• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2017

Kosovë janë edhe katër komunat e veriut

February 9, 2017 by dgreca

–Kuvendi i Kosovës solidarizim me Ramush Haradinajn, ndërpret seancën për ta vazhduar të marten/

–Lexojeni të plotë në fund të kronikës fjalimin e kryeministrit Mustafa në interpelancën e Kuvendit të Kosovës/Kuvendi-Kosove-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-8shkurt2017Kuvendi-Kosove-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-8shkurt2017-1Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Kuvendi i Kosovës/Isa-Mustafa-Kuvend-Kosove

-Situata në Mitrovicë, interpelancë e kryeministrit Isa Mustafa në seancën e Kuvendit të Kosovës me 23 pika në axhendë/

Isa-Mustafa-konference-shtyp-28dhjetor2016-2

PRISHTINË, 9 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës nisi sot seancën plenare, ku në axhendën 23 pikëshe është edhe interpelanca e kryeministrit Isa Mustafa në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë. Interpelanca me shumë debate do vazhdojë pas pushimit që u dha pasdite.“Veriu është pjesë e Republikës së Kosovës dhe qytetarë të saj janë edhe ata të katër komunave atje, si të gjitha të tjerave”, tha fillimisht Mustafa.Kryeministri u shpreh se, problemet në veri të vendit si edhe në çdo pjesë të Kosovës duhet t’i zgjidhim mbi bazë ligjore me mirëkuptim dhe në komunikim me qytetarët.“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitëtit dhe integritetit territorial të shtetit tonë. Ky është obligim kushtetues për të gjithë ne ashtu siç është sigurimi i të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë e tyre”, theksoi kryeministri Mustafa.Ai në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë ka folur edhe dje në mbledhjen e qeverisë duke njoftuar për marrëveshjen e arritur për rrënimin e murit afër urës në pjesën veriore të qytetit dhe planin për ndërtimin e sheshit atje.“Është një marrëveshje ligjore, është zgjidhë një problem në mënyrën më të mirë, në saj të mirëkuptimit. Edhe veprimin e mënjanimit të atij muri e ka bërë vetë komuna e Mitrovicës Veriore, e cila ka zbatuar me përpikëri marrëveshjen që kemi lidh”, tha kryeministri Mustafa.Ai bëri të ditur edhe se,  tash për ndërtimin e sheshit  ka kërkesë nga  vetë komuna e  Mitrovicës së Veriut që të bashkëpunojnë ngushtë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të qeverisë së Kosovës në procesin e mbikëqyrjes së punimeve, në mënyrë që çdo gjë të bëhet sipas marrëveshjes dhe  projektit për revitalizimin e sheshit, që janë nënshkruar.Në seancën e sotme të Kuvendit kryeminsitri Mustafa ka edhe një interpelancë tjetër në lidhje me përgjegjësinë mbi Ligjin e sigurimeve shëndetësore në Republikën e Kosovës, të dyja të kërkuara nga subjekti opozitar Lëvizja Vetëvendosje.Fillimisht, Kuvendi i Kosovës miratoi sot me shumicë rezolutën në lidhje me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë, ndërsa pasi votuan vetëm 23 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh nuk kaloi propozim-rezoluta në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pika këto për të cilat debati është shterur në seancën e kaluar. Votimi u zhvillua pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare.Në axhendën e seancës së sotme janë edhe debati për të ardhëmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shqyrtimi i Axhendës për Reforma Evropiane, si dhe disa preojektligje, mes të cilëve ai për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, si dhe Projektligji për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në axhendë është edhe votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, por nuk do mund të kalonte në votimin në seancë plenare nëse vazhdon “ngrirja” e pjesëmarrjes në Kuvend e grupit parlamentar prej 11 deputetësh e Listës Serbe, pasi duhen edhe më shumë se gjysma e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë – së paku 11 nga gjithësej 20 në parlemantin 120 anëtarësh.Prej gati katër muajësh,  nga 9 tetori 2016, Lista Serbe ka deklaruar “ngrirjen” e pjesëmarrjes në qeverinë e Kosovës dhe në Kuvend, në kundërshtim të Ligjit për Trepçën, lidhur me të cilin iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese, e cila në 31 tetor  shpalli vendimin se ky ligj është kushtetues. Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka paralajmëruar se për shkak numrit të madh të pikave të rendit të ditës, seanca e nisur sot pritet të vazhdojë të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme.

Fjala e kryeministrit Mustafa në interpelancën e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 9 shkurt 2017- Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa në interpelancën e Kuvendit të Kosovës lidhur me situatën në Mitrovicë.

Faleminderit z. Kryesues,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, qytetarë të nderuar,

Prolongimi i kësaj interpelance mund të them se nuk është çështje e kërkesës time. Ajo çfarë është kërkuar në Kryesi është vetëm të prolongohet për një seancë të Kuvendit, sepse nuk kam qenë këtu dhe unë në asnjë rast nuk kam bërë vërejtje që të mos mbahet interpelanca dhe të mos përgjigjem në këtë interpelancë.Dëshiroj vetëm të ripërsërisë se veriu i vendit të Kosovës është pjesë e Republikës së Kosovës, se qytetarët e katër komunave në veri, ashtu sikurse edhe qytetarët e gjitha komunave tjera, janë qytetarë të Republikës së Kosovës. Prandaj, gjendjen në veri të vendit mund ta kuptojmë dhe ta trajtojmë më lehtë dhe pa ngarkesa, kur vetës ia sigurojmë dhe ia sqarojmë se po flasim për territorin tonë dhe po flasim për qytetarët tanë, pa marrë parasysh problemet e trashëguara dhe pa marrë parasysh problemet që sot po lindin.

Problemet në veri të vendit sikurse edhe në çdo pjesë të Republikës Kosovës duhet t’i zgjidhim mbi bazë ligjore me mirëkuptim dhe me komunikim me qytetarët.Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit tonë.Ky është obligim kushtetues për të gjithë ne, ashtu siç është sigurimi i të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre.Qeveria e Kosovës dhe gjitha institucionet e vendit arritën që ta mbrojnë sovranitetin e shtetit, ta ruajnë stabilitetin e brendshëm përballë provokimeve destabilizuese që erdhën nga sjelljet provokuese të Serbisë. Me sjellje dhe me përgjegjësi shtetërore u ndal treni me parulla provokuese i nisur nga Beogradi. Në marrëveshje me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, dhe me përfaqësuesit serbë nga radhët e deputetëve dhe ministrave në institucionet e Kosovës, si dhe me përkrahjen ndërkombëtare arritëm marrëveshjen për rrënimin e murit ndarës dhe për ndërtimin e një sheshi sipas ligjeve dhe standardeve të përcaktuara.Po ashtu, kemi bërë të gjitha përpjekjet për të dëshmuar se fletarresti i lëshuar ndaj kryetarit të AAK-së dhe ish kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, është politik, është joligjor dhe është i pavlefshëm jo vetëm për Kosovën, por duhet të jetë i pavlefshëm edhe për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Në të gjitha rastet, përgjigja jonë ishte institucionale dhe e vendosur në koordinim të plotë me të gjitha institucionet shtetërore, me presidentin e vendit dhe me kryetarin e Kuvendit. Në përballimin e sfidave gjatë kësaj periudhe, ne patëm përkrahjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. U dëshmua se ata kanë besim në institucionet e Republikës së Kosovës.

Këtë të diel, më 5 shkurt e hoqëm murin në Mitrovicë, në dobi të lëvizjes së lirë të qytetarëve, me një angazhim institucional dhe me një proces të brendshëm të bisedimeve mes Qeverisë dhe autoriteteve komunale të pjesës veriore të Mitrovicës.

Tashmë ka filluar realizimi i planit për shëtitoren në rrugën kryesore të qytetit sipas ligjeve të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë për herë të parë ndërmjet Komunës së pjesës veriore të Mitrovicës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Të nderuar deputetë,

Janë dy probleme të cilat e ngarkojnë jo situatën në veri të vendit, por edhe në tërë vendin. Është shtrirja akoma e gjerë e strukturave paralele serbe në shumë komuna jo vetëm me shumicë serbe, por formalisht edhe në ato me shumicë shqiptare, në institucione shëndetësore dhe kompani publike dhe është ndikimi i drejtpërdrejt i Qeverisë së Serbisë në deputetët e Kuvendit dhe anëtarët e Qeverisë nga radhët e Listës Serbe. Prandaj, mendoj se kjo çështje duhet të shtrohet në mënyrë integrale, dhe jo vetëm si çështje e komunave të veriut, asaj të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe pjesës veriore të Mitrovicës, por si problem i tendencave që Serbia akoma mundohet të ushtrojë ndikim në Kosovë. Përfundimisht, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ndërlidhet me shuarjen e plotë të strukturave paralele dhe me ndërprerjen e ndikimit të strukturave të Serbisë tek përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës dhe me pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Sa i përket veriut, Qeveria e Kosovës do të vazhdoj angazhimet për të konsoliduar më tej sovranitetin shtetëror në pjesën e veriore të vendit. Gjendja në veri ka ndryshuar pozitivisht, dhe këto ndryshime janë rezultat i drejtpërdrejt i dialogut në Bruksel. Zhvillimet negative kohëve të fundit nuk kanë mundur të zbehin këto rezultate dhe ne nuk kemi lejuar që ajo të ndodh. Me Marrëveshjen për Kufirin, është arritur që autoritetet shtetërore të Kosovës të vendosen në dy pika kufitare në veri, të cilat ishin sulmuar dhe djegur kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Këto pika gjenden aty ku është kufiri shtetëror i Kosovës me Serbinë. Kosova ka arritur të shtrijë sovranitetin e saj në veri të vendit në këto fusha: në fushën e sigurisë ku Policia e Kosovës vepron nga viti 2014; në fushën e doganave nga viti 2012; në fushën e administratës tatimore. Kosova ka vendosur të gjitha ministritë dhe agjencitë shtetërore që kanë veprimtari lokale në këtë pjesë të vendit, kemi shuar strukturën ilegale me premisa paramilitare e ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”, ndërsa ish-pjesëtarët e saj janë bërë shërbyes civilë të punësuar në sistemin e Kosovës.

Është implementuar Marrëveshja për Kodin Telefonik dhe shteti i Kosovës ka marrë kodin e vet telefonik +383 i cili ka filluar edhe të implementohet. Është arritur marrëveshja për drejtësi, e cila marrëveshje do të filloj së shpejti të implementohet. Kemi hapur zyrat e regjistrimit civil në komunat veriore për t’i pajisur ata qytetarë me dokumente shtetërore të Kosovës. Kemi shuar strukturat paralele të Serbisë në fushat ku janë arritur marrëveshjet. Integrimi i komunitetit serb të asaj pjese në sistemin shtetëror të Kosovës është gjithnjë në rritje. Interesimi i tyre për jetë normale dhe prosperuese është fakt që shprehet nga vetë ata. Dialogu i Brukselit ka mundësuar që të hiqen të gjitha barrikadat në veri, të cilat ishin vendosur si reaksion ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe po ashtu është hequr edhe barrikada nga ura e Mitrovicës e cila do të lëshohet së shpejti dhe do të hapet së shpejti qarkullimi automobilistik dhe qarkullimi tjetër ndërmjet pjesës jugore dhe veriore të Mitrovicës.

Këto zhvillime pozitive në veri të vendit krijuan mundësi për përmirësimin e jetës së qytetarëve, të bashkëpunimit dhe komunikimit në mes të qytetarëve dhe komuniteteve. Qeveria e Kosovës vlerëson kontributin e dhënë nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tejkalimin e tensioneve të krijuara dhe ndaljen e provokimeve destabilizuese nga ana e Serbisë dhe mund t’ju them se dy takimet e fundit në Bruksel, sa kanë qenë të rënda, aq edhe kanë dhënë rezultate në këtë fushë.Delegacioni jonë e ka bërë të qartë se mbesim të përkushtuar për paqe dhe për fqinjësi të mirë, por gjithnjë në kushte të respektimit të sovranitetit shtetëror dhe të mos ndërhyrjes në punët e brendshme.Kosova tani ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit evropian përmes Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian.

Të nderuar deputetë,

Kosova do të vazhdoj forcimin e shtetit përmes zhvillimit ekonomik, mirëqenies së qytetarëve dhe komunitetit, integrimit, sigurisë dhe prosperitetit. Ashtu siç e dëshmuam në këtë periudhë, Qeveria e Kosovës, të gjitha institucionet shtetërore kanë zotësinë për të përgjigjur çfarëdo sfide në të cilën ne do të ballafaqohemi. Kosova mbetet e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve që janë në pritje të zbatimit, siç është marrëveshja për drejtësi dhe marrëveshjet tjera. Në këtë rast, dëshiroj të falënderoj veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, dhe vendet tjera për vendosmërinë e tyre që të përkrahin proceset euro integruese të Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Nga të gjitha interpelancat por edhe debatet që u iniciuan në Kuvend, tani kanë një emërues të përbashkët. Ky emërues është ndërprerja e dialogut, kushtëzimi i dialogut, ngrirja e dialogut. Dialogu me Serbinë në mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zhvillohet në interes të Republikës së Kosovës, sepse Kosova po ballafaqohet me probleme që nga përfundimi i luftës, të cilat nuk kanë alternativë tjetër të zgjidhjes përpos dialogut. Me dialog ne nuk po zgjedhim problemet e Serbisë, sepse ne nuk po e cenojmë sovranitetin e Serbisë.

Por është e kundërta.

Si kryeministër i vendit konsideroj se dialogu nuk ka alternativë, konsideroj se politika e dialogut me fqinjët, edhe me Serbinë, është orientim strategjik i Republikës së Kosovës, ashtu siç është orientim i yni strategjik rruga eurointegruese dhe partneriteti i përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E kam thënë publikisht se asnjë nga ju, nga opozita, që sot po e kundërshtoni dialogun nuk do ta kundërshtonit këtë po të ishit në pozitë dhe po t’i kishit përgjegjësitë që ne i kemi.Ne njihemi dhe nuk harrojmë se si jemi betuar të gjithë ne që jemi këtu pa marrë parasysh në cilën anë jemi sot këtu, se si do ta vazhdojmë dialogun dhe kemi konkurruar dhe kemi bërë gara se kush është ai që do ta marrë dhe ta udhëheq dialogun. Edhe rezoluta si e tillë nuk meriton të përkrahet ndryshe ajo nuk shprehë asnjë interes të Kosovës përveç të një mllefi opozitar ose të një mllefi i cili nganjëherë lind edhe si pasojë e veprimtarive të papërgjegjshme dhe sjelljes së papërgjegjshme të Serbisë.

Prandaj, do të ishte mirë që energjitë tona që po i shpenzojmë për të bllokuar dialogun, ose për të kundërshtuar bllokimin e dialogut t’i orientojmë pozitivisht në orientimin tonë për zhvillim ekonomik, për zhvillim social, për integrimin e serbëve në të gjitha institucionet e vendit tonë, për krijimin e mirëkuptimit dhe mirëbesimit reciprok dhe për rrugën tonë euroatlantike.Faleminderit!

-Kuvendi i Kosovës solidarizim me Ramush Haradinajn, ndërpret seancën për ta vazhduar të marten/1 Kuvendi i kosoves

 Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e nisur sot me axhendën 23 pikëshe do vazhdojë të marten e javës së ardhshme pasi ndërpreu punimet para votimit të një projektrezolute pas debatit në interpelancën e kryeministrit Isa Mustafa në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë.Pas diskutimeve, në cilësi të iniciuesit të kësaj interpelance, deputeti Rexhep Selimi na Lëvizja Vetëvendosje prezantoi tekstin e projektrezolutës, nëpërmjet të cilës i kërkohej qeverisë që të zbatojë pa vonesë ligjet në fuqi për ndërtimet e paligjshme në veri, të heq çdo lloj pengese për lëvizjen e lirë në Mitrovicë, jo më larg se 30 ditë nga miratimi i kësaj rezolute, të hartojë planin dhe kalendarin e kthimit të qytetarëve shqiptarë dhe rindërtimin e shtëpive të tyre në veri të qytetarit, qeveria të tërhiqet nga marrëveshjet e 25 gushtit 2015 të nënshkruara në Bruksel, si dhe në vend të negociatave me Serbinë në Bruksel, Kuvendi të angazhohet që të fillojë dialogun me qytetarë të Kosovës të nacionalitetit serbë, për integrimin e tyre.

Para hedhjes në votim të projekt-rezolutës, fjalën e mori kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i cili kërkoi që në shenjtë proteste me vendimin për zgjatjen e ndalimit në Francë të Ramush Haradinajt, Kuvendi të ndërpresë punimet.

Kryeparlamentari Kadri Veseli njoftoi se ky është qëndrim edhe i grupeve të tjera parlamentare dhe në shenjë solidarizimi me Haradinajn, ndërpreu seancën, duke paralajmëruar vazhdimin të martën, në orën 10:00.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli ka bërë edhe një postim në ‘facebook’, ku shkruan: “Me keqardhje mësova për zvarritjen e marrjes së vendimit nga gjykata franceze për bashkëluftëtarin Ramush Haradinaj. Akuzat nga Beogradi kundër Haradinajt janë të papranueshme. Me këtë rast, solidarizohem me Ramushin, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij, duke i siguruar se të gjithë jemi pranë tij dhe Institucionet e Republikës së Kosovës do të angazhohen për lirimin e tij”.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, e veriut, katër komunat, Kosovë janë edhe

Bashkimit Evropian, mbështetje për perspektiven evropiane të Kosovës

February 9, 2017 by dgreca

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është pritur nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker/2 Thaci BE

BRUKSEL, 9 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është pritur nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me të cilin ka bashkëbiseduar për të gjitha çështjet e interesit të ndërsjellë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

1 Thaci ne parl E

“I vetëdijshëm se nuk ka çështje më të rëndësishme dhe më emergjente për Kosovën dhe qytetarët tanë sesa përfundimi i izolimit të padrejtë ndaj qytetarëve tanë, fokusi im ishte tek përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë pas takimit presidenti Thaçi.Nga ana tjetër, presidenti Juncker, i cili është mbështetës i perspektivës evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ka treguar vullnet për ta përmbyllur këtë proces të stërzgjatur. Por, presidenti i Komisionit Evropian, e ka bërë të qartë se do ta ketë të pamundur ta përmbyllë këtë proces nëse Parlamenti i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.Presidenti Thaçi ka thënë se për BE-në është e pakuptueshme sesi ka mundësi që kosovarët e duan dhe e kërkojnë kaq shumë liberalizimin e vizave, ndërsa përfaqësuesit e tyre, deputetët e Parlamentit të Kosovës, iu pamundësojnë lëvizjen pa viza qytetarëve të vet, duke mos e votuar këtë marrëveshje.“Kjo situatë është krejtësisht absurde dhe e papranueshme dhe të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës janë përgjegjës për këtë izolim të padrejtë. Prandaj, unë edhe një herë iu bëj ftesë, në emër të qytetarëve të Kosovës, që të vendosin interesin e Kosovës dhe të qytetarëve tanë përpara interesave të tyre personale dhe partiake. Vota e tyre pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion i jep fund izolimit të padrejtë të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.Gjatë vizitës dyditore në Bruksel, presidenti Thaçi ka takuar krerët më të lartë të Bashkimit Evropian, nga të cilët ka marrë mbështetje për perspektiven evropiane të Kosovës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Bashkimit Evropian, Mbeshtetje, për perspektiven evropiane, te Kosoves

Grabitësit profesionistë të shtetit dhe të bankave!

February 9, 2017 by dgreca

2-enver-Bytyci-1Nga Enver Bytyçi/ E enjte 9 shkurt 2017. Mesditë! Ora shënon 13.24 minuta kur në sallën operative të policisë bie telefoni për të lajmëruar atë që ndodhi në rrugën e Rinasit. Dy persona të maskuar kanë marrë në dorë një motosharrë dhe kanë sharruar automjetin e blinduar, pastaj i janë lutur rojave dhe shoferit të ulen poshtë. Kanë marrë blindin bashkë me milionat e eurove dhe diku te Rruga e Hajdutëve i kanë vu flakën. Jo parave, forgonit të blinduar. Dhe e gjitha kjo ka ndodhur në pesë minuta, sepse pas pesë minutash ka shkuar në vendngjarje vetë komisari i policisë së Vorës. Të gjitha këto alibi i gjeni të nderuar lexues te komunikata e policisë. Ndërsa një ditë më parë ministri i Brendshëm kumtoi atë çfarë do të ndodhte të enjten e djeshme. Ai parafajësoi firmat private të sigurisë së bankave, se gjoja këto nuk “kryejnë detyrën”, “nuk krijojnë siguri”. Ndërsa komunikata është bërë me aq eufori, sa hartuesi i saj nuk ka menduar se gjithçka është montuar. Një prolog (fjala e ministrit), një akt drame si në filmat horror e komedi njëkohësisht (ngjarja), dhe në fund epilogu i shfaqjes (Policia për katër minuta e 44 sekonda ishte në vendngjarje). Por kanë harruar të masin kohën e zgjatjes së dramës dhe horrorit të grabitjes e të grabitësve. Akti dramatik i tipit horror, sipas policisë paska ndodhur në 4 minuta e 44 sekonda. Pas kësaj kohe kronometrike policia në vendngjarje ka gjetur viktimat. Nuk ka mundur të gjejë as grabitësit “profesionistë” të trajnuar diku andej nga Evropi (thotë Artan Hoxha). Nuk ka mundur ta gjejë “të gjallë” as automjetin që transportonte milionat për në Rinas. Paratë jo e jo. Dhe kjo ndodh për të pestën herë në 24 muaj në kryeqytet. Në mbrëmjen e të enjtes skenari vijoi me debatet televizive. Maksimumi i kritikës ishte “Shteti është i paaftë”. Askush nuk shkon përtej një konstatimi kaq empirik e sipërfaqësor. Askush nuk merret me shkakun e përsëritjes së pestë të vjedhjes së bankave në kryeqytet dhe të të tretës në Rinas dhe rrugën me distacion Rinasin. Askush nuk dëshiron të shprehet me guxim e të thotë: “Hajduti është vetë shteti”! Shteti që ka fuqi të burgosë 38 mijë qytetarë thuajse të pafajshëm në një vit, ky shtet nuk paska fuqi të vendos rregull e kontroll në administrimin e vlerave monetare të vendit!!! Shteti që “viëgjëlon” dhe zbulon se një fakir fukara ka lidh energjinë për t’i dhënë fëmijës së sëmurë oksigjen e më pas e burgos atë, ky lloj shteti nuk paska fuqi të zbulojë banditët që grabitin bankat, jo njëherë, por pesë herë në dy vjet. Ky shtet që ka vënë në përgjim dhe në trysni të gjithë kundërshtarët politikë, nuk po mundka të vejë në shënjestër një grup hajdutësh të Rrugës së Hajdutëve, por mburret me arrestimin e viktimave, të cilëve ua kanë gjetur një nen në kodin penal për t’i dënuar “për shpërdorim detyre”, ose “moskryerje detyre”. Nuk ka ndodhur kjo as në vitin 1997. Ndoshta atëherë nuk kishte banditë e grabitës “profesionistë”! Ajo e djeshmja ishte ngjarja e radhës. Ishte një krim shtetëror i mirëideuar dhe mirëskenarizuar për të tredh mendjen e njerëzve, që nuk kanë haber se çfarë përfaqëson banda e grabitësve të Rilindjes. Paratë që iu vodhën një banke në rrugën e Rinasit janë para që do të përdoren për fushatën e zgjedhjeve të 18 qershorit. Ata që vodhën e grabitën dje kanë projektuar vjedhjen e grabitjen e 18 qershorit. Por para datës 18 qershor ata do të vjedhin përsëri. Dhe krahas grabitjes do të përmbyllin skenarin tjetër të mbjelljes së hashashit në çdo cep të Shqipërisë, me qëllim që t’u premtojnë kultivuesve korrjen e parcelave në këmbim të votës. Ata që grabitën dje kanë lejuar muqjin e fundit që në Shqipëri të hyjnë kontrabandë 220 milion euro farë kanabisi. Shumëzojëni për 30-40-50 këtë shunmë të harxhuar për farën dhe do ju dalë shuma që vjen nga shitja e produktit të gatshëm gjatë verës e vjeshtës që vijnë. Këta që grabitën dje do të mburren përsëri me kapjen e burgosjen e ndonjë të pabinduri ose të ndonjë fakiri, që halli i fukarallëkut e ka çuar deri te mbjellja e kanabisit. Por këta hajdutë e grabitës që ne i paguajmë me taksat tona nuk do të godasin asnjë Balil apo Habil, Rrosh apo Frrok, sepse këta do t’i përdorin në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshmë të 18 qershorit. Tan Hoxha thotë se grabitësit ishin profesionistë të përgatitur e trajnuar në vendet e Europës Perendimore! E ku qëndron problemi këtu?!, do të pyeste kryeministri ose Grisela. Dmth se këta profesionistët në pushtet që grabisin tendera, koncensione, partneritete, dmth para të thata nga buxheti i shtetit, janë të paaftë të zbulojnë ata profesionistët që grabisin me motosharrë në dorë furgonat e nbushur me valutë të huaj aty në hyrje të kryeqytetit, në mes të ditës me diell rrezatues!!! Paradoks! Profesionistët “i mungojnë” kryeministrit në profesione të ndryshme, por ai nuk ka folur asnjëherë për atë se qeverisja e tij nuk është profesionale! Atëherë do të thotë se janë bashkuar dy palë profesionistësh dhe punojnë në akord me njëri-tjetrin: Profesionistët e vjedhjes së shtetit dhe profesionistët e vjedhjes së bankave!

Filed Under: Politike Tagged With: dhe të bankave!, Enver Bytyci, Grabitësit profesionistë të shtetit

Rasti Haradinaj- Franca po luan lojën e serbëve

February 9, 2017 by dgreca

Nga Mehmet Selimi/Franca sërish nuk e lëshoi Ramush Haradinajn, të cilit i vuri prangat me një urdhër arresti të vjetëruar. Fillimisht u tha se nuk ishte lojë politike, por faktet po tregojnë se është më shumë se sa lojë. Franca po bën lojën e Serbisë, lojë që e ka bërë shpesh herë pro serbëve dhe kundër shqiptarëve. Faktet më nxisin që të apeloj:- Shqiptarë ruhuni nga Franca, pasi këto 100 vjet ajo nuk ka qënë me ne; por herë ka qënë me grekët dhe më të shumtën e herëve me serbët dhe në dëm të cështjes sonë kombëtare. Kush janë rastet që e tregojnë këtë:-Ruhuni nga Franca, pasi Franca me porosi të grekëve vrau patriotin Themistokli Gërmenji.

-Ruhuni nga Franca, pasi Franca me porosi të sërbëve strehoi, mbështeti, dekoroi dhe i gjeti vendvarri tek heronjtë e vet kryetradhëtarit të Shqipërisë Esat Pashë Toptanit.

-Ruhuni nga Franca, pasi Franca me porosi të sërbëve sa hyri në Kosovë me KFOR-in vendosi murin ndarës në Mitrovicë në urën e Ibrit dhe pjesën veriore të Kosovës jua dha Sërbëve.

-Ruhuni nga Franca, pasi Franca me porosi të sërbëve arestoi Ramushin. Pra Franca me porosi të sërbëve dhe si një hyzmeqare e tyre, areston djemtë më të mirë të Shqipërisë, si trimi I Haradinajve.

Prandaj shqiptarë, para se të shkelni tokën franceze mendohuni mirë, pasi po të doni atdheun tuaj, Shqipërinë, ju presin hekurat e burgut si në mesjetë. Turp për Francën që i vuri hekurat në duar trimit të haradinajve.

-Doni më për Francën!!!

Shqiptarë ruhuni nga Franca, por mos u ruani nga francezët, nga ata francezë që janë miq të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Nga ata francezë që në vitin 1920 dolën në mbrojtje të djalit të Libohovës, Avni Rustemit. Nga dashamirësi i shqiptarëve si Pukëvili. Nga ata Francezë miq për kokë të shqiptarëvë si Zhak Burkari dhe Justin Godarti;  Nga një mik i vjetër i shqiptarëve si Luis Benlou. Në fund, nga më i madhi mik i shqiptareve, mendjemprehti dhe inteligjenti Robert D’Anzhely.

Mehmet Selimi,  9 shkurt 2017

Filed Under: Komente Tagged With: e serbëve, Mehmet Selimi, po luan lojën, Rasti Haradinaj- Franca

Kush i mbrojti hebrenjtë në Shqipëri ?

February 9, 2017 by dgreca

Sikur historia të shkruhej ashtu siç ka ndodhur/1 MergimKorca

Shkruar nga Mërgim Korça/

Porsa e lexova titullin me të cilin emërtohej dekorimi i familjeve si edhe individëve shqiptarë të cilëve u vlerësohej skajshëm lart nga ana e Presidentit Nishani sakrifica si edhe ndihma e lart’e tyre dhënë hebrenjëve të strehuar përgjatë Luftës II-të Botërore në Shqipëri, më përshkoi një drithmë rrënqethëse gëzimi e përforcuar edhe nga fakti se jo vetëm që njérin nga kryefamiljarët e këtyre familjeve e kam patur në rrethin më të ngushtë të miqve të mij, porsé nga ana tjetër, edhe për faktin se përgjatë së gjithë periudhës diktatoriale komuniste, veç faktit se miku im vlerësohej lart si specialist aftësishë të posaçme në fushën e Tij si inxhenier, prapseprap kjo familje shikohej shtrembër si e deklasuar.  Doemos pozicionimi i mbajtur nga Presidenti Nishani me këtë rast më dhá një farë shprese se Ai e kishte kuptuar më në fund qëndrimin e gabuar të ish historianëve tonë përgjatë periudhës thuajse gjysëm shekullore të diktaturës komuniste, që historín’e shkruar e kishin ndërtuar plot me heshtje si edhe shtrembërime rreth të vërtetave, vetëm e me vetëm t’i qëndronin besnikë vijës së partísë tyre ! 

Padyshim që në vijim, në qoftë se qëndrimi i Presidentit Nishani do të kishte qenë vërtet parimór, gjë që e përforconte edhe vetë motivacioni i shkruar se përse 35 familjeve të dekoruara me titullin NDERI I KOMBIT u jepej ky titull madhor :  “Në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri; për rolin dhe kontributin e paçmuar në lartësimin e vlerave të rralla e tradicionale shqiptare të mikpritjes, bujarisë dhe Besës si dhe për konsolidimin e harmo nisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore fetare të kombit tonë “ !  E doemos në vazhdim edhe vetë zënja në gojë e faktit se si Presidenti shfaqi edhe keqardhje shtetërore se si nuk mundën ta shpëtonin edhe albanologun e madh Norbert Jockl, në parím si edhe fillimisht … më gëzoi shumë. Mirëpo heshtja në vazhdim nga ana e Presidentit  Nishani rreth interesimit të vetë K/Ministrit Mustafa Kruja që i telefonoi Kontit Ciano, (ministër i Punëve të Jashtëme të Italisë si edhe dhëndër i Mussolinit), për problemin e profesorit Jockl ku me ç’rast ai i tha se do t’i lutej Mussolinit t’i telefononte Hitlerit lidhur me të, ndikoi jo për mirë tek unë dhe  enthuziazmi im ndaj Presidentit Nishani në vënd që të më rritej, erdhi duke u fashítur.  Me pak fjalë kthesa që mendova se po fillonte nga ana e Presidentit Nishani që historianët ta ndiqnin nga ana e tyre që të vërtetat historike të thuheshin ashtu siç kishin qénë duke i lënë më një anë shtrembërimet ideollogjike, nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një iluzion i imi !  Nisur tashti nga kjo shpresë imja, e ngjallur në një farë mënyre nga nisma e Presidentit Nishani për t’i dekoruar familjet shqiptare që kishin shpëtuar Izraelitët banues në Shqipëri, po ia jap lexuesit të ndershëm të plotë kuadrin se si u zhvilluan asokohe ngjarjet dhe ky i fundit t’i gjykojë daç rrethanat si edhe situatat e të arrijë në përfundime të papríra nga ideologjí shtrembëruese të fakteve historike !

Im Atë, Xhevat Korça, porsa qé kthyer nga një inspektim i shkollave në Kosovë.   Sapo erdhi i telefonoi mikut të families dhe kryeministrit të Shqipërisë, Mustafa Merlika Krujës duke e informuar se qé kthyer nga Kosova.  Nuk u mbush një orë dhe veç kur bije zilja dhe në derë u shfaq kryeministri i cili, porsa hyri, kërkoi nga im Atë ç’dinte t’i thosh për hebrénjtë në Kosovë si edhe rrezikimin e deportimit të tyre nga ana e gjermanëve.  (Dua të saktësoj se duhet të ketë qenë para mbarimit të vitit shkollor dhe nga veshja e t’im Eti si edhe e Mustafa Krujës, muaji prill ose maksimumi maj i vitit 1942).

Nga që im Atë nuk kish ndonjë informacion shkalle të gjerë veç rastit të një profesori hebré, mik i albanologut Norbert Jockl-it, të cilin im Atë kishte urdhëruar ta emëronin në arësim, atëbotë Mustafa Kruja i shpjegoi shkurtimisht se si një ditë më parë i kishte kërkuar audiencë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë i cili i kishte paraqitur një listë prej mbi 320 familjesh hebréje, banuese në Kosovë, me të gjitha adresat e tyre të banimit duke i kërkuar kryeministrit sqarime rreth tyre.  Mustafa Kruja e kishte marrë listën dhe i kishte thënë se do të merrte masa të menjëherëshme t’a sqaronte këtë informacion.  Në fakt në Kosovë nuk kishte asokohe këmbë ushtari gjerman dhe kjo rrethanë i a lehtësonte dukshëm punën kryeministrit për t’i shpëtuar ata hebrénj nga masakra eventuale e mundëshme. I telefonoi pa vonesë ministrit të Punëve të Brëndëshme Mark Gjomarkajt duke e porositur t’a lajmëronte menjëherë edhe Engjëll Çobën, aso kohe Sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë, e të vinin menjëherë në zyrën e Kryeministrit, për ku u nis edhe vetë ai me gjithë t’im Atë.  Mbas disa ditëve mësova se Engjëll Çoba, në krye të një grupi prefektësh si edhe zv/prefektësh, ishte drejtuar për në Kosovë i ndjekur nga shumë autobuse të kompanisë S.A.T.A. dhe atje, në bazë listave emërore me gjithë adresat e sakta, i kishin paisur hebrénjtë me pasaporta shqiptare ku të quajturin David e kishin emërtuar në dokument Daut, kurse Mojsiun me emrin Mahmut e kështu me radhë duke i hipur në autobusa dhe nisur urgjentisht për në Shqipëri.  Ndërkohë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë ishte njoftuar se informatat e tija kishin qenë të pasakta e si duket të papërditësuara nga informatorët e tij.  Përgjatë këtij konteksti e kam të drejtën të ngul këmbë që studjuesit e historisë t’i a gjejnë fillin urdhërit të Kryeministrit Mustafa Kruja lidhur me ato veprime pro-hebréje, sepse në arkiva do të ketë, pa as më të voglën mëdyshje, edhe urdhëra në vazhdim lidhur me problemin në fjalë.  Cila arësyeja që un’e kam këtë bindje ?  Sepse lidhur me atë ngjarje, ish Mëkëmbësi i Mbretit në Shqipëri zoti Francesco Jacomoni, në faqet 288-289 të librit të tij titulluar :  La Politica dell’Italia in Albania, (Politika e Italisë në Shqipëri-M.K.), me botues Cappelli Editore botuar më 31 Maj 1965, pohon tekstualisht :  “Një demonstrim nga ana e Mustafa Krujës i asaj që ishte burrnía e tij, d.m.th. aftësia për t’i përballuar situatat me guxím si edhe zemërgjerësí, e pata pak kohë mbasi ai kishte marrë përsipër Kryesinë e Këshillit Ministrór.  Ishte paraqitur tek ai Konsulli i Përgjithshëm i  Gjermanisë dhe i kishte dorëzuar një notë verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e mbi treqind familjeve hebréje që, refugjatë nga Jugosllavia, kishin gjetur strehim në Shqipëri, (se Kosova njihej si territor Shqiptar – M.K.) … Në Shqipëri në fakt nuk kishte asnjë këmbë ushtari gjerman që të mund t’i identifikonin … ramë në ujdí … Ata do të paiseshin me pasaporta shqiptare me emër fallso … Roma nuk u njoftua zyrtarisht lidhur me këto zhvillime, por privatisht u informua drejtori i përgjithshëm i çeshtjeve rezervate, Ministri Fuqiplotë Vidau. Ai ishte njeri me zemër të gjerë dhe në saje të tij mundësuam nëpërmjet përfaqësíve tona jashtë shtetit, t’i paisnim hebrénjtë gjermanë, bohémë, polakë, ungarezë dhe rumunë me pasaporta shqiptare. Atyre u krijohej mundësía t’u shmangeshin persekutimeve raciale duke i u drejtuar Shqipërisë.”   Me kapitullimin e Italisë në Shtatorin e vitit 1943, edhe Shqipëria u shkel nga këmba e ushtrisë gjermane. Si formë kushtetuese drejtimi, vëndin tonë e drejtonte Këshilli i Lartë i Regjencës i përbërë nga katër Këshilltarë, e pastaj si aparat ekzekutiv qeverit’e ndërsjella. Në vazhdim, edhe Këshilli i Lartë i Regjencës i qëndroi vendosmërisht besnik pozicionímit të Qeverisë Mustafa Kruja ndaj hebrénjëve dhe kësisoji deri ditën që nga territori shqiptar u largua edhe këmba e ushtarit të fundit gjerman, hebrénjtë e strehuar në Shqipëri nuk i ngacmoi askush duke shpëtuar që të gjithë !  Edhe me kaq sa u paraqit deri këtu, besoj se asnjë njeri i drejtpeshuar dhe i ndershëm nuk e vé më në dyshim faktin se qé qëndrimi tejet njerëzor, i prerë dhe i guximshëm i qeverisë së kryesuar nga Mustafa Kruja, i ndjekur pastaj edhe nga qeveritë pasuese, përgjatë periudhës Regjencës, që dijtën të manovrojnë mes dallgëve të atyre rrethanave të caktuara historike dhe arritën të krijonin kushtet që mbas lufte të konsolidohej thënja :  Vetëm në Shqipëri hebréjtë e strehuar atje, dolën nga Lufta e II-të Botërore, në numur më të madh nga ç’hynë !  E doemos, me këtë rast unë, marr lejen të shtroj një pyetje thjeshtë retorike :  A mund të shpëtoheshin hebrénjtë në Shqipëri aq në mënyrë masive mos të kishte populli mbështetjen e qeverive respektive, fillo nga ajo e kryesuar nga Mustafa Merlika Kruja e pastaj edhe në vazhdim nga të gjitha qeverit’e tjera nën juridiksiónin e Regjencës ?  Është fillimisht pozicionimi njerëzor e pastaj edhe i guximshëm i të gjith’atyre qeverive, që e kushtëzuan radhitjen e Popullit Shqiptar,  aq të nderuar mes emrave të Murit Yad Vashemit ! 

E për t’i mbyllur edhe këto radhë që lexuesi eventual ta kuptojë plotësisht se jam krejtësisht i paanshëm tek i trajtoj problemet, por dua të vé në dukje edhe ta theksoj faktin se kur Qeverija e Mustafa Krujës mori masat që mori ndaj hebrenjëve banues në Kosovë, as në Kosovë e as në Shqipërinë Ëmë, nuk kishte këmbë ushtari Gjerman. Kurse në vazhdim, mbas kapitullimit të Italisë në muajin Shtator të vitit 1943, Gjermanía territorin Shqiptár pranoi ta quajë rrugë kalimi për tërheqjen e trupave të saja duke pranuar, nga ana tjetër, të mos ndërhynte në punët e brëndëshme të vëndit tonë. Pikërisht këta fakte nga njera anë u hedhin dritë zhvillimeve rreth hebrenjëve të strehuar në Shqipëri në vija të përgjithëshme por, nga ana tjetër, e shtrojnë gjithashtu për diskutim edhe pohimin e Presidentit Nishani, të përmëndur në fillimet e kësaj analize lidhur me motivacionin përse shpërndaheshin titujt NDERI I KOMBIT ku theksohet “:  “Në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri …”, ku unë nuk qëndroj dot pa i theksuar dy të vërteta që Presidenti Nishani nuk i përmënd, në një kohë që në faqet e historísë patjetër që duhen vënë në dukje !

Së pari, meritën e madhe që i takon Qeverisë kryesuar nga Mustafa Kruja lidhur me transferimin e gjith’atyre familjeve Izraelite nga Kosova në Shqipëri e duke i paisur edhe me letra njoftimi të kamufluara me këtë rast ku, doemos kjo meritë u takon pastaj në vazhdim edhe vetë Këshillit të Naltë të Regjencës si edhe qeverive nën juridiksiónin e Tij, që ato gjeneralitete i quajtën të mirëfilltë.

Së dyti, mos zënja në gojë e rrethanave lehtësuese që u krijuan në Shqipëri lidhur me shpëtimin e hebrenjëve ku Komanda Gjermane nuk ndërhynte në punët e brëndëshme të qeverive shqiptare, do apo nuk do Presidenti Nishani, ato janë të vërteta të cilave faqet e historisë nuk duhet t’u shmangen !

ARËSYEJA PSE U HARTUA KY SHKRIM :  Fillimisht unë, si shum’i entuziazmúar lidhur me dekretin Presidencial ku, me aq sa mund të dalloja unë dora-dorës, ishte ndjekur një kriter i drejtë lidhur me shpërndarjen e titujve dhe jo si zakonisht, i ndikuar kryekëput nga ideollogjia e kaluar e trashëguar nga historianët e indoktrinuar ku këndvështrim bazë ishte ai sipas luftës së kllasave !  Mirëpo nga që në vazhdim e pashë se Presidenti Nishani nuk i kishte vënë vetes detyrë që t’u jepte një leksjon historianëve lidhur me shkrimin e historísë, e ndjeva për detyrë … në mënyrë modeste dhe aq sa mundesha unë të kontribuoja me përvojën time, (për të cilën nuk kam asnjë meritë personale), t’ia bëja sa më të qarta lexuesit eventual të këtyre radhëve zhvi-llimet e mirëfillta historike të ngjarjeve përgjatë shtegut të peripecíve të familjeve Izraelite, ndonëse duke u munduar të shtoj qoft’edhe një grimcë sado të vogël ngjarjesh edhe faktesh por doemos duke i hedhur dritë së përgjithëshmes që historía duhet vetëm e me vetëm të përfaqësojë ngjarjet e ngjara ashtu siç kanë ngjarë !

E përgjatë kësaj vazhde nuk kam se si mos të ndaloj e t’i them dy fjalë edhe lidhur me familjen e dekoruar Nosi, të Elbasanit, ku prapseprap sipas meje, së vërtetës i anashkalohet.  Nuk kam asnjë vërejtje përkundrazi,  lidhur me emrat e Stiliano-s, motrës tij Adelina-s si edhe djalit të tij Vasilit, (për emrin e Kelkira-s nuk dij se ç’të them se lidhur me dekorimin e familjes Nosi nuk e njoh-M.K.).  Por ama nuk kam se si mos të ndalem e ta pohoj botërisht se në emërtimin e atyre që u akordohet titulli i lartë NDERI I KOMBIT lidhur me shpëtimin e hebrenjëve, nga ana e dekretuesit Presidentit Nishani, mungon emri i Lef Nosi-t. Ai si pjesëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ndonëse mbulonte atë post aq të lartë, e mori në shtëpinë e tij në Elbasan, e strehoi dhe e mbajti atje duke i a shpëtuar jetën hebréut prof.Mark Menahemit,(që në Maqedoní, tek e transportonin me tren drejt kampeve të vdekjes naziste, ish hedhur nga treni dhe kishte hyrë në Shqipëri) !   Kushdo mund t’a gjurmojë këtë fakt sepse prof. Mark Menahemi e ka bërë publike këtë ngjarje mbas vitit 1991, porse që ta mësojë saktë lexuesi, ai u dënua me katër vite burg nga diktatura komuniste me motivacionin se … kishte ndihmuar familjen Nosi !  E sa për informacion, duke pas qenë Lef Nosi atdhetár i shquar si edhe intelektual i mirëfilltë, nuk kish se ku përfundonte tjetër … veçse para skuadrës pushkatimit, mbas marrjes pushtetit nga diktatura komuniste.  Prandaj me gjithë zemër do ta kisha përgëzuar plotësisht Presidentin Nishani, në qoftë se Ai përgjatë këtij dekreti presidencial, do ta kishte pasë patur parasysh t’u mëkonte historianëve bashkëkohës të hiqnin dorë nga shtrembërimet e fakteve nisur nga shtysa ideollogjike dhe të kaluarat historike t’i paraqisin ashtu siç kanë ngjarë !  

Nuk kam se si mos të shtoj me këtë rast se edhe faktet që sjell unë, në asnjë mënyrë të mos konsiderohen të tilla nga historianët por, mbështetur në gjurmët e dokumentuara arkivale të sillen si edhe të komentohen siç e kërkon e vërteta !

Do t’i mbyll këto radhë me një pohim i cili nuk është se sjell shumë ujë në mullirin tim por … të thëna nga i madhi shkrimtar, poet si edhe mendimtár Oscar Wilde :

Gjithsecili mund të bëjë një faqe historíje por … vetëm njerëz të mëdhenj e kanë mundësínë ta shkruajnë historínë ! (E botoi:Gazeta Minerva)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kush i mbrojti hebrenjtë, Mergim Korca, ne Shqiperi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT