• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2019

Vëllezërve Bytyçi Medalja Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

February 28, 2019 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj: Heronjtë e Kosovës, Ylli, Mehmeti dhe Agroni braktisën jetën e ndërtuar në ShBA, duke u bërë pjësë e Batalionit “Atlantiku”, për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut

1 a b Bytyci Ramo

PRISHTINË, 27 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i  Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar sot në Prishtinë Ilir Bytyçin, vëllanë e heronjve Yll, Agron e Mehmet Bytyçi, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku” të vrarë gjatë luftës në Kosovë, nga forcat serbe.

“Në thelb të sakrificës së vëllezërve Bytyçi, të vrarë nga forcat serbe, qëndron dimensioni i vërtetë i luftës për Kosovën. Heronjtë e Kosovës, Ylli, Mehmeti dhe Agroni braktisën jetën e ndërtuar në ShBA, duke u bërë pjësë e Batalionit “Atlantiku”, për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut. Familja Bytyçi e ka përkrahjen e parezervë të Qeverisë dhe shtetit të Kosovës në betejën e dytë për ta çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar dhe vrasësit ta marrin dënimin e merituar. Ilirit, duke i shprehur konsideratat më të larta për kontributin e çmuar të vëllezërve të tij për liri, i dhurova Medaljen Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, u shpreh me këtë rast Kryeministri Haradinaj./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Haradinaj, Medalja “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Vëllezërve Bytyçi

BIJTE E SHQIPES- BUQETA ME LULE DHE KONTRIBUTE FINANCIARE NE 17-VJETORIN E DITELINDJES

February 28, 2019 by dgreca

                                                                                                                                       

1 Bijte shqip Ditelind

Nga Tajar Domi/                  

Tashmë shoqata “Bijte e Shqipes” në Filadelfia, po i shton vitet e jetës së saj. Ajo është rritur në cdo gjë nëpërmjet punës, vit pas viti, muaj pas muaj e dite pas dite. Në themel të kësaj pune qëndron trashëgimia e gjuhës, historisë e kulturës tonë kombëtare , në brezin e ri të komunitetit shqiptar. Në funksion të këtij qëllimi prej 15 vitesh shkolla shqipe “Gjuha Jone” qëndron e hapur për fëmijtë e bashkatdhetarëve tanë, e deri me tani kanë kaluar në këtë shkollë më shumë se 650 nxënës. Por jo më pak është angazhimi ë strukturës drejtuese të shoqatës, në ndihmën e drejtëperdrejtë ndaj bashkatdhetarëve , vecanërisht në rastet e fatkeqësive por edhe në mbështetje të tjera për ti bërë bashkë shqiptaret edhe në festa takime e krijime lidhjesh bashkëpunimi me drejtuesit e strukturat e bashkisë së qytetit e të shtetit të Pennsylvanisë. Gjatë këtyre viteve plot punë e kohë e dhënë në shërbim të komunitetit. 17 vjetori i jetës për shoqatën Bijte e Shqipes, vjen edhe me një Qendër të re që është blerë e po restaurohet me punën vullnetare të shumë nga antarët tanë të komunitetit, gjë e cila u kurorëzua pas një fushate 5-6 mujore të mbledhjes së fondeve ku kontribuan më shumë se 460 familje ndërsa u mbështeten moralisht nga shumë e shumë të tjera.

Meqenëse para dy vjetësh festuam 15 vjetorin e shoqatës nëpërmjet një organizimi me pjesëmarrje mjaft të gjërë , ndërsa pas rreth dy muajsh do të kemi 15 vjetorin e hapjes së shkollës shqipe “Gjuha Jone”, nuk menduam të kemi një organizim të tillë për këtë 17 vjetor. Por telefonata e mikes së përhershme të “Bijte e Shqipes”, gazetares e shkrimtares me shpirt të madh atdhetar, zonjës Iliriana Sulkuqi, na beri të ndryshojmë pak qendrim. Nëpërmjet saj, na u shpreh dëshira e një zonje tjetër të nderuar, prof. Marta Muco, që së bashku të bënin një vizitë e të shihnin nga afër ndertesën e re të blerë për tu përdorur si shkollë shqipe e qendër e komunitetit. Përvecse të uronin “Bijte e Shqipes”, zonjat do te ishin pjesëmarrëse edhe në festimin e ditëlindjes së shokut e mikut tonë të përbashkët, ish kryetarit të shoqatës, zotit Llazar Vero. Me kënaqësi, të shtunën e datës 23 shkurt 2018, pritëm mysafiret tek Qendra e re, duke u ndjerë të vlerësuar prej tyre edhe për mundimin e bërë enkas nga larg, njëra nga Uashington DC e tjetra nga Nju Jorku.  Qenka një vend i mrekullueshëm që do t’ju shërbejë brezave…ju lumtë që keni arritur ta bëni pronë të komunitetit, – vlerëson znj. Muco.

Aty jemi së bashku me grupin aktiv të shoqatës që punojnë cdo të shtunë e të dielë vullnetarisht në restaurimin e kësaj ndërtese, si Petriti, Hakiu, Refati, Bashkimi, Hidajeti, Bujari e të tjerë, punë për të cilën janë bërë shkrime me parë. Sigurisht që nuk është asgjë e përfunduar, por prej kohësh një pjesë e kësaj ndërtese, është kthyer në ambjent për organizime ditëlindjesh. Eshtë akoma i parregulluar, i ftohtë disi, por është bukur aty sepse jemi në shtëpinë tonë, me ndjesinë e kënaqësinë që shumë kush e ka provuar se kjo kënaqësi është më e madhe kur je në proces ndërtimi, në lodhje e sipër, se sa kur e ke mbaruar. Kështu pra, këtu u ulem edhe këtë ditë, në këtë ambjent ku nuk mungojnë flamujt kombëtar , mes një bollëku ushqimesh të përgatitur nga familja Vero, me një përkujdesje korcarce të zonjës Tatjana. Duke hapur këtë drekë festive, kryetari i ri i shoqatës Bijte e Shqipes , z. Bujar Gjoka, i uroi shokut tonë Llazar Vero 71 vjetorin e lindjes dhe e falenderoj për gjithcka ai ka bërë që nga krijimi e deri më sot në këtë shoqatë ( z. Llazar ishte personi më aktiv në grupin organizator të krijimit të shoqatës Bijte e Shqipes).Ai sqaroi se ditëlindja e shoqatës tonë është nesër, datë 24 shkurt, dhe do ta festojmë me nxënësit e shkollës shqipe( gjë e cila u realizua mes gëzimit të madh të këtyre nxënësve e mësueseve të tyre atë të dielë).

Të gjithë pjesëmarrësit uruan Llazarin duke vlerësuar gjithashtu punën e mirë të tij, bërë ndër vite me komunitetin, vecanërisht me shkollen shqipe.

Uruan edhe Iliriana me Marten. Deshëm ta shihnim këtë vend të ri tuajn, por edhe si vend i të gjithë shqiptarëve në diasporë, vecanërisht të respektonim ata që po punojnë cdo ditë pushimi e pa asnjë shpërblim këtu, – shprehet Marta. Unë jam një prej jush, thotë ajo, që ashtu si ju jemi larguar nga Shqipëria për shumë arësye,..për më mirë. Por ju keni bërë një Shqiperi të vogël në Filadelfia, e po e fuqizoni atë cdo ditë. Provë e kësaj është edhe ky ambjent kaq i vlefshëm e i bukur që ju e keni blerë. Më lejoni t’ju them dicka, vazhdon plot emocion Marta: Po pres të bëhem gjyshe së shpejti. Vajza ime një ditë më kërkon të prononcohem për një kujdes të vecantë ndaj vajzës së saj që do të vijë në jetë. Sigurisht, do të bëj gjithcka për mbesën time, i them vajzës, po cfarë është ajo e vecanta që ti kërkon? Ti mësosh asaj gjuhën shqipe, më thotë. Më erdhi shumë mirë, u kënaqa dhe ë premtova se do ta bëj me shumë dëshirë. Por, ambjentet e shtëpive tona , nivelet arsimore të prindërve e gjysheve qoftë  edhe si puna ime , nuk mund të zëvendësojnë ambjentin e programin e shkollës, mësueset e kualifikuara  të saj. Prandaj ju jeni për tu marre shembull që keni një shkollë shqipe në 5 nivele (klasa) , të hapur prej 15 vitesh. Cdo shqiptar do të duhet t’ju jetë mirënjohës për këtë që bëni. Së bashku me Ilirianën, kemi sjellë një tufë lule në këtë 17 vjetor të shoqatës “Bijte e Shqipes”, duke dashur t’ju shprehim respektin tonë maksimal e t’ju urojmë që kjo qendër ndër më të organizuarat në diasporën shqiptare, të rritet akoma më shumë në cdo drejtim.

Iliriana, duke i uruar Llazarit ditëlindjen, e duke shprehur edhe njëherë konsideratat më të mira për shoqatën Bijte e Shqipes, nxjerr nga xhepi i palltos një zarf dhe duke mu drejtuar mua që isha më afër, thotë: Eshtë një kontribut i vogël i tre fëmijve të mi dhe i nipit, për godinën e re, nuk dua të reklamohet. Por edhe pa dëshirën e kontribuesve, ne gjithcka e kemi deklaruar, kjo edhe për efekt të rregullit financiar. E falenderuam me zemer familjen e Ilirianës për 500 dollarët e dhuruar, ndërsa kryetari Bujar Gjoka bën me dije që në llogarinë online të shoqatës, para 30 minutash, u shtuan edhe 1000 dollarë nga mikesha tjetër znj. Marta Muco. Sic ndodh në të tilla raste, emocionet dhe falenderimet janë pafund.

Ne e njohëm Marten katër vite më parë, kur në ambjentet e qendrës tonë social-kulturore, organizuam një veprimtari njohëse për vlerat njerëzore e intelektuale të bashkëshortit të saj Betim Muco, fatkeqësisht gjashtë muaj pasi ishte ndarë nga jeta. Erdhën, si rrallë herë, shumë intelektual të tjerë nga Washington DC, Delaweri, Nju Jorku, Nju Xhersi, Virginia, professor, punonjës të Zëri Amerikës, mjeke, gazetar, bisnesmen e shumë bashkatdhetar të tjerë. Me propozimin e shoqatës “Bijte e Shqipes”, z. Betim Muco ju akordua nga presidenti i Republikes titulli “Mjeshter i Madh”. Aty e njohëm ne Marten e Betimit, sic u mësuam ta thirrnim atë, prej asaj dite kur dhuroi edhe dhjetra tituj librash, letrar, historik e shkencor të botuar nga prof. Betim Muco. Pra që nga ajo kohë , Marta ishte mike e shoqatës tonë. Por Certifikatën “Mik i Shoqatës”, në emër të këshillit drejtues të shoqatës “Bijte e Shqipes”, ja dorëzoi sot sekretari  Vlashi Fili.

Ne ndjehemi të nderuar e të vlerësuar , kur njerëz të tillë vizitojnë e bashkohen me punën e bërë në qendrën tonë. Por të tillë intelektuale, i japin frymëmarrje pozitive cdo qendre të komunitetit shqiptar në diasporë, cdo shkollë shqipe të hapur e cdo ambjenti tjetër që përcon me qëllimin e tij të organizimit , trashëgiminë e gjuhës e kulturës tonë kombëtare, që bashkon e lartëson vlerat e shqiptarëve në botë.

Më poshte po ju njohim me një profil të shkurtër të znj. Marta Muco:

U diplomua në Fakultetin e Ekonomisë në UT ne vitin 1980. Filloi të japë mësim në të njëjtin Universitet që nga viti 1981. Në vitin 1988 ajo mbaroi studimet pasuniversitare dhe mbrojti disertacionin në fushën e Ekonomisë së krahasuar me një studim për reformën ekonomike hungareze. Në vitin 1993 ajo fitoi titullin Doktore e Shkencave në Ekonomi. Pas ndryshimeve demokratike te vitit 1990 në Shqipëri, Dr. Muco udhëhoqi seksionin e Makroekonomisë në Fakultetin e Ekonomise si një nga pjesëmarrëset më aktive të ndryshimit dhe adoptimit të programeve të reja në këtë fakultet, vecanërisht në Departamentin e Ekonomiksit. Gjate kësaj kohe, ajo ishte nga të parat pedagoge që dha leksionet e Hyrjes në Ekonomi, të Makroekonomise si dhe të Makroekonomise së Avancuar, Ekonomisë së Tranzicionit, Ekonomise së Zhvillimit në Universitetin e Tiranës dhe jashtë shtetit si profesore e ftuar. Nga viti 1990 deri në vitin 2000 Dr. Muco pati disa pozicione këshilltarëje në Ministrine Financave dhe atë të Arsimit si dhe punoi ngushtë si antare Bordesh me një numër të madh organizatash jo qeveritare në fusha të ndryshme të kërkimit ekonomik, ekonomisë monetare dhe ekonomisë së tranzicionit. Ajo ishte për disa vjet nënkryetare e bordit të Institutit të Statistikave. Ndërkohë ajo sherbeu si Vlerësuese Teknike për menaxhimin e granteve për kërkimin shkencor në fushën e ekonomisë së zhvillimit në Komisionin Europian në vitet 1995-1996 si dhe antare e Bordit të Fondacionit të Shoqerisë Civile nga viti 1997 deri në vitin 2000.

Dr. Marta Muco pati një aktivitet të ngjeshur akademik e kerkimor jashtë e brenda vendit. Ajo ishte profesore vizitore dhe dha cikle leksionesh në Univestitetin La Lumiere 2 në Lion të Frances, Departamentin e Ekonomiksit në Universitetin e Europes Qendrore në Budapest si dhe në Akademinë e Mrojtjes në Tiranë. Ajo ka fituar programe shkëmbimesh në Universitetin e Romës La Sapienza, në Departamentin e Ekonomiksit të Universitetit të Delaëare-it në SHBA, nga programi Europian TEMPUS në Bruksel dhe nga NATO Democratic Institutions Fellowship. Nga viti 1995 deri në vitin 1999 Dr. Muco mori titujt e profesorit të Asociuar dhe më pas atë të Profesorit. Në vitin 1999 Marta Muco ishte gruaja më e re në moshë me titullin profesore në Universitetin e Tiranës.

Mbas një sërë studimesh e botimesh në fushën financiare dhe monetare, nga viti 1988 ajo punoi si Shefe e Kabinetit të Guvernatorit në Bankën e Shqiperisë. Gjatë kësaj kohe, ajo plotësoi të tjera studime të aplikuara pasuniversitare dhe mori Certifikatë në Programimin dhe Politikat Financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Gjatë kësaj kohe ajo punoi ngushtë me misionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar si dhe shërbeu si këshilltare e Governatorit për Politikat Monetare në Shqipëri.

Që nga viti 2001, Dr. Marta Muco, u cvendos në SHBA ku zhvilloi karrieren e saj në fushën e menaxhimit të projekteve ndërkombëtare. Ajo shërben si Drejtore Programesh në sektorin privat duke menaxhuar programe shumë milionëshe në fushën e komunikimit dhe medias, në fushën e monitorimit dhe vlerësimit të projekteve të agjensive të ndryshme të qeverisë Amerikane. Ajo është eksperte në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe drejtuese në kërkime sociale. Dr. Muco ka fituar titullin Menaxhere e Certifikuar (PMP) e programeve dhe është anëtare e Institutit të Menaxhimit të Programeve në SHBA. Ajo është gjithashtu anëtare e Vlerësuesve të Uashingtonit (Washington Evaluators), anëtare e Asosacionit të Vlerësuesve (American Evaluation Association), e Shoqërisë për Zhvillim Nderkombëtar (Society for International Development- Washington Chapter) etj.

Dr. Marta Muco e ka ruajtur dashurinë për mësimdhënien e Makroekonomisë dhe që nga viti 2008 është profesore e jashtme e Ekonomiksit në Kolegjin Montgomeri (Montgomery College) në shtetin e Merilend-it. Eshtë e dashuruar e përhershme me njohjen e kulturave të ndryshme dhe deri tani ka udhëtuar e punuar në 61 vende të botës. Ajo adhuron literaturen e muzikën dhe vazhdon të ruajë preferencat për ushqimin e Mesdheut.

Kjo është Marta, mikja e shoqates Bijte e Shqipes, me të cilën ndjejmë krenari, ashtu sic ndjejmë edhe me shumë bashkatdhetar të tjerë që  konkurojnë me aftësitë e tyre intelektuale e shkencore në nivele e sektor të ndryshëm në Amerikë . Por pak prej tyre i njohim në këtë mënyrë, e duke mos i njohur ata vazhdojnë të qendrojnë larg, të vecuar në jetën intensive të sotme. Mendoj se është detyrë e cdo qendre në komunitet, e cdo shoqate a shkolle shqipe, e cdo gazetari apo televizioni shqip, e cdo njërit prej nesh që individualisht i njeh këta që na rrisin dinjitetin e shqiptarit, ti gjejmë e ti evidentojmë ata, pasi janë vlera kombëtare. Dhe sic do vlerë tjetër kombëtare duhet respektuar, edhe këta personazhe si të tillë, na bëjnë bashkë si komunitet, na japin emër si komb e pse jo na nderojnë edhe në takime e organizime të thjeshta midis nesh. Vlerësimi pas vdekjes, kurrë nuk mund të jetë plotësisht i motivuar per dike në se gjatë jetës nuk eshte ndjerë ai vleresim.

Filadelfia, 25 shkurt 2019

Filed Under: Emigracion Tagged With: bijte e shqipes, Ditelindja e 17 Vjetorit, Tahir Domi

Ambasada Amerikane ne Prishtine: “Dialogu duhet kthyer në binarë!”

February 28, 2019 by dgreca

1 amb Press_Logo

DEKLARATË NGA AMBASADA E SHBA-ve NË PRISHTINË/

PRISHTINË, 28 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Korrespondenti i gazetes “Dielli” ne Prishtine mori nga Ambasada e SHBA në Prishtinë mbrëmjen e sotme këtë deklaratë:Zëvendësdrejtori i Lartë për Evropë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) John Erath, dhe Drejtori i NSC-së për Çështje Evropiane, Brad Berkley, u takuan dje me Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, pas vizitës në Beograd dhe takimeve me udhëheqësit e qeverisë së Serbisë. Mysafirët erdhën për të përforcuar porosinë e Presidentit Trump “për të zënë këtë moment unik … dhe për t’u përmbajtur nga veprimet që do ta bënin arritjen e një marrëveshjeje më të vështirë”. Në të dyja kryeqytetet ata theksuan shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë se Dialogu duhet kthyer në binarë, dhe se të dyja palët duhet të ndërprejnë veprimet provokuese dhe të ndërmarrin hapa konstruktivë për tu kthyer në tryezën negociuese. Mysafirët përsëritën mesazhin e tyre nga letra ndërinstitucionale e 11 shkurtit se taksat në prodhimet e Serbisë dhe Bosnies janë pengesë në rrugën drejtë progresit, e minojnë partneritetin tonë, dhe duhet të pezullohen në mënyrë që Dialogu me Serbinë të lëvizë përpara. Ata theksuan urgjencën që Kosova të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, dhe rreshtimin SHBA-Kosovë për këtë interes të përbashkët strategjik.

 

28 February 2019

STATEMENT FROM U.S. EMBASSY PRISTINA

 

National Security Council (NSC) Deputy Senior Director for Europe John Erath and NSC Director for European Affairs Brad Berkley met yesterday with President Thaci and Prime Minister Haradinaj, following their visit to Belgrade and meetings with Serbian government leaders.  The visitors came to reinforce President Trump’s message “to seize this unique moment…and refrain from actions that would make an agreement more difficult to achieve.”  They stressed in both capitals the White House’s concern the Dialogue must get back on track, and both parties must cease provocative actions and take constructive steps to return to the negotiating table.   The visitors reiterated their message of a joint interagency letter February 11 that the tariffs on Serbian and Bosnian products are an impediment towards progress, undermine our partnership, and must be suspended to move the Dialogue with Serbia forward.  They emphasized the urgency of Kosovo reaching a comprehensive normalization agreement with Serbia and U.S.-Kosovo alignment on this shared strategic interest.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasada amerikane, deklarate, dialogu, Prishtine

Bernd J. Fischer i nxori në pension si manipulatorë e sharllatanë historianët e Shqipërisë!

February 28, 2019 by dgreca

1 Elida Bucpapaj ok

Nga Elida Buçpapaj/

Tani e kemi me dokumenta se kur është larguar pushtuesi nazist nga toka shqiptare.Dokumentat kanë qenë gjithmonë, por historianët shqiptarë i kanë fshehur për të vazhduar manipulimin e historisë.Historiani i njohur Bernd J. Fischer, në simpoziumin e organizuar nga IDMC (Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë) mbi qasjen aktuale studimore ndaj komunizmit, paraqiti dokumenta të Wehrmach-it, sipas të cilave ushtria naziste është larguar nga Shqipëria më 4 dhjetor 1944 dhe jo më 29 nëntor 1944 sikur pretendojnë historianët shqiptarë, që edhe sot e kësaj dite paraqiten si deformatorët e fakteve historike dhe shërbëtorët më faqezinj të diktatorit Hoxha.

Raportin e Wehrmacht-it, Ministrisë të Mbrojtjes të forcave ushtarake të Gjermanisë hitleriane, e bëri të njohur Bernd J. Fischer,se historianët shqiptarë “nuk e gjenin dot”!

Në këtë raport thuhet qartë e saktë se ushtria gjermane është larguar nga toka shqiptare më 4 dhjetor 1944, jo sikur ka bërë blabla për 75 vjet historiografia shqiptare!

Shqiptarët e kanë ditur se 29 Nëntori ishte vendosur nga Enver Hoxha, por historianët shqiptarë pa iu vrarë ndërgjegjia,( se nuk kanë fare), kanë vijuar retushimin e të vërtetave historike edhe postmortum diktatorit.

“Vendosja e datave historike ka qenë vendim politik”, tha në diskutimin e tij në simpozium historiani Fischer!

Padyshim që është kështu. Caktimi 29 Nëntorit si ditë e çlirimit të Shqipërisë ishte vendimi politik i diktatorit Hoxha për t’i dëshmuar besnikërinë e tij Broz Titos, një lidhje e krijuar përmes Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës me të cilët themeloi Partinë Komuniste të Shqipërisë.

29 Nëntori ishte datë historike për ish-Jugosllavinë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Këshilli antifashist Nacional Çlirimtar i Jugosllavisë vendosi në Jajce më 29 nëntor 1943, që ta zëvendësonte monarkinë me republikë, duke krijuar një shtet brenda kufijve të Mbretërisë së Vjetër, plus bregdetin slloven dhe Istrian e që do të quhej Jugosllavia Demokratike Federale me Josip Broz Titon kryeministër. Duke u nisur prej kësaj ngjarje, 29 Nëntori 1945 u shpall si dita e Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë, të cilën Enver Hoxha për servilizëm ndaj Titos e shpalli si ditën e Çlirimit të Shqipërisë, pasi asaj kohe diktatori Hoxha i kërkoi Marshallit që ta integronte Shqipërinë si republikë të shtatë të Jugosllavisë!

Këto janë faktet që i kanë manipuluar historianët shqiptarë gjatë diktaturës edhe tranzicionit.

Që 29 nëntori ishte vendim i diktatorit kjo dihej. Këtë fallsifikim e hodhën në librin e historisë historianët e diktaturës që patën paturpësinë ta mbajnë në këmbë edhe pas rrëzimit të regjimit mizor, ndërkohë që për gati tre dekada i kanë patur të gjitha kushtet të kryejnë hulimtime direkte nëpër arkivat e shteteve Perëndimore që Dokumentin e Wehrmacht-it të mos e sillte Bernd J.Fischer por ta kishin sjellë ata, jo sot në vitin 2019 por menjëherë pas 1991.

Në fakt, historianët shqiptarë kanë 30 vjet që bredhin nëpër arkivat e Europës dhe SHBA dhe nuk ka si të mos u ketë rënë në dorë ky dokument e megjithatë kanë vazhduar të mbrojnë datën e Hoxhës. Të deformosh të vërtetën kryen krim!

Dokumenti i Wehrmacht-it që bëri publik historiani i njohur Bernd J. Fischer përveçse hedh dritë në të vërtetën historike, u çjerr maskën historianëve shqiptarë që vazhdojnë të jenë portavocet e diktatorit stalinist që kreu krime kundër njerëzimit! Janë i njëjti kontigjent historianësh që Kampin famëkeq të Tepelenës, nga kamp të vdekjes, e quajnë kamp rehabilitimi!

Dokumenti i Wehrmacht-it duhet të vejë në lëvizje elitën shqiptare, pa dallime politike, me qëllim që të ketë ndikim të menjëhershëm në institucionet e shtetit për ta ndryshuar ditën e çlirimit të vendit sipas fakteve historike dhe jo sipas vendimeve politike të Enver Hoxhës.

Elita shqiptare në bashkëveprim me Akademinë dhe institucionet e shtetit mund të ndërmarrin po ashtu një vendim politik për të caktuar ditën e çlirimit, por kjo datë duhet që lidhet me faktet, emrat dhe ngjarjet që kanë ndodhur në vend larg reminishencave apo jehonave që kanë lidhje me datat historike të Jugosllavisë apo të diktatorit Hoxha.

Sa për historianët shqiptarë, edhe një herë e treguan shëmtimin, që lidhet me skeletët e të shkuarës së tyre!

Pa dyshim që ky kontigjent historianësh duhet të dalë në pension, me njollën e turpit si manipulatorë recidivë dhe njerëz të pandershëm!

Sepse sikur thotë Buda, tre gjëra nuk fshihen dot gjatë: dielli, hëna dhe e vërteta!

Dokumenti i Wehrmacht-it, sjellë në Shqipëri nga historiani Bernd S.Fisher, nxjerr në pah sharlatanizmin e historianëve shqiptarë si devijues të fakteve dhe shtrëmbërues të historisë të nxitur nga regjimi barbar dhe të vijuar prej mungesës së integritetit personal dhe profesional edhe pas vdekjes së diktatorit e ndryshimit të sistemit. Padyshim, këtu vihemi përballë edhe profilit të ulët të shtetit shqiptar që operon me të tillë përbindsha.  Diktatori Hoxha ka 34 vjet që ka shkuar në ferr, regjimi diktatorial ka 27 vjet që është rrëzuar, ndërsa superstruktura e diktatorit me të njëjtën stretegji, qëndron ende në këmbë duke mbajtur në këmbë shtrembërimet historike!

Kjo superstrukturë duhet rrëzuar, që të ngrihet shteti i së drejtës!

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, manipulatorë, sharllatanë historianët

MALËSIA VOTON PËR IDENTITETIN E VET

February 28, 2019 by dgreca

Qytetarët e Malësisë me të drejt vote kanë mundësi me 3 mars në zgjedhjet lokale të vendosin për vetën e tyre për të udhëhequr komunën e Tuzit subjektet politike shqiptare të cilat kësaj here u bashkuan në koalicionin FORUMI SHQIPTAR, duke shprehur unitet me një qellim, sepse  ata do të mbrojnë ma mirë së askush tjetër  identitetin kombëtar, gjuhësor e kulturor të  kësaj krahine e cila mban titullin NDERI I KOMBIT, si rrallë kush në hapësirën etnogjeografike shqiptare.

Nail_Draga

Dr.Nail  Draga

Duke pasur parasysh momentin historik si dhe  përvojën e pavolitshme në të kaluarën subjektët nacionale të shqiptarëve në Malësi arriten një kompromis duke formuar listen e përbashkët zgjedhore me emrin Forumi Shqiptar (ASH-LDSH-UDSH). Një veprim i tillë   u mbeshtet nga të gjithë shqiptarët si në vend dhe diasporë, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një fillim të unifikimit të shqiptarëve në Mal të Zi, për të realizuar në praktikë të drejtat  e mohuara qytetare  dhe nacionale  nga ana e pushtetit  edhe në pluralizëm.

Malësia e malësorëve

Përfundimisht pas kërkesave të vazhdueshme nga subjektet nacionale shqiptare nga miratimi i pluralizmit në Mal të Zi, edhe qytetarët e Malësisë realizuan në praktikë një të drejtë elementare e mohuar dekada me radhë e kjo është komuna e pavarur e Tuzit për tërë territorin e Malësisë e cila si e tillë funksionon nga shtatori i vitit të kaluar. Por, legalizimi dhe legjimiteti i plotë i saj do të jetë ne zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen të dielën me datën 3 mars. Kujtojmë me këtë rast  së në vitin 1957 është  suprimuar komuna e Tuzit me vendim politik të pushtetit qendror,ku nga ajo kohë qytetarët e Malësisë kanë votuar për pushtet lokal të  Podgoricës, ku bëntë pjesë edhe Malësia, ndërsa  nga viti 2006 si komunë urbane apo më pas si komunë në kuadër të kryeqytetit. Ndërsa tani situata është tjetër sepse votohet për herë të parë për të qeverisur vetë Malësinë, e jo të drejtohet nga Podgorica si ishte deri më tash.Pra, kësaj here  sintagma Malësia e malësorëve ka mundësi të bëhët realitet, me kusht që Forumi shqiptar të dalë fitues i zgjedhjeve. Por, pjesëmarrja në zgjedhje edhe e pesë listave të tjera krijon mundësi për  kombinime të ndryshme.Duhet cekur se të drejtë vote kanë 11,941 qytetarë, që do të zgjedhin 32 këshilltarë sa do të ketë pushteti i ri  lokal i Tuzit. Ditë më parë opinioni u informu se në lidhje me këto zgjedhje është realizuar një anketë me qytetarët e Malësisë nga del se  nga  sondazhi i publikuar  Forumin shqiptar e shpallë fitues të zgjedhjeve, por më pamundësi që vet të formojë pushtetin lokal.Megjithate duhet pritur votimin përkatësisht shpalljen e rezultatëve për subjektët pjesëmarrëse në zgjedhjet e së dielës.

Diaspora mbeshtet Forumin Shqiptar

Duke marrë parasysh se për të parën herë votohet për komunën e pavarur të Tuzit për tërë territorin e Malësisë, vërehet një mobilizim i shtuar i subjektëve pjesëmarrëse për pushtetin lokal. Madje kësaj here kemi një interesim të shtuar edhe nga diaspora shqiptare  e Malësisë e cila gjindet kryesisht në SHBA, por edhe vende të tjera. Bëhët më dije se një numër i konsideruar i tyre qe ende janë pjesë e regjistrit zgjedhor, kanë marrë biletat për vendlindje, dhe atë ditë do të jenë pjesë e procesit zgjedhor. Nuk ka ndonjë të dhënë të saktë sa mund të jetë numri i tyre që do të marrin pjesë, por pa dyshim ata do të sigurojnë një mandat të këshilltarit për Forumin shqiptar, që  mund të jetë vendimtar për të siguruar shumicën parlamentare në pushtetin lokal.

Një veprim i tillë i diasporës  është për tu përshëndetur, sepse ata deri më tash kanë ndihmuar vendlindjen me shuma të konsiderueshme financiare, si askush nga shqiptarët në Mal të Zi. Andaj, kësaj here kanë një mision tjetër, përveç se të marrin pjesë në zgjedhje, po ashtu të ndikojnë pozitivisht edhe të familjarët, apo të afërmit e tyre që kësaj here pa hezitim të votojnë për Forumin shqiptar.Pa mohuar të drejten qytetare së çdo kush është i lirë për të votuar sipas dëshirës dhe bindjes së vet, kësaj here kemi një moment të veçantë, sepse votohet për pushtetin lokal të komunës së pavarur e jo si ishte deri më tash si komunë urbane apo në kuadër të kryeqytetit.

 

Nga zhgënjimi në fitore

Të mbeshtetët lista e vetme shqiptare e koalicionit Forumi Shqiptar, jo vetëm së është një veprim i qelluar politik por edhe kombëtar, duke udhëhequr shqip  me pushtetin lokal në Tuz. Në të kundërtën nëse nuk mbeshtetet lista shqiptare me komunë do të udhëheqin partitë malazeze që paraqiten gjoja si qytetare, apo individët të cilët nuk janë vendas por janë të ardhur në Malësi. Një veprim i tillë do të ishte fatal dhe në favor të ndryshimit mekanik të strukturës etnike të popullsisë, përkatësisht në plavizimin e Malësisë, që është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.

Andaj të dielën më 3 mars votuesit shqiptarë nëse e duan sinqerisht Malësinë  duhet të reflektojnë si asnjëherë deri më tash  duke lënë anash interesat personale e partiake, sepse kësaj here kanë vetëm një mundësi  për të votuar shqip, për të mbrojtur identitetin, gjuhën dhe  kulturën kombëtare, e kjo është lista e përbashkët e koalicionit Forumi Shqiptar.

Dhe në fund dua të ceki se autori i këtij shkrimi ishte prezent në Tuz në mbylljen e fushatës për zgjedhjet lokale në Podgoricë(11.6.2000), ku bartës i listës shqiptare ishte intelektuali dhe mjeku i nderuar  dr.L.Gjoka. Me këtë rast u organizu një miting i rrallë përmbyllës i paparë deri atëherë në Tuz-Malësi(8.6.2000), si nga numri i pjesëmarrësve dhe flamujve kombëtar shqiptar, por rezultati ishte zhgënjyes, sepse malësorët votuan më tepër partinë malazeze, e jo doktorin e tyre të nderuar. Kësaj herë urojmë të jetë e kundërta, sepse për të mënçurit  pësimi duhet të jetë mësim, ku fitorja në këto zgjedhje lokale duhet të jetë fillimi i një ndryshimi pozitiv për shqiptarët dhe të tjerët në Malësi sipas standartëve  europiane.

(Shkurt 2019)

Filed Under: Opinion Tagged With: DR. NAIL DRAGA, MALËSIA VOTON, PËR IDENTITETIN E VET

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT