• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2017

Serbia pengon integrimin e serbëve në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës

October 17, 2017 by dgreca

-Gjyqtarët dhe prokurorët serbë nuk shkuan sot në Presidencën e Kosovës për të dhënë betimin/

1 Mitrovica_veriore_Kosovë-Presidenca: Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre/

PRISHTINË, 17 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/ Serbia pengon integrimin e komunitetetit joshumicë  – serbëve kosovarë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Gjyqtarët dhe prokurorët serbë nuk shkuan sot në Presidencën e Kosovës për të dhënë betimin.Presidenca e Kosovës sapo dërgoi këtë Deklaratë për media:Sot, më 17 tetor 2017, Zyra e Presidentit ishte e gatshme të presë ardhjen dyzet e dy (42) gjyqtarëve dhe katërmbëdhjetë (14) prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës, të cilët, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi,  do të duhej t’i bashkohen sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës.

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur  një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Akti i sotëm i betimit kishte këtë qëllim, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi. Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi.Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt, përfundon deklarata. /b.j/

SHTYPI I KOSOVES: Dekretimi i gjyqtarëve serbë me “betim neutral”

Presidenti Hashim Thaçi ka ftuar të martën në kabinetin e tij gjyqtarët serbë për ta bërë betimin si gjyqtarë të Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës.Sot është edhe afati i fundit kur Gjykata dhe Prokuroria Themelore duhet ta nisin punën, sipas marrëveshjes së dakorduar në Bruksel. Por institucionet e përfshira në këtë proces zyrtarisht nuk kanë dhënë informacione nëse puna e gjyqësorit do të bëhet sipas afatit të dakorduar, shkruan sot gazeta Koha Ditore në Prishtinë.

Në Këshillin Prokurorial të Kosovës i kanë thënë gazetës një ditë më parë se janë në pritje të sinjalit për të filluar punën. Burime të gazetës kanë thënë se Presidenca nuk e ka bërë publike ditën e dekretimit për shkak të frikës së mund të dështojë betimi i gjyqtarëve serbë.Sipas raportimeve të mediave në Mitrovicën e veriut, gjykatësit serbë do ta bëjnë “betimin neutral”, ku nuk do të ketë tekst të njëjtë me betimin që e bëjnë gjykatësit shqiptarë të Kosovës. Siç shkruan “Kossev”, në asnjë marrëveshje nuk do të vendoset stema e Kosovës dhe emërtimi Republikë.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, në sistemin gjyqësor, Serbia pengon integrimin e serbëve

Fjalë Poetike të Mbledhura nga Toka e Vendlindjes…….

October 17, 2017 by dgreca

Esse rreth penës poetike të poetit Adnan Mehmeti/

1-adnan-mehmeti

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

1 Raimonda 5Poezia e Adnan Mehmetit  merr forma të gjithanëshme në temat kryesore- që nga lirikja tek epikja dhe deri në atë elegjike dhe baladë. Së bashku me mënyrën dhe këtë llojshmëri trajtash të reja,  vargu i ideve të poetit sa vjen dhe maturohet  duke shpërfaqur parimet e stilit poetik të admirueshëm e të talentuar, rolin e poetit vizionar, vëzhgues dhe njeriut bashkëkohor,  i cili përpiqet të kuptojë  marrëdhënien e njerëzores me natyrën, botën e tij të brendëshme, ndjenjat, motivet sociale e historike, gjuhën letrare, humanizmin, letërsinë e reformuar,  kombinimin e gjuhës poetike  me stilin e të shprehurit, strukturën dhe format, të cilat ushtrojnë një ndikim të rëndësishëm dhe të  krahasueshëm në gjuhën amëtare e identifikimit të vlerave të vërteta, që përcaktojnë rolin frymëzues  dhe mundësitë  e një krijuesi, në letërsinë bashkëkohore. Arritja e tij rezultative është sa komplekse aq edhe e  ngrohtë, e sjellëshme dhe e larmishme, sikundër  është edhe personaliteti krijues i poetit dhe publicistit Adnan Mehmeti,  ëndërrues i përjetshëm dhe vizionar, që ndonëse ndërhyn thellë në eksplorimin e së panjohurës  dhe  ndërrthurrjen e bukur të gjetjeve e metaforave poetike, të mbledhura këto  nga toka e atdheut dhe duke i veshur mjeshtërisht me artin e kuptimit filozofik  dhe detajin artistik të fjalës.

I lindur dhe rritur në Luginën e Preshevës, nën ndikimin dhe influencën e  traditës epike, baladave dhe legjendave, lirisë dhe dashurisë për familjen e atdheun, me brengën tronditëse për vendlindjen e tij e cështjen kombëtare; se kujt i takon Lugina e Preshevës…!

“Cdo ditë jemi/Një hap pranë vdekjes/Cdo ditë jemi/Një hap prapa jetës./Po ne të shpërndarë nëpër kontinente/Nëse nuk bëmë asgjë për atdheun/S’kemi bërë asgjë për vete./E kujt do t’i takojmë atëherë,/Harresës apo vdekjes?”(poezia “Kujt i takojmë”, fq.142 nga cikli “Festa larg atdheut”).

Me fjalë të tjera, në këto vargje, poeti Mehmeti  kridhet thellë në misteret  e instiktit shpirtëror, psikikes dhe humanes,  stilit të tij poetik; të ndjeshëm e të ngrohtë, imagjinatës  dhe avokimi i primatit të bukurisë natyrore,  përkufizimit më të ashpër të “Harresës apo vdekjes?”-  dhe më të thjeshtë në vargje,  për brengën tronditëse, të cilën e vemë re që në titull të kësaj poezie; “Kujt i takojmë?” – dhe më pas në vargun ku ai personalisht e publikisht, mjaft sugjestiv dhe i qartë,  iu  drejtohet bashkëkombasve, njerëzimit-shoqërisë shqiptare; “Nëse nuk bëmë asgjë për atdheun”! Poeti Mehmeti na lejon të shohim një argument gradual të shpalosur filozofik  rreth fjalës “Atdheu”, rreth formës e përmbajtjes, mes jetës e vdekjes, mes dashurisë e urrejtjes, ngjarjeve historike dhe rolit të saj në poezi: “S’kemi bërë asgjë për vete”.

“U fikën dritat nga stuhia/Në Luginën e Preshevës./Si t’i shohim fytyrat e ngrira?/As kandilat nuk ndricojnë më…/Atje në Luginën e Preshevës/Jehona e këngës për liri/Një popull të vrarë mbi të vrarë e ngriti/Me trimat që prinë si vetëtimë./”(poezia “Kushtrimi”, fq.111, nga cikli “Vend Perëndie”).  Mehmeti mendon se nuk është më e mundur apo e përshtatëshme të flitet për një version të centralizuar dhe të thjeshtëzuar në “Luginën e Preshevës”, por për t’i  mbijetuar me  çdo mënyrë dashamirëse e kuptimplote, sfidave, ngjarjeve dhe hapësirës historike, brenda kulturës sonë të identitetit historik e shqiptar, dhe  bashkëkombasve të mërguar an’ e kënd, botës! Prandaj poeti Mehmeti kërkon  një  negocim të  ndërsjelltë ndërmjet individit dhe marrëdhënies së njerëzimit, njerëzve që e rrethojnë dhe botës shqiptare  me  historinë, duke e shëndrruar fjalën “atdheut”,  më filozofike dhe më humane, roli i vetëvendosur midis traditës, së kaluarës  dhe së  tashmes, për të hedhur dritë drejt së ardhmes.

“Merreni dashurinë/ Cojeni përtej detit/Për ta murosur në vendlindje./Nuk do të vonohet shumë për trupin tim,/Ndoshta njëqind vjet…./ Trupi im, nga vonesa/Gjysmëmbetur rrugëve të botës,/Baladë e heshtur,/Do të qëndiset në pëlhurën e hijes sime/Për të ardhur me kuajt e erës/Përtej shtatë maleve,/Përtej shtatë kontinenteve.”(poezia; “Me kuajt e erës përtej detit”, f.17).

Poeti Adnan Mehmeti është njohës i thellë i traditës letrare. I gjendur mes meditimit dhe tundimit të  bukurisë,  dashurisë dhe tërheqjes shpirtërore, poeti insiston që në vargun e parë,  për të shprehur zërin romantik të gjendjes shpirtërore; “Merreni dashurinë/ Cojeni përtej detit,”-komunikon  me imazhet e botës së  brendëshme shpirtërore, asaj të jashtëme njerëzore dhe gjeografike- “Për ta murosur në vendlindje,”-është avokimi i primatit të dhimbjes, largësisë nga  toka mëmë, mallit, brengës, vetmisë, dhe atdhedashurisë për vendlindjen. Gjithashtu në vargjet e mësipërme Mehmeti  ndjehet i kapur nga skepticizmi: “Trupi im, nga vonesa/Gjysmëmbetur rrugëve të botës,/”- dhe nevojës për besim, midis  arësyes dhe  imagjinatës: “Do të qëndiset në pëlhurën e hijes sime/Për të ardhur me kuajt e erës/”-njëlloj ngushëllimi apo  katharsisi ky, për të mbijetuar në realitetin e jetës së përditëshme.

Poeti Mehmeti na jep një përkufizim ideo-artistik me butësinë e  paepur, të ngrohtë dhe të thjeshtë poetike,  ai përcjell ndjenjat e tij më  të qarta për jetën dhe vdekjen, dashurinë dhe dhimbjen, në aspektin personal dhe përgjithësues, në të njëjtën ide, që mbartin drithërimën dhe të prekshmen për nga mesazhi; “Dashuria ime/ Është bar i gjelbër,/Mbin aty ku nuk shkelet,”-vargje ku ndjehet aroma e dashurisë, romantizmi, një paralelizëm ky edhe me gjendjen shpirtërore të poetit, se dashuria nuk vdes kurrë, por  rritet, sikundër rritet bari, – antagoniste  të së vërtetës të cilat formësojnë  mendimin dhe poezinë e Adnan Mehmetit.

“Camëri,toka ime!/Ndërgjegja ime e vrarë!/Camëri toka ime!/Shpirt pa qiell e pa varr!/Camëri, toka ime!” (poezia “Camëri, Toka ime!”, fq..31)

Forca e mendimit filozofik dhe artistik e penës  poetike të Adnan Mehmetit në këtë poezi, se poeti është më i interesuar dhe brengosur për ngjarjet historike dhe “Ndërgjegja ime e vrarë”(nënkupto-ndërgjegjen kombëtare),   sesa për përvojën individuale.

Poeti Adnan Mehmeti demonstron mjeshtërisht zërin e tij poetik, përpiqet të komunikojë emocionalisht  ndjenjën e fuqishme dhe të vecantë të  dashurisë për “Camëri”,  dhe ta bëjë atë epike  nëpërmjet imazheve, që ai e përfytyron dhe e ndjen  brenda universit të “Toka ime”. Vetëm në disa vargje, nga prozaike në poetike, Mehmeti ka aftësinë të përcjellë një mësazh të fortë  dhe madhështor të identitetit historik të  trojeve shqiptare, një  analizë historiko-sociale bashkëkohore që eksploron thellësisht temat e ndryshme  universale e historike të dramës së copëtimit të tokës mëmë.  Poeti  tregon patriotizmin e guximshëm të tij, duke e ndarë këtë shqetësim dhe interes të vecantë në stilin e vargut; rimë, kadencë  dhe format e reja poetike, të cilat  jo vetëm kanë  kontribuar në përzgjedhjen poetiko-filozofike, por  të sjellin ndërmend pafundësinë e meditimit po aq të ndjeshëm dhe të  maturuar poetikisht, intensitet thellësisht i mendimit artistik e filozofik, që nënkupton kontrastet mes brengës së “Shpirt pa qiell dhe varr!”,  dhe bukurisë së atdhedashurisë për “Camëri, Toka ime!”.

Cfarë do të thotë të jesh Poet…? Është nderim, zotësi apo detyrë…? Poeti është si ai bilbili që këndon në errësirë dhe ngazëllen me tingujt e ëmbël e të këndshëm, me zërin melodioz të një “muzikanti” që nuk e shohim dhe nuk e dimë nga vijnë ata tinguj të magjishëm. Gjuha e poetit është njerëzore, jetike, metaforike dhe melodioze, poeti është  “bilbili” nën efektin e frymës dhe muzës poetike, psikikes e filozofikes në universin e marrëdhënieve dhe ekzistencës njerëzore.

Në vargjet lirike të qeta dhe me një lirizëm të përmbajtur e strikt te poezia “Deti dhe Poeti”, (fq. 30) –kushtuar poetit lirik arbëresh, Zef Serembes, – e cila  është tërësisht  një formë poetike në përputhje me idenë. Aty poeti  Mehmeti reflekton dhimbjen e dashurinë,  shprehet lirshëm e koshient në thjeshtësinë e tij, përpos pasionit dhe intimitetit njerëzor; “poeti, deti, fati, të dashurën, Adriatiku, Atlantiku,-det dashurie”- dhe nënkupton marrëdhëniet e dashurisë njerëzore me ankthin e pritjes, ëndrrat dhe dëshirat; “E kërkova poetin,/Poeti kërkonte të dashurën./Të dy një fat kemi;/-motivit e veprimit, të përjetuarit të këtyre vlerave dhe përmbajtjen e tyre ideo-artistike, bota njerëzore në akord me natyrën dhe pozitën gjeografike. “Unë përtej Atlantikut,/Ti përtej Adriatikut;/Një det dashurie/Për të shtrenjtën Shqipëri!”

Mehmeti depërton  jo vetëm  në gjetjen e frazava të duhura me figura artistike e filozofike, por eksploron synimet e tij poetike, interesante,  ndjesore dhe fabulore, nëpërmjet vetëdijes dhe subjektivitetit të  ndajfoljeve të vendit,  të mirëvendosura këto në vargun poetik, duke qenë sentimental edhe joshës; “Unë përtej Atlantikut,/Ti përtej Adriatikut;/-” që hapin; “Një det dashurie/Për të shtrenjtën Shqipëri!”-për të justifikuar jo vetëm admirimin kundrejt  poetit arbëresh Serembe, por edhe kundrejt POETIT –në përgjigje të pyetjes; “Cfarë do të thotë të jesh Poet…!”.

Aftësia e të shprehurit të filozofisë së jetës u bë poezi, dhe idea, fabula, përvojat jetësore morën formën e tyre, dhe forca shprehëse e tyre, ndoshta edhe befasuese, suportohet nga një numër i poezive të zgjedhura në vëllimin poetik “Ndajfoljet e vendit”, të vendosura në dymbëdhjetë kapituj me titujt respektivë sikundër:“ Me kuajt e erës përtej detit”, “Zgjedhja e vendlindjes”, “Trillet e dashurisë”, ‘Adresa ime nr 74”, “Në cep të diellit”, “Mbretëresha e zemrave të zgjuara”, “Letargjia”, “Vend perëndije”, “Diellin e kam futur në xhep”, “Dashuri e vazhduar”, “Festa larg atdheut”, dhe “Ecje vertikale”. Tekstet e poezive janë modeste e të paharrueshme, ku mitet e legjendat, jeta e vdekja, dhimbja e dashuria, historia dhe mitologjia, besimi dhe zgjënjimi, përvojat social-ekonomike  dhe kulturore,  etj, shfaqen përmes fjalësh në vargjet lirike,  traditën epike nga heroike në shpirtërore, nga lirike në elegjike me intensitet të fortë emocional, meditative dhe klasike,  mishërimmin simbolik të emocioneve dhe dukurive të jetës, qëndresat e një momenti të caktuar dhe  poeti Mehmeti kridhet nën “hijen” e tyre, duke kërkuar vlerat simbolike, burimin e një vullneti poetik lirik të shfaqur në poezi historike; heronjtë e vërtetë, njerëzit e shquar të kombit, dhe vende historike, me filozofinë e jetës  për jetën, ai ka krijuar heronjtë e poezive të tij. Duke lexuar poezitë e poetit dhe publicistit Adnan Mehmeti, vemë re se ai demonstron një prirje sigurie ndaj asaj që në thelb ai ka dashur të shprehë, duke e shprehur sikundër e ndjen, mendon dhe dëshiron ta thotë. Vëllimi poetik “ Ndajfoljet e vendit” balancon dhe prek simbolikën e traditës gjeografike dhe historike, fjalë dhe kundrinorë vendi, cfarë fshehin ato në të vërtetë, duke u mbështetur në kriteret sipërfaqësore  dhe ndërgjegjen e poetit, në  vargjet poetike e  poezitë historike, filozofike, romantizmi, drama sociale, lirike, epike, klasike, folklori dhe spiritualizmin. Në këtë vëllim poetik, poeti Mehmeti ka ndërtuar sistemin e tij simbolik poetik, duke shtjelluar imtësisht leksikun e besueshëm frymëzues në përputhje me huazimet nga burime të gramatikës, që ngjasojnë në lidhjen logjike dhe tërheqjen reciproke ndaj refleksionit të mendimeve të tij, frymëzimit artistik, nevojës për besueshmëri, stilin e të shqiptuarit dhe të rimës, megjithëse ato tingëllojnë poetike, ëmbëlsisht dhe vrullshëm.

“E largët më është vendlindja/ Rrugë e gjatë më duhet./Shoqëri do të më bëjnë malli dhe dëshirat/Për t’ju afruar, për të dëgjuar, për t’u dehur,/Me aromën e tokës ku u linda, u rrita.”(poezia “Pendimi i mërgimtarit”, fq.141)

Këto vargje na i bëjnë të qartë lidhjen shpirtërore e fizike të poetit me atdheun, duke vendosur në plan të parë simbolet e vendlindjes “Me aromën e tokës ku linda, u rrita” –apo në një varg më poshtë ku poeti thotë denjësisht; “Duke qetësuar eshtrat e thyera,/Pranë varrit të babait…”-me qëllim që të arrijë të  shprehë stilin e sistemit poetik që lidh realen me idealen, në kohë e hapësirë; “ Këtu ku dhurova vitet e jetës,/Për një ëndër të paprekur.” Pra, poeti Mehmeti, ëndërrimtar, i vërtetë dhe i bësueshëm, shpërfaq një stil poetik të mprehtë, realist dhe plot finesë, i bindur në vendosmërinë e tij për ta jetuar jetën sido që të vijë e të jetë,   dhe jo të “arratiset” prej saj; “Një pjesëz e popullit tim cdo herë lëviz,/Disa e trimërojnë,/Disa e ligështojnë,/Atdheun tim.” (poezia “Lëvizje”, fq. 143).-në bashkëveprim ndërmjet përvojës personale dhe asaj të shoqërisë.

Në poezi të tilla sikundër “Me Nolin në Boston”, “Nëna e Poetit”, “Ndarja e fundit me nënën”, “Betimi i  ushtarëve ilirë”, “Premtimi i Skënderbeut”, “Nata në Prishtinë”, “Tri portat e dashurisë”, ‘Epitaf i pashkruar”, “Këpucët e vjetra”, “Historia lakuriqe” ,etj., Mehmeti eksploron trysninë e historisë në formësimin e ndërgjegjes kombëtare. Ndonëse ai trashëgon mjeshtërinë artistike  për të ballafaquar realen, Mehmeti vazhdon të gjurmojë filozofiken për të shprehur botën shpirtërore dhe përngjashmërinë historike,  shtjellon fjalë aforistike, shëmbëlltyrën dhe simbolet e tyre, vecanti kjo e stilit të tij poetik.

Poeti dhe publicisti Adnan Mehmeti është një nga poetët e më të admiruar në letërsinë bashkëkohore, një figurë emblematike në kërkim të muzës poetike e më të bukurës artistike në bashkëpunim me filozofiken, objektiven dhe liriken në të shumtat e rasteve, të shprehura  në format indirekte,  ndjesore dhe kuptimplote. Vëllimi poetik me titull “ Ndajfoljet e vendit”, është botim i shtëpisë botuese “ADA”.

Postscriptum

Poeti dhe publicist i mirënjohur nga Lugina e Preshevës, Adnan Mehmeti, është një figurë emblematike e dominuese e letërsisë të Diasporës dhe president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, status që vazhdon edhe aktualisht ta ketë. Nën presidencën e z.Adnan Mehmeti, Shoqata  ka pasur rritje në anëtarësim dhe krijimtari në nivel të admirueshëm artistik e krijues, aktivitete të ndryshme me taban historik, kombëtar, atdhetar e letrar. Nga sukseset më simbolike e historike, nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të  Mehmeti, është dalja në dritë e revistës “Pena” , organ letraro-artistik, kombëtar e historik.  Aty pasqyrohen shkrime letrare, poezi, tregime, dhe publicistikë, nga autorë të ndryshëm, anëtarë të shoqatës, komunikimi me lexuesin dhe dashamirësit e letrave shqipe, në evoluimin modern të penave poetike dhe prozë.  Revista “Pena’ gjendet në Bibliotekën Amerikane, në atë të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, dhe Bibliotekën e Kishës Autoqefale Shqiptare e Shën Gjergjit, e Fan Nolit, Boston.

 Raimonda MOISIU

Tetor, 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Adnan Mehmeti, esse, Raimonda Moisiu, rareté krijimtarise

Prishtina dhe zgjedhjet lokale 2017

October 17, 2017 by dgreca

Ylber-Vokshi-Ylli-210x160

Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/Të jesh spektator dhe të torturosh vetveten me debatet, nëpër studio të ndryshme televizive, në mes të kandidatëve potencial për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale 2017 që do të mbahen në këtë fundjavë tetori,është një maltretim psikik,një formë e fyerjes së inteligjencës personale dhe profesionale që ma në fund pas 18 vite duhet me e ndryshuar me forcën e argumenteve realiste me vota. Duke e marr në konsideratë realitetin e jetës në Kosovë të cilin e ka krijuar mu kjo klasë politike, e cila prapë po tenton që me premtime diametralisht të kundërta me mundësit reale të shoqërisë të mashtroi elektoratin.Po përcjelli këto ditë një fushatë të shfrenuar partiake aspak të bazuar në gjendjen reale të cilën banorët e Prishtinës janë duke e vërejtur,përjetuar,duke e prekur,janë duke e ndie ma së shumti në lëkurën e vetë dhe janë shumë të brengosur me atë se çka po iu premtohet atyre dhe gjeneratave të ardhshme. Po iu ofrohet apo  servohet  një jetë konfuze, e pa sigurt, e pa perspektivë,me projekte jo realiste të cilat në të shumtën e rasteve as që janë kompetenca të  Komunës .Do të fokusohem në fushatën zgjedhore që po zhvillohet në kryeqytet pasi konsideroi se ajo është barometër i të gjitha zhvillimeve nëpër Komunat tjera në Kosovë. Pa kurrfarë dileme, funksionimi i një vendbanimi është i ndërlidhur direkt me posedimin apo përpilimin e dokumenteve hapësinore dhe urbane. Me zbatimin e tyre korrekt dhe profesional edhe situata e mirëqenies së popullatës do të ishte ma e mirë, Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur këto vite në Kosovë.

Një e arritur e qeverisjes aktuale në Prishtinë është fillimi i zhdukjes së frikës ndaj pushtetit, që ndaj shqiptarëve është kultivuar me shekuj,nga sunduesit e huaj e besa edhe nga ata vendor pas vitit 1999. Transparenca dhe llogaridhënia kanë filluar të japin rezultatet e para fillestare pozitive,zyrtarët shtetëror dhe Kryetari i kryeqytetit po trajtohen si personalitete të thjeshtë e jo si ”njerëz të fort të hyqymetit”.

Të bërit kryeqytet ka filluar të jetësohet edhe se me vështirës të mëdha pasi detyrimi me iu përmbajtur disa rregullave (ligjeve) që i imponon jeta e përbashkët urbane për disa është shumë e vështirë. Janë këto të arriturat fillestare,që para disa viti as që mundeshe ti imagjinoje, natyrisht ndaj këtyre ndryshmeve pozitive kishte,ka dhe do të ketë kundërshtime  të ndryshme. Forma klasike e sabotimit dhe bllokimit të proceseve të ndryshme është tërësisht e pa pranueshme, pasi humbësit ma të mëdhenj do të jenë vet qytetarët e kryeqytet. Kjo ka ndodhur këto vite sipas zyrtarëve komunal, shpresoj se ma në fund do të kuptojnë se aty ata duhet të jenë si shërbyes të popull e jo me i trajtuar kundërshtarët politik si armiq politik.

Duke u nisur nga gjendja reale-faktike e cila vërehet-shihet në zhvillimet urbane në kryeqytet,pa u thirrur apo bazuar në ato “teoritë konspirative”,thashë thënat, dyshimet,supozimet të cilat nuk munden me u dokumentuar me fakte reale,atëherë e ndiej vetën të lirë të jap qëndrimet e mija profesionale lidhur me situatën reale urbane në kryeqytet. Ashtu si është,si e kanë keqpërdorur gati të gjithë që e kanë pasur mundësinë në pushtetin komunal, si dhe bashkëpunëtorët e shumtë nga të gjitha partitë politike pa përjashtim. Koha tregoi se për zhvatje,keqpërdorime të shumta,ndërtime pa leje,mos respektim të rregullave shoqërore dhe ligjore të gjithë bashkohen,janë një.

Pas zgjedhjeve të fundit po vërehet një frymë e re, të cilën për me e përjetësuar tërësisht duhet kohë e gjatë dhe punë e mundimshme permanente, pasi ndryshimi i mendësisë së të jetuarit në një mjedis urban kërkon edukim të ri, në një  mjedis të ri në kryeqytet, pasi mënyra tradicionale e jetës në fshat tërësisht ndryshon.

Në Prishtinë pas luftës ndodhi vërshimi i pa kontrolluar i popullsisë nga të  gjitha anët e Kosovës dhe diasporës,lehtë të manipulueshëm  me premtime zgjedhore tërësisht të pa realizueshme,pasi nuk kanë bazë të qëndrueshme pik së  pari në dokumentet hapësinore dhe urbanë realiste,që i mungojnë kryeqytetit. Në thelb ma shumë iu ngjasojnë “fontanave të dëshirave” se sa projekteve të analizuara dhe të shkoqitura nga planet rregulluese të hollësishme ,që duhej ti kishte Prishtina.

Ky nivel i votuesve është lehtë të mashtrohet pasi të dy palët nuk besojnë se duhet respektuar dokumente hapësinore dhe urbane, të cilat në të kaluarën janë keqpërdorur me të madhe nga ana e pushtetarëve,dhe se do të vazhdohet të punohet me të vjetrën. Kjo lehtë vërehet nga sjelljet arrogante dhe premtimet jo realiste elektorale të disa pretendentëve për kryebashkiak.

Sa të pa informuar janë disa kandidat për kryetar të Prishtinës dhe këshilltarët e tyre,as që e dinë se për çka duhet punuar Hartën Zonale të Komunës, e disa deklarojnë publikisht se duhet pasur disa Harta zonale !  Ato sipas tyre është dashur punuar në vitin 2014 pa e ditur se ajo është e pa mundur, pasi Udhëzimi Administrativë për përmbajtjen e sajë Ministra e ka bërë publike në muajin e dhjetor të vitit 2015, pas gati 3 vite.

Është interesant se si  opozita në asamblenë komunale e ka pasur adut kryesor politik mos përpilimin e Hartës Zonale duke mos i ditur procedurat teknike. Me vetëdije apo pa atë, ata ishin pjesëmarrës aktiv në bllokimin e vazhdimësisë të aprovimit të planeve rregulluese të parapara edhe me ligjin aktual,të përgatitura për miratim për disa zona në kryeqytet. Nuk duhet apstrahuar faktin se Ministria edhe me ligj ka krijuar një bllokadë totale të procesit të planifikimit hapësinorë në tërë territorin e Kosovës, me ligj ka lejuar vazhdimësinë  e ndërtimeve jo ligjore që kishin filluar që nga viti 1999.

Ti referohemi Hartës Zonale, me anën e të cilës duhet të zgjidhen të gjitha problemet urbane është vetëm një mashtrim elektoral i votuesve,pasi përpilimi teknik i ati dokumenti hapësinor kërkon shumë kohe dhe ekspertizë e cila ka munguar në Prishtinë këto 18 vite. Problem edhe ma i madh do të jetë zbatimi i saj pasi në Prishtinë ka pasur degradime të pa rehabilitushme. Duhet ndryshuar mendësinë urbane së pari të politik-bërësve tanë e pastaj popullit, proces i cili kërkon kohë me dekada me ndryshuar filozofinë primitive jetësore të këtij mileti.

Në këto vite ne i kemi treguar botës së civilizuar se nuk dimë të urbanizojmë edhe zona të lira të qytetit,duke bërë keqpërdorime dhe abuzime të rënda, si ishte lagjja “Mati 1”, kurse Ministria (MMPH) tek pas 6 vite padit Komunën e Prishtinës për lejet ndërtimore,në kohën e fushatës zgjedhore,a thua për çka ekziston kjo Ministri . Kjo qasje e shtetit ndaj problematikës urbane është shqetësuese dhe në njëjtën kohë dëshpëruese se ku e kanë katandisur popullin e vetë këta njerëz që me pa përgjegjësi ekstreme kanë vepruar këto vite në shekullin e ri.

Ndërtimet pa leje nuk janë kompetencë ekskluzive e komunave ato duhet trajtuar sipas ligjit të cilin e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës,çdo premtim i kandidatëve për kryetar të komunës si për taksën e legalizimit dhe kriteret tjera për legalizimin e objekteve pa leje ndërtimi, është mashtrim klasik i votuesve dhe si i tillë duhet sanksionuar me votë. Gjithashtu premtimet elektorale se do të rehabilitohen disa lagje apo do të ndërtohen unazat e kryeqytetit, janë jo realiste,atë nuk kanë arritur ti realizojnë edhe shoqëritë shumë ma të pasura,ato intervenime kushtojnë shumë,do të mbesin ashtu si relikte të një kohe kur nuk ka funksionuar ligji, për të iu treguar pasardhësve tonë se si është jetuar në Prishtinë në fillim të shekullit 21.

Prishtinë                                                                             *arch. Ylber Vokshi -Ylli, 17  tetor 2017                                                                                   arkitekt i pavarur-   ylberv@gmail.com-Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, Prishtina dhe, zgjedhjet lokale 2017

Prokurorët dhe gjykatësit nga veriu pritet të dekretohen nga presidenti Thaçi

October 16, 2017 by dgreca

*Në krye të Prokurorisë në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërkaq në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb. *Aktualisht, Gjykata Themelore e Mitrovicës është duke funksionuar në Vushtrri, ndërkohë që në Mitrovicën veriore është duke funksionuar gjykata në kuadër të sistemit të drejtësisë së Serbisë/
1 Prokuroret e Veriut
Ne Foto: Gjykata në Mitrovicë veriore, foto nga arkivi/
Nga Arton KONUSHEVCI/Gjyqtarët të cilët pritet të punojnë për sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës, pritet që të martën të dekretohen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, i tha Radios Evropa e Lirë se sipas Marrëveshjes së Brukselit, brenda këtij muaji do të nisë puna e gjykatave në veri të Kosovës.”Të martën është paraparë dekretimi, kurse më 28 tetor duhet të fillojë puna praktikisht. Janë edhe disa përgatitje që duhet të përfundojnë. Mund t’ ju them se janë 42 gjyqtarë që do të punojnë në gjykata. Ne po shpresojmë se gjithçka do të shkoj sipas dinamikës që është paraparë me marrëveshje“, tha Idrizi.Ai tha se nga kontaktet që janë zhvilluar me autoritet në Bruksel, edhe pala serbe ka kryer të gjitha obligimet në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë në veri.“Ndërmjetësuesit nga ana e Brukselit kanë thënë se ata do t’i përmbushin të gjitha obligimet, pasi që ne nuk kemi kontakte direkt me ta,[kontaktet] i bëjmë përmes Brukselit. Po shpresojmë që më në fund do të ndodh implementimi i marrëveshjes“, tha Idrizi.Edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe planet sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, që prokurorët të nisin punën në veri të Kosovës.Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk e dinë kohën se kur do të nisë puna por, janë të gatshëm për punë.”Ne po shpresojmë se do të fillojë [puna], por se a do të fillojë punën sistemi i drejtësisë edhe në atë pjesë apo jo, unë këtë aktualisht nuk mund ta them. Për atë që është kërkuar nga ne i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, përfshirë rekrutimin e prokurorëve, personelit, sigurimin e objekteve, pajisjeve për punë. Gjithçka është gati për fillim“, tha Isufaj. Në Këshillin Prokurorial presin që të martën, Presidenti i Kosovës t’i dekretojë prokurorët e rinj, përfshirë edhe ata serbë që do të punojnë në veri.”Prokurorë, gjithsej janë 14, nëntë do të jenë serbë që do të punojnë në pjesën veriore të Kosovës, kurse pjesa tjetër do të shpërndahet në të gjitha instancat e sistemit prokurorial në tërë territorin e Kosovës“, tha Isufaj.Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me integrimin në sistemin e Kosovës të gjykatësve dhe prokurorëve serbë nga veriu i vendit, ishte arritur në shkurt të vitit 2015.Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, pas një takimi në fund të muajit gusht ishin dakorduar me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini që zbatimi i Marrëveshjes për drejtësinë e arritur brenda dialogut të fillojë të zbatohet që nga 17 tetor, 2017.Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Maja Kociançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini ka thënë se Marrëveshja për drejtësinë në të vërtetë pritet që të hyjë në fuqi nesër.”Ashtu siç ishin pajtuar presidentët e Serbisë dhe Kosovës më 31 gusht 2017, në marrëveshjen bazë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Marrëveshja për drejtësinë në të vërtetë pritet që të hyjë në fuqi nesër. Të gjitha veprimet kanë përfunduar për integrimin e personelit serb të drejtësisë në sistemin juridik të Kosovës dhe të dyja palët kanë përmbushur obligimet e tyre në këtë aspekt“, thuhet në një përgjigje me shkrim të Kociançiq.Ndërkaq, Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Qendra për përfaqësim të kulturës demokratike”, tha për Radion Evropa e Lirë se të martën pritet të ndodhë betimi dhe nënshkrimi i kontratave, në mënyrë që të nisin punën gjyqtarët dhe prokurorët.“Sipas informatave që kemi, nesër, gjykatësit dhe prokurorët do të kenë transport të organizuar për të udhëtuar për në Prishtinë, ku duhet të nënshkruajnë kontratat dhe një lloj betimi, për të cilin është arritur pajtimi në Bruksel dhe që është neutral ndaj statusit. Personeli administrativ, i cili gjithashtu do të punojë në gjyqësinë e Kosovës, kontratat do t’i nënshkruajnë në gjykatën e EULEX-it, këtu te ne, në veri”, tha Radakoviq.Me zbatimin e Marrëveshjes për drejtësinë, është paraparë që të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë dhe në Serbi, të cilat deri më tash janë marrë me lëndët nga territori i Kosovës.Për rajonin e Mitrovicës është paraparë një Gjykatë Themelore, e cila do të funksionojë në dy objekte. Prokuroria do të funksionojë në një objekt në veri. Gjykatësit dhe prokurorët do të punojnë së bashku dhe nuk do të ndahen mbi baza etnike. Në veri do të vendoset edhe reparti i Gjykatës së Apelit.Në krye të Prokurorisë në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërkaq në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb. Aktualisht, Gjykata Themelore e Mitrovicës është duke funksionuar në Vushtrri, ndërkohë që në Mitrovicën veriore është duke funksionuar gjykata në kuadër të sistemit të drejtësisë së Serbisë.Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjykatesit, Mitrovice, ne veri, Prokuroret, Thaci

Qeveria e Serbisë formon grup punues për dialogun për Kosovën

October 16, 2017 by dgreca

1 serbia

Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë./Qeveria e Serbisë ka formuar një grup punues për, siç është thënë, mbështetjen e dialogut të brendshëm për Kosovën, ndërsa kryetar të tij ka zgjedhur drejtorin e Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq.Në këtë grup do të jenë të përfshira të gjitha ministritë, ka bërë të ditur ekzekutivi serb, transmeton Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë.Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qysh në fund të muajit maj, ka thënë se është koha për dialog të brendshëm për Kosovën dhe “të hiqet dorë nga qasja mitike ndaj Kosovës”.Qëllimi përfundimtar i këtij dialogu nuk dihet, ndërkohë që pjesa më e madhe e opozitës në Serbi refuzon të përfshihet në të.

Filed Under: Kronike Tagged With: grup per dialog, Marko Gjyriç, Serbi-Kosovë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT