• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2017

Lamtumirë….

August 4, 2017 by dgreca

arshi_pipa 2(1)

Poezi nga Arshi Pipa/

1-anton-cefa

(Përgatiti për botim Anton Çefa)

Lamtumirë/

Delni e m’thoni udhembarë,/

mbanje veten t’forta,/

dridhnje n’erë shaminë me ojna/

prej mbi prak, o motra!/

 

Me shaminë fshini prej syshë

lotët tuej te votra,

hidhnje n’erë . . . nji dallëndyshë

ka me u ba, o motra!

Do ta shquej ndër mija tjera

te ku m’hodhi shorta

përtej detit n’dhena t’hueja

ku po shkoj, o motra!

Neli

Asnji sa Nelin s’deshta

ndër gjith’ shokët e burgut.

Kishte hijen e murgut,

kishte fjalët e thjeshta

qi n’buzë si lule çelin,

lule vjeshte të rralla,

e kundërmojnë të gjalla

te kujtesa ku ngelin.

Nji katundar ai ishte

prej Durrësi, nga rrethet.

E shtypshin keqas ethet,

me reuma ndër kërbishte,

përveç plagës mbi gju

qi mori n’arrati,

kur vëlleznit e ti

u vranë, ai vetë u zu.

 

E hiqte edhe ma keq

për ushqim, kishte lanë

tre kalamaj pa nanë

te votra me dy pleq,

por kurr s’e pata rrokë

n’aq ngushticë e nevojë

me namë e me shpërgojë,

nji herë me u grindë me shokë.

 

Shok, shpesh të kam kujtue.

Nji provë dojsha dhe e gjeta.

Prej asaj dite jeta

Pat kuptim me u jetue.

 

Mbramje katundare 

Gjallnohet mbarë katundi

kur dita vjen tue shmangë.

Bariu me dhent përpara i la fushoret

tue fishkullue nji kangë.

Ndër ara punët sosën.

Lëshoi kostari kosën,

djersën nga balli fshinë qi rrjedh mbi gushë.

E vasha e nuse me shtambat mbi krye

te kroni i lanë me u mbushë.

Blegërojnë e dhen e dhi mbledhun ndër vathë,

lodrojnë kingjat rreth nanash

tek hyjnë e dalin tbanash

kalamaj përmbas grashë me kambë zbathë.

Nji derë mbyllet e çilet,

përgjegjet pallja e lopës qi po milet.

E dyndet nata tue përzanë kuqloshe

dritën përtej kodrinash

qi shkojnë zhdërvjelltas tue value kah deti.

Nji grue i këndon foshnjes

tue e lëkundun te djepi.

Përgjumet nana foshnjen tue lëvitun,

dridhet nji maje plepi,

e mandat qi pikojnë erna përdarin

e shejin rrotull barin.

Navigare necesse

« N’oqeanin e pamasë,

lundërtarë mbi zgavrra lisi,

çka kërkoni ju me hasë

ku ndër gjire joshë avisi ?

Para jush e mbrapa mjegull,

valë qi ndiqen rretheqark

ndër bunaca e shqota shrregull,

e nji qiell qi u mbyllet çark ! »

 

« Qielli i çamë rrezitë ylbera,

fundi i detit ka visare,

na përcjellë me vringull era

anash botës kufitare.

Ndiej! Kërset me u thye anija,

vjen nji frymë, na jemi gati,

velat ndenë për ne dashnia

e lundrojmë me busull fati.”

Agim

Andrrat bahen të shkurta,

flurojnë të shpejta

n’ajrin e rralluem,

u ndihet murmurimi.

 

Te hyjzit vezullimi

Asht i shqetë,

e fryjnë era t’ imta.

 

Fërgullon tash e cikun

gjethnaja.

 

Agim te maja.

 

 

Legjenda e Drenicës

 

Uluron murrani i çmendun,

fshan si bishë me zhgjetën n’bri.

Davaritet mjeglla e dendun

mbi katundin shkrumb e hi.

 

E mbi buzën e nji rrmorje

duket tash nji kullë mënjanë.

Nji djalosh përmbas dritorje

rrin mendueshëm e nuk bzan.

 

Asht për rrugë e n’armë shtërngue:

bomba dore me gjerdanë.

“Loke, s’mundem me mungue;

lamtumirë kam ardhë me t’thanë.”

 

Qan e ama e duert i mbeten

tu’i përdredhë n’idhnim e fshan:

“Dy qi pata shkuen e mbeten…

bir o bir, ku don me m’lanë?

 

Mbushë s’i ke ti pesëmbdhetat,

kush at gja s’ta ven ty barrë…”

“Nanë, do t’shkoj me u ba me çetat,

gjakun vllezënve me u marrë!”

 

“Kanë me t’vra: si tu vëllezën,

si tët at, i pushkatue!

Ku na len, ah, mue fatzezën,

tande motër fatshkretue?”

 

“Lene, nanë! Ma keq me  e mbyllë:

ktu me e gjetë si berr e presin.

Shqe veç janë, me hyll pa hyll.

Qymen kanë ndërrue, jo vesin!

 

Lene t’shkojë, e mbarë ju dhashtë.

Ktheftë me nder. Por n’qoftë, o vlla…

(Perendija mos e thashtë!)

gjakun vetë kam me ta la!”

 

Fishkullon murrani rrmores,

me frullizë tue uturi,

hyn ndër hekrat e dritores

nalt te kulla shkrumb e hi.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, Arshi Pipa, Lamtumire

Vuçiç thyen një tabu-Kosova e humbur për Serbinë

August 4, 2017 by dgreca

1 FrankfurterNë një artikull të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” analizohet eseja e presidentit serb, Aleksander Vuçiç për Kosovën, ku ai kritikon heronjtë serbë që nga kafenetë mbrojnë Kosovën. Vuçiç thyen një tabu.

Një ese e Vuçiçit e hedhur në kulmin e verës nga gazeta beogradase “Blic” ka bërë të debatojë jo vetëm Serbia, por të drejtohet edhe vëmendja e mediave gjermane ndaj konfliktit Kosovë-Serbi. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan të premten (04.08), se Vuçiç shkel hijen e rëndë të historisë serbe, dhe ajo që shkruan ai është si të thotë Erdogani, se pranon që ka pasur gjenocid osman ndaj armenëve.

Kosova e humbur për Serbinë

“Ai i kërkon bashkëkombasve të tij, që Kosova, e cila e shpalli pavarësinë me ndihmën amerikane dhe perëndimore është e humbur për Serbinë, pa futur këtu veriun me shumicë serbe. Ky qëndrim është i përhapur mes shumë serbëve…por liderë serbë nuk kanë guxuar deri më tani të përmendin me emër gjërat, nga frika e pakicës intelektuale nacionalistë, peshkopëve ortodoksë dhe demagogëve të tjerë.”

“FAZ” vëren se, nëse ka një politikan, i cili mund të kapërcejë këtë frikë është pikërisht Vuçiçi. “‘Ka ardhur koha që ne si popull të mos e fshehim më kokën në rërë dhe të përpiqemi të jemi realistë”, shkruan Vuçiçi në esenë e tij duke kërkuar nga bashkëkombasit e tij ‘të mos presim që të na bjerë në prehër, ajo që kemi kohë që e kemi humbur.'”

Kritikat e Vuçiçit

Presidenti serb nuk ka kursyer me kritika në esenë e tij të botuar nga gazeta serbe “Blic” edhe pseudointelektualët e gazetarët bulevardeskë, shkruan FAZ. “Ata që e shohin Ballkanin nga gota e Slivovitcit dhe e mbrojnë Kosovën me fjalë të mëdha nga tavolinat e kafeneve. Këta janë njerëz, sipas Vuçiçit që nuk e dinë, ‘as ku bie Kosova, nuk kanë qenë atje dhe as nuk kanë për të jetuar në atë vend….por që me dëshirë do të çonin atje të tjerë për të mësuar historinë e përgjakshme të vendit të tyre.”

FAZ vazhdon më tej duke theksuar se “Vuçiç ia doli me këtë të arrijë ‘dialogun e brendshëm’ për Kosovën, në të cilën të thyhen tabutë e vjetra, sidomos mes intelektualëve dhe akademikëve. Megjithatë i “njëjti Vuçiç para pak ditësh ka theksuar, se do të bëjë gjithçka për të penguar pranimin e Kosovës në UNESCO. Për momentin provokimet e Vuçiçit ndaj shpirtit serb janë vetëm fjalë, por fjalë që deri më tani nuk janë dëgjuar kështu në Beograd”, përfundon “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

40.000 vetë nga Ballkani gjejnë punë në Gjermani

Ndërsa të premten (04.08) po gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” në artikullin me titull “Jashtë Tirane me Agjencinë Federale”, theksohet se konsultuesit gjermanë në Kosovë, Shqipëri e Serbi kanë ndihmuar për gjetjen e punës ndërkohë 40.000 vetë – një formë e re për të mos ardhur nga Ballkani si refugjatë.

“Vendimtare ishte që dy agjenci shtetërore, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ dhe Agjencia Federale e Punës, BA filluan bashkëpunimin për të treguar rrugë legale për ardhjen e njerëzve nga Kosova, Shqipëria e Serbia.” Thea Decker nga Agjencia e Punës thotë, se ‘ka nevojë’. “Fjala nuk është vetëm për numrin e madh të aplikuesve, por edhe të punëdhënësve të interesuar nga Gjermania…Në rast se ata regjistrohen në agjenci dhe ajo gjen punë, atëherë aplikuesit marrin një leje pune, me opcionin e shtyrjes. Ofrohen vetëm punë me siguracione sociale, thekson Agjencia Federale e Punës.”

Sipas Agjencisë Federale “nuk bëhet fjalë vetëm për vende pune bosh në Gjermani, por edhe për t’u treguar njerëzve nga Ballkani se rruga e azilit jo vetëm kushton, por në fund nuk ia vlen, sepse nuk ka shanse për azil.”

Filed Under: Analiza Tagged With: e humbur, per Serbine, Vuçiç thyen një tabu-Kosova

Trump u drejtohet përkrahësve pas njoftimeve për ngritjen e një jurie të madh

August 4, 2017 by dgreca

Në një fjalim sfidues që mbajti të enjten vonë në Virxhinian Perëndimore, Presidenti Donald Trump i quajti “krejtësisht të trilluara” njoftimet që flasin për lidhjet e dyshuara të fushatës së tij me Rusinë. Në komentet përpara përkrahësve në Huntington ai tha se trillime të tilla i bëjnë kundërshtarët e tij të ndihen më mirë pas humbjes në zgjedhjet e vitit të kaluar.Pak orë përpara fjalimit, gazeta “The Wall Street Journal” njoftoi se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka organizuar ngritjen e një jurie të madhe, duke zgjeruar dukshëm hetimet e tij lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.”Ata po përpiqen t’ju mashtrojnë dhe t’ju heqin udhëheqjen që ju dëshironi, duke sajuar një histori të rreme,” tha zoti Trump mes brohoritjeve. “Kjo është poshtëruese për të gjithë ne.”Lidhur me hetimet e zotit Mueller, zoti Trump tha: “Unë thjesht shpresoj që përfundimi që do të arrihet të jetë vërtet i ndershëm”.

Shih: ‘Zërat e dështuar në Uashington janë kundër lëvizjes sonë’, tha Presidenti Trump.

Presidenti shtoi se “ajo që duhet të hetojnë prokurorët janë të 33 mijë e-mailat e fshira nga Hillary Clinton”.

Former FBI Director Robert Mueller, the special counsel probing Russian interference in the 2016 election, departs Capitol Hill following a closed door meeting, Wednesday, June 21, 2017, in Washington. (AP Photo/Andrew Harnik)
Former FBI Director Robert Mueller, the special counsel probing Russian interference in the 2016 election, departs Capitol Hill following a closed door meeting, Wednesday, June 21, 2017, in Washington. (AP Photo/Andrew Harnik)

Kandidatja demokrate, Clinton, fitoi votën popullore, por republikani Trump i fitoi zgjedhjet presidenciale duke marrë më shumë vota elektorale.

Serioziteti i çështjes

Presidenti foli përpara mbështetësve në Virxhian Perëndimore pas komenteve të analistëve politikë në media, të cilët theksuan seriozitetin e hapit të ndërmarrë nga Prokurori i Posaçëm Mueller, me ngritjen prej tij të një jurie të madhe në Uashington.

“Nëse zoti Mueller vërtet ka ngritur një juri të madhe, kjo mund të sinjalizojë se ai ka prova të rëndësishme që mund të tregojnë se është kryer një vepër penale,” i tha Zërit të Amerikës profesor Anthony Clark Arend, i Universitetit Georgetown.

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se juria e madhe tashmë ka lëshuar urdhër për konfiskim dokumentesh në lidhje me takimin e qershorit 2016 mes një avokateje ruse me djalin e Presidentit Trump, Donald Trump Jr dhe zyrtarë të tjerë të fushatës.

Donald Trump Jr. në Kullën Trump, 18 janar 2017.

Donald Trump Jr. në Kullën Trump, 18 janar 2017.

Njoftimet tregojnë se Trump Jr u entuziazmua nga ideja e një takimi të tillë kur avokatja ruse, me anë të një ndërmjetësi, i tha atij se zotëronte dëshmi inkriminuese për kandidaten demokrate Clinton.

Presidenti Donald Trump ka hedhur dyshime rreth akuzave se rusët u përpoqën të ndërhynin në zgjedhje, pavarësisht njoftimeve të zbulimit se Kremlini u përpoq t’i manipulonte zgjedhjet në favor të kandidatit Trump.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje dhe zoti Trump ka mohuar vazhdimisht se ka patur ndonjë bashkëpunim të fshehtë. Ai e ka quajtur hetimin e zotit Mueller “një gjueti shtrigash” dhe në Uashington ka patur njoftime se presidenti mund të përpiqet ta shkarkojë prokurorin e posaçëm

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë

Tani që sipas njoftimeve është krijuar një juri e madhe, ajo mund të kërkojë të konfiskojë informacione financiare të familjes Trump. Presidenti e ka paralajmëruar zotin Mueller të qëndrojë larg financave të tij.

Shih: ‘Nuk ka patur rusë në fushatën tonë,’ tha zoti Trump.

Televizioni CNN njoftoi të enjten se hetimi i zotit Mueller e ka kaluar vijën e kuqe dhe është zgjeruar duke përfshirë ekzaminimin e “shkeljeve të mundshme financiare, disa prej të cilave nuk kanë lidhje me zgjedhjet e 2016-s”.

Këshilltari i posaçëm i zotit Trump, Ty Cobb, tha se nuk ka dijeni për ndonjë hetim me juri të madhe por theksoi: “Shtëpia e Bardhë favorizon çdo gjë që e shpejton përfundimin e punës së tij në mënyrë të drejtë … Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar të bashkëpunojë plotësisht me z. Mueller”.Të enjten mbrëma, duke ecur nga helikopteri presidencial për në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti nuk u përgjigj kur u pyet nga VOA nëse zoti Mueller kishte shkelur vijën e kuqe.Zyra e zotit Mueller nuk ka komentuar rreth njoftimit të gazetës “Wall Street Journal”.Robert Mueller, ish-drejtor i FBI-së, mori përsipër hetimet për Rusinë, kur Presidenti Trump shkarkoi drejtorin e tij të FBI-së James Comey në muajin maj pasi zoti Comey me sa duket refuzoi kërkesën e presidentit për t’u tërhequr nga hetimi.

Projektligj për të mbrojtur Prokurorin e Posaçëm

Të enjten, dy senatorë paraqitën një projektligj që e bën të vështirë shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm.Propozimi i demokratit Chris Coons dhe republikanit Thom Tillis kërkon miratimin e një ligji, ku të përcaktohet se një president mund ta shkarkojë Prokurorin e Posaçëm vetëm për sjellje të pahijshme, konflikt interesi, sëmundje të rëndë apo ndonjë shkak tjetër të fortë.Sipas projektligjit, një komision prej tre gjyqtarësh do të përcaktonte nëse shkarkimi është i justifikuar.Projektligji duket se është një përpjekje për të mbrojtur zotin Mueller nga çdo përpjekje e zotit Trump për ta shkarkuar.

Por disa analistë thonë se nëse Presidenti synon ta shkarkojë zotin Mueller, propozimi në fjalë mund ta nxisë zotin Trump që ta bëjë shkarkimin përpara se Senati të ketë rastin për ta hedhur në votë projektligjin.(Kortezi: Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: Juria e made, Robert Mueller, Trump

Asgjë e re

August 4, 2017 by dgreca

1 astrit LULUSHINga Astrit Lulushi/Njeriu mendon ato që lexon dhe shkruan ato që mendon. Kjo ndëlidhje tregon se në botën e mendimit asgjë nuk është e kufizuar, shkon përtej të menduarit dhe asgjë nuk është e ndaluar dhe e paprekshme. Cdo gjë është vazhdimësi, rreth, asgjë e re, që ndryshon vetëm në interpretim.  

Bota ekziston, vetëm sepse ne e shohim. E parë nga jashtë ajo as që duket, dhe kjo na bën të ndjehemi vetëm. Pra, njeriu ekziston, por edhe jo, gjë që e shtynë atë të krijojë thelbin e vetes, i cili natyrëshëm bëhet epiqendra e cdo sjelljeje të tij. Teoria e Sokratit fillon e mbaron me Unin. Në Apologjinë e tij, ai thotë se gjëja më e rëndësishme në jetën e njeriut është njohja e vetes, shprehje që mund të kuptohet si kujdes për veten ose vetë-mirëqenie. 

Varësia e bën njeriun skllav, veçanërisht nëse kjo varësi lidhet me vetë-vlerësimin e tij. Njeriu ka nevojë për inkurajim, dhe një dorë e ngrohte i bie supeve për ta nxitur;  është ky i fundit që bëhet  zot i tij, prandaj të ndryshosh zotërinjtë nuk do të thotë të fitosh lirinë. 

Faktorët politikë, për të fituar ligjshmërinë e pushtetit të kapur padrejtësisht, krijojnë mosmarrëveshje me njeri tjetrin, pastaj ngërce e kriza, dhe në fund papritur, bien dakord – gjithë zhurmë. e bëjnë vetëm për të larguar vemendjen nga fakti se ata janë të paligjshëm –  veprojnë si njeriu tinzar që  përpiqet të mos bjerë në sy për gabimet e tij, kur të tjeret e kanë në vemendje. 

Filed Under: ESSE Tagged With: asgje e re, Astrit Lulushi

PAN: TERHEQIM VESELIN, PRANONI HARADINAJ KRYEMINISTER

August 4, 2017 by dgreca

Kosova, drejt krizës paszgjedhore?/Kuvendi-Kosove-2017_08_03_Seanca_konstituive_1

-Nuk vijon nga ora e paraparë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit dhe 5 nënkryetarëve/Kuvendi-Kosove-2017_08_03_Seanca_konstituive_3
 -Paralajmërohet nga kryesuesi thirrja e një takimi konsultativ me kryetarët e grupeve parlamentare për të biseduar rreth vijimit të seancës konstituive/
 1 Behlul ne kUvend
Gazetari Behlul Jashari ne sallen e Kuvendit te Kosoves(Dielli-arkiv)
 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
 PRISHTINË, 4 Gusht 2017/ Kosova duket se po shkon drejt një krize paszgjedhore të moskrijimit me kohë të institucioneve të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Nuk vijon sot nga ora e paraparë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, në mungesë të deputetëve nga koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma e të tjerë. Ndërkohë njoftohet se Kryesia e PDK-së është mbledhur në selinë e saj në orën kur ishte e paraparë vijimi i seancës së Kuvendit.
Deputeti më i vjetër, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, konstatoi se “janë 60 deputetë në sallë”, që është vetëm gjysma, po edhe në këtë përbërje u bënë disa deklarata në foltoren e sallës plenare. Kryesuesi ndërpreu këto deklarime dhe paralajmëroi thirrjen e një takimi konsultativ me kryetarët e grupeve parlamentare për sot në orën 12:00 për të biseduar rreth vijimit të seancës konstituive.
Me axhendë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës ishte paralajmëruar për sot në orën 10:00 vazhdimi i seancës konstituive, e nisur dje paradite me vonesë, e zhvilluar me tre pushime dhe e ndërprerë në mesditë, pastaj e ftuar për në orën 15:00 për vazhdimin që u bë i pamundur nga mosardhja e deputetëve të koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma.
Vetëm ky koalicion, si fitues i zgjedhjeve, sipas një vendimi të para tre viteve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit, por për ta zgjedhur me 39 mandatet që i ka dhe përkrahjen e siguruar nga deputetë e subjekte tjera parlamentare duket nuk ka numrin e duhur të votave, së paku 61 nga 120 anëtarët e parlamentit.
Mungesa, të paktën edhe e një vote, u pa gjatë zhvillimeve të djeshme të seancës konstituive. Pas betimit të deputetëve, koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma, i cili erdhi me vonesë në seancë, kërkoi 2 orë shtyrje të pikës së tretë të axhendës që është zgjedhja e kryetarit  dhe e nënkryetarëve të Kuvendit. Ky propozim u rrëzua me barazim votash, pro 60 edhe kundër 60. “Kur është rezutati i barabartë propozimi bie poshtë dhe nuk aprovohet”, tha kryesuesi i seancës, deputeti më i vijetër, Adem Mikullovci, nga Lëvizja Vetëvendosje që po ndihmohej nga deputetja më e re, Teuta Rugova e LDK-së, e cila votoi pro propozimit të koalicionit PDK-AAK-Nisma, e vetmja nga 61 deputetët e VV-së (32) dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa (29).
Pas kësaj, deputetët e PDK-AAK-Nisma lëshuan sallën e seancës, më pas edhe të tjerët dhe mbeti e paqartë se kur do vijonte seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e papërfunduar.
Gjatë punimeve të djeshme, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila nisi me vetëm 73 deputetë të pranishëm, pas pushimit të tretë u konstatua se janë të gjithë 120 deputetët në sallë, e më pas u paraqit raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, i cili u miratua unanimisht. Seanca vijoi me dhënin e betimit të deputetëve, që ishte pikë e dytë e axhendës trepikëshe.
Pika e tretë është “zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit” dhe me këtë përmbyllet konstituimi i  legjislaturës së gjashtë në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të tretë pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.
Kushtetua përcakton se, “Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë” dhe se, “kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, sikurse edhe nënkryetarët, 3 të propozuar nga tre grupet më të mëdha parlamentare dhe 2 nga pakicat, 1 nga serbët e 1 nga komunitetet tjera që mbajnë vende të garantuara.
Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 10 maj, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK, të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosova dreht, krizes paszgjedhore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT