• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2017

GJENOCID ME MASKEN “REVOLUCION IDEOLOGJIK E KULTUROR”

July 14, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e XIX/

Hysni Kapo, Enver Hoxha, Mehmet Shehu and Ramiz Alia (far right). Gani Xhengo
Hysni Kapo, Enver Hoxha, Mehmet Shehu and Ramiz Alia (far right).
Gani Xhengo/

NE FOTO:ENVERI- KËTA DY I RREGULLOJ UNË, TI RAMIZ, MERRU ME SHKODREN !/

 1966, Amerikani Harold Uajzberg tha: “Vrasësi tipik e shikon veten si ndonjë hero.”

1967 Asht viti i shfaqjës së haptë të surratit të përbindshit antishqiptar, antikatolik terrorist, i fundamentalistit aziatik Enver Hoxha, me pasuesin e vet skilën Ramiz Alia.

  • N. S. Hrushov ka shkrue: “Pikrisht kështu, ka kenë tek né në kohen e Stalinit.

Ai zhdukte gjithë kuadrot e hershme e populli thërriste: ‘Rroftë Stalini!’. Liderat shqiptarë nisen nga idea se Populli asht turmë. Ai duhet mbytë në frikë, tue e nënshtrue me kërcënime. Kështu vepron edhe Mao Ce Duni.”

  • Komunistët kudo ku kanë marrë pushtetin, kanë inaugurue terrorizmin në masë si mjet qeverisje.

Mbas fjalimit “programatik” të 6 Shkurtit 1967, PPSh dhe personalisht vet Enver Hoxha, udhëzon, drejton dhe kontrollon punën e organeve të Sigurimit të shtetit. Çdo vendim del nga Byroja Politike e KQ të PPSh, shpërndahet në rrethe dhe zbatohet nga komitetet e partisë, që kanë në varësi Sigurimin e shtetit dhe organizatat terroriste.

  • Vetë terroristi Enver Hoxha, në “veprën” e tij nr. 19, tregon se kryesore per té asht depersonalizimi i njeriut, tue e çveshë até nga “e drejta me besue në Zotin”, me arrijtë me e ba instrument të sigurimit të shtetit në sherbim të PPSh, për shpartallimin dhe varrosjen perfundimtare të Identitetit Kombtar, shemtimi ma i madh i këtij “Revolucioni” që edhe sot “dr. prof dhe akademikët e RPSSh”, nuk e konsiderojnë endè Gjenocid i mirfilltë kunder Shqiptarëve.
  • 6 SHKURT 1967, Enver Hoxha në “Fjalimin Programatik” të tij, për thellimin e “Revolucionit socialist” mbi bazen e “mësimeve të panderprera proletare të PPSh”, synon në të gjitha fushat e jetës politike, shoqnore, historike, kulturore dhe arsimore, me ba “spastrimin” e shoqnisë Shqiptare nga të gjitha “mbeturinat e vjetra”, në këte rrugë:

■Dhunimi i identitetit kombtar, tue fillue nga Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, i cili nga “dr.prof e akademikët” quhet “Skënderbeu Gjergj Kastrioti” (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Botim i Akademisë së Shkencave të RPSSh, Tiranë 1985 fq. 964), vazhdohet: “Heroi Kombëtar i shqiptarëve, strateg e burrë shteti i madh që udhëhoqi luften për pavarësi kunder pushtimit osman,…një nga figurat e shquara të historisë së shek. XV…”

■Dhunohet e drejta zakonore Shqiptare, ku perfshihet “Kanuni i Skenderbeut”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”… që ruejten kenien e Popullit Shqiptar nder shekuj, si komb, gjuhen dhe kulturen e tij. Pasuen brez mbas brezi tiparet Shqiptare: Besë, Burrni, Bujari.

■Dhunohet Nderi i Shqiptarit, qё ruen dhe trashigon vlerat e Familjes Shqiptare.

■Dhunohet në Vaun e Dejës, në vitin 1969 edhe Kisha ku asht kunorzue Heroi ma i madh i Kombit Shqiptar, pikrisht në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Tij. Thëmelet e saj janë e vetmja dëshmi e vjetersisë së saj. Veprat e artit e afreskit u shkatrruen…

■Dhunohet Opera e “Skenderbeut”, me zhdukjen e kompozitorit Prenkë Jakova.

■Dhunohet “Kanuni i Skenderbeut” me dënimin me vdekje të Don Frano Illisë (1968).

■Dhunohet në Kuvendin e Françeskanëve Troshan, vepra e artit, pikturë me vaj per Gjergj Kastriotin, e cila, vidhet nga Galeria e Arteve në Tiranë, me leje nga shteti.

■Dhunohet Dokumenti origjinal i Shpalljes së Pavarësisë Kombtare në 1912.

■Dhunohet edhe “Kushtetuta e RPSh” e hartueme nga vetë shteti komunist në vitin 1946.

■Dhunohet gjuha Gegnishte Shqipe me një “kongres” turpi dhe “Drejtshkrimi” në 1972.

■Dhunohen letersia dhe artet, arrestohen dënohen dhe vuejnë nder burgje e kampe shfarosje ata që mendohet se në kokë, ruejnë të tjera ide nga ata socialiste e komuniste.

■Dhuna në letersi e arte merr trajtën e plotë të “realizmit socialist” mbas plenumit të KQ të PPSh në qershorin 1973, kur vendoset edhe “spastrimi” i teksteve shkollore nga disa “mbeturina” të letrarëve dhe shkrimtarëve të Gjuhës Gegnishte Shqipe të Veriut.

■Dhunohet shkolla Shqiptare mbas fjalimit të Enver Hoxhës, me 7 mars 1968, per “revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës”, aprovohet rruga “revolucionare” me ligj nga plenumi i VIII i KQ të PPSH, në qershor 1969, ku shenohet: “Qellimi perfundimtar i shkollës nuk është marrja e diplomës e mbarimi i universitetit, por për t’i shërbyer atdheut e socializmit ku të jetë nevoja. Në qender të të gjithë procesit mësimor-edukativ të shkollës, si shtyllë e paluajtshme kurrizore u vendos boshti ideologjik marksist-leninist.” “Dr. prof. e akademikët” e dijnë ma mirë se unë, se “ku kishte nevojë PPSh.., dhe kush varej nga ajo.. ”, mbasi shumica vazhdojnё “me i krye ato detyra” edhe sot…

■Dhunohet e drejta e “Shtetit të Pavarun” nga PPSh dhe tirani kriminel E.Hoxha.

■Dhunohet e drejta Kushtetuese…e mbrojtjes së të “pandehurit” nga avokati.

■Dhunohen të drejtat civile të qytetarëve që perfshihen në “Luften e kllasave”, tue humbë të gjitha të “drejtat e liritë njerëzore dhe qytetare”.

Ata u përkasin vetëm “atyne” me “të drejtat socialiste”. Si pasojë:

■Dhunohet e drejta me vazhdue shkollat e nalta pa u “aprovue” nga PPSh.

■Dhunohet e drejta e mbrojtjes së titujve “dr. prof, akademik, jurist,” …nga ata që janë perfshi në “luften e kllasave”…

■Dhunohet e drejta e krijimit të familjes pa miratimin e PPSh…

■Dhunohet e drejta e punës private dhe në administraten shtetnore per arsye biografije.

■Dhunohet e drejta e punës në arsim dhe asaj krijuese në art e kulturë.

■Dhunohet e drejta e punës kooperativiste për klerikët katolik.

■Dhunohet e drejta e perkthimeve për me trashigue në kulturen kombtare veprat e kulturës botnore. Arrestohen dhe dënohen randë perkthyesit Prof. Nikoll Dakaj, Prof. Mark Dema etj. Dënohet kangtari Lukë Kaçaj, se reciton “Lahuten e Malsisë”.

■Dhunohet e drejta e pronës private dhe trashigimia nga prind të “deklasuar”.

■Dhunohen dokumentat e Gjendjes Civile per qellime “shpifje” nga shteti.

Zhduken nga Sigurimi fletët e regjistrave të paravitit 1944.

■Dhunohet e drejta e trashigimit të Tokës dhe pronës paluejtshme nga pronarë që janë të “deklasuar”, të pushkatuem etj., ose kulakë. “Ato prona i merr shteti !”

***

■Dhunohen të gjitha ligjët që u caktuen në “Statutin e Kishës Katolike”, që edhe ky, u aprovue nga Kuvendi Popullor i RPSh, me datën 30 korrik 1951, nga Dr. Omer Nishani.

■Me 6 shkurt 1967 terroristi Enver Hoxha, shpallë haptas “Lëvizjen kunder Fesë”…

■Prof. At Zef Valentini S.J. shkruen me 1954: “Tue kenë me arsim shumë të ngritun, katolikët shqiptarë gjithmonë u patën ngjallë zili disave. Vrasësi antikatolik Hoxha e pranonte këte tue i ba nder katoliçizmit, por katoliçizmi dhe në veçanti kleri katolik ishin pengesa ma e madhe per triumfin e komunizmit.”

■Tirani anadollak Enver Hoxha persëritë: “Çka thotë partia bën Populli!”…Asnjë veprim tjeter nuk ka të drejtë askush me ba, vetem até “çka thotë PPSh!”… Po PPSh kush ishte? – Enver Hoxha me kriminelët e tij, të byrosë politike…Hysni Kapo, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu dhe i zgjedhuni nga kriminelët e Spanjës Mehmet Shehu, si specialist masakrash per dhunimin e të drejtave të njeriut, per me detyrue njerzit “mos me Besue në Zotin”, dhe me eleminue Klerin Katolik Shqiptar perfundimisht, tue zbatue ligjet e Gjenocidit komunist.Duhej luftue deri në zhdukje botkuptimi fetar me luftë kunder institucioneve fetare që ruenin Fenë në zemren dhe mendjen e Popullit.

■Ishin pikrisht Ato Kulla… që ishin ngritë që në Shekullin e Parë të Epokës mbas Krishtit, nga Shen Pali në Durrës ku, “rinia revolucionare”, në shembullin e “gardistëve të kuq”, të Mao Ce Dunit vuni “Fletë Rrufenë” e parë.

■Kryetari i Kishës Katolike Imz. Errnesto Çoba, me 1 Qershor 1966, kur ishte vendosë me u mbyllë Kisha e Zojës 1000 vjeçare tek Kalaja e Shkodres, i kishte shkrue një leter Enver Hoxhës, ku shenon: “Na jemi të gatshem të bajmë sakrifica per mbarëvajtjen e Atdheut, kjoftë edhe me jeten tonë!”…(Arkivi i Min. Mbrend. 1998).

■Enver Hoxha shpallë “Shtetin e Parë Ateist në Botë”…me dekretin 4337: “Shteti nuk njeh asnjë fé dhe inkurajon zhvillimin e propagandës ateiste, për të krijuar të njerëzit botkuptimin shkencor e materialist” Artikulli 37 i Kushtetutes RPSSh, 1976.

■Me 19 mars 1967, mbyllen perfundimisht Kishat Katolike tue fillue me Kishen Katedrale të Shkodres. Njëheri fillon edhe dhunimi i vorrezave nder Kisha të Atyne klerikëve që kishin vdekë edhe para vitit 1900 dhe 1944.

■Prill 1967: Me porosi të KQ të PPSh dhe të terroristit EHoxha, tek Dosja 2291. Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme, prokurori i pergjthshëm Lefter Goga, urdhnon:.. “Hetuesit mund të përdorin torturat më shnjerëzore deri në vdekje të burgosurëve, pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurëve që mund të vdesin në duart e tyre në hetuesi.”

■Shqipnia e viteve 1944 – 1991 asht i vetmi vend në Botë që me “Revolucionin apo Gjenocidin komunist të vitit 1967”, ka krye Vetvrasje Kombtare perfundimtare!

  • Shqiptari përjetoi jetën e të pambrojtunit të dërmuem nga diktatura komuniste dhe të sulmuem nga bishat të egra të pyllit. Shqipnia e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, Shqipnia Evropjane, shpallët me Kushtetutë: “Shteti i Parë Ateist në Botë”. Rrugët e përgjakuna të Shkodres Heroike prap njomën me Gjakun e Martirëve të Kishës Katolike.
  • Don Shtjefën Kurti, vetëm se Pagëzoi një fëmijë: Pushkatohet. “Revolucioni Ideologjik Kultural” i tipit kinez, edhe njëherë përmbytë Popullin Shqiptar në llomin e ideologjisë komuniste, tue mos lanë asnjë Kishë Katolike në Shqipni.

■Gjithsejt mbyllen 2169 objekte kulti.

  • At Pjetër Meshkalla, me datën 5 Prill 1967, i tregon haptas drejtuesve terroristë të Shtetit komunist, se: “…Ajo që kërkoni me ba ju asht vetëm kjo: Pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sëpse, i lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë Ate që beson; dhe kështu, fushata që po bahët, synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, oportuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut.”(Nga letra e dergueme M. Shehut).
  • 25 PRILL 1993 Edhe konkluzioni asht dhanë nga Miku i Madh i Popullit Shqiptar:

PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…” (Sheshi Skenderbeu Tiranë)

            Vazhdon Pjesa e XX dhe e fundit…

Melbourne, Korrik 2017.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Revolution kulturpreis, si maske

THETHI BËHET GATI PËR PAPËN

July 14, 2017 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/
 
Lajmi mori dheun. Të gjitha malet, ahet, lisat, pishat, rrjetet e internetit dhe portalet gjithashtu njoftuan se një malësor nga Thethi i kishte dërguar Papës së Romës një lutje që të bujtte në shtëpinë e tij në Theth e të kalonte pushimet midis nëntë maleve të famshëm, të merrte pjesë në meshën për të rënët në luftën kundër komunizmit dhe pastaj të ishte i pranishëm në Logun e Shpirtrave, në 2000 m lartësi.
1 Theth
Mos! E vërtetë të jetë? S’ma merr mendja që Papa i Romës dhe i krejt katolikëve të marrë helikopterin personal dhe të vijë drejt në Theth! Po halli nuk është se si do vejë Papa në Theth, po hajt përmbaj gjithë botën pastaj! Thethi me siguri do shenjtërohet, vendet ku do të shkelë Papa do kthehen në vende pelegrinazhi, çezmat ku do pijë ujë, dëbora ende e pashkrirë e prekur prej tij, s’dihet si do përfundojnë burimet e Okolit, ç’do bëhet me kullën 350 vjeçare të bacës Sadri, ku do venë studentët, si do grumbullohen çekët, gjermanët, polakët, zviceranët e ku e di nga ç’tjetër komb. Por nuk do kenë fund të mirat dhe të këqijat!  Mbase të njëqind shtëpitë e Thethit do kthehen në bujtina 4-5katëshe, mbase rruga do të bëhet nga më të bukurat, ndoshta kalon edhe hekurudha dhe Autostrada e Evropës Qendrore drejt Shëngjinit!
Nuk donte të luante më me fjalën askush. E takova Zef Barin thethianin e tërbuar që u shkruan të gjitha agjencive turistike të botës, njeriu që njeh fill e për pe historinë dhe terrenin e vendit. Po në «Maçu Piçu», i them, do ta çoni Papën? Ku? – më drejtohet dhe më sheh me vëmendje në bebe të syrit. Po, kur vjen nga Qafë Tërthorja nuk e paske parë? Ai u mendua pak. Maçu Piçu është në Ande, në Peru, kurse këtu jemi në Alpe. Mos je gjë i lajthitur, apo i lodhur? Apo ndoshta i sëmurë? Natyrisht, i kisha të gjitha ç’thoshte, se e vërteta më kishte bërë kështu Thethi i tij dhe imi. Ç’paradoks, e ha njeri këtë? – i them. Ndoshta nuk sheh mirë, Zef miku, apo edhe je konsumuar nga shpjegimet e shumta që jep e merr, apo edhe fryma e gabuar të ka futur në të thella. Ja tek është, por ai më spërkati me ujë lajthie dhe u largua. Nesër, pasi njerëzit dhe miqtë e panumërt të Papës kur të vijnë në Theth e Ndërlysë do të shohin se sa ngjan mali përballë Tërthores, Guri i Lohes, me Maçu Piçun e Amerikës Latine…
Të gjithë u binin lodrave e tupaneve, por më tepër polakët, të rinj e të moshuar. Më tej sllovakët bënin si skocezët, u binin gajdeve duke imituar melodi nga Voskopoja e Pogradeci. Mirë që s’kanë ardhur fyejtë e Gramshit! Mos! Do ngjallen këngëtarët e lashtë, të vjetrit e rinj dhe antikët e vjetër! Me siguri. Vjen Papa i Romës! S’është shaka kjo. Unë, shtonte Pjetër Luca me një fije buzëqeshjeje nën sy, po të isha si Edi Rama vija në Romë dhe nuk ikja nga Selia e Shenjtë derisa Papa të mbathte opingat dhe t’u hipte këmbëve për në Theth. Qejf o qejf! Ia preu mendja atij malësorit pa emër që i shkroi Papës.
Pastaj vajti ç’vajti kur ua lexoi letrën shqip polakëve, çekëve, serbëve, gjermanëve dhe ca anglezëve të krisur që nuk shembeshin me birra, për ftesën që i bënte Papës. Aq duhej! U ndez imagjinata dhe ec t’i përmbaje. Filloi rrëmuja e bukur. Qindra vetë u nisën drejt Qafës së Rragamit për të vajtur në Valbonë. Të tjerë ia mbytën për në Qafë Pejë të binin më shpejt në Lëpushë, apo në Vuthaj. E, po të vini në Vuthaj, u thanë, mos harroni të nënshkruani peticionin e vuthjanëve për t’i ngritur monument akademikut Rexhep Qosja. Trembesha mos harronin dhe na pinte e zeza! Se ata kishin mbërritur në atë gjendjen ekzaltuese kur njeriu heq dorë përfundimisht prej asaj që i jepte kënaqësi më tepër. Por as kjo nuk ishte aq e bukur, sepse duhej thënë në pikën më të ulët të dëshirës, domethënë në gjendje dëshpëruese. I thonë shtatë-tetë orë rrugë më këmbë…
Ç’po ndodhte me këtë pritje të famshme? M’u bë se e zbulova sekretin krejt rastësisht dhe i dhashë të drejtë malësorit pa emër, sepse në të vërtetë letrën do ta përcillte drejt Selisë së Shenjtë vetëm Zef Bari, ambasadori i vetëm i Thethit nëpër botë, me seli në Tiranë. Por stoicizmi i Zefit për të rezistuar ishte gati i paimagjinueshëm. Mos të harrojmë se Thethi është në kulmin e forcave të tij krijuese! Po për ç’krijimtari bëhet fjalë? Është koha kur të gjithë regjisorët dhe punonjësit e Ministrisë së Kulturës do të vihen në garë me në krye ministren për të realizuar albume, filma dhe paratë lumë. Si mund të ndodhë kjo? Dhe të mos bëhet rruga deri në fund? Kuje e zezë! Nuk bënte të prishej për kaq pak gjë kjo festë që mbi të gjitha tingëllonte si imagjinare. Po a do të vinte princi dhe princesha e tij aktore? A do të vinin qytetarët me emër të Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit? Se Baba Mondi dihet që vjen, e ka mirë me katolikët dhe me katedralen në Tiranë. Po Anastasi, kryeprifti grek i Kishës Ortodokse Shqiptare? Me siguri edhe ai, por i pari do jetë kryeministri, presidenti, ish presidentët, ishkryeministrat e kush nuk do të vijë. Do të lozë qeni i kallajxhiut në Theth! Mund të prisheshe prej këtyre vogëlsive të çuditshme ku edhe bëhej edhe zhbëhej personaliteti, thonë. Por veç kaq, thonë!….
Në Theth as që mendojnë për pasojat, për grindjet dhe merren me përgatitjet. Kanë vërshuar bojaxhinjtë nga Prishtina, Tirana, Shkodra, Podgorica dhe Shkupi. Madje kanë ardhur edhe nga Beogradi. Kurse mua do t’më pëlqente të vinte Dr. Ridvan Pllana, prishtinasi që jeton në Adelajde të Australisë së largët, se ai di t’i qajë me lot ato të shkreta rrugëtime. Pa le të ngjallet ai, i largëti Evlia Çelebiu, që të çon në gjuhën e vjetër osmane me tepsi e kusi, me tenxhere dhe me derexhe! Gjuhë kjo edhe në këto ditët e sotme që po mjaullin në ekranet e televizionet tona. Se nuk është pak që osmanishten ta flasë edhe kryeministri, sidomos kur drekon me të parin e sotëm të Perandorisë Osmane. Allah! Por të mos e largojmë fillin nga Papa i Romës, të mos ngatërrojmë punën dhe detyrat e secilit në pritje e përcjellje e të mos e larushitim me politikë dhe me gjuhën e epërme të lartësive. Gjuhën e lartë le ta lëmë për Logun e Shpirtrave, atje ku është e përnatshme festa e amshimit të madh dhe veç këtyre ku sundon vetëm bukuria përrallore. Që andej secili le të shohë rolin që do ketë, le të ndërtojë me përimtësi edhe të ardhmen e tij po të dojë. Ndoshta do ketë lindur ato ditë ndonjë vogëlush thethjan që ta bekojë Papa, apo t’i bëhet nun Papa, siç bëri kryeministri ynë me Zahon e vogël, i cili u pagëzua në aeroportin «Nënë Tereza». Emri i saj vlen më shumë se një kishë. Dhe ati, prifti i Thethit, rri e buzëqesh me një fije ironi. Sikur dëgjova vargjet e Lahutës, po i mësonte duket. Bukur. Askush s’lëshonte pe, as në çështjet fetare as në përgatitjet e festës…
Dikush po numëronte kecat dhe po i vinte të hanin gjeth te Shtegu i Dhenve, ose le të ngatërroheshin me qengjat në Maçu Piçu (Lohe). S’ka festë pa kurbanë. Gjaku rrëke do jetë në Theth, veç në  i ndaloftë Papa, se Baba Mondi i Kryegjyshatës Botërore nuk i ndaloi dot asnjëherë shqiptarët që therin e bëjnë kërdinë në mal të Tomorit e në Qafë të Kulmakut (aq sa ndryshon edhe ngjyra e barit që edhe sot e kësaj dite është i kuq!). Po kush të dëgjon? Duhej arlekini gazmor i Thethit, jo gjykatësi i ftohtë që s’jepet! Tërheqja prej bujës që enkas krijohet prej artistëve që do vijnë patjetër në Theth (e ku do vejë Papa për pushime nëse atje nuk do jenë artistët, që ka mundësi të vijnë si turistë nga të gjitha vendet, se Papa nuk shkon gjëkund pa rrahur rrugët e internetit e të televizionit; se bota fundja sa një grusht është!), moda që ata e duan vërtet çmendurisht, do t’i përkasë fama që nuk e fshehin, ku, edhe lavdia pse jo, madje do ta gëzojë për çudi Papën dhe ata më të dobëtit, që sigurisht do jetë si kudo në të kremte të tilla. More do vijë për festë apo për të pushuar Papa? Ndoshta do t’i pëlqejë ky ajër i kondicionuar i nëntë maleve dhe i Luginës më të famshme në botë. Edhe Papën kishte mangët Thethi! Dhe kush, Thethi, që s’di ku të fusë veten e tij, s’di as ku të fshihet, pa le!. Po mirë që janë këta malet e mëdhenj, mirë që është Maçu Piçu, Valbona dhe Lëpusha aq afër (ndonëse shtatë a tetë orë më këmbë! Po kush, cili është ai burrë që në Theth e mat punën me orë?) Atmosfera e komunitetit thethjan të Thethit qysh sot kur po flasim ka ndryshuar, sepse kush nuk po vrapon drejt Thethit dhe maleve të tij. Mos o Zot ndonjë zjarr thuaj, se po të qenë lebërit këtej do t’ua ndiznin çibukët nën mustak maleve dhe pyjeve e kur të shihje pastaj lodrën gazmore të zjarrit!…
As pashë e as dëgjova qoftë edhe një tekë apo shenjë mendjemadhësie, vuajtje a mundim, sepse ata s’kishin kohën e duhur as për t’u gëzuar, pa le për t’u shkëputur prej dualizmit të tyre ekstrem. Dikush mund të kundërshtonte duke thënë se Papa s’ia kishte ngenë Thethit, se nuk kishte kohë ku e kur t’i fliste tërë hallet që i zienin mbi kokë, por ama kushdo mund të kënaqej më shumë me të ngrëna e të pira, me interpretime, që përkundër mund edhe t’i harronte, se s’të linin rehat grerat anembanë botës, po edhe një barrë me vështirësi që doemos e sfilitnin. Papa, jo, donte të vinte në Theth dhe s’përmbahej nga gëzimi, pa asgjësuar njerëzit e kotë, ata të thyeshmit e gjorë, që jepeshin politikisht dhe praktikisht, prej trysnisë së përditshmes të madhe që të bënin gjëmën. Kjo dihet mirë.
Unë ende nuk jam në gjendje ta përfytyroj ditën e Vizitës së Madhe, apo të Pushimeve të Mëdha, që do tronditnin botën! Si ato dhjetë ditët që tronditën…! Mos! Dhjetë Ditët Që Tronditën Thethin! Do dalin libra, drama do bëhen, filma mbase, pa dokumentarët s’do kenë fund. Do bëhen e ç’nuk do bëhen. Kërkoj ndërkohë Zef Barin për të folur me të rreth vizitës, programit. More, u kujtua, po sikur t’i shkrepet të vijë Ai, Donalt Trampi? Mos e thuaj dy herë. Fjala merr dheun dhe ku të fshihesh pastaj! Vijnë batalione me marinsa, vijnë ata të CIAs dhe ata të FBIsë, bashkë me Lunë tonë (ai i uruari nuk harxhon shumë se është i pakët!). E lëmë me kaq, i thashë Zefit, se hidh ujë e shto miell kush e di ç’gatuajmë pastaj! Qeshi, ogur i mirë, dhe asaj kohe iu krijua njëfarë komoditeti për të qëndruar mënjanë. Dukej sikur çdo thethjan do hiqej mënjanë, se burra të hollë e me një barrë mend, e kuptuan se zullumi mund të zonë, dhe u përpoqën të gjenin shkakun për të mos marrë pjesë nëpër filma dhe në ansamble artistike. S’dihej ç’ndodhte dhe hajt të gjeje vrimë ku të futeshe. Papa ishte aktori i madh dhe njeriu i madh, shpeshherë, siç na ndodhte rëndom të gjithëve kur frymëzoheshim dhe gjenim arsyen e thjeshtë për të bërë më të mirën. T’i ktheje shpinën tani, në këtë pikë ku kishin arritur gjërat, as që bëhej fjalë ta mbuloje me harrim, këtë fakt kaq interesant të ditëve të pushimit të Papës në Theth (more mos ka marrë vesh se këtu dikur mes maleve ka qenë një kamp pushimi punëtorësh, ku asnjë katolik nuk erdhi për të kaluar pushimet, përveç myslimanëve!) u bë ngasje e papërballueshme për të gjithë, sidomos për Saimir Kumbaron që e ndiqte pas festën, po edhe regjisorë të tjerë, që i kishin bërë gati listat e të ftuarve të tyre, madje edhe çfarë do hanin dhe pinin… Dhe lajmi vërtet kishte marrë dheun! Papa i Romës do të linte Selinë e Shenjtë për të ardhur në Theth…
 
Tiranë, më 13.07.2017

Filed Under: ESSE Tagged With: esse per Theetuin, Papa ne THeth?, Xhevair Lleshi

Bashkimi ekonomik i Ballkanit, i pafavorshëm për Kosovën

July 13, 2017 by dgreca

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur më 12 korrik në Trieste të Italisë, mund të konsiderohet si ngjarja kryesore e vitit 2017 për vendet e rajonit që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe të integrimeve evropiane në Kosovë.

Samiti i mbajtur në Trieste është pjesë e procesit të Berlinit, proces ky shumëdimensional. Përmes këtij procesi, Bashkimi Evropian po synon të formojë një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky proces ka rëndësi ekonomike, politike dhe strategjike, rëndësi integruese dhe të përmirësimit të imazhit, por edhe për çështje të gjenerimit të stabilitetit social përmes zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë që ky samit nuk është, siç thotë ai, një “shkop magjik” që do t’i zgjidhë problemet e grumbulluara në Kosovë, por është një mundësi, e cila duhet të shfrytëzohet.

“Vet fakti që ka afër 1 miliard euro, mundësi për të mbështetur projektet, është e para. Së dyti, duhet të kuptohet që mekanizmi i absorbimit të mjeteve të donatorëve, por edhe të këtij procesi, është studimi i fizibilitetit,është biznes-plani, por është edhe sundimi i rendit dhe i ligjit, i bazuar në ekspertizë shkencore. Prandaj, nuk duhet të priten mrekullitë nga këto procese, në qoftë se ne vet nuk i bëjmë detyrat e shtëpisë”, thotë Gërxhaliu.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian është duke e marrë sërish në konsiderim politikën dhe mekanizmat e politikës së zgjerimit në raport me Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, shikuar nga aspekti kohor i vitit 2003, kur Bashkimi Evropian pati përcaktuar agjendën për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2017 mund të shihet se në shumë pika ajo politikë ka dështuar, për faktin se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur ende jashtë Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian është në kërkim të gjetjes së një forme të përshtatshme se si do ta integronte Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, parë nga këndvështrimi i Prishtinës, mendoj që Prishtina e ka problemin e njëjtë, të hapur dhe të pambyllur, çështjen e mosnjohjes të statusit të saj nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor, si dhe çështjen e mosnjohjes nga 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Për Kosovën do të ishte pozitive, sikur ky status, pavarësia e Kosovës, të njihej nga këto dy shtete. Pas kësaj, në çfarëdo aranzhmani ekonomik dhe politik që do të futej Kosova, do të trajtohej si palë e barabartë”, tha Mazreku.

Ai shton se përderisa statusi i Kosovës, si shtet i pavarur, nuk njihet, por kontestohet nga dy vende të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimet e dizajnuara sikurse tregu i përbashkët i këtij rajoni, janë të pafavorshme për Kosovën.

Por, Gërxhaliu shpreh mendimin se proceset integruese nuk duhet kundërshtuar nga Kosova, por ajo duhet të dalë me skenar dhe alternativa të ndryshme.

“Në këtë drejtim, pala kosovare është dashur që me kohë të jetë e gatshme që këtë sferë ekonomike të dizajnuar nga Gjermania, tëmetalizuar nga Austria dhe me stilin që i është dhënë në Itali, ta shndërrojë në favore politike. Nuk duhet të thotë ‘jo’, por të kushtëzojë dhe të dërgojë shkresa në zyrat diplomatike që Kosova është ‘për’ proceset integruese, por vetëm e barabartë, që nënkupton që të njohjet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të kemi një normalizim të raporteve në aspektin e brendshëm. Si mund të jemi pjesë integruese në familjen evropiane në qoftë se 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën?”.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe profesor Mazreku. Sipas tij, Kosova nuk do të bënte gabim në qoftë se e vendos kusht aktin e njohjes nga ana e 5 shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe nga dy vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk e kanë njohur ende. Siç thekson ai, agjenda e Selanikut e potencon si kusht për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore konstruktive dhe të mirëbesimit të ndërsjellë.

“E për çfarë marrëdhënie të mirëbesimit mund të flasim kur dy nga këto dy palë, dy shtete të Ballkanit Perëndimor as nuk e njohin atë që është kategori kushtetuese për Kosovën dhe që është diçka që ka ardhur si produkt i shumë zhvillimeve historike dhe të luftës, por edhe që shumica e komunitetit ndërkombëtar – në qoftë se e shohim nga konteksti i shteteve individuale – e kanë njohur këtë pavarësi. Prandaj, ne vetëm duhet të sillemi në raport me zbatimin e asaj që Bashkimi Evropian e vendos kusht për këto shtete”.

Sidoqoftë, zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës tashmë kanë shprehur mjaft rezerva dhe kundërshtime lidhur me idenë e një union ekonomik rajonal të Ballkanit perëndimor, për shkak të pamundësimit të deritashëm të qarkullimit të lirë dhe pa viza të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Ne Foto: Liderët evropian dhe ata të Ballkanit në Samitin e Triestes/

Filed Under: Politike Tagged With: Bashkimi ekonomik i Ballkanit, Bekim Bislimi, i pafavorshëm, per Kosoven

Mirëmëngjesi Bashkimi kombëtar!

July 13, 2017 by dgreca

1-kaltrina

Nga Kaltrina Hoti/

Flitet, shkruhet, ka opinione të ndryshme për këtë ide madhore. Pastaj shumë idealist me veprimtarinë e tyre kanë vënë gur në themelet duke i betonuar me gjak. Mendoj se kjo ditë po afrohet. Historia nuk matet me ditë, ata që kanë dyshim se nuk do realizohet më mirë e kanë të heshtin.

Ata që shpikin dy kombe me mirë e kanë ta ndryshojnë vetëm veten. Kjo ditë po afrohet! E ardhmja jonë po ndryshon.

Ngadalë po i themi lamtumirë psikologjisë së robit dhe fjalës së huaj. Fjala e huaj në mendje të robëruar është këngë vajtimi dhe shumë e moçme. Jemi ato që njerëzimit i kemi dhënë personalitete të fuqishme, jemi lashtësi, Iliri… e di bota e dimë dhe ne. Shpesh historia na ka zënë të papërgatitur. Edhe tash jemi duke luftuar me plumba të padukshëm që janë shkrep që moti. Këto situata kanë krijuar dëshpërime, humbje të durimit, e në disa raste shitjen e shpirtit shqiptarë por kur ka ardh momenti i fundit jemi thirr në Besë. Trimëria dhe drejtësia jonë gjatë historisë nuk na jep të drejtë të bëhemi fanatikë të besimeve e kulturave të huaja. Çdo Organizatë apo grup njerëzish të organizuar është duke krijuar opinionin e vetë për shqiptarizmin dhe bëjnë gara me fjalosje. Kjo më duket sikur të pështysh qiellin. Bashkimi kombëtar nuk është shpikje se kush çka donë. Shqipëria kufizohet me shqiptar nga të gjitha anët, kjo shihet nga qielli, këtë e di edhe Zoti. Këto grupe, Klube, Organizata kudo që veprojnë në programin e vetë si pikë të parë duhet të kenë çka duhet të bëjmë sot, dhe çka bëmë sot për idealin e të pavdekshmëve. Vetëm kjo na nderon, zbukuron dhe përjetëson punën tonë. Ne vërtetë duke u mbështjellë në lëkurën tonë e kemi lodh popullin me fjalë fallco e të pagdhendura. Fuqia jonë është vetëm në një fjalë “Bashkimi Kombëtar”. Tani s’kërkohet asnjë shpikje. Çdo mëngjes t’i themi vetes përshëndetjen “Mirëmëngjesi Bashkim Kombëtar” është vepër që do na ndris mendjen, respektoj e edukoj familjen të tjerat vinë vetë. Fjala shqipe, plisi i bardhë, guri i pleqërisë e bëjnë Kuvendin. Këtu qëndron fuqia jonë. Bashkimin tonë e ka bekuar edhe Zoti duke baraspeshuar popujt në këtë Gadishull. Bashkimi ynë qetëson dhe paqëson Gadishullin dhe kontinentin e vjetër. Andaj çdo mëngjes ta edukojmë veten duke thënë “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”, është lutje, veprim, kthjellim drejtë paqes, sigurisë dhe harmonisë njerëzore.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Bashkimi Kombetar, Kaltrina Hoti, Mirëmëngjesi

DIASPORA-TAKIM SHKRIMTARËSH SHQIPTARE& SUEDEZE

July 13, 2017 by dgreca

DSC_1 (1)DSC_7DSC_8DSC_6DSC_4

  – Një vizitë e rrallë dhe impresionuese në bibliotekën e qytetit Fier/

Nga Sokol Demaku/

Me prezentimin e drejtoreshes së Bibliotekes publike në Fier Klodiana Gjata filloi manifestimi letrar ”Takim mes shkrimtarësh-letersia suedeze dhe letersia shqiptare” oragnizua nga Qendra kulturore shqiptare ”Migjeni” në Borås të Suedise dhe Lidhja e shkrimtarëve të Suedisë Qendra në Göteborg të Suedisë në bashkëpunim me Bibliotekën publike Fier. Ishte në kënaqesi e vecantë që projekti i filluar një vit më parë e ku ishin vizitua qytete në veri të Shqiperisë e këtë fati ishte që poetja Kristin Bjarnadottir dhe shkrimtarja e përkthyesja suedeze Anna Mattsson si dhe shkrintari e përkthyesi Hamit Gurguri dhe poeti, shkrimtari e përkthyesi Sokol Demaku karvanin e miqësisë të poeteve nga Suedia dhe poeteve shqiptar si dhe lexuesit shqiptar këtë vit ta bartin dhe vendosin ne qytetin Fier, Berat dhe Elbasan.

Vizita e dy shkrimtareve suedeze dhe atyre shqiptar nga Suedia në biblotekën e qytetit të Fierit ishte një ngjarje impresionuese pasi që, këto shkrimtare të shquara si krijuese në letërsinë suedeze, por edhe si përkthyese, kanë vlerë dhe kanë lënë gjurmë në letersinë suedeze por edhe kanë krijuar ura lidhëse mes shkrimtarëve suedez dhe lexuesve të tyre në gjuhë të ndryshme të botës. Edhe bashkëkombasit tanë poetët dhe perkthyesit bashkekohor Sokol Demaku, Hamit Gurguri, janë nder emart me të spikatur të cilët sot japin kontribut tër cmuar në krijimin e urave lidhëse mes letërsive e në këtë cast në mes asaj suedeze dhe shqipe përmes përklthimeve të penave të njohura të letërsisë suedeze në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Është interesant se këta shkrimtarë shqiptarë dhe suedezë funksionojnë si një orkestër shumë e harmonizuar që rezonon natyrshëm me kordat e botës shpirtërore e që simbolikisht e shprehën më mirë se shumëçka tjetër dashurinë për letërsinë, për shkrimtarët suedezë dhe shkrimtarët shqiptarë. Kjo u verejtë në prezentimin e poezisë suedeze prezentuar nga Kristin Bjarnadottir dhe Anna Mattsson dhe përmes përkthimeve adekuate të bëra nga Hamit Gurguri e që lanë përshtypje mjaft të mira tek lexuesi shqiptar.

Salla e mbushurë përplotë me adhurues të fjalës së shkruar, nxënës, student, poetë e shkrimtarë dhe përsoneli i Bibliotekës ishte një ndjenjë kënaqësie, ishte një moment prezentimi të letersisë suedeze për lexuesin shqiptar. Krijim i urave lidhëse mes poezisë, fjalës së shkruar dhe librit.

Shkrimtarët nga Suedia Hamit Gurguri dhe Sokol Demaku dhe miku i tyre nga Tirana Nuri Dragoi i dhuruan Bibliotekës publike Fier mbi 60 tituj libra të botuara nga ata e që me kënaqësi i pranoj Drejtoresha e kësaj Biblioteke Klodiana Gjata e cila tha fjalë miradie për këtë gjest human të shkrimtarëve mysafirë të cilët pasuruan fondin e bibliotekës me tituj të ri.

Sokol Demaku i dhuroj kësaj biblioteke edhe librin për fmijë ”A di të fërshelleshë Johana” të autorit Ulf Stark përkhtyer nga Sokol Demaku nga gjuha suedeze në shqip i cili kishte dal nga shtypi këto ditë e botuar nga shtëpia botuese ”Dituria” në Tiranë, ishte ky egzemplari i parë dhuruar për një bibliotekë nga përkthyesi.

Në bazë të bisedes së zhvilluar me Drejtoreshen e bibliotekes Klodiana Gjata dhe personelin e saj u pa një inetresim  nga ata që Festivali i poezisë ”Sofra poetike në Borås” nëse do ishin mundësit të zhvendosej dhe mbahej edhe në qytetin Fier konkretisht në qytetin antik Apollonia.

Në Muzeu historik Fier

Pas bisedave të zhvilluara me poet, shkrimtar, punetor arsimi.nxënës, student dhe adhurues të fjalës së shkruar, drejtori i Muzeut historik të qytetit Fier, poeti dhe shkrimtari Nuri Plaku na ftoj për një viztë në këtë muze historik të qytetit të tyre. Një godin e rregulluar për mrekulli me një kopsht me artifakte nga më ndryshmet nga kohë të lashta nga kohër antike të qytetrimit shqiptar, atje në hyrje na pret miku ynë Nuri Plaku me një mirë se ardhje.

Në holline  Muzeut ai na prezneton objektin që do vizitojmë dhe për ne dhe  mysafiret tona poetet suedeze fillon të na informoj me punëne  muzeut dhe historikun e tij.

Përpjekjet e para për ngritjen e një muzeu në Fier lidhen me arkeologun e njohur Leon Rei në vitin 1936. Ky muze do të ishte i karakterit arkeologjik, me objektet e zbuluara gjatë gërmimeve në qytetin antik të Apolonisë, por nuk u realizua. Ngritja e muzeut u bë realitet vetëm pas çlirimit. Si hap i parë shërbeu një ekspozitë për faunën dhe florën e rrethit, si dhe një ekspozitë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me fotografi, dokumente, kujtime, objekte dëshmorësh etj., që u ekspozuan në një mjedis prej dy dhomash në një godinë pranë ish-turizmit. Në vitin 1951 muzeu u transferua në lagjen “Liri”, në një mjedis prej tri dhomash, nga të cilat njëra dhomë ishte për LANÇ, njëra për etnografinë, tjetra për faunën dhe florën dhe korridori për objektet arkeologjike. Një zhvendosje e dytë u krye në vitin 1953, ku muzeu u vendos në një godinë dykatëshe, sot lagjja “Apolonia”. Që nga 18 korriku i vitit 1978, muzeu historik u vendos në ndërtesën dykatëshe që është edhe sot në lagjen “Kastriot”. Ka një fond të pasur arkivor në kujtime, ngjarje e data historike për LANÇ, studime historike, objekte të dëshmorëve dhe heronjve, veteranëve, armë mesjetare, të Rilindjes, të Luftës së Parë e të Dytë Botërore, si dhe një fototekë e filmotekë të pasur.
Për herë të fundit, godina e Muzeut Historik të Fierit është restauruar në vitin 1979. Kanë kaluar plot 31 vjet që atëherë. Me vitet, degradimi i godinës sa vjen e rëndohet. Lagështira, suvaja e mureve e rrëzuar, çatia e prishur, janë vetëm disa prej problemeve të muzeut të Fierit, thënë ndryshe problemet e dukshme të tij. Por ka më shumë akoma. Objektet, ato më rëndësishmet se një godinë, janë të rrezikuara. Janë antikuarë me vlerë, të rëndësishme jo vetëm për zonën, por edhe vendin e më tej edhe për rajonin. Librat, më i vjetri prej të cilëve i përket vitit 1831, por edhe objekte të tjera mesjetare, janë dëmtuar e kërkojnë restaurim të menjëhershëm.

Në qytetin antik shqiptar Apollonia

Ndodhemi në Apolloni me një grup poetësh dhe shkrimtarësh nag Suedia e largët, vizitë kjo në qyteti  antik pas një prezentimi të denjë të poezisë dhe literatures suedeze në biblioteken e qytetit të Fierit. Ka gjallëri ketu në këtë kohë vere me diell në Apolloni, turistë të huaj që shkrepin pa ndërprerje aparatet fotografike për të marrë sa më shumë kujtime nga ky qytet i lasht shqiptar. Po të ngjitesh lartë në kodrën e afërt e cila ngritet lart si një vigan, do të zotërosh një pamje magjike, do kesh mundësi të kapësh në objektivine  syrit një teritor ku shtrihet ne 140 hektar qyteti antik i Apollonisë, nga këtu syri yt të kap një pamje mahnitëse bukurish natyrore rreth e përcarkë kësaj këshjtjelle të lashtë shqiptare, deri në detin Adriatik, me të gjitha monumentet e kohës, e në mes të cilave edhe teatrin antik.

Në bazë të ca shenimeve dhe të dhenave që njeriu mund te gjej e lexoj por edhe  nga informacionet që ciceronët japin mund të konakudoj se:

Apolonia është qyteti antik në Shqipëri ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike.

Është themeluar rreth fillimit të shek të IV p.e.s. Gërmadhat e Apolonisë janë zbuluar në fillim të shek XIX. Gjurmët më të hershme arkeologjike janë disa objekte të kohës së hekurit, tipike të kulturës ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen disa mbeturina të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve.

Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Apolonia si qytet u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 para Krishtit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apolon. Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Vjosë. Llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për kohën.

Në bazë të asaj që na u tha nga ciceroni me rastin e viztës në këtë qytet antik mësuam se:

Hulumtimet e para për Apoloninë i kemi nga studiues dhe shtegtarë të huaj në gjysmën e parë të shek XIX. I pari studiues që e ka vizituar Apoloninë është Pouqueville në vitin 1806, i cili na kumton për gërmadhat e këtij qyteti antik. Pastaj W.M.Lake në veprën “Travels in northern Greece”, ndër të tjera përshkruan skulpturat, mbishkrimet, murin rrethues dhe një tempull në Kryegjatë. Nga ky tempull ka mbetur vetëm një shtyllë në këmbë dhe që është dëshmia e vetme. Pak kohë pas vizitës së tij, Ibrahim pashë Vrioni rrëmbeu gurët e tempullit për të ndërtuar sarajet e veta në Berat. Peshkopi grek i Beratit, Anthimi, vjen në Apoloni dhe grabit skulpturat dhe objektet antike që gjendeshin në manastirin e Shën Mërisë, një pjesë të madhe të tyre ai e nisi për në Greqi. Këto lëvizje nuk i ikën luanit të Janinës Ali pashë Tepelenës. Sipas një dëshmie të kohës ai dërgoi në Apoloni njerëz për të gërmuar, dhe dy statuja të gjetura i dërgoi në Berat.

Filed Under: Featured Tagged With: ne Fier, Shkrimtaret shqiptare, Sokol Demaku, Suediz

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT