• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2019

“Bijtë e Shipes” në Filadelfia përkujtuan Ismail Qemalin e Isa Boletinin

February 9, 2019 by dgreca

Me rastin e 175 vjetorit të lindjes dhe 100 vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit dhe 155 vjetorit të lindjes dhe 103 vjetorit të rënjes së Isa Boletinit/

1 Fili Vlash2 Vlashi Fili1 Sadik2 Sadili12 Sadil14 Gege e Toske1 me ep Nder

Nga Sadik ELSHANI/ 

Viti që sapo kaloi, viti 2018, ishte shpallur Viti i Skenderbeut në tërë botën shqiptare, sepse u shënua 550 vjetori i ndarjes fizike nga kjo botë të Heroit tonë Kombëtar dhe 575 vjetori i kthimit të tij në Krujë, për të shënuar kështu periudhën më të ndritur e më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Me këtë rast në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë u organizuan mjaft manifestime të ndryshme kulturore – artistike, konferenca shkencore, simpoziume, etj. Edhe shoqata “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia organizoi një veprimtari dinjitoze ku u paraqiten disa kumtesa serioze, shoqëruar pastaj me një program artistik dhe koktejin tradicional me pije e ushqime të kuzhinës shqiptare. Shoqata jonë u kushton një rëndësi të madhe figurave të ndritura të kombit tonë, sepse jetëshkrimi i tyre është edhe jetëshkrimi i kombit tonë. Dhe ja, sapo hyri viti i ri, 2019, një veprimtari e tillë u organizua ditën e shtunë më 2 shkurt në mjediset e shoqatës sonë për te përkujtuar nepunesin dhe deputetin e Perandorisë Osmane, veprimtarin e çështjes kombëtare, themeluesin e shtetit shqiptar, Babain e Kombit tonë,Ismail Qemalin (16 janar, 1844 – 24 janar, 1919), me rastin e 175 vjetorit të lindjes dhe 100 vjetorit të ndarjes së tij nga kjo botë. Po ashtu, në këtë veprimtari u përkujtua dhe u nderua edhe trimi i Kosoves dhe i kombit tonë, luftëtari e strategu ushtarak, “gjenerali me plis të bardhë”, Isa Boletini (15 janar, 1864 – 23 janar, 1916) me rastin e 155 vjetorit të lindjes dhe 103 vjetorit të vdekjes. Është kjo dyshja e këtyre burrave të mëdhenj të kombit tonë që e plotësojnë mirë njëri – tjetrin, janë këto dy shtyllat, dy figurat qendrore të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipqrisë dhe themelimit të shtetit të parë shqiptar.

Salla e madhe në godinën e shoqatës “Bijtë e Shqipes” ishte zbukuruar posaçërisht për këtë veprimtari, me portretet e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, me një tablo nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku spikasin këta dy burra si dy shqiponja, ndërsa në sfond qëndron busti i Ismail Qemalit dhe kuptohet, në mes qëndron Flamuri Kuq e Zi. Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, zoti Bujar Gjoka, i cili u dëshiroi mirëseardhjen bashkatdhetarëv dhe i falenderoi ata për pjesëmarrjen. Pastaj ai theksoi rëndësinë e kësaj veprimtarie dhe rëndësinë e këtyre dy figurave madhore të kombit tonë. Për këtë veprimtari ishin përgatitur dy kumtesa cilësore, z. Sadik Elshani, njëherësh edhe shkruesi i këtyre radhëve, kishte përgatitur kumtesën për Ismail Qemalin, me titull: “Ismail Qemali, burri që ngriti Flamurin e Skenderbeut, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe hodhi themelet e shtetit shqiptar”, ndërsa z. Llazar Vero kishte përgatitur kumtesën për Isa Boletinin, titulluar: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia”.

Që në fillim të fjalës së tij z. Elshani vuri në pah se, muaji i ftohtë i janarit i lindi burra të mëdhenj kombit tonë: Ismail Qemalin (16 janar, 1844), Isa Boletinin (15 janar, 1864), Fan Nolin (6 janar, 1882), Ismail Kadarenë (28 janar, 1936) e ndonjë tjetër. Poashtu, ky muaj i ftohtë i mori në amshim disa burra të mëdhenj të kombit tonë: Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skenderbeun (17 janar, 1468), Isa Boletinin (23 janar, 1916), Ismail Qemalin (24 janar, 1919), Ernest Koliqin (15 janar, 1975), Ibrahim Rugoven (21 janar, 2006) e ndonjë tjetër. Ishte ky një rast i përshtatshëm për t’i nderuar edhe këto figura të lartpërmendura. Pastaj ai u përqëndrua te figura e Ismail Qemalit, burrit, plakut të urtë, Babait të Kombit tonë, që më 28 nëntor të vitit 1912, pas një robërie pesëshekullore, e ngriti në Vlorë Flamurin e Skenderbeut, dhe në prani të përfaqësuesve të të gjitha trojeve shqiptare shpalli pavarësinë e Shqipërisë, hodhi themelet e shtetit shqiptar dhe përmbushi ëndrrën shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi dhe vazhdoi: “Ismail Qemali është një figurë qendrore e lëvizjes sonë kombëtare për liri e pavarësi, një figurë që rrezaton pjekurinë, urtësinë, por edhe guximin, burrërinë e një njeriu të rryem, që në një fazë mjaft kritike për popullin tonë arriti që t’i printe popullit dhe t’i drejtonte fatet e tij drejt një fitoreje përfundimtare. Përvoja e tij e gjatë në administratën Otomane, studimet dhe udhëtimet e tij në botën përendimore, njohja e mirë e historisë dhe pozitës së popullit të tij e kishin përgatitur mirë për rolin që do të merrte në drejtimin e përpjekjeve kombëtare për të hequr qafe një herë e përgjithmonë zgjedhën Otomane. Këtë mund ta bënte vetëm një burrë si Ismail Qemali, sepse ai ishte shtetar, kishte një përvojë të mirë në administrimin e disa rajoneve të Perandorisë Otomane, diplomat i rryem, ishte i vetëdijshëm për përgjegjësitë që lidhen me ndërtimin dhe udhëheqjen e një shteti. Të tjerët intelektualë shqiptarë nuk e kishin një përvojë të tillë, ishin figura të ndritura, idealistë, por pa një përvojë konkrete administrative e shtetndërtuese”.

Pastaj ai bëri një vështrim të shkurtër për jetën e Ismail Qemalit që nga lindja e tij në një familje fisnike e tdhetare; shkollimi në gjimnazin e njohur “Zosimea” të Janinës (1855 – 1859); vajtjen e tij në Stamboll më 1860, punën e tij në Zyrën e Përkthimeve të Ministrisë së Jashtme; studimet për drejtësi dhe postet e shumta në Perandorinë Otomane: ndihmës drejtor i çështjeve politike në vilajetin e Janinës, ndihmës i valiut të Danubit, vali i Varnës, Bejrutit, Gjiritit,Tripolit, sekretar privat i ministrit të Drejtësisë, Mid’hat Pasha (1873 – 1876), kryetar i Komisionit Europian të Danubit (si delegat Osman) e shumë poste të tjera. Ishte një nëpunës i zoti dhe mjaft i vlerësuar i Perandorisë Otomane. Në vitin 1900 Ismail Qemali arratiset nga Perandoria, sepse ai kishte dyshime se diçka e keqe do t’i ndodhte. Në fillim shkon në Athinë ku takohet me politikanët arbërorë dhe më pas kaloi në Napoli, Romë, Llozanë, Paris. Pasi u mor vesh me Faik Konicën, u vendos në Bruksel dhe mori drejtimin e gazetës së njohur, “Albania” dhe më vonë me ftesën e kolonisë shqiptare shkon në Kajro. Pastaj z. Sadik foli për kthimin e Ismail Qemalit në Stamboll më 1908, pas revolucionit xhonturk dhe angazhimin e tij për cështjen kombëtare si deputet i parlamentit turk, nga Berati, udhëtimet e tij nëpër Europë për të siguruar përkrahjen e vendeve europiane për pavarësinë e Shqipërisë, nënshkrimin e “Memorandumit të Gërces” ku kërkohej një vilajet shqiptar brënda Perandorisë Otomane dhe më në fund kthimin e tij në Shqipëri dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912.

Ismail Qemali ishte nënshkruesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë dhe u emërua kryetar i Këshillit të Ministrave të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë. Gjithashtu, ai ushtroi edhe detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme. Formoi një qeveri me burra atdhetaëë, që gëzonin autoritet në popull. Sipas mendimit tim, kjo qeveri edhe në ato kushte të vështira, mbetet si qeveria më kompetente dhe më kombëtare që shteti shqiptar ka patur ndonjëherë. Edhe në ato kushte të vështira u miratuan ligje, u bën përpjekje për ngritjen e administratës, zhvillimin e ekonomisë, arsimit, kulturës, etj. Vetë Ismail Qemali u angazhua që trojet shqiptare të mos coptoheshin, formoi një delegacion dhe vetë mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Të tjerat i ka thënë historia. Në këtë pozitë Ismail Qemali qëndroi gjer më 22 janar të vitit 1914 kur iu kërkua dorëheqja nga Komisioni Ndërkombëtar.Ai u largua nga Shqipëria dhe shkon ne Nicë ku e kishte familjen. Por, ai kurrë nuk u tërhoq nga skena politike shqiptare. Në maj të vitit 1914 kthehet në Shqipëri dhe në qershor takohet edhe me princ Vidin. Në vitet në vazhdim bën udhëtime të shumta në Itali, Francë, Spanjë – gjithmonë duke punuar për Shqipërinë, për ta mbrojtur e stabilizuar shtetin shqiptar. Në një nga këto udhëtime kur po qëndronte në Peruxhia të Italisë, duke mbajtur një konferencë për shtyp ai sëmuret dhe vdes më 24 janar të vitit 1924. Siç duket, nga helmimi.

Zoti Elshani e përfundoi fjalën e tij duke i bërë këtë vlerësim figurës së Ismail Qemalit: “Edhe Ismail Qemali si shumica e figurave të rendesishme nuk ka qenë i përjashtuar nga ndonjë rast kundërthënës (kontravers) në jetën e tij.  Edhe pse u angazhua pak vonë në lëvizjen kombëtare, ndihmesa e tij është madhështore. U angazhua në njëren nga periudhat më kritike të historisë sonë, që u kurorëzua me formimin e shtetit shqiptar të pavarur. Ismail Qemali, intelektual e shtetar i rrallë, është një figurq e rëndësishme, nga më të rëndësishmet, e historisë sonë kombëtare. Kur dëgjojmë emrin Ismail Qemal, mendja menjëherë na shkon te Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe themelimi i shtetit shqiptar. Në historinë tonë të lavdishme shumëshekullore ka mjaft episode, ngjarje të rëndësishme, por shpallja e shtetit të pavarur është kulmi i të gjitha përpjekjeve, të gjitha të arriturave. Për këtë akt madhor meritat nuk i takojnë vetëm Ismail Qemalit, por ai ishte më i merituari. Ai ishte një burrë që perveç karakteristikave fizike burrërore, ishte edhe njeri me pervojë, njeri i mencur, i urtë që kishte aftësinë, autoritetin për t’i bashkuar njerëzit, që nuk ishte aq lehtë në atë kohë dhe në çdo kohë tjetër. Ishte figura, portreti i tij me atë mjekrën e bardhë si në tregimet e moçme shqiptare, që rrezatonte ato vlera të larta njerëzore e kombëtare të popullit shqiptar, që ngjallte respektin te njerëzit. Portrei fizik e shpirtëror i Ismail Qemalit ishte portreti i një Shqipërie të madherishme, dinjitoze, serioze e të respektuar, “Zonjë e Rëndë”, siç e ka quajtur Shqipërinë një burrë tjetër i madh i kombit tonë, Vaso Pasha. Edhe sot, të gjithë shqiptarët, sidomos politikanët tanë duhet të mësojneënga jeta dhe vepra e pavdekshme e Ismail Qemalit. Viti 2019 duhet të shpallet “Viti i Ismail Qemalit” dhe të gjithë duhet të reflektojmë e të punojmë për të ndërtuar një Shqipëri, një shtet shqiptar ashtu siç e meriton populli ynë i shumëvuajtur”.

Në vazhdim zoti Llazar Vero paraqiti kumtesën kushtuar jetës dhe veprës së Isa Boletinit me mjë titull mjaft kuptimplot që mishëron karakterin, qëllimin e jetës së këtij burri të rrallë të kombit tonë: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia”. Pastaj z. Vero e analizoi më thellë këtë thënie mjaft domethënëse: “Kjo është një thënie lapidare e heroit tonë kombëtar, Isa Boletinit. Në të është njeriu i qytetëruar, luftëtari, atdhetari. Ai ishte edhe një strateg ushtarak i talentuar, largpamës që besonte ndershmërisht në marrëdhëniet paqësore të ndershme dhe të qëndrueshme midis popujve. Ai kishte besim në idealin e tij kombëtar dhe luftoi me mish dhe me shpirt që Kosova të mbetej e pandarë nga Shqipëria”. Për të pranishmit z. Vero bëri edhe një paraqitje të shkurtër për jetëshkrimin e Isa Boletinit që nga lindja e tij më 15 janar të vitit 1864 në një familje luftëtarësh atdhetarë, pjesëmarrjen e tij në Lidhjen e Prizrenit, betejat e për mbrojtjen e Lidhjes, siç ishin betejat e Slivovës dhe të Grykës së Carralevës. Më vonë do ta shohim si komandant (nëntor, 1908), duke luftuar me trimat e tij kundër 7000 ushtarëve osmanë. Më 1909 ishte përsëri në krye të forcave shqiptare në kryengritjet e Prishtinës e Prizrenit e shumë beteja të tjera. Më 1912 u caktua komandant i çetave kryengritëse shqiptare që luftonin për çlirimin dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare e më vonë pavarësinë e Shqipërisë. Me trimat e tij arrin në Vlorë pak me vonesë nga Shpallja e Pavarësisë, por ata luftëtarë nën komandën e tij u bën garda e parë, ushtria e parë e Shqipërisë që deri diku e stabilizoi gjendjen në qytetin e Vlorës dhe në tërë Shqipërinë e Jugut. Një vëmendje të posacme z. Vero i kushtoi edhe rolit të Isa Boletinit në organizimin e Kuvendit tradicional te Verrat e Llukës më 17 prill 1910, ku krerët shqiptarë nga të gjitha trevat e Kosovës ishin mbledhur për t’i falur gjaqet në mes shqiptarëve dhe për të lidhur besën për të luftuar armikun e përbashkët e jo njëri – tjetrin. “Gjak borxh na ka vetëm anmiku ynë. Na jemi vllazën e duhet me u bashkue dhe me dekë për liri të vatanit. Ai që mbas sodit ngre pushkë ndër veti ka m’u kanë bash hasmi ynë” – ishin këto fjalët e Isa Boletinit në këtë kuvend që ka zënë një vend të rëndësishëm në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht në të njejtin vend, 80 vite më vonë, nën udhëheqjen e profesor Anton Çettës, akademik Mark Krasniqit, profesor Zekeria Canës e shumë veprimtarëve të tjerë të çështjes kombetare, shqiptarët u mblodhën përsëri për t’i falur gjaqet e për të lidhur besën për të luftuar armikun e përbashkët – regjimin barbar të Sllobodan Millosheviqit.

Isa Boletini ishte kudo që kërkohej për të luftuar për Shqipëri. Edhe kur në Shqipëri u vendos Princ Vidi më 1914, ai vihet në shërbim të kësaj qeverie së bashku me trimat e tij. Përpjekjet e tij për të mirën e Shqipërisë nuk u ndalen kurrë derisa më 23 janar të vitit 1916 u vra në pabesi në një pritë te ura e Ribnicës afër Podgoricës. Është e ngrirë në historinë tonë pjesëmarrja e tij në delegacionin shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Një përshtypje të jashtëzakonshme u ka lënë të gjithëvë Isa Boletini me pamjen e tij burrërore, veshjen e bukur kombëtare, por edhe me qëndrimet e tij për të mbrojtur tokën shqiptare. “Unë hyra në një dhomë të madhe katrore ku gjeta Isa Boletinin, me trup shumë të gjatë, të zhdërvjelltë, një shqiptar të vërtetë, shqiponjë, me sy të lëvizshëm dhe me fytyrë të bukur dhe të ashpër” – është shprehur diplomati anglez, Aubrey Herbert. Nuk e kanë quajtur kot” Gjenerali me plis të bardhë”. Pastaj është edhe ajo ndodhia kur anglezët mendojnë se e kanë çarmatosur gjeneralin, por ai ua tregon revolen tjetër që e kishte mbajtur fshehur – gjeneralin tonë askush nuk ka mundur ta çarmatoste. Në fund z. Llazar foli edhe për varrimin e eshtrave të Isa Boletinit pas 99 vjetësh në oborrin e kullës së tij në Boletin, kështu duke përmbushur amanetin e tij, por: “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mbetet pengu i tij dhe i yni dhe i çdo shqiptari të ndershëm” – e përfundoi fjalën e tij z. Llazar Vero.

Veprimtaria vazhdoi pastaj me paraqitjen e disa videove për Ismail Qemalin e Isa Boletinin: Pjesa e fundit e filmit “Nëntori i dytë – skena e shpalljes së pavarësisë dhe ardhja e Isa Boletinit me trimat e tij në Vlorë; një dokumentar për varrimin dhe rivarrimin e Ismail Qemalit dhe në fund kënga kushtuar Ismail Qemalit: “Cili je ti more burrë”, kënduar nga grupi i njohur i Kaninës. Sipas traditës së shoqatës sonë, në fund u shtrua kokteji: “Bukë e kripë e zemër”, me pije e ushqime të llojllojshme. Edhe gjatë koktejit vazhduan bisedat në mes bashkatdhetarëve për këta dy burra të mëdhenj të kombit tonë, duke shprehur respektin e adhurimin për jetën dhe veprën e tyre në shërbim të kombit e atdheut.

Të paharruar qofshin Ismail Qemali, Isa Boletini dhe të gjithë ata/ato që luftuan për lirinë e çdo pëllëmbe të tokës shqiptare!

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane

Filadelfia, 5 shkurt, 2019

 

Filed Under: Featured Tagged With: bijte e shqipes, Dr. Sadik Elshani, filadelfia, Isa Boletini, Ismail Qemali

Presidenti Meta:Në Shqipëri sundon Shumica, Jo Ligji

February 9, 2019 by dgreca

-Unaza e Re, Meta: Dëshmi e sundimit të shumicës, jo të ligjit-/

1 Meta1Presidenti shqiptar Ilir Meta thotë se për rastin e Unazës së Re në Tiranë janë ndjekur procedura ekstraligjore që sipas tij nuk tregojnё pёr njё vend, ku sundon ligji, por tregojnё thjesht pёr njё vend ku sundon shumica. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë qëndimit të tij në Uashington, zoti Meta flet dhe për dialogun Kosovë-Serbi, debatet e fundit për situatën e korrupsionit në Shqipëri, pas rastit të tenderave në Ministrinë e Drejtësisë apo dhe përplasjet me Qeverinë, si ajo për kreun e diplomacisë. Presidenti Meta thotë se për marrëveshjet ndërkombëtare ai mund të autorizojë vetëm ministrin e Jashtëm Edi Rama. Me zotin Meta bisedoi shefi i shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.

Zёri i Amerikёs: Zoti President! Mirёserdhёt nё studiot e Zёrit tё Amerikёs!

Ilir Meta: Kёnaqёsi qё takohemi kёtu.

Zёri i Amerikёs: Zoti President! Gjatё ditёve qё keni qenё nё Uashington, nё takimet qё keni patur, ju jeni shprehur edhe pёr çёshtjen e dialogut tё Kosovёs me Serbinё. Beogradit dhe Prishtinёs iu ёshtё kёrkuar qё tё jenё krijuese nё arritjen e njё marrёveshjeje, gjё qё ёshtё pёrkthyer edhe nё mundёsinё e shkёmbimit tё territoreve, korigjimit tё kufirit, ndryshimit tё kufijve; njё temё qё ka qenё tabu mё parё. Ju jeni shprehur se nuk duhet tё ketё ndryshim kufijsh. Nёse mund t’iu pyes: Pёrse kjo kundёrshti, kur nuk dihet ende se pёr çfarё po diskutohet?

Ilir Meta: Unё pajtohem plotёsisht me ju qё ёshtё i domosdoshёm, madje ёshtё i vonuar, do tё thosha, gjithё ai proces qё ka tё bёjё me pёrfundimin e dialogut Kosovё – Serbi, pasi ky ёshtё njё dialog qё po vazhdon prej mjaft vitesh. Ёshtё njё dialog qё u quajt “pёr normalizimin” dhe tani tё gjithё kёrkojnё finalizimin e tij, ndёrkohё qё ne ende nuk kemi njё bilanc tё plotё tё normalizimit dhe tё zbatimit tё marrёveshjeve tё deritanishme. Megjithatё, pёrsёri unё bashkohem me atё kёrkesё, me atё interes tё pёrgjithshёm, sepse ёshtё interes edhe i Shqipёrisё, po ёshtё interes edhe i partnerёve tanё dhe i vet proceseve integruese, tё cilave ne iu jemi bashkuar dhe qё kёrkojmё tё fitojnё shtysё tё re pёrmes realizimit tё kёsaj marrёveshjeje, qё kjo gjё tё realizohet sa mё parё. Por i dimё vёshtirёsitё e deritanishme, tё cilat shpresojmё tё kapёrcehen me reflektim tё pёrbashkёt nga tё dyja palёt, pёr tё krijuar atё mirёbesim, qё ka munguar deri tani.

Zёri i Amerikёs: Zoti Meta! Tё ndalemi tek problemet, tek zhvillimet nё Shqipёri. Ju patёt njё pёrplasje tё fortё me qeverinё pёr çёshtjen e ministrit tё jashtёm si dhe pas publikimit tё qёndrimit tuaj pёr çёshtjen e Unazёs sё Madhe, ku ju kёrkuat tё anulohen gjithё kontratat dhe projekti tё ribёhet nga e para. Shumica iu akuzoi se ju po mbani pozicione politike, qё bien ndesh me detyrёn tuaj si president i vendit. Madje kryeministri Rama iu cilёsoi si drejtuesin mё serioz tё opozitёs. Si iu pёrgjigjeni ju kёtyre kritikave?

Ilir Meta: Nё detyrёn time si president unё i referohem vetёm Kushtetutёs sё Republikёs sё Shqipёrisё, interesit kombёtar dhe interesit publik. Nё çёshtjen e ministrit tё jashtёm nuk besoj se kёrkon shumё energji pёr t’iu pёrgjigjur tё gjitha kundёrshtimeve nё lidhje me qёndrimin tim, pёr arsye se kam qenё mjaft i hapur pёr çdo zgjidhje pёr personin e propozuar nga kryeministri. Por nuk besoj se dikush mund tё fajёsojё Presidentin, kompetencat e tё cilit nё fushёn e politikёs sё jashtme janё pёrcaktuar shumё qartё edhe nga vendimi i Gjykatёs Kushtetuese, i kёrkuar nga vet Partia Socialiste dikur nё opozitё pёr çёshtjen e marrёveshjes sё detit; pra qё Presidentit iu kёrkua tё konfirmojё nё kёtё detyrё njё person, cilatdo qofshin cilёsitё e tij tё shkёlqyera, tё cilin nuk e ka takuar asnjёherё, tё cilin nuk e njeh dhe i cili do tё firmosё marrёveshje nё emёr tё Republikёs sё Shqipёrisё, tё cilat mund tё prodhojnё pasoja afatgjata dhe tё paparashikueshme. Qёndrimi ka qenё tepёr konstruktiv dhe ka qenё njё qёndrim, i cili ka patur nё konsideratё Kushtetutёn dhe detyrimet kushtetuese tё Presidentit, edhe interesin kombёtar edhe interesin publik. Pёr mё tepёr personi kishte bёrё deklarata nё njё televizion tё Kosovёs, tё cilat nuk kishin asnjё lidhje me qёndrimet shtetёrore tё Shqipёrisё nё fushёn e politikёs sё jashtme.

Ndёrsa pёrsa i takon Unazёs sё re, nё mos gaboj, sot bёhen 100 ditё nga fillimi i protestave dhe unё si President, pa patur asnjё paragjykim pёr shkak tё problemit publik dhe protestave tё vazhdueshme tё transmetuara nga tё gjithё mediat, dhe tё kёrkesave tё qytetarёve, kam ushtruar pёrgjegjёsitё e mia, kam kёrkuar informacione nё mёnyrё tё vazhduar, nё mёnyrё tё pёrsёritur. Bazuar nё ligjet e shtetit pёr informim ndaj çdo qytetari dhe zyrtari, po duke u bazuar edhe nё Kushtetutёn e vendit, institucionet janё tё detyruar tё japin informacione dhe pёrgjigje Presidentit pёr çdo kёrkesё dhe pёr çdo shqetёsim, e nё fund fare kam qenё i detyruar tё mbaj njё qёndrim, pasi kam krijuar njё bindje, pёr tё cilёn jam shprehur publikisht dhe tё cilёs vazhdoj t’i qёndroj me bindje tё plotё: Shpikje tё tilla jashtё legjislacionit qё vendi ynё ka, jashtё rendit tonё juridik dhe kushtetues nuk tregojnё pёr njё vend, ku sundon ligji, por tregojnё thjesht pёr njё vend ku sundon shumica. Ky ёshtё njё koncept qё nuk ka lidhje me shtetin e sё drejtёs, pёr mё tepёr qё jemi nё qendёr tё vёmendjes pёrsa i takon respektimit tё ligjit, pёrsa i takon rregullave tё opinionit publik, pёrsa i takon çёshtjeve tё konkurrencёs edhe nga partnerёt ndёrkombёtarё. Reflektimi ndaj kёsaj çёshtje mendoj se ёshtё nё interes tё publikut, ёshtё nё interes tё vet qeverisё edhe tё pёrmirёsimit tё perceptimit pёr seriozitetin qё kemi nё zbatimin e ligjit nё vend pёr tё ardhmen.

Zёri i Amerikёs: Ju u shprehёt se njё nga konsideratat pёr punёn e ministrit tё jashtёm ishte ajo e marrёdhёnieve dhe negociatave me Greqinё pёr çёshtjen e detit. Tani qё ministri i jashtёm u ndryshua dhe erdhi ministri i ri, i cili u ngarkua nga kryeministri pёr tё kryer funksionin e ministrit tё jashtёm, mё lejoni t’iu pyes: A do tё ketё kjo ndikim lidhur me negociatat me Greqinё? Ju jeni shprehur se i keni shumё tё qarta kompetencat se cilit institucion mund t’i delegoni autoritetin kushtetues pёr tё lidhur marrёveshje ndёrkombёtare nё emёr tё Republikёs sё Shqipёrisё. A mund ta sqaroni kёtё? A i ka ministri i ri i ngarkuar kompetencat e plota, qё i ka patur i mёparshmi?

Ilir Meta: Do tё doja tё bёja njё korigjim. Duke iu referuar asaj çfarё ka shprehur ish-kandidati pёr ministёr tё jashtёm: nuk kishte tё bёnte me çёshtjen e negociatave me Greqinё, por kishte tё bёnte me njё qёndrim tё shprehur prej tij nё lidhje me njё kocept tё ri, qё ka dalё pёr korigjime tё pёrgjithshme territoriale nё Ballkanin perёndimor, sepse nuk ka lidhje me kёtё çёshtje. Ndёrsa çёshtjen e marrёdhёnieve me Greqinё e lidha thjesht me vendimin qё ёshtё nё fuqi tё Gjykatёs Kushtetuese pёr shkak tё marrёveshjes sё mёparshme, qё u rrёzua pas kёrkesёs sё Partisё Socialiste, i cili pёrcakton se cilat janё kompetencat e Presidentit dhe tё çdo institucioni nё fushёn e politikёs sё jashtme pёr lidhjen e marrёveshjeve ndёrkombёtare.

Pёr tё ardhur nё thelbin e pyetjes tuaj, se nuk doja tё lija njё keqkuptim: Presidenti e ka shumё tё qartё dhe autorizon vetёm ministrin e jashtёm, i cili nё kёtё rast ёshtё vet kryeministri, me kёrkesёn e tij, dhe ai quhet zoti Edi Rama.

Zёri i Amerikёs: Ai transferoi kompetencat tek zoti Cakaj.

Ilir Meta: Unё e kam shumё tё qartё se cila ёshtё detyra ime dhe cili ёshtё detyrimi im kushtetues.

Zёri i Amerikёs: Jemi ende te bisedimet me Greqinё. Ndёrsa u duk se palёt ishin shumё afёr arritjes sё njё marrёveshje ose pёrfundimit tё negociatave, duket se çёshtjet kanё mbetur pezull, janё lёnё nё harresё. A mendoni se ka ende shpresё, se mund tё arrihet njё marrёveshje sё shpejti, ose ku ёshtё statusi i kёsaj marrёveshje?

Ilir Meta: Besoj se unё i kam pёrmbushur dhe vazhdoj t’i pёrmbush me pёrgjegjёsi tё gjitha detyrimet e mia kushtetuese si President i Republikёs dhe pёr kёtё njё ndihmё tё madhe kam nga vet vendimi i Gjykatёs Kushtetuese pёr kёtё çёshtje dhe pёr çdo marrёveshje tё ngjashme tё kёtij karakteri dhe do tё vazhdoj nё kёtё mёnyrё deri nё fund. Jam shumё i interesuar qё kjo çёshtje tё ishte zgjidhur qё dje, pra, dhe jo sot apo nesёr. Gjithmonё referuar Kushtetutёs dhe vendimit tё Gjykatёs Kushtetuese tё Republikёs sё Shqipёrisё, nё mёnyrё qё tё hidhet njё hap tjetёr pёrpara edhe nё marrёdhёniet tona me fqinjin jugor.

Zёri i Amerikёs: Zoti Meta! Muajin e kaluar nё bazёn e Pashalimanit ndodhi njё vjedhje e njё sasie municioni. Ministria e Mbrojtjes mori njё seri masash pak ditё mё parё. U shkarkuan 15 zyrtarё ushtarakё, ndёrkohё qё javёn e kaluar ministria e mbrojtjes iu ka dёrguar ju njё propozim pёr shkarkimin e komandantit tё Flotёs Detare, gjeneralin Ylber Dogjani. A keni marrё ndonjё vendim deri tani lidhur me kёtё kёrkesё?

Ilir Meta: Nuk kam patur mundёsi tё marr ndonjё vendim, pёr arsye se edhe nuk kam qenё nё zyrё gjatё kёsaj kohe, por megjithatё ekipi im po punon, por njёkohёsisht na duhet tё kemi njё vlerёsim mё tё plotё dhe mё shterues pёr rastin nё fjalё, pasi kemi edhe pretendimet nga ana e komandantit tё Forcave Detare, i cili pretendon qё ka paralajmёruar pёr pasojat apo rreziqet e njё fenomeni tё tillё, ka kёrkuar tё merren disa masa. Ne kemi kёrkuar tё shohim edhe vlerёsimin e ministrisё, tё inspektimit qё ёshtё bёrё dhe do tё marrim vendimin mё tё drejtё dhe do ta bёjmё publik nё mёnyrёn mё transparente.

Zёri i Amerikёs: Zoti Meta! Kёto ditё ambasada amerikane nё Tiranё bёri tё ditur se ajo u ka mohuar dhe revokuar vizat mbi 170 zyrtarёve dhe ish-zyrtarёve publikё qё nga viti 2017. Mendohet tё jetё njё numёr relativisht i lartё zyrtarёsh. Duket njё shifёr relativisht e lartё, duke iu referuar faktit qё nё vitin 2017 prokuroria shqiptare ka regjistruar vetёm 16 procedime pёr korrupsion tё zyrtarёve tё lartё. A mendoni se ky ёshtё njё tregues i faktit se korrupsioni nё Shqipёri ёshtё shtrirё nё nivele tё larta dhe lufta ndaj tij mbetet ende shumё e dobёt?

Ilir Meta: Pёr kёtё nuk mjafton vetёm ky rast apo ky fakt qё shprehni ju. Pёr fat tё keq, raporti i Transparency International tregon njё pёrkeqёsim. Unё mendoj qё ёshtё shumё e rёndёsishme qё SHBA dhe BE tё vijojnё nё mёnyrё mё aktive angazhimin e tyre pёr tё ndihmuar nё ngritjen e besueshme tё institucioneve tё reja tё reformёs nё drejtёsi, tё japin njё mbёshtetje dhe inkurajim mё tё madh pёr ONM-nё, tё cilёn ne e vendosёm edhe nё Kushtetutё, dhe pёr vlerёsimet e saj, nё mёnyrё qё ne t’i kemi sa mё shpejt kёto institucione nё punё, t’i kemi sa mё tё besueshme dhe sa mё tё paanshme.

Zёri i Amerikёs: Edhe njё pyetje e fundit lidhur me temёn e korrupsionit, qё ka dalё kёto dy tre ditё. Nё teori tё gjithё politikanёt i japin mbёshtetje me zё tё lartё luftёs ndaj korrupsionit, por duket se kemi tё bёjmё mё shumё me njё lloj retorike. Po tё shohim reagimin e qeverisё ndaj rasteve qё ka nxjerrё nё pah media pёr korrupsionin, kemi vёnё re njё lloj shfajёsimi ose deri diku njё lloj marrje nё mbrojtje tё personave qё janё tё akuzuar. Po tё njёjtёn gjё vumё re pardje me opozitёn. Nё njё pёrplasje qё pati me ministren e drejtёsisё, pasi ministria e drejtёsisё arrestoi dhe po ndiqen penalisht disa persona qё kanё qenё zyrtarё tё LSI-sё mё parё pёr disa shkelje nё kёtё ministri, kryetarja e LSI-sё goditi ministren e drejtёsisё dhe i mori nё mbrojtje kёta njerёz. Madje nxori edhe emrin tuaj; deri tani, tha, nuk e kam nxjerrё emrin e ministres sё drejtёsisё, pasi ajo ka lidhje familjare me ju. Zonja Kryemadhi kёshtu u shpreh. Si iu duken ju kёto komente? A janё kёto sinjale tё qarta qё politikanёt duhet tё nxjerrin, ndёrkohё qё vendi ka njё problem serioz me korrupsionin?

Ilir Meta: Problemi padyshim qё ёshtё mjaft serioz pёrderisa, e theksoj edhe njё herё, Transparency International e nxjerr tё pёrkeqёsuar dy vitet e fundit vlerёsimin pёr Shqipёrinё. Duhet tё ndodhte e kundёrta. Nё kuadёr tё reformёs nё drejtёsi duhet tё kishte njё frenim, duhet tё kishte njё kujdes mё tё madh nё respektimin e ligjit dhe tё Kushtetutёs, duhet tё kishte njё reagim mё tё shpejtё ndaj rasteve tё qarta dhe ndaj rasteve publike. Unё pёrshёndes çdo procedim, qё bёhet ndaj kujtdo, qofshin edhe raste tё tilla si ajo qё ka ndodhur nё ministrinё e drejtёsisё ditёt e fundit sipas kёtij varianti qё ju po shprehni.

Megjithatё ka disa çёshtje qё janё shumё madhore, sepse çёshtje tё tilla padyshim qё ka dhe do tё ketё. Sepse çdo ditё ka prokurime dhe mund tё ketё edhe shkelje edhe korrupsion. Por ka disa raste ku ёshtё e rёndёsishme tё pёrqёndrohemi mё shumё pёr tё vendosur vёrtet besimin nё funksionimin e shtetit, nё sundimin e ligjit.

Mё konkretisht, unё do tё theksoja faktin skandaloz tё shkeljes sё Kushtetutёs lidhur me dhёnien fuqi prapavepruese pёr shpёrndarjen e dividentit pёr tё kaluarёn, i cili sjell implikime tё mёdha dhe mund tё sjellё edhe pasoja tё mёdha nё tё ardhmen nё dёm tё interesit publik dhe nё dёm tё funksionimit normal tё rendit juridik dhe kushtetues nё njё shtet tё sё drejtёs. Apo edhe rasti tjetёr i Unazёs sё re ёshtё njё rast flagrant, ku kemi njё shkelje tё hapur tё tё drejtave tё njeriut, pёrveç fenomenit jo transparent.

Nga ana ime prokuroria dhe çdo agjenci ligjzbatuese ka patur, ka dhe do tё ketё mbёshtetjen mё tё plotё por edhe duhet tё tregojё bindshёm se ёshtё jashtё çdo ndikimi politik edhe partiak.

Zёri i Amerikёs: Zoti President! Ju faleminderit!.

Filed Under: Politike Tagged With: arben xhixho, Presidenti Meta, VOA

KUJTESE- REVOLUCIONI “KULTUROR”

February 9, 2019 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

universiteti_i_shkodres_luigj_gurakuqi_fakulteti_i_shkencave_te_natyres1967: EDHE MURET E INSTITUTIT FLASIN… PYETNI !/

■6 Shkurt 1967: Terroristi Enver Hoxha në fjalimin e vet programatik shpallë “Revolucionin Ideologjik e Kultural të 1967” të tipit kinez.

Shqipnia shpejt shpallet me Kushtetutë “Shteti i Parë ateist në Botë” !

■Me 15 Shkurt 1967 Kishat dhe Xhamijat mbulohen me “Fletë Rrufe”…

■Në Shkoder vjen per zbatimin e këtij “revolucionit” terroristi Ramiz Alia dhe, bashkë me anadollakët Xhemal Dini, Musa Kraja, Jup Kastrati (Kryetar i Komisionit Pergjedhjes së Leteraturës Fetare Kishtare), si dhe Sadik Rama dhe Angjelin Kumrija, janë organizatorët e të gjitha krimeve të Sigurimit të Shtetit që tashti varej direkt nga komiteti i PPSh së rrethit Shkoder. Lidhja e këtyne vrasësve agjenta të sigurimit, ishte direkte me Byronë Politike në Tiranë. Veprimet ua aprovonte krimineli E.Hoxha.

Menjëherë fillojnë arrestimet me Klerikët Katolik Shqiptar: Don Mark Hasi, At Pjeter Mëshkalla, At Gegë Lumaj…Dhe, pa kalue pak ditë fillojnë veprimet e Gjenocidit në Shqipni me pushkatime, interrnime e zhdukje njerzish. “Lufta e kllasave” pergjakë barbarisht qytetin e Shkodres!

Zhduken nga sigurimi i shtetit: Ernesto Çoba Kryetar i Kishës Katolike, Don Zef Bici, Don Mark Dushi, Don Marin Shkurti, Don Shtjefen Kurti, Don Anton Doçi, Don Mikel Beltoja, Don Prek Nikçi, Don Mark Hasi, Don Lazer Jubani, Don Lec Sahatçija, Don Nikoll Gjini, Imzot Lazer Sheldija, Don Pjeter Gruda, dhe kështu plotsohet numri i 65 Klerikve të vramë… Po me perkthyes e intelektual shka u ba… Apo, janë zhdukë “dosjet”?

Të gjithë ata vrasës që kryene këta krime vazhdojnë me kenë “Heronjë të Popullit”, po të cilit “Popull” nuk po e percaktoj… Percaktimi sot i perket

Akademisë “antishkencore” të Tiranës, dhe “Kuvendit Popullor”…

Shumë veprime dhe dokumenta po punohet me i zhdukë ose me i harrue, e Kishen e Vaut të Dejës ku asht kunorzue Gjergj Kastrioti–Skenderbeu, nuk do ta fshijnë as shekujt që vijnë në Historinë e Popullit Shqiptar!

Ashtu si ju, edhe Historia nuk do të ketë mëshirë ndaj krimeve tua!

Melbourne, 9 Shkurt 2019.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz Radovanii, Revolucioni Kulturor

Libri “Para-j-sa?! i Petraq Ristos – libër thesar

February 8, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Petraq Para-J-a sacShqiptarët, të pakët në numër, duket se janë të pakët edhe si lexues të letërsisë së tyre. A nuk e dinë se nga mosleximi, një komb bëhet akoma më i vogël e më i varfër në dije, kulturë e në të gjitha? Sepse nuk mund të hidhen tej a mbulohen romane e poezi me vlera të shumta të një brezi bashkëkohorë poetësh. Një prej tyre është Petraq Risto. Poezia e tij përshkohet nga trishtimi, ndjenjë që Risto e vesh me një vello shpotitëse. Vetëm kështu e veshur ajo mund të fshihet e shtrihet thellë në zonën më të thellë të shpirtit, ku bluhet derisa bëhet pluhur e shpërthen jashtë nën presion. Me një stil të rrjedhshëm vargjesh të lira, në librin poetik “Para-j-sa?!”, Risto ndihmohet nga kjo ndjenjë herë-herë pesimiste-zhgënjimi-trishtimi për të krijuar vargje perlash të tilla për t’ia hedhur në qafë si stoli çdo njeriut jo-foshnje apo të gjithë atyre që duan të lexojnë:

“Si të bujtim në të njejtën sofër
me mbrëmjen e lodhur nga pjekja…” (Thelbi i padukshëm)

ose

“Një dorë valëvitet në ajër: flamur përshëndetjeje
Nga që s’merr përgjigje, si re në ajër tretet…)

Por veç njeriut që nuk lexon, është edhe mësuesja që vret veten kur sheh ish nxënësit që ulen thjesht për të lexuar vetëm përmbajtjen e faturave të shpenzimeve që u vijnë një herë në muaj; ky është i vetmi fryt i mësimeve të saj, çdo dije tjerër e ka humbur vlerën:

“E gjetën në rrënojat e qytetërimeve të vjetra me lulëkuqe në tëmth
Me buzëqeshje cinike në gojën e hapur ku vërtitej një bletë e hutuar….” (Mësuesja e historisë vetvritet)

“Para-j-sa?!” përmbledh poezi që Risto i ka shkruar kohë pas kohe në shumë vende të botës ku ka shkuar jo si shetitës por si qëmtues i përvojës së tyre. Ai merr atmosferën e ditës, dhe frymëzohet duke e shprehur në vargje, si këto shkruar në Tiranën e 2016s:

“I fundosur në një det sa një dhomë, me dallgë sa një pasqyrë apo sa një jastëk
Me peshkaqenë sa një mendim, sa një frikë e herëshme, sa një kërcënim..”
(I fundosur…)

“Para-j-sa?!” në rreth 300 faqe përmban edhe nje kapitull me Epitafe:

“Shumë gjëra i mësova gjatë rrugës
Dhe kur arrita në fund të saj
Rruga nisi të qaj…” (Epitaf 407)

apo…

“Jetova në një shkëmb me një skifter: herë e ushqeja, herë më ushqente
Në shkëmbin e madh gdhenda vargje paprerë, dëgjoja recitimin e erërave
U zbut skifteri, mi solli bilbilat në derë….” (Epitaf#103…)

Duket se autori Petraq Risto parasheh se kulturës (por edhe njeriut, shoqërisë) shpejt mund t’i vijë vdekja, mund të shuhet, nëse harron një nga bashkëpuntorët e tij më të mirë, më besnik, më të pashtershëm, i cili është libri që lexohet.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: "para-j-sa?, Astrit Lulushi, liber thesar, Petraq Risto

ME DASHNI

February 8, 2019 by dgreca

ALFONS GRISHAJ NE SOFREN POETIKE E DIELLIT/

2-Alfons-Grishaj1-250x300

ME DASHNI/

sa  her zemrimin tem e kam shpla n’ detin me kryp/

e  mprapa e kam tha n’ erën e egër t’ veriut/

tuj këndu me harp paqes me arna/

qi valvitet mbi dallg’t e detit/

pa u myt/

 

sa her e kam shky betimin me ndez nji qiri

n’ errsinën e mkatarit t’ thërmum e fikun

tu i mbledh thrrimet  si lot’ e dyllit

e  ndërtu rishtas nji zjarm t’ ri

 

sa her rrezatimin e synit e kam derdh mi trajtat e luleve

lutun me lulzue   dhe n’ dimën

qi me  busllue  ndjenjat

t’ ngatrrueme  si fije merimange mbi  tra

 

sa vjet ka qi penelin e kam varros

me kujtimin e gozhdum n’ syrtarin e memorjes

qi pshertinë prap si nji dame kineastësh n’ andrra

tuj m’ ftu  për nji vals qiellor

 

po bahem nji me andrrat  në flautin magjik

veç jo me hijet qi kan djeg dashnin teme n’furrën e urrejtjes

tuj mendu se kan djeg  nji idil

 

O Zot valsin e dytë e vallzoj  me dashni

e buzqeshje t’pa vrame

tu i grish trumpetat n’ hapjen e

portave t’ qenies shpirtit

drejt galdimit hyjnor

 

UDHËTIMI I DYTË

me Bukowskin kam shetitur në paralelet

e globit mes vargjeve  të mockinbird

traktateve  të jetës së

përditshme

 

me Rumin kam udhëtuar

brenda drithmës poetike

filozofisë së papërsëritshme

që zbulon universin

 

me Danten kam mësuar

ëmbëlsinë e dashurisë

sekretin e jetës

fundin palavdi

dhe lavdinë e pafund

 

ASKUSHI

askushi mori foton time

dhe si guzhinier i keq  gatoi një sallatë

në piatën e shpuar të delitantëve

duke  mbllaçitur  si kau  kashtën

pa shijur kallirin e artë të grurit

zëzëllonte  si vravashkë

ne fotoshapin e letrave higjenike

shtypur në  bordello

 

me këpucë Boss dhe

tantellë trotuari

zbërtheu zinxhirin

në  piacën e prostitutave

duke çelë  dritën  jeshile

tërlikeve të rënë…

 

 

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, Askushi, cikel poetik, Me Dashni, Udhetimi i dyte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT