• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2017

Rënia me këmbë përpjetë e Edi Ramës

October 22, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/

1 Ilir-levonja (2)Sot prokurori i përgjithshëm i antimafias në Itali, Franco Roberti, i kërkoi qeverisë së vendit të tij ndërhyrjen emergjente për një luftë frontale të drogës, ose legalizimin e saj. Midis të tjerave gjyqtari me origjinë napolitane, theksoi faktin se Italia është totalisht e pushtuar nga droga dhe se pasojat ndihen kudo. Ai hodhi idenë e legalizimit në mënyrë që shteti të konkuroj tregun e kriminelëve, një lloj monopoli për të bllokuar drogat e lehta e sidomos ato që vine nga Shqipëria. Dhe në fund ai e mbylli duke thënë se shteti është krijuar për të luftuar kriminelët dhe jo për të bashkëjetuar me ta. Një fjalë e publikuar edhe në shumë media të vendit tone.

Thjesht si një informacion, kur duhet të ishte një analizë me t’i vënë gishtin kokës. Dhe kjo për faktin që tregon se sa problem është bërë Shqipëria për vendet fqinje dhe Europën. Në një fare mënyre këtu merr përgjigje edhe ajo pyetja e përditshme, se, pse vendi ynë po vonon kaq shumë integrimin përfundimtar në Bashkimin Europian. Franco Roberti përmendet edhe nga shtypi në botë për konstatimin se grupet mafioze të dorës së dytë në Itali janë bërë më të rrezikshëm se etërit e tyre. Dhe kjo fal tregut të lire të drogës që vjen nga vendi përmatanë Adriatikut, pra vendi ynë.

Pak muaj më pare një alarm të tillë e dha edhe Greqia, madje duke theksuar se nga Shqipëria nuk vjen vetëm droga por edhe bosët e saj. Personi së cilit i referohej qe një qytetar i Delvinës me post në dogana dhe që sot është në kërkim.

Nga kjo luftë e fqinjëve, nga arrestimet në masë të shqiptarëve në Itali, për shkak të përgjimeve rezulton se në periudha dy a tre vjeçare vetëm nga Vlora janë transportuar drejt Italisë, si nga ajri dhe deti, tonelata kanabis sativa (35 deri 40 ton) me vlerë mbi 350 mijë euro. Vetëm nga Vlora…, po nga e gjithë Shqipëria? Përgjigja është alarmante dhe kjo i përket qeverisjes së Edi Ramës. Janë shifra që me të vërtetë kanë luajtuar themelesh organet e hetimit dhe të akuzës në vendin fqinj. Dhe sado që shqiptarët të grinden mes tyre me llogjet se pse kjo prokurori kështu e ashtu. Pse nuk arrestoi Berishën në 21 janar 2011, por kërkon arrestimin e Sajmirit sot, etj. Sado të japim shfaqe me qytetarë të verbuar pas iksit a ypsilonit, mes lotëve, pas fitoreve partiake, halli i tyre është një, lufta pa kompromis trafikantëve dhe lënien e Shqipërisë nën shenjtërinë e pisllëkut të saj.

Rasti i Vlorës është në fakt nisja e tatëpjetës së Edi Ramës, edhe për faktin tjetër se ai është edhe një deputet fuqiplotë i saj. Shifrave kokëforta, përgjimeve, avionëve të rrëzuar, depove të kthyera në rafineri, emrave me pushtet, kryepleqve në zonat e thella etj., mund t’ua falim ne, mund t’ua fali Edi Rama, partitë ku aderojnë dhe që ngrohën duart me lëpushkat nga kanabisi, por asesi Europa. Edi Rama mund të shkoj konferancave, mund të flasi për progres, për politika rajonale në përmisimin e klimës. Mund të flasi gjithë ditën duke u dhënë mënd për luftën kundër drogës dhe krimit. Mund të justifikoj për shkak të kapjes ish ministrin e plot rreth tij tashmë të shkarkuar e përjashtuar, por kjo nuk ia ndal aspak më zdrypjen. Shifrat flasin të kundërtën e sharmit modernist të Edi Ramës. Por dhëntë Zoti që bashkë me botën ta kuptojnë këtë edhe shqiptarët në mënyrë që të bëhen kuratorë të fateve të tyre.

Hiqeni nga mendja se një krahinë e tërë me atë volum prodhimi, që voton kryeministrin…, ku përfliteti ish ministri i brendshëm dhe krahu i djathtë i kryeministrit, të mos u prishi shijen kancelarive matanë.

Këto janë pa pjekuritë shekullore, por edhe të qëllishme të shtetarëve tanë. Në të njëjtën kohë kur një vend i rajonit përshembull, si, Serbia…, edhe pse doli nga luftrat ndër etnike, urrejtjes racore, i garanton Europës siguri nga krimi dhe është më pranë anëtarësimit se ne që kemi plot 27 vjet që e kërkojmë. Mirëpo ndërsa ne merremi me suportin e kultivuesve të drogës, ata pushtojnë qiellin me fluturakë, bëjnë shtet dhe të imponohen. Kurse fluturakët tanë janë Tahirët, ai peshku kavajas, grupet e luginës së Vlorës dhe Delvinës. Sot Edi Rama karshi Europës është një tip i pozitave të Erdoganit, në një izolim total. Në një theqafje pa kthim. Sado ta votojmë. Sado vende me shumicë në parlament t’i japim. Nuk ka kthim mbrapa. Dhe e keqja është se një që e shtyjnë me dy duar, merr me vete edhe popullin e tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ili Levonja, kembeperpjete, prokurori Franco Roberti, Rama-renie

FOIBE – NGA BAZOVICA DREJT STACIONEVE SREBRENICË, PREKAZ, REÇAK…

October 22, 2017 by dgreca

Nga Shpend Sollaku Noé/

Shpend Sollaku Noé brenda Monumetit të Bazovicës

Ne Foto: Shpend Sollaku Noé brenda Monumetit të Bazovicës/

Gjuhëprerë, si në foton e mësipërme/

Nën shi, i përhumbur, me trurin që vazhdon të zbrazet prej llogjikës e të mbushet prej dhimbjes. Është ajo, dhimbja, që do të më komandojë në ato dy orë të ndejtjes time mbi hekatombën e Bazovicës me emrin Foiba.

1 ok Pasqyrim i shtresave ne Fiobë e Bazovicë

Ne foto: Pasqyrim i shtresave ne Fiobë e Bazovicë/

Nën këmbët e mia – mijra shpirtra të pllakosur, nga një strukturë e rëndë hekuri. Nën atë masë stërmadhe metalike – humnera. Që ndërpritet nga një shtresë e dendur gurësh e dheu të hedhura në erë dikur, në majin e përgjakur të  1945-ës. Që i ndan ata nga qielli i vajtueshëm mbi kokë. Edhe pse janë nën qindra tonelata metali e shkëmbinjsh, nëse gjendesh mbi ta dhe bën të pushojnë erërat, nëse mban frymën, të arrijnë deri në veshë rënkimet e atyre që u mbuluan të gjallë.Humnera që kam në këmbë quhet foiba, një lloj grope karstike, mjaft e thellë, që në rastin tonë shkresat e dokumentojnë në fakt si të krijuar prej kërkuesve të qymyrit, në fillim të shekullit XX, të braktisur më vonë për shkak të mosprodhimit. Sikur të kish mbetur vetëm një minierë e gabuar, do të flisnim sot për  një pus të braktisur prej «Skoda»-s. Që i ngjan vetëm formalisht një grope karstike, që vendasit e quajnë «foiba».Ime shoqe vazhdon të shkrepë foto e të filmojë, herë pas here kërkon të më terheqë vëmendjen. Unë nuk kam fuqi as edhe të aprovoj me të tundur kokën. Aq ndihem i paralizuar. Prej tmerrit. Që dekadat nuk arrijnë ta zbehin.

Ftohtësi të dhënash teknike(?)

Para pushtimit titist të Triestes Foiba e Bazovicës ishte 228 m e thellë. Pas masakrës thellësia e saj është përcaktuar prej 198 metrash. Është llogaritur që pas masakrës janë shtuar rreth 500 m kub «material» të cilësuara si eshtra njerëzore.Edhe atherë, në atë maj të largët të 1945-ës, dëgjoheshin, të qarta, të ngjethëshme, të vazhdueshme – rënkimet prej nëntoke. Kolonat a xinxhirëve njerëzorë që binin drejt honit të thellë prej disa qindra metrash ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që të kurseheshin municionet dhe koha e ekzekutimeve: në fillim të kolonës, në buzë të gropës – ata që pushkatoheshin; lidhur pas tyre të tjerët – të gjallë, të ndërgjegjshëm për çka i priste. Pasoi një agoni që zgjati për ditë e netë,  një gulcim i mundimshëm që arriti deri në veshët e atyre që, edhe pse jo më larg se pak qindra metra prej asaj grope fatale, nuk guxuan të afrohen, nuk guxuan të protestojnë, nuk guxuan tʼi kundërvihen hordhisë së kuqe.Ishin të egër partizanët e Titos, sidomos me italianët, sidomos me robërit gjermanë, sidomos me njerëzit e thjeshtë, burra, gra, fëmijë, që kishin fajin e vetëm se nuk kishin lindur sllavë.

E kishin nxjerrë shumicën e tyre nga shtëpitë në Trieste e përreth, e kishin marrë prej kampeve të internimit, prej burgjeve.Triestja ishte bërë ndërkaq jugosllave, edhe pse që prej pak ditësh. Por duhej pastruar etnikisht, duhej pastruar edhe politikisht. Ndodhi gjithandej në Ballkan, me kundërshtarët e të kuqve. Veçse këtu, duke patur parasysh vendin dhe mënyrën e shprehjes së egërsisë partizane, merr parmasa e ravijëzime tmerrësisht të veçanta.Cilët dhe sa ishin ata që flijuan këtu në emër të një fitoreje tashmë të arritur, me këtë ekzekutim masiv pa gjyq të rregullt e në kundërshtim flagrant me të gjitha konventat ndërkombëtare për trajtimin e robërve dhe të popullsisë pas luftës?

Në bazë të dëshmive të mbledhura nga të paktët dëshmitarë apo edhe nga një dokument i OZNA-s (shërbimi i athershëm sekret jugosllav), datuar 3 shtator 1945, afermohet që në këtë foibë të Bazovicës ndodhen një numër i madh kufomash  të SS-ve, të Gestapos, të “Gebirgsjaeger”-ve (fanteria e lehte gjermane) si edhe të ushtarakëve italianë dhe të gërdallave të dyzet kuajve. Mbi to partizanët kanë hedhur një sasi të konsiderueshme municioni dhe eksplozivi. Pas shpërthimit të tyre një pjesë e kufomave u mbuluan nga dherat e gurët. OZNA nuk ka interes të shënojë diçka rreth atyre qindra të gjallëve të tërhequr drejt honit prej të pushkatuarve fluturimthi. As edhe numri i vikitmave nuk saktësohet. Flitet për SS, Gestapo, kuesturinë e Gebirgsjaeger, por për faktin që ishin të parmatosur, të marrë nga e kur e pse nuk shënohet asgjë.Sipas historianëve apo politikanëve italianë numri i të infobuarve mund të arrijë deri në 5 mijë; ka  mes tyre që e ngrenë këtë shifër deri në numrin 7 apo 10 mijë. Të mos harrojmë që foiba mbi të cilën është ngirtur monumenti është vetëm njëra prej atyre që fshihen në këtë zonë, si atherë akoma të pyllëzuar e larg syrit kureshtar.

Pavarësisht se çʼthuhet në dokumentat jugosllave, është vërtetuar se, përveç ushtarakëve, ndër viktimat kanë pasë qenë edhe karabinierë, financierë, policë, gardianë burgjesh, fashistë dhe antifashistë, anëtarë të Komitetit për Çlirimin Kombëtar, të gjuajtur pasi kundërshtarët më të vendosur ndaj qëllimeve aneksioniste të Titos. Patën fatin e keq të jenë në buzë të foibës edhe shumë civilë italianë por edhe gjermanë, ish Wehrmacht-as, por edhe slovenë antikomunistë, madje edhe dëshmitarë të rastësishëm.

Me arritjen e Forcave Aleate në këtë zonë dhe tërheqjen e titistëve, u bë një përpjekje prej angloamerikanëve për të nxjerrë në sipërfaqe viktimat, por u hoq dorë menjëherë pas rekuperimit të kufomave të para, për shkak (apo pretekst) të gjendjes së përçudnuar të asaj që kish mbetur prej trupave dhe të pamundësisë për tʼu dhënë një emër. Një palë e dëshmive thonë se mbetjet e trupave u trasportuan gjetkë dhe u dogjën, të tjerë mbajnë gjallë versionin se u rihodhën në foibë.

Vështirë të gjendet dhe sot e vërteta e pastër, pasi, nëpër vite, pavarësisht nga iniciativa të veçuara, nuk ndodhi asnjë gjest politik për tʼu marrë në konsideratë: vetëm heshtje e qëllimshme apo diplomatike dhe përpjekje për të mbuluar të vërtetën. Vonë, shumë vonë, pas rënies së Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjektik, është arritur që ato të mjera viktima të partizanëve titistë të rikujtohen nga një kompleks lapidarësh e veprash skulptorike të konsideruara si Monument Kombëtar me dekret të presidentit Scalfaro të vitit 1992.Ata që përgatitën listat e atyre që duhej të vdisnin çfarë kanë pësuar? Asgjë. Askush. Është theksuar përgjegjësia – kolektive – e komunistëve, edhe italianë, që dominuan Triesten e asaj kohe me ndihmën e Titos. Përgjegjësi e të gjithëve, domethënë e asnjërit.

Omnia fert aetas?

Vlen edhe per ne të sotmit vargu i Virgjilit?

Ta lemë vërtetë kohën që të veprojë spontanisht?

Duhet gërmuar që e vërteta të zbardhet deri në fund? Apo duhet lë pas e kaluara, për të ndërtuar një Evropë pa mërira dhe pa hakmarrje.

Ithtarët e harrimit janë të shumtë, sidomos kur vijnë nga kampi i atyre të «përgjegjësisë kolektive».  Të harrojmë, në emër të paqes së sotme, në emër të paqes së nesërme.

Të harrosh domethënë edhe të falësh. Të falësh?

Po cilët? Nëse askush, akoma, nuk është vënë para përgjegjësisë? Nëse askush akoma nuk e ka kërkuar këtë falje? Pasi autorët e pacilësuar të krimit nuk mund të pronuncohen, meqë ligjërisht nuk ekzistojnë.

Në fakt, edhe pse populli italian, edhe më ngushtë – triestinët, nuk i harruan Foibet e Bazovicës, historia zyrtare bëri ç mos tʼi lerë nën pluhur. Për më shumë se një gysëm shekulli. Rezultati?

Ia mbërriti si mësim i mamëshirshëm Srebrenica…

Ia mbërritën si shqyerje e zemrave Prekazi, Reçaku, Izbica, Rezalla, Dubrava, Krusha e Madhe,  Rugova e Hasi, Studimja e Vushtrisë…

Autorët e superkrimit?

Nga e njëjta zonë e afërsisë etnike– ish Jugosllavia.

Pasardhës të të njëjtave forca politike të gjenocidit të Bazovicës.

Të atyre të fajit të dikurshmëm kolektiv.

Të mbetur të pandëshkuar.

Ja edhe harruam përsëri

cili do të jetë stacioni i ardhshëm i tmerrit? Vizitorët në Monumentin Kombëtar të Bazovicës numërohen me gishta. Edhe i vetmi cicëron sʼduket edhe aq entuziast në kryerjen e një detyre që duket qartë që nuk i jep emocione.

Turizmi i krimit është i interesuar drejt atij të përditshëm. Vetëm pazarllëqe mes Madridit e Katalonjës? Sʼështë gjë ai muhabet. Që të interesohemi na duhet gjaku, shumë gjak, për një kohë të gjatë.

Vetëm ashtu mund edhe të kujtojmë dicka, ndoshta për një kohë shkurtër.

Filed Under: Featured Tagged With: BAZOVICA, FOIBE, Prekaz, REÇAK..., Shpend Sollaku Noe', Srebrenice

Dje dhe sot, Dita Amerikane ne Korce

October 22, 2017 by dgreca

donald Lu

Nga Shefqet Kercelli/

Kjo fundjavë solli një prej aktiviteteve më të veçanta në qytetin e Korçës, Diten amerikane. Ne kete kuader me daten 21 dhe 22 tetor, ne qytetin juglindor u zhvilluan aktivitete te shumta kulturore-artistike kushtuar emigracionit te banoreve te Korces ne SHBA si dhe miqesise shqiptaro-amerikane. Diten e djeshme per te pranishmit u dha gjithashtu nje koncert me repertor e kengetare te njohur nga te gjitha trevat.Nderkohe pjese e kesaj feste te vecante u be dhe ambasadori Lu se bashku me personel nga Ambasada.

Marrëdhënia e gjatë e Korçës me emigracionin në Amerikë, prej më se një shekulli, u festua me aktivitete simbolike në “Pazarin e vjetër” të qytetit, ku prania e diplomatit Lu ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve.Ai vizitoi ekspozitën e hapur me materiale, foto dhe letra nga jeta e shqiptarëve në Amerikë ndër vite, ku edhe u njoh me historinë e hershme të emigracionit për disa prej familjeve të qytetit juglindor.

Gjithashtu Zoti Lu vlerësoi shumë prej elementëve të spikatur në qytetin e Korçës.“Mësuesja ime e parë në Amerikë për gjuhën shqipe ishte korçare dhe një nga fjalitë e para që kam mësuar ishte ‘Ja korçare, ja hiç fare. Kam mësuar gjithashtu që ushqimi dhe muzika nga Korça janë më të mirat. E sidomos birra nga Korça, sigurisht më e mirë”, tha ambasadori Donald Lu gjate shetitjes ne pazarin e Korces.

Më tej, zoti Lu vizitoi edhe këndin e kuzhinës, ku simbolikisht ishin përgatitur gatime tradicionale amerikane. Ambasadori pranoi jo vetëm të shijonte këto gatime, por nuk hezitoi që për pak kohë të bente dhe kuzhinierin. Theksojme se organizimi i festave te tilla sjell ne kujtesen e shqiptareve jo vetem emigracionin ne SHBA, por i sherben direkt forcimit te miqesise tradicionale midis dy popujve tane.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Dita Amerikane ne Korce, DJE DHE SOT, Shefqet Kercelli

KURRË NUK ËSHTË VONË PËR DREJTËSI

October 22, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Nuk është vonë kurrë për të dënuar kriminelët dhe krimet e nacizmit dhe të komunizmit.   Deutshe Welle dhe media të tjera gjermane njoftuan ditët e fundit se prokurorët gjermanë kanë përgatitur akuzat kundër një numri personash që thuhet se shërbenin si roje në  kampin nazist të përqëndrimit në Auschwitz, megjithse ka kaluar një kohë e gjatë dhe megjithë faktin se më i riu ndër ta thuhet të jetë jo më pak se 87 vjeç.Njoftohet se zyra e prokurorit gjerman në Frankfurt ka paraqitur një akt-padije kundër një 96-vjeçari — një ndër të fundit që ende janë gjallë — nën akuzën se kishte pasur gisht në vrasjen e mijëra të burgosurve, nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.   Media njofton se personi në fjalë, emri i të cilit nuk njoftohet, kishte qenë anëtar i forcës ushtarake elitare naziste SS dhe si i tillë kishte shërbyer si roje në kampin Lublin-Majanek, në territorin polak të okupuar nga Gjermania naziste, aty ku sipas të dhënave historike, kanë gjetur vdekjen dhjetra mijëra hebrejë dhe pjesëtarë të grupeve të tjera pakicash etnike. Në një deklaratë të prokurorëve gjermanë, gjithnjë sipas medias, thuhet se personi në fjalë, i cili në atë kohë ishte në moshën 22 vjeçare, “Kishte dijeni për tmerin e vrasjeve të organizuara në masë dhe e dinte se të burgosurit, të cilët përballeshin me fatin e tyre, si të pafajshëm dhe të pa mbrojtur, janë vrarë për arsyet më çnjerzore që mund të merren me mendë.”

Në atë deklaratë të prokurorëve gjermanë theksohet gjithashtu se, “Duke qenë pjesë e grupit të rojeve të burgut”, personi në fjalë i akuzuar nga prokurorët, “ka qenë kontribues në ekzekutimet” (e Festivalit Erntefest) më 3 Nëntor, 1943 ku u u vranë të pakën 17,000 të burgosur hebrejë, pasi u detyruan të hapnin vet varrezat e veta.   Në këtë mënyrë, si roje e burgut, deklaruan prokurorët, personi në fjalë, duke ditur se ç’po nddhte dhe me vullnet, ka “mbështetur këto akte barbare”, thuhet të deklaratën e Prokurorisë gjermane në Frankfurt.

Gjermania, njihet si vendi që gjatë viteve, ç’prej periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore e deri në shembjen e komunizmit dhe më pas, jo vetëm që ka ndjekur për të kapur dhe arrestuar ish-zyrtarët nazistë kudo qofshin ata dhe për t’i sjellur para drejtësisë, por vazhdon të jetë edhe sot shembull për vendet ish-komuniste, për rishikimin e së kaluarës komuniste dhe hapjes së dosjeve.   Me përvojën dhe eskperitzën e saj, Gjermania është duke i treguar vetes dhe të tjerëve se nuk është vonë kurrë të dënohen kriminelët dhe keqbërsit, qofshin ata nazistë ose komunistë, ashtuqë më në fund të mësohet e vërteta e atyre krimeve ç’njerzore.  Këtë e ka bërë dhe e bën edhe për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm, me qëllim që ajo histori e tmershme jo vetëm të kujtohet, por të mos harrohet, me shpresë që të mos përsëritet më.

Sipas medias gjermane, rasti i këtij personi dhe të tjerëve si ai, gjykohen duke u bazuar në një standard të ri provash.   Me fjalë të tjera, mjafton që i akuzuari të përballet me drejtësinë, nëqoftse ka punuar në një kamp përqëndrimi ku janë vrarë të burgosurit, madje edhe nëse nuk ekzistojnë prova se ai ka patur lidhje të drejtë për drejtë me vrasjet ose zhdukjen fizike të burgosurëve.

A me të vërtetë duhet të harrohen këta persona dhe krimete tyre, ashtu siç pretendojnë disa — që me dijeni dhe me vullnet kanë marrë pjesë në krime të tilla barbare, qoftë gjatë nacizmit, qoftë gjatë komunizmit — krime të cilat shpesh kalojnë çdo imagjinatë njerëzore, për nga barbarizmi i njeriut kundër njeriut?

Gjermania, e cila i ka provuar duke i përjetuar krimet e të dy këtyre ideologjive vrarëse, thotë: Jo.   I thotë vetes dhe botës, se pa marrë parasyshë sa kohë ka kaluar, nuk mund të vendoset asnjë afat për zbulimin e krimeve dhe as për gjykimin dhe dënimin e atyre personave që kanë marrë pjesë në ato krime ose që kanë qenë dëshmitarë të krimeve kundër njerëzimit, gjatë shekullit të kaluar.   Gjermania, me vepra dhe me prova, i thotë botës se kurrë nuk duhet të skadojë afati që kriminelët të përballen me drejtësinë dhe kurrë nuk duhet të jetë vonë për zbulimin e të vërtetës.

Ky mesazh nuk është vetëm i Gjermanisë për gjermanët, por duhet të jetë një mesazh universal për mbarë botën e qytetëruar, përfshirë botën shqiptare, se pa marrë parasyshë kalimin e kohës, krime të tilla kundër njerëzimit, të kryera nga nacizmi dhe komunizmi gjatë shekullit të kaluar, nuk duhet të tolerohen kurrë nga asnjë shoqëri e civilizuar dhe se kurrë nuk duhet pushuar të kërkohet dhe të zbulohet e vërteta.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, KURRË NUK ËSHTË, VONË PËR DREJTËSI!

Tepsija e drogës, Saimiri, dhe vetë Naltgjatësia e tij!

October 22, 2017 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Saimir Tahiri është në tepsi. Ndërsa tepsia i përket kryeministrit Rama. Ai ideoi dhe jetësoi një tepsi, e cila servir hashash, kokainë, heroinë, kallashnikovë, gjithçka që trafikohet në paligjshmëri. Tepsija e drogës e zotit Rama u zgjerua prej sipërfaqes së një fshati në përmasat e 28 mijë kilometrave katërore, aq sa është sipërfaqja e Shqipërisë. Sot u zotua se nuk do të ketë më tepsi droge, duke konfirmuar se “kur Rama do, ka tepsi, kur tepsija mbushet I përze hisetarët e tjerë si Saimir Tahiri prej saj.Që kjo tepsi të rriste vlerën e saj duhej të pushtohej tregu i huaj. Sidomos ai perendimor. Përmasat e Shqipërisë ishin pak. Prandaj dhe tepsisë iu shtuan asetet e krijuara nga kultura e hashashit dhe tregu europian I drogërave të shumta, sidomos italian e grek. Për këtë qëllim u krijua rrjeti I transportit dhe shpërndarjes. Lidhjet familjare u bënë forma më e përhapur e veprimit të mafias. Habilajt e kishin lidhjen e shkurtër. Saimir Tahiri u bë mbrojtësi dhe bashkëpunëtori i tyre. Kur Dritan Zagani i denoncoi para më shumë se dy vitesh Habilajt, Saimiri në vend që të zbulonte lidhjet e mafies me krimin, burgosi denoncuesin. Tani thotë se nuk dinte gjë. Dhe vijon akoma ta denoncojë denoncuesin, në vend që të dënojë trafikantët e kriminelët. E keni dëgjuar të thotë ndonjë fjalë të egër kundër Habilajve, megjithëse ata e “tradhëtuan” bosin e tyre, ish-ministër të Brendshëm?!Tepsija është aty, e zbukuruar me diamantë e varëse të florinjta, me syze e orë të çmuara, me kostume mijëra dollarëshe, me shpërblime të majme milionëshe. Tepsia e drogës dhe hashashit mori përmasat e një shpelle, ku përfunduan dhejtra e qindramilionë dollarë të drogës së trafikuar nga Habilajt e jo vetëm Habilajt. Makina e shitur pa ndryshim pronësie e ish-ministrit të Brendshëm u shndërrua në burim të pashtershëm të aseteve që hidheshin në tepsi. U përdor për drogë dhe trafik, për maskë dhe fshehje të aktivitetit kriminal jo vetëm nga Habilajt, por edhe nga të tjera grupe kriminale. Emri i Saimir Tahirit i mbrojti të gjithë trafikantët në jug të Shqipërisë, në Vlorë e në Tepelenë.  Vetëm në Shkodër ai u përplas me Tom Doshin. Ndërkohë Tahiriu shfaq bujshëm me jelek antiplumb te parcelat e hashashit për të krijuar imazhin e “heroit” që lufton kundër hashashit. E ndërkaq, sa herë shfaqej në parcelat e drogës, skafi në emrin e tij nisej qetë-qetë për në Itali, kurse komisarët besnikë policë u bënë punëtorët e ngarkim-shkarkimit.

Saimir Tahiri ndërtoi autostradën e tregut të ri e të madh të drogës, krimit dhe kriminelëve në të gjithë Shqipërinë. Edi Rama vëzhgon tepsinë e florinjtë në duar dhe I gëzohet faktit që tashmë I vetëm dhe pa Saimirin mund ta zotërojë atë fuqishëm! Bosi i Habilajve nuk është vetëm Saimiri, është vetë Naltgjatësia e tij!

Nëse dhjetra komisarë policie dhe policë në të gjithë vendin janë bërë pjesë e trafiqeve kriminale, kjo është bërë sipas një projekti Edi Ramës, ndërsa Tahiri është thjesht një i emëruar si drejtor I këtij projekti. Ai nuk i hoqi brenda ditës 28 drejtorë dhe komisarë policie të kualifikuar dhe të aftë profesionalisht për shkak të qëllimeve të tij të mira, “për të bërë shtet”! . Ai i hoqi ata se nuk pati besim që të bashkëpunonte me tan ë krimin e drogëziit dhe kanabizimit të Shqipërisë! I konsideroi ata jo thjesht kundërshtarë politikë, por më së pari të papërshtatshëm për të bashkëpunuar me bandën e Saimirit në trafiqe e vepra kriminale. Ishte pra çeshtje besimi për bashkëpunim në krim dhe akte kriminale.

Saimir Tahiri duhet të përgjigjet. Por më e mira do të ishte të bashkëpunonte me Prokurorinë e t’ia dorëzonte drejtësisë edhe Edi Ramën, përfituesin më të madh të tepsisë së drogës. Ai nuk ka pse bën rolin e Domitrovit e të Qemal Stafës, nuk ka pse luan politikisht. Thjesht të dorëzojë dosjet e provat e implikimit të zotit Rama në drejtësi dhe vendi do të marrë një kthesë tjetër drejt zhvillimit e progresit të tij. Nëse ish-ministri i Brendshëm zgjodhi besnikët e tij, kryesisht tepelenas të tijët e të Ruçit, për kanabizimin dhe kriminalizimin e Shqipërisë, tashmë i ka shansin t’i bëjë shërbimin e fundit këtij vendi: Të dorëzojë Ramën në drejtësinë që duam! Ndryshe kryeministri do t’i zhvatë të gjitha asetet e tepsisë të vendosura aty nga kontributet e Saimir Tahirit!

Tirane, 22.10.2017

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Saimir Tahiri, tepsia e Droges

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT