• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

TINGUJ EROTIKË

October 12, 2018 by dgreca

TINGUJ  EROTIKË/

Nga Anton Çefa/

3-anton_cefa

TE DERA E JETËS TË KAM PRITË/

Ndër ninza agimesh/

vezullon universi i blertë i jetës./

Atje te dera e saj/

të kam pritë,/

Evë e Afërditë!/

Shpirt prej arome trëndafili,/

trup prej tuli bore të përndezun,/

më ke pritë,/

Evë e Afërditë!/

Te dera ku brenga e mallit rri zgjuar

e ernat përkdhelin gjijtë e andjes njerzore,

jemi takue,

njerëzorja Evë,

hyjnorja Afërditë!

***

ÇDO GJA ASHT SHPIRT

Çdo gja asht shpirt,

dashunia ime!

Shkëlqen shpirti në synin tand

lind e pikon etja

me lotin që rrëshqet qepallash.

Tulipani në buzët e çeluna,

hiret joshse të trupit alabastër,

lutja e duarve të shtrira drejt meje

janë shpirta të dehuna malli,

dashunia ime.

Afërditën e lindi

shpirti shkumëzues i detit,

dashunia ime!

***

 BRYMË E BORË

A je brymë, moj, a je borë

mall i brishtë e brengë e bardhë.

Brishtësi me pah prej bryme

bardhësi me zdritje bore.

Brymë e borë

ti bukuria!

***

PRANIA JOTE

Prania jote –

zjarm i kallun në ditë-netët e mia –

i shuen kuptimin kohës.

Koha s’ka ma emën

as dita e nata kuptim.

Prania jote

hapsinës i jep formën e nji vendi

ku jemi vetëm ne të dy.

Lumturinë kot e kërkojmë jashtë nesh.

E jetojmë kur përqafimet tona

treten në damarë ekstaze,

kur na humb vështrimi i sendeve,

kur s’ndigjojmë as britma

as zane që shprehin lutje

e as dëshira,

kur s’ndigjojmë as heshtjen.

***

TI

Ti që në dekorin e dhimbjes sime,

me duer të brishta,

vizaton fytyrën tande

si padashtë,

ti që në brigjet e andrrës sime

hedh nji klithmë pulbardhe,

si pa u kujtue,

ti që me kurmin tand t’përflakun

përndez delire në damarët e mi,

si pa u mendue,

je vetë dashunia

e unë jehonë e saj.

***

NËSE… 

Nëse për me kuptue jetën

më duhet dhimbja,

nëse për me kuptue dhimbjen

më duhet dashunia,

nëse për me kuptue dashuninë

më duhesh ti,

atëherë ti

dashuni, dhimbje,

jetë je.

***

GJETHET E ULLINIT

Gjethet e ullinit përcjellin puhiza

valësh ere

e vezullime drite të mëngjestë

si sytë e tu

kur rrëshqitas bien mbi mue

e më trazojnë.

***

NË GJURMËT E TUA

Në gjurmët e tua ngas,

ti diku je,

si tubëz rrezesh drite

errësirën flak.

 

Kush të mësoj

orkidave t’ua vjedhësh bukurinë?

Për mue dikur

ngjyrë e kaltër e andrrimit

e sot

vetëm gjurmë e nji kujtimi.

***

NJI DRITË

Pertej pamjes sime

nji dritë që shihet

nuk shihet

më prekë,

nuk më prekë

retinën e synit.

E ndjej, nuk e ndjej

gjallërinë e saj gjithmonë në lëvizje,

dridhet, nuk dridhet

rrugicave të errta

të qenies.

Dritë që shihesh,

nuk shihesh,

e ndjej, e perndjej

gjallërinë tande gjithmonë në shtegtim.

E ndjej, e përndjej

në dridhjet ma të mshehta

të pulsit

të ndjenjës

të shpirtit.

E ndjej, e përndjej

në dridhjet ma të shpeshta

të frymës

të fjalës

të jetës.

Përtej pamjes sime

valë që kapen,

nuk kapen

prej synit

ndriçojnë, hijesojnë

çdo skutë

të vetdijes

të andrrës

të dalldisë.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, TINGUJ EROTIKË

AVNI PONARI, NJERIU I PUNËVE TË MIRA…

October 11, 2018 by dgreca

1 sigal

Nga Dëfrim CANI –publicist/1 avni Ponari
1 Sigal1

1.Duke ju siguruar se vlerësimet për një njeri si Avni Ponari, nuk vijnë nga këmbëngulja publicitare apo njohja që, njëri apo tjetri ka me këtë personazh publik, po nga marrëdhënia që Ponari dhe njerëzit e dimensionit të tij kanë me shoqërinë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, një nga refleksionet e para që i vjen një njeriu të zakonshëm për këtë lloj komunikimi social, vjen nga një fakt i thjeshtë, nga një përvojë e thjeshtë, e njohur nga thellësitë e kohrave për punët e mira që duhet dhe mund të bëjë një njeri në jetën e tij. Njerëzit e “punëve të mira” janë kaq të shumtë në jetën tonë të përditshme sa koncepti duket i hershëm, i zakonshëm dhe që nuk zgjon ndonjë përjetim emocional në dukje të parë. Në të vërtetë nuk është kështu.

Njerëzit e punëve të mira janë fundamentet tona jetike-jetësore që në ditën e parë që ne vijmë në këtë jetë, që në momentin e parë që krijojmë marrëdhënien sociale brenda familjes dhe më gjerësisht se me familjen tonë. Njeriu i parë i punëve të mira është familja, janë nëna dhe babai, të cilët mbartin sakrificën fondamentale të përgatitjes sonë jetësore për të marrë vlerë dhe funksione sociale. Në thelbin e vet, shoqëria njerëzore e ka shtresuar këtë mesazh dhe fundament në raportin dhe detyrën e prindit me fëmijën. Në fund të fundit kjo është një punë e mirë. Pas këtij momenti, çështja e punëve të mira të njerëzve tanë, ato që i njohim dhe ata që nuk i njohim bëhen më të dukshme, më të rëndësishme dhe më reflektare në jetën tonë.

Në historinë e veprimtarisë njerëzore, çështjet e njerëzve të këtyre punëve të mëdha, e kanë ushqyer përvojën njerëzore me shembuj të shkëlqyer, të cilët kanë krijuar jo vetëm shembuj të humanizmit, të shoqërisë në zhvillim, por kanë ngritur sisteme referenciale të zhvillimit njerëzorë. Që në antikitetin e lashtë, në të gjithë kujtesën njerëzore, e cila na ka ardhur përmes burimeve të shkruara dhe të pashkruara, historitë e njerëzve të punëve të mira iu kanë rezistuar kohërave për shkakun e një lloje marrëdhënie universale që ata vendosin me kohën, me njerëzit dhe zhvillimin, si modeli progresiv i pranueshëm.

2.

Shënimet e thjeshta për Avni Ponarin nuk mund të nisin ndryshe, jo për veçanësinë e tij në këtë kohë që po jetojmë, por për shkakun e një modeli të njohur njerëzorë, i cili në thelbin e vet ka humanizmin njerëzorë nga njëra anë, dhe për arsyen e krijimit të këtij modeli në një kohë relativisht të vështirë në vendin më të veçantë të Ballkanit, siç është Shqipëria, me një të shkuar të afërt problematike, por dhe me një të tashme po kaq problematike.

Por përkundër gjithë kësaj problematike bazike të vendit, Avni Ponari ka arritur të krijojë një model emblematik, një shembull valorizues dhe të qëndrueshëm, përmes të të cilit mëson për këtë personalitet interesant, por dhe për një model, i cili arrin të “imponojë” një përvojë praktike- psikologjike, shpresë-dhënëse dhe të dobishme për shoqërinë shqiptare në lëvizje dhe zhvillim. Shoqëritë njerëzore, madje vendet e zhvilluara, më së shumti kanë bërë progress dhe janë zhvilluar mbi modelet e mira, mbi punët e mira të individëve.

Avni Ponari sot njihet mjaft mirë nga të gjithë shqiptarët, në Shqipëri dhe jashtë saj, në Kosovë apo në trevat e tjera shqiptare. Ai njihet si Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQUA GROUP AUSTRIA, një nga grupet më të njohura dhe më gjithpërfshirës të sigurimeve shqiptare. Ka diplomuar në Fakultetin e Marinës në Vlorë dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, duke dëshmuar një dashuri dhe vullnet të fortë për dije dhe kulturë. Në vitin 1999, kur në Shqipëri u liberalizua tregu i sigurimeve, Avni Ponari i besoi intiutës dhe ndërmarrjes së tij private, dhe në shkurt të vitit 1999 krijon Shoqërinë e Sigurimeve “SIGAL”, një ndërmarrje e vështirë, të cilës në Shqipëri i mungonte përvoja. Zakonisht në këto raste, njerëz me aftësinë për të kaluar aktualitetin e tyre, arrijnë të ndërtojnë “projektin” e tyre, i cili kërkon inteligjencë, kurajë dhe guxim. Ashtu siç dihet, “fati” ndihmon më së shumti “guximtarët”.

Jo vetëm në themelimin e SIGAL, por në hapësirën gati 20 vjeçare të tij, ka një të vërtetë të rëndësishme, që lidhet me Avni Ponarin, njeriun më të rëndësishëm dhe më përfaqësues të kësaj kompanie. Avni Ponari pa më të voglin dyshim ka pasur dije të qëndrueshme për ta praktikuar këtë përvojë të njohur në shoqërinë perëndimore, por aspak të lehtë në një vend si Shqipëria, e cila vazhdon të ketë një kulturë të pakët mbi praktika të tilla. Në këtë terren bosh, por dhe të vështirë për ta zgjuar dhe bërë aktiv, punoi dhe kontributori Avni Ponari për të ngritur dhe zgjeruar Kompaninë e Sigurimeve SIGAL. Aftësia për të krijuar besim më së pari, puna dhe transparenca për t’u bërë present dhe i dëgjueshëm tek njerëzit dhe disiplina për të demonstruar korrektësi dhe besim tek njerëzit, kanë bërë që SIGAL të tejkalojë vetveten për t’u bërë present në treguan e avancuar perëndimor, e që nga 13 vjet duke u konsuliduar në këtë treg, duke qenë pjesë e njërës nga kompanitë austriake më të njohura të sigurimeve në Europë.

Në këtë hapësirë 20 vjeçare SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA është shtrirë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, duke qenë present gjithashtu në gjithë Europën. Në këtë hapësirë 20 vjeçare, SIGAL është një nga partnierët më të besueshëm në tregun e sigurimeve me numrin më të madh të produktit të hedhur në këtë treg.

3.

Duke u nisur me një bazë të vogël financiare, rreth 400 mijë dollarë, SIGAL në rrugëtimin e vet 20 vjeçarë ka arritur të jetë një nga kompanitë lidere në tregun e sigurimeve, duke krijuar një marrëdhënie të gjerësishme dhe lamishme të veprimtarisë së vet në këtë treg, por dhe në një investues aktivitetesh dhe veprimtarish me akses kombëtar dhe ndërkombëtar. Siç dhe kuptohet, slogani “Mendo që idetë e mëdha ndriçojnë rrugën”, ka qenë një ide dhe angazhim funksional për SIGAL-in dhe Avni Ponarin, duke i dhënë të drejtë atij në një kohë relativisht të shkurtër.

Duke kthyer kokën pas, Avni Ponari dhe aktiviteti i tij ka vazhduar të rritet, pavarësisht në një klimë të vështirë ekonomike të vendit, të mungesës së një kulture të nevojshme për politikën sociale të sigurimeve, por dhe në një mjedis jo të shëndetshëm ligjorë për këtë lloj veprimtarishë. Gati në çdo rast, në prononcimet brenda dhe jashtë vendit, Avni Ponari ka ngritur shqetësimin lidhur me politikat e munguara të shtetit, lidhur me stimulimin dhe krijimin e një klime optimiste për veprimtari private me përfitim dhe ndikim të drejtpërdrejtë social.

Duke kuptuar thelbin e veprimtarisë që SIGAL ka për një kohë të gjatë dhe të qëndrueshme në progres të vazhdueshëm, Avni Ponari dhe stafi i tij i mrekullueshëm arriti të ketë një terren të konsiderueshëm në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni përmes një mekanizmi të sukseshëm, të cilin Ponari e quan çelësi i punës së tij, për të cilën në një intervistë të tij ai shprehet:”Mendoj që transparenca është çelësi i suksesit të një kompanie sigurimi dhe plotësimi i kërkesave të klientëve me produktet që duan ato”, dhe pse në Shqipëri mund të ketë produkte evropiane pa pasur blerës evropian. Në këtë lloj marrëdhënie funksionale për SIGAL dhe të Avni Ponarit, kompania e tij gjatë kësaj periudhe ka dhënë për shërbimet e klientëve të saj mbi 100 milionë euro dëmshpërblim, duke krijuar një besim të fortë tek klientët e tij.

Në “ballafaqimin” madhorë për të plotësuar kërkesat e klientëve dhe për të diktuar një lloj kulture perëndimore dhe në Shqipëri, kultura dhe orientimi i Ponarit, i cili konsideron se “sigurimi nuk është taksë por investim”, SIGAL tashmë përmes investimit general, Platformës Diçitale (në vigjilje të 20 vjetorit të krijimit), krijon një marrdhënie dhe bashkëpunim të rëndësishëm lidhur me shumllojshmërinë e sigurimeve për makinat, për shëndetin, për pensionet private dhe një sërë sigurimesh të tjera, në të cilat mund të gjejnë vetveten gjithë shtresat sociale të vendit. Larmishmëria e sigurimeve në një klimë dhe në një vend si Shqipëria, është e rëndësishme për t’i përfshirë shqiptarët në një skemë sigurimesh. Ky është një lloj investimi dhe një llojë mundësie, që në vetvete shpjegon dhe një tregues të rëndësishëm të humanizmit të Avni Ponarit dhe të stafit të tij.

Fuqizimin e SIGAL-it e tregon investimi që ai ka bërë gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar dhe një marrëdhënie qytetarie dhe të besueshme që SIGAL ka krijuar me abonentët dhe të interesuarit për të. SIGAL dhe Ponari duket se kanë reflektuar një klimë besimi dhe bashkëpunimi të rëndësishëm në mjedisin shqiptar, të cilët praninë e tyre e kanë sendërtuar në bashkëpunime të të gjithë niveleve.

SIGAL dhe Avni Ponari kanë përdorur mjaft mirë mundësitë që iu ka krijuar klima e mundësisë për të investuar dhe për t’iu ardhur në ndihmë dhe mbështetje, nismave, projekteve dhe nevojave lokale dhe ata me ndikim kombëtarë.

Avni Ponari është president dhe i “Toyota Albania”, ku në sallonin e saj të ri (të kësaj marke japoneze) pjesë e Sigal Businnes Center, me vendndodhje në Autostradën Tiranë-Durrës – km 5, ku gjenden versionet e fundit të Toyotës, që nga Aygo, ato të teknologjisë Hybride deri tek unikja Hilux.

Kështu, Avni Ponari nga viti 2008 e drejton Federatën Shqiptare të Basketbollit, si presidenti i saj, duke i afruar krahas gjithë veprimtarisë së saj dhe mbështetje financiare.

Po ashtu, Ponari dhe SIGAL i ka afruar mbështetje klubit sportiv të basketbollit Sigal Prishtina dhe skuadrës së basketbollit për femra “Flamurtari”.

Është iniciatori i hapjes së Klubit të Artit e Kulturës në Durrës, një klub që promovon artistët e rinj.

Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Ponari dhe SIGAL është kontributori i rëndësishëm i prurjes në Shqipëri të armëve të Heroit tonë Kombëtar Skënderbeu, në një moment të rëndësishëm të marrëdhënies të Shqipërisë me Perëndimin dhe me historinë e saj, një histori që shpjegon qasjen perëndimore të shqiptarëve që nga lashtësia.

Avni Ponari ka një kulturë të qëndrueshme në formimin e tij. Vendlindja e tij, treva historike, kulturore, ekonomike, turistike përgjatë luginores lumore ku bashkohet Valbona me Drinin, ku tokë ndodhet rrënjas fisi i Ponarëve– më i vjetri fis në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), dhe Dushajt (fis tjetër i ardhur aty), Raja (Breg Lumi), Tplani, Geghyseni me Arvejë, janë një perlë e natyrës së Veriut Shqiptar, me një traditë kulturore dhe një lloj romantike natyrore, që reflekton në natyrën poetike të kësaj treve, e cila ka lënë brenda tij, Avni Ponarit, një ndjeshmëri poetike në marrëdhëniet dhe refleksin për të dhënë ndihmë dhe kulturë bashkëpunimi.

Kështu, kanë nderimin për Avni Ponarin dhe SIGAL rikonstruksioni i shkollave në Vertop, Lukovë, Lybeshkë dhe projekte të tjera. Do të veçoja shkollen e mesme të Fierzës, të qytetit të dritës ku u ngrit Hidrocentrali i madh i Fierzës me digën e tij nga më të lartat, me dy liqene artificial – të Fierzës e të Komanit; shkollës ku mësuan qindra nxënës nga Ponari e viset rreth tij dhe nga e gjithë Tropoja e Puka, nga e gjithë Shqipëria, ndër ta dhe vet Avni Ponari ishte në bangot e saj. Ai rikthehet aty si një investitor mjaft kontributor, pasi në cilësinë e Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri dhe të fuqisë së tij si biznesmen i sukseseve, e kreu rikonstruksionin e brendshëm të kësaj shkolle, pastaj e ndërtoi nga e para çatinë e shkollës, e– hapi i tretë, pajisja më 20 kompjutera e materiale të nevojshme për klasat e mësimit. Kjo shkollë në rreth një gjysëm shekulli, prej 1 shtatorit 1972 të kohës së hapjes si shkollë e mesme profesionale tredegëshe (ndërtim, elektrike e mekanike) për nevojat e veprës së dritës të Fierzës e prej 1 shtatorit 1982 të kthimit në shkollë e mesme e përgjithshme, nuk kishte parë e ndjerë një investim të tillë proçesor,  tërësorë, kaq efektiv, bashkëkohor. Tani, mbi 400 nxënës të fshatrave të Fierzës, të Rajës (Breg Lumi), Ponarit të Lekës, Dushajt, Tplanit, Degës, Lekbibajt (Nikaj-Mërturit), etj. do të zhvillojnë mësimin në kushte normale në Shkollën e Mesme të Bashkuar Fierzë, falë dhe interesimit e investimit të Avni Ponarit, birit të trevës ku ngrihet kjo shkollë, i kësaj treve luginore dybigore ku bashkohet Valbona me Drinin.

Po ashtu mbështetja financiare e SIGAL-it e Avni Ponarit ka qenë dhe për Festivalin Ndërkombëtar të Gjirokastrës, Festivalin Ndërkombëtar të të Vokalit Operistik “Marie Kraja”,  publikimin e rëndësishëm të veprës monografiko-historiko-psikologjiko-social të At’ Zef Pllumit të titulluar “Rrno për me tregue” dhe “Nata vjeneze e stilistit Eno Peçi”…

Të kthyera në vlera monetare, bashkëpunimi dhe mbështetja e projekteve që SIGAL ka afruar vetëm në Kosovë, kryesisht për krijimin e industrisë në këtë shtet mbi 1.4 milionë euro, pa harruar mbështetjen financiare mbi 1 milionë dollarë për pesë herët kampion të Shqipërisë në Ligën e Basketbollit të ekipit të “Valbonës” të Tropojës, por dhe të ekipit SIGAL Prishtina, me një investim rreth 1.3 milionë euro, si dhe shumë mbështetje të tjera të cilat i kanë ardhur në ndihmë dhe në mbështetje komunitetit dhe njerëzve në nevojë.

 

4. 

SIGAL dhe Avni Ponari janë histori suksesi dhe vlere, e mbështetur kryesisht në punët e mira. Avni Ponari është njeriu i punëve të mira e për këtë shkak ai ka një ndikim shoqërorë në veprimtaritë dhe forumet sociale brenda dhe jashtë vendit.

 I qartë në dinamikën e projekteve të vogla dhe të mëdha, kontribues i projekteve sociale për zonat rurale, veçmas për fëmijët, iniciativat ambjentaliste dhe projektet kulturore, Avni Ponari është nderuar me tituj të shumtë si “Qytetar Nderi” i qytetit të Durrësit; “Qytetar Nderi” i Elbasanit; sivjet dhe “Qytetar Nderi” i Tropojës – vendlindjes së tij; “Personalitet i Vitit” nga gazeta “Telegraf”; “Biznesmen i Vitit” nga gazeta “Koha Jonë”; “Njeriu i Vitit Internacional Who’s”; “ Profili Ndërkombëtar i Drejtuesve më të Mirë”, “Lideri i Vitit” dhe nderime të tjera.

Veprimtaria e tij shoqërore, kulturologjike dhe humanitare reflekton dhe në të qenët themeluesi i Shoqatës së Sigurimeve Shqiptare të Marinës (Shoqatë me të drejta të plota të Shoqatës Ndërkombëtare të Sigurimeve të Marinës, me seli në New York), anëtarë për shumë vite në bordin e FIAA (Shoqata Shqiptare e Investimeve të Huaja) dhe AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve). Nga shumë kohë Avni Ponari është anëtar i Dhomës Amerikane  të Tregëtisë në Shqipëri dhe anëtar i Komisionit të Financës së FIBA  Europë.

Siç dhe kuptohet, veprimtaria për Avni Ponarin, SIGAL UNIQUA Group Austria dhe bashkëpunimet e tjera janë të gjera dhe një tregues absolutisht të një personaliteti të biznesit dhe të veprimtarisë kulturore-sportive-arsimore, të cilat kanë lënë gjurmë dhe shenjat e dukshme, duke qenë në thelb punë të mira. Punët e mira jetojnë gjatë dhe iu shërbejnë të gjithë njerëzve. Për këtë të gjithëve në duhet t’i themi Avni Ponarit –Faleminderit!

Sado të përpiqem të shkruaj bukur, është e pamundur ta bëj një gjë të tillë. Punët e mira të Avni Ponarit janë më të bukura se çdo shkrim tjetër!

 

                                                                                                                                       Dëfrim CANI / Publicist.

   Tiranë, tetor 2018                                                        

Filed Under: ESSE Tagged With: Avni Ponari, Defrim Cani, I PUNËVE TË MIRA, njeriu

Përsëritja e frikshme e historisë!

October 11, 2018 by dgreca

-Kjo nuk është Shqipëria që duam!!!-/2 alma LiçoNga Alma LIÇO/Demokraci. Fjalë magjike. Si një mollë e ndaluar ka qëndruar e  fshehur në skutat e shpirtrave të munduar e keqtrajtuar për më shumë së gjysëm shekulli. Sa ëndërrimtarë të pafat mbyllën sytë pa mundur të prekin qoftë dhe një herë të vetme frutet e saj, në realitetin e xhunglës që ndërtuan dhe serviren me dhunë komunistët e djeshëm dhe ata të sotëm. Sa është abuzuar dhe vazhdon të abuzohet në emër të saj në vitet e tranzicionit të tejzgajtur të Shqipërisë post komuniste. Një mashtrim i madh që zhgënjeu shpresat naive të qindra mijëra shqiptarëve të drobitur, që aspiruan çlirimin nga kthetrat e robërisë së diktaturës.

Vallë, a mund të ketë demokraci një vend që nuk dënon krimet e diktaturës dhe individët e veshur me pushtet që i kryen ato?

A mund të ketë demokraci një vend ku drejtësia është mjë gënjeshtër e madhe e mbërthyer nga kthetrat e korrupsionit, një mall që shitet e blihet nga të “fortët” e politikës, që e kanë monopolizuar atë?

A mund të ndërtojë shtetin e së drejtës një vend që nuk respekton njohjen dhe rikthimin e pronave të vjedhura nga bandat komuniste, duke miratuar ligje që mundësojnë rigrabitjen e tyre nga vetë ata?

A mund të ketë demokraci një vend që nuk mbështet, dëmshpërblen  dhe rehabiliton viktimat e regjimit gjysëm shekullor?  Në mungesë totale vullneti, një proçes i zvarritur turpshëm, që u katandis në lëmosha mjerane dhe copëza letrash me vlerë që nuk arritën kurrë të kenë vlerë.

A mund të ndërtojë demokraci një vend, që në sferat më të larta të legjislativit dhe ekzekutivit së tij, drejtohet nga figura të spikatura e të urryera të diktaturës?

A mund të vendosë paqe sociale një vend që vazhdon me të njëjtën mendësi luftën e klasave? Sa dhimbje është të provosh pambarim se shqiptarët janë të përçarë nga e njëjta luftë e pafund, që përjashton dhe flak në rrugë ata që konsiderohen kundërshtarë politikë!

Dhe së fundi, a mund të aspirojë për demokraci një vend që nuk dëshiron të njohë dhe analizojë historinë e tij të afërt, e cila ka rrjedhur në lumenj lotësh dhe gjaku ende të patharë?

Si të mos mjaftonin skandalet e njëpasnjëshme të politikës së lidhur me krimin, bëma të denja këto për bandat me famëkeqe të historisë së njerëzimit, çdo ditë na paraqiten në mënyrë cinike fakte kokëforta që vërtetojnë fenomenin e pakundërshtueshëm se komunistët e djeshëm dhe pinjollët e tyre të sotëm në pushtet janë NJË. Janë të NJËJTËT dhunues të të drejtave njerëzore që përdorin të njëjtat metoda diktatoriale. Histori që përsëriten në mënyrë të frikshme, duke na kujtuar se pa njohur dhe ndëshkuar krimet e së kaluarës, fantazmat e tyre do sillen kurdoherë rrotull nesh, për të na zhytur në mjegull e helmuar të sotmen dhe të ardhmen.

Mbase nuk do isha ulur të shkruaja këto rradhë, nëse nuk do të isha impresionuar nga një publikim i Arkivës Online të Viktimave të Komunizmit në shqipëri, të  Fondacionit “Kujto”, themeluar disa muaj më parë. Falë punës së tyre të lavdërueshme, çdo ditë na serviren dokumente rrënqethëse që shpalosin genocidin dhe dhunën shtetërore ndaj pjesës më të pambrojtur të popullsisë, siç ishin familjarët e kundërshtarëve politikë.

Dokumenti autentik që më tërhoqi vemëndjen, është me Nr. 423/104 dhe mban datën 11.10.1950. Ky akt i rezervuar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, firmosur nga Tuk Jakova, urdhëron spastrimet dhe largimet e menjëhershme nga puna të elementeve armiq, duke i shtrirë këto spastrime deri në nivele tepër të parëndësishme, si shitëse në dyqane shteti apo kooperativa. Është gati i pabesueshëm fakti që gratë me prejardhje të padëshiruar politike për regjimin, nuk lejohej të punonin as si shitëse fshati. Por, lufta ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, nuk u ndal me aq. Në mënyrë permanente, ajo u pasua nga ndëshkime të mëtejshme, si burgime dhe internime familjare, të cilat vazhduan brez pas brezi.

Në pafundësinë e tmerreve që po publikohen, ndoshta ky akt i rezervuar nuk do më bënte aq përshtypje po të mos ishte pothuajse identik me një tjetër dokument të Partisë Socialiste të Shqipërisë, rrethi Korçë. Ky dokument i bërë publik dhe komentuar në Mediat e periudhës respektive, me nr.prot.26, mban datën 08.06.2013. Nëpërmjet tij, propozohen largime masive nga puna të kundërshtarëve politikë. Impresionon fakti se ky dokument është inicuar dhe firmosur nga një grua, një nënë. Ajo quhet Ana Verushi, me detyrë Kryetare e Partisë Socialiste, rrethi Korçë. Përtej çdo skrupulli dhe ndjenje njerëzore, përtej çdo norme ligjore që lidhet me funksionimin e shtetit demokratik, me një gjuhë tejet cinike, ajo ka kërkuar flakjen në rrugë, pa përjashtim, të katër mijë punonjësve të administratës së qytetit të Korçës, të konsideruar kundërshtarë politikë. Kjo grua, nënë, mizore manifeston barbarinë e etërve shpirtërorë së saj, dhe nuk shqetësohet aspak që mijëra fëmijëve të këtyre familjeve, t’u mohohet edhe buka e gojës. Dhe, për fat të keq, nuk ishte zë i izoluar ai i saj. Brenda disa muajve këto propozime dhe shumë të tjera që e pasuan, u bënë realitet. Në mënyrë të zellshme, ato u shoqëruan me shkarkime dhe largime të pamotivuara në të gjithë sektorët e administratës, anë e kënd Shqipërisë. Si kurrë më parë, mijëra specialistë që humbën punën, mbushën rrugët e sheshet, duke u endur në tubime, greva urie, institucione e gjykata. Madje shumë prej tyre, të pashpresë, me një valixhe zhgënjimi në duar, pa asnjë alternativë jetese, iu drejtuan rrugëve të botës.

Ndonëse më një diferencë gjashtëdhjetë e tre vjeçare ndërmjet tyre, dy dokumentat e mësipërme të dala nga funksionarë të lartë të partisë mëmë dhe asaj bijë, duket sikur i ka shkruar e njejta dorë. Ato kanë lëndë dhe përmbajtje rigorozisht të njejtë. Në mënyrë impresionuese, ato udhëhiqen nga e njejta filozofi përjashtuese, siçështë ajo e spastrimit dhe persekutimit të shtetasve që nuk janë mbështetës të ideologjisë së tyre.

Dhe dëmi i shkaktuar nuk mbaron këtu. Mes plagësh të tilla sociale, që politika nuk po i lejon të mjekohen e shërohen, po rritet dhe edukohet një brez i ri. Po rritet pa asnjë orientim të qënësishëm lidhur me të vërtetat rrënqethëse të historisë, të cilat siçe dëshmon rasti i mësipërm, po përsëriten barbarisht. Një brez që nuk gjen asnjë motiv të ndërtojë të ardhmen në Shqipëri. Një ç’popullim i frikshëm, që ngarkon me përgjegjësi politikën dritëshkurtër, që ka bllokuar frymëmarrjen, iniciativën e lirë,  konkurencën dhe pritshmërinë e fryteve të lirisë.

Kjo nuk është Shqipëria që duam!!!

Filed Under: Politike Tagged With: Alma LIÇO, e historise, Përsëritja e frikshme

Kosovës i avancohet statusi në Frankofoni, bëhet anëtare e asociuar

October 11, 2018 by dgreca

1 Thaci Armeni.JPG

Në Samitin e 17-të të Frankofonisë, që po i zhvillon punimet në Jerevan të Armenisë, shtetet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë kanë votuar unanimisht që Republikës së Kosovës t’i avancohet statusi i saj në këtë organizatë, nga vëzhguese në anëtare të asociuar.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky është lajmi i mirë i radhës për Kosovën.  “Lajmi i mirë i radhës për Kosovën vjen nga Armenia. Nga vëzhguese, Kosova u bë anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. U jemi mirënjohës shteteve anëtare për afirmimin e Kosovës në familjen frankofone dhe për mbështetjen e vazhdueshme të tyre”, ka shkruar Thaçi. Në mesin e krerëve të shteteve që po marrin pjesë në këtë samit janë edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, Princi Albert II i Monakos, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe shumë liderë të tjerë të vendeve frankofone.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: anetare e asocionuar, Frankofoni, kosova

Le Journal (1914) – Dorëheqja e Ismail Qemalit nga qeveria e përkohshme shqiptare

October 11, 2018 by dgreca

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Tetor 2018/

Ismail-Qemali

“Le Journal” ka botuar, të premten e 24 janarit 1914, në faqen n°4, një shkrim mbi dorëheqjen e Ismail bej Qemalit nga qeveria e përkohshme shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Dorëheqja e Ismail Qemalit/

1 doreheqja

Vlorë, 22 janar.

Komisioni i Kontrollit pati marrë, pak ditë më parë, një deklaratë nga Ismail Qemali, ku saktësohej se ai ishte i gatshëm, për të mirën e vendit, të jepte dorëheqjen.

Sot, i ftuar nga komisionerët për t’i dhënë fund kësaj çështjeje, Ismail Qemali i dorëzoi komisionit të kontrollit kompetencat e tij me qëllim çlirimin e Shqipërisë nga çrregullimi dhe krijimin e një qeverie të vetme për të.

Një proçesverbal u hartua dhe pastaj u nënshkrua nga ministrat dhe anëtarët e Komisionit të Kontrollit.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Doreheqja e Ismail Qemalit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT