• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

VITI 2018, NGJITJA E VATRËS; 2019- VITI I DIELLIT 110 VJEÇAR

December 26, 2018 by dgreca

1 dielli dhjet

NGA DALIP GRECA/

Vatra dhe Gazeta e saj”Dielli”, përmbyllën në fund të 2018-tës një vit punë dhe përpjekje duke siguruar vazhdimësinë e binomit të pandashëm VATRA-DIELLI, pa të cilët nuk mund të ketë kuptim Historia e Shqiptarëve të Amerikës.

2018-a shënoi rritje një ngjitje cilësore në veprimtaritë e Vatrës dhe vazhdimësi në publikimin e gazetës Dielli në print dhe online. Vetë Vatra zhvilloi një sërë veprimtarish, duke mbetur në krye të komunitetit ashtu si 106 vite me radhë: Priti e përcolli personalitete të jetës politike, artistike, publike si: studiues të njohur, ministra, Kryetar Parlamenti, President, kryetar Partish, artistë, gazetarë etj. Pavarësisht gurëve që iu hodhën mbi të, edhe nga të vetët, Vatra rriti cilësinë e veprimtarive: Udhëhoqi dhe bashkëpunoi me komunitetin. Në vitin Kombëtar të Heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu dha kontribut ciëlsor, duke u bërë pjesë e rëndësishme në tri nga veprimtaritë më të mëdha të Diasporës : në Nju Jork në bashkëpunim me Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” ishte pjesë e Simpoziumit shkencor, në Michigan, ku së bashku me degën e saj shumë punëtore, ekipi i Vatrës ishte pjesë e manifestimit tre ditor për heroin Kombëtar dhe së fundi në Boston, ku në bashkëpunim me Kryekishën e Shëngjergjit dhe Bibliotekën Noliane dha sërish kontributin e vet.

Në të gjitha këto veprimtari, krahas evidentimit të historisë, Vatra përcolli mesazhin e bashkimit: “Ne shqiptarët e Amerikës duhet të kapemi fort pas mesazhit që na ka lënë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu- Bashkim! Të gjithë duhet t’i lëmë mënjanë ndasitë sepse sfidat e mëdha që ka përpara Kombi, kërkojnë vetëm bashkim”, do të deklaronte kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto.

Vatra mbajti qëndrim dinjitoz në respekt të figurës atdhetare të Mid’hat Frashërit duke bashkëpunuar me intelektualë dhe me të përndjekurit deri në përcjelljen për në Atdhe.

Gjatë vitit 2018 Vatra e shqiptarëve të Amerikës shpalosi një strategji të re të marrdhënieve shqiptaro-Amerikane, në opozitë me shtetarët shqiptarë, që guxuan dhe votuan kundër aleatit strategjik të Kombit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes veprimtarive cilësore promovuse siç ishte rasti i librit të ambasadorit Mal Berisha”Herman Bernstein” apo librin e Frank Shkrelit “Demokracia nuk pret”,  Vatra apeloi për një strategji të re dhe forcimin e madhënieve Shqiptaro-Amerikane.

Vatra gjatë këtij viti organizoi një festë model të Ditëlindjes së saj, duke organizuar manifestimin më madhështor, ku vlerësoi figura-ikonë të Diasporës shqiptare në Amerikë: Dr. Elez Biberaj, Prof. Sami Repishti dhe shkrimtarin Naum Prifti.

Një tjetër manifetsim model ishte edhe ai i organizuar me rastin e 106 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku sërish u nderuan prej Vatrës personalitete të vetë Vatrës, por dhe të komunitetit.

Nuk mund të lihen pa përmendur edhe veprimtaritë e degëve gajtë këtij viti, ku veçojnë : Dega e Vatrës në Michigan, dega në Queens, dega në Tampa Bey , Jacksonville, Hartford, Toronto etj. Organizimi i veprimtarivë nga degët tregon se Vatra nuk është më si dikur e mbledhur në Bronx, por  merr frymë lirisht në shumë shtete.

Edhe gjatë këtij viti Gazeta “Dielli’ ka përcjellë shqetësimet dhe opozicionin e Vatrës me qeveritë përkatëse në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, në raport me ineteresat e Kombit përmes deklaratave,analizave dhe komenteve. Veçojmë deklaratat për transparencën e qeverisë ne lidhje me kufirin detar me Greqinë, apo retorikën për kufijtë e Kosovës me Serbinë, qëndrimin korrekt për kujtesën përmes debateve për Kampin e Internimit në Tepelenë, dhe jo vetëm atë; publikimin e platformës së Vatrës për njohjen e krimeve të komunizmit, bashkëpunimi me Institutin e Informimit të Dosjeve të Sigurimit të kohës së diktaturës, është një tjetër mundësi për kontribut nga Vatra.

Federata ka denoncuar në vazhdimësi kriminalitetin dhe korrupsionin në shtetet shqiptare. Ajo bashkoi zërin me studentët e Shqipërisë, duke i bërë thirrje qeverisë që të dëgjojë zërin e tyre dhe të plotësojë kërkesat. Bashkë me Vatrën në qendër u bashkuan me studentët edhe degët e saj, ku veçojmë deklaratat e Michiganit dhe Tampa Bey.

Viti që po troket, 2019-ta, është viti i Diellit, pasi gazeta që vjen prej kohës së Rilindjes, do të festojë Ditëlindjen e 110. Dielli përherë i ka dhënë zë Vatrës, jo thjesht si zëdhënës i saj, por ka ndriçuar rrugën. Merita është e atyre që e drejtuan. Ky përvjetor duhet të jetë edhe homazh, edhe vlerësim për ata që i dhanë gjithçka Diellit, editorët.

“Dielli” ishte ungjilli i shqiptarëve të Amerikës,të cilët të mbledhur rreth Vatrës, e kthyen atë në udhërrëfyes në kohë të trazuara,kur kombi shqiptar përjetonte çastet e vështira të egzistencës.Do të mjaftonte shfletimi i programit të kësaj gazete për të gjykuar mbi misionin,orientimin,guximin dhe arritjet në fushën e atdhetarisë, shtetsisë dhe gazetarisë shqiptare. Gazeta “Dielli” qe me fat sepse që në numrin e parë trashëgoi erudicionin e Fan Nolit, stilin e tij sa ironik aq dhe sarkastik;e më pas edhe përvojën e vyeshme e stilin polemizues,por dhe plot elegancë të  Faik Konicës,pasuar nga Kristo Dako, Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Rafat Gurrazezi,Qerim Panariti,Nelo Drizari, Athanas Gega, Xhevat Kallajxhiu, Peter R. prifti, Blial Xhaferri, Edëard Liço, Arshi Pipa, Anton Çefa e deri tek editori i sotshëm, që në këtë përvjetor të 110-të, mbush 10 vite në drejtimin e gazetës.

Përvjetorët e Diellit përherë kanë përbërë ngjarja për Vatrën. Ato janë kthyer në manifestime dhe fushata dobiprurëse për Diellin dhe vetë Vatrën. Kujtojmë 50 vjetorin e Diellit, ku fushata e organizuar për festimin e ditëlindjes së artë, ripërtëriu vetë Vatrën dhe Diellin. Vatranët u hodhën në sulm të entuziazmuar se gazeta e tyre kishte mbushë 50 vjet dhe plot bujari mbushën arkën e Vatrës. Vatra atë kohë hapi fushatën për të festuar”Dielli’s Golden Anniversarry” me moton: Krenarë për Diellin- Një Gjysmë shekulli në Shërbim të popullit shqiptar”. Vetë editori i parë i Diellit, Imzot Noli deklaronte”S’është një egzagjerim të thom se 50 vjetori i Diellit është një ngajrje historike me rëndësi, për këtë shkak Federata Vatra meriton përhirimet e të gjithë shqiptarëve t’Amerikës, që vendosi ta festojë këtë ditë ashtu si e meriton….”

Noli uronte:”Uronj me gjithë zemër që DIELLI, gazetë e parë në gjuhën shqipe që u botua e përditme, të arrinj të festojë dhe 100 vjetorin!(Lexojeni te plote ne Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dielli 2019, Vatra 218

THACI : ME SERBINE E KEMI FITUAR LUFTEN, TASH TE FITOJME PAQEN

December 26, 2018 by dgreca

PRESIDENTI THACI NE KUVEND: ME SERBINE E KEMI FITUAR LUFTEN, TASH DUHET TE FITOJME PAQEN/

1 Thaci Kuvend
KOSOVA KA PËRKRAHJEN E MIKUT MË TË MADH DHE SHTETIT MË TË FUQISHËM, SHBA-së/
 
-Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi sot në fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës: I jemi mirënjohës që në letrën e tij presidenti Tramp e dallon Kosovën si partner vendimtar për paqen dhe zhvillimin në tërë kontinentin e Evropës. Duhet të marrim me seriozitetin më të thellë ftesën e presidentit Trump kur thotë që “nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik” dhe “të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe”. Kemi përkrahjen e mikut më të madh dhe shtetit më të fuqishëm, SHBA-së/
 
PRISHTINË, 26 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI, me korrespondentin e saj, e akredituar në Presidencën e Kosovës
 
FJALIMI VJETOR I PRESIDENTIT THAÇI PARA DEPUTETËVE NË KUVENDIN E KOSOVËS – 26 Dhjetor 201
 
I nderuar Kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli,
E nderuara Kryesi e Kuvendit,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës.
Jam i lumtur dhe krenar të prezantoj të arriturat e Kosovës në këtë vit jubilar që po e lëmë prapa.
Por, edhe të tregoj për rrugën që kemi përpara dhe mundësitë që sjell për zhvillim edhe më të madh të republikës sonë
Viti 2018 ishte vit jubilar në të cilin shënuam dekadën e parë të shtetit të Kosovës.
Në dhjetë ditë festime në muajin shkurt, janë shpalosur të arriturat e Kosovës në dhjetëvjetorin e parë në çdo fushë të jetës.
Duke u marrë me çështjet e përditshme nganjëherë harrojmë të shohim se sa larg kemi arritur.
Prandaj, dhjetë ditë festë ishin rast i mirë për të kujtuar se ku kemi qenë dhe ku jemi sot.
Nga një vend i shkatërruar nga gjenocidi i ushtruar nga shteti i Serbisë, jemi ngritur në një shtet të pavarur e sovran.
– Me zhvillimin më të shpejtë ekonomik në rajon
– Me legjislacionin më të avancuar në rajon;
– Me institucione demokratike e të qëndrueshme;
– Me suksese në shëndetësi e arsim, në shkencë e art, në sport e në kulturë.
I kujtuam sakrificat dhe angazhimin për liri.
Do t’u jemi përherë mirënjohës atyre që dhanë çdo gjë për lirinë që gëzojmë ne sot.
Dëshmorëve dhe familjeve të tyre.
Dhe zotohemi që do të bëjmë çdo gjë që vuajtjet të mos përsëriten, për askënd.
Këtë e bëjmë për gjeneratat që do të vijnë.
Por, e bëjmë edhe për qytetarët e sotëm të Kosovës, heronjtë e vërtetë të suksesit të Kosovës.
Më lejoni të përmend një fakt që kishte humbur në vorbullën e lajmeve për 10 vjetorin e pavarësisë.
Gati gjysmë milioni qytetarë nga e tërë Kosova e nga diaspora jonë e madhe, kanë festuar më 17 shkurt dekadën e parë të shtetit të Kosovës.
Dhe në festimet që zgjatën tërë ditën nuk është shënuar asnjë incident.
Kjo tregon përkushtimin e qytetarëve të Kosovës për rend, qetësi dhe siguri.
Të nderuar deputetë,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Si president i vendit edhe në vitin 2018 kam përfaqësuar vendin, brenda dhe jashtë.
Kam pritur në Kosovë presidentin Pahor të Sllovenisë dhe presidentin Junker të BE-së, kancelarin Kurz të Austrisë dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë.
Kam realizuar vizita bilaterale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, në Britani të Madhe, por edhe në vendet e rajonit, në Bullgari, në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Maqedoni.
Kam përfaqësuar Kosovën në forumet më të rëndësishme ndërkombëtare, si takimi i Forumit Ekonomik Botëror në Davos dhe takimet tjera të këtij forumi në Montreal të Kanadasë dhe Gjenevë të Zvicrës.
Po ashtu, e kam përfaqësuar edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në Forumin e Paqes në Paris.
Kam përfaqësuar Kosovën edhe në Samitin e Sofjes të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Alpbach në Austri, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Por, edhe në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Kore.
Në Jerevan të Armenisë, në samitin e vendeve të Organizatës së Frankofonisë kemi avancuar postin tonë nga shtet vëzhgues në anëtar të asociuar
Në të gjitha këto forume kemi bërë të qartë që Kosova është e përcaktuar për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë
Që Kosova është e përkushtuar për dialog dhe paqe.
Që Kosova angazhohet me tërë forcat që sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së.
 
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Edhe viti 2018 ka pasur momente kur është bërë i rëndë dhe kur kemi përjetuar humbje,
Këtë vit kemi humbur Adem Demaçin dhe Fadil Vokrrin.
Nuk ka fjalë që përshkruajnë këtë humbje.
Do ta ruajmë dhe nderojmë kujtimin duke vazhduar të punojmë për atë që ëndërronin edhe ata.
Dhimbje kemi përjetuar edhe nga mospranimi i Kosovës në INTERPOL, por edhe për shkak të vonimit të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë nga ana e BE-së.
Jam krenar që si shtet, si shoqëri, kemi bërë çdo gjë që është kërkuar nga ne. Kemi plotësuar çdo kriter, edhe për anëtarësim në INTERPOL, edhe për liberalizim të vizave.
Mungesa e vendimit të drejtë në këto dy raste nuk është humbje për ne.
Por, nuk është as dekurajim që të vazhdojmë për forcimin e shtetit tonë.
Këtë e bëjmë, sepse mbi të gjitha është në interesin tonë, në dobinë tonë.
Jemi përballur edhe me plagët e hapura nga e kaluara e dhimbshme.
Kam emëruar Ekipin Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Kam dekoruar zonjën Vasfije Krasniqi–Goodman për guximin që të flasë hapur dhe të kërkojë drejtësi për vete dhe për mijëra viktima tjera të dhunës seksuale, të ushtruar nga forcat policore dhe ushtarake të shtetit serb gjatë luftës në Kosovë.
Jam ndier krenar sidomos me të arriturat e artistëve dhe sportistëve tanë.
Si çdo qytetar tjetër i Kosovës jam krenar me të arriturat e këngëtareve tona në botë, me të arriturat e piktorëve dhe arkitektëve.
Jam krenar me të arriturat e xhudisteve e të xhudistëve.
Me të arriturat e futbollistëve tanë.
Është bërë e gjatë lista për t’i përmendur me emër një nga një.
Si president më ka gëzuar fakti që kam dekretuar pakon e ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë.
Që nga dita e parë në Zyrën e Presidentit, jam angazhuar që të përkrah sa më shumë fuqizimin e drejtësisë.
Kjo pako që përfshinë ndryshimet në Kodin Penal, Ligjin për Gjykatat, për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë dhe ligje tjera, që do të forcojmë edhe më tutje sistemin tonë të drejtësisë.
Por, zonja dhe zotërinj,
Jam ndier veçanërisht i lumtur dhe krenar që tek unë kanë arritur për dekretim tri ligjet me të cilat hapet rruga që Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet ushtri e Kosovës.Shpesh jam ndier i vetmuar në angazhimin tim për themelimin e ushtrisë së Kosovës.
Por, jam i lumtur që më në fund i tërë spektri politik i Kosovës u bë bashkë rreth këtij synimi për transformimin e FSK-së.
Ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u them se ata e kanë merituar që moti këtë.
Me punën e tyre, me profesionalizmin e tyre, ata që moti janë ushtarë të Kosovës.
Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë të mbetet forcë profesionale e standardeve të NATO-s, forcë shumetnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe në shërbim të paqes në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.
E mirëpres edhe faktin që spektri politik kosovar ka filluar të bëhet bashkë rreth sfidave dhe mundësive imediate për shtetin tonë.
Në radhë të parë e kam fjalën për sfidën e arritjes së një marrëveshjeje paqësore me Serbinë
Me Serbinë kemi një shekull armiqësi.
E kemi fituar luftën, ndonëse me çmim të lartë.
Tani është koha ta fitojmë edhe paqen me Serbinë.
Për veten tonë dhe për gjeneratat që do të vijnë.
Prandaj e mirëpres themelimin e Ekipit Negociator nga Kuvendi i Kosovës dhe fillimin e punës për marrëveshjen me Serbinë.
Kjo marrëveshje duhet të jetë përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e arritur në proces paqësor e të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian dhe mbështetur plotësisht nga SHBA-ja.
Kjo marrëveshje duhet t’i sjell Kosovës njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.
Ndërsa, rajonit dhe Evropës do t’i sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.
Të nderuar deputetë,
Dy letra të arritura në zyrën time këtë muaj tregojnë se jemi në rrugë të drejtë.
Letra e presidentit Macron të Francës e lavdëron angazhimin tonë për paqe e stabilitet.
Por, edhe më e fuqishme është letra e presidentit Trump, e shtetit më të afërt tonë.
I jemi mirënjohës që në letrën e tij presidenti Tramp e dallon Kosovën si partner vendimtar për paqen dhe zhvillimin në tërë kontinentin e Evropës.
Duhet të marrim me seriozitetin më të thellë ftesën e presidentit Trump kur thotë që “nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik” dhe “të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe”.
Kemi përkrahjen e mikut më të madh dhe shtetit më të fuqishëm, SHBA-së.
E kemi përkrahjen BE-së dhe të shteteve anëtare të saj.
E kemi përkrahjen e botës për të arritur marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë.
 
Të humbim këtë rast, siç thotë edhe presidenti Trump në letrën e tij, do të ishte kthim tragjik prapa dhe do të humbnim një mundësi që nuk do të përsëritet edhe një kohë të gjatë.
Prandaj sot, si President i Kosovës, nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ne emër të qytetarëve dhe lidershipit të Kosovës, konfirmoj se Kosova është gati për dialog.
 
Kosova zotohet se do ta arrijë marrëveshjen finale me Serbinë.
 
Lidershipi dhe qytetarët e Kosovës presin me padurim bekimin e kësaj marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, nën lidershipin tuaj president Trump.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Urime festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Viti i Ri.
Gëzuar!

Filed Under: Featured Tagged With: Kuvend, Lufat dhe Paqa, Presidenti Thaçi, Serbia

“RINGJALLJA”

December 26, 2018 by dgreca

Tregim i jetuar, nga Memisha Gjonzeneli/

Gjykatësen e quanin Ana.1 MEMISHAU

Anës punët i shkonin shumë mirë, ajo përpiqej shumë që t’iu vinte në ndihmë të gjithë hallexhinjve që i shkonin në zyrë dhe kërkonin ndihmën e saj. Ajo ishte korrekte me të gjithë, serioze, buzëqeshte rrallë. Të tillë e kishte bërë puna.

Në mëngjes çonte Henrin në kopsht, pastaj në punë deri në orën tre, kur shkonte të merrte Henrin nga kopshti. Shkonte shpejt, që të kishte kohë të rrinte me djalin. Ai sa e shikonte gjyshen turrej me vrap dhe i hidhej në qafë. Gjithë pjesën tjetër të kohës, e kalonte në shoqërinë e Nikos dhe të Elenës. Shpesh linte dhe Henrin me ta, dhe në mëngjes shkonte e merrte për ta çuar në kopsht.  

Ornela kishte filluar të shoqërohej me një djalë dhe rrallë e kërkonte Henrin, madje djali mërzitej se donte të rrinte vetëm me gjyshe Anën, ajo kishte makinë dhe e çonte ku të donte dhe blinin gjithçka që ai dëshironte.

Nikua kishte disa ditë që nuk ishte mirë, nuk kishte oreks, kishte temperaturë dhe ishte zverdhur në fytyrë. Ana i lutej ta çonte tek doktori por, ai nuk donte. Një ditë i ra të fikët, lajmëruan ambulancën. Ana nuk ishte në shtëpi. Eleni e telefonoi dhe ajo shkoi menjëherë. I gjeti duke hipur në ambulancë. Të dyja gratë e shoqëruan Nikon në spital. E futën së sallë. Të dyja gratë pritën tek dera. Pas tre orësh dera u hap. Doli një mjek mesoburrë. Ai më kokën të ulur u drejtua nga gratë dhe iu tha:

–         Ju jeni familjarët e të sëmurit?

–         Po. – iu përgjigj Elena, duke qarë. – Të lutem doktor, si është? Doktori tundi kokën i mërzitur.

–         Është shumë keq, ka kancer në mëlçi, metastazat janë përhapur shumë, sëmundja ka përparuar. Ka ardhur shumë vonë, nuk kemi se çfarë t’i bëjmë. Nëse dëshironi mund ta merrni në shtëpi.

–         Të lutem, doktor, edhe sa mund të jetojë? – pyeti Elena.

–         Jo më shumë së dhjetë ditë.

–         Atëherë, po e marrim në shtëpi.

–         Unë po shkoj përpara, të rregulloj shtëpinë, ti eja me ambulancë. – I tha Ana dhe u nis.

Ajo mbërriti në shtëpi, rregulloi çdo gjë. Kur erdhi ambulanca gjithçka ishte gati.

Infermieret e shtrinë, Nikon, në krevat. Ato lanë disa ilaçe dhe u larguan. Nikua dukej sikur flinte.

Në shtëpi mbetën dy gratë. Eleni qante mbi kokën e Nikos dhe e kishte humbur fare toruan.

–         Po shkoj të rregulloj djalin, po e dërgoj tek e ëma, të rrijë atje sonte dhe erdha. Të lutem qetësohu se do sëmuresh edhe ti. – tha Ana dhe iku.

Ana shkoi e mori gjithçka që duhej për këto raste.

Nikua ndërroi jetë pas dhjetë ditësh. E përcollën me nderime shokë të punës së Robertit, shokë e miq të lagjes. E vendosën të prehej afër Robertit.

Elena nuk donte të largohej nga shtëpia prandaj, Ana erdhi të qëndronte me të.

Shpesh Henri kërkonte gjyshin e tij të dashur, e atëherë Elena fillonte të qante.

Koha bënte punën e saj. Ana, si gjithmonë, në mëngjes çonte djalin në kopsht, pastaj shkonte në punë deri në orën tre, merrte djalin nga kopshti (ai mezi e priste, e puthte me shumë mall) shkonin blinin akullore dhe shkonin në shtëpi tek gjyshja tjetër. Shpesh të tre dorë për dore shkonin dhe rrinin në park. Ndonjëherë, drekonin jashtë.

Të shtunën, në orën nëntë, në mëngjes, Ana përgatiste dy tufa me lule, një për Robertin dhe një për Nikon e të tre shkonin në varreza.

Elena merrte Henrin për dore dhe ulej aty afër, në anë të rrugës, ku ishin disa stola. Ana rrinte vetëm, ajo fliste me Robertin sikur ai të ishte gjallë. Nuk i hiqej nga mendja çasti kur kishte parë Robertin, të cilin e la fare të vogël, tre-katër kilogram. Kur e pa, ai ishte bërë burrë, e kishte zënë gjithë krevatin.

–         O Zot, bir, kur të qafova, gjithë trupi mu drodh. Kisha droje dhe frikë mos më thoshte  se

ç’doja atje, por jo, ti vetëm hape sytë e bukur, më pe dhe me zë të fikur më the nënë. Doje të buzëqeshje por nuk munde, buzët të mbetën pak të hapura, nëna erdhi përpara se ti të largoheshe nga kjo jetë. O Zot sa të kam kërkuar, por nuk ishte e thënë të të takoja. O Zot sa fatkeqe jam. – i fliste Ana të birit.


Lotët nuk i pushonin. Të gjitha nënat, në botë, presin me mall, kur fëmija për herë të parë thotë fjalën e çmuar Nënë. Nga ai çast diçka për to ka ndryshuar, ato nuk kanë nevojë ta thonë, por e ndiejnë.  Edhe Ana, kur e dëgjoi atë fjalë, u drodh, pastaj i ra të fikët. Kur u përmend ajo e kuptoi se kishte humbur dy gjërat më të çmuara të jetës: djalin që nuk do ta shikonte më dhe fjalën nënë, të cilën nuk do ta dëgjonte më.

Kushedi sa herë i kishte kaluar nëpër mendje këto gjëra, por sot iu dukën më therëse.

Rregulloi edhe pak varrin dhe u ngrit. I tha vetes “Henri ka nevojë për mua” e u nis drejt tyre.

Kur bënë varrin, të tre vendosën që të shkruanin dhe emrin e babait. E mbi të shkruan Robert Eduard Vanda. Vendosën dhe një foto kur Roberti ishte fejuar. Dukej aq i bukur…

Të shtunën në varreza shkoi vetëm Ana dhe Henri. Ajo nuk donte që Henri të trembej prandaj kur shkonin bashkë në varreza nuk qante. Në ditë të tilla ajo merrej me rregullimin e luleve, i pastronin nga gjethet e kalbura, i ujisnin.

Pranë tyre kaloi një kortezh. Po përcillnin për në banesën e fundit njeriun e tyre. Henri donte vraponte por Ana i foli  dhe e ndaloi duke e kapur për dore. Zëri i saj iu tërhoqi vëmendjen. Ajo dukej shumë simpatike me rroba të zeza me një shall të madh të zi, me çizme të zeza. Të gjithë po e shikonin. Ajo mori Henrin dhe u largua…

                                                          ***

Eduardi u arrestua muajin e fundit kur do mbaronte universitetin. Ai merrej me veprimtari politike. Ishte një organizatë e madhe por, brenda në të ishin futur agjent të policisë, e kështu filloi të dukej se diçka po lëvizte. Ai kishte një të dashur që studionte për juridik, në vitin e fundit. Kishin katër vjet që ishin bashkë, e quanin Ana. Madje ata prisnin edhe një fëmijë, i cili donte dhe pak ditë që të vinte në jetë.

Eduardi u takua në mbrëmje me Anën. Ishte i mërzitur.

–         Çfarë ke shpirt? – e pyeti ajo. – Nuk po të shoh mirë, çfarë ke?

–         Ka mundësi të më arrestojnë, për ato që të kam thënë.

–         Nuk besoj.

–         Po ndodhi na mori lumi. Unë nuk kam askënd tjetër veç teje.

Të dy u ndanë të shqetësuar.

Dy ditë më vonë, atë e arrestuan, në shkollë. Ana e mori vesh pas disa ditësh kur, rektori tha emrat para shkollës. Aty dëgjoi edhe emrin e Eduardit.

Ai qëndroi 11 muaj në hetuesi dhe u dënua 25 vjet, nga të cilat bëri 21 vjet burg. Kur u lirua e çuan në një ishull për pesë vjet. Disa nga shokët e tij u pushkatuan. Kur u lirua nuk shkoi tek njerëzit e tij, ata ishin familje e njohur dhe e pasur. Me ndihmën e shokëve të cilët, nuk e kishin harruar, u rregullua, mori një apartament me qira dhe u fut mekanik në një ofiçinë. Kur e morën vesh njerëzit e tij filluan ta ndihmonin por, pa rënë në sy.

Ai shkoi në universitet të hidhte provimet që i kishin mbetur. Kur ishte në burg, kishte studiuar për mekanikën se e kishte për zemër. Kishte kohë vetëm tre muaj për të dhënë provimet, por edhe atij nuk i duheshin më shumë. Provimet i mori shkëlqyer.

Aplikoi në një kompani që prodhonte makineri bujqësore dhe pas një muaji i erdhi përgjigja që të paraqitej në sekretari. Shkoi dorëzoi dokumentacionin dhe pas dy ditësh filloi punë.

Ai ishte njeri serioz, por edhe burgu kishte bërë punën e tij, kishte trup mesatar, muskulor, i pashëm. Pamja nuk i tregonte pesëdhjetë vitet e tij. Ashtu si kishte bërë kur ishte fëmijë, student por edhe në burg, me pasionin për mekanikën, njësoj vazhdoi edhe në punë. Ai blinte libra dhe studionte. Shumë shpejt ra në sy dhe e emëruan krye inxhinier. Bleu një shtëpi në një kodër të vogël afër detit. Filloi të interesohej për Anën. Nuk e kishte harruar kurrë. Kur ishte në burg bënte veten fajtor për çdo gjë dhe Anën nuk e harroi për asnjë çast.

Kërkimet i kishin shkuar kot, e në fund ia la në dorë kohës. Një ditë në punë u aksidentua një mekanik dhe humbi jetën. Eduardi shkoi në ceremoninë e varrimit. Kur mbërritën në varreza atij i tërhoqi vëmendjen një zonjë e veshur me të zeza me një fëmijë, të cilët po rregullonin lulet pranë një varri.

Kur mbaroi varrimi Eduardi ktheu sytë nga varri ku qe zonja por, nuk pa njeri. U nis për të ikur, eci pak, qëndroi i menduar dhe menjëherë u kthye. Shkoi tek varri ku kishte qenë zonja me fëmijën. Kur mbërriti atje u tmerrua. Nga fotua iu duk sikur ishte varri i tij. Djaloshi në foto ngjante shumë me të. U ul në gjunjë, kapi kokën me duar dhe po i shtrëngonte fort derisa iu duk se erdhi në vete. Ktheu sërish sytë nga fotua. Djali kishte dalë duke buzëqeshur dhe shikonte drejt tij sikur t’i kërkonte llogari. Pastaj hodhi sytë tek emri dhe lexoi: Robert Eduard Vanda.

“O Zot, po ky jam unë!”, mendoi me vete. Vërtetë Roberti i ngjante shumë të atit.  U ul në buzë të varrit dhe nuk po e mblidhte dot veten. Kaloi gjysmë ore, ai po vazhdonte të ndihej i përhumbur. E kuptoi pak a shumë si ishte puna. Ai ishte djali i tij, që kishte ndërruar jetë. Filloi të qante pa zë. Qante për djalin dhe për veten e tij që kishte humbur një nga pjesët më të rëndësishme të jetës së tij. Gjithë trupi po i dridhej, kishte duruar shumë tortura, për njëmbëdhjetë muaj, por këtë nuk po mund ta duronte dot.

U ngrit dhe nuk la vend pa e puthur foton e të birit që nuk e kishte parë kurrë. Kur ishte në burg kishte parë shumë ëndrra për Anën, djalin, familjen, por të gjitha ishin zhdukur. Çfarë realiteti!. U largua, shkoi në shtëpi, u shtri në krevat dhe ashtu të veshur e kishte zënë një gjumë i rëndë. U zgjua shumë vonë e nuk fjeti më deri në mëngjes.

Mezi e priti mëngjesin. Shkoi tek zyrat e varrezave. U takua me një mesogrua dhe një burrë.

–         Me se mund t’ju ndihmojmë? – e pyetën ata.

–         Dua informacion për këtë varr. – dhe iu tregoi fotografinë e varrit dhe vendndodhjen e tij.

–         Çfarë lidhje keni me këtë varr?

Ai nxori pasaportën dhe iu tha se ishte i biri.

–         Për shkaqe të ndryshme unë nuk kam qenë me të. Ju lutëm më ndihmoni!

–         Dakord. – iu përgjigjën ata – ju lutemi, kthehuni pas njëzetë minutash.

Kur u kthye, ata e sqaruan, sa informacion kishin. I treguan se çdo të shtunë ne orën dhjetë e ëma vjen, nuk mungonte asnjëherë.

–         Faleminderit! – iu tha Eduardi. Ai donte t’i paguante, por ata nuk pranuan.

Ditën e shtunë që në mëngjes u nis për në varreza. Gjatë javë kishte shkuar disa herë tek i biri, por këtë të shtunën do takonte Anën.

U ul tek varri dhe mbante kokën poshtë.

Ana rregulloi krevatet, Elena doli në ballkon kur Henri për herë të parë i thotë Anës:

–         Nëna unë jam gati, do ikim?

Ajo kur e dëgjoi i ra të fikët. Nga fjala Nënë iu mbush trupi me mornica dhe sytë me lotë. Vogëlushi sa e pa ashtu shkoi me vrap, e kapi gjyshen për mezi.

–         Të lutem më fal!

Ana e rrëmbeu djalin dhe e mori në krahë.

–         Jo, të keqen gjyshja, – i tha – ti e di që mua më ke gjyshe, mami jot është në punë.

Ajo mezi e pushoi nga të qarat. Elena dëgjoi të qarat dhe shpejt hyri brenda.

–         Çfarë ka djali? – tha ajo, por kur pa Anën të tronditur pyeti përsëri: – Çfarë ndodhi këtu, a

nuk më thoni?

Ana e mblodhi veten.

–         Mos u shqetëso, asgjë nuk ka ndodhur. – i tha Ana dhe mbuloi djalin me të puthura.

Pas gjysmë ore mbërritën në varreza. Kur u afruan, panë një burrë që ishte ulur tek varri. Në fillim, Ana mendoi se mos ishte sherifi por, kur u afrua u bind që nuk ishte ai. Ajo iu drejtua:

–         Zotëri, ju lutem, jeni ulur gabim!

–         Jo! Jam ulur atje ku duhet. – iu përgjigj ai dhe u kthye nga Ana, me sytë e mbushur me lot.

Ana fërkoi sytë me habi.

–         Mos je gjë fantazmë?! – pyeti ajo.

–         Po. – i tha ai dhe të dy ballë për ballë me habi po shikonin njëri-tjetrin.

Nuk e dinin se sa kohë kishin ndenjur ashtu, kur qetësinë e prishi Henri.

–         Gjyshe, eja të ikim, se ky burri na ka zënë varrin e babit.

Eduardi nuk priti, e rrëmbeu djalin e hodhi në qafë dhe filloi ta puthte. Djali në fillim u tremb por pastaj u qetësua. Atij iu duk shumë i dashur xhaxhi që e kishte marrë në krahë.

–         Xhaxhi, të lutem, pse po qan? Mos të vrava gjë? Të lutem më fal.

Edhe Anës iu mbushën sytë me lot. Ajo nuk po lëvizte dot nga vendi. U ul puthi foton e të birit, shpërndau lulet e freskëta.

–         Bir, – i tha – tani jemi gjithë familja këtu. Pse na ndau fati kështu?

Eduardi me djalin në krah u larguan dhe e lanë Anën të rrinte pak më shumë me të birin.

–         Po ti xhaxhi, më ke xhan mua? – pyeti Henri.

–         Po, të kam shumë xhan. – I tha Eduardi dhe filloi ta puthte.

–         Mirë, po a të kam gjë unë ty? Unë kam dy gjyshe dhe mamin.

–         Po, –  tha ai – mua më ke gjysh dhe unë të dua shumë, shumë, ja kështu.. – dhe e shtrëngoi fort.

Eduardi ishte informuar për çdo gjë.

Ana u ngrit. Shkoi drejt tyre. Ajo i dha dorën Edit.

–         Mirë se erdhe.

Ai e uli djalin, vogëlushi sapo uli këmbët në tokë, iu ngjit gjyshes tek fundi. Ai e kapi për dore.

–         Si më gjete pas kaq kohësh? – e pyeti ajo.

Ajo ishte mësuar t’i linte njerëzit të flisnin dhe ajo dëgjonte, pastaj mendonte dhe përgjigjej.

Eduardi filloi të tregonte shkurtimisht historinë e jetës, çfarë i kishte ndodhur. I foli për burgun, për punën, për shkollën dhe në fund i tha se nuk kishte hequr dorë nga kërkimi për të.

–         Tani më trego ti. – i tha ai me të qeshur.

Ajo i tregoi gjithçka me sinqeritet.

–         Po, – i tha ai – unë pak a shumë tani e di se çfarë të ka ndodhur, na i ndërprenë jetën në

mes.

Të dy ishin me kulturë, nuk kishte nevojë të kërkonin fajtorin, por të shpëtonin çfarë të mundnin nga e gjithë kjo.

Dolën në rrugë, djalin në mes dhe ata të dy që formonin një treshe tepër simpatike. E filluan bisedën që nga shkolla, e filluan historinë atje ku e kishin ndërprerë.

–         Vetëm dashurinë mund ta fillojmë atje ku e lamë, gjithë të tjerat harroi.

Mbërritën tek makina, Eduardi kishte makinë të shtrenjtë dhe shumë të bukur. Djalit i pëlqeu shumë dhe vrapoi drejt saj.

–         E kisha ëndërruar takimin tonë, por asnjëherë kështu, s’ka imagjinatë ta kap këtë

çast. – i tha Eduardi.

Ana ishte pak e turbulluar, kaq shumë gjëra të ndodhura për një ditë ishin shumë, vetëm një mendje e fortë si e Anës mund t’i përballonte.

–         Rëndësi ka që ne u takuam dhe u sqaruam, të tjerat nuk kanë vlerë.

–         T’iu shoqëroj deri në shtëpi, të lësh djalin dhe dalim, pimë një kafe, ose hamë diçka, si të

duash? – propozoi Edi.

–         Më mirë nesër, jemi shumë të lodhur. – iu përgjigj Ana.

–         Atëherë, kështu do ta lemë. – tha Edi dhe nxori një kartëvizitë e ia la në dorë Anës. – Të lutem më jep dhe ti kartëvizitën tënde.

–         Po, – tha ajo, hapi çantën dhe nxori një copë e ia dha Edit.

Kaluan ditë, shoqëria e të dyve sa vinte e shtohej. Një ditë Ana i tha Elenës:

–         Ke kohë të bisedojmë diçka, si dy motra?

–         Si jo, – ia ktheu Elena – edhe unë kam diçka për të thënë.

–         Unë kam gjetur babain e Robertit. Për arsye të kushteve, ne kemi qenë të ndarë, pa

dëshirën tonë, tani kemi gjetur njëri-tjetrin dhe duhemi shumë. Të lutëm më ndihmo si t’ia bëj. Ti e di që unë të dua si motrën time dhe do bëj çfarë të më thuash ti.

Elena qeshi.

–         Edhe unë kisha diçka për të të thënë. Para një muaji motrës sime i vdiq burri, siç ti e di, e

tani po më lutet që të shkoj të jetojmë bashkë. Unë mendoj të shkoj. Aty, në sirtar, kam lënë testamentin, ço gjë ia kam lënë Henrit, të shtunën në mëngjes unë do të largohem.

Gjatë gjithë javën Edi, çdo darkë i nxirrte e darkonin jashtë por shpesh darkonin edhe në shtëpi. Një mbrëmje e kaluan në shtëpinë e Edit. U kënaqën shumë, ballkoni me pamjen nga deti, ushqimi i mirë, fjetën shumë mirë. Në mëngjes pinë kafe dhe Edi i çoi në shtëpi. Të nesërmen shkuan në aeroport të përcillnin Elenën. Para se të ndaheshin Elena e hoqi mënjanë Anën dhe i tha:

–         Ke burrë të mrekullueshëm! Të uroj gjithë të mirat e kësaj bote!

U përqafuan të dyja dhe filluan të qanin.

Edi e mori shpejt Anën që të mos qante Henri.

–         Lamtumirë, zonjë e nderuar.

Aeroplani u nis.

Atë natë të tre fjetën në shtëpinë e Edit, ndofta që t’i urojnë çiftit jetë të lumtur përgjithnjë, pas gjithë këtyre peripecive.

Çikago, Nëntor 2018

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Memisha gjonzeneli, Ringjallja

SHQIPERI-Besimtarët katolikë e ortodoksë festuan Krishtlindjet

December 25, 2018 by dgreca

Besimtarë katolikë dhe ortodoksë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjet, lindjen e Jezu Krishtit./

1 mesha1

Në katedralen e “Shën Palit”, në kryeqytet besimtarët katolikë kremtuan këtë ditë të shënuar ku mesha u drejtua nga Imzot Xhorxh Frendo, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dashuri dhe mirësi.

“Me mishërimin e birit të vet zhduku errësirat e botës dhe lindjen e tij të lume e shndriti këtë natë. Ai zhduktë prej jush errësirat e veseve dhe ndriçoftë zemrat tuaja me dritën e virtyteve.Hyji ju mbushtë dhe ju me gëzimin e vet dhe ju bëftë lajmëtarë të ungjillit të vet.Ju pajistë me dhuratën e paqes së vet dhe të vullnetit të mirë.Gëzuar Krishtlindjet!,” u shpreh ai.

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u zhvillua mesha për besimtarët dhe po drejtohet nga kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Ai iu drejtua besimtarëve me urimin që Viti i Ri 2019 të jetë i bekuar dhe të ketë siguri e paqe.

“Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të jetë përplot me sigurinë e pranisë së Krishtit në jetën tonë të përditshme dhe në ecurinë e botës”, tha Janullatos.

25 dhjetori është dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën.
Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura. Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës

Betlehemi është qyteti i lindjes së Krishtit para dy mijë vjetësh, i cili erdhi në jetë në një kasolle.

Në shërbesat që i paraprijnë Krishtlindjes lexohen pjesët e Dhiatës së Vjetër rreth Lindjes së Krishtit, duke theksuar profecinë e Mikeas, e cila e parathotë Bethlehemin si vendlindjen e Shpëtimtarit dhe profecitë e Isaisë rreth ardhjes dhe karakterit të Mesias: Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë Perëndia është me ne (Isaia 7:14-15). Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të jetë mbretërimi dhe do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, At i Përjetshëm, Princ i Paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e mbretërimit dhe paqes së tij (Isaia 9:6-7).

Festa e Krishtlindjes quhet dhe Lindja në Mish e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Në Krishtlindje kremtohet lindja si njeri e Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve.Prandaj në Kishë këndohet: Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjt, me barinjtë po lavdërojnë, Magët pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetshmi Zot.Festa e Krishtlindjes është kremtimi i shpëtimit të botës nëpërmjet Birit të Perëndisë, i cili u bë njeri për ne, që me anën e tij, ne të mund të bëhemi hyjnorë, bij të Perëndisë Atë, me anë të banimin ndër ne të Shpirtit të Shenjtë.

Shkodër, Krishtlindje të gëzuara në qytetin verior1 shkoder Krishtlindje

Besimtarët e krishterë të qytetit të Shkodrës kanë festuar të gjithë së bashku pranë familjeve të tyre.Por, festa e Krishtlindjeve pjesën kulmore të saj e ka në mbajtjen e meshave solemne pranë katedraleve të qytetit.Në katedralen e “Shën Shtjefnit” në Shkodër u kremtua sot mesha e Krishtlindjes, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë.Në meshën e drejtuar nga Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult Angelo Massafra, ishin të pranishëm qindra besimtarë të krishterë.

“Çdo njeri të jetojë me paqe në shtëpi e kudo, të jetojë në paqe kudo në botë. Këtë natë duhet të tejkalohet çdo vështirësi, urrejtje e mëri ndaj të tjerëve, duke hapur zemrën per dashuri”, iu drejtua Arqipeshkvi Massafra besimtarëve që kishin mbushur katedralen.

Për familjet shkodrane, festa e Krishtlindjeve apo Kshnellat, siç njihen në Shkodër, është ndër më të veçantat për besimtarët e krishterë, përfshirë ato katolikë dhe ortodoksë. Nisur edhe nga përqindja më e madhe që ekziston në Shkodër dhe përgjithësisht në qarkun verior, komuniteti katolik është më në vëmendje të kësaj feste.

Edhe pse më të pakët në numër, me të njëjtën madhështi e përjeton këtë festë edhe komuniteti ortodoks.

Filed Under: Opinion Tagged With: besimtaret, katolikë e ortodoksë, Krishtlindjet

PRESIDENTI META URON KRISHTLINDJEN

December 25, 2018 by dgreca

Meta: Krishtlindja 2019, me negociata të hapura me BE-në/1 meta1-1

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, uroi sot që Krishtlindjet e vitit të ardhshëm ta gjejnë vendin me negociata të hapura për anëtarësimin në Bashkimin Europian.“Është një ditë që na fton të gjithëve të shtojmë urtësinë dhe mençurinë që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë jo vetëm më të gëzuar, më të bashkuar dhe të na gjejnë me negociata të çelura për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Meta në urimin e tij për besimtarët e krishterë nga Katedralja Ortodokse në Tiranë.Kreu i shtetit u vlerësoi gjithashtu punën e komuniteteve të besimit në vendin tonë për sa i përket harmonisë fetare.

“Dua të vlerësoj punën e jashtëzakonshme që bëjnë komunitetet e besimit në vendin tonë, jo vetëm për besimin tek Zoti, jo vetëm për besimin tek e drejta, tek e mira, tek paqja, por mbi të gjitha atë punë të shkëlqyer dhe shembull që japin komunitetet tona duke e rritur çdo ditë harmoninë ndërfetare në vendin tonë dhe kjo harmoni duhet të reflektojë kudo dhe në radhë të parë duhet të reflektojë në politikë”, nënvizoi Meta.

I pyetur për Reformën Zgjedhore, Meta u shpreh që nga kjo ditë feste të shtojmë mençurinë për t’i zgjidhur gjërat.

“Kjo është një ditë që na fton të gjithë të shtojmë urtësinë që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë më të gëzuar, dhe me negociata me BE”, tha Meta.

Filed Under: Politike Tagged With: Krishtlindja, Presidenti Meta, Shqiperia dhe BE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT