• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2017

TË ZHDUKUR POR JO TË HARRUAR!

August 31, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Dje me 30 gusht u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Bota e shënon këtë ditë çdo vit, ndërkohë që entet dhe organizatat ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe me aktivizim në këtë fushë përfshijnë Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejat të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Organizatën Amnesty International si dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ndër të tjera, ndërsa njëkohësisht shënohet dhe kujtohet edhe në shumë vende të botës.

Në bazë të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme më 18 Dhjetor, 1992 si një rezolutë parimesh për të gjitha shtetet, Zhdukjet e detyrueshme të njerëzve ndodhin kur, “Personat arrestohen, kur kapen dhe mbahen kundër vullnetit të tyre, ose për ndryshe atyre u mohohet liria nga zyrtarë të ndryshëm të degëve ose niveleve të ndryshme të qeverisë, ose nga grupe të organizuara ose individë privatë të cilët veprojnë në emër ose me mbështetjen e drejtë për drejtë, tërthorazi ose me aprovimin e qeverisë, gjë që përfundon në refuzimin nga ana e saj, për të pranuar fatin e njerëzve dhe mohimin e lirisë së tyre, mohimin e lirisë madje edhe vet faktin e zhdukjes ose vend ndodhjen, gjë që i vendos këta njerëz të zhdukur jashtë mbrojtjes së tyre nga ligji.”

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, viktimat në fjalë janë shpeshëherë subjekt torturash dhe jetojnë të frikësuar për humbjen e jetës së tyre.   Ata janë të vetdijshëm se familjet e tyre nuk e dinë fatin e tyre dhe se mundësitë janë të vogla ose hiç se dikush mund tu vijë atyre në ndihmë.  Si të tillë, thuhet në shpjegimin e domethënjes së kësaj dite nga OKB-eja, të zhdukurit janë hequr nga ombrella e mbrojtjes nga ligji dhe janë zhdukur nga shoqëria, ndërkohë që të drejtat e tyre nuk u njihen më dhe janë krejtsisht në mëshirën e atyre elementëve që kontrollojnë fatin e tyre.

Edhe familjet dhe miqtë e viktimave vuajnë nga shqetësimet dhe ankthi I amdh sepse nuk dinë nëse pjesëtarët e familjes janë gjallë ose jo, ku janë dhe si janë dhe nën çfarë kushtet mbahen dhe cila është gjëndja e tyre shëndetsore.  Ata presin me muaj e vite për ndonjë lajm, për ndonjë informacion mbi fatin e të afërmëve të tyre që ndoshta nuk vjen kurrë.  Shqetësimet familjare, nga zhdukja e të afërmëve të tyre, shtohen edhe më shumë nga pasojat materiale që sjellë kjo situatë. Pasi të humburit, mund të kenë qenë i vetmi krah pune në familje. Në një kronikë e VOA-s, në përkujtim të kësja dite kjo u pasqyrua më së miri në një raport nga Krusha e Madhe, një prej fshatrave më të prekura gjatë luftës në Kosovë, ku forcaz terroriste serbe zhduken me qindra burra të fshatit, fati i të cilëve nuk dihet as sot e kësaj dite.  Llogaritet se gjithsejt në Kosovë mbi 1600 personave – shumica shqiptarë — nuk u dihet fati as rrethanat e zhdukjes.  Gratë e mbetura pa burra, janë detyruar të kujdesen për familjet e tyre duke u organizuar në një kooperativë bujqësore për të ndihmuar njëra tjetrën, e kështu edhe familjet e veta, për të mbijetuar.

Ndërkohë, në Shqipëri gjithashtu sipas VOA-s, Dita e Ndërkombëtare e të zhdukurve u kujtua në Tepelenë, pikërisht në  një nga ish kampet më famëkeqe të interrnimit në Shqipëri, ku humbën jetën gjatë regjimit komunist qindra të pafajshëm, mes të cilëve shumica fëmijë. Të mbijetuar nga ky kamp dhe të persekutuar nga regjimi komunist, raportoi VOA, morën pjesë të enjten në një aktivitet përkujtimor.  Në mënyrë simbolike, para kazermave të dikurshme, nisi mbjellja e 300 fidanëve, për përkujtimin e fëmijëve që humbën jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës, njoftoi VOA shqip.

Sipas Kombeve të Bashkuara, zhdukjet me forcë, kudo qofshin dhe kurdo që të kenë ndodhur, shkelin një mori të drejtash të njeriut, përfshirë të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore, qoftë për vet viktimat e zhdukura, si dhe për familjet e tyre.  Këtyre krimeve, fatbardhësisht nuk u kalon kurrë afati. Sipas Statutit Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Romës të viti 2001 dhe në bazë të Konventës për Mbrojtjen e të gjithë Personave të Zhdukur, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në Dhjetor të vitit 2006, kur krime të tilla si zhdukja me forcë e personave organizohet dhe vihet në veprim si pjesë e një sulmi të gjithanshëm  kundër një popullsie civile – zhdukja me forcë e njerëzve konsiderohet si krim kundër njerëzimit dhe si i tillë, ndëshkimit kundër atyre personave, organizatave ose qeverive që kanë gisht në zhdukjen e tyre, nuk i skadon kurrë afati.   Në bazë të këtyre konventave, familjet e të zhdukurve kanë të drejtë të kërkojnë riparime dhe për më tepër të këmbëngulin për zbardhjen e së vërtetës mbi fatin e të afërmëve dhe të dashurve të tyre.

Është interesant  fakti se në raste të tilla, siç është përkujtimi i Ditës Ndërkombëtare së të Zhdukruve ose i ndonjë dite tjetër ndërkombëtare që ka të bëjë me viktimat e komunizmit, udhëheqsit shqiptarë, duket se janë të “nxënë” me punë tjera më të rëndësishme dhe nuk u del kohë që të kujtojnë gjarje të tilla që kanë ndodhur aq shumë kohë më parë.   Sipas lajmeve që kam parë deri tani, nuk vura re ndonjë përkujtim zyrtar të kësaj dite nga autoritetet qeveritare e shtetërore në Prishtinë, por as në Tepelenë nuk kam parë ndonjë zyrtar të lartë të institucioneve të Tiranës të ketë marrë pjesë dje në përkujtimin për të zhdukurit në atë kamp famëkeq internimi të Enver Hoxhës.   Fatbardhsisht, në kampin e shfarosjes, kishte përfaqsues ndërkombëtarë nga OKB-eja dhe nga OSBE-ja që morën pjesë në ceremoninë e të mbijetuarve, ku përfqsuesi i OKB-ës në Tiranë njoftoi se organizata që ai përfaqëson është e interesuar për Shqipërinë dhe për ato që kanë ndodhur në kampet e internimit, si famëkeqi i Tepelenës.   Po si dhe kur  Tirana zyrtare do tu bashkohet dnërkombëtarëve dhe të fillojnë të interesohen vet udhëheqsit shqiptarë për këto krime që kanë ndodhur në territorin e tyre, në emër të popullit dhe të shtetit shqiptar, ndonëse me një regjim tjetër?   Udhëheqsit me karakter janë ata që në emër të së drejtës bëjnë atë që duhet për popullin e vet.  Udhëheqësja që vepron për të ndryshuar gjërat për më mire, është një udhëheqje që është gati të bëjë të duhuren…Një udhëheqje e tillë merr edhe vendime që mund të konsiderohen si të vështira – por që merren nga një qëndrim moral, etik dhe i drejtë.   Kushdo mund të jetë një timonier, por nevojitet një burrë i madh për të përcaktuar rrugën drejtë të cilës duhet të shkohet për një të ardhme më të mirë për të gjithë, pa përjashtim, përfshirë edhe të mbijetuarit e kampeve të përqendërimit dhe familjet e të zhdukurve të luftës në Kosovë dhe të atyre që janë zhdukur në kampet e përqendërimit si ai i Tepelenës e fati i të cilëve nuk dihet as sot pas aq shumë dekadash.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, JANË TË ZHDUKUR, POR NUK DUHET, TË HARRUAR, TË JENË

INTERVISTA E RRALLË E NËNËS SË MBRETËRESHËS GERALDINË

August 31, 2017 by dgreca

1 Nena e GeraldinesPARIS-SOIR (1939) : INTERVISTA E RRALLË E NËNËS SË MBRETËRESHËS GERALDINË, ZONJËS GIRAULT. NDARJA E VËSHTIRË ME TË BIJËN DHE LARGIMI DRAMATIK NGA SHQIPËRIA./

1aurenc

Nga Aurenc Bebja*, Francë /

Gazeta franceze, « Paris-soir », ka botuar, të hënën e 17 prillit 1939, në faqet n°1dhe 3, rrëfimin e nënës së mbretëreshës Geraldinë, e cila gjendej në Tiranë në momentin kur Italia fashiste nisi të pushtonte Shqipërinë.

Zonja Girault**, vetëm pak kohë pasi ishte kthyer në vendbanimin e saj, në Nice të Francës, ka dhënë një intervistë në të cilën ka shpjeguar qëllimin e vizitës së saj në kryeqytetin shqiptar, po ashtu edhe arsyet e ndarjes me vajzën e saj dhe largimin e përshpejtuar nga Shqipëria.

Në vijim, do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :« Rroftë Daladier ! Rroftë Franca ! », bërtisnin në Tiranë, ndërsa aeroplanët italianë vërtiteshin në qiell – tha Zonja Girault – nëna e mbretëreshës Geraldinë. Kështu, ajo na rrëfeu vuajtjen e vajzës së saj, e cila duhej të arratisej nga Shqipëria me fëmijën e saj të porsalindur.(Nga ana e korrespondentit tonë të veçantë) – Nice, 16 Prill.

– Tërë jetën time, unë do t’i mbaj mend këta njerëz të Tiranës, të mbledhur, në prag të pushtimit, para ambasadës së Francës. Unë ende i dëgjoj thirrjet e tyre : « Rroftë Franca ! Rroftë Daladier ! »

Zonja Girault, kolonele, ish-kontesha Apponyi, nëna e Mbretëreshës së vogël Geraldinë, e cila na mirëpriti gjatë kthimit të saj në Nice, vazhdoi rrëfimin e orëve patetike që ajo kishte jetuar në Tiranë, pranë vajzës së saj.

NA JEPNIN ULTIMATUM PAS ULTIMATUMI

–  Më 16 mars, u largova nga qyteti i Nicës me fëmijët e mi për në Tiranë, ku prisnim një ngjarje të lumtur. Sapo arritëm në pallatin mbretëror, ndjeva se ankthi ishte i përgjithshëm. Merrnim, me sa duket,  ultimatum pas ultimatumi !

– Kaluan dy javë në pritje të ngjarjeve. Më 5 prill, më në fund, herët në mëngjes, mbretëresha lindi një princ të vogël.

– Qe një situatë shumë e vështirë. Vajza ime iu nënshtrua një operacioni tepër delikat që zgjati më shumë se një orë. Ndërkohë që dridheshim për jetën e saj, qarkullonin thashetheme, në fillim alarmuese, pastaj qetësuese : « Italianët zbarkuan… Ata janë zmbrapsur… ». Kaluam një natë të tmerrshme. Sapo u siguruam për gjendjen shëndetësore të mbretëreshës, erdhi urdhëri që të largoheshim menjëherë nga qyteti.

FLUTURIMI I TMERRSHËM I AVIONËVE ITALIANË

Kolonelja Girault, në një gjendje emocionale, të cilën e përmbante me vështirësi, vazhdoi rrëfimin e saj :– Urdhëri ishte i formës së prerë. Burri im dhe unë duhet të ndaheshim nga mbretëresha. Si do ta gjenim ? Çfarë do të bëhej me të ? Aeroplanët italianë rrotulloheshin mbi çatitë e Tiranës. Në rrugë, shqiptarët, të merakosur e të hutuar, vraponin, burrat për të marrë armët e tyre, ndërsa gratë dhe fëmijët maleve. Avionët e zhurmshëm italianë, gjatë fluturimit, lëshonin trakte nga qielli. Ne ishim të kërcënuar nga një bombardim që, në pak minuta, e rrafshoi kryeqytetin… Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, mendoja për vajzën time që ishte në një gjendje tejet të dobët… Më në fund, ne u larguam, me zemër të thyer, për në kufirin jugosllav… Ne arritëm atje më 7 prill.

– Ndërkohë, vajza ime, më pak se tridhjetë e gjashtë orë pas lindjes, e shtrirë mbi një barelë të instaluar në një ambulancë, udhëtoi në rrugë të mjerueshme, gjatë 400 kilometrave, përpara se të arrinte në Greqi.

Kolonelja Girault, pas një momenti heshtjeje, na rrëfeu më në fund :

PAMJE LUFTE

– Kur burri im dhe unë po afroheshim pranë kufirit jugosllav, ne pamë, të tronditur, dëmin që kishin shkaktuar predhat italiane në portin e vogël të Shëngjinit. Nga këto shpërthime të jashtëzakonshme kishte diçka absurde dhe barbare. Me të vërtetë, pyesnim veten se si një gjë e tillë mund të ishte e vërtetë !

– Burri im dhe unë jemi në gjendje të themi se asnjë italian nuk është ngacmuar në Shqipëri. Ndërsa largoheshim nëpër këto fshatra të frikësuar, ku mbretëronte një panik i tmerrshëm, ne nuk mund të kuptonim, dhe askush nuk mund t’i kuptonte thirrjet italiane që flisnin për tradhtinë e mbretit Zog. Të gjithë shqiptarët, njerëz krejtësisht paqësor, e adhurojnë mbretin e tyre dhe janë të gjithë patriotë.

Pasi e pyetëm Zonjën Girault, nëse ajo kishte lajme për vajzën e saj, ajo u pëgjigj se një telegram nga Larisa i ka sjellë lajme të shkëlqyeshme për shëndetin e ish-mbretëreshës.

Le të shtojmë se mbretëresha Geraldinë gjendet e shoqëruar në Larisa, jo vetëm nga burri i saj dhe një gjinekolog i mirënjohur grek, por edhe nga nëna e saj e dytë, kontesha Szarthos – që e ka rritur në Budapest – e cila, siç e thamë, ka arritur dje pranë saj.

 *  –https://www.darsiani.com

 

** Gladys Virginia Stewart (1891 – 1947), pas vdekjes së burrit të saj (1924), Kontit Gyula Rudolf Apponyi, u martua me ushtarakun francez Gontran Girault (1926).

Filed Under: Histori Tagged With: Arena Bebja, Girault, Intervista e Nenes Mbretereshe

Fëmijët e kampit të internimit (çfarosjes) Tepelenë

August 30, 2017 by dgreca

1 Mirakaj Simon

Nga Simon MIRAKAJ/

1 Kampi i Tepelenes

Mbas prishjeve të mardhënieve me Jugosllavinë ne vitin 1949 të internuarit që gjëndeshin në Berat i nisën për në kampin e internimit nëTepelenë. Në këtë kamp mbërritën edhe të internuarit që gjendeshin në kampin e Krujës, tek tri rrugët e Shijakut, Cerrik, etj. Unë sapo kisha mbushur 5 vjeç. Fillimisht na vendosën në fshatin Turan që gjendej në shpat mali, na strehuan në stanet e bagëtive. Ato pak plaçka që kishim I shtruam në tokë. Gjëndja këtu cdo ditë bëhej më e rëndë , filluan epidemitë si zgjebja,tifo,dizanteria. Nga mungesa e higjenës dhe e ushqimit, vdekja rrëmbeu shumë jetë, sidomos fëmijë, njëqind fëmijë vdiqën në këtë kamp, 33 fëmijë vdiqën brënda 24 orëve. Vdekja e fëmijve në një periudhë kohe kaq të shkurtër alarmoi qeverinë e cila vendosi transferimin në kampin e Tepelenës . Ky kamp internimi ishte i rrethuar me tela me gjëmba e gjëndej buzë lumit të Bënçës i cili dimërit ishte mjaft i rrëmbyshëm, kampi ishte i ndërtuar nga Italianët, gjatë luftës me Greqinë. Kampi kishte pesë gazerma të gjata afërisht 50m, tre ishin me të internuar ,një gazermë kishte 600 – 700 te internuar. Brënda gazermat kishin shtretër marinarësh pa ndarje ku flinin familjarët. Ishte dhe një gazermë që kishte vetëm muret anësore, ishte goditur me predha gjatë luftës, por të internuarve të këtij kampi çfarosës ju shërbeu si lavanteri ku gratë zienin rrobat apo lanin fëmijët. Ndërsa gazerma tjetër shërbente si depo. Në situata të tilla ku nëpër gazerma kishte mbi popullim , higjena ishte zero, morri bënte kërdinë si te fëmijët e te të rriturit, prandaj nënat na lanin verë e dimër në atë gazermë të zbuluar. Dimëri në Tepelenë ishte shumë i ftohtë, kur na merrnin nënat për dore në dimër për të na dërguar atje për të na larë shkonim duke qarë. Brënda kampit gjëndej komanda e policisë , furra e bukës, infermeria, anash komandës ishte një vend i ngritur ku vendoseshin kazanët e gjellës që jepej dy herë në ditë në drekë e në darkë. Komanda e policisë përbëhej nga komandanti toger Hakiu, aspirant Syrjaj, marshall Tomi dhe kapterri famëkeq Selfo, një katil i lindur që bënte apelin dhe në 12 të natës kur njerzit dhe mund ti kishte zënë gjumi, them mund mbasi natën i shikoje nënat apo motrat,vëllezërit më të rritur që me një copë pishë në dorë digjnin foletë e çimkave që kishin pushtuar shtretërit e kërkonin të na pinin dhe atë pikë gjak që na kishte mbetur. Kapter Selfo ulërinte sa hynte në gazermë për të bërë apelin, pastajë fillonte po me ulurima duke zbuluar jorganet për ti kontrolluar familjarët, kishte raste që i zbriste të gjithë njerzit nga krevatet e nëse ndonjë grua nuk e kishte marrë fëmijën në krahë e detyronte të shkonte ta zgjonte fëmijën e ta merrte në krahë për ta paraqitur para kapter Selfos. Natën vonë dëgjoheshin dhe zëra të fëmijve të uritur që ju kërkonin nënave bukë e nënat motrat më të mëdha me lot në sy kërkonin ti qetësonin me ndonjë përrallë që ti hutonin e ti zinte gjumi. Kampi përbëhej nga gra, fëmijë e pleq sepse burrat ishin disa në mal që luftonin kundra instalimit të diktaturës komuniste , disa ishin vrarë në përpjekje , disa ishin në burg disa ishin arratisur. Nuk lejohej të dilje jashtë telave me përjashtim të atyre që shkonin në punë e fëmijve që shkonin në shkollë. Trajtimi ishte çnjerzor, bukë 500 gram në ditë si baltë e papjekur ,ndërsa gjella ndahej në drekë e në darkë. Gjella ishte lëng makaronash, në kazanin me ujë lundronte ndonjë fije makarone apo ndonjëherë ndonjë kokërr groshe, gatuanin dhe bollgur që ishte gjithë krimba dhe ata notonin të qetë në kazan e pastaj përfundonin në barkun e të uriturve, njerzit e hanin bollgurin duke mbyllur sytë. Në darkë zakonisht njerzit nëpër kazermë rreshtoheshin për të zënë rradhën për tek soba për të pjekur lendet që të shuanin sado pak urine e për të tharë rrobet nga shiu që i kishte zënë në punë në mal. Uria kishte pushtuar gjithe kampin, dy fëmijë që ishin më guximtarë kaluan fshehurazi telat e filluan të hanë manaferra, mbasi hëngrën mirë u kthyen për tu futur në kamp , ndërkohë i pa kapterri i ndaloi të dy i mori duke i rrahur me shpulla dhe i lidhi për një shtylle që ishte afër çezmës. Të dy fëmijet e lidhur për shtylle ishin Zef Mirakaj e Liman Koleci te moshës 9 vjec. Kur i zuri nata të lidhur, filluan të qanin nga frika ndërsa, nënat e tyre motrat e të afërmit rrinin brenda telave të kampit duke ju dhënë kurajo :

-Mos keni frikë se ja ku jemi…. Të dy fëmijët i liruan në mëngjes, të dyve ju kishte rënë të fikët kur i moren familjarët. Vdekjet e fëmijve dhe pleqve vazhduan si shkak i mungesës së higjenës e ushqimit, cdo dite dëgjoje nënat që vajtonin fëmijët. Vdiqën afërsisht 300 fëmijë e 400 pleq . Aty vdiq edhe gjyshja jonë nënë Dedja. Varret u lëvizën tre herë, herën e tretë i vendosën buzë lumit të Bënçes i cili dimrit fryhej e përpiu në shtratin e vet dhe eshtrat e tyre , sot janë pa varre. Cdo ditë hapej porta e kampit se vinin kamione me të internuar nga rrethe të ndryshme të vendit , brenda pak diteve erdhën 300 familje vetëm nga Mirdita. Ditëve të pranverës që kishte rënë i ftohtit fëmijët i shikoje që luanin me zara tek guzhina e prishur, të tjerët që ishin pak më të rritur gjuanin me llastiqe nëpër stallat e kuajve apo derrave. Njerzit ishin shumë solidarë me njeri tjetrin ishin të gatshëm për të ndihmuar njeri tjetrin në ato kushte të tmerrshme, fisnikeria e tyre dallohej . Të moshuarit në ditët me diell dilnin në oborre e bisedonin njeri me tjetrin duke treguar histori të ndryshme, ndërsa një lumjan i ulur mbi një gur ja mori këngës me një zë të ëmbël:
-Kur i hipa vaporit … ndoshta ka qënë dëshira për të hipur në vaporr e për të gjetur lirinë. Fëmijët u lejuan të shkojnë në shkollë , ishte lajm i gëzushëm , do shkonim në shkollë do dilnim dhe nga telat për pak kohë. Shtatori po afronte dhe ne po bëheshim gati për ditën e parë të shkollës problem më i madh ishte se çfarë do vishnim , çfarë do mbathnim se librat na I dhanë falas. Leka me Franin që ishin më të mëdhenj se ne , na sajuan mua e vëllait një palë sandale me rrypat e frenave të kuajve që i gjetën tek stalla, ndërsa pantallonat ishin mirë, ishin pak të grisur tek gjunjët , kishim edhe një jelek që sapo e kishte punuar motra Lajdja. Leka e Frani ishin vëllezërit e Pal Mëlyshit, pas vrasjes së Palit ata u liruan . Kur shkuam në shkollë para se të hynim në klasë te oborri ishte një fotograf icili na bëri nga një foto,kur e futi kokën në aparat unë u tremba.
-Pritni pak : tha fotografi e merrni fotot. Fotografinë e asaj dite e kemi si kujtim të vetëm të atij kampi . Dita e parë e shkollës për mua nuk shkoi mirë se kur po dilnim për tu kthyer në kamp mësuesi më ndaloi duke më thënë :
E do babain?… Ku e ke babain? Unë i thoja se e dua babain , megjithëse nuk e kisha parë e as më kishte parë kurrë, e mësuesi më godiste me tehun e vizores, më mbajti afër një orë mbas mësimit , vëllai me motrën rrinin mbrapa derës, kur më la të lirë mësuesi, unë eca pak e pastaj më morën në krahë herë motra e herë vëllai se më kishte rënë të fikët. Librat na i dhanë falas, për të shkuar në shkollë e kishim të vështirë se rruga ishte pak malore e nuk na mbanin gjunjët ,ishim të dobët nga mungesa e ushqimit, . E kishim të vështirë për të mësuar për të bërë detyrat, abetaren për ta mësuar e vendosnim në gjunjët e hollë që sa mezi e mbanin , ndërsa detyrat i bënim barkas, bojën e shkrimit e bënim me lule kuqe që I mblidhnim në oborrin e kampit ose e bënim me mullaga. Unë nga ndonjëherë përdorja djepin tim si tavolinë për të bërë detyrat, kjo nuk vazhdoi shumë. Një malsoreje i vdes fëmija i vogël, nuk ikshte dërrasë për të bërë arkivolin , nëna ime i dha djepin tim e sajuan një arkivol.
Ata që mbaruan klasën e shtatë i detyruan të shkojnë në punë. Puna ishte shumë e rëndë për ata trupa të njomë e të pa ushqyer. Prisnin dru e I ngarkonin në kurriz në male për degën e brëndëshme e për komandën e policisë të kampit . Nuk ishin të pakta rastet kur mbushnin thasë me plehun e staneve e i, sillnin në kamp për baçen e policisë. Shpina e tyre e njomë bëhej gjak edhe nga drizat e trasha që i ngarkonin në shpinë për ti sjellë për guzhinën e kampit. Drutë, plehu, drizat i bënin në mal që ishte një orë, a më shumë larg nga kampi. Me gjithë këtë lodhje , megjithë këtë mundim, ato mendjen e kishin tek vëllezrit e motrat më të vegjël që i kishin lënë në kamp të uritur. Mbasi kishin bërë barrën e druve turreshin nëpër ferra për të mbledhur manaferra apo gorrica. Kur niseshin në Turan për të prerë dru merrnin me vete nga një gavetë për ta mbushur me hirrë, puntorët e baxhos ja jepnin fshehurazi. Ne e dinim orarin kur ktheheshin nga puna ju dilnim përpara se e dinim se dicka na kanë sjellë.
Nje ditë ato të lodhura nga puna e rëndë në pa mundësi për ta përballuar jetën ato flasin me njera tjetrën që kur të ndodhen tek ura e Leklit të kapen dorë për dore e të hidhen në lumë për ti dhënë fund vuajtjeve. Për fat këtë bisedë e dëgjon njera që ishte më e madhe dhe ju thotë:
-Mirë ju po shpëtoni por a e dini se sa dhimbje I shkaktoni nënave e motrave vëllezërve?
Ato shikojnë njera tjetrën e ndërrojnë mendje dhe vazhdojnë rrugën.
E GJITHE KJO TRAGJEDI MBI NJEREZ KREJTESISHT TE PA FAJSHEM NDODHI NE KOHE PAQE.

Filed Under: Politike Tagged With: . Tepelenë, Fëmijët e kampit të internimit (çfarosjes), Simon Mirakaj

RASTI I KORESЁ SЁ VERIUT DHE KЁRCЁNIMET (REALE) TЁ REGJIMEVET

August 30, 2017 by dgreca

Shkruar nga Angelo Panebianco/

170829202115-02-north-korea-missile-launch-0829-exlarge-169

E shqipёroi per Diellin nga  Corriere della Sera-Eugjen Merlika/

            Dihet se Shteti I Izraelit, edhe se nuk e ka pranuar asnjёherё zyrtarisht, zotёron bombёn atomike. Por edhe armiqtё e tij mё tё tёrbuar nuk mendojnё se Izraeli mund tё lёshojё “papritmas” njё sulm bёrthamor kundёr Shtetesh (si Irani) qё çdo ditё bёjnё thirrje pёr shkatёrrimin e tij. Ndёrsa zotёrimi i raketave ndёrkontinentale, tё paisura me mbushje bёrthamore, nga ana e Koresё sё Veriut i kall datёn tё gjithёve : amerikanёve (Guami ёshtё njё shёnjestёr e mundёshme), Japonisё, Koresё sё Jugut. Si ёshtё e mundur ?

Natyrisht, ky ndryshim qёndrimesh e pritjesh ka njё shpjegim tё thjeshtё, varet nga natyra e ndryshme e dy regjimeve politike. Njёri ёshtё njё demokraci e nёnёshtruar detyrimeve tё brёndёshme e tё jashtёme : mund tё pёrdorё armёn bёrthamore vetёm nё prani tё njё kёrcёnimi ushtarak shkatёrrues, tё njё rreziku konkret asgjёsimi nga ana e armiqve tё tij. Ndёrsa armёt bёrthamore tё njё regjimi totalitar, nё tё cilin diktatori ёshtё i lirё tё bёjё çfarё t’i teket (deri tani kinezёt e kanё lejuar) shtijnё frikё gjithsesi. Ky shpjegim mund tё duket i natyrshёm, i thjeshtё, por nuk ёshtё ashtu. Sё paku nuk ёshtё pёr shumё evropianё. Shumё duket se mendojnё se nuk ka asnjё lidhje mes natyrёs sё njё regjimi politik dhe mёnyrёs sё tё qёndruarit nё bashkёsinё ndёrkombёtare. Vёrejnё se edhe demokracitё udhёhiqen nga interesat e tyre e, shpesh, e ndjekin atё duke shkelur interesat e tё tjerёve. Kjo ёshtё shumё e vёrtetё, por nuk pёrjashton qё ndryshimet tё jenё e tё jenё tё dukёshme.

Pёr shёmbull, ka mjaft njerёz n’Evropё qё, duke urryer amerikanёt, do tё parapёlqenin qё tё zёvendёsonin aleancёn me Shtetet e Bashkuara me njё aleancё me Rusinё, t’i besonin sigurinё e tyre rusёve. Bёjnё gjoja se nuk e dijnё (ose nuk e dijnё) qё tё kalohet nga aleanca me njё demokraci tё vёrtetё – qё mbetet e tillё madje edhe n’epokёn e Trump-it – nё njё aleancё me njё regjim autoritar (ose, siç pёlqehet tё thuhet, me njё demokraci iliberale, do tё thotё tё pranohet qё, me kohё, tё vёrtetohen ndryshime nё cilёsinё e vetё jetёs publike, tё pranohet qё aleati i ri tё shtjerё helme autoritare. Ashtu sikurse Rusia, nё versionin carist, sovjetik apo pas komunist ka bёrё gjithmonё nё shekuj.

Nga ana tjetёr, a nuk ёshtё njё fakt qё Turqia laike e farkёtuar nga Atatürku (themeluesi i Turqisё bashkёkohore), kishte njё politikё tё jashtёme filoperёndimore e qё ajo ka ndryshuar energjikisht si pasojё e ri(islamizimit) tё detyruar dhe zhvillimeve autoritare t’imponuara Vendit nga partia e Erdoganit ?

Natyrisht, jo gjithmonё nё nёnvlerёsimin e kёtyre ndryshimeve, luan vetёm padija. Nganjёherё peshon edhe ligёsia. Ka njerёz, pёr tё cilёt edhe regjimi mё mizor, edhe ai qё pavarёsisht nga politika e jashtёme e tij, i bёn shumё keq nёnshtetasve tё tij (duke i vrarё, duke i dёnuar me uri, duke i bёrё tё jetojnё me frikё) ёshtё gjithsesi mё i mirё se sa demokracia perёndimore. Ёshtё kundёrshtia pёr qytetёrimin liberal qё drejton gjykimet. Mendoni pёr simpatitё qё gёzon, nё disa mjedise perёndimore, Hamasi.

Ёshtё e vёrtetё se jo tё gjithё regjimet iliberale janё agresivё e tё rrezikshёm. Ndonjё herё agresiviteti kundrejt sё jashtёmi ёshtё vetёm me llafe. Por kjo nuk do tё thotё se ata janё tё denjё pёr respekt, aq mё pak se mund tё tregohen si model pёr t’u imituar. Nuk ishte nevoja tё priteshin veprimet e fundit tё kryetarit Maduro pёr tё kuptuar se çfarё ishte bёrё Venezuela, se çfarё ishte qё n’epokёn e Cháves-it. Por meqё caudillio-t e lartpёrmendur i kundёrviheshin “kapitalit financiar ndёrkombёtar” ose Shteteve tё Bashkuara, pёr disa ishin gjithsesi tё denjё pёr duartrokitje. Ka qenё gjithmonё sa tragjike aq edhe ironike tё shiheshin aq tё vetёquajtur antifashistё tё duartrokisnin çfarёdo regjimi fashistoid, mjafton qё tё ishte armik i betuar i “demokracive plutokratike e reaksionare” (copyright i Benito Mussolinit). Ajo duartrokitje ёshtё justifikuar gjithmonё se bёhej fjalё pёr njё zotim tё supozuar tё regjimit nё dobi tё “drejtёsisё shoqёrore”. Nё fakt, ndodh shpesh qё autoritarizmat, tё sё djathtёs e tё sё majtёs, tё marrin pёrsipёr – me politika populiste – “tё varfёrit”, tё “descamisados” (pa kёmishё), aq tё dashur pёr peronistёt argjentinas. Nёse don tё shkatёrrosh pa u ndёshkuar liritё qytetare e politike, duhet tё shpёrndash zorile rezerva masivisht nё dobi tё “popullit”. Nё afatet e mesme, kjo do tё shkaktojё varfёrimin e pёrgjithshёm (edhe populli do tё jetё mё keq se mё parё), por nё kohёn e shkurtёr do t’i japё regjimit miratimin pёr tё cilin ka nevojё.

Kjo, sa i pёrket regjimeve totalitare, tё cilёt nuk pёrfaqёsojnё ndonjё rrezik tё menjёhershёm pёr fqinjёt e tij. Por kur, nё politikёn e jashtёme, kalohet nga fjalёt nё faktet (si Koreja e Veriut qё ёshtё armatosur nё mёnyrёn qё ёshtё parё) regjimi nё fjalё i fut frikёn tё gjithёve. Askush nuk mund tё dijё nёse diktatori do t’a tёrheqё apo jo kёmbёzёn. Nga ana tjetёr nuk mund tё jetё njё zgjudhje ndonjё sulm parambrojtёs, i ashtuquajtur “kirurgjik”, me qёllim pёr tё shkatёrruar aftёsinё bёrthamore. Sepse ёshtё gjithmonё e mundur, nё kёta raste, qё diktatorit apo klikёs sё tij t’i mbetet njё mundёsi tё fillojё njё sulm shkatёrrues kundёr popullsisё civile tё njё Vendi tjetёr.

Pёr kinezёt Koreja e Veriut ka patur gjithmonё njё kuptim tё dyfishtё strategjik, mbrojtёs dhe sulmues. Ёshtё shteti jastёk (dhe satelit), qё i ndalon Koresё sё Jugut, aleate e amerikanёve, tё vendoset nё kufi me Kinёn. Por ёshtё edhe gjembi, qё nga kohёt e luftёs sё Koresё (1950 – 1953) ata e mbajnё tё futur nё ijet e Shteteve tё Bashkuara.

Tashmё qё gjembi i sipёr pёrmendur i ka hyrё nё ije dhe atyre, shpresohet se do tё gjejnё mёnyrёn pёr tё zgjidhur problemin. Neve, kёtu, ndёrsa presim me ankth zhvillimet e njё krize qё rrezikon tё degjenerojё, shpejt a vonё, nё njё pёrballim bёrthamor, nuk na mbetet tjetёr veçse tё pёrsiasim mbi ndryshimet qё janё mes demokracive e tё tjerёve.

Corriere della Sera, 28 gusht 2017                       E shqipёroi Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Corriere dela Sera, Eugjen Merlika, Kercenimet e regjimeve, Korea e Veriut

Isa Mustafa: Qeveria e përkushtuar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

August 30, 2017 by dgreca

Kosovë-OKB përkushtim për të mbështetur kërkimin e personave të pagjetur/

ZKP-17ZKP-21Kosove-Dita-e-te-pagjeturve-foto-Behlul-Jashari-26prill2017-2ZKP-18

-PSSP Tanin rikonfirmon përkushtimin e OKB-së për të mbështetur kërkimin e personave të pagjetur/

30 gusht 2017 – Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shef i UNMIK-ut, Zahir Tanin, that se “mendimet tona janë me familjet dhe miqtë e personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur në Kosovë. Familjet kanë të drejtë ta dijnë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre. Kjo është një e drejtë themelore e njeriut.

1,658 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur si rezultat i knfliktit të viteve 1998/1999 në Kosovë. Duke rikonfirmuar angazhimin e OKB-së për të mbështetur kërkimin për të pagjeturit, PSSP Tanin deklaroi se “UNMIK-u do të vazhdojë të mbështesë Grupin Punues për Persona të Pagjetur dhe të ndihmojë familjet e personave të pagjetur, veçanërisht nëpërmjet financimit të Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur në Prishtinë, gjatë vitit të ardhshëm. Ne përgëzojmë dhe inkurajojmë përpjekjet e atyre që punojnë së bashku për të zbuluar fatin e atyre që ende mungojnë .”

SRSG Tanin Reaffirms the UN’s Commitment to Support the Search for Missing Persons

30 August 2017 – On the International Day of the Victims of Enforced Disappearances, the Special Representative of the Secretary-General (SRSG) and Head of UNMIK, Zahir Tanin, stated that “our thoughts are with the families and friends of persons still missing in Kosovo.  The families have a right to know what happened to their loved ones. This is a fundamental human right”.

1,658 persons remain unaccounted for as a result of the conflict in Kosovo in 1998/1999. Reaffirming the UN’s commitment to support the search for the missing, SRSG Tanin stated that “UNMIK will continue to support the Working Group on Missing Persons and to assist the families of missing persons, in particular through funding of the Missing Persons Resource Centre in Pristina for the coming year. We commend and encourage the efforts of those working together to discover the fate of those still missing.

Kryeministri Mustafa: Qeveria e përkushtuar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Prishtinë, 30 gusht 2017– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e shënimit të 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, vendosi kurora lulesh pranë Përmendores dedikuar personave të zhdukur.

Duke përkujtuar dhe shprehur dhembjen për të pagjeturit në Kosovë, kryeministri Mustafa, tha se tash e sa vjet familjarët po jetojnë në ankth dhe në pritje të më të dashurve të tyre.

“Është një moment ku është vështirë të shprehesh. Është fjala për të pagjeturit tanë, për njerëzit që i presin familjet e tyre, për ankthin që ende po jeton te prindërit, te familjet, te të afërmit e atyre që nuk u gjetën gjatë këtyre shumë vjetëve”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa, po ashtu shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të punuar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Ajo që unë mund të them si kryeministër është se Qeveria e Kosovës është munduar të bëjë dhe duhet të bëjë çdo gjë që të zbardhet fati i të pagjeturve, që t’ju ndihmohet familjeve që të kenë informata, që të bëhet çdo gjë edhe në Bruksel dhe në kontakte tjera me partnerët ndërkombëtar që të detyrohet Serbia t’i hapë të gjitha dosjet dhe të gjitha arkivat, në mënyrë që të merren informata të caktuara për t’u identifikuar se ku janë njerëzit tanë që për këtë periudhë kohore ende nuk u identifikuan se ku janë”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur admirim për punën që po bëjnë familjarët dhe përkushtimin e tyre, por edhe besimin e madh se megjithatë ky proces do të zbardhet dhe ata do të marrin informata për të afërmit e tyre.

Filed Under: Kronike Tagged With: fatit të të pagjeturve, Mustafa, zbardhja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT