• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Përbetimi rus…

March 4, 2017 by dgreca

Shkruan Rexhep KASUMAJ- Berlin, mars 2017/Nga Kullat e Kremlinit vjen shqetësimi i stisur. Një shkollë e vjetër pansllave që kurrë s’u lodh të punojë kundër shqiptarëve. Vërejtja e Moskës ka po atë amzë të njohur dhe po atë floskulë të fshehtë diplomatike: perëndimi dhe shqiptarët destabilizojnë Maqedoninë.

Po kush e thotë këtë?

Rusia që (pa vajtur larg në të kaluarën e errtë) përzihet e ndërhyn me spiunim kibernetik, para dhe ushtri kudo që i diktojnë interesat e saj për resurse, tregje e shtigje gjeopolitike në botë?

– Ajo anekson Krimenë e Detit të zi me vjegën që rusët e përsekutuar vendorë e nëvojisin këtë.

– I vë poashtu Ukrajinës, me vrasje e gjak, jashtë kontrollit gati gjysmën e territorit sovran tash sa vjet.

– Gjunjëzon për vdekje deri në kufijtë e zhbërjes, një komb e qytetní të tërë: Sirinë dhe atllasin kulturor të Shamit.

– I ofronte ndihmë danaike Greqisë në orën e vështirë të krizës, që ajo të refuzonte Brukselin dhe, këso udhe, ti jepte një të çarë Ngrehës europiane.

– Publikon, e mbase, falsifikon dokumenta të besueshëm të rivales Klinton, duke ndikuar zgjedhjet dhe, më pas, përplasjet civile në Amerikë.

– Ka hedhur në qarkullim misionarët subverzivë në Baltik që, dhe atje, popujt të thërrasin për mëshirë hemetat ruse.

– I jep kredi prej 50 milionë eurosh Marine Le Pen, shefe e Frontit nacional, që Franca të ndjekë britët dhe të shuhet Europa komunitare.

– Gatitet (me ç’thonë) të turbullojë ujërat elektoralë dhe në Berlinin e Zonjës së rëndë Merkel.

– Mban peng e të çorientuar Serbinë, duke i dhënë krah shpirtit testamental të krimit në filozofinë shtetërore të saj.

– Instrukton e mbështetë një grusht shteti në Mal të zi, ku, sipas skenarit komplotues, duhej të mbetej i vrarë premieri i tij.

– I ndërsen serbët boshnjakë për ta defunksionalizuar Bosnjën me projektin e Reich – ut të madh serbian (“nga varret në perëndim e deri tek tempujt në jug”).

– Bën shpesh një ekuacion simetrik mes Kosovës e Krimesë, anipse kanë territore, histori, popull, gjenealogji e përmasë krejtësisht ë ndryshme.

– Shpall se vetëvendosja e popujve është themel i lirisë, por, ndërsa kërkon t’i njihet pushtimi i gadishullit heterogjen – refuzon të njohë Kosovën, vullnetin e ligjshëm të popullit të saj shqiptar.

Ja ky është indi i politikës ruse që rikthen teatrin e vjetër në motin e ri. Por, njëkohësisht, ky është dhe kodi i sjelljes reale në marrëdhëniet ndërkombëtare: një lokomotivë që nuk e lëvizin as drejtësia e parimet dhe as dhimbja e lotët. Janë vetëm interesat e fuqia që përcaktojnë frymën dhe rendin tij.

Dhe të botës, mjerisht!

Filed Under: ESSE Tagged With: Përbetimi rus..., Rexhep Kasumaj

Java teatrore e sime mëje

March 4, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) 8 Marsi
Më 8 Mars të këtij viti, 2014, mbushen plot dhjetë vjetë nga dita që ndërroi jetë dhe mori dhe’ ime më. Për disa ditë ajo do të mbushte shtadhjetë. Nuk e arriti. Bëri në mënyrë përfekte avazin e të shoqit.
Sa herë që vjen marsi, javën e parë unë e kam thirrur gjithmonë si java e saj. Kjo grua me histori nga njerëzimi i madh, asnjëherë pjesë e ndonjë e hallke shteti, apo qeverie, veç në atë të fundit, punëtore. Një pastruese shkollash dhe spitalesh. Thjesht njerëzim i madh, kishte në vetvevete sharmin e një intelektualeje klasi. Arsimimi i saj, përvoja e jetës.
Vështrimin psikoanalist më të përsosur në botë, kulturën e domosdoshme për të folur fare qetësisht edhe me personalitetin më të lart. Qoftë ky nga shteti, arti apo shkenca. Asnjëherë e friguar nga miqësia, qoftë edhe kur shoqet e saj ishin gra të deglasuara. Priste dhe i shkonte me kënaqësi një gruaje nga Pluku. Gruaja e Kapllan Resulit. Me humor të hidhur. Aq sa do kënaqeshin duke ia hedhur dhe pritur njëri-tjetrit. Ajo dhe Cekja i madh.
Ajo dhe shkrimtari humorist, i ndjeri dhe i madhi Shaban Manahasa.
Në javën e saj unë do flas për kurajon në fundin e jetës. Dhe dashurinë. Ndofta këtë të dytën mund edhe ta kem. Të parën nuk e di. I përket së ardhmes.
2) Java teatrore
Përse java e saj? Ka të bëj me kurajon. Me zemrën. Duhet të jetë prova më e madhe për njeriun, afati i jetës. Të dish se ke edhe kaq ditë apo kaq orë, etj. Dhe pa diskutim që nuk është çështje moshe. Jeta është e dhimbsur për çdo të tillë. Eshtë bota e ethshme ku njeriu mund të t’i lyp fatit mëshirë. Nuk bëhet pis. Ose nuk i trëmbët faktit të të gjëndurit në atë lloj situate. Janë gjëra njerëzore. Ku ta dish.? Janë përvoja të trishta, aq sa edhe ti shkruash nuk ke dëshirë. Por, jeta, e tillë qënka. Ka qënë java teatrore e saj. Në fund do të ikte. E kishte vendosur. Ndaj ditën e parë, në dhomën e pastër, mes librave të mi. Të cilët i ruante me fanatizmin më të madh dhe ku unë vetëm asaj i besoja që të mos dilte ndonjë kopje nga shtëpia. Kërkoi të takohej me njerëzit. Afati vetëm për dy ditë. Të tjerat ditë i donte me fëmijët. I donte të pastra dhe pa një pasqyrë në dhomë. Ditë ku njeriu nuk do ta shohë veten as për fytyrë.
E filloi me krushkën e madhe. E donte atë njeri. Flisnin bashkë për tekat dhe grindjet e të rinjëve të tyre. Teatër njerëzor. I tha që po vdiste, i fali shallin e saj, ndërsa tjetra qante. U përqafuan…, ndërsa ajo i kërkoi të mos qante.
U ndanë pa fjalë. Unë dëshmitari i gofusor. Kisha urdhër të mbaja veten. Kështu e disa ditë me radhë.
Ditën e fundit, u tha vajzave dhe nuseve të mos mbanin zi. Urrente të zezën. Donte ngjyrat. Dritën, diellin.Mbylli sytë në prehrin e djalit të madhe. Dashuria e brishtë. Meraku i saj.
Edhe sot e kësaj dite pyes veten. A do e kem ndonjëherë këtë kurajo? Unë, biri i saj .?.
3) Dashuria për lulet
Izabel Aliende, autorja e famshme e Shtëpisë së shpirtrave, e përndjekura e Pinochetit për shkak se është e mbesa e Salvador Aliendes, të cilën e kam edhe në listën e miqve këtu në facebook, më ka edukuar ritin e magjik të dheut të vendlindjes. Në vitin 1973 ajo do të ikte nga Kili për në Venezuele, mori me vete një vazo me lule. Më pas do të shkruante, ajo tashmë është rritur njësoj si malli im. Zbulova së fundi, pavarsisht moskomunikimit, këtë e kishte praktikuar edhe një shoku im i shkollës. Fred Basha nga Fieri. Me siguri, me dhjetra e mijra emigrantë të tjerë. Im vëlla më vendosi një kalem begonje me një grusht dhe’ në një shishe plastike nga ato mbi njëlitroshet të Cocacola-s. Mu kujtua Izabela. Më kujtohet edhe tani që po shkruaj këto radhë. Begonja ia ka kaluar mallit tim. Si unë dhe Fredi nga Fieri, i kemi jo thjesht lule, por gjymtyrë të nënave. Kapilarë të zemrave.
Ka një tjetër dashuri tek njeriu, që herë me naivitet, herë me çiltërsi, me dashje, pa dashje, shpall një tjetër dashuri e cila gati gati bëhet e krahasueshme me atë të njëriut për njëriun. Pra ekzistenca e një tjetër dashurie, asaj për lulet. Oborri i sime mëje dominohej nga mullagat. Por debulesa e saj ishin zambakët, begonja. Mbronte me dhimbje një zhardhok zymbyli. Një kajsi të çelur nga një hedhurinë. Një mandarinë apo një nespull. Sa herë që vjen pranvera më shkon mendja tek kjo dashuri. Tashmë unë jetoj në një vend me pranverë të përhershme, aq sa më vjen keq që kur shoh si stinët të ngrëthurura tek njëra-tjetra, nuk kuptohen kur vijnë, nuk kuptohen kur ikin. Me një fjalë nga ana që lind dielli çelin sythë të rinj, nga ana që perëndon, bien gjethet e vjetra. Por prapë shenjat e asaj tonës i kam me vete. Mi tregon lulja e saj, begonja.
4) Disa fjalë me ‘të …
Cigaren e kam lënë, nuk të shoqëroj më. Begonjën e krasita, ia kaloi edhe shtatit tim. Kam mbjell dhe zambak, kam lule fasuleje plot të tjera. Gjeta Elvin duke shikuar fotot e mia me ty. Më pyeti i tregova gjerë e gjatë. Mu hodh në qafë, më përqafoi. Eshte bërë djal i madh. Të përshendes e bukura ime.

Filed Under: ESSE Tagged With: e sime mëje, Ilir Levonja, Java teatrore

AVOKATJA

March 4, 2017 by dgreca

Tregim Nga Pierre-Pandeli Simsia/
 
…Ajo erdhi nga Shqipëria si vizitore tek prindërit e saj në Nju Jork bashkë me vajzën e saj foshnjë 5 muajshe e pajisur me vizë turistike tre mujore nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë.
Garanci i kishin dalë prindërit e saj që banonin prej disa vitesh në Nju Jork.
Ishte grua e re në moshë, jo më shumë se 30-të vjeçe; tërheqëse në pamjen e saj të jashtëme, trupbukur për ta patur zili’.
Me kryeneçësi u prezantohej njerëzve të saponjohur, miqve të prindërve të saj, profesionin e juristes që kishte ushtruar në Shqipëri.
Pas diplomimit, pak vite e kishte ushtruar atë profesion, madje, thoshte se në Shqipëri kishte punuar juriste në një institucion të rëndësishëm shtetëror, por, për fatin e saj të keq, padrejtësisht, shefi i saj, e kishte larguar nga puna. 
     – Si ka mundësi! – Bisedonin me njëri tjetrin disa miq të familjes së prindërve të saj që ishin njohur në Nju Jork. – Duhet të jetë paaftësia e saj në ushtrimin e profesionit të juristes në atë institucion të rëndësishëm shtetëror, ose, ajo do jetë diplomuar në atë kursin e famshëm disa mujor, që, jo pak njerëz të moshave të ndryshme u diplomuan nga ai kurs, madje zunë edhe vende kyçe ne institucione të ndryshme shtetërore partiake!
Që në ditët e para të mbëritjes në Nju Jork filloi të zbatojë planin e qellimit të ardhjes, të fitonte azilin, pajisjen me dokumentin kryesor Green Card, për të qenë banore e përhershme e Amerikës.
Pa humbur kohë, iu drejtua zyrës së emigracionit, atje ku ishte edhe avokati i njohur amerikan, zoti Xhan (Mr John).
Unë kisha dy vjetë që punoja me kohë të pjesshme (part time) përkthyes në zyrën e avokatit Xhon meqenëse edhe flas disa gjuhë të huaja: gjuhët, angleze, spanjolle, portugeze, italiane.
Zyra ku isha punësuar unë ishte paradhomë me zyrën e avokatit Xhan.
Më të shumtët emigrantë që aplikonin dhe vinin në zyrën e avokatit Xhan për t’u pajisur me kartën e gjelbërt, ishin qytetarë nga Amerika Latine  spanjishtfolës dhe shqiptarë.
Sipas orarit të takimit me avokatin Xhan, ajo u paraqit në zyrën e tij rreth orës 11.
Sapo hyri, më përshëndeti me mirësjellje. Me të njëjtën mirësjellje ia ktheva edhe unë përshëndetjen.
Pasi shkëmbyem bisedat e zakonshme të njohjes me pyetjet refren për të mësuar prejardhjen tonë, i kërkova të më jepte dokumentacionin dhe të më spjegonte edhe njëherë të përmbledhur historikun e saj në Shqipëri, shkakun dhe arësyet e largimit nga puna si avokate në atë institucion të rëndësishëm shtetëror. Praktikë më se e zakonshme e punës sime kjo, që të isha në dijeni të çështjes për të cilën do ia përktheja avokatit.
Avokati Xhan ishte njohur edhe më parë me kërkesën e saj për azil dhe me dokumentat që ajo kishte paraqitur.
Ndërsa ajo fliste, e bindur në ato që më thoshte, në fytyrë i lexohej besimi për çështjen për të cilën edhe kishte ardhur; të fitonte azilin.
     – Ndjehem shumë e emocionuar, por, edhe seç kam një parandjenjë të brendshme se çdo gjë do shkojë mirë; përfundimi i kësaj çështje do jetë në favorin tim. Apo jo, zoti…
     – Majk – i ndërhyra unë menjëherë. – Më quajnë Majk (Mike) jemi bashkëkombas dhe më pëlqen që të më thërrasësh Majk pa e përdorur fjalën, zotëri, sepse kështu e bëjmë edhe më të afrueshëm komunikimin tonë.
Ajo buzëqeshi. – Majk, ti si mendon? Kam shumë shpresa tek ky avokati i njohur këtu.
     – Shpresoj që çdo gjë të jetë në favorin tuaj – i thash.
I lexova me kujdes të gjithë dokumentacionin që ajo më paraqiti    
    – Dokumenta të tjera, nuk ke? – e pyeta.
     – Jo! – m’u përgjigj ajo menjëherë. – Nuk kam, por, këto besoj se janë të mjaftueshme.
Unë nuk fola; i rilexova disa herë. U çova nga karrigia dhe eca drejt derës së zyrës së avokatit.
Ia lash sipër tavolinës dhe prisja kur ai të ishte gati e të na thërriste.
 
Që në takim bisedën e parë me avokatin, ajo shfreu gjithë mllefin e saj kundër ish shefit të saj në Shqipëri që, me pa të drejtë, sipas saj, e kishte larguar nga vendi i punës; madje provat e saja ishin të forta.
Sipas spjegimeve që ajo i paraqiti avokatit Xhan, ish shefi i saj në Shqipëri kur kishte punuar në atë institucion, ishte burrë imoral. Jo pak herë, kur hynte në zyrat e ndryshme ku punonjëset ishin femra, harronte, apo bënte sikur harronte të mbërthente pjesën e përparme të pantallonave.
     – Të lutem!  – më ndërpreu mua avokati Xhan, ndërsa unë vazhdoja t’i përktheja ato çfarë më thoshte juristja shqiptare.
     – Të lutem, Majk! Të lutem, mund të ma përsëritësh edhe njëherë çfarë po më thoshje?
Ajo nuk kuptonte shumë fjalë në gjuhën angleze, por fjalën, të lutem, kur avokati Xhan m’u drejtua mua, e kuptoi.
Më vështronte me sy të trembur dhe priste se çdo ti thoshja unë.
Pa e lënë që të më pyeste, i thash: avokati po më thotë që t’ia përsëris edhe njëherë ato që po më thua ti, pra, ish shefi yt në Shqipëri qenka burrë imoral dhe shpesh herë hynte në zyrat tuaja me pantallona të zbërrthyera në pjesën e përparme të tyre.
     – Po! – tha ajo menjëherë duke e ngritur pak tonin e të folurit – Është e vërtetë – dhe pa nga avokati si të kërkonte mbështetjen e tij.
Ia përktheva avokatit fjalë për fjalë ashtu siç edhe ia kisha përkthyer pak më parë.
     – Pyete, – m’u drejtua mua avokat Xhan-i. – Sa kohë i vazhdoi ato veprime ish shefi i saj, pra, që hynte dhe dilte në zyrat ku punonjëset ishin femra, ashtu siç po thot kjo?
Dhe përgjigjja e saj ishte: – Pothuajse që kur fillova unë punë atje, madje këtë ves të ish shefit tim ma thanë edhe ish koleget e mija që ishin punësuar më parë se unë. 
     – Domethënë, – m’u drejtua mua avokati, – që në ditët e para të fillimit të punës, kjo paska patur dijeni për veprimet e pahijshme të shefit të saj, madje edhe i paska parë vetë, por, atëhere nuk i bënë përshtypje, ndërsa tani, po i përdor si provë të fortë bindëse…!
Avokati tundi kokën majtas djathtas. Pastaj, pas një heshtjeje të shkurtër, e pyeti:
     – Sa kohë punove ti në atë zyrë me një shef të tillë imoral? 
     – Dy vjetë dhe katër muaj – u përgjigj ajo pasi unë ia përktheva. 
Fytyra i mori një çehre ngjyrë rozë; dukej se po i lulëzonte. Mendoi se, ndërhyrjet e avokatit me pyetjet e njëpasnjëshme ishin në favor të saj. 
     – Shumë faleminderit, – më foli mua me zë të ulët.
Unë nuk fola; po ndjehesha i paaftë ti përgjigjesha buzëqeshjes së fytyrës së saj.
     – Çfarë thot? – Pyeti avokati Xhan.
Unë bëra sikur nuk e dëgjova, shikimin e kisha hedhur mbi disa shkresa që kisha përpara.
     – Domethënë, paska punuar avokate në atë institucion shtetëror në Shqipëri nën mbikqyrjen e një shefi imoral që bënte edhe veprime të turpshme, foli avokati Xhan pas një heshtje të shkurtër dhe kokën e mbante ulur mbi shkresat që kishte përpara. U duk se po mendonte diçka, pastaj, pa folur, u çua nga karrigia dhe me hapa të ngadaltë shkoi pranë dritares. Shikimin e kishte hedhur diku jashtë.
     – Të lutem Majk, – më foli ajo me zë lutës. – Çfarë të tha avokati?
     – Nuk ka thënë asgjë të rëndësishme, përveç atyre pyetjeve që të thash edhe ty.
     – Pse u çua nga vendi? Çfarë po mendon? Oh, Zot! Sa me ankth që jam tani! Më ka hipur një sekëlldi e brendshme. Pse e ndërpreu intervistën me mua?
     – Janë në praktikën e tij këto veprime – u mundova unë ta qetësoja.
     – Po me të tjerët si unë kur vijnë këtu, kështu vepron ky? – vazhoi ajo me pyetjet duke folur me zë të ulët. Në fytyrën e saj po dalloja frikë.
     – Të thash, janë në praktikën e tij të punës këto veprime që po bën; madje ai edhe mund të dalë jashtë për disa minuta e të kthehet prap.
Avokati Xhan, u kthye nga ne dhe përsëri me hapa të ngadaltë erdhi dhe u ul në karrigen e tij të punës.
Pa folur, sytë i mbante ulur përdhe dhe me gishtat e pëllëmbës së dorës së majtë godiste lehtë tavolinën e tij të punës si të mbante ritmin e një muzike. (Avokati ishte mëngjarash, shkruante me dorën e majtë)
     – Kam edhe këto për t’ia treguar – më foli përsëri ajo me ngadalë dhe, pa pritur që unë ta pyesja, hapi çantën dhe nxorri një mbështjellëse në ngjyrë blu. E hapi; dallova një gazetë në gjuhën shqipe dhe disa fotografi.
     – Çfarë dokumentash të tjera ke? – e pyeta.
     – What’s happening? Çfarë po ndodh? – më pyeti avokati.
     – Ka edhe disa dokumenta të tjera për t’ju treguar, zoti avokat.
Ai u duk se nuk ishte i interesuar për të parë çfarë fakte të tjera kishte sjellë ajo.
Ajo zgjati dorën; – janë prova shumë të besueshme – foli duke m’i dhënë.
Unë mbaja përpara duarve gazetën dhe tre fotografi pothuajse të ngjashme me njëra tjetrën. Ato fotografi i pash të botuara edhe në gazetën që më dha ajo. Nuk po më dukeshin prova shumë të forta, siç u shpreh ajo për ta bindur avokatin në padrejtësinë që i ishte bërë.
     – Çfarë janë ato? – më pyeti avokati indiferent.
Pa folur, i zgjata dorën për t’ia dhënë.
Avokati i mori gazetën dhe fotografitë dhe po i mbante përpara duarve. Shikimi i tij u mbërthye mbi to. Ai po shikonte një burrë në shoqërinë e disa miqve apo shokëve të tij në një restorant, ulur në një tavolinë që po drekonin apo darkonin.
Dallohej shumë qartë; në pjatat përpara tyre, ushqimi që po hanin, ishin pasta, makarona spageti. 
Avokati, ngrysi ballin, i dha buzëve një shtrembërim të lehtë dhe pa e ngritur kokën, zgjati dorën drejt meje duke m’i dhënë. 
     – Ç’janë këto? – pyeti avokati hetueshëm, pa iu drejtuar askujt.
Makaronat ishin një nga ushqimet e tij të preferuar.
     – Janë ato palaçollëqet që bënte ai maskarai, ish shefi im, – shpejtoi ajo të spjegonte.
Shtypi i partisë kundërshtare të shefit të saj, nëpërmjet kamerës së fshehtë, e kishte regjistruar shefin duke ngrënë drekë apo darkë private në një nga restorantet e ndryshme me grup shokësh dhe ato fotografi i kishin botuar në shtypin e tyre si diskreditim ndaj shefit.
Në zyrën e avokatit kishte rënë heshtja. Unë nuk dija si të veproja. Herë herë shikimin e hidhja nga avokati dhe herë herë e hidhja nga ajo.
Avokati kishte mbështetur mjekrën mbi pëllëmbën e dorës me krahun gjysëm të përthyer dhe dukej se diç’ mendonte.
Fytyra e saj shprehte ankth. Por, heshtjen e theu vet avokati.
     – Përktheja – m’u drejtua mua. Pastaj duke folur, shikimin e hodhi nga ajo: – Meqenëse jeni edhe vetë avokate, siç po na prezantohesh, besoj se mirëkuptohemi. Pretendimet e tua, me ç’dëgjova nga përkthyesi, bashkëkombasi yt i nderuari Majk, nuk janë aq bindëse për të fituar statusin, qellimi i të cilit ti ndodhesh sot këtu. Nuk janë prova bindëse këto për mua dhe për cilindo avokat tjetër ku mund të shkosh ti këtu në Amerikë, të pajisesh me dokumentin kryesor për të qenë banore e përhershme e Sh. B. A-së.
Fotografitë, të cilat ti ne na i paraqite si provë kundra ish shefit tënd në Shqipëri atje ku edhe ke punuar, jo vetëm që nuk janë bindëse, por, si avokate që je, duhet ta dish shumë mirë, janë veprim i kundraligjshëm. Sepse, të investigosh, të fotografosh cilindo qoftë ai apo ajo në jetën private dhe ato t’i bësh publike, janë edhe të dënueshme ligjërisht.
Por, ajo që dua të të them, madje që në fillim kur ti ne na spjegove pretendimin tënd në lidhje me imoralitetin dhe sjelljet e pahijshme të ish shefit tënd në zyrat tuaja përpara grave ku njëra nga ato ke qenë edhe ti, dua të të pyes: Sigurisht, ato veprimet e tija të turpshme janë të dënueshme dhe të papranueshme për ty për të punuar me një shef të tillë, por, ti atë fakt e ke mësuar që në ditët e para të punësimit tënd nga ish koleget e tua të punës, apo jo? Gjithmonë, sipas dëshmisë tënde tani këtu, po të flas. Dhe, megjithatë, ti pranove të punoje më shumë se dy vjetë edhe pse i shihje veprimet e tij të pahijshme. Sigurisht, bashkëshorti dhe familjarët e tu, atë veprim të ish shefit tënd e kanë mësuar pasi ai ty të largoi nga vendi i punës. Vallë, ti e bisedove ndonjëherë me bashkëshortin tënd gjatë kohës që vazhdoje të punoje atje? I the ndonjëherë bashkëshortit tënd, nuk më vjen të shkoj në punë, madje as nuk dua të punoj me një shef të tillë, imoral? Dhe, sigurisht, përgjigja vetvetiu, është, jo, nuk i ke thënë, se, përndryshe, nuk do kishe vazhduar të punoje më shumë se dy vjetë. Bashkëshorti yt dhe gjithë familjarët e tu i kanë mësuar të gjitha ato fakte vetëm kur ty të larguan nga vendi i punës, praktikë kjo më se e njohur që, kur punonjës të ndryshëm privatë apo shtetërorë, kur pushohen apo largohen padrejtësisht, sipas pretendimit të tyre, nga vendi i punës, atëhere shfrejnë mllefin e tyre të mbajtur sekret brenda vetes, dalin përpara kamerave televizive, japin deklarata në shtyp, bëjnë lajm, mbushin faqet e ndryshme gazetash me bëmat që kanë ndodhur në institucionet ku ata kanë punuar.
Më vjen shumë keq zonjë, por, po ua përsëris edhe njëherë, faktet tuaja dhe provat që na paraqitët këtu, nuk janë bindëse – vazhdonte avokati të fliste me mirësjellje të stërholluar.
     – Dhe, për ta mbyllur këtë takim, ju rekomandoj se, për të qenë korrekte me ligjet e Shtetit Amerikan, sigurisht që ti i di vetë, meqenëse je edhe avokate, (avokati sajoi një qeshje të lehtë që u duk ironike) brenda afatit tre mujor, atëhere edhe kur ju mbaron edhe afati i dhënies së vizës për të qendruar në Amerikë, ju bashkë me vajzën tuaj duhet të ktheheni në vendin tuaj, në Shqipëri.
Avokati zgjati dorën nga ana e majtë e tavolinës së tij të punës. 
Ajo nuk e pa se ç’farë mori ai; syt i kishte ulur përdhe. Vetëm kur dëgjoi avokatin t’i flasë, e ngriti kokën.
     – Merre këtë – tha avokati dhe zgjati dorën për t’i dhënë diçka. – Këtu është e regjistruar e gjithë biseda jonë, pra edhe e përkthyesit tonë të nderuar Majk. Merre, mbaje, është e jotja, ndoshta do të duhet edhe si provë bindje e përkthimit të saktë nga përkthyesi Majk. Bashkë kemi mbaruar punë – dhe u çua nga karrigia.
Unë edhe pse isha i bindur në provat që ajo na solli që nuk do e fitonte kërkesën e saj për azil, e pash dhimbshëm në sy. U çova dhe unë nga karigia ime për ta shoqëruar jashtë.
M’u dhimbs shumë, shumë, për më tepër kur i pash syt e përlotur. Në fytyrë i dallova qartë një shprehje pikëllimi. 
Asaj në zemër i ishte mbledhur një lëmsh. Nuk u përmbajt dot, ia shkreu të qarit me ngashërim. Nuk po iu zinte besë fjalëve të avokatit që sapo dëgjoi.
     – Të lutem! Të lutem Majk! – më foli me zë të dridhur dhe të përvajshëm. – Më mundëso edhe një takim tjetër që të vij përsëri, ndoshta, ndoshta… – nuk mundi dot të vazhdonte të fliste. Në grykë i ishte bërë një nyje.
Po ndjeja keqardhje në zërin e saj; po më dhimbsej shumë. Duke e parë pikëllueshëm, i thash:
     – Edhe unë, të lutem shumë. Ju kuptoj shumë mirë juve dhe gjendjen tuaj shpirtërore, por, nuk është në dorën time. Avokati e studjoi kërkesën tënde, madje të dha përgjigjen e prerë përfundimtare.
Isha i bindur në veten time se ajo po ndjente një trishtim të thellë brenda qenies së saj. Syt i dukeshin të shuar.
Ajo, sikur nuk donte të largohej nga zyra jonë e punës.
Avokati Xhan, rrinte pranë dritares me shikimin hedhur jashtë, ndërsa unë me hapa të ngadaltë eca drejt derës.
Ndjeva se edhe ajo po vinte pas meje.

Filed Under: LETERSI Tagged With: avokatja, Pierr Pandeli Simsia, Tregim

THEMBRA E AKILIT E Prof. PËLLUMB XHUFIT

March 4, 2017 by dgreca

2 Thanas-GjikaReplike nga Thanas L. Gjika/

Profesor Pëllumb Xhufi është një historian i mirëformuar, autor i disa veprave dhe i shumë artikujve dinjitozë për historinë e Shqipërisë Mesjetare dhe të para Rilindjes. Ai është një nga kuadrot e pakta të formuar brenda dhe jashtë shtetit gjatë kohës së diktaturës. Në vitin 1973 përfundoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin Histori Filologji dega Histori dhe gjuhët klasike latinisht e greqisht. Për shkak të rezultateve të larta në mësime u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë së Akademisë së Shencave të Shqipërisë. Më tej për shkak të aftësive dhe të lidhjes martesore me vajzën e Profesor Luan Omarit, nip i Enver Hoxhës dhe sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, u dërgua për plotësimin e studimeve në Universitetin e Romës ku kreu studime për histori dhe gjuhët klasike latinisht e greqisht. Në vitin 1991 iu dha bursa Humbold dhe u dërgua dy vjet në Gjermani për studime të thelluara në Universitetin e Këlnit. Ka punuar shumë vjet në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave dhe disa vjet në Ministrinë e Jashtme si funksionar ose ambasador i Shqipërisë në Romë. Me kontributin shkencor që ka sjellë në fushën e historisë, Pëllumb Xhufi meriton prej kohësh të jetë akademik, por nuk e ka këtë titull, sepse mesa duket ai nuk e synon.

Si shumë intelektualë të formuar gjatë kohës së partisë shtet, kohë kur ata shijuan shumë të mira, si studimet jashtë shtetit, zgjidhja e strehimit parakohe dhe me apartamente më të mira se kolegët e tjerë, etj; Pëllumb Xhufi e ka një dobësi, e ka Thembrën e Akilit në mendësinë e tij. Ashtu si profesori Arben Puto, poeti Dritëro Agolli dhe shumë artistë e shkencëtarë të tjerë edhe ky historian, ndonëse i aftë dhe i mirëformuar, e ndjen veten borxhli ndaj diktaturës e diktatorit dhe ruan për ta respekt të veçantë dhe nuk përpiqet të evoluojë mendimet e veta ndaj atij sistemi dhe atij diktatori. Në shkrimin e tij kushtuar Enver Hoxhës si komunist dhe nacionalist, botuar në Gazeta Express 3 janar 2016, Xhufi vlerëson zhvillimin e arsimit, të industrisë, bujqësisë, shëndetësisë, etj që arriti Shqipëria në kohën e tij, por nuk përmend dobësitë, gabimet dhe krimet e atij sistemi shoqëror e të diktatorit Hoxha. Në vend që t’i vlerësojë, i quan me përbuzje “lukuni” ata që kanë përmendur gjatë këtyre 26 vjetëve këto krime.

Unë e lexova këto ditë artikullin e Prof. Xhufit mbasi lexova replikën e Prof. Shinasi Ramës për të, e cila mu duk e paplotë. Politologu Rama ndalej në faktin se Enver Hoxha ishte një burrë shteti që punoi kundër kombëtarizmit dhe si i tillë i solli dëme të mëdha çështjes kombëtare dhe nacionalizmit shqiptar, por nuk ndalej në shpalosjen e krimeve të këtij pushtetari komunist.

Që nga viti 1992 e deri sot kam lexuar shkrime e studime të shumta prej Tomor Alikos, Pjetër Pepës, Uran Butkës, Lek Pervizit, Eugjen Merlikës, Mërgim Korçës, Sami Repishtit, Pëllumb Kullës, Visar Zhitit, Kastriot Dervishit, Agron Tufës, Muharrem Dezhgiut, Lazër dhe Jozef Radit e shumë të tjerëve për bëmat e partisë shtet dhe të diktatorit tonë. Kjo literaturë më ka ndihmuar t’i afrohem së vërtetës, pra të evoluoj mendësinë time të formuar gjatë viteve të diktaturës, kur politizimi i skajshëm më kishte penguar për t’u bërë një punonjës shkencorë i aftë. Kjo dobësi shfaqej në përpjekjen që arritjet e mia t’i përputhja me mësimet e partisë e të shokut Enver ashtu si bënin gjithë kolegët. Politizimi kishte krijuar tek unë dhe kolegët e mij, si dhe te shumica e studiuesve, shkrimtarëve dhe artistëve autocensurën që na topiste forcat krijuese. Politizimi ishte Thembra e Akilit në formimin tonë mendor.

Fitorja e pluralizmit në Shqipëri më 1991, botimi i një literature të re mbi konceptet demokraci, shoqëri e hapur, të drejtat e njeriut, etj ishin si shiringa shëruese për botëkuptimin tim dhe të shumë kolegëve. Politizimin, që ishte një dukuri e moralshme gjatë jetës nën diktaturë e konsideruam një dukuri të pamoralshme, një kornizë penguese. Fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 1992 e përforcoi optimizmin dhe ecujen drejt çlirimit prej mendësisë vrastare. Këtë e dëshmon fakti se gjatë 22 vjetëve (1970-1992) kur punoja si studiues i punësuar prej shtetit në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë munda të hartoja e botoja vetëm disa dhjetra artikuj shkencorë e kumtesa dhe një studim monografik, kurse gjatë 16 vjetëve (2000-2016) në ShBA, krahas punës për të mbijetuar e përpjekjeve për të mësuar anglishten, arrita të shkruaj e botoj si studiues i lirë në gazetat Dielli, Illyria, etj shumë më tepër artikuj, tre studime monografike dhe dy përmbledhje me artikuj, ese, potrete, etj, të vlerësuar prej studiuesve seriozë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

U ula për ta shkruar këtë artikull, si vijim e plotësim të replikës së Prof. Sh. Ramës, duke shpresuar se mund ta ndihmoj kolegun tim të vjetër, Prof. P. Xhufin, që dhe ai të luftojë për ta shëruar Thembrën e Akilit (politizimin) në mendësinë e tij dhe të japë ndihmesën e vet të vyer për vlerësimin sa më objektiv për kohën e diktaturës dhe për figurën e Enver Hoxhës, natyrisht larg sharjeve pa fakte, por edhe larg himnizimit dhe heroizimit.

* * *

E pranoj shprehjen e Prof. Xhufit me të cilën ai hap shkrimin e vet: “Të bësh një analizë pak a shumë të saktë e gjithëpërfshirëse të Enver Hoxhës është një mision i vështirë”, por nuk pranoj që ky mision është “i parakohshëm”, si e quan ai. Për rëndësinë që ka për botën shqiptare studimi dhe sqarimi i vlerave dhe kundërvlerave të pushtetarit Enver Hoxha dhe i sistemit të diktaturës komuniste që ai instaloi tek ne, ky mision duhet kryer sa më parë. Duhet kryer sa më parë sepse jemi shumë mbrapa vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore të cilat i kanë dënuar me kohë diktatorët e tyre dhe krimet e kohës së komunizmit. Për turpin tonë tek ne ka ende nostalgji për diktatorin si e ka treguar raporti i OSCE-së (OSBE-së) i vitit 2016.

Që edhe ne shqiptarët të ecim përpara si popuj të qytetëruar dhe të hyjmë me dinjitet në Bashkimin Europian na duhet të arrijmë pjekurinë politiko-shoqërore sipas së cilës t’i dënojmë gabimet dhe krimet që na janë bërë këto shekujt e fundit. Si ka theksuar Prof. Sami Repishti në një intervistë në Gazeta Shqiptare, duhen dënuar si dukuri “imorale dhe antinjerëzore” pushtimi osman, sundimi i të ashtuquarturve “pashallarë” shqiptarë që i shërbyen atij pushtimi, sundimi i latifondistëve (bejlerëve) shqiptarë që varfëroi fshatarin shqiptar, dhe i klikave sunduese para e pas Pavarësisë sonë të 28 Nëndorit 1912, që përpiqeshin të përjetësonin privilegjet që u favorizonin të huajt për shërbimet që u bënin. E mbi të gjitha këto dukuri, Profesor Repishti vendos Diktaturën e Proletariatit si dukurinë “më imorale dhe antinjerëzore”, si skllavërimin total të popullit shqiptar për 47 vjet.

Në mbështetje të mendimit të Prof. Repishtit kisha hasur vite më parë dhe disa mendime të ashpra kritike ndaj diktaturës së proletariatit në Shqipëri prej ish partizanësh e ish komunistësh të ndershëm si Zef Mala, Selfixhe Broja (Ciu), Viktor Stratobërda, etj të cilët ishin penduar thellë mbasi vuajtën vite burgu e internimi prej asaj diktature që ata kishin ndihmuar të instalohej në Shqipëri.   

Unë, duke qenë studiues i krijuar në inkubatorin e diktaturës së proletariatit, i njoh atij regjimi si dhe Prof. Xhufi disa merita për arritje në fushat e arsimit, mjekësisë, bujqësisë, industrisë, mineralogjisë, metalurgjisë, organizimit dhe përgatitjes së ushtrisë dhe policisë, si dhe në fushën e grumbullimit dhe studimit të gjuhës shqipe, stabilizimit të gjuhës letrare të përbashkët, zhvillimit të letërsisë dhe arteve, etj. Por në këto vlerësime unë nuk mund të le pa përmendur faktin se ka pasur shumë dhunë, shpenzime të tepërta, politizim të skajshëm shumë të dëmshëm, varfërim të fshatarëve e punëtorëve të cilët punonin në kushte të rënda dhe paguheshin me rroga minimale. Po ashtu nuk i anashkaloj dhe e dënoj dhunën e tepruar ndaj popullit për ta mbajtur gojën kyçur, mungesën e lirisë së lëvizjes brenda atdheut, izolimin e tmerrshëm të banorëve të Shqipërisë nga bota, etj, etj. Gjithashtu pas vitit 1992 e këtej unë përulem me respekt ndaj gjithë atyre që kanë shkruar e shkruajnë për vuajtjet e tyre nën diktaturë duke sjellë sejcili ndihmesën personale për sqarimin e së vërtetës së hidhur e vrastare që na ishte fshehur djallëzisht.

Midis studimeve të fundit për krimet e kryera prej Enver Hoxhës gjatë Luftës së Dytë Botërore, vlen të përmend këtu studimin e thukët të zotërinjve Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, respektivisht drejtori dhe nëndrejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Në këtë studim Enver Hoxha është cilësuar kriminel lufte mbështetur në vetë ligjislacionin e Qeverisë Shqiptare aprovuar në janar 1945, mbi të cilin vepruan gjithë gjykatat ushtarake komuniste, ku neni 14 e përkufizon kështu krimin e luftës: “Si kriminela lufte, qofshin shqiptarë ose të huaj, konsiderohen: Ata që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, eksekutuar ose ndihmuar në vepra kriminale, si vrasje, tortura, turpërim femrash, shpërngulje të detyrueshme popullsish, dërgim në fusha përqendrimi, dërgim popullsish në punë të detyrueshme, grabitje, djegie, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasunis shtetnore e private; ata që kanë qenë bashkëpunëtorë ose ndihmësa të aparatit terrorist dhe formacioneve terroriste t’okupatorit; ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrinë e armikut”. Këta autorë mbështetur në ky ligj kanë nxjerrë në dukje më shumë se 15 fakte kur Enver Hoxha ka urdhëruar, ose është vënë në dijeni për vrasje masive, plaçkitje pasurish pa shkak të fshatarëve e qytetarëve të ndryshëm dhe nuk i ka dënuar këto krime të kryera prej vartësve të tij. Të dhënat e nxjerra prej tyre në arkiva, dëshmojnë se Enver Hoxha “nuk ka qenë aspak një hero i Luftës Antifashiste” si vlerësohet nga disa avokatë të së Keqes dhe se gjatë Luftës Antifashiste “roli i tij nuk ka qenë aspak vendimtar”, prandaj nxjerrja në festimet e 29 Nëntorit 2013 tek Vorrezt e Dëshmorëve e potretit të tij dhe organizimi i sesioneve shkencore në Akademinë e Shkencave në përvjetorin e tij, konsiderohen me të drejtë akte të dënueshme në një kohë kur Shqipëria kërkon të hyjë në Bashkimin Europian.

Për ta ndihmuar kolegun timXhufi, listës së krimeve që kanë përmendur studiuesit Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, të kryera prej Enver Hoxhës gjatë Luftës Antifashiste, unë po i shtoj dhe disa krime të tjera të kryera gjatë dhe mbas asaj lufte:

  1. Hedhja poshtë e Marrëveshjes së Mukjes, me shtytjen e Miladin Popoviçit, e cila ishte arritja më e rëndësishme pas Lidhjes së Prizrenit (1878) dhe Konferencës së Pezës (1942).
  2. Shpallja e Ballit Kombëtar më 10 shtator 1943 me shkresën sekrete të firmosur prej Shpatit (pseudonim i Enver Hoxhës) si organizatë tradhëtare dhe urdhëri për ta luftuar këtë organizatë e pjesëtarët e saj si armik, kur dihet se kjo organizatë ishte krijuar e kishte luftuar krahas forcave partizane kundër pushtuesve italianë dhe nuk kishte shpallur ndonjë vijë të re politike për bashkëpunim me pushtuesit e rinj gjermanë.
  3. Atentatet ndaj atdhetarëve e intelektualëve gjatë Luftës duke i shpallur armiq, pa asnjë akt gjyqësor.
  4. Vrasjet pas shpine të shumë partizanëve si Memo Meto, Mynyr Xhindi, Raqi Qirinxhi, etj që guxuan të shprehnin ndonjë mendim jo në përputhje me mendimet e komandantit ose komisarit të brigadës a të batalionit partizan.
  5. Sekuestrimi (grabitja) me dhunë në vitet 1945-1947 e më vonë i pasurive të pronarëve pa pasur ndonjë ligj të veçantë për këtë veprim.
  6. Vjedhja e thesarit të shtetit në shumën prej 320 ton e përbërë nga 43.816.682 copë monedha floriri, të cilat në tregun e numizmatikës kushtonin shumë miliarda dollarë më tepër sesa vlera e tyre si peshë floriri. Këtë grabitje të thesarit të shtetit e ka përmendur qytetari Nuri Mehmeti, një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në artikullin “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”, botuar në revisën “Në Shërbim të Popullit”, organ i Ministrisë së P.B. në rubrikën “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh në Gusht 1984, f. 14-15. Këtë të dhënë e verifikoi komisioni i posaçëm i krijuar në vitet 1992-1993 prej deputetësh të Partisë Demokratike e Partisë Socialiste me kryetar Blerim Çelën. Po ky komision verifikoi dhe grabitjen e një shume tjetër prej 200 miljon dollarësh të përbërë prej 17.265 kilogram argjend të nxjerra nga thesari i shtetit për të mbuluar gjoja humbjet në kambizëm ndërkombëtar prej agjentit Dhimitër Gazhda në Greqi gjatë viteve 1988-1989.
  7. Politizimi i skajshëm i letërsisë, arteve dhe shkencave shoqërore, proces që futi në rrugë të gabuar studiuesit dhe krijuesit e viteve 1946-1991, të cilët me veprat e tyre të politizuara shtrembëruan të vërtetën historike, hymnizuan diktaturën dhe diktatorin dhe ndërdorën (manipuluan) popullin, pra e verbuan atë.
  8. Lufta e tepruar e klasave, dënimi pa gjyq, ose me gjyq të sajuar i gjithë atyre intelektualëve dhe klerikëve, që ishin formuar në Europë dhe shpalleshin armiq të pushtetit, pa bërë asnjë veprim kundërligjor.
  9. Internimi dhe mbajtja në internim me breza të familjeve të shpallura armiq pa bërë vepra armiqësore, etj.
  10. Keqtrajtimi, burgosja, internimi pa shkak i shqiptarëve që arratiseshin nga ish Jugosllavia për të shpëtuar nga përndjekja sërbe dhe vinin tek nëna Shqipëri, ku gjenin njerkën e pashpirt, e cila me anën e organeve të Sigurimit i torturonte si agjentë e spiunë të qeverisë jugosllave, etj.
  11. Shtytja për vetvrasje e Nako Spirut për t’i bërë qejfin Marshallit Tito. Shpallja armik dhe arrestimi, gjykimi e vrasja e Koçi Xoxes për t’i bërë qejfin baba Stalinit. Arrestimi, torturimi dhe vdekja në torturë e gjaneral Teme Sejkos për t’i treguar Nikita Hrushovit se kuadrot e formuar në Bashkimin Sovjetik tek të cilët Hrushovi mund të shpresonte ndonjë lëvizje për ta përmbysur Enver Hoxhën, ky do t’i mbyste si miza, etj.
  12. Vrasja natën, që u shpall vetvrasje, e Mehmet Shehut kryeministrit dhe arrestimi, torturimi dhe vrasja e Kadri Hazbiut, ministrit të P. B., bashkëpunëtorëve më të afërt në krimet e tij, me qëllim që t’ia linte të qetë pushtetin Ramiz Alisë dhe Nexhmie Hoxhës (që kjo ta sundonte Byronë Politike pa qenë anëtare e saj), etj.

Lidhur me interesimin e Enver Hoxhës për shqiptarët e Kosovës dhe për Kosovën, të cilin Pëllumb Xhufi e quan “thelb i çështjes kombëtare shqiptare në shek. XX”, dhe që e konsideron si punë e kryer me mençuri e nacionalizëm, duhet thënë troç se ky pushtetdashës i lindur e diktator i ardhshëm, duke qenë i shitur tek të dërguarit e Titos, luajti me fatin e Kosovës që gjatë Luftës Antifashiste. Këtë dukuri e ka vënë në dukje z. Sadik Elshani në një polemikë me Pëllumb Xhufin te gazeta Illyria NY 10 Janar 2016.

Ing. Mërgim Korça pas kërkimesh në Arkivin Qendror të Shtetit të R. Sh. ka sqaruar se Enver Hoxha pati tradhëtuar në vitet e para të pas luftë jo vetëm Kosovën, por dhe Shqipërinë. Në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh më 15 dhjetor 1947, në praninë e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç, Enver Hoxha deklaroi: “… tani që e likuiduam këtë pengesë (Nako Spirun – shënim sqarues i Mërgim Korçës), duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…” Deklaratë më antikombëtare e më antinacionaliste se kjo nuk mund të gjendet. Edhe heshtja 70-vjeçare ndaj kësaj deklarate përbën krim në vetvete.

Kurse mbas vitit 1966, kur vetë populli shqiptar i Jugosllavisë, sidomos ai i Kosovës u hodh hapur në luftë për të fituar të drejtat e tij, Enver Hoxha, për të mos u turpëruar nisi të tregojë interesim dhe të lozë kartën e një nacionalisti. Ai shkroi, ose nxiti disa punonjës për të shkruar e botuar disa artikuj në përkrahje të asaj levizjeje…

Studimi dhe sqarimi i arritjeve, dështimeve dhe krimeve të shtetarit Enver Hoxha dhe shtetit diktatorial që ai instaloi me bashkëpunëtorët e vet duhet kryer sa më parë përmes sesionesh shkencore me pjesëmarrje ndërkombëtar. Vlerësimi objektiv i këtij problemi do të ndihmojë në kthjellimin e shumë shqiptarëve që ende e admirojnë pa të drejtë diktatorin dhe diktaturën komuniste.

Mungesa e vlerësimeve shkencore objektive për figurën e Enver Hoxhës, mosdënimi i krimeve të komuniszmit, si dhe qeverisja e keqe e qeverive të tranzicionit derisot, kanë ndikuar dukshëm në krijimin e një nostalgjie për kohën e diktaturës dhe për vetë diktatorin. Kjo atmosferë social-psikilogjike, në mos dhe pare të marra nëndorë prej qarqeve antishqiptare, kanë shtyrë disa historianë, si dhe vetë kryeministrin tonë, Z. Edi Rama, që për të justifikuar bëmat e këtij diktatori, lëvdojnë Ali Pashë Tepelenën, një diktator më primitiv, të cilin guxojnë dhe e quajnë “shqiptar atdhetar” e “me gjenialitet”. Mirëpo Ali Pasha nuk e kishte idene e shtetit kombëtar shqiptar dhe nuk punoi për këtë ide. Në gati 40 vjet sundim ai punoi me psikologjinë e një pashai osman për interesat e tij si një besnik i sulltanit duke vrarë jo turq po shqiptarë, duke i shkatërruar fshatrat dhe krahinat e qëndresës antiosmane. Po të ushqente ide kombëtare ky pasha, pra po të synonte krijimin e një Shqipërie të lirë, ai do të kishte nxitur shkrimin e gjuhës shqipe, do të kishte hapur të paktën një shkollë fillore në shqip, do të kishte treguar sadopak interes për Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe flamurin e tij, do të kishte krijuar lidhje me Bushatllinjtë e Shkodrës për realizimin e asaj ideje. Nëse Ali Pasha do të kishte ushqyer ndonjë ide për krijimin e një Shqipërie të pavarur, atëhere Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare do të kishte filluar në kohën e sundimit të tij dhe nuk kishte pse të vonohej dhe 50-60 vjet mbas vrasjes së tij.

Ali Pashë Tepelena dhe Enver Hoxha, pavarësisht se jetuan në kohë të ndryshme, kanë pasur karaktere të ngjashëm. Ishin të dy gjakatarë, mashtrues dhe adhurues të floririt. Ata sakrifikuan gjithçka për të arritur marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, të cilin e shfrytëzuan kryesisht për interesat e tyre. Pushtetin e morrën me gjak dhe e mbajtën me gjak duke vrarë vetëm shqiptarë dhe asnjë pushtues të huaj. Kur iu dukej se dikush i pengonte ose i konkuronte në realizimin e synimeve të tyre, e zhduknin edhe po të ishte i afërm i familes, mik e bashkëpunëtor i tyre i vjetër. Dalloheshin për servilizëm ndaj eprorëve, Aliu me Sulltanin, Enveri me Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën, Titon, Stalinin e Mao Ce Dunin. Mbaheshin për njerëz me kulturë dhe silleshin mirë me të huajt që u vinin për vizita, por në fakt ishin pa shkollimin e duhur për postin që uzurpuan. Në fakt që të dy kishin aftësi aktoreske dhe të bënin për vete me aftësinë e të folurit dhe me pamjen e tyre të bukur fizike.

Me të drejtë analisti Mërgim Korça e ka quajtur Enver Hoxhën për periudhën 1944-1976 në marrëdheniet e tij me Jugosllavinë e Titos, me Bashkimin Sovjetik të Josif Visarionoviç Stalinit dhe me Kinën e Mao Ce dunit, kolaboracionist për interesa personale. Kolaboracionizmi i tij për periudhën dhjetravjeçare në kushte kur Shqipëria nuk ishte e pushtuar nga këmba e pushtuesit të huaj ishte shumë më i ulët se kolaboracionizmi 1 ose 2-vjeçar i atdhetarëve si Mustafa Merlika, Lef Nosi, Pater Anton Arapi me shokë, të cilët në kohën e pushtimit të huaj pranuan të bashkëpunonin me pushtuesit për të shpëtuar ato që mund të shpëtoheshin për të mirën e atdheut.

Vlerësimi i bëmave të Enver Hoxhës duhet bërë edhe duke pasur parasysh pasojat e sundimit të tij, si shkatërrimin e moralit tradicional shqiptar, shkatërrimin e besimit fetar me dhunë, krjimim e njeriut gënjeshtar që ndryshe mendonte e ndryshe shprehej / shkruante nga frika. Enver Hoxha ashtu si mësuesit e tij të Kremlinit, punoi fshehurazi dhe për ta përjetësuar sundimin e tij. Këtë e dëshmojnë jo vetëm vrasjet e ndryshme, vjedhjet e shumave marramendëse, por edhe puna e Ramiz Alisë për të realizuar trashëgimin e pushtetit dhe të pasurive të popullit prej kupolës komuniste dhe shërbëtorëve të saj besnikë. Për këtë arsye ky pasardhës i Enver Hoxhës zbatoi një variant të planit Katovica për vendin tonë mbas shkërmoqjes së diktaturës së proletariatit. Jo rastësisht mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste erdhën në pushtet ish komunistë dhe ish sigurimsa, shërbëtorë besnikë të ish kupolës komuniste dhe jo nacionalistë, kombëtaristë të përndjekur e të shpronësuar, që përbënin pjesën më të ndershme dhe më atdhetare të shoqërisë sonë.

Studiuesi Pëllumb Xhufi formimin e tij shkencor e ka fituar në saje të aftësive të veta individuale, kurse mundësitë që i dha partia shtet ishin të një rëndësie dorëdytë, prandaj nuk ka pse të ndjehet borxhli ndaj diktaturës e diktatorit. Kam bindjen se, pasi të njihet më nga afër me krimet e kryera gjatë Luftës Antifashiste dhe kohës së diktaturës, do të çlirohet prej politizimit, pra do ta shërojë dhe ai “Thembrën e Akilit”, për nderin e vet dhe të pasardhësve…

1-        Gjatë 26 vjetëve të punës në Institut botova studimin monografik Mihal Gramenoja publicist demokrat AKADEMIA E SHKENCAVE E RPSSh Tiranë 1980 277 f. Kurse gjatë viteve 2000-2016 kam botuar studimet Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re MEDAUR 2007, 504 f., Mihal Grameno jeta dhe vepra DDS Durrës, 2012, 505 f., Shën Pali punoi edhe në brigjet e Adriatikut OMSCA-1 Tiranë 2014, 505 f. dhe përmbledhjet Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit DDS Durrës  2011, 308 f. dhe Mosdënimi i krimit është krim i ri OMSCA Tiranë 2016, 450 f.

2- Intervistë e Profesor Sami Repishtit për nostalgjinë e popullit shqiptar ndaj figurës së Enver Hoxhës, Gazeta Shqiptare, Tiranë 29 Dhjetor 2016.

3- Gazeta Zyrtare, Tiranë 23 janar 1945, nr 3-bis.

4- Agron Tufa, Çelo Hoxha 15 fakte pse Enver Hoxha është një kriminel lufte në faqja Postbllok

5- Ilir Bushi Enver Hoxha, komunisti tinzar që çoi floririn e Shqipërisë në bankat e Zvicrës, Agjensia e Lajmeve SOT, 14 prill 2012.

6- Mërgim Korça. Çështja Kolaboracionizëm e të tjera T’i Gjykojmë, Detroit MI. 2014, f. 16-61.

Filed Under: Komente Tagged With: pellumb xhufi, Replike, Thanas L Gjika

PJESË NGA DITARI I KONVALESHENCËS SIME IDEOLOGJIKE

March 4, 2017 by dgreca

I them sekretarit:-Ç’punë ka Dega e Punëve të Brendshme me poemën time. Pse Dega merret me krijimtarinë letrare?/

NGA  FASLLI HALITI/2Faslli-haliti-188x300  Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»/

(  PRILL 1973 – PRILL 1977)/

Janar 1973/

Gjatë muajit dhjetor 1972 u pëshpërit diçka për poemën time të botuar në tetor të vitit 1972 në gazetën “Zëri i Rinisë”. Flitej se do ta kritikonin. Thoshin se do të bëhej një mbledhje e rrethit letrar të Shtëpisë së Kulturës. Gori P., ishte i ipari që më tha se poema ime po analizohej në Komitet të Prtisë së Punës së rrethit për gabime ideopolitike. Gorit i kishte folur Fatmir Galanxhi, lulishtari i qytetit të cili e kishin thirr në Komitet të Partisë. I kishin kërkuar mendim për poemën “Dielli dhe rrëkerat”. Më saktë e përpunuan Fatmirin që ta kritikonte poemën në një mbledhje eventuale. Në fillim kjo s’më bëri përshtypje. Por më vonë thashethemet u shtuan, u bënë më serioze, më alarmante, më të rrezikshme. Tre skicat e mia «Thërmijëza jete»,  të botuara në «Zërin e popullit»  në fillim të janarit të vitit 1973, ngjallën një reagim shumë të madh në Lushnjë. Instruktori  që mbulonte sektorin e sigurimin në Komitetin e Partisë i kishte treguar gazetën sekretarit të parë.

-E sheh shoku Rrapi ç’ka shkruar Faslli Haliti. S’le njeri pa sharë. Edhe djalin tënd e ka sharë. Në një nga artikujt, (ato ishin tri skica, kurse instruktori i quante artikuj), shoku Rrapi, Faslli Haliti, pa iu dridhur qerpiku, sulmon, diskrediton deri edhe kunatin e zëvendës ministrit të punëve të brendshme…

Më thanë se Rrap Gjermeni i ishte përgjigjur me diplomaci:

-Është e drejtë e tij që të shkruajë.

Të shkruaj, por jo të shajë, shoku sekretar i parë.

Atë do ta shohim…

Instruktori i Komitetit të Partisë që mbulonte sigurimin Ilia K., me hundë të madhe dhe me kasketë proletare, ishte habitur me gjakftohtësinë e sekretarit. Ai priste që sekretari ta përgëzonte për atë për informacionin që i dha, kurse a… Instuktori  priste që sekretari të tërbohej. Priste që sekretari të më thërriste menjëherë në zyrë, për ndonjë informacio shtesë që ta sitnin së bashku në zyrën e tij. Por nuk ndodhi ashtu. Sekretari dinte ta mbante veten. Si fshatar ai dinte, jo vetëm ta ruante dhe ta mbate brenda vstes tërbimin dhe hakmarrjen. Pastaj ai kishte qenë kaq vjet ambasador në Rumani. Si ish ambasador dinte të sillej me diplomaci.

-Ky nuk u nxeh fare – kishte thënë instruktori që mbulonte sigurimin në Komitet të Partisë.

-Kot s’është diplomat ai – kishte folur instruktori më Jago dhe më servil i Komitetit të Partisë DH.G., Për të cilim flitej se e kishte lënë të iatin të vdiste në korronecin e misrit, në qoshe të oborrit, pranë një grumbulli plehu.

***

Skicat e botuara në gazetën “Zëri i popullit” krijuan shqetësime edhe tek mjekët edhe në gjimnaz edhe tek një shofer taksie, i cili ishte betuar se do të më shtypte rrugës me rrotat e prapme. Mjekët kishin thënë se po të vente gruaja e tij në Maternitet për të lindur, do t’ia nxirrnin fëmijën çika-çika. Kunati i zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte tërbuar. Kishte thënë se më kishtë futur në shenjestër që kuri, që me poezitë “Njeriu me kobure”, “Djali i Sekretarit”, të botuara në revistën “Nëntori” dhe se tani që e kisha mbushur kupën me botimin e poemës “Dielli dhe rrëkerat dhe sidomos me botimin e skicave në gazetën “Zëri i popullit” ai do të ma mbante në lule të ballit sapo t’i krijohej rasti më eventual.

Shokët më thoshin gjithçka që dëgjonin. Më  vinin në dijeni të gjithçkaje. Në fillim e mora si me shaka. Qeshja. Më bëhej qejfi që skicat kishin ngjallur reagime. Por shpejt filloi shqetësimi, alarmi tek unë.

Njëra nga skicat që fliste për një mjek spekulativ, kishte tërbuar mjekët. Megjithëse skica ishte një krijim letrar, atë ia adresonin dikujt që nuk e donin. Dikush thoshte se mjeku i skicës ishte  ,  ) H.Ç, profesori i tre pave, (itre minuseve), domethënë: profesor gjimnazi pa diplomë, gjeneral pa ushtarë (ai kishte bërë korrupsion me eshtrat e ushtarëve italianë të Luftës së dytë Btërore, kur kishte qenë drejtor në Komunale dhe shkrimtar, pa asnjë libër.

Skica e dytë fliste për kunatin e zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Personazhin e kësaj skice e identifikonin me H… kunatin e zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por dikush tjetër thoshte se ai përafronte më sumë me shoferin e taksisë i cili ishte  kushuri me sekretarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Për skicën e tretë nuk flitej. Personazhin e saj nuk e përafronin me ndonjë person konkret të qytetit. Personazhi i saj ishte një vanitoz. Po vanitozë ka shumë. Kështu që ai u la në heshthje.

***

Dëgjoja gjithçka dhe shqetësohesha. Flitej se do të bëhej mbledhja e letrarëve. Pse?

Që të kritikohej poema dhe poezitë e mia që kishin qenë polemike, kritikuese të cilat demaskonin burokracinë.

Çfarë nuk thuhej. Ç’nuk më vinte në vesh. Lemerira.

Pyes Gaz Kolin që ishte përgjegjës i rrethit të Aktivistëve të Letërsisë dhe Arteve pranë Shtëpisë së Kulturës. Më thotë:Ne si rreth aktivistësh letrar nuk kemi në plan të bëjmë ndonjë mbledhje. Për këtë të garantoj unë.

Ai thoshte gjysmën e së vërtetës. Këte unë do ta kuptoja më vonë. Mbledhja me të vërtetë s’do bëhej në shtëpinë e kulturës me aktivistët e letërsisë dhe të arteve. Ajo do të bëhej në Gjimnaz me rrethin e letrarëve të gjimnazit.

Pra Gaz Koli më kish thënë gjysmë të vërtetën.

Dinaku…, thashë me vete.

***

Vjen më takon, tregimtari Halili J., U çudita. Ne gati nuk flisnim dhe ai vinte e më takonte, madje më futi dhe krahun.

-E di, – më thotë – ti mbase edhe habitesh që të takova, por si shok që të kam patur, pavarësisht nga një farë ftohje apo qejfmbetje që kemi për fajin tim, unë si shok, e kam për detyrë që të të ve në dijeni për diçka që për ty është shumë serioze. Madje , më tepër se serioze, arrosëse do të thosha.

U preva në fytyrë. Më vajti mendja tek mbledhja, tek autodafeja që po më përgatitej.

-Dëgjo – më thotë. – Në Gjimnaz – kanë bërë një mbledhje me rrethin letrar. Aty është analizuar poema jote “Dielli dhe rrëkerat” si dhe poezitë e tua sidomos “Njeriu me kobure”, “Djali i sekretarit”, “Çifligu”, “Unë dhe burrokracia” e disa të tjera. Në të vërtetë aty nuk është analizuar gjë, por H.Ç, iu ka lexuar anëtarëve të rrethit letrar një kritikë për poemën dhe krijimtarinë tënde në përgjithësi.

Halil J. vazhdoi: Poeti i ri, gjimnazisti, Bujar Xh., më tha se poemën e kanë quajtur reaksionare, dekadente, formaliste e ku di unë. Mësuesi H.Ç. u kish thënë letrarëve të shkollës që të solidarizoheshin me kritikën dhe të vinin firmat. Ai i kishte siguruar se për këtë kishin edhe përkrahjen e Komitetit të Partisë, veçanërisht të Sekretarit të Parë.

E falënderova shokun tim dhe u ndava me të menjëherë, shumë i shqetësuar. Ç’të ishte kjo kështu. Ç’ishte ky sulm me përforcime maxhiore. Takoj drejtorin e gjimnazit. I them:

-More K, ç’bëhet kështu?

Partia nxit debatin dhe ballafaqimin. Ju analizoni poemën dhe krijimtarinë time dhe s’më ftoni në mbledhje.

Drejtori më tha prerë:

-S’të marrim leje ty ne, për të kritikuar.

-Ashtu?

-Po.

Drejtori iku. Pashë se ai i kishte shpatullat e ngrohta. Pas tij qëndronte sekretari i parë i Komitetit me të cilin ai ishte fis.

Pësova disiluzion.

Pas dy-tre ditësh më vjen përsëri Halili në klasë në orën e mësimit. Më thotë se kritika është nisur për në gazetën “Zëri i Rinisë”. Kritika u çua doras në gazetë. Për ta çuar nisën mësuesin e fizkulturës.

Por kritika nuk u botua në gazetën “Zëri i Rinisë”. Ajo u botua në gazetën lokale “Shkëndija”.

Kur e pashë të botuar u shqetësova. Kur e lexova u habita se si mund të botohej në shtypin tonë një shkrim i tillë me prirje denigruese.

Artikulli ishte gjithë insinuata në planin politik e personal.

Pasi e lexoi Ismail Kadareja më tha:

-Ky shkrim është i gabuar. Ta them unë. do të kritikohet.

Ma dha gazetën dhe më tha:

-Fute shkrimin në një zarf. Dërgoja Mehmet Shehut. I thuaj: “Kjo është demokracia juaj”?

Takova Dritero Agollin. Pasi e lexoi shkrimin u shpreh:

-Ky shkrim është një aktakuzë. Me këtë ti futesh në burg.

Lexoi emrat e autorëve të kritikës:

-Këta janë një tufë rrugaçësh – më tha dhe e palosi gazetën.

Kërkova takim me sekretarin e Komitetit të Partisë së Rrethit. Më priti. Më futi krahun që nga shkallët e sheshit gjer lart në zyrë.

U ulëm.

Më dha një cigare.

-S’e pi i thashë.

-Do ta pish – më tha si me të qeshur.

-Po s’e pi fare – i thashë.

Ai e pa që unë dridhesha nga emocioni.

-Pije, – më tha – po ta jap unë.

E mora cigaren. Ma ndezi me çakmakun e tij. E thitha dy herë dhe e lashë mbi tavëll. S’e futa më në gojë.

-Hë – më tha – Ç’kemi.

-Erdha për atë shkrimin kritik – i thashë – që kanë bërë letrarët e gjimnazit.

-Ashtu?

-Po – i them.

-S’e kam lexuar – më thotë

Alamet sekretari, gënjeu.

Kjo më tronditi. E reduktova në maksimum bisedën. Ai nuk ishte i sinqertë me mua. unë isha në dijeni të gjithçkaje. Kurse ai po më thoshte s’e di, s’e kam lexuar.

U lemerisa.

I them se më janë bërë insinuata politike dhe personale. Më thotë.

-Do ta lexoj.

I them:

-Ç’punë ka Dega e Punëve të Brendshme me poemën time. Pse Dega merret me krijimtarinë letrare?

-Më konkretisht – më thotë sekretari.

-Po ja H.Ç. e ka çuar në Degën e brendshme poemën.

-Kush ta tha ty këtë?

-Murat Nexha – i them.

-Gabim ka bërë edhe Murati që ta ka thënë!

Kuptova se s’duhej zgjatur biseda.

-Kaq kisha – i thashë. – Nuk më vjen keq për kritikën që i bëhet poemës. Ajo është e botuar. Erdha vetëm t’ju them se nuk i pranoj kritikat që më bëhen në planin politik e personal.

Më thotë si me të qeshur:

-Më vjen mirë që krijimet e tua nuk i quan të përsosura.

-Përsosmëria nuk ka fund – i them.

-Shumë mirë që e pranon – më thotë.

-Përsosmërinë s’e kanë arritur as poetët më të mëdhenj – i them.

-Sigurisht, sigurisht. Furra nuk i pjek të gjitha bukët – më thotë – ca i pjek, ca i lë të pa pjekur, ca i djeg.

U largova nga zyra duke thënë me vete:

-Poemën time ku e fut ky tek bukët e papjekura apo tek bukët e djegura?

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Faslli Haliti, PJESË NGA DITARI I KONVALESHENCËS, SIME IDEOLOGJIKE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT