• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

Ne, jemi NATO!

October 6, 2018 by dgreca

4 frank-shkreli-1NGA FRANK SHKRELI/

Si rrallë herë, java e parë e Tetorit ishte një javë e ngjeshur me aktivitete të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, si në kryeqendrën e saj ashtu edhe në rajon. Në Bruksel, zhvilluan këtë javë bisedime dyditëshe, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës Perëndimore, duke u fokusuar – sipas një njoftimi të NATO-s për medien – në adaptimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të masave ndaj veprimeve provokuese, në rritje e sipër, nga ana e Rusisë, si dhe ndaj gjendjes jostabël në krahun jugor të Aleancës. Ndërkaq, gjatë këtyre aktiviteteve të NATO-s, duhet venë në dukje edhe vizita, këtë javë, në Moskë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe takimi i tij me Presidentin rus, Vladimir Putin, ku përveç Kosovës, u bisedua edhe për zgjerimin e NATO-s në rajonin e Ballkanit. Presidenti i Serbisë, citohet nga “Zëri i Amerikës” t’i ketë premtuar Putinit se, “Serbia, si shtet i pavarur dhe i lirë do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe mendoj se sot Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i përmbahet kësaj politike”, i ka thënë ai presidentit rus, i cili dihet se nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Me gjithë deklaratën e Presidentit serb në Moskë, NATO ka njoftuar se, këtë fund jave, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Perëndimore, Jens Stoltenberg do të bëjë një vizitë treditore në Beograd ku do të takohet me udhëheqësit më të lartë të Serbisë dhe njëkohësisht do të marrë pjesë në një ceremoni të përbashkët, të organizuar nga NATO dhe Ministria serbe e Mbrojtjes. Ndërkaq, t’i kthehemi mbledhjes ministeriale në Bruksel, ku njoftohet, se kontributi i dy përqindëshit për buxhetin e NATO-s nga vendet anëtare, ishte gjithashtu një ndër pikat që u diskutua në mbledhjen ministeriale të kësaj jave. Ndërkohë që citohet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të ketë thënë, se Aleanca po “Shënon përparim” në këtë fushë, duke shtuar se, “ky është viti i katërt me radhë që është shënuar një rritje të shpenzimeve ushtarake” në radhët e vendeve anëtare të Aleancës.

Në bisedimet e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel – theksohet në njoftimin për media – shefat e mbrojtjes të vendeve aleate, nënvizuan shqetësimet e tyre mbi sjelljet e Rusisë në rajonin euaroaziatik si dhe mbi sistemin e ri të raketave të Rusisë, të cilin Sekretari Stoltenberg e cilësoi si një masë “destabilizuese” dhe si e tillë, ka thënë ai, paraqet një “rrezik serioz ndaj sigurisë tonë.” Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, në takimin e tyre në Bruksel, mësuan gjithashtu edhe për sulmin kibernetik – që u parandalua nga Holanda me ndihmën e Britanisë së Madhe – të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse kundër Organizatës së NATO-s për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë të Holandës. Sekretari Stoltenberg ka thënë se NATO, në përgjigje të këtyre sulmeve ruse, do të ndërmarrë masat e nevojshme për të përforcuar mbrojtjen kundër sulmeve të tilla kibernetike, ashtu që sipas tij, organizata që ai drejton, “të jetë aq e fuqishme edhe në hapësirën kibernetike, ashtu siç është edhe në tokë, det e ajër.” Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, thuhet se Aleatët në NATO mbështesin vendimin e qeverive holandeze dhe britanike për të venë në dukje përpjekjet e pa diskutueshme të Rusisë për të minuar ligjet dhe institucionet ndërkombëtare. “Rusia,” ka thënë ai, “duhet t’u japë fund këtyre sjelljeve të pa përgjegjshme dhe të rrezikshme, përfshirë përdorimin e forcës kundër fqinjëve të saj, përpjekjet e saj për të ndërhyrë në proceset zgjedhore të vendeve të ndryshme, si dhe fushatat e gjithanshme për të përhapur dezinfomacion”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ndërkaq, në një takim të Ministrave të Mbrojtjes me Komisionin e përbashkët NATO-Gjeorgjia, ministrat shprehën shqetësimin e tyre rreth rritjes së pranisë ushtarake të Rusisë në rajonin e Detit të Zi dhe ranë dakord që të bashkëpunojnë në përballimin e sfidave të sigurisë rajonale, thuhet në një njoftim të NATO-s.

Ndërkaq, në mbledhjen e Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel, mori pjesë, natyrisht, edhe Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka. Në portalin e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë thuhet se shefja e këtij dikasteri – në mbyllje të Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, ka propozuar që një prej Ministerialeve të NATO-s për vitin e ardhshëm të mbahet në Tiranë: “Do kisha kënaqësinë që Ministeriali i NATO-s në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë të zhvillohet në Tiranë.”, është shprehur Xhaçka. Thuhet se këtë propozim ministrja Xhaçka e ka bërë gjatë darkës zyrtare në prani të Sekretarit amerikan Mattis, Sekretarit të Përgjithshëm, Stoltenberg dhe ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Siç dihet, Ministerialet e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s mbahen 3 herë në vit. Ndërsa në një aktivitet tjetër, këtë javë, të Aleancës së NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që kishte të bënte me një marrëveshje rajonale për krijimin e një Programi të Veçantë Shumëkombësh të Aviacionit, (për Forcat e Operacioneve Speciale të NATO-s) në Zarë, të Kroacisë. Marrëveshja, sipas NATO-s, u nënshkrua të ënjten nga Ministrat e Mbrojtjes të Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë dhe të Sllovenisë. Qendra e re e Aviacionit të NATO-s në Zarë, pritet të hapë dyert në fund të vitit që vjen.

Dhe më në fund, këtë javë, Aleanca e Atlantikut Verior NATO dhe Këshilli i Evropës, nëpërmjet shefave të këtyre dy organizatave perëndimore – Zotërinjve Jens Stoltenberg dhe Donald Tusk – komentuan referendumin e mbajtur në fillim të javës në Maqedoni duke u shprehur se marrëveshja mbi emrin, midis Athinës dhe Shkupit, ka krijuar një rast historik që të dy vendet të bëhen pjesë e komunitetit evropian dhe transatlantik, si anëtare të barabarta. Kjo do të ndryshonte – për më mirë – jetën e popullit të këtij vendi dhe të fëmijëve të tij. “Një shumicë dërmuese e atyre që morën pjesë në referendum mbështetën këtë rrugë. Kjo është tani në dorë të politikanëve të Shkupit për të vendosur se si shkohet përpara. Vendimet që ata marrin në ditët dhe javët e ardhshme do të përcaktojnë fatin e vendit dhe të popullit të vet, për shumë breza të ardhshëm. Ne u bëjmë thirrje (politikanëve të Shkupit) që të përfitojnë nga ky rast historik”, janë shprehur në një deklaratë të përbashkët, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.

Të gjitha këto aktivitete këtë javë nga ana e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s, lënë të kuptohet se Aleanca perëndimore – duke pasur parasysh misionin e saj për mbrojtjen e sigurisë së përbashkët — është e aktivizuar dhe po punon me të gjitha mjetet e saja për t’u përballur me rreziqet dhe me provokimet e Rusisë putiniste, në rajonin euro-aziatik, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, jemi ne NATO, në

Ibrahim Rugova nuk u vjen në ndihmë Ramës dhe Thaçit

October 6, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Sipas nevojave Edi Rama ka cituar dhe citon gjithkend, madje dhe kundërshtarët e tij politikë. Në opozitë kishte për zemër të thirrej në trashëgiminë politike të Fan Nolit, edhe pse në pushtet ndoqi një praktikë antinoliste! Në muajt e parë të pushtetit u përpoq të thirrej në emrin e Faik Konicës e shkoi deri te Çabej. Por pa mbërritur te Fishta, sepse Fishta nuk e ndihëmon kryeministrin tonë për asgjë. Jo thjesht se ai ishte gegë, por sepse trashëgimia e Fishtës nuk u përshtatet aleancave, intrigave dhe pështjellimeve akriobatike të Edi Ramës. Ndërsa javët e fundit Rama dhe Thaçi, të zënë ngushtë në aventurën antishqiptare të ndarjes së Kosovës në favor të Serbisë, po thirren në emrin e Ibrahim Rugovës. I pari ishte Hashimi ai që tha në Prishtinë se “Ibrahim Rugova ka qenë për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë”! Më pas Edi u përpoq në mënyrën e vet imponuese ta përforcojë këtë në një dalje televizive të para dhjetë ditëve. “E çfarë është kjo? Vetë Rugova ishte për ndryshimin e kufijve”, thoshte kryeministri, duke u hakërryer ndaj gazetarëve. Besonte se emri I Rugovës i jepte atij edhe të drejtë dhe siguri. Ndërsa në Prishtinë nuk ka pranuar asnjëherë ta respektojë kolosin e pavarësisë së Kosovës. Hashim Thaçi e përdor Rugovën pak më me efektivitet. Përdori për këtë lidhje “kundërshtarin” e vet të dikurshëm, Bujar Bukoshin. Por në rastin e promovimit të ndarjes së Kosovës, presidenti i vendit thotë se “Rugova ishte shprehur për shkëmbim territoresh”, me qëllim zgjidhjen e konfliktit midis Prishtinës dhe Beogradit. Gazetarët mercenarë përsërisin ritualisht deklaratën e Thaçit dhe Edi Ramës për gjoja mbështetjen që ata gjetkan në idetë e tyre te një deklaratë ose shënim i Rugovës i vitit 1992. Mercenarizmi ndaj pushtetit është tipari kryesor i gazetarisë së sotme në Shqipëri dhe në Kosovë. Ndërkaq objektivi i Thaçit, Ramës dhe mercenarëve që u shërbejnë në media është I dyfishtë: – Nga njëra anë të legjitimojnë aksionin e tyre antishqiptar të tjetërsimit të territoreve, nga ana tjetër të njollosin figurën dhe personalitetin e themeluesit të shtetit të së drejtës në Kosovë. Së paku t’i bindin shqiptarët se “Rugova ishte si ne” dhe se “ne jemi si Rugova”! Por pse spekullohet aq shumë me Ibrahim Rugovën? Sepse kundërshtarët e ndryshimit të kufijvë ose shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë janë kryesisht ata që i besojnë doktrinës së filozofisë kombëtare dhe politike të ish presidentit historik. Sipas doktrinës së doktor Rugovës “Serbët shikojnë me këtë ndarje se cila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëhetrë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave”( Ibrahim Rugova 1992). Si për ta vërtetuar qëndrimin dhe vizionin e Ibrahim Rugovës në mbrojtje të teritorit të Kosovës dhe pavarësisë së saj, Bernard Kushner shkruante: “Rugova ishte kokëfortë, ishte vështirë ta bindnim. Kishte bindjet e tij të prera dhe nuk pranonte asgjë më pak se pavarësinë e Kosovës”! I tillë Rugova mbeti deri në fund të jetës së tij. I pakompromis për arritjen e pavarësisë së vendit dhe mbrojtjen e territorit të Kosovës! Eshtë e pamundur që në një koment të përmbledhësh gjithë ato deklarata dhe qëndrime të Ibrahim Rugovës, me të cilat ai dëshmon se jo vetëm kundërshtoi çdo ndarje dhe tjetërsim të integritetit territorial të vendit, por njëkohësisht nuk lëshoi kurrë në çeshtjen themelore, krijimin e shtetit të pavarur, ose siç e shprehej vazhdimisht, “në të kundërt bashkimin me Shqipërinë”! Edi Rama dhe Hashim Thaçi thirren këto kohë në Ibrahim Rugovën për të fshehur faktin se ata janë e kundërta e tij. Ata të dy nuk kanë parime, nuk kanë ndjesi atdhetare të tilla si ato të Rugovës. Ndaj i drejtohen spekullimeve me emrin e tij dhe keqpërdorin nga ana tjetër simbolet kombëtare për të manipuluar dhe fshehur qëndrimet e tyre antikombëtare. Të dy liderët e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë kanë të përbashkët konceptin titist të Vukmanoviç Tempos për “bashkëim-vëllazërim” me serbët, edhe kur në Beograd përgatiten për dhunimin e shqiptarëve dhe territorit të tyre. Kjo dramë e re që Rama, Vuçiq dhe Thaçi përpiqen ta ringjallin në rajonin tonë duhet të marrë fund. Këtyre përpjekjeve nuk ju vjen në ndihmë Ibrahim Rugova. Por këtyre dy liderëve antishqiptarë nuk pu u ndihëmojnë fatmirësisht as krerët e institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri. Nuk u vjen në ndihmë as opinioni publik, gjithashtu kiderët e vendeve të rajonit dhe ato euro-amerikane. Prandaj duket se projekti Vuçiq-Rama-Thaçi për ndarjen e Kosovës do të dështojë. Megjithatë nga këta të tre duhet patur kujdes pikërisht në momentin kur duket se ata kanë humbur shanset për realizimin e projekteve personale të tilla. Tiranë, më 06.10.2018

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, nuk i ndihmon, Rugova, Thaçin e Ramen

Shkencëtarja shqiptare që i ka shpallur “luftë” kancerit

October 5, 2018 by dgreca

Fatlume Sadiku, shkencëtarja shqiptare që i ka shpallur “luftë” kancerit/

 Fatlume Sadiku (Sutaj), një grua vizionare e angazhuar në shkencën e Informatikës, e fokusuar me hulumtime në Informatikën e Mjekësisë, e në veçanti në zhvillimin e metodave inovative për zbulimin e hershëm të kancerit/

Shkruan: Hava Kurti Krasniqi/

Shkencëtarët janë njerëz të shenjtë për faktin se ata bëjnë ndryshime historike duke e ndryshuar të menduarit e botës, duke lënë gjurmë për të mirë. Ne kemi gra të shquara në fusha të ndryshme si art, kulturë, politikë e biznes por Fatlume Sadiku ka zgjedhur të sfidojë një shkencë më të vështirë. Dhe me përpjekjet, talentin e me karakterin e fuqishëm që ka, ajo gjithmonë ia del, shkruan albinfo.ch. Ajo sot është një shembull, një grua vizionare e angazhuar në shkencën e Informatikës, e fokusuar me hulumtime në Informatikën e Mjekësisë, e në veçanti në zhvillimin e metodave inovative për zbulimin e hershëm të kancerit.

Nuk është e vështirë ta përshkruash figurën e Fatlumes: e zgjuar, e bukur, e suksesshme, e dashur. Por është për tu habitur me guximin e saj; është ndër ato gratë e rralla që u hynë studimeve më revolucionare: një shkence, e cila është shumë premtuese edhe në luftën kundër sëmundjeve më të rënda.

Biografia

Fatlumja u lind në Pejë, ku e përfundoi edhe gjimnazin si laborante teknike e Biologjise. Edhe pse ajo kishte shumë prirje për Matematikë, u përcaktua për drejtimin e biologjisë meqë kishte dëshirë të madhe për të studiuar mjekësinë. E impresionuar nga fiziologjia e bimëve dhe e fascinuar nga bukuritë e natyrës, ajo më vonë vendosi dhe e studionte bujqësinë në Prishtinë. Por, edhe gjatë studimeve të këtij drejtimi, interesi i saj për temat që ndërlidheshin me mjekësinë mbeti i madh. Ai madje u shtua edhe më shumë, që nga dita kur ajo u njoh me Dr. Xhafer Sadikun, në atë kohë student mjekësie në Prishtinë. Ky interes u reflektua edhe në zgjedhjen e punimit për diplomimin e saj në bujqësi, me titull „Capsaicina dhe ndikimi i saj në shëndetin e njeriut“.

Në fund të vitit 1995 Fatlumja dhe Xhaferi, tani më të diplomuar dhe të martuar, migruan në Gjermani dhe banonin afër qytetit Frankfurt am Main. Me njohuri solide të  anglishtes, Fatlumja këtu nuk ballafaqohët me probleme të mëdha komunikimi me gjermanët. Por, me qëllim që t`i hapte dyert vetes për punësim, ajo angazhohët dhe shumë shpejt e mëson edhe gjermanishten. Në ndërkohë ajo ishte informuar se këtu mundësitë per punësim në lëmin e bujqësisë ishin pothuajse të barabarta me zero. Kjo e shtyri Fatlumen që të regjistrohej për një kualifikim të ri profesional si specialiste për marketing. Ky shkollim e përfshinte edhe trajnimin intensiv të pjesëmarrësve për një punë të avancuar me kompjuter.

Puna e parë, në një ambulancë radiologjike me teknologji të sofistikuar

Pas këtij kualifikimi, Fatlumes i hapen mundësi të reja për punësim si nëpunëse në firma të ndryshme në Frankfurt. Mirëpo, e shtyrë nga interesi i saj permanent për temat mjeksore, ajo vendos të punojë në një ordinancë të madhe radiologjike.  “Ishte një ndër ordinancat e rralla, të cilat në atë kohë posedonin sisteme për arkivim dixhital të raporteve dhe fotografive radiologjike si dhe sisteme për administrim elektronik të pacientëve”, thotë Fatlumja dhe vazhdon: “Krahas njohjes së gjuhëve te huaja dhe terminologjisë mjekësore, vendimtare për pranimin tim këtu ishte njohja shumë  e mirë e punës me kompjuter”.

Në këtë ordinancë Fatlumen të gjithë e quanin „specialistja e kompjuterit“. Dhe pikërisht këtu lindi dhe prej viti në vit u shtua dëshira e saj për t`i studiuar shkencat kompjuterike, pra informatikën. Tri vite më vonë kjo dëshirë e saj bëhët realitet: Xhaferi punësohet në një spital afër Passaut në Bayern si mjek në specializim të Mjekësisë Interne. Domosdoshmërinë për ta lëshuar punën në Frankfurt dhe për tu shpërngulur në Bayern Fatlumja e shfrytëzon si shans të jetës dhe i fillon studimet e saj në Universitetin e Passaut. Ajo këtu përcaktohet për studimin 5 vjeçar të Informatikës me studim minor (sekondar) në psikologji.

Pyetjes se si e kishte pritur rrethi familjar e shoqëror vendimin e saj dhe sa ishte i vështirë fillimi, Fatlumja i përgjigjet: “Meqë informatika konsiderohet si njëra ndër studimet më të vështira dhe unë tashmë i kisha mbushur 35 vjet, as unë vetë nuk kam qenë shumë e sigurt se do të kem sukses. I vetmi person që, krahas burrit tim, ka besuar shumë në suksesin tim, ishte vëllau i im, Bajrami. Ai jeton dhe punon në Gjermani, ku me vetëshkollim është aftësuar për zhvillimin e softwereve në gjuhë të ndryshme programuese.

Vështirësitë e mëdha, të cilat unë i pata në vitin e parë të studimeve, kërkuan me të vertetë një angazhim shumë të madh; shpesh më ka ndodhur të mësoj edhe deri në 16 orë në ditë, pa ndërprerje. Ky angazhim rezultoi me fitimin e shpejtë të njohurive (në radhë të parë atyre matematikore) të cilat mua më mungonin, por që ishin të domosdoshme për vazhdimin dhe përfundimin e suksesshëm të studimeve”, tregon për albinfo.ch shkencëtarja shqiptare.

Diplomoi si njëra ndër studentet më të mira të informatikës

Suksesi i treguar në provime i solli Fatlumes oferta të punës si asistente dhe doktorante nga tre profesorë të ndryshëm, ende pa e përfunduar punimin e saj të diplomës. Në këtë punim ajo u thellua në studimet e sistemeve inteligjente multimediale, të karakterizuara me aftësinë e tyre për ekstrahimin e informacioneve semantike (pra kuptimit) nga fotografitë, tekstet, videot apo audio-incizimet e ndryshme. Interesin e Fatlumes për këto sisteme e zgjoi posaçërisht përshtatja e tyre për analizimin dhe menaxhimin e dokumenteve mjekësore. Studimet i përfundoi me një notë mesatare ndër më të lartat dhe arriti të radhitet ndër studentët më të sukseshëm të informatikës në Universitetin e Passaut. Por, pranimi i ndonjërës nga ofertat e lartpërmendura për të punuar si asistente ishte i pamundur për Fatlumen ; ajo tani po jetonte në Zvicër, mëqë burri i saj (Xhaferi) kishte filluar të punonte si kryemjek në Bürgerspital të Solothurnit.

Jeton në Zvicër, por punon e studion edhe në Gjermani

Në një pauzë disamuajshe Fatlumja e ndihmon Xhaferin rreth hapjes së ordinancës së tij në Thalwil të Cyrihut, në të cilën ajo edhe sot është shumë e angazhuar. Por, e shtyrë nga ëndrra e saj e kahmotshme për të ndihmuar disi në luftën kundër kancerit, ajo u punësua në Qendrën Gjermane për Hulumtime të Kancerit (DKFZ) në Heidelberg të Gjermanisë. Në këtë qendër hulumtuese me renome botërore, më shumë se 1000 shkencëtarë, specialistë të disiplinave  të ndryshme (mjekë, biologë, inxhinierë të Informatikës etj.) punojnë me moton „Për një Jetë pa Kancer“. Fatlumja këtu punon në repartin „Medical Informatics in The Translational Oncology“ si hulumtuese dhe inxhiniere e informatikës. Por, në kuadër të një bashkëpunimi të këtij reparti me Kliniken Universitare në Frankfurt am Main ajo punon edhe si hulumtuese eksterne në një projekt për hulumtime të sëmundjeve (edhe kancerit) të rralla.

Tregimi për punën hulumtuese të Fatlumes nuk përfundon këtu; ajo paralelisht me punën e saj në Cyrih, Heidelberg dhe Frankfurt është duke i vazhduar studimet si doktorante eksterne në Universitetin e Passaut. “Në punimin e doktoraturës unë jam duke u marrë me zhvillimin e një sistemi inteligjent për analizimin e fotografive radiologjike (CT ose MRT), i cili do ta mundësojë zbulimin e kancerit të melqisë në një fazë shumë të hershme, në të cilën ky kancer dhe pothuajse të gjitha llojet e kancerit janë të shërueshme.

Billie Jean King ka thënë: “Kampionët luajnë deri sa të jenë fitues”, por a do të ndalet shkencëtarja jonë?

“Nga tetori i këtij viti unë do të punoj në një projekt të ri hulumtues në Zvicër. Ky projekt i quajtur „Medicina e Personalizuar“ ka zgjuar interesim të madh në të gjitha qendrat e mëdha hulumtuese të Botës. Në Zvicër ky është duke u udhëhequr nga katër spitalet universitare ku hyn edhe ETH në Cyrih. Unë do të punoj në spitalin universitar të Baselit”, thotë për albinfo.ch Fatlume Sadiku.

Nuk ka fund synimi i saj drejt zbulimeve në lëmin e Informatikës së Mjekësisë.

Mendjet e ndritura i japin Botës buzëqeshjen dhe gëzimin.

Si shqipëtarë krenohemi me Fatlume Sadikun.

“Për një jetë pa kancer”

E shtyrë nga ëndrra e saj e kahmotshme për të ndihmuar disi në luftën kundër kancerit, ajo u punësua në Qendrën Gjermane për Hulumtime të Kancerit (DKFZ) në Heidelberg të Gjermanisë. Në këtë qendër hulumtuese me renome botërore, më shumë se 1000 shkencëtarë, specialistë të disiplinave  të ndryshme (mjekë, biologë, inxhinierë të Informatikës etj.) punojnë me moton „Për një Jetë pa Kancer“(Kortezi:  Albinfo.ch )

Filed Under: Featured Tagged With: Ftalume Sadiku, shkenctarja shqiptare

28 “Vlonjatet” nga Kosova, zbresin në Vlorën e Flamurit

October 5, 2018 by dgreca

Tradita e bukur e krijuar me vajzat që mbajnë emra qytetesh shqiptare, dëshmon lidhjen e fortë të shqiptarëve në dy anët e kufirit shtetëror, si dhe promovon ndjenjat e miqësisë e shkëmbimet mes Kosovës dhe trevave të ndryshme të Shqipërisë/

1 vlonjatet

Një vit më parë shkuan Sarandat në  Sarandë . Tani po shkojnë Vlorat, me një  fjalë  vlonjatet e Kosovës po shkojnë  në  Vlorë n e Flamurit. Bëhet fjalë për 28 vajza nga Kosova të cilat mbajnë që lindja emrin domethënës Vlora, e që janë përzgjedhur nga ambasada e Shqipërisë në Prishtinë mes mijëra vajzash kosovare me këtë emër, për të vizituar qytetin bregdetar që u ka dhënë emrin. Shifra 28 ka brenda simbolikën e datës së pavarësisë, për faktin se vizita e tyre do të fokusohet kryesisht në qytetin e Vlorës, por edhe në Himarë. njofton Javanews.

Programi i hartuar nga ambasada jonë në Prishtinë, fillon që sonte me mbërritjen e grupit të vajzave në Vlorë. Të shoqëruara nga ambasadori Qemal Minxhozi, ato do të priten nga kreu i bashkisë Dritan Leli dhe do të kenë në tre ditë në vijim takime e aktivitete të ndryshme në Vlorë dhe Himarë.

Tradita e bukur e krijuar me vajzat që mbajnë emra qytetesh shqiptare, dëshmon lidhjen e fortë të shqiptarëve në dy anët e kufirit shtetëror, si dhe promovon ndjenjat e miqësisë e shkëmbimet mes Kosovës dhe trevave të ndryshme të Shqipërisë, shkruan Javanews.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 28 Vlonatet, e kosoves, ne Vlore

MUSTAFË ELEZI SHKOI NGA KJO JETË, U PËRCOLL ME NDERIME

October 5, 2018 by dgreca

1 Varrimi

Nga Idriz LAMAJ/Gazeta DIELLI

          Me 1 tetor 2018, ndërroi jetë në New York në moshën 92 vjeçare Mustafë Elezi.  Ai lindi në katundin Dragobi të  Malësisë Gjakovës me 26 shkurt 1926-të.  Mustafa ishte një prej emigrantëve politik antikomunist më të njohur në komunitetet shqiptaro-amerikane, i cili u vendos me banim në këtë qytet 50-të vjet më parë.

          Familja Elezi – vajzatë, djemtë dhe rrethi i ngushtë familar, përcjelljen e Mustafës për në banesën e fundit e organizuan në Shtëpinë Mortore “F. Ruggerio & Sons” , 732  Yonkers Ave. NY 10704.  Me 2 tetor, prej orës 2 pasdite deri në 9 të mbrëmjes, qindra bashkatdhetarë,  i dhanë  të ndjerit lamtumirën e fundit dhe i shprehen ngushëllimet e tyre familjes e farefisit të tij.  Aty nga ora  shtatë  të mbrëmjes, Kryetari i Faderatës Panshqiptare “Vatra”, z. Dritran Mishto, i shoqëruar nga shumë vatranë, ngushëlluan Familjen Elezi,  dhe kaluan në rreshtim nderimi para arkivolit të Mustafës.

          Në ngushëllim morën pjesë edhe shumë përsonalitete të të tjerë si  Mark Gjonaj, Hary Bajraktari dhe dr. Elez Biberaj i cili kishte ardh nga Washingtoni  me një rreth të ngushtë familjarë.  

          Në përcjellje të Mustafë Elezit morën pjesë edhe disa gazetarë të diasporës. Drejtori i televizionit, Kultura Shqiptare,   z. Adem Belliu,  zhvilloi një intervistë me  zz. Sami Mulosmani, Imer Halil Zherka dhe Sadri Lamaj. Këta tre emigrantë të vjetër, folën me respekt të veçantë për Familjen e Jahelezëve (Elezi)  të Malësisë Gjakovës dhe për Mustafën.   Ata vlerësuan lartë, besën, burrërinë, guximin e  bujarinë  e të ndjeritë.  Folën edhe për kontributin e gjithanëshëm të Mustafës në  dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan të New Yorkut, gadi për një gjysëm shekullit.

          Varrimi i Mustafë Elezit  u bë të mërkurën me 3 tetor 2018-të. Në përcjelljen e tij për në banesën e fundit  morën pjesë një numër i madh bashkatdhetarësh. Pas lutjes fetare, para se arkivoli i tij të mbulohej me dheun e këtij vendi të shenjtë, Dr. Gjon Buçaj, ish kryatr i “Vatrës” dhe mik i ngushtë i Mustafës dhe Familjes Elezi, mbajti një fjalim prekës. Në fjalimin e Dr. Buçaj-t pasqyrohen të gjitha vetit atdhetare dhe burrërore të Mustaf Elezit.

          Në drekën përkujtimore, shtruar në Regency Hotel nga rrethi i ngusht familjar i Muatafës morën pjesë afër 300 veta.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Idriz Lamaj, Mustafe Elezi, shkoi nga Kjo jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT