• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2018

MARSI, PRANVERA E LIRISË

March 19, 2018 by dgreca

Nga Azgan HAKLAJ/

Azgan-Haklaj-1

 Besë me Atdheun dhe Flamurin/

Në kalendarin Europian Marsi  është  muaji i tretë i  vitit, Perëndi e  Luftës për romakët e lashtë . Dita e  Sulltan Novruzit apo ditëlindja e Imam Aliut në botë. Në këtë ditë ҫdo gjë rigjallërohet, lind shpresë, ringjallje për gjithë  njerëzimin. Novruz do të thotë ditë e re, është  festa e Bektashizmit, e dekretuar si festë zyrtare në vitin 1996 në Shqipëri.

22 Marsi, Ditëlindja e Imam Aliut, është  dhe Dita e fitores së PD-së, Partisë Misionare të Kombit Shqiptar, që shembi diktaturën më të egër, komunizmin në Shqipëri.

Marsi  është  për Shqiptarët muaji i ngjarjeve dhe personazheve të mëdha, të cilat shndritin fort dhe përgjithmonë në  qiellin Shqiptar. Në  krye të vendit qëndron  natyrshëm   2 marsi I vitit 1444  i Besëlidhjes së  Lezhës ,  vepra e parë e pavdekshme e Heroit Kombëtar,  Gjergj  Kastriotit – Skënderbeut.

Nëse Shqiptarët Historia i ka qortuar shpesh për  vonesë e përgjumje, muaji i parë i pranverës i ka gjetur përherë në këmbë në kuvende e beteja të mëdha për mbrojtjen e lirisë dhe trojeve etnike.

Betejat e përgjakshme të  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit .

Kryengritja e  Malësisë së Madhe, e udhëhequr nga Dedë Gjon Luli, që filloi më 25 mars 1911.

“Epopeja e Jasharëve”, mw 5-6-7 mars 1998-të dhe e Haradinajve, më 24 mars 1998.

Rënia heroike e Njazi Azemit, më 26 mars 2001, për mbrojtjen e të drejtave  të shqiptarëve në Preshevë e që janë  finalizimi i protestave.

Në Prishtinë, në marsin e vitit 1981 dhe 1999, jehuan krismat e para të  pushkëve të lirisë në Kalanë  e Tetovës gjatë protestave të shqiptarëve në Tetovë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga delegacionet  shqiptare-angleze  dhe amerikane, më 18 mars  1999-tës,  që i hapte rrugë qëllimit të bombardimit të NATO-s mbi Serbinë, më datë 24 mars 1999, na kujtojnë se pa marsin nuk do të kishte liri për Shqiptarët.

7 marsi 1887–ës, Ditëlindja e Shkollës së Parë Shqipe, na sjell në kujtesën tonë historike devizën e madhe të rilindasve mendjendritur me pushkë e penë për Mëmëdhenë.

Alfabeti dhe shkronjat shqipe janë po aq të rëndësishme sa pushka dhe baruti  i trimave që i  dolën për zot Atdheut dhe u flijuan për Lirinë.

Ky muaj  i heroizmit, i patriotizmit dhe i vizionit të shqiptarëve për liri, na sjell në kujtesën kolektive figurat e mëdha të Popullit Shqiptar në një shtrirje kohore 600 vjeҫare. Skënderbeun e madh, Ali Pashë Gucinë, Bajram Currin, Idriz Seferin, Dedë Gjon Lulin, Preng Calin, Adem Jasharin dhe familjen e tij martire, familjen Haradinaj e Njazi Azemin.

Marsi i 1444-ës mbeti flakadani i lirisë i pashuar në shekuj. Ashtu si në Greqinë e lashtë, trimat e Shqipërisë  morën flakën Olimpike për ta shpërndarë në ҫdo cep të trojeve amtare e për të ngritur peshë zemrat e  shqiptarëve përballë armiqve të egër dhe të armatosur deri në dhëmbë.

Më 14 mars 1847 lindi dhe 25 mars 1927 ndërroi jetë udhëheqësi i  kryengritjeve të Shqiptarëve, Idriz Seferi, i cilësuar si kalorësi  i Karadakut  nga shkrimtari  Ibrahim Kadriu. Historiani Ali Riza  Selmani thotë se:- Idriz Seferi ishte organizator i zoti që frymëzoi, motivoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anomarovë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare. Nuk ishte vetëm prijës popullor dhe luftëtar i lirw, por dhe  strateg ushtarak,  që udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për ҫlirim.

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të  shtyrë, luftoi kundër serbëve e bullgarëve.

Idriz Seferi luajti një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mbrojtjen në Kuvendin e Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhwnjimin e Revolucionit Xhonturk. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, luftoi heroikisht në mbrojtje të Atdheut.

Më datë 29  mars të 1925 ra Heroi i Popullit,  Bajram Curri. Prijësi popullor tribuni i lirisë mori pjesë  në betejat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , për mbrojtjen e trojeve etnike nga Konferencat dhe Traktatet që kërkonin copëtimin e tyre. Bajram Curri ishte një nga organizatorët e Lidhjes së Pejës “Besa–Besë“,të udhëhequr nga Haxhi Zekë Byberi mw 1899-1900-të. Ai ishte një nga prijësit kryesorë të Kuvendit të Ferizajt . Mbështeti kryengritjen e armatosur të Malsisë Madhe  në vitin 1911-të të udhëhequr nga Dedë Gjo”Luli. Mbështeti Platformën e Hasan Prishtinës  në Kuvendin e Junikut, mw 21-25 maj 1912, ku u hartua Platforma e Kryengritjes të Përgjithshme të vitit 1912, që do të çonte në ҫlirimin  e Shkupit, në gusht 1912-tës dhe nw Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit  në Vlorë më 1912–ën nga plaku i urtë, Ismail Qemali.

Më 5 mars  1888 ndërroi jetë Ali Pashë Gucia nga plagët e marra në një atentat , një ndër misionarët e Lidhjes  Shqiptare të Prizrenit dhe një nga figurat e dalluara të Këshillit Kombëtar të saj. Ali Pashë Gucia  ishte një nga udhëheqësit kryesorë të rrymës centriste, që hartoi luftën kundër shovinistëve fqinjë për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Atdheut. Ai u zgjodh kryetar i Shtabit Ushtarak për Mbrojtjen e Plavë-Gucisë. Veprimtarinë  e tij heroike e ka përshkruar bukur Gjergj  Fishta.

Betejat legjendare për mbrojtjen e Plavë–Gucisë, tw Hotit dhe Grudës, tw Ulqinit dhe Tivarit nga ushtritë Malazeze.

Kryengritja  e Malsisë së Madhe e 1911-ës.

Epopeja e Jasharëve dhe e Haradinajve, iu treguan Fuqive të  mbarë Botës se Shqiptarët janë në gjendje të përtërijnë rolin e madh të Gjergj Kastriotit sa herë e thërret liria për të mbrojtur flamurin kuq e zi, nderin, dinjitetin dhe tokën e tyre amtare.

Prijësit e shquar të betejave për liri: Idriz Seferi, Bajram Curri, ndërruan jetë  në mars .

Më 25 mars të 1945 komunistët pushkatuan Heroin e mbrojtjes së tokave etnike shqiptare, “Robin Hudin Shqiptar”, Prenk Calin.

Epopeja e këtyre trimave është e denjë për një  Iliadë  Shqiptare.

Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri t’i kujtojnë Kreshnikët e Jutbinës.

Beteja 3 ditore e Adem–Hamz-Shaban Jasharit,Vraninën e Oso Kukën dhe heroizmin e Zhuj  Selmanit.

Në epikën historike shqiptare kanë mbetur të pavdekshme vargjet kushtuar Epopesë Marsiane Shqiptare dhe heronjve të tyre.

Ja si përshkruhet beteja legjendare për mbrojtjen  e Plavë–Gucisë, ku shqiptarët të udhëhequr nga Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri i shpartalluan  hordhitë malazeze të Mark Milanit të 12.000 armiqëve:

Mark Milani i Malit të Zi

Ka hyp Marku në Plevi

Çka ka Limi që dirgjet zi

Haj medet vojnikët e mi…!

 Jakup Ferri, “Leonidha Shqiptar”, luftonte me shpatën zhveshur si Akili në muret e Trojës. Kënga e lahuta shqiptare i skalitën një monument të pavdekshëm:

Me të kallzue ty nanë t’vjen seri:

30 burra i ka pré nji njeri.

Nja  lypsh  emnin: Jakup Ferri.

Shtimja, Kaçaniku , Cerrnaleva, Hoti e Gruda, Ulqini, Plava  e Gucia  u bënë kala të pavdekshme të qëndresës shqiptare duke i detyruar pushtuesit turko-sllavë, e Fuqitë e Mëdha të mos bëjnë hesapet pa hanxhinë, siҫ  thotë populli ynë. Emisarët  e Sulltanit e të Knjaz  Nikollës pasi u shpartalluan keqas në fushëbeteja me shqiptarët tentuan disa herë të blejnë prijësit e tyre historikë duke i peshuar me ar , por  morën atë përgjigje që dinë të japin kapedanët e maleve: “As Sulltani, as krajlat, nuk kanë para për t’i blerë trojet  shqiptare”.Plisat e Bardhë dhe xhamadanët kuq e zi, trimat legjendarë nuk pranuan të shkëmbenin me kapicat, dallamat malazeze dhe me Shallvaret e turqëve.

Besëlidhja Shqiptare bëri pluhur dhe hi planet e armikut që përmes parullës të famshme “Përça dhe Sundo” tentuan të fusnin grindje mes shqiptarëve duke shpresuar ndarjet krahinore dhe fetare.

Pasi u shpartalluan në Plavë-Guci, Mali i Zi i kërkoi Portës së Lartë dhe Kongresit të Berlinit t’i jepte si këmbim Hotin dhe Grudën me preteksin se janë katolikë dhe ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk do të bënte rezistencë. Kur mijëra luftëtarë shqiptarë vrapuan në ndihmë të  vëllezërve të tyre dhe i shpartalluan ushtritë malazeze , çështja shqiptare në Ballkan u ndërkombwtarizua dhe u vu në rend të ditës në kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Shqiptarët ishin të udhëhequr nga postulati  i rilindasit  Pashko Vasa: “Feja e shqiptarit  është Shqiptaria”

Ja si e konceptonte legjendari Mic Sokoli nderin dhe dinjitetin shqiptar, i rrethuar nga të katër anët nga trupat e Pashait turk, ai thërret në ndihmë trimat e Dukagjinit. Kënga e thotë:

Mic Sokoli I Sokol Ramës,

Fjalë po I çon Mark Lulës Shalës,

A më ndihmon, o dajë i babes,

Më kanë ngreh topat rrethit arës

Rrethit arës,  rrethit t’oborrit,

Me shemb kullat Mic Sokolit…

Përballë ushtrive perandorake, të armatosur me topa, mitroloza mortaja, “Luani i Malësisë” dhe pse me forca të pakta, ishte betuar të luftonte deri në vdekje, siç bëri përpara tij Oso Kuka i Vraninës, Zhuj Selmani e pas tyre  Adem Jashari në Prekazin legjendar.

Dashuria për Atdheun, gjuhën, flamurin, doket, zakonet, amanetin, kujtimin e të parëve, janë  ADn-ja e burrave që besën e lidhën vetëm me Flamurin e Atdheun e tyre.

Ja si e arsyeton  qëndresën e tij ,deri në flijim  heroi  Mic Sokoli:

Me lëshue trojet poshtë po bie

Me venë ҫallmën spo m”ka hije

Se jam nip i Kastriotit

Më mirë gjoksin në grykë të topit.

Në vigjilje të Mijëvjeçarit të Tretë, më 5-6-7 mars të 1999–tës  në Prekazin  legjendar u shkrue Epopeja e lavdishme e Jasharajve. Komandanti legjendar i UÇK-sw Adem Jashari e Familja e tij i kthyen kullat e tyre në kala të pamposhtura qëndrese.

Në tre ditë u ripërsërit madhërishëm, krenaria , qëndresa shqiptare në shekuj. Ballë për ballë e dhëmbë për dhëmbë, si në Krujë, Shkodër e Sfetigrad e Albulenë kundër hordhive turke  Familja e Jasharajve e lau me gjakun e agresorëve  oborrin e muret e kullave. Ҫdo  frengji e ҫardak u kthye në bedenë kalaje . Muret shembeshin nga predhat e topave e tankeve, e prapë nga gërmadhat dilnin  Jasharajt e përgjakur duke qëlluar në  drejtim të ushtrisë serbe. Luftuan deri në vdekje për të mbetur të pavdekshëm. Heroizmi i tyre ndryshoi fatet e luftës dhe u bë simbol i betejës për liri.

Më datë 24 mars 1998–tës bisha serbe do të sulmonte një tjetër fole shqiponjash  nw Gllogjanin e Haradinajve. Këtu u shkrue me gërma të arta një epokë tjetër e lavdishme e Kombit Shqiptar. Haradinajt trima me në krye Ramushin u dolën zot kullave legjendare, siç thotë kënga epike:

Tunden malet, por nuk tunden kullat.

Në log të mejddanit po maten burrat.

 Marsi i trimave, betejave e kuvendeve kujtohet me krenari. Shqipëria dhe shqiptarët janë një kudo ku ata jetojnë në trojet etnike, në Ballkan e  Diasporë.

Trinia e shenjtë: Gjuha, Flamuri e Atdheu, është burim frymëzimi i pashuar për ardhmërinë e përbashkët.

Ulqini i Teutës e Balshajve, ku prehen eshtrat e udhëheqësit të Lidhjes së Prizrenit , Ymer Prizreni, u bwnë  shumicë dominuese në qytetin  e tyre.

Parlamenti i  Maqedonisw e shpalli gjuhë zyrtare Gjuhën Shqipe, pra krismat e lirisë në 14 marsin e 2001 të UҪK-sw, po finalizojnë ëndrrën tonë. Marsi na thërret të jemi në  këmbë e të bashkuar për të nderuar   heronjtë tonë kombëtar dhe protagonistët e mëdhenj të historisë tonë, për të vazhduar  misionin  e tyre për realizimin e ëndrrës shumë shekullore  pa harruar  Mitrovicën e Bacës Isë, Preshevën e Ridvan Qazimit  dhe Ҫamërinë tonë të shtrenjtë.

Viti i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut është apel për finalizimin  zgjidhjes së  Ҫështjes Kombëtare, Bashkimin e Kombit  Shqiptar në një shtet të vetëm. Deviza jonë do të jetë: ”Një Komb, Një Shtet”.

Shteti Komb i Shqiptarëve është domosdoshmëri historike.

Filed Under: ESSE Tagged With: * Marsi, Azgan haklaj, Bese me Flamurin, Pranvera e Lirise

Kosovë-Demarkacioni varet nga një votë

March 19, 2018 by dgreca

-Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi sërish nesër në Kuvendin e Kosovës. Duhet së paku edhe një votë për të arritur dy të tretat – 80 të Kuvendit 120 anëtarësh, derisa Lëvizja Vetëvendosje e ndarë e Lista Serbe janë kundër/

1 Kufiri M Zi1 Kuvendi Kos.jpg1 Harta Kufiri

-Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatësia e kufijve të Kosovës me shtetet fqinje është gjithësej 743,5 km: Me Shqipërinë 116.3, me Maqedoninë 167.6, me  Malin e Zi 78.0, me Serbinë 381.6/

-Shtypi i Kosovës: Në kërkim të votës së ratifikimit. Dyshime për pazare në këmbim të votës/

  Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 PRISHTINË,19 Mars 2018/ Kuvendi i Kosovës rimblidhet nesër, e martë 20 mars 2018, për vazhdimin e seancës së jashtëzakomshme plenare për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ky është vendimi i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare, ndërkohë që gjatë javës së kaluar u zhvilluan punime në seanca plenare për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara me mungesa kuorumi.Seanca e jashtëzakonshme për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ka pasur katër shtyrje në pritje të sigurimit të dy të tretave të votave – së paku 80 nga Kuvendi 120 anëtarësh.Duheshin së paku edhe 2 vota derisa janë dy parti që ishin deklaruar kundër – Lëvizja Vetëvendosje opozitare dhe Lista Serbe pjesë e koalicionit qeverisës.Por, grupi parlamentar i  Lëvizjes Vetëvendosje nuk është më si ishte deri javën e kaluar më i madhi me 32 deputetë, pasi ndarja u pa edhe në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës.

Në mbrëmjen e 14 marsit Kryesia e Kuvendit zyrtarizoi kërkesën e 12 deputetëve për krijimin e grupit të ri parlamentar – Grupi i Deputetëve të Pavarur, nga të dorëhequrit e Vetëvendosjes, e cila tani ka 19 deputetë pas kalimit edhe të një deputeteje të deritanishme të saj në partinë që udhëheqë me qeverinë -Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.Vetëvendosje nga grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës  ka kaluar në vendin e tretë.

Tani grupi i parë – më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës është i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti opozitare, me 27 deputetë, e cila me kohë ka deklaruar votën pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin.I dyti është grupi parlamentar nga koalicioni qeverisës, i Partisë Demokrake të Kosovës me 23 deputetë.Partitë tjera të koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tani ka grupin parlamentar me 11 deputetë, Nisma me 6, ndërsa Aleanca Kosova e Re ka 2 deputetë pa grup parlamentar. Janë edhe 4 deputetë te tjerë pa grup parlamentar, mes të cilëve një serb që është deklaruar pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin.

Nga së paku dy votat që, sipas llogarive, duheshin për ratifikimin e demarkacionit tani duket se ka mbetur vetëm një pasi njëra është siguruar me kalimin e deputetes së Vetëvendosjes në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e ndonjë tjetër ka pritje të jetë nga partia e sapondarë.

Ndërsa, për Listën Serbe “tema e të ashtuquajturit demarkacion fare nuk egziston”.

“As që na intereson kjo çështje, me të le të merren partitë shqiptare në përputhje me programet e veta politike”,  ka deklaruar në një komunikatë në 9 mars partia serbe, e cila ka 10 deputetë në Kuvend e 3 ministra në qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve është edhe zëvendëskryeministër.

Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë. Për palën kosovare e ka nënshkruar atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.Në 4 gusht 2016 qeveria e  Kosovës, e udhëhequr atëherë nga kryeministri Mustafa, në mbledhjen e 103-të, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjespër Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

 Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. “Si kryeministër i Kosovës konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situatë ku duhet të votojmë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga procedura kuvendore. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen, mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur qeveria e vlerëson se është gati”, tha kreu i atëhershëm i qeverisë, Mustafa. Më pas, qeveria e Kosovës u rrëzua në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë. Ky votim në Kuvend u pasua me shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për datën 11 qershor 2017.Plot tre muaj pas zgjedhjeve, në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej se kryeministri Ramush Haradinaj i ka propozuar qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion, ndërsa në 22 shtator, qeveria e Kosovës, në mbledhjen e katërt, mori vendim për emërimin e e Komisionit të ri.

Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për  Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/ Raporti i Vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për  Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit  Shtetëror Kosovë-Mali i Zi (2012-2015) ishte pikë e parë e axhendës  në mbledhjen e qeverisë së Kosovës në 4 dhjetor 2017.

Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës.

Në 16 shkurt 2018 presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për shtypi ka njoftuar se bashkërisht dhe në të njëjtën kohë me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, kanë dalë me një Deklaratë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionitndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Siç është specifikuar në këtë deklaratë, jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, është shprehur presidenti kosovar.Pas këtij zhvillimi, në 20 shkurt 2018, qeveria në mbledhjen e paraditës së 20 shkurtit 2018 mori vendimin për tërheqjen nga procedurat e miratimit në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, ndërsa në mbledhjen e pasditës miratoi plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit dhe bëri procedimin  më të ri, të tretin, në Kuvend. “Pjesë përbërëse të këtij Projektligji janë: 1.Marrëveshja për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë me datë 26 gusht 2015; 2.Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit shtetëror; dhe 3.Deklarata e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, e datës 16.02.2018”, theksonte qeveria.Në 28 shkurt, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, konform vendimit të seancës, ka shqyrtuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.Komisioni i rekomandoi seancës miratimin e projektligjit, me një amendament, i cili ka të bëjë me nenin 3, ku në verisionin e ri përfshihet edhe deklarlarata e përbashkët e dy presidentëve, të Kosovës e Malit të Zi.Për ta shqyrtuar projektligjin Komisioni parlamentar u mblodh gjatë një pushimi që u dha në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila nuk vijoi dhe u shty për një ditë tjetër, me pajtim të kryetarëve të grupeve parlamentare. Ishte kjo shtyrja e katërt, në pritje edhe të sigurimit të votave të nevojshme për kalimin e projektligjit.Në 15 mars në mbrëmje Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare, vendosi që vazhdimi i seancës plenare për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet të martën, në 20 mars 2018, në orën 16:00. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatësia e kufijve të Kosovës me shtetet fqinje është gjithësej 743,5 km: Me Shqipërinë 116.3, me Maqedoninë 167.6, me  Malin e Zi 78.0, me Serbinë 381.6.

 SHTYPI I KOSOVËS PARA SEANCËS PËR DEMARKACIONIN

 Një ditë para seancës për Demarkacionin koalicioni qeverisës është në kërkim të votës së 80-të, e cila do të mundësonte ratifikimin e marrëveshjes së vitit 2015, shkruan sot Gazeta Zeri me kryetitull në ballinë “Në kërkim të votës së ratifikimit”.Pushtetarët shprehen të bindur se deri të martën do të sigurohet edhe një votë.

Ndonëse vazhdimi i seancës për ratifikimin e Demarkacionit është thirrur për të martën, koalicioni qeverisës ende nuk e ka siguruar votën e 80-të, e cila do ta përmbyllte Marrëveshjen e Vjenës. Përfaqësuesit e koalicionit kanë pohuar se deri më tash kanë siguruar vetëm 79 vota, megjithatë janë shprehur optimistë se deri nesër do të sigurohet edhe vota e 80-të. Mirëpo, ata kanë lënë të hapur mundësinë që seanca të mos përfundojë të martën, për shkak të debatit të gjatë që pritet të zhvillohet.Në të kundërtën, po qe se debati përfundon në seancën e 20 marsit nga koalicioni kanë bërë të ditur se Marrëveshja për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi do të hidhet në votim po atë ditë. Në anën tjetër, përderisa përfaqësuesit e LDK-së janë deklaruar në mbështetje të Demarkacionit, ata të lëvizjes “Vetëvendosje” kanë kërkuar që kjo marrëveshje të tërhiqet përfundimisht. Ndërkohë, analistët politikë vlerësojnë se as në seancën e ditës së nesërme Marrëveshja për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi nuk do të marrë epilog.

 Ndërsa, Gazeta Koha Ditore me titull “Dyshime për pazare në këmbim të votës” shkruan sot se, pushteti nuk është i sigurt nëse përfundimisht të martën do t’i japë epilog Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.Ndryshimi i vetëm, pas tri tentativave të para, është arritja e proklamuar e marrëveshjes individuale me dy deputetë, llogaritet se mundëson krijimin e dy të tretave me fiks 80 vota.Por nga ana tjetër votat e jo të gjithë deputetëve të partive të “koalicionit pro-demarkacion” janë të sigurta.Ndërkohë tentimi i arritjes së një marrëveshjeje me Listën Serbe ka ngritur dyshime tek opozita dhe tek analistët për pazare të pafavorshme, në këmbim të votës pro demarkacionit.Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e as deputetë të koalicionit nuk kanë qenë të sigurt të dielën nëse demarkacioni do të votohet këtë javë. Kjo për shkak të rrezikut që marrëveshja të dështojë nëse shkohet me vetëm 80 vota të konfirmuara.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, nje vote

EDHE MBAS DYZET VJETËSH

March 19, 2018 by dgreca

3Kostreci hasan

                         1 Lake George

Nga Hasan KOSTRECI/“Lake George” është një qytet i vogël turistik në pjesën më veriore të shtetit të New Yorkut, i cili gjatë verës, sidomos, ka mjaft gjallëri prej vizitorëve të shumtë që vijnë, jo vetëm nga zona përreth, por edhe nga Quebec-u i Kanadasë. Liqeni i madh me të njëjtin emër, si dhe kodrat përreth që zbresin ëmbël deri në breg, krijojnë një pamje të bukur dhe mjaft piktoreske, ndërsa bulevardi kryesor me dy trotuaret anash, lulishtja, ku më së shumti rrinë e ulen të moshuarit, si edhe amfiteatri antik në dalje të qytetit, e bëjnë atë qytet akoma edhe më tërheqës, Pikërisht këtu disa vite më parë pronotuam për të kaluar një pushim dy javorsh edhe unë sëbashku me t’ime shoqe, Fluturën, si dhe dy vajzat, Ermirën dhe Nurianën, në atë kohë të dyja studente në universitet.

– Përballë kemi një familje shqiptare nga Tirana, që banon në Montreal – i thashë Fluturës gjatë kohës që ishim ulur në tavolinë të katër dhe po hanim mëngjesin – Qe nje grua rreth të dyzetave sëbashku me të bijën afërsisht në një moshë me vajzat tona – e plotësova informacionin dhe mbasi mbarova së ngrëni, me filxhanin e qumështit në dorë u ula në kulltukun përballë.

– Qenë ndonjë familje e njohur? – më pyeti ajo.

– Ne vetëm sa u prezantuam, por nuk folëm më gjatë – iu përgjigja.

– Po fillimisht si e morët vesh që ishin shqiptarë.

– I foli shqip një qeni të vogel që e ndiqte nga pas – ia shoi kureshtjen vajza e dytë Ana, e cila megjithëse s’e kishte marë ende patentën për të drejtuar makinë, na pyeti;

– A ta marr unë deri  tek liqeni?

Heshtjen tonë ajo e mori për miratim, prandaj, mori çelësat, doli para nesh jashtë dhe u ul në sediljen e shoferit.

– Ja tani do vijmë edhe neve – na foli nga dritarja e vilës përballë, vajza shqiptare me banim në Kanada – po marr edhe topin që të luajmë buzë liqenit – shtoi ajo.

– Mos u vono! – ia ktheu Ana, e cila mbasi ndezi makinën, nxorri pak kokën nga dritarja, që ta shihte ajo.

Moti atë mëngjes dukej i mirë dhe shënjat rrëfenin, se nga mesdita do bënte vapë, megjithëse pozicioni në lartësi i qytetit, si dhe era e freskët që vinte nga liqeni, krijonin një freski të këndëshme.

Parkuan makinën dhe mbasi morëm çadrën dhe karriket, u drejtuam për nga plazhi, por pamja nga afër e bukurisë së liqenit, na befasoi.

– Edhe Pogradecin tonë të bukur e kemi – u thashë dhe mbasi u xhvesha, vura rrobat poshtë çadrës dhe u ula.

– Mirëmëngjesi! – erdhi dhe na përshëndeti mbas pak shqiptarja me banim në Montreal – besoj se nuk iu bezdisim që ta ngrejmë çadrën pranë jush? – na pyeti ajo.

– Të lutem! – iu përgjigj ime shoqe dhe u ngritëm i dhamë dorën.

– Më quajnë Zamira. Kam banuar në Tiranë, por me origjine jemi nga Berati – u prezantua ajo – por përveç vajzës, me vete kam edhe babin, por sot ai nuk ndjehej mirë dhe e lamë që të pushonte– shtoi dhe mbasi u xhveshën, e bija u drejtua nga liqeni, ndërsa ajo u ul –  im atë ka patur probleme me një dhimbje të vazhdueshme koke, për të cilën  doktorët  thonë se e ka nervore, por shpresojmë që ajri dhe klima e këtueshme mund t’i bëjë, sadopak, mirë e të qetësohet.

– Ja edhe vajzat i paskemi afërsisht të një moshe dhe do kënaqen këto ditë me njëra tjetrën – i tha Flutura, kur pa që ato u miqësuan menjëherë dhe filluan të lozin.

– I kishit thënë sime bije, se jeni marë dikur me sport. Apo jo? – e pyeta unë.

– Eh,…njëherë e një kohë. Kam luajtur voley boll me ekipin e Dinamos  – m’u përgjigj Zamira dhe nxorri nga çanta syzet e diellit, vuri kapelen e kashtës në kokë dhe u shtri.

– Po Shqiprinë në ç’vit e keni lënë? – e pyeti përsëri ime shoqe.

– Ne si familje sëbashku me babanë, sepse im shoq më ka vdekur, jemi larguar në nëntëdhjet e treshin – u përgjigj ajo – Po ju?

– Në nëntëdhjetën, por na ardhka keq për bashkëshortin, që u paska lënë – e ngushëlloi Flutura.

– Më falni një minutë! – na mori pas pak ajo leje, sepse dëgjoi zilen e celularit të saj dhe u ngrit –  siç u thashë, babanë nuk e lashë mirë, por tani e kishte marë veten dhe po lexonte – na tha kur u kthye – Ai ndjen kënaqësi, kur ka ndonjë libër të bukur në dorë dhe sidomos me tema historike,  ndërsa unë e kundëta, e pasionuar jam vetëm mbas sportit dhe asgjë tjetër.

–  Babaji, ndofta ka qënë mësues apo pedagog  dhe e ka lidhur puna që të merret me libra  – i sugjeroi Flutura.

.- Përkundrazi, ai ka punuar në një dikaster, ku mendohet se njerëzit atje janë të ngurtë dhe nuk bëhet fjalë fare për ndjenja.

– Atëhere me siguri do ketë qënë ndonjë llogaritar –  qesha unë.

– Jo, ka qënë operativ dege –na kundërshtoi ajo, por nuk vuri re që unë me time shoqe në atë moment vështruam njëri tjetrin në sy – Fillimisht ka punuar në Çorovodë të Skraparit, ku qëndroi atje deri në shtatëdhjetën, më mbas në Berat dhe së fundi u transferua në ministrinë e brendëshme në Tiranë, ku përfundimisht atje mbylli edhe karierën e tij.

Për disa sekonda të tre qëndruam në heshtje dhe asnjëri s’po fliste. Dëgjoheshin vetëm llapuçitja e dallgëve, si dhë zërat e vajzave pak më tutje që vazhdonin të luanin.

– Ç’farë ke, nuk je mirë – më pyeti ime shoqe, kur pa që unë u ngrita, nxorra nga xhepi i pantallonave paketën e cigareve dhe e ndeza.

– Ndofta nga që u fute në ujë dhe do ketë qënë, me siguri i ftohtë – sugjeroi Zamira, e cila ende s’po kuptonte asgjë.

– Do kalojë dhe mos u shqetësoni – u thashë dhe mbasi bëra disa hapa në drejtim të bregut, u ktheva përsëri.

– Paskeni ardhur, si duket, me llotari – vazhdoi të shuajë kuriozitetin gruaja ime.

– Jo, kemi fituar azil politik– u përgjigj ajo dhe vuri buzën n gas.

– E si ka mundësi – nuk m’u durua mua – Një komunist siç ka qënë babaji yt dhe punojës sigurimi gjithashtu, të fitojë në Kanada statusin e azilantit politik!

– E, sa ka të tjerë si puna jonë – u përgjigj ajo dhe nisi që të lyejë fytyrën me krem.

– E shkatërruat atë vënd dhe tani erdhët në kapitalizëm, që babaji yt dhe shokët e tij e kanë sharë dhe nuk ka lënë gjë pa thënë.

– Jemi këtu për të pushuar dhe nuk kemi ndërmënd që të diskutojmë tema të tilla

– ndërhyri ime shoqe, kur pa që biseda s’po shkonte edhe aq mirë.

–  Pse e latë Shqipërinë – vazhdova unë  – Yt atë, zoti Nako u ka bërë, me siguri, propogandë që ta urreni kapitalizmin.

– E si e ditkeni ju emrin  e tim eti? –  u prish ajo në fytyrë.

– Dyshova kur e pashë para dy ditësh në verandën e vilës tuaj, por prezantimi që ju sot i bëtë, më bindi që është pikërisht ai.

– Kush ai? – ngulmoi Zamira.

– Ushtrinë, si e persekutuar, zonjë, e kam kryer në N.B U-në e Kakrukës në Skrapar, ku atje u njoha edhe me një djalë mjaft të mirë nga Himara, K. Konomi, quhej me të cilin u miqësova shumë dhe rrinim bashkë shpesh. Por një ditë prej ditësh atë e arrestuan dhe babaji yt, si hetues në atë periudhë, sëbashku me operativin e repartit, më thirrën, më bënë presion dhe bile më kërcënuan, se do më fusnin sëbashku me të në burg, kur unë u thashë se tema politike me Kostën, asnjëherë nuk pata bërë.

– Në realitet i gënjyet? – më provokoi ajo.

– Po. I gënjeva. Ashtu si dhe ju zyrën e emigracionit në Kanadaa – iu përgjigja – por me ndryshim, sepse jo vetëm që nuk pranova të bëhem spiun, por edhe atë nuk e rëndova akoma më tepër.

– Në atë kohë ajo ka qënë detyra e një operativi  – u mundua ajo të justifikohet.

–  Nuk jeni interesuar të dinit – vazhdova unë – se ajo shtëpi në Berat dhe me atë oborr aq të madh, ku ju keni kaluar fëmijërinë dhe keni bërë, me siguri, edhe mjaft fotografi, s’ka qënë e juaja, por e një ish të pushkatuari nga regjimi komunist. Atë komoditet që zoti Nako u kishte krijuar, mbante erë krim, sepse…

– Oh, mjaft të lutem! – më ndërpreu Zamira dhe nxorri nga xhepi shaminë të fshinte lotët.

– Ku po shkoni? – më pyeti ime shoqe, kur unë s’e vazhdova më atë bisedë, por u ngrita, mora teshat dhe fillova të vishem – vajza jonë nuk besoj që të vijë qysh tani me neve – më kundërshtoi ajo.

– Nëqoftëse më lejoni, do kujdesem unë për to – tha Zamira dhe me sy të përlotur u drejtua për nga bregu.

– Nuk është mirë që të sillemi kaq ashpër me një grua, të cilën u takuam vetëm  rastësisht – vazhdoi të më kundërshtojë Flutura, kur me makinë arritëm tek vila dhe ndërsa ajo ngjiti shkallët dhe u fut brënda, unë u ndala, u ula në një nga stolat aty pranë dhe  ndeza një cigare, por u habita kur mbas pak tek vila përballë, u hap dera dhe përpara më doli pikërisht ai, që dyzet e ca vjet më parë u suall aq ashpër me mua dhe më krijoi atë situatë aq të vështirë. Dukej i dobësuar, i plakur, ndërsa ngjyra  e lëkurës, dikur ezmere, i qe transformuar dhe kthyer në të zezë.

.- Edhe unë të njoha, sapo të pashë – më tha dhe duke u mbajtur tek parmakët e shkallëve, zbriti dhe qëndroi disa hapa larg meje – nuk besoj që edhe mbas katër dekada, të jemi ende fanatikë në disa pikpamje të ndryshme që dikur bashkë kemi patur?

E vështrova dhe megjithëse nuk desha që t’i ktheja përgjigje, demagogjia e fjalëve të tij, më ngacmuan dhe nuk munda dot ta duroj.

– Ju, Nako dhe shokët e tu, akoma u thotë mëndja, se krimet që keni bërë, i justifikoni me një farë ideali, që në realitet tek ju nuk ka ekzistuar kurrë. Mashtruat atëhere dhe doni të na mashtroni akoma edhe sot? Kërkojuni falje këtij populli, për gjithë ato mizori që keni bërë – i thashë dhe ndjeva që u kuqa në fytyrë dhe gjaku më hipi në kokë.

Këtë ballafaqim, ish oficeri i ministrisë së brendshme, si duket, nuk e priti, prandaj u orvat që të ngrefosej e të mbante një farë autoriteti, por muskujt e nofullave, të vrenjturit e vetullave, damarët, që dikur i kërcenin për t’u kallur tmerrin viktimave të tij, tani ishin squllur dhe nuk po i bindeshin më. Pamja e tij, për momentin u transformua në një fantazmë, sa trëmbi edhe të bijën e tij, Zamirën, që sapo u kthye nga plazhi dhe po e shikonte.

– Baba, nuk je mirë ? – e pyeti ajo, ndërsa ai nuk iu përgjigj, por duke u mbështetur tek supi i saj, ngjiti përsëri shkallët dhe e u fut brënda, ndërsa unë qëndrova akoma aty  dhe po vështroja vajzat e reja, që po luanin sëbashku me top……..

Filed Under: LETERSI Tagged With: EDHE MBAS DYZET, Hasan Kostreci, VJETËSH

Qeverisje me virtyt

March 19, 2018 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/

Nëse planifikon diçka çoje deri në fund ose mos e fillo fare. Sepse është diçka vetëm në se mendja të thotë se eshtë diçka. Ajo që koncepton ekziston, thoshte Sokrati. Edhe në se ti nuk nuk e realizon, dikush tjetër në të ardhmen do ta sjellë në ekzistencë.
Pas vitit 1990, shqiptarët pa dyshim hynë në rrugën e ndryshimeve; me shpejtësi ndryshimet përfshinë shumë sfera. Ndryshimet politike u bënë njësoj të lehta a të domosdoshme sa edhe ndryshimet në shoqëri, familje, individ; burrat ndërruan gratë dhe anasjelltat; më të rinj ndërruan vendin duke marrë rrugët e mërgimit; edhe qeveritë ndërruan njera tjetrën, duke mbetur të lidhura pas vendit.
Mënyra më e mirë nuk është të veprosh njësoj si ai që të ka bërë keq; kjo të bën ty njësoj të keq. Ai që është i mirë, do të bëhet më i mirë, dhe ai që është i keq do të bëhet më i keq; vesi, virtyti dhe koha janë tri gjëra që nuk rrinë palëvizur.
Ai që me të vërtetë e do vendin, përpiqet më së shumti për të promovuar virtytin e tij dhe, ndërsa fuqia dhe ndikimi i tij zgjaten, ai nuk do të lejojë që një njeri të zgjidhet në ndonjë zyrë të pushtetit në se nuk është i mençur dhe i virtytshëm. Në qoftë se ne do ta gëzonim me të vërtetë këtë dhuratë, vetëm atëhere do të bëheshim një popull i virtytshëm. Gjëja kryesore është që gjëja kryesore të mbetet gjëja kryesore.

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi, Qeverisje me virtyt

Presidenti Meta i jep autorizimin ministrit Bushati

March 19, 2018 by dgreca

1 Meta Bushati

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në mbështetje të nenit 92 gërma “ë”, nenit 116, nenit 121 pika 1, nenit 132 të Kushtetutës; Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; Nenit 6 pika 3, shkronja “a” të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në vijim të kërkesës të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme autorizoi sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”. Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”.

Filed Under: Kronike Tagged With: i jep autorizimin, ministrit Bushati, Presidenti Meta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT