• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2018

SHQIPËRIA ËSHTË MOTRA E VOGËL E FRANCËS…

July 14, 2018 by dgreca

DERVISH HIMA, DREJTORIT TË PRESTIGJIOZES LE FIGARO (1912) : “SHQIPËRIA ËSHTË MOTRA E VOGËL E FRANCËS. NA NDIHMONI ME PENDËN TUAJ !”/

1 Dervish Hima

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Korrik 2018/

Prestigjiozia franceze, “Le Figaro”, ka botuar, të hënën e 2 dhjetorit 1912, në faqen n°2, letrën e atdhetarit të palodhur shqiptar, Dervish Himës, dërguar drejtorit të po kësaj gazete.

Cila ka qenë asokohe arsyeja e dërgimit të kësaj letre ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë të saj, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

 Letër nga një shqiptar

Budapest, 29 nëntor

Në kemi marrë letrën në vijim :

“Zoti Drejtor,

Ndërsa gjendem në Budapest për të shkuar në Shqipëri, sapo lexova në gazetën e madhe pariziane “Le Figaro” një shkresë të shpikur këtu në Budapest, lidhur me një deklaratë të bërë nga unë në lidhje me fronin e Shqipërisë.

Nuk ka asgjë të vërtetë mbi deklaratën që më atribuohet, sepse nuk kam pasur asnjë intervistë me askënd. As këtu, as në Bukuresht, nuk jam shprehur në lidhje me zgjedhjen e një mbreti për fronin e ardhshëm të Shqipërisë. Ndër shqiptarët që punojnë për realizimin e dëshirave të tij, asnjë zgjedhje nuk është bërë deri më sot. Unë nuk i kam thënë askujt se duam Dukën e Abruzzos, ose Princin Karol të Rumanisë, apo një ish-ministër të Belgjikës. I përket Asamblesë Kombëtare Shqiptare, me pëlqimin e Fuqive – besoj – që të bëjë këtë zgjedhje.

Ne, patriotët shqiptarë, po bëjmë sot të gjitha përpjekjet tona për të siguruar ekzistencën tonë politike dhe për të krijuar një ligë kombëtare, dhe ne do të përpiqemi të mbrojmë kufijtë tanë të pushtuar në veri dhe jug. Ne shpresojmë që kombi i madh republikan do të mbrojë, me pendën e tij të guximshme, të drejtën dhe atdheun shqiptar, i cili është vetëm motra e vogël e kombit të madh francez.

Drejtor, ju lutem pranoni sigurinë e konsideratës time më të lartë.”

Dervish Hima

Drejtor i gazetës shqiptare

“Shqipëtari”.

Filed Under: Fejton Tagged With: Aurenc Bebja, Dervish Hima, Deshmia, leter

ÇAMËRIA, E VËRTETA E LARGON ERRËSIRËN

July 14, 2018 by dgreca

…“Umbram fugat vetitas”/

Shkruan: Enver DAHRI,Studiues/

fahri dahri itali 2018

Thesprotia me trashëgimtaren e saj Çamërinë, është me fillesë, popullsi Pellazge, e cila i ka ruajtur veçoritë dalluese me botën tjetër të lashtësisë deri në ditët tona. Hijet e zeza perandorake gjatë dymijëvjeçarit pas Krishtit, si dhe gam-gamet fqinjësore, sado që kanë errësuar historinë, mes ndërhyrjeve kirurgjikale në tabanin pellazgjik, nuk kanë arritur ta shuajnë, sepse:“E vërteta e largon errësirën”.

Sot të gjithë flasim, kudo dhe me ç’fardo, përdorim foltore të ndryshme këndej dhe andej kufinjëve, shkruajmë në gazeta, në libra, në samite dypalëshe dhe shumëpalëshe, betohemi e stërbetohemi për demokraci, për liri, për të drejta të popujve qofshin të mëdhenj në numur apo dhe të vegjël. Por brenda qenies njerëzore jeton urrejtja, ligësia, e cila kamuflohet si hameleonët. Ligësitë, armiqësitë dhe urrejtjet e palës greke ndaj banorëve të Çamërisë, të mbështetura në shkaqe hipotetike, përshtaten sipas situatave, por vetëm në dukje (aparencë); ato veprojnë të nënëdheshme, duke ndjekur me vemendje sinjalet e fshehta që i vijnë nga gjeopolitika e sëmurë.

Në njohje të këtyre situatave të nënëdheshme e të mbidheshme, detyrohem të mos bëj komente në këtë shkrim, por do të përqendrohem për të treguar të vërtetat, me referime të personaliteteve tëshquara si historianë, filozofëdhe dijetarë të mëdhenj të lashtësisë dhe të këtyre dymijë viteve tona.

Atëhere, le të njihemi me qendrimet vlerësuese të Thesprotisë, që është vijëmësisht Çamëria “Pellazgo-epiroto-shqiptare”.

Realisht të gjithë autorët grekë kur flasin për thesprotasit apo dhe për mollosët, thonë se ata janë barbarë, dmth të huaj kundrejt grekëve. Grekët, për tu dalluar prej kombeve të tjera i përmbaheshin  formulës: “Πας μη ελληνβαρβαρος”, dmth “Ti nuk je grek, je barbar”.

Homeri: “Thesprotët janë banorët më të lashtë të Epirit dhe është thënë se kanë marrë emrin nga Thesprotues, djali i Lycaon. Ata ishin pellazgë dhe vendi i tyre ishte një nga fronet udhëheqëse të kombit pellazg. Këtu ishte orakulli i Dodonës, qendra më e madhe e besimit pellazg. Prej thesprotëve rrodhën Thesalinjtë që zotëruan territorin që më vonë u quajt Thesali”.

Kjo thënie e Homerit, informon disa të vërteta: Thesprotët ishin një popull, jo vetëm para Homerit (i cili mendohet se ka jetuar rreth shekullit IX-të para Krishtit), por ai e cilëson dhe si populli më i lashtë i Epirit; Homeri pa hezitim, thesprotët i cilëson pellazgë dhe Thesprotinë, vendi nga ku ishte froni që udhëhiqte kombin pellazg.  Nga Thesprotia dhe populli thesprot, lindi bija, që sot quhet Thesali dhe banorët thesalinj. Në Thesproti ishte orakulli i Dodonës, faltorja më e madhe e besimit pellazg.

Herodotus deklaron se: “Fise shumë të sigurta Pellazgjike në kohën e tij flisnin një gjuhë barbare.”

Strabon: “Atëherë në kohët e lashta, Dodona ishte nën sundimin e thesprotëve; dhe në malin Tomarus, ose Tmarus (është quajtur në dy emra) ishte vendosur tempulli. Të dy poetët tragjike dhe Pindari e kanë quajtur dodonën: “Dodona thesprotiane”.

Straboni, në shkrimet e tij, e bën të qartë se ai sheh katër grupe të mëdha të njerëzve: Ilirët, Epirotët, Hellenët, dhe Thrakët.  Theksojmëgjithashtu se Straboni nuk është i vetëm në gjetjen e jo-hellenasve në Epir, dhe që Thukididi i quan ata barbarë.

NëTelegonia, një poemë e lashtë epike, shkruar në shek. e VI,  thuhet se Odiseu (vitet 1180 BC-1170 BC), komandoi Thesprotët për herë të parë, por pa sukses kundër fisit ilir Brigjëve (Brygi), pasi ai ishte kthyer në Itakë. Fakt i vërtetuar nga gjetjet arkeologjike në Kiperi, pak kilometra prej kalasë Mikeniane mbi Nekiomanteion në luginën e lumit Akheron (11 km në veri të Prevezës).

Plutarku: “Historianët na thonë se mbreti i parë i thesprotëve, pas përmbytjes, ishte Pheidon (Feidoni-pellazg), një nga ata që erdhi në Epir bashkë me pellazgët…”

Disa nga fiset e lashta Thesprote ishin Eleans, Dodonaeans, Agestaeans (Agest = të moçmit- më të vjetrit-bëhet fjalë për fisin Dagavi që përfshinte territorin sipër Margëllëçit deri në fshatin Risian, ose në jug të lumit Kalama-FD) dhe Elins. Disa nga qytetet e lashta Thesprote ishin Titani (Gitani), Elea dhe Dimokastro. Në shekullin IV p.e.s. fortifikimet e para janë ndërtuar rreth qyteteve në Thesproti.
Perandori i Bizantit Leoni i Mençur, në shekullin e X-të të erës sonë, në një nga librat e tij përmend faktin që “banorët e Epirit janë shqiptarë”.

Pukvili (1770-1857), njihej si mik i helenëve, i cilësuar si fillogrek, shkruan “për Pirron dhe Thesprotinë që nuk janë grekë” si dhe jep mjaft prova etnografike, arkeologjike për autoktoninë çame (libri “Udhëtime në Greqi” vol. 1 fq.98). Gjithashtu në fillim të shek XIX, studiuesi francez F.Pouqueville, në veprën e tij prej gjashtë vëllimesh “Voyage delle Greece”, përshkrimi i Çamërisë dhe i krahinës së saj, Sulit, zë pesë kapituj. Racën shqiptare ky autor e ndan në katër regjione etno-gjeografikë: në gegë, në toskë, në labë, e në çamë. “Katundet e zallit te Thyamis (sot lumi Kalama) janë shqiptarë të krishterë të gjuhës çame” (Vëll II, fq 103)… Çamëve u ka hije lëvdata për trimërinë, bukurinë, pastërtinë e zgjuarsinë.

Martin Lik në librin “Kërkime në Greqi” botuar në Londër, në 1814, në fq. 266 thotë: “Çamët zotërojnë vendin në jug të lumit Kalama (Thiam i vjetër) dhe kam arësyen të besoj, se çamët e kanë nxjerrë emrin e tyre nga një aliternacion i lumit. Vendit i thonë Dar, dhe shtrihej deri rrotull fshatrave të Janinës, vendet kryesore të Çamërisë janë: Suli, Paramithia, Margariti, Parga, Agjija”.

Enciklopedia e madhe helenike, vëllimi 15 fq. 405 provon  se, çamët janë banorët e parë të Thesprotisë dhe jep njoftime se emrin çam e kanë marrë prej lumit Thiam (Kalama i sotëm). Nga pikëpamja gjuhësore pranon se dy të tretat e Çamërisë, megjithëse të ndarë në të krishterë dhe myslimanë, flasin shqip, por një shqipe të veçantë.

Studiuesit, konsujt dhe udhëtarët e ndryshëm si Pukvili, Lik, Brukton, Helon, Bul, Liri, Dozon etj, që vizituan Shqipërinë në shek. XIX-të, konstatuan se populli i Çamërisë, trevë që shtrihej në mes të lumit Kalama, gjirit të Artës e deri në Prevezë, popullohej nga shqiptarët autoktonë.

Sami Frashëri për Çamërinë, botuar me 1878, shkruan:“Gjuha e poetit Homer të “Iliadës dhe Odisesë” shihet si më e afërt me pellazgjishten, si gjuha e filozofit Platon. Emrat e perëndive greke, pothuaj të gjithë janë pellazgjisht, ndaj gjuha e vjetër e Epirit nuk ka qenë greqishtja, por ka qenë pellazgjishtja”.

“Fjalor i pergjithshem i historisë dhe i gjeografise” (Konstandinopoje 1889). Vepra 2 e Sami Frasherit, bot. i Akademise se Shkencave, 1988. Tesprotia (Çamëria), shkruhet: “Thesprotianët e vjetër i perkasin thjesht popullit pellazg”.

Naim Frashëri:Tek “Bagëti e Bujqësi”, kur i drejtohe dallëndyshes:

“Eni vjen prej Çamërie …me milëra fjalë e me gluhë perëndie”. Për gati dy dekada ai i ra kryq e tërthor Çamërisë dhe ky është nëndialekti që dëshmon, më shumë se çdo gjë tjetër, lashtësinë e gjuhës shqipe e sa kishte hyrë thellë tek Naimi. Naimi e dinte me themel nëndialektin e Çamërisë.

Abdyl Frashëri, “Çështjen Çame” e bëri problem në kancelaritë e perëndimit. Ai arriti të zgjojë atdhetarizmin, në të gjitha trevat shqiptare. Abdyli bashkë me Mehmet Ali Vrionin, shkuan në kabinetet e Europës për të mbrojtur çështjen Shqiptare, kryesitsht të Epirit, të ndihmuar fuqimisht nga djali i Çamërisë, Abedin Pashë Dinon. Në udhëtimet e tij në Europë për të mbrojtur Çamërinë, ai shkriu 7 barrë flori, kurse kryetari i Lidhjes Shqiptare për Jugun e Shqipërisë, Abedin Dino (djalë i Prevezës-FD), shiti 2000 hektarë tokë dhe paratë që mori i përdori për nevojat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Abdyli me ndihmën edhe të Abedin Dinos, firmosi letrat e përfaqësimit në Çamëri dhe në krye të një delegacioni të dalë nga Kuvendi i Dibrës, u ngarkua për t’i paraqitur Sulltanit kërkesën për një autonomi territoriale administrative të Shqipërisë.

Në çdo memorandum, në mbrojtje të Çamërisë, në krye janë firmat e Abdyl Frashërit. Abdyl Frashëri bashkë me Abedin Dinon, në Mbledhjen e Prevezës të vitit 1879, arritën qëgrekët, me pretendimet  tyre shoviniste për të grabitur Çamërinë, tëdështojnë. Në saj të Abdylit, të Abedin Dinos dhe të Hasan Tahsinit, Çamëria dhe Janina edhe për 35 vjet të tjera mbeti në duart e shqiptarëve.

Martin P. Nilson, studiues i njohur suedez, në veprën: “Studime mbi historinë e Epirit të lashtë”, botuar në Londër në 1909, sqarohet më së miri, se Epiri nuk ka qenë ndonjëherë grek, ky rajon ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshueshme.

Kaklamanos, përfaqësuesi grek në Lozanë, më 19 janar 1923, deklaroi se qeveria e tij nuk kishte aspak ndërmend të fuste në shkëmbim “myslimanët me origjinë shqiptare” për të cilët ai vetë kishte pohuar se “banojnë në një krahinë të përcaktuar qartë-Epirin” dhe se “derisa janë bashkëfetarë me turqit, nuk janë aspak bashkëatdhetarë të tyre”.

Nga sa më sipër, del mëse e qartë autoktonia dhe vazhdimi i pellazgo-epiroto-shqiptarëve të banorëve të Çamërisë. Thesprotët janë quajtur fise pellazge me qendër shpirtërore tempullin e Dodonës. Banorët e vjetër të Çamërisë, përgjigjen për vendndodhjen e Çamërisë e shprehnin në të folurën e tyre: “Çamëria zihet ka lumi i Shalësit (Pavllo) në veri, jaram te tre gurët e zes në Prevezë”-[“Çamëria fillon nga lumi Pavllo i Shalësit (fshat në komunën e Konispolit) në veri, deri tek tre Gurët e Zezë në Prevezë-FD]. Çamët dhe epiriotët, kanë patur me helenët ndryshime nga kultura, gjuha, historia, zakonet, territori, etj.

Të gjitha këto të vërteta, kanë arritur të shpëtojnë nga fshirja dhe ndërhyrjet e shumta për shtrembërimin e tyre në historinë e shkuar, siç po veprohet edhe sot me ndërhyrjet e fuqishme që bëhen nga shteti Grek, për emërin e Maqedonisë dhe zhdukjen e emrit të Çamërisë. Por jo vetë pala greke, ka dhe studiues sharlatanë shqiptarë, që përpiqen për të rritur vlerat historike krahinore, gabojnë pa dashje apo me dashje të ndihmojnë në shuarjen e të vërtetave dhe na e spostojnë me laps Dodonën mijravjeçare, nga mali Tomar, në malin Tomorr, ose e marrin “hopa” nga Thesproti/Çamëria dhe e vendosin në Malin e Tomorrit?. Me këtë veprim mendje shkurtër, i thuhet historisë që gjeografikisht Thesproti/Çamëria nuk është trevë pellazgo-epiroto- shqiptare, por e lëshojnë që të bjeri ku ta shpjerë era e tradhëtisë kombëtare.

Për ti hedhur poshtëedhe këto përpjekje tradhëtie në ndihmë të shuarjes dhe fshirjes së historisë, lidhur me “Dodonën”, po citojmë Strabonin: “……Të dy poetët tragjike dhe Pindari e kanë quajtur dodonën: “Dodona thesprotiane”. ….Në çdo rast, nga poeti askund nuk janë quajtur orakujt “themistes”, por është thënë se dekretet, statutet dhe ligjet janë quajtur “themistes”; ndërsa banorët, njerëzit janë quajtur “tomouroi “, sepse “tomouroi ” është një tkurrje (shkurtim) i fjalës “tomarouroi”, (fq. 329), ekuivalente e fjalës  rojtar, ose portjer “tomarophylakes” (fq. 467). Nga kendej del dhe emri i malit në Dodonë “Tomar” dhe jo Tomorr, siç dikush pretendon.

  • ●●

Për shqiptarët çamë, që historia i ka caktuar të jenë një grup njerëzisht fatkeq, analiza ndaj tyre detyrohet të përqëndrohet në disa rrethana të veçanta. Nuk ka alternativë tjetër për zgjidhjen e problemit kombëtar të trojeve etnike dhe gjenocidin grek ndaj pjesës së popullsisë shqiptare të Çamërisë, përveç shtetit Shqiptar dhe Konventave Ndërkombëtare, që Këshilli i Europës duhet të kërkojë zbatimin rigoroz prej të gjithë shteteve.

Rëndësi e veçantë dhe aspak tolerim kërkohet të kenë personalitetet e shtetit Shqiptar, në deklarimet e tyre lidhur me çështjet kombëtare, si nga pikpamja historike ashtu dhe gjeografike. Nuk është shteti Shqiptar që ka pushtuar territore të huaja, por fqinjët tanë kanë përfshirë në territoret e tyre hapësira etnike shqiptare. Është ky realitet, që e bën të detyrueshëm pozicionin “shmangës” të personaliteteve të larta të shtetit Shqiptar, lidhur me deklarimet: “Nuk kemi pretendime territoriale ndaj fqinjëve”. Nuk arësye të mbahen qendrime euforike, që realisht janë të pasinqerta, nuk pasqyrojnë të vërtetat, por gjoja i përgjigjen rregullave ndërkonbëtare të kohës. Qendrimet e “cekta”, ose “tolerante”, bien ndesh me qendrimet e vazhdueshme të fqinjëve të cilët edhe në ditët e sotme vazhdojnë të mbajnë të “ngrehur” një “Ligj lufte” ndaj nesh, duke treguar se ata paskan pretendinme kufijsh ndaj Shqipërisë. Dy qendrime në të njëjtën periudhë, me po ato rregulla ndërkombëtare. Njëri qendrim inferior, gjoja parimor, dhe një qendrim superior, jo parimor, por i pranuar dhe i justifikuar nga gjeopolitika e sotme europiane. “Ambiguity konstruktiv” (Paqartësia konstruktive), ka qenë strategjia e preferuar e Bashkimit Europian në mënyrën e sjelljes me Ballkanin.

  •                                 ••

Në ritualin e përkujtimit të banorëve të Çamërisë, të cilëve kockat u gjenden në nënëdhéun e Kllogjerit të Konispolit, të datës 24 qershor 2018, disa nga deklarimet e mitingmbajtësve, kërkohej dhe duhej të ishin më të sinqerta e të drejtpërdrejta. Në ato deklarimeve veçojmë: Sipas gazetës shqiptare news 55:“Qeveria tradhtoi çështjen Çame”, eDiel, 24 June 2018 .“Kryetari i PDIU-së, ..ishte i pranishëm në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Kllogjerit në Konispol. Në këtë vend më shumë se 2.900 shqiptarë të Çamërisë kanë humbur jetën pasi u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre në Çamëri nga Greqia. Në atë takim, mes të tjerash u deklaruat se:“çështja çame zgjidhet nëse në tavolinën e bisedimeve do të jenë PDIU dhe Shoqata Çamëria”. Në këto të shprehura vrehen disa nuanca të dyshimta, të cilat përpiqen të bejnë diferencën mes etnisë shqiptare në tërësi, duke e vënë theksin se gjoja ai komunitet i dhimbset, apo duhet ta mbrojë vetëm Shoqata Çamëria dhe PDIU. Duke ecur në “linjën e veçimit”, u deklarua dhe u mohua puna e madhe diplomatike e shtetit Shqiptar, i cili gjatë dekadës së dytë dhe të tretë të shekullit të kaluar, ka mbrojtur vendosmërisht çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Nuk mund të shpërfillen përpjekjet tepër serioze të bëra në të gjitha takimet ndërkombëtare. Është e pa pranuar që sjellja jonë e sotme të mos njohë dhe të mos nderojë mbrojtjen kombëtare që është bërë në kohën e Mbretërisë së Ahmet Zogut, të qeverisë së Fan Nolit.

Absolutisht është i pavënd  deklarimi …”se sot Shqoqata Çamëria dhe PDIU u paska dashur t’u a mësojnë historinë e Çamërisë atyre”, apo shtetit të sotëm Shqiptar, i cili e zgjoi nga harresa dhe heshtja.

Ky deklarim: “ju mësuam historinë se nuk e kishin haberin” , lëtëkuptohen paramendime të qëllimshëm, ku me “marifet”, hidhet poshtë gjihçka e bërë nga paraardhësit, si autoritetet shqiptare dhe atdhetarët çamë (kur keta të sotmit nuk kishin lindur), duke deklaruar se para PDIU-së dhe drejtuesave të sotëm, nuk njihej historia e Çamërisë. Kushdo qëmendon kështu, duhet tëkuptojëndikimin negativ, se gjoja “Çështja Çame”, ashtu siç pretendohet sot, na paska lindur gjatëLuftës sëDytëBotërore.  Është në nderin tonë përulja me respekt dhe nderim para veprës së paraardhësve dhe përpjekje me përkushtim për të ndikuan në zgjidhjen e problemit “çam”, një çështje  thelbësore kombëtare shqiptare.

Parashtrimi i këtyre pretendimeve, përgadit terren që nesër historia të shkruhet duke u a atribuar njohjen e historisë së Çamërisë vetëm këtyre afro 14 viteve të krijimit të PDIU-së dhe se para kësaj partie, sipas tyre, ajo histori nuk njihej dhe nuk e kishin haberin. Kështu realizohet, me kujdes politik, uni i këtij apo atij drejtuesi partiak, që gjoja pretendohet të mbrohet dhe zgjidhet “Çështja Çame”dhe e rajonit të Çamërisë, vetëm prej tyre, kur dihet që partitë politike ndihmojnë në proceset e ndryshme. Vendimmarrja për zgjidhje është e drejtë e vetme shtetërore me qeveritëpërkatëse.

Nëse kjo alternativë është mision i asaj partie, në mënyrë kategorike nuk përkon me pikëpamjet e popullit shqiptar në përgjithësi dhe hidhet poshtë me indinjatë(indignation) nga pjesa çame e këtij populli. Populli shqiptar dhe shqiptarët e Çamërisë, pavarësisht rezidencave, shprehin nderimin dhe përgëzimet më të sinqerta ndaj atyre qeverive shqiptare të djeshme dhe të sotme, të cilat janë ngritur në nivelin e duhur kushtetues të mbrojtjes së të drejtave kombëtare.

  • ••

Le të ndalemi pak edhe në deklarimet e ditëve tësotme, të cituara në gazetën greke “Protothema”, të cilat na i sjell gazeta “Dita”, dt. 02/07/2018 ku lexohet: “Dhamë Epirin e Veriut”. “..E përditshmja “Protothema” i mëshon faktit për Epirin e Veriut. “Japin Epirin e Veriut për Çamërinë që nuk ekziston”, është titulli i këtij shkrimi.Sipas saj, pala greke ka pranuar që të heqë termin “Epiri i Veriut”, megjithatë kjo nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Nga ana tjetër, edhe Shqipëria nuk do të përdorë më termin Çamëria, shkruan gazeta greke. Në të dyja rastet, thuhet në artikull, nuk do të ketë pretendime formale territoriale”.

Trajtimi i dy çështjeve: “Epiri i Veriut” dhe Çamëria janë dy gjëra të ndryshme nga pikpamja gjeopolitike dhe historike. “Vorio Epiri” është një toponim i sajuar gjatë Luftës së Parë Botërore dhe atyre Ballkanike, duke u bazuar në dëshirat e shfrenuara të zgjerimit të hapësirave të helenizmit me bazë besimin fetar të ortodoksisë. Çamëria apo Thesprotia historikisht, gjeografikisht, antropollogjikisht ka qenë dhe do mbetet e banorëve autoktonë të etnisë pellazgo-epiroto-shqiptare, siç u relatua  më lart.

Po shuaj  këtu edhe dyshimet e shumta, sidomos të palës greke, të cilët i përmbahen tezës së sajuar se toponimi “Çamëri” na qenka vendosur në kohën e pushtimit Osman dhe, meqë pala greke ka alergji dhe tmerr nga ajo perandori, kërkon ta shuajë nga harta, nga historia dhe deri nga librat shkollorë, që për fat të keq mundet të pranohet nga ndokush që historia kombëtare është e panjohur, por qëdo ta gjykojë!.

Çamëria në kohën e hershme (shekulli i IV-të para Krishtit), ishte e ndarë në tetë njësi bashkësish të brendshme fisnore  me emërtimet dhe kufijtë ndarës brenda Thesprotisësi vijon:Parakallamo; Dagavi; Phanari (Fanari); Çamohori (Thsamokhori), (Fjala “hor” tregon tokë me gropa-sopa (rough); Lamari (Lumara dmth ara lumëla, që përshkohen nga uji i lumit); Kampos; Llaka; Kato Skala (Shkalla e poshtëme).

Një nga njësitë e bashkësisë së Thesprotisë, e cila daton qënga shekulli  IV para Krishtit, quhet “Çamohori”. Kohë kur ende nuk kishte lindur perndoria romake, as bizantine , apo ajo osmane, që grekët e sotëm duan të kamuflojnë gjithshka me gjoja toponime osmane. (Për më shumë, shif: Njohuri historike për Thesproti/Çamërinë, fq.76, bot. i vitit 2014-Tiranë FD).

Nga viti 1830 deri sot, shteti Grek në zbatim të “Megalloidesë”, ka synuar dhe realizuar shtimin e territoreve nëpërmjet luftërave, mashtrimeve, shpifjeve, predikimeve ortodokse kishtare; ndërsa me shekullin e XXI, krahas atyre metodave, kanë hedhur në arenën politike, diplomatike, ushtarake, këmbënguljen për shuarjen e toponimeve tëemrave të fshatrave, të rajoneve dhe deri edhe të shteteve, siç po vepron me ish banorët çamë myslimanë dhe rajonin e Çamërsië, apo me Republikën ish Jugosllave të Maqedonisë. Këmbëngulje të cilat synojnë shuarjen dhe fshehjen e historisë së kaluar në dëm të fqinjëve të saj, gjë që i siguron tjetërsimin gjeografik të territoreve të popujve jo grekë.

Ende pa u nënëshkruar marrëveshja mes dy shteteve, pa pritur as miratimi nga parlamentet përkatëse të dy shteteve, pala shqiptare, me entuziazëm të paparë, me një shpejtësi dhe fshehtësi të rrufeshme, fillon dhe vë në zbatim disa nga çështjet që janë në diskutim. Ndërsa pala greke, arrin deri tek deklarimet se “po diskutohet kjo dhe ajo”, por asgjë nuk lëshon përpara “vulosjeve zyrtare. Taktikëe përdorur ndër shekuj.

Kush e ka autorizuar Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, që të mos lëshojë pasaporta për nënështetasit shqiptarë që kanë lindur në rajonin e Çamërisë?

Kush është urdhëruesi i këtij institucion që lërkon të verë në zbatim një çështje që nuk është vendosur ligjërisht dhe që pala greke e ka ngritur zërin fort se në këto negociata “Çështja Çame” nuk është e përfshirë?

Apo zgjidhja e “probblemit çam”, vërtet nuk diskutohet, por ndaj shqiptarëve çamë po diskutohet që atyre tu shuhet edhe vendlindja?.

Nëse me pasaportat shqiptare nuk do të paisen çamët e lindur në Çamëri (sepse ashtu do pala greke) atëhere me ç’farë dokumenti do të paisen për të siguruar barazinë, lirinë dhe lëvizjen e lirë?

Ku bazohen drejtuesit e “emëruar” tështetit Shqiptar, për të cënuar të drejtat e njeriut?.

Kush e pranon dhe e lejon shtetin Grek të ndërhyjë egërsisht në punët e brendshme të një shteti tjetër?

Nëse e nesërmja do vërtetojë se në këto negociata është pranuar një gjë e tillë, diplomacia e sotme shiptare, jo vetëm ka kryer tradhëti ndaj atdheut, por ka shkelur në dinjitetin e kombit shqiptar. Nuk duhet t’unënështrohemi “vetove” çnjerëzore që sillen në qiellin e Europës Plakë, dhe përdoren për përfitime të territoreve etnofetare.

Nëse zyrtarëte “emëruar partiakë” qësot drejtojnështetin, bien nëkurthet antikombëtare; përfaqësiuesit e shtetit Shqiptar të “zgjedhur nga populli”nesër do ti gjykojnë.

Kjo është e vërteta e Thesprotisë apo e Çamërisë. Por ja që ka dhe gënjeshtra, mashtrime, shpifje që ndërthuren me endje, tregëtohen me dinakëri e dhunë për të ndryshuar identitetin e prejardhur nga lashtësia para Homerike, që të tjetërsohen si territore të ardhacakëve aziatikë gjatë shekullit XX. Fallsifikime mjeshtërore, nuk e kanë të vështirë të zënë vend në mendjet e shumta mediokre, ku finesa e dinakërisë greke tek këta ngjit si me zamkë.

Tiranë, më 14/07/ 2018

 

Filed Under: Fejton Tagged With: Cameria, E LARGON ERRËSIRËN, e verteta, Fahri Dahri

ABSURDITETI QË RRETHON TEATRIN PA SHTËPI

July 14, 2018 by dgreca

3-xhevair-lleshi-zyre-300x167Nga Xhevair Lleshi/

1 APOLOGJIA

Shtëpia e teatrit? Po, mor, ekziston, si jo. Askujt nuk i shkonte mendja se teatri mund të ishte edhe plaçkë lufte. Përndryshe do ta kishin paketuar me kujdesin më të madh si për ta ruajtur diku, ndoshta në ndonjë nga garazhet e vjetër të ushtrisë së re. E, duke qenë plaçkë lufte e lanë të gjente lirisht një strehë dhe ai i ndërroi tri shtëpi dhe pastaj mbeti në mes të rrugës. Kështu që e fjeti mendjen: do ta gjente një garazh çfarëdo, me hupulít, një dhuratë e mëkëmbësit të mbretititalian në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, sido që të vinin punët. Edhe në këtë moshë të shtyrë përsëri do ta gjejë strehën. Kemi, fjala vjen Turbinën. Gjë e rrallë! Jo,s’është romantike, por bën siç i thonë, bën. Dhe të dukej se syri i bashkëfolësit tënd lëvizte syrin e djathtë, të madh e aq magjepsës, që s’të ndahej e të bënte për vete. Teatri i madh për një vend të vogël, duhet të jetë jo me shumë vende, por mjaft komod, dhe të tillë e bëjnë kullat,dëgjomë mua, ato do jenë qershia mbi tortë. Mrekulli të reja shqiptare! Po pse nuk e bëjnë këtëqë thonë andej nga bulevardi i ri? Bashkëfolësi im, edhe ai i dhënë pas teatrit si puna ime, po më shihte pak me të keq. Nuk ta hiqte atë sy aq ngacmues e të ëmbël, gati foshnjarak, por për femrat, e dija, ishte vërtet një tundim tronditës. Teatri, thoshte ai, do të na marrë më qafë. Shoh diçka të keqe. Unë nuk mbroj kullat, e di, por më vjen të pëlcas se si nuk kuptojnë që me atë sebep bëjmë të riun, me tri salla dhe me tre kate, nën hijet e kullave, sigurisht! Askujt nuk i shkonte ndërmend që ky të binte në dashuri me fjalët e tij dhe pa përmendur aktorët fare, merrej me anën e jashtme, të lodhur, jo ngashënjyese, trëndafilshkulur, siç shpreheshin aktoret më të vjetra, ngaqë s’hiqnin kurrë dorë nga thumbat. Ja, miku im, më thuaj një, një të vetëm, që t’i bëjë apologjinë teatrit. Se mos më thua për Mirush Kabashin, me që ka bërë Apologjinë e Sokratit! Se nuk është njëlloj apologjia e teatrit me Apologjinë e Sokratit! E di, vetëm emrin Sokrat të ndryshosh dhe në vend të tij të vendosësh teatërdo të shohësh, pa pritur e pa kujtuar do shtrohesh në një klinikë urgjence dhe s’të riparon dot kush, gjersa një ditë të heqësh shpirt! Mirëpo, ke parë ti? Atë ndërtesë të vjetër, natyrisht jo e vjetër sa bota, sikur e mbron një fuqi djallëzore, me gjithë rrapëllimat dhe shtërzimet e tokës që kanë qenë gati të mbysnin dynjanë! Ajo rri atje, kryeneçe. E mua më bëhet se po kalon Kadri Roshi dhe me dy khe-khesikur jep frymën e tij. Gremisu Kadri! Prapë me teatrin ti? Tani ka dalë ai, aktori i Vlorës dhe thotë gjëra të mëdha, ai, pra, Bujar Asqeriu? S’të vjen në mendje? Lëre më mirë, të rrufisim kafenë, të heqim athëtirën pushtetore, të zhdukim mpirjen sociale, jo prej ndonjë pakënaqësie, po gjithnjë nga dashuria. E kush nuk e do aktorin e madh Reshat Arbana, ai me zërin e tij të gjëmimtë është gati të tundë nga themelet tërë dynjanë! Se kjo puna e zërit është punë e madhe! Vetëm zëri bën çudira! E ku do vesh pa zë, të gjen si ai që e fik atë të shkretë zë në kulmin e thirrjes dhe njerëzit tremben se iu duket si një kedh. Le të jetë sado bukurosh e i krekosur, pa zë kthehet në zhelan. Aktorët, miku im që edhe në festa e në vdekje, shkojnë e vijnë me rrobat e punës, janë tjetër mall! E kështu të fikin derën! E pse? Sepse puna e tyre është Fjala!   I pëlqente kjo gjë më fort se gjithçka, ndaj dhe del në protestë. Edhe unë do vij në protestë or mik! Të jem aty. Se edhe unë e dua teatrin si puna jote. Kemi qenë, ohu, denbabaden, me teatrin ne, kur të tjerët i binin maces me lugë! Një famë e bukur na rrinte pranë me një lloj zilie të trembur, se ai ishte gati të bënte që të gumëzhinin ëmbël nga fyti gjenial i të mëdhenjve një kushtrim lirie. Dhe kjo e bënte gjithë sheshin të ushtonte, duke qenë gati ta ngrinte zërin në kupë të qiellit për t’i dhënë frymë shoqërisë. E pse të mos shquhej një fije? Thirrje, përshtypje dhe bulevardi merr pamjen e një skene të jashtëzakonshme. Kanë ardhur zërat e fuqishëm. Le të jenë pak. Nesër vetvetiu bëhen shumë dhe si ai lumi që vjen janë gati të vënë përpara gjithçka sepse ky hall nuk është dot kurrë më i rëndë se fama…

Tiranë, më 12 korrik 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: ABSURDITETI QË RRETHON, TEATRIN PA SHTËPI, Xhevair Lleshi

Shteti “i së drejtës” në pikiatë! Rroftë integrimi!

July 14, 2018 by dgreca

2-enver-Bytyci-1Shkruan: Enver Bytyçi/

Parashtrimi i parë: Elvis Roshi, një nga eksponentët më në zë të krimit në Shqipëri, ish kryetar socialist i Bashkisë së Kavajës, u dënua dje nga gjykata me 60 orë “punë të detyruar në komunitet”?! Dënimi arësyetohet se “Roshi, me pesë emra të ndërruar për t’i ikur ndëshikimit të krimeve të tij, kishte përdhunuar në grup një femër shqiptare në Itali dhe për këtë ishte dënuar, por që e kishte fshehur veprën e tij kriminale”! Në vendimin e arësyetuar për këtë masë ishte “kërkesa për gjykim të shpejtuar” dhe “të qenit baba i dy fëmijëve”. Rrethana lëhtësuese e të qenit baba ishte e vetmja rrethanë e artikuluar në vendimin e gjykatës. Por këtë rrethanë, si dhe atë të gjykimit të shkurtuar e arësyetoi edhe prokurori i çeshtjes. Kontrasti: Djemtë e Kukësit që protestuan për një të drejtë të ligjshme, të pranuar verbalisht edhe nga kreu i ekzekutivit u arrestuan natën, u mbajtën në burgje dhe u keqtrajtuan nga policia. Ata u arrestuan në mesnatë në sy të fëmijëve, nipërve e mbesave, pa e arësyetuar asnjëherë këtë rrethanë. Shteti, gjykata, prokuroria, policia u sollën me këta djem sikur ata të ishin kapot e bandave kriminale! Në fakt ata janë hallexhinjtë më të mëdhenj të vendit e të Europës! Megjithatë “forca e ligjit” e proklamuar nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafa, nuk i kursen hallexhinjtë, kursen vetëm përdhunuesit e trafikantët. Ylli Manjani thoshte se këta “dënojnë dikë që ngacmon seksualisht, e nuk dënojnë përdhunuesit”! Unë po shkoj më tej me disa fakte të tjera: Ndërkohë që kjo qeveri çoi në dyert e policisë e të burgjeve 38 mijë qytetarë për mospagimin e energjisë elektrike, nxori nga burgu me garancinë e kryebashkiakëve socialistë kapot e bandave vrasëse në disa qytete të vendit. Ndërkohë që kjo qeveri çoi në burg qytetarë, të cilët riparuan pa leje çatitë e shtëpive, nxorën nga burgu njerëz që kishin ndërtuar pallate pa leje dhe pastronin paratë e pista me këto ndërtime. Një prej tyre është deputeti Frroku! Ndërkohë që kjo qeverisje dënoi disa punëtorë mëditës në parcelat e hashashit, ka lënë të lirë dhe mbështetur në bisnesin e drogës kapobanda pa numër përfshirë Habilajt, Balilin e shumë të tjerë, të konsideruar si “Eskobari i Ballkanit”! Ndërkohë që në qeli kanë gjetur vdekjen së paku 15 të dënuar varfanjakë për shkak të ndonjë shkeljeje të rregullit në qarkullimin rrugor, në pagesën e taksave dhe detyrimeve ose për atë që quhet konflikt verbal, bosët e drogës, të krimit dhe të bandave bëjnë jetë pashai në burgje dhe prej andej drejtojnë ende bandat e krimit në Shqipëri. Nëse një personi jo publik do t’i del emri në përgjimet e bandave, ai përfundon menjëhëre në qeli, por ministri i Brendshëm për të njëjtën arësye shetit i lirë, madje me karshillëk ndaj ligjit! Nëse një qytetar do i kishte dhënë makinën një banditi pa e çrregjistruar, do të shkonte në qeli, së paku për abuzim në shlyerjen e detyrimeve të taksës, por ministri i brendshëm për të njëjtën arësye nuk mban asnjë përgjegjësi! Nëse një qytetar strehon dhe mbron një kriminel, ose nuk dëshmon për krimin e kryer, dënohet me burg pa mëshirë. Ministri aktual i Punëve të Brendshme vazhdon i qetë detyrën shtetërore, edhe pse është objekt i kësaj akuze! Nëse një qytetar fyen rëndë një shtetas tjetër, qoftë ky dhe familjar, prokuroria dhe gjykatat e konsiderojnë këtë kërcënim për rendin. Por nuk konsiderohet i tillë kryeministri i vendit, kur publikisht i thotë deputetit se “nga cili p… vjen ky”! Nuk konsiderohet i tillë Edi Rama, kur fyen në grup gjithë deputetët e opozitës!!! Dhe nëse rendisim fakte të tjera, ato do të jenë pa fund! Vetëm se një gjë është e qartë: Në këtë vend shteti ka rënë! Shteti i së drejtës nuk ekziston më! Shqipëria është tashmë një diktaturë jo aq e fshehur! Integrimi është thjesht një demagogji, për t’i dhënë shije limonate diktaturës! Të integruar duket se janë trafikantët me pesë emra, por jo njerëzit me dinjitet, të cilët nuk pranojnë as t’ua shkurtosh emrin që kanë! Drejtësia në demokraci është kushti i parë për civilizim! Edhe në mesjetë forca e shteteve matej me shkallën e drejtësisë! Sot ky parim, së paku në Shqipëri nuk ekziston! Rroftë integrimi! Tiranë, 14.07.2018

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Rroftë integrimi!, Shteti "i së drejtës" në pikiatë!

URIME BASHKEVUEJTSI I IM!

July 14, 2018 by dgreca

1-Sami-Repishti-ok.JPG-250x275Nga Sami REPISHTI, Ph. D./Me gëzim mora lajmin se Këshilli Bashkiak i Qytetit Shkodër ka vendosë të deklarojë qytetarin shkodran, dhe bashkëvuejtës i im, Z. Ahmet Bushati “Qytetar Nderi” i qytetit të Teutës. Urimet e mia për këte akt që plotëson nji mungesë të ndieme për nji kohë të gjatë.

E kam njohun Ahmet Bushatin në vitet e rinisë së parë (Nana e ime vjen nga familja Bushati). Por e kam njohë ma mirë vetëm kur ai u arrestue si student aktivist antikomunist, u torturue mizorisht, dhe u denue me shtatë vjet burg të randë e punë të detyrueshme. Në burgun e Shkodrës ku ai u mbyll, me gjithë vështirsitë e Rregullores, jemi takue dhe natyrisht kemi bisedue për gjendjen tonë të randë si dhe kemi ushqye shpresën e nji dite lirimi për të gjithë. Ahmet Bushati më la përshtypjen e nji të riu entuziast por i matun dhe impresionoi të gjithë në burg me tregimin nga shokët e tij për torturat shnjerëzore që u përdorën kundër tij, dhe rezistencën e jashtëzakonshme që tregoi gjatë “hetuesisë” së Sigurimit të Shtetit.

Bashkë me ate, erdhën në burg edhe shumë studentë të “Liceut At Gjergj Fishta” të akuzuem për veprimtari kundër pushtetit, të rij të djegun për demokraci në vendin tonë. Ishte kjo rini që frymëzoi të gjithë, sepse dha të kuptojmë që rezistenca nuk ishte shue përjashta burgut dhe se parashikimet ishin optimiste: rinia shqiptare i rezistonte propagandës dhe praktikës së  rregjimit të hunit e të litarit.

Ditët, javët e vitet kalojshin në këte atmosferë mbytëse dhe nën kercënimin e përherëshëm të vdekjes në torturë. Por edhe rezistenca e jonë bahej ma e fortë, ma koshiente sepse njohëm “anmikun” ma mirë, dhe ma kambëngulëse kundër egërsisë së policit. Njikohësisht, pjekunia që vjen me moshën krijoi nevojen e pakundërshtueshme me analizue jo vetëm gjendjen tonë, por edhe fatin tonë në burg, dhe sidomos në ditët kur dënimi i jonë plotësohej dhe pritej lirimi. Cilët jemi ne që dalim të gjallë nga burgu, dhe cili ashtë “roli” i jonë në nji shoqëni që eventualisht do të jetë e ndryshme nga ajo që na mbante të mbyllun në burgje?

Këtu më duhet të pohoj se ajo që gjetëm jashte burgut ishte e pandryshueme, dhe ajo që u krijue mbas ramjes së komunizmit akoma edhe ma deshpruese.

Në burgjet e errëta e kampet e punës së detyrueshme na kishim fillue me u ba të ndërgjegjshëm për pasojat e komunizmit: a do të ishim na në gjendje me rikrijue bashkësinë e vëllazënve e motrave shqiptare mbas nji katastrofe përmbytëse? A do të ishim na të ndërgjegjshëm, nesër në botën tonë pa burgje për rolin tonë të ri në shoqëninë që andrrojshim të lirë, pa frikën e persekutimit dhe pa kercënimin e urisë që sistemi shtetnor komunist kishte organizue në nji shoqëni të shtypun?

Vetë ideja që kujdesi i jonë përqendrohej në mendime të këtilla fisnike e larg konceptit të shtypjes e mjerimit që na kishte mbulue, na mbante gjallë, të fortë, kryenaltë e të vendosun. Edhe ma parë kam deklarue se “në burgjet e fashizmit dhe komunizmit, rinia shqiptare që u dogj gjatë atyne viteve heroike, po hidhte themelet e nji bashkësie vëllaznore të lirë, e të çlirueme nga mentaliteti i persekutimit nga nji shtet monster”.Ajo që na imponohej ato ditë ishte thanja e filozofit gjerman, F.Nietzsche, :”Ata që luftojnë kundër përbindshit, duhet të kenë kujdes të mos kthehen në përbindsha” Duhej ruejtë e forcue fryma njerëzore në mbrendinë tonë, të luftohej pa mëshirë çnjerëzimi i jonë…humbja e jonë e plotë dhe e pareparuesme.

Për fatin tonë të mirë, kaluem këte fazë kritike me suksesin ma të plotë: përbuzëm urrejtjen per “anmikun” kriminel- urrejtjen, këte smundje që vret të gjithë ata që e ushqejnë-  dhe vendosëm besimin tonë në aftësitë tona me zbatue drejtësinë. Fatkeqsisht, optimizmi i jonë u trathëtue nga karrieristët e politikës së ditës….! E kaluemja e jonë u venit nga vitet e mos-veprimit për ndertimin e demokracisë, dhe vuejtjet tona i mbuloi harresa! Akoma sot, Shqipëria nuk ka pranue fajin publikisht; ajo jeton me ndërgjegje të randueme nga pesha e fajit të kryem. Kjo gjendje pa zgjidhje na frikëson. Në qoftë se refuzojmë me përballue përbindshin e së kaluemes, breznia e re do të pësojë rrjedhimet e paevitueshme. Sepse, në Shqipëni, komunizmi ka çveshë shqiptarin nga rrobet e trupit e të shpirtit!

Sot, mbas shumë vitesh aventure politike nga klasa të pa ndërgjegjëshme të partive politike, shumica e të cilave të daluna nga gjiu i PKSH/PPSH kriminele, na kujtohen ditët e vështira, dhe dyshimin tonë të justifikuem se, qytetarët shqiptarë do të dilshin nga shoqënia komuniste si qenie të sakatueme, dhe do të vazhdojshin me jetue nën peshën e frikës, frikës së madhe të kafshës që tërhiqet zvarrë, me dru e me litar, në kasaphanet e qyteteve tona….!

Në bankët e shkollës së mesme, kur Shqipënia nuk kishte akoma institucione të arsimit të naltë, gjatë viteve të pushtimit të huej, rinia studenteske e moshës së Ahmet Bushatit zgjodhi alternativen e nderit që kushtoi shumë vuejtje e gjak. E shgënjyeme nga eksperienca komuniste, kjo rini vazhdoi me ndjekë rrugën e vetme që mbetej: rrugën e nderit. Per Ahmet Bushatin dhe kolegët e tij, me kundërshtue “diktaturën e proletariatit”, me mbrojtë të drejtat e Kosovës e Çamërisë, me refuzue duertrokitjet për marrëzitë e diktatorit, nuk kanë qenë akte të thjeshta; ata kanë qenë gjeste të jashtëzakonëshme, detyrë morale, e korrekte politikisht për të gjithë. Edhe këte detyrë breznia e re-sidomos ajo studenteske- e kreu me nder e guxim. Pjesa ma aktive ku bante pjesë edhe Ahmet Bushati u përballue dhe u përlesh me “të keqen” që mbuloi vendin tonë; ajo rini, ende e parritun mirë, u hodh në zjarrin e nji lufte të pabarabartë që nuk mund të fitohej…..jo për fajin e tyne. Sot, breznitë e reja shqiptare kanë nji trashëgim të ndritun me ndjekë: me ndigjue zanin e ndërgjegjes dhe me ndjekë ate me pasionin e tyne rinor!

Sepse pasiviteti mundëson ushtrimin e dhunës kundër të pafajshmit. Heshtja nuk ashtë përgjigje; ashtë nji e keqe pasive. E kur kjo “e keqe” vret e copton, me heshtje na kryejmë aktin e vetëvrasjes sonë morale. Breznia e Ahmet Bushatit përbuzi heshtjen, përballoi fortunën, dhe u dogj në flakën e lirisë që aq shum kërkoi!

Historia na mëson se ata që harrojnë të kaluemen e errët janë të dënuem me e përsëritë. Në Shqipëninë tonë ky fenomen negativ ka triumfue: terrorin komunist e ka mbulue heshtja, dhe heshtja zakonisht vret ata që e përqafojnë. E kundërta ngjau në vendet e përparueme, me kulturë politike ma të zhvillueme, dhe me sensin e plotë të marshimit të historisë. Në ish Gjermaninë naziste ky problem u përballue direkt dhe pa kompromis me mobilizim të përgjithshëm, nji konditë kryesore që në Shqipëni na mungon. Gjermania ka krijue nji identitet politik të ri,  tue shlye turpin e së kaluemes saj kriminale.

Këtu kemi para vetes ekperiencën shqiptare: falimentimin në çrranjosjen e efekteve të komunizmit në Shqipëni. Por me kalimin e kohës harresa përparon. Duhen akte që pengojnë fitoren e harresës  Monumentët për viktimët, dhe Muzeumet për popullsinë  e gjanë, së bashku me programe shkollore për të rinjtë tonë, janë hapat e parë.

Në Shkodrën tuej e timen, nji qendër e rezistencës demokratike, kjo inisiativë u ba pikësynimi i bashkëvuejtsit tim, Ahmet Bushati. Me punë të pa ndërpreme, me ballafaqim të të gjitha vështirësive që ndeshi në rrugën e tij, ky demokrat ia doli me përfundue themelimin e Muzeut të Dëshmisë dhe Memorjes që Shkodra sot posedon, nji pasqyrë e qartë e së kaluemes së errët komuniste. Vetëm për këte ndërmarrje, Ahmet Bushati meriton titullin “Qytetar Nderi”.

I dashtuni Ahmet! E gëzofsh mirënjohjen e  qytetit të Shkodrës!

14 korrik 2018                                                                       Sami Repishti, Ph.D.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ahmet Bushati, Sami repishti, Urime bashkevuajtesi im

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT