• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2017

3 Konika nga Kosova- DokuFest-102 filma në garë, Shtypi-Kosova në Udhkryq, dy Projekte ndërkufitare

July 10, 2017 by dgreca

Prizren-DokuFest, 102 filma në programin garues/

unnamed (5)-Tetë filma në kategorinë kombëtare do të kenë premierën botërore në festival/

unnamed (6)

PRIZREN, 10 Korrik 2017-B.Jashari/ Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest  shpalli sot programin e filmave garues për edicionin e 16-të, i cili do të mbahet nga 4  deri 12 gusht në Prizren, Kosovë. Festivali, ku përfaqësohen 50 shtete,  në gjashtë kategoritë garuese do të shfaqë 102 filma, përfshirë dy premiera botërore, dy premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Tetë filma në kategorinë kombëtare poashtu do të kenë premierën botërore në festival.“Filmat dokumentarë të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale e karakterizojnë përzgjedhjen e këtij edicioni të DokuFest, me një numër të filmëbërësve që rikthehen e prezantohen për herë të dytë ose tretë në festival, ku do vijnë dhe filmëbërës të rinjë, puna e të cilëve është përfshirë nëpër seksionet garuese”, deklaruan sot organizatorët.

Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World, programin e kuruar për temën qendrore të festivalit “E ardhmja”, programin retrospektiv të një filmëbërësi të rëndësishëm amerikan si dhe programet tjera speicale.

“DokuFest është i vendosur të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë”,  u shpreh drejtori drtistik i festivalit Veton Nurkollari. “Ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërërit e ri dhe mjeshtërat e kinemasë, publikut tonë në rritje”, theksoi ai.

DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Korrupsioni ishte tema qendrore e DokuFest 2016, ndërsa janë mbajtur punëtori, panele, debate, master klasa, ekspozita dhe një seri e organizimeve në kuadër të DokuNights, që kanë përfshirë  edhe yjet botërorë si Omar Souleyman dhe Yasmine Hamdan.

***

Dy projekte ndërkufitare në Kosovën perëndimore/

1Liqen Kosove

PRISHTINË, 10 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE së  bashku me autoritetet lokale në pjesën perëndimore të Kosovës do të inaugurojnë të enjten, në 13 korrik, dy projekte të zbatuara si pjesë e programit ndërkufitar.“Projektet kanë për synim përmirësimin e resurseve ujore në Gjakovë, dhe rivitalizimin e komuniteteve lokale për turizëm dhe zhvillimin e rinisë në Junik”, thekson njoftimi dërguar sot nga Zyra e BE-së në Kosovë.Gjakova dhe Juniku janë dy komuna në perëndim të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë./b.j/

***

Shtypi i Prishtinës: Kosova në udhëkryq
 
-Javë intensive, nisin negociatat për formimin e Qeverisë së re të Kosovës/ 
-Sipas ish-kongresistit amerikan me prejardhje shqiptare, Joe DioGuardi, Kosova duhet të formojë një koalicion me së paku 61 deputetë shqiptarë, ndryshe e ardhmja e Kosovës rrezikohet si shtet sovran pikërisht për shkak të ndikimit që mund ta ketë Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës/

PRISHTINË, 10 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Javë intensive kanë paralajmëruar partitë politike në synimin e tyre për të arritur shumicën e domosdoshme në Kuvend për Qeverinë e ardhshme të Kosovës.Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor kanë nisur të rrjedhin afatet kohore sa i përket konstituimit të institucioneve, të cilat fillojnë me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, shkruan sot shtypi i Prishtinës.Sipas Koha Ditore, me gjithë refuzimin që ia kanë bërë partitë shqiptare, në koalicionin PAN kanë paralajmëruar se gjatë javës do të konsultohen me të gjitha subjektet për të gjetur partnerë në bashkëqeverisje.Por ata nuk i kanë përjashtuar as kontaktet me deputetët individualisht, në përpjekjen për t’i siguruar 61 vota.Por në Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pret nga presidenti t’ia kalojë radhën “pas dështimit të Haradinajt”, dhe në koalicionin e bashkuar rreth Lidhjes Demokratike, kanë thënë se do të jenë unikë në veprimet e tyre dhe se nuk do të ketë rrjedhje të votës, shkruan gazeta me kryetitullin “Haradinaj synon shumicën në partneritet me deputetë individualë”.

Me kryetitullin “Kosova në udhëkryq”, gazeta Zëri shkruan se, Kosova po llogaritet të gjendet në një prej udhëkryqeve më të rëndësishme të saj në vitet e fundit. Krijimi i Qeverisë së re po paraqitet një sfi dë në vete. Një Qeveri me shumicë të thjeshtë në të cilën Lista Serbe do të kishte rol kyç po llogaritet si e rrezikshme, ndërsa një Qeveri me shumicë shqiptare momentalisht po shihet e pamundur për shkak të interesit vetjak të politikanëve. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian edhe një herë ka thënë se pa marrë parasysh se kush e formon Qeverinë e re pret një përshpejtim dhe zbatim të axhendës për reforma të BE-së, thekson gazeta.
Më tej shkruan se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar të shtunën rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit. Tani koalicioni më i madh i dalë nga këto zgjedhje do të ketë një muaj afat për formimin e Kuvendit. Sipas ish-kongresistit me prejardhje shqiptare Joe DioGuardi, Kosova duhet të formojë një koalicion me së paku 61 deputetë shqiptarë, ndryshe e ardhmja e Kosovës rrezikohet si shtet sovran pikërisht për shkak të ndikimit që mund ta ketë Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës.
Në një deklaratë dhënë gazetës Zëri, DioGuardi ka thënë se Kosova duhet të jetë tërësisht e lirë nga ndikimi i Serbisë.
Mirëpo, në këtë kontekst analisti nga Shqipëria, Fatos Lubonja, ka thënë se më e rrezikshme se ndikimi i Listës Serbe apo kujtdo tjetër është paaftësia e shqiptarëve për të kapërcyer interesin vetjak kur ky është kundër interesit të shoqërisë.
Sipas tij, është e trishtueshme kjo që po ndodh në Kosovë në këtë aspekt. Ndërkohë në anën tjetër, shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë Nataliya Apostolova në një deklaratë të saj, të lëshuar menjëherë pas certifikimit të rezultateve, ka thënë se Kosova duhet të formojë një Qeveri të fortë, e cila do të jetë në gjendje për t’i adresuar reformat që populli kërkon.
 
“Nisin negociatat për formimin e Qeverisë”, është një titull tjetër balline, ku theksohet se, certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ua ka dhënë dritën e gjelbër subjekteve politike që brenda një muaji ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
Zyrtarët e koalicionit PDK-AAK-Nisma janë shprehur të bindur se do ta bëjnë qeverinë pa asnjë problem. Anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Time Kadrijaj, e cila ka siguruar mandatin e deputetes, ka thënë për gazetën Epoka e Re se Ramush Haradinaj tashmë i ka nisur negociatat për këtë çështje me individë dhe subjekte politike dhe, sipas saj, shumë shpejt do të formohet qeveria e re. Kurse përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kanë bërë thirrje të formohet një qeveri e fortë, pasi ajo para vetes do të ketë shumë sfida.
“Presidenti Thaçi shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme?”, është kryetitulli i gazëtës “Bota Sot”,  sipas së cilës Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë sinjal të qartë se në rast krize apo dështimi të formimit të qeverisë nga koalicioni PAN, nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç dërgimit të vendit në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare.
Ai disa ditë më parë ka thënë se ka konfirmimin nga mandatari i koalicionit fitues se Qeveria do të formohet pa vonesa, duke rikujtuar se derisa Kosova e ka koalicionin fitues që ka dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, ai do të respektoj Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.
 Në vitin 2014 ishte marr vendimi që të drejtën e formimit të qeverisë me çdo kusht e ka vetëm koalicionit fitues i zgjedhjeve, pavarësisht, se i njëjti nuk i ka numrat, shkruan gazeta. /b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, DokuFest, Kosova ne udhkryq, Kronika nga Kosova

Shqiptarë, mjaft e turqizuat Shqipërinë

July 10, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/

1) Sheshi Maltepe, Stamboll, të dielën më 9 korrik. Qe i tëri një gumëzhimë njerëzore. Opozita priste liderin e saj, Kemal Kılıçdaroglu. Ai kishte ecur më këmbë nga Ankaraja në Stamboll. Për njëzetë e pesë ditë. Në shënje proteste karshi presidentit të vendit si urdhëruesi i arrestimeve dhe burgosjes së gazetarëve, oficerëve, apo politikanëve kundërshtarë.

Sipas raportuesve të agjensisë Returs, Umit Bektas dhe Humeyra Pamuk, nga Stambolli, ai i tha masës se, ne, duhet të rrëzojmë muret e frikës. (We will be breaking down the wall of fears.) E gjitha një protestë për kapjen e shtetit nga një individ me emrin Rexhep Taip Erdogan. Pasi që nga i ashtuquajturi grusht i shtetit, korriku 2016. Rezultojnë plot 50 mijë njerëz të arrestuar. 150 mijë nëpunësa shteti, si arsimtarë, ushtarakë, jurist etj., të pezulluar.
Një terror i hapur shtetëror karshi administrates, opozitës dhe fjalës së lire. Po sipas Reuters, ai e mbylli fjalën e tij, duke u thënë turqëve se, nga sot të jemi të gjithë bashkë kundër një njeriu që do gjithçka. Veç për vendin, për demokracinë.
2) Kjo ndodhte kur, Erdogani, priste në rezidencën e tij kryeministrin e Shqipërisë. Vendin të cilin Turqia e sundoi për pesëqind vjet. Dhe po t’i referohesh kohëve. Në raport me pushtimin austro-hungarez. Apo periudhën italiane nga koha e mbretërisë e deri në kapitullimin e Duçes. As që çohen nëpër mend të krahasohen investimet e bëra. Pra pesëqind vitet e Turqisë, me ato të austrohungarezëve dhe italianëve. Në këto pesë shekuj Turqia nuk ndërtoi asnjë rrugë. Asnjë lloj vepër tjetër publike. Përkundrazi e mbajti nën një trysni përça e sundo. Mes pashallarësh dhe vilajetesh. Aq sa sot pikërisht për shkak të këtij sistemi. Kësaj forme administrative, Shqipëria u nda si plaçkë tregu. Jo si Shqipëri. Por si një Turqi e vogël. Po sipas këtyre metodave. U ndërroi besimin. Bëri ca pashallarë me shumicë. Ca hajna, të cilët i la të sundonin me shpatë e kuran vëllezërit e tyre. Ndërsa për vete mori në Stamboll mëndjet e ndritura. Madje i degdisi deri në shkretëriat e Nilit. Me tituj e poste. Pasi vetëm me ata mund të shtonte sa më shumë sundimin.
Kjo është Turqia. Sa sot edhe pse një komunitet i madh atje, shqiptarët nuk kanë asnjë lloj të drejte. Madje kudo ndihen. Kudo. Veç në Turqi nuk shohim aktivitete shqiptarësh.
Ata sot janë turq dhe ndofta sundojnë me Erdoganin.
3) Pasi përcolli dishepullin e tij, arnautin bohem, Erdogani i kërkoi liderit të opozitës. Atë që drejtësia, reformat, shteti, bëhen në parlament dhe jo në rrugë.
Në fakt e trembte turma. Kurrë Maltepe nuk qe aq i tejmbushur sa dje. Dhe vemendja botërore aq e fokusuar në Stamboll. Lideri i opozitës i kujtoi se rruga ishte e vetmja alternative. Pasi, kuvendi, shteti, kushtetuta, drejtësia, media ishin të kapura. Dhe se ai zgjodhi rrugën si pjesë e sovranit, motorit të demokracisë.
Mua më shkoi mendja tek lideri i opozitarizmit në Shqipërinë time. Tek akulli, ngrirja. Apo shkrirja. Lojrat e fjalëve me marr unë përgjegjësitë. Apo ato urdhrat me sy, që, jepi një dru të mire atij legenit që na çau bythën. Sa keq që vendi im nuk e ka një të tillë. Kush do të ecte nga ata 400 klm në këmbë. Sa i bie…, Shkoder Sarandë. Apo më pak. Megjithëse me ato rrugë përgjysmë. Me ato nën e mbi kalime shkretane. Shkoder Sarandë i bie 400 mijë kilometer. Lulit do i prishej jo vetëm xheli i flokëve. Por edhe xheli i opozitarzimit të humbsave. Kurse Monikën, do ta ndalonte statuti i zonjës së parë. Kush pra mund të ecte në këmbë për ata?. Për të drejtat civile. Për fundin e një varfërie ekstreme. Për marrjen fund të kulturës partiake mbi ekzistencën intelektuale. Drejtësinë e pavarur dhe shtetin e ligjit të forte? Për firon e gjakut shqiptar. Për informalitetin total. Për mbylljen e gropave të zeza të përqindjeve nga tenderimet? Askush…
4) I lumtur dishepulli i Erdoganit…, kryeministri i vendit tim, saktësisht atë kohë kur Turqia vet kish dalur në shesh. Kundër njëshizmit. (One man-rule.) Kundër grumbullimit të pushtetit. Komunikonte në FB me shqiptarët se, kishte marrë premtime për para. Për ndërtimin e aeroportit të Vlorës etj. Kaq i lumtur, sikur t’ua jepte aty në çast. Nga dritarja mbrapa. Se përpara protestonte Turqia. T’ua hidhte me dy duar. Para qielli. Jo si një borxh më shumë për kokë. Ndërkohë që paradoksalisht, një aeroport si ai i Kukësit rri mbyllur. Dhe shqiptarët fluturojnë për në botë, përmes Shkupit, Prishtinës, Beogradit. Nga që çmimet e Rinasit janë më te kripura se ato në aeroportet më me emër në botë.
Kjo është Shqipëria e pashallarëve dhe e dishepujve të Erdoganit.
Nuk e di se çfarë vlerash njerëzore mbart ky komunikim. Me një lider që manipulon, vret, burgos, syrgjynos etj. Çfarë vlerash miqësie e afrimiteti. Eshtë njësoj si të shkosh sot në Korenë e Veriut. Të dalësh në platenë e paradave me Kim Yongun. E t’i mburresh popullit. Apo një lloj eksopezeje ashtu…, siç dilte Enveri me Stalinin. I lumtur që siguronte ndonjë vapor me thekër a grurë. Pasi shqiptarët vet nuk dine as të prodhojnë e as të tregtojnë.
5) Me ardhjen e demokracisë, menduam se epoka e ndihmave. Epoka e miqësive për inat, do të merrte fund. Të paktën në investimet publike. Në krijimin e fondeve. Si arsyetim normal i një ekonomie tregu.
Ka vende më të vegjël se ne, por janë sot në mos superfuqi. Investitorë të pare në investimet e tyre publike. Të konsoliduar.
Kurse ne, fatkeqësisht akoma jo.
Liderët tanë fluturojnë drejt lëmoshës.
Sikur një lubi t’ua e ketë prerë duart shqiptarëve.
I duan të gatshme të gjitha.
Sidomos ky…, I do të gjitha nga Turqia.
Vdesin të marrin ca nga atje.
Për rrjedhojë shqiptarët janë sot aq të turqizuar, sa kanë mbytur veten me ferexhe e mjekra. Nga Tirana, Prishtina, Shkupi etj. Rrugët janë plot të tilla, mjekrra dhe ferexhe.
Dovleti që ia lëroj nënën fustanellës shqiptare. Apo kostumeve që ne mburremi. Eshtë sot më prezent se kurrë.
Me iftarë e falje në sheshe publike. Me dhunën e lirisë së shprehjes. Dhe të të menduarit. Një lloj Turqie erdoganiste, pushtimi i dytë otoman…
Bijë nënash, shqiptarë, mjaft e turqizuat Shqipërinë.

Filed Under: Politike Tagged With: e turqizuat Shqipërinë, Ilir Levonja, Mjaft, shqiptare

DISA PYETJE PËR GJENERALËT DHE VARRMIHËSIT E PD-së

July 10, 2017 by dgreca

DISA PYETJE PËR GJENERALËT DHE VARRMIHËSIT E PD-së, PARA SË TË FLASIN E TË KËRKOJNË LLOGARI ?/
1 Vendim
Nga Vendim DEMAJ/
Nënkryetar i Bashkisë dhe i degës së PD në Kamëz/
 
 Kaluan edhe katër vite të tjera dhe Partia Demokratike, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, e sheh veten përsëri në opozitë dhe jo fituese të tyre, ashtu siç duhet të ishte dhe siç shpresonte çdo shpirt i lirë demokrati. Por kjo gjë u ka shkuar për shtat disave, të cilët, të mësuar me ofiqe, duan të mbesin përjetësisht në kupolë, në çdo kohë, duke qenë gjeneralë të përjetshëm, të cilët kanë qenë edhe më aktivët këto ditë, duke kërkuar llogari në një mënyrë të tillë që shkon deri në histeri.
Përpara se të flasin dhe të kërkojnë llogari, këta gjeneralët dhe varrmihësit e PD-së duhet që t’i tregojnë opinionit, anëtarësisë dhe simpatizantëve të PD-së:
 
• Cili është kontributi i tyre në këto 4 vite opozitë?
 
• Kush nga këta mori përgjegjësi dhe u largua nga ofiqet që mbanin siç bëri kryetari i PD-së, Sali Berisha, pas humbjes së zgjedhjeve të 2013-ës?
 
• Cili apo cila i kërkoi ndjesë elektoratit për humbjen në zonat ku këta “senatorë” ishin koordinatorë?
 
• Ku ishin këta zullumqarë kur kërkohej motivim dhe ndërgjegjësim i opinionit publik për të protestuar kundër qeverisë së hashashit?
 
• Cila është zona e tyre dhe sa aktivë ishin në fushatë për të ndihmuar PD-në që të vinte në pushtet? Ku dhe si votuan këta/këto dhe familjarët e tyre?
 
• Si mundet që këta humbës të pështirë të ngrenë kokë dhe të kërkojnë kokë turku kur vetë janë përgjegjësit dhe kontribuuesit kryesorë për humbjen e PD-së në 2013-ën dhe në 2017-ën?
 
• A është faji ynë dhe i të gjithë atyre pak fituesve të zgjedhjeve të 2013-ës që nuk kërkuam largimin e këtyre sabotatorëve nga çdo nivel drejtues i PD-së?
 
Në zgjedhjet e fundit munguan rreth 200 mijë të Partisë Demokratike vota krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013. E përkthyer në përqindje, mund të thuhet se shkon nga 5 deri në 10% sipër rezultatit katastrofik që u mor, duke bërë që të kishte një hartë tjetër të shpërndarjes së mandateve e për rrjedhojë mbase edhe një konfigurim tjetër politik të Shqipërisë dhe të Kuvendit të saj. Kjo do të sillte pa dyshim edhe një emër tjetër si Kryeministër e as më shumë e as më pak, por Lulzim Basha. Janë pikërisht këto vota, të cilat kanë munguar, për shkak të gjeneralëve që nuk e bënë betejën e tyre si çdo demokrat i sinqertë, por punuan si varrmihës të partisë së tyre, duke e paraqitur tashmë më keq se në vitin e tmerrshëm `97, kohë në të cilën as plumbat nuk i penguan demokratët të merrnin aq sa mundnin në një kohë lufte e pasigurie jete e jo më vote. PD duhet të jetë parti e të gjithëve duke mos përjashtuar askënd, por janë pikërisht ”gjeneralët” e përjetshëm që e përjashtojnë veten nga çdo lloj përgjegjësie, por e përjashtojnë dhe e privojnë çdo demokrat a shqiptar të ndershëm nga përfaqësimi, qoftë edhe në nivelet më të ulëta të hierarkisë politike apo qeverisëse,dhe një nga këto zona është pa dyshim Kamza, ose kështjella e pamposhtur e Partisë Demokratike, ku falë anëtarësisë së kësaj dege dhe punës së strukturave në çdo palë zgjedhje kanë njohur vetëm fitore pavarësisht nga kjo, ofiqet dhe benefitet kanë shkuar diku tjetër.
 
Ku qëndron, pra, morali i këtyre individëve, për të cilët më e rëndësishme është karrigia dhe posti i tyre, si në pushtet apo edhe në opozitë, për të vënë në qendër të shënjestrës dhe për të vënë para llogarisë kryetarin e katër viteve opozitë nën pushtetin e kanabisit, korrupsionit të një qeverie të kapur nga krimi?
 
Më vjen ndërmend një prej thënieve më të njohura të Presidentit Kennedy: “Mos pyesni çfarë bën Amerika për ju, por çfarë bëni ju për Amerikën”. Të njëjtën gjë do të thosha edhe për rastin e Partisë Demokratike, e cila në vetvete, është një pasuri kombëtare, që ka ndikuar dhe ndikon jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ka shqiptarë e flitet shqip. Pra, u drejtohem të gjithë të pakënaqurve gjeneralë:
 
• Çfarë keni bërë dhe bëni ju për Partinë Demokratike, pasi e shfrytëzuat në pushtet dhe doni ta shfrytëzoni përsëri në këto vite opozitë?
 
• Çfarë dhatë ju dhe çfarë sakrifikuat ju për partinë e parë opozitare në Shqipëri, që lindi si shpresë e të gjithë shqiptarëve në kohën e fundit të diktaturës? U bënë ditë që këta parazitë, bukëshkalë, përfitues janë vërsulur duke mallkuar dhe goditur me gurë PD-në dhe z. Basha, duke dhënë mend, pavarësisht se kontributi i tyre ka qenë i fjetur, ka qenë inekzistent, i dhënë nga kondicioneri, nga kafenetë dhe ndonjëherë nga faqet e librit virtual (Facebook).
 
U bënë ditë që janë zgjuar pikërisht në çastin kur e gjithë Partia Demokratike duhet të ishte shtëpia jonë e përbashkët, ajo shtëpi e lirisë, e demokracisë, e shpresës së çdo qytetari për një jetë si e çdo qytetari euroatlantik; në një kohë kur kjo shtëpi e lirisë ka nevojë për kontributin e sinqertë dhe të pakushtëzuar të gjithsecilit prej nesh, paçka se e nesërmja na gjen në karrigen e deputetit apo të ministrit. Por nuk duhet të harrojmë një gjë: Partia Demokratike vërtet na dha lirinë e gjithçka tjetër që sjell demokracia; tani është momenti ynë që të japim dhe të bëjmë maksimumin për Partinë Demokratike. Ndaj dhe e mbyll këtu, duke thënë serish që përpara se të flasin dhe të hedhin baltë, gjeneralët dhe varrmihësit e PD-së duhet të kthejnë lupën e shikimit të hollësishëm mbi vete, pastaj të shigjetojnë gjithkënd e gjithçka përveç vetes së tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: DISA PYETJE PËR GJENERALËT DHE, VARRMIHËSIT E PD-së, Vendim Demaj

“Check-ups” falas, por jo për ata që mbushin moshën 65 e lart!

July 10, 2017 by dgreca

1-pirro-dollani

Nga Pirro Dollani/

Sot në mëngjes, duke pirë kafenë me ca miq të mi mësova një gjë të re: ky PALO shtet nuk u siguron më “check-ups” falas qytetarëve që mbushin moshën 65 vjeç. Fillimisht, nuk u besova veshëve kur njëri nga miqtë e pohoi këtë. I thashë bashkëfolësit se një gjë e tillë nuk mund të ishte e saktë, pasi është antihumane, poshtëruese, fyese e diskriminuese, jo vetëm ndaj kësaj kategorie njerëzisht, por edhe ndaj gjithë popullsisë. Këta njerëz mbasi kanë punuar një jetë të tërë tani i “flakin” në pension me ca pagesa qesharake që s’u del për gjë tjetër, veçse për të paguar ujin dhe dritat. Dhe mbasi paguajnë ato, u mbetet të mbushin barkun me rrenat, mashtrimet, premtimet e politikanëve tanë sharlatanë, të të gjithë ngjyrave. Unë ngulja këmbë se ajo që tha miku im s’mund të ishte veçse një thashetheme, pasi një gjë e tillë ngjasonte me qëndrimin e Hitlerit ndaj foshnjave që lindnin me defekte. Edhe qëndrimi ndaj kësaj kategorie njerëzish që kanë mbushur 65 vjeç e lart ka po të njëjtën bazë logjike me atë të kohës së Hitlerit. Shqip, ky qëndrim përkthehet kështu: “zonjë a zotni, tani që mbushe 65 vjeç, shteti nuk kujdeset më për ty! Për shtetin tonë demokratik dhe human ju konsideroheni të vdekur. Të qënurit gjallë është një aksident! S’kemi aq para sa të shpenzojmë edhe për të vdekurit!!!” Me këto mendime në kokë, nxitoja që të arrija sa më parë në shtëpi. Sapo mbërrita, hapa kompjuterin dhe shkova drejt te faqja e KRYEMINISTRISË. Sapo faqja u hap, në krye të saj shkruhej me shkronja të mëdha:

Check-Up falas, hapi madhor drejt mbulimit universal në shëndetësi.

Më vinte t’i bërtisja që nga brenda shtëpisë atij mikut tim: Gënjeshtar! Gënjeshtar! Se ja ku është, që në krye e zeza mbi të bardhë: “Check-up falas!” Dhe vazhdova ta lëçitja gjithë kënaqësi atë faqe të Kryeministrisë, kur papritur ngeca te një fjali, si ajo qerrja që papritur i bie rrota mbi një gropë. Hops! Tërhoqa frenat! Ndalo, i thashë vetes, lexoje me kujdes. Dhe si ai filloristi, nuk lashë rrokje pa e lexuar dy-tre herë. Në përfundim, ja se ç’shkruhej aty: “Programi kombëtar i kontrollit bazë shëndetësor për të gjithë shqiptarët rezidentë, në grupmoshën 40–65 vjeç, fton 900 mijë shqiptarë, që një herë në vit të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të bëjnë kontrollin bazë shëndetësor, pa pagesë, pavarësisht nëse janë apo jo, të siguruar për kujdes shëndetësor.”

Pra, “check-ups vetëm për grupmoshën 40-65! “Hasta la vista” ju 65-vjeçarë! Ky shtet human juve ju jep dy mundësi. Zgjedhja është e lirë, se jetojmë në një vend demokratik: 1. “Ose merrni rrugën për varreza, dhe këtë bëjeni sa më shpejt që të shkoni në një botë shumë më të mirë se sa ky ferr ku jetoni tani 2. Ose ndiqni mbrapa fëmijët tuaj kur arratisen nga ky vend. Cilëndo rrugë që të ndiqni, do t’ju bie shumë më mirë, se sa të jetoni në këtë mizerabilitet.”

Ndokush, mund të thotë se autori e ka nxirë një çikë si shumë, këtë “realitetin tonë bolsheviko-demokratik.” Ndoshta, por për ta kuptuar më mirë ç’ka lexuat deri tani, më lejoni ta mbyll me një ngjarje të zakonshme në ditët tona. Çdoherë që vij në Shqipëri kam dëshirë të pi kafe me një shokun tim, mësues gjimnazi të dy, ai madje, arriti të bëhej drejtor. Dy-tre vite të shkuara seç takoheshim 2-3 herë gjatë periudhës 4 mujore që unë qëndroj në Shqipëri. Por tani, rrallë e shoh, dhe pothuaj nuk pi fare kafe me të. Nganjëherë, mendoja se ndoshta nuk kishte dëshirë, paçka se kemi qenë shumë miq me njëri-tjetrin. Para ca ditësh e takova rastësisht aty para Vollgës, dhe i thashë: “S’ke ku të më ikësh tani! Hajde të pimë një kafe.” Ai nguroi pak, pastaj u përgjigj se duhej të ikte se kishte një punë. Mbasi ngulmova, ai, gati me lot në sy, shpërtheu: “Nuk vij, jo se nuk dua, por me vjen zor që ti të paguash përsëri! Kam pranuar një herë, dy herë etj., por s’mund të pranoj gjithnjë. Më vjen zor, se 18.000 lekë pension që marr në muaj, s’më dalin të jetoj 3-4 ditë, mbasi paguaj, ujin, dritat, telefonin, televizorin, etj.! Një jetë të tërë në punë, vazhdonte miku im, dhe vetëm150 dollarë pension në muaj!!! Në një kohë që çmimet janë sikur të jetosh përtej detit. E si mos të kem nostalgji, mall për kohën në periudhën e komunizmit? Atëhere dilje në pension dhe me pensionin ndihmoje edhe fëmijët që s’kishin dalë në jetë, ndërsa tani s’mban as veten tënde dot me bukë.” Mbeta si i ngrirë. S’dija ç’të thosha. i shtrëngova dorën pa e vështruar në sy, dhe eca rrugës me sytë që më mjegulloheshin nga lotët.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “Check-ups” falas, moshën 65 e lart!, Pirro Dollani, por jo për ata, që mbushin

SHFAQJA E TRAGEDISE”OTHELLO” NE BOSTON ME 1923

July 10, 2017 by dgreca

NGA KALENDARI I VATRES: SHFAQJA E TRAGEDISE”OTHELLO” NE BOSTON ME 1923/

OtelloBe7THaOIAAAh-f8Othello_Noli

Tragjedia “Othello”, që ishte përkthyer dhe botuar nga Imzot Noli që më 1916, u shfaq në Arlington Theatre, në Boston, Mass, për herë të parë me 4 Korrik 1923. Zonja Henrietta V. Miller lojti rolin e Desdemonës, Zonja Antigoni Vaskë Kosta, lojti rolin e Emilisë, Vançi Miller, lojti rolin e Othellos, Arapit të Venedikut, Andon Frashëri, rolin e Iagos. Faik Konica, i cili stërviti amatorët, lojti rolin e Dukës…./

ME 4 KORRIK 1923 “OTHELLO” U SHFAQ NË BOSTON

Në Njoftim që botonte Gazeta Dielli me 7 Korrik 1923 mësojëm se Tragjedia “Othello”, që ishte përkthyer dhe botuar nga Imzot Noli që më 1916, u shfaq në Arlington Theatre, në Boston, Mass, për herë të parë me 4 Korrik 1923. Zonja Henrietta V. Miller lojti rolin e Desdemonës, Zonja Antigoni Vaskë Kosta, lojti rolin e Emilisë, Vançi Miller, lojti rolin e Othellos, Arapit të Venedikut, Andon Frashëri, rolin e Iagos. Faik Konica, i cili stërviti amatorët, lojti rolin e Dukës. Në kritikën që i bëri shfaqjes Konica, në frazën e fundit shkruante:”Në një fjalë të lojturit e Othellos n’Arlington Theatro të Bostonit më 4 Korrik ka qenë shumë më tepër se një lodër amatorësh:ka qenë, për herë të parë në gjuhën shqipe,përfaqësimi i fortë dhe i bukur i një kryevepre tragjike.”.

Noli do të shkruante nga Viena:”Përhirimet e mia zonjave dhe zotërinjëve që muarën pjesë në shfaqjen e  “Othellos”. Nisem të Mërkurën me 18 Korrik për në Vlorë me anë të Romës-Peshkop Noli.

KUVENDI I VATRËS I VITIT 1921

Edhe Kuvendi i Vatrës për vitin 1921 i zhvilloi punimet në muajin Korrik. Ai u cel me 10 Korrik 1921  në Castle Square Hall, me çairman Shefki Alikon, Sekretar-Midat Delej dhe raporter Vasil Manni, Marshall Thomas Ballkameni. Katër Komisione vëzhguan llogaritë e Vatrës gjatë një viti. Kuvendi i vazhdoi punimet për 10 ditë. Zgjedhja e zyrtarëve:Kryetar -Faik Konitza, Sekretar-Kosta Isaak, Arkëtar-Kostë Ratska; Editor Andon Frashëri, nën/editor Aqile Tasi. Komisioni i Qendrës: Xhevat Harxhi, Shefki Aliko, Hasan Bitincka, dhe Sotir Treska.Mehmet Konitza sërish u aprovua si delegat i Vatrës. Kuvendi votoi 2 mijë dollarë për studentët shqiptarë në Amerikë.

VATRA, 2 MILIONË FRANGA NË SHQIPËRI

DIELLI i datës 26 Korrik 1921 njoftonte se VATRA dërgoi në Shqipëri dy milionë franga të mbledhuar me anë të Huas Kombëtare. Vetë Qeveria Shqiptare mezi mblodhi 700 mijë Franga, ndërsa vetëm Vatra mblodhi 2 milionë franga me vatranët.

 

KUVENDI I VATRËS I VITIT 1923

Kuvendi  vjetor i Vitit 1923 u hap 8 korrik .Cairman u zgjodh Pandi Janaq, Sekretar Petraq Kolonja, reporter Sefer Prishta, Marshall- Nesim A. Piluri.

Kryetari i Vatrës z. Faik Konitza tha në fjalën e hapjes se kur ish kthyer në Amerikë më 1909 kishte gjetë 1, 300 anëtarë, në fund të motit të parë i bëra 1,500 dhe tani në mbarim të motit të dytë dal para Jush me sihariqin që numëri i anëtarëve të VATRËS është 1618.

Kuvendi i mbylli punimet me 15 Korrik. Kryetar u zgjodh Faik Bej Konitza, George Prifti-arkëtar, Angelo Sotir-Sekretar. Pjestarë të tjerë të Komisionit u zgjodhën:Miçe Bardho, Ilo Zdruli, Sefer Prishta dhe Sotir Kondi. Pjestarë rezervë: Pandi Kirka dhe Asllan Dragoti(babai i regjisorit të njohur Stan Dragoti).

Editor i Diellit: Andon Frashëri, zv/ editor Aqile Tasi, Klerk: P. Checho.

Kuvendi e la të hapur çështjen për blerjen e një ndërtese për Vatrën.(Vijon)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, NE BOSTON ME 1923, SHFAQJA E TRAGEDISE"OTHELLO"

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT