• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Nëse nuk di, pyet o burrë!

March 7, 2017 by dgreca

Bravo zoti Rama! Nëse nuk di, pyet o burrë!/

Nga Enver Bytyci/

Mbrëmë përmes një interviste të zëdhënësit të BDI-së në Maqedoni, Artan Grubi, mësuam se marrëveshja e partive politike shqiptare na qenka firmosur në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në emision, gjatë intervistës, u shfaq vazhdimisht një foto e tryezës së bisedimeve dhe nënshkrimeve, nën mbikëqyrjen e zotit Rama. Ndërsa sot kemi produktin negativ të këtij akti:

  1. Produkti kryesor është bllokimi i institucioneve të Maqedonisë, një akt ky i mirëllogaritur nga vetë presidenti i vendit, Igor Ivanov, për të krijuar alibinë e tij për bllokimin e jetës institucionale në këtë vend. Kjo përbën një pengesë të rrezikshme me mundësi potenciale për të sjellë në vëmendje e përsëritur ngjarjet e pranverës së vitit 2001. Megjithatë unë besoj se Maqedonia nuk do të shkojë deri në një përplasje të tillë. Kjo sepse atëherë ishin shqiptarët nismëtarët dhe autorët e nisjes së konsflitit, ndërkohë që sot duken krejt të qetë e të painteresuar për një gjë të tillë. Interesi ynë është stabiliteti e paqja në Maqedoni. Çdo konflikt atje do të sillte pasoja katastrofale për perspektivën e shqiptarëve. Ndersa Gruevski, Ivanovi e të tjerë mundet të kenë si interes konfliktin dhe destabilitetin. Zoti Rama ua dha alibinë për një përpjekje të tillë! Beavo!
  2. Produkti i dytë I marrëveshjes së nënshkruar në Tiranë është kriza e marrëdhënieve bilaterale midis Shkupit dhe Tiranës. Nisur nga akti formal i nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën e Edi Ramës, presidenti maqedonas ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për atë që ai e quan “ndërhyrje të Tiranës zyrtare në punët e brendshme të Maqedonisë”. Për herë të parë artikulohet një akuzë e tillë e mbështetur në një provë, të cilën kryeministri ynë ua dha peshqesh në dorë autoriteteve maqedonase në Shkup. Kjo e ka vënë në vështirësi edhe aleatin e zotit Rama, zotin Zaev, si dhe partitë shqiptare në Maqedoni.

Por ka vënë në siklet edhe miqtë e shqiptarëve në Europë e në SHBA. Eshtë e qartë se Ivanov i përdor firmat e krerëve të partive politike shqiptare në Maqedoni të hedhura në zyrën dhe prezencën e zotit Rama si preteks për akuza dhe refuzim të mandatimit të Zaev për formimin e qeverisë së re. Por është e vërtetë gjithashtu që zoti Rama ia dha atij këtë preteks vetë në dorë. Eshtë dhurata e kryeministrit tonë të papjekur për një politikë revanshiste antishqiptare të Gruevskit dhe Ivanovit në Maqedoni. Ky akt amatoresk i diplomacisë shqiptare dhe vetë kryeministrit tonë pa formim diplomatik erdhi për shkak të dëshirës së tij për protagonizëm. Protagonizmi është egoizëm, është mospranim i tjetrit dhe vënie e interesit vetjak mbi çdo gjë tjetër. Protagonizmi është unitarizëm, sjell arbirtrarizëm e autoritarizëm, madje është dhe mbetet nxitje e brendshme e njeriut për t’u shndërruar në diktator. Protagonizmi djeg etapat, nënçmon ekspertizën, nënvleftëson pasojat dhe shkakton trauma të pallogaritshme. Në familje e shkatërron atë. Në një rreth shoqëror rrënon kulturën e komunikimit dhe të marrëdhënies normale midis njerëzve. Në një shtet e shoqëri prodhon konflikte sociale e politike artificiale, të cilat kur plasin, shfrytëzohen për të mbuluar dështimet e një qeverisjeje të caktuar. Kjo e fundit ka ndodhur me marrëveshjen e nënshkruar në zyrën e prezencën e zotit Rama.

Argumenti se nënshkrimi në Tiranë i marrëveshjes për platformën e shqiptarëve në Maqedoni është nxitur nga egoja për protagonizëm përforcohet nëse kemi parasysh se bisedimet mund të bëheshin në Tiranë dhe aktorët e autorët e saj të ktheheshin e në një moment tjetër ta nënshkruanin atë në Shkup. Por edhe fotoja e shfaqur në media është në vetëvete një lloj karshillëku protagonistësh. E panevoshme deri në infinit. As diktatori komunist nuk do ta lejonte një idiotësi të tillë. Ky lloj egoizmi fatkeqësisht solli përmbysjen e principeve shtetërore të vendit tonë sa i përket sjelljes dhe marrëdhënieve me fqinjët. Politika dhe diplomacia jonë, e karakterizuar dhe e vlerësuar si diplomaci e ekuilibrit të admirueshëm, prodhoi nga njëra anë dy aleat miq, Serbinë dhe Turqinë dhe nga ana tjetër dy armiq, Greqinë dhe Maqedoninë. Ndërsa Mali i Zi qëndron në pjesën neutrale të politikave të qeverisë së Rilindjes, për shkak se konsiderohet “i pa rëndësishëm” për nxitjen dhe zhvillimin e protagonizmit të kryeministrit Rama. Greqia dhe Maqedonia shërbejnë gjithashtu si stmul i retorikës nacionaliste, strehë ku është futur kozmopoliti Edi Rama për shkak të nevojës për të maskuar dështimet e paimagjinueshme në politikat e brendshme.

  1. Kostoja e veprimit amatoreskt të zotit Rama në raport me partitë shqiptare në Maqedoni ka mundësi të kthehet në kosto për shqiptarët, kudo që jetojnë. Protagonizmin e zotit Rama do ta paguuajnë më së pari shqiptarët e Maqedonisë. Mund të jem i gabuar dhe dëshiroj që të gabohem. Por kam ndjesinë së bashkësia ndërkombëtare krahas presionit që do t’i bëjë Ivanov për dekretimin e Zaev për formimin e qeverisë së re të Shkupit, do të bëjë presion te partitë shqiptare që të heqin dorë së paku prej disa pikave kyçe të marrëveshjes në fjalë. Pse? Thjesht se kryeministrit të Shqipërisë i pëlqen të duket dhe të rrëmbejë flamuj që kurrë nuk ka dashur t’i valvitë. Pra, se zoti Rama kërkon protagonizëm dhe jo zgjidhje, kërkon duk dhe jo punë, kërkon reklamë dhe jo produkt, kërkon shou dhe jo sukses substancial. Ndërkaq ky akt do të ndëshkojë imazhin e shqiptarëve kudo ku janë, dhe mund të dëmtojë përpjekjet e Kosovës për institucionalizimin e pavarësisë së vendit, për shkak se amatorizmi dhe protagonizmi i zotit Rama do të shërbejë e po shërben si “nitrat amon” në kopshtin e shpifjeve antishqiptare, ku rritet e zhvillohet predikimi i vjetër dhe i ri, sipas të cilit, “shqiptarët përbëjnë rrezik për shpërthime të reja konfliktesh në rajon”. Këtë e shohim sidomos në retorikën e Nikoliç dhe mikut të zotit Rama, Vuçiç, në Beograd. Kështu, me dorën e tij, kryeministri ynë idiot lehtëson promovimin e tezave të propagandës serbo-sllave të kohëve të errëta për shqiptarët. Bravo zoti kryeministër! Nëse nuk di, të lutem pyet dhe konsultohu, o burrë! O burrë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Nëse nuk di, pyet o burrë!

Presidenti Thaci: 108 personalitete, “Hero i Kosovës”

March 7, 2017 by dgreca

Presidenti Thaçi dekoron 108 personalitete me urdhrin “Hero i Kosovës”/

Prishtinë, 7 mars 2017-Gazeta DIELLI/ Në ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar 108 personalitete me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, marrë për bazë kontributin, meritat e veçanta dhe veprat e trimërisë dhe sakrificës në luftën e UÇK-së, presidenti Thaçi ka dekoruar 108 ish-ushtarë të UÇK-së dhe personalitete tjera me urdhrin “Hero i Kosovës”. Ky vendim i presidentit Thaçi është marrë duke u mbështetur edhe në propozimet e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Këto janë personalitetet e dekoruara nga presidenti Thaçi me urdhrin “Hero i Kosovës”:

  1. Abdullah R. Tahiri;
  2. Abedin S. Rexha – Skenderaj;
  3. Adnan S. Shyti – Vushtrri;
  4. Afrim A. Vitia – Marec;
  5. Afrim M. Kiçina – Drenas;
  6. Agim Rr. Ramadani;
  7. Agron N. Mehmetaj – Deçan;
  8. Ajet H. Rukiqi – Drenas;
  9. Arben A. Haliti – Klinë;
  10. Arif B. Vokshi – Deçan;
  11. Arif D. Gjocaj – Junik;
  12. Arsim N. Muzaqi – Vushtrri;
  13. Asllan Z. Fazliu – Drenas;
  14. Avdi S. Mujaj – Deçan;
  15. Avdyl A. Jasiq – Junik;
  16. Avni H. Klinaku – Vushtrri;
  17. Avni R. Shabani – Mitrovicë;
  18. Azem H. Babiqi – Prishtinë;
  19. Bajram H. Bahtiri – Prishtinë;
  20. Bajram Xh. Mazrekaj – Deçan;
  21. Bajram XH. Musa – Mitrovicë;
  22. Bedri F. Ahmeti – Besianë;
  23. Bedri F. Ahmeti – Besianë;
  24. Bedri M. Demaku – Drenas;
  25. Besnik V. Maroca – Dardanë;
  26. Bexhet M. Brajshori – Prishtinë;
  27. Bislim K. Imeri – Vushtrri;
  28. Bislim L. Zekolli – Therandë;
  29. Blerim S. Lokaj – Deçan;
  30. Brahim A. Nura – Skenderaj;
  31. Burim I. Vitia – Prishtinë;
  32. Dalip H. Alshiqi – Prishtinë;
  33. Demir Ngucati;
  34. Driton K. Islami-Toni – Ferizaj;
  35. Fadil B. Nimani – Gjakovë;
  36. Fadil H. Maloku;
  37. Faruk N. Beqiri – Vushtrri;
  38. Fehmi Kastrati – Drenas;
  39. Feim A. Gashi – Rahovec;
  40. Fetah A. Gega – Therandë;
  41. Gani Xh. Paqarizi – Malishevë;
  42. Gazmend H. Mehmetaj – Deçan;
  43. Gazmend Z. Zeqiri – Skenderaj;
  44. Habib B. Zogaj- Malishevë;
  45. Hajdin S. Haliti – Orllan;
  46. Halim N. Ahmetaj – Prizren;
  47. Halit R. Coka – Kukës;
  48. Hamdi S. Berisha – Malishevë;
  49. Him R. Haradinaj – Deçan;
  50. Hyrë Emini – Mira- Ferizaj;
  51. Hyzri H. Talla – Besianë;
  52. Ilir R. Merturi – Klinë;
  53. Ilir S. Lushtaku – Skenderaj;
  54. Ilmi S. Aliu – Skenderaj;
  55. Imer M. Alushani – Drenas;
  56. Imer R. Krasniqi – Malishevë;
  57. Isa A. Havolli – Llapashticë;
  58. Isa S. Kastrati – Dardanë;
  59. Islam Kastrati- Drenas;
  60. Ismet H. Ukaj;
  61. Ismet S. Rama – Skenderaj;
  62. Ismet S. Uka – Skenderaj;
  63. Jashar Z. Jashari – Vushtrri;
  64. Jonuz S. Zeneli – Orllan;
  65. Kadri S. Kokollari – Therandë;
  66. Luljeta Shala- Drenas;
  67. Lulzim G. Morina – Lipjan;
  68. Mehmet B. Rrustemi – Skenderaj;
  69. Memë Z. Lleshi- Gjakovë;
  70. Mentor A. Tolaj – Deçan;
  71. Mentor O. Dervishaj – Burim;
  72. Mervete S. Maksutaj – Burim;
  73. Muharrem M. Misimi – Skenderaj;
  74. Murat M. Haliti – Skenderaj;
  75. Mustaf M. Haxhiu – Skenderaj;
  76. Myrt R. Zeneli – Gjakovë;
  77. Naim Sh. Beka – Ferizaj;
  78. Naser H. Lani – Skenderaj;
  79. Nuhi Z. Mazreku – Malishevë;
  80. Pajazit M. Ahmeti – Gjilan;
  81. Pren Z. Lleshi- Gjakovë;
  82. Ramiz I. Shala – Lipjan
  83. Ramiz S. Batusha– Deçan;
  84. Reshat M. Muqa – Therandë;
  85. Rexhep F. Kukaj – Prizren;
  86. Rrustem R. Hoti – Skenderaj;
  87. Sadik H. Shala – Lipjan;
  88. Sadik M. Bega – Ferizaj;
  89. Sadri A. Zeneli – Gjakovë;
  90. Sami N. Plakolli – Besianë;
  91. Selajdin H. Berisha – Prizren;
  92. Skender M. Rexhepi – Rahovec;
  93. Skender Z. Salihaj – Shtime;
  94. Sokol M. Sopi – Prishtinë;
  95. Sylejman N. Jashari;
  96. Shefket A. Muhadini – Shtime;
  97. Shefqet F. Mustafaj – Deçan;
  98. Shkëlzen R. Gacaferri – Junik;
  99. Valdet S. Xhemaili – Drenas;
  100. Xhavit Bajraktari – Therandë;
  101. Xhavit H. Gashi – Skenderaj;
  102. Xhavit J. Sylaj – Therandë;
  103. Xhemajl R. Rexha – Therandë;;
  104. Xhevat H. Demaku – Drenas;
  105. Xhevat M. Sejfijaj;
  106. Yll A. Morina – Gjakovë;
  107. Zenel T. Mziu – Skenderaj;
  108. Zymer F. Tolaj – Deçan;

Filed Under: Kronike Tagged With: “Hero i Kosovës”, 108 personalitete, Presidenti Thaçi

Urra, rrofshin mësuesit!

March 7, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Në vitet 1960, me një vendim të presidiumit të kuvendit popullor të kohës. U vendos që 7 marsi të njihej si dita e mësuesit. Kjo për nder të mësonjëtores së parë shqipe, në Korçë, po atë muaj të motit 1887. Atëhere në Shqipëri ishte e ligjëruar të mësohej gjithçka, përveç shqipes. Arabishtja e xhamive, osmanishtja e zyrave të Dovletit, greqishtja e qishave, vllahishtja ose arumunçja. Tek-tuk gjuha e frëngut dhe inglizit, ama veç shqipja jo.

Një akt i një grupi arsmitarësh të diplomuar jashtë vendit. Dhe me mbështjen e emigrantëve. Një e drejtë e fituar me çmim të lartë, aq sa sot shqiptarët e thonë me gojën e një mytesarifi, komandant xhandarmaje Anadolli. Kushedi me sa gjak e mund është paguar kjo rade (leje) për hapjen e shkollës së parë shqipe.
Megjithëse edhe ajo u doli hundësh. Më keq se vitet a shekujt e deriatyshëm. Nga të mësuarit skutave të shtëpive ku mbanim zairet. Për faktin e vetëm se, shqipja ishte herezi. Një paradoks social perandorak. Ku të gjithë e kuptonin, ama ne shqiptarët jo.
Një ngjarje e madhe që poeti ynë kombëtar, një nënpunës doganash, Naim bej Frashëri do e lavdëronte me vargjet ”lum si ti moj Korçë lule/ që le pas shoqet e tua”.
Por le t’i kthehemi ca fakteve që si një ironi e madhe na bien kokës.
Dhe që ne, nën atë euforinë, karakteristikë unikale e sojit tonë. Këtej bëjmë patriotin. Këtej mbulojmë të pëgërën. Këtej nuk ndërgjegjësohemi e t’i japim sharmin shqiptar. Mësuesit, apo arsimit në përgjithësi.
A është mësuesi vërtetë figura më e nderuar, kështu siç po e pretendojmë?
Marrim vetëm një fakt administrativ. Mësuesit nuk gëzojnë një status të nënpunësit të administratës. Për rrjedhojë në çdo ndërrim qeverish, janë të kërcënuar me vendin e punës. Madje edhe në arsim. Karriera bëhet përmes partisë. Jo për merita shkencore.
Biles i ndërgjegjësuar për këtë, arsimtari i kohës studion për të forcuar partinë, me diplomat apo kualifikimet e tia. Se sa vetveten apo figurën e nderuar të mësuesit a pedagogut.
Mësuesi, pavarsisht deklaratave nëpër statute publike, është figurë tallje. Një lloj modeli për t’i thënë tjetrit me sarkazëm, rri o mësues, rri. Kjo për shkak të atij statuti të mangët. Atij nënshtrimi kolektiv të profesionistëve të vërtetë karshi partisë.
Por edhe po ta quajmë të mirëqënë, postin politik të një mësuesi. Si drejtor shkolle përshembull. Eshtë një ngërç i madh në raport me kohën dhe arsimin bashkëkohor. E para se drejtori nuk emërohet për merita shkencore, por partiake. E dyta nuk emërohet në bashkëpunim me komunitetin e zonës ku vepron shkolla, por nga një mbledhje natën partie. E treta, drejtori nuk është punëdhënës. Që domethënë nuk të merr në punë. Ashtu si praktikat e kohës në botën perëndimore. Në punë të merr drejtoria arsimore, një praktikë tashmë e vdekur në botë, veç në Shqipëri jo. Drejtori merr në punë pastrueset, kurse arsimtarët janë një treg fitimprurës për drejtorinë dhe partinë. Vendet e punës shiten. Për rrjedhojë, vendi i punës nuk është kurrë i sigurt. Po ashtu edhe posti i drejtorit. I cili sado meritave, sado përgatitjes, nesër del një plaçkë e pavlerë. Që e zëvendëson çdo lloj i paafti.
Nga ana tjetër arsimi në përgjithësi vuan akoma nga metollogjia e shkuar e notës. Jo e kredit në pjesëmarrje. Testimet janë një treg i madh fitimi i një grupi njerëzish. Të cilët hiqen sikur testojnë, por në të vërtetë të shtrydhin për një kartmonedhë. A një drekë me meze e raki. Nga roli i mikut dhe ndërhyrjeve. Ndërkohë që në botë provimi a testimi është i vëzhguar nga kamerat, jo komisioni njerëzor.
Por këto lihen qëllimisht evazive. Në mënyrë që partia të ket pushtet…, mbi arsiminin tënd. Që është rënie sociale. Mbi diplomimin tënd. Që është kancer social. Mbi emërim tënd … Që është vdekje sociale. Një ndërrmarje serash me xham, për mbashtrimin dhe kultivimin e korrupsionit. Të edukatës na merre, futi diçka në xhep. Jepi se pa paguar nuk bëhet. Nuk shkojënë shkollë se duan lekë.
Jo rastësisht analfabetizmi kap shifrat mbi 18% të vendit.
Mbi 40% e shoqërisë janë vetëm me arsim 9 vjeçar. Ku 10% e marrin pa qënë fare aty. Mjafton të kenë emrin ose nr e amzës. Le të kenë ikur. Le të jenë në Greqi, Itali, Gjermani. Kudo le të jenë.
Nga ana tjetër arsimi është i mbytur nga paralelizmat e teksteve.
Nga tregu i teksteve të pavaruara. Apo dispenca.
Dhe lidhur me ato që thamë më sipër… përpjekja intelektuale për tu lëvruar në truallin e vet, karshi Anadollit e qishës greke. Sot Shqipëria lehtësisht mendon se është e çliruar. E unifkuar në arsim. Kur Turqia i kërkon me ngulm të rishikojë tekstet. Arsimit laik i ofron atë fetar. Në analogji me këtë, falemi greqisht. Edhe pse qisha nuk ka kërkuar as sot e kësaj dite një ndjesë për martirët arsimdhënës të Kolonjës. Ndërkohë që e bëri Vatikani për inkuizicionin katolik të mesjetës.
Vet shkollat si objekte, janë godina pa fitime dytësore. Mjaftohen me orarin mësimor. Dhe aq. Sidomos ato të sistemit 9 vjeçar. Nuk ofrojnë asnjë program pas mësimor. Aq sa të zhurmshme janë në mëngjes, aq të vdekura në mbrëmje. Ndërkohë në botë afrojnë plot gjëra, plot programe…, një lloj zerme plot energji e komunitetit ku operon.
Çfarë të thuash më? Në ditën e arsimit? Në ditën e mësuesit?
Eh, harrova…, shpërblimin. Pagën e 13-të në fund të vitit.
Po më mirë të vazhdojmë si turma. Urra, rrofshin mësuesit. Rroftë arsimi. Ia bëfshim në kokë për vit, si ngahera.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, rrofshin mësuesit!, Urra

MUZIKA TRADICIONALE E PROFESIONISTE SHQIPTARE:PROBLEME ESTETIKE

March 7, 2017 by dgreca

Nga Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI/

Universiteti Winthrop/Rock Hill, South Carolina/ U.S.A.1 ok Spiro Shituni Diktim i shijeve estetike muzikore të artdashësve!  Diktim!  Diktim!  Diktim!/

1.Në një shoqëri me të vërtetë demokratike, shijet estetike muzikore burojnë nga dëshirat individuale të njerëzve:  pë arsye të ndryshme, disa njerëz pëlqejnë më tepër muzikën tradicionale;  dëgjues të tjerë pëlqejnë më shumë muzikën klasike;  një grup i tretë njerëzish parapëlqen vetëm atë pjesë të muzikës tradicionale që i takon vend-lindjes ose vend-banimit të tyre;  një grup i katërt parapëlqen të ashtuquajturën muzikë e lehtë;  një grup i pestë—muzikën operistike;  një grup i gjashtë—muzikën instrumentore e orkestrore, etj.  S’mungojnë as grupe dëgjuesish ose individë që pëlqejnë më shumë se një zhanër artistik muzikor, sikurse as grupe dëgjuesish ose individë shijet estetike muzikore të të cilëve janë me të vërtetë specifike.Sa mirë që në një shoqëri demokratike askush nuk mund t’u diktojë artdashësve se çfarë lloj muzike duhet të pëlqejnë dhe se çfarë lloj muzike duhet të mos pëlqejnë!  Sa mirë që në një shoqëri demokratike artdashësit janë të lirë t’i drejtojnë valët e radios e të televizionit drejt muzikës së stacioneve radio-televizive të çdo vendi e kontinenti të botës!  Sa mirë që në një shoqëri demokratike dëgjuesit janë të lirë të dëgjojnë atë lloj muzike që, ndërsa të tjerët s’e vlerësojnë, për ‘ta është mjaft tërheqëse!  Askush nuk mund t’u diktojë artdashësve shijet estetike!  Askush!  Askush!  Askush!  As një Perandori Biblike!  Lart demokracia, e cila sjell liri!  Poshtë diktatura, e cila sjell skllavëri!

2.-Sidoqoftë, çdo shoqëri është e interesuar për të formuar shije dhe koncepte mbarë-shoqërore estetike mbi muzikën, ashtu sikurse mbi artin në përgjithësi.  Dihet se, shijet estetike, me gjithë praninë e elementit individual në ‘to, kanë gjithnjë karakter shoqëror:  përderisa formohen nën ndikimin e mjedisit shoqëror, ato asnjëherë nuk mund të merren të shkëputura prej tij.  Në këtë qerthull, muzika për brezat e rinj të shoqërisë—pa mohuar aspak natyrën e veçantë të saj—nuk është tërësisht specifike.  Duke marrë në konsideratë veçoritë psikologjike të moshës së brezave të rinj, shijet estetike muzikore të tyre sërish nuk janë tërësisht të ndryshme, në krahasim me ato të brezave të tjerë të shoqërisë.  Një dukuri e tillë shpjegohet me faktin që zhanre, stile, kategori të ndryshme muzikore, tradicionale ose profesioniste, janë njësoj të pëlqyeshme për të tërë brezat e shoqërisë.

3- Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila afërsisht përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991), arti profesionist shqiptar iu nënshtrua plotësisht teorisë dhe praktikës marksiste-leniniste dhe doktrinës së ashtuquajtur realizëm socialist.  Brenda këtij qerthulli, një ngjarje e rëndësishme artistiko-shoqërore në jetën e shoqërisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, siç ishte Festivali XI i Këngës në Radio-Televizion (dhjetor, 1972), tashmë mund të shihet si një protestë e hapur ndaj dogmave, klisheve, formulave të doktrinës së realizmit socialist.  Kompozitorët, poetët, regjizorët dhe organizatorët e këtij festivali, për herë të parë, synuan për t’u afruar disi me artin muzikor bashkëkohor të kombeve, popujve e grupeve të tjerë etnikë.  Përpara publikut shqiptar thellësisht të izoluar nga Partia Komuniste e Shqipërisë—udhëheqësja e jetës ekonomiko-shoqërore dhe politiko-kulturore të vendit–, këtë herë, u shpalosën një radhë dukurish të panjohura më parë, si:  u shfaq një nuancë e lehtë lirie artistike e shoqërore;  u sollën disa tema të reja të jetës së rinisë;  iu këndua dashurisë jashtë dogmave të ideologjisë marksiste-leniniste;  u dëgjuan disa këngë metrike/ritmike;  u vërejtën disa formacione të reja instrumentore;  u interpretua në mënyrë deri-diku të lirshme, etj.

Dihet se sa i madh ishte zemërimi i udhëheqjes qendrore të Partisë Komuniste të Shqipërisë ndaj Festivalit XI të Këngës në Radio-Televizion.  Në të vërtetë, Festivali u vlerësua si një ngjarje e rrezikshme artistiko-shoqërore, e cila mund t’i kushtonte rëndë udhëheqjes komuniste.  Prandaj, e trembur deri në palcë, ajo mbajti Penumin IV të Komitetit Qendror (qershor, 1973), i cili, as më shumë e as më pak, përcaktoi strategjinë themelore që duhej ndjekur në fushën e artit e të kulturës.  Ashtu siç pritej, përveç terrorit të kuq aq masiv, Plenumi u shoqërua edhe me dënime, persekutime e burgime.  Viktimat e para të tij ishin dy ideologë të sistemit politiko-shoqëror në fuqi:  Fadil Paçrami e Todi Lubonja.  Ata vuajtën dënime dramatikisht të gjata e të rënda në burgjet e llahtarshme të diktaturës komuniste!  Krahas tyre, aktori, regjisori, dramaturgu dhe pedagogu i mirënjohur, Kujtim Spahivogli, u internua për shumë vite me radhë, derisa u sëmur për vdekje!

Ndërkohë, edhe përsa u takon pjesmarrësve të Festivalit XI të Këngës në Radio-Television, dënimet nuk ishin më pak dramatike:  Këngëtari Sherif Merdani e regjizori Mihallaq Luarasi u futën në burg!  Këngëtarët Justina Aliaj e Françesk Radi, si edhe kompozitori Aleksandër Lalo, u dënuan ose internuan!  Poeti Sadik Bejko, redaktori i teksteve poetike të Festivalit, u internua! Pak a shumë, të njëjtin fat patën edhe dy konferencierët e kësaj veprimtarie artistike:  aktorët Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, etj.

4.Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, në emër të lirisë së njeriut dhe të krijimtarisë së tij, disa çështje estetiko-sociale që do të kërkonin shqyrtim të  vëmendshëm, si sot, ashtu edhe në të ardhmen, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:Përse duhej që të mos i këndohej aq shumë dashurisë në Festivalin XI të Këngës në Radio-Televizion?!

Përse duhej që dashuria të konceptohej detyrimisht brenda dogmave të ideologjisë marksiste-leniniste?!

Përse duhej që dashuria të mos shihej si ndjenjë e pastër, e sinqertë dhe e fortë, midis dy të rinjve?!

Partia Komuniste e Shqipërisë, në këtë rast, a nuk mori përsipër që t’u mësojë brezave të rinj të shoqërisë, jo vetëm se çfarë lloj muzike duhet të pëlqejnë, por edhe si të dashurojnë, sa të dashurojnë dhe çfarë të dashurojnë?!  (Sikur Ciceroni të ishte gjallë, para një gjendjeje të tillë, Ai sërish kishte për të thënë:  “O tempora!  O mores!”)

Historikisht, tërë sistemet politiko-shoqërore diktatoriale, pra, edhe diktaturat komuniste, janë hequr sikur kujdesen për njeriun, për jetën e tij private e shoqërore, për shijet e tij artistike e muzikore.  Po ashtu, tërë sistemet politiko-shoqërore diktatoriale, pra, edhe diktaturat komuniste, kujtojnë se kanë të drejtën e pronës mbi individin, mbi jetën e tij private, shoqërore e artistike.  Ndërkohë, shkrimtarët, kompozitorët e artistët asnjëherë nuk duhet të harrojnë misionin e tyre të madh:  t’i tregojnë shoqërisë të vërtetën edhe atëherë kur ajo (e vërteta) fshihet në forma nga më të ndryshmet prej sistemeve të caktuara politiko-shoqërore.

Shpërfytyrim i veprimtarisë së përfaqësuesve të muzikës shqiptare!  Shpërfytyrim!  Shpërfytyrim!  Shpërfytyrim!

1.Çdo kulturë muzikore mbi rruzullin tokësor, tradicionale ose profesioniste, përfaqësohet nga tre grupe, klasa ose kategori kryesore njerëzore:  i)  krijues;  ii)  interpretues (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.);  iii)  studiues (muzikologë, etnomuzikologë).  Nën-vlerësimi ose mbi-vlerësimi i njërit grup ose tjetër është një veprim i njëanshëm, teorikisht i gabuar dhe praktikisht i dëmshëm.  Si ligjësori universale, grupet kryesorë njerëzorë të botës muzikore janë njësoj të vlefshëm:  ata parakuptojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin.  Statusi i tyre në jetën e shoqërisë e të artit është i barabartë, si nga pikëpamja teorike, ashtu edhe nga pikëpamja praktike.

2.Përfaqësimi i muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare në fjalorë enciklopedikë ndërkombëtarë, nuk mund të jetë vetëm se shprehje e njohjes përherë e më të gjerë të saj në botën intelektuale e akademike.  Lejomëni të vë në dukje, midis të tjerash, një vepër të mirënjohur enciklopedike me karakter akademik, siç është, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, i cili është fryt i punës së qindra e mijra hartuesve.  Nëse krahasohet botimi i parë i këtij fjalori (Sadie, hartues. 1980) me botimin e dytë të tij (Sadie, hartues. 2001), me kënaqësi vërehet një rritje e ndjeshme e lëndës mbi muzikën shqiptare.  (Vetë përmasat e fjalorit u rritën në mënyrë të përfillshme:  ndërsa botimi i i parë ka 20 vëllime, botimi i dytë vjen me 29 vëllime!)  (Si shtjellim akademik të sintetizuar të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, brenda këtij fjalori, j’u lutem, shihni artikullin me titull “Albania.”  (Stockmann, Stockmann 1980);  (Leotsakos, Sugarman 2001).)

Sidoqoftë, për hir të objektivitetit shkencor, nuk mund të mos vihet në dukje se, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, s’ka mundur që t’i shpëtojë një mangësie parimore:  njëanshmërisë së theksuar.  Brenda tij, ndërsa krijuesit janë përfaqësuar në një masë deri-diku të pranueshme, interpretuesit (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.) e studiuesit (muzikologë, etnomuzikologë) janë mohuar tërësisht!  Njëanshmëria në përfaqësimin e kategorive kryesore njerëzore të universit muzikor s’është në nderin dhe prestigjin e asnjë lloj fjalori akademik, sado me emër qoftë ai!

Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgigje, si:  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të mungesës së kohës?!  Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj mbi-vlerësimi ndaj disa grupeve njerëzorë të botës muzikore, ose një lloj nën-vlerësimi ndaj disa grupeve të tjerë njerëzorë të botës muzikore?!  Por, duke qenë se, dukuri të tilla, kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme.

 3. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, janë botuar, gjithashtu, fjalorë muzikorë enciklopedikë në gjuhën shqipe, midis të cilëve, kronologjikisht, lejomëni të përmend:  Enciklopedia [sic] e muzikës popullore shqiptare (Tole, hartues. 2001), Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), etj.  Pa dyshim se, hartuesit e tyre—Vasil S. Tole, Sokol Shupo–meritojnë vetëm që të përshëndeten nga opinioni shkencoro-artistik.  Fjalorë të tillë ndihmojnë që të ngushtohet boshësia kritike në aspekte të ndryshëm të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, si:  pasuria, historia, përvoja estetike, autorët më në zë, veprat më përfaqësuese, etj.  Mirëpo, duke çmuar ndihmesën e tyre, njëkohësisht, nuk mund të mos vihet në dukje se, ata, herë pjesërisht o herë tërësisht, kanë pasur edhe mangësi parimore, midis të cilave lejomëni të përmend vetëm dy:  së pari, niveli shkencor cilësisht i diskutueshëm, si rrjedhojë e një lloj nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, në përgatitjen e tyre;  së dyti, zbehja e besueshmërisë shkencore, si pasojë e një lloj subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës, etj.

4.Mjerisht, në fjalorin enciklopedik me titull Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), i cili, në mënyrë parimisht të gabuar, i paraqitet lexuesit me titullin e një enciklopedie (!), mungojnë kriteret objektivë të parashtrimit dhe interpretimit të lëndës:  ata janë zëvendësuar de facto me praninë e kritereve subjektivë.  Kështu, çështje të tilla, sa të rëndësishme, aq edhe delikate, si:  i)  autorët që përfaqësohen;  ii)  autorët që nuk përfaqësohen;  iii)  sasia e informacionit për një autor të caktuar;  iv)  interpretimi i informacionit për një autor të caktuar, etj., zgjidhen, kryesisht, duke u nisur nga raportet personale të hartuesit me autorët!  (Të mos harrojmë se shumica e autorëve ende jeton!)  Si rrjedhojë, në rrafsh të përgjithshëm, bien në sy veçanërisht katër dukuri subjektive, personale, arbitrare: –prania e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!

-mungesa e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!

-lartësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!

-ultësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!

                  Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, autorët që hartuesi i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin me fat:  ata, ose u përshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u lartësuan subjektivisht, personalisht, arbitrarisht!  (O tempora!  O mores!)  Ndërkohë, autorët që hartuesi nuk i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin pa fat:  ata, ose s’u përfshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u ultësuan subjektivisht, personalisht, arbitrarisht!  (O tempora!  O mores!)  Prandaj, vetkuptohet se, në cilat raste vërehet njëra dukuri dhe se në cilat raste vërehet dukuria tjetër.  Sidoqoftë, në analizë të fundit, duke iu përmbajtur kritereve subjektivë, personalë, arbitrarë, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës, herë-herë, të vërtetat ua lënë vendin gjysmë të vërtetave, kurse gjysmë të vërtetat ua lënë vendin thjesht gënjeshtrave.  Pra, dëmi s’është i vogël:  veprimtaria e përfaqësuesve të muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, në vend që të jepej në dritë të vërtetë, jepet pak a shumë e shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!

Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, sërish vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgjigje, si:  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të mungesës së kohës?!  Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj simpatie personale ndaj disa autorëve, ose një lloj antipatie personale ndaj disa autorëve të tjerë?!  Por, duke qenë se dukuri të tilla kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme!

5. Fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten në mënyrë dramatikisht të nxituar!  Në analizë të fundit, nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, vetëm se krijojnë kushte për të pasur një nivel shkencor cilësisht të diskutueshëm.  Po ashtu, fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten as në mënyrë dramatikisht subjektive!  Në analizë të fundit, subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, vetëm se ua zbehin atyre parametrin themelor për çdo lloj libri me natyrë akademike:  besueshmërinë shkencore.

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, në çdo fushë të artit e të shkencës, as fjalorët enciklopedikë, as enciklopeditë, nuk mund të hartohen nga një studiues i vetëm, sado pretencioz që të jetë ai!  Përvoja më e mirë ndërkombëtare, dëshmon pikërisht për një dukuri të tillë.   (Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve—Sadie, hartues. 1980;  Sadie, hartues. 2001–, i cili sapo u përmend, p.sh., është fryt i punës së qindra e mijra autorëve!)  Prandaj, mbetet të shpresojmë se, në të ardhmen, brezat e rinj të muzikologëve e etnomuzikologëve shqiptarë, do të hartojnë fjalorë enciklopedikë dhe enciklopedi me ndihmesën e sa më shumë studiuesve.  Eshtë e qartë se, në këtë mënyrë, do të mund të përmbusheshin më lehtë dy kërkesa themelore parimore:  së pari, niveli shkencor cilësisht sa më i lartë;  së dyti, parashtrimi dhe interpretimi i lëndës në një mënyrë sa më objektive.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: :PROBLEME ESTETIKE, MUZIKA TRADICIONALE E PROFESIONISTE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI, shqiptare

Bashkia Shkodres mbulon me heshtje Marije Shllakun

March 7, 2017 by dgreca

Flijimi i Marie Shllakut vazhdon të lihet në heshtje nga Bashkia Shkodres !/
Ky shkrim unnamedështë një letër e hapur drejtuar Kryetares së Bashkisë Shkodër znj.Voltana Ademi në ditën ndërkombëtare të gruas!unnamed
 
Leonora Laçi, 2017/
 
 E nderuar znj. Kryetare!
Si femra e parë Kryetare Bashkie në Shkodër, për të cilen ndjehemi krenar, e të privilegjuar për përfaqësimin e femrës në pushtetin vendor si dhe për ta shfrytëzuar  këtë në dobi të femrës për femrën,  duke pas parasysh se zgjedhja juaj në krye të Bashkisë ka thyer tabunë e fanatizmit maskilist.
Por, krenaria zbehet kur vihet re që Shkodra një qytet që udhëhiqet për kaq dekada nga Partia Demokratike të lërë në harresë dhe në hije heroinën Marie Shllaku, antikomunisten e betuar e cila në moshë të re u pushkatua në Prizren për aktivitetin e saj politik.  Shkodra i ka borxh Marijes, prandaj ky shkrim le ti shkoj në tryezë znj.Kryetare dhe Këshillit Bashkiak të Shkodres. Sepse nderimi i Maries është nderimi i femrës, nderimi i Shkodres si qytet, qoftë një hapësirë për memorial, një titull nderi pas-vdekjes, një aktivitet përkujtimor.
Nëse ju keni hezitim apo mos njohuri për veprimtarinë e saj, unë jam e gatshme t’ju sjelli të gjithë librat që janë shkruar për të, madje dhe t’ju informoj për aktivitetet që janë zhvilluar në Kosovë, Shkodër, e Tiranë, apo përkujtimin dhe vlerësimin që i bën Kosova me emra rrugësh e nderime të tjera.  Prandaj Shkodra si qyteti i lindjes duhet ta vlerësoj dhe ta njoh aktivitetin e saj !
Boll me amnezinë institucionale prej disa dekadash !
Po e bëj këtë thirrje pikërisht me 8 Mars, pasi duhen kujtuar ato femra që u sakrifikuan për kombin, Shqipëria nuk ka vetëm Musine Kokalarin, ka shumë Musineja të tjera si Maria Shllaku, Bardha Gjomarku, Marie Tuci etj. Është për tu vlerësuar nderimi që Gjirokastra por jo vetëm ajo, po nderojnë Musinen, të cilat duhen marrë shembull dhe të jenë nzitje për nderimin e Marie Shllakut nga Shkodra.  8 Marsi është dita e sakrificës së femrës por edhe për të kujtuar përpjekjet e tyre  për barazi, paqe e drejtësi.
Po e risjelli një poezi që duhet të jetë epitaf për femrat që u flijuan për idealet kombëtare, kjo u shkrua prej një nga të dënuarit në gjyq me Marie Shllakun, profesori shkodran Shefqet Kelmendi që  i thotë të gjitha që duhen thënë për Marien si një vajzë 24 vjeçare që u quajt armike dhe u pushkatua, ajo e luftoi komunizmin me pushkë e penë.
Prandaj konsiderojeni këtë thirrje si domosdoshmëri dhe të nevojshme !
 
                                                              ***
“Pranë një qyteti është një varr pa varr. Është një vajzë e re që prehet në qetësi e varrin e saj askush sot s’e di…
Nuk ia thau rinin dashuria e vrarë.
Nuk ia shkimi dritën ndonjë e papritur.
Hëna pesëmbëdhjetëshe e harroi vetveten. Theu pasqyrën e nusërisë. I dogji edhe studimet, se një zë nga brenda i thirri:
“Bija ime, rininë tënde falma mua. Digje zemrën për mijëra zemra, që gufojnë sot anekënd!”.
Dhe Shkodrania doli në ballë me flamurin e Skenderit.
 
Re të zeza sterruan qiellin. Tymi mbuloi tokën tonë.
Sokolesha s’iku natën në dhe të huaj për të shpëtuar lëkurën.
Mali iu bë çerdhe.Toka ujë i dha të pijë.
Po një ditë me mjegull shumë, pesëthepat të gjallë e zunë…
-Ti armike e popullit,- i thanë në një sallë,- fol për fajet e tua !
-Për tokat e të parëve luftova sa munda. Kreva veç detyrën.
-Po ti, a e di se për këto krime plumbi ty të pret?
-Nuk më trembet syri. Unë ia fala jetën Kosovës martire. Ndaj dhe jam krenare, se mbi varrin tim lule do të sjellin të rinjtë e kësaj toke.
-Varrin tënd, nepërkë, askush s’do ta dijë.
-Kjo ka pak rëndësi. Emrin tim, zotëri, ju s’e zhdukni dot!
E salla pikoi lot…
Brinjët ty t’i thyen, po nuk ta thyen zemrën…
Buzët t’i shkrumuan, po s’ta mbyllën gojën…
Sytë t’i shterruan, po në dritë u shndërruan…
Verë e vitit dyzet e gjashtë…
 
Sot Prizreni në gji të vet
Me xhelozi ruan një sekret.
Borxhlinj të jemi, motra jonë,
O Marija, o shqiponjë !”
Shkruar në burg Zejmen, Lezhë 1986.

Filed Under: Histori Tagged With: Bashkia Shkodres, Leonora Laci, Marije Shllakun, mbulon me heshtje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT