• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

Po-ja rurale dhe Jo-ja e Metropolove

April 17, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Qytetet e mëdha, apo qëndrat kryesore të Turqisë. Si Stambolli, Antalia, Ankaraja, Izmiri, Adana, Van, Manisa, Mugla, Dijarbakiri, Hataj, Çanakale, Shirnak, Balikeshir, Tekirdazh, Bater, Hakari, Ajdini, Zongulaku etj…, I thane jo referendumit që i jep pushtet të pakufizuar Erdoganit. Ose sulltanit të ri në europën e vitit 2017. Kampion është krahina e Shirnakut me 71 % jo. Një jo dërrmuese karshi pushtetit absolut. Gjithsesi janë mbi 28 qëndra të mëdha, ku është përqëndruar ekonomia e Turqisë. Aktivietet social kulturore etj. Pra vatrat që e bëjnë Anadollin e ri të njohur në botë. Një vend i madh me rreth 80 a më shumë krahina. Ose Sanxhakë, siç i thonë turqit. Megjithatë, e thënë shkoqur, metropolet nuk e mbrojtën dot demokracinë. Pavarsisht shumicës ku vlon jeta. Zonat rurale, plot 52, për një apo shumë arsye, i dhanë vendit një sultan të ri. Si të thuash, që u deshën pesëdhjet katunde të mundin njëzet e ca metropole. Pra ruralizmi i vuri kurorë një sulltani i cili edhe vet e ka origjinën nga andej. Këtë që kishte kohë që ishte shfaqur në horizont. Qysh nga projektet e tia aftgjata me kalimin e pushteteve. Ndërtimin e një pallati gjoja presidencial rreth 360 million euro, me karakteristika të portës së lartë. Deri tek rikthimi i fesë në ambjentet e shtetit. Shumë njerëz në Turqi e gjykojnë këtë si një kaos social. Megjithatë sulltani i ri përshëndeti fitoren. Madje e quajti një progres të madh edhe pse me rezultat të ngushtë dhe nga periferia e vendit. Por ai do vazhdoj reformat. Së pari risjellen e dënimit me vdekje. Heqjen e laicietit shtetëror. Një nga reformat e mëdha të Ataturkut. Fuqizimin e pushtetit të tij. Duke i thënë turqëve rurale dhe botës se po ngre një sistem presidencial të tipit amerikan dhe francez. Mirëpo po t’i referohesh statistikave të persekutimit të kundërshtarëve politikë, ai është jo një shtetar sivëlla i amerikanëve a francezëve, por i Asadit në Siri dhe Putinit në Rusi. Gjithsesi ajo që për tu theksuar është një fakt ironik që, pas plot 100 vitesh nga era e Turqisë moderne dhe europiane. Nga nismat e Ataturkut…, Turqia sot po ha vetveten me mjetet e demokracisë. Dhe e gjitha kjo vjen nga etja për pushtet absolut. Nga radikalizmi fetar, ku buron dhe xhihadizmi. Por edhe nga gjumrehatllëku social i njerëzve që nuk i ha meraku se në çfarë rendi social jetojnë. Mjaft që të kenë për të ngrënë dhe kaq. Dhe më e frikshmja nga militantët mendjembushur mbi njëshat e tyre, intelektualët militantë, nga ata që suportojnë papushim njëshat në krye.

Sot përshembull vihet re një kënaqësi suksesi, kjo Erdoganit, edhe zonave ruale të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë.
Eshtë një varfëri masive mendjesh fal dështimit sistematik të poltikës këto viteve të demokracisë. Të shtresëzimit radikal qoftë në besimin e blerë, qoftë në mohimin e kundërshtarit politik. Një varfëri mendje burrash shteti që harrojnë se Amerika dhe Franca konsiderojnë demokraci balancimin e pushtetit. Eshtë kaq për të ardhur keq, kur ruralistët shqiptarë përshembull. Ndërsa marrin ca tapi. Dhe mbajnë si kastraveca në dorë ca mikrofonë plot pështyma fushatash, janë të lumtur të fitojnë të vetëm deri në 73 vende në kuvendin e shqiptarëve. Vdekja e demokracisë vjen pikërisht nga mendjet e mbushura që pretendojnë se po bëjnë demokraci. Kur në fakt janë duke e vrarë për ditë atë.
Sot erdoganizmi si ideollogji e pushtetit absolut është ulur këmbëkryq tek ne. ndaj me të drejtë ne i gëzohemi fitores së tij. Dhe me të drejtë do t’i rikthemi kultit të individit. Në fund të fundit jemi një nga sanxhakët e saj.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Jo-ja e Metropolove, Ilir Levonja, Po-ja rurale

«Poema e mallkuar» ….

April 17, 2017 by dgreca

1-Faslli-haliti (2)

FASLLI  HALITI- Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»/

NGA DITAR  (i konvalesencës ideologjike)me rastin e 15 Prillit ditës  Deportimit tim në Kooperativën Bujqësore të Fier-Sheganit/

THIRRJE NGA ZBORI/

 Prill 1973 /    

Sot jam në zbor në Kolonjë të Lushnjës. Pas stërvitjes, në kohën e pushimit, mënjanohem nga zboristët. Kaloj nëpër mend gjithçka që më ndodhi. Kujtoj atë ditë me shi të egër, gri, erën e ftohtë që e bënte shiun të ngrinte si shtresë e hollë transparentë akulli në fytyrat e njerëzve pa ҫadër; kujtoj çastin kur këmbët më ҫuan në postë për të marrë gazetën «Shkëndija» të cilën e prisja me ankth pasi më kishin thënë që në të do të botohej kritika e «Dhjetë letrarëve gjimnazistë»; kujtoj tronditjen kur pashë titullin e asaj kritike aktakuzë në gazetën “Shkëndija” : «Dielli dhe një poemë që spekullon me të»; çastin kur drejtori i shkollës më pa të tronditur. Ҫ’të ka ndodhur?, më pyeti drejtori. Kur pa gazetën në duart e mia të hapur te faqja ku ishte butuar kritika, e ndjeu që unë isha jo vetëm i tronditur, por edhe tepër i tmerruar,  nuk mund të bëja dot mësim në atë gjendje të kërcënuese,  drejtori më tha mos u fut në mësim, ik qetësohu, i zëvendësoj unë orët e tua.  E falënderova drejtorin i cili më vlerësonte si mësues e si krijues dhe vazhdova të kujtoj   ardhjen e shokëve në shtëpi, vajtjen në Tiranë pas kritikës, takimin me Kadarenë, fjalët inkurajuese të tij; takimin me Rrap Gjermenin, dinakëritë katunareske të tij me pak diplomaci të pështirë; takimin me shokun Ramiz Alia, diskutimin intelektual me të për poemën dhe kritikën gati një orë e ca; mbledhjen e parë në Lushnjë, në sallën e shtëpisë së kulturës; diskutimet e shokëve që mbrojtën krijimtarinë time, diskutimin në Tiranë në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve…

Befas, kujtimet m’i ndërpreu lajmi se më kërkonin në postbllokun e repartit. Pashë që aty priste një veturë bojë qumështi. Del drejtori i Shtëpisë së Kulturës V. Bardhi. Më thotë se më kërkonin në Komitet të Partisë. U trondita. Domethënë telashet s’kanë mbaruar. Ato vazhdojnë. Ç’të kenë. Ç’kërkojnë nga unë. Unë  gjithçka e kam të shkruar, të botuar në gazetat qëndrore letrare, periodike, nëpër revista.

Hipi në veturë. Jam i tronditur. Para sysh më dalin fëmijët: Doni, Manjola… Përfytyrimin ma prish ndalja e vaturës. Do qëndrojmë pak këtu, thotë drejtori i shtëpisë së kulturës.

-Pse, e pyes?

-Do presim pak Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme! Kryetarin e Degës? Po, përsëriti drejtori i kulturës, ka shkuar gjer në Bubullimë. Ka një mbledhje. Më tha që ta prisnim këtu. Nuk vonohet. Për pesë minuta makina vete dhe vjen.

Më iku gjaku në fillim. U ndava nga drejtori. Veja dhe vija në buzë kanalit ndanë xhadesë. Çfarë s’mendoja. Të gjitha i mendoja: arrestimin, gjyqin, burgun… Gjithçka. Çdo gjë mund të ndodhte. Ata  që kishin shpifur sikur gjoja unë kërkoja vilë, çdo gjë mund të trillonin. Duke menduar kështu e mora veten. në djall të vete, thashë me vete. Kaq e pata, thashë me vete. Kisha dëgjuar se arrestimet kështu bëheshin: të merrnin me makinë dhe… Kështu kishin arrestua shkrimtarin Kapllan Resuli duke e marrë në veturë, gjoja për ta ҫuar në shtëpi, meqë u ra rruga. Ndjeva shtrëngimin e prangave në duar. Si qenka puna mendova. U mësoka njeriu. Ndërkaq vetura u duk në fund të kthesës së Bubullimës.

Tani unë isha qetësuar plotësisht. Mbase isha mpirë. S’mund të them asgjë me siguri. Një gjë mbaj mend, që makinën nuk e shikoja fare, nuk ia hidhja fare sytë sepse s’doja ta shihja arrestuesen, prangosësen time të zezë edhe pse ishte në ngjyrë ajke. Dëgjova shoferin të thoshte:

-Kryetari i Degës më tha të ikim në Lushnjë, pasi mbledhja mund të zgjaste.

Tani fillova të shqetësohesha përsëri. Më shqetësonte befasia dhe kurthi. Me siguri që ky ishte kurth. Mbase më arrestonin në të hyrë të qytetit. Sigurimi kishte tekat, deliret e tij. Ai luante me viktimën si macja me miun. M’u duk sikur mora formën e miut, sikur m’u hollua, m’u zgjat turiri, sikur u mbulova me push të zi miushi. Lemeri. Të transformohesh në një brejtës të zi. Frika të transformon gjithsesi. Metamorfozat e saja janë nga më të lemerishmet. Ndërkaq vetura ndalet para gjimnazit. Në oborrin e shkollës na priste sekretar i Komitetit të Partisë për ideologjinë Siku Velo, me disa nxënës të veshur e të qethur si kinezë. Pllakat gri në oborrin e shkollës ishin larë, ndriҫonin me një dritë të hirtë, të përzishme. Gjithandej pastërti, rregull. Sekretari më jep dorën. E pyes, pse më kishin thirrur. Do bëjmë një mbledhje këtu në gjimnaz, më thotë ish drejtori im i gjimnazit i lartësuar në postin e sekretarit ideologjik të Komitetit të Partisë. Pse, a nuk e bëmë një mbledhje me krijuesit në shtëpinë e kulturës, i them. Apo jo shoku sekretar. E bëmë vërtetë, po këtë mbledhje nuk e organizojmë ne.

-Po kush e organizon.?

-Anëtari i Byrosë Politike, ai e theksoi togfjalëshin  anëtar i Byrosë Politike, Shoku Rita Marko.

-Ashtu?

-Po! Kërkon të dëgjojë gjykimin e nxënësve për poemën. Përsëri u tremba. Pikërisht Rita Marko ishte ai që kishte demaskuar e kërcënuar poetin Bilal Xaferri, aq mizorish sa e detyroi atë të arratisej. U zbardha  në fytyrë. Ashtu do të sillej edhe me mua ai kërcënueshëm. Tronditja më vinte edhe nga një frikë po kaq mizore që ishin shpifja dhe dëshmitë e rreme. Gjersa më kishin akuzuar me shkrim në gazetë gjoja, sikur kërkoja «vilë», ose akuzohesha me shkrim sikur bëja thirrje të ngriheshim «… në kundërvënie ndaj  Pushtetit Popullor?» , gjithçka mund të pritej. Kaloi gati një orë. Mbledhja nuk po fillonte. Kurth, thashë me vete. Me siguri e kanë lënë të më arrestojnë këtu në oborrin e shkollës midis nxënësve, në prani të atyre që kishin bërë «kritikën». Kisha dëgjuar se bënin dhe arrestime demonstrative, publike, teatrale. Do fillojmë apo jo, i them me nervozizëm sekretarit të komitetit duke përfituar nga që njiheshim nga afër, po vete ora 20-të, i thashë. Nuk  është në dorën tonë kjo mbledje, por në dorën e Byroistit, përsëriti sekretari i Komitetit të Partisë.

Ai s’iu përgjigj nervozizmit tim. U tregua i qetë. Toleroi. E thashë një herë që njiheshim nga afër. Më kishte pasur koleg në gjimnaz. Shkonim mirë. Por nga ana tjetër ai e dinte që unë kisha një dell marrie. Sidomos  kur më nervozonin, nuk pyesja për vija të bardha apo vija të kuqe. Pastaj ai e kuptonte gjendjen time të dëshpëruar. Ruaju ariut të plagosur thotë ajo fjala e urtë. Erdhi dikush nga komiteti dhe tha se mbledhja nuk bëhet sonte. U la për nesër. Sepse Byroisti Rita Markos i kishte dalë një punë urgjente në Tiranë dhe iku me ngut. Mbledhja u la për të nesërmen mbas dite në orën 17.00.

Përsëri u trondita. Përsëri dyshova për kurth. Më vajti mendja te arrestimet që po bëheshin ato ditë. Flitej  shumë për arrestime shkrimtarësh, artistësh. Kishi arrestuar këngëtarin Sherif Merdani. Njerëzit që ia donin zërin, qanin njëherësh këngëtarin dhe këngën e tij. Në shtëpi nuk dinin gjë. Ata më dinin në zbor. Sa u futa në korridore, Manjo, vajza, m’u hodh në qafë, pastaj m’u hodh djali, Doni. Plaka, 80-vjeҫare dhe Nirvana, gruaja më pyetën me shqetësim, pse isha vonuar.

E bisedova gjithçka me gruan. Atë natë pothuaj nuk fjetëm. Në kokë më rrinte dyshimi:

-Po sikur të më arresgtonin të nesërmen në mbledhje në mënyrë demonstrative. Sa do të gëzoheshin Spiro, Murati, Gazmendi, Hasani, Koli e të tillët.

Çdo gjë mund të ndodhte.

***

(Fragment nga eseja «Poema e mallkuar»

shkrimtarit dhe regjisorit Tahsin Xh. Dimiraj)

«Atë mesnatë në fund të Marsit 1973, ndërsa fshesarët, si në një poezi të tij, «Kolegët e mi fshesarë», nisin punën për pastrimin e rrugëve të qytetit, ndërkaq Partia në Lushnjë, e kishte fshirë dhe e kishte vërvitur tutje si një “plehrë” poetin, dhe krijuesit e artistët lushnjarë shkonin të këputur në shtëpitë e tyre, pasi kishin diskutuar për të tretën herë poemën e ’’mallkuar’’ blasfemuese të socializmit,  «Dielli dhe rrëkerat»,  të poetit të tyre Faslli Haliti. 

«Ah,  jo,  or jo,  as atje nuk zë mënd ti,  or jo…! », i tha sekretari i parë poetit.

Kjo shprehje e Sekretarit, e kishte ther në shpirt poetin aq sa ai më thoshte shpesh: Më tthuaj Tahsin,  a jam njeri i mbrapshtë, a jam i pa korrigjueshëm dhe, sido që të më quash ti, shiko po nuk u çlirova nga ankthi, siç u çlirua ai personazhi i Zhak Preverit që,  pasi u dënua me varje, u çlirua në çast nga ankthi i dënimit me varje, tha:  Ky qenka dënimi me varje dhe hëngri një krep me shije dhe  e ndezi një cigare dhe e thithi me kënaqësi. Pastaj poeti  do të më thoshte në intimitet: Tahsin, ajo thënie e Sekretarit të Parë është një zezonë për mua, me të ai më paralajmëroi se konvaleshenca ime idelogjike në kooperativë do të jetë e gjatë,  shumë e gjatë dhe rehabilitimi im nuk do të jetë kurrë i plotë. Dëgjova që i kërcitën dhëmbët dhe iu mbush goja me xixa, sikur të donte t’i vinte zjarrin vetes ose…

       Tahsin Xh. Demiraj

Filed Under: ESSE Tagged With: Faslli Haliti, Tahsin Demiri, Thirrje nga Zbori

Disidencë në kohën e Visarit

April 17, 2017 by dgreca

Nga Shpendi Sollaku/

1-Visar

Ne Foto:Visar Zhiti/

E mendoj si tani sesi do te jene shkruar, apo te pakten si do te jene menduar keto vargje te Visar Zhitit: «- Gjysh, o gjysh, çohu…!/- Ç’është, bir?/- Kam frikë se mos nuk zgjohesh më.».Gjyshin  e tij e kam njohur mire ne femijeri dhe me ka mbetur ne kujtese si nje burre i moshuar fjalepake, shtatlarte, me hapin e ngadalte kur ecte, por mjaft i zellshem si kopshtar. Kishte syte enigmatike dhe nje veshtrim te thelle, qe ndoshta ne te vegjelve ndonjehere na kallte friken. Sidoqe te ishte, mjaftonte qe ai plak i pashem te hapte gojen qe te kuptoje se zeri i tij dilte nga nje shirt qe mbarte miresi te thelle.

Kishte nje bahçe te madhe gjyshi i Visarit, ngjitur me shtepine tone, nje gardh na ndante. Nje dericke formale lejonte qarkullimin e tyre deri ne oborrin tone dhe tonin ne bahcen e tyre. Ne fakt edhe çfare prodhonin kopshtet tona mund ta shijonin te dyja familjet.

E donte shume token gjyshi i Visarit. Peshperitej nder femijet qe kish qene i pasur, qe kish patur toka te mëdha andej nga Devolli, prandaj bente aq shume per kopshtin e tij. Ne te vegjelve nuk na duhej te dinim nese kish qene apo jo kulak, na mjaftonte idea qe, meqe e donte kaq shume kopshtin e tij, patjeter qe duhet te kish humbur kushedi sa toka andej larg Lushnjes.

Kur Visar Zhiti botoi poezine e mesiperme, ne mos gaboj ne nje numer te revistes «Nentori» te vitit  1972, ne adoleshentet e lagjes se tij i lidhem menjehere ato vargje me portretin dhe origjinen e gjyshit te tij. Kishim filluar edhe ne te shkruanim edhe te botonim tek-tuk ndonje varg. Qe Visari perdorte alegori ne ato vargje, per fat te keq nuk na kish rene ne sy vetem neve, fqinjeve te tij. Ato vargje u perdoren me vone edhe ne akuzen qe iu ngrit poetit tone ne gjyqin e montuar qe e dergoi ne qeli.

Mʼu kujtuan keto detaje ndersa lexoja nje shkrim te dikujt rreth ekzistences apo jo te disidences ne Shqiperi ne vitet e diktatures. Autori ngulte kembe se nuk ka pase patur. Une, nderkaq, ngul kembe se ka pase patur dhe te mjaftueshme, te botuar apo te mbetur sirtareve, te drejtperdrejte apo alegorike. Kjo poezi edhe mjaft shembuj te tjere prej vargjeve te Visarit apo te bashkohesve te tij, ishin deshmi e qarte se, edhe pas vargjesh te tilla ne dukje epigramatike, fshiheshin idera te medha: Çʼbeni, u zuri gjumi? Harruat se kush jeni?

A ka disidence me te qarte se kjo, pavaresisht nga mjetet artistike te perdorura?

Filed Under: Opinion Tagged With: Disidencë, në kohën e Visarit, Shpendi Sollaku

Referendumi në Turqi: STAMBOLI I THA”JO”, POR ERDOGAN FITOI

April 16, 2017 by dgreca

Pas numërimit të 98,2 përqind të votave, me 51,31 përqind, Referendumit duket se i printe kampi që mbështet zgjerimin e kompetencave të Presidentit Erdogan. Në qytetin më të madh të vendit, në Stamboll, prin kampi kundërshtar i “Jo”.

NGA AURON DODI/

Në referendumin për instalimin e sistemit presidencial në Turqi, të kërkuar nga kryetari i shtetit Rexhep Tayyip Erdogan, pas numërimit të dy të tretave të votave prin kampi i votave “po”. Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu njoftoi se 51,31 përqind e zgjedhësve kanë votuar pro variantit të sistemit presidencial të kërkuar nga Erdogani. 48, 6 përqind kanë votuar me “jo”. Këto rezultate u bënë të ditura pas numërimit të 98,2 përqind të votave të dhëna brenda dhe jashtë vendit. Në qytetin e Stambollit, sipas agjencisë Anadolu, prin kampi “Jo” me mbi 50 përqind të votave, pas numërimit të 90 përqind të votave të dhëna. CNN Türk thotë se edhe në Ankara me 50.2 përqind prin kampi “Jo”.

Në sondazhe qe parashikuar se të dyja kampet kundërshtare do të mblidhnin një numër të ngjashëm votash në referendum. Votimi përfundoi në orën 16.00 me mbylljen e lokaleve zgjedhore në Perëndim të vendit. Menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit nisi numërimi i votave. Televizioni Haberturk njoftoi se pjesëmarrja në votime qe rreth 86 përqind.

Ankesa për parregullsi

Ndërkohë, përfaqësues të partive opozitare turke u ankuan për akte “ilegale” në referendum. Zëvendëskryetari i partisë kryesore opozitare Partia Popullore Republikane (CHP), Erdal Aksunger u tha  reporterëve se “në moment po kryhen shumë akte ilegale në favor të qeverisë, por “Jo” do të fitojë në fund.” Aksunger e kishte fjalën për një deklaratë në faqen e Bordin të Lartë Zgjedhor (YSK), të publikuar disa orë para se të mbylleshin kutitë e votimit. Në të thuhej se ky organ do t’i llogariste si të vlefshme edhe fletët e votimit të pavulosura nga zyrtarët, deri sa ato të konsiderohen të falsifikuara. Këtë e YSK e shpjegon se janë paraqitur ankesa se zyrtarë të YSK-së nuk kanë arritur t’i vulosin disa fletë votimi.

Po të miratohet sistemi i ri presidencial, ai do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të përgjithshme në nëntor 2019. Në këtë rast pushteti ekzekutiv do të centralizohet nën Presidentin e shtetit, duke i dhënë Erdoganit fuqi të drejtpërdrejtë për të emëruar ministra dhe duke e eleminuar rolin e kryeministrit. Vëzhgues thonë se një rezultat i referendumit pro kërkesës së Erdoganit vetëm do të legjitimonte edhe juridikisht një pushtet që Erdogani e ushtron faktikisht.

Filed Under: Politike Tagged With: Erdogan fiton, referendum, Turqi

Papa denoncon “regjimet shtypëse”, thirrje për vetëpërmbajtje

April 16, 2017 by dgreca

Papa Françesku ka denoncuar “regjimet shtypëse”, në mesazhin e tij për Pashkët, por ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje. Ai u bëri thirrje edhe udhëheqësve botërore që të parandalojnë përhapjen e konflikteve, teksa tensionet janë rritur në Korenë Veriore dhe Siri.

Papa Françesku ka mbajtur meshën e festës së Pashkëve, teksa janë shtuar masat e sigurisë në Sheshin e Shën Pjetrit, pas sulmeve të fundit në Londër dhe Stokholm.

“Në situatën komplekse dhe shpesh dramtatike të ngjarjeve që ndodhin sot në botë, Zoti do t’i udhëheq të gjithë ata që punojnë për drejtësi dhe paqe. Shpresojmë që ai do t’ju jap liderëve të botës kurajon që atyre ju duhet për të parandaluar përhapjen e konfiktit”, ka thënë ai.

Duke folur në festën më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, Papa Françesku gjithashtu bëri thirrje për paqe në Sudanin Jugor, Somali, Kongo dhe Ukrainë.

Filed Under: Komente Tagged With: Papa denoncon, regiment shtypese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT