe Brukseli kanë investuar në Maqedoni për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, për krijimin e një Maqedonie multietnike, por, ngjarjet e fundit flasin për të kundërtën. Antishqiptarizmi vjen nga nivelet më të larta të VMRO-së. Atëherë, për çfarë bashkëjetese mund të flitet në këtë mes?! Për çfarë bashkëqeverisjeje?! Populizmi i VMRO-së përjashton çdo bashkëjetesë me shqiptarët.

BDI-ja, duke e toleruar këtë vjellje vreri ndaj shqiptarëve, vë në dyshim:

 

  • luftën e 2001-shit;
  • Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare; dhe
  • Marrëveshjen e Ohrit.

Askush nuk ka të drejtë, e aq më pak BDI-ja, ta zhvlerësojë luftën e 2001-shit dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.

Maqedonia sot është në krizë të thellë politike, sa ishte dhe dje. Në thelbin e kësaj krize qëndrojnë:

  • shteti; dhe
  • çështja shqiptare.

Midis shtetit dhe çështjes shqiptare, Uashingtoni dhe Brukseli anojnë nga shteti. Me fjalë të tjera, faktori ndërkombëtar, në radhë të parë synon konsolidimin dhe stabilizimin e shtetit. Kjo s’bëhet dot me politikë të vjetruar. Politika e vjetruar vë në dyshim edhe sovranitetin e shtetit dhe shpie në destabilizimin e rajonit.

Zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve ndërkaq, Uashingtoni dhe Brukseli e shohin në këtë çast, jo si një agjendë e veçantë, por si pjesë përbërëse e konsolidimit dhe e stabilizimit të shtetit, të zhytur në krizë. Mostejkalimi i krizës shpie në hon, në humnerë, në greminë. Kjo paraqet vonim historik për Maqedoninë.

Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është çështje e kushtëzimit të partive sllavo-maqedonase – VMRO-së apo LSDM-së. Kauza shqiptare është çështje e marrëveshjes historike parimore midis dy popujve – shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, midis faktorit politik shqiptar, në një anë dhe faktorit politik sllavo-maqedonas, në anën tjetër.  

Forcat antihistorike në Maqedoni të kryesuara nga VMRO-ja dhe lideri i saj Nikolla Gruevski, trimërohen nga Moska dhe nga Putini.

Politika e BDI-së dhe e PDSH-së, sidomos e BDI-së, ka kohë që shënon devijim. Çështja shqiptare nuk është arritje interesash konjukturale, por sendërtim i interesit të përgjithshëm. Këtë devijim të faktorit politik shqiptar në Maqedoni, nuk janë angazhuar ta parandalojnë as qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: BEKETIAN, SKENA POLITIKE SHQIPTARE –, TEATËR ABSURD, Xhelal Zejneli

A JEMI GATI PËR ATË QË DUAM?

December 20, 2016 by dgreca

– në vend të një traktati/

Visar & Atjon

Shënim i Diellit: I dashur lexues i Diellit/: Sot (dhe nesër) është dy vjetori i ikjes në Qiell i Atjon Visar e Eda Zhiti.Në kujtim të Atjonit dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e duan, Gazeta “Dielli” ka përzgjedhur  një ese, e para ese e shkruar prej Atjonit, marrë nga libri “Për atë që dua(m)”. Lexojeni…dhe kujtojeni se çfarë kumti na la pas…I përjetshëm Kujtimi i Atjonit!

***

1 atjon zhiti

Nga Atjon Zhiti/

A është vërtet vëndi im i gatshëm për atë çka aspiron dhe a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjesisë së ambicies dhe të veprimit të duhur apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?Një përgjigje e njëanshme nuk do të duhej, sepse o do ishte disfatiste ose optimiste në mënyrë trashanike, se ashtu siç ka faktore pozitivë ka dhe negativë. Unë kam një si kumt, të marrë herët. Po e tregoj si.

Kur isha fëmijë,

një ditë vere do te më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe papritshmerisht na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetem të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim. Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i permbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?

Faktorët

pozitivë i njohin e i kemi dëgjuar shumë herë, si pozita gjeografike, pasuria natyrore, klima, fakti qe jemi popull i ri e energjik dhe që ka plot hapësira për investime etj, etj. Por përsëri më lind një pyetje tjetër që a jemi ne ata, të cilët kanë krijuar këtë pozitivitet apo thjesht është nje dhuratë, të cilën o e kemi shfrytëzuar shumë pak ose e kemi shfrytezuar keqazi? Ndërsa faktorët negativë kërkojnë një listim më të gjatë, por do të zgjedh për t’i diskutuar e që me duken më të dhembshmit, sipas meje. Jemi një popull që na duhet më shumë kujtesë dhe si rrjedhojë edhe më shumë ndërgjegje që vjen prej saj, që të jemi më të ndërgjegjësuar mbi atë çka na ndodh rreth e rrotull e ky nuk është një proces i jashtem, të cilin ne duhet ta kërkojmë tek e nga te tjerët gjithmonë, por është një udhëtim i brendshëm. Mua më duket e habitshme si populli im është i gatshëm për të pranuar ofendime, shtypje e padrejtësi. Vendi ynë që nga rënia e perandorisë romake perëndimore, e cila ndërtoi teatro, anfiteatro, rrugë, tempuj e shkolla ku kanë studiuar “ars militaris” emra si Cezari e Augusti, vazhdon deri më sot të jetë prehë e depredimeve të barbarëve, prehë e nepotizmit, prehë e korrupsionit, prehë e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, është dhe prehë e një demokracie fiktive, shpesh të munguar. Por ajo çka do të ishte më e dhimbshme, do të ishte nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për të ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi. Sot globalizimi na ka kthyer në një “mega-qytet”, dhe ne hidhmërisht duhet të kuptojmë se jemi një rrethinë e erret e saj, që ka plot mundësi përmirësemi, që ka bërë hapa përpara e nuk është më geto, por është ende rrethinë e largët, gjithsesi.

Gjatë viteve të fundit, po t’i hidhet një sy qendrës e rrethinës botërore, shohim se si ka tentativa të vazhdimta për përmiresim, e cila është gjë tipike e egoizmit pozitiv të njeriut, ndërkaq shohim lidera që arrestohen, psh kryeministri në Kroaci për korrupsion, në Gjermaninë-lider të Europës ministra dorëhiqen nga politika për skandale që u kanë ndodhur me diplomat, etj, etj, ndërsa ne bëjmë sikur jemi shumë engjellorë për të reaguar denjësisht mbi imazhe, video, shantazhe, kriminalitet e vjedhje, jo vetëm në bankën e Shqipërisë tonë dhe mekatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre.

Shohim qeveri diktatoriale në vendet e magrebit që rrëzohen, shohim një popull të tërë të ngrihet që të mos eci me ritmet e korrupsionit e padrejtesive në Kiev, në kryeqytetin e një vendi ish satelit të ish “URSS”, ku problemet e vuajtjet janë disi të ngjashme me tonat. Duket sikur në atdheun tonë rregullat e natyrës dhe ato primordiale të njeriut nuk funksionojnë si kudo, sepse ne si qenie njerëzore jemi të aftë të prodhojmë histori dhe ky është një proces shumë i rëndesishëm në evoluimin e vetë njeriut dhe të prodhosh histori, do të thotë të kesh kujtesë. Ne kujtesën kolektive e kemi të mangët, të dëmtuar keqazi, në disa fraksione mungon totalisht dhe nuk kemi bërë më të rëndësishmet për ta rikuperuar dhe nuk bejmë atë që duhet për të tashmen. Një mungesë e tille sjell pengesa të tjera dhe ngadalëson procesin tonë evolutiv si popull. Shqipërise, e po flas për atë realen, nuk duhet t’i mjaftojnë kryengritja e Skënderbeut e dalim tek Lidhja e Prizrenit, te Ismail Qemali e zbresim te dhjetori i ’90-s dhe pavarësia e Dardanisë. Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë. E ardhmja është e sigurtë, po po, është e sigurtë që do vijë, ajo nuk vonon, por duhet t’i shtrëngojmë më fort frerët e fatit në duart tona me përvojën e asaj çka kemi mësuar këto njëmijë vitet e fundit. Po, fati është i shkruar e nuk ndryshohet, besojnë, por manipulohet. Dhe së fundmi kam një pyetje torturuese. Filozofi antik Plotini thoshte se që të duash të mirën, do të thotë ta njohesh të mirën (intelektualizmi etik). Po ne a e njohim?

Marrë nga libri “Për atë që dua(m)”

atjon V Zhiti

Filed Under: Featured Tagged With: A JEMI GATI, Atjon Zhiti, PËR ATË, QË DUAM?

“FAIK KONICA-DRITEHIJET E NJE DIPLOMATI” PROMOVOHET NE TIRANE

December 20, 2016 by dgreca

-Libri “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati” i autorit Agron Alibali, q u promovua në Bbliotekën Kombëtare në Tiranë, fitoi cmimin”KONICA” në Konkursin e shpallë nga VATRA dhe Gazeta Dielli” në kuadër të “VATRA-2016-VITI I KONICES”/

1-faik-vesh1-faik-konica15540902_1839769512973712_684485596968429002_o15541036_1839769319640398_2432971400796957589_o15626090_1839769216307075_8453414090028240482_o

Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në kuadër të përmbylljes së vitit kulturor “Faik Konica”, shpallë nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, u promovua ditën e Premte, 16 dhjetor, vepra studimore “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati” të autorit Agron Alibali, me pjesëmarrjen e veçantë të Prof. Aleks Luarasi, Prof. Pëllumb Xhufit, ish-Presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu, si dhe studies të shquar nga vendi dhe Kosova. Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtoresha e BKSH-së, Prof. Dr. Persida Asllani u shpreh se “kjo vepër studimore risjell në vëmendje një prej figurave më të shquara të kulturës dhe diplomacisë shqiptare, Faik Konica”.

Studimi “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati” i Agron Alibalit, i mbështetur në dokumente të panjohura, shumica të shfrytëzuara për herë të parë, përfshirë arkivin e Legatës Shqiptare në SHBA, trajton gjerësisht rolin e Vatrës si “qeveri në mërgim”, marrëdhëniet komplekse midis dy “shokëve të armëve”, Konicës e Nolit; raportet e Konicës me koloninë shqiptare në SHBA etj., ku dalin në pah sidomos edhe “dritëhijet” e tij. Në libër shfaqet figura e Konicës si përfaqësuesi informal diplomatik i Kosovës në SHBA, roli i tij thelbësor për shqipen juridike e diplomatike etj. Rëndësi të veçantë në libër paraqet botëkuptimi shtetformues e kushtetues i Faik Konicës, çka paraqet vlera të posaçme aktuale. Veprimtaria e Konicës përcillet krahas etapave të themelimit e forcimit të shtetit shqiptar, deri në momentet tragjike të pushtimit fashist. Në këtë drejtim, libri rreket të japë kontribut të veçantë në studimet për historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, dhe të rikthejë vëmendjen sidomos në periudhën kritike kur shteti shqiptar u konsolidua nën Mbretin Zog. Në pjesë e tij të fundit trajtohet edhe çështja e bibliotekës së tij të famshme, deri vonë të konsideruar të humbur, si dhe punën për gjurmimin dhe kthimin e kësaj pasurie të çmuar pranë Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë, sikurse e pat lënë amanet vetë Konica.
Pak kohë më parë rreth 270 libra të kësaj biblioteke janë bërë pjesë e fondit të vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, një pjesë e të cilave u ekspozuan për pjesëmarrësit e këtij aktiviteti.

Filed Under: Featured Tagged With: agron alibali, Faik Konica, libri, Tirane, Vatra

Donald Trump, zyrtarisht president

December 19, 2016 by dgreca


1-trump

Miliarderi Donald Trump u zgjodh të hënën zyrtarisht president i i 45-të i Shteteve të Bashkuara, pas konfirmimit nga Kolegji Elektoral. Ai do të bëjë betimin më 20 janar.Në SHBA, zgjedhjet presidenciale nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga rezultatet në votimin në secilin prej të 50 shteteve si dhe në kryeqytetin Uashington.

Fituesi i votës popullore në çdo shtet normalisht merr të gjitha votat e Kolegjit Elektoral të atij shteti, të cilat janë të ndara në proporcion me popullsinë e shtetit. Anëtarët e kolegjit elektoral hodhën votat e tyre të hënën në kryeqytetet e shteteve përkatëse.
Kandidatja demokrate, ish-sekretare amerikane e shtetit Hillary Clinton, mundi zotin Trump me rreth 2.9 milion vota më shumë në votën popullore. Por republikani Donald Trump fitoi në ato gara që kanë më shumë rëndësi duke marë 302 vota të Kolegjit Elektoral kundrej 232 votave që mori zonja Klinton.
Hillari Klinton fitoi shumicën e votave në Kaliforni dhe Nju Jork që i dhanë asaj një avantazh në votën popullore në shkallë vendi, ndërsa Donald Trump fitoi shtetet e mjaftueshme për të siguruar avantazh në Kolegjin Elektoral dhe një mandat katër-vjeçar si president i vendit. Kjo është hera e pestë në historinë e SHBA-së, dhe e dyta në 16 vitet e fundit, që fituesi i votës popullore nuk fiton votën e Kolegjit Elektoral.
Në shumicën e rasteve, votimi në Kolegjin Elektoral është një formalitet. Por ndryshe ishte këtë vit. Për shkak të garës tepër të kontestuar dhe kundërshtimit të vazhdueshëm të fitores së zotit Trump nga shumë përkrahës të zonjës Klinton, mijëra amerikanë u kërkuan 306 elektorëve republikanë të Kolegjit që ta refuzonin zotin Trump, qoftë duke votuar për zonjën Klinton apo për një tjetër republikan më të pranueshëm.Nëse votimi do të përfundonte në barazim 269 – 269, atëherë çështja do të kalonte në Dhomën e Përfaqësuesve e cila do të zgjidhte presidentin.Shumica e anëtarëve të Kolegjit Elektoral janë të detyruar me ligj të votojnë për kandidatin që fitoi votat e shtetit. Rastet që vota t’i jepet dikujt tjetër nuk janë të padëgjuara në politikën amerikane, por janë të rralla, që kur Kolegji Elektoral filloi të përdorej për herë të parë në vitin 1789.

Filed Under: Featured Tagged With: Donald Trump, zyrtarisht president

9 tё vdekur dhe 50 tё plagosur nё Berlin

December 19, 2016 by dgreca

Njё kamion mёsyn nё tregun e Krishtlindjeve/1-berlin

Sipas dёshmitarёve okularё njё kamion mёsyu nё mes tё stendave tё tregut tё Krishtlindjeve nё sheshin Breitenscheidplatz nё Berlin.Ai u pёrplas dhe shkatёrroi disa nga stendat dhe pёr pasojё gjetёn vdekjen 9 vetё dhe u plagosёn 50 tё tjerё, disa syresh rёndё.  Policia mendon, se kemi tё bёjmё me njё atentat dhe Prokurori i Pёrgjithshёm Federal ka nsur hetimet.

Deutschland Polizei geht von Anschlag auf Berliner Weihnachtsmarkt aus (Reuters/F. Bensch)

Pёrmasat e ngjarjes nё sheshin Breitenscheidplatz nё Berlin Charlottenburg janё ende tё paqarta. Njё regjistrim i drejtpёrdrejtё me video nё faqen e facebook tё gazetёs “Berliner Morgenpost” tregon stendat e shkatёrruara nё tregun e Krishtlindjeve nё kishёn e Kujtimit (Gedächtniskirche), dёgjohen njё sёrё automjetesh tё policisё. Zjarrёfikёset dhe policia bёjnё fjalё pёr nёntё tё vdekur dhe tё paktёn 50 tё plagosur. Policia njofton ndёrkohё se ёshtё arrestuar njё i dyshuar. Ndёrkohё qё personi tjetёr nё kabinёn e kamionit me targa polake ka gjetur vdekjen.

 

Deutschland Polizei geht von Anschlag auf Berliner Weihnachtsmarkt aus (REUTERS/F. Bensch)
Deutschland Neun Tote und viele Verletzte auf Berliner Weihnachtsmarkt (REUTERS/P. Kopczynski)
Deutschland Neun Tote und viele Verletzte auf Berliner Weihnachtsmarkt (picture-alliance/dpa/P. Zinken)
Deutschland Neun Tote und viele Verletzte auf Berliner Weihnachtsmarkt (REUTERS/P. Kopczynski)

Filed Under: Kronike Tagged With: 50 te plagosur, 9 te vdekur, Berlin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT