• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2017

PARDESYJA ÇEKE

January 4, 2017 by dgreca

Tregim/

1 agim deshnica

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Qysh para luftës, pardesytë tek ne mbaheshin mbi kostum  nga  të rinjtë e të rejat,  sapo  arrinte  gjysma e dytë e tetorit. Zakonisht,  ato vinin nga jashtë,  së pari nga Italia e Franca, më vonë nga Hungaria, Rumania etj. Kur sheh fotografitë e asaj kohe, kupton se atëherë pothuajse e gjithë rinia jonë, përveç pardesyve, mbante edhe kapele  republike…  Më pas, aty nga viti 1948,  këto veshje  filluan të rralloheshin e të mos  dukeshin fort nëpër rrugë. Ndërsa, në vitet gjashtëdhjetë nisën të shfaqeshin disa pardesy prej mushamaje të hollë, që morën  nga  populli  emrin  fëshfëshe,  për  shkak  të zhurmës që bënin,  duke u fërkuar me krahët në ecje e sipër. Për t’i blerë ato, duhej të ngjisheshe nëpër radhë  të gjata e të shtyheshe me bërryla e grushta në disa pak dyqane, ku në më të shumtën e rasteve bëheshin copë-copë xhama dhe pasqyra. Pas kësaj, bulevardi kryesor i Tiranës  herë  ngjyrosej  në  gri dhe  të dukej  se ishin ulur retë  nga  Dajti, ose  në  blu, sikur Erzeni kishte ndërruar shtratin dhe e ndante kryeqytetin  më dysh.

Në atë kohë, Rudit i erdhi nga Praga  një pardesy me  cohë  të mirë  dhe  të trashë,  qepur  sipas modës europiane. Ia dërgonte i vëllai, student  në Çekosllovaki. Pothuaj gjithë fëshfëshet, në përballje me pardesynë që mbante Rudi, pësuan befas një konsum  të thellë moral.  Se, ç’është e vërteta,  pardesyja e re ia ndryshoi krejt paraqitjen Rudit.  Veçse,  në  punë  ai vazhdoi të shkonte si edhe më parë, me triko e xhaketë  të vjetër. Kurse në ditët e dhjetorit e të janarit, kur acari ashpërsohej  për  shkak  të erës  së Tujanit,   ai vishte pallton e trashë ushtarake të të atit, që ishte blerë qysh pas luftës.

Kur delte  në  rrugë  e në  bulevard me  pardesynë çeke, me jakën pakëz të ngritur, Rudi binte  menjëherë në sy. Ndaj nisi të krihej më me kujdes dhe t’i lustroste mirë  e  bukur  të vetmet  këpucë  rumune. Por,  përpiqej  të rregullonte  hapin  dhe  ta drejtonte trupin, që  zakonisht  e  mbante pakëz  të përkulur.  Bëri edhe  fotografi me pardesynë ai, te Foto-Sporti, në studio. Dhe me hak.  Se kur shkonte  rrugës,  vajzat  e kalimtarët kthenin  kokën për ta parë më mirë. Në kinema Rudin e gjeje me pardesynë palosur  me kujdes  mbi gjunjë. Po atë e shihje  shpesh edhe në  sheshin  Skënderbej, para Pallatit të kulturës me kolona. Për praninë e tij në atë shesh të zhurmshëm, ishte nxitëse sigurisht pardesya çeke. Veç, ç’ndodhi pas disa muajve? Në ndërmarrjen e Rudit erdhi me punë një djalosh korçar, biond e sygri, me emrin Vaskë, që ishte caktuar teknik në repartin e pllakave. Në dukje – i qeshur  dhe i urtë. Rudi bisedonte shpesh me Vaskën për bukuritë e fshatit të tij në të hyrë të Korçës. Kështu, nuk vonoi e u miqësuan, për më tepër, se Rudit i pëlqente Korça e bulevardeve dhe e serenatave me kitara e mandolina.

Një të shtunë, te klubi i Sanijes,  Rudi   i tregonte Vaskës:

-E mbaj  mend  Korçën si në tym. Një përrua në mes, bulevarde, shtëpi të hijshme e të rreshtuara gjatë rrugëve  të drejta e të pastra  me kalldrëm.  Atje shijova për herë të parë birrën e njohur korçare dhe gazozet në shishe me tapë të bardhë porcelani.  Bukur, bukur!

– Ua, e paske  parë  Korçën, bre!? Me shërbim  ke qenë atje, hë? Me siguri, ke fjetur edhe te turizmi i vjetër ti, apo jo!

– Çne! Kam shkuar më këmbë  në Korçë.

– Ç’thua, o t’u mbylltë!- Po, po!  Isha i ri atëherë. Mora  pjesë  në  një ekskursion  me  një  vargan  nxënësish, maturantë të shkollave të mesme  të Tiranës.  Qenë  ne edhe  nja gjashtë – shtatë vajza, të veshura gjysmë ushtarake, me rroba engleze, me çanta e torba në shpinë. Ishte korriku i vitit 1951 dhe udhëtimi  ynë-tepër  i lodhshëm. Shpesh, larg fshatrave, na mundonte etja dhe uria. Nga Tirana  shkuam  në Pezë,  Peqin,  Kuçovë,  Berat.  Prej atje dolëm në Qafën e Sinjës, në Ballsh, Selenicë, Vlorë, Brataj.  Pastaj  iu ngjitëm  maleve,  në  Kuç, Qafë e Gomares, Golem, Mashkullorë të Gjirokastrës e më tej. Mbaj mend  se në Selenicë,  nëpër  galeritë  e ulta të minierës  së bitumit,  sado  që  përkulnim  trupin,  na përplasej  balli nëpër  trarët.  Te  një  guvë  me  kate punonin minatorë me kazma e lopata. Njëri nga ata qe i nxirë keq nga pluhuri.  Na përshëndeti dhe na tregoi se paskej punuar në minierat  e Sent Etienit në Francë,  por e patën përzënë, se kishte marrë pjesë në një grevë të nxitur nga sindikatat! Në Kuç pashë pothuaj vetëm gra e  pleq.  Kur  vajtëm ne  atje,  ia morën  këngës “Kurvelesh,  zemra  ime,  ç’janë  ato  bombardime!?…” Njëri që fliste pak si shumë na tregoi se si i trazonin natën rojet italiane pranë postoblloqeve. Pastaj ai hodhi sytë nga malet dhe na tha: “me gjermanin nuk bëhej shaka!  Ai qerrata na qepej këmba-këmbës  deri në  kreshta  e maja!”

Në drekë  unë  e disa shokë  të mi hëngrëm groshë  te një shtëpi  dhe  natën e kaluam  të gjithë  në  një kasolle.  Mbi kakërdhi dhishë shtruam batanijet dhe fjetëm të nanurisur nga  mërmëritja e një buronje nën  një rrap vigan.

– Më ju lumtë, bre, më ju lumtë! Qejf i madh e jo shaka!

-Pas Përmetit e Frashërit morëm drejtimin për në Korçë. Në një fshat,  në  fushë,  më  caktuan për  drekë  te një  shtëpi përdhese rrethuar me gardh. Tri vajza të reja më pritën mirë. Mbaj mend  se më  vunë  përpara te një pjatë e thellë  cingoje  katër  vezë  të fërguara, që  notonin në gjalpë. Tri vajzat ishin si shtojzovalle dhe të veshura si qytetare. Qeshnin  dhe më shikonin drejt në sy.

– E po, vajza pe Korçe, or ti!

– Sigurisht! Pasdite u vumë  në rrugë.  Nata na zuri në Vithkuq.

– Ooo! Nga Vithkuqi kam nënën unë! – tha Vaska.

– Ashtu!? Ishte fshat i bukur dhe  me  plot pisha. Natën bënte  ftohtë atje, edhe  pse ishin ditë korriku.

– Vërtet!- Kur arritëm, ishte errësirë. Na rrethuan ushtarët e repartit të Vithkuqit. Na morën  për diversantë. Po kur dëgjuan zëra vajzash, pyetën:  “Ç’jeni ju?” Dy – tre nga ne u përgjigjën:  “Nxënës  nga  Tirana  jemi!” “Ua,  ua! Desh krisi pushka këtu, more shokë!” Atë kohë një grup ushtarësh të armatosur u dukën  në sheshin  ku ishim ndalur. Të nesërmern kaluam nëpër pyllin e Makërzës  me  hije  e luleshtrydhe. Pimë  ujë te “Çesma e mbretit”.

Pas njëzetepesë ditësh udhëtimi, të nxirë nga dielli, të dobësuar e të pluhurosur, lamë  fshatin Qatrom dhe në mbrëmje mbërritëm në Korçë. Në kthim na priste Pogradeci, Qafë  -Thana, Elbasani,  Qafa  e Kërrabës dhe, më në fund, Tirana.

-Bobo, sa rrugë paskeni bërë!

Rudi pa orën dhe tha:

-Kthehemi në punë!

Një ditë Vaska  hyri në  zyrën e Rudit,  buzëqeshi dhe tha:

– U fejova!

– O, o! – thirri Rudi me atë zërin pak si të ngjirur. – Urime, urime! Nga është nusja?

– Nga një fshat ngjitur me tonin.

– Por kur kështu?

– Pardje! E bëmë fejesën tak- fak, te një pastiçeri, në rrugën e Durrësit. Isha me vëllezërit e mi dhe me ca kushërinj të nuses.

– Prandaj s’të kam parë këto ditë unë ty! Të lumtë, të lumtë!…

Për një kohë u bë heshtje.

– E di si e kam hallin unë, or Rud? – Vaska u hodhi  një vëshrim letrave të shpërndara mbi tryezë,  pastaj tha:  – Do të shkoj në  fshat për  të këmbyer  nishanet! Kostumin, trikon dhe këmishën m’i blenë vëllezërit, që erdhën nga Korça. Më rrinë për bukuri, por ç’e do!

– Si është puna?

– Unë do të kisha qejf të shkoja në fshat si njeri që vjen nga Tirana. – Ai u mendua një hop dhe shtoi: – Të lutem, a ma jep pardesynë çeke sa të vete e të vij? Veç për pesë ditë e dua! Të hënën më ke këtu, për nderin e familjes! Dhe mos u bëj merak, se do të ta mbaj mirë!

Eh, po unë atë të vetme kam! – pasi u mendua pak- tha- megjithatë, s’ta prish dot, por ma kij kujdes, aman!

– Ç’është ajo fjalë! Bile, nuk do ta vesh rrugës, po kur të jem në të hyrë të fshatit!

Dhe kështu, dhëndri ynë, i rruar e i krehur bukur, me gravatë të kuqe e me këmishë nga Tirana, me triko, kostum  e çorape prej Korçe, me  këpucë  të zeza nga Elbasani  dhe  me  pardesy moderne nga Praga,  pra, veshur,  ngjeshur  e kapardisur, hipi përpara te një Zis i Korçës tok me njërin vëlla. E kur njerëzit e tjerë zunë vend në karroceri, u nisën të qeshur.

Rudi  nuk  u  duk  në  bulevard  në  ato  pesë  ditë nëntori. Priste të vinte të hënën Vaska dhe t’i kthente pardesynë. Por, iku e marta tok me të mërkurën, iku e enjtja dhe po afrohej  e diela. Gjatë atyre ditëve me festa krisën e shndritën fishekzjarret, madje  gjëmuan edhe topat. Ndërsa ai mbeti i mbyllur në shtëpi dhe në kulmin e mërzitjes. I afrohej dritares dhe shihte në qiell shkëndijat që  binin  si shi pas  krismave,  në mes atij ndriçimi verbues.

Rudi e kërkoi Vaskën të hënën e dytë, por nuk e gjeti. Mori vesh  se inxhinjieri  e  kishte  dërguar  me shërbim në Rrogozhinë e në Peqin dhe sa nuk u çmend. Por, më kot, se pas  nja tri ditësh  të tjera,  dhëndri i ri biond e sygri, u duk në pragun e derës, në mes shumë  njerëzve, që prisnin të merrnin  rrogat. Hyri brenda, la në tavolinën tryezën e makinës së shkrimit diçka të mbëshjellë me letër ambalazhi nga ato të thasëve  të çimentos, u kthye te arkëtarja, mori rrogën dhe u largua pa u ndjerë.  Rudin e kapi një parandjenjë e keqe. U ngrit dhe shkoi në tryezën e vogël, këputi  me forcë spangot e pakos dhe e hapi. Pa një zhele të errët e të pështirë, me baltë. Mezi e njohu  nga xhepat  e nga jaka. Ishte pardesyja e vet çeke. Sa nuk i ra pika e iu pre fryma. Tashmë kuptoi qartë  e me dhimbje  se kishte marrë  fund  një herë  e përgjithmonë eleganca e tij nëpër  bulevardin e Tiranës.  Po kush ia kishte fajin? I ra ballit me pëllëmbë. Ndezi një cigare dhe vështroi jashtë dritares. Në Qafën e Tujanit dhe mbi livadhet  e Dajtit, po dyndeshin re. Pritej shi Tirane.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, PARDESYJA ÇEKE, Tregim

FSK-ja, donacion humanitar për qytetarët në Graçanicë

January 4, 2017 by dgreca

-Prifti Stankoviç, me këtë rast, falënderoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ambasadën e SHBA-ve, si dhe KFOR-in amerikan, për ndihmën e ofruar për qytetarët e Graçanicës/

2-gracanice

PRISHTINË, 4 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Sot, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i dhuroi një donacion humanitar (batanije, jastëkë dhe mbulesa) Kishës Ortodokse Serbe në Graçanicë, ndihmë për qytetarët e komunitetit jo shumicë të këtij vendbanimi.Dorëzim pranimi i donacionit humanitar të FSK-së u bë në ambientet e Manastirit Graçanica.Në emër të FSK-së, donacionin humanitar e dorëzoi nënkolonel Afrim Veseli, shef i Sektorit për Bashkëpunim me Agjencitë në kuadër të Departamentit për Marrëdhënie Civilo-Ushtarake në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa e pranoi prifti Sergjan Stankoviç, zyrtar i Manastirit.

Prifti Stankoviç, me këtë rast, falënderoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ambasadën e SHBA-ve, si dhe KFOR-in amerikan, për ndihmën e ofruar për qytetarët e Graçanicës.

“Kjo ndihmë është e mirëpritur në këto kushte të vështira atmosferike dhe ekonomike. Prandaj falënderoj ambasadën e SHBA-ve, KFOR-in amerikan dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, shtoi pos tjerash prifti Stankoviç.

Ndërsa, nënkoloneli Afrim Veseli, tha se FSK-ja deri më tani ka kryer shumë projekte humanitare në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime feje dhe kombi. Ai premtoi se, FSK-ja edhe në të ardhmen, do të jetë së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, në ndihmën e tyre si dhe në realizimin e projekteve, qofshin ato humanitare dhe projekteve tjera e që janë në shërbim të qytetarëve.

Gjithashtu, nënkoloneli AfrimVeseli falënderoi edhe ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, si dhe KFOR-in amerikan, për përkrahjen e vazhdueshme për FSK-në, edhe për dhënien e ndihmave humanitare dhe në realizimin e projekteve humanitare./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: donacion humanitar për, Fsk-ja, qytetarët në Graçanicë

Ramush Haradinaj është ndaluar në Francë

January 4, 2017 by dgreca

AAK:Ndalimi me Flet-arrest te Serbise. U bejme thirrje autoriteteve franceze qe t’i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij/

1-ramush-haradinaj-640x358

PRISHTINË, 4 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot është ndaluar në aeroportin e Baselit, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në njoftimin e sapodërguar deklaron:Një veprim i tillë është krejtësisht i padrejtë dhe i papranueshëm. U bëjmë thirrje autoriteteve franceze qe t’i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të Serbisë.

Njëkohësisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ndërpres çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të mos i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër përsonaliteve të Kosovës, përfundon  deklarata e AAK.

Filed Under: Kronike Tagged With: është ndaluar, ne France, Ramush Haradinaj

Aleatët oligarkë rrezikojnë lirinë e Kosovës!

January 4, 2017 by dgreca

Dy deklaratat e Thacit ishin të papritura, të pamenduara, të pamençme, të panevojshme, të ngutshme, të dëmshme, të rrezikshme dhe të frikshme për Kosovën dhe vendin që ajo ze e duhet të zëjë në mesin e kombeve të qytetëruara e të civilizuara euro-atlantike./

1-enver-bytyci-1Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/1-thaci-erdohanHashim Thaçi bëri para pak ditësh një vizitë në Republikën e Turqisë. Ai u takua me homologun e tij turk, Rexhep Taip Erdogan dhe në prani të tij deklaroi se “çdokush që është terrorist në Turqi, është edhe në Kosovë”, duke transferuar konfliktin e brendshëm politik të Ankarasë në Prishtinë. Ndërkohë si kompensim i kërkoi presidentit turk që të ndërhyjë te presidenti rus, Vladimir Putin, për të realizuar një vizitë zyrtare të tij në Kremlin. Të dyja këto deklarata ishin të papritura, të pamenduara, të pamençme, të panevojshme, të ngutshme, të dëmshme, të rrezikshme dhe të frikshme për Kosovën dhe vendin që ajo ze e duhet të zëjë në mesin e kombeve të qytetëruara e të civilizuara euro-atlantike. Ishtë sinjali më i keq i mundshëm për ardhmërinë e vendit, sepse me deklarata si kjo Kosova humbet mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s e të Bashkimit Europian, të cilat kontribuan fuqishëm për lirinë e pavarësinë e vendit, gjë të cilën e përmendi gjithashtu ambasadorja e RF të Gjermanisë në Prishtinë.1-thaci-erdohan

Ishtë njëkohësisht një deklaratë që bie në kundërshtim me sakrificat e vetë Hashim Thaçit si dhe të bashkëluftëtarëve të tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse me veprime të tilla Kosova mund të humbasë aleatët e saj të natyrshëm e të fuqishëm në Europë dhe SHBA. Ishte një pozicionim i pakuptimtë përkrah politikave autoritare e autokrate të dhunës së presidentit turk brenda vendit të tij. Madje më tej, pro politikave antiperendimore të presieneti të Rusisë, Vladimir Putin. Kjo deklaratë, ngado që ta analizosh e ta tjerrësh, vetëm në interes të shtetësisë, pavarësisë, mbrojtjes së territorit dhe integritetit të Kosovës nuk mund të jetë, sepse Turqia ishte dhe mund të mbetet një aleat i rëndësishëm i saj, por kurrësesi aleati i vetëm dhe më i sigurti për rrugëtimin e Prishtinës drejt integrimeve euro-atlantike, aq më pak për prosperitetin demokratik të saj. Ndërsa Rusia ishte dhe mbetet pengesa kryesore e shtetësisë dhe ajo mund të hapë rrugën e pranimit të Kosovës në OKB vetëm në marrëveshje me SHBA-të dhe jo me presidentin e Kosovës. Vladimir Putin nuk po prêt në Kremlin as kryeministrin Rama, edhe pse ai po këmbngul për një vizitë zyrtare në Moskë. Nëse presidenti rus do të priste Thaçin ose Ramën, do të kërkonte një koncension të majmë në favor të tij. Ndryshe ai nuk do ta presë asnjërin prej tyre edhe nëse Erdogan do t’ia kërkonte këtë.

Por pse atëherë presidenti i Kosovës u deklarua hapur e njëanshëm në mbështetjen e politikave të brendshme të një krahu politik në Turqi?! Pse ai i quan terroristë të gjithë ata që Erdogan i ka shpallur të tillë, ndërkohë që Europa dhe Amerika kanë përcaktuar standarde e qëndrime të ndryshme me presidentin e Turqisë?! Pse zoti Thaçi kërkon ndihmën e presidentit turk për një vizitë të tij në Moskë me ftesë zyrtare nga presidenti Putin?! Do të përpiqem të jap disa arësye:

Së pari është sindromi ose virusi me emrin Edi Rama. Politikanët shqiptarë, sidomos të majtët, por kjo sindromë nuk përjashton edhe të djathtë, sa herë ndjehen ngushtë në politikat e qeverisjes, sa herë dështojnë për t’u dhënë shqiptarëve perspektivën e zhvillimit demokratik, sa më shumë zhyten në korrupsion dhe afera të ndryshme, fillojnë e konfliktohen me Perendimin, duke mos njohur kufij në mbrojtje të interesit të tyre vetjak. “Miqësia” e ngushtë midis Thaçit e Ramës me presidentin turk, Erdogan, si dhe këmbngulja e tyre për një vizitë zyrtare në Moskë është një lloj miqësie e tipit “Për inat të sime vjehrre po shkoj e flej me mullixhinë”. Ata bëhen bashkë me çdo autokrat e nuk do të hezitonin të bëheshin bashkë edhe me diktatorë, mjafton që të mbrojnë interesat personale që lidhen me pushtet e pasuri. Rama i hodhi Merkelit në sy shashkën e rrezikut rus, “nëse BE nuk do të caktonte një datë për çeljen e bisedimeve për integrim në EU të Shqipërisë”. Thaçi i bëri karshillëk Europës dhe SHBA-së me sipërmarrjen e tij për ta shpallur Fethullah Gylen si “terrorist”, sepse është e njohur tashmë që kryeqytetet europiane dhe Uashingtoni kanë refuzuar ta shpallin atë sit ë tillë. Gatishmëria e presidentit të Kosovës për të implementuar politikat personale të presidentit të Turqisë kundrejt shtetasve turq në Kosovë, është një lloj presioni ndaj refuzimit që kryeqytetet perendimore i bëjne Thaçit si president. E tillë është dhe kërkesa e tij për vizitë në Rusi. Aq më tepër kur kjo vizitë synohet si hakmarrje për mungesën e ftesave nga vendet euro-atlantike.

Thaçi e ndjen këtë handikap. Nuk e kapërdin faktin se nga të gjitha vendet e BE-së e të NATO-s, vetëm Malta e ka ftuar në cilësinë e presidentit. Dhe nuk duhet të harrojmë se në Maltë janë të stacionuara që në vitet ’50 strukturat e shërbimit sekret serb, të cilat kanë qenë shumë aktive kundër shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit të XX, madje duke tentuar të bëhen edhe qendra të rekrutimit në shërbim të atij shërbimi secret e duke operuar në të gjithë Europën.

Një qëndrim i tillë armiqësor dhe në stilin e hakmarrjes është i njohur për shqiptarët, sepse rasti i diktatorit komunist shqiptar është shënuar si unikal në marrëdhëniet ndërkombëtare. Le të kujtojmë aleancat e tij në stilin e fjetjes me mullixhinë për inat të vjehrrës, pra me stisjen e aleancave pas konflikteve me aleatët e mëparshëm, gjithnjë në mbrojtje të pushtetit kriminal në Shqipëri. Në vend që kjo eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare të mohohej, riaplikimi i saj u rikthen partnerëve ndërkombëtarë mosbesimin ndaj liderëve politikë shqiptarë.

Së dyti, Erdogan në përgjigje të një pyetjeje të një gazetari gjatë konferencës për shtyp me zotin Thaçi tha se “Nëse një shkollë arsimon të rinj që tradhëtojnë vendin e tyre do të thotë se ajo shkollë nuk e zbaton detyrën kryesore të saj”. Kjo do të thotë se Thaçi, Rama, Putin dhe Erdogan ruajnë të njëjtin koncept ekstrem për nocionin e tradhëtisë. Dmth ata janë të tre të një mendimi se kur kritikohet qeveria ose presidenti, atëherë kritikuesit duhen njësuar me “tradhëtinë” ndaj atdheut dhe kombit. Edhe kjo teoremë është dëshmuar si e dështuar kur është keqpërdorur nga diktatorë të shumtë në botë, të majtë e të djathtë. Dhe nëse shqiptarët nuk reformohen në koncepte rreth këtyre nocioneve, aq më tepër nëse simptomat e këtyre mendësive zgjaten deri te liderët kryesorë, atëherë Shqipëria, Kosova dhe çdo vend tjetër nuk do të mundin të realizojnë atë për të cilën janë përcaktuar: – Demokracinë liberale dhe funksionale.

Format e etiketimeve janë të ndryshme. Erdogan shfaqet hapur kur të gjithë gylenistët i konsideron “armiq” e “tradhëtarë” të Turqisë, ndërkohë që ata janë shpallur kundërshtarë të presidentit turk dhe politikave të tij të aleancës dhe zhvillimit. Por jo më pak “armiqësore” e etiketojnë opozitën gjithashtu Thaçi dhe Rama. Nëse do t’i vinim para pasqyrës ato që deklaron Erdogan kundër kritikëve të tij, do të ngjasonte identikisht me ato që thotë sidomos Rama në etiketimet e tij për kundërshtarët politikë, por edhe zoti Thaçi në Kosovë. Nëse Rama e Thaçi duken më elokuent, kjo nuk ka të bëjë me ndonjë ndryshim thelbësor nga mentaliteti i Erdogan dhe i Vladimir Putin.

Në fund të fundit tradhëtia apo besnikëria ndaj atdheut e kombit nuk janë nocione që lidhen me raportet e individit me një individ tjetër, më një president apo kryeministër të një vendi. Fakti që zoti Thaçi ka marrë përsipër të zbatojë ligjet e Erdogan në Kosovë sa i përket shtetasve turq ose invetitorëve turq në këtë vend, dëshmon se presidenti i Kosovës i është bashkuar një kauze antidemokratike dhe antinjerëzore. Ndërkohë që tashmë dihet se një qeverisje antihumane është e prirur të shndërrohet shpejt në një diktaturë politike. Antihumanizmi është tipari kryesor i qeverisjes në Rusi, në Turqi, në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet ku sundojnë oligarikitë dhe qeverisjet autoritare e diktatoriale.

Së treti, miqësia e për më tepër konvergimi i politikave deri në përcaktimin hipotetik të terrorizmit e terroristëve direkt ose indirekt vjen në rezonancë me politikat e afrimit të Erdogan dhe të Vladimir Putin. Fakti që presidenti turk shfaqet tashmë hapur si një lider antiperendimor, për më tepër antiamerikn e në të njëjtën valë me të tilla strategji të Rusisë, është i mjaftueshëm që liderët politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo së paku të rezervohen, të mos kapërcejnë kufijtë e të mos i shndërrojnë marrëdhëniet shtetërore në marrëdhënie personale. Fakti që Erdogan ka shpallur si aleat të tij të ngushtë presidentin rus, do të thotë që Erdogan nuk mund të jetë partner strategjik i shqiptarëve, sepse interesat strategjike të shqiptarëve janë cënuar historikisht nga ambicja ruse për të dominuar rajonin tonë. Ata janë bërë bashkë, sepse e ndjejnë që veç e veç nuk mund të rikthehen në Ballkan për shkak të forcës që shfaq NATO dhe Perendimi. E megjithatë liderët tanë kanë vendosur të mos shohin anët e dyshimta, por të përqëndrohen në qëllimin e synimin emergjent: Mbrojtjen me çdo kusht të pushtetit politik, si mjet për t’u mbrojtur edhe nga akuzat për korrupsion dhe lidhje të dyshimta me grupet kriminale. Derisa shqiptarët në tërësinë e tyre janë kundër prezencës së Lindjes në hapësirën ballkanike, liderët tanë politikë kanë për detyrë t’i bashkohen kësaj qasjeje. Por nuk ndodh kështu, sepse pengojnë aferat e liderëve me politikanë oligarkë e autoritarë të lindjes, ndërkohë që qytetarët e vuajnë këtë sindromë.

Së katërti: Politikat e presidentit turk janë politika antikemaliste e si të tilla ato ngjasojnë shumë me konceptet otomane të qeverisjes. Nga historia ne e dijmë se Porta e Lartë kishte si model shpërblimin e shërbesave me pasuri të tundshme e të patundshme. Duke njohur ligjin e përsëritjes së historisë në forma e në rrethana të ndryshme nga e kaluara, vetiu duhet shtruar për diskutim çeshtja se çfarë përfiton zoti Thaçi, ose zoti Rama nga mbështetja që ata i japin presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, nga shërbimi që i bëjnë ata politikave të qeverisjes në Turqi! Këtë dilemë e komplikon fakti që biznesmenë të njohur në Kosovë janë shprehur publikisht për “lojëra nën tavolinë” të kompanive turke atje. Dhe është interesant fakti që sin ë Kosovë, edhe në Shqipëri kompanitë e firmat nga vendet e Lindjes operojnë në investime më shumë se ato të Perendimit. Arësyetimi është i thjeshtë: Kush jep ryshfet, futet në tregun e hapësirës shqiptare! Perendimorët nuk e njohin kulturën e ryshhfetit.

Së pesti, kërkesa e zotit Thaçi, ashtu si dhe kërkesa e mëparshme e zotit Rama ndaj zotit Putin për një vizitë në Kremlin, janë jashtë kohezionit tonë. Moska vuan sanksionet politike, ekonomike dhe financiare të BE-së dhe SHBA-ve, ku dy ose tri shtetet shqiptare duan të integrohen. Të vizitosh Moskën në këtë periudhë konflikti midis saj e Perendimit është sit ë kërkohs të vendosësh vetullat e të nxjerrësh sytë. Por as zoti Thaçi, as zoti Rama nuk kanë ndërmend të nxjerrin sytë e tyre. Ata do të nxirrnin sytë e shqiptarëve. Kjo kërkesë bie në kundërshtim me vokacionin perendimor të shqiptarëve, prandaj dhe dikur, në kushtet e pushtimit e të sundimit të ehër serb në Kosovë, ish-Presidenti Rugova nuk kërkoi dhe nuk realizoi ndonjë vizitë zyrtare në Moskë. Këta nostalgjikë të ideve staliniste mezi presin të shkelin ne qylimin e kuq të Kremlinit, shans të cilin duket se presidenti rus nuk do t’ua japë. Thjesht se ai kërkon që t’i pres të përulur në zyrën e tij madhështore dhe jo në rolin e partnerëve të barabartë!

Filed Under: Politike Tagged With: Aleatët oligarkë, lirinë e Kosovës!, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, rrezikojnë

VDIQ ALI CELA, SOT NGUSHELLIMET- Obituary

January 4, 2017 by dgreca

VDIQ ALI CELA, SOT NGUSHELLIMET- Obituary/

2-shenje-zijeNatën e shkuar, ka ndërruar Jetë në moshën 76 vjecare, në Nju Jork, vatrani Ali Celaj. I ndjeri vuante nga një sëmundje e rëndë. Sot familja pret ngushëllime. Shërbimet Funerale kryehen në Shtëpinë Mortore F. Ruggero & SONS, që ndodhet në adresën: 732 Yonkers Ave, Yonker, NY 10704.

FAMILJA, Miqtë, të dashurit , komuniteti mund të shprehin ngushëllimet sot nga ora 2 PM deri 5 PM si dhe nga Ora 7 PM deri në 9 PM.

Telefoni i Funderalit: (888) 375-1400

I ndjeri do të përcillet për në varreza ditën e Enjte, 5 Janar 2017, Rockland Cemetery 201 Kings Highway- Sparkill, NY 10976.

Obituary of Ali Celaj

Ali Celaj passed away peacefully on January 3, 2017 at the age of 76.

Ali is survived by his loving wife Dzemilja, his devoted children Arben Celaj, Mehmet Celaj, Linda Qerimaj, Teuta Celaj, and Besa Celaj and his 5 grandchildren.

Funeral Service Thursday, January 5, 2017 at 9:00 AM at the funeral home. Interment will follow at Rockland Cemetery 201 Kings Highway- Sparkill, NY 10976. The family will be present on Wednesday from 2-5 & 7-9 PM at F. Ruggiero & Sons, Inc., 732 Yonkers Avenue, Yonkers, New York 10704.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: SOT NGUSHELLIMET- Obituary of Ali Celaj, VDIQ ALI CELA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT