• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

SHQIPËRIA NATYRALE

October 11, 2018 by dgreca

NUK KA  “SHQIPËRI TË MADHE”, POR SHQIPËRI ETNIKE NATYRALE/

 Edhe sa shekuj, edhe sa vjet duhet polemizuar me shpifësit shovinistë serbomëdhenj dhe me hyzmeqarët e tyre injorantë filoserbë lidhur me tezën e tyre “Shqipëria e Madhe”?/

1 Mehdi_Hyseni

Shkruan: Prof. Dr. Mehdi HYSENI/
-Nuk janë të vërteta “përrallat me tupan” dhe paçavuret “exibicioniste” me “teh agjenturor” antishqiptar të “hokatarëve” të ndryshëm (vardisës së politikave të vajtueshme ditore dhe, njëherazi puthadorë të llahtarshëm “mëditorë” të liderëve të ndryshëm në pushtet, që për ta lëpirë ndonjë asht të tyre ose për t’ua mundësuar hapjen e ndonjë burketoreje, qebaptoreje ose lejimin e ndonjë “tezge” në Pazar të blertë…etj., marrin guximin që të “lehin” ditë e natë pa pushuar kundër idesë shenjtë të ribashkimit kombëtar), se gjoja ideja e ribashkimit kombëtar shqiptar, “është e tejkaluar”, dhe se nuk është asgjë tjetër vetëm se “një sentiment”, të cilën “nuk e mbështet shumica dërrmuese” e shqiptarëve në hapësirat etnike të Shqipërisë, si dhe gjoja “nuk ka forca e as faktorë politikë që e mbështesin atë”!?
Këtë të pavërtetë, qe një shekull (si papagajt) e trumbeton politika dhe propaganda serbo-sllave për shpërfytyrimin e identitet kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve nga harta gjeografike e Ballkanit.
Kjo është një gënjeshtër dhe shpifje e madhe alla serbmoadhe dhe pansllave e  “Velika Serbisë” , që po i bëhet jo vetëm popullit shqiptar në Ballkan, por edhe Evropës, edhe Amerikës dhe gjithë botës së qytetëruar demokratike.
Ideja ribashkimit kombëtar nuk është mit, as utopi e as kurrfarë “sentimenti” i kohës mesjetare, por e drejtë natyrore e ligjshme dhe legjitime, si dhe AMANET SHEKULLOR i etërve tanë (brez pas brezi) që kanë sakrifikuar dhe flijuar jetën e tyre për ta çliruar dhe ribashkuar kombin shqiptar dhe Shqipërinë etnike nga sundimi i egër kolonial dhe imperialist shekullor (1878-2018).
Ideja e ribashkimit kombëtar, do të thotë forcë lëvizëse centrifugale që shpie drejt shkallmimit të robërisë shekullore kolonialiste sllavo-bizantine (që edhe sot, në kohën e integrimeve evropiane, ushqejnë pretendime dhe synime territroriale në kurrizin e territoreve etnike të Shqipërisë natyrale) drejt lirisë, pavarësisë, ribashkimit, qytetërimit, zhvillimit, përparimit të përgjithshëm, si dhe të mborjtjes dhe ekzistencës së shqiptarëve në Ballkan, si popull dhe si shtet i barabartë me popujt dhe me shtetet fqinje, duke mos prekur dhe dëmtuar asnjë interes të stabilitetit, të sigurisë dhe të paqes në rajon.
Ribashkimi kombëtar nuk është një “çështje e ngushtë” e një grupi “huliganësh” a klani intelektual gjysmak, por kërkesë imediate dhe e domosdoshme e shumicës dërrmuese të kombit shqiptar në Ballkan. Këtë të vërtetë të pamohueshme e provojnë edhe numri i madh i lëvizjeve, i fronteve, i partive dhe i subjekteve të tjera politike dhe kuluturore kombëtare, të cilat janë formuar dhe po veprojnë haptazi dhe në mënyrë legale, demokratike dhe paqësore në skenën politike gjithëshqiptare, jo vetëm brenda territoreve etnike të shqiptarëve në Ballkan, por edhe në gjithë diasporën shqiptare në mbarë botën.
Gjithashtu, ribashkimin kombëtar e mbështesin edhe elita intelektuale akademike shqiptare si brenda Shqipërisë etnike, ashtu edhe në gjithë diasporën shqiptare, me ndonjë përjashtim efemer aty-këtu, por ai numër i vogël argatësh të huaj të “Velika Serbisë”, edhe pse në forma të rafinuara po orvatën ta baltojnë dhe shpërfytyrojnë aspiratën shekullore të ribashkimit gjithëkombëtar, ata nuk kanë kurrfarë peshe, as ndikimi në popull e as në politikën e brendshme, as në atë ndërkombëtare. Ata janë në numër pak dhe, krejtësisht të vetmuar, që askush (as faktori i brendshëm shqiptar e as ai ndërkombëtar) nuk i “vë në pullë”, as nuk i merr seriozisht se çfarë “llomotisin”, përfolin të tjerët, si dhe shpifin ata kundër interesit të përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror shqiptar
Ia vlen të theksoj se, në dy dekadat e fundme, idenë dhe kërkesën historike të popullit shqiptar për ribashkimin e tij, në mënyrë të dokumentuar shkencore, publicistike dhe informative, e mbështesin me dhjetra e qindra vepra të shkruara nga fushat e ndryshme (histori, kulturë, gjuhë, art, politikë, drejtësi, diplomaci, ekonomi …etj.) të elites së mirënjohur akademike shqiptare.
E gjithë kjo veprimtari e përbashkët për një objektiv dhe imperativ të përbashkët për çlirimin, mëvetësimin dhe ribashkimin e kombit shqiptar, është rezultat i zgjimit dhe i ngritjes së vetëdijes dhe  I ndërgjegjës së lartë politike dhe kombëtare, në saje të rrethanave dhe të realiteteve të krijuara politike dhe demokratike në Ballkan (1990-2018).
Ata që po shpifin marrëzisht, duke propaganduar në opionin publik se gjoja në territoret etnike shqiptare “nuk ekzistojnë forca të rëndësishme politike, që e mbështesin ribashkimin kombëtar”, janë jo vetëm në gabim, por edhe miopë, sepse nuk e njohin realitetin e krijujar brenda kufijve etnikë të Shqipërisë, as atë në diasporë. Ndryshe, nuk do t’i kishin ndërruar tezat alla serbe, duke gënjyer për “hava”, jo për “tokë”, se gjoja “shumica” e shqiptarëve nuk e mbështet ribashkimin kombëtar.
Këtë shpifje serbe dhe filoserbe e përgënjeshtrojnë formimi dhe veprimi i këtyre subjekteve politike shqiptare, që me programin dhe me plaformat e tyre e mbështesin ribashkimin kombëtar shqiptar, jo vetëm të Kosovës me Shqipërinë: Aleanca Kuq e Zi, UNIKOMBI, Lëvizja Vetëvendosje, Lëvizja për Bashkim, Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar, Lista për Bashkimin e Shqipërisë Natyrale, Partia e Unitetit Kombëtar…, si dhe shumë parti deh shoqata të tjera poltike me përcaktim të ribashkimit kombëtar qoftë majtiste, djathtiste apo centrist, që veprojnë si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë Etnike.

Se ideja e ribashkimit kombëtar gjithëshqiptar është aktuale, realiste, moderne, demokratike, qytetëruese, paqësore, domodoshmëri dhe imperativ historik, politik, kombëtar dhe shtetëror, dëshmon edhe Kushtetuta moderne e Republikës së Shqipërisë në fuqi ( e miratuar me Referfendum), ku në Preambulën e saj thuhet :” me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar,” (1998).
Sipas kësaj logjike racionale, duke bazuar në fakte të ligjshme të kësaj Kushtetute, kryeministri Edi Rama ka plotësisht të drejtë të kërkojë jo vetëm ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por edhe më gjerë, sepse e ka për detyrë ta zbatojë, jo ta shkelë Kushtetutën në fuqi.
Së fundi, duhet t’i rikujtojmë serbomëdhenjtë dhe “bishtat” e tyre filoserbë dhe të agjenturave të huaja të ndryshme, se në asnjë pjesë të Shqipërisë etnike natyrale e as në diasporën shqiptare, nuk ekziston, as nuk vepron asnjë individ dhe, asnjë subjekt politik apo kulturor për krijimin e ndonjë të ashtuquajture “Shqipëri të Madhe”, e cila, si nocion semantik me përmbajtje politiko-propagandistike antishqiptare, fatkeqësisht, dhe për tragjedinë e derisotme shqiptare në Ballkan, daton që nga viti 1844 si “pjellë inkubatori” e “industrisë” së gjenocidit të “Velika Serbija” të Ilia Garashaninit, e kuazishkencës, e politikës dhe e Kishës Ortodokse Serbe, gjithnjë në funkson të mohimit dhe të shkatërrimit të identitetit të tërësishëm të kombit, të territorit dhe të shtetit shqiptar-Shqipërisë etnike natyrale në Ballkan.

_______

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. Dr. Mehdi Hyseni, Shqiperia Natyrale

Terrori dhe dhuna shtetërore serbe-malazeze kundër lëvizjes shqiptare në Sanxhak dhe Kosovë

October 11, 2018 by dgreca

Terrori dhe dhuna shtetërore serbe-malazeze kundër lëvizjes shqiptare në Sanxhak dhe Kosovë  gjatë viteve të 20 dhe 30-ta të shekullit 

1 Ismet Hazizi

Shkruan: Ismet Azizi/

Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene gjatë sundimit të saj, si qëllim të parë dhe të fundit kishte ndërrimin e strukturën etnike në trojet shqiptare. Për të arritur këto synime dhe për të pasur mbështetje formale juridike kundrejt opinionit të huaj, ajo nxori edhe legjislacionin agraro-kolonizues. Duke shfrytëzuar “Ligjin mbi mbrojtjen e shtetit”, në hullinë e sulmeve kundër Xhemijetit autoritete serbe burgosën tipografët e gazetës “HAK” dhe më pas e ndaluan zyrtarisht gazetën, duke akuzuar se botonte informata që cenonin autoritet serbe. Sa i përket Sanxhakut, pjesa e tij e ndodhur në Mal të Zi, kishte pësuar shumë keq, në krahasim me atë të Serbisë. Masakra në Shahoviq, Pavino Pole, Vranesh dhe fshatrat përreth, ishte krimi më i madh kundër popullsisë të përkatësisë myslimane gjatë kohës së paqes në Mbretërinë SKS. Për këto rrethana të vështira, gazeta “Hak” shkruan se “shumë vëllezër shqiptar u mbuluan me tokë, ndërsa shumë të tjerë u shpërndanë andej e këndej në gjendje fare të keqe”. Në këto rrethana Bajram Curri dhe Hasan Prishtina arritën të protestojnë në shtator të viti 1924, pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Në zgjedhjet e vitit 1925, Nikolla Pashiqi me dhunë detyroi myslimanët (shqiptarët e boshnjakët)  e Sanxhakut të votojnë partinë e tij Radikale. Për këtë, ai me kohë kishte përgatitur skenarin. Ejub Mushoviq, në librin e tij “Novi Pazar i Okolina” përshkruan si është zhvilluar ky skenar.

“Në prag të zgjedhjeve, në Novi Pazar, qëndroi edhe prefekti nga Çaçaku. Ai zhvilloi një aktivitet të madh parazgjedhor, vazhdoi t’i përvetësonte myslimanët për Partinë Radikale. I tuboi, bile edhe hyri nëpër xhami a dhe bisedoi me popullatën. Ishte hapur lajmi se myslimanët  duan të lidhen me Kroacinë dhe për këtë arsye u dyshuan disa persona dhe ishin penguar ta bëjnë këtë. Në ditën e zgjedhjeve, më 8 shkurt 1925, kaloi i përcjellë me terror të madh. Në prag të zgjedhjeve u gjuajt me armë për të frikësuar popullatën. Në orët e hershme të mëngjesit nga fshatrat kishin ardhur masë e madhe e fshatarëve serb, të ndarë në grupe, iu kishin bashkuar patrulluesve xhandarë, të cilët lëviznin nëpër rrugë me qëllim të frikësimit të popullatës. Pas orës 10h filloi  maltretimi i qytetarëve eminentë, mandej i atyre për të cilët mendohej se ishin kundër Partisë Radikale. Popullata filloi të largohej nga rrugët, të mbyllet në shtëpitë e tyre. Madje edhe ata të cilët ishin caktuar në vendvotimi të përcjellin zgjedhjet, i kishin lëshuar vendet e tyre dhe ishin futur brenda shtëpive të tyre. Pas orës 11h, nuk ka pasur asnjë qytetarë mysliman në rrugë. At ditë, sipas Mija Radoviqit, janë rrahur, rreth 200 myslimanë. Në zgjedhjet e zhvilluara në ato kushte fitoi Zhivko Shushiq”.

Për t’i frikësuar edhe më tepër dhe për t’i detyruar që të shpërngulen, në Pazar të Ri janë vrarë qytetarët eminentë: imam Selim Dugopolani, Emin Peçanin (Peja), Bedri beu Eminbegoviq, Vëllezërit Bajramoviq, ndërsa atentat të pasuksesshëm është kryer edhe ndaj Emin beg Nuribegoviqit.

Në fillim të viti 1924, shkatërrohet partia Demokratike, ndërsa në vitin 1926, pas vdekjes së N. Pashiqit, edhe Partia Radikale.

Pasi kishte humbur pikëmbështetjen në Novi Pazar dhe në Partinë Demokratike, mbreti Aleksandër më 6.01.1929, futi diktaturën, shkarkoi parlamentin në Beograd dhe ndaloi veprimtarinë e partive politike. Nga kjo kohë deri me vrasjen e tij në Marsej në vitin 1934, kur vritet nga atentatori bullgar, ai ishte mbështetë në ushtri dhe xhandarmëri.

Për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në këtë kohë, dr. Ali Hadri thotë: “Kur të merret parasysh pozita dhe gjendja jashtëzakonisht e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavinë borgjeze, është plotësisht i arsyeshëm mendimi se Jugosllavia e vjetër për shqiptarët ishte burg me kuptimin e plotë të fjalës”.

Në fillim të raportiti të CIA-s për Kosovës që mban datën 7 janar 1953, jepen specifikat për shqiptarët në ish Jugosllavi: Numrin e popullsisë dhe ngjarjet e ndodhura deri në vitin 1944. Raporti saktëson se pasi që Konferenca e Londrës në vitin 1913, Kosovën  ia shkëputi Shqipërisë dhe ia dhuroi atë Serbisë, shumë patriotë kosovarë u vendosën në qytete e Shqipërisë, si: në Fushë-Krujë, në Elbasan, në Mamurras, në Myzeqe etj.

Këtu bëjnë pjesë shumë personalitete të kishës katolike dhe familjet fisnike, At Shtjefën Kurti, Mikel Shala, Gjon Bicaku shpëtuan gjallë, duke ikur në Shqipëri në vitin 1929. Në të njëjtën kohë qeveria e Shqipërisë dërgoi notë të fortë proteste në  Lidhjen e Kombeve për vrasjen e At Shtjefën Gjeçovit. Vrasja përshkruhet në librin e Dr. Vasfi Samimi, Tiranë 1943.

Kolonizimi i trojeve shqiptare ishte një proces që kishte filluar që në vitin 1912. Ai mori hov gjatë viteve ‘30, kur qëndresa e armatosur ishte më e dobët. Duke bazuar planin e kolonizimit të viseve etnike shqiptare, kolonët vendoseshin në radhë të parë në pikat strategjike të këtyre trojeve, siç ishte brezi kufitar me shtetin shqiptar. Kolonët sllavë vendoseshin gjithashtu gjatë nyejve të komunikacionit rrugor dhe hekurudhor, si dhe në luginat e fushata pjellore. Gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, në tokat shqiptare janë vendosur rreth 15 000 familje kolonësh me rreth 75 000 frymë. Sipas disa të dhënave, gjatë periudhës 1918-1941, në viset etnike shqiptare janë ngritur 1000 koloni sllave. Si rrjedhojë e zbatimit të politikës agrare-kolonizuese, u ashpërsuan marrëdhëniet ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbo malazezëve.

Deri në fillim të vitit 1941, nga reformat agrare kolonizuese u prek rreth gjysma e tokave bujqësore dhe u godit gjysma e popullsisë fshatare shqiptare. Statistikat e marrjes së tokave të kaçakëve dhe e tokës së braktisur nga familjet shqiptare që kishin filialet agrare ishte kjo gjendje: në filialin e Mitrovicës, në të cilën bënin pjesë  këto rrethe administrative: Mitrovicë, Dezheva (Pazar të Ri) Senica, Shtavica (Tutini) Vuçitërna, Llapi, dhe Drenica, u morën tokë të kaçakëve 170, 86 ha, e tokë e lënë shkretë 4090,40 ha, tokë e punueshme 3900 ha.

Përveç këtyre, si rrjedhojë e shpronësimit të fshatarësisë shqiptare dhe e kolonizim të tokave të tyre, ndryshime të dukshme pësoi edhe struktura etnike. Më 1912 shqiptarët përbënin 90% të popullsisë, kurse në vitin 1941, përqindja e tyre ra më rreth 70 %. megjithatë, falë qëndresës së organizuar të popullit shqiptarë, nuk u arrit objektivi i Mbretërisë Jugosllave për ndryshimin rrënjësor të strukturës etnike në favor të minoritetit sllav.

Qarqet sunduese, kulturore e shkencore serbe dhe veçanërisht ideologët e krijimit të hapësirave të pastra etnike, me gjithë masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve, nuk ishin të kënaqur me rezultatet e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve në vendet tjera. Edhe përkundër të gjitha masave drastike, numri i shqiptarëve nuk u zvogëlua, por, përkundrazi, shënoi rritje në saje të natalitetit të lartë në kushtet e rënda të jetës e të punës. Prandaj, pushteti i atëhershëm vendosi që këto qëllime të vetat t’i realizojë me shpërnguljen me dhunë e terror të gjithë shqiptarëve nga trualli i Kosovës dhe territoreve rreth saj, në një anë, dhe kolonizimin sa më intensiv të serbëve në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore. Për këto qëllime dhe u përpiluan një varg elaboratesh dhe planesh.

Elaboratit me karakter fashizoid, me titull “Shpërngulja e shqiptarëve”(Iseljavanje Arnauta), i paraqitur në klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937, të cilin e hartoi Dr. Vasa Çubriloviq, i parapriu një sërë veprimesh të kreut politik serb. Me këtë rast, po paraqesim dy dokumente që i paraprijnë elaboratit të Çubriloviqit dhe nënshkrimin e Konventës në mes Jugosllavisë dhe Turqisë.

Dokumenti i parë është Procesverbali i konferencës ndërministrore, e cila u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë më 20 shtator të vitit 1935, në të cilën u diskutua për dëbimin e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.

Teksti i dytë paraqet projekt planin për shpërngulje, të cilin e ka hartuar komiteti i ngushtë ndërministror, që është miratuar në mbledhjen e 24 shtatorit 1935, në Beograd. Ndër konkluzionet e këtij projekti, të cilin e kanë përpiluar së bashku përfaqësuesit e pesë ministrive dhe Gjeneralshtabit dominon nevoja e miratimit urgjent të konventave dypalëshe me Turqinë dhe Shqipërinë, ndërsa në rast të problemeve me shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, është propozuar të zhvendosen nga zonat kufitare në brendësi të territorit të Jugosllavisë. Lehtësime tatimore janë paraparë për ata të cilët do të hiqnin dorë vullnetarisht nga shtetësia, ndërsa për transport pa pagesë deri në Selanik mund të llogarisnin vetëm ata të cilët pasurinë e tyre të paluajtshme ua lënë shtetit. Pothuajse të gjithë propozimet e përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm u miratuan unanimisht si masa, të cilat projekti propozon për “shpërngulje të suksesshme dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi ose Shqipëri”: Shtypjen e propagandës kundër dëbimeve që vinin nga Tirana, si dhe thirrjet sa më të shpeshta të regrutëve nga rrethet kufitare në stërvitje ushtarake dhe manovra, ndalimin e pranimit në shërbimin civil “të personave të cilët vijnë në shprehje për dëbim”, transferimi e zyrtarëve shqiptarë në pjesë të tjera të vendit, nacionalizimin e toponimeve dhe mbishkrimeve, etj. Të dy këto dokumente janë ruajtur në Arkivin e Jugosllavisë, në kuadër të Fondit të Ambasadës së Mbretërisë së Jugosllavisë në Turqi-Stamboll, Ankara (370), dosje 9, njësia arkivore 42, faqe 637-643.

Kjo vlen të analizohet mirë dhe me këtë do të duhej të merreshin ekspertë të ndryshëm të historisë dhe sociologë nga Kosova dhe Sanxhaku, sepse, në këtë kohë vjen deri te një kthesë diplomatike serbe ndaj popullsisë myslimane të Sanxhakut, të cilët ata tashmë do t’i trajtojnë si popullsi sllave të përkatësisë islame. Në një dokument thuhet: “Ligji mbi Shtetësinë e bëri të mundur për dëbimin e popullatës jo-sllave, por megjithatë ka disa vështirësi nga ana jonë. Në radhë të parë është vërejtur se është bërë një gabim, për shkak se në mesin e deklaratave për largim gjinden edhe një numër i madh i kërkesave të myslimanëve nga Sanxhaku, të cilët janë megjithatë njerëz tanë. Prandaj nuk ka arsye që ata të largohen nga vendi. Ne ia kemi tërheqë vëmendjen Ministrisë së Brendshme se deklarata të tilla në të ardhmen të popullatës sonë sllave mos të pranohen”.

Propaganda më e madhe për shpërnguljen e shqiptarëve filloi në “Klubit Kulturor Serb”, me ligjëratën e Dr. Borivoje Panjevqit, i cili, në vështrimin e tij, thekson: “Rrezik është që po shumohen shqiptarët në jug dhe në këtë drejtim ai rrezik do të jetë gjithnjë më i madh për elementin serb”. Aq larg kishte shkuar sa që rrezikun e shihte se te shqiptarët po zgjohet gjendja nacionale, dhe në vend se të asimilohet siç është dëshira e shtetit në realitet po ndodhë e kundërta, sepse fëmijët e kolonëve, në vend që t’ua mësojnë atyre gjuhën serbe, ata po e mësojnë gjuhën e tyre dhe kështu elementi sllav po asimilohet. Rreziku më i madh sipas tij qëndron se te gjithnjë e më pak po vërehet gjendja turkofile, të cilët gjuhën dhe plisin nuk e harrojnë.

Studimi që shkaktoi më së tepërmi  erupsion për të ndërmarrë aksione brutale që ka qenë ndër akuzat më të rënda kundër pushtetit që nuk “interesua” për ta asimiluar popullsinë shqiptare, është padyshim elaborati i Vasa Çubriloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”.

Në elaboratin e sipërpërmendur me karakter fashizoid e gjenocid, me  titull “Shpërngulja e shqiptarëve” (“Iseljavanje Arnauta”), i paraqitur në Klubin Kulturor Serbia më 7 mars 1937, të hartuar nga Dr, Vasa Çubriloviq ( 1898-1990), thotë se pasi që “ndjekja e shqiptarëve me kolonizimin tonë gradual është jo efikase, mbetët që shpërngulja e tyre  të jetë sa më masive. Me këtë rast, dy vende vijnë në konsideratë dhe atë Shqipëria dhe Turqia”.

Dr. Vasa Çubrilloviqit në “Shpërngulja e shqiptarëve” për  problemin e shqiptarëve, thekson ai, nuk lindi sot, por ai ishte problem edhe në Mesjetë. Praninë e shqiptarëve Çubrilloviqi e quante “Pykë të rrezikshme”. Mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Qeveria serbe e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë Serbe. Për të pasur efekt pozitiv, theksonte ai, duhet krijuar psikoza të nevojshme në këto forma: Është e njohur se masa shqiptare bie shumë vështirë nën ndikim dhe bindjet e veta i ruan me fanatizëm. Për këtë, në mes masave tjera,  kësaj radhe po përmendim atë që preferon në lidhje me ligjet, të cilat duhet shfrytëzuar deri në maksimum, në mënyrë që t’i vështirësohet jeta me anë të gjobave, burgimeve, me përdorimin e të gjitha formave të paskrupullta, të gjitha metodave policore me dënime në masë. Mandej me anë të masave sanitare, rrëzimin e mureve dhe gardhiqeve, masave në veterinari, rritjen e tatimeve etj. Shqiptari duhet të ngacmohet, duke ua prishur varret, ndalimin e martesave, duhet detyruar që fëmijët të dërgohen në shkollat, ku fyhet elementi shqiptar dhe ku nxënësve u thuhej se shqiptarët janë njerëz me bishta. Nga ligjërata  e V. Çubriloviqit, “Shpërngulja e shqiptarëve”, të mbajtur në Klubin Kulturor serb më 7 mars 1937, i dëshpëruar për shkak s sipas tij  kolonizimi kishte dështuar, në elaboratin e tij përveç të tjerash  theksonte: Në rastin tonë  duhet pasur parasysh aq më parë që kemi të bëjmë me një racë të gjallë, të fuqishme dhe të pëlleshme, për të cilën  i ndjeri Cvijiq ka thënë se është raca më ekspansive në Ballkan. Gjermania  prej viti  1870 deri në vitin 1914 ka shpenzuar shumë miliarda marka që, gradualisht, duke e blerë tokën nga polakët, t’i kolonizojë trevat e veta lindore. Por pjellshmëria e nënave polake ka ngadhënjyer mbi organizimin gjerman dhe paratë gjermane. Në vitin 1928 e mori prapë Poznanjin e vet. Statistikat tona të viti 1921 dhe të viti 1931, që i përmendëm më parë, tregojnë se edhe  pjellshmëria e grave shqiptare ka ngadhënjyer mbi politikën tonë të kolonizimit.

Hajredin Hoxha, në punimin e tij në “Përparimi” thotë se politika e regjimit ishte eliminimi i shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë së vjetër. Edhe Gjoka Perina, po ashtu mbështeste pikëpamjet e Çubriloviqit karshi shqiptarëve. Ky titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë, theksonte praninë e shqiptarëve në regjionin e Sanxhakut. Sipas Perinës popullsia shqiptare në Kosovë paraqet rrezik të përhershëm, prandaj preferonte shpërnguljen ciklike brenda për brenda shtetit, sepse ndërrimi i këtillë i popullsisë nuk kërkon mjete të mëdha, ndërsa popullsia shqiptare, thotë ai, “do të humbasë në detin e gjerë sllav”.

Në Kosovë është vendosur regjimi i terrorit dhe i eksploatimit. Nëpunësit fundërrina të Mbretërisë Jugosllave u futën në Kosovë për t’u pasuruar. Gjuha shqipe është larguar nga jeta publike, ndërsa shkollat nuk u hapën. Për shkak se në alfabetin serb cirilik dhe latin, nuk ka shkronja për të gjithë tingujt e shqipes, shpesh ka ndodhur që gjatë regjistrimeve, emrat dhe mbiemrat të ndryshohen.(vijon)

Filed Under: Histori Tagged With: dhuna serbe. Sanxhak-Kosove, Ismet Azizi, Terrori

NDIHMA DHE SHPRESA NE ATDHE

October 11, 2018 by dgreca

Si të dërgosh ndihma dhe shpresë në atdheun e harruar nga politikanët por aq të dashur për diasporën/

1 Ndihma e shpresa

Nga Marjana Bulku/

Shëndeti është çështje e përbashkët e çdo moshe , e çdo kohe ku distancat nuk të pengojnë të kërkosh shpresën aty ku ajo mungon, ta ndërtosh shpresën pikërisht atëherë kur ajo të nevojitet më shumë se gjithçka. Janë këto motivet që kanë nxitur Ina Farkën drejt projektit C.U.R.E Support Hospitals in Dibra Albania që përveçse një kontribut konkret në fushën e përkujdesjes shëndetsore është një thirrje për vemendje e kujdes, trajtim dhe investim duke investiguar nevojat emergjente të spitaleve në Shqiperi e më pas duke u plotësuar ato me investime konkrete. Kavaja dhe Dibra përkatësisht në zemër të Shqipërisë dhe në verilindje të saj janë përzgjedhur si rajonet e duhura për ta aplikuar këtë projekt i cili shpresojmë të vijojë gjatë. Investimi për shëndetin është investimi për jetën , ashtu siç rikonstruktohen rrugë e teatro, zyra e mure , jeta nis e mbaron në spitale.Vlera e pajisjeve që do të eksportohen drejt Shqipërisë me vlerë prej 500.000$ është falas por ku transporti kushton – shprehet Ina Farka, inicuesja e këtij projekti jetik.

-Janë rreth 826 artikuj mjeksor që do të transportohen nga Amerika e largët drejt Dibrës e Kavajës.

Eksperti ka vlerësuar nevojat e spitaleve të targetuara si pjesë e projektit ndërkohë që faza e donacioneve për mbledhjen e fondeve për transport është ende në proçes. Një proçes ku nuk mungojnë dhurimet e emigrantëve, simbolike dhe bujare vlera më e madhe e të cilave është malli, dashuria dhe detyrimet për vendin amë që duket se nuk shuhen kurrë. Patriotizmi ka jo vetëm ngjyrat kuq e zi, por edhe akte si këto që kthejnë sytë andej nga varfëritë e shpirtit, të shëndetit dhe të vullnetit munden të shndërrohen në pasuri të humanizmit dhe solidaritetit. Këto 826 artikuj që do tē udhëtojnë nga Amerika drejt vendit amë e më pas drejt Kavajës, Dibrës, etj etj, janë ngarkuar me tonelata malli e dashurie për vendin tonë të përbashkët që na bën të ndjehemi shqiptarë kudo jemi e mbi të gjitha humanë.

Unë e pyeta Inën për shumë gjëra dhe ajo më tha thjeshtësisht: “Qëllimi i këtij projekti është shëndeti dhe jo Ina, shpresa dhe jo rrahjet e gjoksit “unë unë”

E megjithatë unë kërkova diçka më shumë rreth saj dhe  do ta kufizoj portretin e saj human e plot vlera vetëm në atë profesional:

Doktore e shkencave juridike, aktualisht  punon në departamentin Homeland Securety Immigration  and Costumes Enforcement.

(Ndjesë Inës për keto detaje të pjesshme që janë edhe një tjetër dëshmi se dashuria i ka sytë kah atdheu edhe kur njeriu ndihet i plotesuar ketu. )

Ajo që ne me vullnet të përbashkët duam të ndajmë me ju janë detajet e mëposhtme për çdo informacion, kureshtje kontribut apo më shumë

inafarka@hotmail.com

 

Join us at Project C.U.R.E. to deliver donated medical supplies to the Hospitals of Bulqiza and Peshkoia in Dibra, Albania. With your help, Project C.U.R.E. will ship $500,000 worth of donated hospital equipment and supplies to each one of the most underequipped hospitals in Dibra.

Project C.U.R.E is able to deliver $25 – $30 worth of medical supplies for every $1 donated, In addition, funds raised will be matched by private donors up to $10,000 per hospital. A Project C.U.R.E. expert will visit the hospitals to conduct needs-assessments because all medical donations will meet the needs of the hospitas. We have already raised the funds for the visit, which will be conducted in November.

This is the second project of its kind. We already raised $24,000 to support the hospital of Kavaja and the shippment is on route to the hospital.

Please wach the video in Albanian for more information about the hospitals and please reach out to me at inafarka@hotmail.com, with any questions about the project or if you would like to join me in volunteering for this project. All donations are tax-deductible and there are no processing fees.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ina Farka, Marjana Bulku, NDIHMA DHE SHPRESA, NË ATDHE

TRE OPSIONET E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SHQIPTARE

October 11, 2018 by dgreca

KOSOVË-TRE OPSIONET E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SHQIPTARE TË 11 TETORIT 1991/

1 Rugova me aganin.JPG

-“Ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, shprehej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar para 24 viteve/

1 behlul Rugova

-DOKUMENTI I PLOTË: Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991/

2Bujku

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
1 Beluli Rugova
PRISHTINË, 11 Tetor 2018/ Në vitin 1991, Referendumi me të cilin Kosova shpallej shtet sovran dhe i pavarur, i mbajtur nga 26 deri 30 shtator me  99,87 për qind të votave pro, që pasonte Deklaratën për pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën e Republikës të 7 Shtatorit 1990,  pasohej edhe me zhvillime tjera në angazhimet për realizimin e vullnetit kombëtar e demokratik të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë kufirit të Shqipërisë. “Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991”, është një nga dokumentet e atyre zhvillimeve historike, pjesë e të cilave ishin edhe zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale të Kosovës të 24 majit 1992.

Pikërisht para 27 viteve, në 11 tetor 1991, në Prishtinë, është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Deklarata e 11 partive politike kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm  të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet  sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e  shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë”.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova,  në intervistën që kam zhvilluar në shtatorin 1994 – intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për ATSH-në, duke përkujtuar e vlerësuar dokumentin e tre opsioneve  theksonte se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

“Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?”, ishte një nga pyetjet, në të cilën Presidenti Rugova përgjigjej:

 “Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.

Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës”.

Një pyetje tjetër ishte: “Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?”.

 Presidentit Rugova përgjigjej: “Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken”.

Në intervistën që e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, Rugova falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në, për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive për ATSH-në derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Ai theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Presidenti Rugova besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte.
“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë  është marrë në konsiderim, dhe po  shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej  Rugova para 22 viteve në intervistë për ATSH-në, ku parashikonte ngjarjet dhe zhvillimet që ishin si ëndërr, por që pasuan dhe u bënë realitet.

MË 22 KORRIK  1991 FORMOHET KËSHILLI KOORDINUES I PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE TË KOSOVËS

Më 22 korrik 1991, Partitë Politike shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Koordinues të Partive Politike shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare dhe për rrënimin e çdo subjektiviteti e sovraniteti të shqiptarëve në Jugosllavi.
Këshillin Koordinues, si subjekte të mëvetësishme dhe të barabarta, e përbëjnë këto parti politike: Lidhja Demokratike eKosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokratee Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës.
Formimi i këtij Këshilli le të hapura mundësi për forma të reja të organizimit dhe të koordinimit ndërmjet të gjitha partivepolitike shqiptare dhe të asociacioneve të tjera. 

Këshilli koordinues vendos në pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike që e përbëjnë. 
Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh dr.Ibrahim Rugova.

DEKLARATA POLITIKE PËR TRI OPCIONET E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SHQIPTARE MË 1991

Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen eçështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi japin këtë:Deklaratë politike

A)     Çështja e pazgjidhur kombëtare shqiptare në Jugosllavi është pasojë e copëtimit të trojeve etnike shqiptare, kur me krijimin e shtetit të Shqipërisë më 1913 jashtë tij, në territore kompakte etnike, mbeten më shumë se gjysma e popullit shqiptar, të cilët asnjëherë nuk i gëzuan të drejtat legjitime kombëtare, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë socialiste;

B)     Copëtimi i territoreve të popullit shqiptar, që u bë pa përfillur parimin etnik në caktimin e kufijve shtetërorë dhe pa përfillur vullnetin e popullit shqiptar, vazhdoi edhe në Jugosllavi, duke e ndarë popullin shqiptar në kufij politiko-administrativë të Kosovës, të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Një autonomi të caktuar politike populli shqiptar e pati vetëm në Kosovë, të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, që është ende në fuqi dhe sipas së cilës Kosova është emement konstituiv i Federatës Jugosllave;

 C)     Serbia, në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë, më1989 hoqi autonominë e Kosovës, suprimoi të gjitha të drejtat kombëtare të shqiptarëve, u mori shqiptarëve çdo të drejtë përsovranitet dhe subjektivitet, i largoi nga të gjitha institucionet shtetërore, suspendoi Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha kuvendet e komunave, ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, mbylli mjetet e informimit në gjuhën shqipe, aplikoi gjuhën serbe dhe alfabetin qirilik si gjuhë dhe shkrim zyrtar në komunikimin publik, largoi nga puna mbi tetëdhjetë mijë shqiptarë;

D)     Si shprehje e mospajtimit me një gjendje të tillë, populli shqiptar organizoi protesta të qeta, në të cilat morën pjesë mbi gjysëm milioni njerëz, u mbajtën grevat e punëtorëve, si dhe greva gjenerale. Pushteti serb reagoi me dhunë: u vranë mbi 100 shqiptarë, u plagosën mbi 300, u burgosën dhe u dënuan me burg shumëvjeçar mbi 12 mijë veta, mbi 600 mijë veta kaluan nëpërprocedurë policore.

E)      Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëmpër zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët eKuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 shpallën Deklaratën përPavarësi dhe më 7 shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë.

Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqesore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi:

1.    Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika eKosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2.    Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë përserbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3.    Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë.

Prishtinë, 11 tetor 1991

Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi

Dr.Ibrahim Rugova, kryetar

1.     Lidhja Demokratike e Kosovës

2.     Partia e Prosperitetit Demokratik

3.     Lidhja Demokratike në Mal të Zi

4.     Partia për Veprim Demokratik

5.     Partia Fshatare e Kosovës

6.     Partia Shqiptare Demokristiane

7.     Partia Parlamentare e Kosovës

8.     Partia Socialdemokratike e Kosovës

9.     Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar

10.     Partia Popullore Shqiptare

Filed Under: Featured Tagged With: 1991, Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, e ceshtjes shqiptare, Tre opsionet

FATOS ARAPI, POETI IKU ME GUXIMIN E HESHTJES

October 11, 2018 by dgreca

180px-Fatos_Arapi

-FATOS ARAPI, EMËR I LARTË, NJË NGA ETËRIT E POEZISË BASHKËKOHORE SHQIPE/

Poeti Fatos Arapi (1929-2018) iku me guximin e heshtjes

Shkruan: MSc.  Albert HABAZAJ /DIELLI*/

Poeti Fatos Arapi (1929-2018) iku me guximin e heshtjes, të lundrojë mes yjesh, me ecjen e dritës që s’ndalet … Iku Fatos Arapi ynë. Mbijnë ullinj të gjelbër në Zvërnec e në kodrat e buta mbi Vlorë dhe pikon lotë zie Lirika shqiptare. Dhembje në frymë, në ndjenjë, në mendim. Dritë emrit të tij të lartë me dritë!

Fatos Arapi (1929-11.10.2018). Shkrimtar, ekonomist, matematikan, filolog, studiues i folkoristikës. Ka gradën Shkencore “Doktor i Shkencave”, fituar qysh me fillimet e evidentimit të emrit të tij të përveçëm. Si pakkush tjetër në Shqipëri, ka një biografi të plotë intelektuale dhe letrare kulturore. Me emrin e tij Shqipëria mundet të krenohet botërisht, sepse i plotëson parametrat e duhur krahasimtarë për kalibrin europian e botëror të vlerësimit. Kur kujtoj e përmend emrin e Fatos Arapit, fatmirësisht në ekranin e memories më vijnë imazhet e poetëve të antikitetit, që ishin edhe shkrimtarë, edhe filozofë, edhe matematikanë, edhe astronomë etj., dhe janë ngulitur në Kujtesën e Botës, përjetësisht si ikona të mendimit antologjik botëror. Jo si kjo turma e gjithologëve tanë që na gufosën frymëmarrjen, leximin, studimin. Na mbytën! As nga pena e Xhovani Shytit nuk tuten më derrat…Ndërsa shkëlqimtari i Zvërnecit është i thjeshtë si e vërteta, i madhërishëm, i pashfaqshëm, i dhembshur, i mirë, i dobishëm, qytetar. Është një Atdhe i vogël që lëviz, që merr frymë, që gëzon, që loton, që s’përgjunjet. Ecën. Le gjurmë. Të bukura. Përjetësore.

Ai është POETI

Fatos Arapi është cilësuar  poet elitar shqiptar, kuota më e lartë e krijimit poetik. Ky vlerësim vjen si nga studiuesit e huaj dhe nga kritika letrare shqiptare. Ndërsa studiuesi dhe shkrimtari polak Andrzej Zanieëski e cilëson Fatosin: “poeti më i madh shqiptar”. Sigurisht që tashmë kritika jonë ka pranuar se, Petro Marko është një nga etërit themelues të prozës moderne shqiptare, ndërsa ne plotësojmë mendimin për të dy krahët e peshores letrare prozë- poezi dhe shprehemi se, Fatos Arapi është një nga etërit themeltarë të poezisë bashkëkohore shqipe. Fatosi ynë është lindur në Zvërnecin magjik të Vlorës bregdetare më 1929 në një familje intelektuale dhe atdhetare. Babai i tij Tol Stavre Arapi njihet në krahinën e Vlorës qysh para Shpalljes së Pavarësisë për veprimtarinë e tij patriotike e kulturore në shërbim të Atdheut, ndërsa në vitin 1914 botoi poemën “Kuçedëra” me 20 faqe, shtypur në “Shypshkronjën e shtetit shtypëtar” dhe publicistikën e tij atdhetare e la në dorëshkrim e cila u botua në librin “Që të bënet Shqipëria” (1996). I biri, Fatosi njihet si autor i poezisë ekzistenciale filozofike, i lirikave prillore të dashurisë dhe i elegjive prekëse për vdekjen. Botërisht njihet si poet i imazhit shqiptar dhe përbën fenomen poetik. Njeri i dashur, i dhembshur, me një zë të dridhshëm si një fije në erë, i padukshëm, i pabujshëm. Ka një penë të mprehtë, një botë të madhe, një shpirt të gjerë, që prodhon miliona dashuri jo vetëm me vargun, por me tërë qenien e tij. Ka një varg tronditës. Vërtetësi që kullon art e plagë. Varg të ngjeshur, konciz. Kush si ai i këndoi Luftës? Fatos Arapi është poet i luftës. Në poezitë me tematikë nga lufta tek “Alarme të përgjakura” shfaqet poet i impulseve të forta dhe i shprehjes së vrullshme, përmes vargjesh të rrëmbyera, të ngjyrosura me tonae të asghpra dhe të mbrujtura me një theks polemik dhe disi të zemëruar, sikur vjen të pohojë me zë të lartë, të afirmojë vizionin e vet artistik përmes poezisë së ashpër të luftës. Krijimtaria e tij vijon me këtë tematikë gjatë gjithë jetës. Por…Patriotizëm i trishtë, patriotizëm që dhëmb… E kush si ai i këndoi detit? Fatos Arapi është poet i detit. Si rrallë kush. Kush si ai i këndoi atdheut sy më sy, me të vërtetën korrente, duke e ulur në tokë, duke e zbritur nga monumentet e rënda rënduar me lavdishmëria e fasadës fodulle: Atdheu është dhembje, është dhembje./ një prill i pikëlluar në shpirt./…Atdheu është toka e premtuar./…Atdheu është  buka e uritur:/…në një pikë loti lirinë e lind./ Atdheu yt i vogli, i vogli,/ ai hyjnori, i pavdekshmi-loti”. Fatos Arapi sot është poet kombëtar… “Është e dhembshme Aulona e zhdukur…” bën apel qytetar zëri shqetësues i poetit, që tingëllon vajtueshëm, si një klithmë gati mitike, i qartë se duke mbrojtur kujtesën e gjallë kulturore, të kaluarën e Vlorës antike, ruajtur nga suferinat e mijëravjeçarëve, mbron dhe ndërton të ardhmen letrare, kulurore qytetare. Ai s’kërkon gjë. As tokat e babait që ia kanë grabitur zuzarët. Ai s’kërkon. Vetëm jep. Jep…Vetëm botuesi bujar Jani Malo, njeriu qytetar i kulturës,  ia botoi veprën e plotë poetike në katër vëllime. Fundvitin 2014. Ashtu siç Fatos Arapi e meriton. Edhe në formë. Klas! Vëllimi i parë me Poezi të zgjedhura titullohet “Më jepni një emër” dhe ka krijimtarinë poezitike të viteve 1962-1989; vëllimi idytë titullohet “Në kaq pak Tiranë” dhe ka poezitë e zgjedhura të viteve 1990- 1996; vëllimi i tretë ka titullin”Urna e vogël” dhe përfshin poezitëe zgjedhura të viteve 1997-2003 dhe, vëllimi i katërt me poezitë e zgjedhura të viteve 2005-2010 ka titullin “Një buzqëqeshje e pabesueshme”. Botimi ka ruajtur drejtshkrimin e kohës. Dhe do të vijojë botuesi fisnik i “Neraidës” me botimin e plotë të veprës letrare të Fatos Arapit duke ndjekur kriterin kronologjik sipas gjinive e llojeve letrare, sipas fushave dhe nënfushave të diturisë që autori ka lëvruar. Ja çfarë shkruan Poeti në fillim të vëllimit të tij të parë serial me Poezi të Zgjedhura “Më jepni një emër”:

“Dy fjalë

Sa herë botoja diçka, unë nuk e lexoja. Thellë vetes më mundonte dhembja: mund ta kisha bërë më të mirë. Dhe më e rëndësishmja: një poezi e botuar je ti, është shpirti tënd. Jo ai që ti mendon për veten, por ai që je në të vërtetë. Në jetë mund të sillesh ndryshe nga ç’je, mund ta zbukurosh veten, mund ta fshehësh. Nuk është diçka e jashtëzakonshme hipokrizia e përditshme njerëzore. Ajo shpesh na bëhet natyrë e dytë. Në art jo, në poezi jo. Në shpirtin tonë, fatlumturisht, ka një këndth, një kthinë, ku nuk hyn dot shtirja, hipokrizia. Atje është arti, ai i vërteti, dua të them. Jeta ime ka kaluar nëpër kohë tmerrësisht të rënda, që shtrihen gati prej fillimit të shekullit të 20 – të. Ndër mokrat e fatit shqiptar, ajo ka qenë tepër e vështirë dhe tragjike. Sa mund t’i qëndroja besnik vetvetes? Çfarë Fatosi krijova prej vetes sime? E keni në veprat e mia. Ju them sinqerisht se, cilido që do të jetë njeriu që ju takoni aty, unë përsëri do të ndjej dhembje. Nuk do të jem i kënaqur prej tij. Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të shkojmë. Fatos Arapi”.

Pak biografi letrare

Fatos Arapi, pasi kreu gjimnazin në Vlorë dhe përfundoi studimet e larta në Sofje të Bullgarisë në Fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë, ka punuar shumë vjet mësues, gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori- Filologji të Tiranës. Fatos Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin qenë një treshe e fuqishme, të cilët  bënë pjesë ndër ata poetë që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve ’60. Arapi solli në këtë poezi elemente të modernizmit, madje të hermetizmit. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi, ndërsa krijimet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Në vitin 2008, Fatos Arapi fitoi “Kurorën e Artë” në veprimtarinë letrare ndërkombëtare, që shndrrohet në  një manifestim poetik “Mbrëmjet poetike të Strugës” dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë çmim të madh, në historinë 50 vjeçare të Netëve poetike Strugane. Fatos Arapi ka botuar libra me poezi: “Shtigje poetike” (1962), Ka botuar vëllimet poetike “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Ritme të hekurta” (1968). “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” më 1979, “Duke dalë prej ëndrrës” (1989), “Ku shkoni ju statuja” (1990), “Dafina nën shi” (1991), “Ne, pikëllimi i dritave ” (1993),”Më vjen keq për Jagon ” (1994), “In – tenebris” (1996),” Gloria Victis” (1997), “Më duhet një gjysmë ëndrre” (1999), “Vëllezër Hamletë” (2001), “Ah, sikur të isha një përrallë” (2003), “Shëtitje pa veten” (2005), “Një zemër falet për mua” (2005); si dhe përmbledhjet poetike “Kaltërisa”, Prishtinë (1971), “Poezi të zgjedhura”, Tiranë (1974), “Poezi”, T. (1983), “Antologji personale” T. (2001), “Eklipsi i ëndrrës” T. (2001), “Dorë për dorë me tragjedinë”, Tetovë (2004), “Fatos Arapi, Selected Poems”, Struga, 2008 etj. Një vend të dukshëm në krijimtarinë e tij, krahas lirikave  të shkurtra, zenë poemat “Drashovica”(1961), “Alarme të përgjakura (1966), dhe “Antiburokratike”(1968). Ndër librat e tij me tregime veçojmë “Horrat e ndershëm” (2007). Fatos Arapi ka lëvruar dhe novelën, si “Patat e egra” (1970), “Dikush më buzëqeshte” (1972), “Cipa e borës” (1985); “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, 1993; “Gjeniu pa kokë” (1999), “Nuk shitet shpirti në tetor” (2002)  si dhe romanet “Dhjetor i shqetësuar” (1970), “Shokët” (1977), “Deti në mes” (1977). Kritika shqiptare ka mendimin se, në prozën e tij ndihet një fillesë poetike në kapjen e motiveve, ndonëse jo kurdoherë subjektte shtjellohen me shtrirje të gjerë. Ky përfundim vlen për t’u diskutuar, sepse dhe në detin e prozës, autori lundron hijshëm me anijen e bardhë të poezisë, që kurrë s’ka kthim prapa dhe çan dallgë. Ndonjë dhe s’ i shikon. Varet nga lentet që përdor. Ndoshta duhet të shikojë syri i studiesve të huaj, që s’kanë komplekse, edhe në këtë lëmë. Krijuesi vlonjat Pali Shtëmbari, psh., novelën “Dikush më buzëqeshte” e quan simbol të prozës tonë, e cila prodhon shije estetike me frazën e shkurtër, me moszgjatjen në të shprehurit pavend, përpos ngjyrimit të veçantë poetik që  përmban fraza. Dhe habitet se përse kritika hesht. Gjithashtu, F. Arapi ka shkruar dramat: “Partizani pa emër” (1962), “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front e diku…” (1995). Në vitin 2000 botoi biografinë historike “Kush ishte Vllasi?” kushtuar vëllait të tij partizan i Luftës për Çlirim, vrarë në mënyrë misterioze mbas luftës. Ka shkruar edhe vëllimin me kritikë letrare: “Fjalë për poezinë” (1987). Një kontribut të veçantë Fatos Arapi ka dhënë edhe  me botimet e studimeve dhe eseve për problemet e shkencës së folkoristikës (“Këngë të moçme shqiptare”, 1986), vështrime historike për Ballkanin, “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike”, 2001), për Vlorën, për poezinë, si për Lasgush Poradecin etj. Është marrë dhe me përkthime “Kënga e popujve”, 1978; “Këngë për njeriun” të Nikolla Vapcarov, 1981; “Poezi” nga Pablo Neruda, 1989; “Safo”, 1990; “Rrathët e Ferrit” nga Husto Horhe Padron, 1995; “Poezi të zgjedhura” nga Ëislaëa Szymborska, 1997; “Fluturimi i shpendit të kuq” nga Mateja Matevski, 2000;  “Providenca” nga A. Popovski, 2000 “Antologji e poezisë turke të shekullit XX”, 2001; (përkthime nga poezia spanjolle, kiliane, polake, bullgare, maqedonase, turke etj.). Ka botuar dhe librin me kujtime autobiografike “Kujtohem që jam”, 1997, që pa e lexuar, nuk besoj se mund të thotë kush: “Unë e njoh Fatos Arapin”. Ka botuar edhe shumë tregime, novela, studime e artikuj në faqet e shtypit të përditshëm apo në botime të tjera periodike. Zërin për të në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar e ka përgatitur Dalan Shapllo. Duke e gjykuar krijimtarinë e F. Arapit në kontekst, duhet të mos dëshpërohemi kur kemi kuptuar se libri me poezi “Ritme të hekurta” (1968) ka nota konformiste, si refleks i Revolucionit Kulturor. Ndërkohë, duhet të mos harrojmë se vëllimin “Më jepni një emër” (1972) diktatura ia ndaloi. I kritikuar me spastrimet e vitit 1973, s’kishte sit ë mos kthehej në karton ai libër i bukur: “Më jepni jë emër…/ Ku unë të jem tek ju,/ si jeta në pikën e gjakut;/ ku ju të ecni mbi mua,/ siç ecni në rrugë…./ Më jepni një emër…/ Ku brenda një bulëze loti/ të fluturoj si Ikari.”. Krahas shumë veprave të tjera letrare, ra në heshtje për një farë kohe si poet dhe nuk botoi gjë me peshë deri më 1989. Logjika e studimit të veprës së tij na fton që të dallojmë se, qysh  në hapat e parë ai paralajmëroi për një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese të realizmit socialist poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rruge të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica. Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t’i përqeshë e përbuzë burokratët dhe demagogët, si në poezinë “Antiburokratike”, apo do të sjellë disa veçanti përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë “Pse erdha në jetë”. Siç shihet, poeti i thur ode lirisë dhe “mejtimit të lirë” siç e quan ai. Është synim dhe ideal madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet. Lirikat e Fatosit janë të një niveli evropian, lirika universale, tërheqëse dhe emocionuese që bëjnë për vete çdo lexues në Ballkan, në Mesdhe, në Europë. Lirika te tij bëhen të afërta për qytetarët e botës, sepse ai paraqet figurë botërore në sferën e krijimit poetik, poet elitar shqiptar dhe një nga poetët e lartë të gjallë të ditëve të sotme. Fjala poetike e tij është moderne, universale dhe e përjetshme. Ka lënë këtë lloj përjetësie të flasë për të, ndërsa ai vetë ka zgjedhur të tërhiqet prej të qenit publik.  Dhe pret të enjten e datës 11 tetor 2018, si ditë e mirë dhe ikën “të lundrojë midis yjesh, … me ecje drite që s’ndalet…”

 

Studiuesit e huaj

Më vjen çudi, që brilantini poet shqiptar nga Zvërneci i Vlorës, i cili rrok lartësitë e qiejve letrarë të Europës (tash e  gjysmë shekulli fluturim pandalur e pa ulur lartësitë), nuk përmendet në veprën e natyrës enciklopedike  “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, Akademia e Shkencave e RPSSH, 1985. Sinqerisht tronditem. Dhe hesht hidhur. Dhe vargu i Poetit është  lënduar. Atdheu i tij dhembja dhe varri. Ndërkohë, që  studiuesit e huaj, si Giuseppe Gradilone, Joyce Lussu, Anté Popovski, Robert  Elsie etj., shkruajnë studime shkencore me vlerësime të kalibrit europian dhe universal për Poetin e Madh Shqiptar Fatos Tol Arapi: Anté Popovski -“Poezia e Fatos Arapit është vertikalja estetike dhe morale e poezisë bashkëkohore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Vuajtjet përmes kohës së turbullt e të keqe, Fatos Arapi i përshkoi sipas rrugës ë vet, duke mbetur gjithmonë origjinal e i qëndrueshëm me veten, i pakapërcyeshëm e i afirmuar, me vërtetësi poetike e morale…Në mënyrë konseguente e me një vazhdimësi të sigurt ndërtoi vizionin e tij prekës dhe tragjik në poezinë e tij dhe u bë tribun i dinjitetit njerëzor”. Fatet shqiptare përmes poezinë së Fatos Arapit, lëvizin duke mbajtur në gjokse si hajmali prushe të ndezura nga hiri i jetës shqiptare. Me sy të lodhur nga akrepët e epitafeve , duke mos mundur të jetojë pa truppin dhe shpirtin e ullinjve, dorë për dorë me tragjedinë, autori e lut vdekjen që të respektojë fatin e tij njerëzor.  Janë homerike vargje të tilla: “Në kryqin e skeletit të Fatosit/ Kryqëzova gjithë padrejtësitë e botës./ Liria ime! Më mjafton ti,/ edhe pa Fatosin.”.  Joyce Lussu shprehet: “Karakteristikë e poezisë së tij është një ndërthurje e vazhdueshme e temave të mëdha historike e sociale dhe ato personale e intime; imazhet e revolucionit dhe të vajzës së dashur, ndjesitë familjare dhe të ndërtimit të një shoqërie të re, dalin me një frymë nga goja e poetit, me një stil autentik, pa skematizma”. Ndërsa Giuseppe Gradilone thekson: “Poezia e Fatos Arapit është një gur themeli në historinë e poezisë shqiptare: ai…duke u nisur atje ku kishin mbrritur Koliqi e Poradeci, dhe, duke përvetësuar mësimet e tyre për përtëritjen dhe pasurimin e lirikës së popullit të vet, shkonte më tej duke u bërë kështu sjellësi i një poezie akoma më moderne në përjetimin e fatit të njeriut…”. Është për t’u theksuar, se qyshnë fiilimet krijuese F.Arapi përdori forma poetike më bashkëkohore se kolegët dhe i dha tonin rinovimit të poezisë shqiptare .

Albanalogu kanadez Robert Elsie

Në librin enciklopedik “Histori e Letërsisë Shqiptare”, në kapitullin “Letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës (1944-1985) dhe dalja nga izolimi”, duke shkruar për poezinë e sotme në Shqipëri, studiuesi Robert Elsie shkruan: “Më i mirënjohuri ndër poetët e sotëm shqiptarë, që e kanë zgjidhur dilemën e poetit me mision të paracaktuar është Fatos Arapi”. Dhe më tej: “Fëmijë i Bregdetit, Arapi nuk e ka humbur kurrë magjepsjen nga ujërat vezuellues të detit, nga shija e ajrit të njelmët dhe nga dielli i fortë i Mesdheut, të cilat vërshojnë dhe njomin vargun  e tij. Madje , prapa këmbimit plot patos të temave të prodhimit e të ndërtimeve industriale apo atyre politike në vëllimet e mëvonëshme, vokacioni i vërtetë poetik i tij mund të hetohet në krijimin e një baraspeshe midis harmonisë së valëve të detit dhe rrahjeve ritmike të qenies së tij. “U krodha në ujrat e Jonit,/ Në ngjyrat dhe dritat e tij./ Notoj mes përflakje mirazhesh./ Kthjelltësia e tyre më prek/ E më rrënqeth trupin… dhe ndjej/ Nëpër shpirtin tim,/ Si rryma të kaltra gëzimi/ Shkojnë dritat e ngjyrat e Jonit./ Si rryma të kaltra gëzimi.” Duke dhënë një mendim të përmbledhur e substancial, Elsie rrok edhe prodhimtarinë letrare të Arapit në  lëmin e prozës, duke e cilësuar kryesisht poet, që nuk i nënçmon prozën dhe kritikën letrare, edhe pse studiuesit në fjalë, një pjesë e letërsisë në prozë e autorit  i duket jo fort bindëse. Telegrafisht mund të theksojmë se romani “Shokët” ( Tiranë, 1978) rrëfen për brengat e Azem Bungës, fshatar nga Bregu i Labërisë, dy bijtë e të cilit janë vrarë njëherësh në luftën e rezistencës, kurse ai vetë e ndjeu detyrim të paktën t’i varrosë në mënyrë të duhur. “Kritikët, – shkruan Elsie- e interpretuan romanin si një kundërpërgjigje ndaj romanit “Nëntori i një kryeqyteti” të Kadaresë, të cilin Arapi e kritikonte ashpër. Deti në mes” (Tiranë 1986) ka vënë në qendër vuajtjet dhe fundin tragjik të një njësie ushtarësh italianë  në vjeshtën e vitit 1943. Duke u munduar t’i shpëtojnë një kasaphane tjetër pas kapitullimit të trupave italiane në Shqipëri, ky grup djemsh ushtarë, të braktisur në rrugë të madhe diku buzë bregdetit jugor të Shqipërisë, gjen strehë në kishën e Trinisë së Shenjtë me shpresën e kotë se mos gjejnë ndonjë varkë që t’i shpjerë shëndoshë e mirë në Itali”. Duket se kemi disa pika takimi në prozën e gjatë të F. Arapit për vizionin e tij letrar e njerëzor të përafërt me atë të bashkëpatriotit të tij humanistit universal Petro Marko apo me botën e madhe të titanit Hemingëay (Ernest Heminguej).

Kritika shqiptare

Po ashtu, kritika e mirëfilltë letrare dhe stuiduesit më në zë shqiptarë, si Ali Podrimja, Ali Aliu, Agim Vinca, Isak Shema, Razi Brahimi, Jorgo Bulo, Dalan Shapllo, Gjergj Zheji, Bashkim Kuçuku, Roland Zisi, etj. Ndërkohë, patjetër, që në botimin më të ri të nivelit akademik “Fjalor Enciklopedik Shqiptar” (Shih: FESH, vëll. 1, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2008, f. 86-87) ia paraqet biografinë letrare: poet, prozatore e eseist, që nisi të shkruajë qysh në vitet e studimeve, duke u orientuar drejt poezisë filozofike. Zërin për të në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar e ka përgatitur kritiku D. Shapllo. Fatos Arapi i përket brezit të poetëve të poetëve që në vitet ’60 të shek. XX sollën një mendim e figuracion të ri, duke e emancipuar poezinë e kohës nga rutina poetike dhe notat retorike të vargëzimit të angazhuar. Poeti u mbështet tek fryma e poezisë popullore dhe forca e saj përgjithësuese, duke iu larguar stilit narrativ, përshkrues. Tingëllim të veçantë në poezinë e tij kanë motivet kundër mendësisë burokratike dhe meskinitetit. Në disa nga krijimet, më të goditurat, Poeti evokon me nota himnike heroizmin e viteve të luftës antifashiste (kujtojmë ciklin “Në varrezat e dëshmorëve në Vlorë”, apo vargjet për Margarita Tutulanin, për Hysen Çinon, Teli Ndinin, për Shyqyri Alimerkon, për Vllasin…). Poezinë e tij e dallon mendimi përgjithësues dhe forca e dëpërtimit në botën e individit dhe përsiatjet e tij subjektive. Me kalimin e viteve ajo është bërë më metaforike; përmes vargjeve eliptike dhe përmes simbolit e alegorisë, ajo synon të hyjë në nënshtresat e ndërgjegjes dhe në të fshehtat e shpirtit njerëzor. Disa motive të poezisë së tij pasqyrojnë tragjizmin e jetës njerëzore, bëjnë fjalë për një horizont të mjegullt, brenda të cilit ndihen ankthe dhe pasiguri. Metonomia, simboli, detajete goditura i japin forcë shprehëse kësaj poezie. Vargu i Fatos Arapit është një gërshetim i vargut klasik me vargun me ritëm të lirë, që fiton një tingëllim origjinal. Me të drejtë, studiuesi dhe poeti Agim Vinca vëren se në krijmtarinë e F. Arapit ka dy linja poetike, ka dy lloj inspirimesh qytetare dhe letrare: linjën e frymëzimit kolektiv  (me bllokun poetik për atdheun, me të kaluarën dhe të ardhmen e tij, për marrëdhëniet e reja shoqërore, afirmimin evlerave njerëzore e atdhetare, me kundërshtimin e psikologjive negative për kohën, me lirikat e dashurisë për natyrën etj., etj.) dhe linjën e frymëzimit intim, ku poeti shfaq preokupimet e veta intime, zbulon botën e tij të brendshme, përsiat për jetën, dashurinë, natyrën, edhe për vdekjen”. Këngëtari i Pavarësisë, i paharruari Ali Podrimja, në parathënien e vëllimit me poezi të zgjedhura “Eklipsi i ëndrrës” (2002), si lexim i një dëshpërimi, kur ndjen në poezinë si klithmë denoncimi “Dhe je Evropë” vargjet e Fatosit tonë që i thur popullit të tij “Ç’të bëjë vdekja me vdekjen tënde/ i pavdekshmi im?”shkruan: “Fatos Arapi ndaj momentit të pikërishëm të shoqërisë shqiptare është mjaft kritik. Kërkon shoqëri të pastër e dinjitoze. Nuk mund të pranojë “se se masakrojnë ëndrrat në gjumë”. Duke lexuar jo vetëm poezitë e tij, frikësohem se nuk po tregohemi më të kujdesshëm. Shqipëria ëshët shenjë, “i vetmi që ka mbetur”… e pranon poeti. “Përtej është koha ku s’mund tëshkelim”. Dëshpërimi i tij është dhe dëshpërimi ynë për gjysmën tjetër të ëndrrës, kur të dalim nga eklipsi i saj. Vetëm dhembja mund t’i bashkojë njerëzit dhe t’i vërë në lëvizje, pohon Podrimja dhe është dakort me Poetin tonë se duhet të kemi raportetë tjera jo vetëm me Evropën, që të mos mbesim vrimë e zezë në univers. Ali Aliu shkruan: “Te figurshëmria poetike e Fatos Arapit zbulojmë ngjyrat e një horizonti të hapur, të kaltër, hetojmë tonet që synojnë pushtimin e kaltërsive dhe të horizonteve të pafund. Figura poetike e Fatos Arapit, zakonisht është përmasash universale kozmike – ajo sikur përherë lakmon dhe synon sinteza të gjithëpushtetshme duke qenë përherë e thellë posaçërisht në mendim”. Studiuesi i poezisë në letërsisë bashkëkohore shqipe Roland Zisi shkruan: “Fatos Arapi është investuar në poezinë shqipe për një krijimtari të fortë atdhetare e shoqërore. Ai shfaqet gjithmonë i dashuruar me Atdheun, me Shqipërinë e shqiptarët, nuk i idealizon e hyjnizon, madje ndonjëherë edhe i qorton e kritikon, por gjithmonë ruan në zemër e në shpirt mirënjohje përvujatëse…ai mbetet poeti i besimit tek Atdheu, Liria dhe Njeriu, poeti i shpresës, si pika e fundit e jetës njerëzore. Këtë mesazh përcjell edhe poezia me titull “Edhe pak, zemra ime”, me të cilën ai përmbyll përmbledhjen poetike “Ah sikur të isha përrallë”. Sepse poezia e Fatos Arapit më mbush me dritë të bardhë e të ngrohtë letrare, nga që poezia e tij ka fiuar vlera të plota dhe universale, kam bërë  një poezi si prelud për detin e Vlorës, ku këndoj: Pijmë birrë e valë, e këngë e zjarr,/ e gurgullullojmë si rruaza xhevahiri,/ vargjet për ty burojnë ujëvarë,/ i vemë kurorë një gjethe ulliri./ Krijojmë e ndezim diellin si Fatos Arapi,/ Si zogj furtune në buzë të detit,/ s’është gjë takimi i mbretit me mbretin/ para takimit të poetit me poetin!

 

*Bibliograf, studiues,

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore

“Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali’, Vlorë, Albania

Filed Under: Opinion Tagged With: Albert Habazaj, Fatos Arapi, ME GUXIMIN E HESHTJES, POETI IKU

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT