• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

Mbresa për romanin “MALL I KALTËR” i Viktor Canosinaj

June 10, 2017 by dgreca

Nga Pirro Dollani/

Mall i kalter- V. CanosinajSapo përfundova së lexuari romanin “MALL i KALTËR, shkruar nga miku im, romancieri i talentuar, Viktor Canosinaj! Romani mbi motivet e jetës së piktorit të madh Ibrahim Kodra është një nga ato libra që lexuesi me padurim pret të mbarojë faqen për të kaluar te tjetra. Ajo që të bie menjëherë në sy është përgatitja paraprake që autori ka bërë për të shkruar këtë roman. Cilësi kjo e shkrimtarëve profesionistë e seriozë ndaj vetes dhe lexuesve të tyre. Romani “Mall i Kaltër” është një libër mjaft informues, është një histori poetike e rrugës së pikturës nga antikiteti deri në artin modern të kohës. Canosinaj tregohet mjeshtër në “ndërtimin e suspense-s”! Vepra ka një strukturë kompozicionale të veçantë. Dy janë elementet kryesorë: digresionet e shpeshta dhe rrëfimi është në vetë të dytë. Besoj se nuk është lehtë të shkruash një roman në vetë të dytë, ku personazhi Kodra rrëfen për fëmijën Kodra, një mënyrë që mendoj se i ka dhënë dorë autorit për të zhbiruar edhe më thellë në shpirtin e atij jetimi nga një fshat i vogël, i cili më vonë do të arrijë majat e artit të pikturës. I tërë romani, 343 faqëshe, është një këngë e bukur, prekëse për mallin, dashurinë e atë që të mungon. Malli, kujtimet, dashuria janë lajtmotivi që përshkon tërë elementët e kësaj vepre letrare. S’di pse m’u kujtuan këtu fjalët e poetit të madh anglez William Wordsworth, që thotë se “kujtimet e mbajnë gjallë njeriun”. Një rrëfim elegant, që rrjedh me një gjuhë sa e drejtpërdrejtë, aq edhe e figurshme e poetike. Leksiku i qëmtuar me aq kujdes, aq i pasur e me një erëmim shqipërie, saqë çdo shkrimtar duhet ta ketë zili. Fjalët në fjali janë si ato ngjyrat e fijeve të endura në ato qilima që përshkruan autori në roman. Të pashlyeshme nga mendja janë bisedat e Kodrës së ri me skulptorin Paskali në studion e tij. Sa i gjetur e domethënës është “detaji” që çdo herë kur i riu Kodra i hynte në studion e skulptorit Paskali, do ta gjente atë duke punuar mbi bustin e Ketit, gruas së tij, të asaj italiane të bukur, veprës “më të shkëlqyer që kishte nxjerrë nga duart”, që, si të thuash, ishte si një kompesim për atë kompromis që mjeshtri kishte qënë i detyruar të bënte në jetë duke “përjetësuar” me artin e tij ndonjë diktator. Por kjo ishte vetëm dukja: ajo që mbeti ishte busti i bukur i së shoqes! Një meritë e Canosinajt është skalitja e një mori figurësh, si të babait të Kodrës, të nënës së vdekur që i ngjasonte me shtojzavallen që Kodra fëmijë kishte takuar dikur në pyll, të njerkës, të zonjës Stefani, Norës, Karmelës, etj.

Ky roman, është një trillim letrar mbështetur në çaste nga jeta e mjeshtrit Ibrahim Kodra, e përfshin një periudhë kohore prej mëse gjysmë shekulli, por i tërë rrëfimi letrar ndodh brenda një caku kohor pak më shumë se dy orësh.

Pa dyshim, romani “Mall i Kaltër” është një vepër që do të pritet me shumë interes nga lexuesit.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: i Viktor Canosinaj, mbresa, për romanin “MALL I KALTËR”, Pirro Dollani

ODISEJA E BATALIONIT SHQIPTAR TOMORI NË GREQI

June 10, 2017 by dgreca

Tregim nga Naum Prifti/

Qeveria Greke edhe sot e kësaj dite vazhdon të thotë se Shqipëria I shpalli luftë Greqisë më 1940 ndaj pretendon se është akoma në gjendje lufte me Greqinë.Pretendim më absurd as mund të gjendet nga që bie ndesh me faktet e njohura historike, por ata vazhdojnë të pretendojnë mbasi nuk kanë hequr dorë nga synimet e tyre aneksioniste ndaj territoreve shqiptare të cilat I quajnë VorioEpir, shqip domethënë Epiri I veriut që shtrihet nga skajet më jugore të Shqipërisë që shënojnë kufirin e sotëm me Greqinë deri në lumin Shkumbin.

Dihet se Shqipëria u okupua nga Italia fashiste me 7 prill 1939 dhe dihet mirëfilli së paku në këto 2000 vjet të historisë as një shtet I okupuar nuk I ka shpallur luftë një shteti Sovran për arsye të pamundësisë ligjore dhe praktike. Shqipëria më 1940 s’kishte as ministri të Jashtme, as konsullata në vendet e tjera për arsye se të gjitha veprimet me shtetet e Jashtme kryheshin vetëm nga Italia. A ka qeveria greke ndonjë notë a deklaratë nga Ministri ynë I Jashtëm se Shqipëria I shpall luftë Greqisë. Nëse e ka një deklaratë të tillë duhet ta bëjë publike që të argumentojë pretendimin apo vërtetësinë e atij fakti tronditës. E vërteta historike e njohur është se qeveria shqiptare duke parë disfatat e njëpasnjëshme të ushtrisë italiane në tokën greke vendosi t’I vinte në ndihmë Italisë duke dërguar në frontin e luftës Italo-Greke një Batalion me emrin e malit Tomor, malit më të dëgjuar e më të famshëm të Shqipërisë. Dhe batalioni Tomori hyri në tokën greke nga një zonë malore e pyjore që  prej kohësh njihej me emrin Varr Çoban ,idis Kolonjës dhe Leskovikut dhe marshuan në drejtim të Konicës. Qëllimi ishte që t’u tregonin italianëve si duhej luftuar me grekët. Mirëpo nuk qe e thënë të ndesheshin mes tyre, as të tregonin artin e tyre luftarak . Nëpër faqet e maleve dukeshin disa grumbuj shtëpijash të fshatrave greke të asaj zone, emrat e të cilave nuk I dinin, por as që u duheshin. Kur ja papritur dalluan para tyre një kope me dhën e dhi, e shelegë dhe tek tuk edhe ndonjë dash. Ç’qe ky sheqer kësmet që u doli papritur në rrugë? S’kishin pse shkonin më tutje. Çfarë u duhej, e gjetën aty në rrugë. Kësmet I tyre. Komandanti urdhëroi dhe ata e vunë kopenë përpara që ta kalonin brenda kufirit shqiptar. Pritën mos delte dikush t’u kundërshtonte a t’u kthente pushkën, por askush s’u duk kurrkund. Duket se kopeja do të ishte e ndonjë çelniku vëllah dhe ai nuk ndodhej aty. Dhe pa perënduar dielli ata bashkë me kopenë e gjetur në rrugë arritën në Varr Çoban, vend I bekuar për njerëz dhe bagëti, i pasur me pyje e livadhe dhe burime me ujë të ftohtë. Komandanti ia mori këngës së njohur të komitave që këmdohej asaj ane. “Të më ngresh moj Nënë me Yll e Karvanit/Se më presin shokët, Te varri I Çobanit! O ta dish moj Nëno, se ç’më kanë pritur, me Mishra të pjekur më kanë gostitur! O ta dish moj Nënë se ç;më kanë pritur, me raki prej mani më kanë selitur!

Dhe menjëherë iu vunë punës, se thikat dhe hanxharët I kishin me vete. Dhe kështu filloi festa e madhe, që zgjati gati dy javë. Aroma e mishit të pjekur në hell, përzihej me aromën dehëse të kukurecit dhe ata hidhu e përdridhu  me opingat me xhufka mbi barin e vesuar, ndërsa tallaganet u shpaloseshin mbi kërcij dhe fustanellat u fluturonin rreth belit sikur do ngriheshin fluturim. Festë, po festë, këngë e valle plot gaz e hare e mbushën tejembanë hapësirën e larmishme të Varr Çobanit në pyjet e Germenjit, të Leshnjës, Shalësit e Podës dhe të fshatrave që shtrihen më tej. Kjo qe beteja e tyre e lavdishme. Kjo festë zgjati aq sa u ther dhe berri i fundit,  sa u kapërdi dhe llokma e fundit e kukurecit, sa u pi edhe pika e fundit e rakisë që u ble me bashkat e leshit të bagëtive të rrëmbyera në rrugë dhe me lëkurët e tyre! Festë aq e gjatë, aq e gëzuar dhe aq e pasur si ajo e batalionit Tomori  nuk ka patur kurrë atje, ndaj ka mbetur në kujtesën e pjesëmarrësve si një xhevahir i shndritshëm vezullues tiposur thellë në palat e trurit.

New York 23 gusht 2016, e martë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti, ne Greqi, ODISEJA E BATALIONIT SHQIPTAR TOMORI, Tregim

Dokumentimi i krimeve të Luftës në Kosovë

June 10, 2017 by dgreca

Interviste e studiueses Fetnete Ramosaj,pjese e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftë dhene bashkepunetorit te Diellit, Halit Mehmetaj/

1 Kopertina

  • Kur e keni filluar punën në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës? Cilat janë kompetencat e Institutit në këtë fushë?

 

Fetnete Ramosaj: Punën hulumtuese në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), me seli në Prishtinë, e kam filluar në tetor të vitit 2013, ndonëse ky Institut është themeluar nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës që në muajin qershor të vitit 2011.

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë është institucion publik hulumtues, i themeluar me qëllim të mbledhjes, sistematizimit, përpunimit dhe publikimit të të dhënave për krime kundër paqes, krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe akteve të gjenocidit të kryera në Kosovë gjatë vitit 1998, deri në qershor të vitit 1999 dhe vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ju keni shkruar edhe dy libra të tjerë para kësaj të fundit “Kundër Harresës –Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999” me temën e dokumentimit të krimeve të luftës. Ndoshta jeni ndër të rrallët në Kosovë që jeni marrë seriozisht me këtë temë shumë të ndjeshme. Çka ju ka shtyrë që të merreni me këtë temë?

 

Fetnete Ramosaj: Është e vërtetë se përveç dhjetëra artikujve, fejtoneve, pjesëmarrjes me kumtesa shkencore në shumë tryeza e konferenca shkencore që kanë trajtuar temën e ndjeshme të dokumentimit të krimeve të luftës, më herët i kam botuar edhe dy libra të tjerë, përkatësisht dy vëllime të librave me titull: “Krimet Serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”, (vëllimi i parë i botuar në vitin 2005, shtypur në 11 mijë kopje dhe vëllimi i dytë në vitin 2008, të dyja në gjuhën shqipe dhe angleze), ku nëpërmjet fakteve dhe argumenteve autentike jam përpjekur t’i kontribuoj ndriçimit të së vërtetës për luftën në Kosovë. Këto dy botime janë vlerësuar lartë nga lexuesit, por edhe nga ekspertë të fushës, vendorë e ndërkombëtarë, për paanshmërinë, saktësinë dhe vërtetësinë e rasteve të trajtuara. Ndërkaq, monografia e fundit “Kundër Harresës – Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, edhe kjo në gjuhën shqipe dhe angleze, ka dy muaj që ka dalë nga shtypi dhe është duke u vlerësuar lartë, sepse në përmbajtjen e saj ka argumente të pakontestueshme, mbi 500 faksimile, fotografi e dokumente autentike, nga burime të ndryshme të besueshme, që i argumentojnë aktet e ndryshme të gjenocidit të Serbisë kundër popullit shqiptar dhe të tjerëve gjatë luftës në Kosovë, madje jo vetëm gjatë saj.

Me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, jam marrë në vazhdimësi. Kjo dëshmohet edhe nëpërmjet publikimeve të vazhdueshme që nga viti 2000 e këndej. Ndonëse është një tematikë shumë e ndjeshme dhe e vështirë për ta përballuar, ajo që më ka shtyrë të merrem me të është fakti se gjenocidi me të cilin u përballëm si popull gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk ishte i rastit, nuk ishte i pari, por ishte përsëritur për të satën herë ndaj nesh, ishte i planifikuar deri në detaje në platformat e planprogramet raciste serbomëdha përgjatë dy shekujve (XIX, XX), i institucionalizuar dhe i zbatuar nga shteti serb që nga viti 1844 e këndej.

Prandaj, përveç përcaktimit për të kontribuuar në dokumentimin e të vërtetës së tmerrshme të luftës, e cila po mohohet nga Serbia, dhe me çdo kusht po përpiqet ta tjetërsojë, kam punuar për të sjellë para publikut dëshmitë, për të sensibilizuar mekanizmat kompetentë ndërkombëtarë e vendorë për të kërkuar drejtësi për të rënët, dhe njëkohësisht për ta luftuar harresën, sepse  për fat të keq, neve si popull shpesh herë gjatë historisë na ka ndodhur që ta harrojmë të kaluarën e dhimbshme dhe sa herë e kemi harruar, gjeneratat pasuese janë detyruar ta përsëritin…

Serbia ka vrarë dhe kërcënuar shumë njerëz që kanë pasë guximin të merren me këtë punë. Ju a ndjeheni e kërcënuar nga Serbia, sepse keni bërë një punë të madhe në zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë?

 

Fetnete Ramosaj: Është e vërtetë se Serbia tradicionalisht i ka kërcënuar e eliminuar kundërshtarët dhe armiqtë e saj në forma të ndryshme. Por është po aq e vërtetë se i ka vrarë edhe foshnjat në bark të nënave, duke i cilësuar si “armiqtë e ardhshëm të Serbisë”, i ka vrarë foshnjat në djep, pastaj pleq, plaka, njerëz me aftësi të kufizuara etj., që nuk e kanë ndërmarrë kurrë asnjë veprim kundër Serbisë. Ka ndodhur madje në jo pak raste që i ka eliminuar kur nuk i janë dashur më edhe ata që i kanë bërë shërbime të shumta, madje edhe duke ngritur dorë kundër njerëzve të vet, kundër popullit të vet… Për Serbinë, shqiptar i mirë është konsideruar dhe vazhdon të konsiderohet vetëm shqiptari i vdekur.

Sa i përket punës sime në ndriçimin e krimeve të luftës, e konsideroj si një detyrë fisnike dhe obligim që i takon ta bëjë secili njeri i ndershëm që di dhe mundet ta bëjë. Natyrisht se në këtë drejtim shteti i Kosovës duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Nuk është faji im as i të tjerëve për të bëmat kriminale të Serbisë ndaj popullit shqiptar e të tjerëve gjatë luftës në Kosovë, të cilat ende po i mohon dhe po bën gjithçka që t’i falsifikojë faktet dhe dëshmitë tashmë historike që i ka njohur nga afër mbarë bota. Duke qenë dëshmitare e tmerrit që ka ndodhur kundër popullit shqiptar gjatë luftës, por edhe para luftës në Kosovë, duke qenë dëshmitare e tmerrit që vështirë se mendja e shëndoshë e njeriut mund ta marrë me mend se njeriu mund t’i bëjë diçka të tillë njeriut, heshtjen e konsideroj përgjegjësi. Prandaj, për asnjë çmim nuk kam heshtur as nuk do të heshti për të vërtetën përkundër vështirësive të shumta… Për të mos e zgjatur, sa më përket mua, do t’u përgjigjesha me thënien emblematike të dëshmorit të kombit Agim Ramadani “…Mallkue qoftë gjaku im nëse m’vrasin pa luftue!”

Në punën tuaj shumë të madhe, që mund të krahasohet me punën e institucioneve  shtetërore, a e keni pasë përkrahjen e institucioneve të shtetit dhe të shoqërisë në përgjithësi.

 

Fetnete Ramosaj: Faktikisht deri në tetor të vitit 2013, punën që e kam bërë e kam bërë jashtë institucioneve, me mbështetje të disa njerëzve vullnetmirë, por me mbështetje shumë të madhe morale e shpirtërore të njerëzve që kanë pësuar nga lufta në çfarëdo forme, të cilët në çdo rast kanë qenë të gatshëm të ndihmojnë me dëshmitë e tyre, të cilëve fatkeqësisht u ka munguar trajtimi dhe kujdesi i duhur institucional. Siç e përmenda edhe më lart, që nga tetori i vitit 2013, punoj si hulumtuese shkencore në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, që është institucion i shtetit, por edhe në këtë institut jemi duke u ballafaquar me vështirësi të shumta, me mungesa të shumta, pa e pasur mbështetjen adekuate, me një kuadër jo të kompletuar, çfarë është i domosdoshëm për të kryer punën me sukses.  

 

  • Meqenëse keni një bagazh të madh si veprimtare e hershme dhe aktiviste e palodhshme e çështjes kombëtare dhe njëra ndër udhëheqëset e UÇK-së, a keni menduar ndonjëherë të kontribuoni edhe në politikë?

 

Fetnete Ramosaj: Të them të drejtën, që nga përfundimi i luftës, pas gati tri vjetësh të shërbimit në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, jam orientuar me theks të veçantë në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Sa i përket çështjes së aktivizimit në politikë, për nga natyra nuk jam tip që imponohem. Por, më duhet të theksoj se që nga viti 1989 kur jam angazhuar aktivisht në veprimtarinë për lirinë e Kosovës, pastaj edhe në luftën frontale si dhe në procesin e shtetbërjes e saj në kushte të jashtëzakonshme, çdo obligim dhe detyrë që më është besuar nga shoqëria, mendoj se e kam kryer me përgjegjësi. Mendoj se politikëbërja në Kosovë duhet të pësojë ndryshime pozitive, duhet të ketë kurriz dhe se në të duhet të angazhohen njerëz që dinë dhe që e duan vendin, njerëz që punojnë në shërbim të mirëqenies së përgjithshme. Nëse shoqëria e sheh të arsyeshme dhe i nevojitet kontributi im në këtë drejtim, padyshim se mund të shërbej me përgjegjësi.

 

  • Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës sa ka punuar për dokumentimin e krimeve të luftës që janë bërë në Kosovë?

 

Fetnete Ramosaj: IHKL ka punuar dhe po vazhdon të punojë për dokumentimin e të gjitha llojeve të krimeve, ndonëse nuk e kemi pasur mbështetjen e nevojshme dhe ballafaqohemi edhe me mungesë kuadri. Por Instituti me këto kapacitete që i ka, ka bërë një punë të madhe sistematike në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Deri më tani ka publikuar shtatë monografi, në mesin e të cilave bën pjesë edhe monografia “Kundër Harresës…”, të cilat i trajtojnë llojet e ndryshme të krimeve të luftës, krimeve të gjenocidit, të zhdukurit, përfshirë edhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore-historike, shkatërrimin e arkivave dhe të dokumentacionit, etj. Edhe tri monografi të tjera janë në proces. Po ashtu janë përgatitur edhe tri ekspozita, të cilat janë prezantuar në Prishtinë, Tiranë, Korçë, Vjenë, Stamboll, Bursa, Ankara etj.

 

  • Ju keni bërë përvojë të madhe në fushën e krijimtarisë dhe zbardhjes së të vërtetës në raport me padrejtësitë shekullore që i ka bërë Serbia ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Nëse ju ofrohet mundësia të jeni pjesë apo drejtuese e një ekipi që do ta përgatitë padinë për gjenocid ndaj Serbisë, cili do të ishte kontributi juaj në këtë drejtim?

 

Fetnete Ramosaj: Për aq sa di dhe mundem, unë do të jap kontributin tim, kudo që e kërkon nevoja. Është domosdoshmëri që Kosova ta përgatitë Aktpadinë për Gjenocid kundër Serbisë. Dëshmitë janë, madje jo vetëm për një aktpadi, vetëm se duhet vullneti politik dhe përgatitja nga kuadri adekuat.  

 

  • Për fund, çka mund të na thuash për zhvillimet politike në vend, për zgjedhjet dhe mundësitë e formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të fundit. Si e shihni Kosovën pas këtyre zgjedhjeve?

 

Fetnete Ramosaj: Kosova këto ditë gjendet në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës së 11 qershorit, të cilat po mbahen si rezultat i shkarkimit të qeverisë Mustafa nëpërmjet një mocioni mosbesimi, të miratuar në Kuvendin e Kosovës në fillim të muajit maj.

Për herë të parë, në Kosovë kemi formimin e dy blloqeve të mëdha politike parazgjedhore (PDK-AAK-NISMA dhe LDK-AKR-AL dhe të një partie tjetër për balance Partia Vetëvendosje), gjë që është mirë sepse skena politike shqiptare në Kosovë, po shkon drejt profilizimit. Qytetarët kanë pasur rastin t’i provojnë, qoftë në pushtetin lokal qoftë në atë qendror të gjitha partitë që e përbëjnë skenën e sotme politike.

Mendoj se në këtë gjendje tepër të rëndë nëpër të cilën po kalon vendi, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor PAN, meriton ta ketë votëbesimin e qytetarëve të Kosovës për të udhëhequr me ekzekutivin e vendit, pasi që është njeri i dëshmuar në rrethanat më të vështira për vendin, në kohë lufte e paqeje.

Po t’u jepet besimi i qytetarëve të Kosovës, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, të dy të dëshmuar për orientimin pro-amerikan dhe pro-perëndimor përgjithësisht, janë dëshmuar në lidership, dhe po të duan, mund ta nxjerrin vendin nga humnera ku jemi katandisur. Të dy munden dhe duhet të dëshmojnë se i mbajnë premtimet. Qytetarët e Kosovës meritojnë t’u kthehet shpresa. Këtë duhet ta bëjnë, duke e konsideruar si një borxh ndaj të rënëve dhe si një obligim për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim partie, feje a etnie. Natyrisht se koalicioni PDK-AAK-NISMA, duhet të marrë masa dhe t’i largojë nga pushteti të korruptuarit, të kriminalizuarit, abuzuesit dhe shkelësit e ligjit, të cilët mund t’u takojnë edhe radhëve të partive të koalicionit, ka nevojë t’u jepet hapësirë kuadrove të reja, të cilat nuk i mungojnë Kosovës.

Koalicionin PDK-AAK-NISMA duhet konsideruar si një koalicion të fuqishëm e të përgjegjshëm që mund t’u bëjë ballë influencimeve dhe tendencave serbo-ruse për rikthim në Kosovë, si një koalicion që ofron stabilitet, funksionim të shtetit properëndimor, ligjor e demokratik dhe që garanton zhvillim ekonomik, si një koalicion që mund të bëjë ndryshime pozitive për vendin, pasi që jemi në stacionin e fundit dhe duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në politikat qeverisëse.

Ju faleminderit që më dhatë mundësinë për intervistë!

Filed Under: Interviste Tagged With: Dokumentimi i krimeve, Fetnete Ramosaj, Halit Mehmetaj, ne Kosove, të Luftës

“HYLLI I DRITËS” DHUNOHET NGA “YLLI KUQ I REALIZMIT SOCIALIST”

June 10, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 Hylli i drites Fishta

YJET  E  POPULLIT  SHQIPTAR  QË  NUK  FIKEN  KURRMA !/

1911 Rropatej në tabutin e vdekjes gjithë ajo perandori Otomane, e nuk ishte e zonja me marrë as më dhanë kjoftë as amanetet e fundit nder kështjellat e robnueme persa e sa shekuj që vetem, një copë hanë e cungueme tundej nder hunjë ku nguleshin njerzit…

Edhe dielli dukej si i marrun nga pluhuni i kuajve që vraponin drejt ranës së Arabisë.

Shndriste Maja e Bratilës nga bryma e freskët e Prillit, ku Dedë Gjo’ Luli i Hotit kishte ngulë shtizen e latueme me duert e veta dhe, po priste At Mati Prennushin dhe At Buon Gjeçaj me shpalosë nga gjokset e Tyne Flamurin e Gjergj Kastriotit, që per gat 500 vjet turqit e kishin ngjyrosë me gjakun e paster të Martirëve të Atdheut dhe të Fesë… Ishin bash Ata Françeskanë që të zbathun gjindeshin nder shpella e shtigje me Kryq e penë, per me ruejtë nder zemra të Malsorëve trima “Besen, Burrninë e Bujarinë Shqiptare”!

1913 Solli mbi muret e Rozafës një dritë që shndriste, po ma fort vetonte e shkrepte e që, mbarë Shkodra nen gjylet e malazezëve vrapoi tue këndue Hymnin e Flamurit… Po, ishte Flamuri i Gjergj Kastriotit që shndriste nga Ai “Hyll’ i Dritës”, që vetë At Gjergji i Fishtës kishte ravizue me shkronjat e Alfabetit të vet një brilant mbi qiellin e Shkodres. Një brilant që nuk thehej as thermohej, nuk shkyhej as shkrryhej, nuk digjej as fikej po, vezullonte bash si dikur gurt e thepisun në Perkrenaren e Gjergjit të Pavdekshem…

E nga balkoni i kompanjelit u ndigjue një za: “Flamuri i Shqipnisë e ka per nder me u gjuejtë me topa…!” Europa veshtroi e heshti… Harroi se Flamuri në kompanjel ishte vue në unazen e vet nga duertë e Fratit të zbathun që Bjeshkët e Nêmuna pat çue peshë dhe, atë turk të pashpirtë që e ngulte nder hunjë e pat ba naten me ikë me ujq’ e zagar.

Ishte ajo ditë kur qyqet e kulumrijat vajtonin mbi shtizat e zbrituna pergjysë nder ata seli të sulltanëve të Stambollit, ku mrrutat e zeshkta nga tymi marramendës i largonin të keq sulltanëve vrastar e katila të shtrimë si shtazët e egra të hapun shalësh nder shilte.

“Hylli i Dritës” vezullonte edhe kur gjylet binin mbi kompanjelin e Kishës së Madhe!

“HYLLI I DRITËS”… Thërriste: “Perpara Burra, o gjallë o dekë per Atdhé e Fé!”…

E Burrat flut’ronin si orla mbi kokat e ushtrisë anmike! “Pasha Zotin iken turqit!..”

Per Ata që e bane me ikë, e bash prej Atyne Burrave me çakçirë e zhgun, po punohet me i harrue tue fillue prej Trimit të pathyeshem të Traboinit, “DED GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e Majes së Bratilës, i mbërthyem ndër armët e të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i Gjergjit, që për pesë shekuj priti: Agimin e LIRISË…

Po, po, bash AI Burrë, që sot nuk ka as vorr!.. Gati askush nuk e di të vertetën se në qelën e At Matisë, në Gerçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm: “Memorandumi i Gerçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912. Ky Memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Marrë nga libri “Dedë Gjo’ Luli”, autor F.R., 2011)

Porsa “Hylli i Dritës” publikoi këto ngjarje dhe vendimin e “Konferencës së Londres së 1913”, ku “kurva plakë coptoi Tokat Shqiptare nder sllavë…”, revista u mbyllë në 1914!

Rihapja e revistës “Hylli i Dritës” me kambnguljen e At Gjergj Fishtës në 1914, nga një dëshirë e pathyeshme per një Shqipni të Madhe, u përkrah pahezitim nga Imz. Prend Doçi, Imz. Kaçorri, Imz. Koleci, Don Nikoll Gazulli, At Palë Dodaj, Vllaznit Sirdani, At Shtjefen Gjeçovi, At Anton Harapi, dhe afro 50 intelektual laikë me përgatitje dhe prirje Europjane Perëndimore, tue lanë në këte revistë gjurmët që nuk do të shlyhen kurrma!

Penat e Luigj Gurakuqit, Mustafa Krujës, Lluka Karafilit, Zef Palit, Zef Harapit, Mati Logorecit, Gasper Gurakuqit, Mëhill Sulit, Kristo Floqit, dhe Don Ndoc Nikaj apo Imz. Vinçenc Prennushit, edhe sot shndrisin qiellin e Asaj Shqipni që nuk njeh mort…

Aty nga viti 1933, kur Shqiptarëve filluen me i tregue “përralla me mbret”… ishte një nga “detyrat e para të qeverisë”, mbyllja e Revistes “Hylli i Dritës” dhe, bashkë me te edhe e shkollës Françeskane në Shkoder, per të cilën u desht me shkue në Hagë dhe me marrë “çelsat”. Ja pra, një fakt që tregon se kush ishte mbreti i ardhshëm i Shqipnisë, nipi i “dajës Esad” që kur donte me firmosë dokumenta, prej shkollës së madhe që kishte krye në mejtepin turk, fillonte me firmue arabisht… Vdiq edhe ai pa dijtë me shkrue shqip!   

U rrethue me disa universitarë ateista, per me mbulue fëtyren e vertetë anadollake ashtu si ma vonë, kjo metodë do të aplikohej mbas vitit 1944 nga shovenistët sllavokomunistë me sherbëtorin tiran dhe tradhtar Enver Hoxha, dhe pasuesin e tij anadollak Ramiz Alia.

***

1913 – 1944 “HYLLI I DRITËS” u drejtue nga ajka e kulturës sonë kombtare, tue fillue në 1913 e deri sa vdiq nga At Gjergj Fishta. Mbas Tij drejtues ishte At Anton Harapi deri në vitin 1941, kur drejtimin e mori At Gjon Shllaku, deri në vitin 1944, kur u mbyll per mos me u hapë ma, mbasi të dy drejtuesit e fundit u pushkatuen nga E. Hoxha, tue u zbatue kështu urdhni i qeverisë jugosllave, që kishte në mbikqyrje Tokat Shqiptare të Veriut, e shkatrrimin e kulturës së Tyne. Jugu kontrollohej si sot nga shovenistët grek.

Prof. Namik Ressuli, tek “Shkrimtarët Shqiptarë”, fq. 12 – 13, shkruen: “Shkrimtarët kryesorë të këtyne shkrimëve janë: Buzuku, Budi, Frangu i Bardhë, Bogdani e Kazazi… a) Lënda është gati krejt fetare pse u shkrua me qellim kryesor që të mbajë të gjallë e të forcojë në katholiket e Veriut fenë katholike, e cila nën pushtimin otoman kish nisur të shkatërrohej e të çdukej;.. Padyshim ky prodhim Verior është më i rëndësishmi i prodhimëve të pjesës së parë të leteraturës Shqipe, si nga pikëpamja e sasisë dhe e gjerësisë si dhe nga pikëpamja e lendës dhe e mbrendisë. Këta shkrimtarë të vjetër të Veriut nuk janë vetëm të parët që filluan njëfarë lëvizje kulturore në vendin tonë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë Shqipës një alfabet – alfabetin latin – po janë edhe të parët që mendojnë e punojnë për Atdhenë e Gjuhën e tyre, për Shqipën e Shqipërinë.

Madje, nga kjo pikëpamje kombëtare ky prodhim munt të lidhej drejtë për drejtë me atë që erdhi pas Lidhjës së Prizrenit.”

Pra, të gjitha këto vlera të Veriut duheshin shkatrrue e zhdukë me kulm e thëmel…

U punue barbarisht per këte qellim nga viti 1944 e deri sa ra Muri i Berlinit në 1989.

Ishin pikrisht autorët e Realizmit Socialist, që marrshonin me “pushkë e kazem” per me shkatrrue Shqipninë e Gjergj Kastriotit… Dhe, mbasi vune maskat e demokracisë, vazhduen regresin që po vazhdojnë edhe sot në gjurmët e vjetra … Me hajninë e veprave letrare e historike dhe në pershtatje me krimin e organizuem, zhdukjet e kundershtarëve politik, korrupsionin, agjenturen, imoralitetin… etj, simbas porosive të Ramiz Alisë.

***

1990 – 1991 Shkodra ishte Flamurtare e Demokracisë në Shqipninë e robnueme.

Rinia Shqiptare kerkonte me ngulm: “E duem Shqipninë si gjithë Europa”!

Modeli i Flamurit Shqiptar në Burgun e Spaçit, u ba shembull per të gjithë Shqiptarët.

Flamuri Kuq e Zi valvitej i Lirë dhe i padhunuem nga “ylli sllavokomunist” i Titos…

Anadollaku Ramiz Alia porositë “agjentët e sigurimit të shtetit” nën masken e njohun të “Akademisë së Shkencave”, “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të RPSSh” dhe të gjithë levat vllavrasëse të PPSh, “me pasë kujdes nga agjenturat e Vatikanit në Shkoder”!

1992 Me 2 Dhjetor Shqipnia kuadrohet Antare e Konferencës Islamike…

1993 “HYLLI I DRITËS” pushtohet nga “Ylli i kuq i Realizmit Socialist”. Dhunohen,

errsohen dhe shtremnohen materialet shkencore, politike, historike, letrare, poetike, didaktike, polemikat e Autorëve të pavdekshem, dhe thesaret tjera të Visareve të Kombit, që janë perla të çmueshme të Kulturës skalitun nder fletët e arta të “Hyllit të Dritës”!

Pikrisht, kjo ngjet nga ata barbar që krenoheshin per shkatrrimin me “pushkë e kazem”, ndonse, në sirtarët e studjove të veta, kishin veprat e Atyne Kolosëve të “Hyllit të Dritës” prej të cilëve plaçkitnin gjithshka ju vinte perdore, tue fillue nga cili të dishroni ju.., që me ua kontrollue xhepat e mbrendshem të kostumeve si “deputetë”, vazhdojnë me ruejtë nder ta edhe sot të zhublosun flamujt sovjetikë, jugosllav, grekë, turq, francez, italian…

E kur flasin per “demokraci” nuk i vjen turp me shkundë edhe flamurin amerikan!

2017:Sot askush nuk di me folë Gegënisht si “kjoftë për atëherë”: “HYLLI I DRITËS”!

Të parët që luftuen At Fishten me “Lahuten e Malcis” sot janë nder fletët e këtij “Hylli”!

Qellimi kryesor i tyne sot asht “pushtimi kulturor dhe shpartallimi i Shtetit Shqiptar”!

Mos studimi i shkrimtarëve të Veriut nder shkollat Shqiptare, mos botimi i veprave me vlera letrare dhe Atdhetare të Veriut dhe, çensura ndaj Gegënishtes në shtypin e ditës, janë vepra antikombtare që ndihmojnë antishqiptarët në SHKOMTARIZIMIN TONË!

Në gjuhen Gegnishte të “Hyllit të Dritës” kjo quhet vazhdimsi Antishqiptare!

Melbourne, Qershor 2017.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Draper e Cekani, Fishta, Fritz radovani, Hylli i Drites

Kur Italianët thërrisnin:Jashtë italianët nga Shqipëria!

June 10, 2017 by dgreca

L’HUMANITÉ (1939) / NJË THIRRJE NGA PARTIA KOMUNISTE ITALIANE : « JASHTË SHQIPËRISË TRUPAT ITALIANE ! TË MBROJMË PAVARËSINË E POPULLIT HEROIK SHQIPTAR ! »/1 komunistet italianeNga Aurenc Bebja*, Francë –   10 Qershor 2017/

Gazeta franceze, « L’Humanité », të hënën e 10 Prillit 1939, ka botuar, në faqen n° 3, shkrimin (thirrjen) e Partisë Komuniste Italiane, e cila asokohe është shprehur qartësisht dhe publikisht kundër pushtimit fashist të Shqipërisë.

Një zë i fuqishëm i saj në mërgim, « Nicoletti », pseudonim i Giuseppe Di Vittorio-s, nëpërmjet këtij shkrimi – ku vlerëson guximin dhe trimërinë e popullit heroik shqiptar – u drejtohej bashkombasve të tij me qëllim për t’i dhënë fund marrëzisë fashiste.

Në vijim do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » : « Agresioni i qeverisë fashiste italiane kundër Shqipërisë së vogël është një akt plaçkitës dhe grabitës që e turpëron Italinë.Ky agresion i ri fashist, veçanërisht i turpshëm dhe revoltues, nuk ka për qëllim vetëm plaçkitjen e popullit shqiptar dhe shkatërrimin e plotë të pavarësisë së tij kombëtare; por edhe hyrjen në një faze të re të planit kriminal të boshtit Berlin-Romë për pushtimin dhe fashizmin e Evropës.

Populli italian, i rraskapitur nga katër vitet e luftës grabitqare, i braktisur në mjerimin më të madh, dëshiron paqen. Ai duhet t’i përgjigjet denjësisht thirrjes plot emocion që i ka drejtuar populli heroik shqiptar, i cili me lavdi mbron me armët në dorë pavarësinë e tij kombëtare kundër një armiku njëqind herë më të fortë.

Agresori i popullit shqiptar është shtypësi i popullit italian.Detyra absolute e popullit italian është të mbështesë me të gjitha mjetet luftën e popullit shqiptar për të përzënë pushtuesin fashist nga toka e tij.Miqësia e dy popujve, nën aspiratën e tyre të përbashkët për liri, u betonua me fitoren e përbashkët në vitin 1920, kur revolta shqiptare kundër pushtimit të imperializmit italian dhe lufta e popullit italian – e cila arriti kulmin me revoltën e ushtarëve dhe punëtorëve të Ankonës – detyruan qeverinë italiane të tërheqë trupat e saj nga Vlora dhe të njohë pavarësinë kombëtare të Shqipërisë.

Duke u frymëzuar nga ky shembull fitimtar, populli italian duhet të pengojë dhe të sabotojë në mënyrë aktive ekspeditën e turpshme fashiste në Shqipëri, e cila shkakton një atentat të ri ndaj të drejtës së popujve për vetvendosje dhe provokon një luftë të tmerrshme ndaj popujve të Ballkanit dhe të gjithë Evropës. »

Dhe thirrja e Partisë Komuniste Italiane mbyllet :

« Jashtë Shqipërisë trupat italiane !

Të ruajmë paqen nëpërmjet disfatës së fashizmit agresor !

Bashkim të popujve kundër fashizmit shtypës dhe luftënxitës, për paqe dhe liri !

Për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Italisë – Nicoletti. »

Filed Under: Kronike Tagged With: Aurenc Bebja, jashte fashistet, nga shqiperia, Partia Kommunists franceze

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT