• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

Të dëbuarit dhe zhvendosurit shqiptarë ende nuk i pranon Republika e Serbisë

June 12, 2017 by dgreca

Shkruan: Refik  HASANI/

Cilat jan veprimet që duhet të ndërrmirren që më në fundë  Republika e Serbisë , të pranon zyrtarisht se vetëm prej qershorit 1999 deri në vitin 2010  sipas gjendjes në terren dhe rexhistratave  të disa OJQ-ve ka mbi 50 mijëtë  dëbuar  dhe  zhvendosur  shqiptarë  nga  Medvegja  ,  Bujanoci   dhe    Presheva që tani jetojn dhe kan gjet strehim në Republikën e  Kosovës e gjetiu.Republika e Serbisë, ende edhe pas gati dy dekada  nuk kanë asnjë një ofertë serioze për kthimin e të zhvendosurve në trojet e tyre. Pse nuk është marrë inciativa deri më tani që të hapet nga një zyrë e OSBE-së edhe nëpërë disa Bashkësi Lokale si në ate të Banjës së Sijarinës, Tupallës,  Zarbicës, Muhocit dhe Karadakut të Preshevës. Përveqë këtyre zyreve  është ndier nevoja që të hapen edhe zyra për kthim, për marrjen e informative dhe investime për të dëbuarit e luftës. Qeveria e Serbisë sillet sikur nuk ka patur fare luftë të armatosur dhe zhvendosje të mbi 50 mijë banorëve që kanë lëshur trojet e tyre nga pushteti agresiv i Serbisë.  Komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës për nga shtrirja gjeografike e përbëjnë një Krahinë që ka mbetur ende padrejtësisht nënë Serbi. Me këto metra katror disa prej shume shteteve, sot janë shtete të pranuara edhe në Këshillin e Sigurimit me të drejta të plota. Që nga koha e prishjes së RSFJ-vetëm ne shqiptarët që ishim për nga numri i banorëve të tretë, ende nuk kemi arritur as për gjysmë të marrim të drejtat që na takojn. Dhe që nga ajo kohë, në tri Komunat e cekura më lartë banorët filluan të drojn nga pasiguria, nga ndjekjet e vazhdueshme, bisedat e shumta nëpër satacione të policisë, filluan njerzit ti lëshojn trojet e tyre. Që nga vitet 90-ta shqiptarët në këtë Krahinë të cekur filluan të organizohen ku u mbajtë edhe Referendumi më datën  1 dhe 2 mars 1992 për Autonomi politiko-Territoriale dhe me një alternativ me të drejtë bashkangjitje me Kosovën.

Dëbimi  dhe zhvendosja e  shqiptarëve nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva  me të madhe filloi që nga pas nënshkrimit të marrëveshje së Kumanovës  

Në veqanti gjatë luftës së armatosur në Kosovë filluan dhuna e shfrenuar kundër shqiptarëve në këtë Krahinë, sepse po mbështesinin luftën e Kosovës. Pastaj me rastin e tërhjeqjes të gjithë ato forca thuajse gati u vendosën dhe u stacionuan në këtë Krahinë, nëpërë lokalitete dhe zona të banuara me popullatë shumicë shqiptare, paramilitarë dhe të tjerë vrastar. Pushteti agresiv i Serbisë në vend që të luftoj në front me UÇPMB-në hakmerret kundër civilëve të pafajshëm sidomos në disa zona të ndieshme si në Komunën e Medvegjës, Karadakë të Preshevës dhe Malësin e mbi qytetit të Vranjës. E që kjo e fundit sot lirisht mundë të themi se është shëndrruar një poligon të vërtet ushtarak dhe nganjëher thuhet që baza ushtarake e Cepotinit 7 km afërë qytetit të Bujanocit është më e madhë apo në Malësin e mbi qytetit të Vranjës, në Sitili te Novosella e Suharën, Guri i zi, Lis i Qobaneve si dhe te Gurët e bardh në Priboc e Qarrë. Banorëtë e Krahinës shqiptare të mbetur ende nën Serbi, mbi 50 mijë banorë u zhvendosën,  u dëbuan dhunshëm, vetëm e vetëm t’i lëshojn trojet e tyre stërgjyshore dhe të lirojn disa zona. Republika e Serbisë edhe pas këtyre viteve nuk dëshiron as edhe ta pranoj që në Kosovë, Maqedoni dhe vende të tjera, kemi të zhvendosur që janë jo vetëm nga këto tri Komuna të cekura , por edhe nga qytete të tjera të Serbisë si Beogradi, Nishi, Leskoci,etj. Republika e Serbisë duhet të ketë një program, një projekt a platform afat shkurtërë, afat mesëm dhe afat gjatë, me një dinamizëm për kthimin e të zhvendosurve për t’ju krijuar kushte për kthim të gjithë atyre që dëshirojn të khehen në trojet e tyre. Kërkesë imediate e kategorisë së të zhvendosurve pavarësisht ku janë me qëndrim të përkohshëm, të ardhur nga Krahina e mbetur nënë Serbi është:
– Deri më tani Republika e Serbisë nuk ka treguar kurrfarë shenje të vullneti të mirë që dëshiron ti kthej të zhvendosurit për kundrazi me çdo kushtë është munduar ti pengoj direkt apo indirekt në forma nga më të ndryshme ashtu si di vetë ajo!. Serbia deri më ta ni nuk ka patur asnjë ofertë për të zhvendosurit nga Krahina shqiptare. Shpëtim për Malësin e mbi Vranjës është që ato pakë banorë të mbetën në Malësi dhe të kthehen më shumë të zhvendosur është që rruga të asfaltohet. Kërkojmë që një mision mbykqyrës dhe faktëmbledhës të jetë i pranishëm edhe nga OSBE-ja. Urgjentisht kërkohet që banorët e ardhur nga Krahina shqiptare e mbetur nën Serbi prej Komunave Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë që:
– Të bëhet rexhistrimi i tyre nga organet e Republikës së Serbisë, prej organeve ku janë të vendosur në Kosovë apo Maqedoni apo,edhe prej mekanizamve relevant ndërkombëtarë.
– Të bisedohet shumë shtruar edhe nga niveli më i lartë shtëtëror i Republikës së Kosovës për kategorin e të zhvendosurve.
– Nëse kemi një ofertë për të zhvendosurit do të kemi më shumë familje që dëshirojn të kthehen.
– Republika e Kosovës do të lirohet nga barra e tëpërt.
– Republika e Serbisë do të tregoj realisht që nuk është e një anshme vetëm të kërkoj për pjesëtarët e vetë, por ka interesim edhe për banorëtë e vetë, pasi ashtu po trumbeton se i mbron të gjithë barabarsisht.

Për të kthyerit duhet krijuar edhe disa parakushte, të ketë liri të plotë të lëvizjes, të rregullohet dhe investohet për infrastrukturën rrugore, sepse në disa fshatara janë shkatrruar edhe shtyllat elektrike, nuk ka ambulanca apo përkudesje mjekësore etj. Në Malësin e mbi Vranjës ushtria duhet të tërhiqet nëpër kazerma, sepse ajo është pengesë kryesore për kthimin e të zhvendosurve. A nuk mjafton baza ushtarake e ushtrisë Serbe në Malësinë e mbi Vranjës, ku është shëndrruar në një poligon të vërtet ushtarak. Që ka disa pika me përqendrim të madh të ushtarëve dhe arsenalit tepër të madhë ushtarak, lëvizin aqë shumë, që kjo prodhon dhe ka një psikozë të madhe të frikës për banorët dhe penges kryesore për kthimin e banorëve në trojet e veta stërgjyshore, pra mugon liria e lëvizjes së lirë të vendasve. Banorët e mbetur sidomos në Komunën e Medvegjës në Malësi të mbi Vranjës dhe në Karadak të Preshevës. Këto pjesë kanë mbetura të boshatisura dhe të mbetura gati pa banorë. Republika e Serbisë punon me shumë ftyra dhe standarde të shumëfishta, çfarë të drejtash dhe kushtete kërkon për kthimin e Serbëve lokal të Kosovës as qerekun e atyre të kushteve nuk ua mundëson komunitetit shumë të madhë në Serbi që është një Krahinë homogjene dhe shtrirje shumë të gjërë gjeografike. Serbia nuk ka investuar fare në kthimin e të shpërngulurve, sa është investuar për Serbët e zhvendosur në Kosovë për gjashtë muaj, nuk është investuar as për dhjetë vjetë për tri Komunat e cekura për kthimin e të zhvendosurve shqiptarë në Serbi. Serbët kanë beneficione të mdha shetisin nëpër Kosovë me targa të vjetra marrin rroga, pesione prej buxhetit të Kosovës, Sërbisë dhe atij të huaj. Kurse të zhvendosurit shqiptarët gati kan mbetur nënë mëshirën e fatit të tyre. Pyetja  si fillim dhe në përmbyllje të këtij shkrimi: Cilat jan veprimet që duhet të ndërrmirren që më në fundë  Republika e Serbisë, të pranon zyrtarisht se vetëm prej qershorit 1999 deri në vitin 2010  sipas gjendjes në terren dhe rexhistratave  të disa OJQ-ve ka mbi 50 mijë të  dëbuar  dhe  zhvendosur  shqiptarë  nga  Medvegja,  Bujanoci  dhe  Presheva që tani jetojn dhe kan gjet strehim në Republikën e  Kosovës e gjetiu.

12 Qershor 2017

Filed Under: Analiza Tagged With: Refik Hasani, Republika e Serbise, te debuarit shqiptar

Urim per kryetarin e ri të Vatrës, z.Dritan Mishto!

June 12, 2017 by dgreca

1 ok Drita AlbaLifNga Keze Kozeta Zylo/Stafi i shkollës Shqipe “Alba Life”/New York/1 dritan popVatra jonë e Nolit dhe e Konicës, e cila është pasuri kombëtare si organizata më e vjetër shqiptare në botë dhe që i ka qëndruar Kombit në ditët më të vështira dhe më historike gjithmonë meriton që në krye të saj të jenë shqiptarë të devotshëm, burra të urtë, tolerant dhe të mençur.

1 Dritan shkolla Keze

Si një anëtare aktive e Diasporës e prita me pozitivitet dhe plot dashamirësi zgjedhjen e kryetarit të ri të Vatrës të cilët kishin kuvendin e tyre për zgjedhjen e kryetarit të ri në ditën e shtunë, më 10 qershor, 2017-të.

Vatra e meriton qe ne krye te saj të këtë z.Dritan Mishto një burrë të kulturuar në Perëndim, një atdhetar të flaktë, një kontribues të devotshëm në Diasporë i cili e tregoi me plot dinjitet karizmën e tij kur ishte Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York.

Stafi i shkollës Shqipe “Alba Life” që operon ne disa lagje te Nju Jorkut i uron punë të mbarë Z.Mishto.  Z.Mishto ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York për disa vite dhe më duhet të pohoj se ka qenë nje nga diplomatët më aktivë, i cili me një përkushtim atdhetar vetëm për Kombin, nuk linte aktivitet pa marrë pjesë dhe pa i përshëndetur nga afër.

Fjala e tij prej një diplomati të karierës ka frymëzuar sa e sa gjenerata duke i mbajtur lidhjet e forta midis Diasporës dhe Kombit, gati lidhje si mishi me kockën.

Si diplomat i karieres, por i hequr pabesisht nga k/m Rama në mes të “mexhlisit” në Manhattan i cili që ne takimin e pare që pati me Diasporën u “dhuroi” pjesëmarrësve “mandatin e heqjes së një diplomati” duke treguar se në se nuk je me Ramën hidhesh në “rrugë”…  Kryeministri Rama gaboi rëndë, sepse Diaspora nuk mund t’ia hidhte poshtë kontributet që kishte dhënë diplomati Mishto sepse shumica e Diasporës shohin Kombin dhe jo qëllimet cinike të politikës që e çojnë Kombin vetëm në regres.

Më duhet të them se TV “Alba Life” dhe Shkollat Shqipe janë komplet të pavarura nga rrymat e ndryshme politike dhe shprehim krenarinë tonë për punën dhe bashkëpunimin me mësuesit, prindërit, artistët, shoqatat, personalitete të shquara të Kombit, si dhe me diplomatë dhe ambasadorë të gjitha qeverive politike pa dallime se dhe ndërtimin e punës sonë e kemi krijuar tërësisht në forcat tona.

Stafi i TV “Alba Life” dhe Shkollës Shqipe ashtu siç e priti me dëshpërim mënyrën e heqjes së z.Mishto arbitrarisht nga kryeministri Rama ashtu dhe e priti me shumë dashamirësi zgjedhjen e Tij në krye të vatranëve, ndërkohë i urojmë dhe ish kryetarit të Vatrës z.Gjon Buçaj shëndet dhe vazhdimësi në punët atdhetare.

Pas heqjes nga detyra të z.Mishto stafi i Shkollës Shqipe “Alba Life” për të respektuar punën e Tij, përkushtimin e madh karshi shkollave shqipe, frymëzimin që jepte herë pas here dhe për t’i shprehur mirënjohjen, mësuesit, prindërit dhe nxënësit e shkollave shqipe në një nga degët e saj në shkollën publike amerikane në Brooklyn e pritën z.Mishto plot respekt dhe dashuri ditën e premte, në datën 4 tetor 2013-të në mjediset e saj.  Zoti Mishto ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij fisnike znj. Agatia Mishto.

Pasi ka mbaruar mësimi, Themeluesi i shkollave shqipe dhe producent i TV Alba Life z.Qemal Zylo në emër të stafit të tij i dhuroi z.Mishto në prag të largimit të tij për shkak të shkarkimit nga detyra deklaruar nga z.Rama në New York një pllakë mirënjohjeje me këtë motivacion: “Për një kontribut të jashtëzakonshëm dhe përkushtim të sinqertë për shkollat Shqipe dhe TV Alba Life. Ne vlerësojmë kontributin tuaj për ruajtjen dhe kulturën shqiptare në Shtetet e Bashkuara gjatë shërbimit si Konsull i përgjithshëm në New York”.

Gjatë marrjes së pllakës së mirënjohjes Z.Mishto tha me emocion se ishte i nderuar për vlerësimin që i bënë Shkollat Shqipe, TV Alba Life dhe uroi që ato të zgjerohen dhe të mos mbyllen kurrë.

Ai u nda me dashuri dhe plot respekt me ta dhe u premtoi se do të vijë përsëri.  Përcjellja e tij plot mirënjohje nga fëmijët dëshmoi qartë se Z.Mishto do të jetë përherë midis nxënësve të shkollave Shqipe.

Dhe premtimi shpresoj se do të mbahet duke ardhur përsëri e përsëri jo vetëm në shkollat shqipe, por kudo, ndoshta dhe më shumë se më parë, tashmë jo si Konsull I Përgjithshëm i Shqipërisë në New York, por si kryetar I Vatrës, pasardhës i devotshëm i Nolit dhe Konicës…

11 qershor, 2017

Staten Island, New York

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kete Kozeta Zylo, Urim per kryetarin e ri të Vatrës, z.Dritan Mishto!

BERATI- REPUBLIKA E RE -MIREQENIE

June 12, 2017 by dgreca

1 agim deshnicaNga Agim Xh.Dëshnica/ Boston/MA/

1 berati B Glob

Vështrim Panaromik/

1 Universiteti i beratit1 Kalaja-BR-600x369

Ne Foto: Universiteti i Beratit/

 Berati, qyteti liridashës i atdhetarëve të Pavarësisë  Kombëtare, si Jorgji Bab Dud Karbunara, Ilias Vrioni, Sami Vrioni, Dhimitër Tutulani, Ferit Vokopola, krenohet me bukurinë e lashtë mbi hapësirën e madhërishme, të maleve përqark. Në lindje Tomori mbi re, me kreshtën e shtrirë nën borë, nga shfaqet dielli në çdo mëngjes.  Mali i Drobonikut me lagjen Goricë në hije e dritë, mbi Osum përballë mureve të Kalasë me Mangalemin pranë, ndërsa Shpiragu nën qiell nga perëndon me Qafën e Sinjës në mjegullnajë.Berati sado i përgjakur dhe i goditur pabesisht nga arma vrastare e kazma e dhunëshme e sundimtarëve komunistë, mbeti gjallë, muze i rrallë, me këngë e legjenda, monument kulture, lashtësi, histori që flet.

1 Ura e Gorices

Ne foto:Pamje nag Ura e Gorices/

1 Kalaja-BR-600x369

Ne Foto: Kalaja e Beratit/

 Kalaja, e piktorëve shërbestarë të fesë, e banuar në shekuj, si askund, ruante Kodikët e Beratit, Kishën e Shën 1 Ura e GoricesTriadhës me Ikonat e Onufrit, Kishën e Shën Vllahermës, Katedralen e Shën Mërisë me afreskat e ikonostasin plot art; Xhaminë e Hunqarit dhe Xhaminë e Kuqe me gjysëm-minaren, me vjetëri qindravjeçare. Mbron brenda mureve e kullave iliriane, nga furia e erave të largët, shtepitë me dritaret varg, çardakët nën strehët e gjera çatish, oborret e kopshtet, sokakët e sheshet e gurtë, historinë 2400 vjeçare. Nga Kulla Ali Pasha, në jug-perëndim, zbret nëpër humnerë, një shkallare e mbuluar që përdorej për ujë në lumë.

  Nën humnera e shpella, mbahet fort faqe shkëmbi Mangalemi-mrekulli, krijim i mjeshtrave artistë, me shtëpitë sup më sup, me vargje dritaresh, kopshte e oborre, mure e porta dhe sokakët, njëri sipër tjetrit. Si e varur në kep të shkëmbit, duket në kaltërsi Kisha e Shën Mëhillit. Poshtë kalon rruga kryesore e makinave e mbuluar me asfalt, nga hyrja veriore e qytetit, shumë kohë më parë. Në sheshin, ku ndodhet busti i Bab Dud Karbunarës, rruga ndahet në tri degë. E para, merr djathtas afër lumit e humbet larg. E dyta, pasi kalon para Xhamisë së Beqarëve, merr  majtas, thuhej “ku dridhen qerret”, rreth Sarajeve të Pashallarëve, vepër madhështore monumentale e dënuar me shkatërrim nga sekretarët e krisur. Më larg të mbijetuara pas “revolucionit kulturor”, rreshtohen Xhamia Mbret, me tavanet e piktorëve- mjeshtra të panjohur, Teqeja e Helvetive-larushi ngjyrash, Xhamia e Plumbit me katër kupola gri. Xhamia e Telelkave. Mbi hotel Tomorin. ngrihet madhështor Universiteti i Beratit, vepër arti e demokratit Astrit Veliaj, nga kanë dalë mijëra studentë, tani për habi, mbyllur me urdhër nga zyrtarët social-komunistë. E treta, rruga kryesore e qytetit hisorik, e tjetërsuar në “pedonale”, mbuluar nga “Rilindësit” hokatar me plloça guri. Përbri zgjatet parku i krijuar para viteve 90, pas shembjeve barbare të një vargu dyqanesh pranë Osumit, tok me Hotel Kolombon, ndërtesë neoklasike. me pamje nga Kalaja. Në “pedonale” ndalohet kalimi i makinës si më parë. Duhet ta lësh diku larg, kushedi se ku, pastaj të ecësh më këmbë, nën erë, shi e borë, për në dyqane apo kafe, tek berberi ose me dhimbje të mprehta me vrap tek ndonjë klinikë dentare. Me makinë gjobitesh nga policia rrugore, sepse çahen gurët e malit. Veçse, vërshimi i ujrave nga shiu, përrenjtë  dhe lumi, nuk pyet, as gurët, as gjobëvënësit. as kryetarin e Bashkisë nga Mjeshova, që ndërron parti e sekte fetare, mandej  me shirit të kuq në sup e gjoks, shoqëron Peleshët për inaugurimin e shkatërrimit të qendrës së Beratit e të historisë së tij.

  Pazaret e paharruar të tregtarëve në qendër të qytetit, Bezisteni, Kulla e Sahatit,  punishtet, kafet e pijetoret, heshtin nën themelet e pallateve me beton e tulla socialiste. Ndërtesa e Prefekturës, përmendore historike tok me rrethimin, pajtonet me kuaj dhe lundra, shihen vetëm në foto. Emërtimet me vlerë për historinë e turizmin, janë fshirë nga dokumentet zyrtare, por aspak nga kujtesa e qytetarëve, si, “Lëmi i Shamatasë, Lëmi i Plykut, Ku dridhen Qerret, Rasa Çekbeni, Shpella e Memecit, Hani i Fëshfërimës, Hani i Shpiragut, Tregu i Kazanxhinjve, Zarizana, Pellgu te Trarët, ingjiri i Hafëz Rizait” etj. Këta emra romantikë, tashmë shkruhen nga studjuesit, me foljen në kohën e shkuar, ishte, ishin, kishin- humbje e pazevendësueshme vlerash turistike.

  Ura me shtatë harqe mbi Osum, ku sipas legjendës, prehet vasha e flijuar, bashkon fuqishëm bregun e rrapeve me lagjen Goricë me shtëpitë e fshehura faqemali, në hije e në pyll. Një kishë, zbardh në qendër, me kambanoren ndërmjet selvive. E dyta, në këndin lindor, ku merr përpjetë rruga, e njohur gjatë luftës, për në Drobonik. Pas ndreqjeve të zakonshme, papritur gjatë përurimit, shfaqet mbi urë, edhe Kryeministri rilindës, sikur e tëra qe ndërtuar  për herë të parë, jo me me florinjtë e Kurt Pashës më 1778, por me eurot e Saimirit të drogës, Nuk është aspak çudi se rilindësi ynë me ato origjina maramendëse, mund të jetë stërnip i Pashës. Në një takim me barcoleta. ka pohuar se është, edhe nga Berati, jo nip bariu nga Mbreshtani i Shpiragut, siç thotë dikush nga fshati.

  Lagjja Murat Çelepi më e gjelbëruara e qytetit. me Parkun e Madh të vitit 1930, rreth e qark plot me lule,  me shtëpitë e bahçetë përrallore mbi brigjet e lumit, e masakruar nga kazma e qysqia e kuqe, tashmë jeton nëpër kujtime. Vetëm natën dëgjohet uturima e trishtuar e rrjedhës së Osumit dhe jehona e largët e krismave të vrasjes së poetit të lirisë Namik Mehqemeja dhe e shpëtimtarit Kostaq Stefa, të ekipit mjekësor amerikan. Ndërmjet prishjeve vandale renditen, Xhamia e Dylibegës në hyrje të qytetit, nga niseshin besimtarët pas faljes, për haxhillëk në Mekë. Sot në atë vend të shenjtë, ngrihet përpjetë gryka e një mitrolozi. Edhe Xhamia e Çelebi Hysen Pashës, e motit 1663, u kthye në depo, ndërsa Kulla e lartë e Sahatit me çezmën e ujin, u shemb rrafsh me tokën. Më tej, Shkolla Qytetëse, ndërtesë neoklasike, tek kalonte e ndalej pak më larg, Felbani austro-hungarez i hekurudhës Shkodër–Berat, sokakët e mbrojtur nga era, të pastër dritë, tok me çezmat, shtepitë e bardha dykatëshe beratase, muret e portat me hark të lartë, oborret e puset, bahçetë e çikrikët e vaditjes me ujë nga rema, të gjitha u fshinë barbarisht nga faqja e dheut, me urdhër Partie dhe me vendimin e vulën-gjak të Pushtetit Popullor. Gjithsesi Berati, ky qytet legjendar i trashëguar nga breza atdhetarësh, ky qytet dashamirës i demokracisë, sado i dhunuar nga sundimtarët komunistë, mundi  t’i shpëtonte, pak a shumë, vlerat veta,

  Nërkohë “Rilindësit” socialistë, pas qindra premtimeve, nuk kryhen asnjë punë serioze për mirëqenien e qytetarëve, dhe mirëmabajtjen e Qytetit Muze, se paratë e taksapaguesve dhe e fondacioneve amerikane, u shpërdoruan  për prishje rrugësh historike nga ata, që dukeshin e papritur zhdukeshin. Kanabisi i fshehur dhe paratë e pista nga shitja, janë në kasafortat e Rehovicave dhe e Klosëve te drogës me të cilat blejnë vota dhe debutetë pa dinjitet të cilët ndërrojnë parti, sipas stilit Ngjelian. të lidhur me krerët, bijë kuadrosh të një kohe dhune që orvaten ta marrin në duart e tyre, qytetin më të bukur të Shqipërisë, vetëm për argëtim. Në çdo fundjavë mbërrinin zhurmshëm, jo për hallet e qytetarëve, por për dreka e darkat e shijshme të Beratit. Më pas, papritur, fillonte shkallmimi i asfaltit, mbulimi me gurë i rrugës kryesore të qytetit dhe i kujtimeve te rinisë, larg zonës muzeale të qytetit magjik, në Mijëvjeçarin e Ri! Në një kohë, kur Berati nuk vuan aspak nga mungesa e gurëve, por nga problemet e pazgjidhura ekonomike.  

  Gjatë katër viteve, që shkuan këta pushtetarë gënjeshtarë, u tallën me shpërndarje kartash pa vlerë, me shpërdorim fondesh për “lungomare”, “pedonale” qesharake dhe shkretimin e shesheve historik, kur në shumë qytete vuajnë nga mungesa e punës, e parave, e ujit dhe e dritave, Mandej luajnë filmash me makete ishujsh mbi lumë. me tunele autobuzësh e trenash  nën lumë dhe nën brigjet shkëmborë të Beratit. Nërkohë ura madhështore me beton mbi Osum e autostradës së Qeverisë Berisha që përshkon krahun perëndimor të lagjes Murat Çelepi, pret rifillimin e punimeve të ndërprera më 2013, se “Rilindja” e bujëshme është mekur, asnjë mendim, asnjë projekt, nuk ka per keto punë tepër të vështira për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me shumë vlera, për  mirëqenien e qytetit  e qarkun e Beratit.

  Autostradat ndërmjet qyteteve dhe rrugët përmes fshatrave, janë gjithçka, punësim, bujqësi, zejtari, art, muzeume, gjallërim i tregtisë, hoteleri, shkolla, kulturë, shëndetësi, festivale, ndërsa nxitja e fshehtë për kultivimin e kanabisit, shkatërrim i bujqësisë, pakësim i blegtorisë dhe i bletarisë, varfëri, rrezik jete.

 Gjatë kohës së Qeverisë Demokratike, u ndërtuan   rrugë të shumta nga Veriu  në Jug: Rruga e Kombit,     autostrada Lushnjë-Fier. Levan- Vlorë dhe gjysma Levan-Tepelenë. Filluan punimet për hapjen e Rrugës së Arberit, Kardhiq – Delvinë. U zgjerua autostrada Tiranë-Durrës,Tepelenë-Gjirokatër. Rreth Gjirokastrës u ndërtuan dhjetra rrugë. Hapja e Tunelit të Kërrabës, shkurtoi rrugën Tiranë-Elbasan e më tej, zgjerimin drejt Librazhdit me sinalistikë deri në hyrje të Pogradecit. Kjo gjendje krijoi mundësinë për vazhdimin drejt Beratit deri në Urën e madhe mbi Osum. Projekti mesa kuptohej  synonte  daljen në Mamaliaj dhe në Sarandë. Për t’u ardhur në ndihmë fshatrave në krahun e djathtë të Osumit u ndërtua rruga, e cila qarkoi malin e Shpiragut deri në fshatin Sinjë dhe lidhi atë zonë të thellë me qytetin e Beratit.

Përveç këtyre arritjeve, nuk duhen harruar anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, përpjekjet,   në kundërshtim me opoziten social-komuniste, për plotësimin e kushteve, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, marrëveshja përfundimtare me TAP, për kalimin e tubacionit të gazit përmes Shqipërisë,  rritja e pensioneve dhe e pagave, ulja e taksave etj. Por votat e gabuara, pas mashtrimit të madh të “Rilindjes” së gënjeshtarëve, frenuan ecjen më tej.

  Në qytet e fshat, shpresojnë, se ditë më të mira do të vinë me Republikën e re që do të krijohet nga Partia Demokratike me aleatët e saj, pas një ndërprerje katërvjeçare. Republika e Re, do të shtojë vendet e punës, prodhimin. do ulë taksat, çmimin e naftës. Do japë para për fermerët dhe do të ndihmojë direkt familjet në nevojë ekonomike duke paguar faturën e energjisë dhe të ujit të pijshëm. Do ketë kreditim më të mirë të ekonomisë.

  Votat janë vullneti dhe shprehja e besimit  ndaj një  të ardhme më të sigurtë jetese për Beratin, me ndhimesën e kandidatëve të djathtë, si: Eduard Halimi, jurist e ligjvënës i shquar, Astrit Veliaj, jurist, ekonomist dhe administrator i njohur,. Bujar Hoxha, ish Prefekt i Beratit. Myslim Haxhi, veprimtar i palodhur për probleme të administratës, Juvina Qevani, eksperte psikologe dhe Monika Qosja, mjeke e përkushtuar për probleme shëndetësore të qytetit.

 Të gjithë në votime për Republikëne e Re, me Lulzim Bashën në krye, këtë udhëheqës energjik, i cili nga viti në vit, me ndershmërinë e punën e tij, ka fituar besimin e respektim e qytetarëve, shtypit shqiptar dhe zyrtarëve të lartë në Europë e SHBA.

Zoti e Bekoftë Beratin! Zoti e Bekoftë Shqipërinë!

Filed Under: ESSE Tagged With: -MIREQENIE, Agim Xh Deshnica, BERATI- REPUBLIKA E RE

SHBA- MËRGIMTARËT NGA HOTI NE PLAVË-GUCI KUNDËRSHTOJNE MINIHIDROCENTRALIN

June 12, 2017 by dgreca

DEKLARAT PËR OPINION E MERGIMTARËVE NGA HOTI NË PLAVË-GUCI-KUNDËRSHTOJMË NDËRTIMIN E MINIHIDROCENTRALIT/

Hoti në Plavë-Guci është një vendbanim etnikisht i pastër dhe në të banojnë vetëm shqiptaret autokton, përndryshe Hoti në të kalurën e afërt kishte mase 70 shtëpi, ndërkaq si çdo vendbanim tjetër shqiptar në Plave Guci sot vuan nga plaga e rënd e mërgimit si rrjedhojë e jo perspektives dhe politikave diskriminues nga shteti malazias në 100 vjeçarin e fundit. Hoti i Kujit se si e thërrasin vendoret njihet edhe si Hoti i legjendave, kjo shprehje tek plavë guciasit përdoret fal trimërisë që historikisht hotjanët banë për mbrojtje të Plavës dhe Gucisë si tërsi.

Në New York me 27 Maj 2017 u mbajt një takim i mërgatës me prejardhje nga Hoti ku muarrën pjesë të gjithë përfaqësuesit e vëllazërive të fshatit, dhe u debatua problematika e iniciativës se shtetit malazias për ndërtimin e një minihidrocentrali, që do të shfrytëzoj ujerat e Hotit.

Uji si burim jetës dhe ekzistencës .

Mënyra se si do funksionoj ky impiant është paksa e çuditshme dhe e pa pranueshme sepse ky impiant përmes tubacioneve do mbledh të gjitha ujerat tona, ujëra këto që janë përdorur për pije dhe ujitje të tokave të bukës, livadheve dhe kullosave të fshatit Hot.
Hotjanët të indinjuar thellësisht për këtë iniciativë të shtetit malazias dhe komunës së Plavës një zëri nga ky takim theksuan se janë kundër këtij projekti, projekt ky që do të shëmtoj pamjet e natyrës së fshatit tonë, por çka është ma me rëndësi se shteti malazias këtë projekt po tenton ta implementoj kundër vullnetit dhe duke shpërfillur vullnetin e hotjanve, realizimi i këtij projekti do të thelloj edhe ma shume plagën e rënd të largimit dhe boshatisjes së këtij vendbanimi nga shqiptaret autokton . Shteti i malit të Zi dhe komuna e Plavës nuk mund të sjellin dhe nuk do i lejojmë që të sjellin vendime kudër vullnetit tonë, sepse edhe sot si gjate historisë hotjanët nuk lejuan dhe nuk lejojnë nëpërkëmbjen nga askush. Nëse bota e civilizuar sot mbron natyrën dhe ujerat atëherë valle pse kjo e drejt elementare po shkelet dhe cenohet për shqiptaret autokton të Hotit, nga një shtet që pretendon të jete pjesë e botes së lirë dhe demokratike evropiane.
Ne do të kundërshtojmë këtë nismë në çdo instancë qoftë lokale apo më të larta shtetërore por edhe në qarqe ndërkombëtare për të mbrojtur tokat dhe pasurit tona për të parandaluar vënien në jetë te këtij projekti famëkeq.
Askush, as qeveri e as individ nuk mund te sjellin vendime për pasurit tona shekullore, pasuri këto qe me shekuj i kemi ruajtur dhe mbrojtur nga çdo pushtues dhe do i mbrojmë edhe sot.

New York 12 Qershor 2017

Filed Under: Komunitet Tagged With: Esad Gjonbalaj, kudnershtojne, Mergimtaret Plave- Guci, Minihidrocentralin

Sa i vjetër ky banalitet

June 12, 2017 by dgreca

Nga Aurel Plasari/Aurel_Plasari

(Nënvizime për ciklin “Me historinë poshtë nënkresës”)/

Nga një libër modest zbulohet një realitet tronditës. Ky është sekreti i librave të mirë, si monografia e z. Koleç Çefa për historikun e grupit opozitar “Ora e Maleve”: Gurakuqi, Fishta, Harapi, Palaj, Shantoja, Topalli etj. Por edhe të gazetës me të njëjtin emër të atij grupi (1923-1924). Pa qenë recension për librin, ky është vetëm një tok shënimesh me nënvizimet nga leximi prej dokumenteve i një vargu të vërtetash. Janë nga ato që nëpër librat e historisë nuk thuhen. Shkurt rrethanat historiko-politike: Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes ishte ngritur e qe vendosur në Tiranën që e kishte quajtur “kryeqytet provizor”. 1921-shi ishte vit i të parave zgjedhje parlamentare. Politika e improvizuar e Tiranës rrekej të imitonte politikën e rafinuar të Europës. Ishte krijuar edhe e para parti e njohur politike: veten ajo e quante “Popullorja”, ndërsa për të tjerët do të ishte thjesht “Klika”. Nuk do të vononte dhe në krye të saj do të imponohej Ahmet Zogu. Më 11 korrik formohej qeveria e parë, ajo e Iljaz Vrionit. Pa zgjatur shumë ajo rrëzohej dhe formohej më 16 tetor qeveria e Pandeli Evangjelit. Binte edhe kjo dhe më 6 dhjetor formohej qeveria e Qazim Koculit. Një ditë më mbas, më 7 dhjetor, formohej tjetër qeveri, ajo e Hasan Prishtinës, e cila nuk zgjaste më shumë se pesë ditë. Më 12 dhjetor formohej qeveria e Idhomene Kosturit. Atë më 24 dhjetor e zëvendësonte qeveria e Xhafer Ypit. Destabilizimi qeveritar u la fushë të lirë më 1922 kryengritjeve në disa zona të Shqipërisë. Më 1923 zhvilloheshin zgjedhjet për “Kuvendin Kushtetues”. Më 1924: po dihet.
Ahmet Zogu deputet. – Një parantezë sa për të vënë në dukje një fakt ekzotik në ato hapa të parë të politikës shqiptare: simbas Ligjit për Zgjedhjet në Këshillin Kombëtar, të dekretuar nga Këshilli i Naltë, mosha e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 1921-shit duhej të ishte mbi 30 vjeç, kurse Zogu nuk ishte veçse 26 vjeç. Nuk është shpjeguar asnjëherë sesi ia doli 26-vjeçari të depërtonte në ato zgjedhje nga të cilat dilte fitues.
Europianizëm me ngritje dore. – Qysh në ditën e parë të mbledhjes së Këshillit Kombëtar konsumohet edhe e para bëmë qytetërimore: fjala “bej” zëvendësohet me fjalën “zotëri”, athua se shndërrimi i një mendësie në një tjetër u kryekësh me një të ngritur dore.
Me famë, por pa bukë. – Nga letra e Anvi Rustemit drejtorit të gazetës “Ora e Maleve”: “Uroj nga zemra që gazeta të ketë përparim e jetë të gjatë që, kështu, zëri i saj të zbutë pak mjerimet e popullsisë aty dhe të Maleve me famë, por pa bukë”.   
Autoritarizmi ka qitur kokën. – Një nga shqetësimet e grupit “Ora e Maleve”: “të ruhemi që të mos i japim fuqi të madhe pushtetit politik”.
Liria e shtypit. – “Ora e Maleve” për çështjen e mbrojtjen e kufijve të Veriut të rrezikuar nga ndërhyrja jugosllave: “Nuk na çudit fort heshtja e deritanishme e gazetave proqeveritare, mbasi disa prej tyne kanë frenin në gojë”.
Fobia nga të vërtetat e shtypit. – “Ora e maleve” boton një numër të veçantë për çështjen e kufijve të rrezikuara nga ndërhyrja jugosllave. Prefekti i Shkodrës e konfiskon numrin dhe arreston e fut në burg shitësit e gazetës, djem të vegjël 10-12 vjeç. Por kjo nuk i mjafton: var nëpër mure një shpallje, në të cilën vetë prefekti polemizon me “Orën e Maleve”. Shpallja i jepet edhe tellallit që, i përcjellë me polic, t’ia trumbetojë popullit. Afërmendsh që prefekti nuk e kupton që në këtë mënyrë e bën edhe më popullor numrin e konfiskuar të gazetës.
Administrimi i Shkodrës. – Luigj Gurakuqi në Parlament mbas skandalit të prefektit: “Mos e merrni aq lehtë çështjen e administratës së prefekturës së Shkodrës, se Shkodra asht nji prefekturë  e madhe, e asht mësue me u administrue prej zyrtarësh të naltë, ka pas në krye gjenerala. Mos e lini mbas dore nji qytet ku luhen role të mëdha…”.
Të gjitha mjetet kundër opozitës. – Në përgatitjen e zgjedhjeve të 1923-shit për Kuvendin Kushtetues mund të nxirret nga fletorja “Ora e Maleve” lista e të gjitha mjeteve të përdorura nga qeveria, legale e ilegale, për të penguar opozitën: premtime dhe kërcënime, ryshfete e ndëshkime, arrestime e burgosje.
Reformë territoriale më 1923. – Ndër mënyrat që mund të quhen “marifete” të përdorura nga qeveria për të penguar opozitën është edhe njëfarë “reforme territoriale”: ajo shkëput nga prefektura e Shkodrës krahinat mirditase të Këthellës, Bishkashit, Selitës dhe ua bashkon ato nënprefekturave të Matit, ku Ahmet Zogu i ka pozitat më të forta.
Diplomaci e paanshme? – Nga letërkëmbimi i kryepeshkopit të Shkodrës lexohet: ambasadori i Italisë, markezi Di Durazzo, ka ndërhyrë pranë tij në favor të Ahmet Zogut për të fashitur opozitën e grupit “Ora e Maleve”. Ka ndërhyrë madje “me kambëngulje”, sqaron arkipeshkvi Lazer Mjeda. Ai orvatet të sqarojë Grupin që  ndërhyrja e “markezit” në këtë çështje është “tanësisht gja e veçantë e tij” dhe qeveria italiane nuk ka të bëjë aspak në këtë ndërhyrje.
Vajguri dhe kontrabandë paresh. – Nga një shënim i Fishtës mësohet që në Shkodër ka vajtur edhe ambasadori anglez për të bindur autoritetet që të votohet në favor të listës së Ahmet Zogut. Fishta nuk ka ngurruar të saktësojë: “ministri anglez mjaft i njohun për hir të interesave në çështjen e vojgurit, si dhe për kontrabandë paresh në Shqipní”.
Korrupsion në fushatë. – Nga një mesazh Luigj Gurakuqit prej Arkipeshkvit të Shkodrës, 1 korrik 1924: “qeveria e Zogollit ka shpërdorue me mija napulionash per qellime korrupsionit në kohë të zgjedhjeve”.
Fqinjë si fqinjë. – Në një letër të Arkipeshkvit të Shkodrës, që botohet për herë të parë, tërheq vëmendjen shënimi që në fushatën elektorale të 1923-shit pro listës qeveritare “qeveria dhe jugosllavët shpërndajnë pare”. Saktëson arkipeshkvi: “Na nuk kemi e nuk duem me dhanë asnji soldë”.
Erdogani nuk ishte. – Megjithëkëtë nënkryetari i Parlamentit Eshref Frashëri shapll: “Neve me Tyrqinë jemi një trup edhe sot interesat i kemi të përbashkëta”.
Drejtësi. – Qeveria ka planifikuar të hedhë në gjyq fletoren “Ora e Maleve” për një artikull të botuar “kundra qeverisë”. Është vënë në lëvizje Ministria e Punëve të Brendshme, sepse gjykatësi të cilit i takon çështja ka qëlluar simpatizues i “Orës së Maleve”, madje në marrëdhënie të mira me redaksinë e fletores. Atëherë? Zyra sekrete propozon që “shpejtazi” të nxirret e të komunikohet dekreti për transferimin e gjykatësit në fjalë.
Oligarki. – Ja që nuk qenkësh term i ri në qeverisjen e Shqipërisë. E ka përdorur Gurakuqi: “tendenca oligarkike vete tue u shtue, qarku tue u ngushtue, personat tue u paksue…”.
Vetëm njëri jo në parlament. – Të gjithë kundër njërit, kundër opozitarit të quajtur edhe “njeriu sine qua non”. Luigj Gurakuqi rezulton i luftuar egër jo vetëm nga kundërshtarët e tij të partisë së Zogut, por edhe nga një pjesë e “të vetëve”: shpifje, thashetheme, fyerje, falsifikime. Si shpjegohet, ndaj një personaliteti kulturor e politik si Gurakuqi, kjo frikë e ndërzyer me urrejtje? Lexohet tek “Ora” edhe me vetëm një gjysmë fjalie: “në te kundërshtarët shohin kundërshtarin ma të fortë”. Si reziston ky njeri? Është tërhequr në Troshan për të ruajtur qetësinë dhe për të kalitur vullnetin. “Ishin këshillat e të ligut, e të verbëtit, e na nuk i ndoqme, – ka kujtuar Shantoja: – nji accord me të cilin kishim për të pasë gjithçka dëshirojshim, mjaft që t’u shlyente emni i Luigj Gurakuqit…”. Vetë Luigji, duke përshkruar “fatin” e vet, i rrëfehet në një letër imzot Mjedës: “Fitimet qi kam pasun deri më sod prej jetës s’eme politike janë këto: rrezik jete, të shame, e borxhe”.
Nëpunësí si çështje partie. – Situata kuptohet nga ky shënim i “Orës”: “Çashtja e nëpunësisë asht tue u ba çashtje partie. Do ta themi açik: për me hi në punë s’po kërkohet fort vlera e nëpunësit, por fytyra a ma mirë boja e atij që e porositë. Opozita deshiron që administrata jonë të jetë si nji makinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotët, nëpunës të paguem mirë, të marrun me konkurs, por jo në atë mënyrë konkursi që përdorë qeveria e soçme”.
Operacion që nuk u bë. – Këshilla të “Orës” edhe për administratën e qeverisë e Nolit: “Dlirnie prej parazitëve hafije, prej ushujzave zyrtarë, prej deputetëve keqana e keni shpëtue Shqipninë. Mbanie mend, zotnitë e mi, parimin kirurgjik se nji kirurg i dhimbshem, ose i padijshëm, asht nji kasap katil. Banie këte operacion sa ma shpejt, sa ma me rrajë e me ma pak gjakderdhje”.  
24-a e paralajmëruar më 1921. – “Ora e Maleve” për vrasjen e Avni Rustemit: “Në artikullin që botuem në rasën e hapjes së Këshillit Kombëtar patme shkrue se Shqipnija i kishte ngja nji anijes që udhëton me nji të dekun mbrendë. Nuk e kishim mendue kurrë se ai i vdekun do të ishte Anvi Rustemi”.
Duhet falenderuar z. Kolec Çefa, i cili pati synimin e bukur të nxirrte në dritën e homazhit një grup burrash të mëdhenj të politikës shqiptare, që e ushtruan opozitarizmin si nder dhe luftuan për të pa tradhtuar e madje duke u flijuar. Autori nxit të ruajmë për ta “kujtimin e ngrohtë”. Vetë, që pëlqej të lexoj edhe “kujtimin e ftohtë” të historisë, i jam mirënjohës që ma përkujtoi edhe një herë se sa i vjetër është ky banalitet, që tash së afërmi mund të mbushë plot 100 vjet.
Kortezi: Hashtag.al(dergoi Anton Cefa)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Plasari, Sa i vjetër ky banalitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT