• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2017

Biblioteka e tabakëve, orakulli i famshëm i Shkodrës

October 5, 2017 by dgreca

shkodraNGA VEPROR HASANI/ 

Një shekull më parë, ndoshta dhe më herët akoma, në të hyrë të Shkodrës, jo larg Xhamisë së Plumbit, gjendej një bibliotekë me libra të shumtë e dorëshkrime të rralla, të lidhura bukur, me kapakë të trashë dhe zbukurime prej ari. Krijuesi i bibliotekës u shndërrua në orakull. Pas kësaj  biblioteka nisi të vizitohej edhe nga  njerëz që vinin nga vende të largëta të botës. Dëshironin të dinin si do të ishte e fati i tyre. E pyesnin orakullin për gjithçka, që nga çështjet familjare, punët e tregtisë, luftrat dhe paqen e deri te vdekja e mbretërve. Parashikimet e orakullit ishin gjithnjë të sakta, ndaj të gjithë e shihnin me adhurim, vendas dhe të huaj. Biblioteka ishte selia e tij, prej aty, ai i jepte përgjigje misterit.Biblioteka ndodhej në një nga lagjet më të vjetra të Shkodrës, në lagjen e Tabakëve. Biblioteka u krijua prej myftiut të tabakëve të Shkodrës. Udha që të çonte te biblioteka quhej “Udha e Myftiut”. Emri i myftiut nuk u përmend më që nga vendosja e diktaturës, por këngët që iu kënduan këtij njeriu të madh e të ditur, ishin të shumta. Thuhet se ato këngë këndohen ende edhe sot e kësaj dite. Ka të tjerë që mbajnë mend edhe parashikimet e famshme të tij. Te biblioteka e myftiut vinin njerëz nga veriu dhe jugu; mbretërit dhe qeveritë dërgonin emisarë për të mësuar mbi fatin e vendit të tyre. Vizitat bëheshin më të shpeshta sa herë që bota e gjente veten në udhëkryqe. Ata që për arsye të ndryshme, nuk kishin mundësi të udhëtonin, dërgonin letra; edhe përgjigjjen me letër e merrnin. Myftiu ulej e shkruante fatin e njerëzve dhe të botës që nuk po gjente qetësi që nga krijimi i saj.
Për myftinitë bibliotekat dhe arkivat ishin gjëja më e parësore e tyre. Shembujt janë të shumtë: “Myfttnija e Beratit ka patur një arkiv të moçëm në turqisht, ku gjendeshin gjithë aktet e gjykatores së shenjtë (Sherie), regjistrat kadastrale të moçëm dhe shumë sendet të tjera me interes për historinë e atij qyteti, si edhe dorëshkrime të ndryshme në arabisht e persisht dhe koleksione kuranesh.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. 290).

Të tilla biblioteka kanë patur edhe myftinitë e qyteteve të tjera, mirëpo Shkodra shkëlqeu me orakullin e saj. Frekuentues të rregullt të bibliotekës së myftiut të tabakëve të Shkodrës u bënë edhe gjermanët. Nuk kishte turist gjerman që të vinte në Shkodër dhe të mos kthehej te selia e orakullit. Pyesin për gjithçka, ndoshta përpiqeshin të kuptonin ku qëndronte zotësia e këtij njeriu kaq të famshëm e të njohur në shumë vende të botës. Sipas dr. Filip Fishtës, gjermanët, pasi njiheshin me  Xhaminë e Plumbit, vizitonin edhe bibliotekën. Madje, Fishta porosiste të shkruhej çdo gjë që ndodhte apo  kishte ndodhur në bibliotekën e myftiut, pasi bëhej fjalë për ngjarje që dilnin mbi kohën, ishin të jashtëzakonshme.Dimë që për këtë bibliotekë ka shkruar edhe dr. Taullah Shkreli, profesor i liceut shtetëror të Shkodrës. Sipas Shkrelit, në bibliotekë gjendeshin dorëshkrime shqipe, të shkruara me alfabetin e vjetër turqisht, por ajo që dimë për momentin është shumë pak.

Emri i myftiut të tabakëve të Shkodrës u bë i njohur edhe në rangjet më të larta të Perandorisë: Ja çfarë shkruan dr. Filip Fishta në një artikull të revistës “Përpjkejka Shqiptare”: “Stambolli i drejtohej për këshilla Mvftisë së Tabakëvet sa herë që e shifte nevojën në lidhje me çashtje problematike që i paraqiteshin n’interpretimn e sa problemave me besimtarët. Populli i jonë ende sot e kujton ëmnin e Myftisë së Tabakëvet, vdekë para nji shekulli. Populli i qytetit të Shkodrës shton se, i pyetun ky myfti, “u epete fetfa”  shumë çështjeve të shumllojshme”.(Përpjekja shqiptare 1939, nr 25-27, f. 64)

Filip Fishta jep edhe një informacion tjetër: “Shtëpia ku ndodhet kjo Bibliothekë, asht nji nga ato tipiket në qytetin e Shkodrës: me oborr të madh para shtëpisë ; nji shtëpi e vjetër dykatëshe. Pranë çardakut dhe odës së miqve, ndodhej dhoma tjetër e librave.” Aty Fishta u njoh për herë të parë me bibliotekë e famshme: botimet dhe dorëshkrimet zinin tri faqet e mureve. Ishte e vështirë që në pak kohë të krijoje një ide të qartë çfarë vlerash ruheshin në atë shtëpi, por edhe një shikim i vetëm të emociononte me gjërat e rralla që gjendeshin aty. “Librat e shtypun si edhe dorëshkrimet, gjithsejt afër tri mij blejsh, – shkruan Fishta, – ishin të mbajtun përgjithsisht mirë, gati të gjithë të lidhun në kartuç. Disa nga dorëshkrimet ishin shkruem prej nji kaligrafie t’ushtruem, që i kujtonin njeriut  disa nga dorëshkrimet e bibliothekave të mëdha t’Europës Perëndimore.”

Megjithatë, të njihesh me një bibliotekë të vërtetë, nuk mjaftojnë orët, duhen vite. Babai i shkrimtarir Evlia Celebiut ndenji 7 vjet në bibliotekën e familjes Vlora për t’u njohur me botimet e dorëshkrimet e asaj biblioteke, dhe përsëri nuk e dimë nëse ia doli dot mbanë. Vetë shkrimtari Evlia Çelebiu, shkruan se me 1072 (alla turka) ka banuar në fshatin Mekat (pranë Vlorës) në çifIigun e Isuf Beut edhe ka shkuar kohën në bibliotekën e tij shumë të çmuar, në të clën punoi shtatë vjet rresht edhe i ati i Evlia Çelebiut.(Hylli i dritës 1938, nr, 4. f. 162 -166)

Por biblioteka e myftiut të tabakëve të Shkodrës mund të ketë qenë më e frekuentuara, ajo kishte mysafirë të përhershëm edhe nga tregtarët vendas. Ata dëshironin të dinin si do të ishte tregu, pas një ngjarjeje të bujshme, pas një kërcënimi që ishte shfaqur në horizont apo kur botën e prisnin të papritura. Lef Nosi, koleksionisti i njohur, mes dokumenteve të shumta, ruante edhe një letër të Myftinisë së Tabakëve drejtuar Myftisë së Elbasanit në lidhje me këshillat që do t’u jepeshin tregtarëve të vendit për atë mot, gjë që na tregon se Myftinia e Shkodrës kish fituar emër të madh.Përshkrimin e librave të biblitekës së myftiut e gjejmë sërish te Filip Fishta: “Ndonji herë  në fletën e parë apo gjatë tekstit ndër fletët e ndryshme, si asht zakon ndër dorëshkrimet e vjetra vrehet nga nji punim vizatimi me ngjyra: arabeskime shumëllojësh mbi një shesh ari. Këto lloje dorëshkrimesh edhe nga pikëpamja e artit të vizatimit duhet të tërheqin vërejtjen tonë: duhet t’i ruajmë me kujdesin ma të madh edhe të mos i lëshojmë ndër duart e fëmijve” Pavarësisht nga porositë e Fishtës, ajo bibliotekë e famshme nuk ekziston më.(Prof Filip Fishta, “Përpjekja shqiptare” 1939, nr 25-27, f. 64).

Filed Under: Histori Tagged With: Biblioteka e tabakëve, i famshëm i Shkodrës, orakulli, Vepror Hasani

KY ESHTE NIVELI I UNIVERSITETEVE SHQIPTARE

October 5, 2017 by dgreca

–Në grupin e parë Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës dhe Universiteti i Mjekesisë,ndërkohë Universiteti i Tiranës është tanimë zyrtarisht universiteti më i dobët, me vetëm 1 vit akreditim nga 6, që është maksimalja, pra me vetëm rreth 15% të standardeve të plotësuara./

studente duke pare emrin per degen

-Publikohet raporti zyrtar i Agjencisë britanike të akreditimit për universitetet shqiptare {ASCAI}/
Sipas Agjensisë britanike të akreditimit (Quality Assurance Agency), 12 Universitetet publike janë më mangësi të mëdha, standarde të paplota dhe e gjithë panorama e universiteteve shtetërore është ashtu siç përflitej, shumë larg standardit maksimal, standardit ligjor shqiptar, i cili i referohet standardeve ligjore europiane.

Universiteti i Tiranës është renditur me i 12-I, me 1 vit akreditim, i 11-i Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës me dy vite akreditim nga gjashtë, pastaj vijnë Universiteti Politeknik, universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Universiteti i Sporteve, Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, universiteti “Eqerem Cabej” në Gjirokastër, me gjysmën e kritereve me 3 vite nga 6 vite akreditim, ose përafërsisht me 50% të standardeve.Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Universiteti i Arteve, me përafërsisht 70% të standardeve, hyjnë në grupin tjetër më cilësor.Ndërsa, në grupin e parë hyjnë Universiteti “Fan Noli” i Korcës dhe Universiteti i Mjekesise, Tirane, që kanë arritur rreth 80% të standardeve dhe kanë marrë akreditimin 5 vite nga 6 vite, që është totali.
Nga ana tjetër, universitetet private kanë një paraqitje mjaft të mirë,duke marrë secili 5-6 vite akreditim.

Ja tabela

Emërtimi i Institucionit të Arsimit të Lartë Organizimi i Institucionit Lloji i Institucionit Kohezgjatja
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë Publik Vendim BA Nr. 69, datë 21.09.2017 5 vite
Universiteti Fan S. Noli, Korçë Publik Vendim BA Nr. 65, datë 21.09.2017 5 vite
Universiteti i Arteve Publik Vendim BA Nr. 68, datë 21.09.2017 4 vite
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës Publik Vendim BA Nr. 10, datë 07.04.2017 4 vite
Universiteti Bujqësor i Tiranës Publik Vendim BA Nr. 11, datë 07.04.2017 4 vite
Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër Publik Vendim BA Nr. 67, datë 21.09.2017 3 vite
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë Publik Vendim 71 Nr. 63, datë 21.09.2017 3 vite
Universiteti i Sporteve të Tiranës Publik Vendim BA Nr. 64, datë 21.09.2017 3 vite
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” Publik Vendim BA Nr. 8, datë 07.04.2017 3 vite
Universiteti Politeknik i Tiranës Publik Vendim BA Nr. 13, datë 07.04.2017 3 vite
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër Publik Vendim BA Nr. 70, datë 21.09.2017 2 vite
Universiteti I Tiranes Publik Vendim BA Nr. 62, datë 21.09.2017 1 vit
Emërtimi i Institucionit të Arsimit të Lartë Organizimi i Institucionit Lloji i Institucionit Kohezgjatja
Shkolla e lartë universitare, jopublike, “Universiteti “Marin Barleti”” Privat Vendim BA Nr. 9, datë 07.04.2017 6 vite
Shkolla e Larte “Nehemia” Privat Vendim BA Nr. 63, datë 21.09.2017 5 vite
Kolegji Profesional i Tiranës Privat Vendim BA Nr. 66, datë 21.09.2017 5 vite
Universiteti Europian i Tiranës Privat Vendim BA Nr. 12, datë 07.04.2017 5 vite

Filed Under: Analiza Tagged With: KY ESHTE, NIVELI I UNIVERSITETEVE, shqiptare

A NGJAJ UNË SI DIVERSANT?

October 5, 2017 by dgreca

1 shefqet-dobra

Nga Shefqet DOBRA/

Flitej në në vitet para nëntëdhjetës shpesh herë se: një diversant u kap atje e një tjetër në një vend tjetër për të cilët thoshin  se vinin për të rrëzuar pushtetin popullor, pushteti që u fitua me gjakun e pastër të djemve tanë.

Po ata, nuk e njihnin vigjilencën e shtetit tonë, nuk e dinin që i gjithë populli ynë ishin ushtarë, ata vinin nga ana e anës dhe përfundonin në qelit tona.

Këta diversantë të mallkuar ishin e keqja më e madhe, për ata, të quajtur: të deklasuar. Ata vinin për qëllimet e tyre -mendonim ne- kurse ne të deklasuarit, që shpesh herë na quanin edhe “armiq” ndëshkoheshim se, sipas psikologjisë të kohës, të deklasuarit, dmth: “ne armiqtë” andej i mbanim sytë, prej atyre pritnim shpëtimin, dhe këto ishin të besueshme prej atyre të quajtur: njerëz të partisë ose: “me biografi të mirë.  Nuk kishte rëndësi ça biografie kishe; të mirë a të keqe, burrë i mirë a i keq, e caktonte partia si ishe.

Në fakt, edhe ne të deklasuari besonim se vinin diversantë dhe i urrenim më shumë se kushdo, ata të quajtur diversant sepse, kur thuhej se u kap një diversant, të gjithë ata, të quajtur me biografi të “mirë” na shikonin ne me dyshim, na urrenin, sikur të ishim ne, diversantët. Populli besonte, e për atë na urrenin ne, ne i urrenim ata se, ata bëheshin shkak i fatkeqësisë të ndonjërit prej nesh, sepse, nëse kapej një diversant ose, edhe nëse ai u shpëtonte nga duart- gjë që ishte e pa mundur- dyshimet binin te të deklasuarit se, “atje ata gjenin mbështetje dhe, mjerë te i cili binte dyshimi.

Ishte viti 1986,, shumë familje, që për shumë vite kishin qenë të internuara, ua ndryshuan formën e dënimit; i quajtën të dëbuar- të dëbuar  domethënë, të përzënë nga vendi i tyre, por këta nuk dëboheshin nga bashkëfshatarët e tyre si të pa denjë, këta i largonte shteti i “së drejtës” së mohuar! Këta që shndërroheshin në “të dëbuar” si masë dënimi më e lehtë, gëzoninë disa TV drejta më tepër se tjerët..  Këto ishin forma, për të mashtruar se, kjo lloj lehtësie, nuk ndryshonte as gjë. Kjo ishte forma, për ta mbajtur popullin me shpresë për më mirë dhe tjerët me frikën e internimit. Gjunjëzimi i popullit, me anë të frikës së internimit, krijonte kushte të vështira, të ndante nga shoqëria, nga far e fisi, bënte që, disa të tregoheshin me gisht, si të pa përshtatshëm për shoqërinë e re, socialiste. Pavarësisht të këtyre dallimeve, të gjithë ishin të survejuar pa përjashtim, kot mburreshin disa që e quanin veten ” me biografi të mirë”; këdo mund të përfshinte stuhia e asaj që quhej: ” luftë e klasave”. Qëllimi më i madh e më kryesor i partisë ishte që, të gjithë të jetoni  me ndjenjën e frikës. Partia ishte para dhe mbi të gjitha, shteti, ishte fasada më e pa vlerë. Të gjithë, e kishin humbur shpresën për të ardhmen; të gjithë rrinin me shpresë, se mbase i lehtësoje masa e ndëshkimit. Lufta e klasave, i kishte tmerruar të gjithë; asnjë nuk ishte i garantuar, mund të ngryseshe me ” biografi të mirë”,  e të gdhiheshe familje “armiku”; mjaftonte një fjalim i udhëheqësit, të thoshte; “organet janë përgjumur, lufta e klasave është zbutur” dhe, familje të tëra, në mëngjesin e ditës së nesërme, gdhinin: armiq. dhjetra familje, gdhinin në kasollet e internimit. Vëllazërim ndërmjet shqiptarëve, nuk duhet të kishte; të gjithë duhet të kishin frikë edhe nga njëri tjetri, kështu ruhej qetësia, siguria e të drejtave. Edhe këto diferencime ndërmjet të vuajturve, kishte qelliin, që ata mos ishin më bashkë. Disa quheshin të internua, disa të dëbuar, disa të “ liruar”-nuk kishin fund format e hilet, për ti bërë që të kenë frikë të rrinë bashkë.

Pasho Pashai, banonte në Shtyllas të Fierit, pak kohë më pari, ishte shndërruar: nga i internuar, në i dëbuar, një ditë mori një telegram se i kishte ndërruar jetë një nga  dajat në Korrçë,  Meqenëse se do shkonte në qytetin e Korçës, megjithëse kishte një pasaportë dy kapakëshe,  që mbanin të dëbuarit, në të cilën ishin shënuar, vendet ku mund të shkonte lirshëm dhe vendet ku i ndalohej të shkonte, Korça i lejohej, po meqë do kalonte në Qaf- Thanë, Pasho,  kërkoi lejë në degën e brendshme të Fierit. Bashkë më nënën e tij, u nisën për rrugë.  Kur arritën  në Qaf-thanë, autobusi ndaloi, rojet e postës u futën të kontrollonin dokumentet e pasagjerëve. Të gjithë pasaportat në dorë- tha njëri nga ushtarakët.-, nxorën letrat e njoftimit, i mbanin në dorë. Pasho me nënën e tij, nxorën letrën e njoftimit që kishin dhe, fletë lejet, që kishin marrë  nga dega e brendshme. Kur kontrolluesit, arritën te Pasho, pasi i shikuan këto dokumente- i thanë Pashos: shoku qytetar, ti duhet të zbresësh, të vish te poste që të sqarojmë, punën e këtyre dokumenteve.

-Ç’ka këtu për të sqaruar- tha Pasho, këto janë dokumente zyrtare, të firmosura e të vulosura nga dega e brendshme. Nuk kam pse të zbres, është edhe vonë, kam edhe nënë shumë të vjetër, po shkoi për vdekje, jo për qejf.

-Nuk do të vonojmë shumë, mos u mërzit, nëna le të shkoj.

-Sado pak të më mbani, autobusi, nuk më pret.

-Paske llafe ti! Hajde zbrit, e mos na mërzit!- i tha ushtaraku.

-Nuk zbres- tha Pasho. Pas shumë fjalëve, erdhi radha e përdorimit të forcës.

-Po ç’keni more djemtë e nënës- u tha nëna e Pashos, ushtarakëve- ne i kemi në rregull dokumentet. Tani është natë, ku të shkojë djalka.

-Ti plakë shko, djali të vijë me ne- i thanë. Meqë Pasho nuk pranoi të shkonte me ta, toni i fjalëve fyese u ngrit, më pas e kapën ta tërheqin me forcë. Pasho, u ul në dysheme, kapi karriget në dy anët, këmbët i mbështeti te këmbët e karrigeve tjetër. Ata nuk po mundnin të shkëputnin, me gjithë forcën që ushtruan- Pasho ishte i ri dhe i fuqishëm- me që grindja po zgjaste- udhëtarët u mërzitën, se u vonuan, filluan të bënin fjalë.  Mirë, i thanë- mirë, të rregullojmë ne, nuk deshe me ne, të çojmë në degë, atje të rregullojmë mirë.

-Po, jo nuku desha, po nuk keni arsye, çpunë kam unë mbë postë?  Ushtarakët nuk zbritën, e shoqëruan Pashon si të arrestuarë deri në Korçë. Në Korçë, pasi zbritën të gjithë pasagjerët, autobusi, bashkë me Pashon e nënën e tij, nën vëzhgimin e ushtarakëve të postës kufitare, u drejtua për në degën e brendshme. Sapo autobusi u fut në oborrin e degës, policët e degës e rrethuan autobusin. Të tjerë policë, menjëherë e shoqëruan Pashon në zyrën e kryetarit. Në zyrë, u thanë ku të uleshin. Sytë e nënës së Pashos ishin me lot, ajo kishte frikë ç’do bënin me djalin e sajë. Kryetari filloi t’i pyeste, nga ishin, e të tjera, një tjetër, shkruante fjalët qe thuheshin. Kur Pasho tha se: veç pasaportës, kishte edhe një leje nga dega e Fierit, kryetari i tha: pse nuk ua tregove autoriteteve të postës.

-Unë shoku kryetar, këtë ua dhashë të parën, por këta ngulën këmbë, të më çonin në postë.

-Ju, nuk i njihni këto lloj dokumentesh?- u tha kryetari, ushtarakëve të postës.

-Ne deshëm ta sqaronim në postë- tha oficeri i postes.

-Pse nuk pranove të zbresësh?- i tha Pashos kryetari.

-Së pari, s’kishte pse të shkoja atje, si mund të shkonja unë në postë, në buzë të kufirit?  Dokumente ishin zyrtare, nënën e  shikoni sa e vjetër është, dhe….

– Mirë, shkoni! – i tha Pashos, kurse  atyre të postës –u tha- kujdes me qytetarët

Pasho arriti vonë në shtëpinë e dajës së tij. Kur hyri në dhomën ku priteshin Burrat, dikush po tregonte se në autobusin e tyre, ishte një diversant. TV gjithë heshtnin, dëgjonin me vëmendje, ata që kishin qenë nq autobus, i ndërhynin njëri tjetrit, kush të thoshte diçka më tepër. Apo nuk ishte një skërhell i gjatë!- tha njëri. Po sa mirë dinte të fliste shqip mor, le po e fliste dhe dialektin tonë, sikur të ishte lindur e rritur këtu mbë  Korrçë, ja priste tjetri.

-I përgatisin me kujdes të madh, diversantët, para se t’i hedhen këtu!- tha një tjetër. , Të gjithë të pranishmit,  dëgjonin me vëmendje të sapo ardhurit..

-Po nga do ketë ardhur, xhanëm?- pyeti një i moshuar.

– Ne, në të katër anët, me armiq jemi rrethuar- tha një tjetër.

-Sido që të veprojnë ata, sigurimit tonë nuk ja hedhën dot- tha dikush.

-Sa te kemi partinë dhe shokun Enver- tha një tjetër- nuk kanë ç’të na bëjnë, sido të mundohen- ja priti tjetri.. Të gjithë i kishte pushtuar historia e agjentit, dhe gëzimi që e kishin kapur..

Pasho po i dëgjonte.

-Le t’i provojë njëherë birucat tona- tha njëri, të “shikojë të mizës”                              atje diversanti sonte. Tërë natën, si arinë do e bëjnë të kërcejë. Sa me qejf që e tregonin, e çfar urrejtje kishin për diversantin që kishte qenë në autobusin e tyre.

-Po hë mere nipçe, si të shkoi rruga- i tha Pashos, daja i tij. Pasho pa i kthyer përgjigje dajos se tij, u drejtua atyre që e treguan historinë e diversantit: -Ju e patë vetë diversantin, apo ua tregoi ndonjë.

-E pamë ore si jo- thanë dy vetë njëherësh.

-Po ç’far burri ishte more aman?- se qenka vërtetë interesant- tha

-Sa një kalë serbi ishte, mbi dy metro- tha tjetri

-Po unë, ngjajë ndo pak me atë diversant-pyeti Pasho.

-Bah, po ç’je ti ore, si ishte ay!

-Bah, po më të mëdhenj e, më të mirë nga ne, nuku janë ata-tha Pasho

-Po, jo bre më të mirë, çne, po të jeshën më të mirë, nuk përfundonin në duart e sigurimit tonë, po ishte i fortë qeni, nuku e nxorën dot  e nuku e nxorën nga autobusi.

-Po sonte ama, do e mallkojë veten që ardhi këtu, do e bëjnë që TV mallkojë veten pse ka lindur!  Sa të gëzuar dukeshin, sa me qejf e sa me urrejtje flitnin për “diversantin”

-Po sikur  ta shikoni atë diversantin, a e njihni?

-Unë jesha pran tij, ja, si kam këtë- bëri me dorë nga ai që kishte pran- kaq afër e kisha.

-Dmth, ti duhet ta njohësh, sikur ta shohësh?

-Si ore jo?

-Edhe unë aty pran tij jesha- tha Pashua – më mbanë mend.

-Jo, nuku të  kam parë- tha

-Mua nuku mu duk si diversant- shtoi Pashua.

-Po çne mo,, ce kot nuk e shqëruanë në degën e brendshme, ay nuku kishte as dokumenta- tha.

-Dokumenta kishte, jo ce nuku kishte-tha Pashua.

-Më vjen keq, me sa shoh unë, tinë nuk ke parë gjë fare- i tha Pashos

– Me sa shikoj unë, jyve nuku keni parë gjë fare, llafosni kot, këta këtu u besojne juve.

Daja e shikoi të nipin- nuk i erdhi mirë që u tha ashtu, miqve.

-Si ore nuk kemi parë, ai u bë shkak që na vonoi shumë,- kërceu një tjetër

-Si duket- tha Pashua-  qenkemi ne diversant se, unë isha ai që deshën të më zbresin, po nuk mundën. Ju, u është bërë mendja vetëm: armiq e diversant, ç’do i panjohur, për ju kështu është. Ata shikuan njëri-tjetrin, shikonin Pashon, nuk po u besonin syve të tyre.

-Po mirë more, pse të bënë gjithë atë presion?

-Pse nuk zbrite ti? Të bëje si të thoshin ata, ishte zgjidhur ajo punë- tha një tjetër.

-Si ore, të shkonja unë në postën kufitare?- tha Pasho

– Po të shkojë o,  ce  mos shkonje! Atje janë njerëzit më të mirë të partisë.

-Mirë more mik i dashur- tha Pasho- po kur të më thoshin atje: ç’ kërkon tinë këtu në buzë të kufirit? Ç’ke bërë mëndë të bësh, ku do të shkonçë në Amerikë apo gjermani? Si të thosha unë?

– Ata, nuk të thoshin kështu se, të morën vetë?

– Po, si thoni ju, kur ata i panë dokumentet e mia, përse më donin te posta? Për sytë e mi, nuk më donin de.  Ata do thoshin se, ky dalka, donte të arratiset dhe e kapëm ne, tani po ua dorëzojmë ju! Kë do besonin ata të degës, mua, apo ata të postës? Sigurisht që atyre do  u besonin! Unë do dënohesha, 25/së vjet, për arratisje, ju do ishit të bindur se ata kapën një diversant, dhe kudo që do bisedonin si po flitnit këtu, të gjithë do u besonin juve.       Kështu si bëra unë, qe rruga më                                  e drejtë se, unë dëmtohesha me pa të drejtë dhe këta këtu, do besonin një histori të pa vërtetë që tregoni ju. Sa histori të tilla kanë ndodhur dhe janë besuar, se njerëzit nuk kanë ditur të vërtetën, dhe kanë besuar ça dëgjoni- tha Pasho. Me sa duket- shtoj Pasho- ne qenkemi diverantët, na marrin si do më merrnin mua, pasi na çojnë te posta, ne dënohemi për arratisje, ju besoni se ka qenë diversant

-Jo, nuk ndodhin këto gjëra-tha daja, për t’u bërë qejfin miqve.

-Nuk ka mundësi, të ndodhë kjo gjë- tha një tjetër

-Po kështu e pësuan dy shokët e mi- tha Pashua. Shokët e mi u dënuan nga 25, vjet, ata u shpërblyen se kapën një “ armik” që po udhëtonte si puna ime, tjerët tregonin histori për diversantin, si po tregoni ju, edhe unë, kam besuar se vërtetë vijnë diversant të na prishin lumturin. Por tani u binda që, përralla paskan qenë te tëra. Por, fati që shokët e mi e pësuan, shpëtova unë.

Flijeni mendjen se vijnë diversant këtu,  ne qenkemi diversantët që kapkan këta. Po mos kisha ngulur këmbë unë, ju me këtë mendja do kish fjetur rehat, se u kap një diversant, edhe do e tregonin këtë histori të rreme, sa herë të mundnit.

Pashua, për fat, jeton akoma.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: A ngjaj si diversant, Shefqet Dobra

ROBERT ELSIE,MIKU I DASHUR I SHQIPTARËVE

October 5, 2017 by dgreca

Robert-Elsie-1-640x504

ROBERT ELSIE – I SAKTI, I URTI, PUNETORI I MADH DHE MIKU I DASHUR I SHQIPTARËVE/2 Thanas-Gjika

-Kujtime nga Thanas L. Gjika/

Të hënë më 2 tetor 2017 vdiq Profesor Robert Elsie, albanologu më i shquar i ditëve tona në një spital të qytetit Bon të Gjermanisë, pasi ishte shtruar për t’u kuruar prej motor neuro disease. Kisha nja tre muaj që heshtja e tij dhe mospërmendja e emrit të tij në shtypin shqiptar, më ngjallte shqetësim. Më shkoi mendja të shkruaja disa kujtime për të dhe t’ia dërgoja si mirënjohje për gjithë atë punë që kishte bërë në disa fusha të albanologjisë. Mirëpo ditët shkonin njëra pas tjetrës duke u marrë sot me një gjë e nesër me diçka tjetër dhe, ja erdhi dita që më duhet t’i shkruaj, pa u konsultuar me të për disa saktësime datash dhe emrash.

Gjatë vizitës së tij të parë

Njohja ime me Robert Elsie-n ndodhi gjatë vitit 1977. Ai kishte ardhur pranë Akademisë së Shkencave për të bërë kërkime e studime lidhur me letërsinë tonë. Donte të mblidhte material për të hartuar një histori të letërsisë shqiptare anglisht, vepër e munguar. Nga ana e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë më ngarkuan mua ta shoqëroja për ta ndihmuar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në Bibliotekën e Institutit tonë…

Më ra në sy kujtesa e tij e fortë, karakteri i tij i qetë, e folura pa nerv. Nuk qeshte me zë, por buzëqeshte heshturazi. Fliste shqip me një fjalor jo shumë të pasur, por i shqiptonte shumë saktë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e gjuhës sonë dhe nuk mund ta dalloje se cila ishte gjuha e tij amëtare. Kisha vënë re se gjermanët, francezët, italianët edhe më shumë rusët e grekët e flisnin shqipen me thekse të ndryshme, që mund t’i dalloje shpejt se cila ishte gjuha e tyre amëtare. Roberti e fliste shqipen pa asnjë akcent gjuhësh të huaja. Kur e pyeta se si e shpjegonte këtë dukuri, më tha se ai ishte rritur në Vankuver të Kanadasë, ku flitej anglishtja, por kishte mësuar që herët gjermanishten dhe gjatë shkollimit frëngjishten, keltishten, italishten, sërbishten, etj. Më sqaroi se shqipen e kishte mësuar kryesisht në rrugë autodidakte dhe se ishte përqendruar në zotërimin e gjuhës letrare të njësuar dhe nuk i njihte ende dialektet. Më shprehu dëshirën se po t’i jepej një bursë mund të bëhej nja dy vjet student në Fakultetin Histori Filologji. Mirëpo kjo mundësi nuk iu dha. Më tej ai erdhi shpesh në Shqipëri dhe Kosovë. Në Prishtinë mori pjesë në Seminaret e gjuhës shqipe që organizonte çdo vit Fakulteti Filozofik gjatë muajve të verës.

Nga pamja e jashtme, nga sjellja shumë e kujdesshme, njohuritë e gjera kulturore, gjuhësore dhe letrare, mosshprehja e opinionit për të tjerët, buzëqeshja e tij disi e ngrirë, më krijuan idenë se ai mund të kishte origjinë hebraike. Mirëpo as gjatë takimeve të atyre ditëve dhe as gjatë takimeve dhe shoqërimeve të mëvonëshme, nuk e pyeta për origjinën e tij familjare. Ai nuk fliste kurrë për familjen e familjarët e tij. Mbante veshur pantallona dhe këmishë që nuk kishin nevojë t’i hekuroste, kurse sandalet i kishte prej një materiali plastik, që nuk kishte nevojë t’i bojatiste.

Një ditë, për të mësuar diçka rreth rinisë së tij, e pyeta:

– A e ke vizituar kryeqytetin e Kanadasë?

Ai m’u përgjigj: “Në brigjet kanadeze të Paqësorit, ka shumë njerëz që lindin, jetojnë, plaken e vdesin pa e parë Otavën, kryeqytetin e shtetit. Unë me katër shokë pasi mbaruam maturën blemë një makinë të re dhe një çadër. Udhëtuam për gjashtë ditë duke fjetur natën në çadrën tonë. Gjashtë ditë kur shkua dhe gjashtë ditë kur u kthyem. Kanadaja është fushë e pamasë. Iknim me orë të tëra dhe në horizont nuk shihnim tjetër vetëm fusha me grurë. Kishim përpara fusha pa fund, horizont i njëjtë, platacione me grurë, herë pak të tatëpjeta e herë pak të përpjeta. Ishte një monotoni. Tani rrugët janë sistemuar më mirë dhe automjetet janë shumë më të shpejtë…

Ne kishim mbledhur jo shumë pare nga punët që kishim bërë gjatë kohës së shkollës, prandaj nuk mund të flinim nëpër hotele. Në hotel fjetëm vetëm në Otava. Shumicën e ushqimeve i blinim gjysëm të gatshme dhe i hanim pa i gatuar”.

Mua nuk m’u durua dhe e pyeta: – Po prindërit, nga ana e tyre nuk ju dhanë para?

– Mbas viteve 1950-1955, më sqaroi ai, mirëqenia e popullit kanadez ishte rritur dhe midis të rinjve u krijua një psikologji sipas së cilës, marrja e ndihmave prej prindërve ishte turp. Sejcili kishte mundësi, që me punën e vet të krijonte të ardhura të mjaftueshme për të jetuar e studiuar si të donte vetë, pra ishim të pavarur nga prindërit.

Jeta disi e ndarë nga bota atje në Vankuverin e largët më nxiti të synoj për të ardhur e jetuar në Europë. Që në fëmijëri më ishte ngulur ideja se Europa ishte pjesa më e mirë e botës.

Kur shkuam tek Biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve, Flutura Greva shefja e bibliotekës, e sqaroi mikun se shkrimtarët, anëtarë të Lidhjes, sipas rregullit kishin depozituar sejcili nga një biografi të shkurtër mbi jetën dhe listën e botimeve të tyre. Roberti ia kërkoi dhe pasi pa disa, iu lut që t’i merrte me vete për të mbajtur shënime. Meqenëse Lidhja nuk kishte makinë kopjimi (kseroks), Flutura ia dha dhe ai i kopjoi mbrëmjeve në hotel dhe paraditeve kur punonte në Bibliotekën Kombëtare.

Kishte një shkrim të vogël, si shkaravitje. Shkruante me dorën e majtë, gjë që më bëri përshtypje, sepse tek ne nuk lejohej të shkruaje me dorën e majtë. Mu kujtua fëmijëria ime, kur isha në klasën e parë. Zonjushja ime, kur më pa se shkruaja me dorën e majtë, më detyroi që të mësoja të shkruaj me dorën e djathtë. Më dha detyrë të mbushja me shkrimin e dorës së djathtë faqe të rëra me gërmat a, A, b, B dhe c, C që kishim bërë deri atëhere…

Në vitet 1970-1980 tek ne nuk kishin hyrë kompjuterat, kurse Roberti punonte në shtëpinë e vet në Gjermani në një kompjuter të vogël. Kjo ia shtonte atij shpejtësinë dhe saktësinë e punës. Gjatë vizitave të para, ai nuk e përmendi faktin se punonte në kompjuter, ndoshta nuk donte të na lëndonte për varfërinë tonë.

Duke pirë kafe një ditë e pyeta:- Si të lindi ideja të merresh me letërsinë shqipe, letërsi e një populli të vogël dhe që është zhvilluar në një gjuhë të vështirë? Me gjuhët që dije, ti mund të studjoje letërsi më të mëdha dhe mund të arrije suksese pa u lodhur të mësoje shqipen e vështirë.

Roberti, më sqaroi:– “Në Europën Perëndimore është vështirë të gjesh tema studimi në fusha si historitë e letërsive dhe historitë kombëtare të popujve. Janë kryer aq shumë studime, sa që studjuesit e kanë vështirë të gjejnë tema studimi. Historia e letërsisë shqipe është një vepër e munguar në anglisht, prandaj mendova se ia vlente mundimi për të mësuar këtë gjuhë me anën e së cilës do të kapja një temë studimi që intereson shkencën dhe kulturën europiane. 

Letërsia shqipe, është letërsi e pasur. Ka shumë popuj në Europë, që janë më të mëdhenj se populli shqiptar, si psh populli hollandez, por ky nuk ka letërsi të pasur si ka populli shqiptar. Populli shqiptar është popull që ka probleme dhe një popull që ka probleme e lëvron letërsinë shumë më tepër se popujt që nuk kanë probleme. Hollandezët janë marrë e merren me pikturë. Kosova zjen, prandaj atje lulëzon poezia”. 

Gjatë vizitave të mëvonshme

Pas vizitës së parë, Roberti erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë më vuri sërisht ta shoqëroja e ndihmoja deri në vitin 1996, kur unë fitova lotarinë amerikane dhe u largova nga Shqipëria.

Ndoshta ishte mars -prill i vitit 1978, mbaj mend se ishte si shoqërues edhe Fatos Beja, punonjës tjetër i Institutit. Pasi vizituam Pazarin dhe Kalanë e Krujës, Roberti hapi bisedën për Bektashizmin. Pyeti nëse kishim parë ndonjë baba teqeje i cili gjatë kërcimit ritual fuste një thikë ose një shtizë nëpër bullçijtë e tij. Unë i thashë se kisha dëgjuar, por nuk kisha parë gjë të tillë. Fatosi i tha se kishte parë një ritual të tillë në një teqe në Gjinokastër kur ishte 14 ose 15-vjeçar.

Kur zbritëm në Fushë Krujë, para se të vijonim rrugën për Tiranë, Roberti kërkoi të ndalonim tek ish Teqeja e bektashinjve. Pyetëm dhe na treguan ku ndodhej. Prej kohësh ajo ishte kthyer në ambjent të një ndërmarrjeje prodhimi. Nuk mbaj mend se si quhej dhe çfarë prodhonte ajo ndërmarrje. Tek hyrja, në të majtë të portës së madhe ishte një pllakë e gurtë e thyer. Gjysma e saj qëndronte në mur brenda një kornize të krijuar nga gurë të skalitur pjesë përbërëse e murit, kurse pjesa tjetër ishte e rrëzuar në tokë, e thyer në disa copa. Në këtë pllakë jepeshin të dhëna në arabisht për atë teqe.

Roberti u afrua dhe u gëzua kur pa se shkronjat ishin të lexueshme. E fotografoi. Pastaj mblodhi copat që ishin për tokë, i afroi, i sistemoi sipas shkrimit dhe e fotografoi dhe atë pjesë.

Pastaj tha se kishte ndjekur një kurs për të mësuar alfabetin e arabishtes dhe se dinte shumë fjalë të asaj gjuhe, gjë që nuk e kishte thënë më parë. Modestia nuk e linte të mburrej e të përmendëte gjuhët që dinte, studimet që kishte kryer, artikujt që kishte botuar, dhe as plane për të ardhmen.

Të nesërmen kërkoi të vizitonte Varrin e Naim Frashërit që ndodhej tek ish Teqeja e KryeGjyshit Botëror. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Mbreti Ahmet Zogu u interesua dhe i solli nga Stambolli eshtrat e Naim Frashërit, autorit të poemës Qerbelaja, një nga poemat më të shquara të Bektashizmit. Ky institucion, pas vitit 1967 ishte kthyer në azil për pleq, kurse KryeGjyshin Botëror, Baba Dedejn, nuk dihej ku e kishin degdisur. Kjo qendër dikur aq e rëndësishme për besimin Bektashi ndodhej në anën lindore të Tiranës mbi vargun e kodrave. Jo larg saj u ndërtuan Uzina Traktori dhe Kombinati Poligrafik.

Shkuam atje, takuam drejtoreshën e azilit e cila na shpuri tek vendi ku ishte Varri i Naimit. Ajo dhe pleqtë azilantë na thanë se aty preheshin eshtrat e poetit, por në shtypin e vitit 1950 ishte shkruar se eshtrat e Naim Frashërit u shpërngulën dhe ishin rivarrosur anës bulevardit kryesor, pranë godinës së Komitetit Qendror të PPSH.

Më 1940, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar, Varri i Naimit te Kryeqendra e Bektashizmit Botëror ishte rindërtuar si dhuratë e Fancesko Jakomonit. Ishte vërtet madhështor. Qeveria komuniste ia kishte dëmtuar madhështinë, por ende dukej që kishte qenë një objekt monumental i rëndësishëm. Roberti nxori aparatin dhe bëri disa fotografi. Duke u kthyer në Tiranë më tha:

– Ky varr nuk e ka vendin këtu, të paktën duhej të ishte tek oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve.

Mirëpo të dy kryetarët e Lidhjes së Shkrimtarëve, as ish kryetari i parë, Dhimitër Shuteriqi njeri me kulturë; dhe as Dritëro Agolli, kryetari aktual i kësaj lidhjeje, ndoshta e dinin ku e kishte vendin Varri i Naimit, por nuk besoj se kishin bërë një vizitë atje për të bërë homazhe me një tufë lulesh.

Sot, indiferenca e tyre e asaj kohe, më kujton faktin se si po këta njerëz të letrave nuk shpunë një tufë me lule gjatë viteve të tranzicionit te memoriali i Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, dy poetëve martirë të diktaturës komuniste në Librazhd…

Duhej të vinte albanologu Robert Elsie që të sugjeronte një vend më të përshtatshëm për varrin e poetit tonë kombëtar. Ndoshta mendimi i tij ndikoi, sepse pak kohë më vonë u krijua tek Kodra e Universitetit vendi memorial i Vëllezërve Frashëri. Aty u vendosën eshtrat e Naimit e të Abdylit, dhe bustet e tyre bashkë me bustin e Samiut, eshtrat e të cilit nuk i dha e as i jep, qeveria turke, me preteksin se Sami Frashëri i përket kulturës dhe shkencës osmane.

Ciganët, janë analfabetë në Shqipëri si në gjithë Europën.

Gjatë një vizite tjetër Roberti këroi të vizitonte Shkodrën, Bibliotekën e Shtetit dhe Institutin e Lartë, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Takoi dhe bisedoi me disa pedagogë, midis të cilëve pati interes për prof. Jup Kastratin, bibliografin e mirënjohur. Mbasdite, para se të niseshim për t’u kthyer, më kërkoi ta shpija tek ish Kisha e Madhe, e cila që nga viti 1967 ishte kthyer në pallat sporti. Brenda saj dëgjohej zhurmë e madhe, bërtitje tifozësh. Po luanin basketboll dy skuadra. Roberti, nxori aparatin fotografik, hyri dhe bëri disa foto.

Gjatë kthimit për Tiranë, aty afër Mamurrasit, pranë një përroi pamë një grup ciganesh pranë çadrave të tyre.

– Ata njerëz janë analfabetë edhe në Shqipëri si në gjithë Europën, tha Roberti.

  • Duke dashur t’i mburresha i thashë se në Shqipëri shkolla 8-vjeçare është e detyrueshme për gjithë fëmijët dhe ciganët nuk ka si të jenë analfabetë.
      • – Në Europë mund të ketë analfabetë, por tek ne, nuk ka, shtova unë.
    • Roberti tha:
        • – Nuk beson? Po deshe shkojmë t’i pyesim. 
      • I thashë shoferit ta ndalte makinën dhe zbritëm. Mora një libër në dorë dhe iu afruam një grupi me vjaza ku midis tyre ishte një 15-vjeçare. Iu afruam dhe më dhe duke i treguar librin, iu luta të lexonte titullin e librit. Ajo qeshi dhe tha:
        • – Po ku di unë të lexoj.
        • – Si nuk di, ti a e ke mbaruar shkollën 8-vjeçare? Gati i bërtita.
  • – Shkollën e kam mbaruar, po nuk kam bërë kurrë detyra me shkrim, nuk kam zënë libër me dorë. Kam mësuar vetëm ato që kam dëgjuar nga shpjegimi dhe më kanë kaluar nga një klasë në tjetrën. As motrat, as shoqet dhe as vëllezërit e mij, as mamaja e as babi nuk dijnë të lexojnë e të shkruajnë.
    • Më e pabesueshme ishte kur i thashë nënës së saj, një grua e re nja 35 vjeçe të afrohej e të lexonte fjalët PARTI – POPULL – ENVER, që ishin shkruar me shkronja të mëdha me gurë të lyer me gëlqere të bardhë te faqja e një kodre përballë. Edhe ajo tha se nuk i njihte shkronjat e nuk dinte ta lexonte.
    • – Mos ngul këmbë, më tha Roberti, ky popull nga që nuk e shkruan gjuhën e vet, nuk përpiqet të mësojë si të shkruajë e lexojë gjuhën e vendit ku jeton. Kjo është dukuri e ciganëve në mbarë Europën.

Unë punoj vetëm disa ditë në muaj

Kisha vënë re se Roberti nuk ishte person i pasur, se bënte një jetë modeste, por që kuptpoet, dallonte shumë nga jeta tepër e varfër e ne studiuesve shqiptarë. Një ditë guxova dhe e pyeta se ku jetonte dhe ku punonte për të siguruar të ardhurat e nevojshme për jetën.

– Unë jetoj në një fshat të vogël pranë Bonn-it. Atje nuk kam shokë intelektualë, bëj jetë të shkëputur nga banorët. Jam studjues i lirë. Lexoj e shkruaj ç’ të dua. Eshtë një komshie plakë e cila më afrohet e më bën nga njëherë muhabet. 

Për të më shuar kuriozitetin se ku punonte dhe si i siguronte të ardhurat, shtoi:

– Unë nuk jam i punësuar në asnjë institucion shkencor, por për të sigurar të ardhurat e nevojshme për jetesën, punoj si përkthyes për qeverinë gjermane, ose ndonjë gjykatë, sa herë ato kanë nevojë. Një ditë pune në këto raste paguhet 1.000 (njëmijë) marka gjermane. Me katër ditë pune të tilla unë plotësoj nevojat e mia për gjithë muajin, madje kursej dhe disa marka për udhëtimet.

Pra ky studiues ishte krejt i pavarrur, i pavarrur në zgjedhjen e temave të studimit, i pavarrur dhe nga disiplina e një rrogëtari. Ndoshta kjo pavarësi i krijonte ndonjëherë vështirësi ekonomike, sepse po të mos e kërkonin si përkthyes, ai nuk kishte si jetonte. Një jetë e tillë ishte krejt e pakuptueshme për ne punonjësit e instututeve shkencore shtetërore, të cilëve temat e studimit dhe të ardhurat ekonomike na i caktonte drejtoria e institutit. 

Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen të mbekullueshme 

Gjatë vitit 1992 Roberti erdhi dy hetë. Herën e parë në verë e pastaj në nëntor. E pyeta për emigrantët tanë në Gjermani. Më tha se kishin ambicie, se përpiqeshin të mësonin gjermanishten dhe shumë prej tyre kishin filluar punë. Pastaj shtoi: – Ty nuk të shau e nuk të kritikoi asnjë prej tyre.

Kuptova se emigrantët tanë i kishin marrë në pyetje për të dhënë opionin e tyre për njerëzit që njihnin, ose për njerëz që interesohej shteti gjerman.

I thashë se jeta jonë në Shqipëri ishte vështirësuar shumë ekonomikisht dhe po të hapeshin edhe një herë ambasadat, do ikja edhe unë me familjen.

– Mos u ngut, më tha, rri, sepse në Gjermani mendohet që Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen, pas 20 vjetësh, të mbrekullueshme.

Mirëpo një e ardhme e tillë pas 20 vjetësh, ishte menduar sepse në Gjermani kujtonin se shqiptarët do të ecnin sipas rrugës gjermane, pra do ta dënonin krimin komunist dhe do t’i futeshin punës me ndershmëri e seriozitet si gjernmanët.

Mirëpo pas dy vjetësh, pra më 1994, duke parë korrupsionin dhe mungesën e dëshirës te pushtetarët shqiptarë për krijimin e shtetit ligjor, po në Gjermani, më tha Roberti, u krijua opinioni i kundërt, sipas të cilit Shqipëria ishte kthyer në një kazan plehrash.

Në nëntor të vcitit 1992 u zhvillua një takim shkencor me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. U diskutua problemi nëse gjuha letrare me bazë toskërishten e kishte kryer deri atëhere detyrën e saj, apo duhej ndërruar baza e saj me gegërishten.

Gruaja ime, Julia, më tha që t’i ftonim për drekë disa studiues nga Kosova dhe Robert Elsie-n. Kështu gjatë drekës Roberti dhe profesorët Sadri Fetiu, Agim Vinca, Abdullah Zymberi u njohën me Julian, vajzën dhe djalin tonë dhe me nënën time. Studiuesit kosovarë flisnin lirshëm, kurse Roberti dëgjonte.

Kur ikën, Julia tha: “Roberti nusëroi si nuse e bukur, si nuk foli fare.”

Robert Elsie ishte ateist

Në vitin 1992 në Shqipëri u lejua rihapja e institucioneve fetare. Erdhën fetarë protestantë ku bënin pjesë dhe misionarët e kishës Advendiste të ditës së shtunë, besim që nëna jonë e kishte përqafuar që në vitet 1935-1936. Ajo filloi të shkonte rregullisht në takimet e së shtunave, që oranizoheshin në salla të ndryshme që merreshin me qira. Vëllai im i madh dhe unë që jetonim në Tiranë filluam ta shoqëronim nënën në këto takime. Predikimet mbaheshin anglisht prej misionarëve të huaj dhe përktheheshin shqip prej disa djemve e vajzave të reja. Ne na interesonte ushtrimi i veshit në anglisht, gjuha që mori përhapje të shpejtë tek ne pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste. E shtuna ishte shpallur ditë pushimi bashkë me të djelën, kështu që kishim mundësi të kalonin disa orë në ato salla predikimi.

Një të shtunë gjatë vitit 1994, kur po kthehesha nga një ceremoni e tillë predikimi, takova Robertin pranë Hotel Tiranës. Pasi mori vesh se unë vija të shtunave dhe dëgjoja predikimet fetare, më tha:

– Mos i merr seriozisht predikimet fetare, se mund të të shpëlajnë trutë dhe nuk do çash më kokën për shkencë. Unë nga ana ime jam ateist, por po të më duhej të përqafoja një besim fetar, do të përqafoja Budizmin, e mbylli ai bisedën.

History of Albanian Literature / Histori e letërsisë shqiptare

Në vitin 1995 Robert Elsie e kurorëzoi punën e tij për hartimin e historisë së letërsisë shqiptare. Atë vit ai e solli veprën e tij anglisht në dy vëllime, botim i COLUMBIA UNIVERSITY PRESS, USA.

Mu bë shumë qejfi, kur autori më dhuroi një kopje të saj. Unë sa kisha mbaruar së studiuari një metodë të anglishtes me 52 mësime, sepse po përgatitesha për lotarinë amerikane.

Vepra më mahniti me informacionin e madh mbi shkrimtarët shqiptarë të të gjitha kohëve dhe të të gjitha teritorreve, me fotografitë e shumta, shumë prej të cilave ishin të panjohura për ne studjuesit e institutit. E ndjeva për detyrë që kësaj dhurate t’i përgjigjesha me një recension. Duke qenë se e njihja lëndën, m’u krijua ideja se kisha ecur mirë në anglisht. Recensioni u botua së pari te gazeta “Rilindja” e Prishtinës, e cila për shkak të përndjekjes në Kosovë, botohej në Tiranë. Një variant më të plotë e dorëzova në revistën shkencore të Institutit “Studime Filologjike” e cila delte tashmë vetëm dy herë në vit dhe me shumë vonesë. Numëri 2 i vitit 1995, ku u caktua të botohej recensioni, nuk ariti të delte nga shtypi as në fillim të korrikut 1996, kur unë me familjen u largova për SHBA.

Miqësinë e vijuam edhe pas vendosjes sime në Amerikë. Më 1998 më dërgoi veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare” përkthyer shqip prej Abdurrahim Myftiut, botim i shtëpisë DUKAGJINI Tiranë – Pejë 1997.

Pasi e falenderova, i shkrova se fabrika ku punoja në turnin e tretë u mbyll dhe kisha filluar të punoja si pjatalarës në një restorant. Moszotërimi i anglishtes në nivel të lartë po më pengonte për t’u punësuar në ndonjë punë intelektuale. Roberti m’u përgjigj me të qeshur:

– Mos u mërzit, shumë emigrantë në Amerikë, që punojnë pjatalarës, bëhen shpejt a vonë pasanikë.

Herë pas here këmbenim e-maile, por fatkeqësisht ato që u shkruan në kompjuterin e vjetër, nuk i ruajta. Për herë të fundit e takova në Tiranë gjatë vizitës që bëra më 2008. Unë dhe historiani Iliaz Gogaj po ecnim në rrugë pranë shkollës Sami Frashëri. Roberti na doli para papritur. Pasi u përshëndetëm, Iliazi nxori nga çanta një kopje të librit që kishte botuar atë vit dhe filloi të shkruante dedikimin për t’ia dhuruar Robertit.

Të gjithë studiuesit shqiptarë të fushave humane e deshin dhe e respektonin shumë këtë albanolog dhe i dhuronin me qejf librat e tyre. Madje unë, më 1994 i pata dhuruar dhe një punim në bakër në formë disku, basorelev me temë Gjergj Elez Alia e Bajlozi, vepër e artistit Tirana.

Duke dashur të bëja shaka, i thashë Iliazit:

– Iliaz, ne e duam dhe i dhurojmë libra Robertit, por atij i japin aq shumë libra sa nuk ka mundësi t’i lexojë.

Roberti nuk ma mori për keq dhe nuk reagoi me ndonjë thumb. Ndoshta e kuptoi që më kishte mbetur qejfi për dërgimin e librit tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” MEDAUR Tiranë 20107, të cilin ia kisha dërguar një vit më parë duke iu lutur që ta dorëzonte në Tybingen University, ku kishte specialistë që mund të më ndihmonin për ta bërë problem të shkencës europiane çështjen e vizitave të Shën Palit në territoret ilire, gjë që unë e kisha trajtuar me shumë argumente në atë studim.

– Me të vërtet kohën e kam shumë të pakët, e mori fjalën miku ynë. Nga librat që më dhurohen lexoj vetëm ndonjë që lidhet drejtpërdrejt me synimet e mia. Po më shtohen shumë punët. Më duket se nuk do t’i botoj dot gjithë ato studime që synoj të hartoj.

Letrën e fundit ia dërgova me e-mail më 29 shkurt 2016, ora 10:17 AM . Iu luta që të shkruante kujtimet e tij për Profesor Eqrem Çabejn. E sqaroja se kisha idenë që të shkruheshin kujtime prej atyre që e kishin njohur nga afër, sidomos prej kolegëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Ia vlente të përgatitej një libër me kujtime për këtë personalitet të shquar të shkencës shqiptare.

Roberti m’u përgjigj që atë mbrëmje, ora 11:16 (këtu ora 5:16 AM e datës 1 mars). Më falenderonte për letrën, më uronte për idenë, por më sqaronte se ishte shumë i zënë me projete të ndryshme dhe konkretisht profesorin e kishte takuar vetëm një herë. Disa muaj para se profesori të largohej nga jeta, në një takim me shkencëtarë gjermanë në Universitetin e Bonn-it, por që nuk i kujtoheshin hollësira. Më uronte që kjo vepër të kryehej me sukses dhe sugjeronte që të përkthehej dhe në anglisht…

Po i mbyll këto kujtime duke shprehur pakënaqësinë time ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe instituteve shkencore të saj, sepse kam vënë re se këtë albanolog të shquar, që na solli aq shumë materiale të panjohur dhe studime të shumtë e të shumanshëm, e ka vlerësuar më shumë Akademia dhe institucionet shkencore të Kosovës se sa ato të Shqipërisë. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, nuk është trajtuar jeta dhe ndihmesa e tij e shquar në albanologji. Kam frikë se kjo akademi nuk do të interesohet për të sjellë në Shqipëri krahas eshtrave të tij dhe gjithë bibliotekën e tij, dhe fondin e letrave, fotografive dhe të shkrimeve të tij të pabotuara…

Mezi pres të shkoj në Tiranë e të vendos një tufë lulesh te varri i këtij studiuesi, i cili me jetën dhe veprën tij u shqua për saktësi, urtësi, punë të madhe dhe dashuri ndaj popullit tonë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i studiuesit Robert Elsie-t!

Filed Under: Politike Tagged With: i shqiptareve, MIKU I DASHUR, Robert Elsie, Thanks L. Gjika

HUMBJE E MADHE PËR KULTURËN DHE SHKENCËN

October 5, 2017 by dgreca

2 elsiePërkujtoi Robert Elsie pga Akademia e Kosovës/

Nga Hivzi ISLAMI-Kryetar i Akademise/

Të nderuar kolegë dhe miq,

Me 2 tetor 2017 u shua njëri nga albanologët më në zë të kohës sonë, kanadezi me banim në Europë, kryesisht në Gjermani, studiuesi, përkthyesi, hulumtuesi i palodhshëm i arkivave dhe dokumenteve të hershme që dëshmojnë kulturën dhe traditën e lashtë shqiptare në këto troje, Dr. Robert Elsie, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga viti 2000.Ju ftoj që me një minutë heshtje të nderojmë personalitetin e tij!

Lavdi!

Dr. Robert Elsie ishte jo vetëm studiues dhe hulumtues i gjithanshëm, por edhe miku dhe kolegu ynë, i afërt dhe i pranishëm në shumë aktivitete të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i angazhuar dhe i përkushtuar për të na mbajtur krahun edhe në momentet më të vështira. E kemi konsideruar gjithnjë si pjesë të rrethit tonë.

Veprimtaria e dr. Elsie-t dhe interesimet e tij për gjuhën, letërsinë, historinë dhe traditën shqiptare janë aq të gjera sa ndonjëherë kapërcenin dhe kufijtë disiplinorë. Në kërkimet e tij në arkiva dhe dokumente të hershme ai mblidhte, sistemonte dhe publikonte kontribute të veçanta, nga ato gjuhësore, historike, etnografike deri te zhvillimet më të reja të artit dhe të letërsisë sonë. Veçanërisht për ne janë të rëndësishme interesimet e tij për Kosovën, studimet e gjithanshme dhe përkthimet e autorëve tanë në gjuhë të tjera. Janë të shumtë botimet e hartuar apo të përgatitur nga Elsie që panë dritën edhe tek botuesit kosovarë në shqip, apo në gjermanisht, frëngjisht e anglisht dedikuar lexuesve të huaj apo komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. Dr. Elsie mbetet pa dyshim përhapësi më i madh i kulturës shqiptare në botë.Për jetën dhe veprën e dr. Robert Elsie-t do të flasë akademik Rexhep Ismajli.

***

HUMBJE E MADHE PËR KULTURËN DHE SHKENCËN./

NGA REXHEP ISMAJLI

Më 2 tetor 2017 në Bonn të Gjermanisë u nda nga jeta gjuhëtari, intelektuali, keltologu, poligloti, albanologu, studiuesi frymëgjatë i gjuhës dhe i kulturës shqiptare, përhapësi i pashoq i vlerave të saj, prezantuesi i historisë së dokumentuar të popullit shqiptar, përkthyesi i zellshëm i letërsisë shqipe në gjuhët angleze dhe gjermane, përkthyesi i letërsisë greke në gjuhën gjermane, miku i madh i botës shqiptare, anëtari i jashtëm i ASHAK-ut, dr. Robert Elsie.

Ndryshe nga kohët kur me Robertin komunikonim nga larg lidhur me projektet e punës, shumë shpesh dhe lidhur me gjendjen që na kishte kapluar në vitet ’90 të sh. XX, në kohë më të vona qe bërë e zakonshme të komunikonim për projektet e radhës në fushën e studimeve shqiptare. Sapo mbaruam diskutimet për përkthimet e biblës nga Todhri, për botimin e ori- gjinalit me transliterim dhe përkthim anglisht në vizitën e tij në nëntor 2016, Roberti më çonte dorëshkrimin për alfabetet e shqipes, libër që ndërkohë doli nga shtypi po ashtu. Javën që shkoi po komunikonim lidhur me programin e Konferencës së këtij muaji për studimet albanistike në botën ku flitet gjermanishtja, dhe po bënim llogari për bashkëpunime të mëtejme, Roberti nuk përtoi të çonte mesazhin vlerësues për përgatitjet e konferencës, por njëherësh tregonte se ndodhej në spital dhe nuk e dinte nëse do të ishte në gjendje të vinte vetë. Vetëm tri ditë pas kësaj na erdhi kumti i zi. Krejt i papritur dhe në valën e aktivitetit të tij, në kulmin e pjekurisë intelektuale me horizont të pritjes reale për shumë vepra me vlerë që do të na sillte. Si gjithnjë, në takimet e fundit në nëntor qe i qetë, i afërt, plot kërshëri dhe bindje për punët në vijim.Në Arkivin e Akademisë, gjeta motivimin për pranimin e Robert Elsie-s anëtar të jashtëm të ASHAK-ut të fundit të tetorit të vitit 2000, ku, ndër të tjera shkruhej: “veprimtaria e tij , në kulmin e pjekurisë intelektuale me horizont të pritjes reale për shumë vepra me vlerë që do të na sillte. Si gjithnjë, në takimet e fundit në nëntor qe i qetë, i afërt, plot kërshëri dhe bindje për punët në vijim.Në Arkivin e Akademisë, gjeta motivimin për pranimin e Robert Elsie-s anëtar të jashtëm të ASHAK-ut të fundit të tetorit të vitit 2000, ku, ndër të tjera shkruhej: “veprimtaria tij, në kulmin e pjekurisë intelektuale me horizont të pritjes reale për shumë vepra me vlerë që do të na sillte. Si gjithnjë, në takimet e fundit në nëntor qe i qetë, i afërt, plot kërshëri dhe bindje për punët në vijim.

Në Arkivin e Akademisë, gjeta motivimin për pranimin e Robert Elsie-s anëtar të jashtëm të ASHAK-ut të fundit të tetorit të vitit 2000, ku, ndër të tjera shkruhej: “veprimtaria e dr. Robert Elsie është e shumanshme dhe e gjerë. Ndihmesat e tij në fushën e albanologjisë janë të rëndësishme, sidomos në fushën e studimeve historiko-letrare, po edhe në fushën e historisë së kulturës. Informimet e shumta dhe shpesh depërtimet në institucione, biblioteka apo mjedise të tjera ku mund të gjenden vlera të shkruara jo mjaft të njohura për kulturën dhe historinë shqiptare ia shtojnë edhe më shumë peshën punës së tij tejet të frytshme… Për kulturën shqiptare rëndësi të veçantë ka dhe puna e tij në përkthimin, përhapjen dhe interpretimin e vlerave të letërsisë dhe të kulturës shqiptare nëpër botë, por nuk duhet të harrohet as ndihmesa e tij e drejtpërdrejtë për afirmimin e çështjes së Kosovës. Nuk ka dyshim se të gjithë punën e tij albanologjike e shquan një dashuri e jashtëzakonshme për kulturën dhe për popullin shqiptar”. Thelbi i këtij vlerësimi të bërë 17 vjet të shkuara në Ko- sovën e sapo dalë nga lufta sot vjen e rritet ndjeshëm, për të na bërë më të rëndë ndjenjën e humbjes së tij të parakohshme.

Robert Elsie lindi në Vankuver të Kanadasë më 1950, ku bëri studime për filologji klasike dhe gjuhësi, për të vazhduar më tej paralelisht me studime për gjuhësinë e krahasuar dhe nxënien e gjuhëve të ndryshme, ku hynin frëngjishtja, spanjishtja, gjermanishtja, italishtja, rusishtja, gjuhët baltike, gjuhët keltike, greqishtja, më vonë dhe gjuhët e tjera të Ballkanit, përfshirë shqipen, që u bë përqendrimi i tij më frymëgjatë. Në Universitetet e Berlinit, të Bonit e të Parisit studioi dhe sanskritishten, bretonishten, apo gjuhët e zhdukura të Europës jugore. Specializimin në gjuhësi të krahasuar e përfundoi me tezën e doktoratës për Raportet dialektore në goidelikishte, studim në dialektologjinë kelte në Bonn, që u botua më 1986. Në Bonn studimet për gjuhësinë e krahasuar në atë kohë i drejtonte Johann Knobbloch, gjuhëtar i shquar, ish-nxënës i N. Jokl-it. Kontaktet e tij me botën shqiptare në Tiranë e në Prishtinë i hapën Robertit një horizont të ri interesimesh – atë të gjuhës shqipe. Kështu keltologu mori udhën drejt albanologjisë. Nga vitet 1978/79 Roberti, megjithë angazhimet e tjera, po zhytej gjithnjë e më shumë në studimet për shqipen dhe shqiptarët. Paralelisht ndërmerrte vizita në Tiranë dhe në Prishtinë, sidomos në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, po edhe në veprimtari të tjera. Me kohë u specializua në fushën e përkthimeve, qoftë në veprimtaritë konkrete, apo edhe gjithnjë e më shumë në fushën e letrave dhe të kulturës. Përkthimet simultane R. Elsie i ka ushtruar në kontaktet qeveritare gjermano-shqiptare, po më vonë sidomos për nevojat e Gjykatës së Ha- gës, të NATO-s, të BE-së e të Këshillit të Europës dhe të instancave të ngjashme të niveleve më të larta ndërkombëtare.

Profili i tij prej studiuesi është i gjerë, kështu që ndihmesat e tij në albanologji shtrihen në shumë aspekte, në radhë të parë në fushat e studimit të letërsisë, të studimit të kulturës, të folklorit dhe të mitologjisë shqiptare, në fushën e gjuhës, etj. Njihet si hulumtues këmbëngulës i dokumenteve dhe i dokumentimit të historisë shqiptare dhe i botimit të dokumentacionit në origjinalin e tij, po shpesh dhe me përkthime qoftë anglisht, qoftë shqip. Në fushën e studimeve letrare ai njihet me veprën e tij Historia e letërsisë shqiptare anglisht të botuar më 1995 në 2 vëllime te Boulder dhe të shpërndarë nga Columbia University press në New York. Kjo vepër u përkthye dhe u botua te Dukagjini më 1997 me përhapje në tërë hapësirën shqiptare. U përkthye polonisht për nevoja të studentëve të Universitetit të Torunjit. Mëtesa e autorit ka qenë të bënte një vepër gjithëpërfshirëse, nga fillimet e shkrimit shqip e deri sot, të paanshme, e mbi të gjitha me shënime sa më të plota e bibliografi shumë të pasur, në shumë aspekte shteruese. Tek i njëjti botues ai nxori më 1996 veprën Studies in Modern Albanian Literature and Culture me studime e recensione për letrat shqipe të botuara më parë në World Literature Today (ka një botim shqip te Buzuku, Prishtinë, 1995). Një version të shkurtë të Albanian Literature. A Short History, e botoi në Londër më 2005. Në këto vepra ai ka bërë sintezën e punës së tij shumëvjeçare me paraqitjen e letërsisë shqipe në botë Aspekt tjetër të studimeve të tij paraqesin hulumtimet për folklorin, kulturën popullore dhe mitologjinë, për çka po ashtu ka lënë vepra me vlerë. Te New York University Press ai më 2001 botoi veprën dyvëllimëshe A Dictionary of Albanian Religion, Mythology, and Folk Culture, për të vazhduar me serinë e veprave të karakterit enciklopedik shumë të rëndësishme për përhapjen e dijes dhe të ideve për popullin, kulturën dhe gjuhën shqipe: Historical Dictionary of Albania, Oxford 2004, Historical Dictionary of Kosova, Oxford 2004 me botime të zgjeruara më 2011, A Biographical Dictionary of Albanian History, London, etj.

Një aspekt me shumë rëndësi në punën e Robert Elsie-s paraqet veprimtaria e tij shumë e gjerë në fushën e mbledhjes dhe të botimit të dokumentacionit për historinë dhe zhvillimet ndër shqiptarë, të paraqitur dhe në gjuhën angleze. Në këto hulumtime të tij mbisundon vështrimi gjithëshqiptar, trajtimi i botës shqiptare nga një vështrim i jashtëm, por si një tërësi. Në këtë fushë do të veçoja librin e vitit 1997 të botuar në Nju Jork “Kosovo in the Heart of

the Powder Keg”, ku botës iu paraqitën jo vetëm pikëpamjet e shqiptarëve, po edhe dokumentet e programet përmes të cilave dëshmohen zullumet gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe projektimet nga instanca shtetërore të spastrimeve etnike, si ato të E. Durham, të Leo Freundlich, të Gj. Bisakut-Sh. Kurtit-L. Gashit, të V. Čubrilović-it, e të I. Andrić-it. Pastaj veprën Early Albania. A reader of Historical Texts 11th-17th Centuries, Wiesbaden, 2003 dhe librin me dokumente për fatin e çamëve dhe të gjenocidit ndaj tyre, të përgatitur bashkë me B. Destanin “The Cham Albanians of Greece”, London 2013.

Robert Elsie ka botuar dhe një varg veprash të tjera në këtë fushë dhe ka qenë vazh- dimisht i angazhuar në përhapjen e së vërtetës së shqiptarëve edhe në kohët më të vështira për Kosovën. Në një prej reagimeve të tij publike për gjendjen në Kosovë në Londër e në New York më 1992, të pare nga Hotel Grand i Prishtinës, Elsie vlerësonte: “The spectre of nazi Germany arose before me as I watched the guests… I pictured myself in the 1930s in an elegant restaurant in Berlin… in a hotel recently made judenfrei”.1 Dhe nuk pushoi së ndihmuari gjithandej dhe me të gjitha fuqitë e tij për çlirimin nga gjendja ku ishte pllakosur  Pamje të Gjermanisë naziste u shfaqën para meje derisa po shikoja mysafirët… E përfytyrova veten në vitet ’30 në një restorant elegant në Berlin… në një hotel që tani ishte bërë i lirë nga çifutët.

 

4

të njohura apo të mbetura dorëshkrim nga e kaluara, ndër të cilat do të shquaja botimin e Kujtimeve të Baron Nopçës, të Historisë së Shqipërisë të Faveyrial-it, etj. Më duket se me rëndësi jo të vogël janë ndihmesat e tij në gjurmimin dhe botimin e fotografive të hershme nga bota shqiptare, punë që deri tash ka mbetur unikale.

Si studiues Elsie ishte formuar për gjuhësi krahasuese indoeuropiane. Në fillimet e tij shqipen e shihte më parë në këto suaza, por shumë shpejt iu kthye një kuadri më të përgjithshëm të studimeve të shqiptare. Rëndësi kanë studimet e tij për aspektet kulturore dhe të shkrimit të hershëm të shqipes, të dokumentimit të hershëm, por edhe studimet për emrat e

lumenjve, apo ato për shqipen tek E. Çelebi. Pak para vdekjes ai na la dhe dy vepra për këto aspekte: “Early Albanian Bible Translations in Todhri Script”, London 2016, në të cilën sjell kopjen që ia doli ta gjente në arkivat për von Hahn, e që mendohej të ishte zhdukur. Ai kështu sjell një zbulim të rëndësishëm për shkrimin original të sh. 18 nga Todhri, pastaj “Albanian Alphabets: Borrowed and Invented”, London, 2017, ku jep një pasqyrë të gjithanshme të alfabeteve me të cilat u shkrua shqipja. Është marrë dhe me leksikun e besi- meve dhe të mitologjisë, etj. Këto kohët e fundit, në kuadër të punës së tij të gjerë për paraqitjen e kulturës dhe të botës shqiptare përmes internetit, ai hapi dhe një sajt “Albanian Language”, ku jepen shënime hyrjeje për gjuhën shqipe, me elemente të dëshmive historike. Aty ka dhe një nismë shumë të lavdërueshme lidhur me dialektet e shqipes: ai ka sjellë një material audio për të folme shqipe të mbi 150 pikave, qoftë të vjela nga ai vetë, qoftë nga të tjerë.

Ndihmesat e Robert Elsie-s për njohjen ndërkombëtare të kulturës dhe të botës shqiptare kanë qenë të jashtëzakonshme dhe në drejtime të ndryshme. Do të përmendja me

këtë rast përkthimet e tij gjermanisht të veprave Migjenit, të tregimtarëve të sh. XX, por pastaj sidomos anglisht të veprave të Migjenit, të E. Koliqit, të F. Brovinës, të A. Podrimjes, të Gj. Fishtës, të këngëve kreshnike, të E. Bashës, të F. Kongolit, të tregimeve shqiptare, të V. Zhitit, të A. Shkrelit, të J. Nezirajt, e të tjerë. Sukses më vete paraqet përkthimi i kryeveprës “Lahuta e Malcís”. Le të përmendim rrugës se ai ka përkthyer gjermanisht veprën

5

e plotë të poetit të madh grek Konstatntin Kavafis, ashtu si dhe poezinë sorabe. Përveç përkthimeve në vepra të veçanta, ai ka bërë shumë përkthime të tjera nëpër revista të ndryshme në Gjermani, në Amerikë, etj. Ka përhapur informacione për letërsinë shqiptare nëpër të gjitha hapësirat e mundshme ndërkombëtare, po edhe përmes internetit në sajtin e tij Albanina Literature in Translation, ku përfshihen shumë vepra që dalin për herë të parë anglisht. Kur jemi te sajtet, do të doja të përmend me këtë rast punën e tij jashtëzkaonisht shumë të dobishme në sajtet Albanian Art, Texts and Documents of Albanian History, Early Photography in Albania. Në këtë pikë ai ka qenë një hap më përpara se të gjithë ne që

merremi me studime të këtij lloji, duke përfituar nga përparësitë e teknologjisë së kohës për përhapjen e pakonkurrencë të dijeve e të informacionit për kulturën, gjuhën, letërsinë dhe botën shqiptare.

Robert Elsie-n e njoh nga viti 1979, kryesisht nga Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, nga konferencat e ndryshme shkencore ndër ne dhe në botë, nga takimet në vizitat e tij në Kosovë. Ishte njeri jashtëzakonisht i qetë, i vëmendshëm dhe i interesuar. Ishte i saktë dhe i përgjegjshëm për punën që bënte. Ishte dashamirës dhe kishte dëshirë të ndihmonte, prandaj dhe kishte zënë shumë miqësi me shqiptarët gjithandej. Gjatë ditës së djeshme kemi marrë telefonata nga studiues arbëreshë për të shprehur ngushë- llimet e tyre (e dinin se ishte anëtar i jashtëm i Akademisë sonë) dhe keqardhjen për humbjen e një njeriu kaq të dashur dhe për arbëreshët.

Shuarja e tij është një humbje e madhe për albanologjinë në përmasat ndërkombëtare, është humbje e një miku të madh të botës shqiptare, e një dijetari të papërsëritshëm. Vepra e

tij do të vazhdojë të rrezatojë dritë, dije e informacion për botën shqiptare

Filed Under: Analiza Tagged With: Humbja e Robert Elsie, Rexhep ismajlaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT