Prizren-DokuFest, 102 filma në programin garues/
-Tetë filma në kategorinë kombëtare do të kenë premierën botërore në festival/
PRIZREN, 10 Korrik 2017-B.Jashari/ Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest shpalli sot programin e filmave garues për edicionin e 16-të, i cili do të mbahet nga 4 deri 12 gusht në Prizren, Kosovë. Festivali, ku përfaqësohen 50 shtete, në gjashtë kategoritë garuese do të shfaqë 102 filma, përfshirë dy premiera botërore, dy premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Tetë filma në kategorinë kombëtare poashtu do të kenë premierën botërore në festival.“Filmat dokumentarë të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale e karakterizojnë përzgjedhjen e këtij edicioni të DokuFest, me një numër të filmëbërësve që rikthehen e prezantohen për herë të dytë ose tretë në festival, ku do vijnë dhe filmëbërës të rinjë, puna e të cilëve është përfshirë nëpër seksionet garuese”, deklaruan sot organizatorët.
Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World, programin e kuruar për temën qendrore të festivalit “E ardhmja”, programin retrospektiv të një filmëbërësi të rëndësishëm amerikan si dhe programet tjera speicale.
“DokuFest është i vendosur të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë”, u shpreh drejtori drtistik i festivalit Veton Nurkollari. “Ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërërit e ri dhe mjeshtërat e kinemasë, publikut tonë në rritje”, theksoi ai.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.
Korrupsioni ishte tema qendrore e DokuFest 2016, ndërsa janë mbajtur punëtori, panele, debate, master klasa, ekspozita dhe një seri e organizimeve në kuadër të DokuNights, që kanë përfshirë edhe yjet botërorë si Omar Souleyman dhe Yasmine Hamdan.
***
Dy projekte ndërkufitare në Kosovën perëndimore/
PRISHTINË, 10 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE së bashku me autoritetet lokale në pjesën perëndimore të Kosovës do të inaugurojnë të enjten, në 13 korrik, dy projekte të zbatuara si pjesë e programit ndërkufitar.“Projektet kanë për synim përmirësimin e resurseve ujore në Gjakovë, dhe rivitalizimin e komuniteteve lokale për turizëm dhe zhvillimin e rinisë në Junik”, thekson njoftimi dërguar sot nga Zyra e BE-së në Kosovë.Gjakova dhe Juniku janë dy komuna në perëndim të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë./b.j/
***
PRISHTINË, 10 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Javë intensive kanë paralajmëruar partitë politike në synimin e tyre për të arritur shumicën e domosdoshme në Kuvend për Qeverinë e ardhshme të Kosovës.Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor kanë nisur të rrjedhin afatet kohore sa i përket konstituimit të institucioneve, të cilat fillojnë me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, shkruan sot shtypi i Prishtinës.Sipas Koha Ditore, me gjithë refuzimin që ia kanë bërë partitë shqiptare, në koalicionin PAN kanë paralajmëruar se gjatë javës do të konsultohen me të gjitha subjektet për të gjetur partnerë në bashkëqeverisje.Por ata nuk i kanë përjashtuar as kontaktet me deputetët individualisht, në përpjekjen për t’i siguruar 61 vota.Por në Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pret nga presidenti t’ia kalojë radhën “pas dështimit të Haradinajt”, dhe në koalicionin e bashkuar rreth Lidhjes Demokratike, kanë thënë se do të jenë unikë në veprimet e tyre dhe se nuk do të ketë rrjedhje të votës, shkruan gazeta me kryetitullin “Haradinaj synon shumicën në partneritet me deputetë individualë”.