-Komunikatë e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës: Sulmet mbi pjesëtarët e FSK-së të komunitetit serb në Veri akte kriminale dhe të dënueshme/
PRISHTINË, 28 Maj 2018-Gazeta DIELLI/ Javën e kaluar, të premten në mbrëmje dhe të shtunën në mëngjes, në pjesën veriore të Kosovës ka pasur sulme me koktej mollotovi në pasuri (djegie e makinave) të familjeve të pjesëtarëve të komunitetit serb që janë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ministria Forcës së Sigurisë së Kosovës në një komunikatë sot deklaroi se, këto akte kriminale bëhen me qellim që të frikësojnë pjesëtarët e FSK-së nga qarqet kriminale dhe nacionaliste serbe në pjesën veriore, të cilat shprehin urrejtje dhe papajtueshmëri me integrimet, zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Ministria e FSK-së dhe FSK qëndrojnë fuqishëm në mbështetje të pjesëtarëve të saj, të cilët, përkundër kërcënimeve dhe dëmtimeve reale të pasurisë së tyre, vazhdojnë të jenë pjesë e FSK-së dhe të shërbejnë me dinjitet në kryerjen e obligimeve të tyre si pjesëtarë të FSK-së.
Prandaj Ministria e FSK kërkon nga institucionet shtetërore të Kosovës, Policia e Kosovës dhe KFOR-i, që të angazhohen seriozisht, me tërë fuqinë e ligjit, që të dalin në mbrojtje të jetës dhe pasurisë së pjesëtarëve të FSK-së, që të lihen të lirë të realizojnë të drejtat e tyre si qytetarë dhe si njerëz të lirë në përzgjedhjen e perspektivës së tyre jetësore.
Kosova dhe organet e saj vendore dhe ndërkombëtare duhet të garantojnë liri dhe siguri të plotë për të gjithë qytetarët, pavarësisht se në cilën pjesë të Kosovës jetojnë, që të realizojnë të drejtat e tyre qytetare, të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi./b.j/
Prizren, 28 maj 2018- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot vizitoi Komunën e Prizrenit, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Mytaher Haskuka.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se është këtu, në njërën nga qendrat më të mëdha në Kosovë, për të mësuar nga afër gjendjen reale dhe parë se cilat janë detyrat e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e mëtejmë të këtij qyteti. Kryeministri tha se duhen hequr pengesat kësaj komune, që të mund të kalojë në një plan urbanistik dhe zhvillimor dhe njëkohësisht duhet dhënë përkrahja për t’i pasur në shfrytëzim hapësirat për një park industrial.“Jemi optimist se do të jetë nxitje për një zhvillim ekonomik dhe jemi të gatshëm që të ecim në etapa të tjera me parkun industrial, zgjidhjen e çështjes së pronësisë dhe që t’i mundësohet Komunës që të ecë përpara”, tha kryeministri Hardinaj.Kryeministri Haradinaj, theksoi se gjatë takimit me kryetarin Haskuka është diskutuar për shumë tema që duhet trajtuar me seriozitetin më të lartë si, arsimin, shëndetësinë, rendin, ku specifikoi çështjen e narkotikëve dhe shpërndarjen e tyre nëpër shkolla.
